Banorët e Kalivaçit janë fisnikë dhe bujarë. Njoh më tepër Babanë tim, Xhevit Malko Nelajn (ndjesë pastë), prandaj do t’ju njoh me disa copëza bujarie nga jeta e tij baritore:
1. Episodi i parë: Dikur, tek xha Musa Mehmeti, fis, i afërm yni, me shtëpi rreth 30 m në juglindje të shtëpisë sonë, erdhën dy miq nga fshati Sevaster i rrethit të Vlorës. Njëri syresh quhej Luto Feimi; tjetri ishte kushëri i tij. Lutua ishte oficer i Ministrisë së Brendshme, vëlla me nënë e me babë i Minajetes (nuses së djalit të xha Musait - Mehmetit), njeri me edukatë e me kulturë, i pashëm e mjaft i sjellshëm.
Xha Musai dhe Ninija (e shoqja, një burrëreshë e rrallë), për të nderuar mikun dhe nusen, shtruan një darkë për shtatë palë qejfe, me mish të pjekur në hell, me raki të fortë, me këngë e me valle dhe me të shtëna armësh. Ishin të ftuar familjarët (vëllezërit e xha Musait), xhako Rremja, Ceco Banua e mjaft dashamirë të tjerë të familjes.
Kur në sufra u shtrua byreku, sipas traditës vendase, kushëriri i Lutos ia shkuli këngës labçe, me tekst thumbues: „O byrek, more byrek, ku jemi nesër për drekë?“ Heshtje, asnjë përgjigje nga ata që ishin qasur në sufra. Priti pak dhe u përgjigj Xheviti, fukara, por sedërli e xhymert (bujar): „Tek Xheviti, me sheleg!“ „Në dasmë e për gëzime ta shpërblefshim!“ - pasoi xha Musai.
Të nesërmen, herët në mëngjes, Xheviti u ngrit herët dhe, pa nxjerrë dhentë nga kasollja, mori qengjin pirës më të mirë, e theri në mes të avllisë, e rropi që të mos ftohej dhe e la të shtrirë në mes të avllisë. Kur u doli gjumi miqve nga Sevasteri dhe mbasi hëngrën lengjerin (enë bakri) me petulla, u nisën për në shtëpinë e tyre. Rrugica me gurë ndante avllinë tonë me yrtrat e xhako Rremes. Xheviti, apostafat, qëndronte tek shtegu i avllisë sonë, me qëllim që, sido që të vinte puna, të ishte i pranishëm. Me zhurmë, të shoqëruar nga Mehmet Musai, dy miqtë po zbritnin rrugicën.
E panë Xhevitin dhe i folën, pa u kthyer: „Tym e mbeç, o xha Xhevit“, thanë ata të dy. „Po ku do të vini?“ – gjegji Babai. „Do vemi në shtëpitë tona, në Sevaster, se kemi punë“, thanë ata. „Po kur keni ardhur?“ – i pyeti Babai. „Dje“, u përgjigjën ata, pa teklif.
„Po të kishit ardhur pardje, mund të iknit sot“, u përgjigj Babai. „Ikni! Por merreni me vete dhe këtë“, u tha Ai miqve, për t’i vënë në sedër, duke dëftuar me dorë qengjin e therur! Miqtë qeshën me të madhe dhe, deshën, s’deshën, qëndruan për drekë e u larguan në të errur. Atë drekë, në shtëpinë tonë u bë një pritje e gëzuar dhe e pasur siç nuk kishte ngjarë!
Episodi i dytë: Në shtëpinë tonë, dikur kishte ardhur mysafir vëllai i Nënës sime, Zonjë Temes, nga Koshtani i Tepelenës - Adush Temja, së bashku me të birin adoleshent, Jonuzin. Për të nderuar kunatin (vëllanë e gruas), Babai i mbajti të ardhurit për darkë. Duhet t’i nderonte, sipas traditës vendore, duke therur një berr (dele ose qengj). Xheviti i bëri shenjë Jonuzit të dilte në avlli dhe aty e porositi: „Futu në kasollen e dhenve, zgjidh më të mirën e bagëtive, zëre për këmbë ose për leshi dhe nxirre jashtë!“ Ashtu bëri Jonuzi, i cili nuk mund t’i parashikonte veprimet e pastajme të xha Xhevitit. Kur pa që Babai e vuri në mes të këmbëve delen shterpë e i preu kokën, vuri duart në kokë e vajti me vrap tek i ati, i cili ishte ulur në qoshen e djathtë të banesës e tymoste çibukun me duhan. Adushi donte të kundërshtonte, por tashmë ishte vonë e darka kaloi më së miri.
Episodi i tretë: Xhevit Malkua ishte çoban dhensh - esnaf. Ai ishte mjeshtër i njohur për mbarështimin e dhenve. Dhentë e tij, edhe në dimër, kur hanin bar, në mes të fushës, dalloheshin nga gabaritet (ishin të bëshme në trup); me lesh të pastër e të parrjepura dhe me „disiplinë“. Me qëllim që të shfrytëzonte hapësirat me shkurre ku delet e tij mund të hanin bar apo të përtypnin lëndë përralli dhe të mos rripeshin, në muajin gusht i qethte për së dyti.
Ai, në dimër, i „vriste“ dhentë, lart nga Shkëmbi e i priste ato të „vareshin“ në mukthit. Dhentë shkonin, pa çobanin prapa tyre, deri në Majën e Hasanbegajve dhe „vareshin“ vetë. Xheviti i priste tek Bishti i Rrezave të Haki Sulos, aty ku ishte një gur i madh, në formë stoli. Vinin udhëtarë të panjohur, nga rrethinat e Vlorës, kalonin në lundrën e Kalivaçit, tek rrepet në donije dhe merrnin udhën që të shpinte nëpër Kalivaç, tek shkolla e fshatit, më tej tek Lisat e Hyset e kalonin në krahinat e tjera të rretheve fqinje. Vendi ku qëndronte Xheviti e tymoste çibukun prej druri panje ishte si shtrungë.
Aty, detyrimisht do të kalonin udhëtarët. I ftonte Babai udhëtarët e lodhur nga udha e gjatë të „bënin“ një duhan dhe ia niste bisedës, shtruar. E pyeste udhëtarin nga ishte e cilit fis i përkiste dhe i sugjeronte të mos vijonte udhëtimin në atë buzëmbrëmje, mbasi udha për në fshatin e tij ishte e largët, nata do ta „zinte“ në udhë e mund ta sulmonin qentë. „Rri sonte për darkë, tek unë e nesër në mëngjes merr udhën për në fshatin tënd.“ Shumë nga udhëtarët pranonin ofertën, kurse të paktët vijonin udhën.
Në mukthit, së bashku me mysafirin e panjohur, Xheviti ia behte tek shtegu dhe i fliste të shoqes: „O Niazi (asokohe ishte turp t’i fliste gruas në emër burri, prandaj i fliste në emër të djalit të madh), pa dil se kemi mysafirë për darkë“ dhe i prezantonte udhëtarin. Mënjanë, që të mos e dëgjonte i ardhuri, Zonja e Madhe e Binajve i drejtohej të shoqit: „Pu-pu, mor burrë, ku i gjen këta sopiqarë ti e m’i sjell tani, në aksham?“ E kalonte natën burri i huaj, për bukuri e i ngrënë, shlodhej e terej po të ishte i lagur dhe, të nesërmen, që në mëngjes, merrte udhën për në shtëpinë e tij.
Episodi i katërt: Në mungesë të mjeteve financiare për të blerë bar (kullotë) në dimër, Xheviti i nxirrte dhentë, lart, nga Majat ose nga Bregu i Hysodosajve, ku kish dajot. Zonja e Madhe e Binajve (ndjesë pastë), me një tas cingo, të bardhë, e përzinte nga pas, për t’i shpurë ushqimin (përshesh me kos apo me qumësht). Në të dy rastet kur vështronin Xhevitin me dhen, nga sevdaja e bagëtive dhe nga fakti që Babai i donte fëmijët, sidomos djemtë, afronte Hysninë e Jasharit; Muharremin e Haredinit dhe Muharremin e Halos. Babai nuk hante kurrë vetë, pa ngrënë djemtë adoleshentë nga përsheshi i tij. Ata e mbajnë mend bujarinë e tij dhe e rrëfejnë me ngazëllim, sot e kësaj dite, kur janë bërë burra e kanë në vatër një tufë me fëmijë.
Episodi i pestë: Vëllai im, Dilaveri, ka qëndruar, në Kalivaç, deri në moshën kur vajti ushtar. Unë kam ikur nga fshati kur isha vetëm 10 vjeç. Ashtu si unë kur isha fëmijë, edhe Dilaveri shkonte pas Babait, me dhen. Një ditë, pas kaq vitesh, Ai më rrëfeu një aspekt interesant që ka të bëjë me shpirtin bujar të Babait tonë. Në kohën kur qengjat bëheshin për t’i pjekur në hell, rrëfen Dilaveri, ata kërcenin e lodronin, në vathë, në kasolle e në kullotë. Xhevitin e kish marrë malli për mua dhe i thosh Dilos: „Kur kërcejnë kështu qengjat, ata paralajmërojnë ardhjen e djalit të madh!“ E kish pikur malli Babanë tonë për mua dhe shpresonte. Lodrimi i qengjave në atë mënyrë, sipas bestytnisë së tij, paralajmëronte një ogur të mirë e të dëshiruar.
Episodi i gjashtë: Xhevit Malkua kish një mik, për kokë të mikut. Atë e quanin Mete Medin Sulaj, nga mëhalla e Hysodosajve. Unë i thërrisja dajo Metja (kështu u thërrisja gjithë burrave nga ajo mëhallë, të cilët i doja e më donin shumë). Xheviti dhe Metja, të dy ishin çobanë dhensh të regjur; ata e njihnin mirë dhe e donin shumë njëri-tjetrin. Ishin të lidhur dhe me miqësi e me krushqi, e cila rezultoi fatkeqe.
Dajo Metja e përcillte natën në vendin e quajtur Gurje, atje ku ishin dhe hauret e njohura me emrin e pronarit të tyre: hauret e Mete Medinit.
Kur kish ndonjë gjë të mirë për të ngrënë, sidomos mish të pjekur në hell, ose kur tek Xheviti trokiste ndonjë mik i vluar, Atij nuk i shkonte poshtë e nuk e shijonte si duhet gatimin pa pasur në sufra mikun e tij - Mete Medinin.
Një ditë vajta në shtëpi, me leje. Babai u gëzua shumë kur më pa dhe, siç e kishte praktikë të njohur, vuri ndër këmbë e i preu kokën qengjit më të lashtë e më të mirë, i cili ishte pirës e i dhjamur, si sapun. Për darkë thirri dy vëllezërit: Reshat dhe Nelo Resmiu, si dhe Selmanin e Resulit, i cili nuk mungonte kurrë. Njoftoi dhe Mete Medinin, i sigurt se Ai do të vinte.
Nëna ime, Zonja e Madhe e Binajve, si nikoqire e rregullt dhe si gatuese cilësore, nuk e shkoi qengjin në hell, mbasi ai ishte pirës dhe dhjami i qumështit do të shkrinte nga zjarri, por e copëtoi sipas anatomisë dhe thelat, të mëdha, i sistemoi në një tepsi, të cilën e vuri mbi këmbje, me prush poshtë, teksa saçi i nxehtë i rrinte sipër. Siç dihet, shija e mishit të pjekur në saç nuk ka ndonjë ndryshim të madh me atë të mishit të pjekur në hell. Përpara se të shtrohej sufraja, shijuam të brendshmet e qengjit të njomë, me një pikë raki të fortë (jo me raki koçimare, por me raki nga të mblojturat e Zonjës së Madhe të Binajve), të ardhur nga Teqeja e Prishtes, në një kacup lëkure.
Zumë vend në sufra, përbri njëri-tjetrit. Vetëm Nëna rrinte në këmbë e na shërbente. Thelat e mishit ishin të ngrohta, lëshonin avull e ashtu ishin mjaft të shijshme. Nëna i kish prerë ato goxha të mëdha.
Dajo Metja, ca nga mosha e ca nga mungesa e dentistit në fshat, nuk i kish në gojë të gjithë dhëmbët e dhëmballët. Ai, për ta pasur më të lehtë, përzgjidhte thelat pa kockë, por tulet, si përmasë, ishin më të mëdha. Njëra nga thelat, një tul i madh, i mbeti në fyt e me zor, me ndërhyrjen e më të rinjve, u lirua prej saj. Megjithëse ishte në derë të mikut të tij të lashtë dhe në mjedis dashamirës, dajo Metja „u turpërua“, u ngrit, doli në avlli, mori kalin për kapistër dhe e mbajti vrapin në Gurje. Xheviti, i vënë në merak për fatin e shokut të ngushtë, iu vu pas; vajti në Gurje.
Pa kalin të lidhur dhe dajo Meten të shtrirë në vendin ku flinte; u bind se çdo gjë kishte shkuar mirë; mbuloi mirë shokun e tij me rrobat e jatakut të tij të posaçëm e u kthye në shtëpi. Na gjeti të merakosur për të dy burrat.
Raste të tilla mund të qëmtoj dhe shumë të tjera, por këto mendova këtë herë.
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, në Tiranë, më 15 maj 2021

Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.