Pjesa e dytë

Në vitet ’60-të; e ’70-të; e në ato ’80-të ishte mjaft e vështirë të vendoseshin në Kryeqytet të ardhurit nga vise të ndryshme të vendit. Rregullat e kohës kërkonin përthithjen në metropol të njerëzve të shkolluar dhe ishte "tabu" ardhja në Tiranë e atyre që ishin anëtarë të kooperativave bujqësore, me moshë të re dhe në gjendje fizike të mirë. Kjo kategori njerëzish, në veçanti kur ishin dhe në moshë vitale, ishte mosha më e përshtatshme për të punuar në procese pune të ndryshme në fshat, ku lipsej më tepër forcë krahu. Vërtet Tirana hapte shumë perspektiva, për punë e për shkollim por Dilaveri ynë, ndonëse siguroi shpërnguljen nga kooperativa bujqësore e fshatit, pas shumë peripecirave dhe e mbante atë në vend të sigurt, në gji, sikur të kishte Biblën apo një hajmali, në një ditë të bukur mori udhën e erdhi në Tiranë. Fillimisht u vendos për të banuar në shtëpinë time, në rrugën: "Ylbere Bylykbashi", pranë Rajonit të Policisë tek "21 dhjetori"; në një banesë të ngritur me punë vullnetare, në katin e dytë të saj, në një apartament 1 dhomë e 1 kuzhinë, me përmasa të vogla. Shtëpia ishte e vëllait të tij Niaziut, i cili, aso kohë kishte 2 djem të mitur.

Vështirësi të shumta i dolën përpara djalit të zgjuar, të shkathët e të shëndetshëm të Xhaxhakos - Dilaverit. Nëse vështirësitë që i dolën përpara, Dilaveri i kapërceu me sukses, merita i përket Atij e vetëm Atij, si tip i veçantë dhe fatit, i cili iu gjend pranë në ato ditë të vështira. Vërtet disa faktorë të tjerë ishin në favor të tij, por kryesorja ishte vetë Dilaveri, me tiparet e tij të rralla. Për një djalë të moshës së Dilaverit që donte të vinte në metropol, nga trevat e Jugut, por jo vetëm, në ato vite, përveç pengesave të njohura, mund të shtoj dhe faktin shumë domethënës se mjedisi, mentaliteti, psikologjia, mënyra e jetesës dhe komunikimi me vendasit autoktonë ishin disi të vështirë. Kësisoj, Dilaverit i duhej të çante, me guxim e me vendosmëri, por dhe me zotësi, për t’u futur në botën e tyre të pasur, por të vështirë. Tiranasit, në kohë të ndryshme, u kanë hapur dyert dhe kanë pranuar, me bujari të ardhurit, por këta të fundit duhet të përshtateshin e të mos kapërcenin caqet e jetesës së vendasve bujarë.

Ata të ardhur që ishin vendosur në Tiranë, si në vitet e para të pasçlirimit të vendit e më pas, kishin sjellë me vete lloj-lloj mentalitetesh e psikologjish, madje dhe dialekte gjuhësore shpesh të pakuptueshme për vendasit, por ata ishin përshtatur tashmë. Në vitet kur Dilaveri bënte përpjekje për të lëvizur nga Kalivaçi e për t’u qasur në kryeqytet, kushtet ishin të tjera dhe kërkohej shkollim ose profesion i rrallë apo cilësi të veçanta. Të ardhurit në Metropol deri atëherë, ishin nëpunës të emëruar nga pjesëmarrësit në Luftën Nacional – Çlirimtare ose ishin të shkolluar, brenda e jashtë vendit dhe ishin në ato profesione, për të cilat vendi kishte uri. Këta faktorë, vëllai im nuk i dispononte por "armët" me të cilat do të luftonte ishin: Mosha e re; fiziku i zhvilluar e i fortë; zgjuarsia; shkathtësia; trimëria; geni i zhvillimit dhe dëshira e zjarrtë e Tij për t’u ngjitur.

Dilaveri kapi hallkën më të rëndësishme dhe ia nisi nga shkollimi. Shkollimin, Ai e çmoi si "bazë të nisjes" për më tej. Menjëherë u regjistrua në vitin e parë të Teknikumit Ekonomik. Ai ishte i ndërgjegjshëm se kjo shkollë do të paraqiste mjaft vështirësi për Të. Jo vetëm se shkollën e fshatit e kishte bërë sa për ta bërë dhe se prej saj nuk kishte përftuar elementet formues të domosdoshëm për të ndjekur një shkollë të mesme, të vështirë, siç ishte Teknikumi Ekonomik por dhe për faktin se shkolla në fjalë ishte cilësore dhe se atje, kërkesa e llogarisë nga mësuesit ishte e dukshme. Mosha e rritur dhe boshllëqet e shkollës së fshatit bënin që Dilaveri, në çështjen e arsimimit të tij të ndihej disi i vonuar.

Pengesë serioze ishte mungesa e pasaportizimit. Zonja e Madhe dhe Xheviti, ishin të pasaportizuar në qytetin e Tiranës, në shtëpinë time. Në një rast fatlum, ish-kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës – N. I, në një festë lokale, kishte qenë në Kalivaç ku kishte mbetur i kënaqur, dhe kur i paraqitën kërkesën e dy prindërve tanë për t’i pasaportizuar në kryeqytet, sapo pa se ata ishin nga Kalivaçi i Tepelenës, firmosi menjëherë. Pasaportizimi i Dilaverit në Tiranë, në atë kohë, ishte, thuajse i pamundur. Shtegu i vetëm i hapët nga ku mund të depërtohej në këtë çështje ishte veshja e tij ushtarak (nënoficer). Dilaveri, kish shërbyer në kufi dhe ishte kuadër rezervë i Ministrisë së Brendshme e cila, në atë kohë drejtonte dhe shërbimin e kufirit shtetëror.

Duke shfrytëzuar një koniunkturë të favorshme (njohje), zhvillova një takim interesant, në Klubin e Ministrisë së Brendshme. Miku dhe komandanti im i paharruar, piloti i Klasit të Parë – Lulo Musai (Spahaj) ndjesë pastë; kishte njohje të afërt dhe lidhje të ngushtë shoqërore me Drejtorin e Kufirit, të Ministrisë së Punëve të Brendshme - Feti Smokthinen (ndjesë pastë). Ata, përveç se ishin nga i njëjti fshat, nga Smokthina e rrethit të Vlorës, kishin luftuar së bashku, në formacionet partizane të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe e kishin ruajtur shoqërinë e dikurshme. Menduam, të dy, se, meqenëse Dilaveri, si kufitar i shquar e me përvojë, i njohur për aftësitë që kish shpalosur gjatë kohës kur shërbente në kufi, në rrethin e Korçës, mbase do të çante e do të vishej nënoficer i kufirit.

Mirëpo në Tiranë ishte vetëm Ministria e Brendshme, e cila kishte në vartësi vetëm Drejtorinë e Kufirit; repartet e këtij shërbimi delikat ishin në Kufirin shtetëror. Them se takimi ishte tepër interesant, mbasi Luloja bisedoi me Fetine, si miq të lashtë e njerëz me reputacion në sektorët përkatës. Në një çast, Luloja iu drejtua bashkëbiseduesit me frymë mirëkuptimi dhe në intimitet, i tha shtetarit që kishte përballë, në tavolinë: "O Feti! A i vështron këta të rinjtë Ti? – dhe e drejtoi gishtin nga unë. Këta do t’i marrin në dorë punët; ne atëherë do të jemi plakur e tek këta do të përplasemi..."! I humbëm shpresat për të "çarë" në drejtim të kufirit, prandaj kërkuam në të tjera drejtime.

Të ardhurve rishtaz nga zonat rurale, në Tiranë, në atë kohë u ofroheshin punë të rënda e të rëndomta të cilat, vendasit dhe të ardhurit e shkolluar nuk i preferonin. Ndërmarrja Bujqësore "Gjergj Dimitrov" e profilizuar për kultivimin e vreshtave dhe të pemëve frutore, kishte nevoja të shumta për punëtorë krahu. Proceset e punës në fermë ishin të përafërta me ato që kryheshin në kooperativën bujqësore. Vetëm se shpërblimi, për punën e bërë, në fermë kryhej në çdo 15 ditë dhe jo me ditë pune si në kooperativën bujqësore ku llogaritja bëhej me "pikë" dhe shpërblimi jepej në çdo fundviti, në të holla ose në natyrë. Megjithatë, edhe në fermë punohej me orë të zgjatura dhe Dilaverit i mbetej pak kohë në dispozicion për të ndjekur shkollën dhe për punët e tjera që duhet të kryente. Ishte vullneti i tij i çeliktë dhe dëshira e tij e zjarrtë për të ecur përpara ato që mundësonin angazhimin e tij për t’u marrë me punë të tjera.

Dilaveri punoi në Ndërmarrjen Bujqësore "Gjergj Dimitrov" 12 muaj. Pas punës në fermë, atij iu desh të provonte një përvojë tjetër, sigurisht në punë të rëndë, siç ishte ajo e punëtorit të ndërtimit. Ai u pranua si punëtor krahu, në Ndërmarrjen e Ndërtimeve Ushtarake, e cila, në atë kohë operonte në qytetin e Tiranës. Edhe në këtë ndërmarrje, proceset e punës ishin të rënda dhe paga, për punën ishte relativisht e ulët. Në ndërmarrjen e ndërtimeve Ushtarake, në Tiranë, Dilaveri punoi plot 3 vjet. Me pagën që merrte, Ai mbijetoi dhe e vazhdoi, ndonëse me vështirësi shkollën e mesme ekonomike. Duke punuar pranë ndërmarrjeve ushtarake, synimi i vëllait ishte "të merrte erë ushtrie" dhe priste rastin fatlum për t’u hedhur si pjesëtar i forcave të armatosura.

Rasti erdhi dhe Dilaveri parashtroi kërkesën për t’u bërë pjesëtar aktiv i Ushtrisë Popullore, në detyrën e kujdestarit të baterisë kundërajrore, me gradën e kapterit. Ai u "vesh" kapter dhe shërbeu në detyrën e kujdestarit të baterisë kundërajrore, në Bregun e Lumit dhe tek Depua e Ujit, të Tiranës. Në detyrën e kujdestarit të baterisë Kundërajrore 57 mm, Dilaveri shërbeu plot 4 vjet. Fillimisht Ai banoi në shtëpinë time, prej një dhome e një kuzhine, në rrugën "Ylbere Bylykbashi" pranë zonës së 21 dhjetorit. Flinte në kuzhinë por shpejt të zonjës së shtëpisë, ishit tim, iu krijua bezdi dhe Dilaveri, i cili e nuhati situatën, me zgjuarsi e intuitë, e shpërnguli selinë tek familja e djalit tonë të tezes - Muhamet Beqiraj, i cili, aso kohë shërbente në Ministrinë e Brendshme dhe familja e tij (Drita bashkëshorte dhe dy vajzat: Natasha dhe Klarita si dhe i biri - Kastrioti), e pranuan kushërinë e Muhametit bujarisht dhe, për hir të së vërtetës e trajtuan mirë.

Nuk ishte e lehtë futja në radhët e ushtrisë, në Mbrojtjen Kundërajrore të Shtetit Shqiptar, në detyrën e nënoficerit aktiv, me detyrë kujdestar baterie. U deshën ndërhyrje dhe interesime të fuqishme për ta realizuar këtë. Meqenëse reparti ku shërbeja - Skuadrilja e Transportit, bënte pjesë në sistemin e Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit dhe unë isha Shef i shtabit të saj, më dhanë mundësi të lidhesha e të njihja disa nga drejtuesit e Repartit 3700, ku bënte pjesë Grupi Kundërajror ku do të sistemohej Dilaveri. Në mënyrë të veçantë ndihmoi në këtë proces vlonjati shpirtmirë - Jani Isaia, ish-komandant i regjimentit; shefi i prapavijës së regjimentit - dhemblanaku Selman Haxhia dhe këmbëngulja e kukësianit Rexhep Pashaj, i cili u dëftua mjaft i vendosur e burrëror.

Detyra e kujdestarit të baterisë ishte komplekse dhe e vështirë. Kujdestarit i duhej të merrej me të gjitha problemët e baterisë. Ai përgjigjej për ushqimin e ushtarëve, për fjetjen e tyre dhe për veshjen me uniformë. Deri tek banja dhe ndërresat e brendshme të trupit. Një proces mjaft delikat e me përgjegjësi të madhe ishte mirëmbajtja e armatimit kolektiv dhe e atij personal. Topat e kalibrit 57 mm, në çdo orë të ditës (natës) duhet të ishin të gatshëm për të hapur zjarr, kur kërkohej kurse armatimi personal i ushtarëve dhe municionet e armëve të këmbësorisë (karabinave) duhet të ishin në gatishmëri dhe të njihej përdorimi i tyre në përsosmëri nga ushtarët.

Në këtë detyrë Dilaveri ishte në dispozicion të ushtarëve, nga zgjimi, deri në pushim. Atij nuk i mbetej kohë në përdorim të rritjes së nivelit të tij arsimor, kulturor dhe profesional. Lodhja e ditës reflektonte në gjendjen e tij shëndetësore dhe psikologjike. Nuk ishte një ditë, as një javë e as një muaj, por ishte e gjithë jeta; ditë për ditë, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Meqenëse mbarëvajtja ose e kundërta e saj, ishte kolektive e nuk varej nga një njeri, në një rast fatkeq, komanda eprore, ajo që e kishte në nomenklaturë Dilaverin dhe kujdestarët e tjerë, konkludoi të nxirrte në rezervë, në të njëjtën kohë 5 nënoficerë aktivë; mes tyre dhe vëllanë tim. U krijua një rrethanë e vështirë. Të jetoje në Tiranën e asaj kohe pa punë ishte thuajse e pamundur.

Kërkohej një përçapje tjetër, për të gjetur një vend pune, jashtë Ushtrisë. Në atë kohë vendet e punës ku kishe kontribuar të ndiqnin nga pas e nuk i shpëtoje dot përndjekjes apo përgojimit.

Dilaveri në Tiranë

Si alternativë e mundshme mbetej, miniera. Dihet që Tirana shtrihet në rajonin qymyrguror. Vetë Kryeqyteti është i ndërtuar e "lundron" mbi qymyr guri. Në rrethina të metropolit funksiononin disa miniera qymyri si ajo e Mezezit; e Mushqetase; e Krrabes dhe ishte në ndërtim e sipër Miniera e Valiasit. Të gjitha ishin një lloj "hambari" që përthithte shumë punëtorë krahu. Më pranë Tiranës, ishte Miniera e Mezezit. Thuhej se në këtë minierë, kushtet e punës dhe të jetesës së punëtorëve ishin relativisht më të mira. Prandaj, një ditë, Dilaveri mori udhën për në Minierën e qymyrgurit të Mezezit. Qëllimi i tij ishte të njihej me kushtet e punës e të banimit dhe me personelin drejtues të saj. Në qoftë se do t’i pëlqente hesapi e do të regjistrohej, do të pajisej dhe me veshjet dhe me pajisjet e domosdoshme.

Veshjet dhe pajisjet që mori, në Mezes, ishin të shumta e të rënda. Ato peshonin aq sa edhe një ushtar këmbësorie nuk mund t’i mbante. Në Minierën e Mezezit ishte drejtor inxhinieri Avni Mece, nga Dhemblani, i Tepelenës. Ai drejtonte dhe shërbimin gjeologjik të Tiranës. Me shpresë se si patriot dhe zemërmirë, Avniu do ta ndihmonte, Dilaveri i kërkoi takim dhe Avniu e ftoi Atë të shkonte në zyrën e drejtorit të Minierës. Duhet thënë se Drejtori me njerëzillëk, e i logjikshëm - Avni Mece, e priti Dilaverin ngrohtë e i krijoi mjedis besimi. Siç ngjan rëndom në këto raste, drejtori e pyeti vëllanë tim: "Nga je mor djalë"? Me çiltërsinë e një njeriu në hall, por me krenarinë që i falte personaliteti i tij dhe origjina, Dilaveri e bëri me dije drejtorin se është nga Tepelena, andej nga është dhe inxhinier Avniu dhe konkretisht nga Kalivaçi, fshat të cilin Drejtori e njihte.

Më tej Drejtori vijoi me pyetjen: "Pse do të vish në këtë minierë, ku kushtet e punës janë të vështira"? Shpjegimi i Dilaverit e bindi disi drejtorin për hallin që kishte kalivaçasi dhe vendosi t’i vinte në ndihmë. Ai e porositi tim vëlla që, të nesërmen e asaj dite, të paraqitej në orën 08.oo në Drejtorinë e Ndërmarrjes Gjeologjike të Tiranës, e cila, sipas shpjegimeve të Avniut, ndodhej pranë kryqëzimit të rajonit me emrin: "21 dhjetori", pranë Poliklinikës së Lagjes Nr. 9 të Tiranës.

Me shpresë se diçka do të bëhej në të mirë të tij, të nesërmen, në orën e caktuar, Dilaveri u paraqit në zyrën e inxhinier Avniut, në Tiranë. Në zyrën e drejtor Avniut, si rastësisht, ndodhej: Adem Shehaj (ndjesë pastë), nga fshati Toc i rrethit të Tepelenës; dy fshatra gjitonë me fshatin tonë. Ademi, në atë kohë kryente detyra të rëndësishme në atë ndërmarrje dhe kishte njohje të mirë me kalivaçasit. Mes të tjerash, inxhinier Avniu, duke iu drejtuar Ademit, i tha Atij se: "Na ka ardhur një djalë nga Nelajt e Kalivaçit të Tepelenës".

Mbasi pimë kafe, të tre; Inxhinier Avniu, në cilësinë e Drejtorit të Ndërmarrjes Gjeologjike të Tiranës, thirri në zyrë shefen e kuadrit të ndërmarrjes, zonjën Levkothe Papajani. Avniu, duke iu drejtuar shefes së kuadrit; i tha: "Ky djali, ka ardhur në Ndërmarrjen tonë me rekomandim të Kryetares së Këshillit të Lagjes Nr.7 të Tiranës, zj. Hatixhe Pleshti. Ne do ta sistemojmë në një brigatë pararojë. Ai vërtet nuk është komunist por (vendi i punës e kërkonte që punëtori të ishte anëtar i P. P. SH) është më shumë se një komunist". Dhe Dilaverin e caktuan të punonte në brigatën e shpimit 700, me brigadier – Rexhep Lucin.

Në këtë brigatë pararojë, Dilaveri u ambientua shpejt dhe përvetësoi të gjitha proceset e vështira të punës. Aq shpejt e saktë u përshtat saqë brenda një kohe të shkurtër përvetësoi bërjen e parullave të sigurimit teknik në punë. Sikur të kishte 10 vjet në atë punë e jo disa muaj. Drejtoria e ndërmarrjes e delegoi në disa sonda të tjera, me qëllim që Ai të shkruante parullat e sigurimit teknik.

Duke çmuar aftësitë e Tij, një ditë, Dilaverin e thirrën në zyrën e Drejtorit ku ishin të pranishëm: Drejtori; Sekretari i Byrosë së Partisë së ndërmarrjes; Rexhep Luci dhe Shefi i Kuadrit – Levkothe Papajani. Nga kjo mbledhje iu dërgua propozimi Drejtorit të Ndërmarrjes Gjeologjike të Tiranës, që Dilaver Nelaj, mbi bazën e aftësive të tij të emërohej në Degën e Furnizimit të Ndërmarrjes. Në fjalën e tij mbështetëse, brigadieri Rexhep Luci, i cili e kishte njohur Dilaverin në punë e sipër, theksoi: "Ky është shumë i aftë; kam besim se detyrën që i propozohet, do ta kryejë me sukses". Në përfundim, Dilaverin e caktuan në degën e furnizimit të ndërmarrjes ku i duhej të menaxhonte qymyret e pellgut të Tiranës. I vunë në dispozicion një magazinë të madhe, me materiale që furnizonin 5 ekipe të Tiranës. Dilua drejtonte 6 furnitorë.

Puna nuk kishte orar. Dilaverit i duhej të mbante lidhje me të gjitha uzinat metalike të Kryeqytetit për të siguruar furnizimet e nevojshme dhe me bazën industriale të menaxhimit të tubave metalikë, në qytetin e Fierit. Në dispozicion i vunë 4 kamionë të tipit Zis dhe një makinë të vogël të tipit BC, me të cilat lëvizte, për shkaqe pune në të gjithë Republikën.

Në vitin 1982 Drejtoria e Ndërmarrjes Gjeologjike të Tiranës, e caktoi Dilaverin për të menaxhuar ekipin gjeologjik në Golem të Kavajës, tek kripa. Ishte vend pune mjaft i vështirë. Aty punonin rreth 100 punëtorë.

Në këtë qendër pune, Dilaveri ngriti në kohë rekord bazat përkatëse. Kryeinxhinier i kantierit ishte Koci Rate.

Pas kësaj pune, një ditë, në orën 24.00, mua dhe kryetarin e ekspeditës – Veiz Deliun; rrëfen Dilaveri, "na thirri në zyrë, Drejtori i Ndërmarrjes Gjeologjike të Tiranës – Vangjel Leka, me origjinë nga Leusa e Përmetit. U habitëm, të dy; si unë dhe kryetari i ekspeditës. Vangjeli, ishte në zyrë e sapo hymë ne, nisi të këndonte përmetarçe. Kuptova se Drejtori ishte çakërrqejf dhe se mund të më komunikonte ndonjë njoftim të mirë". "Kam diçka për Ty Dilaver", - tha Drejtori. "Ti e ke kryer më së miri detyrën që të ngarkuam në Golem të Kavajës. Unë, gjatë stinës së verës, bëj plazh, së bashku me fëmijët, në Golem ku ndihem mirë..." Pastaj u fut në temë: "Me urdhrin tim, - tha Vangjeli, - je caktuar në Kaptinë të Martaneshit.

Atje, do të ngresh një bazë gjeologjike, me kapacitet për 150 punëtorë. Baza duhet të jetë e gatshme për veprim në fund të muajit qershor të vitit 1982. Për të realizuar këtë detyrë, do të kesh në dispozicion gjithçka që të nevojitet. Hap gojën e kërko; cilin do të marrësh me vete?" Aty për aty, Dilaveri kërkoi Jorgo Premtin; Koci Raten; 3 kamionë të tipit Zis, me ndenjëse druri; 1 makinë të vogël të tipit BC me ridoto dhe një traktor me thikë. Për manovrator, Dilaveri kërkoi Pjetrin, nga Gjormi i Mirditës.

Në kostenje, rrëfen Dilaveri, e gjetëm sipërfaqen e tokës të mbuluar nga bora. Na u desh të hapnim udhën, me mina e me rrusp. Rruga ishte e gjatë 3 km. Futëm traktorin me thikë dhe sheshuam vendin.

Ndërkohë na erdhën 3 baranga; nga këto; 2 do të shërbenin si kapanone për të strehuar punëtorët; njëra do të shërbente si kuzhinë dhe një tjetër erdhi për të shërbyer si magazinë.

Në fund të muajit qershor të vitit 1982, siç ishte parashikuar, erdhën punëtorët (150 vetë). Dilon e thirrën në drejtori. Drejtor Vangjeli, me qesëndi, e pyeti: "Mirë or bandill; po dritat ku do t’i gjejmë"? Thekena, nga ku mund t’i lidhnim dritat ishte 5 km larg dhe shtrirja e linjës elektrike ishte mjaft e vështirë. Derisa u shtrua linja elektrike nga Thekena, çuam në Bazë një grup elektrik. Përsëri më thirrën në drejtorinë e ndërmarrjes. "Po si kuzhinier kë do të marrësh"? – pyeti drejtori. Dua kuzhinierët më të mirë të ndërmarrjes; ishte përgjigjja ime. "Po ne, çfarë do të hamë"? - Vijoi drejtori. Atë, nuk e di unë, u përgjigj shkurt im vëlla.

Mirëpo Drejtori nuk i kishte mbaruar meraqet. "Përse i do ti këta"? pyeti Ai. I dua këta, mbasi Ata janë në gjendje ta bëjnë supën edhe me gjethe ahu, po të jetë nevoja. U ndamë me buzëqeshje dhe me urimin për suksese të mëtejshme.

Në Gerdec.

"… Mbasi stabilizova gjendjen dhe baza gjeologjike u bë gati për punë, më thirri, në telefon, kryeinxhinieri i ndërmarrjes – Koci Rate. Ai më bëri me dije se më kërkonte, në zyrë, Drejtori i Ndërmarrjes - kujton Dilaveri. Si e me se të vij ishte përgjigjja ime, e menjëhershme."

Ndërkohë, Drejtori i kishte thënë Kryeinxhinierit: "I dërgoj unë makinën time, le të dalë në Ballenje – Sulltan". Sapo dola në Ballenje, ushtria (Në atë kohë, në Ballenje ishte i dislokuar një repart ushtarak) më njoftoi se makina e lehtë BC e Drejtorit të Gjeologjisë, kishte mbërritur nga rruga e Shën Gjergjit dhe nga Biza. Njoftova inxhinierin Mentor Zane, nga Tepelena: "Po iki në Tiranë se më kërkon Drejtori i Ndërmarrjes", i thashë atij. Ai e dinte problemin, prandaj më tha: "Siç duket duan të të ngrenë në përgjegjësi! Po Kaptinën, kujt do t’ia lësh, apo mua?", vijoi inxhinieri. "Ta gëzosh!", i thashë, me çiltërsi.

Të nesërmen e asaj dite, u paraqita në zyrën e Drejtorit të Ndërmarrjes Gjeologjike, Drejtor, në atë kohë ishte Bashkim Lleshi, një burrë serioz dhe i besës. "Do të shkosh në një detyrë tjetër", tha drejtor Bashkimi dhe shtoi: "Detyra është ekonomike, me shumë dhe kërkon aftësi, plus ndershmëri". "Shumë gjëra nuk i dija", pohon Dilaveri.

Atëherë, drejtori dashamirës, "e plasi bombën". "Do të të çojmë në Gerdec", tha Ai. Unë dija se në Gerdec ishin të stacionuar dinamitet, kapsollat, fitilet dhe rreth 30.000 litra karburant. "Jo, - shtoi Drejtori, - kemi akoma më të vlefshme se këto; janë bagëtitë. Më kanë thënë se je djalë çobani"? – pyeti Drejtor Bashkimi. "Po, i thashë, në familjen time, denbabaden janë mbarështuar bagëti të imëta (Dele)".

"Dua të bëj një rikonicion - i thashë drejtorit të ndërmarrjes Gjeologjike. Në këtë dalje të parë, kërkoj të kem me vete, Kryeinxhinierin e Ndërmarrjes - Koci Rate." Pyetja ime e dytë ishte: "Shoku Drejtor, a mund t’i mbarështojmë 350 krerë dele, në një sipërfaqe tokë prej 5 hektaresh"? Këshilli Teknik i Ndërmarrjes ishte i mbledhur dhe Drejtori kishte qenë i pranishëm. Përgjigjja e Drejtorit ishte e menjëhershme: "Atë e di ti, Dilaver, hap gojën, çfarë duhet dhe ne do t’ia kërkojmë menjëherë Ministrisë Përkatëse".

Në shoqërinë e Kryeinxhinierit të Ndërmarrjes Gjeologjike - Koci Rate, vajta në Gerdec, për të realizuar parjen e vendit ku do të punoja. Kopeja e dhenve kishte ardhur nga rrethi i Librazhdit dhe ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Kopenë e dhenve e menaxhonin 2 çobanë esnafë, të ardhur nga Luma. Pyeti kryeinxhinieri: "Çfarë duhet për të mbarështuar këtë tufë me dele?" U përgjigja, pa u menduar gjatë: "Duhet sipërfaqe tokë shtesë; një veteriner; duhet të mbjellim hasell dhe një pompë uji e cila të ketë kapacitet për ta ngjitur ujin, lart, në majë të kodrës". Më duhej të porositja repartin ushtarak, më të afërt që të udhëzonte mirë ushtarët që të mos tentonin të laheshin, në pusin që do të hapej, mbasi mund të mbyteshin.

Drejtori i Ndërmarrjes Gjeologjike i miratoi të gjitha kërkesat e mia, të cilat, i gjykoi të domosdoshme. Ai më caktoi një mekanik, dha autorizim për të tërhequr një pompë uji të fuqishme, tubot e ujit që nevojiteshin dhe aksesorët e tjerë. Lindi pyetja: Po tokën shtesë, ku do ta gjenim? Do të bisedojmë me drejtorin e Ndërmarrjes Bujqësore të Marikaj - Maminasit, ndërhyra unë, por, do të flas në emrin tënd, i thashë Drejtorit. Ai e miratoi mendimin tim.

Kur bashkëbiseduam me njerëzit e terrenit (Kryetarin e Këshillit Popullor; Kryetarin e kooperativës Bujqësore të Maminasit, Drejtorin e Ndërmarrjes Bujqësore të Marikajt etj.), Drejtori ynë ishte i pranishëm por kërkesat i parashtrova unë. U bëra me dije bashkëbiseduesve se Drejtorin e Ndërmarrjes Gjeologjike, e keni këtu, dhe dëftova me gisht nga Ai. Unë jam vasali i tij, shtova.

Nga kooperativa Bujqësore e Maminasit mora 6 punëtorë të zgjedhur (4 burra e 2 gra). U hapa vendin e punës në bordero dhe ata vajtën në Drejtorinë e Ndërmarrjes Gjeologjike, ku u regjistruan dhe morën pagat.

Në atë kohë, Maminasi ishte i ndarë me dysh; një pjesë e fshatit ishte kooperativë bujqësore e një pjesë tjetër ishte fermë. Kur pashë që punët po shkonin mbarë, i vajta drejtorit në zyrë, me qëllim që të kërkoja ndërhyrjen e tij. Drejtori e kuptoi nëntekstin e vajtjes sime, tek Ai. "Çfarë do akoma"? – më pyeti Drejtori. "Dua të hapet e të bëhet për punë udha", – i thashë. Me urdhër të tij, ia behën 20 kamionë të ngarkuar me mbetje minerali. Vinin nga Krasta. U shtrua rruga dhe erdhi Drejtori për të parë punën që ishte bërë. Atë ditë, Drejtori kishte për shoqërim inxhinieren e ndërtimit të ndërmarrjes. Ajo verifikoi cilësinë e punës së kryer dhe i raportoi Drejtorit. "Je i madh; nuk ka si ti"; më komplimentoi Drejtori.

S’do mend që m’u përkëdhel sedra por nuk m’u rrit mendja.

Në përfundim të këtij verifikimi, bisedova me Drejtorin e Ndërmarrjes Gjeologjike të Tiranës, tet-a-tet. I bëra me dije Atij njeriu të zgjuar se do të shkoja tek drejtori i Ndërmarrjes Bujqësore në Marikaj, ku do të paraqitesha si Drejtor i Ndërmarrjes Gjeologjike të Tiranës, prandaj i kërkova makinën e vogël të tij.

U përgatita seriozisht për këtë takim interesant. Mendova mirë vijën e sjelljes sime dhe kërkesat që do t’i parashtroja shtetarit. Kërkova dhe gjeta Drejtorin e Fermës në Marikaj. Nuk e njihja më parë. Ai ishte vlonjat. Duke u menduar, kisha siguruar dhe disa të dhëna se Drejtori i fermës ishte serioz e fjalëmbajtur. Prandaj hyra drejt e në temë. "Dua ndihmën tuaj!", – i thashë. Parashtrova kërkesat. Mes tyre ishte kërkesa kryesore, për tokë. I kërkova 20 dynyme tokë. Jo; tha Drejtori i fermës. Kodra ka gjithsej 5 ha tokë, e gjitha, por na keni bërë dëme, në këtë sektor. Do t’ua paguajmë dëmin deri në një, pohova unë. Më dhanë në përdorim të gjithë kodrën. Drejtoria e Ndërmarrjes Gjeologjike të Tiranës, më pajisi me tel gambion, e unë rrethova brezaret.

Vendosa dhe pompën e ujit.

Në Marikaj, në qendër, Ndërmarrja Bujqësore kishte mensë dhe fjetinë për punëtorët e fermës. Erdhi drejtori i Ndërmarrjes Gjeologjike të Tiranës, pa punën që ishte bërë për ngritjen e bazës së Gerdecit, i pëlqeu puna dhe tha, duke m’u drejtuar mua: "Të lumtë"! Të dy dhe suita që shoqëronte drejtorin vajtëm në Marikaj (qendër). Me vete morëm një qengj, për ta pjekur në hell. Qengjin e blemë, me dokument. Ai na kushtoi 8oo lekë. Do ta paguajmë ne, të dy, i thashë Drejtorit të ndërmarrjes sime.

Ndërkohë erdhi Drejtori i Fermës, i cili, solli 20 kg mish viçi, verë dhe raki. Ia shtruam, për shtatë palë qejfe, dhe e gdhimë atë natë, me të ngrënë e me të pirë. Tashmë, në konfidencë, Drejtori m’u drejtua me pyetjen: "Po tani, çfarë kërkon, se kërkesat e tua nuk paskan fund"? - tha Drejtori. "Dua rruspin, - i thashë, - për të sheshuar vendin ku do të ngrihet kampingu"! I specifikova dhe emrin e manovratorit të rruspit; Pjetrin, nga Gjadri.

Kur e mësoi Pjetri kërkesën time, iu vërsul Drejtorit, me fjalët: "Ç’më do mua o Drejtor? Pak traktoristë ke në ndërmarrje"?

Mirëpo Dilaveri e kishte të qartë, kujt i vinte gishtin. Ai nuk donte të turpërohej, prandaj përzgjidhte ata që bënin punën me cilësi e pa hile. "Jo, - u justifikua Drejtori për këtë rast, - të ka kërkuar Dilaveri, nuk të kam caktuar unë", – i tha Pjetrit Drejtori. "E po nuk më ndahet mua Dilaveri - tha Pjetri; edhe në Kaptinë të Martaneshit mua kërkoi Ai". Ashtu u bë; Pjetri nga Gjadri, së bashku me rruspin që manovronte, vajti në Gerdec e punoi atje.

Problem serioz dilte ushqimi i bagëtive të imëta, në stinën kur në natyrë nuk kishte gjelbërim (në dimër). Blegtoria kërkonte hasell. U lidha me brigadierët e fushës. Prej tyre sigurova fidanë perimesh, të cilat i mbolla me 6 punëtorët që sigurova në Kooperativën Bujqësore të Maminasit. Më duheshin 5 tonë elb, për hasell. Në kooperativën Bujqësore të Baldushkut gjeta vetëm 500 kg elb. E mbolla, me kultivator. Vajta në Ndërmarrjen Bujqësore të Golemit (Kavajë). Drejtorin e Fermës e kisha shok. Mora 1 ton elb. Hasellin e vadita dhe elbi u rrit për bukuri. Me këtë hasell u rritën 320 qengja. Pastaj i kërkova Drejtorit të Ndërmarrjes Gjeologjike të Tiranës, një dyqan, pranë selisë së Ndërmarrjes, për të tregtuar bulmet dhe perime të freskëta, me çmim të lirë.

Në këtë darkë, miqësisht e në konfidencë, Drejtori i Ndërmarrjes Gjeologjike të Tiranës, më bëri pyetjen:"A e di se ku do të shkosh tani"? "Jo, u përgjigja unë, nuk kam nga ta di këtë".

Atëherë, Ai u shpreh:"Do të shkosh në Myshqeta, në Degën Gjeologjike". Dhe vijoi: "Ti Dilaver, ke urdhër të veçantë, për të shkuar në Myshqeta. Do të kesh të bësh dhe me Gerdecin"! Siç m’u drejtua, në konfidencë i thashë: "Drejtor, unë, tashmë nuk i besoj asnjë njeriu"!

Kur u dha njoftimi se do të largohesha nga Gerdeci, punëtorët u gëzuan. Gëzimi i tyre kishte burimet e veta, por unë mendoj se kërkesa e lartë e llogarisë nga ana ime u kishte shkaktuar bezdi. Nuk "lëshoja pe", për punën dhe nuk i suportoja mirë gabimet e tyre. E ndiqja punën e u rrija mbi kokë problemëve të cilët i çoja deri në fund.

Me një komision të posaçëm, mora në dorëzim Myshqetane. Baza e Myshqetase kishte rëndësi jetike për Ndërmarrjen Gjeologjike të Tiranës. Në vartësi kisha rërat bituminoze të Patosit; Kosoven e Lushnjës; Selenicën e Vlorës dhe të tjerë sektorë të rërave bituminoze. Kisha në vartësi 5 sektorë të cilët kishin shtrirje të gjerë dhe ishin, përafërsisht nga 50 km larg njëri-tjetrit. Punën e re e nisa nga njohja e sektorëve në vartësi. Për herë të parë vajta në Belsh dhe në Rrase të Lushnjës. Aty më pritën me peshk. Pritësi im ishte Ylli Leka - kryemafiozi i Lushnjës. Një burgaxhi, i cili donte t’u shiste fshatarëve, peshkun e kënetës, me çmime të shtrenjta. Unë këtë gjë e dija. Thirra dhe pyeta veç e veç, inxhinier Yllin dhe kuzhinierin e pikës.

U fola hapët: Peshku zihet në liqen (Liqeni i Konizbalit); ju nuk e bëni hyrje në magazinë dhe e shisni më të shtrenjtë. Ylli nuk e pranoi këtë veprim kurse kuzhinieri u tregua i sinqertë dhe e pranoi.

Punën më të madhe e kisha në Myshqeta. Por më duhej t’i jepja udhë punës dhe në Lushnje.

Një ditë më thirri Drejtori i Ndërmarrjes, në zyrë e me takt, më tha: "E di që ke problem në Rrase të Lushnjës, por mundohu t’i kapësh në befasi"! Vendosa të shkoja atje, natën, me makinën BC. Shoferi ishte i dyshimtë prandaj i ruhesha. Mbylla kuzhinën; zgjova kuzhinierin. Doja ta ndihmoja, për të dalë nga situata se ishte njeri i mirë. E pyeta:"Çfarë ke pa futur në kuzhinë"? "Kam pa futur 10 kg peshk- tha Ai"! I bëra hyrje dhe u ktheva, në Tiranë. Stafit të ndërmarrjes, një për një, u çova nga 2 kg peshk. "E shpërndave fajin tënd", tha dikush, por nuk ia vura veshin. Në Myshqeta qëndrova plot 9 vjet.

Në Valias dhe në Kamze.

Në kohën kur menaxhoja ekipin e qymyreve në Myshqeta, më thirri Drejtori i Ndërmarrjes Gjeologjike të Tiranës, në zyrë e më komunikoi: "Do të të ngarkojmë një detyrë më të madhe"! Ai më bëri me dije se do të më jepnin të menaxhoja ekipin tonë në Valias dhe atë në Kamze; do të mbaja dhe minierën e Myshqetase. Më dhanë në dispozicion një kamion të tipit Zis dhe katër ndihmësa. E pranova detyrën e re dhe bëra një rikonicion (vajtje njohëse), në Valias. Ngrita një ekip gjeologjik, pranë pusit të minierës, në të majtë të tij. Drejtor i Minierës së Valiasit ishte inxhinieri Avni Mece, nga fshati Dhemblan i Tepelenës, të cilin e njihja, qysh kur punoja në Minierën e Mezezit. Në Valias punova 6 muaj. Kishim mjaft vështirësi.

Nuk kishim ujë për të pirë; nuk kishim ushqime etj. Situatën ia bëra të ditur Drejtorit të Ndërmarrjes Gjeologjike të Tiranës, të cilit i bëra propozimin për ta shpërngulur ekipin në një vend tjetër, më të përshtatshëm. "Ku do ta çosh ekipin?", tha Drejtori - dhe shtoi: "Je mësuar Ti, me të bredhur"! "Do ta shpërngul në Kamëz", - u përgjigja. "Ka shumë shpenzime, kjo punë, - tha Drejtori; ekipi është i madh, me mbi 100 vetë". "E di unë përse nuk do Ti, o Drejtor që ta shpërngulim ekipin; mbasi duhet të nxjerrim fonde për ta tërhequr ekipin". Drejtori i Ndërmarrjes Gjeologjike, ngulte këmbë që të lëviznin më tepër 3 inxhinierët që kishte ekipi në përbërje. Iu kundërvura, me argumentin: "O Drejtor; inxhinierët që kam unë në ekip nuk janë të zotë as për veten e tyre.

Vetëm Ju, mund t’i vini ata në lëvizje". "Po vendin ku do të ngremë ekipin, ku do ta gjejmë? nevojiten 5000 metra katrorë vend." "E kam gjetur vendin, përballë fushës së sportit, midis çerdhes së fëmijëve dhe fushës së sportit". I habitur, Drejtori tha:"Si mund të ta japin ty atë sipërfaqe tokë"?

Atëherë isha i detyruar ta njoftoja Drejtorin se Kryetarin e Këshillit të Bashkuar të fshatit - Sadik Kosoven e kam baxhanak. I kisha dhënë një drekë të mirë, Sadikut dhe puna mbaroi. Nisa ekipin për t’u vendosur në vendqëndrimin e ri ku kompletimi u bë brenda 3 muajve. Në përurimin e ekipit në vendin e ri, erdhi ingj. Avni Mece; Sadik Kosova; Skënder Xhuglini dhe Drejtori i fermës së Kamzës - Semjon Bibo. U bënë 11 vetë. Në zyrën e Drejtorit të Fermës së Kamzës, me këtë rast shtruam një darkë, ku festuam me të ngrëna e me të pira, me këngë e me valle, deri në orën 04.00, të mëngjesit. Në Kamze punova 3 vjet, rrëfen Dilaveri.

As unë, as Drejtoria e Ndërmarrjes Gjeologjike të Tiranës, nuk gjetëm karar me lëvizjet e mia, nga njëri ekip në tjetrin. Ndërsa isha me punë në Kamëz, Drejtoria e Ndërmarrjes më nxori një urdhër transferimi për në Priskë, tek Lapidari i Priskës, i cili evokon kontributet e këtij fshati në Luftën Nacionalçlirimtare, në veçanti fisit Hysaj, aq të përmendur në histori. Në Priskë, atje ku më caktuan të punoja, gjeta një bazë të "shkëlqyer".

Në këtë fshat gjeta bashkëpunëtorë mjaft të mirë e të besës. Punët më shkuan mjaft mirë dhe lidhjet e mia me terrenin (fshatin) u forcuan shumë, falë mirësisë së fshatarëve dhe punës sime pa hile. Plani i shtetit realizohej; ekipi ku bëja pjesë, ishte me përbërje njerëzish të mirë.

Nga ana ekonomike isha mirë. Kooperativa bujqësore e fshatit Priskë më ndihmonte dhe e ndihmoja. Zura shoqëri të ngushtë me kryetarin e këshillit popullor të fshatit, me kryetarin e kooperativës bujqësore të fshatit dhe me brigadierët. Në ekipin e priskës punova 9 vjet. Si të thuash, aty "ngeca", pavarësisht se më çuan përsëri në Vore (Gerdec).

Në fund të vitit 1991 e në fillim të vitit 1992 ekipi ku bëja pjesë u shkri. Më çuan në një punë tjetër, në qytetin e Tiranës; vendi i punës quhej konservimi i makinerive. Deri në vitin 2009, kohë kur dola në asistencë me përkrahje sociale punova në punën park – ofiçinë – konservim. Ishim 3 - 4 vetë, silleshim vërdallë e paguheshim. Këtu e mbylla karrierën e dola në pension, në vitin 2011. Nga përllogaritja e viteve të punës më dhanë 3 % të pagës, e cila ishte baraz me 4 milionë lekë.

Kthesa në jetën personale shënoi ndryshime të dukshme në jetën e Dilaverit.

Viti 1974 shënoi kthesë në jetën personale të vëllait tim. Ai u përfill për t’u bërë çift dhe e arriti objektivin. Siç duket, jeta e beqarisë dhe lëvizja hop këtu e hop atje në sektorë e në ndërmarrje të ndryshme e nënshtruan atë fare çapkëni, duke e detyruar Atë të veshë kostumin e dhëndrit. Po si ngjau ky ndryshim? Thonë se rastësia është "mbret i botës". Nuk shpëtoi nga kjo "aksiomë" as Dilaveri. Tek vendi i quajtur "Rrapi i Treshit" në Tiranë, ishin disa ngrehina, tip kazermë, në pronësi të ushtrisë. Ato ishin përshtatur për të banuar dhe në to ishin strehuar familje të ushtarakëve ose të njerëzve, afër ushtrisë. Aty banonte familja e Qamil Abdyl Alles (ndjesë pastë), efektiv i njësisë së tankeve të Gardës së Republikës.

Pranë tij, banonte familja e Abaz Cunit, një mik i Dilaverit, nga Dibra. Abazi ishte nga familje fisnike dhe e besës. Në Peshkopi, punonte njëri nga vëllezërit e tij, me profesion mjek. Fisi dhe familja e tyre ishin të preferuar në trevë.

Një ditë të bukur, në një bisedë mes miqsh, Abazi i propozoi Dilaverit një variant të mundshëm për t’u fejuar. Mes të tjerash, Abazi, duke iu drejtuar Dilaverit, miqësisht, i parashtroi:"Nëse ke ndërmend të fejohesh, unë kam një gjiton shumë të mirë, me origjinë nga malësitë e Tiranës. Ai ka 5 motra, tri nga të cilat janë të fejuara e të lidhura; e madhja; Halimeja, ka kryer shkollën e mesme ekonomike dhe është në punë"! Kjo ishte shkëndija e parë, e cila, dalëngadalë i dha frytet. Do të krijoj mundësinë që ta vështrosh e të të vështrojë - porositi Abazi, por ki kujdes se ata janë fanatikë. Bisedën që zhvilloi me Dilaverin, Abazi e bëri dhe me gjitonin e vet, me Qamilin e Allajve.

Në atë kohë, Qamili ishte tankist dhe shërbente në Brigatën e Tankeve të Republikës së Shqipërisë, me qendër në Sauk. Qamili, i interesuar për fejesën e motrës, një ditë, kur vëllai im ndodhej në shtëpinë e mikut të tij – Abazit, erdhi aty, me motrën Halime, për dorë. Aty u pamë dhe pëlqyem njëri-tjetrin.

Si gjë e zgjuar që ishte, Qamili (ndjesë pastë), e pikasi pëlqimin për njëri-tjetrin të dy të rinjve dhe ligjëroi: "... Ju, të dy, vërtet u patë e u pëlqyet, por, sipas traditës së familjes sonë dhe të trevës nga vijmë, janë Nëna dhe Babai, të cilët duhet të pyeten domosdoshmërisht". Prandaj, i tha Dilaverit që të vinte në shtëpinë e tyre. U tha; u bë. Dilaveri nuk priti të vinte në shtëpinë e Halimese, me të tijtë, por, si guximtar që ish, një ditë mori udhën e vajti drejt e në shtëpinë e Abdyl Alles, e cila ndodhej në bregun e lumit të Tërkuzës, për të biseduar me prindërit e Halimese, si kandidaturë e mundshme për t’u fejuar. E pritën, me të gjitha nderet dhe me kuriozitetin e mundshëm, prindërit dhe motrat e Halimese; ata që nuk ishin në punë.

Kandidati për dhëndër, Dilaver Xheviti, mbasi piu kafen, në shtëpinë e Abdyl Alles, qëndroi rreth 20 minuta dhe u ngrit e iku. Duke dalë nga shtëpia e vjehrrit të ardhshëm, Dilaveri iu drejtua Dylit, drejtpërdrejt, me fjalët:"... A e kam udhën të hapët, unë, këtej e tutje"? E "bleu" kuptimin e kësaj thënieje të tepelenasit të zgjuar dhe u përgjigj, me të njëjtën "monedhë": "Po, ishte përgjigjja e plakut Abdyl Alla; hajde kur të duash, e ke derën të hapët, në çdo kohë"!

Mbasi siguroi lejen, Dilaveri nuk vajti në shtëpinë e Dylit, 10 ditë me radhë. Kaluan 10 ditë dhe Dilaveri i paraqiti Dylit kërkesën tjetër. Në kërkesë, kërkohej diçka më tepër. Dilua i kërkoi Dylit të pinin një kafe, familjare, tek kafeteria "Kursal" e cila ndodhej në qendër të Kryeqytetit.

Në ditën dhe në orën e caktuar, me korrektesën që kërkon ky çast solemn (kafet e vogla të fejesës), krushqit e rinj, të dyja palët u paraqitën në vendin dhe në kohën e caktuar. Dërgata nga ana e nuses kryesohej nga Babai i saj, Abdyl Alla; nga Nëna – Sajde, nga vëlla Qamili dhe nga motra Meleqe. (të gjithë ndjesë paçin).

Nga ana e dhëndrit ishte vetëm Dilaveri. Ai donte të merrte Muhametin, djalin e tezes, në shtëpinë e të cilit, Dilaveri banonte aso kohë. Për shkaqe pune, pjesëmarrja e Muhametit në këtë gëzim, ishte e pamundur. Unë, gjithashtu isha në një shërbim të veçantë, gjë që ma bënte të pamundur marrjen pjesë.

Ata që morën pjesë në bisedë, trajtuan, me përgjegjësi, rastin dhe ishin për lidhjen e kësaj miqësie të re. Fisniku Abdyl Alla, i cili kryesonte palën e vajzës, njeri i zgjuar natyralisht dhe i traditës vendore, këmbënguli të njihte anën tjetër të krushqisë, dhe ishte në merak, nëse Dilaveri kishte njerëz prapa apo ishte një djalë plangprishës dhe jetonte i vetmuar. Në një rast, Abdyli iu drejtua kandidatit për dhëndër - Dilaverit, me dashamirësi por që nënteksti i pyetjes lexohej qartë: "Po Ti, Dilaver, përse na vjen i vetmuar në këto raste gëzimi; nuk ke njerëz Ti, që të gëzojnë dhe ata si Ti"? Dilaveri, i cili gjykonte dhe kërkonte të bindej në mundësinë reale të realizimit të kësaj lidhjeje, i ktheu vjehrrit të mundshëm një përgjigje të menduar mirë, në rreshtat e së cilës lexohej qartë domethënia. Ai i tha, Dylit: "Po ta gjejmë ne fjalën, me siguri që do të vijnë dhe njerëzit e mi"! Me këto fjalë, vëllai im nuk donte të ulte fisin nga rridhte, por donte të ruante supremacinë e imagjinuar.

Takimi dypalësh në kafeterinë "Kursal" zgjati gati një orë. Secili shpalosi opinionin e tij për këtë lidhje martesore; në parim, të gjithë u shprehën me dashamirësi e me nota miratuese.

Një herë tjetër, në shtëpinë e Abdyl Alles në Bregun e Lumit, Dilaveri çoi një dërgatë, në të cilën bënin pjesë: Mirëdita Beqiraj, bashkëshorte e djalit të tezes nga fshati Toc i rrethit të Tepelenës- Muhamet Hasan Beqiraj; vëllai i Dilaverit - Niazi Xhevit Nelaj dhe bashkëshortja e tij – Fatmira, Dilaveri dhe të tjerë dasmorë. Ardjani, djali i madh i Niaziut mbante në dorë një tufë me lule, të cilat ia dha kandidates për nuse - Halimese. Në rrugicën që të çonte tek shtëpia e tyre, sipas traditës, ishin rreshtuar të gjithë pjesëtarët e familjes Alla. Në krye ishte Abdyl Alla; pas tij Nënë Sajdeja dhe më pas vëllezërit e Limes: Qamili (ndjesë pastë) dhe Aqifi. Motrat Alla ishin rreshtuar në fund; njëra pas tjetrës, sipas moshës. Kurioziteti për të njohur nusen e vëllait ma bënte kohën të padurueshme; ajo ecte ngadalë.

Nusja jonë ishte në radhë, andej nga fundi i rreshtit.

Vajtja jonë, si "ekip", në shtëpinë e Alleve, kishte për qëllim përfundimin dhe zyrtarizimin e fejesës së Dilaverit me Halimene (ndjesë pastë).

Më 25 maj të vitit 1975 u finalizua lidhja mes dy të rinjve të fejuar, me martesë. Dasma u organizua në shtëpinë e Niaziut, në rrugën: "Ylbere Bylikbashi", në zonën e Ndërmarrjes së "21 dhjetorit" në Tiranë. Nga Kalivaçi i largët erdhën: Vëllezërit Reshat dhe Nelo Resmi Nelaj; nga fshati Krahës i rrethit të Tepelenës, erdhën: Motra Lumturi dhe burri i saj – Tefik Sulo Llakaj; nga fshati Zhulaj, po të rrethit të Tepelenës erdhën: Teze Sherina dhe djali i saj Bilbili (të dy ndjesë paçin) dhe nga Koshtani, - dy djemtë e dajove: Jonuzi dhe Syrjai, së bashku me bashkëshortet e tyre. Nga Tirana, erdhën në dasmë ata që u thirrën; doemos, nga njerëzit më të preferuar të Dilaverit dhe të mitë. Ishte Mirëdita, e bija e Sherif Asimit, nga fshati Toc i rrethit të Tepelenës dhe bashkëshorti i saj – Muhamet Hasan Beqiraj, nga i njëjti fshat. Muhametin e kishim djalë tezeje.

Ai ishte i biri i teze Lalasë, e cila ishte motër e madhe e Nënës sonë – Zonjës. Nuk mund të mungonin gjitonët e pallatit, natyrisht me përzgjedhje. Ishin: Malo Gjoni (ndjesë pastë) dhe bashkëshortja e tij – Gojearta, me origjinë nga fshati Vermik i rrethit të Vlorës; Agim Vodopi dhe Leonora; shkodran, me rrënjë etj. Dasma kaloi si dasmë xhymerti. Xheviti ishte ndarë nga jeta, qysh në muajin janar të atij viti dhe Zonja e Madhe e Binajve, pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit e kishte të vështirë të jetonte e vetmuar në Kalivaç, prandaj, pas kalimit të të dyzetave të burrit, u detyrua të shpërngulej në Tiranë e u vendos në shtëpinë e djalit të madh të saj. Asaj i gëzonte shpirti dhe ishte në qiellin e shtatë mbasi martonte djalin e saj "pekul" me të cilin ndante kujtime me vlerë, nga jeta në fshat.

Pas dasmës, çifti i sapomartuar - znj. Halime (ndjesë pastë) dhe Dilaveri u shpërngulën në një banesë me qira, në zonën e Kinostudios "Shqipëria e Re". Atje, ata, banuan 12 muaj. Godina e banimit ndodhej afër Urës së Mjedes, atje ku ka qenë një tip hoteli për oficerët pa shtëpi.

Në kohën për të cilën bëhet fjalë, Ndërmarrja Gjeologjike e Tiranës, ndërtonte një banesë me punë vullnetare për punonjësit e saj. Njëra nga këto banesa ndodhej në lagjen "Ali Demi", pranë fushës së sportit me të njëjtin emër. Godina për banesë ishte në përfundim. Ishin ngritur 5 kate, ishin suvatuar muret e ishin shtruar pllakat, si dhe ishin montuar pajisjet hidraulike dhe ato sanitare. Mbetej lidhja e banesës me rrjetin elektrik qytetas dhe dorëzimi i banesës, sipas rregullave të kohës.

Si njeri me reputacion e me kontribute në ndërmarrje, Dilaveri i vajti në zyrë Drejtorit të Ndërmarrjes Gjeologjike të Tiranës, dhemblanakut – inxhinierit të minierave - Avni Mece. Avniu ishte një inxhinier tepër i zoti dhe shpirtmirë. Bamirësitë e tij ishin të njohura. Ai gëzonte dashurinë dhe respektin e të gjithë ndërmarrjes. Vëllai im, i cili kishte njohje me të, i qau hallin Drejtorit, duke i parashtruar kërkesën për strehim, në emër të familjes së Tij, të ngushtë, e cila ishte shtuar me një vajzë të sapolindur, në Kinostudio, më 29 nëntor të vitit 1975 dhe të Nënës sonë - Zonjës të Madhe të Binajve, e cila ishte motër e Dëshmorit të Luftës Nacionalçlirimtare, Musa Teme Shehaj, nga fshati Koshtan i rrethit të Tepelenës. Në bisedën mes tyre, e cila shquhej për tone miqësore e me sens dashamirës, Drejtor Avniu e porositi Dilaverin të punonte; (të fuste orë punë vullnetare, në ndërtesën që po ngrihej).

Dilaveri, me merakun e madh të strehimit të familjes, iu drejtua Avniut, me fjalët:"Po të kontribuoj unë për ndërtimin e banesës me kontribute vullnetare, ju, si drejtori a do të më klasifikoni për të marrë strehim"? "Ti puno, e porositi Avniu, Dilaverin mbasi kësaj pune nuk i dihet si do t’i shkojë filli..."!

Pas kësaj bisede, Dilaveri nisi të punojë në banesën që ndërtohej me kontribute vullnetare. Në fakt, vëllai im ishte i vonuar në këtë çështje. Hallexhinjtë pa shtëpi, deri atëherë kishin kontribuar me punë nga 3000 dhe nga 4000 orë punë vullnetare. Dilaveri, kontribuoi me 221 orë punë vullnetare. Pra diferenca ishte e dukshme.

Mirëpo fati dhe komisioni i strehimit i ndërmarrjes, në këtë çështje ishin në anën e tim vëllai. Kur u ndanë banesat, Dilaveri u klasifikua për të marrë një apartament nga kontingjenti i Ndërmarrjes Gjeologjike të Tiranës, pavarësisht nga orët e punës vullnetare.

Pa pritur autorizimin e Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Tiranës, Dilaveri, së bashku me familjen, u fut në një apartament prej një dhome e një kuzhine, në katin e pestë të banesës. Mirëpo ai apartament, ishte nga kontingjenti i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Tiranës, i cili, sipas rregullit të kohës, i kishte lëshuar autorizim inxhinierit Petro Milaj, i cili kishte ardhur, me qarkullim, nga Miniera e Memaliajt.

Mbasi Dilaveri kishte "pushtuar" apartamentin, Atë e thirri në zyrë shefja e kuadrit të ndërmarrjes znj. Levkotheja. Ajo më porositi t’i shkoja në zyrë sekretares së Ndërmarrjes Gjeologjike- Liri Milo. Bëra siç më tha shefja e kuadrit. Sekretarja më donte shumë dhe, për punën që bëja, më respektonte. Unë, e respektoja, gjithashtu, për korrektësinë që kish. Në zyrë e gjeta të vetme. Sapo hyra në zyrë, Ajo nisi të qante. "Po Ti përse qan, ndërhyra me takt; unë jam gjallë dhe shëndoshë e mirë"! Dilaveri priti sa u qetësua Liria dhe atëherë mësoi prej saj se "Ty dhe Koci Rates ua kanë hequr shtëpinë që u caktoi komisioni i strehimit të Ndërmarrjes"! Pa e dhënë veten, Dilaveri i dha shtetares një përgjigje diplomatike dhe optimiste, me qëllim që ta qetësonte akoma më shumë: Ai i tha Lirisë:"Shëndoshë vetë; unë jam 26 vjeç; do të punoj kur të ndërtohet pallati i radhës, me kontribute vullnetare dhe, me siguri që do të marr shtëpi".

Sapo doli nga zyra e sekretares së ndërmarrjes, Dilaveri njoftoi mikeshën e tij; Hatixhe Pleshti, e cila ishte Kryetare e Këshillit të Lagjes Nr 7 dhe motër e Omer Haxhise, përgjegjës i seksionit të strehimit, në Komitetin Ekzekutiv të rrethit të Tiranës. Znj. Tixhe Pleshti e respektonte dhe kishte mendim mjaft të mirë për vëllanë tim, ashtu si dhe Ai e konsideronte atë. Znj. Tixhe i telefonoi vëlla Omerit e midis tyre u zhvillua një dialog interesant. Omeri bëri me dije të motrën: "Unë kam dhënë urdhër të shkojë policia e ta nxjerrë përjashta atë familje, pra, e kam bërë fakt të kryer"! Motra Tixhe, i sugjeroi vëllait të saj se: "Cilado familje mund të nxirret jashtë por jo ajo, e cila i ka dhënë Luftës Nacionalçlirimtare 4 dëshmorë"; pastaj, Ajo i dha opinionin e saj, për rastin, ashtu si e rekomandoi të preferuarin e saj që të pajisej me autorizim për një sipërfaqe banimi.

Në njoftimin për të vëllanë, Tixhja shënonte: "... Do të ma strehosh këtë mikun tim se është nga një familje, e cila i ka dhënë Luftës Nacionalçlirimtare 4 dëshmorë"! Dilaverin, Ajo e përcolli me fjalët e mira: "Ik, tani se e more shtëpinë"!

Ndërkohë që po merresha me sqarimin e çështjes, në shtëpinë që zura në katin e pestë të pallatit, kishte shkuar policia, me një urdhër ekzekutiv, për të nxjerrë jashtë, në rrugë të madhe familjen time, me gjithë plaçka. Nëna jonë, Zonja e Madhe e Binajve iu drejtua policëve: "Të keqen nëna, mor djem; Unë e di se shtëpinë e kemi, sipas rregullave, nga Komiteti Ekzekutiv i Rrethit të Tiranës e nuk kemi hyrë brenda, si firarë"! Njëri nga policët, me sa duket ai që ishte i pari i tyre u nis për në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit (aty ku kishte marrë urdhrin e ekzekutimit); pas pak, policët, pa thënë gjë, nisën të largoheshin (u tërhoqën nga aksioni policor).

Pas kësaj ndodhie të pakëndshme, vëllait tim i ofruan autorizim për strehim, nga Komiteti Ekzekutiv i Rrethit të Tiranës. Në banesën e ndërtuar me kontribute vullnetare, nga Ndërmarrja Gjeologjike e Tiranës; Komiteti Ekzekutiv i rrethit kishte kontingjent të tij 5 apartamente. Ky ishte rregull i përgjithshëm, i cili zbatohej për çdo ndërtim me kontribute vullnetare. Ata që i sollën autorizimin, i thanë vëllait tim: "Futu ku të duash, në apartamentet e pazëna; zgjidhe vetë apartamentin ku do të banosh"! Siç kujton vetë Dilaveri: "U mundova të futesha në katin e tretë ose në katin e katërt të banesës, por apartamentet ishin të zëna. Tentova të shqyeja dyert e tyre por ishte e pamundur.

Atëherë u futa në katin e parë, në apartamentin ku banoj aktualisht. Për këtë mora bekimin e Nënës. "Bëre mirë, bir-o! Ti i ke fëmijët të egër e mund të bien nga dritarja".

Në muajin shkurt të vitit 1976 erdhi në jetë Ermiri. Pastruam apartamentin nga mbetjet e ndërtimit e u futëm brenda.

Kështu përfundoi ky kalvar me vështirësi lloje-llojesh"!

Në atë kohë Nëna Jonë, Zonja e Madhe e Binajve banonte në të njëjtin apartament me Dilaverin, bashkë. Në muajin korrik të vitit 1975, më ngjau një fatkeqësi e madhe; për shkaqe të mirëfillta morale, shkatërrova familjen. Derisa Këshilli Popullor i Lagjes Nr.9 në Tiranë, më autorizoi të futesha në një dhomë, në banesën me dy kate, në rrugën e "Kavajës", përballë Parkut të "Xha Tomit", jam endur, derë me derë (herë në repart, në zyrë; herë tek ish-klubi "Partizani" e herë gjetkë), prandaj, Nënën nuk mund ta merrja me vete, kudo që shkoja, por Ajo u sistemua në familjen e Dilaverit dhe i përjetoi të gjitha peripecitë e marrjes së shtëpisë.

Kur ishte vetëm 40 ditë, Ermiri u sistemua në Çerdhen Nr.14, atje ku ishte sistemuar më parë, motra e tij –Kozeta. Shkollën fillore, të dy fëmijët e Dilaverit, me diferencë moshe të vogël, e kryen në Shkollën "Ali Demi". Dilaveri kujton se, kur Ermiri ishte në klasin e dytë dhe Kozeta një klasë më lart, Ermiri, meqenëse ishte më i mirë në mësime, ndihmonte të motrën edhe pse ajo ishte në klasën e tretë. Limja, prej asaj kohe, derisa doli në pension, punoi në NTSHUS (Ndërmarrja tregtare shtetërore e ushqimit social), pa turne. Duke punuar përherë në turnin e parë, Asaj i jepej mundësia të shkonte shpesh në çerdhe e në kopsht e më pas në shkollë, për të parë shëndetin, trajtimin e fëmijëve të saj nga edukatoret dhe ecurinë në mësime.

Martesa me Halimene e Allajve, rezultoi e pafat në jetën e Dilaverit.

Limja ishte motra e dytë nga vajzat e Sadijes me Abdyl Allen. Motra e madhe e serisë së vajzave ishte Merjemja, bashkëshorte e devolliut Fejzi Mancelli. Bashkëshortja e Dilaverit u rrit në një familje me shumë fëmijë. Abdyl Alla ishte nga fshatrat e malësisë të Tiranës. Familja që formuan Dyli dhe Sajdea jetonte me të ardhura të pakta; në ngushtësi ekonomike.

Në atë familje, paga e policit të objekteve që merrte Abdyl Alla, në kohën kur bënte roja në Hidrocentralin e Linzes, ishte i vetmi burim i të ardhurave. Duhet thënë se fjala e Abdylit në familje ishte ligj për të gjithë pjesëtarët e saj; ajo nuk mund të kundërshtohej nga asnjeri. Dyli ishte mjaft autoritar në familje, autoritet, i cili pleksej me fanatizmin tradicional të zonës. Nëna e Limes – Sajdeja, ishte shtëpiake. Ajo, në çift me Abdylin, solli në jetë shtatë fëmijë, të cilët u rritën në skamje; me frymën dhe me teshat e njëri-tjetrit. Në serinë e vajzave të tyre, numërohen, sipas radhës: Merjemja; Halimeja; Meleqja; Kadija; Sabrija dhe Lumja; si dhe djemtë: Qamil dhe Aqif. Për hir të së vërtetës, Nëna e tyre, Sajdeja nuk e pati të lehtë menaxhimin e shtatë fëmijëve në ato kushte të vështira.

Vajzat, të ardhura në jetë njëra pas tjetrës, visheshin me petkat e motrave më të rritura. Motrës së vogël praktikisht i takonte të vishte fustan të ri vetëm për Barjam ose me rastin e ndonjë feste tjetër fetare. Të dy vëllezërit, me diferencë jo aq të madhe në moshë nga njëri-tjetri, gjithashtu shfrytëzonin veshjet e njëri-tjetrit. Vështirësi të shumta dilnin përpara Nënë Sajdese, e cila menaxhonte, me shumë mund, djersë e mend, mbushjen e stomakeve të fëmijëve të saj, të burrit dhe çfarë të mbetej, edhe të sajën. Në kusinë që zjente në vatër, vlonin preshi, lakrat e egra të mbledhura arave, fasulja dhe barishtet e tjera, era e të cilave kundërmonte së largu. Paga e policit të objekteve që përftonte Dyli, ishte e pamjaftueshme për të siguruar ushqimet për të gjithë familjen, prandaj Nënë Sideja ishte e detyruar të dilte nga shtëpia për të mbledhur barishte dhe, ç’është e drejtë, Ajo ishte mjeshtre e gatimeve tradicionale tiranase. Në sofren e familjes Alla shpesh shtrohej trahanaja në të dy versionet (e ëmbël dhe e thartë), vala, qulli, petullat, misri i zier, gjiza, japraku; harapashi; kalaposhet, byreku me lakra, fasulet dhe fierzat, lakrat etj. etj.

Prindërit dhe e gjithë familja, mezi pritnin të rriteshin e të futeshin në punë fëmijët më të mëdhenj në radhë që të merrnin një pagë sa për të mbajtur frymën, e kësisoj, duke u shtuar të ardhurat financiare, do të përmirësoheshin dhe kushtet e jetesës. Sytë i kishin drejtuar nga Qamili, nga Merjemja dhe nga Halimeja pastaj dhe nga fëmijët e tjerë, që vinin në radhë. Vajzat e familjes Alla ishin simpatike dhe me norma morale. Siç është e njohur, vajzat, krahasuar me djemtë rriten më shpejt dhe po më shpejt lidhen me martesë. Vajzat e Sajdese e të Abdyl Alles, ishin të kërkuara. Shkësit, hynin e dilnin në atë prag, njëri pas tjetrit. Ata kërkonin nuse për djemtë e miqve të tyre, ndonjëherë dhe për pinjollët e tyre.

Siç erdhën në jetë e si u rritën, fejesat e vajzave të kësaj familjeje pasuan njëra-tjetrën. Shumica e dhëndurëve vinin nga familje të kamura gjë që mundësoi përmirësimin e gjendjes ekonomike të familjes Alla dhe të pozicionit të saj shoqëror.

Limja nuse në derën tonë, mori për burrë Dilaverin e Xhevit Malkos, njërin nga djemtë më të shkathët të fshatit e njeri të kompletuar, i cili "bënte petë" jo vetëm për vete dhe për familjen e tij. Fakti që Dilaveri u vendos e u sistemua në qytetin e Tiranës me atë cidi, kur nuk ishin të shumtë edhe ata që bënin të njëjtën gjë, edhe kur kishin kryer shkolla të larta e kishin profesione të kërkuara.

Limja ishte e lindur dhe e rritur në një mjedis tiranas, në të cilin zakonet, traditat, mentaliteti etj. ishin të ndryshëm nga ato të trevës nga vinte Dilaveri, por Ajo, me zgjuarsinë dhe aftësitë e saj të veçanta, u përshtat shpejt me kërkesat e reja dhe me zakonet tona. Ajo u përfill me shpejtësi e me aftësi për të pastruar, sistemuar dhe kompletuar shtëpinë e re duke çmuar rastin fatlum të nisjes së një jete të re, në kushte normale. Vlerë e kapitull me vete, me karakteristika të pashembullta, ishte përshtatja e saj e shpejtë e në mënyrë të çuditshme me fshatin tonë dhe me banorët e tij, të cilët ishin tepër të "largët" për nga mënyra e jetesës dhe karakteristikat e veçanta të tyre.

Në Kalivaç, në kohë të ndryshme, kanë ardhur, vazhdimisht nuse, nga treva të ndryshme të vendit. Ato kanë shpërfaqur, menjëherë apo pas disa kohësh vese, huqe, mentalitete e qëndrime të ndryshme, por nuse që të ulej shesh – bësh (këmbëkryq), në çdo vatër fshatari e të kuvendonte me gratë apo me burrat vendas, sikur të ishte lindur e të ishte rritur në gurin e Kalivaçit, numërohen me gishtat e njërës dorë. Nëse dikush kërkon të dijë, përse Limja u përshtat aq bukur e aq shpejt, mund t’ju them se Ajo ishte e rritur thjeshtë e në vështirësi. Ndoshta mund t’i jap të drejtë dhe dikujt që ruan opinionin se mentalitetet e të dyja trevave tona janë të përafërta. Këto janë, pa mëdyshje të drejta por, po aq e vërtetë është dhe thjeshtësia e asaj gruaje, e cila nuk e kishte për keq, të futej në kasollen e lopës, tërë bajga apo të ulej këmbëkryq, në vatrën shtruar me shur, përzier me byk e me bajga lope, me ose pa shilte të shtruar. Medalionit të thjeshtësisë së Saj, i shtohej aftësia për të zhbiruar çdo skutë dhe mënyra e të komunikuarit me njerëzit.

Në trungun e Binajve, Limja u lidh, më ngushtë me Hysnijen, bashkëshorten e Luto Resulit dhe me vetë Luton. Afrimi me Zamirin dhe shërbimet që i kreu Atij Limja, në kohën kur djaloshi kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Policinë Ushtarake të Shtetit, në Tiranë, me siguri që shërbeu si nyje e fortë lidhëse. Lutoja babaxhan e hokatar, me shpirtin e gjerë, si det, përkrahej shumë me sivëllanë tonë Reshat Resmiu dhe me vëllanë e tij – Nelon. Ndoshta kjo ishte një rrethanë tjetër që e lidhi Limen me këta të dy, me bashkëshortet e tyre: Kushullen dhe me Xhikon, e me fëmijët e tyre. Bexhetja e Xheladin Resulit, me tipin e saj të çiltër e hokatar dhe me karakterin e drejtpërdrejtë, e kishte shumë për zemër Limen dhe përkrahej me të. Nuk bëhet fjalë për lidhjet e saj me Vjollcen dhe me bashkëshortin e saj – Petrefin, në shtëpinë e të cilëve gjenin qetësi, siguri dhe bujari.

Dilaveri dhe Limja, sa herë shkonin në Kalivaç, shtëpinë e Petrefit e kishin hotel dhe restorant. Fakti që në familjen e Petrefit, banon dhe vjehrra e tij znj. Ervehe, ishte faktor plus. E veja e të ndjerit Veli Ahmet Pashaj, me zemrën e saj të bardhë, kur vinte çifti në fjalë, nuk nxinte e sterronte, por bëhej shend e verë.

Limja ishte e pritur. Bujaria e shpirtit të saj ishte e paparë. Edhe kur u strehua në një sipërfaqe të kufizuar banimi, në katin e parë të banesës pesëkatëshe që ndërtoi Ndërmarrja Gjeologjike, me kontribute vullnetare, shtëpia e saj u kthye në një vend pelegrinazhi ku hynin e dilnin bujtës të shumtë. Falë shpirtit bujar të Halimese dhe të Dilaverit banesa e tyre, kishte bujtës, të cilët jo vetëm hynin e dilnin por qëndronin (hanin e pinin, kalonin natën dhe kërkonin shoqërim për të zgjidhur hallet e tyre). Më së shumti familjen e Saj e vizitonin njerëz të krahut tonë, por kishte dhe nga të Limes, të cilët, si Tiranas vinin vetëm për vizitë. E kush nuk e ka shkelur atë prag bujaresh? Më ngjan se vajti në vend një thënie e lashtë, sipas të cilës: "… Moj shtëpia bukëdhënë, do bëneç siç keshe qenë"!

Dera e Madhe e Binajve të hershëm, falë bujarisë së Limes dhe të Dilaverit u përtëri, në dimensione të reja edhe në kohët moderne. Koha e qëndrimit të njerëzve të krahut tonë, në atë shtëpi ishte e ndryshme. Ata që i zinte nata në udhë, flinin atë natë, hanin e pinin dhe të nesërmen ndiqnin destinacionin.

Por kishte dhe të atillë, të cilët qëndronin me ditë të tëra; kërkonin, përveç strehimit dhe ushqimit edhe "temenara".

Bujtesit vinin në Tiranë për hallet e tyre. Disa kishin fëmijët në shkollë dhe interesoheshin për shëndetin dhe për ecurinë e tyre në mësime; disa të tjerë kishin të afërm të sëmurë, të shtruar në spital apo për t’u vizituar tek mjekë specialistë. Një takëm vinin për t’u ankuar në organet e larta të Partisë ose të qeverisë, për padrejtësitë që u ishin bërë në trevat apo në organet lokale. Vinin dhe familjarë të ushtarëve, të cilët ishin duke kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në repartet e kryeqytetit. E them me bindje të patundur se divanet dhe kolltuqet e kuzhinës së Limes, po të kishin gojë e të flisnin, me siguri që do të dëshmonin masakrën që u bëhej.

Më së shumti vinin koshtanakë dhe familjarë e të afërm të dajove tanë. Nga Toci e nga Zhulajt vinin familjarë dhe të afërm të tezeve; nga Krahësi, fëmijë dhe të afërm të motrës sonë të vetme – Lumturisë. Vinin njerëzit tanë nga Vlora, nga Korça, nga Shkodra e nga nuk vinin, në atë derë bujare. Nuk llogariten kalivaçasit të cilët e kishin derën të hapët në çdo orë dhe hynin e dilnin si në shtëpinë e tyre. Interesant: Të gjithë bujtësit, kur merrnin udhën për në Tiranë, ngado që të niseshin llogaritnin vetëm paratë e biletës së udhëtimit, për të tjerat përgjigjeshin Limja dhe Dilaveri. Kjo ngjante jo vetëm tek fshatarët por dhe tek ata që ishin qytetarë dhe që i njihnin kufizimet e kohës dhe shpenzimet.

Në mesin e viteve ‚70, pasi ishte martuar e ishte stabilizuar Dilaveri me strehim, në Tiranë, më ngjau një fatkeqësi e rëndë familjare; shkatërrova familjen (ndava bashkëshorten). I shtrënguar të braktisja sipërfaqen e banimit që kisha, flija në repart apo në një dhomë përballë Parkut të "xha Tomit", Nëna jonë, Zonja e Madhe e Binajve, për këtë arsye u bë si top futbolli. Ajo u vendos në familjen e Dilaverit, derisa u zgjidh çështja e strehimit tim. Limja, e gjeti shpejt fjalën me vjehrrën e urtë e fisnike.

Mirëpo Zonja e Madhe e Binajve ishte mësuar me jetesën në kushte të tjera. Ajo, qysh se erdhi në Tiranë, jetoi pak me djemtë e mi: Ardjanin dhe me Oltionin por, ngaqë ishte e malluar për të rritur fëmijë, u lidh fort me ta, i donte shumë ata e bënte shumë pas tyre. Ndoshta ky qe shkaku që edhe Limja u lidh ngushtë me të dy djemtë e mi dhe i trajtonte ata, njëlloj si fëmijët e saj. Prandaj, Ardjani dhe Oltioni, edhe pse u rritën, u maturuan e u bënë vetë prindër, shërbimin e Limes nuk e harruan dhe lidhjet me të i mbajtën të qëndrueshme deri në fund të jetës së Saj.

Tipar dallues i Limes ishte aftësia për të qenë e "ngjitur" dhe e afruar me gjitonët. Ajo gëzonte një respekt e reputacion të veçantë në mjedisin ku banonte e më gjerë. Fjala e saj e ëmbël ngjiste si mastikë; të gjithë e donin dhe e nderonin, ashtu si dhe Ajo ua shpërblente me të njëjtën monedhë. Megjithëse në shtëpinë e Limes hynin e dilnin vazhdimisht njerëz, nga fshati e nga qyteti dhe dera e shtëpisë së saj trokiste vazhdimisht, shtëpinë Ajo grua e mbante në çdo kohë të rregullt e të pastër. Limja i ndërronte vazhdimisht kolltuqet ku uleshin njerëzit dhe mobilet e shtëpisë. Dashurinë për vëllanë tim, Ajo e përkthente në kujdes, për Atë dhe për fëmijët e përbashkët. Dilaveri është vetë i rregullt e i kujdesshëm dhe i pëlqen të ketë pamje të jashtme të rregullt, por bashkëshortja e tij - Limja skrupuloze kujdesej që burri i saj të ishte në çdo kohë i veshur mirë, i rregullt e i pastër.

Më ka lënë shije të mirë dashuria e veçantë që ushqente Limja për të birin dhe për Klean, vajzën e Kozetes. Qysh se erdhi në jetë, e derisa Limja ndërroi jetë, Ermiri zinte vend të veçantë në jetën e Nones së vet, të cilës, i pëlqente t’i thosh: "Plaka".

Në shtatë vitet e fundit të jetës, Limja suportoi sëmundjen e parkinsonit. Ajo lëvizte me vështirësi nëpër shtëpi e në lagje, por e kishte mjaft të vështirë, thuajse të pamundur për të vizituar të afërmit dhe rrethin miqësor që formoi. As që mendohej të shkonte, si më parë në Kalivaç, në Krahës e gjetkë. Sëmundja e rëndë e kufizoi Limen nga lëvizjet. Ajo grua, e cila nuk zinte vend, u kufizua e nuk mund të shijonte më kënaqësinë që ndiente kur ulej, shesh - bësh, me shoqet dhe me gjitonet e afërta për të biseduar. Vetëm cigaren nuk e ndau nga dora ajo femër.

Limja e përjetoi keq sëmundjen e Dilaverit, goditjen cerebrale e cila e mbërtheu pas krevatit dhe e çoi në paralizë. Dilaveri qëndroi i shtruar në Spitalin Nr - 5 të Tiranës, plot një muaj.

Kur e kisha të mundur, i shkoja vëllait në spital, jo për t’i shërbyer, mbasi i biri – Ermiri, nuk i linte gjë mangut dhe unë isha i pamundur fizikisht për t’i shërbyer. Shkoja vetëm për ta parë e për të nxjerrë merakun tim. Sa herë i shkoja për ta parë tim vëlla, i jepja kurajo që ta përballonte sa më mirë sëmundjen e rëndë. U habita kur, në një rast gjeta në dhomën e tij të ndjeshmen Lime, e cila, ashtu siç ishte e sëmurë, me kufizim të lëvizjeve, kishte sakrifikuar për të parë bashkëshortin e saj, me të cilin kaloi një jetë dhe solli në jetë dy fëmijë.

Kur më pa të hyja në dhomën e vëllait, ime kunatë, duke përdorur një shprehje të lashtë tironse, m’u drejtua me fjalët: "Ka ardh daci, me pa qorrin"! Qeshëm, të katër me këtë shaka të gjetur. Ermiri e ka shumë për zemër të folurën në dialektin vendas (tiranas). Ai u kënaq shumë e u gajas, kur dëgjoi nga goja e "plakës" së Tij, këtë shprehje të preferuar.

Pas një muaji hospitalizim, Dilaveri u stabilizua në parametrat jetësore dhe, sipas rregullave u zhvendos, nga Spitali Nr.5 në banesën vetjake, pranë Fushës së Sportit në Lagjen "Ali Demi". Pas kësaj, sensibiliteti i Limes u shumua. Ajo, tashmë përkujdesej që Dilaverit mos t’i mungonte asgjë nga shërbimi mjekësor që merrte në spital. Ime kunatë, ndjente përgjegjësi dhe kujdesej për mjekimin rigoroz e në kohë si dhe për ushqyerjen e të shoqit me produkte bio. Gëzonte e gjora grua që burri i saj, "ia hodhi" edhe këtë radhë dhe besonte në përmirësimin e shpejtë të tij.

Populli ynë i mençur, ka formuluar, nisur nga përvoja e tij shekullore "postulatin": "Ç’sjell dekika, nuk sjell moti". Tragjedia e pabesueshme, ngjau atëherë kur asnjeri nuk e priste. Në mëngjesin e 3 shtatorit të vitit 2019, rreth orës 08.30, kur znj. Lime ishte duke u kujdesur për ushqimin e bashkëshortit, me qumësht, të cilin ia mori gjitones derë për derë, sapo u fut në korridorin e shtëpisë së saj, u plandos (u përplas) përtokë, e dha shpirt.

Në këtë rast fatkeq të saj, nuk kishte asnjeri, i cili të mund ta ndihmonte. Ermiri ishte larguar në punë, kurse Dilaveri dergjej i shtrirë, në shtrat, në pamundësi për të lëvizur në mënyrë autonome.

Çdo i rritur, me sadopak mend në kokë, mundet ta kuptojë përmasën e kësaj tragjedie. Njeriu i dashur po jepte shpirt, kurse im vëlla e vështronte e nuk mund t’i vinte në ndihmë. Atij i digjte në zemër kjo pamundësi, por mjaftohej duke bërtitur nga vendi: "Halime! Halime! A je gjallë?" Kozeta, vajza e vetme e familjes ndodhej larg; ajo ishte në Itali, në kërkim të një pune, për të ushqyer fëmijët. Klea dhe Orgesi; dy fëmijët e Kozetes të cilët e donin shumë gjyshe Limen, ishin në shkollë. Në banesë ishin vetëm e ndjera dhe Dilaveri. Ky i fundit, nga emocionet e forta dhe nga gjendja e shokut që pësoi, nuk mund të formonte as numrat e telefonit të urgjencës, e cila, edhe pas njoftimit që mori nga vëllai i Aristidhit, erdhi me vonesë; në kohën kur Limja kishte ndërruar jetë.

Isha me pushime në plazhin e Gjirit të Lalezit. Më njoftoi vëllai i Aristidhit; u nisa menjëherë por udha është e gjatë e nuk iu ndodha pranë vëllait të vetëm fatkeq, Dilaverit, në këtë situatë tragjike. Për të ngushëlluar, në shtëpinë e Dilaverit (tek lokali përballë shtëpisë) erdhi e kush nuk erdhi? Lumë njerëzish u derdhën. U mbush oborri dhe lokali, ngushëllimet i pritnin Ermiri, vëllai i të ndjerës - Qamili (ndjesë pastë) dhe unë. Kozeta ndodhej me punë në Itali; ajo erdhi vetëm të nesërmen, madje me vonesë. Më lanë mbresë shumë episode por më tepër më ngjan si një "shkulje" e Skënder Muharrem Nelaj, me Halimene (të dy të sëmurë) me të gjithë djemtë dhe nuset e tyre. Kjo vërteton edhe një herë, postulatin se gjaku nuk bëhet ujë.

Por, vura re dhe një rast, pa precedent. Kur u nda nga jeta e ndjera Lime, në shtëpinë e Dilaverit, erdhi me shpejtësi Musai i Mehmet Musait dhe të tjerë njerëz të fisit tonë. Çuditërisht, po atë ditë, Musai u largua e nuk u duk më, as të nesërmen, në varrimin e Limes e as në drekën mortore që u shtrua, pas varrimit të saj. Nuk arrij ta shpjegoj këtë vijë sjelljeje të tij.

Sipas zakonit të të dy krahëve, xhenazen e gdhinë gratë e fisit tonë dhe ato të derës së babës (natyrisht të reduktuara në numër). Halimeja, bashkëshortja e Skënderit, edhe pse e sëmurë, këmbënguli që ta gdhinte xhenazen. Arkmorti u vendos në mes të kuzhinës dhe gratë që bënin pelegrinazh, ishin vendosur rreth tij.

Në atë rit fetar, morën pjesë: Sajdeja (nënë e të ndjerës) dhe motrat e saj: Merjemja dhe Kadija, vajza e madhe e Qamilit; Tatjana, Behija dhe gjitonët: Nica e ajo përballë, të cilat hynin e dilnin herë pas here në atë dhomë. Sa të rëndë e ka pasur Dilaveri, atë natë, kur bashkëshortja e tij e ndjerë, dergjej, e pajetë në arkmort, disa hapa pranë tij e Ai nuk mund të çohej nga shtrati, qoftë dhe për t’i prekur ballin.

Në ditën e përcjelljes për në banesën e fundit; më 4 shtator të vitit 2019 barrën kryesore e përballoi me dinjitet dhe siç i përkiste, i biri - Ermiri. Atë ditë ngjau diçka e rrallë dhe e paparashikuar. Kozeta, bija e vetme e Limes të ndjerë, për arsye pune nuk ndodhej në Shqipëri. Ajo punonte në qytetin e Piacences, në Kastelo San Xhiovani, në Itali. Ndonëse Ajo u njoftua menjëherë për ndarjen nga jeta të Nënës së Saj e pati të pamundur të mbërrinte në kohë, në ceremoninë e varrimit, si kusht i domosdoshëm. Mbërritja në kohë, në ceremoninë mortore, nuk varej prej saj. Punëtorja e shtëpive, në Piacenca, nuk mund të ndikonte në fluturimin nga Roma në Rinas, avioni i linjës në fjalë erdhi në ulje me vonesë të madhe.

Falë këmbënguljes së Ermirit dhe opinionit mjedisor, tej të gjitha rregullave (ishte caktuar ora e saktë e varrimit), u shty ora e ceremonisë së varrimit, 60 minuta, derisa mbërriti Kozeta, e cila e përcolli arkmortin e Nënës së saj, duke bërë takimin e fundit me të. Kozeten e mori nga Rinasi dhe e solli në Tiranë, djali i dajë Aqifit - Geni, i cili kishte ardhur nga Belgjika, për të varrosur hallë Limen.

Në ceremoninë e varrimit, sipas ritit Musliman, pjesëmarrja e njerëzve ishte e pazakontë. Rrallë ishte parë në atë varrezë (në shtishtufine) ajo dyndje pelegrinësh. Në "ekipin" e hoxhallarëve, mori pjesë dhe djali i vetëm i të ndjerës Lime, Ermiri besimtar. Në kortezh ishin të panumërt njerëzit e krahut të së ndjerës, të cilët banojnë në Kryeqytet ose në rrethina. Të shumtë ishin njerëzit e fisit tonë dhe dashamirët e Dilaverit. Vetë Dilaveri nuk mundi të merrte pjesë as në ceremoninë e varrimit; as në drekën mortore. Ai ishte i paralizuar, në shtrat dhe në pamundësi për të lëvizur. Kjo ishte goditje tjetër për Të. Ngarkesa emocionale dhe dhimbja që shkaktoi ndarja nga jeta e njeriut me të cilin Ai përcolli shumë vite jete dhe solli në jetë dy fëmijë u shtua shumë nga ky fakt, por Dilua burrë, me burrëri e përballoi dhe këtë sfidë të rëndë.

Dreka mortore në shenjë nderimi dhe respekti për të ndjerën dhe për familjen e saj, u dha në restorantin ku organizohen të tilla evente, pranë Oxhakut të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve. Shpenzimet e varrimit, të drekës dhe ato të të tretave, të shtatave dhe të dyzetave, i përballoi Ermiri. Të tretat, të shtatat dhe të dyzetat u përcollën, me kafe, në lokalin përballë shtëpisë së Dilaverit, në Tiranë.

Në krye të vitit Ermiri përfundoi odisenë e përgatitjes së varrit të Nënës së Tij. Miri, i cili e donte dhe e respektonte shumë Nënën e Tij, porositi dhe kontrolloi nga afër e hap pas hapi një varr të thjeshtë, por mjaft të kushtueshëm me materiale të shtrenjta, me një dedikim të thjeshtë por kuptimplotë. Edhe gurët e bardhë, të cilët janë vendosur në hapësirën mes kornizës, Ai i porositi në Meke. Çdo të diel, Miri bën homazh tek varri i Limes dhe kujdeset për mirëmbajtjen e atij "vendi të shenjtë"! Ai ka një rit të vetin, të cilin e ndeshim rrallë në praktikë: Nuk lejon të vendosen lule mbi varrin e Nënës së tij, por respekton, me fanatizëm të gjithë ritet që lidhen me këtë proces. Uroj të ketë uratën e t’i bëhen të mira kujdesjet për Nënën e tij të dashur!

Dilaveri po e përjeton me trishtim e me kufizime fizike humbjen e të shoqes. Ai, me vështirësi, me ndihmën e një paterice por me dhimbje të shumta, sidomos të njërës dorë e të këmbës të cilat shkaktojnë dhimbje herë pas here, në vartësi nga moti. Ai, me vështirësi, lëviz, në kafeteritë pranë ku qëndron për të përcjellë disa orë, çdo ditë. Në vendin ku qëndron, nuk rreshtin së vizituari miq, shokë e të afërm nga ndërmarrja ku ka punuar (përfshi të gjithë drejtorët e ndërmarrjes), gjitonë të shumtë dhe njerëz të fisit Nelaj, disa nga të cilët marrin udhë të gjatë për të mbërritur në Tiranë. Të shumta janë telefonatat me njerëz të largët, disa nga të cilat Dilaveri i gjen vetë!

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj; vëlla i Dilaverit. Në Tiranë, gjatë muajve: shkurt–prill 2022

Opinione

  1. Sadik Jace Sadikaj – i afërt i Dilaverit. Ai është rritur me Dilaverin e ia njeh mirë karakterin.

"... Dilaveri i Xhevit Malkos;
Asnjëherë nuk u mërzit;
Që fëmijë, kur ishte i vogël;
Edhe natën bënte ditë;

Me atë trupin muskuloz;
Dy gurë bashkë nuk i linte
Më shumë punonte natën;
Vetëm dy orë gjumë flinte;

Nata e zinte në Rredhe;
Mesnata, në Mal’ të Thanës;
S’kishte roja që ta kapte;
Të gjithë i vinin anës;

Sa lezet i kishte vendi!
Dhentë kur në shtrungë çonte;
Gjithmonë i pamërzitur;
Fishkëllente dhe këndonte."

Shkruar në fshatin Kalivaç të rrethit të Tepelenës, më 1 maj 2022

  • Avni Mece, inxhinier minierash, ish-drejtor i Minierës së Mezezit dhe i Pellgut Qymyrguror të Tiranës.

Kam vlerësim të veçantë për Dilaver Nelaj, për familjen dhe për fisin e tij luftarak. Jemi nga e njëjta anë; fshatrat tanë ndodhen përballë njëri-tjetrit. Të dy fshatrat tanë, kanë tradita të forta atdhetarie e përbëhen nga njerëz luftarakë, gjë që ma shton respektin.

Dilaveri është i zgjuar. Ai ta përpinte mendimin akoma pa e nxjerrë fjalën nga goja; d.m.th.: e kapte problemin në ajër. Dilaveri është nga ata njerëz, të cilët dinë ta respektojnë shokun dhe mikun. Ai i jep vendin e merituar, si eprorit dhe atyre që ka paralel me veten.

Duke çmuar të gjitha rrethanat, kur më erdhi e më kërkoi ndihmë për të nisur punë në Minierën e qymyrgurit në Mezes, ku isha drejtor mendova: "Si mos ta ndihmoj, këtë goxha djalë; me këto tipare të spikatura e me origjinë e fis trimash dhe të shquar për besnikëri"? E ndihmova, sa munda dhe nuk më vate dëm ndihma që i dhashë.

Në vitet që pasuan, lidhjet tona shoqërore u shtuan e u forcuan, vazhdimisht, mbi baza të shëndosha, pa prekur marrëdhëniet Drejtor-punëtor.

Tek Dilaveri pashë një djalë besnik, i cili e çmonte ndihmën dhe përkrahjen që i jepje dhe ta njihte nderin që i kishe bërë. Ai të dëgjonte me vëmendje dhe i konsideronte këshillat që i jepje por kishte dhe mëvetësi mendimi e veprimi. Ai është nga ata njerëz që ta imponojnë respektin për Të. Prandaj nuk ia kurseva ndihmën dhe përkrahjen. E meritonte të tregoje kujdes për Të. Për çdo gjë që kërkonte i vija në "takim".

U ndjeva keq e u ligështova, kur mësova për fatkeqësinë e rëndë që i ngjau. Lidhjet me të mirin Dilaver Nelaj i kam ruajtur si gjë të shtrenjtë e i kam forcuar vazhdimisht. Sa të kem jetë, nuk do t’i cenoj këto lidhje të lindura e të kalitura në kohë të vështira.

  • Fuat Mete Sulaj, shok fëmijërie e rinie dhe shok ushtrie i Dilaverit.

"… Shoqëria jonë i përket adoleshencës, moshës së mesme dhe pleqërisë; ajo ka qenë e pandarë. Kishim gjëra të përbashkëta, prandaj u miqësuam shpejt. Prindërit tanë: Xha Xheviti dhe Mete Medini, të cilët e donin dhe e respektonin shumë njëri-tjetrin, na lanë trashëgim një lidhje të ngushtë e të sinqertë shoqërore, të cilën na erdhi në "shteg" ta forcojmë. Na lidhi jo vetëm mosha e njëjtë por dhe disa tipare të përbashkëta. Kujtoj se kalivaçasit, dikur thoshin: "Miqësia ngjan pa bëhet"!

Kështu ka ngjarë dhe me ne të dy.

Dilaverin e njoha në kohën kur, të dy shkonim në shkollën e fshatit, e cila në atë kohë ishte shkollë tetëvjeçare. Në atë kohë, shoqëria jonë ishte, më tepër shoqëri shkollarësh.

Kur përfundonte mësimi, secili prej nesh shkonte pranë familjes. Kujtoj se edhe pas orarit të shkollës kishim aktivitete; jepnim e merrnim nga shoqi-shoqi. Gjysmën e dytë të ditës, thuajse çdo ditë ia kushtonim lojës me top. Luanim me top, ku të mundnim; në një shesh, kur gjenim një të tillë, ose në një brinjë, e cila kishte një faqe të rrafshët. Të dy ishim mjaft të dhënë pas çobanërisë. Shkonim me dhen, mbasi edhe baballarët tanë mbarështonin dhen. Pleqtë tanë, të dy ishin të pashkollë, por kishin lidhur një miqësi të shëndoshë mbi fjalë e me besë burri. Pikërisht këto tipare të domosdoshme, pikasa, që në fëmijërinë tonë, tek Dilaveri i xha Xhevitit. Ai ishte fjalëmbajtur, njeri me edukatë të shëndoshë familjare, ishte i drejtë e i ndershëm si i Ati.

Prandaj u bëmë shokë e miq të mirë, me njëri-tjetrin.

Me rritjen e moshës, edhe miqësia mes nesh u rrit e u bë më e fortë. Jemi moshatarë (të një moshe) dhe si pinjollë që vinim nga familje të besës e pa huqe, kur na erdhi kuraja (radha) për të shkuar ushtar, na caktuan për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në kufirin shtetëror; mua më shpunë në rrethin e Kolonjës; Dilaverin, në rrethin e Korçës. Jeta e kufitarit, na kaliti e na mësoi mjaft gjëra që më parë nuk i dinim. Besnikëria dhe sinqeriteti, në miqësinë tonë shkëlqyen më fort.

Pas kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, në kufi, Dilaveri u çmobilizua e shkoi në Kalivaç; unë qëndrova nënoficer i karrierës në kufi. Më pas, kur Dilua u vendos në Tiranë e unë me familje u stabilizova në Erseke, ku banoj dhe aktualisht, megjithëse banonim në distancë të largët nga njëri-tjetri dhe jetojmë në rrethana të ndryshme, lidhjet tona nuk u shuan, përkundrazi, ato u forcuan më tepër; u shtua dhe mallimi për njëri-tjetrin.

Tek Dilaveri kam pikasur një prirje të mirë: Ai di ta ndajë të mirën nga e keqja dhe nuk e "jep" shokun e mikun, si në rrethana të favorshme dhe kur "fryn syfryk".

  • I uroj mikut tim të mirë e të lashtë: Shëndet e jetë të gjatë!"

Shkruar nga Fuat Mete Sulaj, në Erseke, më 10 prill 2022

  • Hysen Lico Malaj, bashkëmoshatar, kalivaças, shok fëmijërie dhe të moshës "së pjekur".

Jemi të së njëjtës moshë. Me Dilaverin jemi rritur së bashku.

Para se të shkonim ushtarë, kullotnim gomerët atyre hënave (Unë gomarin tim e Ai të tijën). E përcillnim jetën në natyrë. Me qëllim që gomerët tanë të "ngjisheshin" mirë, me bar të pashkelur, i shpinim ata, atje ku nuk kishte shkelur njeri. Zakonisht, netët i kalonim në vendin e quajtur Margëlliç; pjesa që i përkiste fshatit Çorrush, në anën Veriore të rezervuarit artificial. Shkonim dhe në faqen Perëndimore të lartësisë së Majës së Dokes dhe të Mocaleve të Derë. Qazo Mehmetin kishim të parë. Ai, si më i rritur nga ne, na dilte krah e na udhëzonte.

Ushtrinë, e bëmë të dy, në kufirin shtetëror, në rrethin e Korçës. Ai u caktua në postën kufitare të Arrzes e të Nikolices; unë, në Postën Kufitare të Trestenikut. Dilaveri ishte djalë i zgjuar, i shkathët e i fuqishëm. Kishte trup muskuloz e ishte mjaft trim. Dilaveri nuk i trembej askujt; Atij nuk i trembej syri nga asgjë.

Kujtoj Kohën kur, shkonim për të ruajtur e për të kullotur dhentë, në vendin e quajtur Donije. Sheshi i Donijes dhe buza e lumit, kishte burime të freskëta; hije të freskëta rrepesh dhe kishte një shesh të mirë, për të vapuar ne dhe dhentë. Dhentë i "vritnim" lart, nga Shkëmbi e i pritnim kur zbritnin në Sheshin e Donijes. Dilaveri nuk i ndahej xha Xhevitit esnaf, këmba - këmbës. Në ata kufij kullote, dhentë i kullotnin bashkëfshatarët tanë: Breshan Fejzua; Dine Xhelali; Novruz Selfo; Zenjel Ahmeti e ndonjë tjetër. Kalonim vapën, në Sheshin e Donijes, pranë burimit. Aty hanim drekën dhe shpërndaheshim kur përhapeshin në kullotë dhentë tona. Thuajse çdo ditë, Nënë Zonja sillte drekën, për Xha Xhevitin dhe për Dilon.

Kur shërbenim në rrethin e Korçës, në qytetin e Korçës kishim dy miq, të përbashkët. Qani Bektashin nga Krahësi e kishim të dy mik. Dilaveri shkonte tek Qaniu, mbasi kishte vajzë xhaxhai, të shoqen e tij - Velidene, por, Ai shkonte dhe në familjen e invalidit të Luftës Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar, tek Qamil Pasho Nelaj, të cilin e kishte kushëri.

Kur u liruam nga ushtria, të dy u përfshimë në Kooperativën Bujqësore të fshatit Kalivaç. Dilaveri bëri kërkesë për t’u larguar nga kooperativa bujqësore dhe kryesia i dha shpërngulje. Shpërngulje mori dhe Leveni i Ahmet Selfos, për në Tepelenë, ku u vesh polic. Mua nuk më dhanë shpërngulje dhe mbeta këtu, në Kalivaç, ku po përcjell pleqërinë në shoqërinë e një grushti pleqsh.

Megjithëse jeta na veçoi, ne nuk i ndërpremë lidhjet me njëri-tjetrin. Shpesh i telefonojmë njëri-tjetrit dhe kujtojmë ato që kemi kaluar.

  • I uroj mikut tim të mirë – Dilaver Xhevit Nelaj: Shëndet e jetë të gjatë!

Shkruar në Kalivaç të rrethit të Tepelenës, më 17 prill të vitit 2022

  • Mehmet Hasko, dashamirës i familjes Nelaj dhe i Dilaverit.

Kam qenë mik i familjes Nelaj, si në ditë të mira dhe në kohë të vështira. Në shtëpinë e Lirim Arshi Velos, shkoja vazhdimisht. Ishim dhe në të njëjtin vend pune, në Skuadriljen e Transportit Ajror; Ai radist e unë për pajisje elektrike. Lirimi ishte gjiton, derë për derë me vëllanë e Dilaverit - Niazine, i cili punonte gjithashtu në shtëpinë e tij. Aty pata rastin të takoj e të njihem nga afër, me Dilaverin. E njoha si një njeri fjalëpak e punëshumë. Nëna e tyre, Zonja, e cila banonte me dy djemtë e saj mbante në kokë një shami të zezë, të lidhur sipas modelit të grave labe. Ajo bëhej shumë merak për Dilaverin, sidomos për të ardhmen e tij, në Tiranë.

Pas daljes në pension, Dilaveri punoi si sekser, për një4 kohë të gjatë ku shfaqi jo vetëm aftësi e shkathtësi por u shqua dhe për korrektesë. Ruaj respekt për figurën e tij, si njeri me korrektesë shembullore dhe si familjar i rregullt.

  • Salih Xhezo Dulaj; shok fëmijërie i dilaverit, i lidhur me një miqësi jetëgjatë me Të.

"… Dilaverin e kam pasur shok fëmijërie; shoqërinë me Atë njeri e kam ruajtur deri më sot, kur na kanë mbuluar thinjat e jemi zbardhur si dele. Shoqëria jonë nisi si shoqëri mes dy fëmijëve të klasës fillore të fshatit Kalivaç të Tepelenës. Pra, shoqëria jonë nisi natyrshëm, si shoqëri fëmijësh, të cilët zemërohen e pajtohen pareshtur. Ajo ishte e pastër, e çiltër, pa vese e pa interesa në mes. Familjet tona banonin në mëhallë të ndryshme të fshatit e ne, para se të shkonim në shkollë, nuk e njihnim njëri-tjetrin. Të qenit në të njëjtën klasë, në shkollë, na bashkoi e na miqësoi. Mësuesi, sikur ta dinte, na vendosi në të njëjtën bankë. Kjo ishte shkëndija e parë e miqësisë sonë; zjarri i të cilës u bë kalafak.

Tek Dilaveri gjeta një shok e mik të vërtetë e besnik. Ai, me çiltërsinë e me pastërtinë e mendimit të fëmijëve, i thoshte gjërat ashtu siç i vështronte në fakt, pa lezetime e zbukurime dhe kjo mua më pëlqente shumë. Dilaverit i shtohet, zgjuarsia natyrale dhe iniciativa e guximshme. Por, Ai nuk e kishte mendjen tek mësimet por tek delet "bejka" dhe tek topi. Në lojën me top shoku im shquhej për shkathtësi, rezistencë, me sedër dhe gjuante fort e shënonte gol. Duke u rritur në moshë, Ai i kultivoi e i forcoi më shumë këto tipare. Detyrat e klasës dhe ato të shtëpisë zakonisht ia bëja unë; madje edhe torbën me libra ia sistemoja e ia rregulloja unë. Të dy ishim si vëllezër, komunikonim bukur me njëri-tjetrin dhe përkrahnim shoqi - shoqin, pa rezerva.

Jeta na veçoi e na përplasi në udhë jo të njëjta por shoqërinë dhe dashurinë e respektin për njëri-tjetrin e kemi ruajtur, në zemrat tona. Në pamundësi për t’u parë e për t’u takuar, shpesh komunikojmë me njëri-tjetrin nëpërmjet telefonit.

  • I uroj mikut tim të zemrës, shëndet e jetë të gjatë!"

Shkruar në Kalivaç të Tepelenës, nga Salih Xhezo Dulaj, më 5 prill të vitit 2022.

  • Bashkim Lleshi – ish-drejtor i Ndërmarrjes Gjeologjike të Tiranës.

"… Dilaverin e kam njohur në Ndërmarrjen Gjeologjike të Tiranës nga viti 1985, kohë kur kam nisur punë në këtë ndërmarrje dhe më vonë, kur u bëra Drejtor i saj. Ai ka filluar punë në Ndërmarrjen Gjeologjike të Tiranës, në vitin 1974. Dilaveri ka punuar në ekipet gjeologjike të rërës bituminoze; në ekipet qymyrgurore të Mushqetase; të Kamzës; të Mezezit; të Valiasit e të Priskës; në ekipin e kripërave në Golem të Kavajës e në Kaptinën e Martaneshit; në bazën e Gerdecit; në Parkun automobilistik të Gjeologjisë, në Tiranë dhe në Magazinën Qendrore të Ndërmarrjes.

Dilaveri ishte njëri nga punonjësit "shembullorë" të ndërmarrjes sonë. Ai ishte i urtë; i dashur me shokët; i disiplinuar e korrekt, në punë.

Edhe pas daljes në pension, unë kam mbajtur lidhje të rregullta me Dilaverin. Në gjeologji nuk kishim dallime midis punëtorëve dhe drejtuesve. Edhe Dilaveri, në punën që kryente ishte drejtues i një grupi punëtorësh në brigatat e sondave, në organizimin e punëve në ekipe, si në park dhe në magazinën qendrore të gjeologjisë.

Edhe kur doli në pension, Ai punonte, për të mbajtur familjen; në të njëjtën kohë mbante lidhje të ngushta me të gjithë shokët e punës së gjeologjisë të Tiranës.

I uroj: Shëndet e jetë të gjatë!"

Në Tiranë, më 26 maj 2022 Bashkim Lleshi

Shënim: Opinionet e njerëzve, i kam marrë, sikur të kisha përdorur një grep. Dikush, që duhet të më jepte opinion, refuzoi. Mendoj se është në të drejtën e tij (të saj) të japë apo të mos japë opinion.

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj; vëlla i Dilaverit. Në Tiranë, më 27.05.2022