Halle-halle kjo dynja; halli hallit nuk i ngjan ose: Dy veta një hall s’e kanë. I ka thënë populli, nga përvoja e gjatë; neve s’na mbetet veç t’i përsëritim e t’i vëmë gishtin kokës.
Dje, siç mundëm përkujtuam një ngjarje fatkeqe që i mori jetën njeriut tonë të shtrenjtë Agim Tahir Ilirjanit. Agimi ishte fatkeq por notonte shumë bukur e me rezistencë. Ai ishte praktikuar që fëmijë në ujërat e lumit të Vjosës, por notonte dhe në ujëra të ndenjura. Ishte shahist i shquar dhe gjimnast i dalluar.
Në ditën më të ftohtë të vitit, u fut në Liqenin Artificial të Tiranës e nuk doli më. E kërkuam, nuk lamë mënyra pa e kërkuar por, pas dy javësh e nxori uji në anë të liqenit. Dhimbje, pa kufi, përjetuam.
Në përcjelljen e tij erdhën nga Shtëpia e të Moshuarve të Kamzës, të gjithë pensionistët e saj dhe stafi drejtues. Një lumë dashamirësish e përcollën, vëllanë tonë, babanë e tre fëmijëve, njeriun e mirë Agim Tahir Ilirjani.
Dje, në datën kur Ai u shua, vajtëm tek vendi ku e nxori liqeni e hodhëm lule të freskëta, në liqen. Pastaj pimë kafe, në kafeterinë pranë, pikërisht, atje ku Gimi, pinte kafe, zakonisht.
Sot, përkujtuam ditëlindjen e vëllait të Madh të Agimit- Agron Tahir Ilirjanit, i cili, u nda nga jeta, gati një muaj pas vëllait të vogël, nga dëshpërimi. Agroni, si “shqiponjë mali” që ishte, kishte një dhimbsuri të paparë, për të tijet dhe për tepelenasit mbarë. Ndaj e përcuallën, me lotë në sy e me dhimbje në zemër, të njohur e të panjohur. Agronin e kishim vëllanë e Madh. Ai kujdesej në mënyrë të posaçme për Agimin, të cilin e kishte rritur dhe e kishte stërvitur.
Prita të shkruante dikush, për të, por më kot; prandaj po përfillem vetë.
I dashur Agron! Sot do të të festonim 75-vjetorin e lindjes, por nuk e patëm fat! Të erdhëm, të të përkujtojmë, këtu ku prehesh, nën mermerin e akullt. Jo mermer të zakonshëm por granit të zgjedhur të kishim.
Ka ardhur të të kujtojë, mes dhimbjes motra e madhe, hallemadhja Tatjane; motra tjetër - Valentina; djali i vetëm - Artioni etj. Motra e vogël - Violeta, nuk mund të vinte; Atë e ke aty, pranë, disa metra më në Perëndim, nën peshën e mermerit të ftohtë.
Plagën e rëndë që të la Ajo, dhe plagën që more prej vëllait Agim e Babait që të donte e të çmonte shumë, si dhe hallet e tjera, po t’i mbledhësh bëhen ortek i fuqishëm, të cilin nuk e përballove dot.
- Pushofshi në paqe: Vëllai ynë, Agron; vëlla Agim dhe motër Violetë!
- T’u keni lënë jetën të prasmëve! Qyç e liga!

Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.