Më 8 maj të vitit 2016, së bashku me vëllanë e vetëm, Dilaverin, dhe me dy djemtë e lashtë dhe dy djem të tyre (Bleronin dhe Kejdin), hipur në dy makina të kohës, ndërmorëm një rrugëtim të gjatë, me bereqet dhe historik, nga Tirana, ku banojmë, në Kalivaç të Tepelenës, për të cilin përgjërohemi.
Vajtëm në Kalivaç për të takuar kushërinjtë tanë më të afërt që kemi lënë atje. Në veçanti donim të takonim Xhikon e Reshat Resmiut (ndjesë pastë); bashkëshortin e saj – Reshatin (ndjesë pastë); Kushullen e Nelo Resmiut dhe pinjollët e tyre.
Kur shkoj në Kalivaç të Tepelenës, e kam bërë si rit; vizitën e parë e bëj në varrezat e fisit, atje ku prehen dy prindërit e mi: Zonjë Temja dhe Xhevit Malkua dhe mjaft nga të dashurit e mi. E mira Xhiko (ndjesë pastë), e cila ishte njoftuar për këtë vajtje tonën, na priste tek dera e varrezave, pranë shtëpisë së saj, të cilat janë të rrethuara me tel gambion, që nga koha kur ishte kryeplak i fshatit i paharruari Hydajet Muharremi i Derajve.
Në përbërje të „ekspeditës“ ishin dy djemtë e djemve: Kejdi dhe Bleroni. Të dy shkonin në fshatin e gjyshit për herë të parë; kurioziteti i tyre ishte i madh. Kuptohet, interesimi i tyre nuk mund të ishte i njëjti dhe, në fakt, ashtu ngjau. Ata kishin të përafërt moshën; të dy adoleshentë, por prirjet nuk i kishin të njëjta. Bleroni, djali i dytë i Ardjanit, nxënës i shkollës nëntëvjeçare, gjë e zgjuar e me prirje për t’u bërë një shkencëtar i mirëfilltë, më befasoi me pyetjet që më bëri dhe me interesimin e tij.
E kam bërë rit dhe e zbatoj me kënaqësi: sa herë shkoj në atë vend të „shenjtë“ ku prehen në përjetësi të dashurit e mi, u çoj nga një trëndafil mbi varr, secilit, në shenjë nderimi e mosharrimi. Atë ditë, në kalim e sipër, Ardjani pikasi që pllaka e gurit gëlqeror që mbulonte varrin e prindërve të mi, nga koha dhe nga oshilacionet e temperaturave, ishte çarë e në disa vende ishte e shkërmoqur. „Përse është rrënuar kështu varri i të parëve tanë?“ – bëri vërejtje djali i madh. „Më jep ca para, – i thashë, – se e rregulloj unë!“ Nuk vazhdoi më gjatë dialogu babë e bir.
Megjithatë, shërbeu si nxitje për ta shpejtuar procesin e rehabilitimit që sapo kish nisur.
Bleri (shkurtim i emrit Bleron) më bëri disa pyetje interesante. Ai u interesua për mëhallën Ahmetaj dhe pyeti: „Ku ka qenë shtëpia e babait tënd? Kë keni pasur gjitonë? Me cilën familje kemi pasur relata më të mira?“ etj. etj. Në përgjigjen time me stil telegrafik i bëra me dije nipit adoleshent se e gjithë mëhalla e Ahmetajve ka dalë nga „një zjarr“, pavarësisht nga evoluimi i emrave dhe i mbiemrave. Ne (mëhallalinjtë nga Ahmetajt) jemi të gjithë kushërinj me njëri-tjetrin, të shkallëve të ndryshme, prandaj nuk mund të bëjmë krushqi me shoqi-shoqin. Dy fise, të cilat janë të ardhura më vonë në mëhallën tonë, nuk janë kushërinjtë tanë.
Kur hyra brenda varrezave dhe vendosa nga një trëndafil mbi varrin e Mehmetit, të Minajetes, të Hydajetit, të Zonjë Temes e të Xhevit Malkos, tek varri i Xheladinit; tek ai i Tines, tek varri i Zonjës së Vogël të Binajve, tek ai i Nelos të Resmiut, tek Resuli (si tek i vjetri, ashtu dhe tek i riu); tek prehet Visari; tek Loloja (Mbetja) etj., në kohën kur të vajturit nga kryeqyteti qëndronin jashtë gardhit me tela, veprimi im ngjalli njëfarë kureshtjeje, për arsye se ishte i veçantë. Kur u bashkova me ta, Bleri më pyeti: „O gjysh, përse gjithë ato lule?“ U përgjigja thjesht: „E, po i shtuar është fisi i Nelajve, madje nuk prehen të gjithë aty“.
Një nga një, duke respektuar moshën, u futëm të gjithë në shtëpinë e Reshat Resmiut. Në shtëpi ishin të gjithë pjesëtarët e familjes: Xhikua; Reshati; Pajtimi; nusja e Pajtimit dhe dy fëmijët e tij. U ulëm si u ulëm, sa për të marrë qerasjen, pastaj dolëm.
Në shoqërinë e dy nipërve adoleshentë dhe të Pajtimit (djalit të tretë të Reshatit), morëm udhën, nëpër Shure (ara), për të shkuar në Vidhishte (ara). Ishte dhjetëditëshi i parë i majit. Pranvera ishte ulur këmbëkryq dhe gjelbërimi ishte në kulmin e tij. Shuret ishin mbjellë me të lashta. Lulekuqja kishte „mbytur“ bimët e kish dalë mbi lartësinë e tyre. Arat e mbjella kuqelonin.
Kur dolëm në Shure e kishim fushëpamjen të lirë, Kejdi dhe Bleroni fotografuan Kalivaçin (mëhallët e „Pusit“), Përroin e Veldonit dhe Grykën e Margellicit. Fotografitë ishin të pastra dhe të qarta. Një pamje mjaft të bukur e me kuptim në atë fotografi zë shkolla e fshatit, e cila është ngritur në vendin e quajtur „Maja e Tendes“ e baraslarguar nga tetë mëhallët e fshatit tonë. Gryka e Valdonit, Kurrizi i Mbretes, Fieri i Metes; Dokja, Caushajt etj., duken bukur në atë fotografi me talent.
Bleroni kureshtar u interesua për besimin fetar të kalivaçasve. E bëra me dije djaloshin se kalivaçasit, ashtu si banorët e trevës përqark, renditen në fenë myslimane, në sektin bektashian të saj. Ata, në tërësi, nuk janë praktikantë fetarë e nuk besojnë në fe.
Në të shkuarën, disa të moshuar ishin regjistruar muhipë (krahasimisht ngjanin me anëtarët e partive të sotme politike) dhe i ndiqnin ritet fetare në teqetë e zonës, siç ishte ajo e Dorzes; e Koshtanit; e Agarajt; e Harakopit, në Krahës etj. „Fillimisht, – i rrëfeva nipit kurioz, – kalivaçasit kanë qenë paganë.“ Ata u besonin dukurive natyrore si dielli, hëna, stinët e vitit etj.; pra, ata i faleshin natyrës dhe djersës së tyre. Më pas, në kohën e përhapjes së krishterimit, banorët e Kalivaçit u bënë katolikë. Disa toponime, si Përroi i Shenmarise dhe kisha përkatëse që ka qenë në derdhje të këtij përroi, si dhe emrat e njerëzve: Gjon; Vitori; Viktor; Gjonlekë etj. dëshmojnë në këtë drejtim. ija, Kurrizi i MbretesVathrat dhe Dokja K Me stil telegrafik (për mungesë kohe) i shpjegova nipit metamorfozën e kalivaçasve në çështje të besimit fetar, sipas imponimit të pushtuesve. Këtu marrin udhë toponimet: Jorga; Ledhi i Qishes etj.; më pas: Përroi i Zelenices; emri i mëhallës së parë të fshatit – Leshnje; arat me emrin Llapovica etj. Së fundi, në kohën e socializmit, mjaft emra njerëzish, madje dhe vendesh, pasuan fatin e sovjetizimit të politikës shtetërore.
Nipin tim e intrigonte çështja e objekteve të kultit fetar në Kalivaç dhe rreth tij. Pa qenë historian, rasti më shtrëngoi t’u futem në pjesë historianëve. Aq sa dija, ia rrëfeva Blerit. Në fshatin tim të bekuar, ndodhen objektet e kultit: Baba Dero Fusha. Ai e ka pasur mbiemrin Muharremaj dhe ka qenë pinjoll i këtij fisi. Menaxher i Mekamit ka qenë për shumë kohë bashkëfshatari ynë Barjam Rushan Muharremaj, nga mëhalla e Hasanimerajve.
Kur kalivaçasit nuk i shpjegonin dot disa dukuri të natyrës, siç janë: shiu; bora; suferina; bubullima, shkrepëtima, breshëri, thatësira e tejzgjatur, fryrja e lumit etj. etj., ata i drejtoheshin e i kërkonin ndihmë Kurorës së Malit, me besimin se ky objekt kulti, i vendosur në atë majë mali, vështronte dhe kishte lidhje me Baba Tomorrin, e të dy mund të ndikonin për të zgjidhur një situatë të caktuar. Objekte të tjera kulti ku bashkëfshatarët tanë besonin në mrekullinë e tyre ishin: Baba Dero Dorza; Baba Zotua në Fushën e Krahësit etj. Objektet e kultit që kanë ekzistuar në Kalivaç, siç bëhet fjalë për 4 kishat; 2 xhamitë dhe toponime të tjera, të cilat janë të shtrira në natyrë, siç janë: Shkoza e Rrahut, në Mocale; Baba Lolua, në Bozanaj; Lisat e Hyset etj. kanë qenë objekte, për të cilat vendasit besonin në mrekulli. Me besimin se do të ngjante mrekullia, njerëzit taksnin (caktonin) ose bënin kurban. Kurbane takseshin edhe kur tjetri kërkonte një emër për fëmijën (më shumë për një djalë që vinte në jetë pas disa vajzave); kur shpresonin në fuqinë shëruese të „shenjtorit“; për të mbetur shtatzënë kur kjo nuk kishte ngjarë edhe pas disa viteve martese; për një vit të mbarë e deri tek një udhëtim i mbarë. Premtimi (taksimi) mund të ishte në para, në gjë të gjallë e, sipas rastit dhe mundësive që kishte ai që shquante.
Në vazhdën e leksioneve për historinë e fshatit tim, të cilin e dua shumë, e shtova dozën enkas se ky fshat është i bekuar e i uruar. Kalivaçi i Tepelenës i ka të gjitha bukuritë që kërkohen për të qenë i bekuar. Ai ka lumin; Grykën e Ylynecit me bukuritë fantastike të saj; fushën e begatë, kodrat e gjelbëruara rreth vitit; malin e lartë përballë, i cili dominon klimën e zonës, dhe mbi të gjitha, ata njerëz të rrallë: trima, bujarë e të zgjuar. Zbulimet e kohëve të fundit në lëmin e arkeologjisë dhe interpretimi shkencor i tyre vërtetojnë se Kalivaçi i Tepelenës është njëri nga fshatrat më të lashtë të zonës dhe se ai laget nga lumi i gjelbër, i rrallë për florën dhe faunën e tij, i cili është nën mbrojtjen e atyre që e njohin rëndësinë e tij, si ekzemplar i vetëm në hapësirat europiane.
Shëtitja jonë nëpër Shure, në shoqërinë e Pajtimit, djalit të tretë të Reshat Resmiut (ndjesë pastë), zgjati rreth 30 minuta. U kthyem në shtëpinë e Reshatit, ku na pritnin bashkëudhëtarët tanë, por nuk u ulëm. U përshëndetëm me të zotët e shtëpisë e bëmë të niseshim për udhë. Bujarja Xhiko (ndjesë pastë), i vuajturi Reshat dhe Pajtimi e nusja e tij, me shumë dëshirë e me sinqeritet, na lutën të qëndronim për drekë. Të gjithë ne vajtësit e kundërshtuam pa ekuivok këtë ide dhe lëvizëm drejt shtegut të avllisë, për të dalë në rrugën që të çon në Majën e Dërrasës.
Kur pa vendosmërinë tonë për të ikur, Pajtimi na u drejtua seriozisht: „Derisa nuk rrini për drekë, merreni në bagazh një sheleg të patherur, se dy nipërit nuk ma kanë shkelur pragun!“ Ishte fjala për Kejdin dhe për Bleronin. Propozimi i tij ishte i papranueshëm. U ndamë nga ata njerëz të mirë e bujarë, me një ndjenjë kënaqësie të pamatë, por dhe me mendimin e trishtë se nuk e parashikuam të qëndronim më gjatë në atë kënaqësi të rrallë. Të zotit të shtëpisë i premtuam se një herë tjetër, me siguri që do ta plotësojmë boshllëkun që lamë në këtë rast.
Drekën e hëngrëm në shtëpinë e Sulo Llakaj, në Krahës nr. 2, atje ku banonte aso kohe motra jonë e vetme – Lumturia (ndjesë pastë). Në drekën që shtruan bujari Sulo dhe bashkëshortja e tij fisnike – Vitua, ishin të pranishëm: Lumturia (ndjesë pastë); Niaziu; Dilaveri; Ardjani; Oltioni; Kejdi; Bleroni; Sulua; Vitua; Irena dhe Teloja; pra, të gjithë. Lumturia fluturonte nga gëzimi.
Ajo kishte rastin fatlum të takonte njëherazi gjithë ata njerëz, të cilët i donte shumë. Bleri na bëri një fotografi cilësore, të dy vëllezërve me motrën në mes. Bushua (Sulua) theri një kec për të nderuar dajot dhe kushërinjtë. Kecin pirës, të cilin e poqi në hell, e kishte përgatitur për ta ngrënë, me mjeshtëri. Vitua, me bujarinë e shpirtit dhe me talentin e rrallë të saj, gatoi gjellë me shije dhe me asortimente fshati. Gjatë asaj dreke për t’u mbajtur mend gjatë, na ngjau dhe një e papritur e këndshme: Kejdi e pa kecin tek therej e deklaroi se nuk do të hante mish.
Dhe nuk vuri mish në gojë. Në këto kushte, Vitoja theri një pulë dhe Kejdi drekoi me pulë teksa ne të tjerët lëpinim gishtat prej mishit të pjekur për merak të kecit.
Vajtja jonë në Kalivaç dhe në Krahës, megjithëse ishte një aventurë e gjatë dhe e lodhshme, ia vleu për të gjithë pjesëtarët. Secili prej nesh kishte çfarë të mësonte e të përfitonte nga ky udhëtim „me bereqet“. Në kthim u bë një riorganizim i vajtësve; dy kushërinjtë adoleshentë, Kejdi dhe Bleri, u akomoduan në makinën që guidonte Ardjani, kurse unë me vëllanë – Dilaverin, zumë vend në makinën e Oltionit. Në mbrëmje, rreth orës 18.oo, ishim në Tiranë, në shtëpitë respektive.
Niazi Xhevit Nelaj, Tiranë, më 30.10.2021

Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.