Në jetën e një njeriu ndodhin ngjarje dhe episode pambarim. Disa syresh vijnë vrullshëm, si tallaze e dalin nga skena e jetës, siç vijnë, pa u ndjerë e pa lënë gjurmë. Në këtë jetë ngjajnë dhe disa përjetime fare të shkurtra, thuajse episodike, por që ndikojnë fuqishëm në jetën e atyre që i përcjellin; për rrjedhojë pakrahasimisht nuk mund të harrohen. Disa njerëz të veçantë, të cilët i ndesh në rrugëtimin e jetës, ta pështjellojnë aq shumë jetën e lënë mbresa aq të thella në botën e brendshme të tjetrit sa edhe sikur të duash t’i largosh nga kujtesa, nuk mundesh kurrsesi. Ata të skaliten aq fort në kujtesë, sa marrin vlera të një Perëndie e nuk mund të krahasohen me njerëzit.
Të tillë ishin e mbeten për mua bashkëshortët "brilantë": Sulltane (Tane) dhe Ferrik Brahimaj. Ata u futën në jetën time papritur e fare rastësisht, por, lidhja mes tyre në çift edhe pse qe e shkurtër dhe e pafat, në qenien time ndikoi fuqishëm. Mbresat që më la ajo lidhje "hyjnore"; aq e çiltër; aq e pastër dhe aq mbresëlënëse janë mjaft të rralla.
Kur e mendoj, pas kaq vitesh, në qetësi e me mendje të ftohtë pyes veten: "Ç’të ishte vallë ajo ëndërr e bukur?" "Ç’qenë ata dy ‘yje’ të bërë për njëri-tjetrin?" "Dashuria dhe përgjërimi për njëri-tjetrin, ishin qiellore apo tokësore?" Dhe vazhdoj: "Po unë, prania ime në atë lidhje, futja ime mes tyre, vallë si ndikoi? Për të mirë apo e kundërta?" Mendoj se kam bërë mirë edhe pse nuk e kisha pjekurinë e nevojshme. Prandaj kam urimin e zemrës që frytet e asaj dashurie të ndritshme e të rrallë: Katjusha dhe Gjoni ta kenë jetën të gjatë e të mbushur me lumturi, siç e meritojnë.
Kanë kaluar më tepër se 60 vjet nga koha kur isha pranë tyre, por vitet nuk kanë mundur ta zhbëjnë imazhin e tyre në sytë e mi. Përkundrazi; koha që vrapon e nuk ndalet e ka ndezur më shumë mallin dhe nderimin për ata njerëz të mirë. Ndodh kështu për faktin e thjeshtë se çifti Sulltane dhe Ferrik Brahimaj rrezatonte vetëm "dritë e mirësi". Ishte dielli i zjarrtë i shpirtit të tyre të kulluar që rrezatonte dashuri dhe ëmbëlsia e fjalës së tyre që përçonin ata "yje" të rënë nga qielli për t’u bashkuar një ditë. Kush i njohu ata të dy e nuk u mrekullua nga hijeshia dhe shkëlqimi i tyre?
Njerëzit veçohen nga njëri-tjetri prej vlerave dhe antivlerave që shpalosin në jetë; nga bëmat apo nga gjëmat; nga mirësitë apo nga ligësitë që lënë pas. Tana dhe Ferriku ishin të veçantë; për mua – të pakrahasueshëm. Me qenien e tyre përsosmërisht të rregulluar, Ata rrezatonin vetëm mirësi e falnin shumë dashuri. Thua se qenia e tyre ishte e përjashtuar nga ligësitë e shpirtrave të kohës kur jetuan.
E kam cituar jo vetëm në një rast, por ngaqë më ka lënë shumë mbresa, dua ta them e ta përsërit, me zë të lartë vazhdimisht që njerëzit ta fiksojnë në kokë se, siç thotë populli ynë: "I miri nuk ka gjithnjë të mira në jetë!" Ky postulat është qëmtuar e vrojtuar me shumë kujdes e durim derisa ka gjetur formulimin lakonik përfundimtar. Përfundimi i hidhur i atij çifti fatkeqësh, të cilët u lidhën me njëri-tjetrin, me një martesë të natyrshme, të pastër e të çiltër, pa e njohur më parë shoqi-shoqin ma ktheu në bindje të palëkundur atë "prodhim" të mendjeve të ndritura njerëzore.
Vdekja mizore, si dukuri që nuk njeh radhë e nuk respekton rregulla, pa përfillur moshën e re, na rrëmbeu, në lulen e rinisë Ferrikun dhe e la atë lidhje aq të paqme pa protagonistët e saj, të cilët nuk e shijuan dot ëmbëlsinë e dashurisë, e cila u lind mes tyre, pas lidhjes sublime. Tana, një vajzë e dëlirë, e brishtë dhe e paqme dhe Ferriku, i pashëm, i fuqishëm e me shpirt të madh nuk e meritonin atë fat, i cili, me fundin e tij tragjik solli një veçim të trishtë nga njëri-tjetri dhe la rrjedhoja të hidhura te të prasmit e tyre.
Në këto kujtime modeste, disi të mjegulluara e të përshtatura në krahasim me origjinalin si kanë ngjarë atëherë, jam i mbushur me krenari për faktin se ngjarjet i kam përcjellë, fizikisht dhe koha e gjatë nuk ka mundur t’i mbulojë me tisin e saj të harresës. Nëse ndodhitë më vijnë të freskëta, siç kanë ngjarë në jetë, kjo nuk është vetëm meritë e kujtesës sime, por dhe e cilësive të atyre "engjëjve" që shkruan faqe të ndritur të historisë së tyre. Shkrimin tim, të cilin e kam bërë fillimisht, para të paktën 10 viteve, e gjykova të nevojshëm ta ripunoj, mbi bazën e disa fakteve të reja dhe me një mendim më të përmirësuar. Ky shkrim, sido që është gatuar, të paktën le të mbetet një homazh, i çiltër dhe një shenjë mirënjohjeje për çka ata bënë për mua në vitet tejet të vështira të jetës sime. Ashtu siç i kam parë, atë çift "engjëjsh" nuk mund ta veçonte tjetër gjë veç vdekjes mizore, siç ngjau në fakt.
Jeta e Tanës vijoi, e mbushur me brenga e me derte dhe e trishtuar, sa s’ka më, por e lavdishme dhe krenare, për ata dy "yje" që rriti dhe edukoi, e vetme. Katjusha dhe Gjoni, u rritën në vështirësi e përmes sakrificave, kryesisht të Nënës së tyre e u bënë të mirë, siç ishin ata të dy që i sollën në jetë. Edhe pse çifti nuk arriti të korrte plotësisht frytet e dashurisë së tyre, ky përkushtim le të shërbejë si një ngushëllim mjeran për pinjollët që kanë lënë pas dhe për ata që i donin me zemër. Është në nderin tim të risjell në kujtesën e tyre, disa grimca nga ajo jetë e përbashkët e shëndetshme edhe pse zgjati aq pak e atyre prindërve të rrallë të cilët nuk i patën fat. Për ta realizuar këtë, më duhet të kthehem prapa në kohë.
Ishte viti 1956. Asokohe isha 14 vjeç; i mitur e i paformuar si duhet. Sapo kisha mbaruar klasën e shtatë të shkollës shtatëvjeçare, me konvikt, me bursë të plotë shteti, në rrethin e Tepelenës. Isha me tregues cilësorë nga më të lartët, në atë shkollë, por ngaqë nuk kisha "krahëmbështetës" më dhanë të drejtën e vijimit të mësimeve të shkollës së Mesme Bujqësore "Irakli Terova", në qytetin e Korçës.
Në fundgushtin e atij viti, i vetëm, mora udhën drejt qytetit të madh e të zhvilluar të Korçës, me autobusin e linjës Gjirokastër – Korçë, i cili e bënte atë udhë një herë në javë, ditëve të enjte. Pavarësisht rezultateve që arrita në Shkollën shtatëvjeçare të qytetit të Tepelenës, të mirënjohur si shkolla e xha Murat Kociut, duke ndjekur një shkollë ku mësohej bujqësi e blegtori, e sigurova të ardhmen time e cila trokiste se do të merresha si të parët e mi, me bujqësi e me blegtori. I tillë qe fati im. Po të kisha pasur shansin të studioja në ndonjë degë tjetër, më të "fisme" mbase dhe rrjedha e jetës sime do të qe tjetër. Duke vijuar të mësoja e të merresha me bujqësi e me blegtori, në njëfarë mënyre do të kthehesha në origjinë. Ndoshta do të isha, jo vetëm me kërrabë në dorë, si im atë apo me parmendë, por do të kisha dhe disa njohuri shkencore të cilat do të më shpinin më tej.
Nuk më doli aq keq.
Nisa dhe përfundova mësimet e shkollës së mesme bujqësore, në Korçë, ku u diplomova: "Agronom i mesëm i specializuar në frutikulturë!" Them se nuk më doli aq keq, nisur nga fakti se m’u dha shansi të studioja e të formohesha me arsimimin e nevojshëm për moshën e adoleshencës në një qytet si Korça, e njohur si djep i kulturës dhe si shtrat i dijeve, në vendin tonë.
Nga Tepelena ime, kur mora udhën për në Korçë, mora me vete kureshtjen dhe interesimin së bashku me vetëdijen se po shkoja në një qytet më të madh se Tepelena e atyre viteve, se do të studioja në një trevë të qytetëruar, të largët e të ftohtë. Qyteti i Korçës dhe treva përqark saj, ishin të lakmuara nga fqinjët e jugut dhe se jo më kot Korça ishte etiketuar si "Parisi i vogël".
Për të shkuar nga Tepelena në Korçë, në atë kohë, ishe i shtrënguar të shkoje në Gjirokastër, një ditë më parë, të pajiseshe me biletë udhëtimi, me autobus, për ditën e nesërme dhe një natë të flije në qytetin e Gjirokastrës. Një herë në javë, ditëve të enjte, një autobus i prodhimit çek, me 52 pasagjerë, nisej që në mëngjes nga Gjirokastra, rrugëtonte gjithë ditën nëpër rrugën e pashtruar e me gropa, kalonte në Këlcyrë, në Përmet, në Leskovik, në Ersekë e në mbrëmje soste në Korçë. Pasagjerët ishin të detyruar të qëndronin gjithë ditën në karriget përkatëse, ku lodheshin e vuanin pisërinë e zezë, duke qëndruar të mbledhur kruspull gjithë ditën.
Vajta në Gjirokastër, një natë më parë dhe mbasdite bleva biletën për të rrugëtuar të nesërmen, në mëngjes. Në ato vite, hotelet e qytetit ishin të paktë e me numër të kufizuar shtretërish. Edhe sikur të siguroja hotel, buxheti i familjes sime, në Kalivaç të Tepelenës, nuk mund ta përballonte shpenzimin. Çmimet e hoteleve, ishin të kripura. Babai, kur më nisi për udhë, nuk më dha para për ta kaluar natën në hotel, por më mësoi si ta shmangja fjetjen në hotel. Nëna, më kishte qepur, me dorë një torbë të bardhë pëlhure e cila ishte e fortë dhe e pajisur me një rrip të njëjtë për ta hedhur krahëqafë.
Isha nisur nga Kalivaçi, herët në mëngjes e kisha rrugëtuar 5-6 orë në këmbë e rreth 2 orë me makina të rastit. Mbërrita në qytetin e gurtë të Gjirokastrës i lodhur e i dërrmuar dhe i uritur. Nuk kisha vënë gjë në gojë qysh një natë më parë.
Kur u nisa nga shtëpia, ishte herët e si unë dhe ata që më përcollën ishim të cacarosur. Të gjithë nxitonin, ndonëse unë isha për udhë. Përcjellësit nxitonin nga droja se mos më zinte vapa udhëve. Nga nxitimi nuk arrita as të gëlltitja një tas me përshesh me qumësht, siç bëja çdo ditë.
Nëna ime, Zonja e Madhe e Binajve më kishte futur në torbë disa "hazerllëqe" që t’i kisha për t’i konsumuar gjatë udhës, derisa të mbërrija në qytetin e Korçës. Mbasi bleva biletën e u sigurova për rrugëtimin që do të merrja të nesërmen, më vajti mendja te stomaku bosh. Në rrugicat e gurta të qytetit të Gjirokastrës kërkova një qoshe ku të mund të hapja torbën time prej pëlhure të bardhë, me qëllim që të përzgjidhja ato që mund të konsumoja. Mirëpo kudo rreth e përqark, ndesha në disa sokake që përfundonin me një portë. Isha namuzmadh e nuk doja të më vështronin të tjerët se çfarë do të haja. Kisha ngrënë në fshat, në arën me plisa ku botilja me dhallë thartohej nga vapa; kisha shfrytëzuar për tavolinë një pllakë guri të zgjedhur, të vendosur mbi një tufë shkurresh përralli apo xinë, por këtu ishte tjetërsoj. Nuk doja të më vështronin të tjerët.
Sidoqoftë uria më detyroi të zija një qoshe e të hapja torbën. Në atë torbë dallova ca copa qullapite, ca petulla, disa copa yshmer, ca llokume fshati të dërrmueshme lehtësisht, vezë të ziera, një pulë të skuqur në saç dhe disa kokërrina: (arrë, nga arra e madhe e xha Breshan Fejzos; bajame, nga bajamja e xha Nezirit te gryka e pusit pa ujë të xha Isufit; ftonj, nga ata të Xhako Rremes; shegë nga shega jonë e avllisë, etj. Kishte dhe paluze). Preferova pulën e skuqur në vaj ulliri e në gjalpë. Kisha porosi nga Nëna, të konsumoja të parat ato ushqime që prisheshin më shpejt, prandaj veprova kështu. Edhe pse në konvikt kisha ngrënë në komunitet dhe në tavolina të gjata prej druri, tolerova diçka nga imja e veprova kësisoj.
Tek haja, mendoja se kalimtarët do të më vështronin me vëmendje e do të ironizonin veprimet e mia. Mendje fëmijë. Se mos kalimtarët e kishin mendjen tek unë; ata kishin hallet e tyre. Tek e kujtoj këtë tani, më vjen të qesh me mendjen time të atëhershme e cila ishte mendje e një fëmije të parritur e të paformuar. E kujtoj si tani sa më ka shijuar ajo e ngrënë, aty, te një sofat, pak nën shtatoren e trimit Çerçiz Topulli. Hëngra, me uri, një "drekë pashallarësh".
Pak nga pak, mbushja e stomakut, siç duket ndikoi pozitivisht dhe në mendimin tim për veprimin e mëtejshëm që po bëja; u çlirova nga ai ngërç që më kishte kapluar. Para se të nisja të shqyeja pulën, i mora erë se mos ishte thartuar. Pula ishte në rregull dhe mbante erën e gjalpit e të vajit të ullirit, me të cilët ishte skuqur, në saç.
Tani që Nëna ime nuk është në jetë dhe kur jam bërë gjysh, disa herë, kuptoj qartë se në ato gatime, Zonja e Madhe e Binajve, më shumë se lëndë të parë si gjalpë, vaj ulliri, lakra të egra etj., kishte futur dashuri nëne dhe dhembshuri, pse jo dhe lot për djalin e shpirtit, të cilin kushedi se kur do ta vështronte. Njëfarë kalitjeje e durimi Ajo Nënë e kishte; unë edhe shkollën shtatëvjeçare larg saj e kisha përcjellë; në konviktin e Tepelenës. Por çështja nuk ishte e njëjtë: Tepelena ishte afër me Kalivaçin (në këmbë rreth 6 orë) dhe kur Zonjën e "pikte" malli për mua, merrte udhën, së bashku me Ninijen, Memën, Tajanën e me ndonjë tjetër grua dhe e mbante vrapin në Tepelenë, ku më takonte e çmallej. Edhe kur Ajo e kishte të pamundur të vinte vetë në Tepelenë, dërgonte me Ninijen apo me ndonjë tjetër grua që merrte atë udhë, disa gatime, palafike e kokërrina. Po tani që do të shkoja në Korçë, siç thotë një këngë popullore: "Shtatë male kaptuar!", si do t’i vinte halli?
Ushqimet që më kishte nisur me vete Nëna, ishin nga më të preferuarat për rrugëtarët që merrnin udhëtime të gjata. Ishin nga më të preferuarat, për arsye se ato ishin të lehta për t’u transportuar dhe afati i ruajtjes së tyre ishte më i gjatë (rronin më shumë). Përse të mos e pranojmë faktin se gama e gatimeve në fshatin tim ishte e kufizuar? Shkak kryesor ishte mosnjohja dhe mosshfrytëzimi i perimeve, për gatim. Asokohe, në Kalivaç, njiheshin e shfrytëzoheshin si ushqim për njerëzit: Domatja; patatja, fasulja, batha, qiqra, spinaqi, laboti, koçkulla, fierëza etj. Hëngra, me uri, sa u denda.
Kjo mund të quhej dreka ime e vonuar dhe darka e parakohshme. Më gjeti siç rrëfejnë; si qentë e Tërbaçit që hanë një herë në 24 orë.
Ra nata e duhet të gjeja një strehëzë për të kaluar natën. Në qesenë që mbaja të varur në qafë, nuk kish para për të fjetur në hotel, madje as në han, në katin ku flinin kalorësit. Me të pyetur e jo pa vështirësi, gjeta "Hotelin" mjeran, të cilin e frekuentonin ata që nuk kishin para në xhep dhe ata, të cilët ishin mësuar ta përcillnin natën, në natyrë, në stan, së bashku me bagëtitë, me qentë e stanit dhe me egërsirat e pyllit. "Hoteli" që përzgjodha quhej Hani i Stavros.
Ky lloj hani ishte interesant, për nga statusi që kishte dhe për nga kushtet që ofronte. Një godinë e vjetër, diku në mes të luginës që formojnë mëhallët, me dy kate. Në katin e parë, zakonisht qëndronin kuajt kurse në katin e dytë kalorësit; ata që kishin mundësi të paguanin.
Në katin e parë zakonisht qëndronin kuajt dhe hanin tagjinë që u kishte futur në torbë pronari i tyre, ose kashtë, maja misri, etj. Jonxha ishte e rrallë, atë e kultivonin kryesisht fshatarët e fushës së Dropullit dhe lunxhiotët. Një pjesë (seksion) e katit të parë ishte e ndarë e në të mund ta përcillnin natën edhe njerëz si unë. Katoi, i përgatitur për të përcjellë natën kuajt, mund të shfrytëzohej dhe nga ata që nuk kishin para. Zakonisht aty e kalonin natën fshatarë të kalitur për ta kaluar natën në natyrë, pa shtrojë e pa u mbuluar. Si shtrojë përdorej toka nënë ose ndonjë pllakë guri që ndodhej rastësisht aty pranë.
Ata flinin, siç ishin, të veshur me shajak, pa hequr as opingat, as bërrucat apo gunat që mbanin mbi kurriz. U futa dhe unë në mjedisin ku shtriheshin çobanët. Ata mbështilleshin me sherqet apo me gunat e tyre e nuk u hynte të ftohtit në trup. Nuk hiqnin nga supet as torbat me bukë e djathë që kishin me vete; nuk largonin as kërrabën nga vetja, madje as qylahun e bardhë që mbanin mbi kokë.
Bëra si bëra, gjeta një pllakë guri, me dimensione të përafërta me shtatin tim dhe për jastëk vura një gur, tjetër të cilin, gjithashtu e gjeta, aty pranë. Atë natë, gjatë të cilës nuk mbylla sy, në atë katua kam parë gjëra të cilat, më parë nuk i përfytyroja dot. Fshatarë të lodhur nga punët e rënda që kishin bërë gjatë ditës; të pangrënë, të veshur keq, të pagjumë, me sy të skuqur e të zgurdulluar, me sjellje brutale e që kundërmonin erë djerse. Fshatarët ishin nga fshatrat e afërt me qytetin; ata kishin zbritur në qytet për çështje nga më të ndryshmet dhe shpresonin sinqerisht se do të gjenin zgjidhje. Më të shumtët ishin bujq e blegtorë të cilët kishin zbritur në qytet me hejbe në krah, për të blerë një karroqe me misër (10 kg), për të bërë tregti me bagëtitë e tyre të cilat i shisnin për një copë buke apo i jepnin me këmbim, me humbje. Dikush kishte sjellë një kovë me urrël; një shakull me gjizë; një shark apo një gunë, për të shitur, deri dhe një qylah të bardhë me majë, të cilin mund ta shisnin edhe për një dorë duhani.
Ndonjëri donte të ankohej në organet e partisë e të pushtetit për prapësitë e pushtetarëve lokalë ose për të zgjidhur një çështje në gjykatë, e cila mund të zgjidhej vetëm në dyert e gjykatave. Interesante ishte mënyra e fjetjes së tyre. Fshatarët shtriheshin mbasi mbështilleshin fort me sharkun apo me gunën; pa hequr opingat; me torbën nën kokë dhe me kërrabën midis këmbëve, si dyfek. Erëra nga më fantastiket qelbnin atmosferën, gërhimat e disave, dëgjoheshin edhe në rrugën përballë, era e djersës të kundërmonte e të ngacmonte flegrat e hundeve. Dëgjoja me vëmendje gërhimat e gjitonëve të mi të cilat nuk më lejonin të flija.
Ato (gërhimat), në disa raste koordinoheshin me njëra-tjetrën dhe shoqëroheshin me ndonjë "rrjedhje gazi nga prapa trupit, në fund të kurrizit".
Gjumë nuk bëra atë natë, por përftova shumë nga muzika pa para e shkaktuar nga gërhitjet e gjitonëve të mi. Tentova të vija nën kokë, për jastëk, torbën e bardhë me ushqime që më kishte bërë vijë supin, gjatë ditës, por ndesha në disa kokrra të forta ftonjsh e shegësh, të cilat më vrisnin me gungat që formoheshin. Kur e pashë që nuk dilte gjë, e hodha torbën e bardhë krahëqafë, duke e siguruar që edhe po të më merrte gjumi, torbën të mos ma rrëmbente njeri. Interesant ishte largimi i banorëve të hanit, sapo zbardhte dita.
Ata dilnin, nga mjedisi, mbasi kishin marrë bagazhet, përplasnin fort derën e vjetër prej dërrase dhe dilnin, pa përshëndetur. Ata që i kishin lënë bagëtitë në stan, dilnin në vaktin që bagëtitë e tyre duhet të dilnin nga vatha. Bujqit e kishin më të përcaktuar regjimin e tyre të fjetjes.
Ata duhet të sosnin në shtëpi dhe të bëheshin gati për të qenë në arë, në kohën kur duhet të zihej në parmendë çifti i qeve të arës, ose edhe më shpejt, kur bëhej fjalë për të korrat dhe për zhvokshjen e misrit. Pronari i hanit e kishte ndarë katuan në dy pjesë. Në njërën anë ishin të mbyllura kafshët e shalës apo ato të ngarkesës dhe në gjysmën tjetër flinin fukarenjtë. Sikur të mos ishte kjo ndarje me dhoga të puthitura mirë, fukarenjtë, me siguri që do të thithnin gjatë gjithë natës erën e rëndë të bajgave të freskëta të kuajve dhe avujt e tyre.
E gjithë rruga, nga Kalivaçi, në Korçë, për mua të parriturin ishte një aventurë e vërtetë. Përcjellja e natës në atë "Han të Stavros" ishte ndoshta një pikë kulmore e saj. Provova si mund të kalohet një natë, pa mbyllur sy, në një katua. Deri atëherë këtë nuk e kisha provuar e nuk e konceptoja dot. Siç kanë thënë dikur në Kalivaç; "Gjumi i asaj nate vajti xhamadan për Danon…". Pranë kisha një burrë, i cili dukej qartë se ishte nga trevat labe.
Gjithmonë, në gjykimin tim prej fëmije, nisur nga pamja e jashtme. Ai u shtri në tokë, por së paku u mbështoll me sharkun që mbante hedhur krahëve dhe bluza prej fijeje leshi të thurur me shtiza, e mbante ngrohtë. Ishte stinë e thatë dhe temperaturat e ajrit mbaheshin akoma të larta. Pra, në këto kushte, ndoshta nuk dilte nevoja e mbulimit të shtatit, për ata që ishin të veshur mirë.
Për mua ishte favorizues fakti që vesa e mëngjesit, e cila shoqërohet me temperaturë më të ulët, nuk më zinte. Mbi kokë kishim dyshemenë e odasë dhe çatinë e ngrehinës. Megjithatë afër mëngjesit ndjeva të ftohtin, por nuk kisha çfarë të bëja e me se të mbulohesha.
Kështu që u ngroha me trupin tim dhe me ajrin që kishin ngrohur frymat e klientëve dhe gazrat që kishin lëshuar ata. Kur feksi, klientët nxituan të largoheshin; asnjeri nuk harroi, asgjë. Prita sa dolën të gjithë, pas tyre dola dhe unë. Nuk nxitoja; sokaku ku ishte parkuar autobusi ishte pranë. Rruga deri tek autobusi nuk ishte më e largët se 5 minuta. Prandaj e mora shtruar dhe nuk harrova asgjë nga bagazhet e mia të përqendruara në atë torbë pëlhure.
Autobusi që shkonte në Korçë do të nisej rreth orës 07.00, kur dielli nxirrte synë sipër Malit përballë të Çajupit, sa një kulaç. Ndihesha i pagjumë e i përgjumur. Nuk mbylla sy por, edhe pse nuk flija, asnjeri nuk më ngarkoi ndonjë detyrë që i përkiste rojës. Gëzoja por përse më kishte kapluar ky gëzim i madh, edhe sot e kësaj dite nuk arrij ta analizoj. Gëzoja pas asaj nate të llahtarshme, pa gjumë. Ec e merre vesh?
Ndoshta gëzimi im lidhej me faktin se gjatë natës, i pambrojtur, në mes të atyre burrave që nuk i njihja, "kishte mbetur gjallë" torba ime e bardhë plot me ushqime e fruta. Motiv bindës ishte fakti se po shkoja në një qytet të madh, të zhvilluar e me shumë kulturë brenda, për të cilin kisha ëndërruar. Mezi prisja të gjeja njerëzit e gjakut tim, të cilët banonin në Korçë e do të plotësoja disa porosi e amanete për ta. Sidoqoftë, gëzoja dhe për faktin se tashmë ndihesha më i rritur dhe i aftësuar për të ndërmarrë aventura të tilla. Do të përshkoja një udhëtim të gjatë, shumë të gjatë për moshën time, në mënyrë të pavarur.
Në "hotelin tonë katua", nuk bëhej fjalë për ngrohje. Me asnjë lloj mënyre. Njerëzit ngroheshin me frymën e njëri-tjetrit dhe me gazrat që nxirrnin nga trupi i tyre. Ata as që mund të mbështeteshin te njëri-tjetri, mbasi nuk njiheshin e nuk ishin të të njëjtit fis. Mund të kishte dhe ndonjë keqinterpretim. Zakonisht njerëzit ishin të të njëjtit fshat dhe i bashkonte vetëm rruga.
Në Pazar, asokohe nuk mund të shkonin femrat, të cilat, po të bënin si burrat, ato do të gjykoheshin si të përdala. Nuk ma mbante të afrohesha me njeri. U ngroha me frymën e "bashkëvuajtësve të mi" dhe me aromën e këndshme të ushqimeve që kisha në torbë, të cilat, pa përjashtim ishin gatuar me vaj ulliri dhe me gjalpë deleje. Aroma e këndshme e shegëve, e ftonjve dhe e palafikeve, më kënaqte e më ngrohte.
Nëna ime, si një malësore e praktikuar dhe tepër e shkathët për t’u ngjitur në pemë të vështira, i kishte mbledhur e i kishte kripur ullinjtë, nga ulliri i shakullit dhe nga ulliri ynë i varietetit kaniniot, në Llomera. Ajo vajin e ullirit e kishte nxjerrë nga shtrydhja e ullinjve kaniniotë dhe nisiotë të Llomerave tona. Për të nxjerrë vajin e ullirit, sipas një teknologjie primitive, Nëna ime shfrytëzonte thesin e zhaket dhe koreshin prej druri të gege Tajanës të Muharrem Kamberit. Koreshe të tillë në mëhallën tonë kishin disa familje por ai i gege Tajanës qëndronte vazhdimisht i mbështetur pas murit të shtëpisë së Sheros; ne e merrnim atë pa leje.
Tajanja e xhako Rremes ishte bijë në mëhallën Meçaj të Kalivaçit të Tepelenës. Ajo ishte bijë e fisnikut Zagoll Saliko Xhaferaj dhe e Metos, një gruaje kapedane. Tajanja ishte nga derë e fismë dhe erdhi nuse, në të njëjtën kohë me Nënën time, në derën e Kamber Asllanit; derë e madhe dhe fisnike në Ahmetaj.
Ajo ishte shumë bujare dhe "dorëshpuar". Nëna ime; Zonja e Madhe e Binajve, përkundrazi nuk para jepte, ishte kurrnace dhe punonte më shumë me shatë sesa me lopatë. Gege Tajanja, në dy raste është paraqitur si Nëna ime dhe ka firmosur, (me gisht) në vend të Zonjës, kur kërkohej firmosja e një dokumenti për mua në Konviktin e Tepelenës.
Kur isha i mitur, çapitesha pas Nënës në varganin e grave që shkonin te Burimi i Madh, në Donije. Sa të mbushnin ujë gratë, unë luaja te një pllakë natyrore, e cila niste, në udhën që të çonte te burimi e përfundonte në lumë. Kur majat e gishtave të mi cekën ujin, gege Tajanja, e cila, priste radhën e u ndodh pranë meje, më pikasi dhe dha alarmin. Më shpëtoi jetën.
Kur dergjej Xheviti në shtratin e vdekjes, ishin gege Tajanja dhe Ninija që e gdhinë, disa net me radhë. Të gjitha këto, dhe bujaria e saj e çiltër, më kanë imponuar respekt të veçantë për atë grua, të cilën e kujtoj, me mall.
Në tentativë për të fjetur, atje te Hani i Stavros, në Gjirokastër, tek rrotullohesha e nuk gjeja qetësi; gjumi nuk më merrte, por mundohesha të kujtoja rrëfimet e të moçmëve, pranë të cilëve qëndroja dhe bëhesha sy e veshë për të përthithur rrëfimet e tyre. Njëri nga burrat e mëhallës, që respektoja shumë ishte gjitoni ynë, Banush Xhezo Haderaj, i cili, në vitet ’30 të shekullit që lamë pas emigroi në Anadol të Turqisë dhe e fliste gjuhën turke në mënyrë të përsosur. Kur Ai komunikonte rrjedhshëm në turqisht me gegenë time, Hysnijen e Musa Mehmetit, e cila, gjithashtu e fliste bukur gjuhën turke (se mos kuptoja gjë unë, por kënaqesha me artikulimin e bukur të tyre); bëhesha sy e veshë dhe nuk ua ndaja sytë atyre njerëzve të mirë.
Kur ishte në Anadol, Xha Banushi dhe në përgjithësi shqiptarët që e popullonin atë krahinë turke, e pinin kafen te një kafeteri, në qytetin e Izmirit, e cila ishte pagëzuar: "Kafja e shqiptarëve". Përgjithësisht emigrantët shqiptarë të asaj kohe ishin të pashkollë dhe në kushtet e analfabetizmit, letrat e tyre që vinin nga vendlindja, vareshin prej pronarit të kafeterisë në xhamin e kafeterisë. Kur brenda zarfit ishte ndonjë njoftim i hidhur, zarfi ose letra digjeshin në një cep të saj. Atëherë emigranti kuptonte të keqen që kishte ngjarë.
Çeço Banua (kështu i thonim ne fëmijët Banush Xhezos të Hadere), e kishte shtëpinë thuajse ngjitur me shtëpinë tonë dhe ne e kishim dajo, rrjedhojë e kumtërisë. Ai ishte i martuar me Havane, të bijën e Nasos të Maliq Brehamit, e cila nuk kishte djalë, por birësoi Qazimin, të birin e Mehmet Qazos, nga Hysodosajt. Havaja ishte punëtore dhe pastërtore e madhe. Me shtëpinë e dajo Banushit, truallin tonë e ndante një vijë uji (streha e çatisë së tyre). Ja çfarë më rrëfente një ditë dajua im te pragu i derës: "Kalivaçasit, si rregull shkonin në emigracion ekonomik në pjesën evropiane të Turqisë, sidomos në krahinën e Anadolit. Profesioni i vetëm i tyre ishte çobanëria.
Ata ishin blegtorë të pasionuar dhe kompetentë. Kishte dhe disa kalivaças të cilët kryenin punë të tjera, në bujqësi e në sektorë të tjerë pune, me leverdi. Formula e rekrutimit të kalivaçasve ishte si vijon: Punonte në Turqi një kalivaças e pas disa kohësh kthehej në familjen e tij, në Kalivaç.
Kur ai kthehej, në shtëpinë e tij bëhej davet (gosti) ku mblidheshin miq e shokë dhe gjitonë. Mes të tjerave, në atë gosti, i ardhuri rrëfente për kurbetin, për punët, për jetesën dhe për pagën që merrte atje. Kur kurbetliu nisej përsëri për në vendin e punës, atij i ‘qepeshin’ nga pas disa djem të fisit të tij ose nga ata që ishin në lidhje miqësie me të. Kësisoj, në atë kohë, Anadoli u popullua mjaft me kalivaças dhe me banorë të trevës përqark. Mblidheshin shqiptarët te kafeteria e arnautit ku jepnin e merrnin informacion edhe në kushtet kur asnjeri nuk dinte të shkruante e të lexonte. Letrat që vinin nga Shqipëria, burrave nga Kalivaçi dhe atyre nga treva të tjera ua lexonte një burrë çam, nga ata që shtegtuan e gjetën strehë në Turqi, kur i përzuri greku, me dhunë".
Në krahinën turke të Anadolit e në vende të ndryshme kishin bërë kurbet mjaft kalivaças, mes të cilëve: Banush Xhezua; Nelo Binua; Musa Mehmeti; Hamza Rushani; Qamil Sulua; Tefik Medini; Seit Manja; Karafil Mahmuti; Idriz Ago; Hasim Malo etj. Disa, si Qazim Alikua; Hasim Malo; vëllai i Zagoll Salikos; Hamza Rushani etj., vanë në kurbet, por nuk u kthyen në Kalivaç, por mbetën atje. Malko Binua dhe nipi i tij – Selmani, i biri i Nelo Binos, gjithashtu mbetën në Turqi e nuk u dihet as nami as nishani. Xha (dajua im) - Banushi i Xhezo Nurës të Hadere, kur shkonim për të kullotur dhentë, më kishte rrëfyer një ndodhi interesante: "... një turk i kamur, kishte pajtuar hyzmeqar, një goxha djalë shqiptar. Djali ishte në moshë për t’u bërë dhëndër; i shëndetshëm, i pashëm dhe mjeshtër për të menaxhuar tufën e dhenve të agait.
Ai ishte tepër i fuqishëm, siç janë djemtë e moshës së tij. Turkut të kamur i vajti mendja për ta bërë dhëndër hyzmeqarin dhe t’i jepte për grua vajzën e vetme të tij. I bëri mirë llogaritë i kamuri turk dhe synonte: Mishi të piqet e helli të mos digjet. E thënë me të tjera fjalë, ai donte ta kishte në shtëpi vajzën e vetme dhe ta bënte me burrë. Statusi dhe pasuria ia favorizonin këtë. Vjehrrit i pëlqeu dhëndri i ardhshëm dhe vajzës i pëlqeu ta merrte për burrë atë.
E biseduan gjënë dhe e vendosën. U bë dasma, dhe njerëzit bënë të habiturin kur panë gjithë atë pajë që i kishin bërë prindërit vajzës së tyre të vetme. Ra për të fjetur dhëndri me nusen, por shpejt u mërzit nga komoditeti i fjetjes me çarçafë të linjtë e midis dyshekut me lesh dhe jorganit prej atlasi.
Ai i çoi fjalë zotit vjehërr se e kishte marrë malli të flinte ala shqiptarçe. Nuk ia prishi agai dhëndrit e u përgjigj: ‘Mirë mor djalë, meqenëse të ka vajtur mendja të bësh adetin, ik e bëje një natë.’ Afër darkës, kur dhentë i kishte futur në vathë e qentë nuk i kishte lëshuar akoma, djaloshi mbërriti në stan. Mori sharkun, nga huri ku e kishte varur e hodhi krahëve dhe kërkoi e gjeti një kaçubë prej përralli, të dendur. U shtri mbi shkurren e përrallit dhe e zuri gjumi, menjëherë. Fjeti ashtu, për shtatë palë qejfe, gjatë gjithë natës.
Në mëngjes, agai, i merakosur për dhëndrin vajti në stan. Kërkoi dhëndrin dhe e gjeti mbi shkurren prej përralli. Kur dhëndri u zgjua, zoti vjehërr, paksa i habitur tha në turqisht: ‘Arnautce, ace face, o të bukur kolloface’ që do të thotë, përafërsisht: ‘Ama gjumë bëkan shqiptarët!’ Të drejtë kishte Agai, të cilit nuk i shkonte ndër mend se dhëndri i tij, do të braktiste atëfarë komoditeti për të kujtuar fëmijërinë."
Por, edhe dhëndri nuk ishte pa gjë; ai ishte rritur në stan dhe për atë mënyrë jetese ëndërronte, prandaj, një natë, rrëmbeu sharkun e çobanit, u mbështoll me të dhe u shtri, për shtatë palë qejfe mbi një shkarpë. A nuk ka të drejtë populli ynë gjenial, kur thotë se: "iriqi kërkon ferrën e tij"? Le ta lëmë çobanin hyzmeqar dhe pronarin e tij, në fatin që u dhuroi jeta e të kthehemi tek aventura ime në qytetin e Gjirokastrës dhe në atë rrugëtim aventurë, fantastik.
Rreth orës 6.3o të mëngjesit, me torbë në krah, u çapita, duke fërkuar sytë e pagjumë, drejt vendit nga ku nisej autobusi i linjës për në qytetin e Korçës. Si unë, në vendin përpara autobusit ishin grumbulluar të gjithë pasagjerët. Nuk u shty njeri, mbasi secili, me biletën që kishte blerë, kishte prenotuar dhe vendin e caktuar. U hap dera e autobusit "Skoda" 52 vendesh, të prodhimit çek, i cili ishte mjaft i mbyllur. Siç duket, uzina e kishte prodhuar për t’ua shitur vendeve me klimë të ftohtë, por, makina kishte përfunduar në vendin tonë e ishte futur në linjën interurbane të një rajoni, i cili mbahej si vend i ftohtë. Lidhjet miqësore dhe solidariteti mes vendeve socialiste, kishin bërë të tyren.
Rruga ishte më tepër fushore e më pak malore, por, e them pas kaq vitesh: Rruga ishte "skandal" = e ngushtë e tërë gropa. Nuk bëhej fjalë për asfalt. E bëja për herë të parë atë rrugë. U kënaqa me peizazhin e bukur e të larmishëm, por jo me rrugën, të cilën nuk ia uroj asnjeriu. Nuk e fsheh; isha kurioz të vështroja e të fiksoja çdo gjë, të cilën më parë nuk e kisha parë. Si çdo fëmijë që fantazon edhe mua më mbetën sytë përjashta dritares dhe doja të përthithja ato që vështroja.
Shoferi i autobusit, një mesoburrë; i shëndetshëm (buçko), me mustaqe të prera "spic" ishte tepër i kujdesshëm në veprimet e tij dhe e drejtonte autobusin me shumë siguri. Këtë e vija re si udhëtonte me shpejtësi të vogël dhe si i merrte kthesat. Siç duket drejtoria e parkut automobilistik e kishte përzgjedhur shoferin, midis më të mirëve specialistë të këtij lloji, edhe pse parku i asaj kohe ishte tepër i varfër, si në mjete, edhe në njerëz. Shoferi ynë kishte kujdes të shtuar, mbasi, siç e gjykoj tani, ai mesoburrë e ndjente përgjegjësinë e madhe që kishte për jetët e 52 udhëtarëve dhe për autobusin që drejtonte, të cilët, asokohe nuk se ishin të dendur.
Ai, gjatë rrugëtimit nuk e kalonte shpejtësinë 40 km/orë dhe gjykonte: "Me këtë shpejtësi, unë, në çdo çast e kam në dorë autobusin e nuk më ka në dorë ai grumbull hekurash mua." Po të mbante shpejtësi të madhe, autobusi, në çdo kthesë të rrezikshme ose nga një pakujdesi njerëzore autobusi me gjithë ata njerëz brenda, mund të fluturonte në humnerë. Historia shqiptare kishte fiksuar disa raste të tilla dhe njerëzit i kujtonin me keqardhje ato.
Për të parë qytetin e Këlcyrës dhe atë të Përmetit, nuk kisha ndonjë kuriozitet të madh. Kur vazhdoja klasën e 6-të të shkollës shtatëvjeçare të Tepelenës një herë, në festën e 24 majit, festën tradicionale të Kongresit Historik të Përmetit, kisha ikur nga Tepelena e kisha shkuar në Përmet, ku, jo vetëm mora pjesë në festime, por, pata shansin të shisja gjithë atë ditë karamele, të cilat m’i kishte dhënë një mik imi, në Tepelenë dhe i mbaja në dorë, në një kanistër me thupra shelgu. Këlcyra e asaj kohe, vetëm emrin kishte qytet; ajo ishte larg të qenit e tillë. Vetëm sa kisha kaluar, i hipur mbi kamion mallrash, nuk më kishte pëlqyer asgjë prej saj. Ky vend, kishte vlerë, se një herë në javë bëhej pazari i bagëtive dhe i kafshëve, ku merrnin pjesë fshatarë nga rrethe të ndryshme të vendit (zonës) dhe bashkëfshatarët e mi. Njëherazi, mbi Këlcyrë, në faqen jugore të malit ndodheshin rrënojat e mureve të sarajeve të Ali Bej Këlcyrës, të cilat dëshmonin vlerat që kishte kjo qendër e banuar në kohën kur Beu i Këlcyrës bënte ligjin.
Në qytetin e Përmetit, i cili, në atë kohë ishte diçka më i madh e më i zhvilluar nga Tepelena ime, autobusi ynë ndaloi e bëri një pushim prej rreth 30 minutash. Disa pasagjerë, nga ata që deri aty e kishin biletën, zbritën nga autobusi e u nisën për në destinacionet përkatëse. Në vend të tyre, u ngjitën në autobus të tjerë udhëtarë të cilët zunë vendet e atyre që zbritën. Siç ngjan rëndom me të parriturit e me të paparët isha shumë i gëzuar që fati më kishte rezervuar një ndenjëse lëkure, diku në mes të autobusit, pranë dritares së mbyllur – hermetikisht nga një rrip llastiku. Tentova dhe arrita të lëvizja dritaren e vogël të mjetit gjë që më mundësoi më shumë frymëmarrje e ndriçim për të parë më shumë përjashta.
Rreth orës 09.oo të asaj dite autobusi lëvizi, doli nga Përmeti e u nis në udhën anës lumit të Vjosës në drejtim të rrjedhës së tij. Udhëtoja për herë të parë në atë trevë dhe shpresoja se diçka të jashtëzakonshme do të vështroja, si nga bukuria dhe nga larmia e terrenit. Rruga gjarpëronte nëpër terrene të veshura me shkurre.
Ajo, herë i afrohej lumit e herë i largohej atij; në tërësi ishte e pasur në kthesa të forta e të ngushta, siç ishte e tërë udha e pashtruar e cila, herë kalonte në terren fushor e herë në terren të thyer - kodrinor. Mbasi kishim përshkuar disa kilometra, pa mbërritur në fshatin e njohur Çarçovë, mbasi bëri një kthesë të fortë e të beftë, papritur autobusi ndaloi dhe shoferët, të dy zbritën. Diçka e rëndë kishte ngjarë në autobus, derisa zbritën të dy shoferët dhe bisedonin me zë të ulët me njëri-tjetrin, madje u larguan disa metra nga autobusi, në mënyrë që bisedën e tyre të mos e dëgjonin pasagjerët, të cilët ishin tërë sy e veshë për të mësuar atë që kishte ndodhur.
Në atë kohë, nuk merrja vesh nga punët mekanike dhe nuk e konceptoja fare se çfarë rreziku sillte shkëputja e zbarës dhe rënia e saj përtokë.
Shoferi "buçko" dhe ndihmësi i tij, u tërhoqën, "larg syve e veshëve të pasagjerëve" dhe po diskutonin me njëri-tjetrin, me pasion, me duar e me këmbë. Ata dy burra kompetentë, përpiqeshin t’i mbushnin mendjen njëri-tjetrit për natyrën e defektit dhe rreziqet që pasonin. Ishte bërë rregull që, në rrugët e largëta shoferët, kishin pranë dhe ndihmësit, të cilët praktikoheshin për të qenë në timon, në të ardhmen. "Aventura" jonë, ishte jo vetëm rrugë e gjatë, por dhe mjaft e vështirë. Ajo kalonte nëpër rrugë të vështira e kthesa të forta, në rrugë të ngushtë e tërë gropa ku rreziku i monotonisë te shoferët ishte iminent dhe jetët e njerëzve ishin në rrezik.
Shoferët vërtet biseduan me njëri-tjetrin me zë të ulët, por rrjedhojë e një pune të përbashkët për shumë kohë, kishin shansin të merreshin vesh me shoqi-shokun edhe me një të parë sy ndër sy. Me qëllim që pasagjerët të mos shqetësoheshin, ata të dy e mbajtën në fshehtësi natyrën dhe rrezikun e defektit teknik, i cili u shfaq papritur. Nga komunikimi i tyre me njëri-tjetrin, pavarësisht nga tonet, vura re se të dy ishin të shqetësuar e diçka kishin vendosur mes tyre.
Ndërkohë që ishte marrë vendimi i fshehtë mes tyre, shoferi "buçko" urdhëroi pasagjerët që kishin zbritur nga autobusi, të ngjiteshin e të zinin vendet e tyre. Ata, vërtet nuk bënë ndonjë njoftim, por të gjithë e kuptuan, me intuitë se diçka serioze kishte ndodhur në autobus, ndaj, të gjithë i mbuloi heshtja. Secili, në vetmi, siç ia priste, mendonte në heshtje, variantet e mundshme në raste të ndryshme. Asnjeri nuk lëvizte nga karrigia ku ishte ulur. Njerëzit vështronin njëri-tjetrin në sy dhe dalëngadalë nisën të komentonin, gjithnjë me hamendësi e fantazi rrjedhojat e kësaj ndodhie fatkeqe. Secili përpiqej t’i jepte rëndësi mendimit të tij duke e shitur veten për kompetent në çështje të mekanikës.
Më bënte përshtypje fakti që dikush ngrinte zërin për të përligjur drejtësinë e mendimit të tij, duke i vënë çdo mendimi të tij, një lloj "jataku".
Situata në rrugë, sa vinte e bëhej më shqetësuese. Autobusi "ziente" nga zërat që komunikonin "kuturu" dhe nga mendimet e pabazuara të udhëtarëve. Ndodheshim në zonë kufitare ku regjimi i kalimit dhe qëndrimi rregulloheshin me ligje të veçanta. Nga autobusi ishte e ndaluar të zbriste njeri, përveç dy shoferëve. Shoferi kryesor, ai kokoroçi me mustaqe të prera "spic", kroi zërin dhe deklaroi, me solemnitet, shkurt e prerë: "Në autobusin tonë ka ngjarë një defekt i mbarsur me rreziqe; Zoti na ka ruajtur nga një e keqe e madhe; do të kthehemi në Përmet!" Kaq foli shoferi; u ngjit në timon e përplasi derën.
Gjitoni im, ai që ishte afër meje me vend, një goxha burrë, me moshë mesatare, i veshur mirë e me sjellje qytetare, kroi e ngriti zërin dhe pyeti: "Çfarë ka ngjarë?" Siç kuptova, burri që bëri pyetjen sqaruese kujdesej më tepër për vete dhe donte të binte në sy të udhëtarëve se ishte njeri me haber, nga mekanika e nga mjetet e transportit të udhëtarëve. Me pyetjen që bëri, ai e shtoi kureshtjen dhe alarmin tek udhëtarët. Si unë dhe udhëtarët e tjerë, ishim kuriozë të mësonim sa më parë mbi natyrën e defektit që kishte ngjarë në autobus. U bëmë sy e veshë dhe nuk ia ndanim sytë shoferit që bëri njoftimin. Sikur ai na e kishte fajin e donim ta përpinim.
Kishim dhe një arsye tjetër të fortë: Në rrugën që bëmë nga Gjirokastra në vendin e ngjarjes, dhe nga shtati i tij i kuruar mirë, kishim krijuar një besim të verbër tek ai njeri se mund të na shpëtonte nga çdo situatë me zotësinë e tij. Kjo nuk ishte një gjë e lehtë. Atij njeriu i kishim besuar jetën tonë dhe kishim shumë shpresë në zotësinë e tij.
Shqetësimi i udhëtarëve nuk kaloi pa rënë në sy të shoferëve. Ndërkohë, i pari i tyre, ai që bëri njoftimin, siç duket e ndjente përgjegjësinë dhe detyrimin për t’i shkuar sqarimit të çështjes deri në fund. Për të qetësuar të shqetësuarit, shoferi i parë, i mendoi mirë ato që do t’u thoshte njerëzve. Me qëllim që t’i shtonte vlerat vetes dhe të paraqitej si shumë kompetent, "buçkua mustaqespic", ai nisi të sqaronte në detaje natyrën e defektit teknik. Midis shpjegimeve që bëri, ai na njoftoi se koka e zbarës ka dalë nga foleja dhe autobusi, praktikisht është bërë i pakomandueshëm. Si shumë nga bashkëvuajtësit, atëherë nuk i kuptoja mirë gjithë sa shpjegoi shoferi, por një gjë e mora vesh qartazi; situata nëpër të cilën kishim kaluar ishte e mbarsur me rreziqe serioze për jetën tonë ose, siç i thonë një fjalë; kishim kaluar në vrimë të gjilpërës.
Situata e mbarsur me rreziqe serioze për jetën e njerëzve, e detyroi të parin e shoferëve, fjalëpakun mustaqespic të "zbërthente gojën". Për t’i shtuar vlerat vetes, ai me argumente të pakundërshtueshme nisi të rrëfejë se paskemi qenë me fat që autobusi ynë, kur i ra zbara, nuk ndodhej në ndonjë dishezë të theksuar apo në ndonjë kthesë të fortë, përndryshe do të kishim përfunduar në ndonjë kanal të thellë anësor apo, ca më keq, do të kishim rënë në lumë. Si për të na shtuar sigurinë e atij udhëtimi dhe për t’i dhënë rëndësi vetes, shoferi i parë tha se falë aftësive të tij si drejtues i parë i mjetit, e kishte pikasur shpejt defektin teknik, që në shfaqjet e para dhe kishte marrë masa eficiente për të mos lejuar agravimin e mëtejshëm të gjendjes. Me ato që tha, "buçkua" na mbushi mendjen se vazhdimi i mëtejshëm i udhëtimit me këtë defekt ishte i mbarsur me rreziqe të paparashikuara, për rrjedhojë, zgjidhja më e mirë do të ishte të ktheheshim në qytetin e Përmetit. Të 52 pasagjerët, e miratuan njëzëri, madje dhe duartrokitën vendimin e shoferit të parë.
Pas marrjes së vendimit për t’u kthyer, të dy shoferët u futën poshtë autobusit, në pjesën e përparme të tij; diçka rregulluan dhe me vështirësi e rrotulluan mjetin në drejtim të Përmetit. Rrugën e kthimit për në Përmet, autobusi ynë e kreu me shpejtësi mjaft të vogël e me kujdes të shtuar. Dikush nga udhëtarët, ra në panik dhe i alarmuar hodhi mendimin: "Të zbresim, të gjithë nga autobusi dhe udhën, deri në Përmet ta bëjmë në këmbë". Propozimi i tij nuk u përkrah dhe asnjeri nuk zbriti nga autobusi; madje edhe ai vetë nuk lëvizi nga vendi. Mbase kishim të bënim me një rast ku njerëzit rrëfejnë burrërinë e tyre; gjithsesi, pa e kuptuar mirë situatën. U bashkova me bashkëvuajtësit e nuk zbrita nga autobusi, siç tha ai i alarmuari.
Dëgjova që dikush belbëzoi nëpër dhëmbë. Nga fjalët e tij arrita të kuptoja shprehjen përbuzëse: "frikacaku". U erdhi në shteg lebërve trima të nxirrnin gjoksin e të merrnin situatën në dorë.
Me shumë vështirësi, përmes postës kufitare më të afërt, shoferët njoftuan agjencinë që menaxhonte parkun e udhëtarëve në Gjirokastër, atë që përcolli për në këtë udhëtim ndërqytetës, mbi defektin teknik që kishte ngjarë, për vendndodhjen dhe për vendimin që kishin marrë. Në atë kohë ishte mjaft e vështirë ndërlidhja telefonike nga njëri qytet në tjetrin. Nuk bëhej fjalë për celularë, të cilët e kanë lehtësuar e thjeshtësuar mjaft problemin. Në atë kohë ndërlidhja telefonike realizohej me linjë telefonike ajrore, e cila ishte fare e pasigurt, nga agjentët atmosferikë dhe nga grabitja e telave prej banorëve të fshatrave ku kalonte linja telefonike ajrore.
Në njoftimin e shoferëve, përveç të tjerave, i kërkohej agjencisë së udhëtarëve të Gjirokastrës të niste, në drejtimin tonë një autobus tjetër të së njëjtës madhësi. Të kuptohemi, në vitet për të cilat bëhet fjalë, të bëje zëvendësimin e një autobusi të atij kapaciteti me një tjetër ishte praktikisht e pamundur. Bëmë si bëmë, me shumë vështirësi e me "gjak të ngrirë" u kthyem në qytetin e Përmetit. Shoferi i parë, ai që ishte në timon e parkoi mjetin diku në qendër të qytetit, pranë agjencisë interurbane të udhëtarëve. "Buçkua mustaqeli", na bëri me dije se ishte njoftuar agjencia e udhëtarëve të Gjirokastrës, e cila kishte nisur në drejtimin tonë një tjetër autobus, i cili do të na merrte, sipas biletave e do të na çonte në qytetin e Korçës. Situata mes udhëtarëve u qetësua disi.
Tashmë çdo njeri "bluante" në mendje përpunimin e varianteve të ndryshme për të kapërcyer këtë situatë të pazakontë.
Nuk zbritëm nga autobusi, por qëndruam në vendet tona, me shpresë se, me të mbërritur autobusi i ndihmës do të sistemoheshim në të e do të vijonim rrugëtimin për në Korçë, ku do të mbërrinim atë ditë, në mbrëmje vonë. Na kishte "shkrirë gjaku" e na kishte ardhur çehreja në vend. "Buçkua me mustaqe" na i shtoi shpresat me njoftimet e gëzuara që na transmetonte herë pas here.
Ai na urdhëroi të ruanim biletat e të mos lëviznim nga poltronet. Biletat me të cilat ishim pajisur në agjencinë e Gjirokastrës ishin të vlefshme edhe për t’u akomoduar në autobusin e ri. Na zuri dreka, siç ishim e autobusi "shpresë" nuk po dukej të vinte. Na kishte marrë uria. Ushqimet i kisha në torbën e bardhë, të tjerë si unë i kishin ushqimet në hejbetë apo në trastat prej shajaku me të cilat i kishin përcjellë nikoqiret. Po kërkonim një vend të përshtatshëm për t’u ushqyer.
Asokohe, në Përmet ishte vetëm një restorant me pak tavolina e me çmime të cilat unë nuk i përballoja dot. Restorantin duhet ta kërkoje me qiri. Paratë që më kishte dhënë për udhë e për t’i pasur më pas Xhaxhakua, në Kalivaç, nuk më vinte mbarë t’i prishja për të ngrënë, kur torbën e kisha plot. Torbën me ushqime nuk e kisha vetëm unë, por thuajse të gjithë udhëtarët.
Kështu ishte tradita shqiptare: Burri, kur nisej për udhë e merrte torbën në krah, plot me bukë dhe me ushqime. Se udhës nuk i dihet sa do të vazhdojë e çfarë situatash do t’i dalin përpara. Mbaja në krah torbën e bardhë prej pëlhure, me një rrip prej vetiu të cilën e kishte përgatitur me dorë Nëna ime. Brenda saj, Zonja e Madhe e Binajve kishte futur gatimet që dinte të bënte dhe shumë dashuri Nëne. Çdo bashkëvuajtës mbante në krah një torbë, me ushqime të përgatitura për 2 - 3 vakte. Trastat ishin të ndryshme për nga ngjyra, madhësia dhe nga përbërja.
Asnjeri nuk e kishte parashikuar atë që na ngjau, por të bazuar në përvojën shumëvjeçare të trevës nga vinin, udhëtarët, torbën me ushqime dhe shkopin, i kishin shokë të pandarë. Ata që pinin duhan, merrnin me vete duhan të grirë, në një kuti alumini, ose metalike të fortë, të mbushur plot, si dhe një qese me duhan, me vete. Sipas gjendjes ekonomike të secilit, duhanxhinjtë ishin të pajisur dhe me teftere letre, me lëpushkë të hollë ose me çibukë, të cilët e nxirrnin tymin e duhanit të fortë e trullosës. Torbat e kurveleshasve dhe ato të zagoritëve binin në sy lehtë mbasi ishin prej leshi dhe me vija të bukura, po prej fijeje leshi të punuara në avlemend.
Ato kishin dhe ndonjë ornament zbukurimi, si shprehje e dashurisë së nikoqireve për burrat e tyre. Rrallë të zinte syri torba prej leshi në ngjyrë të bardhë. Ato, zakonisht ishin të zeza, me ndonjë ornament në ngjyrë të dukshme. Amvisat që i kishin endur torbat prej leshi, në tezgjah, lulet i vendosnin në copën e endur, me qëllim që të dëftonin aftësinë e tyre endëse dhe krijuese, por dhe për t’u bërë qejfin burrave të tyre. Me "bisht të syrit" dhe si vjedhurazi, vështroja bashkëvuajtësit e mi, si futnin duart në torbat e tyre dhe nxirrnin prej andej, diçka për të ngrënë, të cilën e futnin në gojë, si me drojë. Secili bënte si t’i thosh mendja e vepronte për llogari të tij dhe në qejfin e vet.
Njerëzit, si me drojë, përpiqeshin të hanin diçka, në mëvetësi e që të mos binin në sy të gjitonëve. Nuk e kuptoja drojën e tyre në një kohë që isha në dijeni se fshatarët, përgjithësisht komunikojnë me zë të lartë me njëri-tjetrin dhe, kur hanë, mbllaçiten me zhurmë e dëgjohen në distancë. Dëgjoja mbllaçitjet e të tjerëve dhe më ngacmonte stomaku. Nisa të veproja si ata. Futa dorën në torbën time dhe nuk e pata të vështirë të prekja "fijet" e petullave të buta, të pjekura me vaj ulliri.
Kështu dhe copat e qullapites. Llokumet e fshatit, të përgatitura në formën e breshkës, me përbërësit dhe me teknologjinë që dinin amvisat tona, ishin të shkrifeta e thërrmoheshin lehtë. Arrat dhe bajamet, kur i trazoja me dorë, bënin zhurmë. Nuk i përzieja nga droja se mos shqetësoja gjitonët. Mbllaçitjet e mia ishin pa zhurmë, ato u ngjanin mbllaçitjeve ripërtypëse të dhenve kur merxejne e ripërtypin ushqimin që kanë ngrënë në kullotë.
Kur mbllaçitjet u shtuan e zhurma e tyre dëgjohej fare mirë, njerëzve sikur u iku droja e i "hapën letrat". Ata nisën të hanin haptas e pa pyetur si do ta përjetonin këtë veprim të tyre, ata që kishin afër. Vështroja të tjerët e bëra edhe unë si ata. Natyrisht nga torba ime e bardhë.
Veprimet e të gjithë fatkeqëve (atyre që nuk vajtën në restorant), i përngjanin një mense primitive ku secili kishte vënë në mes të këmbëve torbën e tij dhe gjunjët i shndërroi në tavolinë ngrënieje. Me kureshtjen e një fëmije që kërkon të dijë çfarë ka përreth tij, pata shansin të vrojtoja gatimet e amvisave të disa trevave. Gatimet që vrojtova atë ditë ishin aq të shumta sa do ta kishte zili çdo fantazi njerëzore e çdo master shef i këtyre ditëve. Amvisat i kishin nisur për udhë të dashurit e tyre, me torbat plot.
Ato e kishin shkrirë talentin e tyre dhe kapitalin e familjes, për t’u paraqitur sa më dinjitoze, në këtë "garë spontane". Ajo drekë e rastësishme, për ata që nuk e dinin i ngjante një panairi spontan kulinarie, nga ata që organizohen rëndom në ditët tona ku njerëzit reklamojnë pasurinë, në të gjithë larminë e vet dhe shpalosin aftësitë e të gatuarit. Thuajse nga çdo torbë, kur bashkëvuajtësit nxirrnin ushqimet për t’i ngrënë, shndriste buka e misrit, me ngjyrë të verdhë ose të bardhë, sipas rastit.
Në atë kohë, gruri dhe mielli i tij ishin të shtrenjtë e gjendeshin me vështirësi. Populli, zakonisht ushqehej me bukë misri. Mund të them se buka e misrit ishte ushqimi kryesor i njerëzve. Buka e grurit (çyreku, kulaçi etj.) ishte salltanet e nikoqiret i ruanin për të nderuar mikun ose për t’i çuar si gatim, në dasma e në gëzime. Buka e misrit përgatitej e gatuhej në tepsi prej bakri, si trazake ose bukë me ujë të valë. Disa shfrytëzonin furrat me dru dhe me prushin e druve bënin ponicë.
Kur buka e misrit konsumohej e ngrohtë dhe ngjyhej në "grykën" e kazanit me vajin e ullirit sipër, shija e saj ishte e pakrahasueshme.
Disa burra, të veshur me shajak e me qylah, apo me kapele me strehë në kokë, nxirrnin nga torbat, copa mishi, në thela të mëdha, të cilat ishin të mbuluara nga dhjami i ngrirë i bagëtisë (deleve apo dhive); mbasi bagëtia e therur ishte pjekur në hell, mishi i saj ishte prerë në mënyrë anatomike, në copa të mëdha. Dikush nxirrte një copë djathë të bardhë nape apo qypi ose djathë kaçkavall. Kishte burra të cilët, në mes bukës, kishin vendosur një shtresë të trashë me gjalpë brumë, ose nxirrnin gjizë kaçupi, urrël, petulla, llokume, paluze, yshmerë, vezë të ziera, ullinj të kripur etj. Çdo njeri, sipas ekonomisë familjare, hante ato që dispononte familja e tij. Një takëm, kur hanin mish dhe prodhime bulmeti, nuk e shtynin dot gjënë pa përdorur pak alkool.
Ata, me kujdes nxirrnin nga xhepi i brendshëm i xhaketës, një faqore të sheshtë plot me raki të bërë vetë, prej koçimareje, prej rrushi, prej mani, prej kumbulle të zier dy herë etj. Ata, çdo kafshatë e shoqëronin me një gllënjkë rakie, pa bërë zhurmë e pa ngritur dolli apo pa pirë mirësinë e dikujt. Ata, nuk e bënin "gëzuar", sipas traditës, as me gjitonin më të afërt. Rrufitja e lëngut të bardhë, apo si i thonë rëndom, e "ujit të tërbuar" i gjallëronte e i entuziazmonte ata që e pinin dhe në raste të veçanta, ata harronin ndodhinë dhe hallet që kishin. Duke rrufitur alkool, përdoruesit e alkoolit, në fakt i bënin qejfin vetes teksa shfaqeshin në sytë e njerëzve si esnafë e njerëz të traditës. Nuk isha në moshë që të provoja shijen e alkoolit, por u kënaqa me spektaklin interesant e origjinal që pashë atë ditë, pa para. Më duhet të theksoj se të gjitha ushqimet që dolën atë ditë nga torbat e udhëtarëve ishin bio dhe cilësore.
Akoma pa përfunduar atë drekë të çuditshme, në një restorant të improvizuar, por të lezetshëm, mbërriti nga Gjirokastra një autobus. Autobusi ishte i të njëjtit tip, si ai që na solli në Përmet. Ai do të zinte vendin e autobusit tonë që pësoi defekt teknik.
Në autobusin që sapombërriti, përveç dy shoferëve, si në mjetin tonë, erdhën dhe 2 - 3 burra, të cilët mbanin në duar nga një çantë të rëndë, jo të pastër, por prej materiali të fortë. Ata kishin futur brenda disa vegla metalike, të cilat nuk i kisha parë më parë e nuk ua dija emrat. Me shpejtësi të rrufeshme, në mjediset rreth autobusit me defekt dhe në të gjithë sheshin u përhap lajmi se burrat që kishin ardhur nga Gjirokastra ishin ustallarë të përsosur.
Ata do të qëndronin aty, për të ndrequr defektin, teksa ne, me autobusin e "ndihmës" që erdh nga Gjirokastra, do të niseshim për në Korçë. Pasagjerët zbritën nga autobusi me defekt dhe sipas biletave, të cilat i mbanim në dorë, zumë vend në mjetin që erdhi për të na nxjerrë nga situata. Menduam se "ia hodhëm" fatkeqësisë dhe së shpejti do të niseshim për udhë, por doli se ishim të gabuar. Gëzimi, si tek unë dhe tek ata që ishin si unë, na ngriu në buzë. Nisëm të mendonim variante të ndryshme. Ku nuk na shkonte mendja.
Të katër shoferët dhe burrat që erdhën nga Gjirokastra me çanta të rënda në duar, me të cilët u bashkua dhe një pushtetar i pushtetit lokal, u tërhoqën mënjanë e diçka biseduan, larg veshëve tanë kureshtarë. Ne, hallexhinjtë, tërë sy e veshë, vrojtonim dhe regjistronim çdo lëvizje të tyre, mbasi fjalët nuk vinin deri te ne. Nga lëvizjet e duarve të burrave dhe nga shprehja e fytyrës së tyre, hamendësuam se mes diskutimeve të tyre kishte miratime, argumentime dhe kundërshti. Të përfshirë nga ankthi e të mërzitur nga pritja e gjatë mallkonim fatin tonë të keq, i cili na kishte braktisur e na kishte katandisur keq e mos më keq.
Në atë situatë të rënduar, njëri fajësonte tjetrin për atë që ngjau duke e nxjerrë veten të larë. Ndiqnim me vigjilencë bisedën mes burrave dhe mezi prisnim çfarë do të prodhonte ajo bisedë. Në fytyrat e tyre aspak të gëzuara, hamendësuam se një njoftim ogurzi do të mësonim së shpejti.
Ndërkohë, një burrë me moshë mesatare, të cilin e etiketuam si "nevrik e të paduruar", me një ton që dëftonte shqetësimin e tij u drejtua nga burrat e ekspertizës me fjalët: "O burrat e dheut! Të paktën na thoni, si konkluduat e çfarë vendosët? Mos na lini të merremi me hamendësime e të fajësojmë njëri-tjetrin, si ‘tersuz’!"
Burri me më ndikim në atë komision ekspertësh, nuk vonoi të përgjigjej, në emër të komisionit që përfaqësonte dhe në emër të shtetarit që ishte i deleguar nga pushteti vendor. Ai, shkurt e qartë deklaroi: "Ne, specialistët dhe përfaqësuesi i pushtetit vendor, nisur nga fakti se koha po ‘mbledh’ e dita është shkurtuar, menduam të mos niseni sot për në Korçë, por të presim ditën që vjen në mënyrë që ta kemi ditën përpara". Ishte fjala për ta kaluar natën aty, në Përmet dhe të nesërmen në mëngjes të niseshim për në Korçë.
Ky njoftim, për ne ishte i papritur e i trishtë; ai na befasoi. Për tjetër gjë ishim përgatitur shpirtërisht e tjetër gjë na doli. Personalisht, për mua dhe për ata që ishin nga fshati dhe që doemos u duhej të udhëtonin atë ditë për në Korçë ishte me interes.
Në destinacionin e fundmë, në qytetin e Korçës, nuk kisha qenë ndonjëherë. Po të shkonim sonte, në qytet do të mbërrinim natën, vonë e unë nuk do ta kisha shansin për të shijuar bukuritë e atij qyteti të paparë. Në errësirën e natës do ta kisha të vështirë të orientohesha nëpër rrugët e qytetit të pashkelur e për të gjetur konviktin ku do të strehohesha atë natë. Mosnisja është dhe në interes të pasagjerëve, të cilët, pas asaj udhe të gjatë me autobus, duhet të bënin dhe disa orë rrugë në këmbë, për të mbërritur në fshatin e tyre. Mendoni udhëtimin në atë kohë në të gjithë trevën e Korçës, kur dritat e rrugëve thuajse nuk ekzistonin! Ata, vërtet që ishin nga fshati, por e kishin të provuar se të udhëtosh natën nuk është njëlloj si të udhëtosh ditën. Nuk e kanë thënë më kot shqiptarët se "Nata është e huaj!"
Qyteti i trëndafileve është mbështetur në faqen veriore të malit të Dhembelit. Ky fakt dhe freskia që sjell lumi i Vjosës, i cili rrjedh në këmbët e qytetit të Përmetit, nxirrnin probleme serioze, për kalimin e natës, nën qiellin e hapët, në atë fundgushti. Mendoni sa të vështirë do ta kishin gratë. Nuk i kishim paraparë të gjitha vështirësitë, mbasi mendonim se natën do ta përcillnim në Korçë ku secili prej nesh e kishte gjetur një copë strehëz. Hoteli i vetëm i qytetit të asaj kohe i kishte shtretërit të kufizuar në numër dhe paraprakisht ishte i prenotuar. Pastaj, jo të gjithë udhëtarët kishin hequr mënjanë para, për ta përcjellë natën në hotel.
Disa kartëmonedha që më dha Babai dhe të doroviturat nga njerëzit e fisit e nga miqtë e familjes, i kisha futur në një qese pëlhure të bardhë, si torba, e cila ishte e varur në qafën time me një ushkur prej të njëjtit material. Ato duhet t’i ruaja fort e t’i përdorja kur kjo ishte e domosdoshme e jo për hotel. Shumë porosi, me vlerë më dha Nëna para se të nisesha për udhë.
Ajo më dha orientime të detajuara, me vlerë, si t’i ruaja e si e kur t’i harxhoja ato dy çika lekë që u mblodhën. Kuptohet, shuma e parave që u mblodhën ishte e pakët e unë duhet të isha nikoqir në shpenzimin e tyre.
Shqetësimi i përbashkët i udhëtarëve ishte një: "Ku e si do ta kalonim atë natë?" Në radhët tona kishte dhe të gjinisë femërore, të cilat kërkonin trajtim e kushte të veçanta. Shoqëria jonë e atyre viteve ishte mashkullore, por delikatesa e figurës së femrës është respektuar në çdo kohë e kudo. Gjithsesi, ato e kishin më të vështirë nga ne meshkujt. Të flija në autobus, në vendin ku kisha biletën, ishte tepër e vështirë. Vendi ishte i ngushtë e njeriu duhet të qëndronte, disa orë rresht i kruspullt.
Nuk po i jepja dum (drejtim): Çfarë të ishte kjo që po më ngjante? Kisha marrë një udhë të gjatë e me shumë dëshirë por, deri në Përmet rruga nuk po më ecte mbarë. Paudhësitë po pasonin njëra-tjetrën dhe gjithë ai gëzim që më kaploi fillimisht, po zvetënohej çika - çika. Fillova të gjykoja veten time. Ç’t’u desh more ditëzi që iu fute kësaj pune pa krye? Ndonjëherë konkludoja: "Mirë isha në fshatin tim, në Kalivaç të Tepelenës, pas babait tim - Xhaxhakos i cili ishte rritur në stan e në kullotë me dhentë përpara.
Po të kisha ndjekur këtë rrugë, mund të isha bërë një çoban model dhe esnaf e, së paku do t’i ndodhesha pranë familjes, për ta ndihmuar në çdo rast. Një natë më parë fjeta në Hanin e Stavros, mbi një pllakë guri, me një gur nën kokë si jastëk. Pa mbushur 24 orë, ja dhe një fatkeqësi tjetër. Më duhej të kaloja një kalvar të ri dhe ku? Nën qiellin e pastër. Më shkonte mendja se në autobusin tonë, ndonjëri apo ndonjëra do të ishte këmbëters."
Kështu e shpjegonin bestytnitë. Në familjen ku isha lindur e isha rritur, bestytnitë ishin të pranishme. Nëna ime, me një të fërkuar e me një matje me formaçkë (pëllëmbë gjysmë e hapur) dhe me disa fije fshese e me disa kokrra kripë gjelle, bënte yshtje e largonte syrin e keq ose këmbëtersin. Një kokërr vezë e zier ose një shegë apo një ftua, ishte çmimi për shërbimin që bënte Ajo grua.
Nuk doja të pranoja, qoftë dhe në heshtje se, "tersi" isha pikërisht unë. Dhe, a e dini si e justifikoja këtë, gjë e cila ma qetësonte vetëdijen: "Unë jam fëmijë e akoma nuk jam rritur; nuk është e mundur të grumbullohen tek unë ligësitë dhe tersllëqet!" Duke i dhënë vetes të drejtë çlirohesha nga ankthi që më kishte kapluar. E dija se isha disi i prapë, por nuk besoja se kisha arritur deri në atë shkallë sa të bëhesha ters për 52 pasagjerë dhe 2 drejtuesit e mjetit automobilistik. Në qytetin e Përmetit nuk njihja asnjeri, në derën e të cilit të trokisja për të kërkuar strehë. Nuk kisha kujt "t’ia zija derën e të bëhesha barrë", siç ndodh rëndom me ne fshatarët në nevojë.
Duke pritur në mes të sheshit qendror të qytetit të Përmetit, mendja më shkoi te një episod interesant nga fëmijëria ime. Në moshën parashkollore, shkoja me dhen pas Babait. Nuk i ndahesha as ditën as natën Xhaxhakos. Flinim në një shtrat të sajuar me drurë kondure, në krye të Rredheve.
Pas mesnate, frynte gryka e lumit dhe binte vesë; moti ftohej. Babai, kur ftohej moti, më mbulonte me sharkun e tij të bardhë, ose me ndonjë postë, të cilën e përdornim si dyshek e si jorgan. Babai më donte shumë e nuk më ndante nga vetja. Siç duket, ngaqë isha kanakari i familjes.
Ai kishte besim më tepër te vetja sesa te të tjerët. Po sonte, ku do të futesha? Xhaxhakua dhe e mira Zonjë ishin shumë kilometra larg e nuk më vinin dot në ndihmë. Ndihesha i vetmuar në këtë mjedis të panjohur. Shpresoja te ndonjë mrekulli, të ardhur nga qielli, ose nga shpirti i mirë i këtyre njerëzve të rrallë (bëhet fjalë për përmetarët si komunitet i pakrahasueshëm). Babai dhe Nëna më kishin nisur për udhë të largët dhe për mua do të kujdesej "udha" d.m.th., fati.
Isha në mëshirën e tij dhe të njerëzve zemërmirë. Në fëmijërinë time, qëndroja gjithë siklet, i vështroja njerëzit në dritë të syrit dhe përpija çdo fjalë të tyre. Me qëllimin e mirë për të mësuar prej tyre. Në një bisedë pleqsh, në fshatin tim kisha dëgjuar se "Perëndia, me një dorë të hedh e me tjetrën të pret!" M’u desh ta provoja në kurrizin tim, këtë slogan që ta besoja. E besova kur u ndodha në nevojë ekstreme e në hall të madh.
Disa udhëtarë, në heshtje, hodhën torbat në krahë, sikur të ishin hejbe dhe, po në qetësi morën udhën për te të afërmit apo te të njohurit e tyre. U ndjeva keq e më keq, pas "rrallimit" të pasagjerëve. Në shesh kishim mbetur rreth 20 udhëtarë. Me hallexhinjtë e me fukarenjtë, ndoshta do t’ia dilja. Disa udhëtare ishin të gjinisë femërore. Shqetësimi në sytë e tyre ishte i dukshëm.
Ato ishin mbledhur kokë me kokë, si dhentë në merxim e bisedonin me njëra-tjetrën me zë të ulët - grarisht. Me siguri qanin hallin e madh që i kishte pllakosur. Kishin mbetur në shesh në kushtet kur nuk kishin përkrahje. Mund të them se ato gra ishin "jetime". U mblodhëm rreth autobusit i cili ishte i parkuar te një shesh. Qëndronim në anën ku nuk na zinte era e lumit.
Sheshi rrethohej nga banesa 1 e 2 katëshe; shumica e banorëve të tyre ishte nga të ardhurit.
Një gjë mund ta them me bindje të plotë: Te përmetarët, bujaria e shpirtit është e njohur; ajo transmetohet nga brezi në brez dhe ka zënë vend si virtyt me vlerë. Kam dëgjuar e çmoj si të mirëqenë vargjet e këngës popullore: "O Përmet; o Xhehnet; bukë pak po ujë det"... Vërtet kënga na thotë se bukën, përmetarët e kishin të pakët, por vlera e padiskutueshme ishte fakti se ata (përmetarët) e ndanin copën e bukës me ata që ishin në nevojë. Prandaj nuk më hiqet nga mendja filozofia e kësaj kënge të saktë e të menduar mirë. Nuk bëhet fjalë për rastin konkret ku interesi vetjak, për një strehëzë prevalon mbi dukuritë e tjera pozitive të përmetarëve.
Në çdo vend ku kam qenë e në çdo komunitet, përmetarët veçohen për nga qasja; ata i japin tonin jetës dhe kanë ndikuar shumë te të tjerët. Po çfarë i veçon përmetarët nga të tjerët? Këtë do të mundohem ta shpjegoj me pak fjalë:
Në praktikën e jetës kam pikasur se një përmetar, vërtet nuk e ka të shkruar në ballë identitetin dhe origjinën, por nga mënyra e sjelljes dhe nga qëndrimi i tij, bën beli kush është. Një përmetar është i qetë e jo xanxar, ai është i urtë e i duruar, bukëdhënë e mirënjohës, shpirtmirë e zemërbardhë. Nuk mjafton që janë bujarë në shpirt, por atë që kanë e vënë në punë. Kam vënë re faktin se ku ka përmetarë ka qetësi, harmoni dhe shkuarje (marrëdhënie të sinqerta dhe dashamirësi).
Në çdo komunitet ku bëjnë pjesë, ka stabilitet e harmoni. Faktori determinues i këtij kohezioni janë pikërisht përmetarët. Nuk bëhet fjalë për një përjashtim se çdo fenomen e ka një përjashtim, por në tërësi, përmetarët kanë një qasje më të butë, më të veçantë, si të mëndafshtë. Nga sa i kam njohur, po të më fliste keq njeri për përmetarët; do të bërtisja fort, sa të më shqyhej gurmazi: "Nuk është e vërtetë"; se ata janë tepër njerëzorë dhe se prej këtej rrjedhin tiparet e tjera të tyre.
Nëse në këtë botë ka njerëz bujarë, do të thoja se përmetarët janë bujaria vetë. Le të kthehemi tek ajo natë e veçantë që pritej. Ajo natë kishte me vete shumë dilema e pasiguri. Ajo që ngjau atë natë, i vërteton të gjitha sa u thanë.
Në qytetin e trëndafileve, ndryshe nga sa veprohet në qytetet e tjera, edhe kur nuk të njohin, kalimtarët të salutojnë e të buzëqeshin. Jo me hipokrizi e sa për të të bërë qejfin, por me shpirt e me zemër. Kjo qasje është pjesë e sjelljes së tyre shekullore.
Në majë të gjuhës e kanë përmetarët shprehjen dashamirëse: "mirë se ardhët!" Sikur e kanë të ngjitur pas buzës këtë fjalë ata njerëz të njerëzishëm. Kjo vihet re dhe kur nxjerrin qerasjet. Pavarësisht cilin kanë përpara ata të qerasin me çfarë t’u ndodhet e nuk turpërohen aspak kur kapen në ngushtësi.
Ata nuk turpërohen sepse të gjitha të qerasurat e tyre janë të përgatitura mjeshtërisht e kanë brenda shumë dashuri e bujari shpirti.
Njoftimi se autobusi i linjës interurbane Gjirokastër - Korçë kishte pësuar defekt në drejtim dhe nuk kishte mundur të vijonte udhën, u përhap me shpejtësi marramendëse, siç shpërndahen njoftimet e këtij karakteri, të cilat futen në udhën e kureshtjes e të thashethemnajës. Qytetarët e Përmetit, atë ditë dhe disa ditë pas saj, si kryefjalë të bisedave në çdo vatër kishin këtë ndodhi e cila përshkruhej me nota keqardhjeje të thellë e shoqëruar nga ndjesi pozitive solidariteti e përkrahje pa rezerva. Në të gjitha bisedat familjare, të gjithë merrnin anën e udhëtarëve fatkeqë, duke bërë dhe urimin e shpirtit: "Shyqyr që shpëtuan!"
Ajo natë e "shenjtë" për mua, më përfshiu në vorbullën e hallexhinjve që luteshin për një strehëzë, por dhe më vuri në pozicionin e një dëshmitari okular që përjetoi "live" një mrekulli njerëzore. Isha tepër i paformuar në atë kohë dhe nuk mund ta konceptoja në tërë dimensionin human atë mrekulli. Ajo që do të ndaj me ju, pak më poshtë, besoj se nuk ka nevojë për koment. Me mendimin aktual, e them me tërë seriozitetin se veprimi i atij çifti të zakonshëm i kapërcen kufijtë e një sjelljeje të rëndomtë të gatuar me bujari e njerëzi. Pa i dhënë ngjyra hiperbole e pa kapërcyer caqet e së besueshmes, do të përpiqem, pas kaq vitesh të riprodhoj, me sa më shumë besueshmëri atë që përjetova atë natë, mes atyre njerëzve të mirë, të cilën, deri atëherë nuk e kisha imagjinuar. Mrekullia që shijova atë natë, ishte jo vetëm e paparë, por dhe e padëgjuar.
Edhe sot, më duket sikur kam përjetuar një përrallë nga ato me fund të lumtur e shumë të dëshiruar.
Pa bërë zhurmë e pa bujë, një nga një, ku burrë e grua e ku vetëm burri, shumë qytetarë nga Përmeti u gjendën në shesh me një kërkesë të çuditshme për të marrë atë natë në shtëpinë e tyre 1; 2 apo më shumë hallexhinj. Sipas kapacitetit të vendbanimit të tyre. Mbase isha zgjuar nga një ëndërr e bukur e fantazia ime mori krahë kur vura re atë realitet të këndshëm. Pyesja veten: Si është e mundur kjo që po më zënë sytë? Mos kemi të bëjmë me një iluzion optik? Mos jam në kllapi?
Si është e mundur që njerëz të panjohur të ftojnë në shtëpinë e tyre për të kaluar natën të panjohur të tjerë hallemëdhenj? E paparë dhe e padëgjuar kjo ndodhi, por ja që në Përmetin e atyre viteve nuk përbënte çudi, por një realitet të prekshëm. I mbështjellë me rrobat e trupit për të mos mërdhirë, më kapën veshët një cep bisede. Një grua i thosh burrit të saj: "Burrë – o! le ta marrim në shtëpinë tonë këtë grua të vetmuar. Është femër e ka shumë ‘halle’; nuk mund ta kalojë natën përjashta, në mes të rrugës e nën qiellin e hapët!"
Në ato fjalë të thjeshta zemre, të thëna me sinqeritet me vendosmëri përmblidhej një botë e tërë. Brenda saj me siguri që duhet të kishte shumë zemër njeriu e ndjenja gruaje. Çfarë shpirti duhet të ketë pasur ajo grua "engjëll"? Një nga një, përmetarët morën të gjithë hallexhinjtë jabanxhinj, në shtëpitë e tyre. Nuk na lanë në errësirën e natës e në ftomën e asaj nate buzë lumit që frynte e rrëzë malit që "rrokulliste" ftohtësi. Na bënë të ndiheshim borxhlinj e ta mbanim mend gjatë nderin që morëm atë natë të paharruar.
Kisha mbetur njëri nga të fundit hallexhinj. Isha në pritje të më "dilte fati". Kisha njëfarë sigurie dhe shpresoja se edhe mua dikush do të më "birësonte" atë natë. U errësua e unë po rrija i mbështjellë si kukuviq rreth vetes, në mes të sheshit. Nuk më erdhi mirë që u gjenda i vetmuar përballë errësirës; por zemrën e kisha të mirë e u gëzova që bashkëvuajtësit e mi e gjetën zgjidhjen. Shpresoja se edhe mua do të më ndrinte fati.
U struka pas një muri e qëndroja në pritje të ndonjë bamirësi. Isha kurioz të mësoja; cili do të bëhej "adoptuesi" im për një natë? Fantazoja me vete: Sa vetë do të jenë "engjëjt" e mi mbrojtës? Burrë e grua apo vetëm njëri nga bashkëshortët? Si do të ishin ata? Çfarë moshe do të kishin?
Po pjesëtarë të tjerë të familjes së tyre, a do të kishte? Si do të silleshin me mua? Ishin vendas apo të ardhur etj. etj. Për një gjë isha i sigurt, shpirti i mirë përmetar do të më gjente edhe mua. Edhe po të mos ishin përmetarë autoktonë, vetëm praktika e tyre jetësore pranë përmetarëve vlente shumë.
Tek rrija i mbështetur pas murit, si ata "fakirët", pashë që drejt meje po vinte një çift i ri. Duke u afruar, ata bisedonin me njëri-tjetrin. Dëgjova t’i thoshin njëri-tjetrit: "Le ta marrim sonte këtë djalin e vetmuar, le të flerë te ne, gjynah të mbetet i vetëm, këtu, në mes të sheshit." Gruaja këmbëngulte të më merrnin.
Ajo i tha të shoqit: "Le të flerë bashkë me fëmijët tanë; shtrojë e mbulojë kemi; sa për të ngrënë; një lugë do të shtojmë; tek të ushqehen katër vetë, le të hajë dhe një i pestë!" Kaq dëgjova. Çifti erdhi pranë meje dhe më ftoi të shkoja pas tyre. Që në vështrimin e parë, pikasa se të dy ishin njerëz të mirë; të çiltër e të përzemërt. Ishte errësirë, por aq sa munda të vështroja dallova që mirësia buronte si gurrë nga ato gojë dhe mjaltë nxirrnin buzët e tyre.
Ai nuk ishte mjaltë, por ëmbëlsi e shpirtit të tyre. Duke shkuar në shtëpinë e tyre, e cila ndodhej pranë sheshit, ata para e unë pas tyre kalova në retrospektivë fëmijërinë time. Kujtova netët e gjata të dimrit, kur, të mëdhenj e të vegjël mblidheshim rreth zjarrit në vatër, kur ngroheshim përpara e plevitoseshim nga kurrizi. Se dhomat ishin pa tavan e pa dysheme. Kujtoj Nënën time, e cila, me një shoshë metalike që i digjte duart, sipër flakës së zjarrit, piqte kalaposhe, të cilat na shijonin shumë. Të moshuarit na rrëfenin përralla ose ndodhi nga jeta e tyre.
Ne të vegjlit, i vështronim në dritë të syrit dhe bëheshim sy e veshë për të përthithur gjithë sa ata rrëfenin.
Në ato pasdarka të paharruara kisha dëgjuar si u çonin partizanëve bukë me gjizë dhe ndonjë qepë apo çfarë t’u ndodhej dhe veshje të ngrohta (çorape e triko leshi; opinga llastiku e rroba shajaku), që të mos i cekte ftoma e të ishin në gjendje për luftë. Nuk bëhej fjalë për mbështetjen pa rezerva të fshatarëve të atyre anëve, për ata që kishin rrëmbyer armët e kishin dalë malit, për të çliruar vendin.
Një i moshuar nga fisi im, më kishte rrëfyer diçka të rrallë e cila bën fjalë për karakterin burrëror, trimërinë dhe besnikërinë e të afërmit tonë – Ali Pasho Nelaj, i cili, në ditët e vështira të operacionit fashist të Qershorit të vitit 1944, kishte strehuar drejtuesin e njësive partizane të qarkut të Vlorës - Beqir Radhima, i cili ishte plagosur rëndë në një luftim kundër armikut fashist. Ai e ktheu shtëpinë në spital partizan ku i plagosuri mjekohej çdo ditë dhe kur u bë gati për të lëvizur, erdhën shokët e tij nga rrethinat e Vlorës dhe e morën në njësinë ku bënte pjesë. Këtë ndodhi, Aliu, nuk ua kishte rrëfyer as gjitonëve, as fisit Nelaj, i cili ishte i lidhur ngushtë dhe mbështeste, pa rezerva Luftën Nacionalçlirimtare. Kur isha i vogël, duke vajtur derë me derë, natyrisht tek ata që na pritnin mirë e na sajdisnin, kisha shijuar bujarinë, dashurinë dhe ëmbëlsinë e Nënave bujare e dorëdhëna të mëhallës sime: Ninijes (Hysnijes së Musa Mehmetit); Samos së Breshan Fejzos; Hatemes së Qemal Sherifit; Nefizesë së Laze Xhezos; Memes së Muharrem Hasanit; Hyrisë së Xhemal Haxhiut; Tajanës së Muharrem Kamberit; Tajanës së Ahmet Selfos; Bukurisë së Mane Tafilit; etj. etj. Disa prej tyre (ato që përpunonin bulmetin), mbasi tundnin dybekun e zbraznin gjalpin, bënin sikur harronin një top me gjalpë brumë, na dërgonin një kusi me dhallë, me gjalpin brenda, neve që i kishim përmbysur dybekët, prej kohësh e nuk kishim bagëti me qumësht. Në raste të tjera, kur familjet me blegtori të imët thernin ndonjë prej tyre, me rastin e një dite të shënuar si: (Barjam, Sulltan Novruz etj.) ose kur kishin ndonjë gosti, na jepnin një hise me mish ose një sapllak me kos, me gjizë, me urrël e produkte të tjera blegtorale.
Kjo që ngjan sot me ne hallexhinjtë, në Përmet është bujari e pastër. Bujaritë, për nga përmbajtja i ngjajnë njëra-tjetrës. Midis tyre, po të rëmoje, mund të gjeje dhe ndonjë ndryshim jo esencial. Nëse bujaria e dikurshme shfaqej brenda fisit; e sotmja shfaqet mes njerëzve të panjohur e të paparë kurrë. Lexuesi i nderuar, e bën vetë analizën e dukurisë dhe e gjen, pa vështirësi ndryshimin mes rasteve dhe përfundimet i nxjerr në mënyrë autonome; unë vetëm sa e kujtoj atë që të orientohet drejt.
Në opinionin tim, në këtë qytet të vogël, gati 100 km larg fshatit tim të lindjes, kur e gjeta të shtruar qilimin e bujarisë shqiptare, aq sa më mundësonte logjika e një 14-vjeçari - mendova: "Këta njerëz që sot na hapën kanatat e shtëpive e të zemrave, sikur nuk më ngjasojnë me të tjerët; ata sikur kanë diçka të veçantë, e cila nuk është kësisoj te të tjerët. Shpirti i tyre është, në thelb bujar, shqiptar. Mikpritja e tyre e çiltër na imponon të ndajmë me të panjohurin edhe kafshatën e fundit." Në fund të fundit, këto janë stolitë e shpirtit tonë, pasuritë tona të pakrahasueshme të cilat burojnë nga gjeni shqiptar që na ka mbajtur tok, si komb e si popull dhe kemi mbijetuar në shekuj. Po e vazhdoj edhe në disa rreshta arsyetimin:
Mosha që mbaj mbi supe dhe përvoja jetësore që kam qëmtuar, besoj se më lejojnë për të bërë një arsyetim të tillë: Dikur, diku, kam parë dy burra, të cilët po grindeshin me njëri-tjetrin. E nisën zënkën me fjalë; jo ti po unë; pastaj ngritën zërin e nisën të sulmonin njëri-tjetrin me grushta, derisa arriti puna te përdorimi i arsenalit (armëve) që mbanin me vete. Një i tretë u fut në mes të tyre, me qëllimin e mirë që t’i ndante grindavecët nga sherri që kishin nisur. Pyeta veten, në heshtje: Po ai, i çmendur është që futet në mes të "Zjarrit"? Ndërgjegja ime u përgjigj: Jo mor jo, nuk është i çmendur, por është një shqiptar i pastër e trim.
Kështu e mendova dhe unë. E dini përse? Sepse vetëm një shqiptar është i motivuar të hidhet në zjarr edhe kur sherrin e ndesh rastësisht. Kombe të tjera, qoftë dhe nga ata që janë pranë nesh, zor se i edukojnë pinjollët të ndërmarrin një sakrificë të tillë. Nuk është çështje vetëm trimërie, mbasi trima ka sa të duash dhe nga çdo kombësi, por është çështje gjeni që ka në themel, bujarinë e shpirtit. Le të kthehemi te kronika e asaj nate të paharruar të fundgushtit të vitit 1956:
Çifti që më mori në shtëpi për të kaluar natën, banonte pranë sheshit ku qëndroja i vetmuar, në katin e dytë të një banese të modës së vjetër. Hyrja ishte në anën jugore të saj. Në anën veriore të banesës, ishte një balkon i ngushtë, i vogël, me pamje nga sheshi. Banesa ngjante me ato karrakatinat, të ruajtura si muze i kohës së shkuar. Të dy; burrë e grua, me origjinë ishin nga fshati Orman – Çiflig i rrethit të Korçës. Fshati i origjinës së tyre ndodhet në fushën e Korçës, jo shumë larg qytetit (rreth 2 orë në këmbë).
Fshati është i begatë, e i pasur me toka pjellore, ku kultivohen të gjitha drithërat e bukës; në veçanti kultivohen me rendimente të larta patatja dhe panxhari i sheqerit. Fshati i tyre i origjinës është i pasur me pemëtore ku rriten pemë të llojeve të ndryshme e të shijshme, ku përparësi merr molla. Ka pasur e ka shumë varietete mollësh të kërkuara, në veçanti nga ato të llojit Starking (ylli i mbretit); karapashka, kalvile, rennet orion e Kanadeze, belfior, etj. etj. Në ditët që jetojmë, disa varietete mollësh dhe pemësh të tjera, kanë degraduar deri në atë masë saqë nuk i kanë më cilësitë e mëparshme, ose janë kryqëzuar me shartesa të tjera, të cilat japin fruta jo aq të shijshme.
Ata që nuk i kanë shijuar pemët e viteve për të cilat bëhet fjalë nuk e kanë mundësinë të gjykojnë për vlerat e tyre. Ormançifligasit mbarështojnë dhe gjedhe e më pak të imëta. Ata shquhen, më shumë se për pasuritë natyrore e tokësore, për natyrën e tyre njerëzore, për shpirtin e tyre bujar e për mirësinë që u ndrin në ballë.
I zoti i shtëpisë punonte në një zdrukthëtari kurse bashkëshortja e tij ishte shtëpiake. Ajo kujdesej për mirërritjen dhe edukimin për së mbari të 2 fëmijëve të tyre: djalit – 8 vjeç dhe vajzës - 3 vjeçe. Apartamenti ku ata banonin përbëhej prej një dhome dhe një paradhome e cila shfrytëzohej dhe për të gatuar (si kuzhinë). Aty, çifti kishte dhe "selinë" e pritjes dhe të sajdisjes së mysafirëve. Të tilla ishin kushtet e jetesës, jo vetëm për këta që "më birësuan" për një natë, por për të gjithë popullsinë qytetare, e cila përjetonte ngushtësinë e sipërfaqes së banimit dhe jetesës, në tërësi. Banesa ishte e shtruar me dërrasa dhe përmasat e saj ishin thuajse normale, për një familje qytetare të asaj kohe, me dy fëmijë.
Në orenditë e asaj shtëpie hynin një krevat dopjo, metalik, dy mindere, një tavolinë buke po prej dërrase dhe një dollap buke me përmasa të vogla, me një rrjetë metalike ku vendoseshin ushqimet, i cili "kapardisej", plot kur ishte dita e tërheqjes së ushqimeve me triska dhe bosh, kur ato soseshin. Në fund të dhomës ndodhej dhe një sobë prej llamarine e cila funksiononte me dru zjarri. Ngushtësisë së mjedisit i shtohej ngushtësia e ushqimeve, të cilat ishin të racionuara dhe, po të "shpërdoroheshin" e të mos pjesëtoheshin me ekonomi për të gjitha ditët e muajit, familja, në ditët e pambuluara duhet të "ngrohej në diell".
Kjo përbënte ngushtësinë më të madhe të familjes qytetëse. Artikujt bazë të përdorimit të përditshëm, ishin të racionuar. Në fuqi ishte sistemi i triskëtimit; jashtë sasisë së përcaktuar në tallonin përkatës, njeriu zor se gjente ushqime në tregun spekulativ. Atyre që mund ta lexojnë, këtë shkrim, por që nuk e kanë përjetuar në "kurriz" atë kohë, mund t’u duket si një përrallë ose si diçka e sajuar nga fantazia e atij që e ka shkruar. Kam kaluar nëpër këtë kalvar dhe ndonëse isha konviktor e i kisha të siguruara ushqimet, në disa drejtime i kam ndierë efektet negative të kalvarit nëpër të cilin kalonin njerëzit tanë.
Kështu, p.sh., buka ishte e triskëtuar. Punëtorët që punonin nën tokë dhe ata të profesioneve të vështira pajiseshin me triska buke, ku talloni ditor ishte 800 grame; të tjerët e kishin racionin 600 grame bukë në ditë. Buka, edhe pse me racion, ishte e përgatitur prej mielli misri dhe me vështirësi e shponte edhe plumbi.
Në shitje të lirë bukë nuk kishte. Edhe kur paraqitej ndonjë okazion, çmimi i bukës ishte tejet më i shtrenjtë dhe, doemos duhej futur në lojë "miku". Disa fshatarë, me status të veçantë, edhe pse kishin tokë e mund të prodhonin pak drithë, racionin e bukës e merrnin të konvertuar në drithë. Kalivaçasve u takonte të rrugëtonin disa orë (5 – 6 – 7), në këmbë, që të mbërrinin në depot e shtetit, në fshatin Turan, për të marrë një thes me misër - 20 apo 30 kg, në krahë.
Ishin vitet kur, në vendin tonë zbatohej politika e re ekonomike (NEPI), sipas modelit sovjetik. Fshatarit, shteti i merrte të gjitha "tepricat" e drithit, për të mbajtur qytetin me bukë. Prandaj fshatarët shfrytëzonin korijet me shkurre, pranë shtëpisë së tyre, për të fshehur, në siguri, disa kilograme drithë. Metrazhet, të çdo lloji ishin me triskë. Edhe vajguri shpërndahej kundrejt triskëtimit. Mishi ishte i racionuar e jepej sa për të mos i harruar shijen.
Vezët, gjalpi dhe ushqime të tjera u jepeshin njerëzve sa për të mbajtur frymën. Me triska pajiseshin vetëm ata që ishin në marrëdhënie pune me shtetin dhe sipas kategorive të vendeve të punës.
Në familjen ku bujta atë natë, ngushtësia vihej re që kur ngjitje shkallët prej druri të asaj banese; bujaria ishte e derdhur me shumicë në çdo dhoge ku shkelja. Dritaret e shtëpisë ishin në formë frëngjie të orientuara nga verilindja. Në dyshemenë e banesës, siç bënte përditë nikoqirja ishte shtruar sipër dhogave një qilim i punuar vetë, i cili, prej kohës dhe përdorimit ishte fërkuar (tripsur). Por zbukurimet dhe "brezaret" që kishte qëndisur amvisa, në tezgjah kishin gjurmë të dukshme. Mjedisi ishte i ngrohur dhe ndjeva se po më hapeshin poret e lëkurës nga ngrohtësia që gjeta, si në atë mjedis mikpritës dhe në zemrat e atyre njerëzve të mirë. Një natë më parë kisha "prerë gozhdë", në Hanin e Stavros, në Gjirokastër e sonte isha në një shtëpi bujarësh, "si pasha". Kisha ndjesinë se kisha rënë në "parajsë!"
E zonja e shtëpisë po verdallisej nëpër dhomë, në sytë tanë, në përpjekje për të sajuar darkën. Ajo llogariste në tavolinë një njeri më tepër, në atë darkë; familja ishte shtuar me një mysafir. Siç ishin rregullat e traditës shqiptare, edhe një i parritur po të vinte në shtëpi, duhej nderuar me të gjitha nderet, sikur të ishte i rritur. Ajo darkë nuk mund të ishte si të tjerat; kërkohej të ishte më cilësore dhe më e pasur në asortimente. Nga pozicioni që mbaj sot, kur ushqimet janë me shumicë dhe çmimet në rritje e mund të përballohen me më tepër fonde monetare, gjykoj: sa të vështirë e ka pasur ajo Zonjë grua për të përgatitur një darkë ndryshe, me qëllim që të më gostiste e të më nderonte, sipas traditës së zonës dhe të asaj shtëpie bujarësh. Isha akoma i parritur e mund të darkoja me çfarë të ndodhej në atë vatër fisnikësh, njëlloj siç do të ushqeheshin fëmijët e tyre uterinë, por, tradita, forca e zakonit, sedra e njerëzve të mirë dhe statusi i asaj familjeje të njohur për bujari e mikpritje, nuk pranonin të mos më gostitnin me gatimet më të preferuara të zonës dhe me mish i cili, në atë kohë, gjendej me vështirësi.
E zonja e shtëpisë, si grua me derte e me virtyte të mira kishte mblojtur disa copëra mishi, të cilin "ua hoqi nga goja fëmijëve të saj" me qëllim që gjella që do të gatuante të ishte me shije dhe të mbante erë mishi. Sikur ta dinte që mishi në tenxhere, kur ziente, ia guduliste flegrat e hundës mysafirit. Nuk jam ekspert kuzhine, ca më pak në atë moshë e në atë kohë, por kuptova se pjata me gjellë mbarohej shpejt dhe ne të vegjlit, të tre, lëpinim gishtat. Mbasi hëngrëm me shije jahninë, nikoqirja vuri në tavolinë dhe një gjellë tjetër, emrin e të cilës nuk e kujtoj. Asokohe nuk ishte e pranueshme ta përcillje mikun e ri, me një gjellë të vetme.
Në tavolinë, për të darkuar u ulëm të katërt: dy fëmijët e çiftit, unë dhe i Zoti i shtëpisë. Nikoqirja nuk u ul me ne, në tavolinë. Ky veprim i saj kishte si bazë justifikimi faktin se ajo që kishte gatuar, nuk mund të hante gatimet e saj dhe për faktin që mentaliteti i kohës ndalonte uljen e femrave në të njëjtën tavolinë me burrat.
Në atë tavolinë modeste, vërtet që nuk kishte shumë asortimente, si në ditët tona, por kishte shumë dashuri e mirësi; bujari e njerëzi. Pashë që në tavolinë ishin shtruar 4 pjata, por në njërën prej tyre, kishte vetëm lëng (gjellë) e nuk kishte thelë. Siç duket, nikoqires nuk i kishte mjaftuar mishi për të gjithë dhe kishte marrë vendim të linte pa thelë njërin nga fëmijët e saj. Si më të voglën, Ajo gjeti të bijën, së cilës ia çoi përpara pjatën vetëm me lëng.
Kur pashë gjithë atë mirësi shpirti që më rrethonte, vetiu, i shtyrë nga një ndjesi e brendshme, u ngrita nga vendi, me rrëmbim, rrëmbeva torbën time prej pëlhure të bardhë, të cilën, i zoti i shtëpisë e kishte varur në një gozhdë, te dera e dhomës, sapo hyra në shtëpi, siç merr armët nga mysafirët i zoti i shtëpisë kur bëhen dasma apo në gosti, dhe, po me shpejtësi, zgjidha ushkurin e torbës e vura mbi tavolinë ato që kishte brenda. Emocionuese ishte shprehja ime, në këtë rast e cila la mbresa të çuditshme e vlerësime interesante te njerëzit e familjes. Secili prej tyre e çmoi gjestin tim, me kutin e vet; por të gjithëve u shkëlqenin sytë nga kënaqësia.
Isha nga Kalivaçi i Tepelenës dhe familja, fisi, i gjithë komuniteti në fshat, më kishin edukuar që bujarisë t’i përgjigjesha me bujari. Pavarësisht se isha vetëm 14 vjeç, pesha e veprimit që bëra i ngjante veprimit të një burri të pjekur. Me logjikën e një 14-vjeçari, por me fuqinë e gjenit që përfaqësoja, nuk doja të mbetesha prapa asaj që përjetova në atë sofër. Mikpritësit u surprizuan e u mrekulluan, nga bujaria ime fëmijërore. Vendosa mbi tavolinë, një pulë të skuqur në saç e të lyer përsipër me gjalpë të freskët, ca copa yshmer, ca copa qullapite, disa fije petullash, ca copa paluze, gjizë të thatë, urrël, ca kokrra vezë të ziera, një grusht me ullinj ngrënës të kripur e të ndërtuar, një grusht me bajame, ca arra, ca shegë e disa kokrra dardhe etj.
Bëra një hap të guximshëm e naiv njëkohësisht. Mikpritësit (çifti bujar), kur panë këtë skenë, me siguri që duhet të kenë menduar, pavarësisht nga njëri-tjetri: "Pa shiko këtë djalë të vogël! Ai ka në rremba gjakun e të parëve të tij dhe tek ai troket gjeni i bujarisë, prandaj donte të barazpeshonte mirësinë që i bëmë me mirësi.
Kjo vërteton më së miri se jemi të gatuar nga i njëjti brumë!" Sërish nisëm të hanim. Herë pas here i ftoja mikpritësit të provonin gatimet që më kishte nisur me vete Nëna, e cila shquhej për gatime cilësore. Atë, për këtë cilësi, kur në fis apo në mëhallë bëheshin dasma e gostira dhe në raste vakish e caktonin në grupin e grave tiganxhesha, të cilat përgjigjeshin për gatimin cilësor dhe konsumimin me nikoqirllëk të gatimeve përkatëse.
Pa u ndierë, e zonja e shtëpisë i sistemoi ushqimet e torbës sime me kujdesin e femrës që i di mirë punët e saj. Në torbën time prej pëlhure të bardhë që t’i kisha për të nesërmen dhe për ditët në vijim Ajo futi diçka nga të mblojturat e saj. Hëngrëm darkë e u përfillëm për të fjetur. Përsëri u ndodha përpara një të papriture të këndshme. E zonja e shtëpisë u shtroi të dy fëmijëve të saj në njërin nga të dy minderet që ndodheshin në paradhomë kurse mua si mysafir, më shtroi në minderin (divanin) tjetër. U ndjeva shumë i privilegjuar.
Ajo nxori nga musëndra, një palë çarçafë të bardhë, prej humaje, fringo të rinj dhe i shtroi sipër divanit ku do të flija unë. Mbase ata çarçafë të pashtruar ndonjëherë ishin pjesë e pajës së nusërisë së saj. I ngrënë e i ngrohur, i paqtë e i kënaqur sa s’ka, sapo vura kokën në jastëk, më kaploi një gjumë i rëndë, për shtatë palë qejfe.
Natën, më pihej ujë. E kisha ngrënë darkën me uri, duke synuar të kripurat. Gjellët më shijuan shumë dhe kulaçi me miell gruri që poqi nikoqirja, për të më nderuar, më nxiti të haja si i babëzitur. Kulaçi ishte i ngrohtë e i butë, si mafishe dhe kundërmonte erën e brumit të ardhur me të cilin ishte gatuar e ishte pjekur me merak në atë sobë llamarine, me dru. Fjeta pa u kthyer në krahë. Të nesërmen u zgjova shpejt, me merakun se do të rrugëtoja për në një qytet të madh e të panjohur.
E zonja e shtëpisë ishte ngritur më herët. Ajo kishte pjekur disa tigane me petulla të cilat më pëlqyen shumë, por hëngra vetëm disa fije, rrëmbimthi e dola në rrugë. U ndava me nikoqiren se fëmijët flinin dhe, nën shoqërinë e burrit të shtëpisë, shpejtova për te pasagjerët që shkonin në Korçë. U bashkova me udhëtarët, të cilët kishin të njëjtin shqetësim, si unë.
Ata druanin se mos vonoheshin tej orarit që na caktoi shoferi, në mbrëmje. Mbasi u bashkova me bashkëvuajtësit e mi, adoptuesi im më përqafoi, më uroi udhë të mbarë e fat në shkollë e në jetë dhe u largua në punën e tij.
Në orën e caktuar, shoferi hapi derën e autobusit dhe ne, sipas biletave që kishim blerë në Gjirokastër, zumë vendet përkatëse. Mbasi autobusi u mbush e ora vajti, shoferi lëshoi frenat e makina u nis për udhë. Motorin e kishte ngrohur, më parë. Kësisoj, i lamë lamtumirën Përmetit të traditës së mirë, i cili na priti me krahë e me zemër të hapët, na hapi dyert e na gostiti. Rruga deri në qytetin e Leskovikut, e cila shërbeu si rrugë provë, na eci mbarë. Gjatë udhës, thuajse buzë lumit të Vjosës, pashë bukuri natyrore mahnitëse.
Ato vetëm sa i kisha dëgjuar apo lexuar, por m’u dha rasti të vështroja me kureshtje disa gjallesa të çuditshme. Në fshatin tim të lindjes kisha parë plot kafshë të buta e të egra dhe shpendë të llojeve të ndryshme; shtëpiake dhe të pyllit; thëllëza me bukuri të veçantë që shpejtonin, në varg, njëra pas tjetrës, duke vrapuar nëpër pyllin e dendur me shkurre, nuk më kishte zënë syri. Kjo qe befasia më e madhe, e cila më la mbresa të pashlyeshme.
Mbasi le pas qytetin e Përmetit e zhvendosesh drejt jugut, rruga automobilistike gjarpëron rrëzë kodrave, diku drejt e diku me ngjitje, e ngushtë e tërë gropa. Rruga ishte e shtruar me çakëll; e paasfaltuar. Vjosa, kur futet në territorin tonë, në vendin e quajtur Perat, ngjan me një rrëke. Deri në Çarçovë rruga automobilistike nuk i ndahet lumit të Vjosës. Në të djathtë të lumit (në perëndim), lartësohet faqja lindore e malit të Dhembelit e diçka më tej, duken fillimet e malit të Nemërçkës, me lartësi më të madhe, me majat dhe lugjet që zbardhin përjetësisht nga bora shekullore. Ishte fundgushti e moti kishte nisur të freskohej, por majat e maleve akoma nuk e kishin vënë qeleshen e bardhë.
Në Çarçovë, rruga automobilistike lë shtratin e Vjosës e ngjitet lart, majtas, nëpër një malore të "ëmbël" e cila të çon në qytetin e lashtë të Leskovikut. Vargu i kodrave "të buta" të cilat zbresin nga qyteti në fjalë, deri në "buzë" të lumit, është i ekspozuar ndaj diellit të ngrohtë të jugut. Sasia e ditëve me diell, në këtë zonë është e mjaftueshme për të kultivuar varietete të ndryshme rrushi, për raki e për tavolinë, me ëmbëlsi në përqindje të lartë e tërë tul. Prej tij nxirret raki e cilësisë së lartë dhe verë, e cila ndeshet rrallë. Në saje të rrushit me vlera të rralla dhe specialitetit të mjeshtërve që dinë të bëjnë manipulimin e tij përftohet raki e mirë dhe verë cilësore.
Në vendin e quajtur Perat rruga automobilistike qarkon një gardh, i cili është dhe kufiri shtetëror mes dy vendeve fqinje: Greqisë dhe Shqipërisë. Në anën tjetër të udhës e matanë gardhit, në atë kohë ishte një ngastër toke e vogël, e mbjellë me jonxhë, e cila, asokohe ishte e sapokositur. Në anë të ngastrës një mullar i zakonshëm, i bërë me jonxhën e kositur. Nuk di përse m’u duk sikur kapardisej e u bënte karshillëk ai mullar kalimtarëve që ecnin të hipur mbi makina. E theksoj këtë mbasi në atë rrip toke të përbashkët, nuk lejohej kalimi i këmbësorëve, për arsye të regjimit kufitar. Hipia kishte përmasa mesatare, si ato që bënin të pashkollët e mëhallës sime: Shyqyri Abedini; Muhedin Salihu; Qemal Sherifi; Muharrem Kamberi etj. etj. të cilët nuk kishin haber nga trigonometria, por me dhuntinë që kishin dhe me përvojën e gjatë të punës e të jetës, ishin bërë mjeshtra të vërtetë në profesion.
Të surprizonin rrathët e bazës së hipisë dhe llogaritja e kapacitetit të mullarit. Ngastra e tokës arë dhe shkurret që e rrethonin atë, deri te buza e ujit ishin në pronësi të fqinjëve. E gjithë zona përqark, kishte statusin e zonës kufitare.
Ajo kishte regjim të veçantë kufitar. Makinave, autobusëve dhe ndonjë veture të rrallë që kalonte në atë rrugë, u ndalohej të qëndronin, e ca më pak të zbriste ndonjë udhëtar prej tyre. Kisha kuriozitetin për të parë qoftë dhe një ushtar kufitar, si nga pala jonë dhe nga ajo e fqinjëve, për të parë ndryshimet mes tyre, por, për fatin tim të keq, nuk më zunë sytë asnjë të tillë. Siç duket, ata qëndronin të fshehur pas shkurreve apo brenda tyre, në mënyrë që të mos dukeshin dhe të kapnin në befasi ndonjë shkelës kufiri.
Në anën jugore të vijës kufitare, në veçanti në anën e përtejme të shtratit të lumit e në faqe të malit përballë, llamburitnin llamarinat me të cilat kishin mbuluar çatitë e banesave, fshatarët grekë. Fshatrat e anës greke dukeshin më të mbledhura e më të sistemuara. Nga kurioziteti që më vlonte, nisa të vrojtoja, me imtësi çdo detaj që më dhuronte ajo natyrë e bukur. Te një monopat i pyllëzuar më zunë sytë një mrekulli të vërtetë. Po mbush të tetëdhjetat e nuk më ka rastisur një shans i dytë si ai. Një tufë thëllëzash me të gjitha ngjyrat e ylberit mbi pupla, nxitonin njëra pas tjetrës, s’di se për ku.
Ndoshta nxitonin, me një turravrap të shpejtë, që të arrinin shoqet e tyre më të përparuara.
Në qytetin e Leskovikut mbërritëm kur dielli kishte zënë dhenë. I ashtuquajturi qytet, me histori të lashtë e me njerëz të mirë, e them troç: Nuk më pëlqeu fare. Ai ishte i vogël, si shumë të tjerë, por nuk kishte hapësira për të luajtur fëmijët e moshës sime. Kisha banuar në Tepelenë, e cila, për nga shtrirja dhe sipërfaqja që zinte, nuk i linte gjë mangut Leskovikut, por kishte hapësira e mundësi të shumta për të luajtur e për të bredhur. Pallcia; Pajamet; kalaja e Ali Pashait; Rrapi dhe xha Selami; Pasarela mbi Vjosë; Lugina e Bënçës dhe lumi me të njëjtin emër, Majkoshi; Shelgu dhe Burimi te Dilua etj. ishin disa vende hapësiraplota ku fëmijët mund të relaksoheshin, pa kufi. Leskoviku m’u duk tepër i ngjeshur e me pak hapësira ku të luanin fëmijët lojërat e moshës së tyre.
Edhe futbollin si lodrën më të preferuar të fëmijëve dhe atë "luftash", në Leskovik e kishin të vështirë t’i organizonin fëmijët e asaj kohe. Në Leskovik, te rrapi, autobusi ynë qëndroi aq sa kohë nevojitej për të zbritur 2 - 3 udhëtarë e për t’u ngjitur në vend të tyre nevojtarë të tjerë.
Rruga automobilistike nga Leskoviku, në Ersekë, më ngjau monotone e nuk pashë diçka të veçantë që të më mbetej në mendje. Kur autobusi ishte duke zbritur maloren me kthesa të forta në zonën e Barmashit për t’u gjendur në luginën poshtë; në një kthesë të fortë, shoferi ynë korrekt me traditën e formuar, i ra borisë, tri herë radhazi. U bëra shumë kureshtar dhe doja të mësoja diçka më tepër për këtë dukuri, të cilën nuk e kisha parë më herët.
Për ta mësuar këtë, iu drejtova gjitonit që kisha në krahë. Me padurim prita përgjigjen e tij. Nuk kishim përpara ndonjë kalimtar të cilin kërkonin ta ruanin nga përplasja, dhe nuk po shkëmbeheshim me ndonjë mjet tjetër rrugor. Atëherë, përse gjithë kjo ceremoni, me tri bori njëra pas tjetrës? Burri që kisha pranë, kishte një pamje serioze e ishte fjalëkursyer. Mosha e tij e kalonte pak mesataren; ishte i mbajtur e i veshur "kreko" dhe dukej që kishte informacion për çështjen.
Ai kishte veshur një xhaketë shajaku të zezë, me jakë kadife si shajaku, që të mos i kruhej qafa. Mbante jelek, të punuar me dorë, të pangjyer e me kopsa të mëdha. Në të dyja anët e jelekut ajo që e kishte punuar, me bizë apo me grep, kishte sajuar lule të bukura, vetiu gjë që e bënte më të pashëm burrin. Mbase ky ka qenë dhe qëllimi i së shoqes që e ka punuar me merak atë jelek. Bëmë goxha rrugë, pranë njëri-tjetrit e nuk ia kisha dëgjuar zërin. Ndoshta diferenca në moshë mes të dyve apo superioriteti që i njihte vetes sa u takon njohurive mbi botën që na rrethon, e pengonin burrin të prononcohej, në bisedë me një "kalama" si unë.
Seriozitetin, në raport me mua, burri me biletë pranë meje, e shpërfaqte kryesisht duke vrojtuar, madje me rreptësi çdo detaj të rrugës dhe natyrën përqark. Ngjante me ato retë, të ngarkuara me shi, të cilat, nga çasti në çast mund të shkarkonin reshje intensive. Ai nuk ishte i kursyer në fjalë vetëm me mua, por me të gjithë bashkëvuajtësit. Nga mënyra se si vrojtonte kuptova se edhe burri, ashtu si unë, e përshkonte për herë të parë atë udhë. Më konsideronte "qumështor".
Në fakt, në krahasim me moshën e tij, unë, ashtu ngjaja, por zgjuarsia natyrale nuk më mungonte, pavarësisht se përvojën e jetës nuk e kisha.
Këmbëngula për të mësuar atë dukuri "enigmë". Kur vuri re këmbënguljen time kokëfortë, burri "memec" e shqepi gurmazin. U mat shumë burri gojëkyçur të kundërshtonte, por më në fund "u dorëzua". Ai i dha fund dilemës: "t’ia them, mos t’ia them" atë që di këtij "qumështorit"? Ndoshta mendonte se do t’i shkonte dëm rrëfimi, ose ngaqë nuk kishte aq besim tek unë, mendonte se do t’ia nxirrja fjalët e tij. U mendua disi e mes mëdyshjes, "ia shkrepi": Sipas tij, në këto rrugë, dikur qarkullonte shpesh një shofer nga fshati Shalës i rrethit të Kolonjës.
Fshatarët nga Shalësi ishin të njohur si kuzhinierë cilësorë dhe si kamerierë të shkathët e të sjellshëm. Si ortodoksë të devotshëm, fshatarët e Shalësit, në tërësi njiheshin dhe për atdhetari të zjarrtë. Fshatari nga Shalësi i rrethit të Kolonjës Jorgji Bello ishte shofer i zoti e human.
Ai guidonte një makinë të tipit "Ford" dhe bashkëfshatarët e tij dhe krahinorët, i kishin vënë novkën: "Xhorxh Fordi". Kështu i thërrisnin, të gjithë. Edhe vetë Jorgji, të cilit i ishin mësuar veshët me atë novkë, e pranonte me kënaqësi e nuk e kishte për ofendim. Xhorxhi ishte i njohur për bamirësitë e tij në krahinë.
Ai u gjendej e u vinte në ndihmë, pa kursim nevojtarëve, sidomos shoferëve. "Xhorxh Fordi", duke u ardhur në ndihmë nevojtarëve, shpesh sakrifikonte nga vetja. Një ditë, Xhorxhi, në rrugëtim, u aksidentua me vdekje, tek ajo kthesë e mallkuar. Rrëfejnë se ky Xhorxh Fordi, kishte lënë një amanet interesant.
Sipas rrëfimit të të prasmëve, Xhorxhi, kishte lënë amanetin që ata që do ta përcillnin për në banesën e fundit, ta varrosnin në anë të udhës (kthesës) ku u aksidentua. Simbolika e amanetit rezultoi me kuptim dhe jetëgjatë. Ajo vazhdon, sot e kësaj dite dhe transmetohet nga brezi në brez. Drejtuesit e mjeteve të transportit, kur kalojnë tek ajo kthesë e rrezikshme, i binin e i bien borisë, tri herë radhazi, në respekt të viktimës.
Kështu bëri dhe shoferi i autobusit me të cilin udhëtonim. Ky sinjal i ngjan, përshëndetjes me sirenë, të anijes që del nga porti e niset për lundrim në det të hapët, nga anijet simotra. Shoferi Xhorxh Fordi, falë këtij riti, quajeni si të doni, nuk do të harrohet kurrë. Të paktën sa të ketë ndjesi njerëzore. Më pëlqeu rrëfimi i burrit fjalëkursyer, prandaj e mbaj mend, sot e kësaj dite, edhe pas kaq vitesh e nuk do ta harroj, sa të jem në jetë.
Shoferët dhe banorët e atyre anëve e qarkulluan njoftimin gojë me gojë, për një kohë të gjatë, derisa fitoi statusin e një riti vullnetarisht të zbatueshëm. Udhëtarët që e bënë atë rrugëtim aventurë me autobusin interurban të linjës: Gjirokastër - Korçë, po ta kenë të lexueshëm këtë episod, mbase do të kujtohen se nuk është legjendë, por e vërtetë.
Kohë më pas, kur isha stabilizuar në shkollën e mesme bujqësore dhe kisha nisur të frekuentoja bibliotekën e qytetit të Korçës, lexova nëpër libra të ndryshëm se për të larguarit nga kjo jetë zakonisht shkruhen e thuhen fjalë të mira e u bëhet jehonë bëmave të tyre. Në rrëfimin e mësipërm, Xhorxh Fordi bëri shumë të mira e kishte një zemër të madhe. A nuk do të ishte më e udhës, që për ta kujtuar e për të mos e harruar atë njeri, në anë të udhës, atje ku ai u aksidentua me vdekje, të ngrihej një lapidar përkujtimor e të mos i lihej kujtimi i tij, dëshirës së njërit e të tjetrit? Dihet, kohët ndryshojnë e sjellin me vete ndryshimet që kërkojnë njerëzit. Siç kanë rrjedhur gjërat, dua t’ju siguroj se pas disa vitesh, me ndryshimin e brezave, nuk do të kujtohet më njeri për Xhorxh Fordin dhe për bëmat e tij. Ndoshta do të mjaftonte dhe një pllakë përkujtimore, e shkruar bukur.
Këto janë punë të vendasve, pushtetit lokal, familjes dhe të afërmve të tij.
Erseka, megjithëse e pashë vetëm kalimthi, të jem i sinqertë nuk ma zuri synë. Qyteti është i ndërtuar e shtrihet në një rrafshinë, por, krahasuar me Tepelenën time të asaj kohe nuk ishte më e mirë. Kisha qëndruar i ulur në ndenjësen ku kisha biletën e udhëtimit, për një kohë të gjatë. Isha me fat se shtatlartësia ime e pakët, jo vetëm që nuk bezdisi njeri, por dhe nuk u kërrusa nga të ndenjurit gërmuq për një kohë të gjatë. E bëja për herë të parë atë udhë dhe e kisha të vështirë të vrojtoja çdo gjë përjashta nga dritarja si frëngji mbi kokën time e autobusit "Skoda" i cili, gjithsesi më pengonte. I zhytur në ndenjësen që më përkiste, mendoja të ardhmen time në shkollë dhe përshtatjen me jetesën e atij qyteti të ftohtë.
Nuk më shkonte mendja të vrojtoja Qafën e Qarrit, fshatrat e bukur e të sistemuar të fushës së Korçës, madje nuk më bënte përshtypje as udha e drejtë që mori autobusi mbasi zbriti këtë qafë, Kamenicën dhe fshatrat e tjerë të asaj zone. Gjetkë më rrinte mendja. Me fantazinë e një adoleshenti, isha i përhumbur në një tjetër botë, në atë të fantazisë. U përpoqa të krijoja një përfytyrim sa më të qartë për atë qytet të madh e të bukur, të cilin nuk do ta ëndërroja më, por do ta shijoja duke e shkelur për herë të parë. Kisha dëgjuar nga rrëfimet e njerëzve dhe kisha lexuar në libra se qyteti i Korçës ishte qytet i madh e i zhvilluar; me banorë të kulturuar e me edukatë; i pastër e sqimetar, veç se bënte pak ftohtë. Më kishin thënë se dimri në Korçë ishte i gjatë, i ashpër e me shumë dëborë.
Ditët me diell e me mot të ngrohtë, në atë qytet ishin të pakta, njerëzit, në dimër visheshin trashë e përdornin stimulantë (pije alkoolike). Madje edhe lodrat e fëmijëve, nuk ngjanin me ato të fëmijëve të fshatit tim përfshi dhe Tepelenën. Ndonjëri më kishte folur me superlative për qytetin rrëzë Moravës dhe unë besoja se po shkoja në "Parajsë". Një i afërmi im që kishte jetuar në Korçë më kishte dhënë informacionin se "qyteti i Korçës është i pastër; amvisat i fshijnë vazhdimisht rrugicat e në to nuk të zinte syri mbeturina e plehra të hedhura andej – këtej". Sa për vendasit, kisha informacion se korçarët janë njerëz të edukuar, të kulturuar e vishen me sqimë. Kultura e tyre; si në sjellje, në qëndrim, në veshje e në marrëdhënie me të tjerët, ishte tjetër; ajo binte në sy lehtë dhe i shoqëronte vendasit në çdo vend e në çdo rast.
Gjithashtu kisha dëgjuar se korçarët janë njerëz që kanë shëtitur botën, sidomos vendet e Perëndimit; jo si turistë, por për të punuar e për të fituar bukën e gojës. Fitimi më i madh i tyre është sjellja në qytetin e Korçës e mënyrës perëndimore të jetesës. Kurbetlinjtë nga Korça, ata që kanë punuar e kanë jetuar në vendet perëndimore, kryesisht në Amerikë, kur ktheheshin në vendin e tyre, sillnin jo vetëm paratë që kishin fituar me djersën e ballit, por, çka ka më shumë rëndësi, ata sillnin një mënyrë tjetër të jetuari gjë që e bëri Korçën të identifikohej si "Parisi i vogël". Thëniet e të tjerëve dhe leximet e mia, së shumti konvergonin në një pikë: Korçarët janë atdhetarë dhe arsimdashës, por në marrëdhënie me të ardhurit dhe me ata nga fshati, qytetarët korçarë ishin disi të distancuar e të ftohtë.
Kur u nisa për në Korçë, më përcollën mjaft njerëz; nga fisi e nga trungu im; miq e dashamirës të shumtë; njerëz të fisit dhe të interesuar për njerëzit e tyre me banim në Korçë. Prej tyre mësova shumë gjëra të cilat, më parë nuk i dija. Disa nga të interesuarit donin të takoja patjetër njerëz të fisit tim, të stabilizuar me familje, prej kohësh në atë qytet. Të tjerë, si Samua e xha Breshanit, më porositën të takoja Sabrinë, djalin e burrit të saj, i cili ishte duke kryer Shërbimin e Detyrueshëm ushtarak në Korçë. Më në zë dilnin "amanetet" për t’u lidhur me Qamil Pasho Nelaj, i cili ishte invalid i Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Atë e gjeti çlirimi i vendit në Korçë, ku u stabilizua së bashku me gege Ganon time, me bashkëshorten Zonjë dhe me fëmijët që sollën në jetë, njëri pas tjetrit.
Qani Bektash Shabanaj, ishte kërkesa tjetër potente. Qaniu kishte qenë nënoficer karriere, por për shkak se ishte "i vrarë" nga veshët, ishte liruar nga ushtria e ishte vendosur me gjithë familjen në Korçë. Ai ishte i martuar me Velidenë (Dedenë), të bijën e kapedanes Hysnije dhe të Musa Mehmet Nelaj.
Për Qaniun kisha dëgjuar, por, personalisht nuk e njihja, edhe pse kishte për grua kushërirën time të afërt. Në Korçë, kohët e fundit, ishte vendosur familja e Sulltane (Tane) dhe Ferrik Idai Brahimaj, nga fshati Shkozë i rrethit të Vlorës. Sulltana ishte bijë Kalivaçi, pinjolle e çiftit Musho, bijë e Hysnijes së Musa Mehmetit dhe Refat Mahmut Bilaj. Kishte dhe të tjerë kalivaças në Korçë, si Zenjel Novruz Zenelaj të cilin nuk e preferonin as të tijtë. Punë e madhe më duhej për t’i gjetur e për t’u lidhur me gjithë këta njerëz, të cilët do të më bëheshin krahë dhe mbështetje e fuqishme, në atë qytet të largët e të panjohur.
Informacionin për kushëririn Qamil e mora të plotë e nuk e pata të vështirë, mbasi Ai kishte në Kalivaç vëllanë e tij të vetëm – Ali Pashon dhe herë pas here vinte edhe gege Ganua. Kur u martua Dedeja me Qaninë e Shabanajve, kam qenë i vogël, shkoja me dhen pas tim eti e nuk i mbaj mend mirë. Për Ferrik Idai Brahimaj, vetëm sa kisha dëgjuar se ishte goxha djalë dhe bashkëshort i Tanës. Qamili, kur ishte në Brigadën e 6 të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, në një luftim ishte plagosur në këmbë dhe çalonte.
Ai, kishte një reputacion mjaft të mirë në qarqet drejtuese të qytetit dhe respektohej, në komunitet. Bashkëshortja e tij nga fshati Çorrush i Mallakastrës, bijë fshati e me arsimim të kufizuar, kishte emrin kuptimplotë Zonjë dhe ishte siç kishte emrin: Një grua për kokën e gruas, me zemër e me shpirt të madh, me një dashuri të pamatë për të sajet e për farefisin e burrit. Ajo më ka trajtuar si fëmijët e saj; nuk më ndante nga Xhevdeti, nga Kastrioti e nga Drita, por nuk dinte të bënte diferencime e trajtim të nënçmuar, për mua që nuk isha i barkut të saj. Kisha vënë re se Zonja e Qamilit, nuk ishte e drithëruar dhe e pritur vetëm për njerëzit e saj e të Qamilit, por për këdo që trokiste në atë derë. Dera e Qamil Pashos ishte e hapët, kanate, në çdo kohë dhe pritja e mysafirëve ishte e ngrohtë dhe e mbushur me dashuri e buzëqeshje dhe me gatime të shijshme nga duart e asaj gruaje Zonjë e zotëruar.
Nëna e Qamilit: gege Ganua, një grua e moshuar, nga fisi im në Kalivaç të Tepelenës, ishte një grua e mençur, me përvojë jete të begatë, nikoqire e përsosur dhe shumë e dhembshur. Pinjollët që sollën në jetë, në çift, Zonja dhe Qamili, deri atëherë nuk i njihja e nuk i kisha parë ndonjëherë. Fati e deshi të rritesha, së bashku me ta, si vëllezër të një gjaku, kurse Zonja dhe Qamili m’u gjendën si Nëna dhe Babai im që kisha lënë në Kalivaç. Ata m’u gjendën në një kohë delikate, kur kisha shumë nevojë për ta. Ndoshta në një shkrim të mëvonshëm, ajo familje e rrallë, do të zërë vendin e merituar.
Kisha informacion të plotë se në qytetin e Korçës jetonte vajza e xhaxhait tim - Velideja (Dedeja) e cila, në çift me njeriun e mirë Qani Bektash Shabanaj, nga fshati Krahës i Tepelenës, kishte sjellë në jetë fëmijët: Astrit; Lirika dhe Luize. Ata jetonin me punë të ndershme; Dedeja ndihmëskuzhiniere kurse Qaniu - punëtor krahu. Familja e tyre, ashtu si ajo e Qamilit, ishte shumë mikpritëse dhe i mbante kanatat e dyerve të shtëpisë të hapura, si për njerëzit e burrit, edhe për ata të të zonjës së shtëpisë. Nuk numërohen bamirësitë e atyre familjeve; njëri nga përfituesit e tyre isha unë. I provova në kurriz: Bukën, shërbimin, dashamirësinë dhe shpirtin bujar të atyre njerëzve fisnikë.
Kur këtyre dy familjeve u qas ajo e Tanës dhe e Ferrikut, u shtua bujaria, dashamirësia dhe mikpritja për njerëzit. Do të thoja se "mjalti" i mirësisë njohu dimensione të reja.
Thuhet dhe është e vërtetuar se rolin primar në një familje, qoftë dhe në ato tradicionale e mashkullore, siç kanë qenë e janë, deri diku familjet shqiptare e luan e zonja e shtëpisë. Ka pasur e ka mjaft familje në të cilat, mikpritja nuk mjafton, por kërkohet dhe çehre, siç thonë tiranasit. Kur e zonja e shtëpisë nxin e sterron, me buzët varur, sidoqë i zoti i shtëpisë mund të qeshet e të gëzohet nga ardhja në shtëpi e atyre që i do zemra, mysafirët nuk ndihen aq mirë dhe gatimet, sido që mund të jenë të shijshme shkojnë "prapa kurrizit". Kam ndjerë në lëkurën time e jam lumturuar nga qasja njerëzore e të paharruares Zonjë e Qamil Pashos; Velidesë së Qani Shabanit dhe Sulltanës së Ferrik Idai Brahimit. Këto të fundit i kisha nga gjaku im e domosdo që do të më trajtonin si vëlla e para e si dajo e dyta, por Zonja ishte e ardhur në Nelaj e më ka trajtuar si fëmijët e saj.
Ajo ishte e ardhur në Ahmetaj të Kalivaçit nga fshati Çorrush i Mallakastrës, por m’u bë Nënë e shkuar Nënës. Qamili, kushëriri im ishte autoritar e kërkues, por Zonja ishte siç kishte emrin.
Mbasi largohet nga jeta, për njeriun, sidoqë të ketë qenë, shkruhen e thuhen fjalë të mira, të merituara e më pak të tilla, por për Zonjën e Qamil Pashos, sikur të kishin gojë, do të flisnin me superlativa muret e shtëpisë, avllia, gjitonët dhe hoteli "Borova" ku punonte. Besoj se është e tepërt të theksoj rolin primar të familjes së saj që e kishte rritur me norma, edukatën e shëndoshë që kishte marrë që kur ishte fëmijë. Ai njeri ishte formuar mes njerëzve fisnikë dhe me rolin e padiskutueshëm të gjenit nga e kishte rrjedhën. Them se Zonja e Qamil Pashos, përveç se ishte një Nënë e dhembshur dhe e kujdesshme, ishte dhe një psikologe e mirë.
Ajo ndjente qenien larg fshatit të saj dhe të burrit, larg traditës së përbashkët dhe në gjirin e njerëzve të ndryshëm në mentalitet e në mënyrën e jetesës që gjeti në Korçë dhe e mendonte vuajtjen dhe kufizimet që përjetonte një i parritur, siç isha unë, prandaj më rrethoi me dashuri e mirësi, me buzëgaz të cilin e kishte pa limit dhe me kujdes të shtuar që të mos ndihesha i huaj, në vendin tim. Njeriu i mirë në esencë, njihet dhe në marrëdhëniet nuse-vjehërr. Ganua, Nëna e Qamilit, fisnike nga rrënja dhe e dhembshur si ajo kuptohej e mirëkuptohej me Zonjën dhe, nga një; bëheshin dy Zonja; njëra më e re e tjetra më e moshuar. Pinjollët e Çiftit, në atë kohë nuk i njihja e nuk i kisha parë ndonjëherë, fati e deshi të rriteshim së toku e të ndiheshim si vëllezër. Ndoshta në një shkrim tjetër, familja e tyre do të jetë protagoniste e do të zërë vendin e merituar.
Isha i informuar se në Korçë banonte vajza e xhaxhait tim Velideja (Dedeja), e martuar me krahësiotin Qani Bektash Shabanaj, me të cilin kishte sjellë në jetë fëmijët: Astrit, Lirika dhe Luize, të cilët, gjithashtu ishin të parritur, si unë. Dedeja ishte e bija e kapedanes Hysnije, nga Hoxhatët e Kolonjës të Gjirokastrës dhe e Musa Mehmet Nelaj, një burrë i mençur e trim dhe atdhetar i flaktë. Te familja Shabanaj shkoja, pa teklif mbasi kisha "në timon" Dedenë - njeriun tim të një gjaku. Veçse e kisha një "rezervë", mbasi kryefamiljarin e asaj shtëpie e kisha dhëndër. Mirësia, bujaria dhe ngrohtësia që më krijoi Ai burrë, më bënë të ndihesha mirë edhe në atë familje. Mirëpo e kisha të qartë se dhëndri i shtëpisë, sido që të qaset me njerëzit e bashkëshortes, mbetej gjithnjë dhëndër e kishte status të veçantë.
Xha Breshani, i cili për shkaqe pronësie mbante mbiemrin Bejomalaj, teksa në fakt e kishte pasur – Nelaj, kur u nisa për në Korçë, si njeri babaxhan që ishte dhe zemërmirë më dha porosi për të birin - Sabrinë (ndjesë pastë), i cili, në atë kohë kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak, në një repart këmbësorie të qytetit të Korçës. Sabriu (ndjesë pastë) i mbetur jetim nga Nëna, që kur ishte fëmijë, u bë njëri nga djemtë më të mirë, më të sjellshëm e më të pashëm të mëhallës sonë e të fshatit Kalivaç në tërësi. Njerka e tij, Samua dinjitoze, një grua autoritare mes grave të mëhallës, e cila, i trajtoi 5 fëmijët e gjetur si 5 të tjerët që solli në jetë, krahas porosisë me gojë, më dha dhe një qese, të bardhë, të ngjeshur, ku kishte futur duhan të grirë (Sabriu e pinte dendur duhanin) dhe disa arrorë e palafike, si shenjë dashurie dhe kujdesi për djalin e gjetur.
Kisha informacion të sigurt se në Korçë, vitet e fundit, kishte migruar Zenjeli, djali i parë i Xhako Novruzit, njërit nga kushërinjtë e babait tim. Zenjeli ishte i paragjykuar, si në fis dhe në mëhallë e në fshat, për arsye se ishte lidhur me martesë me një kurbatke (arixhofke) dhe banonte në shtëpinë e saj. Në lidhje me Lefterinën, Zenjeli solli në jetë dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë. Përveç kësaj, paragjykimi për të kishte të bënte dhe me faktin se Zenjeli, si i pashkollë e i përbuzur nga vendasit, me një araba dhe me një kalë, mblidhte plehrat e qytetit e pastronte rrugët e tij.
Për një kalivaças, kjo punë, në atë kohë nuk ishte nga të preferuarat, prandaj dhe Zenjeli ishte i paragjykuar. Babai, kur më nisi për në Korçë më dha shumë porosi dhe disa rekomandime, për të gjetur njerëz të fisit tonë, por Zenjelin nuk ma zuri në gojë. I tillë ishte mentaliteti i tij.
Në Kalivaç, qysh se u lidh me Lefterinën, Zenjeli vinte rrallë e nuk mirëpritej. Xha Novruzi dhe gege Shaza, prindërit e tij biologjikë, nën presionin e fisit e të të afërmve të familjes, e ndanë me vete djalin e madh e ai ngriti 2 kasolle, me kashtë, nën udhë, disa metra në jug të lëmit të xhako Novruzit, para se të shkosh te varrezat e fisit tonë.
Që të më vinte në sedër, Babai (ndjesë pastë) më qesëndiste me fjalët thumbuese, të thëna me ironi: "Çap në Korçë, bëhu tok me Zenjelin; përpiqu të gjesh dhe ‘X’ e ‘y’ që ishin larguar nga fshati e nuk e kishin kthyer kokën pas; bëhu me ta e bëj si ata dhe, me siguri që do ta harrosh shpejt Kalivaçin dhe ne që të kemi bërë kokën". Këto fjalë të Babait, edhe pse të rënda, i vura "vethe në vesh" e i mbajta parasysh gjatë gjithë jetës. E doja dhe e respektoja shumë atë burrë shtatshkurtër e mustaqe fjolle dhe ia dëgjoja e ia vija në jetë porositë e tij. Nuk bëra si disa nga djemtë e fshatit, të cilët që kur mbaruan shkollën fillore të Kalivaçit, në vitin 1948 e derisa u bëra kaq, e nuk i pashë kurrë me sy. Njëri nga mëhalla ime, që kur iku, në vitin 1948, derisa u nda nga jeta, nuk e pashë me sy e nuk e njihja. Atë, zor se do ta njihnin edhe familjarët e tij.
Nuk është legjendë, as thashethem dashakeq, por një e vërtetë të cilën bashkëkohësit e tyre e kanë prekur. Dy kalivaças, kushërinj me njëri-tjetrin vajtën në Tiranë. Qytet i madh e i zhvilluar, madje kryeqytet Tirana. Me më shumë banesa, me rrugë që gumëzhinin e me popull plot. "Birkot", u hapën si vaji në lakra e humbën, pa nam e pa nishan. Nuk u dihet si u vajti filli e ku përfunduan.
Dija se e bukura Sulltane, vajzë e kushërirës Musho dhe e trimit me fletë – Refat Mahmut Bilaj, ishte martuar, me mblesëri, me djalin e Idai Brahimit, nga Aligjoni i Shkozës, rrethi i Vlorës, me Ferrikun "div", djalë i pashëm e i fuqishëm i rritur në stanin e familjes, te Shkëmbi i Ylynecit, nga ana e Shkozës. Ferriku ishte fisnik e bir fisnikësh. Nëna e tij, Fatimeja dhe babai - Idai, ishin njerëz të nderuar në fis e në kaza dhe nga derë e madhe. Nuk e dija se këta, pas martesës ishin vendosur në qytetin e Korçës ku do të shkoja për të mësuar. Ferrikun, nuk e njihja fare; atë nuk e kisha parë asnjëherë, as kur erdhi në Kalivaç për të parë nusen e ardhshme.
I parritur isha, por një paragjykim e kisha: Sipas këtij paragjykimi e mentaliteti sundues në fshatin tim e më gjerë, vajza, mbasi martohej, u largohej gradualisht lidhjeve të mëparshme fisnore të saj dhe merrte anën e burrit, duke krijuar lidhje të reja. Mirëpo praktika e jetës na mëson tjetërsoj. Vajza, kur vete te dera e burrit, vërtet që krijon lidhje të reja, siç janë marrëdhëniet me burrin dhe me njerëzit e tij, me fëmijët që sjell në jetë etj. etj. por derën e babës, njerëzit e gjenit e të gjakut të saj, nuk i harron. Jeta ka vërtetuar të kundërtën; vajza nuse drithërohet kur përgatitet e merr udhën për në derë të babës. Sado që të ishin ditët e qëndrimit në të parë, vajzës nuse ato i dukeshin të pakta e të pamjaftueshme për të tretur mallin që e kishte kapluar.
Veprova sipas mentalitetit sundues të trevës nga rridhja. Përpjekja e parë ishte të gjeja shtëpinë e kushëririt tim – Qamil Pasho Nelaj, në mënyrë që të lidhesha me njerëzit e gjakut e të sojit tim. Kështu e donte tradita e unë, si pjellë e saj, nuk mund të veproja ndryshe.
Në Korçë, siç na tha shoferi i autobusit, do të mbërrinim në fund të ditës, kur kishte nisur të binte errësira. Në atë periudhë të vitit, nata nis e i merr ditës, derisa ato barazohen. Errësira binte më herët. Ky fakt, në dukje i parëndësishëm, nuk më favorizonte, përkundrazi i shtonte vështirësitë e asaj dite. Më duhej, të gjeja, fillimisht konviktin e shkollës ku do të kaloja atë natë, gjë e cila nuk ishte aq e lehtë për mua.
Në atë autobus nuk kishte të tjerë nxënës, nga Tepelena apo nga rrethe kufitare me rrethin tim me të cilët mund të shoqërohesha e do ta kisha më të lehtë gjetjen e konviktit. Është fjala për nxënës që do të sistemoheshin në konviktin e Teknikumit Bujqësor të Korçës ku do të kryeja mësimet e shkollës së mesme.
Rrugëtimi për në Korçë zgjati shumë në kohë, madje u shtri në dy ditë e pata mundësitë të mendoja e të fantazoja probleme të cilat nuk i përkisnin logjikës dhe pjekurisë sime. I zhytur në botën time, mendoja e fantazoja duke përfytyruar: Si do të ishte shkolla ku do të mësoja? Po konvikti ku do të banoja, si do të ishte vallë?
Në këtë çështje fantazia ime fëmijërore shkonte më tej. Mendoja: Sa nxënës do të flinin në të njëjtën dhomë? Po në klasë sa nxënës do të mësonin? E çfarë nuk më shkonte në mendje? Pyesja veten: A do të ketë kuzhinë dhe mensë, si në konviktin e Tepelenës? Çfarë absurditeti e logjike fëminore?
Po gjellët, a do të gatuhen aq të shijshme si në Tepelenë? Etj. etj. Problem madhor, i cili më mundonte shumë ishte: Si do të më pritnin korçarët e si do të mund të ndërtoja marrëdhënie të mira me ta? Nuk bëhej fjalë për ndonjë pritje ceremoniale, me ovacione e duartrokitje, por më hante meraku: Sa i aftë do të isha për t’u integruar në komunitetin e tyre dhe si do të përshtatesha me mentalitetin e ri?
Me bindjen se nuk do t’i kisha të lehta përpjekjet për të gjetur të afërmit e mi, me banim në Korçë, iu përfilla punës kërkimore. Isha i sigurt se njerëzit e fisit tim, kur të më shikonin, do të gëzoheshin e do të më rrethonin me dashuri, të cilën nuk e kisha provuar më parë. Në këtë përfundim mbërrija nisur nga fakti se kur jeton në një qytet tjetër, të largët e të madh, siç është Korça dhe ka mall për të tijtë, njeriu sikur ndihet ndryshe dhe e derdh, me tepri "nektarin" e dashurisë së pastër. Ata që kanë provuar emigracionin e mallkuar, e kanë të qartë domethënien e takimit me një njeri të fshatit tënd, ca më shumë kur dhe e ke të gjenit. Mendoj se një ndjenjë të përafërt gëzimi përjeton dhe ai që vjen në një tjetër komunitet ku njerëzit janë të të njëjtit gjak, ndonëse janë përshtatur e integruar në komunitetin e ri dhe kanë ndryshuar qasjen, kanë rritur nivelin kulturor dhe vishen më mirë e sillen më qytetarë.
Në Korçë shkelja për herë të parë. Fshati im ishte larg dhe i varfër e i pazhvilluar në krahasim me Korçën. Me të zbritur nga autobusi, u çapita por nuk dija ku të shkoja. Meqenëse shkelja në një vend të panjohur puna e parë që bëra ishte të shtrëngoja fort torbën e bardhë që kishte thurur me dorë Nëna dhe qesen e bardhë që mbaja të varur në qafë, brenda së cilës kisha disa para, nga ato që më dha Babai dhe disa të afërm e dashamirë të familjes, kur mora udhë. Torbën e kisha plot me ushqime e me fruta. Gruaja në Përmet, e zonja e shtëpisë ku darkova e fjeta, nuk i kishte trazuar gjërat e mia, edhe pse, me bujari i derdha mbi tavolinën e bukës.
Ajo Zonjë, kur sistemoi gjërat e mia, kishte futur në torbë edhe sende ushqimore të shtëpisë së saj. Ushqimet që kisha në trastë, mund t’i konsumoja edhe brenda 1 ose 2 ditëve, por Nëna, si Nënë që kërkon të kujdeset edhe kur biri i saj nuk është në sytë e saj, njëlloj sikur të më kishte përpara syve, më porositi t’i kurseja ushqimet dhe ta mbaja terezinë derisa të filloja të ushqehesha nga kazani. Nuk isha fare pa përvojë jete.
Në Konviktin e Shtetit, në Tepelenë, isha ushqyer nga kazani i kuzhinier Llukës dhe sinenës sonë, pastërtores Hane. Prandaj vendosa një regjim të rreptë kursimi, për ushqimet që më nisi Nëna. Regjimi i kursimit që vendosa, më nderoi. U ushqeva prej tyre, derisa kujdestari i konviktit më futi në forcë për të ngrënë nga kazani.
Autobusi i linjës ndërqytetëse Gjirokastër - Korçë ndaloi përpara një ndërtese karakteristike, mjaft të bukur. Gurët e bardhë, të gdhendur me merak dhe forma e ndërtesës, një gjysmërreth, me lulishte përpara dhe me përroin (lumin) që zbriste nga Mborja në krahë. Ajo ngrehinë, e cila është edhe në ditët e sotme, mund të ishte selia e Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit të Korçës. Bukuria e ndërtesës më dha një ndjesi të mirë për qytetin. Gurët e bardhë, të skalitur që formonin harkun, i jepnin bukuri të rrallë asaj ngrehine. Sytë më mbetën tek ajo godinë, edhe pse mbi supe më kishte rënë një hall i madh.
Pasagjerët zbritën nga autobusi, një nga një dhe me kokën ulur, pa përshëndetur njëri-tjetrin, u larguan, secili në punën e tij. Mbeta, i vetëm, në mes të asaj udhe të gjerë, e të atyre njerëzve, të cilët nuk i kisha parë kurrë. Mora guximin e i dola përpara një burri me moshë mesatare e me petka jo aq të fisme, i cili ndaloi, menjëherë. Veshja e tij ngjasonte më tepër me timen; jo me veshjen dhe me pamjen elegante të kalimtarëve të tjerë. Mendova se ishte i ngjashëm me mua e se mund të më ndihmonte. Iu drejtova disi me drojë, mbasi, ne fshatarët e atyre viteve na shoqëronte e nuk na ndahej droja, për çdo gjë.
Të ketë të bëjë me emancipimin e shoqërisë në tërësi ky fenomen apo ishte i pranishëm vetëm tek unë? Them se ishte i përgjithshëm e i diktuar nga jeta e kufizuar që bënim atëherë. Me burrin kishim diferencë në moshë, por ai qenkesh fisnik e më begenisi. E pyeta: Ku ndodhet konvikti i Shkollës së Mesme Bujqësore "Irakli Terova" se dua të shkoj atje sonte për të përcjellë këtë natë. Vetë Shkolla e Mesme Bujqësore "Irakli Terova" funksiononte në qytetin e Korçës prej tre vjetësh dhe as të gjithë qytetarët nuk e dinin me saktësi vendndodhjen e saj. Pa lënë që, në atë kohë, shkolla ishte veç konviktit dhe ishin larg njëri-tjetrit.
Burri që pyeta ishte i njerëzishëm dhe pyetjes sime naive iu përgjigj: "Po ku do që të shkosh more djalkë? Në shkollë apo në konvikt?" "Në konvikt", u përgjigja, pa u menduar dy herë. Nuk e mendoja se shkolla ishte shumë larg nga konvikti.
Ato ishin në dy skaje të kundërta të qytetit. Konvikti gjendej në veriperëndim kurse shkolla, në juglindje të Korçës. Përgjigja ishte me të vërtetë interesante, por nuk më zgjidhi asgjë; pra mbeti vetëm tek interesantja. Burri më tha: "More djalkë i mbarë; për të gjetur konviktin që kërkon, ec pak andej - za; pastaj kthehu këtejza, vazhdo pak drejt, pastaj gjej ndonjë tjetër e pyet gjene". Burri fliste me një gjuhë korçare të llastuar, por të qartë. E falënderova me gjysmë zëri e vazhdova udhën që më rekomandoi ai.
Burri, sikur të kërkonte miratimin tim, më pyeti: "Mirke?" e u largua. "Mirke", u përgjigja, pa kuptuar ku ishte e mira këtu. Të them të drejtën, mendja nuk më punonte në ato çaste e nuk mendova për asgjë. Mbeta sërish i vetëm, në mes të Korçës, në një kohë kur secili mblidhej në vatrën e tij. Fundja, kush ma kishte ngenë. Secili vështronte punën e tij.
Pyet njërin e pyet tjetrin, më në fund e gjeta konviktin e dëshiruar.
Godina e konviktit që kërkoja ishte një ndërtesë e veçantë me një arkitekturë të bukur, me kthina të veçanta, me 2 - 3 kate, me kulla të tipit kinez. Ajo gjendej, thuajse në hyrje të udhës tradicionale që të çonte nga Korça në Maliq e më tutje; jo shumë larg bankës së shtetit, pranë bahçes me mollë të ëmbla të xha Tenit. Kështu mori fund odiseja e atij kërkimi të vështirë, i cili nuk zgjati shumë në kohë. Kisha jetuar në Konviktin e Tepelenës ku brenda 5 minutave i bije qytetit kryq e tërthor. Kisha lindur e isha rritur në fshatin Kalivaç të Tepelenës, ku distancën mes njërit breg dhe tjetrit (çdo mëhallë ishte ngritur në një majë bregu) e shkurtonte e bërtitura me zë të lartë.
Në fushë, distanca e komunikimit me zë ishte më e shkurtër, në krahasim me komunikimin midis kodrave. Ishte praktikë shumëvjeçare, mjaft e bukur - komunikimi mes njerëzve me zë të lartë. Shembull: Një burrë, nga kodra përballë, vinte dorën pas veshit e bërtiste: "O filan!" Dhe filani, me të dëgjuar thirrjen përgjigjej: "Lepe!" Dhe kështu vijonte komunikimi zanor mes dy burrave.
Në qytetin e madh të Korçës, të shtrirë kryesisht në fushë, gjërat funksiononin tjetërsoj. Hapësirat e gjera, kërkojnë që, për të shkuar nga njëri vend në tjetrin, të lodhësh këmbët. Në vitet për të cilat bëhet fjalë, as që mendohej për shërbim urban me autobuse apo ndërlidhje telefonike përmes aparateve celularë. As pajtone, si në Vlorë nuk më zunë sytë.
Në Vlorë, në ato vite nga Sahati, në Skelë, në Ujë të Ftohtë e kthim, qarkullonin disa pajtone kundrejt një pagese modeste. Qytetari që dispononte një biçikletë ishte i privilegjuar dhe i nderuar. "E gjeta Stambollin" me të pyetur, siç dëftojnë të moshuarit. Vojta ca, por më në fund ia dola mbanë.
Në hyrje të konviktit, andej nga është rruga automobilistike që të çon në Maliq, njeriu i parë që takova ishte roja vigjilent i konviktit – xha Shyqyriu. Ai ishte një goxha burrë, malësor, i zbritur në Korçë, nga fshati malor i Gjergjevicës. Mosha që kish, nuk të jepte më tepër se 50 vjeç. Ishte mjaft i mbajtur e të shëmbëllente më i ri. Bashkëshortja e tij ishte ndarë nga jeta dhe xha Shyqyriu, me ndihmën e një pushtetari, të cilin e kishte në fis, kishte gjetur një "rreze" për të shtyrë vitet e pleqërisë. Xha Shyqyriu ishte i veshur me rroba shajaku, të zi; në kokë mbante një kapele pellushi, të zi si ato që mbanin burrat e trevës nga kishte zbritur.
Çdo ditë rruhej, me kujdes dhe mbante mustaqe të prera shkurt, për të cilat kujdesej në mënyrë të posaçme. Sapo e takova, nga pritja e ngrohtë që më bëri, më lindi simpatia për të dhe besimi, njëkohësisht. Për pritjen e ngrohtë, ndoshta ishte porositur, por siguria ime tek ai njeri u shtua kur dhe më pas vura re të njëjtën sjellje miqësore ndaj nxënësve konviktorë.
Kur e vështroja xha Shyqyrinë, të veshur e të pispillosur më vinin në mendje disa burra të moshuar të mëhallës sime, sidomos, nga veshja, nga qasja dhe nga të ecurit me naze. Ai më shëmbëllente si Xha Ahmet Selfua i Zenelajve dhe si xha Laze Xhezua i Hadere. Burrat e moçëm të fisit e të mëhallës sime, të cilëve u rrija pranë e i vështroja në dritë të syrit duke përthithur prej tyre çdo fjalë që nxirrnin nga goja.
Ata më trajtonin ngrohtë e me dashamirësi. Mësova shumë prej tyre. Xha Musai, (ndjesë pastë); plaku i mençur e trim i Nelajve, një ditë, kur po dilte nga avllia e tij e gjatë, tek mbylli lesën prej teli të cilën e mbyllte, pa kyç, se e dinte që rrethohej nga njerëz të gjakut të tij, jograbitqarë, me kalin "Kuqo" për dorë, me torbën e bukës në krah e me çangadhet përpara, të cilat i çonte në domenet e tij, në Margëlliç, më ndaloi e me një dashuri prindi, më tha: "Miazim; nga Binajt (degë e fisit Nelaj), po dole ti – dole; tjetër njeri nuk del!"
Kur e kujtoj, them me vete: Çfarë profecie?
Musa e kishte emrin dhe burri nga Gjergjevica: ai që ruante konviktin e Teknikumit Bujqësor "Irakli Terova" të Korçës. Ai, duke më mirëseardhur, me përzemërsi, më shoqëroi e më rrëfeu dhomën ku do të flija. Xha Musai nga Gjergjevica më shoqëroi dhe në mensë, që të darkoja duke menduar se meqë vija nga rrugë e largët, mund të isha i uritur, por unë i dëftova torbën e bardhë me ushqime plot, duke i lënë të kuptonte se isha i ngrënë. Atëherë, Ai më përcolli në dhomën ku do të kaloja natën. Më duhej të zgjidhja një shtrat ku mund të shtrihesha. Të paktën të pushoja pak, pas asaj lodhjeje të gjatë.
Krevatet ishin të rregulluara e të kompletuara. Konviktorët vinin një nga një e kur t’ia kishin ngenë. Drejtoria e konviktit kishte marrë masa, në mënyrë që ata kurdo që të paraqiteshin t’i gjenin krevatet gati. Krevatet ishin me konstruksion metalik e me sustë teli.
Ato ishin me dy kate, apo siç thonë rëndom, stil marinari. Meqenëse dhoma ishte bosh e unë "bëra këmbë", i pari, pata privilegjin të përzgjidhja. Zura vend në katin e parë të një krevati. Pata kohë e mundësi të zbrazja torbën e bardhë prej pëlhure, për të parë gjendjen e ushqimeve që më kishte nisur Nëna. Pranë shtratit ishte një komodinë, në të cilën vendosa dhe sistemova ushqimet e torbës. Dhoma ishte e lartë dhe shkëlqente nga pastërtia.
Ndenja një copë herë duke vrojtuar pllakat me të cilat ishte e shtruar dyshemeja. Ato ishin prej porcelani, me ngjyra të ndryshme. Nuk kisha parë deri atëherë të tilla pllaka. Ato ishin të vogla si dimension dhe shumë cilësore. Siç duket, projektimi, ndërtimi dhe pajisja e godinës ishte me materiale të importuara nga vendi fqinj, nga Italia.
Më vonë mësova se kjo godinë ishte ndërtuar posaçërisht për ushtarët italianë, në kohën e pushtimit fashist. Ajo, për një kohë të gjatë ka shërbyer si shtëpi publike. Në të strehoheshin dhe shërbenin femra që ofronin seks, për ushtarët italianë. Vajzat ishin sjellë nga Italia.
Kur e mësova këtë fakt, edhe pse isha i vogël, më erdhi një ndjenjë pështirosjeje dhe urrejtjeje për atë veprimtari të pamoralshme. Ngrehina në fjalë nuk ngjante me të tjerat. Muret ishin ndërtuar me gurë të gdhendur, të vendosur një mbi një. Fugat mes rreshtave të gurëve, dalloheshin qartë e i jepnin murit bukuri të veçantë.
Në anën perëndimore të konviktit ishte mensa. Ajo ishte ndërtuar rreth 50 m larg konviktit. Së bashku me të, si zgjatim i njëra-tjetrës ndodhej kuzhina. Në hapësirën që ndante godinën e konviktit nga mensa dhe kuzhina ishte një fushë, e rrethuar nga mure të larta rreth 3 m. Në mes të saj ishte një çezmë, e cila kishte ujë 24 orë, pa ndërprerje.
Ajo ishte nën tokë, e nuk binte në sy. Për të zbritur deri te çezma, duhet të shfrytëzoje 3 - 4 shkallë. Konstruksioni i ndërtimit të çezmës ishte prej betoni. Ajo fushë me përmasa të kufizuara ku zakonisht luanim futboll ishte e shtruar me pluhur qymyri, të djegur e të situr dhe, kur luanim nuk njiheshim fare nga ngjyra e zezë që kishim marrë. Ashtu siç ishim, të nxirë e qullë në djersë, laheshim në ujin e ftohtë të çezmës. Çezma ishte thuajse e padallueshme dhe, ai që nuk e dinte, binte brenda.
Një ditë, kur po mësoja të ngisja biçikletën dhe kisha marrë një biçikletë me qira, ca nga padija e më tepër nga emocionet se po mësoja një gjë të re, u hutova aq shumë sa rashë brenda në gropën e çezmës me gjithë biçikletë. U deformuan ca disqet, së bashku me komardaret dhe me kopertonet, por unë nuk pësova asgjë. Sikletin më të madh e kisha kur i shpura biçikletën të deformuar, atij që ma dha. Shtrati që përzgjodha për të përcjellë natën e parë kishte dyshek të mbushur me pambuk.
Për t’u mbuluar, në fund të krevatit ishin të palosura 2 batanije pambuku, me kuadrate. Batanijet ishin të pastra e nuk i kishte prekur era e rëndë e skonit. Çarçafët dhe këllëfët e jastëkëve ishin të bardhë, të larë e të hekurosur. Çdo gjë në atë dhomë ishte e pastër, ndrinte dhe mbante erë freskie.
U bëra një "inventar" të shkurtër sendeve ushqimore që më kishte nisur Nëna e u shtriva, për të fjetur. I lodhur isha, por gjumi nuk më zuri. Ai ishte "arratisur" gjetkë e nuk më përfilli fare. Duke u menduar, siç isha i shtrirë, në pritje të dremës, ku s’më shkonte mendja. Papritur m’u kujtua një porosi e Nënës, kur më nisi.
Ajo më tha se disa nga ushqimet mund të thartoheshin. Brofa përpjetë, sikur të më kishte hedhur susta e krevatit e nisa të kontrolloja një për një ushqimet. Nëna e kujdesur për djalin e parë të saj që do të ikte larg, më kishte caktuar dhe një radhë, sipas të cilës, më parë duhet të konsumoja ushqimet me rrezikshmëri të lartë prishjeje. Mishin e pulës e kisha ngrënë.
Ai më pëlqente shumë dhe ashtu siç e kishte përgatitur Zonja e Madhe e Binajve, të lyer me vaj ulliri, ishte bërë mjaft i shijshëm. Më duhej të konsumoja disa fije petullash të pjekura po në vaj ulliri dhe dy copa qullapite që kishin mbetur. Të dyja këto asortimente ishin me bazë brumi e nuk mund të rezistonin gjatë. Vezët e ziera, frutat, palafiket, dhe arroret nuk i gjente gjë. Vargjet me fiq kojse, gjithashtu rezistonin më gjatë. Sistemimi i ushqimeve dhe konsumimi i atyre që ishin më pak rezistente, më mori ca kohë, por dhe më fryu barkun.
Nga nepsi, nuk lashë pa çupitur ato që prekja me dorë. Pagjumësisë sime iu shtua dhe barku plot.
Ndenja i shtrirë në krevat edhe pse gjumi nuk më mori. M’u kujtua një thënie e lashtë e një predikuesi të fesë së krishterë, sipas të cilit: "Ka thanë frati, shko ke shtrati, po s’të mur gjumi, pushon shtati". Merak të madh kisha për shkollën që do të niste së shpejti, më 1 shtator të atij viti. Shkolla zinte vendin e parë në vargun e shqetësimeve të mia. Shkollën nuk e kisha parë akoma, por e përfytyroja të ndryshme. Hamendësoja: Ku e si do të ishte ajo?
Po klasat? Sa nxënës do të kishte në një klasë dhe me kë do të ulesha në bankë? Si do të ishte raporti mes vajzave dhe djemve, në klasën time? A do të kishte nxënës nga qyteti dhe si do t’i ndërtoja marrëdhëniet me ta? Po pedagogët, si do të ishin, të moshuar apo fringo të rinj? Të ashpër apo tolerantë, si do të silleshin ata me nxënësit dhe me secilin (cilën) prej tyre do të kuptohesha më lehtë?
Këto bluaja në kokë, prandaj nuk më merrte gjumi.
Mendoja, e shqetësohesha për faktin: kur e si do të lidhesha me njerëzit e mi të një gjaku; me Qamilin e Pashos; me Dedenë e Musa Mehmetit; me Sabrinë e Breshan Fejzos, me Sulltanën e Refat Mahmutit dhe a do të takoja vallë kushëririn tim; Zenjelin e Novruz Selfos të cilin, në mëhallë e në fshat e kishin nëmur e sikterisur? Po nxënësit e klasave më të larta, si do të qaseshin ndaj nesh, "aguridheve"? Teknikumi Bujqësor "Irakli Terova" i Korçës jetonte vitin e tretë të funksionimit.
Ai, vërtet kishte formuar njëfarë fizionomie, por, jo të gjithë qytetarët dhe krahinorët e dinin vendin ku ndodhej dhe destinacionin e tij. Mendoja dhe për kuzhinën e mensën e konviktit që do të na ushqenin. Përfytyroja tavolinat në mensë; sa konviktorë do të uleshin në një tavolinë? Si do të ishin gatimet dhe çfarë do të gatuhej për ne?
Në dhomën e gjumit, atë natë do të isha i vetëm. Vetmia ma shtonte stresin. Në Konviktin e Tepelenës isha mësuar të flija në një dhomë me shumë shokë. E qartë gjëja: "vetmia të vret!" Në shkollën shtatëvjeçare isha nxënës i treguesve cilësorë. Mësuesit, ndoshta dhe për këtë shkak silleshin mirë me mua.
Po këtu? Kisha merakun si do të silleshin me mua shokët dhe shoqet e klasës. Kisha dëgjuar se shkolla e mesme nuk ishte e njëjtë me atë shtatëvjeçare. Kisha kuriozitetin për të mësuar sa më parë, çfarë ndryshimesh do të kishte midis dy niveleve të shkollës, sa i takon procesit të të nxënit. Më kishin bërë të ditur se disa lëndë, në shkollën e mesme ishin mjaft të vështira e kërkonin studim të zgjatur dhe se në shkollën e mesme tentohej dhe për të zhvilluar mësime me karakter të mirëfilltë shkencor. Sidomos në procesin e formimit profesional.
Me këto mendime në kokë u përpëlita tërë atë natë, në krevatin e butë e të pastër. Nuk e them dot, me siguri, nëse arrita të flija atë natë. Këto mendime më linin pa gjumë. Kisha dhe një shqetësim tjetër, të cilin, në vetmi nuk mund ta zgjidhja: Si do të përshtatesha me nxënësit e klasës sime që ishin nga qyteti i Korçës të cilët kishin mundësi dhe kërkesa të tjera për shkollën dhe për jetën.
E mendoja se në klasën time, me siguri do të kishte dhe qytetarë të mirëfilltë korçarë. Ata, në familjet e tyre, mëkoheshin me të tjera ide dhe kishin tjetër qasje, sa i përket veshjes, afërsisë me të tjerët, sjelljes në rrugë e në qytet dhe qasjes ndaj shkollës dhe të mësuarit. Dija se korçarët janë njerëz me sqimë dhe ekzigjentë ndaj pamjes së jashtme të tyre. Veshjet e tyre janë prej materiali cilësor, të qepura pas shtatit, të pastra e të hekurosura. Nxënësit nga qyteti, dalloheshin që në ecje.
Ata, edhe ecjen e kishin elegante, kurse ne që vinim nga fshati, ngjanim me një "Halldup" që në një kuptim do të thotë njeri pa gusto, i veshur dosido e me sjellje të rëndomtë. Nuk isha i vetmi.
Një shoku im i klasës, nga një fshat i Devollit, kur erdhi në qytet, kishte mbathur opinga llastiku, nga ato që ngjajnë me një varkë lundruese. Opingat ishin të bardha nga sipër e stononin me këpucët, me të cilat vinin në shkollë qytetarët. Që të ngjante si ata, shoku im i mirë, por i paditur, i lyeu opingat me bojë të zezë te një bojaxhi këpucësh, në qendër të qytetit. Derisa shkuam në konvikt, boja e opingave, u dekolorua e opingat e tij u bënë, të bardha, siç ishin në fillim. Më kujtohet dhe një adoleshent tjetër, i ardhur nga fshati, i cili, nuk kishte provuar të lëpinte një akullore. Blemë të dy, nga një kaush me akullore brenda, te një pastiçeri, në qendër të qytetit ku punonte një grua e ardhur nga Leskoviku.
Shoku im, sapo zbritëm në trotuar, e kullufiti të tërë kaushin me akullore dhe i dolën sytë si kokërdhokë. Si më i ftilluar, i bërtita shokut: "Mos, mor budalla se nuk gëlltitet akullorja menjëherë!" Shoku e nxori akulloren menjëherë dhe e hodhi në trotuar, se e plevitosi.
Kujtoj dhe fyerjet që na bënin ata të rinj korçarë, të cilët ishin të veshur "shik" e silleshin me edukatë. Ne fshatarët vishnim petka të qepura shkel e shko, të cilat na rrinin si thes. Ata, ne fshatarëve na etiketonin me shprehjen: "Agallarë", jo në kuptimin e të qenit të pasur, por në kuptimin e të qenit të rëndomtë në sjellje. Shkova në Korçë në ditët e fundit të gushtit të vitit 1956. Deri në datën 1 shtator të atij viti, ditë kur do të nisnin mësimet rregullisht, kisha në dispozicion disa ditë. Këto ditë të "lira" më shërbyen për të njohur qytetin dhe për t’u socializuar me mjediset e tij.
Në të njëjtën kohë, mund të bëja përpjekje për të gjetur njerëzit e mi të gjakut. Për të qenë në harmoni me traditën zakonore të trevës nga vija, e donte puna, fillimisht të përfillesha për të gjetur shtëpinë ku banonte kushëriri im Qamil Pasho Nelaj dhe familja e tij. Qamili ishte bërë i njohur falë invaliditetit të tij si ishpartizan i Brigadës së 6-të sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Bazuar në tiparet e tij dhe në faktin e mësipërm Qamili u caktua njëri nga drejtuesit e Ndërmarrjes së Ndërtimit të Korçës, Ai ishte njëkohësisht dhe njëri nga veprimtarët më në zë të organizatës së Frontit Demokratik, në qytet. Kisha bindjen se po të arrija të gjeja Qamilin, e kisha të gjetur Dedenë e xha Musait e cila ishte kushërire e afërt e tij dhe e baraslarguar prej meje. Qamili binte në sy për shkak të ecjes së tij të përtuar, si rezultat i plagosjes së tij, në njërën këmbë si dhe ngaqë mbante syze miopi me numër të madh.
Veshja e tij, ecja, qasja në rrethin shoqëror dhe në punë, e bënin Qamilin të veçantë. Atij i dhimbsej shumë malli i përbashkët dhe ishte mjaft kërkues për ruajtjen dhe miradministrimin e tij. Tipar dallues i tij ishte moskompromentimi me asnjë mënyrë dhe kërkesa e lartë e llogarisë. Këto dhe të tjera tipare të tij të veçanta bënin që një jabanxhi si Qamili të shquhej mes vendasve.
Nuk vuajta shumë për të gjetur shtëpinë e kushëri Qamilit. Familja e tij banonte në një godinë njëkatëshe; me çati e me një kopsht të vogël pranë. Banesa e Qamilit dhe familjes së tij nuk ishte larg godinës së shkollës së mesme ku do të mësoja.
Ai banonte në hyrje të përbashkët me familjen e punëtorit korçar - Petro dhe bashkëshortes së tij – Theodhora. Ata kishin dy fëmijë adoleshentë: Marjetën dhe Anestin. Marjeta e bukur punonte në fabrikën e birrës së qytetit kurse i vëllai ishte punëtor, mekanik. Të dyja familjet gjitone, jetuan mjaft kohë, në paqe e në harmoni të dukshme me njëra-tjetrën.
Në kopshtin pranë shtëpisë, i cili shtrihej në dy faqe të pjesës që i takonte Qamilit, Nënë Ganua, Nënë e Qamilit, një grua labe, e moshuar, por e fortë fizikisht, tipike kalivaçase, punonte tokën dhe mbillte duhan fletëgjatë të varietetit xhebel, të cilin e thithte Qamili, me të dredhur dhe Nënë Ganua, me çibuk. Pranë themelit të banesës ishte një bincë (tip strehim) ku familja e kushëririt tim sistemonte qymyrin me të cilin ngrohej dhe gatuante në dimër.
Shoqet dhe shokët e mi të shkollës, mbërritën në Korçë nga rrethe të tjera dhe nga treva e Korçës një nga një e ditë pas dite. Derisa u plotësuan klasat e shkolla u kompaktësua, pata kohë e shans të gjeja kushërirën Velide. Ajo, në atë kohë punonte ndihmëskuzhiniere në kuzhinën e Shkollës së Mesme "Irakli Terova". Kuzhinierët ishin dy: Filip Zallemi, një fisnik korçar barkmadh dhe Eftalia, një grua e urtë e punëtore, me origjinë nga Leskoviku.
Në atë kohë, kushërira ime Velide, mbante mbi supe 30 vite. Ajo ishte shëndetplotë dhe profesionalisht e zonja. E ema - Hysnija e Musa Mehmetit e kishte rritur dhe e kishte edukuar të bijën me tipare e mentalitet kalivaças; të aftë për të menaxhuar shtëpinë e saj, për të rrethuar me kujdes: burrin, fëmijët, fisin e bashkëshortit si dhe për të nderuar prindërit e saj dhe të afërmit e tyre.
Ajo ishte e martuar me krahësiotin Qani Bektash Shabanaj. Qaniu vinte nga ushtria ku kishte qenë nënoficer aktiv, por ishte liruar prej saj, për shkak se ishte "i vrarë" nga veshët. Ai punonte në Ndërmarrjen Bujqësore "Irakli Terova"; punëtor krahu; më vonë punoi, po punëtor krahu, në Fabrikën e Tullave të qytetit të Korçës. Ndërmarrja Bujqësore "Irakli Terova" më vonë u shndërrua në ekonomi didaktike dhe eksperimentale të Teknikumit Bujqësor me të njëjtin emër.
Në adoleshencë, Velideja kishte qenë e martuar me një djalë mjaft të mirë, por të pafat, në fshatin Shkozë të rrethit të Vlorës, i cili u nda shpejt nga jeta. Ai, u nda shpejt nga jeta dhe e la Velidenë të ve, me një djalë laktant, të cilin e quanin Remzi. Në kohën kur u lidh me martesë me Qani Bektashin, Velideja la në Kalivaç të birin, në kujdesin e Nënës, kapedanes Hysnije dhe xha Musait fisnik, trim e të mençur dhe dajos me zgjuarsi të rrallë e tipare të veçanta - Mehmet Nelaj. Remziu u rrit, u maturua e u martua, në familjen e Gjysh Musait dhe gjyshe Hysnijes. Minajetja, ashtu si vjehrra, vjehrri dhe bashkëshorti i saj, u kujdesën për Remzinë, që ai të rritej e të veselitej, pa bërë dallim nga fëmijët e gjirit. Remziu u bë goxha djalë, i rrethuar nga dashuria dhe kujdesi i të gjithë njerëzve.
Ai u rrit kanakar e u bë i përkëdheluri i fisit dhe i mëhallës. Teze Mushua, bashkëshorte e burrit me burrëri Refat Mahmutit, e donte dhe kujdesej shumë për djalin e motrës dhe e kishte amanetin e saj. Në Kalivaç e më gjerë nuk kanë pas thënë më kot se jetimi, mbaron si jetim e i lë fëmijët jetimë. Remziu u martua me të bijën e Çizo Azis Xhaferaj nga Meçajt, solli në jetë fëmijë, të cilët tashmë janë kader, por vetë, e mbylli jetën në një aksident banal.
Velideja, grua e zonja, e zgjuar dhe e mençur, fisnike nga rrënja, e brumosur me mentalitetin e trevës nga kishte ardhur, e kuptonte dëshirën time të zjarrtë për të gjetur njerëzit e mi të gjakut, në qytetin e largët të Korçës, prandaj më ndihmoi, me gjithë shpirt, për të rënë në kontakt me ta. Ajo, më rrëfeu e më çoi në familjen që kishte formuar mbesa e saj (vajzë e motrës) – Sulltana e bukur, në çift me të mirin Ferrik Idai Brahimaj, nga fshati Shkozë i rrethit të Vlorës. Në atë kohë, çifti Tane (Sulltane) dhe Ferrik Brahimaj, banonin në një apartament në anën perëndimore të Bulevardit "Gjergj Kastrioti", pranë Bankës së Shtetit. Ata, sapo kishin ardhur në Korçë e ishin në procesin e konsolidimit të familjes së re dhe të "shijimit" të dashurisë së tyre hyjnore.
Teze Velideja, si fisnike që ishte, bijë e dy prindërve të fisëm dhe nuse në një familje të ndierë, nuk u mjaftua vetëm me rrëfimin e banesës së mbesës së saj (vajzës së motrës), por, më mori për dorë e më shpuri në shtëpinë e saj. Motra e saj, Mushua e Refat Mahmutit e kishte porositur motrën Velide ta kishte në kujdes, të voglën e saj si "flori" - Sulltanën bukuroshe e të brishtë, për faktin se ajo ishte akoma e parritur dhe e paditur. Velideja, te mbesa Sulltane do të ishte jo vetëm teze e saj, por dhe një "vjehrrë" e mirë. Fatimeja e Idai Brahimit, ndodhej disa qindra kilometra larg vendbanimit të nuses së djalit të saj, për rrjedhojë nuk e kishte të mundur të luante rolin e vjehrrës fisnike.
Tana, kur u martua me Ferrikun e Idai Brahimit nga mëhalla e Aligjonit të Shkozës të rrethit të Vlorës, ishte 18 vjeçe. Po bëj përpjekje për t’ua paraqitur sa më të saktë e më të plotë, juve lexues të nderuar, portretin e të mirës Tane. Ajo ishte vajzë fshati; mjaft e re dhe e bukur natyralisht; me shtat mesatar, me shëndet "buçko"; e zgjuar, e shkathët, e paqme dhe e papërtuar. Tana e donte jetën dhe ishte e gatshme për të përballuar çdo vështirësi e pengesë, në emër të saj. I donte shumë fëmijët dhe ishte e predispozuar për të përballuar kërkesat dhe vështirësitë e të qenit Nënë. Tana i kishte flokët në ngjyrën e gështenjës me kacurrela.
Fytyrën e kishte të bardhë e të rregullt. Balli i lartë si shenjë fisnikërie dhe dy sytë gështenjë, të ndritshëm i jepnin hijeshi të rrallë asaj fytyre të pafajshme. Buzëqeshja e ëmbël dhe një vrimë që i shfaqej në mjekrën e rregullt të saj, kur qeshte, e bënin më të hijshme fytyrën e atij "engjëlli". Buzagazi i saj ishte i çiltër e me gjithë shpirt. Bashkëshorti i saj nga Aligjoni, Ferrik Idai Brahimaj, sikur të ishte bërë posaçërisht për të qenë binjak me Tanën vezulluese. Shtati i tij i fuqishëm dhe shëndeti i mirë, fytyra bardhoshe, flokët e zinj, pak të rënë mbi ballë, si shenjë fisnikërie, nofullat disi të gjera, dhe sytë tërë dritë e jetë, të krijonin përshtypjen e një mbinjeriu, vitaliteti i të cilit ishte i dukshëm e veprues. Bota e brendshme e tij ishte e bukur dhe tepër e pasur. Ferriku, falë shtatit, zgjuarsisë e shkathtësisë dhe trimërisë, me origjinë atdhetare, si garanci, u thirr për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në kufi, në rrethin kufitar të Korçës, atje ku rreziku ishte iminent dhe ku kërkohej, jo vetëm zgjuarsi natyrale e trimëri dhe ndjeshmëri çobani, por dhe shkathtësi e fantazi. Meqenëse në kryerjen e shërbimit të kufirit, Ferriku u shqua mes shokëve, nomenklatura e piketoi dhe e propozoi për ta mbajtur në rolin e instruktorit të kufitarëve, në qendrën e instruksionit e cila ndodhej në Korçë. Mjaft i interesuar dhe garant për djalin e xha Idai Brahimaj, u bë burri i ndierë nga fshati Sevaster i rrethit të Vlorës, Arshi Velaj, i cili, në atë kohë ishte ndër specialistët më në zë të kufirit të këtij rrethi, por dhe mik shtëpie i Brahimajve. Xha Arshiu (ndjesë pastë) ishte i sigurt se djali i Brahimajve atdhetarë, nuk do ta turpëronte në cilësinë e instruktorit të kufirit, ndaj u bë garant i tij dhe nuk u zhgënjye.
Tana me Ferrikun (ndjesë paçin), u lidhën e u martuan me njëri-tjetrin me shkuesi (mblesëri). E tillë ishte tradita e kohës dhe asnjeri nuk mund të dilte jashtë saj. Ndonjë pëlqim mes të rinjve, edhe mund të ngjante, siç ka ndodhur, sidomos kur ishin nga i njëjti fshat dhe mësonin, në shkollë së bashku ose shiheshin në forma të ndryshme nëpër dasma e gostira, në ndonjë rast kur të dy të rinjtë shkonin në Pazar apo, siç mund të ndodhë, në mëhallët e "Pusit" në Kalivaç ku vajzat shkonin kolektivisht për të mbushur ujë te Burimi i Madh, në Donije, njëra pas tjetrës, me kazanë në kokë apo me buçela në kurriz.
Në këto raste e në të tjera si këto, pëlqime ka pasur; kjo nuk mund të vihet në diskutim, por dashuriçkat ishin të pamundura. Konservatorizmi dhe injoranca ushqenin fanatizmin e dukuri të tjera penguese, të cilat kanë qenë të huazuara e të imponuara nga pushtuesit e huaj. Ato ishin ngulitur fort në jetën e kalivaçasve dhe banorëve të trevës e bëheshin barrikadë sa herë paraqitej ndonjë mundësi komunikimi mes të rinjve të pëlqyer me njëri-tjetrin. Madje edhe kur ngjanin pëlqime mes të rinjve, realizimi i tyre, merrte udhën e shkuesisë. Kërkohej dhe pëlqimi i prindërve të tyre; i familjes; i fisit dhe i miqësisë.
Në rastin tonë, i cili ka të bëjë me lidhjen e shëndetshme të Tanës me Ferrikun, as që bëhej fjalë për pëlqim e lidhje dashurore të mëparshme. Lumi i Vjosës që veçonte dy fshatrat; është një "gardh" natyral, i cili nuk lejonte e nuk bënte të mundur lidhje dashurore, pa lë më dashuriçka. Dy të rinjtë, as që e njihnin njëri-tjetrin e nuk kishin dëgjuar gjë, madje as për ekzistencën e tyre. Tana, si "vajzë pulash", nuk kishte shansin të kapërcente as Përroin e Veldonit e pamonitoruar nga prindërit dhe njerëzit e shumtë të gjakut. Edhe kur shkonte te Gjyshërit, në Ahmetaj, në të gjithë Brinjën e Qendret kishte njerëz e familje nga raca e saj.
Ajo ishte "e ngujuar" në Margëlliç, në Gjembin e Bilos dhe në Përroin e Seranit. As në Koçimare e në Arat e Buta nuk kishte dalë bija e Atij çikë burri - Refat Mahmut Bilaj, i cili ishte i njohur, në fshat e në trevë, si burrë i zgjuar, i shkathët e trim. Asnjeri nuk mund t’ia kalonte "ujët nën rrogoz" Refat Mahmutit. Së shumti, Tana, kur kapi moshën e pubertetit, lejohej, gjithnjë me lejen e prindërve dhe e shoqëruar, të shkonte, e shumta deri te gjyshe Hysnija, bashkëshorte e legjendës kalivaçase – Musa Mehmet Nelaj.
Tana i kishte ngjarë gjyshe Hysnijes e cila shquhej mes grave të fshatit, si për sjellje të ashpër, edhe për të qenit e drejtë. Ajo ishte nga ato gra, që maten me burrat, si në kuvend, edhe në pije alkoolike. Ajo e pinte duhanin me çibuk dhe rakinë me faqore. Ninija, edhe kur ulej në trapezë me burrat, garonte dhe i mposhtte disa burra të mirë. Mushua, Nëna e Tanës, e ardhur nga Anadoli, kur ishte 2 vjeçe ishte rritur në dy familje tradicionale e me begraund të pëlqyeshëm. Ajo mëkoi tek e bija (Tana) edukatë të shëndoshë dhe e mësoi të bëhej zonjë shtëpie e zotëruar, e përgatitur për të qenë e denjë për t’i shërbyer familjes, burrit, fëmijëve dhe të ishte e pritur ndaj cilitdo që do të trokiste në derën e shtëpisë së saj.
Tana dhe Ferriku nuk kishin asnjë shans për të njohur njëri-tjetrin përpara se të realizohej kjo lidhje mes tyre. Lidhja mes tyre nuk ishte njerëzore, por "Hyjnore". Dy të rinjtë ishin të gatuar për njëri-tjetrin. Në ndihmë u erdhi fati kundër të cilit nuk mund të dalë asnjeri. Ndoshta kemi të bëjmë me një rast unik, falë të cilit, kur një burrë dhe një grua lidhen me martesë, mes tyre lind një dashuri e paparë në të cilën ata ndihen aq të afërt, aq të ngrohtë e aq të dashuruar me shoqi-shoqin saqë njerëzit, mbi baza të shëndosha arrinin të thoshin se "këta të dy, vetëm vdekja mund t’i ndajë!" Mirëpo jeta u kishte rezervuar dy të rinjve një fat të mbrapshtë; dashuria mes tyre nuk u trashëgua.
Populli ynë, me zgjuarsi natyrale, ka qëmtuar rast pas rasti e ka formuluar, mbi raste të ngjara në praktikë, sloganin e vërtetuar se "Dy të bukur kur lidhen me martesë, nuk e kanë shansin të trashëgohen!" Tana dhe Ferriku, ishin mjaft të bukur e u lidhën ngushtësisht, edhe pse pa u njohur paraprakisht me një dashuri të patreguar. Fati i kësaj lidhjeje, rrodhi siç do ta mësoni pak më poshtë.
Ata, vërtet sapo ishin të martuar dhe me shkuesi, por u lidhën aq shpejt e aq fort me një dashuri të çiltër saqë të tjerët, kur i vështronin si dy zogj në një degë peme, kujtonin se jetonin së bashku prej kohësh.
Mbasi i njoha nga afër, si i të njëjtit gjak me Tanën, tek i vështroja aq të dashuruar e të lumturuar, në krahët e njëri-tjetrit, mendoja me vete: "Ja një martesë e goditur e me fat dhe dy të rinj të bërë për njëri-tjetrin." Kur shkoj nëpër mend atë lidhje të fortë e atë dashuri të pastër si dhe kur i referohem asaj çerdheje të lumtur që formuan ata dy "engjëj", më përfshin ngazëllimi, por dhe më kaplon trishtimi, njëherazi. Ngazëllimi ka të bëjë me atë ëmbëlsi që pashë në marrëdhëniet midis tyre të sinqerta, të shëndosha e pa paragjykime, por të natyrshme. Trishtimi im është një revoltë e brendshme, shprehje e një keqardhjeje, pa kufi, për fatin e trishtë të këtij çifti, trishtim i cili la pas shumë brenga dhe nuk duhet të ndodhte. Lidhja ishte me ngjyra qiellore, kurse fundi ishte tragjik e lemeritës dhe i padenjë për ato dy krijesa. Fatkeqësia që i ndodhi Ferrikut, e cila pasoi me ndarjen nga jeta të tij, tronditi, jo vetëm mua.
Të tjerë njerëz u viktimizuan dhe përjetuan me dhimbje të thellë atë tragjedi të rrallë. Më tepër se kushdo tjetër e ndjenë këtë gjëmë e mira Tane; Katjusha e vogël dhe Gjoni, i cili ishte në barkun e Nënës e nuk e pa Babanë me sy. Sa e rëndë është për fëmijën të mos njohë prindin e të mos përfytyrojë imazhin e tij.
E kujtoj atë kohë, jo vetëm me nostalgji, por dhe me përgjërim. Përgjërohem e si të mos përgjërohem? Vdekje ka e do të ketë, se e tillë është jeta, por më iku një lule, akoma pa çelur dhe u vyshkën petalet e një luleje si Tana qiellore. Fakti që isha i parritur nuk e justifikon qëndrimin tim të dyzuar të asaj kohe. Anoja më tepër nga Tana, për shkaqe të lidhjeve të gjakut me të; por qesh me vete kur mendoj se, qoftë dhe virtualisht i kam hyrë në pjesë gjysmës tjetër të atij çifti - Ferrikut fisnik i cili, dilte jashtë dimensioneve të kohës kur jetoi. Nuk di nëse më skuqen veshët nga turpi, por ndjej se, sa herë kujtoj ato vite të lavdishme e të ëmbla, më hipën një aver e paspjeguar e bëhem qull në djersë, nga sikleti.
Kujtoj kur vajta për herë të parë në shtëpinë e çiftit Tane e Ferrik, i shoqëruar nga simotra Velide dhe nga bashkëshorti i saj - Qaniu i Bektash Likos. Në familje gjeta Tanën dhe Katjushën laktante. Ferriku ishte në detyrë, në Repartin e kufirit ku u jepte mësim kufitarëve të rinj. Qendra e instruksionit të kufirit, në atë kohë, ndodhej në kilometrin e dytë të rrugës automobilistike që të çonte nga Korça, në Bilisht.
Isha rreth 14 vjeç, kurse Tana ishte më tepër se 18 vjeçe. Ajo kishte marrë, me sa duket nga prindërit e saj mësimin edukativ sipas të cilit kur në shtëpi hyn një mashkull, qoftë dhe më i vogël në moshë, femra që ndodhet brenda duhet të ngrihet në këmbë, në shenjë respekti. Kjo traditë ishte aq e fuqishme sa, edhe kur në konak hynte një fëmijë, mjafton të ishte i gjinisë mashkullore; të gjitha femrat që ishin brenda duhet të çoheshin. Tana e kishte bërë të vetin këtë mësim. Sapo hyra në dhomë, u bëra qendra e ngjarjeve të mëtejshme. Tana, kur më pa, në shtëpinë e saj, u gëzua shumë e nuk përmbahej nga gëzimi.
Ajo, kur më pa, më njohu e m’u hodh në qafë. Më puthi në të dyja faqet, më pushtoi fort në kraharor e nuk më lëshonte. Njëherazi dëgjova një klithmë gëzimi prej saj. Në të bërtiturën e saj shquajta fjalët: "Ua – Ua – Ua! Na erdhi dajo Niaziu... Po nga u hapën këto udhë, o dajo? Sa shumë të dua e sa shumë kohë kam pa të parë?
Më paska marrë malli shumë!" U takua me mua, pastaj u drejtua nga Velideja, të cilën e kishte teze dhe nga Qaniu, i cili ishte burrë i tezes së saj. Fjalët e mirëseardhjes së sime mbese, Tanës dhe thirrja e saj në sloganin kalivaças "nga na u hapën këto udhë – o dajo…", sikur më bënë ta ndieja veten më të rritur dhe ndieva detyrimin për t’i dalë në mbrojtje mbesës sime Sulltane. I sigurt se nuk them ndonjë gjë të madhe, nuk di përse m’u kujtua një ndodhi e të paktën 8 viteve të shkuara.
Ishte viti 1948. Motra ime e vetme – Lumturia (ndjesë pastë), shkonte në klasën e parë të shkollës fillore të fshatit. Ajo kishte mbushur moshën 7 vjeç e cila ishte kusht për të hyrë në klasën e parë. Babai im fanatik - Xhaxhakua, më hoqi mënjanë e më tha: "Do të veç edhe ti në shkollë, megjithëse nuk e ke moshën. Nuk mund ta lëmë kocen vetëm, në mes të djemve...". Do të ruaja motrën 7 vjeçe!!!
Çfarë absurditeti i asaj kohe. Ama ishte dhe njëfarë kujdesi, për vajzën e vetme, ndonëse i tepruar. Tani që i kisha lënë të 14 vjeçët, sa herë shkoja në shtëpinë e çiftit Sulltane dhe Ferrik Brahimaj, kur vështroja dashurinë dhe përkujdesjen me të cilat, i ndjeri Ferrik rrethonte bashkëshorten Tane dhe "engjëllin" e vogël – Katjushën dhe kujtoja atë kohë, bëhesha xheloz kur vështroja atë kujdes e atë lidhje "hyjnore" mes tyre; atë kujdes që shpaloste Ferriku për to. Xhelozia ime ishte e pabazuar dhe e patreguar.
Ajo konsistonte në faktin që unë, si dajo, edhe pse i vogël, ndjeja përgjegjësinë që mbesat e mia "të mos i zinte era", në kuptimin që ato të ishin të mbrojtura në çdo drejtim. Që në çastin e parë, Tana e brishtë, sapo më pa, m’u hodh në qafë e më mirëseardhi, me fjalët: "Mirë se erdhe o dajo!" Këto fjalë ma shtuan detyrimin për t’u bërë roja e tyre, në kuptimin e rojës së qiellit. Tushin, të dy prindërit e donin jashtë mase dhe e rrethonin me puthje e me ledhatime.
Ajo ishte një "engjëll" dhe ndonëse i mundonte shumë e i linte pa gjumë, ishte një "ëmbëlsirë e këndshme"; e cila meritonte çdo kujdes e dashuri. Katjusha e vogël, me "cicërimat" e saj ua bënte më të ëmbël jetën familjare.
E thashë më sipër se në ndonjë rast ndihesha xheloz. Por, xhelozia ime ishte e veçantë dhe unike. Nuk doja që vajzat e gjakut tim; Sulltanën dhe Katjushën t’i "zinte era" në kuptimin që asnjë e keqe të mos u vinte këtyre krijesave të brishta. Nuk i duroja dot ankesat e tyre. Meqenëse burri i asaj shtëpie ose, siç kanë thënë dikur në anët tona, "trari kryesor" i shtëpisë ishte Ferriku i Brahimajve, kërkesat e mia ndaj Tij ishin të shumta, por jo të kota.
Ai duhet të bëhej "ombrellë mbrojtëse" për të dyja vajzat. Për Ferrikun familja ishte e "Shenjtë".
Më kishte rastisur të isha në shtëpinë e tyre, kur vinte Ferriku, nga reparti. Sapo ndiente derën që trokiste, vogëlushja Katjushe, e cila sapo kishte nisur të belbëzonte, bërtiste, e gëzuar, me të dyja duart të ngritura: "Eli Babi"; "eli Babi!" dhe vraponte t’i hapte derën ushtarakut Ferrik Idai Brahimaj. Edhe pse ishte koha për të fjetur, dyvjeçarja Katjushe nuk pranonte të shtrihej, pa ardhur i ati, pa e parë atë dhe pa shijuar puthjet dhe përkëdheljet e Babait të cilat binin si breshëri, mbi Të. Kishte dhe ndonjë rast kur zhgënjehej e te dera shfaqej dikush tjetër. Atëherë Katjusha niste të qante. Lotët e saj më pikonin në zemër e nuk mund t’i vështroja.
Shkoja në shtëpinë e tyre kur mbaronin orët e mësimit dhe mbasi kisha ngrënë drekën në konvikt. E gjeja mbesën të ulur pranë krevatit të vajzës ose me Tushin në prehër, në pritje të kryetarit të familjes. Padurimi i të dyjave, në ndonjë rast përcillej me lot dashurie. Mirëpo mua, edhe pse në atë moshë, lotët e tyre më ngacmonin e më trishtonin. Gjykoja se Tana, ishte mjaft e re në moshë dhe pa përvojën e nevojshme të jetës.
Ajo vinte nga Kalivaçi dhe shkelte për herë të parë në një qytet të madh e të zhurmshëm, ku jeta gëlonte në të gjitha dimensionet dhe ishte tjetërsoj. Vija nga fshati e isha rritur me mentalitetin mashkullor të trevës. Si mashkull ndjeja përgjegjësinë që kisha si përfaqësues i fisit tim nga i cili rridhnin Tana dhe vajza e saj. Isha në mbrojtje të tyre e nuk doja të shikoja lotë në ata sy.
Nuk dola i zhgënjyer në qëndrimin tim ndaj rastit konkret. Ferriku ishte "djalë flori". Zemërgjerësia, çiltërsia, dashuria e pastër dhe përkushtimi i tij për Tanën dhe për Tushin e Vogël, ishin të jashtëzakonshme. Shërbimin e detyrueshëm ushtarak, Ai e kreu në vijën e parë të kufirit; 36 muaj, duke përjetuar situata nga më të ndryshmet. Aty, Ferriku fitoi standardet e një specialisti cilësor në çështje të regjimit të kufirit dhe ishte në mbrojtje të jetës e të qetësisë. Ndaj ishte mjaft i përkushtuar për familjen e tij.
Meqenëse plotësonte më së miri kriteret e duhura, pas përfundimit të afatit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, organi i nomenklaturës e caktoi Atë, instruktor, në shkollën e instruktimit të kufirit, për rrethin e Korçës. Çobani i dhive të Shkëmbit të Lunecit, me përpjekje të shumta u bë instruktor i shërbimit të kufirit. Tashmë, Ai, me trimërinë dhe me burrërinë e kultivuar në familje dhe në ushtri, u aftësua për të qëndruar ballë për ballë, jo vetëm me egërsirat e pyllit, por dhe me bishat me dy këmbë që kishte përballë.
Dikur, para se të shkonte ushtar Ferriku menaxhonte një kope të madhe dhish, në stanin e familjes, poshtë shtëpive të Mahmut Imerit, në korijen me koçimare, xinë, përrallë, mbrete, ilqe e drurë të tjerë, herë i vetëm në shoqërinë e qenit të fortë murro e herë në shoqërinë e vëllezërve të tij dhe në bashkërendim me stanet e kushërinjve të tij. Ai u rrit e u kalit në stan, por, në ushtri u zbutën shumë karakteri dhe shpirti i tij e u latua mentaliteti fshatarak. Ferriku ishte me fat që u lidh me atë deli vajzë; Sulltanën e Mushos e të Refat Mahmutit, e cila, ishte vajzë e zgjuar natyralisht, zemërgjerë si Ajo dhe me shpirt të dhembshur. Ajo, në çift me Ferrikun, formoi një çerdhe "hyjnore" ku mbretëronte dashuria dhe mirësia. Nëse Ferriku ishte në rojë të kufirit shtetëror dhe të familjes së tij, e mira Tane, si klloçka për zogjtë, ishte, gjithashtu mburojë e sigurt e familjes së saj.
Çifti i ri; kur erdhi në Korçë, u sistemua në një banesë ku mjedisi ishte i ngushtë dhe hyrja e përbashkët. Kjo ishte zgjidhje gjysmake, por e pranueshme për kohën. Të tilla ishin kushtet e përgjithshme në vendin tonë. Nevojtarët, sidomos të ardhurit nga fshatra apo nga rrethe të tjera të vendit, ku jetesa bëhej në varfëri e skamje të skajshme, siç ishin dy fshatrat tanë fqinje: Kalivaçi dhe Shkoza. Në Korçë, të ardhurit ishin të kënaqur nga kushtet që gjenin, madje ndiheshin të privilegjuar për shansin që u ishte dhënë, për të jetuar në një qytet të madh e të zhvilluar, si Korça, ku jeta ishte tjetër. Veçse familjet e ardhura dhe ajo jona, ishin të detyruara të bashkëjetonin në "lumin" e opinionit konservator të këtij qyteti të lashtë e të madh, me banorë autoktonë të lidhur me njëri-tjetrin e me tradita të hershme.
Tana ishte lindur e ishte rritur në Grykën e Margëlliçit, në vendin e quajtur Gjembi i Bilos; aty ku Përroi pa ujë i Seranit shfaqet papritur, si fantazmë, del nga ajo grykë dhe zbret me uturimë, e me shumë zhurmë, nga gurët që kërcasin e përplasen me njëri-tjetrin, të rrotulluar nga vorbulla e ujit, kur në atë zonë bien shira të shpeshtë e të fortë. Përroi i Seranit del në vendin e quajtur Gjembi i Bilos, e merr udhën për në Përroin e Çorrushit, me të cilin bashkohet në llomerat e vëllezërve Karafil e Refat Mahmuti, mbasi kalon nëpër barishte, ferra e driza dhe nëpër gjemba të bardhë, të cilët të shpojnë hidhur. Pikërisht në Grykën e Seranit, aty ku shfaqet përroi që vjen nga shkëmbi, kishte ngritur shtëpinë babai i Tanës - Refat Mahmuti i Bilajve dhe pak më poshtë kishte ngritur dy kasolle me kashtë, vëllai i tij – Karafili. Të dy vëllezërit, prej kohësh ishin shpërngulur nga trojet e tyre në mëhallën Hasanimeraj e ishin ngulur në tokat pjellore të trungut, në luginën pjellore të Grykës së Margëlliçit, ku toka është kryesisht aluvionale dhe ka mbledhur aluvionet e Koçimares së Çorrushit dhe dherat që sjellin rrëketë nga Mali i Thanës; në veçanti nga Kurrizi i Ziles.
Ngastrat e vogla të arave të vëllezërve Karafil dhe Refat Mahmut Bilaj ndaheshin nga ledhe e çfrete ku kishin mbirë apo ishin kultivuar lofata, vidha, gorica etj., të cilat jo vetëm forconin strukturën e ledheve, por në to kultivohej rrush i varieteteve të ndryshme, për raki e për tavolinë. Në drurët pyjorë të xha Karafilit ishte një hardhi që prodhonte rrush të llojit razaki, e kërkuar si rrush tavoline. Edhe goricat nuk shkonin kot. Gege Bedrija, një grua nikoqire e zemërmirë, përgatiste me to pekmez, mjeshtërisht.
Të dy bijtë e Nënë Taces dhe të Baba Mahmutit, kur u shpërngulën nga Hasanimerajt e u vendosën në Margëlliç, fillimisht ngritën kasolle me gardh anash e me kashtë mbuluar, të lyera me baltë e me byk përzier dhe me taban të lyer me byk e me bajga lopësh, brenda të cilave të zihej fryma, e të digjnin sytë, nga tymi i dendur. Më e theksuar qe kjo kur në kasolle ndiznin zjarr kunatat: Bedri e Musho, për të gatuar e për t’u ngrohur. Refati u bë më shpejt me shtëpi, kurse Karafili, në çift me Bedrinë, jo vetëm që nuk lanë pasardhës, por e ngrysën jetën në ato kasolle me kashtë, në mes të drizave e ferrave. Më duhet të them se të dyja kunatat, si Bedrija dhe Mushua, gatuanin me shije dhe ishin nikoqire të rralla. Prej Mushos i kishte mësuar e mira Tane gjellët, të cilat ishin të shijshme saqë ata që i shijonin, lëpinin gishtat. Të mos i hyjmë në hak teze Velidesë e cila u kujdes që mbesa e saj të perfeksionohej në vijimësi edhe në këtë fushë ku Ajo, ishte e shquar.
Ferrik Idai Brahimaj ishte i lindur e u rrit në mëhallën Aligjonet të fshatit Shkozë të rrethit të Vlorës, atje buzë lumit të Vjosës, në kodrën ku janë rritur ullinjtë shekullorë e vetë vendi quhej Ullinjtë e Hanit. Konaku i Brahimajve në Aligjon ishte "derë e madhe" e njohur dhe e nderuar në ato anë. Shtëpia e Idai Brahimit, ishte nga të paktat shtëpi me dy kate në Shkozë. Të dyja katet ishin të banueshme e të pajisura me komoditetin e kohës. Vëllezërit Talo; Nazo e Idai Brahimaj ishin blegtorë të njohur.
Ata ishin bërë mjeshtra të njohur për mbarështimin e të dhirtave. Në stanet e tyre buzë Vjosës, te Shkëmbi i Lunecit mbarështoheshin kope të mëdha dhish si "mushka". Stanet e fisit Brahimaj, të veçanta për çdo familje, mbaheshin në kasolle në formë harku, me mur guri gëlqeror, të mbuluara me kashtë thekre, tërshëre, etj. Ato ishin ndërtuar në faqen lindore të pyllëzuar të Malit të Kudhësit (Malit të Bardhë), buzë lumit. Stanet e dhive ruheshin nga çobanë të regjur e nga qen stani të fortë e të egër, pse jo dhe nga burra me armë zjarri.
Kullotat ku ushqeheshin dhitë e Brahimajve ishin të pyllëzuara nga shkurre përralli, mereteje, xinë, ilqe, koçimare dhe gjethe të tjera të dobishme. Qumështi që përftohej nga kjo kullotë ishte me shije dhe i cilësisë së lartë. Vëllezërit Brahimaj, si shumë stanarë të tjerë dhish, i përcillnin ditët më të shumta të vitit në stan, pranë bagëtive të tyre.
Ata, herë pas here, shkonin në familjet e tyre, në Aligjon, për të parë e për t’u çmallur me fëmijët; për t’u larë e për t’u ndërruar si dhe për të marrë pjesë në dasma e në gosti dhe për të bërë ndonjë vizitë kortezie te të afërmit apo te miqtë e tyre. Nuk vihej në diskutim marrja pjesë e tyre në vaki apo në ceremonitë mortore. Në raste të tilla, ata, edhe po të mos shkonte njeri, për t’i zëvendësuar, bagëtitë i linin në pyll, në ruajtjen e qenve besnikë të stanit. Duhet thënë me forcë një fakt: Mes vëllezërve Brahimaj dhe pinjollëve të tyre, kishte një solidaritet reciprok dhe mbështetje të paparë, për të përballuar të keqen e mundshme.
Kur njëri largohej nga stani, të tjerët, detyrimisht, e zëvendësonin atë dhe ndjenin përgjegjësi të plotë për mbarëvajtjen e punëve të stanit, njëlloj sikur të ishte vetë i zoti. Kur stanarin e regjur e zëvendësonte njëri nga pinjollët e tij, i cili nuk e kishte përvojën e nevojshme, solidariteti baritor dhe i fisit, nxirrte krye me forcë e bëhej faktor uniteti e sigurie. Mbështetja e më të vjetërve për rishtarët ishte një kusht i domosdoshëm që kishte dhënë prova.
Në këtë mjedis baritor, i mëkuar, krahas qumështit të Nënës, me ajkën e qumështit e me gjalpin brumë, i ledhatuar nga era e luleve të malit dhe i flladitur nga era e fuqishme që të shkulte e Grykës së Lunecit u rrit e u veselit djali i Idai Brahimit; Ferriku, i cili "nuk e ndau" mishin e pjekur në hell dhe djathin e njomë të kulluar në napë. Në këtë mjedis të shëndoshë baritor, i rritur me aromën e luleve të malit dhe i përkundur në djepin e shtëllungave të erës që frynte me furi nga gryka e Lunecit, u rrit e hodhi shtat djaloshi ynë, Ferriku i Idai Brahimit. Ai, në stan e në konak shijoi ajkën e qumështit dhe gjalpin brumë, dhe u ushqye me mishin e pjekur në hell, i cili kundërmonte atë mjedis, me erën e tij të këndshme.
Ferriku u rrit si lis e hodhi shtat me një fizik të fuqishëm, me faqet që i kuqonin nga era e malit dhe nga ushqimi bio. Kur mbushi moshën 19 vjeç e duhet të mobilizohej për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, bazuar te shëndeti i tij, pa asnjë cen, te shtati i tij i bëshëm, te karakteri i tij burrëror e trim dhe në atdhetarizmin e familjes e të fisit, u caktua në repartin special të kufirit, ballë për ballë me monarkofashistët e Jugut. Ai, gjatë kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak ra në sy të eprorëve të tij, për urtësi, durim, zgjuarsi, shkathtësi e trimëri, prandaj u caktua, përgjegjës i njësitit kufitar ku bënte pjesë dhe u piketua që, pas kryerjes së detyrës së ushtarit të detyruar, të përzgjidhej si instruktor i çështjeve të kufirit, në shkollën e instruksionit, në Korçë. Shkolla e instruksionit të kufirit, në atë kohë ndodhej, brenda territorit të Komandës së Kufirit të rrethit të Korçës, disa kilometra në udhën automobilistike që të çonte në Bilisht, pak më tej kompleksit të varrezave të ushtarëve francezë, të rënë në Luftën e Parë Botërore.
Mbasi u lirua nga ushtria sipas rregullit të kohës, Ferriku vajti disa ditë me leje, pranë familjes, në Aligjon të Shkozës. Për ardhjen e tij, shëndoshë e mirë, nga ai shërbim i detyruar ku mund të ndodhte e çfarë mund të mos ngjante. Ferriku e përfundoi me nder shërbimin e detyrueshëm ushtarak, duke i ngjitur më lart lavdinë dhe dinjitetin e familjes e të fisit të tij. U gëzua i madh e i vogël, në Aligjon, në Shkozë e më gjerë. Xha Idaiu, njeri i traditës e me namuz në faqe, bëri goxha davet (gosti). U "masakruan" disa krerë bagëti të imëta nga stani i tij, ku u përzgjodhën krerët më të shëndetshëm e më të majmur të dhive të tufës; u derdh rakia si lumë e u pi ajo "me opinga" siç e pinë fshatarët e Shkozës, kundërmoi era e mishit të pjekur në hell, në mëhallë e në zonën përqark; gjëmoi ai breg nga kënga e nga vallja, të cilat nuk kishin të sosur.
Të shtenat me armë, pasuan njëra-tjetrën; ato i bënë iso ushtimës së valëve të lumit. Nënë Fatimeja fluturonte nga gëzimi; Ajo tundej e shkundej nëpër shtëpi e në avllinë e asaj dere të madhe; xha Idaiu, disi më i rezervuar, rrinte i ulur në qoshen ku rrinte zakonisht i zoti i shtëpisë dhe priste e përcillte urimet, shkurt, por mendja i gjezdiste gjetkë. Ai mendonte se i biri, pas kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, nuk kishte më lezet të rrinte "hergjele"; atij i duhej gjetur një nuse që t’i shkonte pas shtatit dhe tipareve, rëndesës së familjes dhe fisit atdhetar të Brahimajve. I numëroi me radhë vajzat e fshatit të tij (ato që njihte) por mendimi nuk "i fjeti" tek asnjëra prej tyre.
Ditët e lejes kaluan shpejt e Ferrikut i duhej të nisej për të qenë në krye të detyrës. Xha Idajiut nuk i vinte mirë ta niste djalin azgan për në qytetin e largët e të ftohtë, të vetëm, pa një nuse, të denjë për Të. Dërgoi lajmës gjithandej, nga ata që grisën disa palë këpucë, por nuk ia merrte mendja se nusja e djalit të tij të ishte fshehur në Grykën e Margëlliçit, te vendi i quajtur Gjembi i Bilos. Xha Idaiu donte që nusja e djalit të tij, në mos të ishte si i biri flori, me të gjitha të mirat, të paktën t’i afrohej Ferrikut. Dhe çfarë u zbulua nga ato ec e jaket e shumta.
Për fejesën e Ferrikut me Sulltanën, u vunë në lëvizje lajmësit më të mirë të të dyja krahinave e u vu në gjendje alarmi, fisi i Brahimajve dhe ai i Bilajve të Kalivaçit. Të dyja fiset dhe vajza e djali që do të lidheshin u gjendën të denjë për shoqi-shoqin; ata ishin nga ajka e djemve dhe e vajzave të fshatit respektiv dhe ngjanin me dy "yje" të bërë për njëri-tjetrin. Nuk kishte njeriu çfarë të thosh, si për njërin dhe për tjetrin. Zoti i jetës i kishte gatuar me dorën e tij e i kishte pajisur me të gjitha dhuntitë. E kishin pasur aq pranë "gjeraqinën" dhe e kërkonin në të gjitha anët e botës. Familja e saj i kishte ngritur "kulvite", në deltën e Përroit të Seranit që përcillte vetëm popla guri e nuk u shkonte mendja njerëzve se në ato driza e mes shkurreve, kishte folenë ajo deli vajzë.
Të dy, si Tana dhe Ferriku ishin në moshë për t’u çiftosur e nuk kishin çfarë të pritnin. Sapo i vajti në shtëpi lajmësi, xha Refati, burrë i zgjuar e trim, njëri nga burrat kalivaças, të cilit nuk ia hante qeni shkopin, ditën që i kërkuan kocen, ata që duhet të pyeste, i kishte në sofër dhe e dha pëlqimin, që në atë ditë. Xha Refati dhe të tijtë gjykuan se të dyja shtëpitë ishin të fisme e protagonistët e kësaj lidhjeje, Tana dhe Ferriku nuk kishin të sharë. Ndoshta nuk do të ma nxinte goja të pohoja se martesa mes Tanës, vajzës më të bukur e më të mirë të fshatit, me Ferrikun e Idai Brahimit, një "Yll" i shkëputur nga gjithësia, ishte një mrekulli e vërtetë. Lidhja mes tyre ishte jo vetëm e bukur, por dhe një harmoni vepruese. Çerdhja që Ata krijuan i ngjante një zgjoi bletësh, ku sundon rregulli e harmonia, gëzimi e lumturia e paparë, ku gazi dhe hareja nuk kishin të sosur e nuk ndalonin kurrë.
Prandaj, këtë çerdhe e vështronin të gjithë me zili dhe e lakmonin harmoninë mes tyre. Duke "shtrydhur" mendjen arrita në një përfundim të këndshëm, i cili më shtrëngonte të gjykoja se lumturia e tyre jo vetëm që nuk kishte kufi, por dhe nuk do të kishte fund. Ma kishte enda e doja shumë të ishte kështu; gëzohesha shumë që në një lidhje dashurore ishin puqur dy njerëz të mirë, të cilët nuk ia prishnin kurrë njëri-tjetrit. Fundja, ata njerëz ishin të mitë e doja t’i vështroja mirë e më mirë.
Vite më pas, kur ngjau e pangjara, kuptova se ajo martesë ishte e pafat. E them këtë mbasi lidhja mes tyre, aq e goditur e aq e mbarë, u shkërmoq akoma pa i dhënë plotësisht frytet që priteshin dhe nuk i çeli të gjitha gonxhet. Dëgjova të pëshpëritnin: "Ashtu ishte e shkruar"; një tjetër nxitoi të arrinte në përfundimin jologjik se "i ka parë syri i keq". Një tjetër, me cmirë e me zemërligësi, "e torri më hollë fillin" dhe, si për t’i vënë kapakun asaj gjëme, u shpreh: "Nuk ishte bekim; as uratë, por një mallkim i përbindshëm". Një grua që e mbante veten sikur të kishte4 "licencën" për profeci tha: "E kisha thënë unë: ‘Dy të mirë, të bukur e me shpirt të pastër, kur bashkohen, nuk trashëgohen’!" Ec e gjeja fillin kësaj meseleje.
Ato që guxuan e folën, me apo pa keqdashje, një vjegë e kanë.
Pa e rënduar këtë rrëfim, e ndjej për detyrë ta rrëfej këtë ngjarje, të rëndë me freskinë e kujtesës së kohëve të shkuara. Nuk mundem, as ta harroj; as të mos e kujtoj atë ndodhi tragjike e cila ka ndodhur në praninë time dhe pavarësisht se vitet kanë rrjedhur e njerëzit janë tjetërsuar, ia vlen të kujtohet e të mos harrohet. Ca më tepër kur në skenën e jetës kanë dalë pinjollë të denjë të çiftit që shijuan lumturinë e vërtetë për pak kohë, por gjurmët që mbeten pas, nuk mund t’i shuajnë vitet. "Filizat" që mbinë e u rritën të shëndetshëm; Katjusha dhe Gjoni, së bashku me armatën e pasardhësve të tyre, kanë meritën e padiskutueshme që i dhanë "Vlagë" të re asaj gjëme. E them që në fillim se atë që ngjau nuk do ta donte asnjeri me shpirt e me zemër, por ja që me fatin asnjeri nuk mund të matet. Ai të përkund me përkëdheli e të përplas kur nuk e pret.
Martesa mes Tanës dhe Ferrikut formoi një lidhje "hyjnore" e cila, nga shkëndijë fillestare u shndërrua në një zjarr të madh rrezëllitës. Ajo nuk ka asgjë të përbashkët me ato fragmentet e historive të lidhjeve mondane të njerëzve të kamur, por me shpirt të zi, të cilët u gëzohen parave e jo pasurisë shpirtërore që mblojnë protagonistët në një lidhje dashurore. Tana dhe Ferriku erdhën në jetë e u rritën për njëri-tjetrin, u lidhën me një dashuri "të marrë"; çelën gonxhet e dashurisë mes tyre, por nuk i gëzuan dot frytet që lidhën ato.
Për fat të keq, njëri prej dy të dashuruarve, Ferriku, u nda nga jeta, kurse Tanës, e cila i jepte dritë asaj shtëpie, iu "nxi jeta". Nuk e meritonin Ata dy "engjëj" këtë fat të trishtë. Ndihem me fat që i kam njohur personalisht dhe nga afër, kam ndjerë përkujdesjen e tyre për mua dhe kam shijuar bujarinë e shpirtit të tyre të pastër. Njëherazi jam fatkeq që përjetova këtë tragjedi të rrallë.
Ky shkrim, në kujtim e për të nderuar, qoftë dhe pas ndarjes nga jeta, të dy njerëzit e mirë: Tanën dhe Ferrikun, nuk mund të jetë vetëm një provë kujtese e atyre viteve të largëta e të këndshme, por në të njëjtën kohë përbën një homazh për mosharrimin e tyre dhe të gjurmëve të pashlyera që kanë lënë në jetën time. Bota e tyre e madhe, jeta e tyre e vrullshme e mbushur me mirëkuptim, gëzim e dashuri të rrëmbente, rrëmbimthi në vorbullën e saj e nuk të linte, kurrë të vetmuar. Ta kish enda të qëndroje në shoqërinë e tyre dhe të merrte malli kur nuk i takoje, disa ditë radhazi. E shprehur në gjuhë teknike, ata të dy ngjanin me dy binjakë apo me dy motorë sinkronë. Habitem si nuk rastisa t’i vështroja, qoftë dhe në një rast, të zemëruar e turinjvarur; të vrenjtur e të mërzitur? Tana, në çdo rast e në çdo kohë ishte shend e verë kurse Ferriku ishte një behar që nuk kishte mbarim.
Buzagazi i tyre seç kishte një ëmbëlsi të veçantë dhe një dashamirësi që të bënte për vete. Kam trokitur shpesh në derën e tyre; i kam gjetur siç kanë qenë, por asnjëherë nuk pashë në sytë dhe në fytyrat e tyre mërzi e mospërfillje.
Ata njerëz, kështu silleshin me të gjithë, jo vetëm me mua, që diçka më kishin. Më vjen ndërmend, sikur të ketë ngjarë dje kur trokita për herë të parë në derën e tyre, i shoqëruar nga kushërira Velide dhe nga bashkëshorti i saj - Qani Bektashi. Derën e hapi Tana. E njihja që në vogëli të saj, por tashmë ishte bërë tjetër.
Ajo ishte rritur e ishte zbukuruar dhe i kishte hipur një nur rrezatues dhe vetëm buzëqeshte. I ndrinin sytë që më pa e i gufonte zemra. Martesa i kishte prirë dhe çdo gjë i kishte ardhur për së mbari. Sa shumë u gëzua vajza e dëlirë, kur më pa në derë.
Kur u shfaq në derë ime mbesë, tërë nur e hijeshi, më ngjau sikur përpara meje shkrepi një yll që më verboi sytë. Fjalët e saj të mirëseardhjes, të thëna me aq sinqeritet e drejtpërdrejt më çliruan nga emocionet dhe sikur më zgjuan nga një ëndërr e gjatë. E pashë të lumturuar e mjaft të gëzuar. Sytë e saj ngjyrë gështenjë shkrepën me dritë dhe nga goja nxori fjalët magjike: "Nga u hapën këto udhë?"
Fjalët e saj të mirëseardhjes, na çliruan nga emocionet; fjalët e Tanës nuk ishin të dala nga goja e një gruaje të zakonshme fshatare, por m’u dukën si të dala nga goja e një perëndie. Aq të ndiera e të ngrohta ishin ato. Dita që na shpuri në shtëpinë e tyre, ishte me të vërtetë e bekuar dhe e veçantë e unë u mundova të justifikohesha me fjalët: "Jam konviktor e më kërkojnë të jem në shkollë, në çdo kohë" etj. etj., prandaj nuk kam ardhur më parë.
Tanën e gjeta kur nuk kishte shumë kohë që kishte prurë në jetë fëmijën e parë - Katjushën "engjëll"! Vajzën, të cilën e kishin quajtur Katjushe e kishin akoma pa fituar autonominë e lëvizjes. Tana kishte veshur një fustan të gjerë fanellati, të bardhë, me lule.
Ajo, "grua tek e cila kishte lënë gjurmë të qenit lehonë", me vështirësi rrotullohej në atë banesë të ngushtë në përmasa, por të gjerë sa mund të nxinte gjithë botën e dëshiruar brenda. Vizita jonë e parë befasuese dhe sidomos takimi me mua që më donte e më respektonte si dajo 14-vjeçar e lumturoi pa masë vajzën e thjeshtë me shpirt bujar, të rritur mes njerëzve të mirë në Margëlliç të Kalivaçit. Ajo, me gjuhën e trupit, të cilën ia kuptonin fare mirë njëri-tjetrit i transmetoi të shoqit; Ferrikut të zgjuar, të mençur e të pashëm dhe shëndetplotë, i cili sapo kishte ardhur nga detyra e instruktorit të kufirit, të na takonte, duke i bërë të ditur se ne ishim njerëzit e saj të mirë. Ferrikun e takoja për herë të parë.
Kur Ai erdhi në Kalivaç për t’u fejuar, unë nuk munda të gjendesha në atë ceremoni fejese, mbasi kisha shtegtuar në Konviktin e Shtetit në Tepelenë. Pas fejesës me Tanën, Ferriku dukej rrallë në Kalivaç; edhe kur vinte, qëndronte pak. Ashtu ia donte puna dhëndrit të ri. Prandaj u detyrua ta shpejtonte martesën. Detyra e kufitarit dhe largësia e dy fshatrave tanë, nga Korça ku Ai shërbente, nuk e favorizonin vajtje - ardhjen e shpeshtë të Tij.
Portretin e Ferrikut nuk mund ta mjegullojë koha që kalon, sado e largët të jetë. Figura e Tij, ka mbetur e skalitur në kujtesën time e nuk shlyhet prej saj. Tek unë, Ai njeri vjen përherë siç e njoha atëherë: I ri, me moshë rreth 22 vjeç, me shtat mesatar, por të lidhur mirë e muskuloz, me shpatulla të gjera e me krahë të fuqishëm. Sytë e tij të zinj shndritnin si dy yje, flokët të zinj, të rënë pak mbi ballë, shenjë fisnikërie, sytë të mprehtë si të shqiponjës së malit, fytyra bardhoshe, nofullat pak të gjera, vështrimi i qetë dhe buzagazi i tij pa mbarim që në njohjen e parë të krijonin përshtypjen e një njeriu serioz e të mençur. Bujarisht na ftuan të hynim në dhomë, ku pamë, në mes të saj një tavolinë druri të mbuluar me dantellë të bardhë, të thurur me grep, nga duararta Tane.
Në njërën nga faqet e murit ishte vendosur, në një kornizë druri me përmasa 25x30 cm, me xham sipër, një fotografi bardhë e zi. Në atë fotografi, e cila, me sa duket ishte bërë te "Sotir Studio", njoha Idai Brahimin dhe bashkëshorten e tij – Fatimenë, të veshur me të zeza, të cilët kishin vënë në mes birin e tyre - Ferrikun, të veshur me rroba ushtarake. Idaiu ishte i veshur me rroba shajaku të zi; Ai mbante në kokë një qylah të bardhë me "antenë", në krye. Nënë Fatimeja, e veshur me të zeza, mbante në kokë një lahur të zi dhe dukej si e ndrydhur, siç ishin në atë kohë gratë e fshatit.
Ajo, në pamje të parë, të jepte përshtypjen se e kishin shpurë pa dashjen e saj, në atë studio fotografie. Sa për Ferrikun; Ai e donte dhe e nderonte shumë uniformën ushtarake dhe donte të ishte i pranishëm kudo me atë uniformë. Ai ishte i veshur me xhaketë ushtarake bojë kaki, të mbyllur, me qafore të bardhë, të qepur bukur, me kapele në kokë e cila, në mes kishte një yll të kuq, të ndritshëm, me pesë cepa. Spaletat me shenjën T e cila simbolizonte nënoficerin e karrierës, i ndrinin mbi supe. I pastër, i pashëm, me uniformë që shkëlqente nga pastërtia, Ferriku i jepte shkëlqim asaj fotografie, të cilën nuk e gjej dot.
Në faqen tjetër të murit, ishte vendosur një fotografi analoge për nga forma dhe madhësia, por që në të ishin dy njerëz: e bukura Tane dhe i pashmi Ferrik Ibrahimi. Asnjë objekt tjetër i varur nuk ishte në atë faqe muri. Nuk ishte e vështirë të dalloje në foto bukuroshen Tane, me flokë të lëshuar dhe e veshur thjeshtë, me një kostum bojë qielli në gri, me një këmishë të bardhë me jakë të madhe, e cila dukej në jakën e kufizuar të xhaketës. Tana ishte e pashme vetiu, megjithatë, për t’u paraqitur sa më e pashme në atë foto, e kishte kuruar fytyrën, me mjetet e kohës. Flokët i kishte të gjatë, deri në lartësinë e supeve, në veshë i shndritnin dy vethe të vegjël të artë, dhuratë e Nënës së saj; zonjës Musho, në ditën e dasmës. Për t’i mbajtur në disiplinë flokët, në njërën anë shquhej një karficë e praruar.
Në ato vite e më pas tyre, në trevën tonë ishte rrënjosur tradita sipas të cilës, në muret e dhomës së banimit çifti vendoste fotografi të tilla të të dashurve të tyre. Herë pas here, vendoseshin, sipas mundësive edhe fotografi në grupe të vendosura në korniza druri ose të qepura bukur në copa bezesh. Në vitet për të cilat bëhej fjalë, as që bëhej fjalë për fotografi me ngjyra; prandaj, të dyja fotografitë e ekspozuara në faqet e mureve të asaj familjeje ishin bardhë e zi. Por, të dyja fotografitë ishin punuar në studion e vogël, e cila nuk binte në sy, të mjeshtrit të njohur korçar Sotir Studio, i cili ishte fotografi më në zë i qytetit.
Banesa e çiftit: Tane e Ferrik Brahimaj ishte e thjeshtë e pa teprime. Ata, të dy, nuk kishin shumë kohë që ishin martuar dhe në qytetin e Korçës ishin rishtarë. Familja e tyre ishte në ndërtim e sipër. Me kalimin e kohës edhe pajisjet e orenditë e familjes, u shtuan, u përmirësuan e u përshtatën në harmoni me ato të gjitonëve. Çifti e kishte pasur ëndërr të banonte në qytetin e Korçës, i cili, siç dihet, ishte jo vetëm i madh e i zhvilluar, por dhe djep i qytetërimit; me banorë të edukuar e të kulturuar. Fati i ndihmoi të gjenin ëndrrën e tyre.
Ata u vendosën të banonin në qytetin "Perlë" në një kohë kur për Ta ishte e domosdoshme. Jeta e tyre në Korçë nuk kishte të ngjarë e as që mund të krahasohej me jetën që bënin në fshatrat përkatës, si në Kalivaç dhe në Shkozë. Nëse në fshatrat përkatës, Ata jetonin në kasolle me kashtë, ku tymi të zinte frymën e të lotonin sytë, tashmë, banonin në pallat e në kushte jetese më komode.
Në Korçë, vërtet që dimri ishte i ashpër e temperaturat e ajrit ishin të ulëta, por çifti, për të ngrohur apartamentin me përmasa të kufizuara ku banonte, ndizte sobën prej llamarine, me dru zjarri apo me qymyr, të cilat i shpërndante shteti, me triska dhe mjedisi ngrohej shpejt. Më shpejt e më shumë se ngrohtësia e sobës, atë mjedis e ngrohte avra e dashurisë së dy të rinjve për njëri-tjetrin.
Sipas traditës, Tana, na nxori raki rrushi të fortë dhe na qerasi me nga një bonbone. Nuk e kisha moshën për të pirë alkool, ndonëse isha dajo i Tanës. Prandaj, për t’u treguar dinjitoz, rrëmbeva bonbonen dhe urova, siç urohet në fshatin tim; "Të trashëgoheni! E paçi jetën të ëmbël dhe ta kemi të pandarë miqësinë!"
Në këmbim të gotës me raki që i dhashë, im kunat - Qani Bektashi më zgjati bonbonen me të cilën e qerasi Tana. E çmova si rast fatlum, ndaj e rrëmbeva ëmbëlsirën dhe e kullufita. Ferriku, si zot i asaj shtëpie, me gotën e rakisë në dorë, na uroi, të gjithëve me radhë. Përafërsisht, fjala e tij ishte mirëseardhëse dhe e thënë me dashamirësi. Na lumturoi shumë e na bëri me krahë, me atë buzëqeshjen e tij të ëmbël. Na ngrohu buzëqeshja e Tij e u ndiem si në shtëpitë tona.
Më së fundi i shprehu urimet e tij, njeriut të zemrës; Tanës, me fjalët: "Miqtë i paçim, sa malet, miqësinë me ta e paçim të pandarë, atyre u lumshin këmbët dhe i prufshin fat kësaj shtëpie!" Me ato fjalë zemre që shprehu dhe me ëmbëlsinë me të cilën i shprehu, më ngjau sikur Ferriku donte ta përpinte mbesën time e për këtë u ndieva "xheloz". Tana lëvizte nëpër shtëpi me hap të lehtë, sikur të ishte flutur; pak me naze të cilat i shkonin për bukuri. E dinte e mira Tane se mbi të ishin të drejtuar "projektorët" tanë dhe të të shoqit, vështronte me bisht të syrit duke ia përthithur Ferrikut çdo shenjë.
Vizita ime e parë, në shtëpinë e çiftit ishte më tepër një vizitë kortezie, e nuk duhet të zgjatej shumë. Qëllimi i saj ishte të mësoja atë "strehëzë lumturie" si dhe të njihesha me dhëndrin, të cilin e vështroja e më vështronte për herë të parë. Vajtëm për 15 minuta e nuk "u shkulëm" dot, veç kur kishte kaluar një orë. Ishim të brendshëm e nuk na e merrte njeri për keq. E shkelëm afatin që caktuam para se të hynim, edhe për faktin se nuk na lëshonte çifti, i cili na krijoi një mjedis tepër të ngrohtë me afshin e dashurisë së tij për njerëzit e sojit dhe për ata që ua kishte enda. Nuk e kuptova si kaloi koha.
Ato minuta për mua ishin e mbeten të paharruara. Tana dhe Ferriku ishin njerëz të qeshur e të gëzuar; jo turinjvarur e si re të ngarkuara me shi. Qaniu, nga ana e tij kishte muhabet të ëmbël dhe humor të këndshëm. Velideja ishte në qiellin e shtatë.
Ajo fluturonte nga gëzimi se ishte në shtëpinë e vajzës së motrës, tek e cila nuk shkonte dot shpesh për shkak të punës dhe impenjimeve familjare. Na lutën të qëndronim për darkë. U thashë, qartë e prerë, se kjo ishte e pamundur. Mua më duhej të kthehesha në shkollë, për të qenë në studim, e të nesërmen të shkoja në shkollë i përgatitur.
Kujdestari i konviktit, një burrë shtatlartë dhe elegant, me moshë rreth të gjashtëdhjetave, me flokë të gjatë, të lëpirë, të krehur me vijë anash, me fytyrë të stërgjatur si të kalit, me ca akne të dukshme në fytyrë, mbante të veshur një kapotë të murrmë, të gjatë deri në kërcirin e këmbës. Ai u tregua tolerant me mua e më dha 2 orë leje. Nuk mund ta shkelja afatin e caktuar. Mendoja për vete; jo për kujdestarin. Te Ferriku, do të më duhej të shkoja përsëri se më pritën mirë e u ndjeva rehat.
Por dhe te të tjerët nga fisi im, do të shkoja, domosdo. Nuk kisha përse ta humbisja "kredinë"? Kur u ndamë, Tana dhe Ferriku na përcollën deri në fund të shkallëve duke shpalosur shumë dashuri; në sytë e tyre dukej qartazi kënaqësia.
Në sytë e tyre dhe në fytyrën që qeshte në çdo rast, vura re njëfarë pakënaqësie. Pakënaqësia e tyre kishte të bënte me refuzimin tonë për të qëndruar për darkë. Në të dyja familjet e tyre të origjinës, si në Kalivaç dhe në Shkozë ishte traditë e mirë, mbajtja e mikut për darkë. Të zotët e shtëpisë, kur mysafirët qëndronin për darkë (drekë), gëzoheshin dhe e ndjenin veten të nderuar që të ardhurit në shtëpinë e tyre kishin preferuar të qëndronin e jo të iknin në punën e tyre.
Kështu ngjau edhe sot, këtu në Korçë ku tradita e mirë ishte përcjellë besnikërisht. Kur e mendoj sot qasjen e tyre, më vjen turp e skuqem, deri te veshët, mbasi realizoj në mendjen time atë çast, kur ata na bënë ftesën e kishin me gjithë mend dhe me shpirt e nuk na thanë: "Rrini për darkë" sa për të larë gojën. Mbesa ime, me atë shpirt të kthjellët dashamirës, për të shpalosur një lloj konfidence ndaj meje si dajo nga soji i Nënës së saj, Mushos kapedane dhe hallemadhe, kur u ndamë, më përqafoi e më puthi në faqe, me dashuri, siç më priti, dhe në sy të të pranishmëve, për të rrëfyer se çoç më kishte, më la në dorë një kokërr mollë të kuqe, të ëmbël e me erë që kundërmonte e të çantë flegrat e hundës, të vjelë nga plantacioni famëmadh i mollëve të Dvoranit të Korçës. Ndjeva, nga qasja e saj se ishte shumë e lumturuar që më kishte takuar.
Nga ana ime, u lumturova - gjithashtu. Fluturoja nga gëzimi dhe nga kënaqësia. Rrugën deri në konvikt nuk e ndjeva fare. Kisha kapur edhe një fill të lidhjeve fisnore në atë qytet të largët e të ftohtë. Do të kisha një mundësi më tepër për të thyer monotoninë e jetës konviktore.
Kur Tana më fali atë kokërr mollë, më ngjau sikur më fali botën të tërë. Ngrohtësia, dashuria dhe intimiteti që më shpalosi në atë rast më bënë të ndihesha sikur isha, jo pranë mbesës, por pranë Nënës sime biologjike, të cilën e kisha lënë disa qindra kilometra larg dhe ndjeja mall për të. U ndjeva më i rritur e i privilegjuar, në atë "çerdhe" "engjëjsh" të cilët pritnin të shtoheshin në rrugë natyrale. Çiftit në fjalë, ia shtoi lumturinë Katjusha.
Ajo, si një "engjëll" ua mbushi shtëpinë me cicërima dhe jetën ua bëri më të lumtur e më të gjallëruar.
Miqtë e mi ishin lumturuar e shtëpia e tyre ishte plot me "cicërima" të ëmbla. Tushi laktante kishte prurë në familje shumë dashuri e harmoni dhe çifti jetonte në paqe. Ata, të dy e çmonin gëzimin e parë si fatndjellës dhe ishin të dëshiruar ta shtonin familjen e tyre të re, fisnike. Vura re se ata të dy, burrë e grua e kuptonin njëri-tjetrin fare mirë jo vetëm me fjalë, por dhe me çdo lëvizje të trupit (me gjuhën e trupit). Krijova bindje se ata përbënin një çift zogjsh fluturakë ku njëri ushqen tjetrin nëpërmjet gojës.
Dolëm në bulevardin "Gjergj Kastrioti" e vijuam udhën që të çonte atje ku puqej ky bulevard me Bulevardin "Republika". Ndjeva se nuk kishim dalë nga një shtëpi e zakonshme, por nga një tyrbe, nga një vend i pashpallur "i shenjtë" e më mbeti koka pas. Më pas mësova udhën që të çonte në pikën ku Ferriku jepte mësime kufiri e më tej fshatrat që të çojnë në Grykën e Cangonjit e më tej në Devoll. I vura vetes për detyrë të fiksoja vendin ku ndodhej "foleja" e çiftit Brahimaj, duke fiksuar pikat e orientimit si (Banka e shtetit; një ndërtim i veçantë, i cili i përngjante një fortese; Kisha e Shëngjergjit; dyqani i Mandi Sofronit; kryqëzimi i bulevardeve, Hotel Turizmin etj.). Këto më duheshin patjetër, në mënyrë që ta gjeja shtëpinë e Tanës dhe të Ferrikut edhe kur të shkoja i vetëm tek ata. Nga ajo ditë, fitova një lloj pavarësie.
Nuk më duhej të pyesja njerëzit, ku është kjo banesë e ku e kanë shtëpinë "x" e "y", por do të shkoja sa herë të më jepej mundësia, pa pyetur njeri. Meqenëse ajo "çerdhe bamirësish" ndodhej pranë konviktit ku banoja, praktikisht, nuk lija pushim ndërmjet drekës dhe fillimit të studimit e sidomos të shtunave e të dielave mbasdite, pa shkuar në shtëpinë e Tanës e të Ferrikut. I doja e më donin, prandaj e mbaja vrapin tek ata. Isha i sigurt se do të më pritnin mirë, thuajse me atë mall e me po atë dashuri siç më pritën e më takuan kur vajta për herë të parë. Prania ime në shtëpinë e tyre, nuk i bezdisi asnjëherë të zotët e shtëpisë ndaj shkoja me dëshirë e pa teklif. Tana dhe Ferriku ishin nga ata njerëz, të cilët gëzonin kur dikush u bënte vizitë dhe varnin turinjtë kur nuk u shkonte njeri.
Pra, ata i donin njerëzit e mezi pritnin t’i vështronin me sy. Kur më përcillnin, nuk më linin kurrë pa m’i mbushur duart plot; me çfarë t’u ndodhej në shtëpi. E kishin të qartë që më merrte malli për gatimet e fshatit, prandaj, sa herë shkoja, Tana, shpejt e shpejt, si flutur që ishte, sajonte diçka të veçantë për dajo Niaziun dhe ma servirte e unë kënaqesha pa masë.
Në këtë mënyrë, në familjen e tyre, unë gjeja një copë nga kasollja që kisha lënë në Kalivaç dhe ndjeja aromën e gatimeve të Nënës sime, Nënës së Tanës dhe të Ninijes. Më ngjante sikur po largohesha nga shtëpia e dajove, në Koshtan, ku isha nip e ku xhixhitë, kur ikja më ngarkonin si kaposhi i plakës. Kur Tanës dhe Ferrikut u vinin mysafirë nga fshati, e u sillnin produkte bujqësore e blegtorale, nuk harronin të më linin pjesë, të cilën ma servirnin në rastin më të parë. Ferriku e kishte rrethuar Tanën, mbesën time, me një dashuri të parrëfyer dhe nuk ia prishte për asgjë.
Ai nuk bënte dallim, nëse i ardhuri apo i sajdisuri prej saj ishte kalivaças apo nga Shkoza; nëse i përkiste sojit të Tanës ose sojit të tij. Ndoshta më dukej se për njerëzit e Tanës, Ferriku ishte më i ndjeshëm e bënte më shumë. Ky kujdes e ky interesim, nuk mbeti jashtë syve dhe vëmendjes së keqdashësve. Ndonjë fanatik i regjur e i pandreqshëm, nën zë e prapa krahëve, guxonte të thosh se Ferrik Idai Brahimaj, kishte ndryshuar e ishte qytetëruar aq shpejt sa nuk ta merrte mendja.
Ai (ajo) ishte në të drejtën e tij (të saj) dhe le të mendonte si të donte, veç një gjë ishte e qartë, zemërligu mbetej i lig e vetë fliste e vetë dëgjonte. Në opinionin e njerëzve që i njohën mirë, Ata të dy ishin "Pallë e larë" e nuk kishe ku t’i kapje.
Si i ri në moshë e plot energji, Ferriku kishte dhe një pasion, e dëshirë nga ato që shfaqnin në atë kohë djemtë e rinj; Ai kishte dëshirë të dispononte e të shfrytëzonte një motoçikletë. Kur ishte në fshat, Ferriku kishte provuar të hipte mbi gomar; mbi kalë apo mbi mushkë, por të guidonte një motoçikletë, e kishte vetëm ëndërr. Në atë kohë, në vendin tonë makinat e vogla dhe motoçikletat shiteshin; natyrisht me autorizim dhe njerëzve të besuar.
Në Korçë dhe në disa qytete, funksiononin organizata, në të cilat mësohej makina dhe motoçikleta. Në Korçë funksiononte SH.N.U.M.I një organizatë e tillë. Aty kishte instruktorë të posaçëm për të mësuar teorinë dhe praktikën e guidimit, bëhej dhe praktika e shpërndaheshin disa dokumente për lejimin e shfrytëzimit dhe për blerjen e mjeteve. Ferriku u regjistrua në këtë organizatë a shoqatë ku shkonte një herë në javë dhe mësonte zanatin.
Ai bleu një motoçikletë të kuqe të tipit "Java" të prodhimit çekosllovak. Të tilla mjete, në atë kohë ishin në modë e mjaft të shpërndara në vendin tonë. Ferrikut i kishin dhënë dhe një libër, tip instruksioni, mbi ndërtimin dhe shfrytëzimin mbi kritere të shëndosha shkencore të motoçikletës në fjalë. Instruksionin, Ferriku, e solli në shtëpi, por e kishte marrë me të drejtë kthimi.
Ai më kërkoi, meqenëse kisha shkrim të bukur e të qartë, ta rishkruaja këtë instruksion dhe bleu një fletore të trashë, të lidhur bukur, me vija të gjera. Ishte kërkesa e parë e Ferrikut, si djalë "trendi" dhe i kamur për ta ndihmuar. Pranova, menjëherë. E pashë se e kishte me shumë dëshirë, prandaj iu futa punës me përkushtim. Sa për të qenit i kamur, lexuesi i nderuar dhe bashkëkohësit mund ta gjykojnë në mënyrë individuale. Njëri nga kriteret për të dhënë leje drejtimi ishte të qenit larg qendrës së punës dhe siguria.
Nga shtëpia ku banonin Tana dhe Ferriku deri te Shkolla e Instruksionit të kufirit, ku Ai jepte mësime kufiri, nuk ishte më larg se 20 minuta, në këmbë. Por, miku im e kishte "hobi" motoçikletën, paratë i kishte dhe e bleu mjetin.
Në orët e lira, kur kisha mundësi e shkoja në shtëpinë e çiftit Sulltane e Ferrik Ibrahimi, ishte apo nuk ishte në konak Ferriku, gjeja një qoshe, ulesha e kopjoja me dëshirë, atë instruksion ku brenda kishte teori, përshkrim të pjesëve materiale dhe shumë rregulla për guidën e motoçikletës. E theksova problemin e qenies apo jo të Ferrikut në konak, për të bërë një çikë karshillëk. Në atë familje kisha "dy vota" pro e pak më pak se gjysmë vote që më kundërshtonte. Tana dhe Tushi e vogël ishin në anën time, edhe Ferriku vetë anonte nga fshati i gruas. Shkruaja, gjatë qëndrimit në banesën e çiftit, kënaqesha me mbesën time dhe pinjollin e saj, përftoja dhe diçka për të ngrënë, se helbete, konviktor isha. Isha kthyer në kopjac.
Detyrën e kisha të qartë dhe punën e bëja me kënaqësi. Në shkollë, mësimet nuk më pengonin fare, mbasi nuk më duhej shumë kohë për t’u përgatitur për të nesërmen. Nuk më kujtohet vendi (garazhi) ku e parkonte motoçikletën Ferriku, të cilën Ai e kishte fort për zemër; nuk di as fatin e mëvonshëm të atij mjeti, veç kujtoj bukur kujdesin që dëftonte Ferriku, për atë mjet të shpejtë që e ndihmonte për të kryer punë shpejt e shpejt, si dhe për të kënaqur veten. Kujtoj fare mirë si rrinte me leckë në dorë dhe sa shumë kujdesej për atë motor, i cili shkëlqente në çdo kohë, i dashuruari pas tij, fisniku Ferrik Idai Brahimaj.
Fundviti 1956 erdhi shpejt. Në prag të Vitit të Ri, në një mot të ftohtë, më 16 nëntor të atij viti familja Brahimaj në Korçë ishte shtuar me një vajzë të cilën e quajtën Katjusha. Bashkëshortët e kishin pritur këtë ditë e këtë ngjarje të gëzuar. Fluturonin të dy bashkëshortët. Lidhja e tyre martesore, aq e çiltër, u kurorëzua, me ardhjen në jetë të një "engjëlli"! Ardhja në jetë e Tushit ishte bekim nga Zoti.
Çifti i ri e kishte dëshiruar dhe e kishte pritur ardhjen e saj në jetë. Teze Velideja ishte në hall të madh. Ajo nuk dinte si ta blinte dhuratën. Tradita dhe koha e donin që fëmija i parë të ishte i seksit mashkull.
Por, çifti i ri u kënaq shumë kur erdhi në dritë fryti i dashurisë së tyre të pastër. Kishte ardhur në jetë një vajzë e bukur si "Yll" dhe pa të meta trupore. Në të dyja anët e lumit gjëmuan davetet e gëzimi nuk kishte kufij.
Në familjen e Refat Mahmutit, në Kalivaç dhe në atë të Idai Brahimit, në Aligjon, davetet u bënë të plota e me të gjitha tertipet. Teze Velidesë, të cilës gëzimi dhe hareja i shndritnin në fytyrë, i dilnin përpara dy detyra; njëra më e rëndësishme se tjetra. Ajo, për Tanën u bë Vjehrrë e dhembshur dhe Nënë e kujdesshme, si për Tushin dhe për Tanën.
Në vitin kur erdhi në jetë Tushi, ndikimi i erës së Luftës së Dytë Botërore ishte akoma i ndjeshëm dhe fryma e heroizmit rus në këtë luftë ishte e pranishme edhe në përcaktimin e emrave të fëmijëve. Emri Katjushe ishte simbolik e përcaktues. Burrë e grua, në intimitet bashkëshortor kuvenduan dhe vendosën si do ta thërrisnin shkurt e me përkëdheli vajzën e tyre.
Ata, pa ekuivok, ranë dakord ta thërrisnin vogëlushen, "Tushi" e ashtu u bë.
Gjej diçka interesante në këtë histori njerëzore. Sipas bestytnive, vajzat ngjajnë nga Babai e janë më të dashura me të. Djemtë ngjajnë me Nënat e janë më të lidhur me to. Mirëpo, në rastin tonë nuk ngjau kësisoj. Tushi ngjan, si dy pika uji me Nënën e saj - Tanën e ishte bukuroshe, si Ajo. Ferrikut, djalë fisnik e me shpirt të madh, nuk i mbetej hatri aspak nga kjo ngjashmëri.
Ai i donte të dyja njësoj e nuk pyeste fare për ngjashmërinë. Ferriku, si burrë i asaj shtëpie u lumturua shumë kur vështronte në shtëpi "dy kukulla" të bukura, si njëra-tjetra. Mjafton që njeriu i tij i zemrës, Tana, të ishte e gëzuar dhe e lumturuar dhe kjo ishte e mjaftueshme për Të.
Tek bisedonin si gruaja me burrin, zunë në gojë, me shqetësim si do ta vishnin vogëlushen Katjushe. Nuk ishte puna se ata, të dy ishin keq nga ana ekonomike, por në mjedisin ku jetonin kishte standard të lartë jetese e nuk donin që bija e tyre e vetme, të ishte nën këto standarde. Mama Tana, disa petka nga më kryesoret i kishte përgatitur gjatë shtatzënisë së saj, me grep dhe me fill pambuku të bardhë. I shqetësonte fakti: si do ta vishnin Tushin kur ajo të ishte disa muajshe, kur të ngrihej në këmbë e kur të dilte nga shtëpia. Fantazonin për petkat e bukura që do t’i blinin vajzës, në mënyrë që ajo të ngjante më mirë se moshatarët e saj gjitonë dhe në qytet. I gjithë problemi rrotullohej rreth një dëshire: Tushi të ngjante si një kukull e vërtetë dhe veshja të mos ia cenonte bukurinë natyrale të saj.
Teze Velideja sojlleshë dhe grua me përvojë jete, në ditët e para të lehonisë së mbesës së saj, Tanës, mori në dorë frenat e shtëpisë së çiftit të ri. Ajo, me buzagazin e saj të çiltër e plot dashamirësi, priste e përcillte vizitorët e shumtë, gjitonë, miq të familjes, të afërm e shokë pune të Ferrikut si dhe familjarë e miq të të dyja familjeve në krushqi. Të largëtit, kishin bërë disa qindra kilometra udhë, në këmbë, mbi kafshë e mbi makina dhe u dyndën në shtëpinë e Katjushës të ngarkuar me peshqeshe lloji - lloji, siç ua priste mendja e siç i kishin mundësitë.
Katjusha u ushqye me gjirin e Nënës dhe qumështi i saj i mirë i solli zhvillim të shpejtë trupor dhe e gjallëroi shpejt. Për të fjetur, Tushit, prindërit i blenë një krevat druri, të ri e të bollshëm. Me bukurinë e saj natyrale dhe me brishtësinë e bebes, Ajo shpërndante dritë vezulluese, në dhomë e në shtëpi. Në atë kohë, nuk bëhej fjalë për karroca dore fëmijësh, prandaj, derisa Tushi u ngrit në këmbë, herë e ema e herë i ati e merrnin në krah. Ishte fëmijë i qetë e nuk shkaktonte probleme udhëve nga shkonin.
Në shtëpinë e tyre, zakonisht shkoja rreth orës 16.oo. Kishte përfunduar mësimi e kisha drekuar në konvikt; kisha rreth 2 orë, kohë të lirë, derisa të niste studimi i detyrueshëm për të nesërmen. Koha e vajtjes sime në atë familje përkonte me ardhjen në shtëpi të Ferrikut, pas asaj pune të lodhshme me kufitarët rishtarë. Si ushtarak karriere, Ai ishte vazhdimisht në detyrë dhe nuk kishte kohë të përcaktuar shërbimi. Sapo hynte te dera, pavarësisht se kush ndodhej në shtëpinë e tij, Kufitar Ferriku, akoma pa hequr mirë çizmet e rënda të kufitarit, e mbante vrapin te krevati i Vogëlushes. Tushi, e cila rritej e zbukurohej përditë, e njihte Babanë e saj, edhe pa e parë me sy; (e ndjente Atë) i çelej nuri.
Gëzonte në krevat, gugatej e niste të lëvizte. Qenia e saj, e gjitha, lumturohej e gjallërohej. Aq shumë e dëshironte praninë e të Atit. Sikur të mos i mjaftonte dashuria me të cilën e rrethonte Mamaja. Nuk them dot me siguri ku e gjente ndjesinë Ai "Engjëll"? Ndoshta nga era e djersës; mundet instinktivisht; ndoshta ngaqë e priste në të njëjtën orë e Ai vinte pranë krevatit të saj e ku ta di unë.
Bëj habi: Si kishte duruar Ai Baba i drithëruar për atë fëmijë të mbarë, të cilën e donte aq shumë? E kisha vënë re kur e përfshinte në krahët e tij të fuqishëm, e përqafonte fort dhe nuk linte vend pa e puthur: (në faqe; në gushë; në kokë; në të dyja duart; madje dhe në të ndenjurat). Kështu e nxirrte Ferriku mallin për bijën e shpirtit, e cila i kishte munguar disa orë.
Në ndonjë rast e gjente në gjumë Tushin e tij të shtrenjtë. E zgjonte nga gjumi; pa pyetur se kur e kishte marrë gjumi. Ai gjykonte: "Ka ditë (natë) plot për fëmijët që të flenë" dhe nuk ngopej Babai i dhembshur së thithuri faqet buçko të së bijës dhe i merrte erë shtatit të saj qumështor. Kënaqesha kur i vështroja ashtu; Babë e Bijë, të puthitur pas njëri-tjetrit, si një trup i vetëm. Të më ndjeni, por e kam të vështirë të gjej fjalë që të shprehin kënaqësinë, siç e vështroja, atë kënaqësi që ndjente zemërmira Tane kur vrojtonte atë përqafim të rrallë, të dy njerëzve të saj më të dashur: Tushit dhe Ferrikut. Masën e kënaqësisë së saj e di vetëm zemra e saj, por unë kënaqesha kur vështroja në sytë e sime mbese dritën e kënaqësisë së saj.
I qeshnin sytë e i ndrinte çehreja Tanës, kur bashkëshorti përqafonte, puthte e ledhatonte krijesën e tyre të shtrenjtë. Kur qeshte nga gëzimi, Tanës i llamburiste fytyra e i hipte një nur bukurie të patreguar. Në faqen e saj bardhoshe, pak mbi buzë, shfaqej një nishan i zi. Një gropëz e vogël që formohej në mjekrën e saj të rregullt, i jepte tërë fytyrës një hijeshi të rrallë.
Më dukej si Nëna më e bukur e më e lumtur në botë e për këtë krenohesha se e çoç e kisha e diçka më kishte. Të më falni nëse nuk e kam gjetur fjalën e duhur për të shprehur opinionin sundues të asaj kohe në popull, se "Tushi, kur erdhi në jetë ishte një copë mishi dhe u rrit e u zbukurua çdo ditë; Ajo edhe pse erdhi ashtu siç vijnë të gjithë fëmijët, në familjen që gjeti solli gëzim e lumturi të pamatë." Aq sa ndonjë i/e paparë thoshte: "Lum ata çfarë kanë bërë!"
Në skajin lindor të qytetit të Korçës, atje ku nis e përpjeta që të shpie te kisha e "Shën Thanasit", nëpër një udhë të shtruar me kalldrëm, ishte një shtëpi hamaqelle, tip i vjetër, me disa dhoma e me oborr të madh të shtruar me kalldrëm. Aty banonte teze Velideja, me bashkëshortin dhe me fëmijët e saj. Oborri i asaj shtëpie ishte i rrethuar nga mure të larta; në hyrje të tij ishte një derë prej dhoge të trashë, në të cilën mund të hynte një makinë e vogël. Dera, kur mbyllej nga brenda, sigurohej me anë të një llozi dhe dy hekurave të fortë. Siç duket, para çlirimit të vendit, në këtë shtëpi kishin banuar të kamur, nga ata që pësuan shtetëzim të pasurisë dhe të shtëpisë ku banonin. Velideja, kishte për burrë Qani Bektashin nga Krahësi dhe kishte sjellë në jetë fëmijët: Astrit; Lirika dhe Luiza, të cilët mbanin mbiemrin e fisit të tyre, Shabanaj.
Në familjen e tyre sundonte harmonia dhe gëzimi, të gjithë merreshin vesh për bukuri me njëri-tjetrin. Velideja e donte pa masë mbesën e saj (vajzën e motrës)- Tanën; donte e çmonte bashkëshortin e saj - Ferrikun dhe i kishte hyrë në zemër edhe Tushi e vogël me atë fëmijëri engjëllore. Dashurinë që Velideja ndjente për çiftin e ri dhe për Tushin e vogël, Ajo ua përcolli dhe burrit të saj, Qaniut zemërbardhë dhe fëmijëve të tyre. Nuk thonë më kot se "Miqësia ngjan pa bëhet!"
Në rastin tonë, kemi të bëjmë jo vetëm me një miqësi të pastër, por dhe me lidhje gjaku. Pikërisht lidhja e gjakut dhe miqësia e çiltër ishin garanci që e bënte të sigurt këtë lidhje njerëzore dhe atë prag. Midis dy familjeve në lidhje gjaku dhe miqësie, u konsolidua një marrëdhënie e re mjaft interesante dhe vepruese. Teze Velideja, si më e moshuar e donte pranë mbesën e saj të adhuruar - Tanën, në mënyrë që ta kishte në çdo rast e për çdo nevojë.
Ajo, (Dedeja) synonte që t’i mësonte Tanës edhe nga përvoja e saj e jetës, në tërësi dhe në Korçë, në veçanti. Kësisoj familja e re Brahimaj, Tana, Ferriku dhe Tushi e vogël menduan dhe gjetën një variant të përshtatshëm për t’u afruar me familjen Shabanaj. Brahimajt lanë banesën në rrugën "Gjergj Kastrioti" dhe u ngjitën disa dhjetëra metra më lart, në banesën hamaqelle ku banonte teze Velideja me të sajet. Banesa e lashtë, që të çonte te depua e ujit, në majë të kodrës së Shën Thanasit, e cila, në atë kohë ishte e mbjellë me rrush.
Ndërkohë, Katjusha njomëzake sapo ishte ngritur në këmbë dhe çapitej me vështirësi në atë oborr, me kalldrëm shtruar. Herë rrëzohej, por nuk vritej e prapë ngrihej në këmbë, pa ndihmën e të tjerëve. Thonë se fëmijët e vegjël bien lehtë e i ruan Perëndia që të mos vriten. Siç e kanë adet fëmijët e moshës kur kërkojnë autonomi në të lëvizur.
Kur i zgjaste njeri dorën për t’i ardhur në ndihmë, Tushi e refuzonte atë e donte të provonte veten. Gurët e lumit me të cilët ishte shtruar avllia, kur rrëzohej, së shumti i gjakosnin gjunjët Tushit, por Ajo nuk qante e nuk ankohej. Siç duket, me zgjuarsinë e saj natyrale dhe me intuitën e zhvilluar e kuptonte që fajin e kishte vetë. Ishte dhe kokëfortë, Tushi. Mbase kishte marrë diçka nga "rrënja". Tana, kur e vështronte të bijën që kishte vrarë gjunjët, përgjërohej e bënte çmos për t’i vajtur në ndihmë.
Në pjesën ballore të portës së jashtme të "shtëpisë së re", në njërin nga kanatet e saj, në lartësinë e dorës së një njeriu me shtat mesatar ishte vendosur silueti i një doreze metalike, e cila shfrytëzohej nga mysafirët, kur ata vinin e duhet të hynin. Shuli i fortë që vendosej si masë sigurie, prapa portës prej druri, ishte i fiksuar në dy fole anësore të ngjashme me dy kamare. Shtëpia, nga jashtë dukej e madhe, por, në fakt kishte vetëm 2 dhoma; një për çdo çift.
Një sobalkë ku mblidheshin njerëzit e shtëpisë dhe të ardhurit si dhe një dhomë për të gatuar, e cila shfrytëzohej nga të dyja familjet. Në ato vite pranohej banimi i dy familjeve në të njëjtin mjedis. Të dyja familjet lipsej të kishin një ambient gatimi të përbashkët. Familjet: Shabanaj dhe ajo Brahimaj, në këtë rast kishin përparësinë se ishin në lidhje gjaku e në miqësi me njëra-tjetrën. Shans i madh favorizues ishte dhe fakti që të dyja familjet kishin numër të kufizuar anëtarësh. Kishte raste kur, për të dyja familjet gatuhej e njëjta gjellë.
Kushërira Velide punonte në kuzhinën e shkollës ku mësoja e ishte e përgatitur për të bërë gatime të larmishme e me shije. Tana vërtet ishte bijë e Mushos, asaj "Xhike" e cila shquhej për gatime cilësore e me shije, por kishte shansin të mësonte nga tezja e saj, gatime të veçanta me shije prej Korçe.
Çifti Velide dhe Qani Shabanaj, në atë kohë, ishin më të mëdhenj në moshë; Ata kishin sjellë në jetë tre fëmijë: Astritin, një fëmijë të mbarë e të zgjuar, të cilin e thërrisnin edhe Hiqmet; vajzën Lirike, një fëmijë shëndetplotë, e cila dukej sikur ishte e fryrë me pompë, e cila fliste belbër dhe vajzën Luize, e cila ishte shëndetlige e i thërrisnim "shtrembaluqe", pa qenë e tillë. Astriti dhe Lirika, si më të mëkëmbur, e merrnin Tushin e vogël prej krahësh, dhe me Të në mes e mësonin si të bariste në avllinë me kalldrëm dhe në rrugën e pashtruar. Ata i flisnin kushërirës së parë, me fjalë gjysmake që të kuptonte çfarë i thonin, e mësonin si të mbrohej me parakrahë kur rrëzohej e i flitnin pa pushim, në mënyrë që Ajo të mësonte sa më shumë fjalë. Katjusha, gajasej së qeshuri e lumturohej, pa masë, kur ishte mes dy kushërinjve. Siç duket Ajo krijesë e brishtë, e cila nuk e dinte se çfarë lidhje kishte me ata dy fëmijë të rritur, ndihej e sigurt mes tyre. Këtë e ndiente me intuitën e saj foshnjarake.
Kam parë e kujtoj mirë se Katjusha, kur kushërinjtë tentonin ta futnin në shtëpi, protestonte hapët, sipas mënyrës së saj. E kundërta ndodhte kur Tana e vishte bukur dhe e stoliste e i thosh, me ëmbëlsi: "Tushi, tani da – da – da!" Vogëlushja gëzonte, lumturohej e fluturonte te dera, duke përsëritur fjalët e Nënës së saj dhe mezi priste t’i zgjateshin duart e kushërinjve të parë. Por, prej kushërinjve, gjatë "daljeve të lira", Tushi pati shansin të mësonte dhe ndonjë "huq" të panevojshëm dhe fjalë të rëndomta. E përgjithshme është se në atë shtëpi, midis banorëve komunikohej me edukatë dhe fëmijët mbaheshin larg mësimit të fjalorit të rëndomtë e vulgariteteve.
Nëse Velideja (tezja e Tanës), si bijë e Hysnijes Kapedane trashëgonte njëfarë vrazhdësie në sjellje, mbesa e saj - Tana, e cila ishte një brez më larg sikur ishte ca më e butë e më e dhembshur. Në atë familje të bashkuar, mos harroni se ishte Qani Bektashi, i cili kishte sjellje të "mëndafshtë". Siç kanë pas thënë dikur: "I kishin hedhur verës ujë për ta zbutur".
Kur shkoja në shtëpinë e tyre të përbashkët, Tana, si më e re dhe e lehtë si flutur, dilte e para e më hapte derën e madhe prej druri. Më linte përshtypje të mirë fjala dhe sjellja e saj e "mirëseardhjes". Ajo, me buzëqeshje të çiltër e me çehre të qeshur, përherë më priste me fjalën e mirë: "Të keqen more Dajo Niaziu që na erdhe" dhe fliste me zë të lartë që të dëgjonin ata që ishin brenda: "... pa vështroni kush na ka ardhur?" Dhe: "...Mirë se erdhe, o dajo Niaziu!" Doemos që më bëhej qejfi e më shtohej adrenalina edhe pse isha akoma i parritur.
Tana ishte vërtet më e rritur në moshë, por ishte e mirëedukuar dhe dinte të respektonte hierarkinë fisnore dhe traditën vendore. Në dimër, kur në rrugë ishte ngricë e acar dhe në konviktin ku banoja kushtet e jetesës nuk ishin aq të përshtatshme, më pëlqente të qëndroja gjatë, në sobalkën e tyre të ngrohtë. Ngrohtësisë njerëzore që gjeja në atë shtëpi i shtohej ngrohtësia e sobës, në sobalkë. Në shkollën tonë, klasat ishin pa ngrohje; edhe në konvikt, zjarrin nuk e vështroja me sy e ngrohtësinë nuk pata shansin ta shijoja. Në mes të klasës, disa herë vendosej një por (sobë) me dru. Klasa ishte e madhe dhe ngrohtësia e sobës nuk arrinte deri në cepat e saj.
Ishin vitet kur në Evropën Lindore, e cila ishte "bastion" i bllokut lindor, por në disa vende vasale të tij kishte nisur një lëvizje e fuqishme centrifugale, e cila kundërshtonte diktatin e superfuqisë sovjetike. Shembullin e dha, e para – Hungaria. Në vitin 1956, në Hungarinë "socialiste" nisën protesta të fuqishme masive, në rrugë.
Ato patën efekt "domino" në disa vende të bindura ndaj diktatit sovjetik. Akumulimi i mllefeve te njerëzit dhe pakënaqësia ndaj diktatit sovjetik i ngriti njerëzit e thjeshtë në protesta me konotacion politik. Në vende të tjera, atje ku diktatura ishte më efektive, kazani ziente përbrenda pa arritur pikën e vlimit. Radioja "Europa e Lirë", në emisionet e saj kishte nisur të bënte analiza e komente dhe të publikonte njoftime mbi trazirat që ngjanin në vende të ndryshme të Lindjes socialiste.
Kjo radio nuk ishte e vetmja që bënte propagandë antikomuniste. Në rrugë të tjera bëhej thirrje që edhe në vendin tonë të shtriheshin trazirat dhe kundërshtitë ndaj regjimit të kohës. Konferenca e Tiranës e vitit 1956 ishte një shkëndijë e revoltës që ziente.
Ajo ishte ndikim i drejtpërdrejtë i asaj klime dhe ere që po frynte, si tregues i revoltës që vlonte nën rrogoz, i gatuar nga vetë pushteti nën ndikimin Hrushovian.
Qani Bektash Shabanaj, i vrarë nga veshët, ishte tepër kurioz e i interesuar për të mësuar opinionin perëndimor mbi zhvillimet që priteshin në ish-kampin socialist. Siç duket, burri i pjekur e i zgjuar Qani Shabanaj, njeri me integritet e me interesa të gjera, ato që lexonte në shtypin e kohës, të mbushur me propagandë, nuk i besonte tërësisht. Ai nuk dinte gjuhë të huaja, por donte të dinte diçka më shumë për zhvillimet e kohës. Qaniu, mbasi kthehej nga puna e rëndë e krahut, në fermë apo më pas në fabrikën e tullave, i lodhur siç ishte donte të kishte, përveç bukës dhe pjatës me gjellë që i shtronte bashkëshortja e përkushtuar donte dhe pak "ushqim" intelektual. E kisha parë tek qëndronte, gjatë, në një kthinë (tip kamareje) ku ishte vendosur një radio shtëpie dhe jepte e merrte me atë fijen e bardhë të aparatit të markës "Tesla", e cila ishte mjaft "e lodhur", por mbetej i vetmi burim informacioni zanor për atë familje.
Shteti shqiptar, i ideologjizuar deri në palcë, me qëllim që valët që përhapnin "helmin" e propagandës së huaj të mos dëgjoheshin nga shqiptarët u kishte vënë zhurmues stacioneve që përhapnin ideologji e bënin propagandë "armiqësore" ndaj vendit tonë. Ca ngaqë ishte i vrarë nga veshët e ca nga zhurmat që bënte shteti, i gjori Qani vuante goxha për të dëgjuar ato që thoshte stacioni "Europa e Lirë". Ky stacion, me të gjitha gjasat ishte instaluar në kufi me vendin tonë dhe menaxhohej që përtej oqeanit.
Për të kapur zërin e radios, Ai ishte i detyruar të ngrinte zërin e aparatit, aq sa herë pas here, bashkëshortja Velide, e bezdisur nga zëri i radios, "në kupë të qiellit", i thoshte: "Po ule një çikë or i uruar, se merove dynjanë!" Ferriku ishte më i ri në moshë dhe e respektonte shumë baxhanakun, por nuk donte që një kufitar si Ai, i besuar i regjimit dhe në detyrë delikate, të përgojohej për veprime të tilla. Jo vetëm kaq: Zërin e ngritur të radios do ta dëgjonte familja e tij, por dhe agjentët e shumtë të sigurimit të shtetit, të cilët mezi pritnin ndonjë "shteg" ku të depërtonin e të derdhnin tërë helmin e ligësisë së shpirtit të tyre katran. Spiunët, "fërkonin duart" kur kapnin ndonjë "gjah", mbasi do të shpërbleheshin majmur kur të raportonin te shefat e tyre po aq "zemërzinj".
Spiunët (disa u thonë informatorë, por ata, gjithsesi spiunë ishin), gjendeshin në çdo skutë e i mbanin veshët ngrehur. Ata, kishin mbirë si kërpudhat pas shiut; kujdesi i vetëm i tyre ishte t’i shërbenin me zell ustait. Sa për Qani Shabanin, Ai ishte atdhetar i zjarrtë. Qaniu, kishte qenë nënoficer i Ushtrisë Popullore, por fatkeqësia e tij e njohur (shurdhëria) kishte detyruar lirimin e tij nga radhët e Ushtrisë dhe meqenëse nuk dispononte ndonjë profesion, kishte rrëmbyer kazmën dhe belin. Qaniu kurrsesi nuk mund të radhitej me kundërshtarët e regjimit.
Ai, për shkak të shurdhërisë, kishte mbetur "i izoluar nga bota që e rrethonte" dhe endej në "terr informativ". Kurioziteti për të ditur çfarë thoshin kundërshtarët e regjimit e çonte tek i vetmi burim informacioni alternativ.
Bashkëjetesa e Tanës dhe Ferrikut në të njëjtën banesë me çiftin Shabanaj, nuk zgjati shumë në kohë. Viti i Ri 1957 e gjeti çiftin e ri, në banesë të re. Tana dhe Ferriku, së bashku me bukuroshen Katjushe, e cila, asokohe e kishte kapërcyer kufirin e fëmijës motak e ishte ngritur në këmbë, u vendosën në katin e dytë të një banese tjetër. Banesa ishte e modelit të vjetër, në anë të lumit të Mborjes, pranë Degës së Punëve të Brendshme dhe ish-dyqanit të njohur të Rakos. Banesa e re përbëhej nga një dhomë; një kuzhinë dhe një balkon. Banesa ishte hyrje më vete.
Dritaret e banesës vështronin nga veriu. Balkoni shërbente, kryesisht për të grumbulluar rrangullat e familjes dhe orenditë që nuk gjenin përdorim. Pra ishte më tepër depo. Në verë, kur qëndrimi në balkon të relaksonte, Ferriku kthehej i lodhur e i raskapitur nga puna e rëndë e instruktorit të kufirit në Qendrën e Instruksionit të Librazhdit (atje ishte shpërngulur qendra e instruksionit të kufirit) sapo futej në shtëpi, rrëmbente Tushin e vogël përpara duarve e qëndronte një copë herë në balkon. Freskia e balkonit dhe aroma e veçantë e vajzës e shlodhnin dhe e relaksonin kufitarin ekspert. Tushi i bënte ledha Babit, të cilin e donte shumë dhe mezi sa e priste. Ajo, në atë kohë, sapo kishte nisur të shqiptonte fjalët, por i thoshte ato gjysma – gjysma.
Gugatjet e Tushit, sikur ia hiqnin, me dorë lodhjen dhe dremën Ferrikut, Baba "të përvëluar". Tana, nga ana e saj, kur e vështronte të dashurin e saj në atë gjendje, bënte çmos ta shlodhte e t’i falte më shumë dashuri. Dilte në balkon edhe Tana e bëheshin tre vetë.
Ata lumturoheshin pa masë nga prania e njëri-tjetrit në të njëjtin mjedis relaksues. Herë Ferriku e herë Tana, i rrëfenin me gisht të voglës, pemët dhe degët e tyre; zogjtë që qëndronin mbi degë; lumin që kalonte aty pranë dhe mjetet e transportit, ndonëse të rralla, që kalonin në rrugën, poshtë balkonit. Qeshte Tushi, me shpirt; gajaseshin prindërit e saj që t’i bënin qejfin. Kishte ditë kur Ferriku nuk kthehej në shtëpi në mbrëmje. Atëherë, Tana, si bletë punëtore, merrej me shtëpinë, duke fshirë e shkundur çdo skutë e rrëzë muri. Tushi, në çdo rast ishte kryefjala e asaj familjeje me tre vetë; rreth saj e për Të zhvilloheshin të gjitha ngjarjet.
E dinte Tana se atë natë bashkëshorti nuk do të mblidhej në familje, prandaj e kishte mbledhur mendjen dhe shtrëngonte fort krijesën e saj të brishtë. Pa Ferrikun në vatër, ajo shtëpi i dukej Tanës bosh. Prandaj i kushtonte më tepër vëmendje së Bijës. Katjusha pati fatin e mirë të ishte mes dy prindërve që e donin shumë dhe e mbanin si kukull. Një motiv i fortë ishte fakti se Ferriku e donte shumë Tushin e vogël dhe e mbulonte me të puthura e me kafshime të lehta, në çdo vend të mundshëm; prandaj, Tana e mbante vajzën të pastër e të veshur bukur.
Në këto kushte, Ferriku, kur vështronte të bijën, sulej drejt saj dhe e pushtonte tërë afsh prindëror.
Mendoj se ia vlen të shkruhet një fakt, i cili ka ekzistuar te të dy bashkëshortët; si te Tana dhe te Ferriku: Të dy ishin sedërlinj e me namuz (cipë) në faqe. Sedra e tyre ishte e dukshme dhe kishte njësi matëse. Ata patën shansin të banonin në një qytet si Korça, ku njerëzit ishin të ndjeshëm ndaj kushteve të jetesës dhe nikoqiret punëtore i mbajnë banesat dhe gjithçka rreth tyre, të paqme. Kush ka jetuar në Korçë, në vitet ’50 të shekullit të shkuar, i ka njohur mirë pastërtinë dhe rregullshmërinë në qytet, pa lënë brenda shtëpive dhe në veshjet e banorëve.
Por, si Tana dhe Ferriku kurrsesi nuk preferonin të mbeteshin prapa gjitonëve dhe qytetarëve të Korçës, në këto drejtime. Ndonjë gjitone gjuhëgjatë, ironizonte kur vinte re se diçka stononte te banesa, në veshje dhe të tjera dukuri, krahasuar me mjedisin që e rrethonte. Me qëllim që të mos mbeteshin prapa të tjerëve, Tana dhe Ferriku ishin të detyruar të "shtrëngonin rripin", pa cenuar nivelin e jetesës dhe kërkesat e veçanta të Tushit të tyre. Ashtu si në mjaft çështje të tjera me rëndësi, edhe në këtë çështje, Tana dhe Ferriku ishin në dakordësi të plotë.
Tana e menaxhonte ekonominë e familjes, me dorë të shtrënguar; Ferriku sedërli, donte, me çdo kusht të ngjante me gjitonët. Ata të dy, i kishin vënë vetes për detyrë që kur të trokiste dera e Ata të shkonin për ta hapur, t’u thoshin mysafirëve "Bujrun" në shtëpinë e tyre që ndrinte nga pastërtia e nga rregulli. Në atë familje fisnike asgjë nuk shkonte dëm. Katjusha, si gjithmonë mbetej e privilegjuara e Mamit dhe e Babit. Për Tushin nuk kishte asnjë kufizim. Asaj i plotësohej çdo kërkesë dhe i kishte si shoqet të gjitha kushtet e jetesës e të argëtimit.
Ferriku i Brahimajve, djalë i gjallë në vakt, me sedër vlonjati edhe në shkollën e instruksionit të kufirit ku drejtonte në çdo hap e për çdo rast u printe kufitarëve me shembullin vetjak. Motivi i punës së Tij ishte: "Bëni si bëj unë dhe hajdeni ta bëjmë së bashku". Kjo metodë zbatohej prej tij jo vetëm në verë e në ditët me diell, por dhe në kushtet me erë, me borë e me llohë, kur pas çdo shtegu mund të ndodheshe përpara një të papriture.
Viti 1957, për të dy bashkëshortët model, rezultoi i vështirë. Atë vit, me kontributet e përbashkëta të tyre, me sakrifica e me kursime, u arritën disa kuota me vlerë në drejtim të jetesës. Të ardhurat e familjes, siguroheshin nga paga që merrte Ferriku në shkollën e Instruksionit të Kufirit. Me ekonomizimin e mjeteve monetare dhe të atyre materiale, ku Tana ishte "Violinë e parë", pa i lënë asgjë mangut Tushit, u arrit pajisja e shtëpisë së re me perde e me divane të kohës, me shtrojë e me mbulojë dhe me orenditë më të domosdoshme, si ato të gjitonëve.
Me qëllim që familja të shtohej me cicërima të reja, e kjo çerdhe e lumturuar të hijeshohej më tepër, çifti i ri "porositi" një fëmijë të dytë. Mirëpo viti 1958 rezultoi të ishte i mbrapshtë. Ai hyri e doli me ngjyra të errëta për familjen Brahimaj, në Korçë dhe për të gjithë familjarët, të afërmit dhe miqësitë në të dyja anët e lumit të Vjosës. Ai vit fatkeq rezultoi të ishte fatal për një rreth goxha të gjerë njerëzish të cilët e donin me shpirt atë familje "të shenjtë"!
Puna e lodhshme plot përkushtim, në kushte tejet të vështira, në kufi e mes kufitarëve, kohët e fundit larg familjes, niveli i ulët shkencor i mjekësisë sonë, bënë të mundur shfaqjen tek ai deli djalë të një sëmundjeje e cila i mori jetën. Ferrik Idai Brahimaj u nda nga jeta në moshë fare të re, kur duhet e mund të jetonte, jo vetëm për vete. Sëmundja tek Ai "gjigand" i shëndetshëm e plot vitalitet, u zhvillua me shpejtësi, në formë reumatizmale. Rrjedhojat e sëmundjes vrastare u shfaqën të kamufluara; herë si reumatizmë e herë si militencë. Mjekësia e asaj kohe nuk mundi të përcaktonte kufirin mes dy varianteve të sëmundjes që të përcaktonte dhe mjekimin e nevojshëm. Ferriku ishte i rritur në stanin e dhive; me qumësht dhie të paskremuar dhe me nënprodukte të tjera me origjinë blegtorale të paskremuara.
Mundësia për të marrë militencën në këto kushte kur ushqimi bazë ishte me origjinë shtazore ishte e mundshme dhe e madhe. Djali nga Aligjoni, Ferrik Idai Brahimaj e donte shumë jetën dhe i kishte sytë dhe shpirtin plot, prandaj i dhimbsej çdo gjë në këtë botë. Ai e donte jetën, sido që iu shfaq dhe kërkonte të ishte aktiv. Çfarë nuk bëri i miri Ferrik që të shkëputej e keqja prej tij dhe ta mposhtte sëmundjen e pabesë e cila u shfaq papritur dhe vërshoi me shpejtësi të pamenduar.
Fillimisht Ferriku iu drejtua opinionit shkencor të kohës, mjekëve dhe mjekësisë bashkëkohore. Ai nuk nënçmoi dhe këshillat e njerëzve të thjeshtë që ushtronin të ashtuquajturën "mjekësi popullore". Ata, asokohe ishin të palicencuar, por bartnin me vete përvojën shumëvjeçare dhe qëmtimet me vlerë të njerëzve të prirë pas mjekësisë alternative. Këshillat e mjekëve dhe rekomandimet e plakave dhe të pleqve që merreshin me mjekësinë popullore, Ferriku i dëgjonte me kujdes dhe i vinte në jetë me përpikëri. Dikush i kishte rekomanduar të përdorte një krem të përgatitur nga shtypja e një bari, si myshk, i cili mbinte në gurishte e nuk rritej, por përhapej mbi gur, si myshku i njohur.
Për të mbledhur nga ky bar çudibërës, më dërgoi një ditë në fshatin Barc, pranë qytetit të Korçës, te një mik i tij. Me të pyetur kërkova dhe gjeta një fshatar, i cili e njihte mikun e Ferrikut dhe barin dhe e dinte ku ndodhej bari çudibërës. Miku i Ferrikut, më bëri shoqëri; mblodhëm barin që i kishte rekomanduar plaka e besuar e Ferrikut dhe ia çova, në shtëpi. Emrin e fshatarit nuk ia mbaj mend, veçse më kujtohet që brodhëm në atë faqe mali (Mali i Moravës) gurë me gurë derisa mblodhëm barin e rekomanduar.
Kur më pa me barin në dorë, Ferriku u gëzua shumë e sikur u gjallërua. Besonte se bari çudibërës do të bënte çudinë që kërkohej të ndodhte. E përdori menjëherë, jo një herë, por disa ditë me radhë, por mrekullia nuk ndodhi.
Në vitet ’50 të një shekulli më parë niveli i mjekësisë, si shkencë dhe teknika e metodat që shfrytëzoheshin për të nxjerrë përfundime të përafërta për llojin dhe natyrën e sëmundjeve ishte relativisht më i ulët nga ai i disa vendeve më të zhvilluara, në botë, madje dhe të fqinjëve tanë. Ferrikut, si ushtarak, i përkiste të diagnostikohej e të mjekohej në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak, në Tiranë. Për hir të së vërtetës, në këtë qendër shëndetësore të njohur, ishin grumbulluar mjekë dhe personel tjetër shëndetësor nga më cilësorët në vend dhe nivelet, në këtë spital ishin më të larta nga shërbimet që kryheshin në institucione të tjera shëndetësore. Ndonjë specialitet si kirurgjia, barazohej me më të mirët e vendit. Në sytë e ushtarakëve dhe të familjarëve të tyre, Spitali i Përgjithshëm Ushtarak kishte fituar emër të mirë dhe shtrimi në të ngjallte shpresa.
U shtrua Ferriku në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak të vendit ku iu nënshtrua vizitave, këqyrjeve, analizave laboratorike dhe konsultave me specialistë, por nuk u konkludua saktësisht. Mjekët specialistë dhe komisionet e konsultat që u organizuan njëra pas tjetrës, "për të qenë brenda" e mjekuan të mirin Ferrik për reumatizmë. Kur e panë se formula e tyre e mjekimit nuk po jepte rezultatet e pritshme, nisën ta mjekonin për të luftuar "Ethet e Maltës", të cilat supozohej se e kishin prekur kur menaxhonte stanin e të dhirtave. Sipas tyre, "Ferrik Idai Brahimaj ishte rritur në një stan dhish dhe se na paska konsumuar qumësht dhie dhe nënprodukte të tjera me bazë qumështi (Djathë, gjizë, urrël, dhallë, hirrë etj.) të paskremuara."
Nuk është rasti të merremi me analizën e sëmundjes mbasi nuk ia dalim dot, por, për një gjë jemi të sigurt: "Kufizimet e kohës nuk i lejonin mjekët që morën përsipër mjekimin e Tij të dilnin mbi pakompetencën e tyre!" Në fund të fundit: "Aq dinin e atë bënë!" Ndërkohë, sëmundja avanconte dhe gjendja shëndetësore e Ferrikut përkeqësohej dita – ditës. Ndërkohë, të bukurës Tane i rritej barku çdo ditë, e ajo ishte në pritje të ëmbël, për t’u bërë nënë për herë të dytë. Tashmë barra e saj ishte e dukshme.
Në familjen Brahimaj, por jo vetëm, po ravijëzoheshin dy "pole" lidhur me sëmurjen e Ferrikut, por ishin diametralisht të ndryshëm. Në njërin pol kishte optimizëm, pritje, shpresë te njoftimet e mira; në tjetrin, prognoza ishte e paqartë, në mendjet e njerëzve kishte paqartësi, parashikim të turbullt dhe dëshpërimi dukej në sytë e njerëzve. Një gjë ishte e qartë: Një njeri i mirë lëngonte në shtrat e nuk dihej fati i tij i mëtejshëm. Ai nuk ishte si të tjerët, por ishte një "div" i pasëmurur kurrë.
Situata e të sëmurit po rëndohej dita - ditës. Terapia nuk po jepte rezultatet që priteshin. Prognoza ishte e paqartë. Me propozim të komisionit të mjekëve të Spitalit të Përgjithshëm Ushtarak, Komanda e Kufirit dhe Ministria e Mbrojtjes i dhanë Ferrikut një banesë në qytetin bregdetar të Vlorës, ku klima mund ta favorizonte shërimin e tij. U gjykua, se ndikimi i rërës së nxehtë dhe i ujit të kripur do të influenconte pozitivisht në shëndetin e Ferrikut. Urdhri u dha e banesa në Vlorë u akordua, por Tana; Ferriku dhe Katjusha e vogël nuk e shijuan kurrë këtë favor.
Shtëpinë e mori dhe e gëzoi njëri nga vëllezërit e Ferrikut.
Më 14 dhjetor të vitit 1958, gati dy javë, para se të festohej Viti i Ri 1959, në familjen Brahimaj, në familjen Bilaj dhe te të afërmit e shumtë të tyre; te miqtë dhe shokët e shumtë, pllakosi zia. Një gjëmë e madhe dhe e papritur ngjau atë ditë. Një lajm i zi, një njoftim i kobshëm përfshiu mendjet dhe zemrat e atyre që nuk e dëshironin këtë. Në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak në Tiranë, atë ditë u nda nga jeta, pas një lëngimi të gjatë, Ferrik Idai Brahimaj. Pushoi së rrahuri zemra e një njeriu të rrallë. Ndarja e Tij nga jeta, të cilën Ferriku e donte shumë dhe bëri çmos për ta mposhtur sëmundjen, hapi një shteg të madh e la pas një hidhërim e ligështim të paparë.
Ia vlen të ndalem, madje të përulem, me respekt e veneracion përpara qëndrimit të një vajze fisnike nga Kalivaçi, Tanës së Refat Mahmutit e cila përballoi, me dinjitet atë situatë të parrëfyer, e të papëlqyer, duke shpalosur karakter të rrallë. Përfytyroni për një çast, një vajzë pa mbushur 20 vjeçe nga fshati, pa ndonjë kulturë të madhe, por të brumosur me një edukatë të shëndoshë familjare. Ajo kapërceu çdo pengesë dhe i vuri gjoksin hidhërimit. Të gjykojmë me logjikën e asaj kohe, jo me mendimin e me opinionin aktual. Duheshin gërshetuar drejt qëndrimet. Tradita e kërkonte që gruaja të mos shquhej në komunitet si tepër e helmuar e të qante me ulërima.
Kujën do ta shpallnin e do ta prinin të tjera gra e burra. Po dashurisë që kishin në çift Tana dhe Ferriku si do t’i shkonte filli? Këtu qëndron vlera e Tanës 20 vjeçe: Të shfaqej siç ishte, e helmuar në të gjithë qenien e saj, por dhe të mblonte brenda vetes, tërë atë hidhërim që e kishte pllakosur. Të gjykojmë se Tana ishte shtatzënë me fëmijën e dytë, në muajin e nëntë të barrës dhe i duhej të përballonte dhe këtë gjëmë të rëndë. Njeriu ka brenda vetes njerëzoren, të cilën nuk ia vështron dot njeri, ama të mos i hedhësh një dorë dhe atij që do aq shumë, kërkohet qëndresë, kurajo, dinjitet e thuaj e si të duash. Tana e përballoi gjëmën që e pllakosi, jo si një vajzë e gatuar prej mishi e prej gjaku dhe me ndjenja të pastra dashurie për Ferrikun, por sikur të ishte e bërë prej guri nga ai që nuk shkërmoqet.
Tana e qau atë që donte aq shumë me shpirt e me zemër, jo siç kishte parë në fshatin e lindjes në raste të tilla, duke vënë kujën e duke çjerrë faqet. Në sytë e saj, rrodhën e nuk shteruan lotët e hidhërimit, të cilët nuk dilnin nga sytë e saj, por nga shpirti e nga zemra e copëtuar. Më kot përpiqej t’i fshihte Tana ata lotë, të cilët rridhnin e nuk pushonin dhe nuk i bindeshin Tanës tonë të brishtë.
Ajo mendonte për Ferrikun që i iku e nuk do ta vështronte më me sy asnjë mashkull. Tana ishte shumë e trishtuar për faktin se fëmija i dytë, i cili pritej të vinte së shpejti në jetë, nuk do ta njihte Babanë e nuk do ta ndjente dashurinë dhe ledhatimet e tij. Ai do të rritej bonjak e nuk do t’ia dëgjonte njeri fjalën Baba. Tanës as që i kishte shkuar në mend se do të mbetej e ve kaq e re dhe se do të rriste e vetme, dy jetimë: Tushin e vogël dhe atë që do të lindte sido që të ishte; vajzë apo djalë. Ç’fatzezë paskam qenë, mendonte Ajo, shpesh me vete. Ferriku, në çastet e shpirtit, kur kuptoi se nuk do të kishte shpëtim, në intimitet i kish thënë Asaj që e donte aq shumë dhe nuk vuante fatin e tij të keq që e largoi nga jeta aq të ri e të dashuruar marrëzisht, por e kishte mendjen te Tana dhe dy bonjakët që do të rriteshin pa baba.
Ferriku gjeti rastin t’i linte Tanës një amanet, para se të mbyllte sytë përgjithmonë. Ai i tha Tanës: "Po linde sërish vajzë, çoja emrin si të duash, por po solle në jetë djalë, emrin do t’ia çosh Gjon, për nder të mëhallës sime – Aligjon!"
E pruri rasti ta ritheksoj. Gratë e trevës sonë, kur fati i ndëshkonte të mbeteshin vejusha në moshë relativisht të re, edhe kur kishin sjellë në jetë fëmijë, në të shtatat e të ndjerit burrë, pyeteshin, në prani të njerëzve të fisit të saj dhe atyre të ish-burrit, nëse do të qëndronin për të rritur dhe edukuar fëmijët, apo do t’i linin ata në derë të burrit të ndjerë e do të bënin përçapje për t’u rimartuar. Shumë syresh u përkushtoheshin fëmijëve; të rralla ishin ato që i linin të pjellët e tyre dhe martoheshin përsëri. Tanën tonë, nuk ishte nevoja ta pyesnin fare për këtë çështje.
Ajo, në vetmi, thellë në shpirt u betua: "Burrë, mbi Ferrik Idai Brahimaj, nuk mund të vinte. Ajo do t’u përkushtohej dy fëmijëve pa baba - fryt i dashurisë së tyre të ndërprerë nga fati i zi!" Për të qenë në harmoni me kërkesat e njerëzve dhe për sytë e tyre (se dhimbja ishte e saj dhe diçka e brendshme), u vesh me petka të zeza e lidhi në kokë një shami të zezë, për të mos e hequr kurrë.
Në atë rrethanë tejet kritike që iu krijua pas vdekjes së bashkëshortit, Tana u ndodh thuajse e vetme, me një fëmijë dy vjeç për dorë e tjetrin në bark, në mes të Korçës së largët e të ftohtë, larg të sajeve. Teze Velideja kapedane, sido që e donte shumë mbesën Tane, dhe bëri çmos për t’ia lehtësuar dhimbjen, nuk ishte në gjendje të mbushte boshllëkun që u krijua në atë familje, pas ndarjes nga jeta të kryefamiljarit.
Një ditë, para se të mësonte lajmin e kobshëm, Tana kishte përjetuar një zbrazëtirë në gjoks dhe një parandjenjë ogurzezë. Lajmi i zi, i ndarjes nga jeta të Bashkëshortit të saj, e gjeti të mirën Tane në një gjendje psikologjike të rënduar, thuajse gjysmë të alivanosur. Nuk donte ta besonte atë lajm të kobshëm Tana e nuk donte ta pranonte si pjesë e qenies së saj të brishtë. Korrieri i repartit ushtarak që ishte ngarkuar për të sjellë lajmin e zi, në familje, erdhi me vonesë. Ai, nga emocionet që mbante lajmi i rëndë, kishte ngatërruar adresën e shtëpisë.
Lajmi i zi mbërriti te Tana, por arkëmorti me kurmin e Ferrikut kishte marrë udhën për në Shkozë. Një tjetër paudhësi kjo që e rëndonte akoma më shumë gjendjen psikologjike të Tanës. Dajua i saj Sami Musa Nelaj, i cili ishte partizan, ra Dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, në Luftën e Drashovicës, në muajin shtator të vitit 1943, dhe në shtëpinë e xha Musait, në Ahmetaj, erdhi vetëm lajmi i vrasjes së të birit, por jo trupi i tij. E qanë Saminë dëshmor, pa kurmin e tij.
Kështu kishte ngjarë dhe me dëshmorin Muharrem Hasan Nelaj, por çështja në fjalë ishte tjetër edhe pse thonë se historia përsëritet. Tashmë ishte pasluftë e krismat kishin pushuar. E përballoi dhe këtë sfidë të rëndë Tana burrëreshë.
Pas mbërritjes së lajmit të zi, në familje dhe vërtetimit të vërtetësisë së tij, shtëpia e Ferrikut të ndjerë, në Korçë u mbush me dashamirë të shumtë. Disa ndjenin dhimbje e trishtim; disa të tjerëve u vinte keq për rastin gjëmëmadh, kurse disave thjesht u duhej të merrnin pjesë në hidhërim, për shkak të forcës së zakonit dhe traditës mbarëshqiptare. U dyndën aq shumë njerëz sa nuk kishte vend ku të uleshin, madje dhe të qëndronin në këmbë. Shkallët, madje dhe një pjesë e rrugës ishin plot me njerëz. Ku kishin qenë gjithë ata njerëz, të cilët ia behën në çast? Lajmi i trishtë, përhapet shpejt.
Disa gra, në krye të të cilave shquhej teze Velideja, përpiqeshin t’i jepnin kurajo Tanës. Tana e kishte të "thellë plagën" e ishte thuajse e alivanosur, prandaj as që i dëgjonte fjalët ngushëlluese dhe inkurajuese të grarisë. Nëse Tana qëndroi, siç e donte situata, kjo kishte të bënte me faktin se Ajo ishte e "gatuar" nga brumë i "pathartueshëm".
Tana e qau të dashurin e saj me ligje; ajo iu bashkua "korit" të grave, por më shumë se kjo, Ajo e qau bashkëshortin, me shpirt. Ngashërimet e saj nuk kishin anë e fund. Kë të qante më parë, e gjora grua: ndarjen nga jeta të njeriut të saj të shtrenjtë apo fatin e saj të zi? Nga Kalivaçi dhe nga Shkoza, kishin ardhur shumë gra e burra; të afërm e miq të asaj familjeje fisnike.
Ata kishin rrugëtuar disa qindra kilometra, siç kishin mundur, me ngutësi, për t’u ndodhur pranë Tanës dhe Katjushës në këto ditë të rënda. Gratë dhe burrat e ardhur nga trevat buzëvjosës, shquheshin nga veshja, qëndrimi dhe mënyra e shpërfaqjes së hidhërimit. Burrat e qanë Ferrikun burrërisht; gratë, si gratë. Sidoqoftë, të dyja palët, si gratë dhe burrat, me fjalët e ngrohta të ngushëllimit iu bënë krahë Tanës, të cilës, siç kanë thënë dikur në fshatin tim; "i kishte rënë çatia mbi kokë" e gjëma i kishte pushtuar çdo qelizë të qenies së saj.
Tushi ishte e mitur e nuk mund t’i konceptonte plotësisht ato që kishin ngjarë në familjen e tyre. Ajo, sapo kishte shkelur të dy vjetët e jetës. Vajza vështronte shumë njerëz; të njohur e të panjohur dhe nuk mund të depërtonte në shkakun e kësaj tollovie. Si fëmijë ishte e habitur. Vështronte gra të veshura me petka të zeza, të cilat ulërinin me kuje dhe të tjera që çirrnin faqet, por nuk i kuptonte përmasat e tragjedisë që kishte ngjarë. Katjusha e vogël e topolake; bardhoshe dhe e mbarë, siç e dëshironin mbesën gjyshërit e saj, pa e kuptuar shkakun kaloi vargun e burrave të rëndë e vajti u ul në prehrin e gjysh Refatit, nga Kalivaçi.
Me dashurinë që i kishin mëkuar prindërit për të parët e saj, Tushi, e cila, në atë moshë nuk i shqiptonte dot fjalët shkoqur, nisi të luante me mustaqet "degë" të gjysh Refatit dhe u relaksua me pafajësinë e saj e me ledhat e gjyshit. Shumë e habiti Mamaja e saj, Tana, të cilën e donte aq shumë, kur e pa të veshur me petka të zeza e me një shami të zezë në kokë. Vogëlushja nuk ishte mësuar ta vështronte kështu Mamanë e saj të mirë e të dashur. Çfarë të kishte ngjarë vallë? - mendonte me vete Tushi. Po Babi, përse po vonohej? Koha po rridhte e ajo nuk mund të qëndronte dot pa u përkëdhelur në krahët e të Atit, i cili, gjithashtu, e donte, me shpirt, Tushin e vogël.
Me logjikën e pafajësisë, Katjusha i drejtonte pyetjen vetes, pa marrë përgjigje: Gjithë këta burra e tërë këto teta, nuk paskan fuqi të më sjellin Babin, sonte, qoftë dhe të sëmurë, siç më kanë thënë; unë e dua shumë Babin. Po Mamaja, përse është nxirë kokë e këmbë dhe i ka ikur çehreja e buzëqeshja? Ajo ka pas veshur rroba të çelëta e të bukura; në kokë, mbante shami me ngjyra të bukura, të stolisura me rruaza e me hojna? Çfarë të ketë ngjarë? Këtyre pyetjeve dhe fantazisë së trurit të pazhvilluar të Tushit, asnjeri nuk mund t’i përgjigjej. Edhe ata që tentonin të thoshin diçka, fjala u ngecte në grykë e i pushtonte trishtimi.
Katjusha e vogël, e cila kishte jetuar mes gëzimit dhe haresë, ledhatimeve dhe plotësimit të dëshirave, nuk e duronte dot këtë gjendje të Mamasë së saj. Ajo do ta donte Tanën, siç e kishte parë më parë e jo kështu, të zezë, të mbytur në ngashërim e të mullosur. Dëgjonte të thonin: "Bonjakja e nënës"; "Jetimja e Babës" etj. Këto fjalë ishin të pakuptueshme për Të. I kishin thënë se Mama Tana, së shpejti do të bënte një vëllaçko ose një motër, e Tushi mezi priste të ndodhte kjo gjë. Herë pas here, Tushi, kur fërkonte barkun e rritur të Tanës, i drejtonte asaj pyetjen: "Mami: kur do të dalë bebi që ke në bark; unë e kam xhan atë?"
Kur ndonjë moshatar i Tushit merrte guximin të prekte barkun e Tanës, Ajo i kundërvihej, me fjalët: "Mos e prek barkun e Mamit time; bebi është bebi ime" dhe i largonte dorën, me dorë, nga barku i Tanës. Tushi ishte e vogël dhe fjalët i shqiptonte gjysma - gjysma. Kjo e bënte më të këndshme ligjëratën e vajzës së vogël.
Kjo skenë e kënaqte pa masë Tanën e "ngarkuar" por, tashmë, Ajo kishte të tjera siklete e halle të rënda. Tana, si ngushëllim, merrte të bijën në gjoks, e shtrëngonte fort, sikur të kishte drojë se mos ia rrëmbente njeri. Gjithashtu, Tana, në sytë e të pranishmëve, dukej sikur tek i bënte të dy fëmijët bashkë u thoshte: "Vështroni o njerëz zemërmirë: Këta, të dy janë ngushëllimi im dhe amaneti i Tim shoqi - Ferrikut!"
Ata që morën pjesë në atë mort, (burrat) në bisedat e tyre, përmendnin herë pas here fjalën bonjak, si sinonim i fjalës jetim. Tushi nuk i kuptonte këto fjalë veçse bashkohej me të ardhurit, kapte e fërkonte barkun e Nënës dhe tundte në ajër doçkën e vogël. Dukej sikur u thosh të pranishmëve: "Provoni ta prekni Bebin tim pa ua dëftoj unë qejfin!"
Ajo vinte veshin te barku i Tanës dhe bënte sikur merrte ndonjë sinjal nga bota e përtejme, e padukshme. Ajo bënte mbrojtësin e Tanës dhe të Bebit që mbante brenda barkut të saj. Tushi, në atë grumbullim njerëzish ishte i vetmi njeri që me veprimet dhe me fjalët e saj gjysmake shkaktonte, gjallëri e pak humor. Nga padija; natyrisht.
Njerëzit e fisit, familjarët dhe ata që morën pjesë në përcjelljen e të ndjerit (nuk ma nxë goja ta them, por jam i shtrënguar) për në banesën e fundit, në varrezat e fshatit Shkozë të rrethit të Vlorës, atje pranë Bishtit të Goricës dhe në anë të lumit Vjosa u bënë dëshmitarë të një kuje të paparë që plasi në tërë fshatin. Rrallë kishte ngjarë në këto anë një vdekje e tillë, si në Shkozë dhe në fshatin në anën tjetër të lumit, në Kalivaç të Tepelenës.
Ndarja nga jeta e një njeriu është proces biologjik i natyrshëm, por vdekjet nuk lënë të njëjtat gjurmë e nuk bëjnë të njëjtin "shteg". Gjëma që shkaktoi ndarja nga jeta, në atë mënyrë e "divit" Ferrik Idai Brahimaj, nga Aligjoni ishte një gjëmë e pazakontë, e cila hidhëroi gurë e drurë; helmi që la pas ajo gjëmë nuk kishte anë e udhë. Përcjellja e Ferrikut në banesën e fundit, u bë jo të nesërmen e ndërrimit jetë të tij, por pas tri ditëve që e mbajtën në morg.
Ajo nuk ishte e lehtë. Burra me një barrë mustaqesh e me përvojë të gjatë jete, nuk e përmbanin dot veten. Në kodrën me ullinj të Aligjonit, ishte shtëpia me dy kate e Idai Brahimit. Nga kjo shtëpi varreza publike e fshatit Shkozë, në atë fushë të bukur, e të rrafshët si sini, dukej si në pëllëmbë të dorës. Pjesëmarrje aq masive të njerëzve, nuk ishte parë në të dyja anët e lumit Vjosa. Bashkëfshatarëve të Ferrikut në atë kortezh mortor, u shtohej dërgata e ushtarakëve që e shoqëruan të ndjerin, nga Tirana, në Shkozë.
Nënë Fatimeja dhe Baba Idaiu, të helmuar sa s’ka më e ndjenë "ikjen" e djalit të tyre dhe e përcollën atë me dhimbje të thellë. Vetëm Tana dhe Tushi e vogël, nuk mundën të ishin pjesëtarë të atij kortezhi mortor, por nuk mund të ishin të përjashtuara nga pjesëmarrja në dhimbjen e madhe. Le t’ia lëmë këtë mangësi largësisë dhe rrugës me probleme serioze ashtu si dhe problemeve me mjetet e komunikacionit. Lumë njerëzish me peshën e hidhërimit mbi supe, përcollën, në heshtje, e me dhimbje në zemër, të mirin Ferrik, të cilit i dhanë lamtumirën e fundit, në tokën nënë; aty ku ishin tretur brezat paraardhës të tij.
I madh e i vogël e përcollën hidhërimin e asaj dite të zezë, në mënyra të ndryshme. Nga të qarat me ligje të grave dhe nga kuja e burrave, siç kanë thënë në trevën tonë: "Luajti dhe foshnja në mëmë!" Vetëm tre vetë nuk mundën ta ndanin hidhërimin me ata që ndienin dhimbje atë ditë. Tana dhe Tushi ishin dy dashuritë më sublime të të ndjerit, kurse fëmija në barkun e Tanës, gjinia e të cilit ishte e papërcaktuar, i ngjizur nga dashuria e dy prindërve të tij ishte ëndrra e pafat e Ferrikut.
Ai ishte gëzimi i paprovuar i të Atit, i cili, nuk e pa dhe nuk e provoi prekjen, as ledhat e Babait të tij. Hidhërimi dhe brenga e Tanës ishin të dyfishta. Asaj i iku drita e syve, Ferriku; ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë e nuk iu ndodh pranë as në çastet e fundit kur u zhvillua ceremonia e varrimit. Tana e mirë dhe e ndjeshme nuk mundi t’i hidhte as një dorë dhe përsipër, njeriut të saj të dashur, i cili u nda nga jeta, aq papritur, pa parë me sy gëzimin e tij të jetës. Kuptohet sa e rëndë erdhi kjo gjëmë, mirë do të ishte të mos ngjanin fare të tilla ndarje, por jeta i ka të gjitha, si gëzimet e lumturinë dhe vuajtjet e ligështimin si ky.
Është mjaft e vështirë, thuajse e pamundur të gjesh fjalët e përshtatshme, për të shprehur plotësisht ato që ndjen njeriu në çaste të tilla trishtimi. Këto i dinte mirë e mira Tane. Kur ishte adoleshente e shkonte me pula deti, në Margëlliç e më tej, kur u rrit disi, Ajo kishte dëgjuar nga më të moshuarit se: "Atje ku thonë: More - more; mund të thonë edhe mjerë – mjerë!"
Kjo e dyta, për Tanën erdhi vërtet, por me shumë brengë e hidhërime. Tragjedia me rrjedhojat e hidhura që solli, nuk kishte të sosur. Tana, jo vetëm që ishte larg të shoqit kur Ai dergjej në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak në Tiranë, por nuk iu ndodh njeriut të dashur të saj, as në çastet e shpirtit e nuk mundi t’i lagte as buzën, kur ajo përvëlohej për një pikë ujë. Ndodhi të tilla, kanë të bëjnë me çaste tepër kritike në jetën e njeriut e lënë gjurmë të pashlyeshme. Është mirë të mos ndodhin fare, por kur ato vijnë, në jetën e një njeriu, pa i mirëpritur, duhen përballuar me dinjitet. Dhe Tana jonë i përballoi si burrëreshë, me qëndrime stoike e dinjitoze, si bijë kalivaçi e nuse Aligjoni.
Nga Korça e largët dhe e ftohtë, në atë gjendje shpirtërore të rënduar, në vetminë që e brente, Tana përpiqej të përfytyronte ceremoninë e varrimit. Ajo, pyeste veten e nuk merrte përgjigje për çështjen thelbësore; Ferriku nuk është më në jetë, e këtë nuk donte ta besonte, por merakun e kishte të madh: Si do të ishte ceremonia e përcjelljes së tij në banesën e fundit? Dinjitoze dhe me të gjitha rregullat që kërkonte tradita e siç e meritonte Ai njeri. Se njeriu i saj i dashur nuk ishte djalë dosido, por i zgjedhuri i djemve; ajka e tyre. Prandaj i duheshin bërë të gjitha nderet, siç i takonin atij "engjëlli".
Ajo dëshironte shumë, t’i gjendej pranë të shoqit, të paktën në këto çaste lamtumire, por këtë e kishte të pamundur. Fëmija që mbante në bark kërkonte kujdes e trajtim të veçantë. Herë pas here, Tanës i ngjante sikur dikush ia rrëmbeu bashkëshortin e dashur nga krahët dhe e shpuri atje, larg, në fushën e Shkozës, buzë lumit të egërsuar nga rrahja e ujërave të dhjetorit të atij viti të lagësht. Vetëm zemra e saj e brishtë mund t’i rrëfente dhimbjet e ndarjes nga Ai çikë burrë dhe si i përballoi ato.
Akoma pa kaluar të shtatat e Ferrikut, në shtëpinë e tij në Korçë erdhi Haxhiu, vëllai i të ndjerit, i cili, në atë kohë ishte oficer i Ushtrisë Popullore, në Garnizonin e Durrësit. Ai, i shoqëruar nga të tijtë, erdhi me misionin për të marrë Tanën shtatzënë në muajin e nëntë dhe Katjushën dyvjeçare. Akoma nuk ishin tharë lotët e vajtimit e ishte palca e dimrit.
Në atë gjendje psikologjike dhe fizike, nëpër atë rrugë të gjatë e tërë gropa, Tanën e priste një tjetër llahtari, e shkaktuar nga mendje e papjekur mirë. Në ato kushte tejet të vështira, Tana dhe dërgata që erdhi për të marrë nusen, kaluan Qafën e Qarrit, rrethin e Kolonjës, qytetin e Ersekës; Leskovikun; Përmetin; Këlcyrën; Tepelenën; Përroin e Salarisë me ato kthesa të frikshme; Lopësin e zbritën në Mazhar. Deri në Aligjon, ku kishte shtëpinë Idai Brahimaj, rruga ishte e shkurtër e Tana mund të rrugëtonte mbi kafshë.
Në atë rrugë të gjatë, të ngushtë, të paasfaltuar e tërë gropa që përshkoi, shtatzëna Tane ishte në rrezik të vërtetë, për të lindur në rrugë, pa asistencë mjekësore dhe para kohe. Në një kuptim, edhe pse çasti nuk ishte i përshtatshëm, dërgata bëri mirë që e mori Tanën. Ajo nuk mund të qëndronte më gjatë në atë banesë ku e lidhnin kujtime të bukura e të trishta. Mbi të gjitha Ajo do të përjetonte dhe një nostalgji të parrëfyer. Kishte të drejtë Ajo grua e fortë: ngado që t’i hidhte sytë; në dhomë, në kuzhinë, në korridor apo në balkon i fanepsej (shfaqej) Ferriku i saj, siç ishte: i Bukur; i qeshur; i gëzuar; tërë nur e shkëlqim. Ferriku, kur kthehej nga detyra, mezi priste të hiqte çizmet e rënda të kufitarit dhe kërkonte me sy e me nuhatje, të voglën e dashur të tij, Tushin, të cilën e rrëmbente në krahët e tij të fuqishëm e s’linte vend të trupit të saj, pa e puthur e pa e kafshuar, për të shuar mallin që e kishte kapluar.
Trokiste dera e Tana, ashtu e rëndë, nxitonte ta hapte, me shpresë se do të vështronte të dashurin e zemrës së saj. Zhgënjehej keqas kur në derë shfaqej ndonjë vizitor, apo vizitore, që kishte ardhur për të ngushëlluar Tanën. Tana, e zhgënjyer keqas, ulej sërish te vendi i saj dhe si ngushëllim, nuk i dëgjonte fare fjalët e atyre që vinin për ngushëllim, fjalë të cilat ngjanin me njëra-tjetrën, por shtrëngonte fort në kraharor Tushin, fërkonte barkun dhe zgjohej kështu nga një ëndërr gënjeshtare. Ferrikun, më kot e kërkonte dhe e priste t’i vinte si përherë. Ai ndodhej larg, shumë larg e nën dhe, atje, në Fushën e Shkozës, pranë lumit me uturimë, në varrezat publike të fshatit. Atë e kishin varrosur e Tana nuk ishte ndodhur në atë ceremoni të tmerrshme, as për t’i hedhur një dorë dhe njeriut të saj të zemrës.
Kunat Haxhiu dhe shpura shoqëruese e tij, e përcollën të mirën Tane, në Shkozë, në shtëpinë e trungut, në Aligjon. Mirë bënë që e prunë në Shkozë vejushen të veshur në zi, kokë e këmbë. Duke u çapitur nëpër sokakun që të shpinte në avllinë e Idai Brahimit, Tana dëgjoi të qara, me ligje e me oi.
Ajo pyeti Kunat Haxhinë e Ai i tha se ka vdekur Nënë Fatimeja. Në fakt, të qarat i përkushtoheshin Ferrikut, të cilin e kishin varrosur një javë më parë. Edhe pse ishte dimër, xhenazen nuk mund ta linin të pavarrosur mbasi Ai ishte mbajtur tri ditë në morgun e Spitalit të Përgjithshëm Ushtarak, në Tiranë, ku u kujdes për të Haxhiu dhe një kushëri i tyre që shërbente në këtë spital. Arkëmortin nuk e shpunë fare në Korçë, por e përcollën drejtpërdrejt në Shkozë.
Kur Tana u fut te dera e shtëpisë së Idai Brahimit, e shoqëruar nga kunat Haxhiu dhe nga shpura që e shoqëronte, Haxhiu i hodhi Tanës në kokë një shall të zi të cilin ia kishte dhënë teze Velideja e i tha: "Tani qaje Ferrikun tonë të dashur; ai është varrosur para një javë, në varrezat publike të fshatit Shkozë!" Edhe në gjendjen e paralindjes, Tana e revoltuar u tha njerëzve të saj e të burrit të saj: "Përse e keni varrosur pa qenë unë e pranishme?" Dhe tha, mes dënesës e zemërimit: "Merrni lopatat dhe hapeni varrin!" Me hesht e pesht, fjala dhe arsyetimi i burrave dhe i grave të mbledhura enkas për të pritur vejushen shtatzënë, e qetësuan disi, gjithnjë në aparencë Tanën dhe vijuan ritin e vajtimit.
Asaj, aty (në Shkozë) do t’i jepej mundësia të shfrehte gjithë atë lëmsh që i ishte mbledhur dhe të qante, sipas zakonit të vendit, të dashurin e saj. Kur të lirohej nga barra, Ajo do të shkonte dhe pranë varrit të Ferrikut së bashku me zonjën vjehrrë - Fatimenë e Idai Brahimit; me nënën e saj – Mushon e Refat Mahmutit dhe me kunatat.
Në kujdesin dhe monitorimin e këtyre grave, Tana, priste të bëhej nënë për të dytën herë. Ajo mezi priste të sillte në jetë amanetin e të shoqit, i çfarëdo gjinie të ishte. Lutja e saj e pandërprerë ishte që fëmija të ishte i mbarë me shëndet dhe i saktë fizikisht. Ajo ishte në merak se mos rruga e gjatë dhe me gropa që përshkoi për të ardhur në Shkozë kishte dëmtuar fëmijën që mbante në bark.
Edhe vetë, e mira Tane, nuk mund të qëndronte më në atë shtëpi ku çdo gjë lidhej me kujtimin e të shoqit dhe mbante vulën e punës së tij. Gjitonët që hynin e dilnin, pa pushim në atë shtëpi shprehnin, sipas ritit dhe traditës vendase keqardhje për ndodhinë e kobshme dhe "qokën" por, kaq, më tej nuk mund të shkonin. Përkrahjen e burrit të ndierë Arshi Velo dhe të familjes së tij, kujdesin e teze Velidesë dhe keqardhjen e Qani Shabanit, ashtu si ndihmën dhe përkrahjen morale të Qamil Pashos dhe të Zonjës – Zonjë e të Nënë Ganos Ajo i kishte, në çdo kohë, por Ferriku, të cilin e donte aq shumë, nuk ishte më në jetë dhe Tanës i dukej vetja sikur endej në humbëtirë.
Dy javë pas varrimit të të ndjerit, më 28 dhjetor të vitit 1958, në konakun e Brahimajve në Aligjon të Shkozës erdhi në jetë një djalë. Siç duket, vetë natyra i ruan ekuilibrat. Mes klithmave të lindjes dhe sinjalit "hyjnor" që lëshoi i sapolinduri, me të qarat e tij, Tana ishte e detyruar të dëgjonte urimet si lumë për ardhjen e djalit në jetë, me fjalë të ngrohta e dashamirëse: "Të të rrojë, e pastë jetën të gjatë"; "Koka gur"; "I ngjaftë të Atit"; etj. etj. Tana duhet të duronte e të dëgjonte dhe ndonjë paragjykim të ndonjë besimtareje e cila donte të shtirej si e mençur. Ajo, pa pikën e turpit shpalosi bindjet e saj fetare, kur tha: "Zoti i jetës, nuk e la vendin bosh; u nda nga jeta një burrë, i cili qoftë i xhenetit, por në vend të tij erdhi në jetë një burrë tjetër…!" Le ta lëmë atë besimtare në shenjtërinë e saj dhe të kthehemi te kronika e atyre ditëve plot dhimbje e shpresë.
Sipas riteve pagane të trevës, djalit të sapolindur duhet t’i vinin emrin. Në atë kohë emri i një fëmije vihej me bukaniqe. Familjarët, njerëzit e fisit, miqtë dhe gjitonët, në mënyrë selektive, ishin mbledhur rreth potit (fëmijës së sapolindur) dhe ishin kuriozë të mësonin si do ta kishte emrin djali i Sulltanës dhe i Ferrik Brahimit? Sipas zakonit të vendit, më parë duhet të shpreheshin gjyshërit.
Para së gjithash, shoqëria maskiliste kërkonte të dihej verdikti i Idai Brahimit dhe i Refat Mahmutit; pastaj i të tjerëve. Në trevën e Korçës, dikur kanë thënë se emri i njeriut s’është veç si kapistalli që u vënë kafshëve. Megjithatë, edhe emri ka një vlerë e diçka do të thotë. Brahimajve ua kishte enda t’i çonin djalit një emër që të siguronte vazhdimësinë e fisit.
Kur të gjithë të pranishmit ishin në ankthin e pritjes së emrit dhe mezi duronin ta mësonin atë, me vështirësi e mori fjalën Tana, ajo që i dha djalit jetë. Heshtje! Ajo, me qetësi e me një solemnitet, i cili nuk i shkonte nuses së shtëpisë, theu heshtjen që kishte pllakosur konakun e tha: "Mos u merakosni për emrin e djalit, o njerëz dashamirës se atë e ka zgjidhur vetë i zoti i punës; Ferrik Idai Brahimaj... Ferrikun nuk e kemi më midis nesh, por me gjallje, më ka lënë amanet: ‘Po të leje vajzë; verja emrin si ta gjykosh vetë, ama po leu djalë, do t’i vesh emrin Gjon’." Pastaj, me të drejtën e atij që njeh mirë zakonet e vendit, Tana – shtoi: "Ju, besoj se e dini mirë që amaneti vete në vend e nuk e tret as dheu; unë ndjej obligimin moral ta shpie në vend amanetin e Burrit." Asnjeri nuk e zbërtheu gojën pas kësaj. U tha; u bë!
Bukaniqja ishte gati, mbi kokën e djalit; ajo u thye nga gjyshërit dhe nga Tana e më pas, ata që morën nga një copë bukaniqe dhe të tjerë që nuk arritën, duartrokitën dhe përsëritën emrin, me zë të lartë: Gjon! Gjon! Gjon! E gëzoftë! Graria uroi për së dyti: "Koka gur!" "Emrin ta gëzojë!"
"I ngjaftë Babait" etj. etj.
Gjoni u rrit si lis, u veselit e u shtua dhe, jo vetëm që i ngjan Babait të tij deri në thua, por në disa drejtime e tejkaloi Atë. Ferriku fatkeq lëngoi gjatë, në shtrat, nën vuajtjet e një sëmundjeje të rëndomtë, por që rezultoi vrastare. Si njeri i zgjuar e kokëplotë, e parandjeu largimin e tij nga jeta dhe la amanet emrin e pasardhësit, në mënyrë që emri dhe vepra e tij të mos harroheshin edhe kur Ai të mos ishte më në jetë.
Ndihem krenar e kam qenë njeri me fat, që kam pasur një mik të mirë si Ferrik Idai Brahimaj (ndjesë pastë). Natyra dhe jeta i kishin dhuruar atij njeriu tipare të spikatura dhe një shpirt si det. Ja përse krenohem së shumti unë.
Por, zemra ime bëhet mal, kur vështroj fëmijët që ka lënë pas. Katjusha dhe Gjoni, dy pasardhësit e denjë të Tanës dhe të Ferrikut, jo vetëm që i kanë mbajtur lart vlerat dhe emrin e prindërve të tyre, por në disa drejtime i kanë superuar ata. Të dy këta e dinë mirë ku i kanë rrënjët e kjo është vlerë më vete. Thonë se gjeni transmetohet tek ata që vijnë pas.
Kjo thënie e lashtë dhe e vërtetë ka marrë vlerën e një aksiome e nuk ka përse të vërtetohet. Më ka lënë "pa mend" një fakt interesant: Kërkoja prej kohësh varrin e të mirit Ferrik. Mendoja se ai mund të prehej diku në afërsi të vendit të shenjtë ku prehet bashkëshortja e tij – Tana. Një ditë vere kur kthehesha nga një vajtje në Jug të vendit bëra një vizitë kortezie në varrezat publike të fshatit Levan të Fierit.
Në shoqërinë e Gjonit, në shenjë kujtimi e mirënjohjeje vendosa dy tufa me lule të bardha, te varri i Tanës. Njëra syresh ishte për Ferrikun, varrin e të cilit nuk e kisha gjetur në atë kohë.
Kohë më pas, duke vrojtuar në Facebook, u befasova e u mrekullova kur pashë varrin e Ferrikut, në varrezat publike të fshatit Shkozë të rrethit të Vlorës. Në një vajtje, me ngjitje në Kurorën e Malit (vend i shenjtë); Renata, bijë e denjë dhe e përkushtuar ndaj familjes, krenare për origjinën e saj, kishte fotografuar pllakën e varrit të gjyshit të saj ku shquhej qartë identiteti: Ferrik Idai Brahimaj, me fotografinë e tij dhe me të dhënat që përkufizojnë lindjen dhe ndarjen e tij nga jeta. Nuk e fsheh; u trondita thellë. Jo vetëm se u njoha me një fakt që nuk e njihja, por më shumë për faktin se në jetë ka të reja e të rinj që interesohen për paraardhësit e tyre, të cilët nuk janë në jetë prej kohësh. Ndoshta ky qe dhe njëri nga shkaqet më kryesore që më shtynë të rishkruaj këtë histori. Nuk kanë thënë më kot se: "Bëmë baba të të ngjaj!"
Mendoj se rasti ynë i përket këtij slogani. Asaj vajze i uroj shëndet e jetë të gjatë, të lumtur e të begatë, siç do t’ia uronin Tana dhe Ferriku mbesës së tyre.
Kam dëshirë t’ju rrëfej ritin pagan të ceremonisë së vënies së emrit të të sapolindurit nga Tana: Për të respektuar të parin e asaj shtëpie; fisnikun Idai Brahimaj dhe gjyshin tjetër - Refat Mahmut Bilaj, nga Kalivaçi i Tepelenës; të dy bektashinj fanatikë, atë ditë u zbatuan me përafërsi, një nga një ritet pagane të trevës. Dy të moshuarit (gjyshër), me mustaqe "degë" e me qylah të bardhë në kokë ishin dy monitorues të rreptë të atij ceremoniali familjar. Nënë Fatimeja, vjehrra namuzlije e Tanës, si zonjë shtëpie dhe kryesuese e ceremonisë, kishte përgatitur një goxha bukaniqe, me të gjithë përbërësit e nevojshëm sipas traditës së gatimeve të kësaj natyre.
Në atë ceremoni familjare me rëndësi të veçantë, morën pjesë një mori njerëzish të cilët kishin të përbashkët dashurinë dhe respektin për familjen Brahimaj dhe për fisin e tyre e në veçanti për të nderuar ardhjen në jetë të një princi të veçantë. Xhaxheshat dhe xhaxhallarët, kushërinjtë dhe të afërmit, motrat dhe miq e shokë të shumtë dhe një krushqi "petritesh" nga ata që të marrin gjak në vetull, mbushën shtëpinë e Idai Brahimit atë natë. Nuk kishe ku të hidhje kokrrën e mollës. Të gjithë gëzonin, qeshnin e këndonin; hareja nuk kishte të sosur. Kulmin ajo festë e arriti kur mbi kokë të djalit (Gjonit), u ngjit bukaniqja që kishte gatuar Nënë Fatimeja. Deri atëherë emri i djalit mbetej enigmë.
Kishte dhe nga ata që u mbeti qejfi se nuk u thirrën në këtë festë, por i zoti i shtëpisë ishte në hall të madh e nuk dinte kujt t’ia prishte e kujt t’ia ndreqte. Shtëpia kishte përmasa të kufizuara e nuk i nxinte të gjithë sa donin të ishin të pranishëm në atë gëzim të veçantë. Të ardhurit, sipas mundësive nuk kishin ardhur duarbosh. Dikush kishte sjellë një revani në tepsi; një tjetër kishte sjellë paluze ose kalimar, një i tretë, më pak i kamur kishte sjellë një lengjër me petulla e ku ta di unë se çfarë kishin pjellë ato mendje dashamirësish.
Në të errur ia behën kalivaçasit; njerëzit e Tanës. Të gjithë kaluar mbi kuaj. Gratë ishin të veshura kokë e këmbë në të zeza; burrat – të veshur me shajak të zi, me mustaqe e me qylah të bardhë në kokë. Një vrojtues i vëmendshëm mund të dallonte si iu hap syri të mirës Tane, kur pa tek vinin njerëzit e saj.
Ata mezi kishin kaluar lumin, me një lundër të lodhur, por të manovruar nga një lundërtar i zoti e trim. Çdo familje pjesëmarrëse në ceremoni, madje edhe të ardhurit nga Kalivaçi, kishin menduar një emër që t’i shkonte atij "princi" të shumëpritur. Mirëpo të gjithë dolën huq. Sulltana, me syrin si filxhan në çastet e hyrjes në derë të prindërve të saj, ndjeu një ngrohtësi të veçantë.
Ajo përjetoi ëmbëlsinë e vështrimit dhe të takimit me Nënën e saj dhe me trimin e rrallë - Refatin e Bilajve. Jo se Vjehrra dhe vjehrri e Brahimajt që e rrethonin nuk e donin, por dashuria e Nënës dhe e Babait kishte tjetër shije. E veçanta e këtij takimi ishte: Tana, tashmë ndihej më e afërt; më e ngrohtë dhe më e mbështetur. Kalivaçasit erdhën të kapardisur e plot me dhurata.
Ata e dinin se dhëndri i tyre nuk ishte që t’i priste që te fundi i udhës, e t’i shoqëronte sa të uleshin, por derën fisnike të Idai Brahimit e kishin të hapët e brenda saj do të ndiheshin po aq të mirëseardhur. Ata kuptuan se ajo lidhje miqësore i kishte themelet të sigurta e nuk mund të lëkundeshin nga asnjë shtrëngatë. Ca më tepër tani që lidhjet e miqësisë, me ardhjen në jetë të djalit ishin forcuar më tepër. Kalivaçasit e ardhur zunë vendet që u përkisnin dhe dhoma u mbush plot e përplot. Urimet dashamirëse nuk kishin mbarim.
Njerëzit e anës së të ndjerit, kishin përgatitur disa copa letre të shkruara me dorë. Në çdo letër ishte shkruar një emër djali. I zoti i asaj shtëpie, i moshuari Idai Brahimaj, urdhëroi: "E para ta tërheqë letrën e veja e djalit tim, Sulltana, e cila ka vuajtur shumë gjatë kësaj kohe dhe e meriton!" Nuk është hamendim; as besëtytni, por kështu ka ngjarë e duhet besuar: Mes emocioneve e duarve që i dridheshin, Tana, mes vëzhgimit të syve kureshtarë tërhoqi tri letra, të cilat i hapi e u lexuan faqe pjesëmarrësve në ceremoni.
Për habinë e të gjithëve dhe të vetë Tanës, në të trija letrat ishte i shkruar emri Gjon. Ç’të ishte kjo vallë? Kush të dojë le të përpiqet ta shpjegojë! Vetë Ferriku (ndjesë pastë), kur e ndjeu se nuk do ta kishte të gjatë, në intimitet i tha të shoqes: "... po të leje djalë, do t’ia vini emrin - Gjon!" Dhe ja si rezultoi! Fjala Gjon, e nxjerrë nga goja e Tanës hallemadhe ushtoi si një jehonë e fuqishme mali, e u përcoll breg me breg.
Nëna e djalit, lehona Tane, theu e para bukaniqen dhe copat e saj u rrëmbyen, në çast nga ata që ndiqnin ceremoninë. Të gjithë duartrokitën dhe përsëritën me ëmbëlsi emrin Gjon! Urimet nuk kishin të sosur; ato bëheshin siç e mendonin njerëzit. Urimi: "Koka Gur!" dhe ai për ta pasur jetën të gjatë djali i vogël, prevalonin mbi të gjitha urimet dashamirëse. Gëzimi dhe hareja pushtuan konakun, mëhallën dhe brenda asaj nate e mësoi Shkoza; Mazhari, Sevasteri e Golimbasi. Lajmi i gëzueshëm kapërceu lumin e u përcoll, me gëzimin brenda, në anën tjetër të tij.
Siç ngjan në raste të tilla, shumica mbeti e kënaqur e u shpreh me dashamirësi e me zemër në dorë lidhur me ardhjen në jetë të Gjonit të vogël. Pati dhe nga ata që rrudhën turinjtë e patën rezerva. Qejfmbetja ishte fare e kotë. Disa nuk e patën shansin të konsiderohej emri që kishin përzgjedhur. Dikush mendonte se patjetër duhet të ecej në rrjedhën e pemës gjenealogjike dhe ishte e udhës t’i vihej djalit bebe një emër nga të parët e fisit, në mënyrë që të sigurohej vazhdimësia e atij pragu. Ceremonia, e çuarjes së emrit të djalit, në fakt shënoi krisjen e parë të pjesëtarëve të fisit Brahimaj.
Krisja në marrëdhëniet mes familjes dhe fisit, u shpërfaq më pas, në jetën e vështirë të vejushës Tane, e cila u përball me sfidat që solli mbetja e ve, me dy jetimë, mes kunatave grifsha dhe burrave të tyre. Të pakënaqur mbetën dhe vëllezërit e Ferrikut të ndjerë: Haxhiu; Tefiku; Bardhoshi; Xhemili dhe Hyseni. Secili prej tyre do të kënaqej nëse merrej parasysh emri që propozoi për djalin e sapolindur të vëllait të ndjerë. Edhe pse mbetën të pakënaqur, falë autoritetit të kryetarit të familjes - plakut Idai Brahimi, ata nuk e shfaqën pakënaqësinë por e mbajtën atë të ndrydhur mes vetes.
Megjithatë qejfmbetjen nuk e harruan. Në opinionin tim, emri Gjon, i cili i përket besimit të krishterë (katolik), në një mjedis ku sundues ishin emrat myslimanë përbën një habi. Por, nisur nga ky fakt, më lind e drejta për të abstraguar se i ndjeri Ferrik Idai Brahimaj, ishte njeri me vizion të qartë e me horizont dhe pavarësisht se nuk besonte në asnjë fe, ruante traditat pagane dhe la amanet që, po të lindte djalë, ta quanin Gjon, siç emërtohet vetë mëhalla ku Ai u lind e u rrit.
Sa herë e shkoj nëpër mend atë ndodhi të kohëve të shkuara, më del përpara syve të mendjes fytyra e bukur e burrërore e Ferrik Idai Brahimaj, siç e kujtoj në ato ditë të lumtura, për Atë vetë e për mua, mikun e tij. Balli i lartë mbi vetulla - dëshmi e fisnikërisë dhe mençurisë së tij. Dy sytë e tij me madhësi të zakonshme qartësonin zgjuarsinë e tij natyrale, mençuri e dinamizëm dhe dëshirë për të jetuar. Syve të tij nuk u shpëtonte asgjë nga zhvillimet rreth tij; ata përhapnin vetëm dashuri e dashamirësi.
Kur mendoj pamjen e tij të menduar (në disa raste) shtroj pyetjen: "Si arriti të lërë amanetin për t’i vënë emrin djalit – Gjon?" Arsimimin e kishte të kufizuar, por zgjuarsinë natyrale e dispononte pa limite. Vetë emri Gjon, të cilin, i ndjeri e la amanet; në atë kohë, në trevën tonë ishte thuajse i pamundur e i paparë. Një emër katoliku i vihet djalit të sapoardhur në jetë, në një mëhallë të Shkozës – një fshati tradicional me banorë të besimit mysliman? Mendja bredh e më shpie te zbërthimi i togfjalëshit Aligjon. Me emrin Aligjon, njihet që nga formimi i saj mëhalla që ndodhet buzë Vjosës, në kodrën me ullinj, në bishtin e malit të Kudhesit (malit të Bardhë), në faqen Veriore të të cilit është mbështetur fshati Shkozë i rrethit të Vlorës, i cili është fshati skajor i këtij rrethi.
Më tej, në Lindje e më sipër ndodhet fshati Mazhar, i po këtij rrethi, i cili gjithashtu i ka vënë shpatullat malit të mësipërm. Në majë të malit, në vendin e quajtur Kurora e Malit, i cili konsiderohet vend i shenjtë, janë kryer e kryhen pelegrinazhe nga besimtarët myslimanë të sektit Bektashian. Të dy këta fshatra fqinje, sipas një gojëdhëne kanë përkatësi gjaku me njëri-tjetrin e mes familjeve të tyre nuk bëhen krushqi. Po sipas të njëjtës gojëdhëne, në kohët që nuk mbahen mend, nga Vllahija erdhën, muhaxhirë e u vendosën në këtë trevë, dy vëllezër; njëri quhej Ali e tjetri Gjon.
Ata, gjithnjë sipas gojëdhënës, formuan dy mëhallë; një në çdo fshat, të cilave u vunë emrat e tyre: Njërës – Ali e tjetrës Gjon. Nuk është për t’u çuditur se bashkëjetesa mes feve, në vendin tonë është e lashtë e askush nuk e di datësinë. Këtë gojëdhënë, e cila, me kalimin e kohës mori vlerat e një legjende, duhet të ketë dëgjuar i ndjeri Ferrik Idai Brahimaj, kur i dha karar, të linte amanetin për t’i vënë emrin Gjon, pinjollit të tij nëse lindte djalë.
Ky version i gojëdhënës sonë them se mund të jetë i pranueshëm por jo i pakundërshtueshëm. Ka dhe versione të tjera, të cilat i rrëfejnë e i besojnë njerëzit, sipas bindjeve.
Mbas vënies së emrit të djalit, sipas një riti zakonor të lashtë, i cili u përforcua e mori më shumë terren, sipas të cilit, një javë pas ndarjes së burrit nga jeta, bashkëshortes së tij, kur ishte në moshë të re prindërit e saj (kur ishin në jetë) dhe të afërm të saj, mblidheshin, kokë me kokë dhe, së bashku gjykonin e vendosnin për një çështje me rëndësi jetike për fatet dhe për jetën e të prasmëve. Nga kjo "gjëmë e dytë" nuk shpëtoi as Sulltana jonë e mirë. Nga Kalivaçi erdhën Refat Mahmuti dhe Mehmet Musa Nelaj, i cili ishte dajua i Tanës (vëlla i vetëm i zonjës Musho). Të dy burra të zgjuar, të mençur e trima. Nga Aligjoni, ishin të pranishëm: Tana – protagonistja e asaj bisede; vjehrri Idai Brahimaj, vëllezërit e tij: Talua dhe Razua dhe Haxhiu, nga vëllezërit, si më i madhi i tyre. Ishte një mbledhje tejet e vështirë, nga ato që është më mirë të mos bëheshin.
Çdo njeri, sidomos Refati dhe Idaiu, ndiente përgjegjësi të madhe, aq e rëndë ishte barra mbi supet e tyre, sikur të mbanin mbi supe Malin mbi Shkozë. Tana, në fund të fundit ishte "lojtare e mesit të fushës", Ajo vendoste se çfarë do të bëhej, më tej. Me zë të dredhur, sikur të hidhte në fushën e lojës një tabor me ushtarë, të cilët do të shembnin banesën e tij, mezi e nxori zërin e tha ato fjalë, të cilat nuk donte t’i thoshte në asnjë rast. Idai Brahimaj, mezi i nxori nga goja fjalët: "Tane, bija ime; Ti e di sa të dua unë dhe e gjithë familja jonë. Ti e ke parë sa keq ndihemi kur mendojmë fatin e atyre dy ‘engjëjve’ të cilët mund të na ikin nga shtëpia. Do të vendosësh Ti, për të ardhmen tënde e të fëmijëve të tu.
Një traditë çnjerëzore, kërkon që, sot, në këtë takim, Ti të vendosësh nëse do të qëndrosh me fëmijët, për t’i rritur ata, apo do të ‘dalësh’ nga kjo shtëpi e do të vështrosh jetën tënde?" Pas fjalës së Idaiut, i cili kur mbaroi ligjëratën psherëtiu thellë e kërkoi një gotë ujë, e mori fjalën Refati, i cili, në esencë tha të njëjtat gjëra. Pritej fjala e Tanës, e cila, në fund të fundit vendoste dhe mbyllte atë takim dashamirësish. Tana, me qetësi por e vendosur tha: "U përunjem prindër të dashur dhe dashamirët e mi, por fati im dhe i fëmijëve të mi është përcaktuar që kur u nda nga ne Ferriku. Unë, burrë mbi Ferrik Ibrahimin nuk vë, këtë ta dinë mirë të gjithë ata që nuk e dinë. Nuk ua pres dot kokën dy fëmijëve, kam lidhur në kokë shaminë e zezë e do të rris fëmijët me gjithë çfarë do t’u nevojitet.
Edhe hi do të ngjyej në vatër, por fëmijët do t’i rris e do t’i veselit!" Ashkosun (bravo të qoftë); gjëmoi një zë, fillimisht nga të moshuarit e u përsërit nga më të rinjtë! Kaq u desh e mbledhja mbaroi. U shtrua një darkë miku ku u ngritën dolli, për 2 fëmijët jetimë, për qëndrimin e "heroinës" - Tane dhe për kujtimin e të mirit Ferrik Ibrahimi.
E krisura që zuri fill gjatë e pas vënies së emrit të djalit të sapolindur nuk u shua; përkundrazi, "nën rrogoz" u thellua më tepër. Gjashtë kunata në një derë ishte e vështirë të merreshin vesh me njëra-tjetrën. Si në gjykimin e çështjeve dhe në veprimet konkrete, kur ato dilnin të gabuara. Kunatat fajësonin njëra-tjetrën. Të tjerat, kishin halë në sy të mirën Tane, e cila ishte pa burrë dhe me dy bonjakë.
Ajo ishte "fajtore pa faj"! Kurrsesi nuk e kishte dëshiruar këtë palo fat. I pari i asaj shtëpie, fisniku Idai Brahimi, një njeri me autoritet, të cilit i peshonte e i dëgjohej fjala, e kishte realisht të vështirë të menaxhonte atë "stan" me gra, njëra nga të cilat, me dy fëmijë bonjakë. Vështirësia bëhej më e theksuar nga fakti se ndonjëri nga djemtë e tij, merrte anën e "hoxhës së natës", siç thonë tiranasit e moçëm. Atij i pikonte në zemër të thoshte një fjalë të keqe për Tanën dhe nuk mund t’i duronte ankimet e Tushit dhe të qarat e Gjonit, të cilët ishin amanet i të birit të ndjerë – Ferrikut, të cilin e donte aq shumë.
Tana ishte kunata e vogël e, sipas traditës duhet të binte dakord me mendimet e kunatave më të mëdha, pavarësisht se nuk ishte e një mendjeje me to. Mirëpo kjo gjendje nuk mund të vazhdonte pambarim; Tana ishte e mençur dhe dinjitoze; Asaj i duhej të përballej, e vetme, edhe me brockullat e kunatave të saj. Një vit të tërë, Tana u kthye në "shurdhe" dhe pa gojë. Ajo fliste gjithmonë e fundit dhe ato që thosh binin në veshë të shurdhët. Tana bëri si bëri, duke gëlltitur edhe ndonjë brockull, derisa i biri u bë motak. "Zënkat" me ngjyrime grash, deri atëherë, meqenëse nuk kishin të bënin me çështje esenciale e nuk njollosnin familjen, me zotësinë e të parit të asaj shtëpie u zgjidhën, midis familjarëve e nuk u duk përjashta maisja që po shtohej. Idaiu si kryefamiljar nuk mbante anën e asnjërës nga nuset e djemve, por, për hir të së vërtetës, Ai (Idaiu), sikur përthyhej përballë statusit të dy jetimëve dhe, donte s’donte i favorizonte ata.
Sikur të mos mjaftonin vështirësitë e jetesës së gruas së ve me dy jetimë dhe grindjet brenda familjes, kusuremadhja Tane duhet të përballonte dhe një palo opinion i cili zhvillohej "nën rrogoz". Ai u përhap fillimisht si thashethem, por shpejt mori një agresivitet të madh. Ky opinion kishte për objekt ndarjen nga njëri-tjetri të atij çifti "Hyjnor", të cilin e kishte zili cilido që i njohu. Asaj i kishte "rënë mali mbi kokë" dhe fokusi i saj kishte të bënte me mirërritjen e dy jetimëve dhe ishte e detyruar të dëgjonte lloj-lloj gjepurash, të cilat nuk i konsideronte fare. Ja disa opinione në formën e thashethemeve: Një kategori supersticiozësh, të kapardisur; për t’i dhënë rëndësi vetes, pohonin, me bindje se çiftin e ri e kishte "shajtuar" (goditur) syri i keq.
Sipas tyre, çiftin e ri që shijonte lumturinë e asaj lidhjeje "hyjnore" e kishin pikasur ziliqarët; të cilët, me zemërligësi e kishin përgojuar dhe anatemuar. Të tjerë kokëboshë, duke i mëshuar profecisë së tyre e paraqitnin ndodhinë e hidhur si të parashkruar e të paravendosur nga fati i keq. Ndonjë zemërzi, i cili, ia fuste kot, gjëmën ia faturonte, me dashakeqësi, "Harxheve" që duhet të paguante çifti i pafajshëm për llogari të të tjerëve; atyre që kishin rënë në gjynah.
Në ballë të thashethemeve madje disa herë edhe autore të shpifjeve e përgojimeve ishin vënë kunatat e Tanës, ndonjë grua e fisit Brahimaj, e ndonjëra nga gratë e trevës. Për fat të keq e për faqen e zezë të tyre, në kurthin e këtyre thashethemeve kishin rënë dhe disa burra, jashtë natyrës e logjikës së shëndoshë që duhet të kishin. Medoemos, ata ishin bashkëshortë të shpërfytyruar të grave të tyre llafazane. E thënë shkoqur; ata ishin burra – gra e nuk meritonin të quheshin burra zakoni. Kot nuk visheshin me çitjane e të tirrnin lesh në furkë këta derdimenë. Burrëria e tyre ishte bërë copë e thërrime e, me sjelljen e tyre ata ishin bërë "gazi i botës".
Për të frenuar disi situatën, Idai Brahimi, mbasi u konsultua dhe me të tijtë, vendosi ta ndante Tanën dhe dy fëmijët e saj, nga vëllezërit e Ferrikut. Kjo rezultoi masë gjysmake e cila vërtet frenoi atë furtunë prapësish që ishin hedhur mbi Tanën por nuk e zgjidhi problemin kryesor. Situata për Tanën u bë më e vështirë e më komplekse. Meqenëse dy prindërit e Ferrikut; Fatimeja dhe Idaiu nuk gëzonin pension pleqërie; pensioni i të ndjerit, në dëm të fëmijëve jetimë dhe Tanës, u nda në mes, ashtu si u pjesëtuan plaçkat madje dhe enët e kuzhinës. Tana më vete, mblidhej me fëmijët, në një dhomë, por u ndodh përpara një vështirësie të re e cila lidhej me ngushtësinë ekonomike. Ca më pak kur në Shkozë e në afërsi nuk ekzistonte asnjë mundësi për punësimin e saj.
Kujdesi që tregonin familjarët dhe të afërmit e të ndjerit nuk mjaftonte për të përballuar ngushtësinë ekonomike të jetimëve dhe Nënës së tyre.
Burri i zgjuar, i mençur e trim nga Kalivaçi, Refat Mahmuti i Bilajve, baba i Sulltanës dhe Nëna e saj – Musho Kapedanja, e kuptuan përgjegjësinë që kishin pas fatkeqësisë që u ngjau për mirërritjen e jetimëve dhe për të mos vuajtur për ushqim vajza e tyre. Refati, herë pas here, mbushte hejbetë me sende ushqimore, i ngarkonte ato në pelën kerre (gri), kapërcente lumin, në Bishtin e Goricës dhe e mbante vrapin tek e bija në Aligjon. Po çfarë kishte brenda atyre hejbeve prej fijeje leshi të endura nga duart e zonjës Musho, në tezgjahun e montuar në fundin e shtëpisë? Brenda hejbeve kishte: Miell të situr; misër kalli, për të zier e për kalaposhe; fruta nga më të ndryshmet, sidomos fruta të thata si vargje me fiq; palafike; ftonj; shegë; arra, bajame; pekmes; djathë në napë; gjizë të njomë e të futur në shakull; gjalpë; yshmer; qullapite; petulla; paluze; veshje për fëmijët etj. etj. Brenda hejbeve, më tepër se çdo gjë tjetër kishte dashuri Nëne, Babai, vëllai, motre e nga familjarët e tjerë apo të afërmit, për Tanën dhe për fëmijët e saj. Mushua, si grua nikoqire dhe e vuajtur nuk harronte të vendoste në hejbe një sasi sheqeri, kafeje të bluar, të cilat gjendeshin me vështirësi, vaj ulliri apo ullinj të kripur e sende të tjera në përdorim. Gjysh Refati pritej në familjen e Brahimajve si krushk e mik shtëpie, i cili kishte pjesën e tij në çështjen e rritjes e të edukimit të jetimëve dhe për mirëqenien e vajzës së tij fatkeqe.
Kemi folur e kemi shkruar, jo pak lidhur me personalitetin e Refat Mahmut Bilaj, nga Kalivaçi i Tepelenës; do të shkruajmë e do të themi edhe pas këtej; mbasi e meriton plotësisht çdo epitet e lëvdatë që mund të bëhet në kujtim të tij. Dua t’ju bëj me dije një rast të cilin nuk e kanë dhuntinë, ta kenë si privilegj të natyrës. Xha Refati ishte burrë i kompletuar e i respektuar. Përveç të tjerave, Ai këndonte mjaft mirë labçe, në të gjitha pozicionet e këngës dhe kishte veshë muzike. Refat Mahmuti pëlqente jo vetëm këngën labçe por ishte adhurues edhe i vajtimit me ligje të grave; atyre që qanin bukur, fort, të artikuluara, me zë të ëmbël dhe respektonte shumë, ato gra që i thurnin bukur vlerat e atij që vajtonin duke i renditur këndshëm për një të ikur vlerat e tij (saj).
Një ditë, kur shkonte tek e bija, kaluar në pelën e tij kerre në fushën e Shkozës, te varrezat publike të fshatit, dëgjoi një vajtim që i pëlqeu shumë dhe e shtyu të afrohej. Dy gra të veshura kokë e këmbë me të zeza qanin, të përkulura mbi një varr të ri. Refati, zbriti nga pela, të cilën e la të kulloste në mezhde, u ul në "bisht", siç uleshin burrat qemoti kur ishin në pritje të dikujt; vuri dorën të hapur te një vesh që të shijonte vajtimin dhe dëgjoi me endje ligjërimin e gruas, e cila plagët e shpirtit i shprehte në vargje dhe i artikulonte bukur, me zë melodioz e me prirje këngëtari.
Kur gratë u ngritën, njëra i foli të pushonte vajin tjetrës, i futi krahun dhe e përcolli në udhën e fshatit. Refati dalloi fytyrën e krushke Fatimesë, Nënës së dhëndrit të tij të ndjerë - Ferrik Idai Brahimi. Çfarë koincidence! Mbasi kishte dëgjuar ligjërimin e Fatimesë, Refati, mori pelën kerre, për kapistre, u bashkua me gratë dhe mori udhën që të shpie në Aligjon.
Tana, e ndarë më vete nga trungu i Brahimajve përjetoi kalvarin e skamjes dhe të përgojimit. Ajo, në këto kushte nuk mund ta shtynte më jetesën me kufizime; prandaj, një ditë vendosi: Të merrte fëmijët, atë kaposh me plaçka e të kapërcente lumin, për t’u sistemuar në Margellic, në shtëpinë e prindërve të saj, te motrat dhe vëllezërit e në mes të të sajeve që e donin dhe e respektonin aq shumë. Ajo nuk ishte gërnjare e nuk e mbante kokën mënjanë por kishte marrëdhënie të ëmbla me të gjithë. Njerëzit, në Kalivaç, kur panë Tanën të vinte në derën e babës, jo për në të parë e për disa ditë, por përgjithmonë; përveç respektit kishin dhe një lloj keqardhjeje e ndiheshin në pozicionin e një bamirësi. Po ju rrëfej, siç e di unë, procesin e ndarjes së Tanës me Shkozën. E them që në krye të herës se Tanës, me këtë rast iu shtua një brengë më tepër; Ajo po i kthente krahët një fisi të fismë, me njerëz të mirë, të cilët i ishin ndodhur në kohë të vështirë.
Tragjike ishte ndarja nga varri i Ferrikut dhe lënia e tij aty, në mes të fushës së Shkozës, në ftohtësinë e dheut që e mbështillte; larg syve të saj e të pinjollëve fatkeqë. Ajo do të përballonte dhimbjen e pamatë që ndiente, nga lënia e asaj shtëpie ku ishte lindur e ishte rritur njeriu i saj i shtrenjtë, Ferriku zemërmal e buzagaz. Qante e mira Tane, vajtonte, në heshtje e me ngashërime, ikjen e saj. I theri në zemër, kur hodhi hapin e parë, jashtë atij pragu.
Si do ta linte atë dhomë të "shenjtë" ku i moshuari Idai Brahimaj, kishte vendosur në mur një fotografi ku kishte dalë me Fatimenë e me Ferrikun në mes, të veshur me uniformë ushtarake, me grada mbi supe e me kapelën me yll të kuq në mes. Kjo ishte njëra nga gjërat më të "shenjta" për Tanën me vlerën e një kujtimi të pazëvendësueshëm. Atë fotografi të bërë në Korçë, te mjeshtri Sotir Studio, Tana e vështronte me vëmendje e nuk mund t’ia hiqte sytë. I ngjante sikur Ferrikun e kishte gjallë e Ai donte t’i thosh diçka. I dukej sikur Ferriku do t’i kujtonte amanetin e i thosh: "Mos më harro!" Mirëpo Tana ishte vajzë "e gurtë".
Rëndesa e mirërritjes së dy fëmijëve, në ato kushte ishte më e madhe nga kujtimi i asaj fotografie, prandaj Ajo vendosi të mbante anën e fëmijëve. Po ku do të shkonte hallemadhja Tane me dy jetimë? Në Grykën e Margellicit do të shkonte, te Baba Refati e te Nënë Mushua dhe te xhaxha Karafili e te bashkëshortja e tij, Nënë Bedrija, nga Dorza e cila ishte më shumë se zemërmirë dhe e pritur. Të dy vëllezërit ishin shpërngulur nga trojet e të parëve të tyre në Hasanimeraj e ishin vendosur në tokat pjellore në krye të Margellicit. Refati zuri Grykën e Përroit të Seranit që sillte gurë sa herë binin shira, ku ngriti një shtëpi me gurë të bardhë e me pllaka guri mbuluar kurse vëllai i tij - Karafili, ish-kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit, ndërtoi dy kasolle me kashtë në mes të drizave, ferrave e përralleve, në vendin e quajtur Gjembi i Bilos.
Dy fjalë për një burrë fisnik nga Kalivaçi i Tepelenës i cili nuk duhet harruar:
Kur ka qenë rasti, nëpër faqet e këtij rrëfimi ka zënë vend figura e spikatur e njërit nga personazhet kryesorë të fshatit tim; - Babait të Tanës, Refat Mahmut Bilaj. E pruri rasti të shkruhet më gjerësisht për të. Ai deli Burrë nuk e meriton të harrohet. Vlerat e tij, koha që ka kaluar dhe dukuri të tjera njerëzore, i kanë zbehur por disa tipare të spikatura të tij, kurrsesi nuk duhen harruar.
Në mëhallën Hasanimeraj të Kalivaçit tri ishin familjet e trungut Bilaj, të cilat mbanin këtë mbiemër. Ishte familja e Musa Brahushit, ajo e Karafil Mahmutit dhe vëllait të tij Refatit. Refati, pas shpërnguljes nga trojet e të parëve u vendos, së bashku me vëlla Karafilin në Margellic, pranë tokave pjellore të paraardhësve të tyre.
Pas martesës me Mushon, të bijën e Hysnijes dhe të Musa Mehmetit, i cili ishte trim mbi trimat dhe burrë i mençur, Refati u fuqizua shumë dhe me cilësitë e rralla që kish, shpejt u kthye në derë të madhe, me ndikim të fuqishëm në fshat e më gjerë.
Që në rininë e tij, Refati u shqua si djalë i shkathët, i zgjuar, guximtar e trim i rrallë. Në një sherr që plasi mes banorëve të Kalivaçit hallemadh dhe tagrambledhësve të shtetit turk që kishin ardhur në fshat për të mbledhur taksat e kohës, Refati djalë i gjallë, i shkathët e i fortë, nuk e përmbajti dot veten, i doli në krah kryeplakut të fshatit, mëhallaliut Cizo Selfo Agaj dhe goditi me pëllëmbë në fytyrë, nëpunësin turk. Kjo ishte një ndodhi e rrallë. Nëpunësit e turkut, kur panë se me kë kishin të bënin ua mbathën e nuk e panë udhën.
Refatit, kjo ndodhi trimërore ia shtoi reputacionin dhe e afirmoi si djalë trim e guximtar dhe si mbrojtës i vegjëlisë. Pas kësaj ngjarjeje, morën zemër dhe kundërshtuan taksat edhe banorët e fshatrave të tjera, të cilëve u kishte vajtur thika në palcë, prej skamjes dhe mjerimit prej taksave të rënda që vinin nëpunësit e pashpirt, në shërbim të të huajit. Në atë kohë, në Kalivaç e më gjerë, djemtë e matshëm me Refat Mahmutin ishin të pakët. Ata simbolikisht i thërrisnin "gjarpër".
Ndoshta cilësitë e rralla të Refatit dhe ndryshimi i shpejtë i gjendjes ekonomike të familjes së tij, ishin ndër shkaqet më kryesore që e bindën burrin e mençur, fisnik e trim, Musa Mehmeti dhe bashkëshorten e tij, fisniken Hysnije nga Hoxhatët e Kolonjës së Gjirokastrës për t’i dhënë Atij për grua vajzën e tyre Musho, të cilën e kishin sjellë nga Anadoli, kur Ajo ishte në moshën 2 vjeçe. E tillë ishte koha, të atilla ishin zakonet. Familjet e mëdha e fisnike, bënin krushqi e miqësi me familje të së njëjtës kategori. Kur ndonjëri kërkonte nuse, njerëzit pyesnin: "A e ndez zjarrin më vete djali apo është gjumash e dembel?" Nga përgjigja që merrte kjo pyetje, varej shumë dhe zgjidhja e problemit. Refati i plotësonte më së miri këto kritere, gjë që bëri të mundur çiftosjen e tij me Mushon bukuroshe.
Në çift me Mushon, Refat Mahmuti solli në jetë 7 fëmijë: (Sulltanën; Tacën; Luton; Yllin; Augurimin; Hyrinë dhe Dritën), nga të cilët Sulltana, "heroina jonë" ishte e para dhe më e madhja e tyre apo siç kanë thënë dikur në Kalivaç; "buka e parë". Ata, si çdo prind, u kujdesën shumë që Tana të rritej e shëndetshme, e bukur siç ishte dhe të merrte një burrë si vetja. Fati i saj i zi, në këtë çështje nuk ishte në anën e saj.
Ajo u nda shpejt nga njeriu që donte aq shumë dhe mbeti e ve, me dy fëmijë të vegjël (njëri laktant). Vdekja e parakohshme e dhëndrit të tyre – Ferrik Idai Brahimaj i theri në zemër jo vetëm Tanës por këtë thikë e ndjenë dhe dy prindërit e saj: Mushua dhe Refati të cilët kishin përballuar sfida të rënda në jetë. Megjithatë, ata të dy e mblodhën veten shpejt e i dhanë punës drejtim. Mbasi e pleqëruan situatën e rëndë që i zuri, ata vendosën, këtej e tutje, të kujdeseshin akoma më shumë për Bijën e tyre dhe për dy jetimët, në rrembat e të cilëve rridhte gjak nga gjaku i tyre. Përkujdesi për ta nuk kishte anë e udhë.
Nëse mund ta ndajmë në dy kohë përkujdesjen e Mushos e të Refatit nuk mund të mos rrugëtojmë në dy kohë të ndryshme. Interesimi i tyre për Bijën dhe fëmijët e saj jetimë ishte më i ndjeshëm sa kohë ata jetonin në Aligjon ku, të tre ishin edhe në kujdesin dhe monitorimin e pandërprerë të Brahimajve. Diçka më e madhe ishte përgjegjësia kur Tana, mori dy fëmijët dhe një kaposh me plaçka të tyre dhe kaloi lumin e u vendos në Kalivaç të Tepelenës, në Margellic, te shtëpia e prindërve të Tanës.
Për Katjushën dhe për Gjonin, kur këta jetonin në Aligjon dikush tjetër shërbente si "ombrellë". Ai ishte fisniku Idai Brahimaj, mbi të cilin binin "qeprat dhe shkopinjtë". Pas vendosjes në Margellic, i përkiste Nënë Mushos dhe gjysh Reftit të kujdeseshin disa herë më shumë. Fushat e përkujdesjes së tyre ishin të shumta e të vështira dhe në çdo hap. Kujdes i madh kërkohej për ushqimin e tyre sipas moshës dhe kërkesave të veçanta të tyre; për veshjen deri dhe për t’u kujdesur se mos ndonjërit prej tyre i hynte në këmbë ndonjë gjemb i bardhë, nga ata që kanë dhimbje të dhimbshme. Tushi i linte sandalet plastike ku të mundej kur bridhte atyre monopateve plot me gurë e driza dhe me gjemba të bardhë dhimbjeshumë.
Në stinën e thatë, Mushua, Refati, Tana dhe fëmijët më të rritur të asaj shtëpie duhet të bënin kujdes edhe ndaj insekteve të shumta dhe ndaj zvarranikëve keqbërës me të cilët ishin mjaft të populluara ato shkurre. Kishte dhe zvarranikë helmues, të cilët zbritnin nga kodra mbi shtëpi e shkonin të zhuritur, për të pirë ujë, nëpër gropat e ngastrave të Llomës ose te Pusi i Muharrem Smailit.
Le të kthehemi pak prapa në kohë, kur Tana dhe fëmijët e saj jetimë, banonin në Aligjon. Siç rrëfejnë bashkëkohësit e tij; Refat Mahmuti, i biri i Nënë Taces dhe i baba Mahmutit ishte një burrë tepër i zgjuar e i shkathët, i aftë për të bërë çdo lloj pune; si në bujqësi dhe në fushën e artizanatit. Portreti i tij i përkiste një burri tipik lab: i gjatë në shtat por i thantë; mbante mustaqe të gjata "degë", të mirëmbajtura me merak; me sy larushë e të lëvizshëm që dëshmonin zgjuarsi e interesim; me një buzëqeshje tipike ku dallohej ironia; dhe me një qylah të bardhë në kokë ku binte në sy "antena" në krye të tij. Veshja me petka shajaku të zi, i jepte hijeshi dhe nxirrte në pah shtatin e tij si lis. Herë pas here, periodikisht, kur paraqitej nevoja, Refati mbushte me produkte ushqimore hejbetë e thurura në tezgjah nga Mushua, me fije leshi, ku dalloheshin figura ose vija të dukshme me ngjyra të ndryshme. Refati i mbushte ato e i çonte në pelën e tij kerre, e cila ishte e shpejtë dhe e shkathët; kalonte lumin, dhe e mbante vrapin tek e bija e pranë bonjakëve të saj, në Aligjon.
Shtëpia e Refat Mahmutit, në Margellic të Kalivaçit ishte derë e madhe e bukëdhënë. Edhe në shtëpinë e vjehrrit të tij, në Ahmetaj, tek atdhetari i shquar Musa Mehmet Nelaj, si shtëpi e lidhur me Luftën Çlirimtare dhe si bazë e sigurt, hynin e dilnin njëri pas tjetrit luftëtarët e lirisë, në vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe nëpunësit e pushtetit të Ri, pas çlirimit të vendit. Refat Mahmuti, me të ardhurat që siguronte nga djersa e tij dhe e familjes, mbante jo vetëm familjen e tij, por kujdesej, në mënyrë të posaçme dhe të përkryer, edhe për vajzën e madhe, Tanën e cila kishte mbetur e ve, me dy jetimë të parritur, në mes të Shkozës.
Në krye të vitit, kur të dy fëmijët ishin mëkëmbur disi, familjet e të dy anëve të lumit në krushqi, ranë në ujdi paqësisht që, e mira Tane dhe dy fëmijët e saj, të shtrënguar dhe nga kushtet sociale që lindën në atë shtëpi të madhe, me disa kurora, të shpërnguleshin nga Aligjoni e të vendoseshin në Margellic të Kalivaçit. Si fillim, Tana dhe fëmijët do të strehoheshin në konaket e fisnikut Refat Mahmut Bilaj, babait të saj biologjik.
Në një ditë të ftohtë, në "palcën e dimrit", kur Vjosa kishte dalë tej për tej e mund të kalohej vetëm në lundrën e Kalivaçit e cila monitorohej nga lundërtarë kalivaças të zotë e trima, të cilët ia dinin tërë "sekretet" lumit dhe lundrës e ishin notarë të zotë, erdhën në Aligjon tre burra nga Kalivaçi, të tre të hipur në kuaj. Po cilët ishin ata tre kalorës e çfarë misioni kishin? Në atë dërgatë nuk mund të mos ishte Babai i Tanës, fisniku Refat Mahmut Bilaj, mbi të cilin binte një barrë e rëndë.
Ai do të ishte negociatori kryesor i atij kuvendi me vlerë historike ku do të vendosej e ardhmja e tre njerëzve të tij: Tanës; Katjushës dhe Gjonit foshnjë. Pritësit e shquan trimin e çartur për së largu. Pela kerre mbi të cilën Ai burrë kalëronte ishte bërë e njohur në atë breg, ashtu si kalorësi mbi të, burrë i pashëm e me figurë kreshniku, trim e gojëtar; Refat Mahmut Bilaj, i njohur për bëmat e tij. Kalorësi i dytë ishte nga krahina e Lopësit. Atë e quanin Adem Feimi, djalë i motrës së Refatit; njeri i ditur e trim, si dajua.
Në fshatin e tij, në Matohasanaj e më gjerë, fjala e tij zinte vend e dëgjohej me respekt. Kalorësi i tretë ishte trimi Nelo Resmi Nelaj. Nelo Resmi Nelaj u përzgjodh për të qenë pjesëtar i kësaj dërgate jo vetëm për faktin se ishte burrë i zgjuar, me iniciativë dhe nuk i trembej syri por kishte dhe shkaqe të tjera. Nelua (ndjesë pastë), ishte nip në Aligjon. Nëna e tij, Zonja e Vogël e Binajve, ishte e bija e Qerimesë dhe e Bilos, nga Qyrajt. Sidoqë të ishte puna, ndikimi i tij në vendimin që do të merrej nuk mund të shumëzohej me zero.
Në të njëjtën kohë, Nelua (ndjesë pastë) ishte dajo i Sulltanës dhe kushëri i afërt i zonjës Musho. Me këto atribute, ishte e sigurt që këtij pjesëtari të dërgatës do t’i zinte vend fjala. Po të shtojmë dhe faktin se Nëna e Nelos, Zonja e vogël e Binajve, kishte pasur fatin e Tanës në jetë. Nelua dhe vëllezërit e tij: – Reshati (ndjesë pastë) e Petrefi (ndjesë pastë), mbetën jetimë nga babai kur ishin të mitur dhe Nëna e tyre, Zonja, siç kishte emrin, lidhi në kokë shaminë e zezë të vejushës dhe pavarësisht se ishte mjaft e re në moshë dhe një femër e pashme, u përkushtua jetimëve të cilët i rriti me nder e me dinjitet, me pula e me vezë dhe me të korrat e të tjerëve.
Më duhet të them se dërgata nga Kalivaçi u mirëprit nga vendasit e u trajtua me dashuri e miqësisht. Ata u pritën siç e meritonin, me darkë miku e me fjalë zemre. Refat Mahmuti, me cilësinë e krushkut e të gjyshit të dhembshur, e mori fjalën i pari, pas fjalës së mirëpritjes së Idai Brahimit. Si guximtar që nuk i dridhej qerpiku, Refati, fare hapët, u bëri me dije krushqve nga Aligjoni, se qëllimi i vajtjes së tyre ishte, të ngarkonin në kafshët me të cilat kishin ardhur kaluar, laçkë e plaçkën që u përkiste bonjakëve dhe Tanës e t’i çonin, të tre në Margellic të Kalivaçit. Kërkohej guxim e trimëri e madhe ta ndërmerrje këtë mision delikat e të vështirë të mbarsur me rreziqe reale. Ca më tepër që miqësitë e kalivaçasve me banorët e Shkozës ishin të shumta e të lashta.
Pra, kalivaçasit, në Shkozë ndiheshin si në shtëpinë e tyre. Refat Mahmuti, me zgjuarsinë dhe me mençurinë që e karakterizonte e kishte "peshuar" atë që ndërmori, në të gjithë komponentët dhe e hodhi hapin kur duhej, ashtu si zgjodhi të kishte në dërgatë burra si vetja. Ata orientoheshin lehtë në situatën e nuk qorollepseshin lehtë.
Debate të zjarrta u ndezën kur erdhi radha e ndarjes së laçkave e plaçkave të cilat, tërësisht u përkisnin bonjakëve dhe Tanës. Makutëria u shfaq hapët e kërraba tërhiqte nga vetja. Çështja arriti derisa u tentua për të shtënë në dorë edhe ato pak orendi shtëpiake të cilat, Tana dhe Ferriku i kishin vënë, me shumë sakrifica e duke shtrënguar rripin. Shkak kryesor u bë sedra e tyre, në mënyrë që të mos ishin prapa nga gjitonët e tyre. Motiv tjetër ishte fakti se ata, të dy nuk donin që fëmijët e tyre (në atë kohë Tushi) të ishin në nivele më të ulëta mirëqenieje krahasuar me fëmijët e tjerë, të komunitetit, të rrugicës dhe të banesës. Besoj se do të ishte e tepërt të thoja se këto që po shkruaj i kam përjetuar e i kam parë me sytë e mi.
Theksoj se lumturia e çiftit Sulltane dhe Ferrik Ibrahimi nuk lumturonte vetëm ata të dy dhe fëmijët e tyre. "Flamurin" e makutërisë e mbanin lart dhe e nxitnin kunatat. Motivet që i shtynin ato të mbanin qëndrime të tilla, përveç një lloj xhelozie të sëmurë, nuk i kuptoj, edhe sot e kësaj dite. Qasja e tyre si "grifsha" nga ato që dinë vetëm të zhvatin e të justifikojnë me llafe të shumta makutërinë e tyre binte në sy ashiqare.
Për fat të mirë e në nderin e tyre, burrat që erdhën nga Kalivaçi i Tepelenës dhe ata që ishin në atë gjykim, nga vendasit, u dëftuan burra të vërtetë e nuk ranë në "batakun" e makutërisë. Ata e ndanë gjënë sipas zakonit vendor e sipas ligjeve të shtetit, pa u hyrë në hak bonjakëve dhe Tanës. Them se burrat me burrëri, nuk ranë në pozitat e atij që kërkon të hajë, jo vetëm nga të gjallët, por as nga të vdekurit.
Rasti i vëlla Bardhoshit, i cili zaptoi shtëpinë që i dha Ministria e Mbrojtjes, Ferrikut, për t’i lehtësuar vuajtjet, rrëfehet si një përjashtim i cili nuk ka mundësi të komprometojë qëndrimin fisnik të të tijve. Por, siç është bërë e njohur, telashet e Tane hallemadhes nuk u sosën me kaq. I ndjeri kishte lënë pas Nënën dhe Babanë.
Ata, të dy ishin të moshuar e jo në gjendje pune. Siç dihet, në ato vite, sistemi i pensioneve nuk shtrihej edhe në fshat e të dy të moshuarit nuk gëzonin pension pleqërie. Në takim u diskutua në frymën e ndarjes së pensionit të Ferrikut, ndërmjet dy jetimëve dhe dy prindërve të tij, në raportin 1/2 me 1/2. Vështirë të gjesh një makabritet që të ngjajë me këtë! Se si mund të prekej gjëja që u takonte bonjakëve kjo mbetet vetëm në logjikën e pjesëmarrësve në atë takim.
Mbasi e përcollën atë natë dimri të mbushur me diskutime të gjata e të "ashpra", të tre burrat nga Kalivaçi, të nesërmen, herët në mëngjes ngarkuan në kafshët me të cilat erdhën në Shkozë, atë "kaposh me plaçka"; morën Tanën dhe dy fëmijët e u drejtuan për te Lundra e Kalivaçit. Katjusha ecte në këmbë, me vështirësi, në atë udhë ku rrëpira poshtë udhës ishte e rrëshqitshme e njeriu, po të rrëshqiste mund të përfundonte në lumë. Prandaj, burrat, herë pas here e merrnin Tushin në krahë, ose e hipnin në kafshën më të sigurt e me më pak plaçka ngarkuar. Gjoni laktant ishte në gjumë e i mbështjellë me pelena. Atë e mbante në gjoks Tana. Në lundrën e Kalivaçit, për t’u ngjitur në platformën e saj (dyshemenë e saj prej dhoge), Tanën dhe fëmijët i ndihmoi lundërtari kalivaças Gani Muharrem Ramaj, i cili ishte i regjur në këtë punë e kishte përvojë të gjatë në menaxhimin e lundrës e të këtij lumi të egër.
Tana, e mori atë udhë, me zemër të thyer. Ajo, kur hipi mbi lundër nuk hodhi një gur pas, si shenjë e moskthimit, por i mbeti koka pas. E mira Tane, nuk mund t’i hiqte sytë nga stani i dhive i Idai Brahimit e vëllait të tij – Talos, nga ata shpate mali të pyllëzuar ku kishte kaluar një pjesë të jetës, i shtrenjti i saj, i paharruari Ferrik Idai Brahimaj. Ferriku, në atë vend, ishte rritur e ishte burrëruar; kishte hedhur shtat e ishte hijeshuar, por dhe mund të kishte marrë militencën, e cila e largoi nga jeta.
Në shtëpinë e prindërve të saj, në konakun e Mushos dhe të Refat Mahmutit, në Gjembin e Bilos, Tana u prit si Bijë e shpirtit kurse të dy bonjakët, u rrethuan nga një dashuri e pamatë, nga një kujdes i shtuar, i përzier me keqardhje. Ledhatimet ndaj tyre nuk kishin të sosur.
Pas shtimit me tre frymë (njerëz) hapësira në shtëpinë e Refatit u pakësua vërtet, por ajo u shoqërua me një kënaqësi të paparë. U shtua dashuria dhe ëmbëlsia. Gjyshe Mushua; Gjysh Refati; tezet dhe dajua ishin të malluar e mezi pritnin ardhjen e vajzës së Madhe – Tanës dhe dy vogëlushëve të saj bonjakë.
Ajo derë e madhe, e cila kishte pritur e kishte përcjellë dhjetëra njerëz; të moshave, sekseve e shkallëve të ndryshme të largësisë, i donte njerëzit dhe mezi priste të dëgjonte cicërimat e fëmijëve nëpër shtëpi. Ata që e shtuan vatrën, ishin nga gjaku i tyre dhe, kishin kaluar peripeci të parrëfyera. Historia e hidhur e tyre ishte e pakrahasueshme. Më e madhja humbje e tyre ishte largimi nga jeta i Babait, të mirit Ferrik Ibrahimi. Tushi, me fjalët gjysmake që kishte nisur të shqiptonte ngjante me një gjinkallë, kurse Gjoni i vogël, me klithmat e tij, ngjante me një bilbil. Të dy, i jepnin asaj ane, jo vetëm muzikalitet të padëgjuar por dhe një lumturi të patreguar.
Fillimisht në banesën e prindërve të Tanës, e më pas në shtëpinë e tyre, u rritën e u veselitën të dy fëmijët e Tanës: Tushi dhe Gjoni. Më duhet ta them, fort, po të mundja dhe të bërtisja, për atë rol e mund plot sakrifica të "heroinës" Tane, e cila kërkoi dhe bëri lloj-lloj punësh në kooperativën Bujqësore të Kalivaçit, duke shtrënguar rripin, vetëm e vetëm për të përmbushur amanetin që i kishte lënë i shoqi, për të mos e harruar e për të rritur dy fëmijë, të cilëve nuk duhet t’u mungonte asgjë. Në fakt, "heroina" jonë, Sulltana, e përballoi jetën me dinjitet e siç i erdhi. Fatkeqësinë e madhe që i ndodhi, ajo e shndërroi në një forcë e në përpjekje "titanike", duke e ndjerë thellë përgjegjësinë prindërore që kishte për të rritur fëmijët jetimë, të cilët ishin kujtimi më i mirë i atij çikë Burri. Tana lidhi në kokë shaminë e zezë e u bë shoqe me shamizezat e Kalivaçit, të cilat, për hir të së vërtetës nuk ishin të pakta.
Ajo e kishte përzgjedhur qëndrimin dhe rrugën që do të ndiqte. Modelin e mirë e kishte në familje e në fisin e saj. Hysnija e Musa Mehmetit, gjyshja e Tanës nga Nëna e kishte lidhur shaminë e zezë, qysh nga shtatori i vitit 1943, kur, në betejën e Drashovicës u vra duke qenë partizan, drita e syve të Saj, Sami Musa Nelaj i cili, përveçse ishte partizan trim, ishte dhe sekretar i Rinisë së Çetës Plakë të Vlorës dhe ndihmësmjek.
Ajo, qysh se erdhi nga Anadoli, me Mushon 2 vjeçe në krahë e me gjerdane floriri në gushë, kishte përcjellë hidhërime të rënda. Ato nuk e dobësuan por e bënë më të fortë Ninijen tonë kapedane e cila përftoi disa nuanca burri. Jo të një burri çapaçul por të një burri të mirë; me derte.
Në fisin Nelaj, në Ahmetaj e më gjerë, kudo ku ndihej ndikimi i saj, Ajo grua e fortë labe bënte komandë e ishte në krye të muhabetit e të sebepeve. Një takëm, kur e vështronin burrëreshën Hysnije të pinte duhan me çibuk e të rrokulliste aranxhatën me raki të fortë, me duçe e me shëndete dhe "përmbyste" e vinte përpara edhe disa burra që mbaheshin për esnafë. Hysnija e Hoxhatëve të Kolonjës së Gjirokastrës ishte gojëtare dhe me theks thumbues nuk e linte fjalën të binte në shesh. Atë grua nuk e zinte dot asnjëri, në fjalë. E tillë, burrëreshë ishte dhe Merjemja e Muharrem Hasanit, e cila, kur burri ra dëshmor në Hysoverdh kishte pesë fëmijë. I rriti me mundime e i veseliti, njërin më të mirë se tjetri dhe i bëri të ngjashëm me të ndjerin.
Shamizeza e të përkushtuara ishin dhe Zonja e Vogël e Binajve; Arzihana e Mino Jaces; Vezikua e Qazim Lazes; Nurija e Zoto Halilit e gra të tjera "heroina". Këto dhe gra të tjera, nga Kalivaçi u bënë shembull e burim frymëzimi për "heroinën" e këtij shkrimi e cila përmes privacioneve të shumta, me shpirt të paepur u përkushtua për mirërritjen e dy jetimëve, atje, në Grykën e Margellicit.
Tana punoi në Kooperativën Bujqësore të fshatit, në Brigadën e Parë të saj, e cila ishte brigadë arash. Në fushë, në punët më të rënda, ku shpërblimi ishte më i madh, tok me shoqet, me sedër të shtuar e me kurajo të rrallë, shpalosi karakterin e saj të qëndrueshëm, si vajzë Kalivaçi. Atë e shtynte përpara motivi i jetës dhe mirërritja e dy jetimëve, si dhe mbajtja e premtimit që i kishte bërë Ferrikut, se nuk do ta harronte kurrë. Sedra e saj e shëndoshë, nuk e lejonte Tanën të paraqitej si gjynahqare e si qaramane, por iu përvesh punës e të tjerët panë tek Ajo një deli vajzë e cila nuk ishte qibare por e thjeshtë dhe e vendosur në qëllimet e saj. Ishte çmësuar disi me punët e bujqësisë por nuk i kishte harruar tërësisht ato. Procesi më i rëndë, për Tanën ishte të menaxhonte stallën e lopëve.
Nuk bëhej fjalë për stalla të niveleve të larta por për stalla lopësh fshati pa ujë e pa konvejer. Ushqimi që vinte nga fusha u jepej kafshave, i pagrirë e i palarë, siç ishte në natyrë. Era e bajgave të lopëve kundërmonte dynjanë dhe stallieret e merrnin me vete në shtëpitë e tyre nëpërmjet opingave dhe rrobave që kishin veshur.
Dikush mendoi se kjo çupërlinë do ta kishte të "përpjetë" punën në bujqësi, por, shpejt u zhgënjye. Tana kishte me vete sedrën e vajzës nga Kalivaçi e nuk mund të dorëzohej përpara lodhjes dhe sakrificave. Ndoshta do ta kishte më të lehtë të qëndronte e mbyllur, mes të katër mureve e të kujdesej për fëmijët e saj. Por Tana gjykoi ndryshe: Kush do të punonte për të e për fëmijët e saj? Kështu më erdhi jeta, mendonte Ajo zonjë e Madhe, dënimin tim nuk është e udhës t’ua përcjell prindërve, vëllezërve e motrave. "Do t’i përvishem punës", gjykoi Tana, "e do t’ia dal mbanë; mbështetja nuk do të më mungojë", ishte gjykimi i saj dhe në fakt ia doli mbanë, si kapedane.
Në familjen e Refat Mahmutit, problemet e punës së rëndë i përballonte vetë burri i zgjuar e i shkathët; i përpjekuri Refat kurse punët e shtëpisë, brenda përbrenda i kryente dhe i menaxhonte kapedanja Musho, e cila ishte lindur në Anadol dhe erdhi në Kalivaç kur ishte 2 vjeçe; aq sa mbeti jetime Tushi.
Në dorën e Nënë Mushos dhe në kujdesin e familjarëve të saj, Tana dhe të dy bonjakët ishin më larg "gër-vërreve" të grarisë së familjes dhe, siç kanë thënë dikur në Kalivaç ushqimi që konsumonin shkonte në bark e u bëhej gjak e dhjamë e jo prapa kurrizit.
Pa e rënduar materialin e pa ju bezdisur; më duhet të vë në dukje një fakt domethënës. Kush do e kush mundet, le ta lexojë drejt atë. Në vitet për të cilat bëhet fjalë llogarinë e kooperativës bujqësore të fshatit e menaxhonte një goxha burrë; zotni, fisnik e me kokën plot; i shkathët e i gjendur.
Ai quhet Ferrik Azis Alidervishaj dhe ishte shok i ngushtë i Mehmet Musait (kryetar kooperative), vëllait të zonjës Musho. Tanës, në raporte pune, i rastiste shpesh të komunikonte me të. Tana nuk e kishte për zemër ballafaqimin me kryellogaritarin e kooperativës bujqësore të fshatit. A e dini përse? Ua them unë: Tanës nuk i vinte për mbarë, ta takonte vetëm e vetëm se Ai kishte emrin Ferrik, si ish-burri i saj i ndjerë.
Në rastet kur Ajo ishte e detyruar t’i përcillte kryellogaritarit ndonjë mesazh, u jepte porosi bashkëfshatarëve: "I thoni atij emërkeqit" për këtë apo për atë problem. Aq shumë e kishte dashur atë njeri, sa edhe emrin nuk mund t’ia zinte në gojë se e përshkonin mornica, në trup.
Sipas mendimit tim gjykuar dhe sipas mentalitetit të kohës kur ka ngjarë, them se ky ishte qëndrim i pjekur, i matur e i drejtë i sime mbese për të larguar sadopak atë nostalgji që e përvëlonte në gji e atë mall të pashuar, dashurinë dhe besnikërinë pa fund të Tanës për të ndjerin Ferrik Idai Brahimaj. Një piktor me art, po të orvatej të hidhte në telajo duke shprehur me forcën e ngjyrave dhe të dritehijeve dhimbjen e asaj gruaje labe, me siguri që do të realizonte një kryevepër.
Së bashku me dy bonjakët, Tana qëndroi në shtëpinë e prindërve të saj, në Gjembin e Bilos, plot 5 vjet. Fëmijët u mëkëmbën; Tushi nisi shkollën fillore të fshatit; Gjoni u ngrit në këmbë dhe çapitej, me vështirësi nëpër gurë e mes gjembave të "hidhur". Gjatë kësaj kohe, Tana, me të ardhurat që siguronte nga puna në kooperativën Bujqësore të fshatit dhe me atë pjesë të pensionit që merrte nga i ndjeri si dhe me ndihmën e pakursyer të prindërve të saj dhe gjithë dashamirësve zemërmirë, ngriti, "me thonj", një banesë me një kat, me mure guri gëlqeror të mbuluar me tjegulla të kuqe, pak në veri të kasolleve të Xhaxhait të saj Karafil Mahmutit, pranë arave të kushëririt të Nënës së saj, fisnikut Ali Pasho Nelaj.
Shtëpia e re, e ndërtuar me shumë sakrifica paskesh qenë e domosdoshme, për të mbledhur tok, të tre, siç mbledh klloçka zogjtë, në mënyrë që t’u kishte "duk" gjëja e tyre, ose, siç thoshte shpesh i ndjeri Karafil Mahmuti: "Maksulati" (kapitali) i tyre. Tana punonte e ropëtohej në kooperativën bujqësore të fshatit, ku vlera e ditës së punës ishte fare "mjerane". Me punën e saj dhe me gjysmën e pensionit të të ndjerit, u bë i mundur ndërtimi i shtëpisë dhe mbledhja e fëmijëve dhe e plaçkave të tyre. Dashamirët e familjes dhe ata që mëshironin rastin, dhanë një ndihmesë me vlerë, e cila, gjithsesi mbeti në kufijtë e simbolikes. Faktori i dorës së parë mbeti Tana dhe puna e saj si dhe kontributi i familjes së saj të origjinës.
Në verën e vitit 1971, Tushi, vajzë e zgjuar e me rendiment në mësime, përfundoi, me tregues mjaft të lartë cilësorë, klasën e tetë të Shkollës tetëvjeçare të fshatit Kalivaç të Tepelenës, e cila, mbante, mban sot e kësaj dite emrin: "Sami Musai" i cili ishte Dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar, nga fisi Nelaj; vëlla i Mushos. Si shoqet dhe shokët e saj adoleshentë, Tushi 15 vjeçe thurte ëndrra për ardhmërinë e saj. Në ëndrrat e saj vajzërore, dëshira për të vazhduar Shkollën e Mesme Profesionale në Durrës, e cila, asokohe përgatiste specialistë televizorësh, zinte vendin kryesor.
Në atë kohë, studimet në atë shkollë, mund të kryheshin vetëm me bursë shteti dhe me konvikt. Mirëpo në fshatin Kalivaç të Tepelenës, pavarësisht nga treguesit cilësorë në mësime, bursat i përftonin fëmijët që kishin mbështetjen e pushtetit vendor. Siç ka ndodhur rëndom, në atë kohë, nuk kujtohej njeri për bonjakët, ca më tepër që ata ishin me origjinë të dyfishtë. Bonjakja Katjushe edhe pse ishte më e përparuara në mësime e më e shquara ndër shoqet për sjellje, në shkollë e jashtë saj, për mungesë "krahësh", nuk përftoi bursë, në atë vit. E merrni me mend çfarë do të thoshte kjo, për një vajzë fshati, si Katjusha jonë? Atë e pritnin punët e rënda në kooperativën bujqësore të fshatit Kalivaç ose detyrat po aq të vështira të mirërritjes dhe edukimit të fëmijëve, kur të bëhej Nënë.
Nuk më pëlqen ta shtyj më tej "profecinë" time veç dua të them se atë që nuk e bëri njerëzia (lexo: pushteti vendor i fshatit Kalivaç të Tepelenës) e zgjidhën fati i saj dhe e drejta që kishte me vete. Më ka lënë shije të mirë një thënie e urtë e popullit tonë sipas të cilës: "Të mirën hidhe në fund të detit, se ajo, herët a vonë do të dalë në steret (në tokë)!" Këtë postulat e ka vërtetuar jeta; e kam parë dhe me sytë e mi.
Prindërit e Katjushës dhe të Gjonit ishin njerëz zemërbardhë e humanë. Ata, siç m’u gjendën mua në ditë të hallit; kur isha në një "det, pa përkrahje" i qenë ndodhur dhe një hallexhiu tjetër, në ditë të vështirë. Kam një kërkesë njerëzore: Ju lutem të mos mërziteni për ato që do t’ju rrëfej, për një ndodhi të viteve ’50 të një shekulli më parë. Dihet që në ato vite, i ndjeri Ferrik Brahimaj, ishte në shërbimin e nënoficerit të shërbimit aktiv, në Qendrën e Instruksionit të Kufirit, në Korçë. Në një fundviti, kur nga degët ushtarake të rretheve të caktuara, tërhiqeshin kontingjentet e rekrutëve, Ferrikun (ndjesë pastë) e dërguan në Tepelenë, për të shoqëruar rekrutët e këtij rrethi, të përcaktuar për në repartet e kufirit të rrethit të Korçës.
Si rregull, në çdo fundviti, në degën ushtarake të rrethit, mbasi kishin bërë përgatitjet në hallka të ndryshme të pushtetit vendor, paraqiteshin mjaft djem 19-vjeçarë si hallkë e fundit, e gjykimit, para se t’u nënshtroheshin kontrolleve që i përkisnin një rekruti. Ata ishin thirrur përpara komisionit të rekrutimit dhe, aty, në degën ushtarake i nënshtroheshin këqyrjeve ushtarako-mjekësore e më tej vendosej nëse ishin të aftë për të shkuar në repartet për ku ishin piketuar. Të shqetësuar për fatin e fëmijëve të tyre, rekrutët i shoqëronin mjaft familjarë, miq e të afërm të tyre. Ky "rit", i cili përsëritej çdo vit, u përsos me kalimin e viteve.
Atë fundviti, përpara Degës Ushtarake të rrethit të Tepelenës (zyrës së rekrutimit) ishin grumbulluar mjaft njerëz të moshave të ndryshme. Ngjante si ndonjë miting elektoral. Nuk ishin vetëm djemtë që do të shkonin në ushtri, por dhe shoqëruesit e tyre. Bënte ftohtë dhe era murrë (brizë e njohur), të thante fytyrën. Kush mund të strukej pas ndonjë muri ishte më i gëzuari. Një djalë thatim, i veshur keq e shëndetlig, dridhej, nga të ftohtit e atij Shënandreu, i cili, atë vit erdhi i prapë e u shfaq i egër.
Djaloshin në fjalë e shoqëronte Nëna. E kishte djalë të vetëm e donte të siguronte ndonjë përkrahje a ndonjë lehtësi. Dukeshin që ishin Nënë e Bir, jo vetëm nga ngjashmëria fizike, por dhe nga gjendja fizike dhe nga veshja që kishin. Edhe Nëna kishte ftohtë e dridhej, por, e mbështetur dhe e mbështjellë pas të birit, i krijohej ndjesia sikur po ngrohej. E gjora Nënë! Mërdhinte dyfish; prej atij dimri të acartë dhe me një gjendje psikologjike të rrënuar, mbasi po niste ushtar birin e vetëm të saj.
Po ndahej nga drita e syve, ndaj iu "copëtua" zemra e Nënës. Djali kandidat për ushtar mbante në dorë një torbë pëlhure të bardhë, të tripsur (të holluar) nga koha dhe nga përdorimi i gjatë. Brenda saj kishte diçka për të ngrënë. Nëna e dhembshur, kishte futur brenda asaj torbe të varfër, diçka që i biri, të "ngrohte" stomakun, derisa të niste ushqimi i tij nga kazani në repart. Ferrik Idai Brahimaj, ishte caktuar të shoqëronte rekrutët e piketuar për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në repartet e kufirit të Korçës. Bëhet fjalë për rekrutët nga Tepelena.
Duke i vrojtuar rekrutët me radhë, Ferrikut (ndjesë pastë), i tërhoqën vëmendjen djali që dridhej nga të ftohtit dhe Nëna që e shoqëronte. Te fisniku Ferrik u shfaqën me të gjithë forcën bujaria që kishte në gjen dhe fisnikëria, e cila nuk humbet por shfaqet në rastet kur paraqitet nevoja. Ai e shpërfaqi veten, siç ishte: fisnik e bir fisnikësh.
Ferriku, djalë në vakt, i shëndetshëm e vital, kur e pa këtë situatë zbërtheu kapotën e trashë, të leshtë e të ngrohtë që kish veshur dhe ia hodhi krahëve djalit imcak që dridhej nga të ftohtit. Mbasi mori kapotën e Ferrikut dhe "e hodhi krahëve", djaloshi që dridhej, u ngroh; më shumë u ngroh Ferriku (ndjesë pastë) kur vuri re se bamirësia e tij funksionoi. Nuk u ngrohën vetëm këta të dy. Shumë zagushi, në atë palcë dimri ndjeu e gjora Nënë, e cila mend fluturonte nga gëzimi, kur vuri re se i Biri "ra" në njerëz që dinin të bënin mirë. Mbasi uroi Ferrikun për bamirësinë, e gjora Nënë, tha me vete, por zërin e saj dhe fjalët që artikuloi i dëgjuan ata që ishin rreth saj. Ajo tha: "... Paska dhe njerëz të mirë në këtë botë...?"
Ferriku e pyeti djalin, të cilit i hodhi kapotën e tij – krahëve: "... Nga të kemi more djalë e bir i kujt je...?" Djali, si me drojë, e pa në sy Ferrikun e me një zë, i cili ngjante me një lutje e përgjërim u përgjigj: "... Jam nga fshati Dhemblan i rrethit të Tepelenës. Kam ardhur për të kryer detyrën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, në kufi; emrin e kam Muharrem Bushi!" Ferriku, për një çast mbajti frymën e ra në mendime. Kishte dëgjuar se dhemblanakët janë luftarakë dhe kanë histori trimërie.
Ai fshat rrëzë malit, e mbi gurë ka mbajtur peshë të rëndë trimërie dhe heroizmi, në çdo kohë. Madje, Ferrikut, aty për aty i erdhi ndër mend një këngë trimërie, tekstin e të cilës nuk e mbante mend mirë, megjithatë nisi të këndojë me zë të lehtë: "... Dhemblani, në rreze mali; nuk e shkeli dot Junani; Smail Kaso Kapedani; Hodhi zinxhirët nga mali...!" Këndonte i vetëm e me zë të lehtë, por kjo këngë, çuditërisht i shkoi "gjym".
Të nesërmen e asaj dite, Ferrik Brahimaj, në krye të një toge rekrutësh, rrugëtoi, me një kamion të mbuluar me mushama, thuajse gjithë ditën e ditës, nëpër atë udhë copë-copë, dhe në mukthit mbërriti në qytetin e Korçës. Dorëzoi rekrutët në Shkollën e Instruksionit nga ku kishte marrë detyrën dhe e mbajti vrapin te Tushi e te Tana. Ato mezi e pritnin të vinte Ferriku e Ai mezi kishte pritur t’i vështronte me sy dy dashuritë e Tij. Të dyja palët i kishte përvëluar malli. Ferriku u nda nga toga e ushtarëve që përcolli në Korçë, nga Tepelena, por emrin dhe fizionominë e rekrutit të kallkanosur, nuk e harroi. I mbeti mendja te rekruti që dridhej nga të ftohtit.
Bamirësia që bëri Ferriku nuk u ndal këtu; ajo vijoi gjatë. Kapter Ferrik Brahimaj, e mori dhemblanakun Muharrem Bushi, në repartin e kufirit ku Ai shërbente dhe u kujdes për veshjen, larjen, ushqimin dhe për sistemimin e ushtarit të ri, së bashku me të tjerët. Në Shkollën e Instruksionit dhe në repartin e kufirit ku u caktua, i përkrahur e nën kujdesin e Ferrikut, Muharremi u ndje mirë.
Ky ishte qëllimi i Ferrikut. Dalëngadalë, Muharremi jabanxhi në Korçë dhe larg familjes së tij, u miqësua me shokët e shërbimit dhe me familjen e Ferrik Brahimajt. Ai mësoi dhe shtëpinë ku banonte familja e Ferrikut dhe shkonte, kur kishte mundësi, si mik i asaj shtëpie. Shkonte pa teklif, mbasi e dinte që në atë familje bujare mikpritësish, do ta pritnin dhe do ta përcillnin, si mik shtëpie, me dashuri e me respekt. Tana e priste mikun që i solli burri në shtëpi, sikur ta kishte vëlla; si Yllin e saj, të cilin e kishte lënë në Kalivaçin e largët, dhe për të cilin e kishte pikur malli.
Pas plotësimit të kohës së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, djali nga Dhemblani vajti në fshatin e lindjes; në Dhemblan të Tepelenës. Por nderin që i bëri Ferriku dhe pritjen që i bënte Sulltana, në Korçë, nuk i harroi. Rrethanat e prunë që Muharrem Bushi të emërohej shef i Seksionit të Arsimit, në Komitetin Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Tepelenës. Një detyrë kjo tepër e rëndësishme e me peshë në marrjen e vendimeve. Kompetencat e Shefit të Seksionit të Arsimit të rrethit ishin të gjera.
Ndërkohë Ferrik Brahimaj ishte ndarë nga jeta kurse Ajo Sulltane aq e mirë e cila e kishte mbajtur si vëllanë e saj e i kishte dhënë bukë nga dora e saj rropatej në Kalivaç të Tepelenës, së bashku me dy fëmijët e saj: Katjushën dhe Gjonin. Ajo, vetë burrë e vetë grua, rropatej për të mirërritur fëmijët, për të mbajtur shtëpinë dhe veten e saj. Tashmë fëmijët ishin rritur e tok me këtë rritje, nuk kishin mbetur të pandryshuara kërkesat e tyre. Sikur të mos mjaftonin rropatjet e saj për mbijetesë, Ajo Grua, e cila meriton çdo nderim, duhet të përballonte dhe prapësitë e pushtetarëve të kohës, të cilët, pa e menduar situatën, thellë, ia lanë vajzën e vetme, pa të drejtë studimi ndonëse ishte në favor të saj, situata në shkollë.
Atë vit, në Tepelenë u zhvillua një seminar, me pjesëmarrje të gjerë kuadrosh të rrethit. Ishin të ftuar dhe disa kryetarë kooperativash bujqësore, nga ata me më intelekt, reputacion dhe integritet më të spikatur. Në atë seminar, ishte i ftuar dhe kryetari i kooperativës Bujqësore të Kalivaçit, trimi me fletë, njeriu i fjalës dhe i besës, i zgjuar e i shkathët sa s’ka më, njeriu i kompletuar me të gjitha tiparet e mira që mund të ketë një njeri; Mehmeti i Nelajve.
Ai ishte nga Nelajt, i biri i Hysnijes kapedane dhe i xha Musait. Mehmeti ishte vëlla, me nënë e me babë i Mushos së Refat Mahmutit, Nënës së Tanës, e cila nuk i kishte lënë gjë mangut Nënës së saj. Mehmetit nuk ia "jepte dora" të ndërhynte për të tijtë, ndonëse i kishte aftësitë dhe mundësitë si dhe kishte shoqëri të gjerë në rrethin e Tepelenës. Thonë se rastësia është mbret i botës.
Në rastin tonë, Mehmeti u ndodh pranë shefit të Seksionit të Arsimit të Rrethit të Tepelenës, dhemblanakut – Muharrem Bushi.
Siç ngjan rëndom në raste të tilla, të dy burrat, pyetën njëri-tjetrin: "Nga je ti e nga jam unë?" dhe u prezantuan. Më parë, ata të dy nuk e njihnin njëri-tjetrin edhe pse të dy kishin reputacion në rreth e më gjerë. Natyra e ndryshme e punës, nuk u kishte dhënë mundësi dy burrave të kishin kontakt e bashkëpunim. Një përshëndetje me dorë për njëri-tjetrin, e kishin, por; vetëm kaq. Mes tyre, u zhvillua ky dialog: Mehmeti: "Unë jam vëllai i Nënës së Tanës. Mushua Zonjë është motra ime, me nënë e me babë.
Vëllai im, më i madh, ka qenë partizan dhe është Dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar. Prej disa vitesh kryej detyrën e Kryetarit të Kooperativës Bujqësore të fshatit Kalivaç; njerëzit më duan e i dua."
Sa për bashkëshortin e ndjerë të Tanës, të mirin Ferrik Brahimaj, Muharremi foli gjatë. Ai solli ndërmend atë ditë kur në Degën Ushtarake të Tepelenës, dridhej nga të ftohtit dhe Ferriku i kishte hedhur krahëve kapotën e tij. Pastaj kujtoi kohën kur u lidh me Tanën dhe kur shkonte në familjen e tyre ku hynte e dilte si në shtëpinë e tij dhe kur Tana e trajtonte si vëlla. Kujtimet e kohës kur kryente Shërbimin e Detyrueshëm Ushtarak, në kufi, sikur e "shkundën" Muharremin e Ai kaloi në bisedë të zakonshme me bashkëbiseduesin e tij.
Kohët kishin ndryshuar vërtet por, i miri, të mirën nuk e harron. Kështu ngjau dhe me dhemblanakun Muharrem Bushi. Kur mësoi për "dredhinë" që i kishin bërë pushtetarët vendas Katjushës "brilante", Shefi i Seksionit të Arsimit të rrethit të Tepelenës, u revoltua shumë, tundi kokën e tha, nëpër dhëmbë: "Do të më vështrojnë e do të më njohin dallkaukët!" Në atë kohë, ishte në jetë fisniku Refat Mahmut Bilaj. Ai ishte "zot" i asaj shtëpie dhe bujar i pritjeve e përcjelljeve të miqve të shtëpisë.
Pas këtij takimi interesant, Muharrem Bushi, pa e lënë hekurin të ftohet, mori udhën, nga Tepelena për në Kalivaç. Ai e mbajti vrapin në Margellic dhe vajti drejt e në familjen e Refat Mahmutit, në vendin e quajtur Gjembi i Bilos. Muharremi trokiti te Refat Mahmuti, si mik e jo si shef i seksionit të arsimit të rrethit të Tepelenës. Refat Mahmuti, burrë i zgjuar e trim, dhe bujar, e priti Muharremin, jo si pushtetar i rangut të lartë në rreth, por si mik shtëpie, i besës. Refati i rezervoi mikut të largët gjithë nderimet që i takonin.
Sipas traditës zakonore të të dy fshatrave luftarake të njohura, Refati theri, për nder të mikut që vinte për herë të parë në shtëpinë e tij, një goxha dhi e u shtrua rakia me të gjitha çfarë duheshin në një sofër miku. U pi raki, me mirësi e me dolli, sipas traditës së të dy fshatrave. Mehmet Musa Nelaj (ndjesë pastë), si dajo i Tanës dhe kunat i Refat Mahmutit, ishte në krye të vatrës. Mehmeti, me mendje të kthjellët e me njohuri të sakta, me zërin e bilbilit e torri bisedën siç e donte puna dhe i dha tonin këngës labçe. Atë natë, gjëmoi Gryka e Margellicit nga kënga labçe e u tund vendi nga sokëllimat e njerëzve që këndonin të bërë çakërqejf. Nuk munguan as krismat e armëve.
Mehmeti, qejfli rakie, kur ngrohej nga pija alkoolike, nxirrte koburen që mbante në brez dhe dilte në dritaren e shtëpisë e qëllonte midis hekurave.
Muharrem Bushi nga Dhemblani i Tepelenës ishte fisnik nga rrënja. Ai nuk mund ta harronte bujarinë e shpirtit të Tanës dhe të Ferrikut dhe gjurmonte rastin për ta shpërblyer, të mirën me të mirë. Në vitin kur motra e tij – Tushi përfundoi shkollën tetëvjeçare të fshatit me rezultate të "shkëlqyera" dhe ishte "shpuzë" e vajzë "bravo", Gjoni ishte a nuk i kishte mbushur të trembëdhjetat. Disa pushtetarë vendorë, hileqarë te Zoti dhe tejet të padrejtë, e lanë vajzën pa bursë shteti, duke i prerë udhën e shpresës dhe mundësinë për të çarë në jetë. Gjoni, atëherë, ishte i mitur e disa gjëra nuk i kuptonte si duhet por motrën e vetme - Tushin, e donte shumë, e ishte i lidhur fort me të.
Ai donte ta vështronte mirë e më mirë motrën e vetme të tij. Tani që po rritej dita-ditës, e po zhvillohej vrullshëm Ai përherë e më mirë po i kuptonte e po i çmonte vlerat e së motrës gjë që ia shtoi dashurinë për të. Gjoni e vështronte motrën dhe si një kujtim të gjallë të Babait të tij të ndjerë.
Një ditë vere, Gjysh Refati e nisi Gjonin e parritur por të burrëruar para kohe për në Tepelenë, me misionin qëllimmirë të takonte Shefin e Seksionit të Arsimit të rrethit, dhemblanakun Muharrem Bushi, i cili tashmë ishte mik i vyer i familjes së Tij. Qëllimi i vetëm i dërgatës së Gjonit ishte t’i qante hallin Shefit të Arsimit të rrethit për fatin e Motrës së tij – Tushit, e cila kishte mbetur pa bursë shteti. Ishte koha kur përcaktoheshin të drejtat e studimit dhe në korridoret e Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Tepelenës kishte mjaft njerëz hallexhinj. Gjonit të vogël iu desh goxha mund e vështirësi, derisa mbërriti te dera e Shefit të Arsimit të rrethit. Gjoni i vogël ishte i mbushur plot me pakënaqësi e mllef, kundër pushtetarëve vendas, dhe të gjithë mllefin donte ta shfrynte atë ditë te shtetari, në mënyrë që edhe Ky, si mik shtëpie ta njihte të vërtetën. Gjoni, me vështirësi arriti te zyra e shtetarit dhe, mbasi u prezantua me të, "zbrazi thesin" e derteve dhe të pakënaqësive.
Muharrem Bushi ishte i njohur, në të gjithë rrethin si njeri i drejtë dhe i besës. Ai ishte parimor dhe mbante anën e së drejtës. Mbase rrjedha e jetës e kishte bërë të tillë. Ai burrë nuk dinte të bënte allishverishe e nuk i hynte njeriu në hak. Shefi i arsimit të rrethit e njohu Gjonin dhe e priti si mik.
Ai, ndonëse ishte mjaft i zënë me punë, e rrëmbeu kalivaçasin e parritur prej krahu dhe e shpuri në një ëmbëltore aty pranë ku e qerasi me çfarë të dëshironte djali. Kur dolën nga ëmbëltorja, Muharremi i futi në dorë Gjonit një zarf, të mbyllur e të vulosur dhe e porositi: "Ruaje fort këtë zarf dhe, kur të shkosh në Kalivaç do t’ia dorëzosh, në dorë burrit të mirë e të ndershëm, Selfo Ali Hysaj", i cili, asokohe kryente detyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit Kalivaç të Tepelenës. Selfua, si njeri i fisëm; i ndershëm e i paanshëm, kishte fituar statusin e "Babait të fshatit" sipas opinionit të vetë fshatarëve. Jo çdo njeri mund ta meritonte këtë status, i cili na dëshmonte për një njeri, i cili ngjante më tepër me një perëndi.
Në atë zarf fatlum, shënohej porosia: "Katjushës, vajzës së Sulltanës dhe të të ndjerit Ferrik Brahimaj, t’i akordohej bursë e plotë shteti me konvikt, në Shkollën Pedagogjike të qytetit të Fierit". Në atë letër, gjithashtu jepej dhe sqarimi se e drejta e studimit për Katjushën do të ishte për llogari të kontingjentit rezervë nga të drejtat e studimit të Seksionit të Arsimit të Rrethit të Tepelenës. Ky njoftim fatlum, shkaktoi një gëzim të paparë në familjen e Refat Mahmutit në Margellic të Kalivaçit të Tepelenës. Gëzonin të gjithë, të mëdhenj e të vegjël. Vetëm se secili e shprehte gëzimin në mënyrën e vet. Më të moshuarat ishin të kënaqura me sihariqin e mirë.
Ato lavdëronin Zotin e jetës që, më në fund kishte bërë "ferk" (lexo: kishte vendosur drejtësi). Nënë Hysnija; Nënë Mushua; Nënë Bedrija dhe të tjera të moshuara e shprehnin gëzimin nëpërmjet fjalëve: "Paska Zot e Ai është mbi të gjithë! Vajzën tonë e ka parë Perëndia dhe e ka parë padrejtësinë që iu bë, prandaj vuri dorë..." Ndonjë besimtar, drejtohej nga Kurora e Malit, mbi Kudhes e u lutej çirakëve që të vendosnin drejtësi për çdo gjë, në jetë. Bëhej fjalë për drejtësi hyjnore, mbasi asaj tokësore ia panë hairin. Lajmi i gëzueshëm u përhap shpejt e mori dhenë.
I madh e i vogël u gëzua, me shpirt për këtë dhuratë që erdhi papritur, si rrufeja në qiell të pastër.
Nga gëzimi që ndjenin, një i huaj bënte çudi me një nur të bukur që u kishte "hipur" në fytyrë, të gjithë njerëzve. Fëmijët, kuptohet, shkonin pas berihajt. Shoqet e Tushit gëzonin por gëzimi i tyre ishte disi i përmbajtur. Kishte motiv e justifikohej, deri diku qëndrimi i tyre.
Ato gëzonin që shoqja e tyre e mirë do të kishte një të ardhme të sigurt, por ishin të përmbajtura në gëzimin e tyre, mbasi mendonin se një shoqe e mirë, si Tushi, do të ikte nga gjiri i tyre, pra do t’u mungonte shoqeve. Nuk mund të përshkruhet gëzimi i Tanës. Ajo e dinte mirë se çfarë vajzë kishte rritur dhe edukuar, e vetme, e kishte të qartë se zgjuarsia natyrale e Tushit të saj, nuk do të shkonte dëm, por ruante, thellë në shpirt ndjesinë, se, si i thonë fjalës; e mira shpërblehet me mirësi dhe se qasja e saj në Korçë ndaj dhemblanakut, pa asnjë interes por si vëlla, nuk do të kalonte pa dhënë frytet e saj. Dhe erdhi dita kur miku i mirë, i cili nuk e kishte harruar mirësinë që mori kur kishte nevojë për të, do t’i gjendej Tanës dhe Tushit, kur ato e donin dhe e çmonin mirësinë e tij.
Refat Mahmuti, si burrë i zgjuar e fisnik, gëzonte, me shpirt e me zemër, por nuk e jepte veten në sytë e të tjerëve. Ai e kuptonte mirë se kjo mirësi që i erdhi kur kishte nevojë për të, ishte pjesë e bujarisë që kishte shpalosur ish-dhëndri i tij Ferrik Idai Brahimaj, në vitet e shërbimit në kufi dhe e mirësisë së shpirtit si det të Tanës së tij, e cila, kishte bërë një mirësi të painteres ndaj Muharremit syrgjyn. Muharremit i erdhi në dorë të bënte diçka për arsimimin e Tushit e ai nuk u kursye por bëri më të mirën e mundshme.
Nuk dinte si ta shfaqte gëzimin e saj të brendshëm, vogëlushja Katjushe. Ajo ruante një tjetër ëndërr, siç thonë "ëndërr në sirtar". Tushi synonte diçka tjetër, që e çonte në hullinë e diturisë. Do të ishte e lumturuar vogëlushja jonë, po të ishte e mundur që, Ajo, si me magji, të kishte mundësi të fshinte, siç fshihet shtëpia dhe avllia, me një fshesë mjegullën që kishte pështjellë njerëzinë e cila ishte e zhytur në padituri. Vajza e Tanës dhe e Ferrikut të ndjerë, ëndërronte që të gjithë njerëzit të dinin të shkruanin e të lexonin gjuhën e bukur Shqipe.
Gëzoi, pa masë dajo Ylli (ndjesë pastë) i cili, me këtë rast thuri dhe një këngë, të cilës ia mori vetë, me zërin e tij të bukur e melodioz. Gëzuan teze Tacja dhe teze Lutua. U gëzuan Kalivaçasit dhe Aligjonasit, gëzuan të gjithë ata që e dinin historinë e dhimbshme të dy bonjakëve të rritur pa baba. Katjusha, vajza "amanet" e të ndjerit Ferrik Brahimaj, do të bëhej arsimtare e do të mësonte fëmijët e shqiptarëve të dinin të shkruanin e të lexonin Gjuhën e bukur shqipe. E si të mos gëzonin njerëzit kur mësuan se do të vihej në vend një amanet e do të zhdukej nga faqja e dheut një prapësi, nga ato që dinin të bënin zemërzinjtë?
Një goxha burrë, i mençur e nga derë e madhe, fisnik nga rrënja, mësoi se vajza e Tanës së Refat Mahmutit do të shkonte në shkollën ku përgatiten mësues, në Fier, me bursë të plotë shteti, tek po dridhte një cigare me lëpushkë misri, i ulur te ledhi në Bishtje (emër are), qull në djersë nga puna e rëndë e bujkut që nget pendën e qeve për të mbjellë hasell. Ai u ngrit në këmbë menjëherë, u drejtua nga Kurora e Malit tek e cila besonte, u përkul me dorë në zemër e foli që ta dëgjonin kalimtarët: "Paska Perëndi e Ajo nuk harron!" Besoj se komentet janë të tepërta, vetëm se ai burri që iu drejtua shenjtorit nuk e dinte rrjedhën e gjërave. Si besimtar fanatik, ai ndjeu gëzim dhe atë e shfaqi në formën e tij.
Tushin e nisën, siç nisen nuset (pa fustan nusërie e pa vello) por me të gjitha gjërat që do t’i duheshin gjatë qëndrimit në Shkollën e Mesme Pedagogjike të Fierit, larg familjes së saj. Tana mend fluturonte nga gëzimi, por ishte dhe e dyzuar në mendjen e saj. Ajo trishtohej e shkrehej në vaj (natyrisht kur ndodhej e vetme) mbasi e mundonte ndjesia: si do të rrinte vetëm pa "dritën e saj të syve", pa "shoqen e saj të halleve" pa Tushin, me të cilën, qysh se Ajo ishte e vogël kishte qarë hallet e kishte ndarë si gëzimet dhe brengat. Por, përballë të ardhmes së së bijës, nostalgjia dhe trishtimi bëheshin zero dhe fitimtar dilte optimizmi. Prandaj, kur e përcolli Tushin, i uroi, me shpirt e me zemër: "Udhë të mbarë e dalsh faqebardhë!" Në të vërtetë, Tushi, në atë shkollë u poq e u rrit ca më tepër dhe vlerat njerëzore që i mëkuan Mamaja dhe Nënat e tjera zemërmira, i mbajti "vëth në vesh" dhe i zbardhi faqen vetes dhe atyre si në mësime dhe në qëndrime.
Mësueset dhe mësuesit që i jepnin mësim, shoqet dhe shokët e klasës e të shkollës, gjithë sa e njihnin atë deli vajzë vështronin si po rritej e si po hijeshohej, dita-ditës Tushi jonë si në mendje dhe në shtat. Tana gëzonte si fëmijë e mend fluturonte nga gëzimi për çdo njoftim që merrte dhe për atë që vështronte, te "ylli" i saj e cila po bëhej siç e kishte ëndërruar fatkeqja Tane.
Në rrjedhën e viteve të shkollës së mesme pedagogjike të Fierit, Katjusha u diplomua arsimtare, me rezultate mjaft të mira. Ajo e ushtroi mësuesinë dhe u mësoi fëmijëve, në disa rrethe të vendit, Gjuhën e bukur Shqipe dhe lëndë të tjera, të cilat u zgjeronin horizontin vocërrakëve. Kur arriti moshën e pjekurisë, bukuroshen tonë, e pikasi dhe e rrëmbeu një goxha djalë i edukuar e i kulturuar, oficeri me emrin Jorgo, nga Llijari i krahinës malore të Zagorisë së rrethit të Gjirokastrës.
Martesa e Katjushës me Jorgon u kurorëzua më 18 korrik të vitit 1976, në Kalivaç të Tepelenës, në shtëpinë e Refat Mahmutit, në Grykën e Margellicit. Dasma e Katjushës kishte simbolikë të veçantë; ajo nuk ngjante me të tjerat. Kalivaçasit kishin nisur mjaft vajza për në shtëpinë e burrit, por kjo dasmë ishte e veçantë dhe kishte një motiv gëzimi më tepër. Tana, e kishte Tushin "bukën e parë" dhe e donte shumë, jo vetëm si bijë të vetme, por dhe për motive që tashmë dihen. Tana shamizeze po nxirrte nga dera jo një bijë, të cilën e kishte rritur me halle e me dashuri Nënë e Babë dhe po i shkulej zemra.
Në njërën anë gëzonte se ia mbërriti kësaj dite, por dhe ishte e menduar dhe e ligështuar për "nxjerrjen" e saj nga shtëpia. Ajo, qau shumë atë ditë. Më shumë qau hallet e saj. Tana fatkeqe ishte në dyzim e në delir. Asaj i erdhi dita e bekuar kur do të bënte çift bijën e saj të shpirtit. Dasma ishte futur në hullinë e saj e njerëzit, të nxitur nga gëzimi e nga alkooli bënin qejfin e tyre.
Tana mendonte e ligështohej kur sillte si në një ekran kinemaje vuajtjet që kishte kaluar dhe sidomos i pikonte në zemër, kur mendonte: "Si do ta përjetonte këtë ditë i paharruari Ferrik Brahimaj, i cili e donte aq shumë Tushin dhe e kishte bërë 2 vjeçe me puthjet dhe përkëdhelitë e tij?"
Është i njohur mentaliteti kalivaças për të mbajtur të pastër racën e tyre njerëzore. Koha ka vërtetuar e vërteton edhe të kundërtën. Barrierat fetare dhe ngjyra e njerëzve, nuk janë bërë pengesë për të pasur kryqëzime të dobishme. Smail Breshani dhe Serjan Alikua, vite më parë thyen tabunë ekzistuese dhe sollën, për herë të parë në Kalivaç, dy nuse, për kokën e nuseve, pavarësisht se ishin të fesë ortodokse. Plaku i zgjuar i Hadere Abedin Kahremani kishte ndërtuar, në pronën e tij një haur të cilin ia kishte dhënë me qira ortodoksit Rako Meshinin nga Malëshova, i cili stacionoi në hauret e tij në Fierin e Metes, stanin e dhive, të cilat ushqeheshin në kullotën dimërore të fshatit.
Ai kishte prurë në fshat dhe prindërit e tij: Argjirin dhe Sotiren (Tilen), nga duart e të cilëve kam ngrënë bukë çerepi. Në dyqanin e poliçaniotëve Todi e Pilo, babë e bir, kalivaçasit qëndronin me orë të tëra, pinin kafe e luanin bixhos. Po Thanasi e Pecua, të cilët ishin bërë si të shtëpisë, mes kalivaçasve; etj. etj. Me këtë dua të them se bashkëjetesa mes feve të ndryshme3 ka funksionuar dhe në fshatin tim.
Në rastin tonë, Katjusha u lidh me një ortodoks, me oficerin Jorgo, një njeri për së mbari e në çift me Të u shtua me një vatër fëmijësh, të cilët as që duan të dinë për prejardhjen fetare të prindërve të tyre. Martesat e përziera, në opinionin tim janë më të shëndetshme, mbasi kemi të bëjmë me dy njerëz të lidhur me shpirt me njëri-tjetrin. Po të rrekesha të bëja një paralelizëm të rëndomtë, do t’ju sillja ndër mend se disa hapa larg shtëpisë së Tanës, Xha Karafili (ndjesë pastë), të cilit i zinte shumë dora kur shartonte një hardhi mbi një nënshartesë tjetër, ajo që përftohej ishte një hardhi me rrush më të mirë se i pari. Zagoritët, pavarësisht nga përkatësia fetare, janë njerëz me shpirt të mirë e të pastër, punëtorë, të kulturuar e të sjellshëm, por dhe Kalivaçasit e Tepelenës, pavarësisht nga ashpërsia në dukje e njerëzve, nuk mbeten prapa të parëve.
Pa e rënduar materialin dua të them se Babai im i ndjerë, Xhevit Malko Nelaj, i mbetur jetim që në barkun e Nënë Jeminesë, kur u bë rreth 10 vjeç, u pajtua hyzmeqar në Hoshtëvë, nga xhaxhai i tij – Nelo Binua. Xheviti u rrit nga kakot (gratë) e Hoshtëvës, të cilat e ushqenin, e lanin dhe e ndërronin dhe e strehonin bonjakun Xhevit. Babai im, çdo ditë grumbullonte bravarët e fshatit, i çonte në kullotë e i sillte në mbrëmje, në oborret e fshatarëve. Meqenëse ishte mjaft i urtë e i sjellshëm, fshatarët e Hoshtëvës, e quajtën Vito. Hoshtëva është fshat zagorit me shumë kisha. Duke rrëmuar historinë e Babait tim, ndesha në një këngë të lashtë, e cila na rrëfen bashkëjetesën fetare dhe shpirtin e mirë të zagoritëve.
Kënga e lashtë na thotë: "... Orë Duro Progonati; Vajte tek Kallo Qirjaqi; Ky Kalloi shumë i mirë; Të mbajti porsi fëmijë...!"
Pas një viti, Tushi u bë Nënë dhe tashmë e ndjente më mirë të mirën Tane. Sipas traditës, bija me pasardhësen (pasardhësin) që kishte prurë në jetë, vinte në të parë. Një thënie e Nënë Bedrise (ndjesë pastë), më emocionon edhe pas kaq vitesh. Nënë Bedrija, sapo vinte re që po i afrohej shtegut Tushi me fëmijë kopanec në krah, i bërtiste mbesës: "Tane moj, preja kokën pulës shpejt se po vjen Tushi me fëmijë kopanec!" Dhe Tana bënte siç e këshillonte Nënë Bedrija.
Me lidhjen martesore të Katjushës me Jorgon u konkretizua një lidhje e re, mes një gruaje dhe një burri të feve të ndryshme. Kjo ishte lidhje e gjetur e cila u pasua nga prurja në jetë e tre fëmijëve: dy vajzave dhe një djali; të mirë, si njëri-tjetri; të zgjuar e të mençur, si dy prindërit që i lindën e i rritën.
Familja Dado u ngul në qytetin e Vlorës ku jeton prej vitesh. Familja në fjalë shquhet për qëndrime dashamirëse dhe sjellje të kulturuar e të qytetëruar, e rrethuar nga një komunitet dashamirës ndaj tyre. Ajo që e veçon këtë familje është sjellja e mëndafshtë dhe dashuria e pamatë për njerëzit. Tushi dhe Jorgua kanë gjetur njëri-tjetrin; fëmijët e tyre u kanë ngjarë deri në thua.
Në sytë dhe nën kujdesin e të mirës Tane, u rrit e u veselit edhe Gjoni. Gjoni nuk e njohu babanë, i ndjeri Ferrik Brahimaj, e la Gjonin në muajin e nëntë të shtatzënisë së Tanës. Kur e ndjeu se mortja po i qasej, si njeri i zgjuar, Ferriku (ndjesë pastë) la amanet dhe emrin e të birit. Gjoni u rrit e u bë burrë, me tiparet dhe me shtatin e të Atit.
Ai i ngjan Babait, si dy pika uji. Gjoni u bë goxha djalë dhe në vitin 1983 u bë dhëndër. Ai u shpërngul në Levan të Fierit, për një jetë më të mirë dhe, pas një viti ngriti shtëpi të re. Katër vite më pas, në Levan, pranë të birit u shpërngul "heroina" jonë - Tana.
Ajo nuk mund të ndahej lehtë nga banesa që kishte ngritur, "me thonj", në Gjembin e Bilos, ku rriti dy fëmijët e saj të dashur dhe amanet nga bashkëshorti i ndjerë. Mbesa ime e mirë - Tana, mbeti e vetme në Kalivaç e nuk kishte me kë të mblidhej.
Tana e bukur, u plak e u rrëgjua, më tepër nga hallet që i ranë mbi kokë sesa nga mosha. Ajo nuk mund të qëndronte duke u gëzuar gëzimit të të tjerëve kur "dritën e syve" – Gjonin e kishte vetëm 50 km larg. Në jetën e asaj vajze "engjëll" ngjanë shumë tallaze të cilat e drobitën dhe e leqëndisën mbesën time të mirë, zemra e të cilës nuk duroi dot më tej e u fik.
Më 16 janar të vitit 1997, në mesditë, kur ora shënonte 12.00, papritur, thuajse si në një aksident, shamizeza që në rini Sulltane Refat Brahimaj u fik. Tana e shumëvuajtur priste të bijën e vetme, Katjushën, të vinte për ta parë Nënën hallemadhe.
Të paktën ta vështronte edhe një herë e të kujtonte hallet e rënda që kishin përcjellë Nënë e Bijë. Për fat të keq, Tushi nuk e pati të mundur të mbërrinte në kohë për ta gjetur Nënën e saj të mbushur me mllefe e brenga në jetë. Kur mbërriti Tushi në shtëpinë ku banonte Nëna e saj, Ajo ishte pa frymë. Janë të njohura ndjenjat e Bijës për Nënën, prandaj nuk e quaj të udhës ta rëndoj më tepër situatën që u krijua.
Tana, duke u larguar nga jeta, "i vajti pranë" njeriut që donte sa veten, Ferrikut të saj të dashur. Por, e mira Tane, nuk vajti, pranë Ferrikut "duarthatë" e pa plotësuar amanetet që i la Ai. Tashmë Katjusha ishte rritur e ishte maturuar dhe kishte formuar një familje të shëndoshë e të bekuar; Gjoni, mbante emrin që i kishte lënë amanet Ferriku - Tanës.
Ai ishte rritur si "lis" e kishte formuar familjen e tij të fismë, plot dashuri në mes. Tana, në gjendje të rënduar, duke pritur me padurim ardhjen e të Bijës, përjetoi një ndjenjë ankthi e vilanie; shtëpia i erdhi rrotull e i humbi ndjenjat. Ishte tepër e zgjuar Tana dhe kishte ndjeshmëri të pazakontë.
Ajo grua me përvojë jete të hidhur e fare pak të lumtur, e parandjeu të keqen e madhe që po i vinte dhe e priti atë qetë-qetë. Fati e deshi të pushonin së rrahuri, lëkundjet e zemrës së saj të sfilitur e Ajo u shua. Të alivanosur e në grahmat e fundit e gjeti gjyshen nga Babai, vajza katërvjeçare e Gjonit - Bertiana. Tana kishte rënë përmbys, me sytë të hapur e të zgurdulluar, sikur të priste dikë e të merrte ndihmën e nevojshme. Nga goja, Tana kishte nxjerrë një bulci të vjellash. Mbesa e vogël e gjeti në atë gjendje alivanie por nuk mund ta kuptonte se Gjyshja, e dashur e saj kishte ndërruar jetë.
Bertina nuk dinte si të sillej e çfarë të bënte. E vetmja armë e saj ishte të qante me dënesë, në mënyrë që familjarët e saj t’i vinin pranë. Erdhi mjeku specialist, i cili, pas këqyrjeve arriti në përfundimin se e ndjera kishte pësuar dy herë radhazi arrest kardiak. Zemra e drobitur nuk i kishte rezistuar dot goditjes së fortë. Përcjellja për në banesën e fundit e të mirës Tane u bë të nesërmen, në varrezat publike të Levanit të Fierit, nga një lumë njerëzish. Kalivaçasit e shumtë që morën pjesë në këtë ceremoni mortore bënin beli, nga veshja e nga qëndrimi.
Një grumbull njerëzish e rrethuan atë vend të "shenjtë", i cili u përzgjodh të ishte më i ngritur e me orientim nga shtëpia e të Birit - Gjonit amanet. Orientimi nga shtëpia e Gjonit, ngjante sikur, e ndjera Tane, aq e dhembshur dhe e dashur, siç ishte, i drejtohej Ferrikut të ndjerë dhe të gjallëve me fjalët: " … Edhe në botën tjetër, do të bëj kujdes për Gjonin, shpirtin tim dhe tri vajzat e tij...!" U kërkoj ndjesë: Katjushës; Gjonit dhe gjithë atyre që ndihen të keqardhur nga kjo skenë horror që përshkrova por, kërkoj mirëkuptimin e tyre duke theksuar se shkrimi duhet të jetë i vërtetë dhe të vërtetën ta pasqyrojë me vërtetësi siç ka ngjarë!
Për një kohë të gjatë dhe për shkaqe që nuk vareshin nga unë, kam qenë i larguar nga Kalivaçi dhe nuk kam pasur mundësi të ndiqja dinamikën e jetës së Tanës dhe të dy fëmijëve të saj; Katjushës dhe Gjonit. Ata të dy u rritën e u veselitën në Gjembin e Bilos nën kujdesin e fatkeqes Tane. Në një ditë qershori të vitit 2013 kur kthehesha nga Krahësi i Tepelenës, ku kisha takuar e isha çmallur me motrën time të vetme - Lumturinë dhe me fëmijët e saj, mora udhën për t’u kthyer në Tiranë. Rrugëtoja me djalin e motrës sime, me Astritin. Ndalova në Levan të Fierit, jo pa qëllim. E kisha telefonuar Gjonin e Ai ishte i përgatitur të më priste. Qëllimi im ishte të takoja e të njihja Gjonin dhe t’i bëja një vizitë kortezie, vendit të "shenjtë" ku prehet mbesa ime, e ndjera Tane.
Ndalova në Levan dhe puna e parë që bëra; kërkova e gjeta një dyqan ku shiten lule. Bleva 2 tufa me lule të bardha; njërën për Tanën dhe tjetrën për Ferrikun. Meqenëse varrin e Ferrikut nuk e dija, vendosa t’i çoj të dyja tufat me lule, në varrin e Tanës.
Kur isha duke pritur Gjonin, aty pranë kaloi një grua me moshë mbi mesataren, e veshur në të zeza. Gruaja labe, pa më njohur, u afrua e më tha: " … Është e para herë në jetë që po vështroj një burrë lab, me lule në duar!" (Në Levan të Fierit, banojnë kryesisht të ardhur nga Labëria). Pa u menduar, iu përgjigja gruas së panjohur: "Vështromë mua; unë burrë jam dhe lab…!" E mori përgjigjen gruaja e panjohur e u largua.
Gjonin e njoha e më njohu, menjëherë. Që në këtë takim më la mbresë se është djalë fisnik dhe ngjan nga prindërit e tij. Së bashku me Gjonin dhe me dhëndrin e tij shkuam në varrezat publike, ku prehet Tana. Varri ishte përgatitur dhe vendi përqark tij ishte i pastër e bari rreth tij ishte i kositur. Me kamerën digjitale që mbaja të varur në qafë, filmova, thashë disa fjalë zemre, siç më erdhën, vendosa dy tufat me lule të bardha, si shenjë mirënjohjeje dhe përjetësie, pimë kafe e vajtëm në Fier ku më priste djali i motrës. Mbeta pa mend, kur Gjoni më dhuroi një qese ku kishte vendosur dy shishe; njërën me vaj ulliri e tjetrën me raki të bërë vetë.
U ndava me miqtë e mi e u ktheva në Tiranë, duke marrë me vete një barrë me kujtime, mirësinë e Gjonit dhe të njerëzve të tij, dhe një kënaqësi të rrallë. Kisha takuar djalin e Tanës dhe të Ferrikut, të cilët i kam njohur dhe ruaj kujtime të pashlyera prej tyre. Gjatë kafes, Gjoni më bëri me dije se varrin e Babait të tij, në varrezat publike të fshatit Shkozë të rrethit të Vlorës, e ka punuar në mermer.
Ky fakt më lumturoi, më shumë se çdo gjë tjetër e asaj dite të bekuar. U befasova e u mrekullova por dhe u trondita shumë, kur, një ditë, në Facebook pashë "vendin e shenjtë" ku prehet i ndjeri Ferrik Idai Brahimaj, me të dhëna identiteti të plota dhe me një fotografi, ku kishte dalë në të ritë e tij. Varrin e gjyshit e kishte filmuar dhe e ka postuar Renata, vajza e Gjonit, gjatë një vajtjeje për pelegrinazh në Kurorën e Malit. Mendova: "Ç’të jetë kjo mrekulli? Patjetër që duhet të jetë bekim, për vajzën, së cilës i uroj të dalë shëndoshë e mirë, nga shtatzënia dhe të na dhurojë një djalë, për kënaqësinë e prindërve të saj, të ‘mëndafshtë’!"
Histori të trishta si kjo që tentova t’ju rrëfej, në këtë shkrim, në këtë botë të trazuar ka e do të ketë pambarim. U përpoqa të kujtoj njërën prej atyre historive, të cilën e kam përjetuar, para shumë viteve por nuk mund ta harroj. Vitet që kanë rrjedhur dhe transformimet që kanë ngjarë nuk kanë mundur të tretin nderimin dhe mirënjohjen time për ata njerëz "engjëj" dhe për lidhjen e tyre të pastër, e cila, për fat të keq, nuk arriti të përfundonte siç u nis.
Ky shkrim, sidoqë është, mbase është një kontribut modest, për t’i kujtuar e për t’i përjetësuar ata dy njerëz, të cilët më ngjajnë si "hyjnorë" e jo si tokësorë. Një merak e kam e shpresoj ta plotësoj në të ardhmen. Kohët e fundit, pata rastin të bëja një vizitë në qytetin e Vlorës, ku banon Tushi me të sajet.
Për fatin tim të keq, ishte i pamundur takimi me atë vajzë, të cilën nuk e kam parë prej gati 65 vitesh.
Lutem, me shpirt e me zemër që kujtimi i dy idhujve të mi: Sulltanës dhe Ferrikut, të mbretërojë përjetë dhe t’u kenë lënë jetën fëmijëve të tyre.
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, kalivaças autokton, në Tiranë, më 31 janar 2023
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.