Në fshatin e bekuar të Kalivaçit të Tepelenës, ka jetuar, deri në moshën 105 vjeç një njeri, të cilin e kam etiketuar si “thesar të paeksploruar” Ai ishte Safet Ahmet Çaushaj, nga fisi i Canajve. Burrë i zgjuar, i mençur, me përvojë të gjatë dhe me një ironi (sarkazëm) të pranueshme e të pakuptueshme nga të pranishmit.

Rrëfejnë se, në një rast kish vajtur në fshatin Shkozë të rrethit të Vlorës, tek një mik i tij. I shtruan darkë, në të cilën u thirrën mjaft burra të fisit të krushkut të Safetit. Shkoza ka pasur burra që e pinin rakinë me opingë, këndonin bukur labçe dhe kishin një skuadër futbolli më të mirë nga ajo e Kalivaçit.

Ishte koha kur ekipi i lavdishëm i “Flamurtarit” kish mundur me rezultatin 1:0 “Partizanin” e Beogradit, me gol të Sokol Kushtës dhe matej, dhëmbë për dhëmbë me “Barcelonën”. Kur këndohej, xha Safeti, me zërin e tij të fortë, dilte mbi grupin dhe, në mes të këngës (vargut) i fuste një hopa-hopa.

Në atë gosti, banorët e Shkozës nuk bënin muhabet tjetër veç për futbollin. Xha Safeti, në një moment qetësie, mbushi gotën plot me raki; si mik i largët urdhëroi t’i mbushnin plot gotat, të gjithë dhe, me solemnitet tha: “Le ta pimë këtë gotë plot, për lojtarët e” Flamurtarit të cilët nderuan Vlorën dhe të gjithë Shqipërinë.

Biseda ndërroi rrjedhë dhe të pranishmit brohoritën, në kor: “Xha Safeti, rroftë xha Safeti”!

Në një dasmë që bëhej në fshatin Sevaster të rrethit të Vlorës, si krushk, Safetit i takoi qosheja e djathtë. Një dasmor, fliste pa pushim e nuk u linte radhë të tjerëve. Safeti, me terezi por me ironi therëse, iu drejtua mikut, me fjalët: “O filan! Nuk e vështron që ke korrur shumë; ktheu e lidh pak! Në këtë mulli, kemi ardhur të bluajmë të gjithë nga pak”! Të gjithë ia plasën gazit e biseda rrodhi ndryshe.