(Rrëfim për një njeri, i cili e donte shumë jetën dhe e jetoi atë, aktivisht).
Në degën e Binajve të fisit Nelaj, në Kalivaç të Tepelenës, ka jetuar një burrë, i cili nuk të bënte për burrë. Ai quhej Nelo Resmi Nelaj (disa e quanin Zenel). Ishte lindur më 27 korrik të vitit 1943, nga dy prindër autoktonë. E ëma, Zonja, ishte e lindur në fshatin Shkozë të rrethit të Vlorës, kurse i ati - Resmiu, në Kalivaç të Tepelenës, në mëhallën Ahmetaj. Çifti Zonjë dhe Resmi Nelaj shquhej për bukuri natyrale, të shtatit e të fytyrës dhe ishte tepër i shkathët e i zgjuar.
Ata u lidhën ngushtë me njëri-tjetrin; nga lidhja mes tyre erdhën në jetë tre djem: Reshati; Nelua dhe Petrefi. Siç ishte koha, Zonja bukuroshe, u fejua e u martua mjaft e re, akoma pa mbushur 15 vjeçe. Babai i Resmiut, Nelo Binua, e kishte “Kallausin” (lexo: informatorin), brenda. Vajza e tij e vetme, Shaza, ishte e martuar në Pajaj, me Feimin dhe e kishte në pëllëmbë të dorës, situatën, në Shkozë. Ajo e dinte se Qerimeja dhe Bilua, në Qyraj, kishin një vajzë mjaft të bukur, e cila ishte adoleshente dhe prindërit donin ta martonin.
Babë e bijë, të dyve u vajti mendja ta bënin nuse, të bukurën Zonjë, për Resmiun. Shaza shpejtoi, nga meraku se mos ia merrnin të tjerët. Kur sinixhinjtë Muharrem Hasani; Brahim Rushani dhe Muharrem Kamberi shpunë rrobat e nuses, sipas zakonit, gratë e Shkozës të mbledhura tok, e hapën baulen, i panë e i çmuan rrobat, një nga një. Nuk u pëlqyen rrobat grave dhe pikasën se nuk i kishte qëndruar fjalës që la me Bilon, krushku Nelo Bino Nelaj. Njëra nga gratë, ajo që njihej si e para e tufës së grave të Aligjonit, kur pa këtë mospërkim mes krushqve, ia shkuli këngës labçe, e cila e kishte brenda thumbimin.
Ajo, në çast, sajoi bejten:
“... O Nelo, more Nelo;
Qysh e pamë fjalën-o;
Ta prisje mantonë coh (pellush):
E preve samariko (të thjeshtë);
Ik e vishja Shazës-o;
Ta mbajë për dimër-o...”
E dëgjoi Shaza (e thekur për të kërryer bejte), këtë sajesë thumbuese dhe u hakmor kur Zonja hipi në kalë.
Zonja ishte bijë e Qerimesë dhe e Bilos, nga Qyrajt e Aligjonit të Shkozës (rrethi i Vlorës) kurse Resmiu ishte i biri i Zadekos dhe i Nelo Binos, nga Kalivaçi i Tepelenës; djalë i tretë i tyre. Lidhja me martesë e Zonjës me Resminë vërtet ishte realizuar me mblesëri, po ajo rezultoi, jo vetëm e suksesshme, mbasi solli në jetë tre djem, brenda një kohe të shkurtër, por dhe u kthye shpejt, në një lidhje të këndshme, brenda së cilës ishin dy njerëz që e donin dhe e respektonin njëri-tjetrin, si rrallë të tjerë.
Meqenëse në Binaj, brenda të njëjtit trung kishin ardhur nuse dy zonja; njëra nga Shkoza e tjetra nga Koshtani i Tepelenës, për ta pasur më të lehtë dallimin, nga njerëzit që i rrethonin e që kishin të bënin me to, njëra (koshtanakja) u quajt Zonja e Madhe e Binajve, meqenëse ishte dhe më e lashtë në moshë, kurse ajo që erdhi nga Shkoza, u thirr Zonja e Vogël e Binajve. Ato, vërtet ishin kunata e me karaktere e prirje që nuk ngjanin me njëra-tjetrën, por kalonin si dy motra.
Çifti Zonjë dhe Resmi Nelaj u lidh ngushtë e u desh fort me njëri-tjetrin, por, mjerisht, nuk u trashëgua. Kur djali i tretë i çiftit në fjalë mbushi tre muaj, Resmiu u ftoh, keqas. Familjarët, miqtë dhe dashamirët e shumtë të tij e të familjes, të trungut e të fisit Nelaj bënë shumë përpjekje, për ta shëruar, duke i hedhur sytë tek mjekësia popullore e atij niveli dhe e asaj kohe. E yshten yshtaret, të cilave u hapej goja vesh me vesh e thonin: “Sy, Sy”. E hodhën në djersë, me elb, e me fleta arre dhe therën një goxha dash, lëkurën e të cilit ia veshën në mish.
Dërguan njerëz, me kurbane e shpunë dhurata për në vendet e “shenjta” etj., por asnjëra nga këto nuk solli përmirësimin e të sëmurit, shëndeti i të cilit “fironte” pareshtur. Resmiu nuk e përballoi dot sëmundjen dhe u fik.
Vdekja e tij e parakohshme ishte një gjëmë e madhe. Zia mbuloi Binajt, Nelajt, Ahmetajt, fshatin mbarë dhe familjen e fisin e të bukurës Zonjë, përtej lumit të Vjosës, në Shkozë të rrethit të Vlorës. U nda nga jeta një burrë i ri në moshë, i pashëm, i zgjuar, i shkathët, baba i tre djemve dhe burrë i një gruaje të re gjithë nur, të cilën e la vejushe, e në mes të udhës. Tragjedia që la pas Resmi Nelua kishte përmasa të pamata. Zonja e Vogël mbeti e ve në moshën 22 vjeçe, kur ishte në kulmin e rritjes e të pjekjes; tre djemtë që mbetën jetimë ishin të parritur, ekonomia e familjes ishte copë-copë.
Nga të tre djemtë, Reshati, më i rrituri prej tyre, ishte rreth 5 vjeç; Nelua, i dyti i djemve, sapo kishte shkelur në vitin e tretë të jetës kurse i vogli - Petrefi, ishte laktant e tundej në djep. Ekonomisë së dobët të familjes i shtohej dhe mbështetja thuajse inekzistente e familjeve respektive në të dyja anët e lumit. Në Kalivaç e në të dyja anët e lumit, sundonte opinioni konservator, i cili në çdo rast, e shtypte, e dhunonte, e përgojonte dhe rëndonte mbi gruan. Gruaja, në atë kohë konsiderohej pronë e burrit të saj dhe kur burri i saj ndahej nga jeta e ajo mbetej e ve. Mbi të rëndonin anatemat dhe thashethemet e gojëve të liga, të cilat villnin vrer, sido që të sillej vejusha e gjorë.
E përcollën të ndjerin Resmi Nelo, me shumë dhimbje e me lot. Gratë, qanin me ligje e me ulërima dhe çirrnin faqet. Burrat e “rëndë”, të cilëve nuk ua kishte parë njeri lotin në sy, qanin së brendshmi e dhimbja u kishte kapluar shpirtin. Ata, herë-herë lëshonin ndonjë ofshamë dëshpëruese e cila përfshinte brenda shumëçka. Dertet e atyre që e përcollën Resmi Nelon në banesën e fundit ishin të ndryshme e të palexueshme. Brenga që superonte gjithë meraqet, lidhej me pamundësinë për ta shpëtuar atë deli djalë, nga e keqja që e zuri.
U shkulën njerëzit që ndienin dhimbje për këtë humbje të madhe, nga anë e anës; burra e gra, të veshur me të zeza. Ata mbushën shtëpinë, avllinë, rrugicat me gurë që zbresin deri tek varret e fisit dhe sheshin ku ndodhen varret. Lumi i pjesëmarrësve në këtë ceremoni mortore u parapri nga mejiti, të cilin e mbanin në krah, burra të fuqishëm e të ndjerë të fisit, dhe fill pas tyre çapitej, hoxha nga fshati Toç i rrethit të Tepelenës, të cilin e quanin Zenel. Ai paraqiste një burrë të gjatë, të kërrusur, e me qylah të bardhë në kokë, i cili merrte nga fshatarët një premio vjetore; së shumti në natyrë.
Java e parë, pas përcjelljes së Resmi Nelos, në banesën e fundit, kaloi në zi të thellë. Gratë, të grumbulluara rreth vatrës, qanin. Disa me ulërima, të tjera, me ligje e me ofshamë; kujtonin tiparet dhe bëmat e të ndjerit. Burrat, në odën tjetër, vend kryesor në rrëfimet e tyre u jepnin vlerave dhe bëmave të tij. Zonja e Vogël e Binajve, gjatë një jave, thuajse nuk vuri asgjë në gojë e nuk i shkonte në mendje as për të ngrënë e as për të pirë, me gjithë nxitjet dhe presionet e të sajve.
Siç mbledh klloçka zogjtë e saj rreth vetes kur ndjen rreziqet, edhe ajo i mblodhi, me përqafime të ngrohta e të forta, duke lotuar mbi kokat e tyre, dhe qante e vajtonte fatin e saj të zi dhe situatën e rëndë ku ndodheshin djemtë e saj dhe të ardhmen e tyre të pasigurt. Nuk donte të besonte se ai çikë burrë, të cilin e donte aq shumë e u lidh me të me një dashuri të pastër, të mos hynte më tek dera e shtëpisë. Pa i mërzitur lexuesit e rinj në moshë, të cilëve, ato që do t’u rrëfej më poshtë mund t’u duken sajesa e fantazi, do të mundohem ta përshkruaj siç e kam parë e si më kujtohet.
Dhimbja për humbjen e burrit të saj të dashur, tek Zonja e Vogël e Binajve ishte e pamatë, dhe ajo e ndiente thellë atë, ndonëse ishte akoma e nxehtë e nuk donte ta besonte. Për fat të keq, vdekja mizore i mori të mirës Zonjë njeriun e shtrenjtë të saj dhe ajo mbeti e ve; me tre djem bonjakë, në vatër. Brenda javës së parë, ajo grua e zgjuar, të cilës i kishte rënë mbi kokë Mali i Kudhesit (mal mbi Shkozë), nuk kishte mundësi të mendonte për të ardhmen e fëmijëve dhe të sajën; ajo e kalonte ditën dhe natën duke qarë e duke psherëtirë. Rënkimet dhe kurajon që përpiqeshin t’i jepnin gratë dhe burrat pelegrinë, ajo i përcillte me kokë e nuk arrinte të shquante as fytyrat e tyre të murtejtura (të ngrysura). Në darkën e të shtatave, kur në odë ishin mbledhur për të kujtuar të ndjerin, burra me “peshë” nga trungu i Binajve, nga fisi i madh i Nelajve, nga mëhalla e Ahmetajve e më tej dhe të ardhur nga treva e Shkozës ndodhi diçka e veçantë.
Burrat ishin të ulur mbi shilte, me jastëkë pas kurrizit, në odën e burrave. Në këtë odë bisedën e drejtonte plaku i mençur e i respektuar i fisit Nelaj - Musa Mehmeti (kushëri i dytë i të ndjerit). Ngushëllimet i prisnin vëllai i Resmiut të ndjerë – Resul Nelua dhe kushëriri i parë i tij – Xhevit Malkua. Në odën e burrave, sipas largësisë në raport me të ndjerin, pas këtyre ishin ulur, sipas “peshës” së fjalës, burrat e zakonit: Abedin Kahremani, njëri nga burrat më të zgjuar të mëhallës; Sherif Rrapua, burrë i mençur e i gjezdisur; Muharrem Kamberi, i zgjuar, i shkathët e hazerxhevap (polemizues refraktar); Ahmet Selfua, i cili, me zgjuarsinë e tij bënte që edhe të tjerët, të mendonin si ai; Xhemal Haxhiu, i zgjuar e mendjehollë; Laze Xhezua, burrë i mençur, fjalëpak e kokëulur dhe vëllai i tij - Banushi; xha Manja; xha Novruzi; xha Breshani; Xha Isufi; Dinë Xhelali; Hysni Meta etj. Nga Shkoza kishte ardhur Idaiu; vëlla i Zonjës, Abeni, Xhemali etj., njerëz nga fisi i Qyrajve.
Në këtë kuvend burrash, ku vendin kryesor e zinte kujtimi i bëmave të të ndjerit, krahas bisedave pa ndonjë objekt të caktuar, papritur situata ndryshoi, rrënjësisht e mori tjetër drejtim. Në odë, u thirr vejusha Zonjë. Ajo, kokëulur e me sytë plot me lot, qëndroi në këmbë, në fund të odës. Plaku i mençur Musa Mehmeti, i cili kryesonte odën, iu drejtua asaj drejtpërdrejt, me fjalët: “Si do beç, moj koçe (bijë); do të qëndrosh e do të rritësh tre jetimët, apo do ‘të dalësh’?” Sa e rëndë ishte kjo pyetje! Edhe në kushte të qeta ishte e vështirë t’i përgjigjej njeriu kësaj pyetjeje, e cila pasohej nga një vendim jetik për fatin e vejushës dhe të bonjakëve. Merreni me mend sa të vështirë e pati vejusha Zonjë, e ndodhur në një gjendje shpirtërore mjaft të rënduar, kur “pesha e traditës” nuk i mundësonte as të qante, për burrin e saj të ndjerë, me zë, por vetëm të psherëtinte. Në fjalën e xha Musait, e cila ishte e rëndë e ngjante me pretencën e prokurorit të asaj kohe, një lexues i vëmendshëm dikton një rreze drite në mes të errësirës. Fjala e ngrohtë e xha Musait: “... moj bijë...” thosh shumë; ajo bënte fjalë për mbështetjen morale dhe materiale që do të kishte vejusha Zonjë nga fisi dhe nga njerëzit me zemër. Zonja e dëftoi veten Zonjë dhe, pa u menduar gjatë u përgjigj serbes: “... mbi Resmi Nelon, nuk ve sipër, burrë tjetër; do të lidh në kokë shaminë e zezë e do të rrit djemtë; nuk mund t’u pres kokën tre djemve. E di që do të vuaj shumë; si gjarpëri nën gurë, por, zgjedhja ime e tillë është!” Burrat që u ndodhën në odë e dëgjuan qartë përgjigjen e saj dhe me një zë, shpërtheu nga gjokset e tyre shprehja: “Ashkosun të qoftë!” Slogan i thënë në turqisht, i cili ka domethënien: “Bravo të qoftë!” Dhe më pas slogani u shoqërua me fjalët: “Pa shiko sa vëllezër ke; nuk të lëmë të vetme...!”
Dilte dhe një çështje tjetër, shumë delikate për t’u zgjidhur. Kjo ishte tragjedi me vete, ose tragjedi, brenda tragjedisë. Vejusha Zonjë, me tre jetimë, e re, gjithë nur, por e pambrojtur (pa ombrellë), do të ishte në shënjestrën e njerëzve të dobët moralisht dhe në qendër të thashethemeve. Burrat e trungut dhe ata të fisit Nelaj, në një rreth të ngushtë, të mençurish, e kishin biseduar më parë këtë çështje, në intimitet e larg syve e veshëve të kureshtarëve, por nuk e kishin konkluduar. Duhet të pyeteshin njerëzit “kyç”, burrat e trungut, pastaj të vendoste pleqësia.
Në odën e burrave, ku ndodhej një mashkull nga çdo familje e mëhallës Ahmetaj, në darkën e të shtatave të Resmi Nelos, mbasi u thirr e u pyet Vejusha Zonjë, u pyetën dhe Binajt; konkretisht, vëllai i të ndjerit - Resul Nelua e pas tij Xheviti. Si zakonisht, xha Musai që kryesonte odën, pyeti: “Kush do të bëhet ombrellë për të mbrojtur e për t’u kujdesur për vejushën Zonjë dhe për tre bonjakët?” Përgjigja ishte e vështirë dhe çdo fjalë “peshonte shumë”. I pari e mori fjalën Resul Nelua (Agai, siç i thonim ne). Ai tha: “Unë nuk mund ta kryej këtë detyrë të rëndë edhe pse më takon ta bëj. Jam i sëmurë e shumë fukara. Kam shumë fëmijë e mezi i ushqej!”
E hoqi përgjegjësinë nga vetja Agai. “Kërraba” i mbeti Xhevitit. Pritej mendimi i tij, i cili “do t’i vinte vulën” gjendjes e do të sillte ndryshimin e dëshiruar. U mendua ca plaku i urtë, i ndershëm e i drejtë, Xhevit Malko dhe tha: “Tek të hanë 6 të mitë (Jemineja; Xheviti; Zonja e Madhe; Lumturia dhe Niaziu e Selami), le të hanë dhe 4 gojë të kushëririt tim të parë!” Kjo deklaratë shkaktoi tek burrat një ndjesi të brendshme gëzimi. Nga gjokset e burrave të odës, shpërtheu sërish një mirënjohje, gati si një britmë gëzimi, me gjithë gjongul, në fjalët: “Ashkosun – Xhevit!” E shoqëruar me komentin: “I ndershmi mbetet i ndershëm!” Të dyja vendimet, si ai i Vejushës Zonjë dhe ky i Xhevitit, u përcollën në odën e grave ku i mbanin veshët gati: Shaza; Qerimeja; Hysnija; Jemineja; Zadekua dhe gratë e tjera që ndodheshin në odë.
Atë natë, në Ahmetaj dhe në mëhallët e Pusit, u përhap lajmi, i cili solli mjaft gëzim dhe shumë komente, nga pozicione të ndryshme. Miqtë e asaj shtëpie, dashamirët e trungut e të fisit dhe njerëzit mendjeplotë jo vetëm që i miratuan, pa rezerva, të dyja vendimet, por dhe u entuziazmuan shumë. Që të nesërmen nisën masat konkrete për të bashkuar dy familjet, nën të njëjtën çati. Si më e pranueshme për banim u përzgjodh shtëpia në pjesë të Reshatit (tashmë titulli i pronësisë, mbi çdo objekt të familjes së të ndjerit mbante emrin e djalit të madh të tij - Reshatit). Ajo (banesa), ishte më e vogël në përmasa e më e mbledhur, ndonëse, ishte njëlloj e pashtruar, pa tavan e pa dysheme, si shtëpia në pjesë të Xhevitit.
Të dyja shtëpitë ishin të lidhura me njëra-tjetrën, me mur guri. Të dyja, në anën lindore kishin tarracë, ku grumbulloheshin e ruheshin rrangullat e familjes.
Bashkimi solli disa ndryshime. Gjëja e parë që duhej mbajtur parasysh ishte qenia nën të njëjtën çati dhe të ushqyerit në të njëjtin kazan i shumë gojëve (personave). Dy plakat e shtëpisë, Zadekua dhe Jemineja nuk merrnin pjesë në këtë katrahurë; ato ishin pa funksione e pa hapce (çelësa). Ekonominë e familjes e menaxhonin dy Zonjat, të cilave ishte gjynah t’u thoje kunata; ato silleshin si motra me njëra-tjetrën. Koshtanakja, Zonja e Madhe e Binajve, si më e madhe në moshë e si e ardhur më përpara nuse në atë familje dhe si grua me burrë gjallë, mori komandën e ekonomisë.
Asaj iu dorëzua tigani, sepetja ku ruheshin “të mblojturat”, për familjen dhe për të pritur mysafirët. Disa sende ushqimore, deficitare, si vaji, sheqeri, kafeja, gjalpi, mielli i grurit, niseshteja e të tjera, ruheshin në çelës, të cilin e mbante në brez, Zonja e Madhe. Ajo gatuante për të gjithë njerëzit e familjes së bashkuar e përgjigjej për të pritur, sajdisur e nderuar mysafirët e shtëpisë dhe miqtë e të dyja familjeve.
Interesante dhe origjinale ishte mënyra e fjetjes. Në atë shtëpi si dhe në të tjerat, as që bëhej fjalë për krevate. Disa familje ishin të pajisura me rrogoza, të cilat i shtronin poshtë rrobave që shërbenin si shtresë, me qëllim që të pakësohej e ftohta që vinte nga poshtë. Nënat tona, na shtronin ca mindere të cilëve u thoshin plisnoke dhe na mbulonin me ca u thënçin jorgane, por ato ishin ca rrogozhane, të sajuara me mballoma rreckash, ku nuk gjeje dy andre të një ngjyre e të së njëjtës copë. Shtriheshim të gjithë fëmijët: Reshati; Nelua; Lumturia; Niaziu përbri njëri-tjetrit, si fishekët në një krehër.
As që bëhej fjalë për çarçafë e për jastëkë. Flinim me gjithë rrobat e trupit, siç luanim nëpër udhën me dhe e me gurë. Anës shtriheshin nënat tona, të cilat kujdeseshin që të mos dilte ndonjëri “jashtë rreshtit”. Ato na mbronin nga të ftohtit, siç mbështjellin klloçkat zogjtë e tyre. Dy vëllezërit e vegjël, Petrefi dhe Selami, të cilët ishin laktantë, flinin në djepe, të mbështjellë me shpërgënj e me breza të leshtë.
Zonjat kishin nga një dorë të lirë për të përkundur djepet. Dy plakat flinin në qoshet e shtëpisë. Zjarri qëndronte kalafak, deri vonë, kërcunjtë që hidheshin në zjarr, e mbanin prushin për një kohë të gjatë. Para se të flinim, e mbulonin prushin me hi që të ruante ngrohtësinë. Hiri e lëshonte ngrohtësinë ngadalë e në mënyrë uniforme.
Ngroheshim dhe me frymën e me pordhet e njëri-tjetrit. Ndonjëri prej nesh, në gjumë ia valonte dhe shurrës, e cila ftohej ngadalë.
Për të ngrënë, gatimet i ishin lënë në kompetencë Zonjës së Madhe. Në atë kohë, por dhe sot, “malësoret” (femrat që kishin lerë e ishin rritur në fshatrat “malore” të Toskërisë) konsideroheshin si më të paqme e amvisa që gatuanin me shije, prandaj angazhoheshin për të gatuar. Ne fëmijët që mund të çapiteshim pas të dyja Zonjave i shoqëronim ato në fushë ku mblidhnim lakra të egra në arat me të lashta, e në ledhet mes parcelave. Lakra të preferuara ishin lulekuqet, lepjetat, rrepicat, korçanet, brokujt, madje dhe një lloj gjembaci. Nënat tona mbushnin kazanin prej llamarine, i lanin lakrat në kanalet midis parcelave, na jepnin për të ngrënë, në çast, që të thyenim urinë, korçanet dhe brokujt dhe e mbanim frymën në shtëpi.
Mezi pritnim sa të zienin lakrat, të cilat i hanim, mbasi Zonja e Madhe i kullonte dhe u hidhte një dorë kripë gjelle (kur i ndodhej) dhe pak vaj ulliri. Ishte fitore e madhe, po të ndodhej pak miell misri, sa për të kripur tepsinë në fund të saj. Hanim me oreks, lakra, bio e natën na gurgullonin zorrët e na lante barku. Më të vështirë e kishim kur na vinte ndonjë mysafir, në dimër, e duheshin shtroje e mbuloje për të. Më vjen ndërmend, kur, një mbasdite dimri, na erdhi një mik pas miku, nga Shkoza.
Ai vendosi të kalonte natën në shtëpinë tonë, mbasi lumi kishte dalë breg me breg e lundra e vetme në disa treva të rretheve të Vlorës, Fierit e Tepelenës, nuk hidhej (nuk punonte). Hëngri lakra, si ne, miku, e ra të flinte. Natën i gurgullonin zorrët dhe e lau barku. I turpëruar, iku, natën, i përzënë nga qentë e mëhallës. Kishte purthosur gurë e barishte, tërë udhën, deri tek Guri i Kalit.
Nuk e pashë më në shtëpinë tonë, as nuk dëgjova për të, pas asaj ndodhie të rrallë turpëruese.
Në kuadrin e bashkimit të ekonomive të familjes së bashkuar, përveç njësimit të shtëpisë, enëve dhe teshave të përbashkëta, u njësuan dhe trojet, arat, kafshët e punës e të prodhimit dhe puna e përbashkët. Xheviti qëndronte vazhdimisht në stan dhe pas dhenve. Fundja për atë punë paguhej dhe me fitimet e tij, mbante dy familje. Xhevitit i ra mbi shpinë një barrë e rëndë, në një situatë të vështirë.
Vdekjet atë vit, sikur të mos mjaftonte fukarallëku i skajshëm, pasuan njëra-tjetrën. Pas ndarjes nga jeta të Resmi Nelos, fatin e tij e ndoqi Behija shtatzënë, vajza e madhe e Resul Nelos dhe bashkëshorte e Tefik Barjamit, të birit të Hatixhesë dhe Barjam Delos, nga Hasanimerajt. E përcollën Behijen, vetë e dytë (së bashku me fëmijën në bark); por mortja, siç duket, nuk u kënaq me këta. U deshën të bëheshin kurbane dy djem laktantë: Petrefi i Resmi Nelos dhe Selami i Xhevit Malkos. Të dy e humbën jetën nga sëmundje banale, nga të cilat, në një kohë të mëvonshme, mund të ishin shpëtuar.
E mbyllën serinë e vdekjeve, dy gjyshet: Zadekua e Nelo Binos, nëna që solli në jetë tre djem: Selmanin; Resulin dhe Resminë dhe të vetmen motër të tyre Shazën; dhe gjyshja tjetër, Jemine Bazja, nëna e Xhevitit dhe e Merushes, e cila më donte shumë e kishte një kujdes të veçantë për të ruajtur jetën time, kur më “erdhën” këmbët e çapitesha nëpër udhën me gurë që zbriste tek pusi i xha Isufit. Para se të shkoja tek pusi pa ujë, kisha si postabllok Nënë Bejekon, të venë e Mino Jaces, i cili mbeti në hapësirat e Anadolit.
Arat i kishim pranë e pranë e nuk doli ndonjë vështirësi për të gjetur kufijtë që i ndanin. Arat tona në Llomera e në Rredhe ishin të begata. Ato, po të punoheshin mirë e po të plehëroheshin, jepnin shumë prodhime; si në të lashta dhe me misër e me fasule. Reforma Agrare na dha tokë në Fengje dhe 10 rrënjë ullinj tek vendi i quajtur: Ullinjtë e Haxhiet. Prodhimet që merrnim nga arat e begata dhe nga ullinjtë plus lakrat që mblidhnin nënat tona, me vështirësi na nxirrnin me frymë deri në të korrat e elbit, në pranverën pasardhëse.
Në shtëpinë tonë të përbashkët, për fatin e fëmijëve dhe të gojëve të shumta, pati dhe periudha lulëzimi. Xhevit Malkua, njeri i urtë, punëtor, i drejtë e i ndershëm, punonte hyzmeqar me dhentë e të kamurve të fshatit, prej shumë vitesh. Ai, me tiparet e tij dhe me besnikërinë që kish shpalosur në vite, kish fituar besimin e pronarëve deri në atë shkallë sa e pranuan si qinosar e i njohën disa të drejta mes të cilave, të shfrytëzonte bulmetin, përgjysmë, i jepnin falas një shark, një kostum shajaku dhe një palë opinga si dhe të drejtën për të therur apo për të shitur një numër delesh. Nuk u bë kontratë e shkruar, por gjërat u vendosën në mirëbesim e për këtë qëllim u shfrytëzua ndershmëria e hyzmeqarit Xhevit Malko. Nuk kishte parë familja jonë aq shumë bagëti, në vathë.
Nuk ishin pak, por rreth 300 dhen, me qumësht. Xheviti e kishte në kurriz, kullotjen, ruajtjen dhe mjeljen e tyre. Kur ishte moti i ngrohtë e pa reshje, dhentë me qumësht i ngisja unë e ato, një nga një kalonin tek dera e shtrungës ku i priste Xheviti, i ulur mbi një gur, me llërë të përveshura, me një vedër përpara, midis këmbëve i gatshëm për të shtrydhur thithkat e deles së radhës.
Kur vedra mbushej me shkumë e në sipërfaqe notonin kakërdhitë, vedrën e zbraznim në një enë më të madhe. Unë, si djalë pekul e i mbarë fizikisht, futja kokën në vedër e pija qumësht taze, duke fryrë kakërdhitë që të largoheshin nga vendi ku takoja buzët me qumështin e ngrohtë. Nuk më gjeti gjë se qumështi ishte bio e kishte në përbërje lloj-lloj lulesh.
Problem i madh, na doli gjetja e enëve. Nuk kishim ku ta mblidhnim bulmetin e ku ta përpunonim atë. Dybeku, nga mospërdorimi për një kohë të gjatë ishte tharë e rridhte; ai duhej regjur. Talëri dhe vedra, gjithashtu ishin tharë. Kuckat (enët me volum të pakët) nuk ziheshin në gojë etj. etj. U vërsulën dy Zonjat, nëpër mëhallë e në fshat; nuk lanë mik pa bezdisur, derisa u siguruan disa bidone të bardha e disa matara llamarine.
Nisi të gjëmonte dybeku edhe në këtë shtëpi ku, deri atëherë ishin ulur mjerimi dhe skamja këmbëkryq. Nuk i thoja më Zonjës sime, të cilës i thërrisja në emër të deformuar: “Xhonje, pse tund dybekun Hatemja, Havaja, Izja, Samua, gege Tajanja etj. kurse ti nuk tund?” Tashmë dybeku ynë gjëmonte që në mëngjes e garonte me dybekët e gjitonëve, në garë, siç ngjan me këngën e kaponjve shqirakë. Nuk dinim çfarë të hanim më parë: Gjalpë, gjizë, urrel, kos, apo të pinim qumësht bio. Hirrën nuk e preferonim më, dhe atë që na jepnin Tila dhe Argjiri, kur u shkonim në stan, në Fierin e Metes, nuk e begenisnim. Shtëpia jonë, madje dhe avllia, mbanin erë bulmeti, jo si më parë që kundërmonin erë rrepice e lakrash të egra, të ziera. Cehreja jonë, si fëmijë në rritje, ndryshoi për mirë. Në një rast, dëgjova Babanë të fliste me vete. Ai, në fakt këndonte një bejte të lashtë e cila theksonte: “Moj shtëpia bukëdhënë; do bëneç siç keshe qenë...!” Nuk e kuptoja domethënien e këtyre fjalëve atëherë, por kënaqesha nga melodia dhe rrjedhshmëria, me të cilën e thosh Babai.
Përfitimet nga kjo kontratë qinosie e pashkruar, nuk ishin të pakta. Pas 5 vitesh, kopeja do të pjesëtohej e ne do të merrnim 1/3 e numrit të krerëve. Nuk ishin pak krerë.
Gjatë viteve të qinosisë, merrnim 1/3 e bulmetit; 1/3 e leshit, kur qetheshin dhentë. Çobani (Babai) rrogë nuk merrte, por përfitonte një shark, një palë opinga dhe bukën e gojës. Ai kishte të drejtë të therte nga tufa, 1 dele, për Barjam e një tjetër për Sulltan Novruz. Gjithashtu, ai mund të shkëpuste nga tufa aq krerë sa t’i duheshin, për të çuar në dasma e davete për të cilat pronari shënonte, për një kokë; dy. Barin dhe zairenë e paguanim në mes, ashtu si kasollet dhe stanin e ngrinim bashkërisht.
Kur u mëkëmba e mund të ecja lirshëm, ashtu rrondokop, siç isha, çapitesha pas dhenve; në krah të Babait tim. Madje, flija në stan, në krye të Rredheve, atje ku ka qenë një leh (ngastër) me disnivel nga ara, rrëzë ledhit, e kufizuar nga dy fiq të rinj; njëri i bardhë e tjetri vasjarës. Diku, rreth 20 m, në anën jugore të vathës, ishte një rrap i madh, me shumë rrapishte. Atje derdhej Përroi i Cukales, i cili mblidhte ujërat që rridhnin nga lartësia e kodrës së Dokes. E kam përshkruar dhe herë tjetër; Babai kishte ngritur një shtrat, me drunj rrapi e me degë, mbi të cilin flinim të dy, të mbuluar me sharkun e Babait dhe me lëkurë deleje (postë).
“Pranvera” jonë nuk zgjati shumë. Në vjeshtën e vitit 1946, ndodhi një ngjarje e papritur, e cila na shpuri atje ku ishim më parë, madje dhe më keq. U bënë shtetëzimet e bagëtive. Lapsi zuri dhe tufën tonë të dhenve. Befasisht, pa asnjë njoftim paraprak një mëngjes, kur dhentë i kishim akoma në vathë e unë po i çoja qenit Balo ushqimin (një tas me përshesh), në stan erdhën 4 - 5 pushtetarë, nga ata burrat me mustaqe, me çizme e me pantallona kilota. Të gjithë kishin treguar trimëri në Luftën Partizane dhe, si shpërblim kishin marrë ofiqe në hierarkinë partiake të rrethit të Tepelenës. Në krahë mbanin ca çanta lëkure si ato të oficerëve sovjetikë. Nuk di çfarë mbanin në ato çanta që u vareshin, deri tek të ndenjurat, por një gjë e them, me siguri: “Ata nuk dinin të shkruanin e të lexonin”. Shtetarët e asaj kohe, shumica e të cilëve kish dalë nga Lufta, ishin të pashkollë, sido që ishin të përzgjedhur.
Ata dinin të jepnin urdhra me të cilët të bënin “gjëmën”. Kishin ardhur në stan, që në pikë të mëngjesit, jo për të na dhënë ndonjë njoftim të mirë, por për të na hidhëruar. Njëri syresh, ndoshta më i madhi në pozitë, u dha urdhër vartësve: “Nxirrni dhentë nga vatha e në njësh kolonë, të nisen në drejtim të Majës së Dërrasës.” Nuk mbaj mend, i numëruan apo jo (unë, asokohe dija vetëm të numëroja deri në 100, por dhentë tona e kapërcenin gati 3 herë këtë numër), veç pashë që fërkonin duart nga kënaqësia. Morën me vete dhe stanin, me laçkë e me plaçkë dhe me kafshët që mbanim për të transportuar bulmetin. Morën dhe enët e qumështit dhe shokun tim të “ngushtë” – Balion, me të cilin isha rritur dhe e doja shumë. Më piku për Balon. I thanë Babait t’i shoqëronte sa të dilnin nga sinori i fshatit, por udhës, aty nga Kubeja në Vidhishte, i komunikuan se, si esnaf për rritjen dhe mbarështimin e deles, do ta çonin çoban në brigatat blegtorale të shtetit, në Vithkuq të Korçës.
I përcolla; ecja pas dhenve, duke përkëdhelur Balon, i cili, më ngjan se e ndiente atë “gjëmë” e më rrinte pranë, duke tundur bishtin, me llapë të nxjerrë. Pa mbërritur në Majën e Dërrasës, m’u sosën energjitë e rashë, pa ndjenja. Nuk e di se ç’pata: nga dëshpërimi apo nga lodhja; se qumësht kisha pirë dhe bukë misri trazake, kisha ngrënë. E pashë veten, kur u përmenda, në mes të përdheses, mbi një minder, i mbuluar me rrogozhan. Mbi kokë më rrinin disa gra shamizeza, të cilat qanin; ca me zë e ca pa zë. Lotët e tyre më pikonin mbi faqe; ndonjë “rrëke” që vinte tek buza, e lepija. Ishte e kripur e më shijonte.
Zonja e Madhe, qante me ulërima e bërtiste: “Korba unë, ç’më gjeti? Amani moj motra, më thoni, si t’ia bëj...?” Dikush më fërkonte shpatullat dhe ballin; një tjetër më yshtte e thosh: “Ka marrë sy, se është i mbarë”; pati dhe ndonjë që tha se ka ngrënë e ka pirë shumë qumësht. Asnjëra nuk e dinte gjëmën që na kishte gjetur.
Kur e mësuan atë që kish ngjarë, më dhanë të drejtë e më qanë hallin. Më tepër se për tufën e dhenve që morën pushtetarët dhe për Babanë, të cilin nuk do ta shikoja me sy, për 2.5 vjet, u dëshpërova për Balon, të cilin nuk e pashë më, me sy, por ruaj në kujtesë imazhin e tij, trupin e zhvilluar e ngjyrën e lëkurës laramane.
Pas dy vjetësh e gjysmë, Babai u kthye nga “Kurbeti”. Kurbet i thënçin, ai vijoi të ishte hyzmeqar, me rrogë; kishte ndryshuar vetëm pronarin. Pronari i ri ishte vetë shteti i sapodalë nga Lufta Çlirimtare. Babai ynë, kishte menaxhuar dhentë e shtetëzuara, me të cilat u formuan brigata blegtorale. Ai (Babai), menaxhonte dhentë e shtetit; në dimër shtegtonte në kullotat e Vrinës, kurse në verë, flladitej në malet e Vithkuqit, ku të ngrinte era e freskët e malit.
U gëzuam shumë, kur e pamë Xhevit Malkon, tek hyri në derën e kasolles ku banonim, në Bexge (vend), me një torbë në krahë e me një shkop në dorë. Nga rruga e gjatë që kishte përshkuar duke kaluar nëpër monopate, e kishin vrarë opingat e llastikut dhe ishte i uritur. Erdhi i urituri tek ne që na kish mbirë rrepica në stomak e kishim harruar erën e trazakes së ngrohtë.
Kishin ngjarë ndryshime të mëdha, në fis, në trung e në familjen e bashkuar, e cila nuk jetonte më në bashkësi. Familja e ribashkuar, pas shpërbërjes kishte rënë sërish në skamje e në mjerim. Zonja e Madhe e Binajve, me dy fëmijë (Lumturinë dhe Niazinë), kishim shtegtuar, si të pastrehë që ishim. Ne, duke shfrytëzuar bujarinë e xha Resulit (Agait), u shpërngulëm nga shtëpia e Reshatit, me “një kaposh” me plaçka e u vendosëm në njërën nga dy kasollet e Agait, në Shure (Bexge). Duhet thënë, në mënyrë që ta mësojnë ata që nuk e dinë, se Resul Nelua, edhe pse vetë ishte mjaft fukara e mezi ushqente një tufë me fëmijë, në këtë rast u dëftua burrë dhe çmoi emergjencën tonë.
Na kishte rënë brenda shtëpia e kishim mbetur në katër rrugë, pas shpërbërjes së familjes së ribashkuar. Resuli nuk mund të lejonte që fëmijët e kushëririt të parë, Xhevitit, të endeshin sa në njërën shtëpi, sa në tjetrën, për të gjetur një copë strehë, sa për të futur kokën. Fatkeqësia që përjetoi Zonja e Vogël, me fëmijët e saj ishte e rëndë e nuk mund të krahasohej me emergjencën tonë, por, të paktën mblidhej në shtëpinë që u la babai. Çfarë kishte ngjarë?
Shpërbërja e familjes së madhe, risolli në vatrat tona skamjen, por nuk ishte vetëm kjo. Xheviti, i njohur si njeri i drejtë, i ndershëm dhe zemërgjerë, i cili qe iniciatori i këtij bashkimi, shërbeu si ombrellë, për të dyja familjet. Pushteti i kohës, e kish degdisur larg, qindra kilometra larg nga fshati i tij. Nga kjo largësi ai nuk mund t’i menaxhonte të dyja familjet. Për fat të mirë, në mëhallë, në fis dhe në trungun e Binajve, kishte burra zakoni, të cilët e kishin veshur fisin dhe mëhallën me një aureolë mbrojtëse, në opinionin e të cilës ishte e pamundur të depërtonin thashethemi dhe intriga dashakeqe.
Ndarja nuk qe aq e vështirë. Secila nga dy kunatat me emrin Zonjë, i dinte ku i kish e i njihte plaçkat e saj. Nëse bëhet fjalë për plaçka, kur secila familje kishte një gomar me rrangulla e me levere. Edhe problemi i shtëpisë ishte lehtësisht i zgjidhur. Reshati me të vëllanë, Nelon e kishin shtëpinë në këmbë; ne, të pjellët e Xhevitit kishim mbetur të pastrehë.
Çështje serioze ishte punimi i tokave respektive. Familja e ribashkuar nuk kishte asnjë ka parmende e s’kishte çfarë të ndante. Qeveria nxori një ligj, sipas të cilit, familjeve që nuk e punonin vetë tokën e tyre, do t’ua merrte shteti në administrim. Iu gjet vjega dhe këtij problemi. Arat që i përkisnin Reshatit, iu dhanë për t’i punuar njeriut të fisit tonë – Ahmet Selfo Zenelaj, i cili si shpërblim për punimin e tokës, merrte 1/2 e prodhimit të drithit, në natyrë.
Zonja e Vogël e Binajve kryente punë të ndryshme, si korrje, prashitje, mblidhte kallinj, në arat e korrura, të botës, mblidhte ullinj etj. Ajo punoi dhe për rritjen e pulave shqirake dhe të detit si dhe me grumbullimin dhe shitjen e vezëve. Këto dhe mbledhja e lakrave të egra me të cilat ushqente djemtë dhe veten e saj, ishin pjesë e përpjekjeve të saj për të mbijetuar, siç premtoi në ditën e të shtatave të burrit. Vejusha Zonjë iu përfill një pune gjigante dhe të ndershme, për të rritur djemtë jetimë. Xhevitin nuk e mbante shtëpia. Edhe ai (Xheviti) kish mbi supe rritjen e fëmijëve të tij, mbajtjen e familjes dhe të miqësisë.
Nuk kishte ku të hidhte sytë se kudo vështronte zbrazëti dhe dora nuk i jepte, për asgjë. Zanati i vetëm i tij ishte të qenit çoban dhensh. Ai e zgjidhi ndryshe lëmshin që u krijua pas ndarjes me vete të Reshatit; Nelos dhe nënës së tyre vejushe. Xhevit Malkua mori shkopin në dorë dhe u nis për në kurbet; atje ku kalivaçasit bënin zakonisht kurbet, në Minierën e Serës në Selenicë të Vlorës. Ndodhi një metamorfozë e paparë me Xhevit Malkon.
Që fëmijë, ai burrë ishte rritur në mes të dhenve dhe në rojë të tyre. Tani, në një moshë të avancuar, kur kishte në shtëpi bashkëshorten dhe dy fëmijë, i duhej të ndërronte profil e u bë minator i nëntokës në një minierë zifti. Punonte shumë e fitonte jo pak. Një herë në dy javë, vinte në shtëpi, në Kalivaç, për të parë fëmijët e për t’u ndërruar. Në kurriz, mbante, kur vinte në shtëpi, një çantë shpine të mbushur me bukë gruri (karavele), të cilat, Nëna (rahmet pastë), na i raciononte dhe unë haja bukë me bukë.
Bukën e misrit (kur kishim) e haja të shoqëruar me karavele, si gjellë. Nga qëndrimi me punë në Selenicë, Xheviti, me paratë që rezervoi, bleu, në mënyrë fiktive, njërin nga të dy qetë e pendës së Agait dhe shpëtoi tokat tona të begata nga kalimi i tyre në menaxhim të shtetit.
Zonja vejushe, mezi priti të rritej pak Reshati dhe, për të lehtësuar barrën e me qëllim që të përmirësonte kushtet e jetesës në familje, e pajtoi atë hyzmeqar, sapo mbushi 8 vjeç. Fillimisht, Reshati u pajtua hyzmeqar, në fshat, tek kalivaçasi i natyralizuar Mufit Qamil Xhaferi, i cili, i ardhur nga Nivica e Kurveleshit të Sipërm, në Kalivaç menaxhonte Mullirin e Gurrës. Ky mulli, i ngritur në vendin e quajtur Specovë, shfrytëzonte prurjet e kanalit të ndërtuar posaçërisht. Mufiti, si lab tipik, nuk mund ta linte ekonominë familjare pa një “bisht” me bravare. Ai formoi një ekonomi, komplekse, në Specovë, ku përveç mullirit, dispononte kafshë ngarkese (mushkë); lopë, dhen dhe shumë pula, deti e shqirake.
Në mullirin e tij vinin për të bluar, jo vetëm kalivaças, por dhe nga Çorrushi e Kuta dhe nga fshatra të tjera të afërta. Nëna e tij dhe bashkëshortja, të dyja gra të fuqishme e të zonjat, labushe të veshura me çitjane e me triko të leshta, të ngjyera me bojë të zezë, ishin të zonjat e punës dhe prisnin e përcillnin miq e dashamirë të shumtë të asaj shtëpie. Për t’u kujdesur për dhentë e familjes (një tufë me bravare), kundrejt një page të pranueshme, Reshati u pajtua hyzmeqar, në familjen e Mufit Qamilit. Reshati ishte bonjak dhe i parritur; atë e zinte gjumi, nëpër shkurre teksa kulloste dhentë e Mufitit.
Në këtë kuptim, Mufiti e kishte marrë Reshatin, në punë, më tepër për bamirësi, sesa për punën e tij. Më pas, Reshati vajti hyzmeqar, në mëhallën Caushaj të fshatit gjiton Çorrush i rrethit të Fierit. Pronar i tij ishte fshatari zemërmirë, Tine Asllani, i cili i besoi Reshatit çilimi, të ruante lopët dhe bravaret e familjes së tij, nëpër ato bregore me paliçe. Edhe në këtë shtëpi, Reshatin e trajtonin mirë, si fëmijën e tyre, pavarësisht se ai ishte në mes të miqësisë.
Nelua qëndroi pranë Nënës së tij; vejushës Zonjës së Vogël të Binajve. Ai ishte “pekuli” i Nënës së tij dhe u rrit nën kujdesin e saj të veçantë.
Diçka për portretin dhe tiparet e karakterit të Nelos
Nelo Resmi Nelaj u rrit si i përkëdheluri i Zonjës së Vogël të Binajve e nuk i ndahej asaj, të cilës i thosh – No. Vejusha Zonjë, e Binajve, i donte njëlloj të dy djemtë, por meqenëse Reshatin e kish larguar nga sytë e ai ishte në duar të botës, ajo mblidhej me Nelon. Nelua u rrit si lastar. Ai ishte i gjatë rreth 180 cm; i zgjuar natyralisht; i shkathët si sorkadh mali; i mprehtë, nga ata që orientohen shpejt me çështjen, apo, siç thonë rëndom: “E kapin problemin në ajër”; me sytë dhe me vështrimin e skifterit; shumë kurajoz e trim. Nelua nuk ia përtonte asnjeriu, por ia përplaste në fytyrë cilitdo ato që nuk i shkonin për shtat.
Në karakter ishte i drejtë e i pastër; me njerëzit ishte i thjeshtë, i dashur e i respektuar. Në raport me të tjerët, Nelua ishte dashamirës dhe u jepte atë që meritonin. Nelua ishte i mirinformuar mbi zhvillimin e ngjarjeve, në vend e në botë. Ai merrte pjesë aktivisht e me fjalë të zjarrtë në diskutimet dhe në mbledhjet që bëheshin, duke servirur mendime të pjekura, u binte problemeve në kokë dhe propozonte zgjidhje të mundshme. Nuk ishte njeri i kompromiseve e i dallavereve dhe shquhej për drejtësi e paanësi.
Nelo Resmiu nuk ishte i kamur; ai jetonte si të tjerët, me djersën e ballit; por shpirtin e kish të gjerë dhe bujaria i ndrinte ballin. Po t’i shkoje në shtëpi Nelos, duhet t’i bëje llogaritë mirë se ai nuk të lëshonte dhe “e hidhte shtëpinë në shesh për të nderuar mysafirët”. Bonjaku Nelo, i rritur në vështirësi, dinte të nderonte miqtë e tij dhe të trungut; ai njihte e zbatonte me korrektësi traditat dhe zakonet e mira. Nelua jetonte në një mjedis konservator, por, në çdo rast merrte anën e të resë të përparuar.
Në mbledhjet e popullit ku kërkohej opinion, Nelua ishte ndër të paktët që ngrihej serbes dhe e thosh fjalën me guxim e siç e mendonte. Ai as kopjonte për të bërë qejfe e ortakëri; as u shkonte pas avazit, atyre që ishin në gabim. Njëri nga tiparet e pëlqyera të Nelo Resmiut ishte karakteri burrëror i tij. Nelua nuk lëvizte nga fjala e dhënë; atë që thosh, ai njeri e bënte.
Tiparet e tij të qenësishme, në vitin 1956 kur në Kalivaç u formua kooperativa bujqësore, jo vetëm që dolën në pah, por u shfrytëzuan, mjeshtërisht e me efektivitet, në të mirë të komunitetit. Në atë kohë, Nelua ishte një adoleshent i zgjuar e i shkathët, i hedhur e me dëshirë për të bërë punë të dobishme për komunitetin. Ai i ngjante asaj plastelinës, të cilës një dorë mjeshtri i jep formën që dëshiron.
Për shkak të largimit herët nga fshati e të ndodhjes larg tij fizikisht, nuk e kam pasur mundësinë ta shoqëroj hap pas hapi tërë veprimtarinë e sivëllait tim Nelo; prandaj, në shkrimin e këtij materiali, kam qenë i shtrënguar të vë në punë njohjen vetjake, rrëfimin e vëllait të tij – Reshatit; të vajzave dhe djalit; të të mirës Kushulle; Petrefit; Dilaverit (vëllait tim); të Ardjanit (djalit tim) si dhe të mjaft njerëzve të tjerë që më ofruan opinione. Po të ishin treguar më aktivë fëmijët dhe bashkëshortja e tij në kuptimin e dërgimit të opinioneve, kjo monografi, me siguri që do të kishte dalë më e plotë e më e saktë. Në këtë shkrim, ajo që nuk lëviz, asnjë fije, janë tiparet e njohura të karakterit të tij. Këtu mendoj të ndalem, për të sqaruar një çështje, e cila është thelbësore e jo nga ato që mund të anashkalohen.
Jeta e fshatit tonë e organizuar në kooperativën bujqësore të drejtuar nga i paharruari e i papërsëritshmi Mehmet Musa Nelaj, thirri në skenë prirjet e rinisë, si bazë e elementit njeri, për t’i orientuar ata në udhë të drejtë; atje ku ata mund të kontribuonin më tepër. Kooperativa bujqësore e Kalivaçit, për të qëndruar në një radhë me simotrat, pse jo dhe për të qenë më lart nga ato, në atë kohë, duhet të kishte dhe disa specialitete të cilat më parë nuk i kishte njohur kalivaçasi, në fshatin e tij. Se ç’kishte një kimi mes Mehmet Musait dhe Nelo Resmiut. Ata vërtet ziheshin shpesh me njëri-tjetrin, për shkaqe të punëve e qasjeve të ndryshme ndaj tyre, por, sa herë dilte në skenë një kërkesë për të përvetësuar një profesion të ri, ai drejtues ekselent e hidhte vështrimin tek Nelua. Përse ndodhte kjo? Shkurt: Të dy kishin disa tipare të përbashkëta. Të dy ishin trima e guximtarë; të dy ishin të zgjuar e orientoheshin lehtë në situatat; ishin njerëz të sakrificës e nuk donin t’ia dinin për privacionet që do të kishin; ishin këmbëngulës e nuk kënaqeshin me pak; të dy gëzonin respektin e popullaritetin e nevojshëm në komunitet.
Nelua futbollist
Në vendin tonë, fëmijët, sidomos djemtë kishin dëshirë të luanin me top. Në kohët për të cilat bëhet fjalë, më i “kultivuari” ishte futbolli. Me një top prej lecke, të përgatitur nga nënat ose me një top të vogël, të fortë, të përgatitur nga leshi i qeve, i presuar me dorë e me pështymë; tok me moshatarët, Nelua luante futboll, në Sheshin e Veldonit, tek Kryeja e shtëpisë e kudo ku gjendej një copë fushë, e rrafshët.
Kur u fut në shkollën fillore të fshatit, në Sheshe ka qenë një fushë me porta druri, me dimensione të kufizuara. Dita-ditës u rritën kërkesat, për lojën e futbollit dhe për topin. Shtati i lartë, krahët e gjatë, syri i mprehtë (siç thonë kalivaçasit, me çika) dhe guximi që e karakterizonte, zgjuan tek Nelua dhe tek ekipi me të cilin luante, dëshirën për të qenë “guardian” i portës. Dalëngadalë, duke luajtur me shokët e moshës së tij, në portë, Nelua dëftoi prirje për të mos lejuar kalimin e topit përtej vijave të portës, gjë që vulosi qenien e tij portier. Para se të niste loja e futbollit, secili nga djemtë që caktohej për të formuar skuadrën e tij, të parin zgjidhte portierin, drynin e skuadrës, i cili ishte Nelua i Resmi Nelos.
Duke parë prirjet e Nelos për të luajtur futboll në cilësinë e portierit, Mehmet Musai e dërgoi atë në Gjirokastër, në një kurs afatshkurtër ku përgatiteshin trajnerët e futbollit për kooperativat bujqësore të qarkut. E kreu me sukses e u veçua mes shokëve, Nelo Resmiu e u kthye në fshat me kokën lart se e kishte justifikuar besimin që i dhanë bashkëfshatarët e kryesisë së kooperativës bujqësore dhe kryetari i saj – Mehmet Musai.
Sapo u kthye në fshat, me seriozitetin dhe këmbënguljen që e karakterizonin, Nelua nisi nga puna për të formuar një skuadër futbolli, me djemtë më të zgjedhur, të cilët e donin lojën e futbollit dhe e luanin atë cilësisht. Nuk ishte shumë e vështirë të përzgjidhje në atë kohë futbollistë të moshave të reja, në Kalivaç. Të gjithë donin të përfshiheshin në ekipin e futbollit të fshatit. Nelua, si trajner, përfshiu në ekip, më të mirët. Ai ishte sedërmadh.
Duke njohur nivelin e ekipeve të futbollit të fshatrave përqark Kalivaçit, synonte një ekip, i cili të zinte vend nderi mes të tjerëve. Në ekipin e futbollit të Kalivaçit, fillimisht u përfshinë djem të moshës së përafërt me atë të Nelo Resmiut, me të cilët, ai kishte luajtur e ua njihte vlerat. Në ekipin që Nelua formoi, sapo mori certifikatën e trajnerit të futbollit bënin pjesë: Sami Mehmet Nelaj; Arshi Azbi Xhaferaj; Dilaver Xhevit Nelaj; Fuat Mete Sulaj; Hysen Lico Malaj; Dilaver Novruz Zenelaj dhe arsimtarët e shkollës së fshatit: Jorgo Stambolliu; Lefteri nga Vlora; Aziri etj.
Me iniciativën e Nelos trajner futbolli dhe me miratimin e kryesisë së Kooperativës Bujqësore ku “partizan” ishte vetë kryetari i saj - Mehmet Musai, në vendin e quajtur Shure, atje ku dikur ka qenë lëmi i Qemal Sherifit (aktualisht kanë bërë shtëpi djemtë e Asim Mehmetit), u ndërtua një fushë futbolli. Fusha e re e futbollit ishte në tokë arë, të parrafshuar mirë e me shumë guriçka. Portat u bënë me ca shtylla lisi, të cilat u nxorën nga Ullinjtë e Hysodosajve; kokat e shtyllave plekseshin me tel me gjemba. Pas lojës së futbollit, djemtë mblidheshin kokë me kokë e ia shkulnin këngës labçe vënçe.
Me kalimin e kohës edhe kushtet për të luajtur futboll u përmirësuan dhe Nelua, siç u jepte lojtarëve (i mësonte), ashtu dhe u kërkonte të luanin fort dhe mirë. Përmirësimet nisën nga infrastruktura. Kooperativa bujqësore siguroi topa futbolli, të kohës; këpucë me taka (futbolli); uniformë sportive dhe u morën masa për rregullimin e fushës ku luhej futboll. Masat që u morën ishin zmadhimi i fushës deri në përmasa olimpike, përmirësimi i portave (pa rrjeta), sheshimi dhe ngjeshja e truallit, vizimi etj. Lojtarët, ashtu si trajneri i tyre, Nelua, shpërbleheshin me ditë pune.
Kur fitonin, kishin dhe ndonjë premio, natyrisht në natyrë; duke ngrënë fruta, gratis. Çfarë të thuash për regjimin e futbollistëve dhe ushqimin e tyre? Ato ishin në vartësi të gjendjes ekonomike të familjeve të tyre dhe këndvështrimit që kishin pjesëtarët e familjes për lojën e futbollit.
Në zonën ku ndodhej Kalivaçi, ekipi i futbollit me trajner Nelo Resmiun, renditej i pari. Nuk e lëshonin kollaj vendin e parë kalivaçasit sedërlinj. Ata luanin futboll më mirë se futbollistët nga Krahësi; Çorrushi; Kuta etj.; rivalizonin me Qesaratin etj. Futbollistët e ekipit të Shkozës luanin më mirë e fitonin. Ata kishin në ekip disa arsimtarë nga Vlora dhe një vendas, arsimtarin (Sinan Breshani), të cilët e luanin bukur futbollin dhe shënonin gola, nga pozicione të vështira.
Edhe kur u moshua dhe hoqi dorë nga futbolli, Nelua, si i pasionuar pas këtij lloji sporti, e ndiqte ekipin, këmba-këmbës, kudo ku ai luante, dhe me një nagace (sëpatë të vogël) në qafë të dorës, siç ishte në modë tek burrat kalivaças, qëndronte prapa portës së ekipit të tij e u jepte udhëzime futbollistëve, si në kohën kur kryente detyrën e trajnerit.
Nelua i Resmi Nelos, i dha zhvillim të paparë, lojës së futbollit në Kalivaç dhe mbahet mend si futbollist e trajner i pasionuar. Më duhet të bëj një sqarim, për të paqartët: Futbolli, në Kalivaç është luajtur herët, mundet më parë se në fshatrat e tjera. Sa mbaj mend unë, bukur ka luajtur futboll Ferrik Cano Haderaj (ndjesë pastë); Skender Muharrem Nelaj; Tahir Muharrem Nelaj (ndjesë pastë); Ferrik Azis Alidervishaj; Zilfo Hamit Pashaj; Bilal Adem Malaj; Arshi Sulo Sulaj etj. etj. Çdo brez ka pasur të shquarit e tij në futboll. Këta që evidencova më sipër, nuk i përkasin të njëjtit brez. Nëse nuk kam përmendur shumë e shumë të tjerë, askush nuk duhet të shqetësohet. Mbase duhet shkruar ndonjë libër i tërë për lojën e futbollit, në Kalivaç të Tepelenës.
Nelua postier dhe korrier i fshatit
Formimi dhe zhvillimi i kooperativës bujqësore të fshatit nxorën në rend të ditës nevojën për të pasur një postier dhe një korrier të sigurt, të shpejtë e të shkathët. Më të përshtatshëm se Nelo Resmiu, në Kalivaç, ishte e zorshme të gjendej një i dytë. I ri në moshë, i shkathët, i shpejtë, i zgjuar e çfarë tipari mund t’i duhej më tepër atij njeriu Nelua i kish. Nelua e kreu këtë detyrë për 15 vjet me radhë. Çdo ditë, kur binte shi e kur gjëmonte e kërcëllonte, në erë e në suferinë, kur duhej edhe natën, me një çantë në krah e me një shkop në dorë, Nelua përshkonte rrugën, nëpër monopate; kapërcente përrenj, me ujë e pa ujë, në dimër e në verë, nga zyrat e kooperativës bujqësore, tek shtëpitë e Fetah Zenelit, të njohur si Fetah Bujku, deri në zyrën e Postë-Telegrafës në Krahës (Qendër); vajtje e ardhje. Udha ishte rreth 7 km, në vajtje e po aq, në kthim.
Atë rrugë, Nelua e përshkonte, si rregull, për një orë, duke e prerë shkurt, nëpër monopate. Kur ishte e nevojshme, sidomos në raste urgjente, Nelua, me shalë të gjata e me hap të madh, e përshkonte distancën edhe në më pak kohë.
Po çfarë mbante brenda asaj çante Nelo Resmiu? Gazetat, ato pak organe shtypi që ekzistonin. Gazetat ishin të destinuara për kooperativën bujqësore të fshatit, në tërësi, dhe për individë të veçantë të abonuar. Në çantën e Nelos gjeje përherë: Letra, telegrame, fletëthirrje, ftesa, njoftime etj. Disa fshatarë pritnin me padurim njoftimin se një njeri i tyre, i shtruar në spital, për të kryer një ndërhyrje të specializuar kirurgjikale, kishte dalë me sukses nga salla e operacionit dhe se shëndeti i tij ishte përmirësuar. Ata që kanë pasur apo kanë djem ushtarë, studentë, emigrantë etj. e kanë të qartë pritjen e tyre me ankth të një lajmi të mirë.
Telegramet, letrat, njoftimet, ishin të gëzuara e fatlume, por, në ndonjë rast ishin dhe të kobshme e përmbanin lajme ogurzeza, në të cilat njoftohej “mort”. Edhe këto njoftime, Nelua korrier, duhet t’i çonte në çdo kohë e vakt, sa më shpejt në destinacionin fundor. Disa herë, njoftimet, sidomos ato për ardhjen e një njeriu në jetë; për dasma, fejesa e gostira, etj. dërgoheshin me një copë letër, dorazi, ose me një porosi gojore. Në këto raste, Nelua i transmetonte njoftimet motamo pa luajtur nga porosia që kish marrë, e cila, në shumë raste i përngjante një amaneti. Nelua kishte pjekurinë e nevojshme për t’ia dorëzuar njoftimin, në dorë, të zotit apo të zonjës së shtëpisë e nuk “e hiqte qafë” porosinë duke e hedhur brenda avllisë, apo duke ia besuar një të parrituri.
Kur korrier Nelua përcillte njoftime të gëzuara, e zonja e shtëpisë i nxirrte atij një gotë raki, ose e ftonte në shtëpi për një kafe apo një filxhan shërbet. Nelua, i cili i njihte mirë zakonet dhe traditat e ishte djalë fshati, pa qibër, e merrte gotën e rakisë, uronte, sipas rastit: “Me jetë të gjatë; koka gur!” “Të trashëgohet dhe e pastë jetën të lumtur!” “Shyqyr që doli shëndoshë nga operacioni!” “Të vijë djali shëndoshë!” “Shyqyr që ia arrite ditës!” etj. etj., hidhte gotën e rakisë, me eks e largohej në detyrë. Pas gotës me raki, ndonëse nuk ishte alkoolist i thekur, Nelua e përshkonte me më shumë vrull atë copë udhë që i kishte mbetur. Edhe në rastet kur përçonte fatkeqësi, Nelua sërish komunikonte me të zonjën apo me të zotin e shtëpisë. Në raste si këto, ai u shprehte të helmuarve ngushëllime dhe keqardhje, me fjalët lapidare: “Qyç e liga!” Korrieri Nelo Resmi Nelaj u favorizua në këtë detyrë të vështirë falë fizikut të tij dhe zgjuarsisë natyrale, por dhe në saje të njohjes që kish, mbi terrenin e fshatit dhe mënyrën e përshkimit të tij, natën dhe ditën, në kohë të mirë e në mot të keq.
Ai mbahet mend si njëri nga korrierët më të saktë e më korrektë që ka njohur Kalivaçi i Tepelenës.
Nelua këpucar (opingar)
Dikur, në fshatin tonë kooperativist, lindi nevoja për të pasur një këpucar (opingar) permanent. Deri atëherë, bashkëfshatarët tanë i merrnin shërbimet e këpucarit, si rregull, në Tepelenë, në barakën prej dërrase të xha Resmiut dhe djemve të tij – Nimetit e Danes. Nuk ia vlente të nisej burri nga Kalivaçi e të shkonte në Tepelenë, në një udhë, 6 orë larg, për të qepur një palë opinga. Asokohe nuk njihej puna e këpucarit me ngjitje, por përdoreshin gjerësisht fëndyelli, filli i spangos i lyer me dyllë blete dhe gjilpëra bythëshqyera prej metali të fortë.
Në këto kushte, kryesia e Kooperativës Bujqësore të Kalivaçit, me iniciativën e kryetarit të saj, vizionarit - Mehmet Musa Nelaj, i cili ishte organizator i talentuar i punëve edhe në këtë fushë, vendosi të çelë një veprimtari të re, të paparë deri atëherë në fshatin tonë, - atë të këpucarit (opingarit). Shërbimi i riparimit të këpucëve (opingave) ishte delikat mbasi, përveç të tjerave, kish të bënte me të mira materiale; me të holla, kesh. Kjo “këmborë”, mund t’i varej në qafë vetëm një njeriu të besuar, i cili të mos abuzonte me paratë e fshatit e të mos kompromentohej. Si më i përshtatshmi u gjet Nelo Resmi Nelaj, i cili ishte i njohur për ndershmërinë e tij.
Jo pa qëllim, u vendos që dyqani për riparimin e këpucëve (opingave) në pronësi të kooperativës bujqësore të Kalivaçit, të ishte në Krahës (Qendër), pranë dyqanit të Nimetit, djalit të madh të Resmi Opingarit, nga Tepelena. Duke qenë në atë vend “kyç” të baraslarguar nga fshatrat e tjera, Nelua mund të kryente porosi jo vetëm për bashkëfshatarët e tij, por dhe për ata nga fshatra të tjera, si nga Krahësi; nga Zhulajt; nga Toçi; nga Qesarati; nga Anevjosa; nga Koshtani, etj. Pra, kësisoj edhe fitimi në dobi të Kooperativës Bujqësore të Kalivaçit do të ishte më i madh.
Kalivaçasi Xhevit Malko, i cili e donte shumë nipin e tij - Nelon e Resmi Nelos dhe ia njihte për bukuri prirjet dhe aftësitë, i kish dhënë Nelos një porosi, në konfidencë: “Qepi mirë opingat; ktheji mirë gozhdët (semencat), që opinga të mos mbetet në baltë apo të mos hapet lehtë, por dhe këmbët e atij që i mbath, të mos grisen prej tyre”. Kursin për këpucar, Nelua e kreu në qytetin e Gjirokastrës. Si qytet i madh, i lashtë e i zhvilluar, Gjirokastra kishte artizanë të mirë, këpucarë të dëgjuar dhe një kurs kualifikimi edhe në fushën e këpucarisë.
Rrethi i Tepelenës ku bënte pjesë dhe Kalivaçi, asokohe ishte në juridiksionin e qarkut të Gjirokastrës, ashtu si dhe sot. Kalivaçasit, për të kryer porosi të vyera, kur nuk i plotësonin dot gjetkë, i drejtoheshin qytetit të Gjirokastrës, i cili ishte më i përparuar. Nelua, në kursin e kualifikimit që përcolli në Gjirokastër, mësoi bazat e profesionit të këpucarit (opingarit); puna në këpucarinë në Krahës, në veçanti shkëmbimi i përvojës me të birin e Resmiut, Nimetin, i cili ishte i lashtë në profesion e kishte grumbulluar goxha bagazh, i erdhi mjaft në ndihmë për t’u konsoliduar si zanatçi.
Nelua, edhe në këtë shërbim, shpërblehej nga Kooperativa Bujqësore, me ditë pune, vlera e të cilave, për hir të së vërtetës ishte në kuota mjerane. Paratë që arkëtonte nga puna si këpucar, ai i derdhte në arkën e kooperativës Bujqësore të Kalivaçit, tek Hajredin Cizo Agaj, i cili ishte tepër korrekt e i saktë, në detyrën e ekonomistit, të cilën e kreu derisa doli në pension pleqërie.
Nelua berber
Kursi afatshkurtër për të mësuar zanatin e këpucarit (opingarit) nuk mbeti i vetëm, në praktikën e punës kooperativiste – bujqësore, të Nelo Resmi Nelaj. Një ditë të bukur, ai, mori udhën e largët për në qytetin e Gjirokastrës, ku organizohej një kurs afatshkurtër i djemve kooperativistë që do të mësonin profesionin e berberit. Duket si një gjë e zakonshme, të cilën mund ta kryejë për bukuri çdo njeri. Por nuk është plotësisht kështu. Le t’i referohemi praktikës shumëvjeçare të popullit, thoshin skeptikët.
A nuk rruhemi vetë, me një makinë rroje të thjeshtë e me një brisk që të pret? Po për t’u qethur; çdo njeri e ka njëfarë përvoje e mund të qethë të tjerët, por jo veten. Madje, kishte nga ata që sillnin për argument që nuk bindte njeri se kumtërit, që në kohë të kohës e kanë përdorur gërshërën, për t’u bërë “gërshërë”, me ata që nuk i kishin në fis, por që shprehnin dëshirën e mirë. Në fakt, nuk është plotësisht ashtu.
Një berber i instruktuar mirë dhe i shkathët për të kapur shpejt elementet e qethjes e të rruarjes, disponon dhe një bazë materiale e vegla pune, të cilat nuk mund t’i ketë çdo familje. Nelos, i përgatitën një kthinë, në mes të fshatit, atje ku më parë ishte shtëpia e Cano Ademit e diçka më parë dyqani i Todit nga Poliçani, ku pihej kafe e luhej bixhoz, nga burrat e fshatit. Fillimisht, bashkëfshatarët tanë, të mbarsur me mentalitete të ndryshme dhe të praktikuar me mënyrën rutine të rruarjes dhe të qethjes, nuk e frekuentonin berberhanën, jo për hir të kursimit, por për hir të rutinës e të traditës.
Dalëngadalë e duke parë njëri-tjetrin, kalivaçasit u afruan tek berberhana dhe u “ëmbëlsuan” me punën e re të Nelos. Çmimet ishin fare simbolike e mund të përballoheshin lehtë nga kooperativistët. Nelua berber, me elegancë e i sigurt në atë që bënte, njeri i muhabetit dhe njohës i mirë i traditave si dhe ndjekës i vëmendshëm i zhvillimit të ngjarjeve, bënte të mundur që gjatë qethjes apo rruarjes njerëzit të kalonin njëfarë kohe pa e kuptuar, të mësonin diçka të re dhe të dilnin nga berberhana të tjetërsuar. Shpëtuan kalivaçasit nga gërshërët e dhenve, me të cilat qetheshin meshkujt, të cilëve, pas qethjes, u dukej koka, brazda-brazda sikur u kishte kaluar plugu përsipër. Edhe nga rruarja e bezdisshme, me atë makinën e vogël të rrojes, duke përdorur, në vend të sapunit të rrojes, sapunin e rrobave dhe në vend të furçës përkatëse vinin në punë pëllëmbën e dorës.
Nuk zgjati shumë puna e berberit të kooperativës bujqësore, për Nelon, mbasi një shans tjetër i erdhi në shteg; ai u dërgua në një tjetër kurs kualifikimi, në Gjirokastër. Kursanti i përjetshëm Nelo Resmiu, kësaj radhe u dërgua për të mësuar fizarmonikën.
Nelua muzikant
Kalivaçi, tradicionalisht ishte mësuar të dëgjonte këngën e kaponjve shqirakë; blegërimat e qengjave; zhurmën e dybekëve kur manipulohej bulmeti etj. Në kohë të kohës, rrugicat me gurë të mëhallës e të fshatit, ishin të pushtuara nga meloditë e ëmbla të këmborëve të madhësive e tingujve të ndryshëm, të cilat, në kompleks, formonin një “ansambel” melodioz që të kënaqte dhe bënte të mundur që njeriu të shquante tufën, madje dhe të përcaktonte të zotin e saj. Se çobani, kur i blinte këmborët, në Gjirokastër apo më tej, në Janinë, gjithnjë kishte parasysh që në tufën e tij të tingëllinin këmborët apo zilet si një ansambel harmonik. Veglat muzikore të njohura e të përdorura nga kalivaçasit kanë qenë: Fyelli; cylla, me një grykë e ajo dyjare, boria; pipizani; bilbili dhe fyti i njeriut që artikulonte këngën labçe apo fishkëllimën e një melodie. Fyellëtarë të shquar, në Kalivaç, në kohë të ndryshme kanë qenë mjaft burra, esnafë për mbarështimin e blegtorisë. Mbahen mend si fyellëtarë të shquar: Malko Bino; Aqif Axhemi; Sabri Veizi; Flamur Kalo Dulaj dhe në kohët kooperativiste, Enver Qemal Zenelaj e shumë të tjerë.
Habi të bën mënyra e përzgjedhjes së Nelo Resmiut, për në kursin e fizarmonikës, në Gjirokastër. Ai vërtet këndonte bukur labçe – vënçe, në çdo pozicion të këngës dhe kishte zë të fortë, të pastër e të ëmbël, si marrës; si pritës dhe si hedhës që dilte mbi zërin e grupit, por, vetëm kaq nuk ishte bindës se Nelua kishte vesh për muzikë.
“Ia kish marrë dorën”, Nelo Resmiu, Gjirokastrës dhe kurseve afatshkurtra që organizoheshin. Ndoshta, kryesia mendoi se Nelua ishte konsumuar, si berber, si këpucar, si korrier etj., prandaj duhej ndryshuar specialiteti i tij. Me fizarmonikën që mësoi në Gjirokastër, Nelo Resmiu, organizoi e mori pjesë në disa veprimtari rinore, në fshat e në trevë ku organizoheshin festivale folklorike. Fizarmonika në duart e Nelos, ushtonte në festat tradicionale të fshatit, në dasma e në gëzime, por nuk e pati të gjatë; një tjetër detyrë me më tepër vlera e priste burrin e shkathët e të ndershëm; ajo e rojtarit të fushës.
Nelua – rojtar fushe
U lodh Nelo Resmiu duke u marrë me mësimin e disa zanateve. Pati dhe ndikim pozitiv kjo punë. Nelua u kompletua si njeri e u poq, jo nga mosha sa nga përvoja dhe nga hallet.
Kur mosha e tij u madhua e nuk i shkonin më profesionet që mësoi e ushtroi, u gjend për të një punë më e përshtatshme ku Nelua “u ngul” e punoi shumë kohë. Ai u caktua në detyrën e rojës së fushës. Disa premisa e bënë të detyrueshme këtë masë që mori kryesia e kooperativës bujqësore. Do të përpiqem t’i bëj të ditura për lexuesin këto premisa.
E para: prodhimet e kooperativës bujqësore u shtuan në sasi dhe në asortiment. Tashmë fusha pjellore e Kalivaçit, e cila është etiketuar si “Myzeqeja e rrethit të Tepelenës”, jepte më tepër prodhime bujqësore. Shalqini, arriti deri 20 kg për një kokërr; domatet i mblidhnin në kapule, në disa vende, në mes të arës; misri dhe gruri arritën rendimente të larta; pemët, vreshtat dhe pjergullat, ashtu si ullinjtë nisën të jepnin prodhime të bollshme. Tregues sasiorë me vlerë arriti blegtoria, etj. Vlera e ditës së punës, u rrit dhe gjendja ekonomike e ajo sociale e kooperativistëve u përmirësuan. Tregu ishte larg e rruga për në treg ishte e pashtruar; magazinat e kooperativës u mbushën e malli u magazinua sheshit.
E dyta: rritja e rendimenteve në të gjitha brigatat e arave, bëri që disa prodhime të dergjeshin në mes të fushës e të bëheshin pre e grabitësve, disa nga të cilët tashmë edhe pse ishin të rritur në moshë ishin bërë më të dëmshëm në grabitjet që bënin. Ata vepronin jo vetëm ditën, por sidomos natën e në kohë të keqe. Rojtari i mëparshëm i fushës, u lashtua e i ranë fuqitë. Ai nuk e kontrollonte të gjithë hapësirën, prandaj lindi nevoja të vendosej në këtë punë një njeri më i aftë, më i saktë, energjik e i shpejtë; me të dhëna trupore të atilla, që ku e zinte dita, nuk e gjente nata.
E treta: kërkohej një rojë fushe, i cili të njihte mirë “vatrat e nxehta” ku mund të vepronin keqbërësit, dhe të ishte i kalitur në vështirësi e të ishte autoritar, në kuptimin që t’i bënte “zap” grabitqarët. E thënë troç: keqbërësit ta kishin frikë rojën. I tillë ishte Nelo Resmiu; atij burri nuk i trembej syri e nuk pyeste fare të përballej me cilindo.
Nelo Resmiu u gjet i përshtatshëm për detyrën e rojës së fushës falë karakterit të tij, i cili, me avancimin e moshës e të halleve, u shtua e u forcua më shumë. Ai ishte i zgjuar; i shkathët; trim e guximtar, me frymë të theksuar ballafaqimi. Ai nuk mbante njeri nën sqetull e nuk e njihte korrupsionin. Nelon nuk e fuste dot njeri “në thes”. Punët e ndryshme që bëri, në kooperativë, si futbollist dhe trajner futbolli; si korrier, si këpucar, si berber dhe si fizarmonicist, i dhanë mundësi Nelos të njihte mirë njerëzit dhe prirjet e tyre.
Ai e dinte mirë: kush ishte i ndershëm e i bënte shërbim djersës së ballit dhe kujt i “zinte” dora e ishte kobatar. Nelua, i zgjuar natyralisht dhe me përvojën e me intuitën e bonjakut, i cili rri mënjanë e më shumë vrojton sa vepron, parashikonte, kur, ku, kush e si do të vepronin kobatarët, për të grabitur pasurinë e kooperativës bujqësore, të cilën e kish nën ruajtje.
Nelo Resmiu, si trim që ishte, nuk kish drojë, as nga nata pus, as nga moti i ftohtë e me suferinë, as nga qentë e shumtë, të egër e të fortë të stanit, as nga egërsirat e pyllit. Ai, me një sëpatë të vogël, në qafë të dorës, i binte fshatit kryq e tërthor, duke shkelur e duke kontrolluar të gjitha sinoret ku shtrihej kooperativa bujqësore. Nelon, e lije në Gurje dhe e gjeje në Fundin e Rredheve; ai errej në Llageme e gdhihej në Kullustra dhe brenda ditës shkelte në Moçale; në Jorga, në Xana e në Xina, në Muratova e në Luadhe; tek Ullinjtë e Hysodosajve, në Qurke; në Margellic; në Gryka e në Trapin e Çezmës; në Bishtje e në Përroin e Dardheve, duke zotëruar gjithë territorin. Nelua dinte dhe oraret e lëvizjes së bagëtive dhe njihte çobanët që i kishin nën kontroll bagëtitë e tyre dhe ata që i lëshonin ato azat, si në mallin e babait.
Për të kryer detyrën e rojtarit të fushës, Nelos i erdhi në ndihmë dhe njohja e gjerë që kish, në mëhallë e në fshat. Shokët e tij më të ngushtë ishin: Sadiku i Memes; Hydajeti i Muharrem Kamberit; Leveni i Ahmet Selfos; Mahmuti i Hysen Mahmutit etj. Ata ishin moshatarë të tij; të pjekur e me ndikim në komunitet. Edhe vetë, ai ishte i pjekur, i matur e me logjikë të shëndoshë. Kur u përzgjodh për të kryer detyrën e rojës së fushës, Nelua kish arritur pjekurinë e nevojshme për të kryer këtë mision, ishte kthyer nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak, të cilin e kreu - 2 vjet, në Vorë, ku punoi për ndërtimin e Fabrikës së tullave dhe ishte i lidhur me martesë me Kushullen, të bijën e fisnikut Barjam Rushan Muharremaj me ndërmjetësinë e mikut të përbashkët Lico Kapo Malaj, një burrë për kokën e burrit.
Në shtëpinë e re, në Shure, të mbështetur pas godinës së vëllait të tij Reshatit dhe pranë shtëpisë së Muhedin Salihut, banesë të cilën Nelua e ngriti “me thonj” e me shumë sakrifica, bëri dasmën dhe, në çift me Kushullen sollën në jetë tri vajza e një djalë, njëri pas tjetrit dhe njëri më i mirë se tjetri. Martesa e Nelos me Kushullen u realizua më 9 shtator të vitit 1970. Nelo Resmiu, kur u martua ishte 28 vjeç. Mosha e tij e rritur apo siç thonë në Kalivaç “i mbetur”, (ku djemtë martohen para se të nisen për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak) ishte disi e tejkaluar, por e justifikuar me statusin dhe me gjendjen ekonomike e sociale të tij. Nelua ishte sedërli e sedërmadh. Ai hyri dhëndër në një familje të fisme e me taban; vetë i përkiste një fisi të fisëm e me potencë, siç ishin Nelajt; prandaj i thirri mendjes dhe ndjeu, jo vetëm krenarinë që rridhte nga kjo lidhje, por dhe detyrimin për të qenë tepër korrekt.
Një faktor që ndikonte fort tek Nelua, për të mirë, natyrisht, ishte fakti që ai kishte mbi kokë, si çekan, Nënën e tij, Zonjën e Vogël të Binajve, e cila mbeti e ve në moshë mjaft të re dhe e lidhi jetën me djemtë: Reshat dhe Nelo Resmiu. Këta faktorë dhe rritja në moshë, bënë që ai, Nelo çapkëni të “shtrohej” e t’i futej punëve me më shumë seriozitet. Ndikimi i vëllait të vetëm, e më të madh në moshë, Reshatit hallemadh, të cilit i ranë hallet e mëdha mbi shpatullat e tij të njoma, akoma pa u rritur në moshë ishte, gjithashtu i fortë. Të dy, dhe Zonja e Vogël, pasi zbritën nga shtëpia që u la Resmiu në Ahmetaj, në Shure, pranë varrezës së fisit, këta të tre, e mira Xhiko dhe djali i madh i Reshatit - Petrefi, ngritën një kasolle, në shtratin e fikut të madh, e cila ishte tërë blozë dhe me sipërfaqe të kufizuar. Aty, Xhikua solli në jetë djalin e dytë - Myftarin, emrin e të cilit e inicoi, madje vendosi veton, Xheviti, i cili këmbënguli që djalit t’i vihej emri i njërit nga paraardhësit e trungut - Myftar.
Përpara autoritetit të padiskutueshëm të Xhevit Malkos dhe këmbënguljes së tij, çdo mendim tjetër ishte i pavlerë. Ndërkohë, të dy vëllezërit, vejusha Zonjë dhe e mira Xhiko, me vështirësi siguronin bukën e gojës dhe mblonin, aq sa mundnin të holla dhe sërmë për të ngritur një banesë prej guri, në mënyrë që ta pritnin Kushullen nuse në shtëpi të re, me themele guri, me mur guri e me çati me pllaka të gurta. Në fakt, Kushulla, hyri nuse në shtëpi të re dhe Noja me të dy djemtë u lumturuan, mbasi nuk ishin më në kasolle. Nuk ishin pak, por 6 dhoma (tre për Reshatin dhe 3 të tjera, për Nelon), të mbështetura tek njëra-tjetra.
Pas martesës, çifti Kushulle e Nelo Nelaj solli në jetë, njëri pas tjetrit 4 fëmijë. I pari, në vitin 1972, u lind i vetmi djalë i Nelos - të cilit i çoi emrin e të Atit të ndjerë – Resmiut. Pas tij, erdhi në jetë vajza e madhe e çiftit – Silvana (në vitin 1978), e cila çeli udhën e vajzave. Në vitin 1980 u lind Marsela (Cela) dhe pesë vjet më pas u lind Valentina me flokë me kaçurrela. Me katër fëmijë dhe vetë i dytë, situata ndryshoi goxha, Nelua e ndiente, mbi supe përgjegjësinë që kish për të rritur e për të ushqyer gjithë ato gojë.
Familja u shtua e u bënë më shumë “gojë” për të ngrënë, puna e rojtarit të fushës që bënte Nelua dhe puna e Kushulles në brigatën e arave, nuk mjaftonin për të siguruar mjetet e jetesës. Si sedërli e sedërmadh, Nelo Resmiu, nuk mund të pajtohej me një gjendje ekonomiko - sociale më të ulët se familjet e tjera të fisit, të mëhallës e të rrethit shoqëror e miqësor të tij. E “vrau” mendjen mentari Nelo dhe gjeti një zgjidhje të vështirë, por që ishte në mundësitë e tij. Ai u lidh me sivëllain e tij, Dilaverin e Xhevit Malkos, i cili banonte e punonte në Tiranë dhe ishte djalë i shkathët, si Nelua. Ata u lidhën në një bashkëpunim tregtar me leverdi të dyanshme.
Dilaveri e furnizonte Nelon me mallra industriale dhe me metrazhe, nga ato që kërkoheshin nga banorët e Kalivaçit dhe ishin mallra deficitare. Kjo zgjidhje ishte tepër e zgjuar dhe interesante. Do të përpiqem ta riprodhoj këtë mënyrë organizimi të paparë, ashtu siç ka ngjarë:
Dilaveri, me paratë e tij, blinte, në Tiranë, tek tregshumi, veshje të ndryshme, metrazhe për perde e për mbulesa divanesh; perde të holla, enë kuzhine, litare e mjete të tjera ngarkese, kosa bari, makina qumështi, kafe etj. etj. Mallrat, Dilaveri i paketonte dhe ia çonte njërit nga shoferët e autobusit të linjës Tiranë – Tepelenë, i cili i transportonte, deri në Krahës (Qendër), kundrejt një pagese simbolike. Ndërkohë, Nelua, me një kafshë ngarkese, dilte në Krahas dhe merrte porosinë të cilën e çonte në Kalivaç. Në shtëpinë e tij, në Kalivaç, njërën nga dhomat, ngjitur me atë ku mblidheshin fëmijët, me dritare nga mëhalla e Ahmetajve, e kishte shndërruar në dyqan. Këtë e mësuan banorët e mëhallës dhe të fshatit, të cilët, vërshuan, si bletët në lule dhe disa blenë e disa shuan kureshtjen. Për hir të së vërtetës, pazarin më të madh dhe xhiron e dyqanit, e mbanin, kryesisht gratë, në veçanti, bashkëshortja e Tafil Mane Zenelaj, e cila ishte e abonuar.
U erdhi koha shitjes së kosave të barit, një material deficitar, jo vetëm në Kalivaç por dhe në Shkozë; në Golimbas, në Dushkarak e në fshatrat anës Vjosës. I merrte në krah, Nelua kosat e barit, kapërcente lumin, herë në lundër e herë në vah dhe me atë ngarkesë të madhe (kosat e barit janë metalike) udhëtonte me orë të tëra, duke u ndalur atje ku kishte kërkesë për to. Një herë në muaj (si rregull), Dilaveri vinte në Kalivaç dhe të dy me Nelon bënin bilancin e punës.
Nga kjo tregti, pa licencë, të dyja palët fitonin. Nga fitimi hiqnin shpenzimet e blerjes së mallit, shpenzimet e transportimit dhe pjesën e fitimit neto e ndanin mes tyre. Vajtja në Kalivaç, të paktën një herë në muaj; Diaverit i nxirrte mallin për fshatin të cilin e donte dhe e do shumë.
Në vitin 1970, më 9 shtator, Nelua u martua me Kushullen, të bijën e Barjam Rushan Muharremaj. Fëmijët që solli në jetë çifti Kushulle - Nelo Nelaj, erdhën njëri pas tjetrit në atë kalvar vuajtjesh e sakrificash të prindërve të tyre të mirë. Vajzat u rritën më shpejt e u bënë për të vajtur nuse, në derë të huaj. Ato, të trija ishin tepër simpatike, si Nëna dhe Babai i tyre dhe nuk i linte njeri “të binin në shesh”!
Në atë shtëpi, lajmësit hynin e dilnin njëri pas tjetrit, për të kërkuar dorën e vajzave dhe fjalën e prindërve të tyre. Siç dihet, zakoni e donte që vulën apo fjalën e fundit ta jepte i zoti i shtëpisë, Nelua, i cili ishte i zgjuar e i mençur dhe kishte njohje të gjerë. Ai, para se të vendoste, e kish studiuar e gjykuar rastin, në të gjitha anët e nuk binte kollaj si “kova në pus”.
Vajza e parë e çiftit - Silvana (Vaci), në muajin maj të vitit 1992 u fejua dhe në shtator të vitit 1993, vajti nuse në derën e fisme të Palajve, në fshatin Mazhar të rrethit të Vlorës. Ajo u martua me simpatikun Andrea Resmi Palaj, i cili ishte djalë në kohët, i zhvilluar fizikisht e i shkathët; me flokë të zinj, me onde, të cilat e bënin më të pashëm e ia shtonin bukurinë e fytyrës së tij zeshkane. Andrea ishte një “yll” i vërtetë; djalë për kokën e djalit. Dy “yje”, i puqi fati me njëri-tjetrin e ata u bënë një çift i lakmuar.
Në fejesën e tyre, kur Nelua i ktheu vizitën krushkut Resmi, në Mazhar, pata fatin të ndodhesha në përbërje të dërgatës. Po mundohem t’i riprodhoj, pas kaq vitesh, me firot e justifikuara, ato impresione të rralla. Në dërgatë bënin pjesë: Krushku - Nelo Resmi Nelaj; vëllai i tij i vetëm e më i madh në moshë – Reshat Resmi Nelaj; Selman Resul Nelaj, djalë xhaxhai, kushëri i parë; Niazi Xhevit Nelaj, kushëri i dytë dhe Laver Feim Pajaj, nga Shkoza e rrethit të Vlorës, i biri i Shaze Neles, kushëri i parë i vëllezërve jetimë. U bëmë tok (me Laverin) tek shtëpia e Teki Sulos dhe ngjitëm tërë qejf të përpjetën, që të çon në Mazhar. Shtëpinë Krushku Resmi Palaj e kishte në krye të fshatit, disi të shkëputur prej tij, pranë udhës automobilistike, Vlorë - Tepelenë.
Si rregull, në të tilla raste, bëhej punë përgatitore nga të zotët e shtëpisë, për pritjen e miqve që vinin në shtëpinë e tyre për herë të parë. Shtëpitë, avllitë, rrugicat llamburisnin nga pastërtia dhe nga era e gëlqeres. Burrave dhe grave të asaj shtëpie dhe të gjitonëve përreth, të cilët ishin të të njëjtit “zjarr”, sikur u kishte mbirë buzëqeshja në buzë. Njerëzit nuk e kursenin buzëqeshjen dhe fjalën e mirëseardhjes. Jashtë e brenda, çdo gjë, ishte në vendin e vet dhe shkëlqente.
U befasova kur në radhën e burrave të rreshtuar për të na mirëseardhur, i shtrëngova dorën vëllait të Resmi Palit, Azemit të Palajve, xhaxhait të dhëndrit të Nelos. Azemin e kisha njohur kur shërbeja në Regjimentin “Peza” të Qytetit “Stalin”, në vitin 1966 dhe e gjeta, aty, rrëzë Malit të Bardhë, në një fejesë të mbesës sime – Silvane me nipin e tij Andre. Një takim i papritur ky yni. Azemi, duke ardhur në fshatin e origjinës, të cilin e donte shumë, me një gur “vrau” dy zogj; u çmall me të tijtë dhe fejoi nipin. Prania e Azemit në këtë mjedis e në këtë ziafet, më ngrohu.
Ai ishte njeri i traditës e i zakonit dhe e pata mbështetje të fuqishme në ato ditë gëzimi, atje rrëzë malit të Kurorës. Këtë e vura re gjatë gjithë atyre ditëve, tek mbante anën time, në çdo rast e nuk më la në vështirësi.
Vajtëm në Palaj për të kryer një rit, por nuk largoheshim dot prej andej. Resmiu kishte disa vëllezër dhe, sipas traditës, ata që morën pjesë në gostinë e pritjes, do të na ofronin, bujarisht edhe pritjen në shtëpitë e tyre. Darkën e mirëseardhjes e shtruam në shtëpinë e krushkut, Resmi Palit; dy vakte të tjera, gostia u shtrua nga dy xhaxhallarë të Andreas (vëllezër të Resmi Palit), nga Reufi dhe nga Fatjari. Palajt, si njerëz të traditës, nuk e “lëshonin” mikun, pa e “shtrydhur mirë”. Në darkën që shtroi Resmiu, sipas traditës, qoshen e djathtë e, për rrjedhojë, rolin e dollibashit e kishte Reshati, vëlla i Nelos.
Të nesërmen, për drekë, na mbajti njëri nga xhaxhallarët e Andreas. Qoshja e djathtë u zaptua nga krushku Nelo. Të dy vëllezërit, si Reshati dhe Nelua, ishin zotër të qoshes, dhe dinin të pinin raki, por dhe të drejtonin muhabetin.
Çdo gjë vajti si në vaj. Mishi i pjekur në hell, nga bagëtitë e imëta të kullotura me bar mali, të hollë, kundërmonte deri në rrugën automobilistike. Rakia e rrushit, e fortë dhe e papërzier, e nxjerrë nga rrushi i pjergullave dhe herekeve që mbulonin avllitë, nuk kishte të sharë. Kënga dhe vallja labçe, zienin dhe e përcillnin jehonën e asaj fejese lart, shpatit të malit të Bardhë. Dikur, kanë pas thënë: “Mik të jesh, por miq të mos kesh!”
Jo se miku është i padëshiruar në një shtëpi, por për faktin e vetëm se ardhja e një miku sjell mjaft telashe e angazhime për pritësin. Kërkohet të bëhen shumë përgatitje të lodhshme fizike dhe materiale.
Më e vështirë dhe disi e trazuar ishte darka e dytë. Vaktet pasonin njëri-tjetrin e dukej sikur sufraja nuk ishte ngritur fare nga sheshi i odës. Siklet i madh, për ne miqtë e rinj. Duhet të rrinim të ngrehosur, për të demonstruar se çoç ishim dhe se Palajt kishin bërë krushqi me vlerë, e cila i shkonte fisnikërisë së tyre. Kështu dhe sjellja jonë duhet të dëftonte fisnikëri.
Prandaj na duhej të flisnim pak e më shumë të “blinim”, të mos pinim shumë raki, sa të bëheshim tapë dhe të respektonim traditat e vendasve, të cilat ishin të përafërta me ato tonat. Mirëpo çfarë t’i bënim mishit të pjekur që kishim ngrënë, i cili do 4 - 5 ditë që të tretet dhe rakisë së fortë, e cila të turbullon gjykimin?
Në darkë, për të bërë adetin, sapo u err, u shtrua trapezi. Qoshen e djathtë dhe drejtimin e gostisë i takoi t’i merrte Selman Resuli, djalë xhaxhai, kushëri i parë i vëllezërve bonjakë. Mora pozicionin e mesfushorit, pa funksione. Kryeja rolin e këshilltarit. Selmani, i cili i njihte mirë traditat dhe zakonet, e nisi mirë drejtimin e muhabetit.
Si njeri i drejtë e i ndershëm, ai donte të printe me shembullin vetjak, trapezin dhe çdo gotë me raki që ngrinte e pinte vetë i pari, me fund. Mbasi piu, i shpejtuar, siç ish, disa gota njëra pas tjetrës, deklaroi: “U dorëzova, kaq e pata, nuk e drejtoj dot më muhabetin” dhe u tërhoq nga gara.
Ndiqja me vëmendje zhvillimin e situatave dhe nuk m’u durua, por në inat e sipër iu drejtova kushëririt tim me fjalë të ashpra, i thashë Selmanit: “Hidhu përtej në Koçimare e ruaj lopët!” Dhe, vijova më tej: “Le ta drejtojë muhabetin Laveri i Hallo Shazës, i cili ka ustallëk në këto punë.” Ashtu u bë. Ma dëgjuan fjalën. Më tej, Selmani luante, pa top, kurse Laver Feimi, vriste e priste, por gjak nuk nxirrte. Për të çtensionuar situatën, ia shkula një kënge labçe, me derte.
Kënga invokonte mbetjen bonjakë të dy vëllezërve, rritjen e tyre me shumë mundime e sakrifica dhe faktin se ia arritën ditës të plekseshin me krushqi me njerëz të fisëm e të mirë, siç ishin Palajt. Pjesëmarrësit në davet, u prekën shumë, nga fjalët e këngës sipas të cilës, bonjakët nuk e kanë njohur babanë... Ata, me iniciativë, pas këngës, ngritën dolli, jashtë radhe, për jetimët.
Të nesërmen, kur na doli gjumi e kur na liroi kokën rakia, dolëm nga shtëpia e Resmi Palit dhe, ashtu, çakërrqejf e të lumturuar, morëm tatëpjetën për të lënë Mazharin e për të zbritur tek lundra e Kalivaçit. Kishim përfunduar një aksion me shumë vlerë; ishim lidhur me miqësi të dëshiruar. Edhe krushqit e rinj që lamë në Palaj, pamë se ishin tepër të kënaqur, nga kjo lidhje miqësie. Këtë e vështronim në të gjithë sjelljen e tyre dashamirëse dhe në sytë që u xixëllonin nga kënaqësia. U ndamë, të përqafuar, sikur njiheshim prej kohësh dhe i uruam njëri-tjetrit: “Ta kemi të pandarë!”
Laveri erdhi me ne. Ai, kur do të kthehej për në Shkozë, tek Bregu i Dashit, na ftoi të ktheheshim në shtëpinë e tij, siç ishim, por ne nuk na e donte puna të harxhonim kohë tjetër.
Në kohën kur ngjau kjo, Nelua ishte i papunë. Kooperativa Bujqësore e fshatit ishte shpërbërë. Mallin e saj, atë që i shpëtoi grabitjes, e kishin ndarë me mirëkuptim. Bekshiu nuk hynte më në punë, mbasi nuk kishte çfarë të ruante. Nelos i ra në pjesë një lopë balashe, me një bri, e cila hante gjysmën e fushës së Kalivaçit, por dhe jepte rreth 20 litra qumësht.
Nelua nuk e mbante dot, gjithë atë bina, dhe ia shiti, me këste Lumturisë, në Krahës. Fëmijët e motrës, të vegjël në atë kohë, kur vinte lopa në darkë, thoshin, pa teklif: “Po vjen hallo shyta!” Lumturisë i vinte inat dhe reagonte, me sharje e me mallkime.
Nelua tregtar shëtitës
I mbetur pa punë dhe me një numër gojësh, në familje, me tri vajza, të cilat u bënë për t’u martuar njëra pas tjetrës, Nelua e gjeti rrugëdaljen. I zgjuari si ai, nuk mbetet në baltë, por del vetë prej saj. Në shoqëri me Sadikun e Memes dhe me Hydajetin e Muharrem Kamberit, Nelua shkonte në Kurvelesh e në Lopës, blinte atje bagëti, lirë, të cilat i çonte në Fier ku, në atë kohë bagëtitë shkonin më shtrenjtë. Diferencën shitje - blerje ata e ndanin mes tyre dhe me fitimet, ata mbanin shtëpinë. Nuk ishte i vogël fitimi që nxirrnin tre ortakët.
Me ato para, Nelua mbajti shtëpinë e miqësinë dhe përcolli nuse tri vajzat, njëra pas tjetrës. Pas Silvanes, e cila u vesh nuse më 30 korrik të vitit 2000, u martua Marsela, në Memaliaj, dhe pas saj Valentina, më 26 gusht të vitit 2007, në Vlorë.
Në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit të 21, si rezultat i vuajtjeve të fëmijërisë dhe të jetës së tij plot oshilacione; i karakterit të tij të ndjeshëm dhe gdhirjes së neteve të ftohta e me lagështirë, në natyrë të hapët, Nelo Resmiu u sëmur nga një sëmundje e rrallë e veshkave. Erdhi në Tiranë. Ardjani, kirurg i njohur e i kërkuar, i cili ishte nip i tij dhe që e donte dhe e respektonte shumë, në pamundësi objektive për ta shoqëruar, e ndihmoi të kontrollohej tek specialistët më në zë të fushës. Ai e konsultoi tek mjekë nga ata më në zë, vuri në punë dhe njohuritë e tij profesionale dhe u arrit në përfundimin se në atë kohë, në kushtet hospitalore të vendit dhe me potencialet intelektuale e shkencore shqiptare, nuk ishte e mundur një ndërhyrje, në atë vend ku ishte shfaqur sëmundja. U bind dhe vetë Nelua, i cili kish shumë besim tek Ardjani dhe në fjalën e tij dhe, i dëshpëruar mori udhën për në Kalivaç. E kam parë me sy, ndarjen e Ardjanit, nga Nelua. Ardjani e puthi në ballë e nuk dëgjova çfarë i pëshpëriti, por nga sa kuptova, ky ishte takimi i lamtumirës.
Si njeri shumë i zgjuar e largpamës, Nelo Resmiu e kuptoi se rasti i tij ishte fatkeq dhe se sëmundja e tij ishte fatale për jetën. Me qëllim që të mos dergjej e të mos ligështonte fëmijët, vëllanë, Kushullen dhe të tijtë, Nelua, në vitin e fundit të jetës, i shëtiti miqtë, një nga një, të gjithë me radhë, për t’i takuar për herë të fundit e për t’u lënë lamtumirën. Në titull, kam theksuar se ai e donte shumë jetën dhe e jetoi atë intensivisht. Dashuria e tij për jetën u duk qartë, sidomos në ditët e fundit të jetës së tij. E dinte që nuk kish shpëtim, por donte ta shtynte sa më tej fundin.
Këmbënguli ta çonin në spitalin rajonal të Krahësit, ku mundësitë e kurimit ishin tepër të kufizuara. U shtrua në spital e nuk donte të dilte që andej. Këmbënguli, deri në frymëmarrjen e fundit për t’i bërë qetësues të fortë. Iu mblodhën rreth krevatit fëmijët, bashkëshortja, të dashurit e shumtë të tij, të cilët, megjithë dëshirën e mirë nuk mundën t’i jepnin asnjë lloj ndihme, përveç kurajos. Po ta gjykosh, me mendimin e kohës, nuk dihet nëse i bëri mirë apo i bëri keq gjendjes psikologjike të Nelos gjithë ajo mori njerëzish që i qëndronin tek koka.
Nelo Resmi Nelaj u nda nga jeta më 20 prill të vitit 2009, në Spitalin Rajonal të Krahësit. Djali i madh i Lumturisë, Sulua, i bleu kostum, këpucë dhe veshje të tjera, për ta përcjellë, siç i takonte. Andrea Resmi Palaj, bashkëshorti i Silvanes, tentoi t’i jepte të hollat që shpenzoi Bushua për këtë qëllim, por, ky, duke refuzuar ofertën, iu drejtua Andreas: “Kam dhe unë pjesë, në këtë çështje; jam nip, në atë shtëpi!” Kur Andrea, këmbënguli e i tha Sulos se paratë ia ka dhënë Silvana; Bushua, me pjekuri i tha dhëndrit: “Silvana le të blejë diçka tjetër!” Dhe debati u mbyll.
Përcjellja e të mirit, Nelo Resmi Nelaj, u bë nga një lumë njerëzish, të nesërmen, më 21 prill të vitit 2009, në varrezat e fisit. Fjalën e lamtumirës e mbajti drejtori i Shkollës 9-vjeçare të fshatit Kalivaç të Tepelenës, Muharrem Haredin Agaj. Pas përcjelljes së të ndjerit, kur njerëzit u kthyen në shtëpinë e Nelos, për të ndjekur ritet, vëllai i Nelos - Reshat Resmiu, i cili e ndjeu shumë vdekjen e vëllait, tek priste ngushëllimet, me lot në sy e me duar që i dridheshin tha: “Na iku komandanti!” Jeta e vërtetoi dhe po e vërteton këtë profeci të Reshatit.
I paharruar qoftë kujtimi i Nelo Resmi Nelaj; t’i rrojnë ata që la pas; u pastë lënë jetën fëmijëve!
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, kushëri i dytë i Nelos. Në Tiranë, në muajt nëntor - dhjetor 2020
Opinione
Nëse do të ishte e mundur të pyesja gjithë sa e kanë njohur apo kanë punuar me Nelon, kam siguri se për atë burrë, të gjithë do të bërtisnin, në kor: I papërsëritshëm! Ky vlerësim më duket si më i merituari. Megjithatë, nuk mbeta fare pa gjë. Bisedova me disa njerëz, po ju përcjell opinionet e dy prej tyre, të cilët kanë qenë për shumë kohë pranë Nelos ose i janë ndodhur pranë në çaste kritike për jetën e tij.
1. Dilaver Xhevit Nelaj
“Jam rritur e u bëra i moshuar, së bashku me Nelon, e kisha kushëri të dytë dhe rrethanat e jetës u shtjelluan në mënyrë të atillë sa i thonim njëri-tjetrit, pa asnjë rezervë - vëlla”. Ja çfarë më tha im vëlla - Dilaveri:
«Nelua ishte i zgjuar, natyralisht. Shtatlartë, simpatik, i qeshur e i papërtuar. Me zgjuarsinë e tij, Nelua kapte çdo zanat dhe e ushtronte atë, me kompetencë. Mehmet Musai, i cili kreu detyrën e Kryetarit të Kooperativës Bujqësore të Kalivaçit, shumë vite me radhë, kur ishte fjala për të mësuar zanate të reja, megjithëse grindej me Nelon, atë përzgjidhte për ta çuar në kurs specializimi. E përzgjidhte Nelon, për arsye se ai ishte aktiv e i zoti e se kishte besim se do ta nderonte. Kur u dha orientimi për të pasur një këpucar, Nelon e caktuan të mësonte në një kurs në Gjirokastër dhe ai punoi, në Krahës (qendër), jo në Kalivaç, ku ishte kooperativa bujqësore. Xhaxhakua (babai ynë), i cili e donte shumë Nelon, për vlerat që ai kish, i jepte porosi: “Nelo, futja gozhdën që t’i dalë tej për tej opingës dhe ktheje, si tel; mjafton që mos e pengojë njeriun…!”
Nelon e çuan në Gjirokastër ku mësoi zanatin e berberit. Nelua e bëri dyqanin (berberhanën) tek dyqani i Todit, nga Poliçani. Aty, ai qethte e rruante bashkëfshatarët. Në të njëjtën kohë, kryente dhe detyrën e rojës së fushës. Mehmeti e aktivizonte Nelon se ngjanin me njëri-tjetrin. Ata kishin disa tipare të përbashkëta.
Nelua kreu një kurs 6-mujor, në Gjirokastër, për trajner futbolli. Ai i organizoi djemtë e fshatit për të luajtur futboll, me rregulla, jo sporadik, si më parë. Me futbollistët më të mirë të fshatit, Nelua formoi një ekip futbolli, i cili konkurronte në trevë. Fushën e futbollit e ndërtuan aty ku ka pasur lëmin Qemal Sherifi dhe ku djemtë e Asim Mehmetit kanë bërë shtëpi. Në ekipin e futbollit që përfaqësonte Kalivaçin bënin pjesë: Nelo Nelaj; Dilaver Nelaj; Sami Nelaj; Fuat Sulaj; Hysen Malaj; Dilaver Zenelaj, etj. Nelon e kishim dhe trajner.
Në ekipin tonë luante dhe Arshi Xhaferaj nga Mecajt, i cili ishte i fuqishëm. Bukur luanin futboll arsimtarët: Jorgo Stambuli; Lefteri nga Vlora dhe një tjetër, arsimtar. Luanim kundra ekipeve të futbollit të fshatit Çorrush; Kutë; Shkozë; Krahës; Toç dhe Qesaratit etj. Në zonën tonë ishim më të mirët. Ekipi i futbollit i Shkozës, luante më mirë. Në ekipin e tyre luanin disa arsimtarë nga Vlora, të cilët ishin futbollistë, të kualifikuar.
Nelua kishte shokë të gjallë, si vetja e tij. Shokë të ngushtë të tij ishin: Hydajeti i Tajanes dhe i Muharrem Kamberit; Sadiku i Memes dhe Leveni i Ahmet Selfos. Shoqëri kishte dhe me Mahmutin e Sados e të Hysen Mahmutit, por jo si me dy të parët.
Nelua ishte mjaft i zoti dhe mund të merrej me çdo lloj tregtie. Ai, vazhdimisht përjetonte një dhimbje koke, të fortë, të cilën e duronte dhe dukej sikur nuk kishte gjë. Dikur, pas viteve ’90, kur kooperativa bujqësore u shpërbë e ai mbeti, pa punë, së bashku me Hydajetin dhe me Sadikun, ushtroi tregtinë e kafshëve dhe të bagëtive të imëta. Ata blinin dele, dhi, lopë, kafshë pune etj. në fshatrat e Kurveleshit dhe në ato të Lopësit, ku këto shiteshin me çmime më të ulëta dhe i çonin në tregun e Fierit ku shiteshin më shtrenjtë.
Nga diferenca e çmimeve, nxirrnin fitimin, të tre. Nelua ushtroi dhe tregtinë e drithit e të produkteve ushqimore e industriale. Shtëpinë e bëri dyqan. Dikur, bëri tregti me mallra industriale, me të cilat e furnizoja unë. Me mallra në krah ose mbi një gomar, ai shkonte në Shkozë; në Golimbas, në Çorrush e në Kutë dhe gjetkë.
Ai, në çështje të tregtisë ishte i zoti, i mprehtë e i saktë.
Xhevit Malkon e donte shumë; Xheviti, gjithashtu e donte dhe e respektonte tej mase, Nelon. Mes tyre kishte një lidhje të natyrshme; ata kishin të njëjtin gjen. Xheviti, i sillte dhentë, në shtëpi, në mukthit (kur binte errësira). Në mot të keq, kur frynte erë e binte shi, Nelua i dilte përpara Xhaxhakos, e priste tek Fieri i Metes dhe e shoqëronte derisa i fuste bagëtitë në kasolle. Në fundvitin 1960, kur Xhevit Malkua solli dhentë nga Panariti i Korçës ku i kishte shpurë për verim, Nelua doli, tek shtëpitë e Mahmut Imerit, në Dorzë dhe e shoqëroi deri në shtëpi.
Në stinën e thatë, Xhaxhakua i gdhinte dhentë në Rredhe. Nelua, në çdo orë të ditës (natës) i çonte xhaxhait plak, ushqimin. Ai nuk kish frikë, as nga egërsirat; as nga qentë e stanit, të cilët, zakonisht natën, lëshoheshin nga zinxhiri.
Nelo Resmiu kishte hobi gjuetinë, me çifte dhe me dyfek. Ai, dilte në gjueti, në shoqërinë e Shyqyri Abedinit të Hadere dhe të Dilaverit të Xhevit Malkos. Nelua ishte i lehtë e i shpejtë në të ecur dhe me sy të mprehtë, si të shqiponjës. Gjuante kafshë të egra pylli dhe shpendë në sezonet e lejuara. Për të nxjerrë gjahun, kishte një palo zagar i cili nuk ia thoshte për gjueti.
Sipas rregullave të kohës dhe moshës, Nelua e frekuentoi shkollën e fshatit, vetëm në katër klasë të fillores. Ishte bonjak e i duhej të kontribuonte për mbajtjen e familjes, prandaj u shkëput nga shkolla. Kur u rrit e kuptoi domosdoshmërinë e arsimimit, Nelua u fut, sërish në shkollë, dhe e vijoi atë, aty ku e kishte lënë. Natën, ai nisi klasën e pestë dhe përfundoi klasën e tetë, në Kalivaç. Shokë shkolle kishte: Mehmet Hysenin; Mahmut Hysen Alidervishaj; Leven Ahmet Zenelaj; Selfo Novruz Zenelaj; Haxhi Xhemal Nelaj etj.
Me Mahmutin e hallo Sados, Nelua kishte shoqëri, ashtu dhe me Levenin e Ahmetit, por jo aq të ngushtë sa shoqëria me Hydajetin dhe me Sadikun. Nelua ishte kurajoz dhe mjaft aktiv, në diskutimet që bëheshin në fshat. Ai ishte lexues i rregullt i shtypit të kohës dhe kishte informacion mbi zhvillimet e kohës; interpretonte drejt çështjet që shtroheshin për diskutim.
Nelo Resmiu u martua në moshë relativisht të madhe, po të mbajmë parasysh martesat e djemve të Kalivaçit. Në atë kohë, mosha në të cilën u martua Nelua, për një djalë fshati quhej e madhe dhe djali konsiderohej, i mbetur. Megjithatë, ai ishte i ri në moshë dhe fukara nga gjendja ekonomike. Me thonj, bëri shtëpinë e ngriti ekonominë, siç thonë në Kalivaç; “e ndezi zjarrin me vete”. Nuk duhet harruar roli i Nënës së tij – Zonjës së Vogël të Binajve, e cila mendonte se do t’i largohej djali që rriti vejushe, po ta martonte.
Mblesërinë, për lidhjen e tij me Kushullen, të bijën e Barjam Rushan Muharremaj, e ka bërë bashkëfshatari ynë – Lico Kapo Malaj. Licua ishte në lidhje miqësore me Barjamin; të dy kishin të njëjtin defekt; ishin “të vrarë” nga veshët. Nelua kishte tipare karakteristike, të pëlqyeshme. Ai ishte shtatlartë, simpatik, plot gjallëri, mikpritës dhe i dashur me njerëzit. Karakteristikë të veçantë, Nelua kishte “mbajtjen” e miqve të tij dhe atyre të trungut familjar.
Ai mbante lidhje miqësore, si me miqtë që kishte bërë vetë dhe me ata që kishte gjetur. U shkonte, i priste e i përcillte, me nderimet e nevojshme.
Nelua u shkonte miqve në çdo rast e për çdo sebep, por dhe kur e merrte malli për ta. Ai merrte udhën, me shumë dëshirë, për të shkuar në fshatin Shkozë të rrethit të Vlorës; ku kishte derën e babës së Nënës së tij - Zonjës së Vogël të Binajve. Me mall takonte gjyshe Qerimenë, dajo Idainë dhe fisin e origjinës së Nënës së tij. Mbresëlënëse ishte “guida” e Nelos, në fund të jetës së tij.
Pas analizave mjekësore dhe konsultave që kreu në spitalin “Nënë Tereza” të Tiranës, me interesimin e drejtpërdrejtë të nipit të tij, dr. Ardjanit dhe përgjigjes negative që mori, se sëmundja e tij, nuk mund të mjekohej e të shërohej në kushtet e shërbimit shëndetësor të vendit tonë, të asaj kohe, Nelua mësoi se jetën e kish të kufizuar dhe se, së shpejti do të ndahej prej saj. Atëherë, ai vendosi të shkonte tek çdo mik, për ta takuar, për herë të fundit. U shkoi në familje tri vajzave: Silvanes; Marseles dhe Valentines. Erdhi në Tiranë, për të takuar teze Shanijen dhe të sajtë; takoi sivëllezërit Dilaver e Niazi dhe fëmijët e tyre. Takoi Ardjanin, të cilin e donte dhe e respektonte shumë.
Interesant e i dhimbshëm ishte ky takim. Nelua, duke iu drejtuar nipit, i tha: “Nuk kam ardhur të më shërosh; e di që nuk kam shpëtim, por kam ardhur të të takoj për herë të fundit!” Një takim e ndarje me shumë dhimbje e lot. Ardjani iu afrua, e puthi në ballë e nuk mundi t’i mbante lotët.
Nelo Resmiu e donte shumë jetën dhe përpiqej të përfitonte sa më shumë, prej saj. Ai bëri të pamundurën për ta shtyrë, sa më larg vdekjen. Kushulla, një grua e traditës e cila e donte shumë burrin me të cilin kaloi jetën e solli në jetë 4 fëmijë, përgjërohej për Nelon e i shërbeu me përkushtim, deri në frymën e fundit. Vetë Nelua, i cili e vështronte qartë fundin e jetës, kërkonte ta shtynte qoftë dhe një orë të vetme ndarjen nga jeta. Prandaj kërkoi të shtrohej në Spitalin Rajonal të Krahësit ku të përcillte ditët e fundit të jetës. Ai mendoi se në spital, ndoshta do të gjendej ndonjë mundësi më tepër se në Kalivaç, për t’i dhënë ndihmë më të kualifikuar.
Mendimi i Nelos për të qëndruar i shtruar në spitalin e Krahësit, ndeshi në kundërshtimin e pjesëtarëve të familjes së tij. Ata e donin shumë njeriun e tyre dhe nuk ndiheshin mirë ta linin në dorë të botës, në çastet e fundit të jetës. Kur e kuptoi këtë, Nelua vendosi të shfrytëzonte autoritetin e kryetarit të familjes, i bindur se fjala e tij, me peshë, do të kish efekt pozitiv. Ai thirri djalin e vetëm, Resminë, të cilit i tha: “Po të jesh djali im, më shpjer në spitalin e Krahësit!” I ndodhur ngushtë, Resua, e hipi të Atin në makinën e tij, bens Mercedes dhe e shtroi në spitalin e Krahësit, ku dhe u nda nga jeta, më 20 prill të vitit 2009, i rrethuar nga fëmijët, familjarët, të afërmit, miq e shokë të shumtë të tij.
Kostumin e zi të përcjelljes, ia bleu Sulo Tefik Llakaj, djali i Lumturisë. Ai siguroi dhe arkivolin. Dhëndri i madh i familjes, Andrea Resmi Palaj, bashkëshorti i Silvanes; nxori dhe tentoi t’i jepte Sulos, paratë që ai kishte shpenzuar për blerjen e kostumit mortor dhe të arkivolit, me pretendimin se këto para ia kishte dhënë Silvana. Sulua nuk i pranoi paratë që iu ofruan, dhe ktheu një përgjigje sa fisnike, aq dinjitoze. Bushua (Sulo Llakaj) iu përgjigj Andreas: “Merri ato para e futi në xhep, se unë jam nip në atë prag dhe kam pjesën time; sa për Silvanen që t’i paska dhënë; i thuaj t’i marrë ndonjë gjë tjetër të Atit; këto shpenzime janë të miat!” Kështu u mbyll kjo kundërshti në mort.
Vdekja e Nelo Resmiut, bonjakut që u rrit në vështirësi dhe e përballoi jetën duke e parë në sy, me guxim e me krenari, la pas shumë dhimbje e brengë. Një lumë njerëzish e përcollën në banesën e fundit. E qanë me kujë e me ligje, iu bënë të gjitha ritet; zia mbuloi atë anë fushe dhe gjithë fshatin. Vëllai i tij i vetëm – Reshati, tek priste ngushëllimet, në dhomën e pritjes së shtëpisë së Nelos, një burri i tha: “Për të mira e në gëzime të ardhshim, por neve na ka ikur komandanti…!” Nelua ishte një komandant i mirë, trim e guximtar.
Ai dhe Xhelo Resuli ishin në atë trung. Pas tij, Binajt u bënë perra - perra.
Nelua ishte mikpritës dhe e shtinte shtëpinë në shesh, për të nderuar mikun. Në ditët e fundit të jetës, dëfton Dilaveri, i vajta për ta parë, së bashku me bashkëshorten time, të ndjerë. E pamë, biseduam me të dhe kur dita ishte në të ngrysur, i thamë se do të iknim. U mërzit shumë; ngriti kokën nga jastëku e tha: “Po ikët ju, do të vij dhe unë, pas jush”. Të zënë ngushtë qëndruam për darkë.
E hodhi shtëpinë në shesh. I ishin sosur ilaçet. E dorovita me 100 euro. U bë “pasha”! “Këtë që më bëre ti, nuk e ka bërë njeri, në Kalivaç”, tha.
Shtroi një darkë, me gjithë të mirat. Thirri Reshatin e Xhikon, të cilët erdhën, menjëherë dhe kaluam shumë mirë. Të nesërmen dërguam e morëm ilaçet e tij, në Tepelenë.
Kur Kushulla ishte duke përgatitur gatimet për darkë, Nelua e thirri e i tha: “Këtyre të dyve, theru lopën!” Kur u larguam, Nelua doli e na përcolli, deri tek shtegu. “Nuk dal dot, mbasi jam i pamundur; këtu e kam kufirin, por, për ju, do të dal!” Dhe na përcolli.
Nelua ishte nga ata njerëz që dinte t’i qetësonte gjakrat e nuk i hidhte benzinë zjarrit. Si gjahtar i pasionuar, një ditë doli nga llagemet, për të gjuajtur. Për zagar, kish marrë Lesin, qenin e Reshatit. Donte të vriste ndonjë lepur. Pa dashje plagosi Lesin.
Nelua mori udhën për në shtëpi, por zagari, me trupin plot me saçma e ndoqi pas gjahtarin. Myftari, djali i dytë i Reshatit, kur pa qenin e tij të gjahut, të mbytur në gjak, i tha Nelos: “Xhaxhi, për këtë zagar, dua të më japësh 50.000 lekë!” “T’i jep xhaxhi” – gjegji Nelua. Mirëpo Lesi lëpiu plagën kryesore dhe nuk ngordhi. Të nesërmen qeni vajti në avllinë e Nelos, i shëruar.
Kur e pa gjahtari të shëruar, thirri Myftarin e i tha: “Të të jap xhaxhi 50.000 lekë, a ma jep Lesin?” “Jo”, tha djali, “duhet pyetur më parë Reshati, ai është Zot shtëpie.”»
2. Dr. Ardjan Nelaj
Nelon e kisha xhaxha (kushëri të Babait). Në moshën e adoleshencës, si unë dhe vëllai im, Oltioni, shkonim shpesh në Kalivaç. Nelon e kishim rojtar fushe, por dhe të tjerët, në mëhallë dhe në fshat, na donin e na respektonin shumë. Zakonisht shkonim në muajin gusht, kur piqeshin pemët dhe frutat e perimet ishin sheshit. Asnjëri nuk na thosh: “Mos merrni fiq, rrush, dardhë, kumbulla, domate, shalqinj etj.” Brigadier Haxhiu dhe mjaft bujq të tjerë, na porositnin: “Vetëm mos shpërdoroni” dhe na dëftonin ku ishin varietetet më të mira të frutave e perimeve. Me një fjalë, për shkak të përkatësisë fisnore dhe meqenëse vinim nga kryeqyteti, ndiheshim të përkrahur e të privilegjuar.
Kam qenë i pranishëm, në një rast, në kohën kur Nelo Resmiu, të cilin e doja dhe e respektoja shumë, ishte roja e fushës. Nuk ishte sëmurur akoma. Aty nga fundi i gushtit, kur ishin pjekur fiqtë, sapo kishte zënë dielli dhenë, Nelua doli nga shtëpia e po shpejtonte për të vajtur në vendin e quajtur Shpendra, ku dyshohej se po vidhnin dy kooperativistë, të cilëve u “zinte dora”. Tek kanali vaditës që vinte nga Donija e njomte fushën e Kalivaçit dhe atë të Çorrushit, në arën që ka qenë e Cano Ademit, në rrëzë të kanalit ishte një fik i madh vasjarës. Fiku ishte plot me kokrra.
Ato piqeshin ditë për ditë. Nelua, në nxitim e sipër hodhi sytë tek fiku në fjalë. Gratë e Hysodosajve, kishin hipur në majë të fikut e po hanin në terezinë e tyre. Shumë gra i ishin qepur pemës. Hanin dhe hidhnin në shesh kokrrat që nuk e kishin kapur nivelin e sheqerit.
Kur pa gjithë atë mizëri grash mbi pemën e kooperativës, Nelua, ngadalësoi çapin, ngriti kokën lart e u tha, grave: “Po ju, k... e m..., i qenkeni qepur fikut si bletë e po hani koqe fiku, si në mallin tuaj...!” Heshtje; gratë vazhdonin të hanin fiq. I erdhi inat bekshiut të fushës dhe pa, me më shumë vëmendje, për të mësuar, cilat gra ishin ngjitur në pemë.
Kur pa mes grave Vjollcën, të fejuaren e Petrefit të Reshatit, unji kokën e mbajti vrapin për atje ku ishte nisur.
Më 3 tetor të vitit 1998, u martua Astrit Llakaj, djali i dytë i hallës sime, Lumturisë (ndjesë pastë). Mora pjesë në dasmë. Mbasi u shpërndanë miqtë, me një grup dasmorësh kalivaças, shkova në Kalivaç. Strehë kisha Nelon, të cilin e çmoja shumë, për tiparet e veçanta që kish.
Në atë dasmë, të gjithë dasmorët, mbasi hëngrën drekën e u shpërndanë, i “zuri barku”, prej mishit të viçit që hëngrën, në drekën që shtruan Lumja dhe bashkëshorti i saj – Tefik Sulo Llakaj (ndjesë pastë). Mezi ia mbërritëm tek shtëpia e Nelos, në Shure. Diarrenë e ndjeva, jo vetëm unë.
Në atë dasmë morën pjesë dhe na u bashkuan: Oltioni; Dilaveri; Nelua; Reshati; Resmiu (djali i Nelos); Ermiri i Dilos etj. Të gjithëve “na lau” barku. Nelua, pranë shtëpisë, ngjitur me tokën e vjehrrit të tij, Barjam Rushan Muharremaj, kishte mbjellë një parcelë të vogël me misër foragjer, i cili e kalonte shtatin mesatar të një njeriu. Po binte nata. Ishim shumë e nuk mund të pritnim radhën për të hyrë në wc. Aty pranë ishte kolibja e qenit të Nelos.
U futëm në misër dhe e plehëruam bimën foragjere.
Në mbrëmje fjeta në shtëpinë e Nelos. I biri - Resua, si djalë pekul e çapkën, tek dera e shtëpisë kishte vendosur motoçikletën dhe qenit i kishte varur në qafë këmboren e lopës. Qeni, duke bredhur rreth shtëpisë bënte zhurmë me tringëllimën e këmbores. U habita! Mendoja, me vete: “Çfarë të kërkojë lopa në dritaren e shtëpisë?”
Natën, “më griu” barku. Doja të shkoja tek misri, por sapo tentoja të hapja derën e jashtme të shtëpisë, qeni më derzhitej me potere. Pashë ç’pashë, i thirra Nelos: “Lidhe qenin se ta lëshova në mes të shtëpisë!” U ngrit Nelua, kapi prej veshësh qenin, dhe e mbajti ashtu derisa u lirova e u ktheva në dhomën ku flija. Nelua kishte një qen koti; qen të mirë e të egër kishte Reshati, si për zagar gjahu (Lesin) dhe për të ruajtur shtëpinë e katandinë.
Përka e Reshatit ishte mjaft e egër dhe i hante të gjithë, përveç Ermirit të Dilaverit.
Shënim: Nëse bashkëshortja, fëmijët dhe nipërit e mbesat e Nelos do të kishin kontribuar më tepër, me kujtime, monografia, me siguri që do të dilte më e plotë.
Opinionet dhe intervistat i mori Niazi Xhevit Nelaj, gjatë muajve janar dhe shkurt të vitit 2019

Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.