Banorët e Kalivaçit të Tepelenës, gjatë gjithë ekzistencës së tyre, kanë qenë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Ata i janë gjendur pranë; kanë përkrahur e kanë ndihmuar shoqi-shoqin. Vrazhdësia që i karakterizon, nuk i ka penguar për të qenë të “mëndafshtë”, në raportet me njëri-tjetrin, sidomos me ata që ua do zemra. Ky lloj qasjeje është dukur, sidomos kur kalivaçasit ndodhen larg fshatit të tyre, në migracion apo në emigracion. Si dukuri pozitive, ajo është e pranishme dhe në ditët tona.
Në trevën e lashtë me emrin Kalivaç i Tepelenës, si vlerë më vete njihet kompaktësimi i shpejtë e i qëndrueshëm i të ardhurve në Kalivaç, me vendasit autoktonë. Si trevë e lakmuar, për shkak të kushteve të favorshme klimateriko-tokësore dhe mirësisë së vendasve, në kohë të ndryshme, në Kalivaç janë dyndur e “kanë hedhur rrënjë”, familje të veçanta; madje dhe fise të tëra. Të ardhurit kanë përthithur tipare nga të vendasve, por dhe e kanë pasuruar jetën e tyre me tiparet që sollën me vete.
Në Specove, p.sh. dhe në Ruc (në Brinjen e Beut), të ardhurit nga Dorza përballë, formuan mëhallë më vete, duke ruajtur identitetin, si ata buzë lumit, ashtu dhe të tjerët që kanë “kapur” në Brinjen e Beut. Në mëhallën Mecaj, fisi i Xhaferajve, gjithashtu i ardhur në Kalivaç, ka formuar një komunitet kompakt. Ai iu bashkua fisit të Dulajve, të cilin e gjeti aty, por ruajti e kultivoi tiparet e njerëzve të trevës nga erdhi. Nuk janë vetëm këta.
Në mëhallën Hysodosaj, të ardhur janë Pashajt dhe ndonjë familje tjetër; në Ahmetaj, të ardhur janë Haderajt dhe Mucoimajt, me kontribute me vlerë në jetën e Kalivaçit.
Zbulimet arkeologjike të kohëve të fundit dhe interpretimi shkencor i tyre kanë zhbërë disa hamendësi e interpretime subjektive ekzistuese. Lashtësia e trevës, shtrirja e saj në prehistori, tashmë ka marrë vlerën e një aksiome. Rrjedha e kohës ka zhbërë copëza trojesh, madje dhe mëhallë të tëra e në vend të tyre kanë lindur të tjera. Në kohët moderne, më të konsoliduara e me jetë më të gjatë, kanë qenë tetë mëhallë: Ahmetajt; Beqirajt; Hasanimerajt; Hysodosajt; Hasanbegajt; Leshnja; Bozanajt dhe Mecajt, të cilat u kanë rezistuar me sukses ndryshimeve të kohës. Vendosja e tyre, mbi kodra ose në faqe kodrash, joprodhuese dëshmon zgjuarsinë dhe largpamësinë e të parëve tanë. Ata i kanë mbajtur tok njerëzit e të njëjtit fis, dhe kanë kursyer tokën arë.
Mëhallët, në Kalivaç janë ngritur e kanë funksionuar, si njësi fisnore. Në krye të çdo mëhalle, qëndronte një fisnik, i cili, nevojitej të ishte nga më të kamurit; më të diturit; nga më bujarët; nga më të ndershmit e të paanshmit dhe që njihej si më trimi. Banorët e një mëhalle ia dëgjonin fjalën fisnikut drejtues dhe zbatonin, me fanatizëm, verdiktin e tij. Kur në komunitet ndodhnin zënka, grindje, mërira etj. madje dhe kur tentohej të lidhej një miqësi apo një mblesëri e re, ata hynin në lojë dhe vendosnin. Fjala e tyre, kishte vlerën e ligjit.
Punë të mira kanë bërë e ndikim të madh për zgjidhjen e problemeve në komunitet kanë pasur kryepleqtë, klerikët dhe ushtarakët. Kur u dukën arsimtarët, në çdo gëzim e hidhërim ata e kishin vendin në qoshen e mikut.
Në çdo trapez apo kuvend, në çdo odë burrash apo grash e në çdo bisedë rastësore kryefjala ishte dashuria për fshatin ku lind e rritesh dhe për njerëzit e tij. Ky shtrat ka kultivuar atdhetarinë dhe krenarinë e njerëzve. Pa shkarë në politikë e pa i politizuar gjërat, e them me siguri, por dhe me keqardhje se kalivaçasit nuk kanë “lundruar” në bollëk, por kanë qenë në kushtet e mbijetesës.
Në Kalivaç, kanë qenë të pakta familjet që e siguronin bukën, rreth vitit, nga ara e tyre. Ata, në shumicë, shtrëngonin rripin dhe i mbanin sytë nga qielli, me lutjen për një pikë shi. Sidoqë jetonin në varfëri e në injorancë, kalivaçasit kanë qenë krenarë për truallin ku kanë lerë. Kalivaçi nuk e ka njohur as skllavërinë me mëditje; as bujkrobërinë.
Në fshatin tonë, vetëm 2 - 3 familje nuk kishin tokë të tyren, por ishin në shërbim të të kamurve. Yzmeqaria si mënyrë jetese në fshatin tonë ishte e përhapur, jo pak, por, në fund të ditës yzmeqari e kishte një hu për të lidhur kalin apo gomarin e tij.
Sa i përket ndjenjës atdhetare, Lufta e Dytë Botërore, në Kalivaç, e gjeti “shtratin të ngrohur”. Kalivaçasit të mërzitur e të rraskapitur nga skamja e tejzgjatur, kërkonin një rreze shpëtimi e një ndryshim, pa cenuar krenarinë dhe mëvetësinë. Përhapja e ideve komuniste gjeti terren të përshtatshëm, fara mbiu, u përhap me shpejtësi e u rrit shëndetshëm.
Oficeri madhor i Ushtrisë Mbretërore, Zoto Halil Ramaj, nga Hysodosajt, nuk ishte komunist, por patriot i zjarrtë. Ai ishte oficer madhor, i edukuar e i kulturuar, një fanolist i zjarrtë. Zoto Halili shëndetlig, kontrolloi për shumë vite kufirin shtetëror dhe këmbënguli që ai të mos prekej nga askush, dhe djalin e vetëm, Halilin, e mëkoi me dashurinë për fshatin dhe për vendin e tij. Të mos harrojmë çeljen e shkollës fillore prej Halilit, për herë të parë, në Kalivaçin e sapoçliruar, në vitin 1945, për t’u dhënë fëmijëve të fshatarëve, njohuritë e nevojshme shkollore. Prandaj Halil Zoto Ramaj, përqafoi idetë komuniste dhe u hodh në aktivitet antifashist, së bashku me të rinjtë komunistë të fshatit. Nuk ishin këto të vetmet kontribute të Halilit, në të mirë të Kalivaçit.
Ndihmesa për sjelljen e ujit të pijshëm, në çdo familje, pjesëmarrja aktive e tij për elektrifikimin e fshatit për rilevimin dhe për bonifikimin e Fushës së fshatit etj., ishin shprehje e dashurisë së tij për fshatin ku u lind.
Burri i zgjuar natyralisht - Halil Laze Malaj, nga Beqirajt, si një sinoptikan i saktë që parashikon motin, e nxiti të birin e vetëm, Selamin, të përfshihej në radhët e rinisë komuniste të fshatit, fillimisht si korrier partizan. Djemtë e vëllait të tij, Qazim Laze Malaj, u përfshinë tërësisht në Luftën Nacionalçlirimtare. Njëri syresh - Bilali ra dëshmor kurse Sulcja u arratis nga Kampi famëkeq që ngritën nazistët në një qytet në Gjermani.
Terren pjellor e vatër të nxehtë atdhetarësh kishte formuar familja Muharremaj në Hasanimeraj. Qazim Aliko Muharremaj, luftoi me heroizëm në Luftën e Janinës e ra, në këtë luftë, në vitin 1913, siç bien burrat. Partizanë, nga kjo familje dolën Fejzo Qazim Muharremaj dhe i biri i Alikos, Serian Aliko Muharremaj, akoma i parritur. Arzihana burrëreshë dhe Rronja trime, ishin partizane jo në mal e me dyfek në krah, por në vatrën e tyre, duke u shërbyer, me çka kishin mundësi, partizanëve dhe Luftës Çlirimtare. Hamit Caush Muharremaj, një burrë besnik e trim, ndonëse nuk doli në mal, partizan, ishte në veprimtari të vazhdueshme atdhetare, në mbrojtje të partizanëve të rrezikuar nga kundërshtarët e tyre nacionalistë.
Ky pozicionim i tij, nuk ishte i rastësishëm. Babai i tij - Caush Breshan Muharremaj, ishte oficer në Ushtrinë Turke, ashtu si miku i tij nga Ahmetajt - Mino Jace Bejomallaj (Nelaj).
Ndikim të veçantë, me vlera të qenësishme kanë pasur të ardhurit në Kalivaç. Vëllezërit Demir e Sherif Zenelaj (Mucoimaj), të ardhur nga fshati Toc, u ngulën në trojet e dajos së tyre – Bektash Sakos ku shtuan mallin e gjënë, me djersën e ballit, dhe ndikuan fuqishëm për të përhapur idetë komuniste në fshat. Demir Rrapua, njeri me kulturë e me horizont, atdhetar i zjarrtë, anëtar i shoqatës atdhetare “Vatra” të Bostonit, kur u kthye nga emigracioni i gjatë, në Amerikë, solli prej andej pesë valixhe me libra e me revista në gjuhën shqipe, me të cilat, në shtëpinë e tij, kryesisht mbasditeve, organizoi një kurs për mësimin e shqipes së shkruar. Kursi përbëhej nga 17 anëtarë: 2 nga të cilët ishin gra (Hysnija e Musa Mehmetit dhe Sadua e Muharrem Shemes). Mendoni për një çast se ishte viti 1920, kur, në Vlorë zhvillohej luftë e ashpër kundër pushtuesve italianë dhe fshati ynë ishte i zhytur në injorancë e në skamje shekullore. Po shkoj më tej: Teki Sherifi i Mucoimajve përqafoi, qysh në rini idetë komuniste dhe u bë përhapës i pasionuar i tyre.
Ai, jo vetëm që luftoi trimërisht, me armë në dorë, kundër pushtuesve fashistë, por u shqua dhe si organizator i kësaj lufte së bashku me militantët Sulo Beqir Sulaj; Muharrem Hasan Nelaj; Jace Sadik Azizaj etj. Tekiu u puq në ide me të bijën e bashkëfshatarit Ahmet Fejzo Pashaj, nga Hysodosajt, me Nasibene, e cila, gjithashtu doli malit për liri e u martua me Tekiun, në mal (të dy partizanë).
Tekiu, edhe pas Luftës Çlirimtare, nuk e reshti punën atdhetare, për vendosjen dhe konsolidimin e pushtetit popullor, ku mori rolin e liderit të merituar.
Familja e Azbi Bako Bakaj (Celaj), e ardhur në Kalivaç nga fshati Drizar i Mallakastres luajti rol përcaktues në kontributet e fshatit tonë në Luftën Nacionalçlirimtare. Katër djemtë e rritur të xha Azbiut rrëmbyen armët e dolën partizanë. Dy prej tyre, Xhemali dhe Hamiti ranë “Dëshmorë të Luftës Nacionalçlirimtare”. I pari në Çetën e Pezes; i dyti në betejën për mbrojtjen e Gjormit. Axhem Azbi Celaj, duke shpalosur trimëri të rrallë, u vu me meritë në drejtimin e njësiteve partizane të trevës dhe mori pjesë aktive për ndëshkimin e armiqve të Luftës Nacionalçlirimtare, të popullit shqiptar, kriminelëve si Mehmet Xhaferi (Kanani).
Të mos flasim për mentarin Muharrem Qerim Mehmetaj, i cili, i ardhur nga fshati Dorez i përtej lumit të Vjoses, u natyralizua si kalivaças e u martua me të bijën e Musa Delos. Xha Muharremit Mehmetajt i thërrisnin “Baba”. Ai, duke qenë për disa vite kryetar i këshillit të fshatit mori dhe vlerat e “Babait” të fshatit. I lidhur ngushtë me Luftën Nacionalçlirimtare, nga fisi i Mehmetajve, doli partizan Ismaili, djali i madh i Muharrem Qerimit. Kushëriri i xha Muharremit, i zgjuari e i mprehti Hamza Shesho Mehmetaj dhe gazetari i njohur Nuri Hamza Mehmetaj, përfaqësojnë vlera më vete.
Një vatër e zjarrtë atdhetarie u formua në mëhallën e re, e cila u quajt: Specove. Banorët që formuan këtë mëhallë ishin të ardhur nga Dorza dhe të një fisi. Rolin parësor në këtë fis e mori Aliu (Lika), i biri i burrit të besës, fisnikut Nebi Cizo. Aliu i Nebi Cizo Caushaj në mjediset kalivaçase njihej me emrin Like. Ai ishte nga partizanët më në zë të fshatit dhe, kur u formua kooperativa bujqësore e mëhallëve të sipërme, u caktua kryetar i saj.
Në mëhallën Leshnje, njëra nga më të lashtat në fshat, në drejtimin e Luftës për liri u vunë fisnikët me mbiemrin Hysenaj dhe Llakajt, fis në të cilin kishte mjaft ndikim, burri i mençur Barjam Axhem Llakaj i cili u zgjodh jo në një rast, Kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit.
Në historinë e lashtë të fshatit tonë 10 gushti i vitit 1943 është fiksuar si gjurmë historike në jetën e mbushur me heroizma të Kalivaçit. Duke u gdhirë 10 gushti i vitit 1943, në Kalivaç u “dyndën” kompanitë që do të formonin batalionin, të deleguarit e Zonës së Parë Operative dhe të dërguarit e Qarkorit të Partisë të Gjirokastres. Në fshat u krijua një situatë e rëndë. Duhej plotësuar Batalioni me partizanë dhe të ardhurit duheshin akomoduar nëpër familjet e kalivaçasve. Kalivaçasit e “regjistruar” si kontingjent partizan, nuk mjaftonin për ta formuar batalionin.
Ky do të ishte një turp i madh për fshatin tonë, për atë popull, i cili, gjatë gjithë ekzistencës së tij, nuk kishte mbajtur mbi supe një turp të tillë e nuk e meritonte një “novkë” turpi. Prandaj, aktivistët e Lëvizjes Çlirimtare në fshat dhe organizatorët e aktit të formimit të batalionit, nuk i zinte vendi; ata e gdhinë natën, duke trokitur derë me derë, ku mund të siguronin partizanë dhe ku mund të akomodoheshin “mysafirët e nderuar”. Të nesërmen, më 10 gusht të vitit 1943, nën hijen e rrepeve shekullore, pranë burimeve të freskëta, në Sheshin e Donijes ngjau ajo që nuk ishte parë deri atëherë. Fshatit Kalivaç të Tepelenës, i cili nuk e kishte njohur turpërimin, iu zbardh faqja e iu shtua lavdia. Geni i atdhetarizmit dhe trimëria kalivaçase shpërthyen fuqishëm.
Që në kushtrimin e parë dolën vullnetarë e u shkruan partizanë plot 52 kalivaçase e kalivaças. Batalioni partizan “Baba Abas” u formua; lavdia kalivaçase u shtua. Donija e Kalivaçit dhe 10 gushti i atij viti u fiksuan në histori. Ata që u shkruan atë ditë partizanë shprehën vullnetin e tyre të lirë. Ata u inkuadruan në radhët e Batalionit partizan të sapoformuar, i cili u pagëzua me emrin e një kleriku patriot; “Baba Abas”.
Kur nisën regjistrimet, i moshuari Qamil Sulo Malaj, nga Beqirajt, duke u mbajtur fort pas bastunit që kish në dorë, u ngrit e tha: “Më shkruani mua të parin, mor djem; me këtë rast dua t’ia shtoj nderin dhe lavdinë fisit tim luftarak, të cilit, hasmi nuk ia ka parë kurrë kurrizin. Jam i moshuar, tha xha Qamili e nuk bredh dot pas këtyre të rejave e të rinjve, në mal, prandaj, në këmbën time le të vejë partizan vëllai im më i ri - Shameti”. Shamet Sulo Malaj, hodhi dyfekun në krah e doli në mal me partizanët. Ai luftoi trimërisht, në çdo luftim e në çdo aksion partizan. Në luftimet e ashpra që u zhvilluan në zonën e Gjormit të rrethit të Vlorës, Shameti u plagos rëndë dhe e çuan për mjekim në spitalin e aleatëve, në Bari të Italisë. Ky rast, ndoshta është nga më të rrallët në historinë e Batalionit “Baba Abas”.
Në çdo formacion luftarak ku u inkuadruan e në çdo përpjekje, partizanët nga Kalivaçi i Tepelenës shpalosën guxim, trimëri e heroizëm. Mendoj se me shumë vlerë është rasti i Jace Sadik Azizaj nga Hysodosajt. Ai ishte mitralieri i njësitit dhe, duke ia njohur trimërinë, komanda e caktonte, përherë në përbërje të grupit të sulmit ose në mbështetje e në mbulim të shokëve dhe shquhej në çdo luftim.
Kur kapitulloi Nazifashizmi e lufta partizane mbaroi, Jace trimi në vend që të priste të merrte grada e ofiqe (poste drejtuese), pastroi mirë e mirë mitralozin, “shokun” e tij të pandarë me të cilin përcolli shumë beteja dhe ia çoi komandantit të njësisë ku bënte pjesë. Fjala e tij drejtuar komandantit mbetet historike. Partizani Jace Sadiku, duke dorëzuar mitralozin e lehtë, i tha komandantit të tij: “Kaq ishte detyra ime, shoku komandant; fashizmi u shporr nga vatrat tona; lufta mbaroi; tani do të shkoj në fshatin tim të dashur, në Kalivaç të Tepelenës, për të leruar arat se i kam lënë qetë të mprehur, në parmendë”. Dhe e mbajti fjalën trimi me fletë.
Muharrem Mehmeti, nga Ramajt e Hysodosajve, kishte dy djem partizanë: Barjamin dhe Ganiun. Ai edhe vetë ra Dëshmor i Atdheut, duke e dhënë jetën tek dera e kasolles, i goditur për vdekje nga një plumb i beftë i një rrebeli, i cili kishte mbetur gjallë, në betejën e ashpër të Dukajt të Tepelenës dhe kërkonte bukë, derë me derë, i katandisur në lypsar për të mbajtur shpirtin gjallë.
Dëshmori Sami Musa Nelaj ra në Luftën për Liri, në betejën e Drashovices, në muajin shtator të vitit 1943. Dëshmorin e varrosën partizanët dhe banorët e fshatit. Kur e ëma, Hysnija burrëreshë, i vajti pranë varrit që ta nxirrte e ta shpinte në shtëpi, së bashku me hallo Melaten, nga Sevasteri, ishte e pamundur t’i afroheshin varrit që kundërmonte. Kësisoj, Samiu u vajtua në shtëpinë e prindërve të tij, në Kalivaç, ku e qanë me ligje, pa kufomë, gjë e rrallë në atë kohë. Kufoma e tij u soll në Kalivaç pas disa muajsh dhe u vajtua për së dyti.
Në Bozanaj, përveç djemve të Azbi Bakos, ra Dëshmor Qerimi, djali fukara, por me zjarrin e luftës kundër fashistëve, në gji. Ai ishte partizan i Brigadës së Parë Sulmuese dhe ra dëshmor në Luftën e Fushe Alise por, në shtëpinë e tij, nuk u hap kuja e dëshmori nuk u vajtua, sipas traditës. Shkaku i vetëm ishte terrori i ashpër fashist dhe prania e spiunëve të tyre në çdo vend.
I riu komunist – Qemal Demir Alidervishaj, adoleshent por me bindje të qarta, në kulmin e pushtimit e të luftës kundër fashistëve hapi shkollën fillore, në fshatin Zhulaj, me 14 nxënës kokëqethur e të zbathur, në kushte të vështira, por me vizion të qartë. Ai ka qenë partizan dhe, pas Luftës studioi, jo një herë në Bashkimin Sovjetik. Pas përfundimit të shkollës sovjetike, Qemali oficer madhor, shërbeu në funksione me rëndësi, si oficer i Ushtrisë Popullore dhe për shumë vite komandoi një repart “elitë” të ushtrisë.
Samua e Breshan Fejzos, ish-partizanja 14-vjeçare, pas Luftës, u kthye në Kalivaç. Në mëhallën Leshnje ku kishte lerë, nga familjarët e saj, nuk gjeti asnjeri në jetë; të gjithë kishin marrë udhën pa kthim. Ajo, fillimisht u strehua tek dajua i saj – Halil Laze Malaj ku qëndroi më tepër se një muaj. Pas shumë bisedimesh, me interesimin e vëllezërve Xhezo e Dule Alushi, të cilët kujdeseshin për 5 fëmijët jetimë që la motra e tyre e ndjerë, Samua u martua me xha Breshanin, me të cilin, solli në jetë dhe 5 fëmijë të tjerë. Në Ahmetaj, as në Kalivaç, nuk ishte parë një martesë e tillë. Samua, si grua e mençur, trime, e emancipuar dhe me qasje humane, u kujdes për fëmijët e gjetur, njëlloj si për fëmijët e barkut të saj dhe luajti një rol tepër pozitiv për emancipimin dhe zhvillimin e grave të mëhallës, së bashku me trimen Hysnije dhe me Merjemen, të venë e Dëshmorit Muharrem Hasani.
Zagoll Saliko Xhaferaj, burri i mençur dhe “i pari” i këtij fisi, me zgjuarsinë dhe burrërinë që e karakterizonte, në të njëjtën kohë, strehoi (për një muaj rresht), prindërit e Mehmet Shehut dhe, njëherazi u shtroi gosti, me mish të pjekur në hell e me raki, ballistëve të kryesuar nga Besim Belishova, në stanin e familjes, në Arat e Buta.
Këto janë vetëm disa nga pikat kulmore në jetën e fshatarëve të Kalivaçit, para, gjatë dhe pas Luftës Nacionalçlirimtare. Ato janë vetëm raste e nuk mund ta përfaqësojnë të gjithë biografinë heroike të fshatit tonë. Megjithatë, ia vlen të përmenden e të mos harrohen disa raste pikante ku ka spikatur fort, zgjuarsia, mençuria dhe trimëria kalivaçase.
Nuk mund të mos përmend sjelljen shumë të zgjuar të kryeplakut të fshatit, Cizo Selfo Agaj, të cilin e thërritën tagrambledhësit e administratës turke, të cilët erdhën në Kalivaç për të caktuar taksat për fshatarët. Ata, të rehatuar në kafeterinë e Todit nga Policani, kërkuan të bisedonin me kryeplakun e fshatit, përpara se të vendosnin taksat. E njoftuan të mençurin Cizo Selfo, atje tek bënte dru, në korijen me koçimare.
Kur Cizua mësoi se e kërkonin tagrambledhësit e Turqisë, i ra hilesë dhe gjeti e mori kalin më të dobët të fshatit, të cilit i numëroheshin kockat dhe i hodhi në kurriz, një samar të cilin nuk kishte ku ta ndukte qeni. Xha Cizua vajti në shtëpi e veshi rrobat më të grisura që kish. Ai, ashtu, si “fakir”, u paraqit tek nëpunësit e administratës turke.
Kur pa kryeplakun e fshatit në gjendje për të ardhur keq, i pari i nëpunësve urdhëroi vartësit: “Ngreuni, o djem, të ikim; shikoni kryeplakun e gjykoni për fshatin; çfarë taksash do t’u vëmë ne këtyre mjeranëve?” Dhe ia mbathën nëpunësit e fshati shpëtoi pa u taksuar.
Vatra të “zjarrta” idesh komuniste lindën në çdo mëhallë. Në Malaj (Hysaj), i ndershmi Selfo Aliu dhe vëllai i tij – Kadriu, dy djem të fisnikut Ali Yzeir Hysaj; Yzeir Xhelua po i Hysajve e pak më sipër Sulo Barjami e Ismail Pelivani ishin një vatër luftëtarësh të vendosur.
Kur lëvizja Çlirimtare u përhap e u fuqizua, krahu nacionalist organizoi kundërvënien. Ai ngriti struktura paralele. Nacionalistët ishin më të paktë në numër, por, si cilësi ishin të përafërt mbasi ishin të gatuar nga “i njëjti brumë”. Pa përmendur shumë emra, në argumentim të idesë së mësipërme, mendoj se ia vlen të fiksohet në histori rasti i nacionalistit Azis Selfo Alidervishaj, i cili, në zjarrin e luftës strehoi një muaj rresht, me shpenzimet e tij, familjen e nacionalistit Isuf Luzi, i cili, si eksponent i Ballit kombëtar, në rrethin e Vlorës, kërkohej nga çetat partizane të asaj treve.
Vëllezërit Xhezo e Dule Alushi nga Dulajt, ishin të deklaruar në anën e nacionalistëve, por nuk i sollën dëme fshatit, përkundrazi. Fjala e Dules, ish-kapter në Ushtrinë Italiane, zuri vend tek pushtuesit fashistë italianë në kohën kur ata vinin, “me urë në dorë”, nga Muri i Hasanet, me mendimin për të pushkatuar, në Sheshin e Veldonit, burrat e fshatit, si hakmarrje për dëmet që kishin pësuar në luftime. “Nuk ka partizanë në Kalivaç, u tha Dulja atyre - partizanët janë në mal; në fshat kanë mbetur vetëm gratë dhe fëmijët!” Fashistët hoqën dorë nga plani i tyre makabër e u larguan nga fshati ynë.
Gjallërimi dhe masivizimi i Lëvizjes Nacionalçlirimtare në Kalivaç, ku idetë komuniste u përqafuan nga shumë bashkëfshatarë e u kthyen në maxhorancë, nuk mund të kalonin pa shtimin dhe fuqizimin e anës tjetër të medaljes - Nacionalistëve, të cilët u “pagëzuan” me emrin: “Balli kombëtar”. Nëse dikush kërkon të gjejë faktorët që bënë të mundur, të mos e gjenin terren “të papluguar”, ballistët e të mbeteshin si një ishull në mes të oqeanit; një nga shkaqet kryesore duhet kërkuar tek lidhjet e shpeshta e të forta fisnore e miqësore mes kalivaçasve, ndikimi i fuqishëm i kryetarëve të fiseve dhe ndikimi i madh që mori nderimi për të rënët në Luftën Nacionalçlirimtare dhe për familjet e tyre. Në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare qarkullonte slogani: “Familja që ka në shtëpi një djalë, duhet t’ia dedikojë Luftës Partizane; familja që ka dy djem, njërin duhet t’ia përkushtonte Luftës Partizane; tjetrin, lëvizjes nacionaliste, kurse ajo me tre djem, dy duhet t’i shkruante partizanë; të tretin – lëvizjes nacionaliste”. Ky “rregull” nuk ishte i shkruar, por e zbatonin të gjithë bashkëfshatarët tanë, vullnetarisht.
Manxhar Fetahu, në Hasanbegaj, kishte marrë pozicionin e nacionalistit, madje ishte i fuqishëm ekonomikisht dhe i vendosur si nacionalist. Mirëpo, ai ndoqi një taktikë të njohur: Njërin nga djemtë - Barjamin e dërgoi në mal, partizan. Pas çlirimit të vendit, Barjami, mori pozicione drejtuese në fshat e më pas në kooperativën bujqësore të fshatit ku fjala e tij dëgjohej e ndikimi tek bashkëfshatarët ishte jo i pakët. Bilal Beshir Hysenaj, i cili doli partizan e, pas çlirimit të vendit punoi në Minierën e Selenicës e më pas jetoi në Tepelenë, ku dhe ndërroi jetë, vinte nga një familje e njohur, e kamur, në Kalivaç e cila kishte “bujq” e yzmeqarë, por, mesa duket, për të “sfumuar” aq sa mundej, këtë “novkë” mori anën e çlirimtarëve. Kapllan Ago Varfaj nga Bozanajt, kalivaçasit e njohin si kryeplakun e fshatit në Luftën e Parë Botërore, kur, mbajti anën e austriakëve pushtues, por, në Luftën Nacionalçlirimtare, i biri Ramiz Kapllan Varfaj, doli partizan e më pas shërbeu në Fier, si oficer i Ushtrisë Popullore. Partizan doli e luftoi me trimëri edhe i biri i Idriz Ago Varfaj - Veliu, i cili e kaloi jetën në Kalivaç, por fjala e tij peshonte rëndë.
Interesante e mjaft komplekse ishin zhvillimet në fisin Pashaj, në Hysodosaj. Mahmut Muharrem Pashaj, ishte i rreshtuar në radhët e nacionalistëve (ballistëve), madje si eksponent. Fare pranë tij me shtëpi, por jo me ide, ishte kushëriri i tij, fshatari i thjeshtë Ahmet Fejzo Pashaj. Pavarësisht se Mahmut Muharremi i Pashajve ishte eksponent i “Ballit Kombëtar” nga dera e Ahmet Fejzo Pashajt, doli partizane, burrëresha Nasibe, e cila, jo vetëm që u bashkua me partizanët, por dhe u lidh e u martua, në mal me bashkëfshatarin e natyralizuar Teki Sherif Zenelaj (Mucoimaj). I biri i Ahmet Fejzo Pashaj - Qerimi, gjithashtu doli partizan e pas çlirimit u bë oficer i Ushtrisë Popullore. Partizan doli dhe njeriu i tij i afërt - Hamit Ziflo Pashaj.
Nuk mund të mos përmend faktin kuptimplotë të formimit të kooperativës bujqësore të fshatit, në vitin 1957 (mars), në odën e Mahmut Muharremit, pas vdekjes së tij dhe zgjedhjen nga populli të djalit të madh të Mahmut Muharremit, Dautit të Pashajve, kryetar kooperative. Nipi i Mahmut Muharremit, Anesti, u shpall “Dëshmor i Atdheut”, pas tragjedisë që i kushtoi jetën, në derdhjen e lumit Mat, kur kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak, në një repart zbulimi, në Tiranë. Pavarësisht se babai i Mahmut Muharremit ishte kryeplaku më jetëgjatë i fshatit, i biri, Mahmuti, siç duket, i determinuar nga lidhjet miqësore, ishte rreshtuar në radhët e nacionalistëve.
Nëse në Kalivaç, mes banorëve nuk u thelluan mosmarrëveshjet, të cilat çonin në armiqësi e në hakmarrje, meritë kanë burrat e mençur e me zemër të madhe, të cilët, nuk i hidhnin benzinë zjarrit, por u dilnin gjërave përpara, duke eliminuar premisat. Burri i mençur Ali Xhelili, nga Hasanbegajt, kur kuptoi se grindja mes dy çobanëve të dhenve për një lëndinë me bar mund të thellohej, e zgjidhi këtë konflikt në një mënyrë tepër origjinale dhe njerëzore. Ai ndërmjetësoi për lidhjen me martesë të Ajkos, vajzës së vëllait të tij - Myslymit me Jasharin, të birin e Hysni Metes nga Derajt. Rol të rëndësishëm në lidhjen e kësaj miqësie luajti Xhixhua (Tajanja e Ahmet Selfos), e cila ishte motër e Ali Xhelilit. Ky nuk është i vetmi rast. Azbi Bako Celaj në Bozanaj, i cili i dha Luftës Nacionalçlirimtare gjithë çfarë kishte, e martoi vajzën e shpirtit - Lulen – Lule, me burrin serioz e të ndershëm, të cilit i dëgjohej fjala e i kishte lezet kuvendi e i ngjiste fjala, me Rrapo Dano Takaj, nga Hasanbegajt.
Kur u martua Ali Xhelili me z. Gano (ndjesë pastë), nga Corrushi; siç rrëfejnë, karvani i krushqve të hipur mbi kuaj, çakërqejf nga alkooli që kishin konsumuar, disa prej tyre, me dyfeke në krah, kur po ngjiteshin anës Përroit të Zelenices, me nusen që u printe, mbi kalë dhe e mbuluar me duvak të kuq, ngjante si një kolonë partizanësh me flamur të kuq në krye. Aeroplanët e palëve ndërluftuese greko-italiane, të cilët patrullonin sipër, pikasën kolonën, e morën atë si kolonë partizanësh dhe nisën ta mitralonin. Një burrë i mençur, nga kolona, dha urdhër: “Hiqini nuses duvakun e kuq nga koka!” Ashtu u bë dhe mitralimi u pushua.
Lufta mbaroi e vendi u çlirua. Pushteti i vjetër u përmbys nga themelet, e në vend të tij u vendos pushteti i ri, i dalë nga lufta. Më të preferuarit për të zënë poste drejtuese, në çdo hallkë të pushtetit ishin çlirimtarët dhe familjet e të afërmit e tyre. Disa syresh u larguan nga Kalivaçi e zunë poste drejtuese në disa qendra punëtorësh, të cilat, janë pranë Kalivaçit ose në ato ku banorët e Kalivaçit, tradicionalisht, kishin shkuar për të punuar. Qendra pune të tilla ishin: Selenica; Patosi; Memaliajt etj. Një takëm u vendosën në qytetet: Vlorë; Tepelenë; Fier; Gjirokaster e gjetkë. Vetëm motivet nuk ishin po ato.
Ndonjë familje, si ajo e kriminelit Mehmet Xhaferi dhe kushëriri i tyre: Selman Papuli, të cilët nuk e përballuan dot atmosferën mbytëse që u krijua pas Luftës Çlirimtare, u larguan nga fshati ynë. Ganua burrëreshë u ngul në Selenice, ku punoi si një burrë i rrallë, për të ushqyer tri vajzat dhe djalin, të mbetur jetimë, pas pushkatimit nga njësiti partizan i zonës, mbasi u identifikua si kriminel lufte e u dënua nga gjyqi partizan. Ndonjë tjetër, me veprimtari të dyshimtë e qëndrim politik të paqartë gjatë luftës, u largua nga fshati edhe pse nuk kishte bërë krime.
Komandanti legjitim dhe mësuesi ushtarak i partizanëve të Kalivaçit, trimi Sulo Beqir Sulaj, u emërua drejtues i një ferme blegtorale në rrethin e Fierit. Partizani i vendosur – Sinan Hasan Ramaj u caktua shef i repartit të kazaneve, në Minierën e Selenicës e u zgjodh deputet në Kuvendin Popullor. Ai, në detyrën që kryente si shef reparti, u dha ndihmesë të vyer mjaft kalivaçasve që u punësuan në sektorin ku drejtonte dhe në të gjithë qendrën e punës. Mjaft ish-partizanë dhe të rinj antifashistë, pas shkollave përkatëse që kryen, u inkuadruan në radhët e Ushtrisë Popullore dhe në Organet e Punëve të Brendshme të vendit.
Teki Sherif Zenelaj (Mucoimaj) “zuri” qytetin e Vlorës, së bashku me bashkëfshatarin e tij – Selam Halil Malaj. Ata u bënë oficerë të Ushtrisë Popullore dhe milituan, me dinjitet në radhët e saj, derisa u ndanë nga jeta. Barjam Muharrem Ramaj; Sheme Muharrem Agaj e ndonjë tjetër u vendosën në Sarandë; oficerë të ushtrisë popullore. Mehmet Azis Kalemaj, me gradë oficer i lartë, ngjiti shkallët e karrierës ushtarake dhe u caktua shef i degës ushtarake të rrethit të Tepelenës. Qerim Ahmet Pashaj; Ramiz Kapllan Varfaj; Ali Nebi Caushaj etj., “zunë” qytetin e Fierit.
Disa ish-partizanë (shumica), u mblodhën në Tiranë. Qemal Demir Alidervishaj, pas punës në terren dhe luftës në mal, studioi në shkolla të ndryshme, në ish-Bashkimin Sovjetik, u titullua oficer, i ngjiti shkallët e karrierës me radhë dhe, për shumë vjet ishte në krye të një reparti “elitë” të Ushtrisë Popullore. Ismail Pelivan Hysaj; Gani Zenel Zenelaj; Mehmet Musa Nelaj e më pas Gjonlekë Ahmet Zenelaj u bënë oficerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Yzeir Xhelo Hysaj, u emërua shef i Degës së Punëve të Brendshme të Tepelenës kurse Ismail Muharrem Mehmetaj, u caktua oficer, në Degën e Brendshme të rrethit të Tepelenës. Selfo Ali Hysaj dhe Muhamet Demir Zenelaj (Mucoimaj) u emëruan në Degën e Punëve të Brendshme të rrethit të Gjirokastres.
Vetëm Jace Sadik Azizaj, ish-partizani trim me fletë, e mbajti fjalën e dhënë. Ai, mbasi i dorëzoi komandantit të tij të njësisë partizane, mitralozin e lehtë, të pastruar me merak, erdhi në Kalivaç e rrëmbeu parmendën, duke u përfillur për punimin e arave të lëna batall. Jacja u ngul në pronat e babait të tij, në Cesmen e Thatë.
Pas çlirimit të vendit, lufta e klasave mori vrull të ri. Familjet e dëshmorëve ishin më të privilegjuarat. Ish-partizanët dhe familjet e tyre - gjithashtu. Propaganda e kohës nëpërmjet shfrytëzimit të nervit të atdhetarisë së njerëzve mundohej të mbante të gjallë frymën e luftës çlirimtare dhe ta maskonte fukarallëkun e njerëzve, i cili, edhe për shkak të luftës ishte i shtuar.
Një gjë është e vërtetuar: Pas çlirimit të vendit, lufta e klasave u nxit, kryesisht nga poshtë. Në krye të saj u vunë puthadorët e regjimit të ri të cilët nxitnin artificialisht këtë luftë, në të cilën, vendin kryesor e zinin thashethemet dhe ligësitë e shpirtit njerëzor. Disa herë, thashethemet çonin në përçarje e në armiqësi mes njerëzve të mirë. Tipike ishte historia e hidhur që ngjau me vëllezërit Rrapo e Veiz Dano Takaj, në mëhallën Hasanbegaj. Mosplotësimi i tekave të një pushtetari, u keqinterpretua dhe e pagoi Veizi i gjorë, i cili u shpall “kulak”, pa qenë i tillë. Kjo sipas modelit të huajtur sovjetik, si njëra nga format më të shëmtuara që përdoreshin në atë kohë për të diskredituar njerëzit e punës.
Çlirimi i vendit e gjeti popullin tonë, jo vetëm të varfër e në kushtet e mbijetesës, por dhe të zhytur në errësirën shekullore të analfabetizmit. Të rralla ishin gratë dhe burrat e fshatit, të cilët dinin të vinin në letër firmën e tyre. “Firmosja” me gisht sundonte në praktikën shkresore.
Për fëmijët e moshës shkollore, në vitin 1945, u çel shkolla fillore e fshatit, me mësues Halil Zoto Ramaj, nga mëhalla Hysodosaj. Mirëpo lufta kundër analfabetizmit duhej shtrirë dhe tek amvisat, tek blegtorët dhe tek bujqit të cilët nuk ishin të paktë. U përcaktua një kufi moshor dhe, për këta u çelën kurset kundër analfabetizmit, me bazë mëhallë. Kursi zhvillohej në shtëpitë e fshatarëve, në kushte e me bazë logjistike për të dëshiruar. Mësues, zakonisht ishte një burrë, nga mëhalla, i cili ishte me arsim 4 klasë fillore e që me vështirësi e drejtonte kursin. Ishin me fat ata që kishin më tepër se 4 klasë shkollë.
Po rendis disa nga “mësuesit” që drejtonin kurset kundër analfabetizmit: në Hysodosaj ishte Arif Qamil Sulaj; në Ahmetaj -- Jashar Hysni Deraj; në Beqiraj e Hasanimeraj - Qani Muharrem Malaj; në Bozanaj - Dalipi i Nazifit të Dostajve; në Hasanbegaj - Kadri Rrapo Takaj etj.
Kam arsye të ndalem tek Qaniu i Muharrem Ismail Malaj. Drejtimi i kursit kundër analfabetizmit nuk është merita e vetme e tij. Para se të shkonte ushtar (marinar), Qaniu u fejua e u martua me Fatimene, të bijën e bashkëfshatarit Shefit Qazim Muharremaj, të cilën e kishte gjitone, me shtëpi përballë njëra-tjetrës, ndonëse në mëhallë të ndryshme. Fatimeja, ishte një adoleshente, e mbetur jetime nga nëna, që në fëmijëri. E mbetur bonjake, ajo u rrit me sakrifica e u bë një vajzë “flori”. I vuri synë Qaniu dhe e priti sa u rrit e u bë për të lidhur martesë ligjore.
Mbi bazën e pëlqimit të ndërsjelltë dhe duke zbatuar traditën vendase, Qaniu, u martua me Fatimen, kur të dy mbushën moshën që i lejonte ligji. Kam qenë i pranishëm në dasmën e tyre, (në darkën e petullave, si fshatar). Në këtë rast, mendoj se kemi të bëjmë me një veprim tipik e shembullor ku duken fillesat e një lidhjeje martesore mes dy të pëlqyerve që respektojnë normat zakonore.
Më pas rastet nuk mbetën raste, por u bënë si “lumë”.
Ato morën emërtime të ndryshme. Dikush i quajti dashuri; një tjetër tha se kjo është një përzierje e dashurisë me lajmësinë etj. Për mendimin tim, në atë kohë, mbase ishte shpejt për të folur e për të emërtuar një shkëndijë që lindi e strukej, me frikë në zemër, derisa të merrte pëlqimin e prindërve dhe të opinionit. Gjithsesi, martesa e Fatimese me Qanine ka vlera të shumta në lëmën e emancipimit e të ecjes përpara të shoqërisë kalivaçase. Shërbimin e detyrueshëm ushtarak, Qaniu e kreu në Flotën Luftarake Detare (marinar = 4 vjet).
Ai e nisi dhe e përfundoi shërbimin e detyrueshëm, në Brigadën e Nëndetëseve, në Pashaliman. Qaniu ishte në përbërje të ekipazhit të nëndetëses së shumëpërfolur me nume3r anësor 105. Në atë kohë e në atë mjedis detar, Qani Muharrem Malaj ishte sekretar i organizatës - bazë të Partisë së Punës. Qëndrimi i Qaniut në rastin e aktit heroik të kalivaçasit Tahir Muharrem Nelaj, i cili, ishte shifrant i kësaj Brigate dhe, një ditë, me trimëri, kur pa se sovjetikët, jo në ditën që u takonte, kishin ngritur në direkun e anijes flamurin e tyre, me iniciativë, pa e porositur njeri, u ngjit në direkun e anijes, me thikën që qëronte patate në gojë; preu litarin që mbante flamurin sovjetik, të cilin e flaku e në vend të tij ngriti flamurin e bukur shqiptar.
Në këtë bazë detare e në këtë rast qëndrimi i Qaniut ishte më i miri i mundshëm. Është vlerë më vete, ky qëndrim i tij; ai i zbardh faqen Kalivaçit, Qaniut, familjes dhe fisit të tij. Derisa është kështu, nuk më vjen mirë të lihet në heshtje e të mos zërë vendin që i takon një vlerë, të cilën nuk kanë fatin ta përjetojnë të gjithë.
Për hir të aktit dhe burrërisë që shpalosi detari Tahir Muharrem Nelaj, organi i nomenklaturës i propozoi ta bënte kapter karriere; ta dërgonte në shkollë ku të titullohej oficer etj. por ai nuk pranoi asnjë version. Kërkesa e vetme e tij ishte: të kryente shërbimin e detyrueshëm Ushtarak, të pranohej në Partinë e Punës dhe të shkonte në fshat, për t’u marrë me bujqësi. Në fshat e priste Nëna, vejushë dëshmori; vëllezërit dhe motra e vetme dhe e bukura Sanije (ndjesë pastë), të cilën e kishte marrë, me dashuri dhe e donte shumë.
Në Kalivaç është lindur e ka kaluar fëmijërinë, një burrë, i cili mban në kraharor një zemër të zjarrtë, e cila rreh, fort, për Kalivaçin e Tepelenës. Po të pyesësh një kalivaças, në veçanti nga ata që i përkasin një brezi të mëvonshëm, nëse e njeh Vezir Fejzo Muharremaj, në vend të përgjigjes do të marrësh kundrapyetjen: Cili është ky Vezir Fejzo Muharremaj, të cilin na e ngrini kaq lart? Pastaj vijojnë pyetjet: Çfarë ka bërë ai për Kalivaçin tonë halleshumë? Si shok i afërt i tij, të paktën prej 73 vitesh, më lind e drejta e Zotit të përgjigjem, siç e njoh unë Vezirin.
Nëse ka një kalivaças, i cili ka jetuar aq pak në fshatin tonë, por që gjatë gjithë jetës ka menduar e ka punuar me zemër tek Kalivaçi i Tepelenës është Prof. Dr. Vezir Fejzo Muharremaj. E them, me plot gojën se Profesor doktor Vezir Fejzo Muharremaj është “nderi dhe fati i Kalivaçit”! Familja dhe trungu i tij janë fisnikë e luftarakë.
Ata kanë kontribuar për tërësinë territoriale të Atdheut tonë të dashur, në çdo etapë të luftërave për mëvetësi e për liri. Vetë Veziri, punon prej më se 10 vjetësh pe4r të formuluar e për të shkruar Historikun e Fshatit Kalivaç, duke bashkëngjitur zbulimet e kohëve të fundit arkeologjike dhe interpretimin shkencor të gjetjeve. Veziri gëzohet e “fluturon” nga gëzimi, për çdo gjetje arkeologjike të cilën ai e çmon si gjë të shenjtë dhe nuk u ndahet ekspeditave që janë organizuar në Kalivaç. Profesor dr. Vezir Fejzo Muharremaj e ka kokën plot; ai zotëron disa gjuhë të huaja dhe është i fandaksur; kur lexon disa rreshta në ndonjë libër, apo kur gjen ndonjë hartë të lashtë apo ndonjë copë letër që flet për fshatin tonë të cilat i ruan e i shfrytëzon. Edhe kur shkon tek e bija, përtej oqeanit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk e kalon kohën vetëm për t’u shmallur me njerëzit, por merr udhën për në bibliotekën e qytetit ku rrëmon për të gjetur diçka, në analet angleze, për Kalivaçin, të cilin e do shumë. Korrektësia e tij në raportet shoqërore dhe përkushtimi që ka për familjen, të bëjnë t’i thërrasësh mendjes.
Në Kalivaç, ka jetuar e ka punuar, si drejtues (kryetar i kooperativës bujqësore) një personalitet i rrallë; shumë i zgjuar; mjaft i shkathët; kokëplotë e kurajoz, vizionar e me iniciativë. Fama dhe emri i Mehmet Musa Nelaj, bir nga Kalivaçi i Tepelenës e nip nga Kolonja e Gjirokastres, i kanë kapërcyer kufijtë e trevës. Mehmeti, para se të caktohej Kryetar kooperative ka qenë oficer i Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Tiranë.
Ai është ndarë nga jeta kohë më parë, por jehona e punës së tij, dëgjohet sot e kësaj dite. Kooperativa Bujqësore e fshatit Kalivaç të Tepelenë3s u drejtua nga Mehmeti për shumë kohë dhe kapi tregues ekonomikë e shoqërorë të paparë. Arritjet për t’u zënë në gojë janë të shumta e në të gjitha fushat.
Në Fushën e Kalivaçit ku, dikur hante pula gurë, shalqini u bë 28 e më tepër kilogramë për kokërr. Misri, gruri dhe kulturat e tjera të arave kapën rendimente nga më të lartat. Preshi, i cili ngjante me një hu, mbërriti të shitej edhe në Poloni. Fshati ndërroi faqe; Kalivaçi u shndërrua në Myzeqene e rrethit të Tepelenës, me shtëpi të reja, me dritë elektrike e me ujë të pijshëm në çdo shtëpi. Mentaliteti i banorëve nisi të ndryshojë; zakone të reja u zunë vendin të vjetrave.
Mehmet Musa Nelaj kishte shoqëri mjaft të gjerë e ishte i njohur në shumë rrethe shoqërore të trevës e të vendit. Kush e ka njohur atë burrë, nuk ka si të mos pohojë se Mehmeti ishte i këndshëm në bisedë dhe se fjala e tij ngjiste si me mastiç. Ai ishte, me të vërtetë “burrë” e i kishte lezet kuvendi.
Më ka rastisur të takoj e të bisedoj me njerëz të ndryshëm, jo nga Kalivaçi. Bashkëbiseduesi i panjohur më ka drejtuar pyetjen: “Nga të kemi, o njeri?” Siç e kemi zakon, ne shqiptarët, kur takojmë njëri-tjetrin. “Nga Kalivaçi i Tepelenës”, i jam përgjigjur gjithë krenari. “Mbiemri im është Nelaj” - kam vijuar unë. Si për t’i dhënë pikë vetes.
“Aha, ti qenke nga fshati i Mehmet Nelajt”, ka thënë tjetri. “Po”, ka qenë përgjigjja ime! Atëherë, i panjohuri ka vijuar të thotë, tërë respekt: “Ai ka qenë burrë! Ai çante në çdo situatë dhe kishte njohje të gjerë!”
Mehmetin e ka shpallur “Qytetar Nderi” Bashkia e Memaliajt. Mirë ka bërë, se Mehmeti e meritonte, plotësisht këtë nder. Nga sa di, pak njerëz mbajnë mbiemrin e trevës nga vijnë. Kërkohet meritë dhe njohje e veçantë për ta merituar këtë nder. Ndoshta në rastin në fjalë kemi të bëjmë me njeriun e duhur.
Mendoj se jemi në kohë e diçka duhet bërë për të korrigjuar këtë mangësi që na ka lënë koha.
Kalivaçi laget nga lumi i Vjoses në gjatësinë më të madhe të perimetrit të tij. Vjosa është lumë i rrëmbyeshëm e ujëplotë. Në stinën e thatë, lumi kalohet edhe në vahe, në vende të caktuara. Në stinën me shira, tek rrepet e Donijes, ka qenë instaluar një lundër, e cila mbahej e qarkullonte nga njëri breg i lumit në tjetrin mbi një kavo çeliku të trashë, e cila ishte e fiksuar në të dy brigjet shkëmbore të lumit. Denbabaden, ajo është quajtur: “Lundra e Kalivaçit”, mbasi e Kalivaçit ka qenë. Edhe lundërtari – kalivaças ka qenë në të gjitha kohët.
Më i miri i lundërtarëve ka qenë bashkëfshatari Hasan Ramo Ramaj, nga Hysodosajt. Ai ishte babai i luftëtarit trim Sinan Hasan Ramaj. Xha Hasani e hidhte lundrën në çdo situatë hidrike e në çdo kohë, pa iu trembur syri. Pas tij, këtë lundër e menaxhuan kalivaças të tjerë. Bashkëfshatari Haki Sulo Sulaj, bir i luftëtarit të regjur Sulo Beqir Sulaj, në një rast e hodhi lundrën në një situatë hidrike të rrallë, kur lumi kishte pushtuar të dy brigjet e tij. Si njeri me sedër kalivaçasi, për të ruajtur nderin e fshatit, në një rast delikat (kur në zallin e lumit, në anën e Shkozes dergjej bashkëfshatari Hysni Mete Deraj, i cili ndërroi jetë, të nesërmen e asaj nate, por në shtëpinë e tij, në Kalivaç), Hakiu guximtar e mori rrezikun përsipër dhe e hodhi lundrën, nga njëra anë e lumit, në tjetrën.
Familjen e Ahmet Selfo Zenelaj, në Ahmetaj, burrit të mençur e valltarit të talentuar, do ta quaja, pa mëdyshje: “familje ushtarakësh”! Djali i madh i kësaj familjeje – Rexhepi, në vitet ’50 të shekullit të shkuar, hyri në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”, në Tiranë, nga ku u titullua nëntoger. Mandej, ai u dërgua për studime ushtarake, në ish-Bashkimin Sovjetik, ku përvetësoi shkencën e aeronautikës. Rexhepi shërbeu për shumë vite në Regjimentin “Peza” të Qytetit “Stalin” e më vonë në Shkollën e Lartë të Aviacionit, në Vlorë, ku u shqua në fushën e shfrytëzimit të teknikës ajrore. Vëllai pas tij, Gjonleka, i arsimuar në Shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Tiranë, u bë oficer “model” i këtij lloji, si në detyrë, ashtu dhe në jetë. Me kokën plot, e me figurën e pastër të cilës i shtohet vullneti i hekurt, Gjonleka përballoi situata nga më të vështirat dhe me këmbëngulje e plot dëshirë, përfundoi njërin pas tjetrit Fakultetin Ekonomik e atë Juridik dhe u kompletua në çdo drejtim.
Për shumë vite ai drejtoi me aftësi e kompetencë Ndërmarrjen e Transportit Ndërkombëtar, tokësor e ujor, në Tiranë ku shpalosi vlera të rralla. I prasmi i fëmijëve të kësaj çerdheje luftarake - Xhevdeti, me aftësi e me përpjekje vetjake, u arsimua ushtarakisht, brenda e jashtë vendit, përfitoi gradë të lartë dhe dha një kontribut të ndjerë në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Popullore e si Drejtor i Policisë Ushtarake të shtetit. Nëse doni të takoni një njeri me figurë “model”, takoni Xhevdet Ahmet Zenelaj e do të mbeteni të kënaqur. Levenit të zgjuar e të shkathët nuk i ndriti fati si vëllezërve të tij.
Ai nuk vajti në karrierë më tej sesa detyra e nënoficerit aktiv, në polici ku detyrën e kreu me përkushtim e me përgjegjësi.
Në Hasanimeraj, ka jetuar një fis i fismë, të cilit i thërrisnin Durkaj. Pas çlirimit, në regjistrat e gjendjes civile, u duk mbiemri Haderaj i cili u bë i njohur nga bëmat e njerëzve që e përfaqësonin. Xha Durka, babai i Seitit - ishte njëri nga valltarët më të shkathët e më virtuozë të fshatit, në mos më i miri.
Në çdo festë familjare e në çdo gëzim familjar, kur dilte xha Durka në valle ndrinte shtëpia e merrte zjarr vallja. Edhe po të mos kishte lidhje miqësore apo farefisnore me të zotin e shtëpisë, xha Durkën e thërrisnin – domosdo. Pa xha Durkën, nuk kishte lezet vallja. Edhe vetë xha Durkës i pëlqente të vallëzonte e i ishte bërë mislok (ves kërcimi).
Në një rast, kur xha Durka mbante zi për vdekjen e të vëllait, në fshat u bë një dasmë. Dasmorët kishin mbushur odën e burrave e ca më tej ishte po ashtu, plot oda e grave. Deshi, s’deshi hyri dhe xha Durka në odën e burrave.
Kur gjakrat u nxehën e burrat dolën në valle, ata që nuk shkëlqenin si valltarë, qëndronin në këmbë, të mbështetur pas murit. Tok me ta ishte dhe xha Durka. Burrat në valle tundeshin e shkundeshin dhe këndonin, me zë të lartë, por vallja nuk po ndrinte. Një fshatar, i ndodhur pranë xha Durkës, me ironi, sikur nuk e dinte, iu drejtua xha Durkës, me fjalët: “Po ti, a i vrarë, përse nuk kërcen?” “Mbaj zi për vëllanë”, gjegji i helmuari xha Durke. Tjetri, po me ironi, vazhdoi: “Po ti kërce; mos këndo fare!” Aq donte xhaxhai e brofi në valle.
Ndryshoi krejtësisht gjendja, vallja labçe e kënduar, gjëmoi sa u tund dheu; xha Durka fluturonte. Dikur, ai harroi se ishte në zi e fillimisht iu bashkua këngës me iso labe, pastaj ia shkuli këngës labçe-vënçe. Nga ky fis ka qenë shoferi i parë nga Kalivaçi, i riu, Ferrik Cano Haderaj, i cili u aksidentua me vdekje në Përroin “mynxyrë” të Salarise. Vëllai i tij: Veli Cano Haderaj, ka qenë njëri nga muratorët e parë dhe shumë cilësorë të fshatit. Babai i tyre, Cano Adem Haderaj ka qenë i pari dhe i vetmi në kohën e tij “stomatolog” i fshatit.
Ai dinte vetëm të shkulte dhëmbë e dhëmballë, me një palë darë nga ato që mbathte kuajt dhe merrte si shpërblim – një kokërr vezë nga pacienti.
Banorët e Kalivaçit të Tepelenës janë njerëz seriozë e në raporte me ata që nuk i njohin, krijojnë përshtypjen se janë disi të ashpër. Kjo nuk është e vërtetë. Ata dinë të gëzojnë e në shpirt janë të pastër e të kthjellët – behar fare e kanë shpirtin.
Dikur, një kalivaças nga mëhalla e Mecajve ishte buzagaz, i pashëm e i qeshur, nga ata që falin veç mirësi. Ai rrezatonte shumë dashuri e mirësi. Buzagazi i tij nuk kishte të sosur. Apo nuk kishte një zë të ëmbël, si zë bilbili dhe kënga e tij shkonte “gjym”.
Kur ia merrte këngës së tij të preferuar, djaloshi simpatik Muharrem Rushan Xhaferaj, dukej sikur oshëtinin ato anë dhe zogjtë pushonin ligjërimin. Aq për zemër e kishte këngën labçe Muharremi sa kishte formuluar dhe një këngë. Kënga e tij, e kënduar me dashuri përhapte, ëmbël tingujt:
“... Pse nuk rron, sa rron – të guri?
thëllëza që më tremb dhitë;
aty, në viset e tua, do t’i ndërtojmë kuvlitë;
kush të vret? iu thaftë dora?
ti ke gjithë bukuritë...!”
Siç rrëfejnë, “bilbili” nga Kalivaçi: Muharrem Hysni Xhaferaj, ishte shofer transporti. Ai, me një kamion saurer, me rimorkio transportonte qymyrguri, nga Memaliqajt, në Ballesh. Gjatë rrugës, ai e mbushte kabinën e makinës me fëmijë shkolle, të cilët këndonin bukur labçe. Makina e tij gumëzhinte si zgjua bletë4sh, nga zërat e ëmbël të fëmijëve. Nuk u merrte asnjë lek të vegjëlve që këndonin; vetëm se, para se të hipnin në makinën e tij, Muharremi i pyeste: Dinin të këndonin labçe apo jo?
Ata që dinin të këndonin, i merrte, të tjerët i linte të pritnin kamionin e radhës. Ishte dhe bamirës. Bashkëkohësit e tij rrëfejnë se Muharremi “vdiste” për t’u ardhur në ndihmë atyre që kishin nevojë, sidomos kalivaçasve. Siç më dëftoi një burrë, në një rast, Muharremi stakoi në Ballesh rimorkion dhe vajti deri në Fier me kamion, ku mori disa materiale ndërtimi, të cilat i ngjiti në Mecaj, pa pagesë.
Kalivaçasit, në përgjithësi shquhen si këngëtarë. Bozanajt të krijojnë përshtypjen se mëhalla e tyre është “bregu i këngës”. Vështirë se do të gjeni një njeri të dytë me titull profesor doktor të sferës jomuzikore, si Shyqyri Barjam Hysi që të ketë shkelur në disa skena të Europës dhe që të ketë kënduar e të ketë zënë vend nderi me grupin polifonik të Kalivaçit, në festivale kombëtare e lokale. Kur ia thonë këngës polifonike labçe djemtë nga Kalivaçi i Tepelenës, me përbërje Prof. dr. Shyqyri Barjqam Hysin, me Viktor Aliun, me Arshine e Azbi Xhaferaj etj., duket sikur njeriu është në mes të një korie bilbilash, ku zërat janë të harmonizuar natyralisht. Po Klodiani i Moisiut nga Ramajt, në Hysodosaj; Jakupi i Sulo Musait nga Bilajt e Hasanimeret, dhe Ogerti i emërmirit Alli, nga e njëjta mëhallë, a nuk janë disa “maja” arti që na nderojnë?
Shyqyriut, Viktorit dhe këngëtarëve të tjerë nga Kalivaçi, vërtet natyra u ka falur bukurinë e shpirtit dhe zërin e bilbilit, por dhe ata nuk rrinë duarkryq. Si ata bilbilat që e gjejnë harmoninë e zërave në korijet me lisa, edhe këta djem të rrallë, e menaxhojnë për bukuri e i bëjnë shërbim zërit dhuratë.
Nuk janë vetëm këta. Në Mecaj, dikur, thërrisnin në dasma e në gostira bashkëfshatarin Kalo Guce Dulaj, vetëm që t’ia thoshte këngës labçe-vënçe, me atë zë të bukur e të kthjellët. Nuk thonë më kot se dardha bie nën dardhë. I biri, Ilirjan Kalo Dulaj, sot është një nga zërat e rrallë të Kalivaçit. Po Erindi i Iljaz Qemal Xhaferaj, i cili është banor i Fierit, këndon, bukur, me zërin e tij “brilant” këngë të muzikës së lehtë.
Leshnja, njëra nga dy mëhallët më të lashta të fshatit, ka historinë e saj, të pasur me heronj dhe me bëma. Pa bërë evidencë, nga sa di unë, burrit të mençur e trim Barjam Axhem Llakaj, i çmoheshin e i respektoheshin burrëria dhe dituria e i zinte vend fjala, jo vetëm kur ai ishte kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit.
Nuri Hamza Mehmetaj, njeri i letrave e i mendjes së ndritur, gazetar e pedagog cilësor i niveleve të larta, bir i Hamza Shesho Mehmetaj, një burrë tepër i zgjuar e me humor të hollë, pas transformimeve demokratike të viteve ’90, “shtegtoi” në Grac të Austrisë, ku, me punë vetëmohuese, e me shumë privacione, “bëri petë” për vete edhe për të tijtë. Ai dhe bashkëshortja e tij – Xhemilja fisnike u bënë jatak e pikë referimi për shumë kalivaças që u mblodhën rreth tyre.
Fisnik me vlera, i lidhur ngushtë me Kalivaçin dhe me hallet e tij, ka qenë Selfo Sabri Dosti, nga Bozanajt, i cili fillimisht e nisi punën si elektricist, ku dha një ndihmesë me vlerë për elektrifikimin e fshatit; më vonë, me vullnet të hekurt, mbaroi Fakultetin e Drejtësisë e u bë jurist (avokat) profesionist, në saje të kapaciteteve intelektuale dhe dashamirësisë së shpirtit të tij, u gjend pranë bashkëfshatarëve në ditë të vështira.
Safet Ahmet Caushaj, nga Hasanimerajt, ishte fisnik nga origjina dhe ndonëse në pamje e në veprime, në dukje i ashpër, nervin e fisnikërisë që buronte nga koha e Çanë Deliut, e mblonte thellë në shpirt. Safeti ishte enciklopedi më vete. Si burrë i zgjuar e me reputacion, kur mbi Vjosë ndërtohej një urë dhe në kantierin e ndërtimit ku Safeti ishte përgjegjës, punonin disa bashkëfshatarë, Safeti, i cili e donte shumë Kalivaçin i mbante ata me hatër, duke u shkruar punë të pabëra.
Në Luftën e Kosovës kundër hordhive serbe, në vitet ‚9o, i vetmi kalivaças që na nderoi fshatin në këtë luftë ishte bashkëfshatari Refat Demir Alidervishaj (ndjesë pastë) i lindur në një familje fisnike, me kontribute me vlerë në Luftën Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar.
Kalivaçi është fatlum e krenohet, me birin e tij Xhelil Aliun. Natyra i ka falur Xhelilit, jo vetëm hijeshinë, zërin karakteristik e të veçantë, të bukur e melodioz, por dhe shpirtin e mirë. Duket sikur djali i rritur mes halleve, ka “rrëmbyer” nga natyra, çfarë mund të ketë më të mirë njeriu. E njoh dhe e kam mik prej kohësh. Më ngjan sikur të jem i gatuar me brumin e mirësisë së tij. Dashuria e Xhelilit për Kalivaçin shpaloset bukur në shkrimet e tij cilësore ku bën beli dashuria e tij, për çdo gur e për çdo shkarpë, për çdo shtëpi e për çdo njeri.
Kalivaçasit, brez pas brezi do t’i jenë mirënjohës, përjetë veprës së tij titanike. Xhelili ka punuar, pa reshtur për të evidencuar çdo gjë që ka ngjarë e që zhvillohet në sytë e tij, të cilën ai e ka fiksuar, me penën dhe me mendjen e tij të artë. Të lumët ne që e kemi atë djalë!
Kalivaçi i Tepelenës, nuk shterron së nxjerri njerëz të shquar apo, si i thonë: “Maja”. Mirjeta Deraj është njëra syresh. Nuk mund të mos i përunjem gjenisë së Neki Xhemal Ago, i cili, me aftësitë e tij zuri vend në televizionin shtetëror të Suedisë, si gazetar i talentuar. Kështu mund të them dhe për Prof. Edmir Xhaferin, një njeri të rrallë të përkushtuar pas fesë apo për Xhevair Breshan Muharremaj, i cili renditet ndër historianët e pasionuar pas gjetjeve arkeologjike të fshatit dhe interpretimit shkencor të tyre.
Në këto faqe të kursyera të këtij shkrimi, sido që është, jam përpjekur të evidencoj disa pika kulmore nga historia e re e atij çikë fshati, i cili është i bekuar nga zotat. Populli i lashtë e i ri i Kalivaçit të Tepelenës, njëri nga më të vjetrit në vend, i ka mbijetuar historisë e po përballet me të tjera halle serioze, të cilat, me siguri që do t’i kapërcejë. Me bindjen se nuk kam mundur të shkruaj të gjitha ato që mundem e që dua, për fshatin tim të dashur dhe për ata njerëz “heronj” të vërtetë mbetem plot shpresë se ata që do të vijnë pas meje me siguri që do të bëjnë më shumë.
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj NË TIRANË, MË 28 PRILL 2022
Edhe një shkrim tjetër i Niazi Nelajt që pasuron historinë e Kalivaçit, fshatit të tij të dashur, për periudhën më të lavdishme të vendit. Meritojnë mirënjohjen dhe respektin më të thellë partizanët e Kalivaçit dhe banorët mbështetës për sakrificat dhe kontributin e vyer në Luftën Nacionalçlirimtare, bartës të traditave më të mira në këtë truall të lashtë, të cilat Niaziu i pasqyron me vërtetësi e dashuri. Respekt e suksese, Niazi. Vezir Muharremaj