Natyra është e begatë dhe e larmishme. Ajo mban në gjirin e saj çdo gjë që i duhet njeriut për të jetuar e, kur është nevoja, për t’u mjekuar. Gjatë tërë jetës mbi tokë njeriu ka qenë në kërkim të ushqimit dhe mjekimit. Nga kohë në kohë mënyrat e gjetjes e të përgatitjes së mjeteve të jetesës kanë evoluar. Teknologjia vërtet ka ardhur në përmirësim, por njeriu, në çdo kohë, i ka hedhur sytë nga natyra e ka kërkuar ndihmën e saj.

Disa herë njeriu i ka marrë produktet të gatshme, teksa disa prodhime të natyrës ka qenë i detyruar t’i përpunojë e t’i përshtatë. Në jetën e njeriut, kafshët kanë qenë përherë element i pandarë i njeriut. Më së shumti njeriu ka mbarështuar kafshë të ndryshme shtëpiake, por jo rrallë është ndeshur e ka qenë i detyruar të mbrohet nga egërsirat e pyllit. Kafshët shtëpiake, njeriu i ka ushqyer dhe kur ka qenë e nevojshme i ka mjekuar.

Kafshët shtëpiake dhe bagëtitë zakonisht ushqimin e sigurojnë nga natyra, ku e gjejnë të gatshëm dhe pa shumë vështirësi. Kur kafsha që mbarështohet nuk e përballon dot bashkëjetesën me natyrën për shkak të përkeqësimit të shëndetit, mbarështuesi ndërhyn dhe e mjekon atë po me produkte të natyrës bimore. Po të tentoja të numëroja bimët medicinale që rriten në hapësirën e Kalivaçit dhe të trevës rreth tij, do të dilte një listë tepër e gjatë. Po të shtojmë dhe disa bimë që kanë hyrë kohët e fundit në „inventarin“ e bimëve medicinale, lista do të zgjatej akoma më tepër. Kam bindjen se çdo bimë që rritet nën qiellin e hapët dhe thith oksigjenin apo ujërat nëntokësore, të pasura me minerale të shumta, është me vlera e diçka të dobishme ka. Shkenca në zhvillim vërtet ka kapur disa maja e do të kapë të tjera, me siguri, por ajo, në çdo fushë të jetës, orientimin e merr nga nëna natyrë, e cila është ekuilibristi më i mirë.

Ndonjëri e vështron me dyshim ndikimin e bimëve mjekësore për mjekimin e sëmundjeve të ndryshme; e mirëkuptoj skepticizmin e tij, por kërkohet të mbajmë parasysh se lëndët kuruese, tek bimët që rriten në natyrë, nuk janë me efekt të shpejtë si ato që përmbajnë medikamentet sintetike. Diku kam lexuar se për të bërë efektin e një tablete, duhet të konsumojmë shumë kilogramë bimë medicinale.

Bimët medicinale janë të shumta e të shumëllojta. Do të përmend disa syresh, nga ato që gjenden më shpesh në fushën e Kalivaçit; anës lumit; në lëndina e në kullota; në bregoret me shkurre e kudo. Më i gjenduri është kamomili (matrikarja kaqmamila); mellaga, lule e gjethe (malva silvestra); murrizi - gjethe, lule e kokrra; kilikaza apo lulja e gjarprit, e cila shfrytëzohet në formën e tuberave të thara mirë, mbasi është e hidhur, por, nga halli, mund të thahet, të bluhet e të përzihet me miell, pastaj mund të gatuhet bukë, siç ka vepruar Jul Qesari në kohën kur u ndodh ngushtë me ushqimin e legjioneve që drejtonte, gjatë marshimit nëpër Shqipëri, në drejtim të Jugut. Tuberat e thara mirë mund të shfrytëzohen dhe për të përgatitur salep. Bimë tjetër medicinale, e kudondodhur, është krisja, grami, rrënjët e të cilit, të thara e të pastruara, mund të zihen dhe çaji i tyre përdoret për të pastruar veshkat e për të nxjerrë gurët prej tyre. Edhe gremi, ose talla mund të përdoret si bimë medicinale.

Farat e gjembacit të gomarit në sasi të caktuar mund të përdoren për tretjen e gurëve në veshka etj.

Bimë të tjera të dobishme për njeriun dhe për kafshët, si bimë shëruese, janë: mustaqet e misrit; lulet e konopicës, lulet e koçimares; lulet e xanës; netulla; lulet e shtogut; kulpëra; rrezet e diellit; lëkura e goricës, e provuar si shëruese e diarresë tek fëmijët (e përdorur si çaj); shalqiri, si masë e lëngshme që favorizon shtyrjen e gurëve të veshkave për të dalë nga kanali i urinës etj. Efektivitet të pëlqyeshëm japin farat e kungullit, të pjekura apo siç i gjejmë në natyrë për të luftuar kundra askarideve që zënë vend në zorrët e njerëzve, në veçanti kur ata janë fëmijë laktantë. Vend qendror e me shumë vlera marrin vaji i ullirit, çaji i gjetheve të ullirit dhe përdorimi i kokrrave të kripura të ullirit, si ushqim për njerëzit. Vaji i ullirit bart me vete vlera universale dhe është përdorur nga njeriu për mjaft procese favorizuese mjekimi, deri tek fërkimi fort, në sipërfaqe të lëkurës së njeriut. Bima e Aloe verës është bimë e vendeve të nxehta, por ka gjetur kultivim dhe përdorim të gjerë, edhe në vendin tonë, madje dhe në Kalivaç.

Dikur, në fëmijërinë time kujtoj disa bimë të veçanta, të cilat rriteshin poshtë shkurreve ose ishin vetë shkurre si thana, shega, kokrrat e shijshme të arrës, të cilat janë ushqim i shijshëm për njeriun, por në mes të thelpinjve është një si diafragmë ndarëse, fletët e së cilës janë mjaft efektive kundër kollës, nëse ziejnë mirë, në formë çaji. Ia vlen të përmendim kulumbrinë, dëllinjën e kuqe e të zezë, kokrrat e trëndafilit të qenit; brumbullin; rigonin; sherebelën, blirin e bardhë dhe blirin e kuq; elbin e ngrohur; percet; shaptoren; brokolin, gjethet e ferrës; gjethet e arrës; kaçkat e arrës; bexgën (dunicën); farat e lirit; lulekuqen (paparunjen); majdanozin; nenexhikun (nanenë); lulelakrën; lakrën e bardhë; karrotën, selinonë, koprën, gjurmën e mushkës; kenanë; lulen e gurit, fierin e gurit etj. etj. Kur është folur e shkruar për mjekësinë popullore, kam nënvizuar disa nga metodat që përdornin njerëzit për të shëruar kollën, gripin, diarrenë, të ftohtët, thyerjen e gjymtyrëve etj. Jakia, hedhja në djersë, përdorimi i oshafeve, hedhja e kupave etj. etj. s’janë veçse disa mënyra për të ruajtur jetën. Mos t’u hyjmë në pjesë atyre që ushtrojnë mjekësinë popullore, le t’i lëmë në mënyrat e tyre të punës.

Në Kalivaç ka pasur e ka blegtorë esnafë. Në mëhallët e Pusit, si mbarështues të dalluar të dhenve kanë qenë: Zenel Jaup Agaj; Kalo Qazo Ramaj; Nasip Hysen Alidervishaj; Mahmut Muharrem Pashaj; Aqif Axhem Caushaj; vëllezërit Laze e Banush Xhezo Haderaj; Ahmet Selfo Zenelaj; Sherif Rrapo Zenelaj; Xhevit Malko Nelaj etj. Ata, jo vetëm që ishin blegtorë të pasionuar, por dhe shquheshin si esnafë të cilët i përgatitnin vetë „ilaçet“, me bimë mjekësore të cilat gjendeshin në natyrë dhe i përpunonin e i injektonin tek bagëtitë vetë ata.

Vendet (arat, lëndinat, kullotat, bregoret e pyllëzuara etj.) ku gjendeshin bimë medicinale, në mëhallët e Pusit dhe thuajse në të gjithë hapësirën e Kalivaçit janë: Margellici; Mocalet; Grykat; Arat e Mëdha; Shuret; Rredhet, Xinat, Llapovicat; Vidhishtet, Shpendrat; Gurjet, Qurket, Ullinjtë e Hysodosajve, Muratovat, Jorgat, Xanat, Rrezat, bahçet dhe trojet e ndryshme e kudo. Ato bimë, të cilat nuk rriten në Kalivaç, mbledhëset (mbledhësit) e bimëve medicinale, i gjenin e i mblidhnin në pllajën e malit mbi Dorez, në Bozhek, madje disa bimë të rralla i mblidhnin edhe në Lopës, deri në Dhemblan. Ata që mblidhnin bimë medicinale ishin njohës të mirë të bimëve dhe të vendeve ku ato rriteshin. Kësisoj, në Kalivaç, por jo vetëm, ka pasur e ka njerëz, në veçanti blegtorë të cilët njohin mirë bimët dhe janë në gjendje të dallojnë barërat helmuese të cilat çojnë deri në humbjen e jetës së bagëtive dhe shmangin futjen e tufës në ato ara apo kullota.

Bimë medicinale kanë mbledhur si gratë, ashtu dhe disa burra të Kalivaçit. Mund të pohoj se në përgjithësi gratë vejusha, të ashtuquajturat shamizeza, kanë qenë në pararojë të mbledhësve të bimëve medicinale. Në Ahmetaj, p.sh., në pararojë ishin: Zonja e Vogël e Binajve dhe kunata e saj - Zonja e Madhe e Binajve; Tajanja e Muharrem Kamberit; Havizeja e Shyqyri Abedinit; Bukurija e Mane Tafilit etj. Në Hasanimeraj rekorde mbante Lalaja e Velos; Halimeja e Seit Durkes; Yzemeja e Rexhep Abedinit, Kezja e Xhemal Banushit e ndonjë tjetër. Nga meshkujt, më aktiv ka qenë Kamberi i Muharrem Kamberit, i cili ishte në ballë të atyre që mblidhnin lule xane, sidomos në vendin e quajtur Mocale (ara e re); në Trapin e Çesmës etj. Kanë mbledhur bimë medicinale dhe Petrefi i Reshat Resmiut me nënën e tij – Xhikon (ndjesë pastë); Xhevati i Safet Ahmetit së bashku me të ndjerën nënën e tij - Fatimene e të tjerë.

Disa bimë medicinale dorëzoheshin në depon e grumbullimit, në Krahës (qendër) ku grumbullues ishte Resmi Hoxha e më pas ai që e zëvendësoi; të pamanipuluara, vetëm të thara në hije, teksa bimë të tjera lipsej të ishin të përpunuara. Nga shitja e bimëve medicinale gratë apo burrat merrnin të holla, më shumë nga vlera e ditës së punës. Me paratë që përftonin, bashkëfshatarët tanë blinin sende ushqimore, në veçanti, sheqer, oriz, makarona, vaj kikiriku ose metrazhe, të cilat gjendeshin me vështirësi. Meqenëse mbledhja e bimëve medicinale konkurroi punën në kooperativën bujqësore në çështjen e fitimit dhe mjaft kooperativistë nisën të anonin nga grumbullimi i bimëve medicinale, kryesia e kooperativës bujqësore të fshatit vuri disa kufizime e shpalli disa sanksione. Masat e marra e kufizuan disi veprimtarinë e pakontrolluar të mbledhësve të bimëve medicinale, por nuk e zhdukën plotësisht atë. Në kohën kur jetojmë, kur pikat e grumbullimit janë reduktuar shumë, nuk ia vlen të harxhohen koha dhe djersa, pa përfitim.

Ky shkrim i shpejtë u bë për të plotësuar „hartën“ e veprimtarive të dobishme të kalivaçasve. Nëse do të isha ndihmuar më tepër nga ata që janë rritur ose banojnë në Kalivaç, shkrimi, me siguri që do të dilte më i plotë. Më duhet të shpreh mirënjohje për Prof. dr. Vezir Fejzo Muharremaj; për Xhevatin e Safet Ahmetit, për Dilaverin e Xhevit Malkos; për Xhelalin e Dine Xhelalit dhe për Sadikun e Jace Sadikut, të cilët u treguan të gatshëm dhe ndihmuan sa mundën. Shkrimi nuk është fundi i kësaj teme; kam bindje se të tjerë bashkëfshatarë të nderuar do ta plotësojnë atë, me emra bimësh dhe me mendime të vyera.

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, kalivaças autokton; në Tiranë, më 04.03.2023