E nderuar zonja Natasha Kitaj! Siç e pohoni dhe vetë, ne, vërtet nuk njihemi, por, unë shtoj: ndihemi. Në kuptimin se jemi nga i njëjti fshat, Kalivaçi i Tepelenës dhe e duam shumë atë vend të bekuar. Kalivaçi ynë i ka të gjitha kualitetet për t’u dashur e për t’u krenuar.
Para së gjithash, fshati ynë ka njerëz të mirë, të zgjuar, bujarë, trima e të besës. Kalivaçi i Tepelenës rreshtohet në të privilegjuarit apo në të përkëdhelurit e natyrës. Kalivaçi është njëri nga fshatrat më të lashtë të trevës e ndoshta më gjerë. Le të numërojmë disa nga pasuritë e këtij fshati, me tradita luftarake dhe plot mirësi njerëzore.
Mali i lartë karshi dhe lumi që e përshkon në të gjithë kufirin jugperëndimor e perëndimor kondicionojnë mikroklimën; tokat pjellore dhe arat e begata, kullotat e larmishme dhe prania e ullinjve, vreshtave dhe pemëve plot shije e larmi, ia shtojnë vlerat këtij fshati të bekuar.
Ndihem mirë e i privilegjuar kur të tjerë më shkruajnë e interesohen për Kalivaçin, të cilin e dua aq shumë, mbasi e quaj timin se atje i kam rrënjët e atje kam ardhur në jetë. Ndihem mirë kur atdhetarë të zjarrtë, si Ju, kërkojnë të gjejnë rrënjët e tyre dhe pohojnë me plot gojën se: “Jam nga Kalivaçi i Tepelenës dhe për këtë jam krenar!” Po të shtojmë faktin që Ju lexoni e pëlqeni shkrimet e mia, kënaqësia ime shtohet e merr të tjera përmasa.
Nuk e përfytyroj kënaqësinë që do të ndjeja po të arrija të bëja diçka në të mirë të aspiratës tuaj lavdimadhe. Shpreh bindjen se me vullnetin dhe me përkushtimin tuaj për të kapur majat që synoni, përpjekjet nuk do të venë dëm.
Nga ana ime, ju premtoj se do të bëj të pamundurën për të dhënë ndihmesën time modeste për arritjen e qëllimeve tuaja.
Me shumë mirënjohje e respekt të merituar dhe me dëshirën e mirë që të kapni “kohën e humbur”, uroj vetëm sukses!
Niazi Xhevit Nelaj, kalivaças autokton
Në Tiranë, më 29 mars 2022
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.