Shumë është shkruar e është folur për Vlorën. Mirë është bërë se e meriton. Vetë Nëna natyrë e ka favorizuar me pozicionin që i ka dhënë kësaj "Perle" në mes të dheut. Dora e njeriut i shton dita-ditës të tjera bukuri, të cilat e hijeshojnë mrekullisht.
Njëra nga magjitë e shtuara nga dora e njeriut është, pa mëdyshje Lungomare. E kam parë kur sapo nisën punimet dhe bëja të habiturin. "Po këta të marrë, thosha me vete, ç’t’i kenë këto baltovina që hedhin anës detit"! Kisha merakun se mos ndotej ujët e prishej ai çikë plazh. Siç doli, jam gabuar.
Sot, kur sapo ka nisur sezoni i plazhit e turistët po dynden, nga anë e anës Lungomaren e vështron e nuk ngopesh së pari. Aq e bukur është! Të magjeps e nuk ikën dot prej saj.
Lungomare është një realitet i prekshëm që të befason e të relakson. Këtë realitet të dukshëm asnjeri nuk mund ta mohojë apo nuk bën dot sikur nuk e vështron. Është mëkat të vlerësohet kjo "mrekulli njerëzore" nisur nga pozicione partiake. Partitë dhe ideologjitë e tyre, venë e vijnë; Vlora është aty ku ka qenë, më e bukur e më e hijeshme; atje ku natyra nënë e ka vendosur si me dorë.
Vlora është krenari më vete. Vendasit i kam dëgjuar të thonë: "Nuk bëhesh dot vlonjat, po nuk qe i tillë"! Thënie e mençur e me vend. Me këtë thënie i kanë vënë vjegën gjësë. Sipas meje, janë të lumtur ata që janë lindur në Vlorë, por janë dy herë të lumtur ata që kanë lindur diku gjetke, por banojnë aty.
Pa ju bezdisur, do t’ju rokanis kokën me një episod nga jeta vetjake e kohëve të fundit, të cilin dua ta ndaj me ju:
Një ditë qershori të këtij viti, herët në mëngjes, im bir më solli me makinë, deri tek Moli i vjetër; atje ku janë kredhur e kanë garuar breza të tërë vendasish dhe të të ardhur nga vise të tjera të vendit. "Zbrit, baba", tha djali, "ec në këmbë për të parë sa të mbajnë këllqet e të shijosh Lungomaren"!
Ashtu bëra. Vendosa ta përshkoj në këmbë atë copë udhë, e cila, më tepër se lodhje, të mëkon kënaqësi. Doja të takoja disa shokë e miq të viteve '60 (kisha shkaqet e mia): Kostandinin; Neharin; Ramadanin; Agim B., Luanin nga Kolonja e ndonjë tjetër të cilët më pritnin.
Ishte mëngjes e njerëzit, tufa-tufa kishin dalë shëtitje buzë detit ose shkonin në punët e tyre. Ai segment aq i bukur, më kënaqi tej mase por dhe më vuri përpara ndonjë vështirësie.
Pranë ish-Shkollës së Marinës e ndala hapin për të soditur atë bukuri të rrallë. Por dhe nuk dija ku të kaloja.
Trafiku me disa korsi, i ngatërron të moshuarit. Njerëzit ngatërronin korsitë dhe ecnin ku t'u mbushej mendja. Në krahun nga janë ngritur pallate, korsia për këmbësorët është e gjerë, por në të kalonin makina të vogla furnizimi. Druaja se mos më përplaste ndonjë makinë dhe e fitoja davanë.
M'u mbush mendja, i zura udhën një të moshuari. Figura e tij, m'u duk interesante. Nuk ishte veshur me rroba shajaku e me qylah në kokë, por kishte veshur rroba civile, të cilat i rrinin të gjera e dukej sikur ishte i futur në një thes.
Në kokë mbante një republikë të madhe dhe opingat i kishte shkelur. I rashë pikës: Qenka nga ata që janë varur në qytet kohët e fundit dhe është veshur tek pirgu.
E përshëndeta, pa e njohur dhe e pyeta: "Jam ndarë me Vlorën herët, ku ndodhemi këtu?"
Burri i zgjuar e hokatar, më "bleu" menjëherë e më tha: "Jemi tek Rruga -Ura"!
Një në dorë, thashë me vete! Dhe vijova me pyetje: "Zotni, i thashë, ku të kaloj se këtu qenka ‘nakatomeno’ (greqisht). Në korsitë e këmbësorëve kalojnë dhe vetura e kam frikë se mos më përplas ndonjëra!"
"Kalo ku të të mbushet mendja", tha burri, "pastaj edhe po të përplasi ndonjë makinë, fundja plak je e nuk bëhet shteg për ty".
E mora përgjigjen që meritoja. Doja të gajasesha së qeshuri, por pata drojë se mos më merrnin për të ronitur...!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.