Në mes të korrikut të vitit 1959, kur vapa përvëlonte kudo, isha diplomuar “shkëlqyeshëm” në specialitetin e frutikulturës e isha maturuar në Teknikumin Bujqësor “Irakli Terova” të Korçës. Në të njëjtën kohë, djali i Velidesë dhe i Qani Shabanit, Astriti, mbante në dorë dëftesën e klasës së parë me të gjitha pesa kurse në dorën tjetër tundte një fletënderi. Dajo e nip, kishim çfarë t'u rrëfenim tanëve në fshat.
Të dy, akoma të parritur ndërmorëm një aventurë e cila mund të na kushtonte shtrenjtë. U nisëm për një rrugëtim të gjatë, të pashoqëruar, nga qyteti i Korçës në fshatin e largët të Kalivaçit të Tepelenës. Shkoja pranë prindërve e Astriti tek dajot.
Atë e priste Gjyshe Hysnija, Dajo Mehmeti dhe e shoqja fisnike, Minajetja. Astritit i shërbente si një rast i bekuar për të takuar e për t'u shmallur, me vëllanë nga Nëna- Remzinë.
Më kishte pikur malli jo vetëm për njerëzit por dhe për gurët e drurët e fshatit tim. Me padurim prisja të takoja Nënën hallemadhe; Babanë shtegtar, Vëllanë e vetëm- Dilaverin dhe shtëpinë me çati të rrëzuar, kasollen e bagëtive të imëta, shtëpinë e Sheros ku banonim aso kohë, të cilën na e kishte ofruar xhako Rremja, pa pagesë. Mendoja të takoja dhe gomarin trupngjeshur dhe qenin Buzo. Kisha shumë mall, për Zonjën e Vogël të Binajve dhe djemtë e saj; Reshatin dhe Nelon me të cilët ishim rritur si vëllezër.
Tek autobusi që shkonte në Vlorë, na përcollën: Dedeja; Qaniu; Zonja e Qamilit dhe vetë Qamil Pashua, kushëri imi. Ishim të parritur por mallin e kishim të madh. Isha i regjur me qëndrimin larg shtëpisë, nëpër konvikte, kurse nipi që më shoqëronte në këtë rrugëtim, “shkëputej” për herë të parë nga familja biologjike... vijon...
...Vijon rrëfimi... Interesante ishin bagazhet tona. Tek zdrukthëtari nga Punëmira, me banim në qytetin e Korçës, kisha bërë një valixhe prej kompensate, siç ishte e kohës, për mua fukaranë. Vite më pas, me njërin nga djemtë e xha Mandit, me Rolandin u bëra shok e më tej koleg pune.
Po çfarë kisha futur në atë valixhe, mund t'ju shtyjë kureshtja. Isha sportdashës dhe ruaja, me fanatizëm gjithë gazetat sportive. Letra peshon e mezi e luaja nga vendi atë “pasuri” që e ruaja me fanatizëm. Rastisa dhe në një revistë që i bënte jehonë ndeshjes midis Hungarisë dhe Anglisë, në stadiumin “Uembli” e cila u cilësua si ndeshja e shekullit, në të cilën ekipi hungarez me Pushkashin, Hidegkutin etj. fitoi me vendasit 6 me 3.
Velideja, si nënë e dhembshur, kishte futur në një çantë të bardhë pëlhure, ndërresat e të dyve dhe disa sende ushqimore që t’i konsumonim rrugës. Rrugëtimi, me të vetmin autobus të linjës Korçë - Vlorë, na priu e u kënaqëm me ato që pamë duke kaluar nga treva në trevë e nga njëri qytet në tjetrin. Pamë e ç’nuk pamë (kallamishtat e grunoreve; misrin që po piqej, pemët e ngarkuara me fruta etj). Kishim kuriozitetin e fëmijës dhe të rrugëtimit të parë.
Në mukthit (kur po errësohej) mbërritëm në Vlorë. Në qendër të qytetit, atje ku u boshatis autobusi, me të pyetur gjetëm hotelin më të afërt i cili quhej: “Sazani”. Ngamë këmbët e hymë në hollin e katit përdhes.
Në një kthinë qëndronte sportelisti; një mesoburrë, i cili, me ton vlonjati e si me dyshim, na pyeti: “Po ju çamarrokë, çfarë kërkoni”? “Duam një dhomë ku të përcjellim natën, u përgjigjëm ne disi të ndrojtur”.
Burri vijoi të pyeste: “E doni për vete dhomën apo për të tjerë”? “Do të flemë ne – thamë njëzëri ne”!
Na priu e na tha se “Kjo është e vetmja dhomë që ka mbetur në këtë hotel” dhe na bëri me dije çmimin për një njeri.
Pranuam kushtet e u sistemuam. Kushtet e dhomës ishin mjerane, por ne ishim të kapitur nga udha e mezi pritnim të shtriheshim. Paguam; burri zbriti, i kënaqur dhe ne, sapo vumë kokën në jastëk, na kapiti gjumi.
Nuk më kujtohet sa kohë fjetëm por kujtoj se na zgjuan pickimet e mushkonjave. U ngritëm, morëm bagazhin e zbritëm shkallët.
Ku vini mor djem, tha sportelisti? Aha xhaxha, i thamë, na shqyen mushkonjat e nuk i durojmë dot, do të dalim në rrugë. Dhe dolëm tek vendi i quajtur: “Xhamia e Tabakëve” atje ku në të gdhirë niseshin makinat e qymyrit për në Memaliaj, nga udha e malit... vijon e mbaron...
... vijon... U shtrimë, pranë njëri-tjetrit, nën qiellin e hapët, në trotuar. Kisha merak valixhen me gazeta, të cilën e futa midis këmbëve. Trastën me rroba e me ushqime e vumë si jastëk. U shtrënguam pas njëri-tjetrit, derisa u dëgjua utërima e makinave të para.
Shoferi i parë që i nxorëm dorën na mori. Mbasi u sistemuam pranë tij, po na vështronte me dyshim. Siç duket, ai kishte merak nëse do ta paguanim. Na pyeti, ku do të zbritni e na bëri “pazarin”. I dhamë aq sa kërkoi.
Zbritëm në Mazhar. Ishte “pisku” i vapës. Na u tha buza për ujë. Mezi i tërhiqnim bagazhet. Fajësonim njëri-tjetrin.
Në lundrën e Kalivaçit, të cilën, në atë kohë e menaxhonte lundërtari i regjur Gani Muharrem Ramaj, gjetëm përkrahje. Pimë ujë tek Burimi i Madh, u freskuam e morëm udhën për në shtëpitë përkatëse. Nuk kishim asnjë mundësi të njoftonim mbërritjen shëndoshë e mirë, në Kalivaç. Aventura vazhdoi më tej, për të dy.

Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.