Nuk ka të bëjë aspak me kokainën, as me arrat e njohura të kokosit. Emri i saj i lindjes ishte Xhiko; ajo trashëgoi emrin e gjyshes. Në zhargonin tradicional të trevës, vetë fjala apo emri Xhiko, i cili u vihet zakonisht vajzave, parakupton një grua Zonjë të rëndë e kapedane; të pastër moralisht e me virtyte njerëzore fisnikërie. Me qëllimin e mirë për ta theksuar këtë tipar, fjalës xhike i shtojnë përpara togfjalëshin - xhelanxhike.
“Nofka” e shprehur në kokë të këtij shkrimi i përkushtohet një gruaje, e cila përkujdeset në mënyrë të përkushtuar, jo vetëm për ata që ka sjellë në jetë, por, sidomos për fëmijët e të tjerëve. “Heroinën” e këtij shkrimi, Xhikon, bashkëshorten e Reshat Resmi Nelaj, fillimisht e kanë “pagëzuar” me këtë epitet dy djem të parritur: Resmiu i Nelo Resmiut dhe Ermiri i Dilaver Xhevitit; të dy pjesëtarë të nënfisit të Binajve, por jo të pjellë të Xhikos. Shkak për këtë “nofkë” mund të ketë shërbyer bujaria e shpirtit të Xhikos, e cila u jepte këtyre djemkave të parritur, por çapkënë, vezë apo kokërrina frutash, të cilat i qëmtonte kur punonte, në arë e i mblonte në futen e saj për t’ua shpurë të parriturve. Sapo dukej në oborr silueta e Xhikos, të dy djemtë vocërrakë, të cilët i mbanin sytë nga shtegu, brofnin e i dilnin përpara, me brohoritje dhe me entuziazmin fëminor, me shpresën se diçka do t’u zinte dhëmbi nga ardhja e Saj. Fëmijët e trungut, në veçanti Resua dhe Miri, të dy trima dhe kanakarë të familjeve, e çmonin shumë këtë gjest bujarie të Xhikos dhe e vështronin Atë, në dritën e syrit; si Perëndi.
Kësisoj, ata e respektonin shumë; më shumë se emtat e tjera dhe ia dëgjonin fjalën. “Nofka” Koko është e gjetur e kuptimplotë. Ajo shpejt u përhap në fis e në mëhallën Ahmetaj, derisa mori qytetarinë dhe statusin e merituar: “Kokoja e mëhallës”. Bëhet fjalë për mëhallën Ahmetaj, në Kalivaçin e Tepelenës.
Diçka për origjinën dhe fëmijërinë e Xhikos
Xhikua u lind në fshatin Shkozë të rrethit të Vlorës, në mëhallën Aligjon, më 10 shkurt të vitit 1944. Prindërit e saj, Nëna Feride dhe Baba Beqir Selmani, ishin shqiptarë autoktonë. Ajo mbante emrin e gjyshes së saj dhe mbiemrin Beqiri nga familja e origjinës dhe Nelaj, atje ku vajti nuse. Çifti Feride dhe Beqir Selmani, nga lidhja bashkëshortore që formuan, pruri në jetë pesë motra dhe dy vëllezër. Motra e madhe e saj quhet Shanije.
Pas saj, erdhi në jetë Xhikua e më pas Esmaja; vëlla Refati, motër Ndalimja dhe i fundit fëmijë ishte Thelleza. Vëlla Qaniu, i pari i fëmijëve, ishte i lindur nga tjetër nënë. Ai u nda nga jeta në moshë të re dhe papritur. Vdekja e tij shkaktoi një valë hidhërimi e dhimbje të thellë, si për familjen e origjinës së tij dhe për pjesëtarët e familjes së re që krijoi. Natyra e kishte skalitur portretin e tij dhe e kish pajisur me virtytet më të mira njerëzore; prandaj hidhërimi u ndie gjatë e në një rreth shoqëror të gjerë.
Familja e Xhikos, në Shkozë mbante statusin e fshatarit të vobektë; me pak tokë e gjë të gjallë dhe me të ardhura të kufizuara. Në një mjedis fshatar, ku sundonin mentaliteti konservator i kohës dhe skamja, ashtu siç mund të thuhet për shumicën e bashkëfshatarëve të saj, u rrit vajza e dytë e Nënë Feridesë dhe e Baba Beqirit. Tek vajza e tyre – Xhiko, që në fëmijëri u dukën disa tipare të qenësishme, të cilat, me rritjen e saj në moshë u kristalizuan e u shtuan. Pavarësisht se kushtet e jetesës e të rritjes, Xhikua i kish të vështira, Ajo u rrit si kavak: e pashme; e zgjuar dhe me virtyte të rralla njerëzore. Shtatlartësia e saj ishte rreth 170 cm.
Në trevën ku u lind e u rrit, kjo shtatlartësi, në atë kohë ishte disi e rrallë, për femrat. Përveç tipareve pozitive që trashëgoi nga prindërit, të cilave iu shtua terreni tejet pozitiv që sundonte në familje, në fis e në mëhallë, madje dhe në rrethin miqësor të familjes, Xhikos, që në fëmijëri iu shtuan tipare të tjera, si në portret dhe në karakter. Shpirti bujar dhe dashamirësia u shfaqën që në fëmijërinë e hershme të saj. Do të përpiqem të rendis disa nga vlerat e atij njeriu të rrallë, të cilat vërtet u lindën së bashku me të, por dhe u mëkuan në stade të ndryshme të rritjes.
Si e dyta vajzë e familjes me shumë fëmijë, Xhikua, që e vogël mori përsipër disa detyra e angazhime që i takonin motrës së madhe, të larguar shpejt nga shtëpia. Tashmë, më e rritura e fëmijëve, Asaj i ra barra të kryente, me vështirësi, disa detyra, nga ato që mbetën vakante si rrjedhojë e martesës së motrës Shanije. Nënë Ferideja, mes të tjerave, i mësoi të bijës (Xhikos) mënyrën e të gatuarit të ushqimeve për pjesëtarët e familjes, të lante teshat, të fshinte shtëpinë dhe avllinë, të kujdesej për më të vegjëlit etj., detyra të cilat e kalitën, por dhe e rënduan shëndetin e saj.
Veç detyrave në familje, agjendën ditore të Xhikos e rëndonte detyrimi për të ndjekur shkollën unike të fshatit Shkozë, në klasat e së cilës ajo shquhej mes shoqeve dhe bashkëmoshatarëve. Xhikoja vërtet arriti të përcillte mësimet e kësaj shkolle, por, po t’u shtojmë atyre zgjuarsinë natyrale të vajzës së dytë të xha Beqirit, niveli i njohurive për kapjen shpejt të problemeve të jetës rezultoi mjaft i lartë. Aftësitë për t’u orientuar shpejt në situatat dhe sjellja e saj e duhur bënin “beli” dhe e veçonin nga shoqet vajzën e dytë të xha Beqirit.
Shpejt pasoi mosha e pubertetit. Tek Xhikua e pashme, u shfaqën të tjera bukuri të moshës. Në ato vite, në fshatrat e Jugut të vendit dominonte tradita e trashëguar e martesës së vajzave, në moshë të vogël dhe me mblesëri. Sapo shfaqeshin tek vajza e parritur dukuri të arritjes së pjekurisë seksuale, në familjen e saj “vërshonin” pambarim lajmësit. Sapo largohej njëri nga shtëpia e vajzës, pa ngritur e pa shkundur shtrojet, ia behte lajmësi i radhës.
Lajmësit ishin të shkathët e profesionistë llafazanë; të zotë për t’u prishur mendjen prindërve të vajzës, pse jo dhe fisit të saj. Natyrisht atje ku u shkonte. Nuk mund të mbetej pa u pikasur nga “gjahtarët” e vajzave ajo bukuri plot nur e vajzës së dytë të Beqir Selmanit - Xhikua jonë. Në shtëpinë e xha Beqirit, në Aligjon, lajmësit mbanin radhë. Disa “gjahtarë vajzash”, për t’i shtuar vetes kredite, shfrytëzonin njohjet, lidhjet miqësore e familjare, të hershme e të reja.
Mirëpo varavingot e shumta të lajmësve rezultuan të pasuksesshme; Reshati i Resmi Nelos e kish marrë kalanë nga brenda.
Ai ishte nip në Shkozë; në fisin Qyraj. Nënë Qerimeja – vejushja e moshuar e Bilo Avdullait – ishte gjyshja e tij, nga Nëna. Zonja e Vogël e Binajve - Nënë e Reshat Resmiut ishte e bija e Qerimesë dhe e Bilo Avdullait, nga Qyrajt. Dajua i Reshatit - Idaiu, në atë kohë punonte minator në Hidrocentralin që ngrihej mbi lumin e Bistricës, së bashku me djalin e motrës Zonjë - Reshatin. Babai i Reshatit - Resmi Nelua, njëri nga djemtë e zgjedhur të Kalivaçit, kish lidhje krushqie e miqësi të vjetra në Shkozë.
Shaze Nelja, e cila jetoi mbi 100 vjeç dhe fitoi statusin e teknikut të farishteve të duhanit ishte motër e Resmiut. Me punën dhe me sjelljen e saj, Shaze Nelja kishte fituar një prestigj të merituar në Shkozë. Atë e thërrisnin nga shtëpia për të dhënë mendime për farishtet e duhanit edhe mbasi kish dalë në pension dhe përjetonte pleqërinë e thellë. E martuar me Feimin, babanë e Laverit, të Faikut dhe të Marikes, fjala e Shazes kishte peshë në gjykimin e çështjeve të ndryshme, përfshi dhe lidhjet martesore. Shaza e kish përzgjedhur Xhikon, si të përshtatshme për nusen e nipit të saj – Reshatit.
Asaj i kish hyrë në sy e në zemër kjo vajzë për kokën e vajzës dhe e tha fjalën açik, kur i biri - Faiku, u bë ndërmjetës i kësaj lidhjeje. Faiku, njeri me shumë autoritet të merituar në Shkozë, si partizan i Brigadës së Parë Sulmuese, njihte mirë, jo vetëm të mirën Xhiko, por ishte në miqësi të ngushtë me vëllanë e saj të madh - Qaniun, i cili ishte oficer dhe banonte në Tiranë.
Miqësi e krushqi të shumta kishin bërë Nelajt dhe Derajt, me banorët e Shkozës. Fizja, motër e Muharrem Kamberit, ishte martuar me Jonuz Demon, nga Shkoza, të cilit “i ngjitej fjala”, jo vetëm në fshatin e tij. Mbetja e Resul Nelos, xhaxheshë e Reshatit, ishte bijë e Hase Jazit, nga Shkoza dhe hallë e Bushi Kamberit etj. Me origjinë nga fisi ynë ishte dhe Sulltana e Refat Mahmutit, e cila ishte nuse në Brahimaj, ndonëse martesa e saj me të rrallin Ferik Idaiu, rezultoi e pafat. Një fjalë e mirë, e thënë nga njëri e një togfjalësh me përmbajtje pozitive, të thëna nga tjetri; u poq muhabeti e u bë “hair” lidhja miqësore; fejesa e Xhikos me Reshat Resminë.
Në kohën kur u fejua me Xhikon, Reshati ishte djalë në vakt. Më vjen në mendje Reshati minator në Bistricë e gjetkë, me atë gjoks e me shpatulla të gjëra; me krahë gjithë muskuj e tërë shëndet. Veç pamjes fizike, Reshat Resmiu ishte tepër serioz, tendencioz në punë dhe i drejtë, i ndershëm, zemërmirë e bujar.
Pas fejesës me Xhikon, Reshatit i duhej të vinte më shpesh në shtëpinë e tij, në Kalivaç, por si çdo i ri i moshës dhe statusit të tij, Reshatit i duhej të kalonte nga Shkoza më parë, për të parë të përzgjedhurën e tij Xhikon; pastaj hidhej në lundër ose në vah dhe shkonte në shtëpinë e tij, për të parë e për të takuar None, Nelon e gjithë fisin e dashamirët e tij. Reshati, të cilit i kish “pëlqyer halli” (e fejuara), mezi priste sa ta merrte në shtëpi të bukurën Xhiko, ndaj i hidhej zemra përpjetë e i “priteshin gjunjët” kur ecte. E shkruaj këtë mbasi ma ka thënë vetë i ndjeri (se u bë dhe Ai, për rahmet) që kur largohej nga Aligjoni, për në Kalivaç, koka i mbetej pas e këmbët nuk i shkonin përpara. Në Shkozë, Reshati nuk shkonte aq shpesh për të parë vjehrrën dhe vjehrrin, ndonëse i donte shumë, por për të parë qoftë dhe për disa sekonda atë që i kish rrëmbyer zemrën.
Në fundverën e vitit 1964, u bë dasma. Zakonisht, dasmat në atë kohë bëheshin në fund të vitit, kur bujqit kishin grumbulluar drithërat; bagëtitë kishin ardhur pranë shtëpive dhe punët në arë ishin më të pakta. Në rastin tonë çështja ishte disi tjetër. Nusja duhet të kalonte lumin e vjeshtës nuk i dihej; mund të merrte llohë, aq sa ishte e vështirë të hidhej lundra e Kalivaçit.
Siç e donte zakoni, 2 ditë përpara dasmës, u nisën për në Shkozë (Aligjon), sinixhinjtë. Statusin e sinixhiut e gëzonin ata njerëz, të cilët ishin të afërm të dhëndrit, por dhe njerëz të zgjuar e të mençur të cilët e kishin përgjigjen në majë të gjuhës. Kjo kërkesë lidhej me faktin se sinixhinjtë atakoheshin nga vendasit, me thumba therës, me qyfyre dhe me raki. Në përbërje të dërgatës së sinixhinjve ishin: Mehmet Musa Nelaj; Jashar Hysni Deraj dhe Kasem Xhemal Nelaj. Të tre ishin kushërinj të dhëndrit dhe njerëz me ndikim në të dyja anët e lumit.
Nuk mund të mungonte në këtë përbërje as lajmësi; ai që bëri ndërmjetësimin - Faik Feim Pajaj, të cilin, Reshati e kishte djalë halle. Dërgata kishte në përbërje njerëz që njihnin mirë traditën, zakonet e vendit dhe pinin raki të cilën “e mbanin”, pa humbur logjikën. Ata shpunë në shtëpinë e krushkut Beqir Selmani, takëmin e veshjeve të nusërisë, për të mirën Xhiko. Ata i shpëtuan tendencës së vendasve për t’i dehur sinixhinjtë falë aftësive të tyre dhe pranisë së Faikut të Pajajve. Burra zakoni ishin sinixhinjtë e nuk ua hante qeni shkopin.
Ata këndonin e kërcenin bukur, kalëronin qëndrueshëm e ishin dyfekçinj të kualifikuar.
Ditën e diel, herët në mëngjes, u nis nga Kalivaçi (nga shtëpia e Reshatit në Ahmetaj) vargu i krushqve. Shumica e tyre ishte e hipur në kuaj. Kryekrushk ishte burri i mençur, i zgjuar e i qetë, Laze Xhezua, njeri i afërm me Heroin e Popullit - Kanan Maze, nga Shkoza. Nusja, e veshur me kostum të hollë stofi dhe me duvak të kuq, në kokë (sipas zakonit anadolak) ishte e hipur në një kalë me shalë, i cili përdorej si rregull, për marrjen e nuseve. Për shërbimin kalorësiak, pronari i kalit shpërblehej nga dhëndri, me para ose në natyrë.
Kalin e tërhiqte Sami Mehmet Nelaj dhe e shoqëronin (e mbanin kur duhej) dy njerëz nga fisi i saj. Ata ishin Isuf Nuredini dhe Davidi.
Xhikon e përcolli nuse gjithë Aligjoni (burra e gra), me këngë e me valle dhe me lotë në sy. Gratë i dhanë nuses, me vete një sapun dhe disa monedha metalike. Lumin, krushqit dhe nusja e kaluan në lundër, ndonëse va kishte në disa vende.
Kur kaloi lumin, Xhikua, sipas udhëzimit të grave të moshuara të fisit të saj, hodhi sapunin në ujë, dhe kur këmbët e kalit prekën në tokën e Kalivaçit, nusja, si pa dashje hodhi monedhat për tokë e tha: “Hodha paranë; bleva vatanë!” Xhikua jonë e paharruar e pati goxha të gjatë jetën bashkëshortore me Reshatin; ata u rritën e u plakën bashkë dhe sollën në jetë pesë fëmijë. Jeta e tyre nuk qe si në përralla, por një jetë e zakonshme fshatari, e mbushur me gëzime e me hidhërime. Gjithsesi, të dy, burrë e grua, edhe pse nuk janë më në jetë, kanë lënë emër të mirë.
Për jetën, punën dhe sjelljen e Xhikos, në Nelaj, në Ahmetaj e në Kalivaç “bën gojë” një komunitet i tërë. Cilido që e ka njohur atë deli grua ka pasur e ka opinion të mirë për të dhe, përveç fjalëve të mira, nuk ka çfarë të thotë. Më saktë se e ka përshkruar vëllai im i vetëm, Dilaveri, të cilit, Xhikua iu gjend si motër dhe është ndodhur pranë Saj, për mjaft kohë e në situata të ndryshme, me gjithë dëshirën e mirë që kam, e kam tepër të vështirë ta hedh në letër atë që ndjej. Prandaj jam i shtrënguar t’u referohem opinioneve të Tij, të cilat janë autoktone dhe kanë brenda të vërteta të pakundërshtueshme.
Dilaveri, në gjendje të rënduar shëndetësore dhe psikologjike, kur e pyeta për Xhikon, u çel, kroi zërin dhe me vështirësi, por me shumë dëshirë më rrëfeu disa “perla”, të cilat, zor se do t’i mësoja nga burime të tjera. Dilaveri, për shkak se ka jetuar për një kohë të gjatë pranë Xhikos, di dhe episode “intime”, të cilat nuk besoj t’i dinë as fëmijët dhe bashkëshorti i saj i nderuar – Reshati. Fakti që Dilua me Xhikon ishin në diferencë të pakonsiderueshme moshe, mendoj se ka qenë një “urë lidhëse” e cila, domosdoshmërisht i ka afruar. Mendimet e Dilos do t’i shkruaj, me besnikëri; siç m’i ka rrëfyer Ai vetë.
Rrëfimi i Dilaverit për Xhikon
Dilaver Xhevit Nelaj: “... Xhikua (ndjesë pastë), erdhi nuse në fisin tonë, për Reshatin (ndjesë pastë) bonjak, kur akoma nuk kishte mbushur 17 vjeç. Unë, në atë kohë, sapo kisha shkelur në vitin e katërmbëdhjetë të jetës. I parritur isha vërtet, por me tiparet që më karakterizonin i zotëroja të dyja anët e lumit (si anën e Shkozës dhe atë të Kalivaçit). Ajo ishte nusja e parë që shkelte në dy pragjet tanë (në atë të Xhevit Malkos dhe tek Reshat Resmiu). Gëzimi dhe hareja, tek ne ishin të papërmbajtura dhe të dukshme, sheshit. Gëzuan drurë e gurë; gëzim patën dhe postet e shtruara mbi vatrën e shtëpive të ngjeshur me shur e të lyer me bajga lope.
Zonja e Madhe e Binajve gëzonte se nipi i saj (djalë i kunatit), Bonjaku Reshat Resmiu, i rritur me kafshitën e bukës së yzmeqarit që në vogëli e nëpër këmbët tona, u bë për nuse, u martua e mund ta ndizte zjarrin me vete. Zonja e Vogël (Noja), siç i thërrisnin fëmijët e saj e ata të Xhevitit, ishte në “qiellin e shtatë”. Ajo, e mbetur e ve, në një moshë kur mund t’i hidhje sërish telin (ishte e re dhe e bukur) por lidhja e shamisë së zezë në kokë dhe përkushtimi për të rritur djemtë nuk i shkuan dëm. Sakrificat që bëri ajo grua iu kthyen me shpërblim të shumëfishtë. Djali i Madh i saj – Reshati (ndjesë pastë), kafshita e parë, siç thonë në Kalivaç, u martua me një sojlleshe, kapedane e me pamje të këndshme, të edukuar e me virtyte të spikatura, siç ishte Xhikua nga Aligjoni i Shkozës.
Noja nuk dinte si ta shprehte gëzimin që ndjente në shpirt dhe lumturinë e madhe që i erdhi në derë e i mbushi shtëpinë me dritë. Fakti që nusja ishte nga ana e saj dhe Ajo ia dinte “huqet” qe një tjetër plus.
Pas martesës së Reshat Resmiut me Xhikon, vëllezërit bonjakë: Reshati dhe Nelua ngritën një kasolle, në të cilën mund të banohej, tek kopshti i familjes, nën avlli. Në këtë kasolle strehoeshin: Zonja e Vogël dhe Nelua. Në shtëpinë e tyre, mbi avlli, e cila kishte vetëm një dhomë, me përmasa 6 x 4 m, flinte çifti i ri: Xhikua me Reshatin. Unë me të mirën Xhiko kishim diferencë të ngushtë në moshë, por, Ajo, për të respektuar traditën vendore dhe për të më bërë respektin në hierarkinë familjare e në atë fisnore, më thërriste, jo në emër, por me “nofkën”: Aga, e cila është një përkushtim nderi për të afërmit e burrit.
Kur u martuan Xhikua dhe Reshati, dy familjet tona jetonin të ndara; me shtëpi e me ekonomi, ndonëse shpirtërisht ishim një. Dy zonjat kunata shkonin me njëra-tjetrën si motra e shkuar motrës; Xhevit Malkua, me autoritetin e padiskutueshëm, padyshim që ishte “strumbullari” i kësaj harmonie e kohezioni. Xhikua nuse, që në ditën e parë kur shkeli në dyert tona, derisa mbylli sytë përgjithmonë, mbështetjen kryesore e kishte në familjen tonë, sidomos tek Zonja e Madhe dhe tek Xhaxhakua. Zonja e Madhe e Binajve, i mësonte nuses së re si të kujdesej për shtëpinë, si të respektonte burrin; vjehrrën; kunatin dhe njerëzit e trungut e të fisit; shokët dhe miqtë e shumtë të asaj dere. Mësim me vlerë për të renë ishte gatimi i gjellëve të shijshme të traditës (Në dasma, gostira e vakira, Zonjën e Madhe e caktonin tiganxheshë, për arsye se gatuante me shije dhe pastër).
Ajo, si “super vjehrrë” e mësonte nusen e Reshatit si të respektonte e si të priste e të përcillte, me nderime, miqtë e shtëpisë. Këshillat dhe mësimet që jepte Zonja e Madhe, nuk kishin formën e urdhrit e në to nuk ndihej ashpërsia e trevës, por përcilleshin me dashamirësi e me ëmbëlsi dhe Xhikua i mirëpriste, me kënaqësi e me adhurim.
Në fakt, Xhikua nuse, kishte për vjehrrë, Zonjën e Vogël të Binajve, por për ta nderuar e për t’i dhënë vendin e merituar, Zonjës së Madhe i thërriste me “nofkën” - Hanko Nëna. Nënës natyrale të Reshatit, Ajo i fliste thjesht - Nënë, ose, siç i thonim ne pinjollët e Binajve - No.”
Më tej, Dilaveri shton: “… E shoqëroja sa herë shkonte në të parë, (në derën ku ishte lindur), në Aligjon të Shkozës ku e pritnin familjarët dhe fisi i saj. Aso kohë, kur nuset e reja ktheheshin në të parë, për të shkuar në shtëpinë prindërore, nuk i shoqëronte vëllai (njëri nga vëllezërit) i burrit, por një djalë, i shkathët, i trungut të tij. Xhaxhakua, burrë i traditës së mirë, duke njohur, në hollësi tiparet dhe aftësitë e mia, ma besonte mua këtë mision. Për të vajtur në Shkozë, Xhikua, gjithë gëzim bënte përgatitjet e nevojshme, me kujdes e një me një, kurse unë lahesha e ndërrohesha dhe vishja petkat më të mira e më të pastra, mbasi e çmoja, siç ishte, vendin dhe rolin e mikut, tek miku i ri. Para se të merrja udhë, Babai dhe Nëna ime, të cilës i thoshja “Lule”, dhe Noja, më jepnin udhëzime të detajuara e shpesh të mërzitshme, si të sillesha udhës e tek miqtë. Mbasi bënim përgatitjet e nevojshme dhe merrnim udhëzimet, me gëzim, të dy, niseshim për udhë. Ata që na përcillnin, na mbushnin me të fala, për miqtë e rinj e për të vjetrit.
Udhën për në Shkozë e nisnim dhe e sosnim në këmbë. Kafshë shale, nuk kishim në shtëpitë tona; të merrnim hua, nuk ishte e udhës. Unë përpara e Xhikua pas meje, me një bohçe në kokë, niseshim për të vajtur mik. Isha në rolin e “trimit udhërrëfyes!” Ajo kishte sistemuar në bohçen që mbante në kokë veshjet vetjake, gatimet: (llokume, revani e ku ta di unë dhe ndonjë dhuratë simbolike).
Etapa e parë e rrugëtimit ishte: Ahmetaj - Donije. Atje ku ndodhej lundra e Kalivaçit. Them ishte, mbasi në ditët tona asaj lundre, e cila ka parë të kalojnë lumin e egër Vjosë, kushedi sa fshatarë, kafsharë, ushtarë etj. që në kohët e lashta, deri në ato moderne. Lundërtarët gjithnjë kanë qenë të zotë, notarë të mirë dhe nga Kalivaçi. Ata ia kanë lënë vendin njëri-tjetrit, deri tek i fundit, Sadiku i Muharrem Hasanit, i cili e mbylli jetën në valët e turbullta të lumit, nën lundrën e rëndë.
Pas tij e punoi disa kohë Erjoni i Tahirit, derisa disa mashtrues bënë baterdinë, duke zhdukur lundrën dhe nyjet e mbërthimit të saj.
Hidheshim në lundër; (Lundërtar, në atë kohë ishte Caush Nebiu, nga Specova). Mbasi zbrisnim në zallin e lumit, në anën e Shkozës, merrnim udhën djathtas, anës lumit, duke gjarpëruar nëpër rrapishtet e Shkozës. Në përrallet e dendura të faqes Veriore të malit që ngjitet shtriheshin, me radhë, njëri pas tjetrit, stanet e dhive të banorëve të Shkozës: Neim Manxharit; Talo e Razo Brahimit e më pas vendbanimi i Teki Sulos. Por ato ndodheshin larg udhës nëpër të cilën kalonim ne dhe qentë e stanit të tyre, të cilët ishin mjaft agresivë, ditën, stanarët i mbanin të lidhur. Vetëm lehjet e tyre nuk na shqetësonin.
Ecja përpara, me çap të zakonshëm, pas më ndiqte kunata. Ajo, nuk gëzonte por fluturonte nga gëzimi. Si çdo vajzë kur shkon në derën e babës. Nxitimi i saj, më detyronte dhe mua të shtoja hapin e ta bëja atë më të shpeshtë. Nuk doja ta lija të më dilte përpara Xhikua.
Se isha burrë. Kështu më kishin porositur më të rriturit e shtëpisë sime dhe i tillë ishte zakoni i mbrapshtë anadolak i kohës. Ujin e freskët që kishim pirë tek burimi i Madh i cili ndodhej disa metra sipër lundrës, në drejtim të rrjedhës së lumit dhe freskinë që kishim marrë nga njomja e syve dhe e duarve, në burimet mes rrapishteve, i kishim harruar; djersët na vinin çurkë, nga nxitimi në atë rrugë tërthore, në ngjitje, nga zalli i lumit deri tek Ullinjtë e Hanit.
Sapo dilnim tek Ullinjtë e Hanit, Ajo Xhiko, e cila fluturonte nga gëzimi, sikur tjetërsohej. E vështroja më serioze, më të matur e më të paduruar. Malli për të sajet dhe dhimbshuria për më të vegjëlit, ia kishin “blojtur” shpirtin dhe e kishin bërë më të paduruar. Shqetësimi, si do t’i gjente të sajet, i lexohej në sy. Nëna e saj e shpirtit - Ferideja ishte njoftuar për vajtjen e së bijës në të parë dhe kish bërë përgatitjet e nevojshme për ta pritur, siç i takonte.
Nënë Ferideja e kish të qartë se të bijën, me siguri do ta shoqëronte në të parë dikush nga ana e krushqve ndaj, si pastërtore që ish, kishte marrë masa për ta paraqitur sa më denjësisht në sytë e krushkut, shtëpinë, avllinë dhe njerëzinë. Çdo gjë ndrinte, jashtë e brenda. Ndër përgatitjet e saj, vend të rëndësishëm zinte ushqimi për të bijën dhe për shoqëruesin e saj. Vinim nga një udhë rreth 2 0re largësi dhe, sipas traditës vendase, atij që vinte në shtëpi, pas takimit, qerasjes dhe pyetjeve standarde, i servirej përpara sufraja me gatimet e përgatitura posaçërisht. Qëllimi ishte: të nderoheshim vajza dhe unë si shoqërues i saj; si mik i shtëpisë.
Unë, vërtet isha adoleshent, por për rolin që kisha, “peshoja rëndë”. Nuk përfaqësoja thjesht veten time, por një fis të tërë, e çfarë fisi? Atë të Nelajve të Kalivaçit.
Në atë vajtje, përfaqësoja, para se gjithash, Babanë tim - Xhevit Malkon, i cili, kur ishte fjala për respektimin e traditës, nuk të falte. I zoti i shtëpisë, krushku Beqir Selmani, vërtet nuk mund të më priste me mish të pjekur në hell, e të më hidhte bishtin, mbasi atë e kishte ngrënë më parë im atë, por një kaposh deti të pjekur në saç ose një pulë shqirake të gatuar me rosnica të shijshme, nga ato që të bëjnë të lëpish gishtat, e meritoja.
Mbasi ushqehesha e shlodhesha pak, përfillesha përsëri të merrja udhë, për të shkuar në shtëpinë time, në Kalivaç. Protestonte Xhikua, e cila (këtë e dëgjoja) i thoshte së ëmës: “Ai do të qëndrojë tek ne, aq ditë sa do të qëndroj edhe unë në të parë!” Këtë nuk e pritja dhe ndonëse e dëgjova, me veshë, nuk mund apo nuk doja ta besoja.
Gjatë udhës gati 2-orëshe që bëmë së bashku, nuk e biseduam këtë detaj dhe unë u befasova. Për mua kjo ishte një grackë e po mendoja si të dilja prej saj. Me moshë, vërtet isha i vogël, por dinjitetin njerëzor e kisha tamam. Në familjen ku u linda e u rrita dhe në mjedisin shoqëror ku bëja pjesë kisha mësuar se “Shtëpia është e mikut dhe e Zotit”, por, qëndrimi gjatë i mikut në krushqi nuk ishte në nderin e vajtësit, siç isha unë. I tillë isha formuar, që në vegjëli, me edukatë të shëndoshë e me qëndrim prej dinjitari.
E “vrava mendjen”, në vetmi dhe e gjeta “shtegun” për të dalë nga kjo situatë e vështirë dhe e papritur që m’u paraqit.
Nëna e Zonjës së Vogël të Binajve - plaka Qerime - e cila banonte në Qyraj e vetme, dispononte një odë të madhe, të gurtë, me dy kate. Djali i madh i saj - Shameti - një partizan i shquar, në prag të Çlirimit të vendit, kishte dezertuar nga radhët e Ushtrisë Partizane e, prej kohësh, nuk dihej se ku ndodhej. Njerëzit hamendësonin si të mundnin, por gjatë një periudhe të gjatë kohe, Ai nuk u bë i gjallë. Djali i dytë i saj - Idaiu punonte në hidrocentralin e Bistricës, i cili po ndërtohej aso kohë, së bashku me nipin e tij - Reshatin. Në odën e madhe të Qyrajve, banonte, e vetme, Nënë Qerimeja. Idaiu, në vendin e punës, në Cukë të Sarandës, u lidh e formoi familje me të mirën Azize, me të cilën solli në jetë një vatër me fëmijë.
Pranë shtëpisë së Qyrajve banonte me shtëpi njeriu i fisit të tyre – Xhemal Haxhiu, i cili kish në vatër shumë fëmijë, disa syresh të moshës së Dilaverit. Çapkënëria ime i intrigonte ata, në lojëra fëmijësh të zhurmshme, në odën e ftohtë të Qyrajve ku banonte Nënë Qerimeja. Kjo odë e madhe, e shtruar me dhogë të trasha, shndërrohej në një “palestër” të zhurmshme, e cila shqetësonte mëhallën mbarë prej klithmave tona fëmijërore. Xha Xhemali, kur errësohej, e fëmijët duhet të flinin, vinte e merrte të tijtë. Ai, si pa të keq, pyeste Nënë Qerimenë: “Kur do të ikë ky kalivaçasi i prapë, se na tërboi fëmijët?”
Gruaja e urtë dhe e dhimbshur – Qerime, i përgjigjej kushëririt të saj: “Mos m’i fol djalit ashtu, se është mik dhe i parritur akoma!” Sikur të donte të më mbronte nga “sulmet” e kushëririt të saj, plaka zemërmirë – Qerime, më mbështillte me futen e saj të zezë; më përkëdhelte e më ledhatonte. Aq doja unë; e merrja flakë sërish.
Në një rast, u nisa si shoqërues i Xhikos, nga Kalivaçi për në Shkozë. Nuk ishte një vajtje si të tjerat. Kunata ime, kësaj here nuk do të shkonte në të parë, siç bënte zakonisht, por do të shkonte për të bërë një urim, në shtëpinë e Hallo Shazes - e cila ishte Nënë e Laverit dhe e Faik Pajes. Hallo Shaza ishte e bija e Zadekos dhe e Nelo Binos, nga trungu ynë, i Binajve. E mira Xhiko dhe dy Zonjat si motra kishin bërë një goxha tepsi me llokume, të cilat, në atë kohë ishin mjaft të praktikuara e të pranuara për të bërë një urim.
Llokumet e ëmbla, nikoqiret i kishin vendosur në një tepsi e i kishin mbuluar me një basmë të bukur. Meqenëse gatimi ishte i rëndë, si mashkull, tepsinë e mora unë, në krah. Gjatë udhës për në Shkozë, për të kontrolluar ngarkesën, e cila, për hir të së vërtetës ishte e rëndë e më “këputi”, nga kureshtja, futa dorën në boshllëkun që formonte bohçja e më zuri dora një kokërr llokume e cila ishte e shkrifët nga gjalpi i derdhur me shumicë dhe nga mielli i misrit me të cilin ishte gatuar. E futa në gojë copën e llokumes e më shijoi. Vijova të haja si ai miu që çupit ushqimin e këndshëm.
Kur u afruam tek shtëpia e Hallos, tepsinë e mori Xhikua dhe, sipas zakonit të vendit, e vuri në kokë. Ajo e gjeti të lehtësuar tepsinë me llokume dhe e zbuloi. Çfarë të vështronte kunata ime? Unë e kisha përgjysmuar gatimin. Më pyeti, e unë me çiltërsi pranova fajin.
Për fat të mirë, ishim brenda fisit dhe hallua jonë ishte grua e zgjuar; Ajo e mbuloi ndodhinë e pakëndshme. Këto janë disa nga prapësitë e mia, të moshës së adoleshencës, të cilat, pas kaq vitesh më kujtohen dhe qesh me veten time.
Gjithë natën e natës nuk flija, si shumë të tjerë, por gjezdisja pemë me pemë. Kur kaloja andej ditën, “pikasja” gjahun e natës dhe, kur binte nata shkoja në parcelë, në ledh, apo në vreshtë; këputja kokrrat më të mira të frutave, mbushja me to gjiret e, në mëngjesin e parë, kur të tjerët fërkonin sytë, ndodhesha në shtëpi. Këmishën e futja në pantallona, të cilat i shtrëngoja fort, me rrip, që të mos binin frutat. Në të gdhirë, kur njerëzit përtonin të linin jatakun dhe qentë, që kishin lehur tërë natën, flinin, mezi lëvizja nga pesha e “gjahut”; hyja në kasollen e Reshatit, tek fiku i madh, në derdhjen e Llaskos, sipër ledhit, në kufi me shtëpinë e Muhedin Salihut. Akoma pa hapur sytë ata që flinin në kasolle (Noja; Xhikua; Nelua dhe Petrefi) zbrazja “bagazhin” dhe kokrrat binin në shesh, duke bërë zhurmë.
Xhikua ishte nuse e re në atë prag; Ajo i vështronte kokrrat që binin nga gjinjtë, por nuk ndihej. Zonja e Vogël e Binajve, bënte telendinë: “Bo - bo, ç’paske bërë, more i prapë, – thosh Ajo. – Paske vjelë pemët e kooperativës bujqësore?” “Jo, jo, – përgjigjesha gjithë siguri, – këto janë dhurata nga kooperativa, e cila sot ka ndarë ‘ndihma’”. Noja, niste të ndante frutat; i linte pjesë dhe Xhaxhakos, kunatit të saj të madh. Kur frutat shkonin në shtëpinë e Xhaxhakos e ai i vështronte; Zonja e Madhe i thosh se kooperativa bujqësore kish ndarë fruta për anëtarët e saj. Xheviti, duke dëftyer me gisht nga Dilaveri, thosh: “Mos i ka ndarë ky qafiri?”
Xhevit Malkua i mësonte Xhikos, probleme të themelit. Ai e mësonte nusen e nipit si të punonte e të sakrifikonte për të rimëkëmbur ekonominë e rrënuar të familjes që gjeti. E dëgjoja, me vëmendje e me kënaqësi kur i thosh Xhikos: “Kemi dy dhen; le t’i bëjmë katër!” “Kemi dy pula; le t’i shtojmë ato që të shtohen vezët!” etj. Xhikua e mençur, nuk ia ndante sytë dhe përpinte çdo fjalë të tij. Ajo i dëgjonte me vëmendje këshillat e Xhaxhakos dhe vepronte sipas mësimeve të tij. Nuk i doli keq.
Gjatë kohës kur Reshati nuk kish zbritur akoma në Shure, pasdarkave shkoja në kasollen që kishin ngritur vëllezërit: Reshat e Nelo Resmiu, tek kopshti, nën avlli. Pas meje hynte në kasolle, Zonja e Madhe e Binajve, me diçka të mblojtur nën futen e zezë. Ajo kishte prurë misër. Nënat tona piqnin kalaposhe dhe ne argëtoheshim; pa masë. Pastaj piqnim lëndë lisi, nën hirin e vatrës. Gëzonim kur pëlcisnin lëndët e lisit dhe shpërndanin me zhurmë, hirin e vatrës.
Xhikua i kish braktisur prej kohësh lojërat e fëmijërisë, të vajzërisë së saj, por kur na vështronte tek luanim ne, ashtu, me njëri-tjetrin afrohej e donte të bëhej pjesëtare në lojë. Vjehrra e saj - Zonja e Vogël e Binajve, e pikaste tendencën e saj dhe e qortonte, me fjalët: “Bëhu një çikë serioze e mos luaj me bixhurrinjtë, se ke hyrë nuse në këtë prag e nuk je kocë pulash”. Tjetër ishte qasja e Zonjës së Madhe dhe e Xhaxhakos. Tek këta të dy, nusja e re gjente përkrahje e ngrohtësi dhe kjo e bënte më të gëzuar e krenare. Xhikua ishte mjaft e dashur; e sjellshme me njerëzit dhe e respektuar nga të gjithë.
Kujtoj kur u sëmur Babai ynë i ndjerë. Xhikua i qëndroi tek koka dhe e gdhiu natën, dhe jo një natë të vetme. Ajo i kreu Xhevitit të gjitha shërbimet, me dëshirë e mirësi, sikur ta kishte babanë e saj.
Më kujtohet një rast, në të cilin Reshati (ndjesë pastë), i martuar rishtaz, bleu një palë pantallona ngjyrë kafe. U bënë për t’u larë pantallonat dhe Xhikua, nuse e re, kërkoi sapun, por në shtëpi nuk gjeti. Ishte vështirë, në ato kohë të gjeje sapun. I ra shkurt, nusja e re dhe i lau pantallonat e burrit, me finjë.
Nga finja, ato u rrudhën e u zbardhën. Duheshin “shtruar” që të mund të visheshin. Hekur me korent aso kohë nuk ekzistonte. Edhe një hekur me prush që kishte Ninija (Hysnija e Musa Mehmetit) Zonjës së vogël nuk ia jepte Minajetja mbasi kishte bërë fjalë me të. I vunë pantallonat në stivën e rrobave, në fund të shtëpisë, por ato nuk u drejtuan.
Atëherë, gratë e shtëpisë, i vunë sërish në palën e rrobave, por u hodhën sipër dy dyshekë dhe puna u krye - pantallonat e Reshatit u bënë pa rrudha, por ngjyra u iku.
I paharruar qoftë kujtimi i asaj gruaje të rrallë!
T’u ketë lënë jetën fëmijëve!”
Kështu e përfundon rrëfimin Dilaveri, të cilin, Xhikua e donte dhe e kish si vëlla e një me vëllanë e vetëm.
Një nga tiparet themelore të Xhikos ishte zgjuarsia natyrale e saj. Të pretendosh se Ajo ishte e arsimuar, kjo nuk shkon e nuk është e vërtetë. Shkolla shtatëvjeçare që përfundoi Xhikua në fshatin e saj të lindjes, në Shkozë, ishte e pamjaftueshme për të përfshirë gjithë atë zgjuarsi të saj. Ruaj në kujtesë një episod, i cili më vjen i freskët, sikur të kishte ngjarë dje, por që dëshmon tiparin qenësor të saj - zgjuarsinë natyrale të saj.
Më 1o gusht të vitit 2012 kur populli i Kalivaçit dhe ai i zonës përqark, festonin përvjetorin e formimit të Batalionit partizan “Baba Abaz”, në Donije të Kalivaçit, tek Burimi Zborak, atje ku kishin ngritur dy lokale djemtë e Idai Mete Sulaj, u bë një festë e paparë e cila nuk mund të harrohet. U mblodhën, jo pak, por rreth 500 vetë, të bindjeve e krahëve të ndryshëm të politikës. Dikush e quajti festë pluraliste; ndonjë tjetër, hodhi rromuze, për gjoja zbarkimin e Diasporës në atë shesh me përmasa të kufizuara etj. Ky i fundit e mori përgjigjen në vend, nga Viktor Aliu, i cili i tha provokatorit: “Jemi nga Kalivaçi; në këtë gur na ka bërë koka bam!” E mbylli “sqepin” mjerani. Isha në stafin e festës, së bashku me Xhelil Alinë; Shyqyri Hysin; Lolin e Shahinit; Drejtorin e Shkollës 9-vjeçare të fshatit, Muharremin e Haredin Cizos, etj. Bëmë sa mundëm, veç pamë që njerëzit mbetën të kënaqur e kjo ka më tepër rëndësi.
Organizimi ishte bërë në tavolina, sipas mëhallëve dhe fiseve; si dikur. Zura vend në tavolinën ku ishin sivëllai im Reshati dhe fëmijët e tij. Zonja Xhiko kishte përgatitur disa gjellëra tradicionale fshati, ku nuk mungonin pula me përshesh, byreku, qoftet etj. etj. Gjellët, të gjitha kishin shije të veçantë e më bënë të lëpija gishtat. Më duhej të qëndroja diçka më gjatë, nga pjesëmarrësit. Më përcolli në shtëpinë e Reshatit, në Shure, nipi i Bexhetes, djali i Fatimesë, i cili këndon me një zë të ëmbël e të pëlqyeshëm.
Me makinën e tij luksoze, mbërrita në avllinë e Reshat Resmiut. Xhikua, e cila më donte e më respektonte shumë, ashtu si dhe unë Atë, jo vetëm që kishte mbërritur në shtëpi përpara meje, por kishte shtruar për ta kaluar atë pjesë të natës që kish mbetur, në një dhomë me vete. Shtrojet ishin “akull” të pastra. U shtriva, Xhikua më përshëndeti e më uroi një natë të qetë dhe mbylli derën. Si pa dashje, ajo harroi brenda macen e shtëpisë, e cila nuk mund të dilte, as nga dera; as nga dritaret e dhomës.
Macja nuk më bezdisi gjatë natës. Në mëngjes, kur u hap dera, macja e mbajti vrapin në avlli, e çliruar nga ngujimi. Kur e pyeta të mirën Xhiko, për harresën e maces në dhomën ku flija; ajo më bëri me dije se nuk ishte harresë e thjeshtë, por një veprim i qëllimshëm. Gruaja nikoqire dhe e zgjuar natyralisht, duke gjykuar se në shtëpinë përdhese ku do të flija mund të depërtonte dhe ndonjë gjarpër, e la macen brenda, si rojë dhe si armike për vdekje e zvarranikëve. Edhe këtë që nuk e dija, e mësova në Kalivaç të Tepelenës, në një natë gushti të vitit 2012.
Mësuesja ime u bë një grua e thjeshtë fshati, e paarsimuar, por e mençur vetiu.
Tipar tjetër themelor në karakterin e Xhikos ishte bujaria e shpirtit. Të shkruash për këtë tipar të saj, ndoshta duhen nxirë shumë faqe e duhen thënë pafundësisht fjalë; lumë fjalësh. E gjithë jeta e saj aktive ka qenë shëmbëlltyrë e bujarisë, pa kufi. Xhikua ishte bujare, në çdo hap të saj. Para se gjithash, ajo ishte bujare në shpirt.
Ishte shpirti i saj prej nëne që ia diktonte bujarinë. Pra, nuk kemi të bëjmë me një rast të shkëputur, por me një rrjedhë pa mbarim. Mendoj se, si çdo njeri kam të drejtën e Perëndisë të përzgjedh një ndodhi të rrallë e cila më ka mbushur me mbresa të mira.
Në muajin qershor të vitit 1992, në familje na ngjau një fatkeqësi; Nëna jonë, Zonja e Madhe e Binajve, në moshën e tretë, u nda nga jeta. Banonte në Tiranë e, sipas amanetit të saj, duhet ta varrosnim në Kalivaç, atje ku jetoi kohën më të madhe pas martesës dhe ku përcolli shumë halle. Ishim shpërngulur nga Kalivaçi, që në vitin 1975, e nuk kishim atje as shtëpi; as katandi. Simboli ynë i të qenit kalivaças ishte varri i Xhevitit, i cili u nda nga jeta që në vitin 1975, dhe kushërinjtë tanë, si njerëzit më të afërt.
E kam shkruar dhe në një vend tjetër lidhjen shpirtërore dhe respektin pa kufi që kish e mira Xhiko, për Xhaxhakon dhe për Zonjën e Madhe të Binajve, të cilës i thosh Hanko Nëna, e së shumti – Lule, siç i thërrisnin fëmijët e saj. Respekti për Xhevitin dhe për Zonjën e Madhe, tek nusja e Reshat Resmiut (ndjesë pastë), nuk lindi në një ditë të vetme. Ai u rrit dalëngadalë e hodhi rrënjë të thella në botën e nuses së re, bijë nga Aligjoni. Nderimi i saj për të dy këta njerëz zemërbardhë nuk ishte i shtirur, por i natyrshëm e rrjedhojë e shpirtit të saj të mirë dhe gjenit nga rridhte. Dihet që dashuria dhe respekti për njërin e tjetrin nuk mund të diktohen e të imponohen, por janë çështje të brendshme të karakterit të njeriut.
Kuptohet, Xhikon e tronditi thellë kjo ngjarje e rëndë, por atë e nderoi karakteri i saj. Ajo çeli fletët e zemrës dashamirëse, pastaj çeli dyert e shtëpisë së saj.
U shkri në lot e mira Xhiko, kur mësoi për gjëmën; mblodhi veten e i “ra mendjes”. Po mirë që do të vejë në vend një amanet i së ndjerës, por pinjollët e saj nuk kanë një vend ku ta qajnë. Hapi derën për të gjithë dashamirësit e familjes e të fisit. Si unë, dhe Dilaveri, së bashku me bashkëshortet tona dhe ekipin që përcolli xhenazen, nga Tirana, në Kalivaç, e kishim të qartë situatën në të cilën jetonim.
Nuk gjendej as bukë për të shtruar në sufranë mortore; atë e blemë në Fier. Ishte ngushtë e kishte shumë vështirësi për të gjetur mish, i cili jepej me tallone. Kafja ishte e racionuar dhe disa artikuj të tjerë ushqimorë të nevojshëm mezi gjendeshin.
Kishim një siguri të madhe: tek Reshati; tek Nelua, tek familja e tyre, tek gjithë fisi, tek miqtë e shokët, tek dashamirët e shumtë, se ata do të bënin traditën e do të na gjendeshin në këtë ditë halli. Masat që morëm ne të dy vëllezër dhe ato që morën motra jonë e vetme - Lumturia dhe bashkëshorti i saj shpirtmirë Tefik Sulua, ishin të pamjaftueshme pa rolin vendimtar të Xhikos trimëreshë e bujare. Pa mohuar e pa nënçmuar rolin e madh të Kushullës, bashkëshorte e Nelos, në këtë çështje, mund të them se të dyja kunatat, të cilat shkonin me njëra-tjetrën sikur të ishin motra, iu përfillën punës për të nderuar veten, familjen, fisin dhe neve të dyve vëllezër. Ato, me bujari të patreguar përballuan tërë atë “lumë” njerëzish që kishin ardhur për të nderuar të ndjerën Nënën tonë.
Kujtoj dhe një rast tjetër, nga qëndrimet parimore e të vendosura dhe nga “shqelmimi” që i bëri, me dinjitet, mëdyshjes, kur kërkohej qartësi e vendosmëri. Nuk bëhet fjalë për këmbëngulje të kotë, si mushka, por për vendosmëri, mbi bazën e njohjes së gjendjes dhe vizionit që kish Ajo grua. Ishte viti 1987. Në shtëpinë tonë, në Tiranë, papritur erdhi Reshat Resmi Nelaj. Mendova: E ka një hall, madje të madh, sivëllai im, prandaj ka marrë gjithë atë udhë, për ta pleqëruar me mua problemin që e shqetëson.
Ku s’më shkonte mendja? Mirëpo i kisha rënë në të. Mbasi mori qerasjet e rastit nga Tatjana dhe e mirëseardhëm, me drojë (ishte më i madh në moshë) e pyeta të sapoardhurin: “Ç’e mirë të pruri, o Reshat Resmiu?” Kushëriri im, thithi thellë duhanin e fortë, me të cilin kishte mbushur çibukun, u mendua pak dhe, sikur t’ia shkulte njeri me pincë fjalët, mezi shqiptoi: “Dua të fejoj djalin e madh – Petrefin, por ja që nuk qenka aq e lehtë të marrësh një vendim të tillë në jetë, pa e pleqëruar gjënë, ‘gjatë e gjerë’!” Pa u menduar dy herë, me qëllim që ta çliroja disi sivëllanë tim, nga ai ankth që e kish kapluar, i thashë: “Djali të të trashëgohet; nusja e pastë këmbën të mbarë dhe e heqtë atë zvarrë!” Aso kohe, Reshati kishte dhe fëmijë të tjerë që pritnin radhën, për t’u fejuar e për t’u martuar. “Po ku e me kë do të fejohet djali yt dhe ku qëndron vështirësia?” e vazhdova pyetjen. “Me të bijën e Veli Ahmet Pashaj, nga Hysodosajt”, gjegji Reshati. Të mirë janë ata të Ahmet Fejzo Pashaj, i thashë menjëherë. Dhe vazhdova të numëroj: Nasibeja - thashë unë, motër e Veliut dhe e Fejzos dhe bijë e Ahmet Fejzos, ka qenë partizane. Ajo u fejua e u martua, në mal, me njërin nga luftëtarët partizanë, më të zjarrtë të Kalivaçit; me Teki Sherif Zenelaj (Mucoimaj). Qerim Ahmeti dhe Hamit Ziflua, gjithashtu kanë qenë partizanë, theksova. Derisa ata, si familje kanë qenë të rreshtuar me çlirimtarët, ashtu si miqësitë që bënë, ç’të keqe paska fejesa e djalit tënd me të bijën e Veli Ahmet Pashaj? Kam dëgjuar se dy të rinjtë njihen mirë dhe e duan njëri-tjetrin. Ky është një rast fatlum e nuk ka përse të mendohesh kaq shumë?
Mirë i ditke këto lidhje ti, o kushëri, tha Reshati, por ka dhe ndonjë rrethanë penguese. Gjyshi i vajzës, nga Nëna, Hasan Manxhari, i biri i Manxhar Fetahut, ka qenë me nacionalistët etj. etj. Sikur të mos e dija, shtrova pyetjen: “Po pas çlirimit të vendit, nga pushtuesit e huaj, si u trajtua Hasani, nga pushteti i dalë nga lufta? A ia hoqën triskën e frontit dhe a u dënua ai?” “Jo”, u përgjigj Reshati, asgjë nuk ngjau nga këto, vetëm se Hasani u largua nga fshati e vajti në punë në Minierën e Memaliajt. Në ato që i thashë Reshatit kisha disa siguri. Ai erdhi tek unë për ta pleqëruar rastin dhe për të vendosur, e unë nuk mund ta lija të ikte, pa një përfundim. Arsyen e ardhjes tek unë, Reshati e shprehu thjesht e qartë, me fjalët: “Kam hallin tënd, or byrazer, se Ti je në bukë të Qeverisë, kurse unë çoban me dhen jam e kërrabën kam në dorë; po ma hoqën atë, do të gjej një punë tjetër, me kazmë!”
E sigurova sivëllanë tim se kjo lidhje e re nuk më prekte fare, mbasi karriera ime ishte e ngritur mbi themele të forta dhe se shkallët që kam ngjitur në karrierë kanë qenë mbi bazën e tipareve dhe aftësive vetjake. Gjithashtu, e sigurova Reshatin se i gjithë fisi i Nelajve dhe miqësia do ta mirëpresin këtë lidhje dhe se pozitat e fisit tonë, me siguri që do të forcohen. Kjo lidhje martesore, i bëra me dije sivëllait tim, do t’i hapë udhën krushqisë me familjen Celaj të cilën e kishte çarë, kohë më parë plaku i mençur i fisit tonë, Xhemal Haxhi Nelaj, i cili mori nuse për të birin, Kasemin, të bijën e Ago Manxharit. Dija dhe një fakt tjetër, të cilin e dinin njeriu im dhe të gjithë kalivaçasit: Barjam Manxhari, njëri nga djemtë e Manxhar Fetahut kish qenë partizan. Ky fakt, mendova se do ta zbuste disi situatën dhe do t’i mbushte mendjen sivëllait tim.
Në “darkën” që shtruam për të nderuar Reshatin, për ta ngrohur pak të pavendosurin e paqartë e porosita: Kur të presësh miqtë e rinj nga Hysodosajt, më njofto disa ditë më parë që të marr masa për të ardhur në shpalljen e asaj fejese fatlume. Sivëllai im Reshat Resmi Nelaj, pas atij takimi, “U ngroh”. Këtë e vura re në sigurinë që shprehnin sytë e tij, kur e përcolla, siç i takonte. U tha; u bë. Reshati bëri siç ramë dakord dhe unë e mbajta fjalën që i dhashë. Më 11 shtator të vitit 1988 ndodhesha, në Kalivaç, në shtëpinë e Reshat Resmi Nelaj, me qëllim që të shpallej fejesa e Vjollcës me Petrefin, në prani të miqve të rinj nga Hysodosajt.
E mençura Xhiko dhe fisnikja Kushulle, si dy motra të lindura nga e njëjta nënë, i kishin bërë të dy konaket (shtëpinë e Reshatit dhe atë të Nelos, të cilët, në atë kohë ishin të ndarë), si dritë, jashtë e brenda. Xhikon nuk e nxinte vendi nga gëzimi e nuk dinte si ta shprehte atë. Tina dhe Mira (ndjesë paçin), së bashku me vajzat e Nelos, si flutura, vinin vërdallë banesës, gëzonin, këndonin e kërcenin vajzërisht. Gaz e hare u ndez ajo rreze.
Nga Hysodosajt erdhën: Fejzo Ahmeti, vëlla i të ndjerit Veli, babait të Vjollcës; Jashar Lazja dhe i biri i Dajlan Xheladinit; nga Hasanbegajt kish marrë udhën Medini i Celajve, dajo i Vjollcës etj. Vajta në Kalivaç një ditë më parë. Isha veshur, me uniformën e oficerit të aviacionit, me të gjitha stolitë dhe aksesorët, përfshi gradat. Uniforma e ushtarakut, në Kalivaç është respektuar në çdo kohë dhe nderohet edhe sot. Për t’i shtuar vlerat asaj gostie të gëzuar u paraqita me uniformën e oficerit.
Këngë e valle labçe; mirësi e dolli u pinë pafund; gaz e hare u derdhën pa kursim atë ditë në vatrën e Reshat Resmiut. Të dyja palët, të kënaqura me miqësinë e re që u lidh dhe nga pritja e ngrohtë e krushqve nga Binajt, u ndanë nga njëra-tjetra me puthje e me përqafime të ngrohta, sikur të kishin qindra vjet në miqësi si kjo. E ndjeshmja dhe e ndershmja Xhiko, pas gostisë më falënderoi në mënyrë të veçantë, për pjesëmarrjen dhe për paraqitjen time. Për shkak të angazhimit me detyra të tjera të rëndësishme, e pata të pamundur të merrja pjesë në dasmën e çiftit, por, ashtu siç e pata të mundur urova, me shpirt e me zemër: “Çifti të trashëgohet dhe e pastë jetën të lumtur!”
Xhikua ishte grua e mençur. Me Të, pleqëronin çështje të rëndësishme, jo vetëm gra, por dhe burra të ndjerë. Veç ta vështroje sa bukur i shkonte asaj gruaje, roli i kryesueses së grave të mëhallës së Ahmetajve, kur ato shkonin për të uruar dikë, për martesën, pas lindjes së një fëmije; për synetllëk, kur djali kthehej nga ushtria, kur një i ngujuar lirohej nga burgu etj., ose në raste fatkeqësish familjare. Xhikua udhëhiqte “karvanin” e grave dhe, me të mbërritur në shtëpinë e duhur, Atë e hidhnin në qoshe. I kishte lezet qosheja e ndrinte shtëpia, kur në qoshe hidhej Xhikua.
Ajo dinte kur e si ta thosh fjalën, të mençur e si melhem për plagë. Fjalët e saj ishin të rralla, por, në çdo fjalë, ajo ngulte gozhdë trari. Fjala e saj e mençur peshonte rëndë.
Një fjalë e lashtë na mëson: “Njeriu i mirë, nuk ka gjithnjë të mira, në jetë!” Në rastin e Xhikos, ky slogan rezulton të ketë të vërteta brenda. Ai shpirt i mirë përjetoi një dhimbje të thellë e një helm të pamatë, kur u nda nga jeta vëllai i saj i madh - Qani Selmani, i cili ishte një “Yll” i vërtetë, i rënë nga gjithësia, i miri i të mirëve; zemërflori. Dhimbjen për ndarjen nga jeta të vëllait të madh, e shtoi pamundësia e Xhikos për t’u ndodhur në çastin e përcjelljes së tij për në banesën e fundit, dhe i mbeti merak që nuk i hodhi një dorë dhe, mbi varr, vëllait të shpirtit. Ndarja nga jeta, para kohe dhe aksidentale e vajzës së saj të madhe, Florentinës, e cila vajti nuse, në derë të huaj akoma fëmijë dhe vdiq në Spitalin e Vlorës, pa një diagnozë të qartë e pa një ndërhyrje të saktë, qe tepër e rëndë dhe e beftë.
Këto dhe sëmurja e Mirës, vajzës tjetër të saj, e cila u nda nga jeta, pas së ëmës, e sfilitën dhe e tretën Xhikon tonë, duke e shkatërruar moralisht dhe fizikisht. Ajo nuk ishte zhurmëmadhe, por fatkeqësitë i përjetonte në heshtje dhe i vuante përbrenda.
Xhikos nuk i ndihej zëri; në vend të zërit, Asaj i fliste puna e i dëgjohej kuvendi. E tillë do të kujtohet, në jetë të jetëve ajo grua fjalëpakë e punëmbaruar. Në vitin 1982 Xhikos iu zmadhua tej mase dhe e shqetësonte gjëndra tiroide në gushë. Në organizmin e asaj gruaje si “engjëll” u krijua një situatë e vështirë. I duhej të vinte në Tiranë, e të kryente kontrollet mjekësore, tek specialistë të përshtatshëm.
Mundësi për vizitë e ndërhyrje të specializuar, në atë kohë, kishte vetëm në Tiranë, në Spitalin “Nënë Tereza”. Ardhjen e Xhikos në Tiranë e favorizonte fakti se, në metropol, Ajo kishte me banim prej kohësh, motrën e madhe – Shanijen, e cila edhe bashkëshortin, të ndjerin Ilmi Selimi, e kish nga ajo anë, gjë që ishte një kusht domethënës. Gjithashtu, në Tiranë ishim me banim dhe Dilaveri, vëllai im, me familjen, unë dhe fëmijët e vëllait të saj me nënë, të ndjerit Qani Selmani.
Doemos, motra Shanije dhe bashkëshorti i saj Ilmi Selimaj kishin detyrën dhe barrën kryesore në këtë mes. Unë po shkruaj kujtimet e mia nga kjo ndodhi. Ishte fat i madh që në repartin kirurgjikal të Spitalit të Përgjithshëm, jo operonte, por militonte, e përkushtuara duarartë, e paharruara Rushen Golemi, e para kirurge femër në vendin tonë. E them që në krye të herës: e ndjera Xhiko kish mbetur aq e kënaqur nga ndërhyrja, sjellja, trajtimi njerëzor i të ndjerës Rushen Golemi, të cilën nuk e hiqte nga goja. Sa herë i rastiste të vinte në Tiranë, pas asaj ndërhyrjeje fatlume, kujtoj të mirën Xhiko, e cila kërkonte ta takonte dr. Rushen Golemin, për ta falënderuar sërish e sërish, sa herë t’i jepej mundësia, për punën e saj prej kirurgu të njerëzishëm.
Xhikua qëndroi në familjen time, gati 10 ditë. Ajo i shpërndau ditët e qëndrimit në Tiranë, tek njerëzit e saj, në mënyrë që të mos i mbetej hatri asnjeriu. Kisha formuar familje të re dhe na kish ardhur në jetë një djalë, i cili nuk ishte më tepër se 2 vjeç. Më ka lënë mbresë të thellë, përshtatja e shpejtë e një gruaje që vinte nga fshati, në kushte të tjera. Sikur të ishte në shtëpinë e saj, pa pikën e drojës Ajo kreu në mënyrë shembullore të gjitha proceset e punës që kërkonte një shtëpi në Tiranë.
Si një amvisë cilësore, punët e saj ndrinin e bënin beli. E mbante shtëpinë “akull”. Veç ta shikoje si kujdesej për të voglin tonë, Dritanin. Ai, vërtet e kish dhe e ka emrin Dritan, por kujdesi i Xhikos për të ia shtonte dritën. Ajo grua e mbante djalin sikur të ishte një kukull, të pastër deri në detaje; e ushqente, shëndetshëm, mbasi kish përgatitur për të ushqim cilësor. Apo nuk gatuante për pjesëtarët e tjerë të familjes. Sikur të kishte bërë shkollë kuzhine, Xhikua përgatiste gjellë me shije, sa lëpinim gishtat. Në ato 10 ditë të qëndrimit të Xhikos në familjen tonë, si nuk ia dëgjova, qoftë dhe një herë të vetme zërin e ankesës për dhimbjet që i shkaktonte ndërhyrja në një organ jetik, si dhe fjalën: “u lodha”. Vetëm fjalën e mirë dhe urimin, me shpirt kam dëgjuar nga Ai njeri.
Vinte rrotull nëpër shtëpi, si flutur, pa u ndier e pa u vetëlëvduar. Xhikos i kish “mbirë” në buzë fjala e ëmbël e dashamirëse: “Të keqen”; “kurban unë”; “a u lodhe?” “Pusho pak se kujdeset motra, për shtëpinë e për fëminë” etj. etj. Sa shumë dashuri e mirësi dhuronte Ai njeri! Këto nuk harrohen lehtë, prandaj, sot, pas kaq vitesh që Ajo është ndarë nga jeta, uroj, me shpirt e me zemër: Mirësia e atij shpirti le të kalojë tek pasardhësit e saj të bekuar!
Vite më pas, nën kujdestarinë e vëllait të saj Refatit, i cili banon në Risili të rrethit të Vlorës, Xhikua iu nënshtrua një ndërhyrjeje të detyruar në sy, tek një okulist i kujdesshëm dhe kompetent, në Spitalin Urban të qytetit të Vlorës. Nga kjo ndërhyrje, Ajo i shpëtoi verbimit e mbeti sërish e aftë për t’u përkushtuar për shtëpinë, për burrin, për fëmijët e saj dhe për të afërmit e miqtë e shtëpisë. Siç rrëfen Refati, edhe në këtë rast, qëndrimi i saj ishte tepër dinjitoz e optimist.
Më duhet t’i bëj dredha renditjes, por mendoj se, sido që të jetë, siç thotë populli ynë, “vaji në lakrat bie”. Kur e pyeta Reshatin (ndjesë pastë), bashkëshortin e Xhikos, nëse e kujtonte ditën e martesës dhe si e kujtonte atë, Ai u shpreh: “Dasma jonë u bë në fund të korrikut. Xhikua erdhi nuse në pragun tonë në moshën rreth 18 vjeç. Siç ishte tradita, nusja u hodh në lumin e Vjosës, në lundrën e Kalivaçit. Kryekrushk ishte Laze Xhezua. Kalin e nuses ia besuan djalit të Mehmet Musa Nelaj - Samiut. Me Xhikon kam kaluar: ‘Dy trupa, me një shpirt!’ – E paharruar qoftë!”
Kur erdhi në jetë Myftari, gati 52 vjet më parë, Reshati dhe Kokoja, me Petrefin të vogël, banonin, së bashku me Zonjën e Vogël dhe me Nelon beqar, në një kasolle, tek fiku i madh, mbi ledhin ku nuk e zinte ujët e Përroit të Llaskos. Sipas ritit bektashian, familjarët dhe të afërmit (një pjesë e tyre), duhet të thyenin bukaniqen dhe t’i çonin emrin fëmijës së sapolindur.
Në kasollen me shtresë bloze të trashë ku të mbyste tymi kur në vatër ndizej zjarr, në ato kushte të vështira për të jetuar, dy Zonjat dhe Kokoja lehone kishin përgatitur një darkë modeste. Në krye të gatimeve qëndronte bukaniqja e djalit e cila, për nga përbërja dhe mënyra e gatimit i përngjante llokumes veç ishte e shtrirë e merrte formën e tepsisë ku ishte pjekur. Në kasolle sundonte një atmosferë e qetë dhe e gëzuar. Dilaveri dhe Petrefi si më të vegjëlit e pragut, i gëzoheshin bukaniqes e mezi pritnin sa të copëtohej e të hanin në të. Reshatit i qeshte nuri e krekosej se u bë me dy djem e shoqëria do t’i thoshte: “Bën beli; je shtëpi pushke!”
Vetëm Xhikua lehone rrinte disi e mërzitur. Jo prej lindjes, situatë të cilën thuajse e kishte kapërcyer, por, për faktin se ishte lehone në zi. Asaj i kish vdekur vëllai i madh - Qaniu, një “yll” i rrallë dhe kjo, ngaqë ishte shtatzënë, në muajin e nëntë të shtatzënisë, nuk mundi të merrte pjesë as në ceremoninë e lamtumirës së atij deli djali. Ajo ishte e dëshpëruar se nuk arriti as t’i hidhte një grusht dhe, mbi varr, vëllait të saj të dashur. Për kuriozitet të lexuesit, ju bëj me dije se Xhikua vajti në Tiranë dhe e qau vëllanë e ndjerë, pas një muaji.
Parë nga ana emocionale, ia vlen të themi se në këtë rast kemi një ngarkesë emocionale të dyfishtë tek Kokoja nuse. Nga njëra anë Ajo u shkarkua nga barra dhe solli në jetë një djalë; nga ana tjetër, humbi, përgjithmonë vëllanë që e donte aq shumë.
Të grumbulluar rreth zjarrit kalafak, mezi pritnim të vinte Xheviti, i cili kishte detyrë primare të rregullonte më parë dhentë, të mbyllte gjënë e gjallë, në kasolle, të zinte lesat e dyert dhe mbasi t’i kish kryer detyrat e asaj dite, do të zbriste, tatëpjetë nga udha kryesore e mëhallës që të çon tek Ullinjtë e Bushit e më pas në shtegun që të çonte në oborrin e kasolles ku e pritnin me padurim. Xhaxhakua e dinte që e pritnin mbasi, në shtëpinë e Reshatit, ashtu si në familjen e tij, fjala dhe mendimi i tij ishin të padiskutueshme. Si i plotfuqishëm që i dëgjohej fjala dhe kishte vlerën vendimmarrëse fjala e tij, nuk mund të copëtohej bukaniqja e djalit dhe t’i vihej atij emri, pa praninë e Xhaxhakos. Pas plakut të parë të fisit Nelaj - Musa Mehmetit, më i moshuari ishte Xheviti. Shto dhe të qenit i drejtë e i ndershëm, këto bënin të mundur që Atij burri me shtat të shkurtër t’i zinte vend fjala edhe në fis e më gjerë. Zonja e Vogël; Reshati; Nelua dhe Xhikua nuse, ia dëgjonin fjalën dhe i bindeshin Atij, verbërisht.
Në atë kohë kish nisur të frynte një “e re”, sa i përket emrave të njerëzve. Çiftet e reja përpiqeshin të largoheshin nga tradicionalja. Ata u vunë në krye të përpjekjeve për të përqafuar të renë. Nëse djalit të parë, Kokoja i kish vënë emrin e vëllait të ndjerë të burrit, Petref, me qëllim që të respektonte traditën dhe bashkëshortin, prirja e saj drejt të resë nuk mungonte. Ajo duket edhe në emrat që u vuri fëmijëve pasardhës.
Vajza Florentine; vajza tjetër - Mira dhe djali i fundit – Pajtimi, na japin të drejtën të mendojmë se edhe djalit të dytë, bukaniqja e të cilit po priste të copëtohej nga Xhaxhakua, sipër djepit të foshnjës, Kokoja, ndoshta kishte menduar një emër tjetër për të. Por, siç u tha më sipër, fjala e fundit i takonte Xhaxhakos, e ajo ishte e pakundërshtueshme.
Akoma pa u ulur në qoshen e djathtë të kasolles, Xheviti, i cili gjithë udhës së zbritjes, në atë pragmbrëmje e kish menduar dhe e kishte vendosur në mendjen e tij emrin e djalit ligjëroi: “Trungu dhe fisi na i kanë zënë emrat e gjyshërve tanë; ka mbetur vetëm emri i Myftarit nga të parët tanë; ta trashëgojë djali emrin Myftar!” Dhe thyeu bukaniqen. Ne që u ndodhëm aty, përplasëm duart, përsëritëm emrin Myftar dhe iu sulëm copave të bukaniqes.
Kështu mori fund riti bektashian i vënies së emrit fëmijës së sapolindur. Të nesërmen u dyndën gratë e trungut e të fisit, me llokume e me petulla për të uruar Reshatin dhe Zonjën e Vogël të Binajve. Myftari u rrit nëpër këmbët e fëmijëve të tjerë e u bë sa një lis. Ai u martua e u gëzua me një vatër fëmijë dhe e ndezi zjarrin me vete në Gurishte.
Xhikua punoi gjatë në punët e kooperativës Bujqësore të fshatit, e nuk prishi qejf me asnjë grua, përkundrazi, mes shoqeve ajo shquhej si margaritar, për sjelljen e mirë dhe për dashurinë që falte. Nuk i dëgjohej zëri, asaj gruaje, por i fliste fjala dhe i dukej puna. Këtë e dëshmojnë shoqet dhe bashkëkohëset e saj, të cilat, nofkën “Koko” nuk e lanë brenda familjes dhe trungut, por e shtrinë në tërë mëhallën. Ajo, me të drejtë u quajt “Kokoja e mëhallës”!
Mirëpo, duke rrëmuar në thesaret e popullit tonë, gjejmë një togfjalësh kuptimi i të cilit është nxjerrë nga jeta dhe e ka vërtetuar vetë jeta. Sllogani na thotë: “I miri, s’ka të mira në jetë!” Rasti i heroinës së këtij shkrimi, Xhikos së Reshat Resmiut, na e vërteton katërcipërisht këtë thënie të mençur. Ajo erdhi nuse, në një prag, në të cilin, babai i burrit - Resmi Nelo Nelaj, ishte ndarë nga jeta, mjaft i ri, i pashëm, i shkathët e i zgjuar, nga një sëmundje e rëndomtë, e cila, në kushte të tjera do të shërohej, me siguri. Xhikua nuk e gjeti e nuk e njohu atë që do të qe vjehrri i saj.
Pas disa vjetësh nga nusërimi, kur Ajo priste djalin e dytë, u nda nga jeta njëri nga djemtë më të mirë të fisit të origjinës e të fshatit Shkozë - vëllai i saj Qani Selmani, të cilit, Xhikua nuk mundi t’i gjendej as në përcjelljen e lamtumirës. Vajza e Madhe, Florentina, e cila ishte një flutur e lindur, u martua fare e re. Kur ishte shtatzënë, në lindjen e parë, nga një pakujdesi e pajustifikuar, u nda nga jeta, duke qenë e shtruar në Spitalin e Vlorës. Hidhërimi pasoi hidhërimin dhe Xhikua i përjetoi ato me dinjitetin e njeriut fisnik. Ndarja nga jeta e Nelo Resmiut ishte një goditje tjetër e rëndë, e cila e dërmoi gruan e mirë.
Sikur këto të mos mjaftonin, në vitet e fundit të jetës së saj u sëmur nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme vajza tjetër e saj, e bukura Mira. Xhikua vërtet nuk e përjetoi ndarjen e saj nga jeta, por vuajti e ndjeu thellë, sëmurjen e saj dhe parashikoi prognozën. Këto hidhërime të rënda e brejtën Xhikon përbrenda; Ajo i vuante e i përjetonte keq të këqijat, prandaj, iu zhvillua rishtaz gjëndra tiroide dhe 2 vjet para se t’i jepte fund jetës u detyrua të bënte një ndërhyrje të re, në Repartin e kirurgjisë së Spitalit “Nënë Tereza”, në Tiranë nga duararti Prof. Dr. Edmond Çeliku. Rastin e ndoqi me shumë kujdes e dashuri Dr. Ardian Nelaj, i cili e çmonte dhe e nderonte shumë figurën komplekse të Kokosë sonë.
Nuk mund të anashkaloj një tipar të veçantë të Xhikos kapedane. Ajo grua, shquhej mes grash dhe për faktin që qante, me ligje, si asnjë tjetër. Me të drejtë, ndonjëri mund të thotë: “Çfarë bukurie ka brenda vajtimi?” Hidhërimi që sjell një ndarje nga jeta është i ditur. Ai (ajo) që vajton, e ka një dhimbje e diçka ndjen, thellë në shpirt.
Boshllëkun që lë vdekja, pas, zor se mund ta mbushë diçka tjetër. Vajtimi, sidoqë të jetë, nuk e kthen më në jetë të ikurin, por të qarët me ligje, ku i numërohen të ndjerit (të ndjerës), vlerat që ka pasur, me zë të plotë, të qartë e me artikulim të kuptueshëm nga ata që përbëjnë kortezhin, që e shoqërojnë për në banesën e fundit të ndjerin (të ndjerën), krijon një gjendje tjetër tek komuniteti që e dëgjon vajtimin. Ndoshta jo lehtësimi, por krenarie me siguri. Gratë, kur qante Xhikua, me ligje thoshin: “Pushoni, o gra, se po qan Xhikua e Reshat Resmiut!” Dhe të gjithë të pranishmit mbanin vesh ato që numëronte Xhikua.
Kohët e fundit të jetës së saj, i ndodhi një trombozë. U mjekua e u duk sikur u shërua. Vazhdoi të kujdesej për familjen: në veçanti për bashkëshortin e saj – Reshat Resmiun (ndjesë pastë), të cilit ia njihte historinë e jetës dhe vuajtjet që kish kaluar gjë që ia shtonte dhimbshurinë për Të. Me Reshatin, Ajo u rrit, kaloi një jetë të tërë, përballoi telashe të mëdha e dhimbje sfilitëse, solli në jetë një vatër me fëmijë, të cilët i rriti në vështirësitë e kohës, si i thonë fjalës, “me thërrime”.
Në kohën kur dukej sikur u përmirësua, ndodhi gjëma e madhe; e paharruara Xhiko ndërroi jetë. Ajo u nda, përgjithmonë nga familja e saj dhe nga të gjithë ata që e kishin njohur. Vdekja mizore nuk e kurseu atë deli grua. Mora pjesë në ceremoninë e përcjelljes së të ndjerës. Edhe sot e kësaj dite, nuk arrij të kuptoj ku e si u njoftuan gjithë ata njerëz që i erdhën asaj zonje të rëndë, në përcjellje e i dhanë lamtumirën e fundit.
Xhikua (ndjesë pastë) u përcoll nga një lumë njerëzish, të moshave, gjinive, profesioneve e bindjeve jo të njëjta. Varri i saj ndodhet në varrezat e fisit Nelaj, pranë shtëpisë së vëllezërve Reshat e Nelo Resmiu. Fjalën e lamtumirës e mbajti nipi i burrit të saj - Bino Xheladin Nelaj. Dreka e lamtumirës u dha në lokalin me pronar Fatmirin e Mbetes e të Sulo Musa Bilaj, në Qafën e Dërrasës. Nuk më la shije të mirë, mospjesëmarrja në drekë e njerëzve të së ndjerës, nga Shkoza.
Pas varrimit të së ndjerës, ata, pa u ndier, një nga një, u larguan nga lauzi. Kështu e donte tradita e zonës së tyre; tha dikush; e qanë në shtëpinë ku u lind e ndjera Xhiko. Veprimi është i justifikueshëm e le ta respektojmë traditën, e kujtdo qoftë.
U ndodha në një tavolinë me Reshatin (ndjesë pastë) dhe me njërin nga djemtë e Idai Bilos, nga Shkoza i cili mori guximin e theu traditën. Meqenëse e kisha pranë, përpos dhimbjes sime, më duhej të monitoroja sivëllanë tim të mirë. Dridhej i tëri e mezi artikulonte. Kujtonte jetën pa sherre që kish kaluar me të ndjerën dhe dashurinë e pastër që i kishin përcjellë njëri-tjetrit. Nuk gjendej fjalë ngushëlluese për atë njeri.
Kur përfundoi dreka e lamtumirës e po ndaheshin njerëzit, të gjithë takonin sivëllanë tim, duke u munduar t’i pakësonin dhimbjen, nëpërmjet ngushëllimit, por fjalët kalonin në erë e Reshati vuante fatkeqësinë e rëndë që e pllakosi. Në një çast, siç duket kur u ndërgjegjësua për atë që kish humbur, e lanë fuqitë e u këput. Menduam se aq e pati dhe Ai. E rrëmbyen djemtë dhe nipërit dhe e çuan në Krahës, ku është një spital rajonal. Po atë ditë, pas mjekimit hospitalor që mori, shëndeti i tij u përmirësua dhe Reshati u kthye në shtëpi.
Pas plagës që mori nga vdekja e Xhikos, Reshati, i rritur jetim, mbeti sërish jetim e përjetoi një tjetër plagë të rëndë, ndarjen nga jeta të vajzës së dytë; të bukurës Mira. Ai jetoi, i helmuar deri në palcë, deri më 13 gusht të vitit 2021, kur dha shpirt e u nda nga kjo jetë, nën kujdesin e djalit të vogël - Pajtimit dhe me shërbimin e nuses së tij. Ia ka vënë mirë “vjegen” populli ynë, rasteve të ngjashme, kur thotë: “Buzë e plasur nuk qesh kurrë!” Reshati mbeti jetim si në fëmijëri dhe në pleqëri.
Ky shkrim modest le të jetë një përkushtim për dy njerëz të mirë, që lanë gjurmë si në familje dhe në shoqëri.
Të paharruar qofshin, në jetë të jetëve!
T’u kenë lënë jetën fëmijëve!
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, gjatë muajve gusht - shtator 2021, në Tiranë dhe në Voskopojë.

Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.