Pranohet njëfarë rregulli, sipas të cilit emrat e njerëzve janë thjesht simbolikë e shërbejnë për të identifikuar çdo individ. Në një krahinë të largët të vendit, emrin e njësojnë me kapistallin (kapistrën) që u vënë kuajve në kokë. Në pamje të parë, çështja paraqitet e thjeshtë por, në praktikë nuk është fort e tillë. Në veçanti, në fshatin Kalivaç të rrethit të Tepelenës ku tradita e vazhdimësisë së emrave të njerëzve apo transmetimi i emrave, nga brezi në brez, brenda të njëjtit fis është evident.

Për ta bërë më të kuptueshme, jam i shtrënguar të sjell në vëmendje një shembull nga praktika e fisit tim, të cilin pretendoj se e njoh më mirë nga të tjerët. Po t’i referohemi pemës gjenealogjike të fisit Nelaj, shtrirja e vijimësisë së emrave na paraqitet si vijon: Nelua, i biri i Ahmetit, i cili konsiderohet si i pari i mëhallës lindi Myftarin; ky Nelon; i cili solli në jetë Resmine e i ndjeri lindi Reshatin dhe Nelon. Ky solli në jetë një tjetër Resmi e kështu metamorfoza e transmetimit vijon nga brezi në brez.

Në vijën e zbritjes, rrugës janë shmangur nga trungu degë e nëndegë, por tradita e transmetimit të emrave ka vazhduar e mund të vazhdojë, nuk di deri kur? Ndoshta për shkak të trashëgimisë, emrat e djemve përsëriteshin nga ati tek biri, derisa arrinin në emëruesin e përbashkët. Në Kalivaç të Tepelenës, përsëritja e emrave, nga brezi në brez, nuk përfaqësonte thjesht disa shkallë të zbritjes, por me kohë, fitoi statusin e një kornize, të detyrueshme për t’u zbatuar. Kush nuk e zbatonte kornizën e formuar nga forca e traditës, konsiderohej se kishte dalë "jashtë gardhit". Ky rregull i pashkruar, zbatohej vullnetarisht, deri në hyrje të viteve ’50 të shekullit të shkuar. Disa herë ngjante me një "garë" mes pinjollëve të një fisi, me përmbajtje; kush të ringjallte më shumë emra nga të stërgjysheve.

Aktualisht, situata e emrave të njerëzve na paraqitet me një fytyrë tjetër. Raportet janë përmbysur e përparësi kanë marrë emrat e kohës ose moderne si të thuash. Po të hedhësh një vështrim brenda mëhallëve tradicionale, është e vështirë të gjeje dikur dy emra të njëjtë në një mëhallë. Pa lëre brenda fisit, degës e nëndegës së të njëjtit fis ku praktika e përsëritjes së emrave ishte vetëm fantazi. Nuk është vetëm çështje tradite; brenda ka dhe grimca bestytnie. Disa gra e një takëm burrash kishin bindjen (natyrisht të pabazuar) se po të përsëritej "padrejtësisht" i njëjti emër brenda mëhallës apo fisit, tek të paslindurit, këtij të fundit nuk do t’i shkonte jeta mbarë.

Besimtarë të tillë, duke qëmtuar atyre hënave raste e fakte të cilat i përdornin kot se koti, për të vërtetuar bindjet e tyre të verbra ndonjëherë arrinin të molepsnin e të çorientonin mendje të shëndosha. Pas kësaj, thashethemi përhapej me shpejtësinë e një epidemie e merrte përmasa "gjigante", të pabesueshme.

Të tilla përmasa, madje pa "frena" ka marrë në ditët tona çështja e mbiemrave. Ruaj mendimin se emri i një njeriu mund të evoluojë, sipas kohës dhe sipas dëshirave të prindërve të tij. Nëse dikur rendi i emrave të njerëzve ruhej për shkak të traditës, në ditët tona, ka dalë në skenë vendosja e emrave të njerëzve sipas modës së ditës. Çështja e mbiemrave, merr tjetër dimension sa i takon vlerës. Në opinionin tim, mbiemrat nuk duhen ndryshuar sipas dëshirave të njerëzve, mbasi ata kanë një domethënie domethënëse. Mbiemri, vërtet na rrëfen përkatësinë në një komunitet të caktuar njerëzish mbi bazë gjaku, por dhe na orienton drejt lidhur me vijimësinë fisnore.

Dikush mund të pretendojë se nuk jemi në kohën e fiseve. Shumë ndryshime kanë ngjarë e sipas tyre dhe çështja e mbiemrave duhet të shoqërojë e të pasqyrojë ndryshimet. Dakord, jetojmë në një shekull tjetër por përkatësia fisnore, në veçanti lidhjet e gjakut nuk kanë pësuar ndonjë evoluim kushedi se çfarë. Pra, mbiemri na rrëfen përkatësinë e na dëfton kujt i përket "X" e "Y" në hierarkinë fisnore. Një shembull të thjeshtë mund të sjell, i cili njihej e zbatohej nga i gjithë komuniteti, me vullnet të lirë. Takoheshin në udhë dy rrugëtarë dhe pyesnin njëri-tjetrin: "Ku shkon ti e për ku e ke marrë udhën ti?"

Tjetri i përgjigjej atij që bënte pyetjen, sipas rastit. "E kam marrë udhën për në Nelaj; për në Deraj; për në Sakaj; për në Canaj; për në Haxhiaj (Hysenaj); për në Dulaj; për në Muharremaj; për në Danaj etj." Në këtë mënyrë, tjetri e merrte menjëherë informacionin e saktë, drejtpërdrejt e me adresë të pakontestueshme.

Ka dhe një problem tjetër, i cili nuk mund të neglizhohet: Kalivaçasit, që në kohët kur nuk mbahet mend, kanë shtegtuar, në migrim të brendshëm, ose në emigrim të jashtëm. Kalivaçasit, sot i gjen të shpërndarë në të gjithë botën. Po të bëheshin "lëmsh" mbiemrat e tyre, do të humbiste dhe përkatësia fisnore. Mendoni, se në kohët që jetojmë, janë pleksur disa breza, të cilët, jo domosdoshmërisht e njohin njëri-tjetrin individualisht. Po të më pyesë dikush, sot, a e njeh filanin apo fistekun, për ata që nuk i njoh personalisht por i kam bërë shokë edhe në facebok, nisur nga mbiemri, kur e kam bërë këtë veprim jam nisur nga geni fisnik i tyre. Pa u futur në detaje, për mjaft të rinj e të reja, të cilët i shquaj vetëm nga mbiemri që mbajnë, them me siguri e me kompetencë se po të jenë me mbiemër Takaj, patjetër që janë fisnikë.

Kështu mund të them dhe për Agajt; Hysajt; Haxhiajt; Dostajt; Sulajt; Malajt; Çanajt; Caushajt; Llakajt; Hysenajt e Leshnjes, Mehmetajt e Rucit; Çelajt në Hasanbegaj dhe Caushajt në Specovë etj, etj, kuptoj se pas tyre qëndron një njeri i fisëm tek i cili mund të mbështetesh plotësisht.

Disa, pa u thelluar në atë që bëjnë i heqin mbiemrit shkronjën e fundit, sikur kjo të peshonte shumë dhe e lënë kështu mbiemrin, pa bisht. Kështu, një takëm, në statuset e tyre, mbiemrin e tyre nuk e shkruajnë të plotë dhe në vend që ta shkruajnë: Filan Nelaj, e reduktojnë atë në Filan Nela, të tjerë, në vend që të shkruajnë Deraj, i bien shkurt e shkruajnë Dera, etj, etj. Ec e gjeje pastaj kush është njëri e cili është tjetri. Jam kategorik kundra ndryshimit të emrave dhe mbiemrave në rrugë arbitrare. Të mos fajësojmë nëpunësit e gjendjes civile, të cilët shkruajnë atë që u deklarojnë të interesuarit.

Këtë çështje e kanë ngatërruar dhe fqinjët e Jugut, të cilët, për interesat e rretheve shoviniste të vendit të tyre, kanë bërë ndryshime arbitrare të emrave dhe mbiemrave të shqiptarëve autoktonë. Në këto ujëra të turbullta, është mirë të mos bien, as nga halli; as nga malli, njerëzit tanë, të cilët kanë për detyrë njerëzore dhe shtetërore, të ruajnë identitetin e tyre. Nuk kam ndër mend të futem në çështje religjioze por më intereson shumë t’i them dorës dorë e jo të kërkoj Saline e të më dalë Sotiraqi apo të gjej Jorgon të regjistruar në vend të Gazmendit etj.

Dikur, në dokumentet e identifikimit të personit shënoheshin dhe shenjat e veçanta të tyre, si mbajtja e mustaqeve (se mjekra lejohej vetëm për predikuesit e fesë), kurse aktualisht, jo vetëm të moshuarit por dhe të rinjtë e kanë të vështirë të identifikojnë një njeri, të cilin e kanë parë pa mjekër dhe papritur e ndeshin me mjekër, me mustaqe, me flokë të gjatë, me gjyslyke të errëta e me shenja të tjera, të cilat, jo vetëm që nuk e shquajnë, por e maskojnë dhe e shëmtojnë individin.

Kohët janë në favor të lirisë së mendimeve e të veprimeve. Kohës nuk i vë dot pengesa nën rrota, ndonëse tjetri mund ta ndryshojë emrin edhe me gjyq, kur emri që i kanë vënë prindërit nuk i pëlqen, veç disa rregulla duhen ruajtur, përndryshe mund të biem në amulli. Një bazë morale dhe ligjore për kundërshtimin e emrave dhe kërkesën për ndryshimin ligjor të tyre ekziston. Fakti që njeriu, nuk e përzgjedh vetë emrin por atë ia "imponojnë" të rriturit; kur arrin ta kuptojë domethënien e simbolit dhe nuk e mirëpret; mund ta kundërshtojë e mund ta ndryshojë atë.

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj; në Tiranë, gjatë muajit tetor të vitit 2021