Hidhërimi nuk paska masë, as kufi! Dhimbjen, secili e ka në qenien e tij dhe e ndjen në forma të ndryshme. Në fund të fundit, ajo është vetjake dhe përjetohet jo njëlloj. Ky hidhërim, ndarja nga jeta e Gjonlekë Ahmet Zenelaj, me të cilin jam rritur e kemi kapërcyer situata të rënda në jetë, me ndihmën e njëri-tjetrit, si për mua, dhe për familjen time, është i veçantë e mjaft i rëndë. Ngushëllimi, në këtë rast, është i varfër në fjalë e nuk mund t’i thotë të gjitha brengat që mbeten pas.

Është ndarë nga jeta një njeri me Nj të madhe, një djalë nga Kalivaçi i Tepelenës nga më të zgjedhurit. Gjonleka përgjërohej për çdo shkarpë e për çdo gur të fshatit tonë të bekuar. Sa shumë gjallërohej e bëhej aktiv Ai njeri kur i shkonim, së bashku me Vezirin, të cilin e donte dhe e çmonte shumë, jo vetëm për shkak të lidhjeve të gjakut, por më tepër, lidhur me personalitetin e tij të spikatur! Këtë e vështronim në sytë e tij, të cilët shkëlqenin kur i rrëfenim diçka për Kalivaçin dhe për banorët e tij. E donte shumë ndryshimin për të mirë të fshatit dhe kishte kontribuar, me gjithë shpirt, për të çuar dritën dhe ujin e pijshëm në çdo vatër kalivaçase. Gjonlekë Zenelaj e donte arsimin dhe shkollimin e bijave dhe bijve të Kalivaçit.

Ai i donte vajzat dhe djemtë e fshatit tonë në krye të piramidës së arsimimit. Gëzonte kur e njoftonim se Mirjeta e Derajve ka marrë titullin "profesor" dhe kur nga fshati ynë numërohen disa njerëz të shkolluar e me tituj shkencorë. Prandaj, me vullnetin dhe këmbënguljen karakteristike të tij, përfundoi jo një, por 2 fakultete. I bëhej zemra mal e i qeshte nuri Atij njeriu, kur mësonte për ndërtimin e rrugës automobilistike që përshkon fshatin tonë dhe është bërë sipas standardeve. Sa të lumturuar e ndjente veten vëllai im Gjonleka, kur mësonte se në Kalivaç, mjaft banorë kishin ngritur banesa të reja, të bukura e të pajisura me të gjitha orenditë! Pra, Gjonleka ishte njeri që merrte anën e së resë përparimtare dhe kënaqej kur kjo ndodhte.

Jam krenar që gjatë jetës sime kam pasur për model një njeri si Ai dhe e kam pasur shumë afër e më është ndodhur. Më hidhërove shumë, vëlla Gjonlekë, me këtë ndarje të padrejtë. Kohët e fundit, vuajte shumë dhe padrejtësisht, por Ti i përballove vuajtjet dhe kufizimet me dinjitet, si kalivaças i fortë, në saje të karakterit tënd të fortë dhe cilësive të larta morale.

Në këto çaste të tronditjes së thellë, i shpreh ngushëllime të çiltra Shpresës Zonjë dhe fatkeqe, e cila iu bë krah, në të gjithë rrugën e jetës së tyre të mundimshme. Ngushëlloj motrën Xhemile, e cila, si në çdo rast, edhe në këtë ka shpalosur burrëri kalivaçase. Ngushëlloj motrën Selvi, vajzat e Gjonlekës, vëllanë Levenin e vëllanë Xhevdetin, të gjithë nipërit e mbesat dhe gjithë ata që ndiejnë dhimbje prej kësaj ndarjeje të rëndë.

Dikur, në fshatin tonë kam dëgjuar se "I miri jo gjithnjë ka të mira në jetë!" Ndarja sot nga Gjonleka dhe jeta e tij plot brenga na e vërtetojnë plotësisht këtë slogan të mençur. E çfarë mund të thotë njeriu për Atë njeri, veç fjalëve të mira, të merituara? Gjonleka nuk ishte si të tjerët.

Ndihem keq që nuk mund t’i gjendem vëllait tim në këto çaste të rënda e nuk mund ta përcjell, siç e meriton. I them, me shpirt e me zemër, Atij "Gjigandi": Të qoftë dheu i lehtë, vëllai im; u paç lënë jetën atyre që le pas!

Lamtumirë, i Miri me gjithë të mirat – Gjonlekë Ahmet Zenelaj!

Në Tiranë, më 11 tetor 2022

Niazi Xhevit Nelaj