Qethja e dhenve

Komuniteti i banorëve nga Kalivaçi i Tepelenës, për vetë kushtet specifike të trevës dhe largësisë nga tregu tradicional, historikisht është marrë me blegtori. Një fshatar nga Kalivaçi nuk e ka të vështirë të verë përpara një tufë me dhen ose me dhi e t’u shërbejë atyre me kompetencë e përkushtim, si në dimër dhe në verë. Bashkëfshatarët tanë, në shtëpitë e tyre (në katoj), e në kasolle dhe në stane kanë mbajtur qysh në kohët që nuk mbahen mend, dele e dhi.

Gjedhët, në Kalivaç kanë qenë të pakët e kryesisht të kufizuar tek qetë e punës. Familja më e kamur kishte në mbarështrim edhe ndonjë lopë” ligace” ose me qumësht, sa për të mbajtur shpirtin e për të ripërtërirë qetë e parmendës. Në katonjtë e në kasollet e kalivaçasve, gjeje dhe njëthundrakë, kryesisht kafshë ngarkese, kryesisht gomerë, kuaj e në të rrallë ndonjë mushkë. Klima, terreni dhe mundësitë ekonomike të familjeve fshatare bënin që si kafshë ngarkese e preferuar të ishte gomari.Kjo kafshë ngarkese konsiderohej e ishte, në fakt, me ekonomike, si persa i takon te ushqyerit dhe për strehim. Kuajt e ngarkesës, gjithashtu nuk ishin të paktë, kurse mushkat qenë të rralla.Meqënëse kalivaçasit të ardhurat kryesore për të mbajtur familjen i siguronin nga bagëtitë e imëta, edhe sytë e tyre ishin kthyer nga delet e dhitë. Preferencat e vendasve lidhur me këto dy specie anonin nga delet. Fusha e Kalivaçit ( Pusi), Qurket, Bexga e Hasanbegajve, Majat, Grykat, lëndinat në Saloniq e në Specovë dhe në veçanti Plira e Ruçit, kanë qënë kullota të përshtatshme, mjaft të populluara nga dhentë e fshatit e nga te ardhurit.Kodrat e fshatit, të veshura me shkurre përralli, mbrete, ilqe, xine, xane, paliçe, xin frashër, lis, vidh etj . janë shfrytëzuar, në të gjitha kohët, si kullota të përshtatshme për mbarështrimin e dhive . Në Kalivaç, fshatarët, tradicionalisht kanë mbarështruar dhinë, por familjet qe i preferonin ato ishin të pakta .Meratë (kullotat) e dhive, të cilat kanë kapacitet kullosor për rreth 800 krerë dhi, komuniteti kalivaças, si rregull jetëgjatë ua jepnin me qera të ardhurve nga treva të tjera të vendit tonë. Në vendin e quajtur Fieri i Metes, i cili ndodhet disa metra sipër Murit të Hasanet, ka pas ngritur stanin Rako Meshini, nga Malëshova e Përmetit.Dorëzanë të familjes së tij, në Ahmetaj , ishte Bashkëfshatari i zgjuar Abedin Kahreman Hadëraj. Në vendin e quajtur Këmba e Gurit ka patur nomenë (stanin)Peço Mekshi dhe vëllai i tij, nga Zagoria malore. etj.

Delen, banorët e Kalivaçit të Tepelenës e mbarështronin për ti marrë qumështin, të cilin, siç dihet , ajo e ka me mjaft vlera ushqyese.Ata, i merrnin deles qëngjin, për mish, dhe lëkurën , për ta përdorur për nevoja të ndryshme shtëpiake;përftonin plehun e i merrnin leshin , i cili , vazhdimisht është përdorur gjërësisht në ekonomitë e fshastarëve tanë. Disa përdorime , me vlerë të leshit të deles, janë : Përgatitja e çorapeve; bluzave; fanelave që mbahen në mish; shallave; bëhen sherqe, pantallona e xhaketa shajaku; llabane e veshje të tjera. Në kushtet kur pambuku dhe lini nuk industrializoheshin e nuk përdoreshin si fije për endjen e pëlhurave, leshi ishte i pazëvëndësueshëm.

Lëkura e deles, me një përpunim të thjeshtë artizanal bëhet poste për ta shtruar në dyshemenë e shtëpisë.Me lëkurën e deles, pas përpunimit, përgatiten stromat e samarëve , për kafshet e ngarkesës, bëhen shakujt , për të depozituar me të bëhet shtroma e samarëve për kafshët , përdoret për të depozituar gjizën, urrëlën, madje edhe rakinë.Kohë më parë, me lëkurë bëheshin dhe zbukurime e thurje të ndryshme.Në Kalivaç, delet, si rregull, i qethnin një herë në vit.Qethja e dhenve, në Kalivaç e më gjerë, kthehej në një festë të vërtetë,pagane. Ajo ishte një veprimtari baritore, me shumë leverdi ekonomike, por dhe me mundime e rreziqe. Është festë pagane pse nuk ka lidhjeme ndonjë rit fetar, por thjeshte me kalendarin diellor – hënor dhe i bën jehonë një prodhimi të ri, e çfarë prodhimi? Qethja e dhenve ka të bëjë me vjeljen e leshit, i cili është jetik për jetesën e një familje baritore. Qethja e dhenve është një proçes delikat për të vetmen arsye se leshi duhet të pritet vetëm në një vend, jo të bëhet copa-copa. Prerja e leshit ne nje vend te vetëm ka të bëjë drejtpërdrejt me cilësinë e tij. Leshi që përftohej dikur nga qethja e deleve në hapsirat e Kalivaçit ishte i ashpër e i gjatë. Pas përmirësimit rracor të tyre, me kolektivizimin e pronës, në tufat e deleve të fshatit, sidomos tek ato të përbashkëtat u futën raca me lesh më të hollë e më të dëndur si raca merinos, delja rudë, raca e Dagestanit etj, të cilat kishin shitje më të leverdisshme,në treg, dhe përpunohej më lehtë. Kualitetet e leshit të deles kanë të bëjnë kryesisht me gjatësinë e fillit (flokut), pastërtinë e tij, praninë e yndyrës së vet në rrënjën e flokut dhe me ngjyrën. Proçesi i qethjes së deleve kalon nëpër dy faza . Në fazën e parë e cila përkon me ardhjen e pranverës, konkretisht me fundin e shkurtit e fillimin e marsit kur deleve u qethen këmbët, bishtat dhe qafa. Më pas, kur dielli ngrihet e moti ngrohet, qe i takon fundit të prillit , sipas kalendarit osman, proçesi i qethjes së dhenve finalizohet me qethjen e plotë të tyre.

Qethja e deleve, vërtet, tradicionalisht është bërë në pranverë, por nuk ka patur ndonjë ditë apo kohë të përcaktuar me saktësi. Koha e qethjes së dhenve lidhet kryesisht me motin . Kur pranvera vjen më herët e është e nxehtë dhe e thatë, qethja e deleve bëhet më herët.Kjo është vetëm punë ditësh.Qethja e tufës së deleve bëhet në të njëjtën ditë. Meqënëse tufa e deleve ka patur e ka në përbërje mjaft krerë, qethjen e tyre në të njëjtën ditë nuk mund ta përballojë i vetëm çobani. Për ta përballuar volumin e madh të punës atë ditë, çobani fton një apo më shumë burra, nga familjet gjitonë, ose jashtë komunitetit fisnor. Ata mund të jenë të afërt të çobanit ose thjesht nga mëhalla apo nga fshati . Një kusht i domosdoshëm, në këtë rast, është, të mbahet parasysh: Burrat që ftohen për të ndihmuar lipset të jenë me përvojë për qethjen e deleve dhe të jenë njerëz që punojnë shpejt dhe paster,në kuptimin e cilësisë të prodhimit që nxjerrin nga duart e tyre. Me termin pastër kam parasysh të mos pritet leshi disa herë dhe kur leshi ndahet qartas në“Majë”e“Mjetë”dhe kur iftuari di ta bjë leshin që qeth-“bashkë”.

Një “bashkë”, si rregull përfshin leshin që përftohet nga qethja e një deleje.Cobani, para se të fillojë qethja e dhenve të tufës së tij, merr disa masa paraprake, të domosdoshme. Puna e parë është sigurimi i gërshërëve me të cilat do të qethen delet. Gërshërët përbëhen nga dy fletë çeliku, të gjata rreth 30 cm, me majë të mprehtë, në pjesën fundore në njërën anë e me dorezë të rrumbullaktë në anën tjetër. Tek doreza lihet një një brimë sa të nxërë gishtin e madh të dorës së burrit. Të dyja fletët e çelikta bashkohen me njëra – tjetrën aty ku mbaron pjesa e mprehtë e tyre . Bashkimi i fletëve bëhet me anë të një perçine ose bulone.Gërshërët me të cilat qethen dhentë çobanët, dikur i blinin në pazarin e Vlorës, në Këlcyrë, në Berat, në Fier e gjetkë. Prerja e leshit bëhet ngjitur me lëkurën e deles, me majën e gërshërëve, duke bërë kujdes maksimal që të mos pritet lëkura e berrit (deles).Prandaj proçesi i qethjes së dhenve konsidrohet delikat e nuk mund ta kryejë kushdo. Më të rinjtë aktivizohen për qethjen e dhenve, nën mbikqyrjen e atyre me përvojë. Në mëhallët e “Pusit “, sa mbaj mend unë, qethja e dhenve bëhej në vendin e quajtur Qurke. Ky vend ishte zgjedhur për arsye se ishte i ekspozuar bukur përballë diellit dhe se aty kishte hapësirë të gjerë për punë. Dhentë që i nënshtroheshin qethjes qendronin aty qark gjithë ditën . Qurket ishin vend i përshtatshëm ku delet lëviznin lirisht e mund të “brinin “ ndonjë fije bar të njomë.
Qethja e dhenve nis qysh në mëngjes.Bariu i tufës dhe të thirrurit për ndihmë të cilët quhen “argatë”, me gërshërë në dorë, kapin nga një dele, e shtrijnë, mes këmbëve, bënë ritin musliman, “bismilahi” e fillojnë qethjen.Qethja e deles nis nga gusha e deles , ose nga bishti i saj. Leshi i qethur mblidhet me kujdes, sipas një rregulli të njohur nga barinjtë e bëhet “bashkë”.

E zonja e shtëpisë, ndërkohë që burrat qethin bagëtitë, përgatit drekën . Dreka kthehet në fesrë e shtrohet , si rregull , në natyrë, atje ku realizohet qethja e bagëtive. Dikur, për të lezetuar drekën e për ti dhënë karakter festiv, therej një pulë ose një qëngj, bëhej në yshmer, me gjalpë ose me vaj ulliri, ( pula gatuhej me rosnica ), shtrohej një çorbë, një tas me kos dhe më në fund një ëmbëlsirë (revani, paluze ose kalimar). Në çdo rast, nuk mungonte rakia e rrushit ose, kur ajo ishte e pamundur, njerëzit kënaqeshin edhe me rakinë e koçimares.Kur mbaronte qethja e deleve, i zoti i dhenve e fuste leshin nëpër thasë dhe e transportonte në shtëpinë e tij. Disa familje, për arsye thjesht ekonomike i qethnin delet dy herë, brenda vitit. Qethja e parë bëhej në muajin prill; e dyta, në fund të gushtit. Kështu vepronin ata çobanë, të cilët nuk mund të siguronin kullotë për dhentë e tyre, për stinën e dimrit . Këta, në stinën e ftohtë e realizonin kullotjene dhenve në natyrë, duke shfrytëzuar pyllin me shkurre në hapësirat e fshatit. Qethja dy herë e deleve nuk është e rekomanduar, mbasi ka më shumë disavantazhe e më pak përfitime ekonomike . Para së gjithash nuk këshillohet lidhur më shëndetin e deleve, të cilat futen në stinën e ftohtë të zhveshura, pa mburojën e tyre natyrale, leshin, mbi kurriz.Festa pagane e qethjes së dhenve është një festë, e cila përsëritet çdo vit, në të njëjtën kohë.

Leshi i deles është një mall lehtësisht i magazinueshëm e që mund të konservohet gjatë, në kushtet e familjes baritore. Me tej, me kohë, amvisat bëjnë larjen e leshit, tharjen, krehjen, tjerrjen dhe endjen e tij. Gratë amvisa të mira e me specialitet, fijet që dalin nga tjerrja , i ngjyrosin , sipas dëshirës dhe i kalojnë në tezgjah, nga ku nxjerrin qilima, hejbe, veshje te ndryshme e punime leshi , të larmishme.

Në Tiranë , më 4 shkurt 2012
Punoi Niazi Nelaj