Më 4 prill të vitit 1951, në familjen e Rrapo Danos, në mëhallën e Hasanbegajve të Kalivaçit, erdhi në jetë një vajzë. Ajo ishte e treta, në radhën e fëmijëve të çiftit Lule dhe Rrapo Takaj. Vajza erdhi në jetë, pas vëllezërve Kadri e Sadik; pas Saj u lind më i vogli i asaj familjeje – Guriu. Çiftit të mësipërm, para kësaj vajze i kishin vdekur 2 vajza të tjera. Në mentalitetin e familjes lindi ideja se vajzat nuk i rronin.
Kur erdhi në jetë, vajza e tretë, për të kujtuar atë që kishte ngjarë, i vunë emrin Nurije; siç quheshin dhe ato të dyja. Emri që i çuan vajzës, Nurije, është i bukur, i kuptimtë dhe simbolizon nurin e bukurisë femërore.
Nurija, vajzë e vetme, në mes të katër djemve të asaj familjeje ishte kimetlije e Nënë Lules dhe Baba Rrapos dhe që kur u lind, ishte e preferuara e familjes; e fisit të fisëm - Takaj e më gjerë. Sipas traditës vendase, në Kalivaç, por jo vetëm, gëzonin, kur vinte në jetë një djalë, i cili, sipas mentalitetit të kohës e të trevës, do të shtonte një dyfek e do të bëhej trari që mbante çatinë.
Kur vinin njerëz për të uruar ardhjen në jetë të një djali, serbes shpreheshin, me gëzim e me krenari: “Koka gur; qoftë me jetë të gjatë e me fat; me nënë e me babë!” Edhe kur uronin ardhjen në jetë të një vajze, fjalët e mira nuk mungonin, por ato thuheshin me turinj të varur e me gjysmë zëri. Njerëzit niseshin nga paragjykimi se, kur vinte në jetë një vajzë, “nxinin qeprat e qoromidhet”. Çuditërisht, kur erdhi në jetë Nurija, sikur u harrua kjo traditë dhe gëzuan e u lumturuan të gjithë dashamirët e familjes. Thua se të gjithë këta e ndjenin ëmbëlsinë e vajzës së vetme - Nurijes!

Nurija u rrit, në atë familje, fisnike dhe të kamur. Ajo ishte frut i një martese të veçantë. Xhaxhai i Saj, Veiz Danua ishte njëri nga njerëzit më punëtorë të fshatit dhe një vallëtar i rrallë. Ai dhe vëllai i tij – Rrapua ishin bij të fisnikes Qemo, e cila ishte bijë e fisnikut të kamur, pasunarit më me emër në Kalivaç - Muharrem Haxhiut të Hysenajve. Vëllai i Veizit, Rrapua, kur u bë për t’u martuar, përzgjodhi, të bukurën Lule, e cila ishte siç kish emrin. Ajo ishte bijë e Hasimesë dhe e Azbi Bako (Celaj), nga Bozanajt, një burrë me origjinë nga fshati Drizar i Mallakastrës, i natyralizuar në Kalivaç, në mëhallën Bozanaj. Familja e tij e kishte në gjak atdhetarinë; në Luftën e Dytë Botërore, ajo i dha lëvizjes Nacionalçlirimtare 4 partizanë, 2 nga të cilët (Hamiti dhe Xhemali) ranë dëshmorë të saj.
Nurija u rrit, në oborrin e shtëpisë së vëllezërve Rrapo e Veiz Dano, e rrethuar nga pekulet dhe nga një kujdes e dashuri të veçantë. Kur mbushi moshën për të hyrë në klasën e parë të shkollës fillore të fshatit, nisur nga kujdesi që tregohej për të, nga distanca e madhe e shkollës së fshatit nga shtëpia e saj dhe duke gjykuar se ishte e vogël (ndonëse në klasën e parë hynin fëmijë të së njëjtës moshë), Nurijen pekule e çonte në shkollë, babai i saj, të hipur mbi mushkë. Ajo, në trajtimin familjar, ishte e ndryshme nga të gjithë fëmijët e tjerë. Trajtimin e diferencuar të saj e vëmë re dhe në faktin se vetëm Nurija, ishte e mbathur, me opingat që bënte Nimeti i Resmiut, nga Tepelena, i cili, për njëfarë kohe strehohej në shtëpinë e vëllezërve Rrapo e Veiz Dano, në katin e parë ku ishte një “sobë” e vogël. Nurija e merrte bukën me vete, në shkollë, të lyer me gjalpë dhe me dashurinë që fuste brenda e ema, Lulja e dhembshur; kurse fëmijët e tjerë nuk kishin asgjë për të ngrënë në torbën e librave.
Në klasën e dytë të shkollës fillore të fshatit, Nurija, tashmë pak më e rritur, shkonte në shkollë së bashku me shoqet dhe shokët, ata (ato) që ishin të së njëjtës moshë, nga mëhalla e saj. Fëmijët e moshës shkollore, në grup, zbrisnin tek Çesma e Hasanbegajve (Shulleri), dilnin tek Balta e Bardhë, më tej kalonin tek Mamakoni (nën shtëpitë e Dulajve) dhe duke i lënë ato në të majtë, ngjiteshin tek shkolla e fshatit, në majë të kodrës.
Kur shkonim në shkollë, thuajse çdo ditë, takonim Xhevit Malkon, i cili nxirrte dhentë, nga Majat. Ai mbante të hedhur krahëve një lëkurë deleje, të kthyer me flokë nga brenda, që të ruhej nga të ftohtit dhe nga shiu.
Në shkollë kish shoqe e shokë të shumtë (në atë kohë, në shkollë shkonin mjaft fëmijë): Kimeten e Daut Mahmutit; Petritin e Sheme Hamitit; Seitin e Takajve (ndjesë pastë); Shpëtimin e Gani Muharremit; Hyrijen e Refat Mahmutit; Dilaverin e Xhevit Malkos etj. Madje, Dilaverin e kishte në të njëjtën bankë. Mësues të saj ishin: Floresha e Ferrik Shefikut (Cecos); Zeqo Kanushin, nga Zhapokika etj.
Kur Nurija ishte në Shkollën Fillore të fshatit, u fut, në sistemin arsimor, i detyrueshëm, arsimi shtatëvjeçar dhe vajza e xha Rrapos iu nënshtrua këtij programi. Mësues të këtij cikli ishin bashkëshortët: Agathi e Aleko Kero, nga Gjirokastra etj. Drejtor i shkollës ishte Osmen Azizi. Shoqe të ngushtë Nurija kish Hyrijen e Mushos e të Refat Mahmutit. Fëmijët, herë pas here, mblidhnin paliçe dhe shkarpa, e i sillnin në shkollë.
Para mësimit, vajzat (se djemtë nuk ishin mësuar me të tilla punë) fshinin mjediset e klasës e të shkollës. Sa për drutë e zjarrit, ato i sillnin prindërit, me kafshë ngarkese ose në krahë.
Shkollën shtatëvjeçare të fshatit Nurija e përfundoi me tregues mjaft të mirë; Ajo ishte ndër të parat nxënëse të klasës dhe e shquar në shkollë. Vajza e vetme e derës, e rritur me pekule, në mes të të mirave, të cilën, të gjithë pjesëtarët e familjes e vështronin në “dritë të syrit”, u rrit shpejt, si një lule në çairin e “mbrojtur” e hodhi shtat në të cilin vërshuan hiret e vajzërisë. U bë “për të hipur në kalë”, e tek Rrapo Danua vërshuan lajmësit, nga anë e anës. Ishte e thënë që Nurija të pinte ujë në bregun e Shehajve, në Koshtan, në familjen fisnike të vëllezërve: Barjam; Adush e Kadri Teme Shehaj. Ajo u martua me Syrjanë, të birin e Mahmutes (ndjesë pastë) nga Zhulajt, motër e Hamit Kapos, një grua e imët, “shpirt njeriu”, të cilës nuk i dëgjohej zëri e nuk e njihte fjalën e keqe. Vjehrri i saj, Barjami (ndjesë pastë), burrë esnaf, me rreth miqësor të gjerë, i njohur e i respektuar në të gjithë trevën, për fat të keq, ishte ndarë nga jeta, në një aksident me kalë, vite më parë.
Me znj. Mahmute, Nurija nuseroi 15 vjet e nuk shkëmbeu dy fjalë të ashpra.
Dasma u bë në datën 20 shkurt të vitit 1970. U tund mëhalla e Hasanbegajve, prej dasmës së madhe që u bë, kur u nis nuse, Nurija e Rrapo Danos (ndjesë pastë), vajza e vetme dhe pekule e asaj dere të madhe. Edhe në Bregun e Shehajve, në shtëpinë e Barjam Temes (ndjesë pastë) u tund shtëpia dhe mëhalla. U martua Syrjai, djali i vetëm; “drita e syve” e prindërve dhe motrave. Si kanë pas thënë në këto raste, në Kalivaç: “Hante qeni petulla!”
Ia vlen të theksohet se Nurija, në këtë krushqi të gjetur, kishte për ndërmjetëse nusen e vëllait të madh të saj – Kadriut (ndjesë pastë), të paharruaren Sose, e cila ishte koshtanake dhe i njihte mirë, si derën, sojin dhe djalin. Nëna e saj ishte ndërhyrësja kryesore në këtë krushqi.
Në ditën e dasmës së saj, Nurijen, të veshur nuse, e hipën në një kalë të kuq (të kooperativës Bujqësore të fshatit) të cilin e kishin stolisur sipas traditës me xhimbla e aksesorë, sipas përkatësisë. Paja e nuses, e sistemuar në dy baule të rënda, ishte e ngarkuar në një mushkë. Kalin mbi të cilin kishte hipur Nurija nuse, e tërhiqte për freri, adoleshenti Neim Adush Shehaj (ndjesë pastë), i biri i Adush Teme Shehaj dhe i Misiko kapedanes. Kryekrushk e sinixhi, ishte Sefedin Hasan Beqiraj, djali i motrës së Barjam Temes - Lalasë (ndjesë pastë) e cila kish qenë e martuar në fshatin Toc të Tepelenës. Sefedini (ndjesë pastë) kishte pirë aq shumë raki, sa nuk qëndronte dot mbi kafshë. Ai rrëzohej herë pas here nga mushka ku kishte hipur, vraponte pas saj e ngjitej prapë mbi shalën e kafshës.
Në atë kohë ishte e turpshme po të mos ktheheshin në shtëpinë nga u nisën, të gjithë krushqit. Nurija, kimetlije ishte në derën e babës; kimetlije ishte dhe në derën e burrit, atje ku vajti nuse. Në derën ku hyri nuse, Nurijen e mbanin si ujët e pakët. Ajo u ndodh me fat, që mori burrë një njeri të urtë, e me figurë të pastër, me moral “brilant” e me karakter të qëndrueshëm dhe punëtor si ai. Gjithashtu ishte me fat që jetoi me atë vjehrrë, të cilës nuk i dëgjohej zëri e nuk shkelte as mizën. Në familjen e madhe ku hyri nuse, Nurija gjeti një grua kapedane, Misikon e Adush Temes, bijë në Xhaxhaj, nga familja e Axhem Limes dhe Shajbine, gruan e Kadri Temes, një zonjë të zotëruar, nga Krahësi, e cila, sapo ishte kthyer nga Shkodra, ku Kadriu ishte me shërbim, në kufi.
Pas një viti, më 14 janar të vitit 1971 erdhi në jetë djali i parë i çiftit Nurije dhe Syrja Shehaj, të cilin e quajtën me emrin e bukur Shkëlqim. Ai solli një gëzim të paparë në atë derë. Domethënia ishte e kuptueshme: Syrja Barjami ishte djalë i vetëm, në mes të vajzave; Atij i duhej një djalë që ta kishte si vëlla e të shtonte meshkujt e atij pragu, të etur për djem. Fëmija i radhës ishte Astriti. Ai u lind, pas një viti nga ardhja në jetë e vëllait paraardhës, më 10 shkurt të vitit 1974. Dy djem radhazi solli në jetë Nurija, e ky ishte ogur i mirë për familjen dhe për fisin. U duk qartë se nusja, e kishte këmbën të mbarë dhe do ta shtonte atë derë, me djem, radhë-radhë. Siç duket, Nurija kishte ngjarë nga prindërit e saj, të cilët sollën në jetë 3 djem dhe kishin vetëm një kocë (vajzë) kimetlije.
Por, e mira Nurije, nuk u ndal me kaq. Duke kërkuar një vajzë, pas disa viteve, më 23 gusht të vitit 1982, erdhi në jetë Kacua, i cili e mbylli serinë e lindjeve dhe fitoi statusin e pekulit të shtëpisë. Përsëri djalë e çfarë djali. Tashmë, me tre djem në “inventar” edhe Syrjai nuk kishte përse të ankohej.
Nurija, pas ndarjes së Syrjait, nga trungu familjar, punoi, me mish e me shpirt, përkrah të shoqit dhe djemve dhe, me shumë sakrifica, me sedër të mirë e me zemër të pastër, u largua nga konaku ku e la vjehrra e u ngjit më lart, në rrëzë të kodrës, ku ngriti, me sedër e përkushtim të rrallë, një “çiflig” me një shtëpi të bukur e të mobiluar, me një vresht me rrush të preferuar, me ullinj e me shumë pemë të cilat i do shumë ai vend. Nurija jetoi në Koshtan, deri më 26 nëntor të vitit 2009, kur djemtë u maturuan dhe kur mjaft familjarë, njerëz të fisit e të mëhallës ishin larguar, në treva ku mund të bëhej jetë më e mirë. Syrja Barjam Shehaj, bashkëshortja e tij Nurija dhe tre djemtë e tyre, u vendosën në Ksamil, pranë djalit të xhaxhait - Jonuz Adush Shehaj. Vlerë më vete e çiftit: Nurije dhe Syrja Shehaj, dhe djemve të tyre, është ruajtja, siç kanë qenë, e shtëpisë dhe e truallit që u lanë Babai dhe Nëna, si dhe e “çifligut” që ndërtuan me duart e tyre. Shtëpia e tyre, me gjithë komoditetet për jetë normale, tashmë shfrytëzohet si vend pelegrinazhi, ku lukuni njerëzish, të brezave të ndryshëm dhe të lidhjeve të shumta me atë trung të madh e fisnik, shkojnë për të shuajtur mallin që i djeg e për të kujtuar atë të shkuar të lavdishme, kur, në muajt e verës, sidomos, ai breg gumëzhinte si zgjua bletësh.
Shumë ndryshime kanë ngjarë e mjaft mentalitete e psikologji njerëzore, nuk janë më si më parë. Vetëm Nurija nuk ka ndryshuar; Ajo ka mbetur një Zonjë e nderuar, e cila, edhe pse në moshë të thyer dhe e lodhur nga puna e nga hallet, ka mblojtur thellë në zemër dashurinë për njerëzit e saj dhe të burrit. Ajo, tashmë në moshë të pjekur dhe shëndetligë, buzëqeshjen e dikurshme dhe shpirtin si det që i kanë lënë dhuratë e mira Lule (ndjesë pastë) dhe fisniku Rrapo Dano Takaj (ndjesë pastë) i ruan të pacenuara e të freskëta, si dikur. Buzëqeshja dhe fjala e ëmbël, duket sikur i kanë mbirë në buzë asaj femre!
Mikpritjen dhe sajdisjen, Nurija i ka në gjen dhe i trashëgon nga prindërit e saj. Këtë dukuri të bukur, ajo e gjeti dhe në familjen ku vajti nuse dhe e kultivoi, nën kujdesin e të mirave: Mahmute (vjehrrës); Misikos së Adush Temes dhe Shajbisë së dajo Kadriut. Shtëpia ku vajti nuse, ishte shtëpi e madhe; atje hynin e dilnin vazhdimisht njerëz, dashamirë të asaj dere dhe Nurija u mësua me shumë njerëz. Edhe tani, kur kanë shkuar shumë vite, Asaj gruaje i ndritin sytë e i qesh buza, kur dikush troket në derë. Fjala përgjigjëse e saj, akoma pa e parë mysafirin është: “Mirë se erdhe; mirë se të pruri Zoti!” Dhe përqafimet e të puthurat e saj jo vetëm që të urojnë mirëseardhjen, por të falin shumë dashuri e mirësi.
Uroj të ketë shëndet e jetë të gjatë, gëzim pa fund e lumturi, siç e meriton!
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj; në Tiranë, më 14 mars 2021



Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.