(Monografi kushtuar njërit nga njerëzit më të mirë e më të përkushtuar për ngritjen e kooperativës bujqësore në Kalivaç të Tepelenës, i cili punoi me mish e me shpirt për mëkëmbjen e saj: Dautit të Pashajve. Dauti ishte vlerashumë, prandaj nuk duhet harruar).

Fundi tragjik i tij dhe koha që ka shkuar nuk mund të bëhen shkak për harrimin e tij. Trualli mbi të cilin u lind e u rrit Ai burrë nuk mund të shterojë së buruari njerëz të zgjuar e të shkathët si Dauti. Në damaret e pasardhësve të Tij rrjedh gjak nga rrembat e gjakut të "heroit" të këtij shkrimi. Siç është e njohur, gjaku nuk bëhet ujë, ose, e thënë ndryshe, një rrymë uji që gurgullon nën shkëmb, do ta çajë udhën për të buçitur.

Një copëz historie, nga ato që kanë gojë e flasin.

Kooperativizmi agrar, në fshatin tonë të bekuar, si në të gjithë vendin, ishte një shkallë në udhën e gjatë të zhvillimit të bujqësisë. Modeli dhe metoda që u zbatuan për këtë qëllim u huajtën nga kolkozet sovjetike. Ato (kolkozet), në atë kohë, si çdo gjë tjetër, imitoheshin me pikë e më presje. Si fillim, synohej bashkësia e punës e më pas prona e përbashkët. Kooperativizimi i bujqësisë ishte një eksperiment, i cili rezultoi i pasuksesshëm. Vërtet gjatë udhës së zhvillimit të eksperimentit në fjalë, u arritën disa tregues pozitivë e negativë, por, në fund të fundit, pikësynimi apo objektivi mbeti utopi.

Daut Pashaj

Në Kalivaç të Tepelenës, përpara se të formohej kooperativa bujqësore e fshatit, kanë funksionuar disa elementë shoqërizimi, ndonëse të pjesshëm. Ato ishin të bartura, por dhe të pasuruara me praktika të reja.

Sipas traditës shumëshekullore të fiksuar në historinë e rrëfyer të fshatit tonë, bashkëfshatarët tanë kanë qenë mjaft të afruar e të lidhur me njëri-tjetrin. Ata i janë gjendur shoqi-shoqit si në të mirë dhe kur janë ndodhur në vështirësi. Madje, kur ndonjëri ndodhej në hall, kalivaçasit vraponin t’i shkonin në ndihmë, siç thonë rëndom në Kalivaç: më kuç e më mac. Lidhur me këtë vlerë të kalivaçasve dua të theksoj sa më poshtë: Kohezioni në radhët e bashkëfshatarëve tanë, lidhjet e ngushta mes njerëzve dhe gatishmëria e tyre për t’u gjendur pranë hallexhinjve, janë vlera të cilat nuk u krijuan as në një ditë e as nga një njeri i vetëm. Kanë qenë burrat e mençur kalivaças, ata që kishin mendjen, zgjuarsinë, trimërinë, besën, bujarinë, guximin dhe krenarinë, pse jo dhe pasurinë që sillte ndikim tek njerëzit, të cilët e kanë mbajtur tok popullin e fshatit, ata që kanë shuar sherret që kur nxirrnin kokën e nuk kanë lejuar që ato të maiseshin e të shndërroheshin në zjarr kalafak.

Në këtë shkrim, sidoqë është, kam shkëputur disa episode në të cilat shfaqet qartë përpjekja fshatçe, për të shoqërizuar punën, derisa u poqën kushtet për të kaluar në kolektivizimin e plotë. Një gjë është e ditur: Njeriu, pa njeriun, nuk mund të jetojë; kur nuk e ka atë pranë, e kërkon dhe e gjen një të dytë, si vetja. Po ju bezdis, më duket, me këto moralizime, por dua të më kuptoni drejt, ju lutem, po përpiqem të bëj një renditje tjetër të atyre që dua të evokoj, duke menduar se përsëritja nuk është e keqe, përkundrazi, freskon kujtesën e mban të gjallë ndjesinë. Fundja, ai që bezdiset, le t’i hedhë tutje letrat e shkruara prej meje, se mund të bëhet edhe pa to.

Ishte kënaqësi e madhe, kur njerëzit, dikur, ngriheshin herët në mëngjes, me kafshët e ngarkesës përpara ose të hequra pas kapistres, thërrisnin njëri-tjetrin, në rrugicë, që të dilnin si ata, me sëpatë apo me kosore në duar, me litarë mbi kaptellin e samarit të hajvanit e me një torbë në krah ku mund të fshihej ndonjë duçe (shishe me volum 250 gr) apo me ndonjë botile me raki, nga më e mira. Burrat kapërcenin Përroin e Çorrushit apo shkonin diku gjetkë, për të "nxjerrë" drutë e dasmës. Ishte e këndshme çokitja e sëpatave dhe kosoreve, tek prisnin drutë. Patjetër që në këto veprimtari, më tepër relaksuese, mblidheshin njerëzit tok, shkëmbenin eksperienca, bisedonin, e ndiznin duke këmbyer kutinë apo qesenë e duhanit, ia çkulnin këngës labçe, pinin dhe ndonjë gllënjkë raki. Dita e gëzueshme e "nxjerrjes" së druve të dasmës përfundonte me stivosjen e druve dhe në mbrëmje me darkën e petullave.

Punët në bujqësi janë kryesisht sezonale. Në vjeshtë mbillen të lashtat e bëhet ara ugar, me plug ose me parmendë; në pranverë, punët shtohen e kërkojnë më shumë krahë pune. Vijnë thuajse në të njëjtën kohë, teharrja e të lashtave, mbjellja e të vonave, pas ugareve, pastaj vjen prashitja e të vonave, korrja dhe shirja e grunjave; mbledhja e kallinjve; vënia e hipive etj., etj. Korrja dhe manipulimi i të vonave, sidomos i misrit, ka volum pune të madh etj. Përballimi i volumit të madh të punës, në veçanti nga familjet me pak pjesëtarë, ishte tepër i vështirë. Prandaj, i zoti i mallit (shtëpisë) ishte i detyruar të kërkonte ndihmën e gjitonëve e më gjerë. Kësisoj, si mënyra më e bukur ishte gjetur hedhja e argatëve. Bashkohej puna e çdo individi; me veglat në dorë si (drapër, shate, kosor, parmendë etj.) nga veglat e punës që nevojiteshin për proceset e punës.

Vlerat e këtyre grumbullimeve ishin të pallogaritshme. Njerëzit punonin së bashku, qëndronin në krah të njëri-tjetrit, shkëmbenin eksperiencën vetjake; mësonin nga njëri-tjetri; shkëmbenin vegla pune; ndonjëherë garonin me njëri-tjetrin; këndonin labçe e kërcenin në mes të arës; hanin së bashku, kthenin dhe disa gllënjka nga faqorja etj., etj. Në mbrëmje, secili shkonte në shtëpinë e tij e u rrëfente familjarëve mbi punët e asaj dite, duke marrë me vete e duke u përcjellë të tijve të falat e atyre që hodhën argatë.

Argat "hidhte" edhe çobani i dhenve, kur bënte qethjen e dhenve. Duket si proces i thjeshtë e që mund të kryhet pa vështirësi. Në fakt, në kohën për të cilën bëhet fjalë, qethja e dhenve bëhej me gërshërët tradicionale, metalike me majë të mprehtë, me dy doreza metalike të mbështjella me lesh deleje, në mënyrë që të mos i vritej dora atij që qethte. Ata që ftoheshin për të marrë pjesë në qethjen e dhenve, domosdoshmërisht duhet të ishin mjeshtër në profesion. Leshi i qethur, i çdo deleje bëhej bashkë e nuk duhet të kishte të prera. Lëkura e bagëtisë, gjithashtu nuk duhet të pritej, etj. Këto kërkesa të veçanta, çobanët i dinin mirë, prandaj, mendoheshin mirë para se të shkonin për ndihmë.

Pronari i tufës së dhenve servirte për argatët një yshmer, me gjalpë; një zog pule me rosnica dhe gatime të tjera, bio.

Po guxoj të shkoj më tej: Kur një bashkëfshatar bëhej mbarë për të ngritur një shtëpi të re apo për të shtuar atë ekzistuese, dashuria e ndërsjelltë dhe çiltërsia e njerëzve shpaloseshin sheshit. Në atë rast nuk gëzonte vetëm ai që bënte shtëpi, por gëzim kishin dhe njerëzit e tij, gjitonët, mëhallalinjtë, miqtë e cilido që kishte mirësi në zemër. Kur hapeshin themelet dhe më pas, kur çokisnin çekanët e valonte mistria, pranë muratorëve dhe të zotit të shtëpisë afroheshin dhe mjaft dashamirë, të cilët e kishin për nder të jepnin ndihmesën e tyre, për të ngritur një shtëpi të re, e cila konsiderohej "e shenjtë". Sikur të mos mjaftonte puna e papaguar, me vullnet të lirë e me shumë kënaqësi, ishin të shumtë ata që, me dëshirë gatuanin një vakt ushqimi, me të gjithë përbërësit, të cilin ua servirnin ustallarëve dhe uleshin e hanin mbi mur ose në shesh, së bashku. Buka që servirej në këtë rast, kur bamirësi ndërtonte shtëpi, i kthehej nga i zoti i shtëpisë, i cili nuk e mbante mislok, aktin e bujarisë që mori prej bamirësit.

Në Kalivaç, është prodhuar gëlqere, që në kohë të kohës. Fshatarët, në një vend të përshtatshëm, ku ishte një faqe kodre e pjerrët, e veshur me shkarpë të dendur së shumti përrallë, e cila ndizej e digjej më lehtë, siç është Hija; sheshi i Donijes; faqja e kodrës që nis nga Përroi i Zelenicës deri tek Bexga e Hasanbegajve etj., vende të varura. Gropa e kaminës hapej nga i zoti i kaminës dhe nga ortakët e tij, me kohë dhe pak nga pak; qemerin e kthente mjeshtri i kaminave – Hamit Caush Muharremaj, kurse për të prerë shkarpën, për ta rrokullisur atë deri tek buza e kaminës dhe për të ushqyer me shkarpë zjarrin, 24 orë rresht që flaka në furrë të mos shuhej, duheshin njerëz; djem të fortë e të rezistueshëm ndaj pagjumësisë. Ata, para se të thirreshin për ndihmë, përzgjidheshin mirë. Ai që bënte kaminën u siguronte dhe ushqimin, për të gjitha vaktet sa vazhdonte djegja. Rastet më të shumta ishin djegje në ortakëri.

Argatë thirreshin dhe në rastet kur vileshin ullinjtë, kur transportohej rërë apo gurë dhe në raste të tjera, kur pronari nuk përballonte dot volumin e punëve.

Kulmi i shoqërizimit dhe i bujarisë kalivaçase arrihej kur njërit, në mëhallë apo në fis i ndodhte një fatkeqësi, e cila rezultonte me ndarjen nga jeta të një pjesëtari të familjes. Përveç ngushëllimit, përcjelljes së të ndjerës (të ndjerit), 40 ditë më pas, në shtëpinë ku kish ngjarë fatkeqësia, fisi, të afërmit, miqtë e dashamirët e shtëpisë, çdo natë (gjysma e parë e natës) nuk ndaheshin nga shtëpia fatkeqe. Ata, me praninë e tyre dhe me fjalën e mirë, ia lehtësonin hidhërimin të helmuarit e nuk e linin të vetëm atë. Interesante ishte ajo që do t’ju rrëfej më poshtë:

Në vatër, nuk ishin vetëm të afërmit dhe mëhallalinjtë, por dhe disa miq, të cilët i kishin shtëpitë larg. Çdo natë, darkën e gatuante dhe e servirte njëri nga mëhallalinjtë. (Kështu veprohej në mëhallën time, në Ahmetaj), por ma do mendja se kështu ngjante dhe në mëhallet e tjera të fshatit e më tej. Vakti i darkës, gatuhej në shtëpinë e bujarit, me të gjithë asortimentet, përfshi dhe ndonjë gotë raki. Me enët e tij, bujari, e transportonte ushqimin në shtëpinë e të lënduarit dhe e vendoste atë, në fund të shtëpisë.

Kur gjykohej e arsyeshme (zakonisht para mesnatës), urdhërohej, nga i zoti i shtëpisë, shtrimi i darkës. Të gjithë qaseshin rreth sufrase. Bujari, me të tijtë servirte ushqimet. I helmuari, detyrimisht deklaronte: "Darkën, sot, e ka bërë filani; për të mira e në gëzime ia shpërblefshim!" Njerëzit bënin adetin, ngushëllonin të zotin e shtëpisë dhe i shprehnin mirënjohje bujarit.

Pas konsumimit të darkës, me shpejtësi, mblidheshin enët dhe ashtu, të palara, transportoheshin në shtëpinë e bujarit. Darkën e ardhshme e përgatiste dhe e servirte një tjetër bujar. Kësisoj, në një veprim të vetëm (përgatitjen dhe servirjen e darkës) ezauroheshin disa çështje me rëndësi jetike. Ai që ishte i helmuar nuk lihej në vetmi 40 ditët e para, kur dhe efekti i gjëmës është më i madh e më i afërt; ndihmohej i helmuari ekonomikisht, kur ai kish nevojë; ata që mblidheshin bisedonin 3 - 4 orë me njëri-tjetrin. Bisedat ceknin probleme nga më të ndryshmet. Përveç efektit psikologjik, njerëzit merrnin informacion e shkëmbenin mendime, futeshin në marrëdhënie me njëri-tjetrin, njiheshin më thellë e shoqërizoheshin.

Pjesëmarrësit, nëpërmjet bisedave, qëndrimit së bashku, të ushqyerit në të njëjtën sufra etj. miqësoheshin me njëri-tjetrin dhe edukoheshin me normat zakonore të pranueshme për të gjithë.

Nuk ishin vetëm këto forma të shoqërizimit të punës, në fshatin tonë; festimi i ditës së verës, kur, që në mëngjes, të larë e të krehur, të veshur me petkat më të mira (ata që kishin mundësi, me petka të reja) mblidheshim, së bashku, vajza e djem të mitur, tek Buza, zgjidhnim një përgjegjëse (përgjegjës) për të na drejtuar e për të na rrëfyer udhën. Shkonim shtëpi në shtëpi të fshatit, qëndronim në këmbë, në formë rrethi apo në gjysmë hark dhe takoheshim me nikoqiren e shtëpisë. Ajo na pyeste: "I kujt je, bir-o?", na puthte në të dyja faqet e na jepte korkoqulle, çfarë të kishte (petulla; llokume (ballakume); vezë; një shegë; një ftua, një palez fiku, një grusht me arra apo me bajame etj., etj.). Ne, ato që na jepte nikoqirja, i futnim në torbën prej pëlhure që mbanim në krah. Ato (ata) që ishin të uritur, ato që haheshin i futnin në gojë. Nikoqirja, duke na puthur, na falte shumë dashuri e mirësi, si dhe na përcillte të fala, për prindërit tanë. Shoqërizim i pastër ky.

Afërsisht një vit përpara se të formohej kooperativa bujqësore e fshatit tonë, me orientim nga lart, për të provuar nëse fshatarët ishin të gatshëm për të formuar kooperativën bujqësore dhe për të vërtetuar nëse ekonomia e vendasve ishte në nivelet e kërkuara, në Kalivaç u provua kolektivizimi. Kjo formë e ndërmjetme shoqërizimi, ishte e pjesshme dhe si një lloj eksperimenti. Kolektivizohej puna, por jo prona. Njerëzit punonin, me veglat e tyre të punës dhe me krahët vetjakë të punës. Punët drejtoheshin nga njerëz me përvojë në bujqësi, të moshuar të cilëve u kishin "rënë kockat" në ugare dhe nga ata që kishin pasur rezultate të mira në punët bujqësore të familjes. Vlera e kësaj forme organizimi ishte e madhe.

Njerëzit punonin përkrah njëri-tjetrit. Shpirti fisnik i tyre bënte të mundur që njerëzit të punonin me sedër, si në arën e vet dhe në atë të tjetrit. Duke punuar së bashku, njerëzit njiheshin më në detaje me njëri-tjetrin dhe ndihmonin shoqi-shoqin, me përvojën vetjake. Kjo formë pune, e menduar dhe e organizuar mirë, ishte dhe një lloj verifikimi i veglave të punës dhe kafshëve të punës e të prodhimit, me qëllim që të përcaktoheshin nevojat.

Formimi i kooperativës bujqësore, në Kalivaç, ishte një hap i ndjeshëm përpara.

Kooperativa Bujqësore në Kalivaç të Tepelenës u formua më 27 mars të vitit 1957. Ishte kulmi i fushatës për kooperativizimin e bujqësisë. Të deleguar të Komitetit të Partisë së rrethit të Tepelenës dhe personalitete me ndikim në rreth e në krahinë kishin marrë detyra konkrete për të bërë propagandë e për të formuar kooperativa bujqësore, në fshatra të ndryshëm, punë për të cilën ata jepnin llogari. Synohej të mos mbetej asnjë fshat i rrethit pa u bërë kooperativë bujqësore. Në Kalivaç, atë ditë (27 mars 1957) ia kishte behur partiaku i lartë i rrethit - Esheref Gjonca, nga fshati Dames i rrethit të Tepelenës, Alem Shehaj nga fshati Dhemblan i këtij rrethi; Sulo Kasua, nga Shehajt e Fushës; Sulo Nelua, nga Qesarati etj. (Këta dy të fundit ishin nga treva vendase të mirënjohur si njerëz me integritet e me ndikim tek fshatarët.)

Më datën 27 mars të vitit 1957, mbi udhën që të shpinte në Majën e Dërrasës, sipër shtëpive si saraje të Haxhiajve, atje ku u ndërtua dyqani i Zaim Xhemalit, në të thyer të ditës, po kuvendonin, fshatçe, të deleguarit dhe bashkëfshatarët tanë: Mane Tafili; Ahmet Selfua; Liço Kapua dhe Dauti i Pashajve. Bisedonin për formimin e kooperativës Bujqësore, në Kalivaç. Në mukthit, kur dita po i lëshonte vendin natës, Dauti e ftoi Esherefin dhe shokët e tij të darkonin në shtëpinë e tij, në Hysodosaj. Aty, të mbështetur pas ledhit, u shfaq mendimi se ishte koha që Kalivaçi i Luftës, i burrërisë e i besës, të mos mbetej prapa fshatrave të tjerë. U mor vendim, në parim, për formimin e kooperativës Bujqësore të fshatit. Për të vajtur për darkë tek Dauti, ndonjëri u shtrydh e u ndrydh, por Esherefi vuri "veton".

Ai në krye e të tjerët pas tij, të prirë nga Dauti, morën udhën që të shpinte në Hysodosaj. Dauti, si zot shtëpie, thirri që në rrugicë: "Neno, kemi miq për darkë!" Zonja Hyrije, një goxha grua, fisnike dhe e pritur, iu përgjigj djalit të madh, të cilin e njohu nga zëri: "Urdhëroni, le të jenë sa të duan, shtëpia ka vend, sa të duash për njerëz të mirë; sa të jenë, le të urdhërojnë; në qofshin për të mirë, shtëpia hapët i ka dyert, kanate dhe për të mirë ua shpërblefshim!"

Burrat zunë vend në odë, sipas traditës vendore (në qoshen e djathtë, u ul miku i largët, Esherefi; në të majtën – i zoti i shtëpisë, Dauti e poshtë tyre, të tjerët, me radhë, sipas "peshës" që zinin në hierarkinë shoqërore). Mbasi bëri urimin e traditës, Dauti, me fjalët: "Mirë se na urdhëruat!", nisi biseda, shtruar e qetë-qetë. U krijua një mjedis i ngrohtë ku sundonte rregulli dhe dashamirësia. Esherefi, me "peshën" e të deleguarit mbi supe, pyeti të zotin e shtëpisë: "Sa familje bëheni në mëhallën tuaj?" Dyzet ishte përgjigja që mori "flakë për flakë".

Dauti porositi të vëllanë nën vete për nga mosha, Sherifin, të shkonte derë më derë në Hysodosaj e të njoftonte që të vinte në shtëpinë e tyre, një burrë për derë, njëlloj si në rastet kur i zoti i shtëpisë ftonte në dasmë mëhallalinjtë. Dauti porositi Sherifin të hidhej në Ahmetaj e të njoftonte Memen e Muharrem Hasanit dhe të birin, Skënderin që të vinin atë darkë, në shtëpinë e tyre. Sherifi, djalë në vaktit, i shkathët e me shpejtësi e kreu detyrën që i vuri vëllai i madh, Dauti.

Në takimin themelues të Kooperativës Bujqësore të Kalivaçit, atë natë, në odën e Dautit të Pashajve u ndodhën, veç të deleguarve dhe të zotit të shtëpisë edhe disa bashkëfshatarë si Memja e Muharrem Hasanit; Skënder Muharrem Nelaj; Haki Sulo Sulaj, Jashar Hysni Deraj, Gani Muharrem Ramaj; Nasip Hysen Alidervishaj etj. Dauti i Pashajve u ngrit në këmbë dhe me zë të qartë e të vendosur, kërkoi të regjistrohej, i pari në kooperativën Bujqësore të fshatit. Ky akt i paparë e i pamenduar, mbetet historik e interesant. Pas tij u regjistruan anëtarë të Kooperativës Bujqësore të Kalivaçit: Haki Sulua; Ahmet Fejzua; Tefik Medini dhe vëllai i tij – Metja; Gani Muharremi; Kalo Qazua; Manxhar Hazbiu; Demir Seiti; Selman Xhaferi; Hetem Nexhipi; Nasip Hyseni; Azis Telhai; Arif Qamili; Azis Selfua; Ali Demiri; Dajlan Xheladini etj. Sapo u vendos krijimi i kooperativës Bujqësore të fshatit (u dha besa e burrave), i deleguari kryesor i Komitetit të Partisë së rrethit të Tepelenës damsioti Esheref Gjonca, u afrua tek dritarja e odës, hapi kanatat prej dhoge, nxori pistoletin që mbante në brez dhe qëlloi, në ajër, tri herë. Ky ishte sinjali që njoftonte për diçka të rëndësishme, siç ishte lajmi për formimin e kooperativës bujqësore. Gëzimi dhe hareja sunduan odën e Dautit dhe tërë mëhallën e Hysodosajve, atë natë. Vetëm trimi me fletë – Jaçe Sadik Azizaj, deklaroi, atë natë dhe i qëndroi vendimit që mori se nuk do të hynte në kooperativë, gjë që i habiti të mëdhenjtë dhe të vegjëlit e mëhallës.

Të nesërmen, që në mëngjes, në shtëpinë e Dautit të Pashajve erdhën bashkëfshatarët: Veledin Ahmet Caushaj dhe Rexhep Abedin Malaj. Mëhalla e Ahmetajve, e cila kishte lidhje të ngushta, historike dhe të asaj kohe me atë të Hysodosajve, u fut në kooperativën bujqësore të fshatit, 10 ditë më vonë. Mëhalla e Hysodosajve u bë nismëtare dhe e konkretizoi aktin e formimit të kooperativës Bujqësore të fshatit, por dhe Ahmetajt, nuk mbeteshin prapa tyre. Ahmetajt, me në krye plakun e mençur Musa Mehmet Nelaj, i cili e kish larë me gjak e me trimëri udhën luftarake nga 1912 - ta deri më atëherë, dhe me Memen trime e të pashme, në akord me mëhallalinjtë e tjerë, e kishin të "pluguar" arën e ishin të gatshëm për të përqafuar direktivën e kolektivizimit të bujqësisë në fshat.

Dauti i Pashajve qëndroi në detyrën e kryetarit të kooperativës bujqësore të Kalivaçit një vit, vitin e parë të jetës së saj, i cili ishte dhe më i vështiri. Çdo gjë nisi nga fillimi. Organizime të kësaj përmase ishin të paimagjinueshme. Dauti i përballoi vështirësitë e nisjes dhe priu përpara, me guxim e me kurajon që i dha horizonti që vështronte. Pas tij, u zgjodh Kryetar i kooperativës veterani partizan - Sinan Hasan Ramaj, i biri i lundërtarit me famë, Hasan Ramos dhe vendin e tij e zuri – Mehmet Musa Nelaj, i cili e drejtoi kooperativën bujqësore të fshatit shumë vite, me vullnet e aftësi të rralla. Për t’u theksuar është fakti se Dauti, pavarësisht se nuk ishte në funksionin e kryetarit, u zgjodh, derisa u nda nga jeta, në Kryesinë e Kooperativës Bujqësore të fshatit, gjë që përbën vlerë më vete.

Nuk mund të mos theksoj dy çaste e rrethana të cilat u kapën në kohë e u shfrytëzuan mendërisht nga Dauti i Pashajve. E para, ka të bëjë me terrenin e përshtatshëm që ishte i pranishëm në mëhallën e Hysodosajve, por jo vetëm, në të mirë të formimit të kooperativës bujqësore. Militanti komunist dhe atdhetari i shquar, Sinan Hasan Ramaj, prej kohësh i kishte bërë "qilizme" ata troje, banorët e të cilëve ishin lidhur ngushtë me Lëvizjen Nacional - Çlirimtare dhe me atdhetarizmin e zjarrtë. Në trungun e Gani Muharremit nga Ramajt, kishin luftuar tre ish-partizanë: Muharremi, Barjami dhe vetë Ganiu. Manxhari ishte kushëri i Mehmet Shehut e nuk mund të dilte kundër ideve të tij etj. Në Sulaj ishte kryetari dhe mësuesi i luftëtarëve të Nacionalçlirimtares dhe burri fisnik e i qëndrueshëm – Tefik Medini. Sikur të mos mjaftonte kjo, Arifi i Qamilit, gjithashtu nga Sulajt, ishte i lidhur ngushtë me pushtetin e popullit.

Sulajt kishin në trung, partizanin e flaktë, drejtuesin e veprimeve të partizanëve të fshatit - Sulo Beqir Sulaj. Azizajt, kishin në trung trimin me fletë Jaçe Sadiku dhe vëllai i Havos të Kapllanit - Ramizi ishte nga partizanët më të vjetër. Ahmet Fejzo Pashaj, një burrë i gjatë, fisnik e nga derë fisnike, kishte pasur në radhët e partizanëve bijën e tij - Nasibene e cila u martua, në luftë, me drejtuesin e veprimeve luftarake të partizanëve kalivaças - Teki Sherif Zenelaj (Mucoimaj). Në familjen e Ahmet Fejzos, njëri nga djemtë – Qerimi – ishte oficer nga ata që erdhën në ushtri, nga radhët e ushtrisë çlirimtare. Hamit Ziflua, njeri i kësaj familjeje, ishte nga më aktivët partizanë të malit. Demir Seit Alidervishaj, në të dy krahët ishte, kokë e këmbë i lidhur me pushtetin popullor dhe kishte sakrifikuar për të.

Edhe Nasipi, i biri i Sados e i Hysen Mahmut Alidervishaj, ishte i lidhur ngushtë me Nelajt nga rridhte e ëma dhe nga Malajt (nga Halil Lazja dhe i biri - selam Halili, i cili ishte një shtyllë e fortë e lëvizjes rinore antifashiste në Kalivaç.) Azis Selfo Alidervishaj vërtet ishte i verbër, por kooperativën bujqësore të fshatit e përqafoi që natën e parë, kur u formua. Prandaj, mund të theksoj se Dauti e njihte mirë dhe e shfrytëzoi mjeshtërisht këtë terren.

E dyta, Dauti i Pashajve ishte njeri me horizont e me vizion të qartë. Ai, tërë shoqërinë e kishte nga radhët e atdhetarëve përparimtarë dhe fakti që u regjistrua i pari kooperativist, në Kalivaç, shto faktin që kooperativa bujqësore u formua në shtëpinë e tij, krahas tipareve shoqërore që kish dhe sjelljes së denjë të tij, e cila i jepte Atij avantazhin e njeriut të dashur e të respektuar mes bashkëfshatarëve të tij, bënë të mundur që Dauti i Pashajve të zgjidhej, njëzëri kryetar i parë i kooperativës Bujqësore të fshatit. Brigadier i parë u zgjodh Skënder Muharrem Nelaj. Të nesërmen, me porosi të Memes, Nënës së tij heroinë, Skënderi vuri pendën e qeve të parmendës përpara, hodhi në krah parmendën dhe vajti në arën e quajtur Bishtje, ku zuri qetë në parmendë e bëri dy vija, si shenjë se kooperativa bujqësore ishte formuar dhe Ai ishte anëtar i saj.

Jo të gjithë fshatarët u futën në kooperativë njëherësh. Pati prej tyre, si dajo Jaçja, i cili, edhe pse kish qenë partizan, nga më trimat jo vetëm të Kalivaçit por dhe të njësisë partizane ku ishte i inkuadruar, kur mbaroi lufta, dorëzoi armët, dhe nuk iu bind urdhrit të hierarkisë për ta bërë oficer, por deklaroi në komandën e njësitit partizan: "Lashë qetë në zgjedhë dhe arën batall, dola malit për të shporrur fashizmin që na kish zaptuar vendin; këtë e bëmë së bashku, kaq qe detyra ime, tani më lejoni të vete të leroj arën e të rrit fëmijët!" Dhe erdhi në fshat, ku iu përkushtua punëve të bujqësisë, në tokat që trashëgoi nga i ati (kryesisht në Çezmën e Thatë). Pati të tjerë, dhe këta nuk ishin të pakët, të cilët, mungesën e dëshirës për t’u bashkuar me ata që përqafuan idenë e bërjes kooperativë të fshatit e u shkruan anëtarë të saj, e justifikuan me lloj-lloj arsyesh, të qena e të paqena dhe bënë manovra nga më monstruozet, për të gjetur një vegë, mjafton të mos futeshin në "tufë". Disa nga justifikimet më të zakonshme e më të pranueshme shprehnin zgjuarsinë e tyre. Po mundohem të paraqes disa nga justifikimet më të gjetura: Njëri premtonte të futej në kooperativë, sapo të korrte e të shinte grurin (i cili kishte ardhur i mbarë atë vit) dhe të çonte hipitë apo të transportonte kashtën në kasolle.

Një tjetër, përpiqej ta justifikonte mosdhënien e fjalës, duke vënë si barrikadë, lirimin e djalit nga ushtria ose martesën e tij. Kishte dhe raste, në të cilat nxirrej si justifikim lindja e nuses së djalit, të bërit synet të djemve të familjes etj. etj. Ata donin ta shtynin sa më larg futjen në kooperativë edhe për një arsye tjetër.

Vetë nuk ishin të bindur në epërsinë e sistemit kooperativist dhe gjykonin: "Po të futem unë në kooperativë, që kam ara pjellore dhe blegtori apo kafshë pune e ngarkese; nga malli im do të hanë dhe këta që nuk kanë as hi në vatër". Pra ishin në pritje, çfarë do të ngjante. Përvoja e viteve që pasuan dëftoi tjetër gjë. Bashkimi i arave dhe heqja e gjerdheve apo sheshimi i ledheve krijuan kushte për sistemimin e fushës së fshatit, për bonifikimin e saj, përzgjedhjen e farërave elitë dhe mekanizimin e një sërë kushtesh të tjera, të cilat e çonin bujqësinë drejt zhvillimit. Me kalimin e kohës, njëri pas tjetrit, "të vonuarit" u bashkuan me shokët dhe të gjithë fshatarët u bënë kooperativistë. Nëse dikush kërkon të dijë diçka për anën biografike të Daut Mahmut Pashaj dhe metamorfozën e tij sociale, po mjaftohem të them se Ai ishte "simpatik" në të gjithë qenien e tij; si në pamje dhe së brendshmi.

Dauti ishte simpatik në të gjithë qenien e vet.

Dauti u lind në Kalivaç të Tepelenës, në mëhallën Hysodosaj, më 5 shkurt të vitit 1928. Prindërit e tij, Hyrija dhe Mahmuti, ishin shqiptarë denbabaden, të ngulur prej kohësh në Kalivaç të Tepelenës. Dauti ishte djali i madh i tyre ose, siç shpreheshin në atë kohë kalivaçasit, Ai ishte "kafshita e parë"! Fëmijërinë, Dauti e kaloi në Bregun e Hysodosajve, në mes të ullinjve dhe pemëve frutore të shumta e të llojeve të ndryshme; në kushte ekonomike të favorshme, mes ledhave e favoreve të shumta. Fëmijërisë së Dautit nuk i mungoi as shkollimi.

Sipas kushteve të asaj kohe, kur në Kalivaç ekzistonte vetëm dëshira për t’u shkolluar, por mungonte infrastruktura e nevojshme për këtë qëllim. Me qëllim që të kryente tri klasë të shkollës fillore, të cilat nuk ishin pak, prindërit e tij ishin të detyruar ta shpinin djalin e madh në fshatin Symize të Mallakastrës. Tri klasë fillore, në kohën kur vendin tonë e sundonte Mbreti Zog i Parë, ishin goxha shkollë. Fëmijët e kësaj kategorie, merrnin në shkollë njohuri mjaft të mira, për t’u orientuar në jetë e për të përballuar problemet që u diktonte jeta.

Dauti i Pashajve, në kushtet e favorshme për jetesë, u rrit shpejt e hodhi shtat, si lisat e paktë të bregores ku u rrit. Ai u bë goxha djalë, me shtat të lartë rreth 180 cm; i shëndetshëm, faqekuq e i bëshëm, me dy sy të zezë, që ndrinin si yje, të cilët dëshmonin zgjuarsi e vështronin larg. Para se të shkonte ushtar, kur mbushi moshën 18 vjeç, siç ishte tradita vendore, prindërit e martuan djalin e madh, për të pasur në vatër një tjetër krah pune, kur biri i tyre do të ishte duke kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ata, me ndihmën e miqve të shumtë, e pleksën kimetliun e tyre të dashur, me zonjën Bukurije (ndjesë pastë), nga fshati Matohasanaj i rrethit të Tepelenës. Martesa mes tyre u kurorëzua më 15 nëntor të vitit 1946, disa ditë përpara se Dauti të shkonte ushtar. Ceremonia e dasmës mes dy të rinjve, u bë në shtëpinë e Pashajve; në Hysodosaj të Kalivaçit.

Dasmë e madhe, me shumë harxhe ku kundërmonte era e mishit të pjekur në hell, u bë, në të dyja shtëpitë e të rinjve; si në Kalivaç dhe në Matohasanaj. Problem serioz ishte kalimi i lumit të Vjosës, i cili kishte mbushur shtratin si rrjedhojë e prurjeve të shumta.

Por Lundrën e Kalivaçit, në Donije e menaxhonte një lundërtar klasi, siç ishte Hasan Ramua, mëhallaliu i Dautit.

Zonja Bukurie (ndjesë pastë) dhe Dauti i Pashajve (ndjesë pastë) sollën në jetë një tufë me fëmijë. Më 8 shkurt të vitit 1951, e çeli serinë e lindjeve - Kimetja (ndjesë pastë). Familja, çifti dhe tradita e donin fëmijën e parë të ishte djalë, por kjo nuk varej prej tyre dhe nuk dëshpëroi asnjeri. Çifti ishte i ri në moshë dhe nga gen që bënin shumë fëmijë, ndaj e kishin të ardhmen përpara. Më 17 shkurt të vitit 1954, përsëri u lind një vajzë, të cilën e emërtuan Hava dhe pas saj u lind Thëllëza, më 8 gusht 1957, gati 6 muaj pas formimit të kooperativës bujqësore të fshatit, kur i Ati ishte kryetar i kooperativës. As pas vajzës së tretë, Dauti shpirtgjerë, nuk e "prishi" zemrën, por tha: "Ka Perëndia!"

As kur erdhi në jetë vajza e katërt e radhës - Violeta; më 2 shkurt të vitit 1960, Dauti kështu tha sërish dhe vijoi punën në kërkim të djalit. Djali i vetëm i çiftit, Agroni, erdhi në jetë më 5 shkurt të vitit 1962 dhe gati 1 vit e dy muaj para ndarjes nga jeta të Dautit të Pashajve, u lind Luljeta, më 14 qershor të vitit 1965. Dauti ishte familjar i kujdeshëm, si për bashkëshorten, për familjarët dhe për fëmijët e barkut të tij. Ai, gjatë gjithë jetës u kujdes që familjes dhe fëmijëve të tij të mos u mungonte asgjë e të rriteshin si bashkëmoshatarët e tyre. Këtë e vëmë re dhe në faktin se Ai burrë, kish vese; nuk pinte duhan, nuk ishte alkoolist e nuk kishte vese të dëmshme, por punonte me përkushtim për mirërritjen e fëmijëve.

Shërbimin e detyrueshëm ushtarak, Dauti e kreu në Divizionin e Këmbësorisë së Gjirokastrës, në detyrën e ushtarit të thjeshtë këmbësor. Mbresat që la gjatë shërbimit ushtarak, si në marrëdhënie me shtetin dhe me shokët, ishin nga më të mirat e mundshme. Me shtatin e lartë dhe me zhdërvjelltësinë e një djali të fuqishëm, të ushqyer mirë, me fjalën e ëmbël e me buzëqeshjen simpatike e dashamirësinë tipike, Dauti i përballoi me lehtësi, jo vetëm kërkesat e stërvitjes e të disiplinës ushtarake, por dhe kushtet e jetesës, në Divizionin e këmbësorisë.

Pas kryerjes me sukses të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, Dauti u kthye në vatër, me shumë mall, për prindërit dhe familjarët e tij, për shokët me të cilët kaloi fëmijërinë dhe me një motiv më shumë, ai do të kthehej tek bashkëshortja e tij e dashur - Bukuria, e cila ishte siç kish emrin: tërë nur e hijeshi. Martesa me Dautin, aq sa e deshi fati të ishin së bashku, para se i shoqi të vinte në kokë kapelen e ushtarit e ta ngjishte mesin me një rrip të gjerë lëkure, kishte zgjuar tek e bukura hiret vajzërore, gjë që bëri të gëzohej e të lumturohej i shoqi, i cili e gjeti atë të tjetërsuar e të zbukuruar. Pas kthimit nga ushtria, Dauti, më i rritur në moshë e më i pjekur, me përvojën e jetës që fitoi në Divizionin e Gjirokastrës, iu përfill punëve të shumta të bujqësisë, për t’u ardhur në ndihmë prindërve dhe të tijve, në punët e shumta e të rënda të bujqësisë. Deri në ditën kur u formua kooperativa Bujqësore në Kalivaç, më 27 mars të vitit 1957, Dauti u mor me bujqësi, në të mirë të familjes dhe u aktivizua në disa detyra shoqërore si Kryetar Fronti dhe Kryetar i Këshillit Popullor të fshatit.

Disa tipare të pamjes dhe të karakterit të Dautit

Me shtat të lartë, rreth 180 cm, i cili, për hir të së vërtetës, nuk ishte i zakonshëm në Kalivaç, vetvetiu, që në pamje të parë, të ngjallte një lloj autoriteti, për shkak të trupit, por dhe për shkak të tipareve të veçanta që pasojnë. Me tipare brune, me fytyrë të qeshur, me sjellje të çiltër e me një buzagaz jo të shtirur, Dauti ishte tip i veçantë e i pranuar si lider nga kalivaçasit. Fytyra e tij e bardhë dhe sytë e qetë e depërtues, të qeshur e të lumturuar, shprehnin qartazi dhe hapët, bukuritë e shpirtit të tij. Mbante mustaqe të shkurtra, të cilave u bënte vazhdimisht shërbim. Ato ishin në çdo kohë të pastra e të kuruara. Në dukje, prania e mustaqeve i jepte fytyrës së tij, pamje të rëndë, serioze e burrërore, por, kur hyje në bisedë me Të, zbuloje dhe shijoje vlerat e vërteta dhe ëmbëlsinë e karakterit të tij.

Dauti i Pashajve nuk pinte duhan e nuk ishte alkoolist i thekur. Ai, në drejtim të përdorimit të pijeve të forta, nuk ishte profan; në raste gëzimi e me raste, Dauti dinte të pinte, me karar e të bisedonte këmbëkryq, shtruar e me "bereqet". Kur fliste Dauti, në kuvendin e burrave apo në një trapezë dashamirësish, bashkëbiseduesit e vështronin në sy e ia dëgjonin, me endje kuvendin. Ishte i zgjuar e i mençur e thoshte gjëra që u interesonin të gjithëve e u jepte udhë problemeve, ndaj ngjante kështu.

Dauti i Pashajve ishte njeri zemërmirë e zemërmadh. Ai i donte dhe i respektonte njerëzit e thjeshtë, prandaj ishte i dashur e i respektuar nga të gjithë. Fjala e tij e ëmbël dhe thjeshtësia e të folurit dhe e sjelljes së tij bënin të mundur t’i afrohej cilido për t’i qarë hallin e për të marrë ndonjë këshillë prej Tij. Këtu duhet ta kërkojmë shkakun kryesor që kalivaçasit, në ato kushte e zgjodhën dhe e pranuan Dautin për Kryetar të Kooperativës Bujqësore, që në ditën e parë të formimit të saj.

Në fundvitin 1960, si në tërë vendin dhe në Kalivaç u rishikuan e u rimatën oborret kooperativiste. Babai im Xheviti, kur e pyetën, ku e donte tredylymshin, i tha komisionit qeveritar të posaçëm: Ma jepni në Hysodosaj, në ish-pronën e Dautit. I donte shumë dajot, Xheviti, prandaj kërkoi të legalizonte një ngastër toke, në këtë mëhallë. Lidhur me këtë rast, Dautit iu dha mundësia të shpaloste shpirtin e mirë dhe zemrën e madhe të tij. Ai u shpreh: "Le të marrë, përse të mos marrë, Xheviti është nip në këtë mëhallë dhe ka pjesë!"

Dauti ishte serioz, autoritar i natyrshëm (jo i imponuar) dhe një njeri që nuk bënte kompromis, por zbatonte dhe mbronte të drejtën. Për Dautin ishin të huaja përkrahjet e padrejta, hatëret e neveritshme dhe ortakëria në faj. Duhet të mateshe mirë e ta kishe peshuar me kujdes kërkesën apo ankesën që do t’i bëje atij njeriu, mbasi Dauti ishte i vendosur dhe luftonte, pa kompromis që të dilte në shesh e të fitonte e vërteta.

Një tipar i veçantë, që i shtonte vlerat dhe e bënte mjaft të pranueshëm Dautin, ishte veshja, rregullsia në të veshur, pastërtia e petkave që vishte dhe kujdesi i vazhdueshëm i tij për pamjen e jashtme. Teshat e tij nuk ishin të veçanta nga ato të bashkëfshatarëve të tij, por ajo që bënte diferencën ishte rregullsia dhe pastërtia. Zakonisht, Dauti vishej me kilota e me xhaketë shajaku të zi. Në kokë mbante kapele, me strehë. Sa mbaj mend, kapelja e tij ishte prej lëkure, e zezë dhe me strehë. Në këmbë mbathte opinga, siç e donte terreni ku operonte dhe se ishin të forta.

Ushqim i preferuar i tij ishte, ai i preferuari i të gjithë kalivaçasve; mishi i pjekur në hell; yshmëri; revanija në saç dhe trahanaja me vaj ulliri. Fasulet, vërtet ishin të preferuarat e tij, por ato përdoreshin kryesisht në stinën e ftohtë.

Dauti i Pashajve kishte zë të pastër, të qartë, të ëmbël, të fortë dhe kish vesh muzike. Ai këndonte bukur dhe kur dilte në valle, tundej oda. Me një grup shokësh, atij i kishte ënda të këndonte, këngët e tij të preferuara. Sa i shkonte kënga, në shoqëri me Nasip Hysen Alidervishaj, me Tefik Medin Sulaj e me të tjerë këngëtarë të njohur. Kur këndonte, në grup me Nasipin dhe me Tefik Medinin, këngën me versionin zagorit:

"... O moj oda pa katua;
Pse s’ma bërë qejfin mua;
Të këndoj ashtu si dua;
Bashkë me vëllezërit tanë;
O filan aman-aman…"

Këngë e tij, e kënduar me shumë patos, ishte:

"... Janine tek Rrapi i falë;
Ja-Ja-Janin-o;…
Bjene një zabit të vrarë;
Ja-ja-Janin-o;
Smail Lesko Progonanae..."

Dauti kish për zemër dhe këngën "Moj kunadheja, lesh verdhë o moj lesh verdh-o...", të cilën, Ai e këndonte, në dasma e në gosti, ose kur mblidhej me shokë, me e pa sebep. Dauti, me zërin e tij "brilant", këndonte në çdo pozicion (marrës, pritës dhe hedhës). I kishte lezet kënga. Ai dilte mbi zërin e të tjerëve. Dautit i kish lezet edhe vallja labçe e kënduar. Kur kërcente me Laze Xhezon, me Nasip Hysenin, me Kalo Qazon dhe me Mete Medinin, dridhej oda e kërcisnin dhogat e dyshemesë.

Dauti nuk e meritonte atë fund tragjik; tragjedia mund të shmangej.

Pas kaq vitesh prej ndarjes nga jeta, versione të ndryshme rrëfehen, për fundin tragjik e të pamerituar të Dautit të Pashajve. Kanë shkuar shumë vite që nga ajo ndodhi makabre. Gushti i vitit 1966, sot, na ngjan i largët. Koha që ka shkuar, vërtet që ka hedhur në shesh shumë probleme e ndryshimet që kanë ngjarë në hapësirën kalivaçase sidomos në jetën e njerëzve, nuk janë të pakta. Për fat të keq, dëshmitarë okularë në çastin e asaj ndodhie fatkeqe nuk u ndodhën në vendngjarje. Edhe prej atyre që shkuan me shpejtësi në vendngjarje, me frymë që u merrej, nga nxitimi e nga padurimi duke gulcitur apo të tjerë që u lebetitën duke e parë ashtu njeriun e dashur, disa nuk janë më në jetë; të tjerë janë plakur aq shumë sa nuk i mbajnë mend saktë e i ngatërrojnë gjërat.

Disa të tjerë, nga ata që kanë interesa të ndryshme, rrëfejnë siç ua do puna. Por Dauti 38-vjeçar, balli i djemve të Kalivaçit, edhe pse fati i tij i zi e shpuri tek ai vend i nemur, nuk mund të harrohet, kurrsesi. Dauti i Pashajve do të kujtohet, brez pas brezi, për tiparet e tij të veçanta dhe për rolin e protagonistit që luajti në formësimin dhe mëkëmbjen e kooperativës bujqësore të fshatit tonë.

Një gjë është e qartë dhe e dukshme, si në dritën e diellit: Dautin e Pashajve nuk e ka vrarë njeri; Atë e vranë fati i tij i zi dhe veprimet e pamatura të tij. Dauti ishte fisnik nga rrënja e mjaft i zgjuar, për të mos rënë në kurthin e armiqësive. Mund të pohoj se Ai njeri kokëplotë e largpamës, nuk i vinte gjilpërat majë për majë, por i hapte udhë të ligut teksa dashamirët dhe të mençurit i afronte e i kish për zemër. Në optikën time, pa u ndikuar nga sa kam dëgjuar, mbloj një rezervë, të cilën nuk dua ta marr me vete, por ma ka ënda ta ndaj me ju. "Ajo tragjedi banale mund e duhej shmangur!" Ju që do ta lexoni këtë dedikim të merituar, duhet të dini se nuk e kam pasur të lehtë të shkruaj e të arrij në përfundimin e mësipërm.

Ky përfundim, sido që është, kam bindjen se edhe nëse nuk lëndon, prapëseprapë dikë ngacmon. Për këtë lëndim kërkoj mirëkuptim dhe falje.

Ta them troç, siç është e udhës për një kalivaças, i cili e do shumë atë fshat të bekuar dhe Ata njerëz të uruar: Meqenëse nuk u ndodha fizikisht në atë ndodhi të rëndë për shkaqe madhore, për ta nxjerrë sa më të plotë fizionominë e "heroit" të këtij shkrimi, i cili kishte simpatinë time të pamatë, tërhoqa opinione nga 6 burime të ndryshme. Opinionet përkojnë me njëri-tjetrin, por nuk janë të njëjta. Me qëllim që t’i afrohem sa më tepër të vërtetës, jam i shtrënguar të bëj përgjithësime e të shfaq edhe opinionin tim, mbi bazën e rrëfimeve të njerëzve dhe njohjes vetjake që kam pasur me atë "figurë" të rrallë kalivaçasi. Burimet e shumta të informacionit dhe njohja vetjake, më kanë shpurë në hullinë e të gjykuarit se katastrofa mund e duhet të shmangej. Ku e bazoj këtë përfundim?

E para: Në punë të atilla, ku rrezikshmëria është e dukshme, nuk punohet i vetëm. Me pjekurinë e moshës dhe me përvojën e jetës që kishte akumuluar Dauti i Pashajve, nuk duhet t’i lejonte vetes një veprim të atillë, i cili i përngjan një aventure ku rreziku ishte i sigurt. Ai njeri aq i mençur, me patjetër, duhet të kishte pranë, të paktën një ndihmës, qoftë dhe në moshë të vogël. E them këtë jo më kot. Një ndihmës, sido që të zhvillohej situata, të bën të mos ndihesh i vetëm, përballë errësirës dhe vetmisë. Së paku, një i pranishëm, sido që të ishte puna, do të shpërndante sinjalin e alarmit, duke qarë, me zë të lartë që të tjerët të shpejtonin pranë tij, me qëllim që ta ndihmonin e ta shpëtonin fatkeqin, po të ishte e mundur.

Sinjali i alarmit, i lëshuar edhe nga një fëmijë do të jepej me të qara e me të lebetitura; sa të mbërrinin të rriturit, të cilët, me siguri që do ta zotëronin më mirë situatën. Vetmia, sidomos natën, kur njeriu e ka të vështirë të vrojtojë në detaje e të çmojë objektin (në rastin tonë rrapin) ku do të operojë.

E dyta, nata është e huaj apo e të huajit. Ajo u vjen në ndihmë keqbërësve, së paku kobatarëve, por jo njerëzve të ndershëm si Dauti i cili operonte në mallin e përbashkët, ku kishte pjesën e tij. Vajtja për të prerë shuje, në atë buzëmbrëmje, pas një dite pune intensive e të lodhshme, ndoshta i kishte zbehur e mpakur fuqitë fizike të Dautit edhe pse moralin e kishte të lartë dhe sedrën, pa kufi. Siç rrëfejnë vëllezërit Sherif dhe Nazmi, siç pohon dhe i biri - Agroni, në ditën e mallëkuar kur ngjau fatkeqësia e rëndë, Dauti, punëtor në brigatën e arave të kooperativës bujqësore të fshatit, që në mëngjes, kish shkulur paliçe, së bashku me Sherifin; pastaj ishte nisur me një barrë drithë, me mushkën e shtëpisë, për të bluar, në Krahës (qendër) ku funksiononte një makinë bloje. U kthye andej në mesditë, shkarkoi miellin, hëngri drekë, pushoi pak (mundet dhe e "trembi", siç thonë myzeqarët) dhe u nis për të prerë shulin e mallëkuar, i cili i mori jetën. I ndjeri, donte ta dorëzonte shulin e hipisë, në brigatë me qëllim që të merrte ditën e punës (këtu vështrojmë qartë kujdesin për familjen dhe për fëmijët).

Është e vërtetë se vlera e ditës së punës në kooperativë, aso kohe ishte mjaft e ulët dhe nuk ia vlente të sakrifikohej jeta e një njeriu për disa "pikë" në librezë, por të atilla ishin proceset e punës në kooperativë dhe Dauti ishte sedërli i madh. Atij nuk i vinte mirë kur vështronte kashtën e grurit në lëmë, të cilën e shpërndanin kafshët, shpendët dhe era. Shuli do të përdorej për të vënë hipi (mullar), në mënyrë që malli i përbashkët të mos shpërdorohej. I dhimbsej Dautit malli i kooperativës, ndaj kujdesej që asgjë të mos shkonte dëm.

E treta, në atë udhë buzë lumit, e cila "rrihet" rrallë e kryesisht në orët e ditës, zor se do të kalonte njeri që ta gjente e ta ndihmonte në çastet kritike për jetën, kur Ai kacafytej me vdekjen mizore. Mbasdite, edhe loparët që u jepnin ujë kafshëve, apo ata që shkonin për të mbushur ujë në burim, rralloheshin dhe kishin tendencën të largoheshin nga lumi e nga zalli, për t’u afruar në fund të mëhallëve të fshatit. Atje ku ishte rrapi "lapidar", pranë ndodhej Burimi i Zborakut, i cili nuk para pëlqehej nga kalivaçasit, të cilët, në "varg" grash apo në karvan me kuaj, shkonin për të mbushur ujë të pijshëm tek Burimi i Madh, disa metra në Jug të Lundrës. Pavarësisht se kush e gjeti i pari Dautin, të rënë nga rrapi, asnjeri nuk e ka gjetur të plagosur e duke dhënë shpirt, por e kanë parë Atë të ndarë nga jeta. Siç rrëfen Dilaver Xhevit Nelaj, i cili, në atë kohë ishte rreth 10 vjeç dhe e përcillte natën arave, (atë natë ishte në Fengje), duke kullotur hajvanet, së bashku me mjaft bashkëfshatarë të tjerë, si Safet Ahmet Caushaj; Hilmi Resul Nelaj; Zaim Xhemal Nelaj etj. (herë pas here këndonin e kërcenin) për të shtyrë kohën, në mëngjes e shpuri udha tek Burimi i Zborakut dhe pa të ndjerin, në atë gjendje, e njohu, u lebetit e u kthye tek shokët. I njoftoi ata, por nuk mund të afrohej përsëri.

Zaim Xhemal Nelaj, i cili ishte më i rritur, vajti në vendngjarje, e preku të ndjerin me gisht, tek barku dhe kuptoi se kufoma ishte pa jetë. Këtë ua tha shokëve dhe vrapoi tek zyrat e kooperativës Bujqësore ku i dha lajmin e zi Kryetarit të kooperativës bujqësore - Mehmet Musa Nelaj, i cili e donte shumë Dautin, u ligështua dhe e mbajti vrapin në Donije për ta parë njeriun e dashur me sytë e tij.

Ndërkohë, vajza e Dautit – Thëllëza, kur pa që dita po errësohej e çecua nuk po dukej, me mushkën për dore, u kthye në shtëpi duke qarë me ngashërim. E ëma, kur pa vajzën të mbytur në lot, e pyeti për Dautin e ajo u përgjigj se erdhi në shtëpi, mbasi nata po binte e Çecua nuk po dukej, siç premtoi. Bukuria, me vajzën për dore, të "mbytur" në lot vajti në shtëpinë e zonjës vjehrrë, ku, për fat ndodhej dhe vëlla Nazmiu, i ardhur për të kaluar disa ditë e për t’u shmallur nga Selenica, ku banonte. Bashkëshortja e të ndjerit Daut, iu drejtua kunatit Sherif, me fjalë të ashpra: "Ku e ke vëllanë?" Sherifi, i ndodhur ngushtë, mbasi mori dhe pëlqimin e Nënës, i tha Nazmiut: Dalim dhe vemi ta kërkojmë vëllanë nga ana e lumit. Ata morën me vete një elektrik dore dhe u nisën për në anë të lumit, atje ku mund të kish shkuar Dauti për të prerë shuje siç e kish biseduar me Sherifin.

Kur u afruan tek Burimi i Zborakut, në arën e tyre, në Gurje, ata panë shumë shkëndijë duhani dhe dëgjuan një zhurmë njerëzish të grumbulluar. Sherifi urdhëroi Nazmine të fikte ndriçimin e elektrikut të dorës dhe të mos ndihej; gjë që nënkuptonte se "‘dasma’ ishte e tyre!"

Kur po afroheshin dy vëllezërit, Axhem Tefiku, i cili ishte pjesë e atij grumbulli njerëzish, pëshpëriti: "Po vijnë vëllezërit!" Mehmet Musai, kryetar i kooperativës, u doli dy vëllezërve përpara. Sherifi pyeti Mehmetin: "Çfarë kemi këtej, o Mehmet Musai?" Dhe morën përgjigjen: "Ua dëftoj unë, por ju mblidhni veten, se jeni burra!" "U afruam, – shpjegon Nazmiu, – aq sa pamë kufomën mbi zall. I kishin hedhur një rrobë përsipër.

E kuptuam ndodhinë gjëmëmadhe dhe vumë ulërimën. Erdhën të dërguarit specialistë nga Dega e Brendshme e Tepelenës, të cilët nuk na lanë ta lëviznim kufomën, por na morën në pyetje. Thelbi i pyetjeve të tyre kish të bënte me merakun se mos familja jonë dhe Dauti kishin bërë armiq. Foli Sherifi se mua nuk më bënte zëri", – tha Nazmiu.

Çfarë kishte ngjarë në atë buzëmbrëmje?

Dauti, i vetëm, ishte ngjitur në rrap për të prerë shulin. Shuli ndodhej në lartësi disa metra nga toka. Meqenëse dega që do të priste për shul ishte llastar i ri, disavjeçar, me lëkurë të butë e të rrëshqitshme, opingat i futi në rrapishtet e trungut të rrapit dhe me sëpatën në qafë të dorës, ishte ngjitur në lartësi. Duke tentuar të vendoste këmbët mbi një degë të sigurt, pa dashje, Ai i kish vendosur këmbët mbi një degë të thatë, e cila ishte shkëputur dhe i ndjeri kishte rënë, përtokë, nga lartësia ku synonte të priste shulin për hipi. Duke rënë, nga rrapi, Dauti ishte goditur në shpinë dhe në faqen e majtë.

Nga goditja e fortë, Dauti i Pashajve kish gjetur vdekjen, në vetmi. Sëpata u gjet në degë; atje ku e kish varur i ndjeri, kurse opingat u gjetën midis rrapishteve.

Xhenazen e prunë në familje njerëzit e Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Tepelenës, atë ditë. Mbasi u bënë të gjitha proceset dhe nderimet që meritonte, atë ditë, kur dita ishte thyer, u zhvillua ceremonia e përcjelljes së Dautit të Pashajve për në banesën e përhershme, i përcjellë nga një "lumë" njerëzish, të ardhur nga anë e anës. Përveç pjesëmarrësve në ceremoninë mortore, e cila u bë në varrezat publike të fshatit, në Faqekuqe, në të gjitha shtëpitë e fshatit kishte rënë zija. Gjëma e paparë nuk kish ngjarë vetëm në Pashaj të Hysodosajve, por në të gjithë fshatin e më gjerë. Hidhërimin e thellë dhe keqardhjen, kalivaçasit e përcollën për disa kohë më pas dhe njeriun e mirë Daut Mahmut Pashaj nuk mund ta harrojnë. E thellë qe dhimbja për familjarët e Tij, po se po, por shumë e ndjenë hidhërimin shokët e ngushtë të Tij: Mehmet Musai; Nasip Hyseni; Laze Xhezua; Ferrik Azizi; Arif Qamili; Ramiz Mehmeti etj. Shumë u ligështua dhe miku i tij Hamza Shesho Mehmetaj, nga Dorza, i ngulur në Ruç të Kalivaçit.

Në ceremoninë mortore, sipas traditës, u mbajt një fjalë lamtumire nga bashkëfshatari Ramiz Mehmet Ramaj. Në shenjë nderimi e mirënjohjeje, pjesëmarrësit i falënderoi vëllai i të ndjerit – Sherifi.

I paharruar qoftë kujtimi i Atij deli djali; t’i rrojnë ata që la pas!

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj. Në Tiranë, gjatë muajve shkurt - mars 2021