(kujtime vetjake)

Në vitin 1956, në pranverë, kur isha nxënës në Teknikumin Bujqësor "Irakli Terova" të Korçës, shkuam në një piknik, në fshatin Qatrom të këtij rrethi. Aty, dëgjova për herë të parë një këngë popullore, të cilën e këndonte bukur një vajzë e re.

Teksti i këngës ishte:

"… Rritu, mollë e vogël - o;
Rritu, mollëz - o;
Plot me kokrra u ngarko;
Rritu, mollëz - o;
Kur të na vijnë miqtë pasdarke;
Me ato kokrra rrumbullake;
T’i gostitim – lulëzo;
Rritu, mollëz - o;
Rritu, mollë e vogël - o;
Rritu, mollëz - o;
..."

E dëgjova me shumë vëmendje e u habita. Kujtova pasdarkat tona të "ëmbla" në vitet e fëmijërisë sime në Kalivaç të Tepelenës. Ajo që më habiti ishte ngjashmëria mes trevave të cilat, ndonëse larg njëra-tjetrës gjeografikisht, kishin të njëjtat zakone e tradita.

Në vitet e para të pasçlirimit të vendit, kur ishim fëmijë në rritje, në familjet tona të varfra, të dala nga lufta të uritura e të rreckosura, ndanim me njëri-tjetrin varfërinë, por ishim shumë afër, shpirtërisht. Ato që do të shkruaj më poshtë janë fare të vërteta e të përjetuara. Të mos rrahim gjoksin se çoç kemi qenë e diçka të madhe kemi bërë. Ishim në të njëjtat kushte e jetonim varfërinë e skajshme. Fshati ynë, si shumë të tjerë, ishte i paelektrifikuar, merrnim ujë për të pirë disa kilometra larg (mbushnim ujë në burimet shkëmbore anës lumit të Vjosës); punonim arat me parmendë, ishim plotësisht nën pushtetin e natyrës (lexo: kushteve natyrore) dhe gjendeshim në kushtet e mbijetesës. Nuk bëhej fjalë për televizore, as për një radio të thjeshtë; ishte fantazi të mendohej për frigorifere; për transport përdoreshin gomarët dhe kuajt e ngarkesës; profesioni i çobanit ishte më i ushtruari dhe ushtarakët, mësuesit dhe klerikët ishin më të preferuarit.

Nuk e teproj, po të them se ishim në mjerim, por kishim optimizmin me vete dhe shpresën tek ndryshimi dhe kishim e "mbanim" fort shoqi-shoqin. Këtë panoramë të fshatit, janë të paktë ata që e kanë përjetuar. Shumica e njerëzve nuk e kanë përcjellë; e shumta mund ta kenë dëgjuar ose lexuar, prandaj, disa aspekte të rrëfimit tim mund të ngjajnë si të pabesueshme.

Në shkrim do të sjell kujtimet vetjake nga kjo periudhë, e cila tek fëmijët e djeshëm mbetet gjatë në kujtesë. Kujtimet për të shkuarën janë pjesë e jetës, e domosdo ruhen në kujtesë, me nostalgji. Më nxitën për të formuluar këto radhë respekti, nderimi e kujtimi për ata njerëz të njerëzishëm, të cilët, edhe pse nuk kishin shumë gjëra në shtëpi, mblonin thellë në gji dashurinë për njerëzit e gjakut, të fisit, për gjitonët e mirë edhe pse nuk ishin në lidhje gjaku me ta. Siç mblonin të mbluajturat për mikun e shtëpisë, ata shpalosnin bujarinë e shpirtit, për të kënaqur me ato qerasje të pakta ata që u donte zemra. Ndoshta nuk do t’i kishte ardhur radha për t’u bashkuar me shkrimet për fshatin tonë fatlum e të bekuar, po të mos kish qenë nxitja e vëllait tim të vetëm, Dilaverit, i cili, si unë, ka vuajtur mjaft në fëmijëri e në rini dhe tani, jeta i rezervoi një pleqëri të vështirë. Dilaveri, duke vënë në lëvizje kujtesën e lënduar, solli disa fakte e raste të përjetuara, të cilat e plotësuan dhe e saktësuan rrëfimin tim.

Në mëhallën time, në Ahmetaj të Kalivaçit të Tepelenës, të cilën e njoh më mirë, ka ekzistuar një traditë e mirëpranuar nga të gjithë banorët. Pas darkave, Nënat, atje ku ishte e mundur edhe baballarët, merrnin fëmijët dhe me një kandil në dorë, ose në rastin më të mirë me një fener me vajguri, dilnin nga shtëpia e tyre dhe shkonin për "vizitë" tek një i afërt. Unë di çfarë ngjante në mëhallën time, por kjo traditë, ma do mendja se ishte në çdo mëhallë të fshatit, madje dhe më tej, në trevë, në rreth e në tërë vendin. Shkonim pasdarkave në disa shtëpi, por jo në të gjitha familjet. Përparësi kishin të moshuarit. Shtëpia e Musa Mehmetit ishte e para ndër të preferuarat.

Jo se ishte xhaxhai ynë; më i moshuari, por dhe më i mençuri e më i nderuari atdhetar. Duke qenë atdhetar e trim i mençur, në Kalivaç të Tepelenës, ai bartte me vete gjithë vëmendjen dhe nderimin e njerëzve. Nuk ishte vetëm xha Musai i tillë. Bashkëshortja e tij, Hysnija, ishte një grua kapedane, guximtare dhe i ngjante bashkëshortit të saj, për nga atdhetaria.

Ata u pëlqyen e u martuan, në Anadol të Turqisë, ku Musai kishte vajtur në mërgim, për të fituar diçka dhe Hysnija kishte vajtur, për të njëjtën gjë, së bashku me familjen e saj, nga Kolonja e Gjirokastrës. Ata u kthyen në Shqipëri, së bashku me një vajzë 2-vjeçare; me Mushon. Xha Musai mori pjesë në ngritjen e flamurit, në Vlorë, më 1912; ishte pjesëtar aktiv, me armë në dorë, në Luftën e Vlorës, të gushtit të vitit 1920 dhe ishte pjesëtar i Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, të cilës i dha një djalë, Saminë, dëshmor të kësaj lufte.

Në shtëpinë e Xha Musait shkonim pa drojë, jo vetëm se ishte nga trungu i Nelajve, por dhe se e kishim disa hapa larg dhe oborri i tij i madh kishte në hyrje një lesë teli të thurur vetë, e cila nuk mbante kurrë dry (qyc). Në atë shtëpi, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas çlirimit të vendit, hynin e dilnin partizanë, ilegalë, të plagosur, partizanë për t’u ndërruar e për t’u furnizuar me ushqime, me veshmbathje, me armatim e me municione. Pas Çlirimit të vendit, ajo, si shtëpi e sigurt, ishte kthyer në një bazë ku kalonin natën, hanin dreka e darka, nëpunës dhe pushtetarë të rendit të ri. Vajtje-ardhjet në shtëpinë e Musa Mehmetit e kishin prekur ekonominë e brishtë të familjes, por, kurrsesi nuk kishin dobësuar e tretur shpirtin e përkushtuar ndaj dashamirëve të shtëpisë dhe zemrën bujare të tyre.

Pasdarkat tona në shtëpinë e xha Musait ishin të mezipritura, për ne të vegjëlit, dhe pyetjet tona: "Kur do të vemi tek xha Musai?" nuk rreshtnin. Në dimër, kur dhe netët ishin më të gjata, ftohtësia e shtëpive përdhese, pa dysheme e pa tavan, na shtrëngonte të mblidheshim rreth vatrës me zjarr, të shtëpisë së punës, siç thonin në atë kohë. Minajetja fisnike, nën urdhrat e Ninijes, merrte misër nga kalisheret e kallinjve të zhveshur, të varur nëpër trarë dhe, në një shoshë, mbi zjarrin kalafak të vatrës, bënte kalaposhe, së bashku me njërën nga dy Zonjat e Binajve. Hysnija, serioze dhe e rreptë në qëndrime, ndizte, thithte e rimbushte njërin pas tjetrit çibukët me duhan.

Ajo matej me burrat dhe disa i mundte, edhe me raki. Kur moti e lejonte, mblidheshim në dhomën ku priteshin miqtë, e cila zakonisht qëndronte e shtruar. Teksa Minajetja (nusja e shtëpisë) na servirte kalaposhet, palafiket, vergjet me fiq nga fiqtë e Margellicit, ndonjë ftua, ndonjë shegë, një grusht me arra e ndonjë kokërr dardhe etj., ne të vegjlit e dinim se në atë shtëpi kishte pekmez, të nxjerrë nga goricat e ledhit në Margellic. Na shijonte shumë pekmezi që na nxirrte Minajetja. Plaku Musa Mehmeti na rrëfente histori nga kurbeti, nga luftërat ku kishte marrë pjesë dhe tema të tjera, me theks atdhetar.

Në këtë dhomë vështronim sixhadet të varura në mur, dantelat e shumta që rrethonin objektet e bukura dhe shtrojet e mbulojet që pajisnin dhomën e pritjes së miqve. I dëgjoja me kureshtje rrëfimet e xha Musait e të Ninijes, por sytë më kishin "mbirë" tek një "patiçkë" italiane, me të cilën kishte luftuar Samiu e që qëndronte e varur, mbi oxhakun e dhomës (mbi vatrën e zjarrit). Meqenëse shtëpinë e kishim fare pranë, pasdarkat tona në shtëpinë e Xha Musait kishin vazhdimësi më të gjatë.

Shtëpia tjetër, më e afërt, por dhe njerëzit që na gjendeshin në çdo kohë, ishin Gege Tajanja dhe Xhako Rremja. Shkonim në shtëpinë e tyre, pa pasur frikë nga bucja e murrme (Murra), e cila ishte shumë e egër, prandaj të zotët e shtëpisë e mbanin atë të lidhur. Zakonisht pasdarkat i përcillnim në Shtëpinë e Sheros, e cila, jo vetëm që ishte më e ngrohtë, nga zjarri në vatër, pavarësisht se përmasat e dhomës ishin të mëdha. Shtëpia e Sheros ishte dykatëshe. Në katin e parë (katua), në stinën me lagështirë, punonin punëtorët e bakrit, të cilët nuk e fiknin zjarrin 24 orë me radhë. Ata ishin nga rrethi i Përmetit; kallaisnin enët prej bakri të fshatarëve tanë dhe, si shpërblim, merrnin mallra në natyrë, si drithë; vaj ulliri; kaponj deti etj. Para të thata, fshatarët e Kalivaçit e kishin të vështirë të gjenin.

Xhako Rremja ishte burrë i zgjuar e replikues. Ai kishte ushtruar karvanarin dhe bënte qeraxhiun, duke blerë bereqet në Durrës e në Shijak, të cilin e shiste në rrethet e Jugut të vendit, deri në Janinë. Xhako Rremja na rrëfente punën e rëndë e të vështirë, me rrezik për jetën e karvanarit që bënte qeraxhiun. Interesante ishin rrugëtimet e gjata të tyre të shoqëruara nga roja të armatosura, për të shmangur sulmet e kaçakëve grabitqarë, të cilët u kërkonin karvanarëve paratë, drithin ose jetën. Xhako Rremja ishte dhe tregimtar elokuent. E dëgjonim, me interes e me gojën hapur, ne të vegjlit dhe nënat tona, të mbledhur rreth zjarrit që na ngrohte fytyrën e na plevitoste kurrizin.

Në rrethin që formonim rreth zjarrit në vatër, ishim: Kamberi; Hydajeti; Derua; Asllani; Henua; Engjellushja; Lumturia; unë; Dilaveri etj. Nasibeja ishte e martuar, në atë kohë dhe Ramadani ishte i larguar.

Interesante dhe e papërsëritshme ishte Gege Tajanja. Ajo grua, edhe shpirtin falte për njerëzit. Bujaria e saj e trashëguar ishte e papërshkrueshme dhe e pashembullt. Ne, të vegjël e të mëdhenj, duke e provuar këtë tipar të saj, i thonim: "Ajo grua e ka dorën të shpuar!" Nuk hante dot asnjë vakt, pa futur diçka në futë, për t’ia çuar Hysnijes së Musa Mehmetit; dy Zonjave të Binajve dhe gjitonëve të tjerë. Mua më thosh: "Miazi, ty të kam djalë!"

Këtë e dija, e pranoja dhe Gege Tajanën e trajtoja si Nënë. Sa shpejt e me çfarë kënaqësie përfillej ajo grua, për të na qerasur, edhe kur i shkonim pasdarkave, për të mbushur kohën, në netët e gjata të vjeshtës së prapme dhe në dimër! Ajo, siç bënin gratë e tjera, zonja të shtëpive ku shkonim, ulte kallinj misri nga trarët ku ishin varur, shkoqte majat e kallinjve (maja e misrit mund të bëhej kalaposhe më e shijshme). Përveç këtyre, Gege Tajanja gëzonte kur na jepte diçka për të ngrënë, nga sepetet apo nga hambari. Një kokërr ftua, një varg me fiq, një kokërr shegë e ruajtur me kujdes; një bukëfike, një grusht me arra ose me bajame e çfarë t’i ndodhej, na i lëshonte përpara, në një lengjër bakri të kallaisur.

Kur kënaqej me bujarinë e saj dhe vështronte që ne gëzonim, ajo grua fisnike vinte gishtin tregues për të na dëftuar dhëmbin e vetëm që i kish mbetur në gojë e thosh pa fjalë: "Këto më ndodhen". Mezi pritnim që Nënat tona (dy Zonjat), kur merrnim udhën për të shkuar në ndonjë pasdarkë, të kthenin tek shtegu i Xhako Rremes, në fund të udhës që zbriste nëpër mëhallën tonë.

Në mëhallën tonë, jo më larg se 50 m kanë qenë e janë akoma në këmbë, ndonëse njëra po rrënohet dita-ditës, dy ngrehina tipike mesjetare, me mure guri të gdhendur, të lidhur me llaç gëlqereje e të forcuara me breza druri. Në njërën nga këto shtëpi banonte një burrë i zgjuar e tepër i mençur, i qetë e i patrazuar, por jo aq aktiv në shoqëri - Lazja i Xhezo Nures. Në shtëpinë tjetër, e cila ishte kopje e së parës, banonte plaku i mençur, njëri nga burrat më të zgjuar e më të mençur të mëhallës e të fshatit, Abedin Kahremani. Lazja ishte i madhi i dy djemve të Xhezo Nures. Tjetri quhej Banush Xhezo Haderaj. Lazes, ne të vegjlit e asaj kohe i thërrisnim siç i thërrisnin fëmijët e tij - Aga, kurse bashkëshortes së tij fisnike, Nefizesë, i thoshim, shkurt – Ize; ashtu si dhe fëmijët e saj.

Ndonëse për të hyrë në dhomën (odën) e Agait, duhej të ngjitje një palë shkallë guri, të larta, pa parmakë anash dhe duhej t’i dilje rreth shtëpisë dhe avllisë së Ceco Banos (Banush Xhezos), shkonim pasdarke dhe jo më kot. Për të çarë errësirën e natës, duke ndriçuar shkallët, me një kandil në dorë, dilte Izja, në krye të shkallëve, atje ku ishte një kthinë për të hequr opingat; ajo na bënte dritë. Para se të nis rrëfimin për këtë vajtje tonën në shtëpinë e Laze Xhezos, më duhet të ndalem pak, për të sqaruar diçka, të cilën, ma do mendja, ka mjaft njerëz që nuk e kanë të qartë. E di se dikush nuk do ta mirëpresë atë që do të rrëfej; për mua ka vlerë të jem në paqe me veten dhe të rrëfej të vërtetën.

Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare e pas saj, për shumë vite në udhën e socializmit të dëshiruar, qëndrimet e njerëzve janë ndarë si me thikë. Identiteti i njerëzve është gjykuar bardhë e zi. Disa etiketoheshin pro Lëvizjes Nacionalçlirimtare, madje disa me kontribute gjaku, teksa të tjerë cilësoheshin ballistë (jo nacionalistë) dhe ndaj tyre mbahej qëndrim jo dashamirës.

Në fakt, Lufta i ndau njerëzit në dy kampe dhe në gjykimin e tyre çështja pritej me sëpatë të madhe, pa bërë diferencim. Nga sa di unë, në Kalivaç e sidomos në Ahmetaj, nuk ka pasur të ashtuquajtur ballistë që të kenë bërë krime kundër njerëzimit. Nëse dikush, si Agai ynë, u regjistrua në radhët e ballistëve, kjo për shkak të së kaluarës së tij si xhandar i Mbretit Zog i parë, me shërbim në Himarë.

Në Ahmetaj, ku kishte ndikim të madh Lëvizja Nacionalçlirimtare dhe ku ranë dy dëshmorë, xha Lazja shikohej si dele e zezë. Në fakt, nuk ishte plotësisht kështu. Ne shkonim pasdarkave në shtëpinë e tij, jo se e kishim të qartë qëndrimin klasor, por edhe pa pasur njohuri të plota, i kishim degdisur qëndrimet klasore ekstremiste. Sa vizion paskemi pasur që atëherë?! Shkurt, Laze Xhezua na pëlqente e ishte i pranueshëm e i pranishëm në jetën tonë fëmijërore. Aganë, në çdo davet e në sebepe, e vështronim mes burrave të mëhallës, të ulur në vendin që i takonte, në kuvendin e burrave.

Ai nuk ishte llapazan e nuk merrej me punët e të tjerëve, por ngiste punët e tij. Kur duhej e ku duhej, xha Lazja e thoshte fjalën açik e jepte mendime të zgjuara, të cilat u pëlqenin edhe pushtetarëve. Shkurt, Laze Xhezua na pëlqente dhe ndjesinë e kishim të brendshme. Nuk e kishim as idenë, në atë kohë e në atë moshë, se çfarë do të thoshte: "Kandar politik"; "ne gjykonim siç na urdhëronte zemra!"

Ndër tiparet e Laze Xhezos (Agait) bënin beli: mençuria, zgjuarsia dhe urtësia. Sytë i mbante përtokë e përpëliste kapakët e tyre; fliste pak e nuk rrihte gjoksin. Agai dinte shumë, por thoshte pak. Ai ishte i rezervuar për faktin se ata me bindje të majta e dëftonin me gisht. Pa bërë histori e pa marrë njeri në mbrojtje, ju them se Xha Lazja nuk merrej me punën e të tjerëve, por vështronte punën e tij. Me një kalë trupvogël, të kaftë, e me një bastun në dorë, me një tufë me dhen përpara, çdo ditë, zbriste në udhën që të çon në Shpendra, ku kishte tokat kryesore, ose në Ferra dhe kthehej në mbrëmje, me një tufë të tarrash, mbi kalë e me dhentë përpara.

Ai ishte burrë serioz, i qetë e i sjellshëm, nuk bënte thashetheme, as nuk ngjallte sherre. Laze Xhezua ishte njëri nga valltarët më të shkathët e më të hijshëm, jo vetëm të mëhallës, por, pa e tepruar, edhe në fshat, veçohej si i talentuar dhe elegant.

Pasdarkat në shtëpinë e Agait ishin mjaft të këndshme e mbresëlënëse. Xha Lazja, me një kujtesë e me elokuencë që na emociononin, rrëfente episode nga puna e xhandarit, në Himarë, ku rrëfejnë se ka shpalosur njerëzillëk. Të kalojmë tek lidhjet e tij me krushqi e me miqësi. Zoto Halili, njëri nga oficerët e lartë të Ushtrisë Mbretërore, e kishte marrë gruan – Nurijen, njërit nga njerëzit e afërt të Agait (motrën e Bilbil Bolos); Kanan Mazja nga Shkoza ishte nip, në derën e Hadere. Qamil Sulua kishte grua Sadefen, e cila ishte motër e Lazes dhe e Banushit. Sadefja ishte Nënë e Arif Qamilit.

Barjamja, vajza e madhe e Agait, u martua në Çorrush, me Qani Shehun, kushëri të Mehmet Shehut etj. A nuk ju mjaftojnë këto? Ju kujtoj dhe diçka tjetër: Agai, djalin e madh - Nuren e martoi me Ervehene (Vevene), e cila ishte e bija e Azis Telhait, mbesë e partizanit të çartur Jace Sasdiku dhe mbesë e partizanit Ramiz Kapllani, Varfaj, nga derë fisnike e Aget. Kështu qenë ato kohë e njerëzit plekseshin me shumë fije. Kush kërkon të dijë më shumë, do t’i gjejë burimet e do të më kundërshtojë në këto që shkruaj, por është i lutur t’i vërë në një peshore, me drejtësi, pluset dhe minuset e do të vështrojë nga anon kandari.

Të mbledhur rreth vatrës ku zjarri bubulonte, xha Lazja na rrëfente historira e ndodhi interesante, tek ne e dëgjonim, me gojën hapur. Kur ishte rasti, Ai burrë na plotësonte dëshirën e dilte në valle të kënduar, labçe, ku shpaloste elegancën dhe aftësitë e tij artistike. Izja, një grua fisnike, shumë bujare, e dashamirëse, me të vetmin defekt se ishte e "vrarë" nga veshët, përfillej, për të bërë kalaposhe, në shoshë, na qeraste me të mblojturat në sepeten që ndodhej në fund të shtëpisë dhe, hera-herës, piqte petulla, me miell gruri e me vaj ulliri.

Pasdarkat tona të ëmbla, përveç vlerave të shumta që kishin, shërbenin dhe për dhënie e marrje informacioni të ndërsjelltë. Në një nga këto pasdarka të këndshme, Nëna ime Zonja e Madhe e Binajve (ndjesë pastë), mësoi se bashkëfshatari Tefik Medin Sulaj, nga Hysodosajt, me familjen e të cilit ishim në miqësi, me vajtje-ardhje, me gatim, do të martonte të birin e vetëm, Axhemin, madje ishte ndarë dhe dita. U kthyem në shtëpi. Të nesërmen, Zonja, për ta biseduar me Xhevitin, i tha atij: "Ke dëgjuar, ti? Tevlik Medini marton djalin, në filan ditë!" Xheviti e dëgjoi e reflektoi menjëherë. Mbasi bëri urimin, me fjalët: "T’i trashëgohet djali Tefik Medinit!", pastaj iu kthye së shoqes me fjalët: "Të mbyttë lumi; jo Tevliku, por Tefiku!" Kështu u shua "sherri".

Pasdarkat në shtëpinë e Muharrem Hasanit, ku si kryefamiljar njihej Dajlani, ishin e ç’ishin. Sidomos, kur vinte në shtëpi djali i madh i Memes, Dajlani, i cili, asokohe punonte në Selenicë e në naftë, për të mbajtur familjen, pasdarkat tona merrnin "zjarr". Memja, të cilës burri, kur doli partizan, i la në vatër 5 fëmijë.

Kur u vra në Luftën e Hysoverdhit, fëmijët ishin të parritur; Merjemja mezi i rriti. Ajo në shtëpi mbajti vetëm Sadikun dhe Rubijen, kurse Tahirin dhe Skënderin i shpuri në shtëpinë e fëmijëve. Shkonim me qejf pasdarkave tek kjo familje, mbasi sipas shkallëve të largësisë fisnore, kjo ishte më e afërta. Kishte dhe një arsye tjetër, mjaft esenciale; vejusha Merjeme ishte malësore, nga Kecerishti dhe kishte disa karakteristika të përbashkëta me Nënën time, koshtanaken Zonjë Temen.

Memja ishte e pashme dhe e paqtë, ajo, si vejushë dhe malësore, ishte nikoqire e përsosur dhe gatuante me shije. Netëve që kalonim në atë shtëpi, siç bënim në të gjitha familjet, nuk mungonin kalaposhet, palafiket, arrat dhe bajamet, ftonjtë dhe shegët; Memja mblonte dhe dardhë qylyke apo dardhë ceperke dhe pekmes. Sepetet e saj, në fund të odës së madhe të Dajlanit, kur u hapej kapaku për të na qerasur, kundërmonin erë të mirë ftoi e vergje fiku etj. Nëse mund t’i thoje ndonjë vërejtje Memes, me patjetër që do të ndaleshe tek cigaret, që konsumonte vazhdimisht.

Kur kujtonte vuajtjet e saj - Ajo qante, me lot e me ofshame. Lules së Hasan Sadikut, nënës së Muharrem Hasanit, një plake fisnike, shtatlartë nga ato që nuk u dëgjohet zëri, rënia e të birit në luftë i kishte përvëluar shpirtin. Ajo zinte një qoshe e nuk ndihej.

Kur nuk shkonim në pasdarkë në shtëpinë e Muharrem Hasanit, vinte Memja tek ne.

Shpesh zbritnim deri tek shtëpia e Xhemal Haxhiut. Cecua, siç i thonin fëmijët e tij dhe ne, kish shumë fëmijë, më tepër vajza e më pak djem. Ai ishte martuar me Hyrinë, një grua bollobane, fisnike e shpirtmirë, e cila ishte bijë në Hysodosaj, motër e Dajlan Xheladinit dhe bijë e Xheladin Dajlanit. Hyrisë, Lule i thonin fëmijët e saj; lule i thonim dhe ne. Shtëpia e Xhemal Haxhiut, nga lindja dhe verilindja, rrethohej me një mur të lartë (mbi 3 m), me gurë gëlqerorë; sipër murit ishte shkuar një fije drizë. Gurët dhe murin që rrethonte avllinë e kishin ndërtuar ushtarët italianë të mbetur pa bukë e pa strehë, pas kapitullimit të Italisë Fashiste.

Në shtëpinë e Cecos shkonim, jo vetëm se e kishim në fis, por se Ai ishte njëri nga burrat më të zgjuar të fisit, të mëhallës dhe të fshatit. E kishte shumë për zemër dhe Babai ynë – Xheviti. Xheviti shpesh këshillohej me Cecon, për probleme të rëndësishme.

Në pamje të parë, Cecua krijonte përshtypjen sikur Ai dhe familja e tij bënin jetë të mbyllur. Por nuk ishte plotësisht ashtu. Xhemal Haxhiu, që në mëngjes, pa u ndjerë, i favorizuar dhe nga fakti se shtëpinë e kishte në zgjatimin e Brinjës së Qendret dhe kufizimit, në njërën anë të murit gurë mbi gurë të Ali Pashos kurse në anën tjetër, mbasi linte lëmin e tij dhe Gropën e Baltës, derisa zbriste në Sheshin e Veldonit, nuk binte në sy të mëhallalinjve, por, qetë-qetë, me pelën kerreper dorë dhe me pendën e qeve merrte udhën për në Malrgellic (Llomera), ku e kishte të rrethuar arën, e cila bënte beli për pastërtinë nga barërat e këqija dhe i bënte yzmetin, sikur të ishte agronom i mirë. Cecua vështronte punën e tij e nuk përzihej me të tjerët.

Kur ishte rasti e kur ia kërkonin, Xhemal Haxhiu jepte mendime të qarta, të sakta, me vizion e me tërë kompetencën e një mentari largpamës. Me fisniken Hyri (Lulen) solli në jetë shumë fëmijë, i rriti të rrethuar me gjithë nevojat e kohës. Kur u rritën ata, Cecua bëri krushqi të menduara, si në fshat dhe jashtë tij.

Kur mblidheshim në odën ngjitur me udhën, e cila ishte me zjarr, rreth vatrës mblidheshin: Kasemi; Bejlerja; Sosja; Zaimi (ndjesë pastë); Nekiu i parë (ndjesë pastë), Hairja, Haxhiu etj. Vajzat e mëdha: Yzemeja (ndjesë pastë); Hancja; Xhekua dhe Mbetja (ndjesë pastë) ishin të martuara.

Dëgjonim me vëmendje fjalët e mençura të Cecos, të cilat rrëfenin zgjidhje edhe për çështje madhore. Ai dinte brezat e fisit, të mëhallës e më gjerë. E vështroja shpesh të shkonte tek Musa Mehmeti, me të cilin pleqëronte çështje me rëndësi jetike. Mes krushqive të shumta që bëri, djalin e madh, Kasemin (ndjesë pastë), e futi dhëndër në familjen e Ago Manxharit, i cili ishte i biri i Manxhar Fetahut, pa përfillur mendimin e kohës për qëndrimin nacionalist të tij. Koha vërtetoi e vërteton drejtësinë e vendimit që morën Lulja dhe Cecua. Veprim i zgjuar i Cecos ishte dhe ngulja e Kasemit, përtej Përroit të Veldonit, në një tokë djerrë, por që mund të kultivohej.

Pa kaluar dekada, vështroni si është mbushur Sheshi i Veldonit dhe Përroi i tij.

Në fund të mëhallës Ahmetaj ka qenë e ka mbetur një shtëpi bujare trimash - shtëpia e Selfo Rexhepit. Shtëpia është me dy kate (odat) dhe me nga një përdhese ngjitur me odat, në anën perëndimore të tyre. Rreth avllisë e pranë saj kishte fiq bradashesh dhe shumë pemë të tjera.

Në njërin nga seksionet banonte burri kokëplotë, i zgjuari e i mprehti Ahmet Selfo; vëlla i Novruzit. E kishim ca si larg, në distancë, shtëpinë e Cecos dhe të Xhixhos, por shkonim atje me shumë dëshirë, pa përfillur udhën e gjatë - Brinjën e Qendret, rrezikun që na kanoste kur kalonim pranë pusit të thatë të xhait (Isuf Jaces), i cili përbënte rrezik permanent për të vegjëlit, edhe ditën; jo më në errësirën e natës. Teze Lalaja dhe Kezja e Nezir Isufit na shoqëronin me kandil të ndezur apo me ndonjë llambë me vajguri, për të na bërë dritë.

Kur ishte në jetë, Nëna (Bejekua e Mino Jaces) dilte tek shtegu me një kandil në dorë. Vështirësive që sillte terri i natës, u shtohej fakti që rrugica nëpër të cilën kalonim ishte e mbushur me popla, kapërcimi i të cilave kërkonte shumë kujdes. Megjithë këto vështirësi, tek Ceco Ahmeti dhe tek e mira Xhixho, të dy fisnikë e të dhimbsur, shkonim me kënaqësi. Sapo mësonim se atë pasdarkë do të shkonim në shtëpinë e Ahmet Selfos, na hipte një nur tjetër; gëzonim dhe falënderonim Nënat tona, Zonjat e Binajve. Cecon e kishim kushëri e Ai na konsideronte të njëllojtë me fëmijët e barkut; Xhixhua fisnike ishte motër e Burrit me burrëri, fisnikut Ali Xhelilit, nga Hasanbegajt. Të dy fisnikë nga rrënja ia shtonin vlerat asaj shtëpie miku.

Më duhet të sqaroj dhe një detaj: Ahmet Selfua kishte qethur djemtë e Resmi Nelos, dhe Zonja e Vogël partohej në atë derë. Sipas zakonit të vendit, fëmijët e Cecos i thonin Zonjës së Vogël - Hallo.

Kishim një kimi me familjen e Xhixhos e të Cecos, të cilën e ndjenim edhe ne të vegjlit. Të kapur pas dore nga Nënat tona, Reshati; Nelua; Lumturia; unë, im vëlla – Dilaveri, me kandil në dorë, zbritnim tatëpjetën dhe si dërgatë ia behnim tek porta e jashtme e shtëpisë së Cecos. Lesën e telit karic, për të hyrë në avllinë e stërgjatë, e hapnim vetë. Dhentë në kasollen e majtë trembeshin dhe qeni, të cilit i thërrisnim Arap, lehte (si për të njoftuar familjarët), por nuk tentonte të vërsulej se na njihte. Na pritnin tek porta e gurtë, në formë harku, të dy, Xhixhua dhe Cecua, të cilëve u qeshte nuri e na përqafonin, me dashuri. Ata nuk i kursenin fjalët e mirëseardhjes e na përkëdhelnin me bujarinë e tyre.

Hynim në përdhesen ngjitur me katoin, e cila ishte e ngrohtë dhe e shtruar. Ajo shtëpi bujari e miku mbahej përherë e shtruar dhe me zjarr kalafak, mbasi ishin të rralla netët kur nuk kishte miq e gjitonë. Ne shkonim me shumë dëshirë në shtëpinë e Xhixhos e të Cecos, mbasi e dinim se ata të dy na pritnin me krahë hapur e me zemër në dorë. Ndiheshim mirë, rreth vatrës, në atë përdhese ku na ngrohte zjarri i vatrës dhe jo më pak bujaria dhe dashuria e të zotëve të shtëpisë. Rreth vatrës uleshim njëri pas tjetrit, këmbëkryq e të orientuar nga zjarri: Nënat tona, Xhixhua; Reshati; Nelua; Selvia; Xhemilja; Leveni dhe më i vogli – Xhevdeti. Cecua, në çdo rast, si më i moshuari e burri i shtëpisë, qëndronte në qoshen e djathtë të dhomës, mbi një shilte, mbështetur pas një jastëku.

Ai kujdesej që ne, fëmijët, të kishim ngrohtë. Rexhepi ishte futur në udhën e ajrit dhe Gjonleka ishte në Patos. Naileja ishte e martuar. Hera-herës, Cecua, me një mashë që ndodhej në vatër, përhapte prushin.

Kalaposhet ishin kthyer në një rit, i cili përcillej në të gjitha familjet. Më të gëzuarit e më të fituarit ishim ne, fëmijët. Xhixhua nuk ishte vetëm bujare dhe e dhimbsur; ajo ishte dhe një nikoqire e mirë. Kur nxirrte qerasjet nga sepetja në fund të shtëpisë, kuzhina kundërmonte nga era e ftonjve, nga palafiket; vargjet me fiq, të shkuara me fiq vasjarës, nga ata të Vidhishtes, nga dardhat dimërore, nga dardha e kuqe qylyke, në Vidhishte dhe nga ajo Ceperke, në arën e quajtur Shurja e Mecos. Edhe goxhamish kishte mblojtur Xhixhua jonë. Arrat dhe bajamet ishin bërë të zakonshme e i gjeje në çdo tabaka.

Na tërhiqnin shumë rrëfenjat e Cecos. Ai ishte njohës mjaft i mirë i origjinës sonë, dinte brezat që na lidhnin dhe na rrëfente historira interesante, me shumë elokuencë.

Familja e Ahmet dhe Novruz Selfos kishte lidhje të afërta gjaku e përkrahej me familjen e Mane Tafilit. Xhako Manja ishte një burrë me pamjen e kreshnikëve të malësisë. Në çift me gruan zemërmirë e të sakrificës, Bukurinë nga Çorrushi, sollën në jetë shumë fëmijë. Xha Manja ishte trim e human.

Ai mbante në shtëpi, për humanizëm, vëllanë e Bukurisë - Hasanin jetim, të cilin e rriti dhe e martoi. Mane Tafili dinte shumë ngjarje pikante, të cilat na i shpaloste, kur qaseshim pasdarkave, në vatrën e tij bujare, edhe pse jo aq të kamur. Ndodhitë që na rrëfente xhako Manja na bënin për vete dhe ne e ndiqnim me kureshtje të madhe. Interesante ishin rrëfimet e tij që lidheshin me funksionin e tij si rojë i Kongresit të Lushnjes.

Nëse pasdarkat tona kishin ëmbëlsi e linin mbresa, kjo lidhet me shpirtin e mirë të atyre njerëzve bujarë, të cilët na vinin në dispozicion shtëpinë dhe të mblojturat, ashtu si nuk i mbanin për vete ato që dinin, por na i jepnin neve të vegjëlve, duke pasur vizion të qartë se një ditë do të bëheshim si ata.

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, në Tiranë, gjatë muajve dhjetor 2020 - janar 2021.