Ishte viti 1950. Kisha mbyllur, me tregues mjaft të mirë, klasën e dytë të shkollës fillore të fshatit. Do të përcillja pushimet verore mes dy viteve mësimore. Në ato vite, pushimet verore kishin vazhdimësi 3 muaj (qershor; korrik, gusht). Pushime u thënçin. Më të lumturit mes nesh ishin ata fëmijë, në familjet e të cilëve kishte bagëti të imëta.

Ata, siç e donte tradita vendase, e zinin kohën pas bravareve (kullotnin bagëtitë e imëta). Në familjen tonë, shumë frymë nuk bëheshim por na kishte pllakosur skamja. Kënaqësia më e madhe për ne fukarenjtë ishte ta kalonim gjithë ditën duke u larë në lumin Vjosa dhe duke bërë banjo dielli, në disa gjurmë me kum (rërë), të cilat i jepnin zallit të lumit pamjen e një harte. Kishim dhe një version të dytë për të mbushur kohën; luanim me njëri-tjetrin lojëra fëmijërie. Për mua 10-vjeçarin e asaj kohe edhe lojërat e moshës ishin të kufizuara. Isha i shkurtër e topolak, rrallëherë më zgjidhnin në skuadër "kompetentët".

Nga halli, Nëna dhe Babai, për të dalë nga situata (të paktën të kisha të haja bukë), mbasi e "rrahën" çështjen, në të gjitha anët, vendosën të më pajtonin, yzmeqar, tre muajt e verës. Do të shpërblehesha me 100 lekë në muaj dhe në fund të tre muajve me paratë e fituara do të mund të blija një palë opinga meshini e nuk do të më copëtoheshin më këmbët nëpër poplat e gurëve të udhës që të çonte në shkollë. Kështu u futa në udhën e Babait tim, i cili e kish kaluar një pjesë të fëmijërisë dhe rininë e tij, nëpër dyert e botës, në Hoshteve dhe në Kalivaç. Po çfarë punë mund të bëja unë 10-vjeçari, përveçse të ruaja bagëtitë e të tjerëve dhe vetëm ditën? Nuk isha fare pa përvojë. Në moshën parashkollore, si mjaft djem të moshës sime, imitoja e doja t’i ngjaja Babait, i cili, zanat kish kërrabën.

Edhe unë, meqenëse nuk ndahesha dot nga Babai, të cilin e doja e më donte shumë, shkoja pas dhenve që ruante im atë, madje dhe flija, në të njëjtin shtrat me rrapishte në krye të Rredheve. Gjedhe nuk kisha ruajtur ndonjëherë, dhe kjo ishte e vështirë për moshën dhe për shtatin tim. Do të bridhja pas tyre, duke qenë shtatshkurtër dhe zbathur.

Babai im, Xhevit Malkua ishte nip në mëhallën e Hysodosajve, në trungun e Azizajve. Pavarësisht se dera e Nënës së tij, Jemine Bazës ishte shuar (nuk lindën djem në atë prag që të kish vazhdimësi), Xheviti i donte shumë banorët e kësaj mëhalle dhe unë, pavarësisht se cilit fis i përkisnin, të gjithë burrave të mëhallës u drejtohesha me nofkën dajo. Për ta vërtetuar dashurinë dhe ndjesinë që kish Babai im për hysodosajt, mjafton të them se edhe dhentë që shkonte përpara, me të dalë në Qasfen e Dërrasës, e gjenin vetë udhën që të çonte në Hysodosaj, tek Bregu e nuk lëviznin nga vendi, pa vajtur çobani i tyre.

Si të gjithë bashkëmoshatarët, edhe unë e frekuentoja shkollën fillore të fshatit, këmbëzbathur. Në atë udhë tërë popla e haliçë me majë, që m’i bënin këmbët plagë, së bashku me fëmijët e mëhallës Ahmetaj, ca me sedër e ca me detyrimin e prindërve tanë, nuk linim ditë e orë pa frekuentuar shkollën. Nëna ime e dhimbsur, si të gjitha nënat, e vuante më tepër se unë të bariturit zbathur dhe skamjen. Ajo, me art thurte opinga nga lëkurë lope. Sa ishin akoma të njoma, opingat ngjiteshin pas gurëve të udhës e nuk e ndjeja aq fortësinë e tyre. Ama, sapo thaheshin, opingat e lëkurës rrëshqitnin nëpër gurë, si ato skite që rrëshqasin në dëborë.

Të dy prindërve të mi u vinte keq, kur më vështronin tek vuaja. Ata donin të më vështronin të isha mirë e më mirë, por mundësitë ekonomike i kishin të kufizuara e nuk e realizonin dot atë që dëshironin. Mbasi e pleqëruan mirë e mirë nga të gjitha anët problemin, ata arritën në një përfundim logjik e të mundshëm. Gjykuan dhe vendosën të më pajtonin yzmeqar, tek një njeri ynë, me shpresën se do të më trajtonin mirë dhe se, në këta tre muaj do të më shpërblenin me 100 lekë në muaj. Për shërbimin që do të bëja në tre muajt e pushimeve verore, do të merrja 300 lekë, të cilat mjaftonin për të blerë vetëm një palë opinga meshini dhe, më 1 shtator të vitit pasardhës, do të shkoja në shkollë me opinga në këmbë. Fjala yzmeqar është disi e rëndë, por Nëna dhe Babai menduan se në familjen e dajo Dajlanit, motra e të cilit, Hyrija, ishte e martuar me Cecon (Xhemal Haxhine) i cili ishte nga Nelajt, kushëri i Babait tim.

Gruaja e dajo Dajlanit, Nasibeja ishte bijë e Abedin Kahremanit, njërit nga burrat më të zgjuar, në Ahmetaj, e në Kalivaç, të cilin, Babai e kishte "idhull" e këshillohej shpesh me të. Shpërblimi 100 lekë në muaj, për një fëmijë të moshës sime, në atë kohë, ishte një diskriminim i pastër dhe shfrytëzim mizor i fëmijëve. Këtë gjë, secili le ta mendojë me gjakftohtësi e me maturi.

Xhevit Malkua fukara ishte vërtet, por njihej, në fshat e më gjerë si njeri i drejtë, i ndershëm, tradicional e i dhimbsur. Ai i dinte caqet e kufijve të vet; njihte, respektonte dhe donte origjinën e tij, nga Nëna dhe nga Babai. Ai i donte shumë banorët e mëhallës Hysodosaj ku kish dajot, në shtëpinë e shuar. Jaçe Sadikun dhe Azis Telhane, si pinjollë të Nënë Jeminese i donte me shpirt, por dhe mua më donte shumë e kujdesej tej mase. Prandaj, duke e pleqëruar gjënë, shtrydhi fort mendjen dhe më pajtoi yzmeqar në një shtëpi bujari bukëdhënë; tek Dajlan Xheladini, me të cilin ishte në miqësi të dyfishtë. Në mes të këtyre njerëzve të mirë e në atë breg dashurishumë ndihesha si veshka në mes të dhjamit.

Edhe prindërit e mi ndiheshin të qetë e kishin siguri.

Detyra ime kryesore, si yzmeqar i parritur ishte të ruaja, në kullotë, gjedhët e dajo Dajlanit të Myftaret. Tufa e gjedhëve të kësaj shtëpie përbëhej nga: Dy qe parmende (një pendë qe); dy lopë me qumësht dhe dy viça të njomë. Tjetër punë, në atë moshë nuk mund të bëja. Për fatin tim të keq, megjithë dashamirësinë e pronarëve, punët e mia, si yzmeqar, nuk mbaronin këtu. Detyrat e yzmeqarit ishin të pakufizuara. Në qenien time, prevalonte një gëzim i madh; do të ndihmoja Babanë me 300 lekë dhe ky gëzim i kapërcente kufijtë e një lodre fëmijësh.

Gëzoja dhe për faktin se në shtëpinë e bujarit, do të haja më mirë dhe se për herë të parë në jetën time do të mbathja në këmbë opinga meshini, me të cilat këmba do të ishte e mbrojtur, nga poplat dhe nga gjembacet. Rrodhet dhe gjembat e bardhë, ishin tmerri im.

E mendova të kryer këtë punë por u zhgënjeva keq. Rezultati nuk më doli siç e parashikova. Nëse mund ta përmbledh me pak fjalë, axhenda ime ishte e thjeshtë: Rropatesha gjithë ditën pas lopëve dhe natën pushoja (nuk mund të them flija), si ai lepuri, i cili njërin sy e mban të hapët, teksa me tjetrin bën sikur fle. Pra isha i merakosur, për lopët, për kullotjen e tyre të nesërmen, por dhe për t’u kujdesur për pinjollët e vegjël të pronarëve, të cilët, e kisha të vështirë t’i shquaja, mbasi të gjithë ishin sylarushë e biondë nga flokët. Nuk ishin vetëm kaq "hallet" e yzmeqarit të vogël. Prandaj le t’i marrim gjërat një nga një, në mënyrë që të qartësohemi mbi çdo gjë.

Dilja nga dera e avllisë së madhe, të shtruar me pllaka guri të bardhë (gëlqeror), sapo zbardhte dita. Lopët i lija të ecnin përpara, në shoqërinë e njëra-tjetrës; vetë rrija pas tyre. Viçat pengonin nënat e tyre, me tentativën për të thithur atë pikë qumështi që kish mbetur nga mjelja. Lopët përpara e unë pas tyre, kalonim nëpër rrugicën e mëhallës, duke lënë në të majtë shtëpitë e Sulajve e në të djathtë ato të Azizajve. Dilja tek shtëpia me dy sofatë dhe me portën me çati të Zoto Halilit; oficerit madhor të Ushtrisë Mbretërore të vendit tonë. Aty nisja zbritjen nëpër atë udhë që ngjante me një bokërrimë duke lënë në të djathtë shtëpinë e Selman Xhaferrit dhe vreshtin e pronarëve të mi dhe në të majtë, shtëpinë e Nexhip Skëndos dhe pinjollëve të tij: Hetemit, Selimit, Fatise dhe Lutfijes.

Nënë Xhanja, nga avllia e saj, më shoqëronte me porosi, se mos lopët ktheheshin në të dyja anët e udhës e bënin zarare. Disheza bokërrimë, vazhdonte deri tek shtëpia e Gani Muharremit, në të majtë dhe tek Çezma e Halilet, në të djathtë. Arat, nga Ullinjtë e Hysodosajve, deri në Jorga dhe nga Gurjet, deri në Çezmën e Thatë, aty ku ishte kufiri ndarës mes Kalivaçit dhe Çorrushit ishin pronë private. Kësisoj, isha i detyruar t’i ngisja lopët nëpër udhën që u përkiste të gjithëve, nëpër një labirinth të ngushtë, aq sa lejonin ledhet ndarëse mes parcelave ose, më e sigurt ishte të kaloja në hapësirën mes lumit dhe ledhit të parcelës së fundit arë. Lopët i çoja në kullotë, në zallin e lumit (në zezan), ku hapësira ishte më e madhe e ato "brinin" (qëmtonin) ndonjë llastar nga kashta e kuqe, ndonjë degë krisje apo talle, si dhe llastare shqope e konopice.

Muaji gusht i atij viti ishte i thatë e i nxehtë; dielli të përvëlonte sapo zinte dhenë. Kallametë e grunjave ishin hapur; në to, lopët mund të brinin kashtë të pashkelur ose ndonjë degë krisje të sapobuisur. Siç e kam thënë dhe më sipër, rendja pas lopëve këmbëzbathur. Problem serioz, për mua ishin rrodhet dhe kashta e kuqe, me majë të mprehtë, kur ajo ishte e shkurtër. Gjembat e rrodheve dhe majat e mprehta të kashtës së kuqe, më shponin e më dhimbnin deri në shpirt. Sapo dielli zinte dhenë e ngrihej lart, në horizont, vapa niste e lopët e mbanin vrapin nën ndonjë hije, për t’iu shmangur diellit përvëlues.

Në arat e fshatarëve të mi, në atë kohë kishte pemë të shumta e variabile. Më keq e ndjeja veten kur ndonjërën nga lopët e ngacmonte zegali. Lopa që ishte pickuar nga insekti, i turrej vrapit e nuk dinte ku të ndalej për t’u qetësuar. Lopa me vrap e unë, me vrap, pas saj. Vrapimin tim e bezdiste torba me bukë e me një botil me dhallë që më kishte nisur pronarja, me vete. Duke u tundur, dhalla veçohej nga uji, teksa vapa e gushtit e kish thartuar.

Kishte dhe ndonjë rast kur botilja me dhallë derdhej, mbasi nuk ishte taposur mirë me misërishten. Dhalla e thartë, kur e konsumoja, kishte efektin negativ që shkaktonte pickimi i zegalit, tek lopët.

Për të zbatuar oraret që më kishte caktuar pronari, i hidhja sytë tek lopët dhe tek loparët e gjitonëve, të cilët, në përgjithësi ishin më të rritur. Kur ata i "përzinin" lopët që kishin përpara, për të shkuar vapën në shtëpi, pas tyre nisesha dhe unë. Pronari im kish zënë "pusi", në hijen e një peme, në vreshtin e tij, sipër çezmës së Halilet; nën shtëpitë e Selman Xhaferrit. Ai gjykonte se nuk ishte vakti për t’i mbyllur lopët në katua, prandaj, bërtiste, sa kish në kokë; siç bërtasin në Kalivaç kur ndodhen në largësi nga njëri-tjetri. E njihja zërin e tij dhe e kuptoja atë që thosh: "O Mjazi; po ku i shpie lopët? Pse ore, që tani do t’i mbyllësh në katua?" I dëshpëruar e me turinj të varur, kthehesha mbrapsht.

Nuk e kisha provuar të më kthente mësuesi në klasë se isha nxënës i pesave, por ja që dajo Dajlani më kthente e unë i bindesha urdhrit të tij, vetëm duke u përgjigjur, siç duhej, me një "lepe – peqe"! Nuk më vinte mirë kur dëgjoja komandën: "prapsohu", por isha i detyruar të bëja siç më thosh pronari. Ishte torturë e vërtetë të qëndroje në atë pikë vape qoftë dhe nën hijen e pemëve, pa lëre të ngjiteshe në të përpjetën nga Çezma e Halilet deri në majën e bregut të Hysodosajve, ku kish shtëpinë dajo Dajlani.

Në muajin gusht piqeshin fiqtë dhe disa fruta të tjera. Ledhet anës udhëve ishin plot me pemë. Në arën me emër Muratova, ledhet që ndanin udhën nga parcela arë, ishin plot me fiq të lashtë e të vonë. Kaloja pranë tyre e "ma bënin me sy" kokrrat e pjekura. Nuk e zgjatja dorën por ulja sytë, si ato nuset e dikurshme, kur vinin tek burri. Prindërit, që kur nisa të hedh hapat e parë, më kishin mësuar të mos vë dorë në gjënë e tjetrit e ky ishte një ligj i "shenjtë" për mua. Edhe si natyrë, nuk isha ziliqar.

Problemi i dytë të cilin e kisha vështirë ta përballoja ishte nata (gjumi i natës). Nga të gjithë është i njohur fakti që fëmijët duan të flenë gjatë dhe të qetë. Madje, dikush, dikur na paska thënë se fëmijët i rrit gjumi. Të dy këta komponentë të gjumit, si ata lidhur me qetësinë dhe me kohëzgjatjen e gjumit unë, në atë rast nuk i kisha në favorin tim. Unë, yzmeqari 10-vjeçar, ruajtës i lopëve, nuk plotësoja asnjërin nga të dyja kushtet. Oda e dajo Dajlanit gjendej në katin e dytë të ngrehinës së ndërtuar me gurë të gdhendur, të lidhur me llaç gëlqereje, me çati e me dysheme dhoge.

Dhoma kryesore ishte e gjatë e me oxhak. Në të mblidheshin dy prindërit dhe fëmijët e tyre. Çifti i pronarëve kishte sjellë në jetë disa fëmijë njëri pas tjetrit dhe flinte, në odë së bashku me ta. Unë, si yzmeqar flija në paraodë. Në oborrin e madh të familjes të rrethuar me mur të lartë guri gëlqeror, të shtruar me pllaka të trasha guri të bardhë, ndodhej një pus, me ujë të pijshëm; të freskët. Ishte i vetmi pus, me ujë të pijshëm në atë mëhallë.

Në këtë pus, kishin të drejtë të mbushnin ujë, familja e Dajlan Xheladinit dhe ajo e Lahes së Murat Jahos. Të tjerët, mund të mbushnin ujë pusi, vetëm me lejen e të parëve. Pusi (gryka e tij) ishte i rrethuar me një mur guri, me lartësi rreth 1 m. Ai (gryka e pusit) mbulohej nga një kapak prej dhoge, i veshur me llamarinë. Ujët nxirrej nga thellësia me një kovë, e cila mbante rreth 5 litra ujë. Kova varej në një litar të holluar nga fërkimi me gurin në formë harku që përfshinte gurët e tjerë të grykës së pusit.

Myftarajt, numëronin vetëm dy familje. Muratin, burrin e Lahes nuk e kam njohur, por dy vajzat e tyre i kisha në shkollë; madje Jetën e kisha në të njëjtën klasë.

Shpesh më kish rastisur të çohesha, natën, në orë të ndryshme. Nga gjumi i thellë i një fëmije, me urdhër të pronarit (pronares) zgjohesha e zbrisja shkallët për të mbushur ujë, për fëmijët e tyre. Ishte një kalvar i vërtetë, i detyrueshëm. Zbrisja, si zbrisja nëpër ato shkallë prej guri, pa parmakë anash dhe me sy të përgjumur, duke i fërkuar me dorë që të më dilte gjumi, shkoja, si somnambull tek gryka e pusit. Detyra ishte konstante: Të mbushja ujë të freskët dhe me një gjym apo shtambë, nuk e mbaj mend mirë, mbyllja grykën e pusit dhe ngjitja sërish shkallët. Pa bërë zhurmë, hapja derën e odës dhe lija, po në qetësi, enën me ujë, në fund të dhomës.

Kjo punë përsëritej çdo natë e unë flija si lepuri, në pritje të urdhrit për të vepruar. Shqetësimi më i madh ishte se mos bija në pus; mos më tërhiqte kova, se aq i gjatë isha, mezi më dilte koka sipër grykës së pusit. Isha dhe i përgjumur.

Kur ua rrëfeja prindërve këtë rrezik, ata lebetiteshin, por pronarit mik nuk ia thoshin; e mbanin për vete. Shpëtova nga ankthi e nga pasiguria, vetëm kur u largova nga shtëpia e miqve të familjes sonë, për të bërë përgatitjet e nevojshme, për vitin e ri shkollor.

Sipas marrëveshjes me gojë që kish bërë Babai im me pronarin e lopëve, ky i fundit duhet t’i jepte tim eti shpërblimin e premtuar që ishte 300 lekë. U zhgënjeva keq. Babai, vërtet i mori paratë e premtuara, nga dajo Dajlani por mua nuk m’i bleu opingat e premtuara. Ai, i përdori ato para për të mbushur "kamaret" e shumta me borxhe që ishin krijuar.

Nga ajo periudhë tremuajore që kalova në shtëpinë e dajo Dajlanit ruaj një kujtim të veçantë. Një ditë në kohë dreke, kur lopët i kisha futur në katua dhe do të përcillja vapën, në mjedis me çati sipër kokës, nuk mbeta pa u surprizuar. Në shtëpinë e pronarit, erdhën dy gra cigane nga ato që nuk kanë një vendbanim të caktuar. Ishin me petka të zbukuruara me lloj-lloj ornamentesh, si në petkat që mbanin veshur, në shtat dhe me rruaza e temina në shamitë që kishin lidhur në kokë. Në krahë mbanin çanta të mëdha; kanistra; shporta; sita e shosha dhe një kaçub prej lëkure, të cilin e përdornin për të mbajtur raki, vaj e lëngje të tjera. Ato ishin fallxhore, nga ato që "parashikojnë fatin" ose, e thënë me fjalë të tjera: mashtrojnë e "rrjepin" ke të mundin.

Sapo i panë tek shtegu i avllisë së tyre, pronarja dhe pronari im, nxituan t’i ftonin të hynin brenda dhe u uruan mirëseardhjen. Gratë mashtruese e kishin informacionin e nevojshëm për familjen e dajo Dajlanit, mbasi e kishin marrë mëhallën mbarë. U bëra kureshtar për sjelljen e tyre. Ato vështronin, sikur të hetonin, çdo detaj të shtëpisë, të avllisë, pusin, shkallët e çdo gjë që u interesonte për misionin që kishin marrë përsipër. Në sjelljen e tyre, pashë njëfarë sigurie.

Cigankat e bukura e të stolisura me lloj-lloj xhinglash, njëra më e re e tjetra më e moshuar, hynë brenda, pa drojë e u rehatuan duke lënë mënjanë rraqet që mbanin në krah. Ishte vapë dhe kërkesa e parë e tyre ishte, t’u servirej ujë i freskët. Meqenëse e panë pusin në avlli (Ishte i vetmi pus në atë mëhallë) kurse burimet në Donije ishin larg, nuk e patën të vështirë të kërkonin ujë të freskët, për të pirë e për t’u freskuar. Pronari më dha urdhër të nxirrja nga pusi ujë taze e unë nuk e bëra fjalën dy. Mbasi u rehatuan e u freskuan, arixhofkat ia nisën punës për të parashikuar të ardhmen e shtëpisë e të katandisë. Dajo Dajlani mbylli derën e dhomës që të mos i mësonte parashikimet e fatit të tyre, asnjeri; as unë yzmeqari i tyre.

Mirëpo kurioziteti i fëmijës 10-vjeçar dhe veshët pipëz të mitë, më dhanë mundësinë të regjistroja thuajse çdo fjalë e veprim të tyre (siç dihet, në atë kohë dyert e shtëpive nuk ishin hermetike dhe unë përfitova nga ky fakt). U bëra sy e veshë. "Brambullisjen" e nisi më e moshuara prej tyre. Ajo, me qëllim që të paraqitej sa më e besueshme tek viktima e radhës, nxori nga gjoksi një si medalion, ngjyrë argjendi, ua dha ta preknin e ta puthnin të dy pronarëve të mi dhe nisi ligjëratën. Çfarë nuk nxori nga goja ajo femër? Foli për fatin e madh të asaj shtëpie, për mbarësinë që pritej nga arat e begata, nga vreshti në pronësi të familjes, për mbrothësinë e bagëtive të imëta e të gjedhëve, për shëndetin e fëmijëve dhe të prindërve të tyre, madje siç dëgjova nëpërmjet derës së paputhitur mirë, folësja zuri në gojë dhe një hasem i cili vëzhgon lëvizjet e dajos tim dhe pret rastin për ta dëmtuar atë.

Ëmbëlsira erdhi më në fund. Arixhofkat me përvojë; nuk e kishin pa qëllim gjithë atë vrojtim sikur të ishin hetues. Ato panë me sytë e tyre, gjendjen e mirë ekonomike të pronarëve dhe duke hedhur fall, kërkuan dhe shpërblim. Dajo Dajlani, i cili i besonte verbërisht fallit, dëgjonte me vëmendje të shtuar e nuk linte asnjë fjalë që dilte nga goja e mashtrueses, t’i shpëtonte. Fillimisht, gratë kërkuan dhe morën para. Ia lanë thatë kuletën bojëkafe prej meshini dajo Dajlanit.

Ato "Ga" e pronarët: "Na". Kur u mbaruan paratë, fallxhoret kërkuan e morën, lesh deleje; gjalpë; gjizë, madje dhe një kungull që ishte i kapardisur në murin e avllisë. Mbasi morën ato që donin e që mundën, arixhofkat, të ngarkuara me "prenë" e fituar "me djersën e vapës", zbritën shkallët, të shoqëruara nga pronarët dhe duke ikur nëpër avlli, herë pas here kthenin kokën pas, pështynin dhe diçka të pakuptueshme mërmëritnin (ato kishin premtuar se do të shporrnin djallin nga ai truall). Duke u larguar, për në një tjetër familje "viktimë të radhës" dëgjova që u thanë pronarëve: "E keqja na e mori të keqen, atë e shporrëm nga shtëpia juaj; mbarësia do t’ju mbulojë këtej e tutje!" Të kënaqur nga fjalët e mashtrueseve, pronarët e mi u kthyen të gëzuar në odë. Unë nuk dola pa gjë nga kjo ndodhi.

Atë ditë hëngra një drekë të shijshme e të begatë. Pastaj pushova e mora një porosi: "Se mos i dëfton njeriu për ato që pe e dëgjove sot" - më dha porosi dajo Dajlani. "Peqe" u përgjigja, me gjuhën e të bindurit.

Shënim: Kërkoj mirëkuptimin e lexuesit, për faktin se në këtë shkrim kam përdorur disa fjalë, të cilat nuk janë adekuate, por që në atë kohë ishin në zhargonin e fshatarëve të mi.

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj; në Tiranë, gjatë muajit prill të vitit 2021