Bashkë i kemi e së bashku i festojmë gëzimet fetare. Asnjëri nuk ka të drejtë të nxjerrë gjoksin e të synojë të privatizojë festat tona, qoftë dhe ato fetare. Vendi ynë është ndoshta i vetmi në këtë rruzull, ku ka një tolerancë fetare për të marrë shembull. Nuk është merita jonë kjo. Këtë medalion tolerancë na e kanë varur në qafë të parët tanë anonimë. Na përket obligimi ta ruajmë si sytë e ballit dhe ta mbajmë si amanet.
Shumë të ligj, nga ata që e kanë ligësinë në zemër, kanë synuar ta prishin tolerancën fetare që trashëgojmë duke mbjellë lloj-lloj përçarje por as kanë mundur as do t’ua arrijnë qëllimeve të mbrapshta që kanë. Besimi apo mosbesimi janë çështje të brendshme të njeriut, janë bindje vetjake, të mblojtura fort, të trashëguara, të cilat herë shfaqen e herë mblohen.
Pa ju krijuar bezdi dua t’ju rrëfej një rrëfenjë, e cila lidhet me këtë "perlë" tonën, të cilën na e kanë zili. Duke kërkuar rrënjët e babait tim, Xhevitit të mbetur bonjak akoma pa ardhur në jetë, i cili sapo u mëkëmb, u shit, nga xhaxhai i tij, në Hoshtëvë, ku e lanin, e ushqenin dhe e strehonin Kakot e Hoshtëvës, dhe si kujdestare kishte të mirën Tile (Sotire) mos iu harroftë emri dhe të birit të Sheperit - Tashkos, një ditë bisedova me një të moshuar, fisnik, nga derë e kamur, i cili kish provuar kurbetin e tani, në pleqëri gëzonte pensionin. Ai më rrëfeu se në Hoshtëvë, si në të gjithë Zagorinë, banojnë të krishterë ortodoksë. Mirëpo ata janë shumë tolerantë dhe ndaj pinjollëve të feve të tjera.
Ai më dëftoi se në kohën para Luftës së Dytë Botërore, burrat e fshatit, pas martesës, në tufa, shtegtonin në vendet perëndimore. Punonin e fitonin, në punë të rëndomta e mjaft të rënda dhe herë pas herë ktheheshin në Hoshtëvë. Qëndronin disa ditë, nuk zinin punë me dorë, veç mblidheshin tek klubi i fshatit, pinin, luanin bixhoz e kuvendonin. Në darkë, secili shkonte në shtëpinë e tij.
Kur u rridhnin ditët e duhet të largoheshin në kurbet, me paratë që u kishin mbetur në xhep, ndërtonin një kishë. Kjo, me kalimin e kohës, u bë rit. Prandaj në Hoshtëvë ekzistojnë më tepër kisha se sa shtëpi.
Burri i mençur e i moshuar mban mend dhe një këngë që këndohej në ato kohë, e cila ka të bëjë me tolerancën e fshatarëve të Hoshtëvës; Kënga thosh:
"... More Duro Progonati;
Sa shumë t’u rrit shtati;
Vdiqe tek Kallo Qirjaqi;
Ky Kalloi shumë i mirë;
të mbajti porsi fëmijë..."!
Gëzuar! Gëzuar! e Gëzimi mos u soste! "


Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.