(Një jetëshkrim autentik)

(Pjesa e parë)

Zonjë Temja, në çift me kalivaçasin Xhevit Malko Nelaj, të lidhur me martesë me njëri-tjetrin, falë mblesërisë (lajmësisë), kishin diferencë të theksuar në moshë. Gjatë lidhjes martesore, ata sollën në jetë katër fëmijë. Në vitin 1940, në muajin janar, në ditën e Ujit të Bekuar u lind Lumturia. Tradita vendore e donte që fëmija i parë të ishte djalë. Të thjeshta e lehtësisht të kuptueshme ishin pretendimet për të lindurit e parë, apo, siç thonin rëndom në Kalivaç, për "bukën e parë". I linduri i parë preferohej të ishte i gjinisë mashkullore, në mënyrë që dalëngadalë, të bëhej shtylla e familjes; krahë për prindërit dhe trashëgimtar i mallit e i gjësë së gjallë.

Dilaver Nelaj

Se çfarë do të trashëgonte i linduri djalë nga Xhevit Malkua, kjo dihet mirë nga bashkëkohësit e tij. Vetëm shpirtin kishte të gjerë, si det, Xhaxhakua dhe tokat pjellore në Llomera e në Rredhe. Namin si derë e madhe e bukëdhënë dhe fisnikërinë e familjes e të trungut, Ai i kish të njohura; shtatin të shkurtër por, brenda tij bënte beli të qenit i drejtë, i ndershëm e bamirës pa anë e pa fund.

I mbetur jetim që në barkun e Nënës, Xheviti ra shpejt në kthetrat e spekulantëve qelepirxhinj, kryesisht të xhaxhait të tij – Nelo Binos, i cili synonte të përfitonte nga tiparet e njerëzishme të bonjakut Xhevit, me qëllimin e qartë: aneksimin e mallit të tij, shtëpisë dhe truallit mbi të cilin ajo ishte ndërtuar. Në planet afatgjate të xhaxha Nelo Binos, ndoshta ishte dhe nxjerrja e Xhevitit pa pjesë, edhe në tokat e begata të familjes.

Motra e vetme e Xhevitit, Merushja, e cila, kur vdiq i ati, ishte rreth 10 vjeçe, u detyrua të hipte mbi kalë e të shkonte nuse, në fshatin Dhemblan të rrethit të Tepelenës, tek një banor vendas me mbiemrin Sulejmani. Ishin rregullat zakonore anadolake sipas të cilave vajzat duhet të martoheshin pas kohës së pubertetit. Fukarallëku i skajshëm i familjes, pas ndarjes nga jeta të Malkos, e detyroi Jeminene ta martonte të bijën, akoma të parritur, mbasi nuk kishte me se ta ushqente. Po u afrohem të tetëdhjetave; përpjekjet e mia nuk kanë munguar, por, deri më sot nuk kam qenë i suksesshëm në përpjekjet për të gjetur e për t’u lidhur me pinjollët e hallos së vetme. Dhemblanakët e moshuar thonë se familja e Sulejmanit, për të cilën bëhet fjalë, fill pas çlirimit të vendit ka shtegtuar në fshatrat e rrethit të Vlorës, por nuk thonë ku konkretisht dhe kush prej pinjollëve është në jetë.

Pas motrës Lumturi (ndjesë pastë), erdha në jetë unë. Sipas kujtimit të prindërve, të cilët i kam pyetur kur ishin në jetë, unë jam lindur më 18 mars sipas kalendarit osman, ditën e premte, në mëngjes, kur dielli sapo kishte zënë dhenë. Pra, jam i lindur në zjarrin e luftës për liri e jam përkundur në djepën e laktantit, i nanurisur nga ninullat që më këndonte nëna e i përshëndetur nga gjëmimi i topave të luftës.

Pas meje erdhi në jetë djali i dytë i familjes - Selami, i cili e pati jetën të shkurtër. Ai u nda nga jeta, kur akoma ishte i lidhur në djepë. Shkak për vdekjen e tij u bë një puçërr në grykë e cila nuk u vizitua e nuk u mjekua kurrë. I tillë ishte shërbimi shëndetësor i kohës dhe mungesa e medikamenteve bënin të mundur vdekjen e njerëzve, nga sëmundje të rëndomta.

Në ato vite (në vitet e para, pas çlirimit të vendit), shërbimi shëndetësor ishte në nivele mjaft të ulëta shkencore dhe jeta e njeriut, prej sëmundjeve ishte fare e lirë. Sëmundjet e rëndomta bënin kërdinë. Jetën e bënin të vështirë jo vetëm rrjedhojat e Luftës Çlirimtare, e cila, vërtet që solli lirinë e shumëpritur, por dhe rrënimin e vendit. Nuk përjashtohen dhe gabimet e rënda njerëzore. Të vetmet vite "të arta" për familjen tonë ishin ato kur Xhaxhakua bëri qinosi me Haxhiajt. Në ato vite mbushëm barkun me bukë dhe notonim në bulmet, si kurrë më parë.

Më 19 qershor të vitit 1948 u lind Dilaveri, vëllai im i vetëm, fatkeq. Ai u lind në shtëpinë e Reshat Resmiut, në qoshen e majtë të saj. Asistuan në lindje, dhe ishin në rolin e mamisë dy gra burrëresha e me përvojë të gjatë në këto punë: Hysnija e Musa Mehmetit dhe Memja e Muharrem Hasanit. E para ishte bijë në Kolonjë të Gjirokastrës; e dyta në fshatin Zhapokike të rrethit të Tepelenës, në mëhallën Kecerisht. Të dyja ishin trimëresha dhe fisnike.

Pas vdekjes së Resmi Nelos, atij alamet djali, nga një sëmundje banale (plevit), tre djem të tij: Reshati; Nelua dhe Petrefi, në moshë të mitur dhe gruaja e tij, Zonja e Vogël e Binajve, një grua e përkushtuar ndaj fëmijëve dhe e vendosur për të lidhur në kokë shaminë e zezë, përjetë, zemërmiri Xhevit, i mori nën sqetull. Këta të katër të mbetur pa ombrellë e në mes të katër udhëve e gjetën shpëtimin tek Xhaxhakua, i cili, dhe pa marrë parasysh fukarallëkun që e kishte pllakosur, doli mbi to, pranoi rrugën e nderit dhe i bëri sërish bashkë të dyja familjet, duke mbetur një shembull i rrallë vetëmohimi dhe bamirësie.

Nëse Xheviti, i mbetur jetim akoma pa ardhur në jetë, u rrit nëpër dyert e botës, larg shtëpisë e larg fshatit Kalivaç, në sokaket dhe kodrat e fshatrave të Zagorisë, në veçanti të fshatit Hoshteve, nën përkujdesjen e kakove të këtij fshati me njerëz të mirë, ne të tre (Lumturia, Unë dhe Dilaveri) u rritëm në Kalivaç, nëpër shtëpitë e mëhallalinjve tanë zemërmirë, edhe pse ishim me nënë e me baba gjallë. Ku nuk jemi branisur e ku nuk jemi rritur, me të keqen pranë?

Mbasi mbetëm pa strehë, na ofroi xhaxhai ynë Resul Nelo Nelaj, të cilit i thonim, për respekt – Aga. Ai na ofroi strehë në njërën nga kasollet me kashtë që kishte ngritur, për familjen e tij me shumë fëmijë, në vendin e quajtur Gurishte. Jo vetëm se Xheviti ishte kushëri i parë i tij, por më tepër nisur nga fakti se fukarai e ndjen dhe e mbështet të varfrin. Të banuarit pranë e pranë me fëmijët e Agait dhe lodërat e përbashkëta e disa veprimtari prodhuese në arat që kishim të ngjitura me njëra-tjetrën, na dhanë mundësi të njiheshim, të afroheshim më shumë me njëri-tjetrin dhe të ndjenim rrahjen e zemrave të tyre. Nuk jam i mendimit se Resul Nelua (Agai) ndau kasollen dhe vobekësinë e tij, me Xhevitin; jo; jo; e përsëri - jo; Agai ndau shpirtin me ne të pastrehët, atë që kishte më të shtrenjtë. Kasollja e tij kishte dy seksione, ai që na u ofrua neve, ishte me dimensione më të vogla e më i ftohtë, por ishte një strehë që na mbronte nga shiu, nga era e nga ftoma.

Ajo strehë fukarai, nuk ishte e ngritur me shkarpa dhe e mbuluar me kashtë, por ishte, e tëra prej floriri. U mëkëmbëm në kasollen e Agait dhe meqenëse arat i kishim pranë njëri-tjetrit, përftuam dhe nga përvoja e secilit duke ndihmuar, aq e si mundnim shoqi-shoqin.

Pas banimit në strehën që na ofroi Agai, kur fëmijët e tij të shumtë u rritën dhe kërkesat e tyre erdhën të tjera, u detyruam të shtegtojmë sërish. Brenda fisit tashmë. Njeriu i mirë, zemërbardhi Ali Pasho Nelaj, njëri nga burrat më të ndershëm e më trima të fisit Nelaj, meqenëse u shpërngul pranë tokave pjellore të familjes së tij, në Luginën e Margëlliçit. Atje, Ai ngriti kasolle për të strehuar fëmijët e tij e na ofroi, pa shpërblim, njërën nga dy dhomat e ftohta përdhesë, në mëhallën Ahmetaj, ku kishte dhe trojet e të parëve. Shtëpia përdhesë e ftohtë akull, nga Veriu, shërbeu si banesë për familjen tonë, e cila përbëhej nga dy prindërit, Lumturia (ndjesë pastë); unë dhe Dilaveri laktant. Dhoma ishte e madhe, por nuk ngrohej edhe sikur zjarri në vatër të rrinte i ndezur gjatë gjithë natës.

Në dhomën tjetër, ngjitur me tonën, por me hyrje të veçantë, banonte muhaxhiri Telha Qazim Shatrafilaj, i natyralizuar në Kalivaç, i ardhur nga fshati Luzat i rrethit të Tepelenës. Xha Telhai, një burrë i gjatë, i thatë e i sertë, merrej me tregti ambulante. Ai ishte një pramatar kurnac e i sertë. Artikujt industrialë që tregtonte xha Telhai ishin, kryesisht gjilpërat e dorës; fëndyejtë, bizat, rruazat, teminat, bojërat e ndryshme për të ngjyer rroba të leshta e të pambukta, metrazhe, kafe etj., etj. Në ndonjë rast, kur blerësit nuk e likuidonin dot në të holla xha Telhane; Ai merrte, me çmime shumë të lira kundrejt tregut edhe produkte ushqimore të cilat i hynin në punë familjes së tij, si ullinj, vaj ulliri, lëkurë, miell, drithëra buke etj., etj. Interesante ishin mjetet e matjes e të peshimit që përdorte Telha Luzati.

Për njësi matëse, Ai nuk përdorte metrin, por kutin. Si mjet peshimi, përdorte një peshore dore metalike e cila nuk kish asnjë siguri për saktësinë e peshimit. Për të matur (peshuar) bojërat, Ai përdorte ca masa prej teneqeje, të cilat asnjeri nuk dinte "t’i lexonte".

Në këtë mënyrë "tregtari ynë" spekulonte, pa i hyrë gjembi në këmbë. Niveli i ulët i njerëzve në administrimin e pronës e favorizonte veprimin e tij spekulativ.

Xha Telhai nga Luzati, vërtet ishte muhaxhir, në vendin e tij, por Ai ishte i natyralizuar në Kalivaç të Tepelenës dhe e quante veten kalivaças. Djali i madh i familjes - Shabani, në atë kohë, shërbente në Degën e Punëve të Brendshme të Tepelenës, polic. Ai u martua me të bijën e Barjam Axhemit, nga mëhalla e Leshnjes, lidhje e shëndoshë e cila i forcoi pozitat e Xha Telhait nga Luzati. Shabanin, për shkak të diferencës në moshë dhe qenies larg tij, e kam njohur fare përciptaz.

Pas kthimit në fshatin e lindjes, kam dëgjuar fjalë mjaft të mira, për Shabanin, për bashkëshorten e tij fisnike dhe për dy djemtë që la pas. Ajo familje ruajti traditat atdhetare të rrënjës dhe zakonet e vendit. Dy djemtë e tjerë të xha Telhait - Hyseni dhe Qazimi u bënë dy nga shokët e mi më të mirë të shkollës fillore të fshatit Kalivaç dhe në lojërat fëmijërore që luanim atyre hënave. Së bashku mësonim; bashkë luanim dërrakthi, cingli, kala dibrançe, topagropthi etj. Së bashku ngrinim gracka dhe leqe për të zënë mëllenja, nga ullinjtë e xha Breshanit etj. E them, me çiltërsi se Qazimi, i cili ishte më afër moshës sime, ishte më i shkathët dhe i zinte dora, kur ngrinim gracka e kur qëllonim me llastika. Hyseni ishte më flegmatik dhe besonte shumë. Të dy vëllezërit kënaqeshin edhe kur ziheshin apo kur grindeshin me njëri-tjetrin.

Dilaveri

Dy nënat tona: Gege Merushja dhe Zonja e Madhe e Binajve u lidhën ngushtë me njëra-tjetrën e u bënë si motra. Gege Merushja ishte një labushe e fuqishme, me çitjane veshur. Asaj, sikur i kishte mbirë në buzë togfjalëshi: "Kuterine, moj Merushe!" Ajo dhe Nëna jonë, kishin tipare të përbashkëta.

Kur shkonin për të bërë dru, ato gra, të cilat ishin nga gratë më të fuqishme në fshat, ngarkonin në kurriz, me tërkuza të bëra me dorë, jo një barrë me dru, por një "stivë" të tërë. Kur ato zbritnin nga Bregu i Stanet të ngarkuara me dru, një njeri që nuk e dinte, mendonte se po zbriste korija vetë. "Kuterina" Merushe, jo vetëm që punonte tërë ditën e lodhej, si kafshë pune, por duronte dhe kutin metalik të xha Telhait, i cili ishte shumë nevrik e nuk ia ndante drurin së shoqes. Nuk dinte si ta shfrynte brengën që kish për fukarallëkun e skajshëm që kishte kapluar familjen e Shatrafilëve, sikurse të gjitha familjet kalivaçase; sikur Ajo grua fisnike të ishte burimi i atij fukarallëku, xha Telhai e shkarkonte mllefin e akumuluar tek "Engjëlli" Merushe, e cila ishte "pa gojë".

Në kufijtë e dhjetëvjeçarit 1950 - 1960, na dha strehim në Shtëpinë e Sheros, burri i zgjuar e fisnik Muharrem Kamber Deraj. Xhako Rremja, siç i thonim ne atëherë, ishte i martuar me Tajanen (Nënën time të dytë), e cila ishte bijë e fisnikut Zagoll Saliko Xhaferaj, nga mëhalla e Meçajve. Muharremi kishte sjellë në jetë mjaft fëmijë. Më të madhin – Ramadanin (ndjesë pastë) kurse nga vajzat, më e madhja ishte Nasibeja. Xhako Rremja ishte nip në Beqiraj; Nëna e tij – Fatija, një grua e qetë dhe e pakët nga shtati, ishte motër e fisnikut - Qamil Sulo Malaj. Shtëpia e Kamber Asllanit, Babait të Muharremit, ishte dykatëshe; me katua poshtë, me shkallë (sheshpushim me çati sipër) dhe me hambarë.

Të dy ambientet ishin të mjaftueshme për të mbledhur fëmijët e shumtë të çiftit, kurse shtëpia e Sheros, ishte e shkëputur nga dy odat ngjitur, me shkallë e hyrje më vete. Ajo ishte gjithashtu dykatëshe, me një dhomë të gjatë, me vatër e me oxhak dhe me katua poshtë. Në katua nuk strehoheshin bagëti, si kudo gjetkë; por njerëz (zanatçinj). Në vjeshtë, në dimër dhe në pranverë, në këtë ambient, sistemoheshin, jetonin dhe punonin disa punëtorë të bakrit, të cilët vinin kryesisht nga rrethi i Përmetit; kallaisnin enët prej bakri të banorëve të Kalivaçit, kundrejt një shpërblimi në të holla ose në natyrë. Ata, për punën që bënin, merrnin si shpërblim, të holla, pula e gjela deti; vaj ulliri, lëkurë, drithë, miell, duhan e sende të tjera me vlerë. Ne i quanim kallajxhinj mbasi shkrinin kallaj e me një teknologji të posaçme bënin lyerjen e sipërfaqes së brendshme të enëve prej bakri.

Ata ndiznin zjarrin, kryesisht me qymyr druri, aty, në katua, ku dhe ushqeheshin e punonin dhe flinin. Fshatarët e Kalivaçit dhe kallajxhinjtë e ardhur nga rrethi i Përmetit (kryesisht nga Brezhani e nga Malëshova), ashtu si blegtorët e ardhur nga këto anë, u miqësuan me vendasit dhe lidhën me ta një miqësi të qëndrueshme.

Ne u strehuam në shtëpinë e Sheros, ku qëndruam disa vite. Babai, në atë kohë punonte në Minierën e Sërës, në Selenicë dhe vinte në shtëpi thuajse një herë në 2 - 3 javë.

Nëna jonë, Zonja e Madhe e Binajve, u lidh ngushtë me Tajanen, burrat e të cilave ishin të një gjaku, por bënin me shoqja-shoqen dhe ndonjë pramati. Xheviti, si punëtor miniere nëntokë, pajisej, veç të tjerash, me triska veshmbathjeje, të cilat, në kohën kur në vendin tonë praktikohej sistemi i triskëtimit, kishin vlerë të madhe. Babai, i cili e vështronte këtë lloj pramatie si leverdi e rrugëdalje për ushqimin e fëmijëve të tij, në një kohë kur dhe drithërat e bukës siguroheshin me vështirësi, e miratonte dhe e inkurajonte, pa u ndjerë këtë lloj veprimtarie "Ilegale" të gruas së tij me pronaren e shtëpisë. Po çfarë ngjante midis dy grave: Zonjës së Madhe të Binajve dhe Tajanes së Derajve? Xheviti, me paratë që fitonte nga puna në Minierën e Sërës në Selenicë dhe nga triskat e veshmbathjes që i jepte qendra e punës, blinte basma të bukura të cilat i pëlqenin Tajanes, por në kushtet e saj nuk mund t’i gjente.

Xhako Rremja ishte mjeshtër edhe në çështjet e sigurimit të drithërave të bukës, i cili ishte problemi më serioz i kohës. Të dyja gratë kishin rënë në ujdi me njëra-tjetrën të këmbenin mallrat (basmet me drithin) sipas një ekuivalence që caktonin ato vetë.

Në Shtëpinë e Sheros u rritëm të tre fëmijët e Xhevit Malkos dhe të Zonjë Temes, njëri pas tjetrit. Ishim në mosha të ndryshme e dy nga ne (unë dhe Lumturia) ndiqnim shkollën fillore të fshatit. Dilaveri, si pekuli i familjes, ishte mjaft i prapë.

Në atë kohë, një fshatar i yni nga Hysodosajt kishte humbur të dy sytë dhe kishte mall të vështronte dritë e të takohej me të larguarit nga fshati. Ai, herët në mëngjes, çdo ditë dilte përpara shtëpive të tij dhe niste, me zë të lartë e të fortë të numëronte, me radhë, të gjithë djemtë dhe vajzat e Kalivaçit, pavarësisht se ku banonin, duke vënë në dukje tiparet dhe bëmat e tyre. Dilaveri, rreth moshës 4 - 5 vjeç, kur dhe emrin tim nuk e shqiptonte saktë, por thoshte: Diu, një ditë vendosi të imitonte xha Azizin. Ai lidhi sytë me një rrip lecke të errët, doli në "balkon" (hyrja në shtëpi kishte përpara një platformë në formë balkoni, të lartë rreth 3 m, pa kufizim anash). "Do bëhem Azis!" – tha Dilaveri dhe u hodh nga "balkoni" i shtëpisë. Avllia poshtë ishte e shtruar me kalldrëm guri gëlqeror.

Rënia e Dilaverit, në atë kalldrëm, megjithëse fëmijë, shkaktoi thyerjen e njërit krah të tij, midis qafës së dorës dhe bërrylit. U deshën disa ditë të shërohej thyerja, pas vënies në jaki tek Abedin Kahremani; "mjeku ortoped i mëhallës e i fshatit". Në një rast tjetër, Dilaveri u zemërua me mua, ndonëse më donte shumë; nuk mbaj mend përse. Unë isha në avlli e ai në platformë. Dilaveri rrëmbeu këmbjen që gjeti për lehtësi e ma hodhi mua. Këmbja më ra në kokë e më shkaktoi plagë të thellë, në ballë, e cila më ka mbetur shenjë edhe sot e kësaj dite.

Në këtë shtëpi, na ngjau dhe një telash tjetër. Si unë dhe motra Lumturi (ndjesë pastë) vijonim shkollën fillore të fshatit. Motrës sonë i doli një lungë (furungel) në rrëzë të kofshës. Lunga u mais e mblodhi (u infektua). Motra nuk mund të ecte e nuk shkonte dot në shkollë. Gjetëm një "kirurg" popullor, të cilin e kishim shumë pranë.

Ai ishte Xhakorremja; pronari i banesës. Ai mori përsipër ta "operonte" të sëmurën, me një siguri të madhe se "operacioni" i tij do të dilte me sukses. Me një dru prej drize të holluar në majë e të djegur, mbasi e lyeu vendin ku ishte lunga e maisur, me raki ballë kazani, me një lëvizje të shkathët, në befasi e shpoi vendin e ënjtur e pastaj e shtrydhi fort. Qelbi shpërtheu, si shatrivan dhe era e tij e qelbur pushtoi dhomën.

Pas 3 - 4 ditëve motra, avash-avash nisi të shkojë në shkollë. Falë iniciativës, guximit dhe përvojës së Xhakorremes, shpëtoi Lumja nga e keqja.

Në hyrje të viteve 60 të shekullit të kaluar, Babai ynë, më tepër me sedër sa me kapital, u përfill për të ngritur një kasolle për të banuar. Ngritjen e kasolles, Ai ia besoi mikut të familjes sonë - bashkëfshatarit Haxhi Beshir Hysenaj, të cilit, nuk di përse i thonin dhe Baco. Ndoshta për të përjetësuar emrin e të atit të Beshirit të parë dhe vëllait të tij më të madh – Muharremit. Bacua nuk ishte aq i shkathët e nuk i vinte shumë ndorësh për të ngritur kasolle, por Xhaxhakua, siç duket ia mbushi mendjen mikut dhe e joshi për ta bërë këtë punë. E ngriti Kasollen Baco Beshiri, me shtylla druri të ngulura thellë në truallin përpara dritareve të shtëpisë sonë të rrënuar. Kasollja ishte e lartë dhe e madhe; në të u sistemuam për fjetje ne (dy prindërit dhe tre fëmijët).

Herë pas here, në dimër të ftohtë, në fundin e kasolles, sistemohej dhe ndonjë dele lehone së bashku me qengjin e sapolindur, e cila kërkonte trajtim suplementar dhe ngrohtësi e përkujdesje të veçantë.

Në vatrën e kasolles, të lyer me bajga lope, shtronim plisnokët e shtriheshim përkrah njëri-tjetrit, për t’u ngrohur me frymën tonë, mbasi jorgani i sajuar nuk na mbronte dot nga të ftohtit. Nëna na mbështillte, si klloçka zogjtë e saj dhe më tepër na mbulonte me trupin e saj sa me jorganin copë-copë. Në fund të kasolles, nga sa mbaj mend, prindërit tanë kishin vendosur një harar, i cili mbushej me drithë. Xheviti, herë pas here ngrinte natën Zonjën, të cilën e detyronte të merrte karroqen (njësi matëse prej druri, e cila mbante rreth 1o kg drithë) dhe të maste rezervat e drithit për familjen tonë.

Meqenëse jeta e Dilaverit është tepër e ngjeshur dhe e pasur me elemente jetësore, po e fragmentarizoj veprimtarinë e tij, duke u munduar t’i grupoj ngjarjet kryesore.

Në dimrin e vitit 1957, kur erdha për të pushuar, pranë familjes, nga Shkolla e Mesme Bujqësore e Korçës, Xheviti dhe Karafil Mahmuti kishin rënë dakord të bënin një qinosi, me dhentë që dispononte Karafili, por që nuk ishte në gjendje t’u bënte shërbimet e nevojshme, për shkak të moshës së thyer të tij. Xheviti nuk kishte dhen dhe qinosia u formulua me kushte të rënda për çobanin (Xhevitin). Pata shansin të shkruaj kontratën e qinosisë mes dy burrave dinjitarë dhe të shijoj petullat që poqi, me këtë rast, marhemja (grua e martuar, pa fëmijë) - Bedrie, bashkëshortja e Karafilit, e cila na i serviri petullat e ngrohta, të pjekura me vaj ulliri, me pekmes, nga ai i bërë me goricat e ledheve të parcelave të Karafil Mahmutit.

Pas largimit tim nga Kalivaçi dhe sidomos, pas qinosisë me Karafilin, Dilaveri adoleshent u lidh më ngushtë me Babanë tonë dhe me tufën e dhenve që Ai kishte përpara. Dilaveri u rrit e u formësua si një çoban i mirëfilltë dhensh. Ai u argas (u kalit) me terrenin e vështirë e me gjallesat e tij. Ai nuk u trembej: natës, errësirës, egërsirave, motit, të pangrënit e të veshurit keq, dhe u bë jo vetëm një blegtor i zoti, por dhe një djalë me vlera, e sypatrembur. Kimetliu Dilaver, duke qëndruar vazhdimisht pranë Babait tonë, "I mori" atij gjithë çka kishte të mirë në qenien e tij.

Në vitin kur u martua motra jonë – Lumturia, familja jonë e varfër, nuk mund të përgatiste e të niste as pajën minimale të koces, as një valixhe me plaçka. Xheviti u detyrua të futej në punë në Ndërmarrjen e Ndërtimit të Tepelenës, e cila, aso kohe bëri rikonstruksionin e nyjeve të mbërthimit të lundrës së Kalivaçit. Dilaveri sedërmadh, i cili nuk ishte më shumë se 11 vjeç, nuk donte të mbetej prapa Babait në këtë "aksion" jetik, prandaj, në pushimet e verës, kur bëhej rikonstruksioni i linjave telefonike të rrethit të Tepelenës, Ai u fut në punë, për të tërhequr telat, në territorin e Toçit, të Krahësit e të Qesaratit. Me ndihmën dhe me ndërhyrjen e djalit të tezes sonë, nga Toçi; Nebi Hasan Beqiraj, i cili kishte ndikim të fuqishëm në këtë ndërmarrje. Dilaveri u caktua t’u çonte ujë me gjyma fillerojtësve. Me paratë që fitoi, Ai i bleu motrës një fustan driloje (një lloj tekstili, si mushama), për pajë.

Në ditën kur Lumturia nuse doli nga shtëpia jonë dhe me krushqit çakërqejf të hipur mbi kuaj, po kalonte udhën e verbër që të nxjerr në Arat e Buta, Dilaveri ruante dhentë në Fierin e Metes. Binte shi "me gjyma". "U shkrehën" retë. Adoleshenti akoma pa u rreshtuar në radhë me burrat, i kishte hapur krahun Babait të tij, i cili ishte i domosdoshëm të gjendej në gëzimin e parë të familjes sonë. "Qante koha!" Rrëketë e shiut që nuk kishte të pushuar plekseshin me lotët e Dilos e së bashku rridhnin në faqet e llabanes që mbante në kokë djaloshi çoban.

Dilaveri kishte fituar besimin e të Atit dhe Ai, e linte të birin shpesh të menaxhonte bagëtitë, në kullotën e vështirë të pyllit. Një ditë, Dilaveri ruante dhentë e tufës në qinosi me Karafil Mahmutin, në Fierin e Metes. Xhaxhakua ishte thirrur në një gosti, për drekë, në shtëpinë e qinosarit Karafil Mahmut Bilaj. Dreka shkoi për mrekulli; me të ngrëna e me të pira dhe me gaz e me hare. Siç rrëfen vetë Dilaveri: "Ishte mesditë e ishja i pangrënë. Nga të pangrënët, më kishte rënë të fikët (vilania).

Me vështirësi u zvarrita, derisa u shtriva mbi një shkurre prej xine. Moti ishte i vrenjtur, por shi nuk binte.

Në atë sinor, nuk kishte ndonjë tufë tjetër bagëtish, në kullotë. Haurët e Abedin Kahremanit, ku Rako Meshini, nga Malëshova, strehonte dhitë, ishin me shpinë nga kullota ku kishja hapur dhentë. Argjiri dhe Tila, të cilët kujdeseshin për stanin dhe bënin manipulimin e bulmetit, ishin të moshuar e nuk dëgjonin nga veshët. Kësisoj, rënkimet e mia nuk dëgjoheshin prej tyre. Tufa e dhive, të cilën e menaxhonin Hodua dhe Tashua, kushedi se ku ishte në kullotë; larg meje, natyrisht. Asnjeri nuk më ndihmonte dot e nuk më vështronte.

Babai, aty nga mesi i gostisë, mbasi kishte ngrënë e kishte pirë, u kujtua për mua që më kishte lënë me bagëti, të pangrënë. U ngrit nga sufraja; u rrëfeu shkurt miqve, përse po largohej nga gostia, mbathi opingat e doli. I zoti i shtëpisë, xha Karafili i gjatë e me gurmaz të theksuar, e përcolli deri tek shtegu, sipas traditës e i la tym e mbeçen (lamtumirën). E shoqja, marheme (pa fëmijë) e cila nuk e konceptonte urinë e një fëmije në mes të pyllit, nuk i dha Xhevitit, kur doli nga kasollja e saj as një copë kulac apo çyrek me gjalpë e një thelë mish, për të voglin e uritur që kishte lënë në Fierin e Metes. Ajo nuk kishte lindur e nuk kishte rritur fëmijë, që të njihte dhembshurinë për fëmijën."

E kërkoi Xheviti, Dilaverin nëpër shkurre dhe i thirri fort, por Ai nuk mund të përgjigjej. E gjeti djalin përmbys, mbi një xine, në gjendje të fiketi, për të ngrënë. Babai, disi i ngrohur nga rakia, kur e pa të birin, e pyeti: "Nuk ke ngrënë?" – dhe u përgjigj, po vetë: "Kam ngrënë unë edhe për Ty...!" Aty pranë nuk kishte njeri kujt t’i drejtohej për ndihmë. Çobani plak, i regjur në punët e çobanërisë, e zgjidhi çështjen në një mënyrë origjinale. Ai hoqi opingën që mbante në këmbë, e fshiu me dorë e tha: "Opinga qenka e pastër!"

Dhe kapi një dele me qumësht. Dora i kapi delen më qumështore. E moli atë në opingë dhe ia dha djalit ta pinte, ashtu siç doli qumështi, nga gjiret e deles, me temperaturën e trupit të saj. E piu qumështin e ngrohtë të deles, Dilaveri, u përmend hap pas hapi dhe nuk i ngjau asgjë e keqe.

Kjo ishte ndoshta "aventura" e parë e vëllait tim, por jo e fundit. Ai grumbulloi një përvojë me vlerë dhe u kalit, nëpërmjet aventurave të tij; tok me to.

Kur u rrit sa të bënte jetë autonome e të gdhihej natën, jashtë, në fushë të Kalivaçit, së bashku me 10 - 12 bashkëmoshatarë të tij, të cilët ishin si Ai, të shkathët e guximtarë, e gdhinin natën në fushë, zakonisht në arat me emrin Fengje dhe në Muratova, duke kullotur kuajt dhe gomerët e familjeve të tyre. Në shoqërinë e preferuar të tyre, ata këndonin labçe vënçe. Nëpërmjet këngëve përzgjidheshin zërat më të mirë të cilët akordoheshin me njëri-tjetrin dhe kënga e tyre vinte "gjym". Në shoqërinë e tyre rinore, afrohej dhe rojtari i fushës, Safet Ahmet Caushaj, i cili ishte me moshë rreth të shtatëdhjetave e nuk i shkonte të "qethej me shelegë"! Megjithatë kënga dhe lojërat e djemve e mbanin plakun Safet Ahmeti, me gajret (i jepnin kurajo); Ai e kalonte natën, për bukuri dhe në shoqëri të zgjedhur. Nëse i moshuari përftonte gjumin e rehatshëm nën atmosferën e gëzuar të këngëve labçe, djemtë adoleshentë, synonin ta vinin në gjumë rojën e fushës për të nisur "aksionin" e bastisjes së pemëve frutore të fushës së Kalivaçit.

Një natë, qetësia dhe riti i përnatshëm i djemve çapkënë u prishën. Një njoftim i trishtë përfshiu grupin e djemve dhe shqetësoi këta rishtarë të papërvojë. Dikush i njoftoi djemtë se atë natë, nuk kishte vajtur në shtëpi bashkëfshatari i tyre - Daut Mahmut Pashaj, i cili nuk ishte në moshën e tyre, por dukshëm më i rritur. Kishte rënë nata. Në errësirën e natës (hëna akoma nuk kishte dalë) orientimi vizual ishte më i vështirë. Djemtë, në grup nisën të kërkonin të humburin.

Merakun më të madh ata e kishin se mos kish ngjarë ndonjë fatkeqësi që lidhej me lumin. Prandaj, ata ndoqën udhën e verbër që kalonte përfund arave të Jorgave e më pas të Gurjeve.

Kur zbritën tek Burimi Zborak, udha ishte tërë gurë lumi, të cilët rrëshqitnin nën këmbët e djemve. Pas kalimit të Burimit Zborak, përpara djemve, befasisht u shfaq një gjë e zezë. Djemtë ishin fort të rinj e të paargasur (regjur) me përvojën e jetës. Ata, u afruan për të parë atë gjënë e zezë, ca nga kureshtja e më tepër nga ndjenja e përgjegjësisë që ndjenin për të "krehur" gjithë anën e lumit. U afruan në grup, me hap të lehtë e të shkurtër. Mungesa e përvojës në kësi rastesh, nxiti një lloj hezitimi e frike tek djemtë.

Dikush prej tyre ndezi një mjet ndriçues (ndoshta një elektrik dore) për të parë më mirë. Nata ishte e errët, e freskët, e në të gdhirë.

Kur u afruan, me hap të lehtë, si të hajdutit, djemtë vunë re se ajo gjëja e zezë, ishte një i vdekur. Të tmerruar, ata e mbajtën vrapin në Fengje, andej nga kishin ardhur. Kënga nuk u dëgjua më. Grupi i adoleshentëve njoftoi një njeri nga mëhalla e Hysodosajve, banor i së cilës ishte Dauti, tashmë i ndjerë.

Mbasi pushuan këngën e "mblodhën veten", duke përftuar dhe nga rrethanat që u krijuan, djemtë nisën "aksionin" për grabitjen e dardhëve ceperke (lloj dardhe që piqet pas simotrave), në Fengje, në afërsi të ballonit të rrëzuar të Italise, të cilin e kishin masakruar fshatarët, për të marrë aluminin për kuti duhani dhe skeletin e krahëve, për hunj gardhi. Dardhë të këtij varieteti kishte me shumicë dhe në pemët e këtij lloji në ledhet e arave.

Të nesërmen, kur zbardhi dita e kur njerëzit nisën të qarkullonin për të vajtur në punët e tyre, djemtë mësuan se ajo gjëja e errët e cila rezultoi të ishte njeri që kishte ndërruar jetë, ishte pikërisht kufoma e të ndjerit Daut Mahmut Pashaj, të cilin ata dhe të tijtë kërkonin. Dauti, duke punuar i vetëm, në të errur, për të prerë një shul hipie, mbi një rrap masiv anës udhës së verbër, për të marrë ditën e punës në kooperativë, kishte rrëshqitur nga trungu i rrapit e kishte rënë, me kokë, mbi një shkëmb, në anë të udhës.

Peripecitë e formimit të bariut të parritur dhe aventurat e tij të para

Dilaveri, duke qëndruar pranë Xhaxhakos, kryesisht në stan, në natyrë të hapët e larg mëhallës, u formua, dita-ditës me tipare të një njeriu i cili nuk e njihte, por e sfidonte frikën. Ai e kishte aleate natën, pyllin, errësirën, motin e keq dhe erën e freskët të grykave e të Zezanit. Ai nuk kishte frikë nga egërsirat e pyllit, as nga qentë e egër të staneve, nuk trembej nga zvarranikët dhe nuk pyeste fare, se fusha e Kalivaçit – kooperativë bujqësore, ruhej nga bekshinj (roja fushe) të cilët ishin vigjilentë, të kudondodhur e besnikë të kryesisë. Episode interesante zunë vend në jetën e tij baritore, të cilat janë të mbushura me aventura që burojnë nga detyrimi për t’u bërë ballë halleve të familjes së tij, ndaj të cilave Dilaveri i parritur e i papjekur ndjente përgjegjësi. Çobani i dhenve, dihet, që rron me prodhimet e tufës që ka përpara. Ai ishte i detyruar të kryente, kur e lypte nevoja, rolin e tregtarit të mirëfilltë të kafshëve që kish në tufë.

I detyruar të tregtonte disa krerë dhen, me apo pa shtjerra, Dilaveri, në shoqërinë e djemve e burrave me përvojë nga fshati i tij. Në pranverë, Ai shkëpuste nga tufa disa krerë, të skartuara me kujdes e me kompetencë nga esnafi Xhevit Malko dhe merrte udhën e Fierit, e cila kalonte nga Çorrushi - Kuta - Drizari... Dhe përfundonte në Fier. Xhaxhakua si rregull, veçonte nga tufa, ato dhen, të cilat kishin dalë nga dimri të ligura, e që nuk ishin me prodhimtari të mirë, ose, kur donte t’i mbante dhentë në tufë, të një dashi, bënte seleksionim të imponuar, por, gjithsesi me dhimbje. Në çdo rast, shitja e dhenve determinohej nga nevojat e familjes për bukë. Udhëtimi nga Kalivaçi në Fier, me bagëti të imëta përpara vazhdonte rreth dy ditë (netë).

Kalivaçasit që shkonin në pazarin e Fierit për të shitur bagëti, zakonisht niseshin nga fshati që në mëngjes, herët, në grupe, kalonin natën tek Lisi i Banit dhe ditën e diel, kur çelej pazari, herët në mëngjes, zbritnin në Fier. Rruga dhe situatat e kërkonin që karvanët me bagëti të imëta të shoqëroheshin nga roja të armatosur, të paguar nga pjesëtarët në karvan, por, një gjë të tillë, nuk e premtonte gjendja ekonomike e blegtorëve, të cilët ishin të pabukë.

Sherifi i Mahmut Muharremit, nga Pashajt, nuk bënte vaki të mungonte ndonjëherë në karvanin e kalivaçasve që shkonin në Fier, për të shitur bagëti të imëta. Edhe kur nuk e kishte të domosdoshme të vinte dorë në dhentë e tufës së dhenve që menaxhonte babai i tij, për arsye se familja e tyre ishte nga ato familje të fshatit që bënte pjesë në aradhën e të kamurve, e gjente një shkak për t’u bashkuar me kalivaçasit që shkonin në pazarin e fierit, qoftë dhe për hir të shoqërisë së ngushtë që kish me Dilaverin, si dy djem azganë, të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin, për hir të karakterit të ngjashëm të tyre. Herë pas here, karvanit i bashkoheshin: Sadiku i Memes; Nelua i Resmiut; Hydajeti i Muharrem Kamberit etj. Të cilët ishin, gjithashtu të thekur për tregti kafshësh. Armët e kalivaçasve ishin të thjeshta: Ndonjë thikë në brez, me mill druri apo me këllëf lëkure, e mprehur mirë, dhe trimëria kalivaçase.

Në një rast, në fshatin Drizar të rrethit të Fierit, karvanit të kalivaçasve që shkonin në Fier për të bërë pazar iu bashkuan disa fshatarë të këtij fshati, të cilët, si kalivaçasit ishin hallexhinj e do të shitnin dhen për të blerë bereqet. Meqenëse trimëria kalivaçase dominonte trevën dhe djemve nga Kalivaçi i Tepelenës nuk ua hante qeni shkopin, hallexhinjtë nga Drizari iu bashkuan karvanit të kalivaçasve për t’i pasur si mburojë. Bagëtitë u bashkuan e u integruan me njëra-tjetrën, në atë udhëtim të vështirë. Dhentë e Xhevit Malkos, të cilat i kishte vënë përpara Dilaveri, shquheshin në kopenë e dhenve që u formua edhe pas bashkimit me të drizarët. Ato ishin më të mëdha në trup (si mushka); ishin të parjepura nga dimërimi, leshi i tyre shkëlqente dhe bagëtitë ishin më vitale e nga racë prodhimtare; si për qengja dhe për qumësht. Sa për ta ditur, në pazarin e Fierit, një çift delesh shterpa, shitej 500 lekë kurse një çift delesh me gjithë shtjerra, kushtonte 1000 lekë.

Kalivaças e të drizarë, së bashku udhëtuan gjithë atë ditë dhe, në mbrëmje, kur ra nata u mblodhën tek Lisi i Banit, për të përcjellë natën. Para se të veçonin bagëtitë, Dilaveri, shkëputi një dele nga të drizarët dhe e bashkoi bravaren e huaj, me dhentë e tij. Ai kishte vënë përpara rreth 15 krerë dhen, të cilave iu bashkua dhe bravarja e huaj. U grumbulluan tek ca hipi, në vendin e quajtur Lisi i Banit. Para se të binte nata, Sherifi e pyeti Dilaverin, të cilit ia dinte tabiatin dhe ia njihte aftësitë: "E orë, e more një, më duket?" "Po, – u përgjigj Dilua, – e mora..." "Paske qenë fanua", – shtoi Sherifi i Mahmut Muharremit, i cili nuk të falte në kësi rastesh.

Delja e të drizarëve e shkëputur nga tufa, pavarësisht se u mor nga një njeri, konsiderohej pronë e përbashkët e të gjithë karvanarëve nga Kalivaçi. Si e tillë, ajo duhej ndarë, në mënyrë të barabartë dhe si mënyra më e pranueshme u pranua të therej e të piqej që të ndahej me copë. Zjarri që u ndez për t’u ngrohur në atë natë të freskët u shfrytëzua dhe për të zier, (jo për të pjekur delen e huaj mbasi nga pjekja do të binte erë mishi i pjekur). Zjarri në të cilin do të zihej gjysma e deles u ndez në drejtim të Azotikut, me qëllim që të mos binte në sytë e të zotit të deles. Gjysmën e deles, atë pjesë që nuk e zien, yzmetçinjtë ua ndanë bashkëfshatarëve të tjerë; në mënyrë të barabartë.

Në pazarin e bagëtive të Fierit, dhentë e Dilaverit u pëlqyen nga blerësit dhe u shitën brenda pak minutave. Me paratë e dhenve të shitura, Dilaveri bleu 20 kg misër. Ishte koha kur misri, si ushqimi bazë i bashkëfshatarëve tanë, nuk gjendej aq lehtë. Në shtëpinë e të vobektit Xhevit Malko, nuk kishte asnjë breze miell, në harar (hambarë nuk kish). Nuk ndodhej as një dorë miell sa për të zier një tigan me qull, sa të zinin frymën banorët e asaj shtëpie. Dilaveri e siguroi misrin, ra në pazar me shitësin dhe e bleu drithin, por lindi një problem i paparashikuar: Djaloshi i Binajve, nuk kishte thes, ku ta fuste misrin e blerë.

Shitësi i misrit, ofroi dhe një thes prej një lloj pëlhure të gomuar; pra e shiti bereqetin, me gjithë thes. Thesi, në fakt kushtonte sa gjysma e drithit; kështu që Dilaverit iu shtua përftimi. Për të shtuar sigurinë, nga droja se mos misri kokërr derdhej gjatë transportit, Sherifi i Pashajve, si njeri praktik e me përvojë, e lidhi grykën e thesit me xane të përdredhur, e cila nuk "lëshon" e nuk këputet lehtë.

Pas sigurimit të misrit, nis një odise tjetër, mjaft e vështirë, për ta shpurë misrin në Kalivaç, të bluar në mulli, në mënyrë që njerëzit, të cilët pritnin gojëhapët shpëtimin nga uria, të kishin mundësi të futnin diçka në bark menjëherë pas mbërritjes në shtëpi të djalit shpëtimtar - Dilaverit.

Sherifi i Pashajve, edhe pas procesit të shitjes së dhenve dhe blerjes së misrit, nuk iu nda Dilaverit për asnjë çast, por e ndoqi atë, hap pas hapi derisa mbërritën në Kalivaç. Kësisoj, Sherifi, si shok i besës i Dilaverit, mori pjesë aktive në proceset e mëtejshme të realizimit të këtij "aksioni" jetësor. Të dy djemtë kalivaças, me bereqet në krahë, dolën tek Ura e Mbrostarit, në Fier, me shpresë se mbase gjenin ndonjë kamion që të shkonte për në Krahës e më tej, por qe e pamundur. Atëherë, me autobusin urban që shkonte në Patos, me vështirësi, dolën tek Parku Automobilistik i Patosit, ku hipën në një kamion që transportonte qymyr guri, nga Memaliajt. Ta shpinin drithin kokërr në shtëpi nuk ishte e udhës. Familjarët e Dilos pritnin miellin shpëtimtar, me të cilin do të bënin qull e do të "zinin" mullën (stomakun).

Ata, të dy (Sherifi dhe Dilaveri) zbritën në Qafën e Kashrit, mbi Ballesh ku ishte një mulli bloje. Mbasi bloi misrin e tyre, mullisi u kërkoi djemve nga Kalivaçi, siç bënte me të gjithë klientët e tij - ujemin (për ata që nuk e dinë, ujemi është taksë në natyrë) d.m.th., për një sasi mielli të bluar, mullisi merrte një përqindje, në miell. Dilaveri, në çastin kur mullisi u kërkoi 2 klientëve të panjohur ujemin iu drejtua atij me fjalët: "Duhet të na japësh ti ujem, e jo ne, ty, se të kemi ardhur nga anë e anës!"

Ndërkohë, Sherifi, si më i rritur që ish, i shkeli syrin mullisit duke i bërë të ditur të ishte i kujdesshëm me këta klientë të rrallë. E kuptoi "sinjalin" mullisi i gjorë dhe pyeti: "Nga u kemi, more djem?" Në një zë, të dy djemtë u përgjigjën: "Nga Tepelena jemi; andej kemi ardhur për të bluar tek ju!" "Bo-bo!", – u shpreh mullisi. Kaq tha e nuk e hapi më gojën. E kaluan dhe këtë "shkallë", dy kalivaçasit e shkathët dhe, me një makinë qymyri, mes mbeturinave të mineralit, mbërritën në Krahës (qendër).

Sherifi, si më çapkëni, me shpejtësi komunikoi me Nebi Hasan Beqiraj, i cili, në atë kohë, punonte në postëtelegrafin e zonës dhe i mundësoi Sherifit të komunikonte me Kalivaçin. Ai njoftoi Zonjën e Madhe të Binajve, e cila ishte teze e tij, të bënte gati ujin e valuar për të zier qullin se mielli kishte mbërritur në Krahës. Banush Xhezua, i cili ishte mik (gërshërë) i familjes së Xhevit Malkos, mbasi kishte qethur dy fëmijë të kësaj familjeje: Lumturinë dhe Niazine, kur i takoi dy djemtë "levene" tek guri i kalorësit dhe i pa të ngarkuar, me miell në krah, nuk i kurseu lëvdatat. Burri i mençur e bujar – Banush Xhezo Haderaj, kur pa thesin me miell në krah dhe e dinte rrjedhën e ngjarjeve u shpreh, pa mëdyshje: "Hallall e paç mor bir, ti je djalë që bën petë e të nxjerr në selamet...!"

Një natë, Zonja e Madhe e Binajve, bëri gati 10 - 15 kg misër, në një thes të pëlhurtë. Shtëpia kish nevojë për miell; në mulli duhet të shkonte Dilaveri. Ajo e pyeti të birin: "Kur do të nisesh, bir-o?" Ndoshta Ajo grua Zonjë nuk e priste këtë përgjigje, nga djali i saj. Dilaveri u përgjigj: "E di unë se kur do të nisem!" Dilaveri, e kishte bërë si rregull të ngrihej në mesnatë, në kohën kur Xheviti dhe Zonja ishin në gjumë e nuk e ndienin dhe nisej për udhë.

Vetëm kur nisnin të lehurat e qenve të mëhallës dhe Nëna e Tij, si grua e ndjeshme e me dinjitet kuptonte se djali i saj ishte larguar nga shtëpia vetëm sa thosh: "Bo-bo; paska ikur zogu i natës!"

Bashkëfshatari Barjam Rushan Muharremaj, i cili kujdesej për mekamin e Baba Dero Fushës banonte pranë Ledhit të Qishës, i vetmuar nga kalivaçasit e tjerë. Ai mbante pranë shtëpisë, një qen të egër stani, mjaft të fortë, në ruajtje të shtëpisë dhe katandisë së tij dhe të mekamit pranë. Para se të nisej për në ndonjë "inkursion", natën dhe do të kalonte andej, Dilaveri e paralajmëronte xha Barjamin që ta mbante të lidhur atë natë qenin, përndryshe Ai do ta vriste atë. Xha Barjami, edhe kësaj here, mbasi mori njoftimin paralajmërues prej Dilaverit, atë natë nuk e lëshoi fare qenin e tij të egër, nga zinxhiri.

Pa zbardhur dita, në mugullirë Dilaver Xheviti trokiti në derën prej dhoge të trashë të Mullirit të Kashtës, në Fushën e Çorrushit, i cili quhej dhe Mulliri i Shehut, për arsye se ky mulli, më parë kishte qenë në pronësi të Sheh Ismailit, Babait të Mehmet Shehut, dhe sipas traditës vendase, i kish mbetur emri: Mulliri i Shehut e menaxhohej nga familja me të njëjtin emër. Mullisi, një fshatar i rëndomtë por zanatçi i mirë, nga Çorrushi, kishte mbyllur derën e mullirit me reze nga brenda dhe bënte gjumin e mëngjesit. Flinin dhe fshatarët e Çorrushit e të Kutës dhe të tjerë që kishin zënë radhë për të bluar drithë. Pa u hapur akoma dera, Dilaveri, me zë të lartë bërtiste: "A e ke ngritur çarkun e mullirit, o mullixhi?" Ata që kishin zënë radhën, në formë proteste, mbasi u zgjuan nga gjumi bërtitën, në përgjigje të thirrjes së të panjohurit: "E kemi ne radhën, e kemi gdhirë natën këtu, tek dera e mullirit dhe jemi plevitosur". Po ku pyeste Dilaveri për protestën e tyre.

Ai ishte djalë në vaktit; i fuqishëm e trim me fletë. Sapo hapi derën mullisi, myshteriu kalivaças hodhi në pikën e sipërme të "koshit" misrin që solli nga shtëpia dhe nuk mori 15 kg, sa hodhi, por 20 kg misër. Ai u kërkoi bukë fshatarëve që pritnin radhën për të bluar, por ata i thanë se në torbat e tyre, nuk kishte më bukë. Atëherë Dilaveri zbuloi vatrën dhe mori cerep (bukë që piqet në vatër dhe është mjaft e shijshme). Ujem, mullisi nuk i mori djalit nga Kalivaçi, se ia kishte dëgjuar famën, veç iu lut: "Aman, ik!"

Në të zbardhur të ditës, Dilaveri, me thesin me miell në krah, mbërriti në shtëpi, në Ahmetaj. Xhevit Malkua ishte mësuar që, para se të nxirrte dhentë nga kasollja, hante qull, nga mielli që i sillte i biri.

Tufa e dhenve të Xhevit Malkos, me Dilaverin çoban të dytë, ditën e përcillte në kullotën e Zezanit kurse në mbrëmje mblidhej në vathën që kishin ngritur dy çobanët, në arën e Lahes së Murat Jahos, pak nën rrapin e lashtë. Rrëzë rrapit ndodhej një burim uji, interesant. Prej tij, mundet të furnizohej me ujë të pijshëm, vetë Çezma e Thatë, disa dhjetëra metra më poshtë. Në atë çezmë, e cila e meritonte emrin: "Çezma e Thatë", për arsye se prej rrëkeve të saj rridhnin më tepër gafore e bretkosa, se sa ujë për të njomur buzët e thara të rrugëtarëve, nga udha e gjatë dhe nga vapa. Është fjala për ata që vinin nga udhë e largët, për kalimtarët që mund të vinin nga rruga e gjatë e Bylysit, e cila gjarpëronte për në Jug të vendit.

Në atë stan menaxhoheshin shumë dhen. Aty pranë ishte shtëpia dhe stani i kushëririt të Xhevitit nga Nëna - Jaçe Sadik Azizaj. Stani ku mbante bagëtitë Dajo Jaçja, njëri nga njerëzit më të dashur e më të respektuar të Xhevitit, nuk i kishte kapacitetet për t’u mbështetur pas tij, edhe dhentë e tufës që menaxhonte Xheviti. Në trojet e të parëve të tij, Jaçja kishte ngritur dy kasolle (aktualisht janë dy shtëpi përdhesë), në të cilat, Ai banonte së bashku me Dekon dhe me fëmijët. Dajo Jaçja mbante në stan qen mjaft të fortë e të egër, të cilët, së bashku me qenin e Xhaxhakos, të cilit i thërritnin - Buzo; e bënin zap, atë kufi mes dy fshatrave gjitone - Çorrushit dhe Kalivaçit. Qentë e Jaçe Sadikut, i njihnin e nuk u mbanin qëndrim agresiv si Xhevitit dhe ndaj të birit - Dilaverit.

Një natë, kur ishte thyer nata (në gjysmën e dytë të saj), nga gjumi i thellë që e kish pllakosur, Dilaverin e zgjoi një britmë e fortë, në formën e një ulërime dhe ankese brenda saj të cilën, jashtë natyrës së tij, Xhaxhakua e lëshoi nga dhimbja e fortë që e kishte kapluar. Dilaveri e kuptoi se britma e Babait nuk ishte një sokëllitje e zakonshme për të ndersyer Buzon kundra egërsirave që silleshin rreth e qark stanit, por mund të ishte diçka tjetër, më serioze. Dhe vërtet, kështu ishte; Xhevit Malkua kishte ndjerë dhimbje shumë të fortë, gati të padurueshme të këmbës, të cilën thuajse nuk e ndjente dhe kërkonte ndihmë për t’u çliruar prej saj.

Kur dëgjoi britmën e pazakontë të Babait, Dilaveri adoleshent u trondit shumë dhe menjëherë, ashtu, i tromaksur siç ish, e pyeti të Atin: "Xhaxhako, çfarë ke?" "Jam i sëmurë, – gjegji tjetri, – kam dhimbje të padurueshme të këmbës." Dilaveri, vërtet që po kalitej për t’u bërë çoban dhensh esnaf, por, në moshë ishte i ri e nuk kishte ndonjë përvojë kushedi se çfarë në këto punë. Ca më tepër Ai nuk dewshiront4e e nuk ishte i aftë të monitoronte Babanë, të cilin e donte shumë e nuk dëshironte ta shikonte të vuante. Dilaverit i vinte inat me veten që nuk mund ta ndihmonte Babanë. Atij i vinte shumë keq për Babanë që vuante, por mendonte dhe për stanin me bagëti, i cili, në fund të fundit është i dhimbsur si shpirti.

Megjithatë, Dilaveri nuk qëndroi duarkryq, por veproi, menjëherë, siç ia priti mendja. Ai e afroi Babanë më tepër pranë zjarrit, të cilin e çeli, me shkarpat që ishin pranë tij dhe duke përzier urat e zjarrit, e ktheu të Atin, në mënyrë që të ngrohej këmba që dhimbte dhe e fërkoi atë, me duar, mbasi i përveshi pantallonat e leshta, kilota që kishte veshur Babai. Nga fërkimi dhe ngrohtësia, dhimbjet e Xhaxhakos sikur e ulën intensitetin. Atëherë, Dilaveri e hodhi Babanë në kurriz, i thirri Jaçe Sadikut për ndihmë dhe, në atë tatëpjetë të theksuar, djali adoleshent, me babanë në krahë, mbërriti jo pa vështirësi deri tek kasollet e Dajo Jaçes, i cili, gjithashtu i tronditur, ngriti të gjithë pjesëtarët e familjes dhe ndezi zjarrin në vatër.

Së bashku me të mirën Deko (bashkëshorten e tij të dhimbsur) e fërkuan këmbën e Xhevitit e ia lehtësuan dhimbjet. Ndërkohë, sapo zbardhi dita e re, njëri nga djemtë e Jaçe Sadikut njoftoi Nelo Resmine, i cili, gjithashtu kishte shumë respekt dhe e donte mjaft Xhaxhakon. Nelua, mori gomarin dhe menjëherë u nis për tek Çezma e Thatë. Sapo mbërriti në shtëpinë e Dajo Jaçes, Nelua, "ngarkoi" Xhaxhakon mbi gomar dhe e shpuri në shtëpinë e tij, në Ahmetaj. Ai (Nelua) nxitoi të njoftonte Ali Shehun i cili gëzonte statusin dhe ushtronte kompetencat e mjekut të zonës, i cili ishte njeri me përvojë të gjatë në fushën e mjekësisë dhe mik i familjes sonë. Aliu nga Levani, njeri i papërtuar, u gjend në kohën më të shkurtër në shtëpinë e Xhevitit dhe mbasi e këqyri të sëmurin, deklaroi me përgjegjësi se Xheviti kishte një reumatizëm të lashtë, i cili kishte dhënë goditje të fortë dhe akute.

Mbasi i dha një sulfato (kështu u thonin aso kohe fshatarët, tabletave me përbërje kinine), e cila, në nivelin e asaj kohe përdorej për çdo diagnozë. Edhe sot e kësaj dite, kur mjekësia jonë nuk është në ato nivele, reumatizma zor se shërohet.

Aventura në Drizën e Damësit; stani tek "Rrapi i Dervenit"

Në korrik të vitit 1959, mbasi kisha përfunduar Shkollën e Mesme Bujqësore "Irakli Terova", në Korçë, me diplomë "shkëlqyeshëm", nëpërmjet një peripecie rrugëtimi të vështirë, nga Korça në Elbasan; Rrogozhine; Vlorë, Sevaster, Mazhar, Lundër, së bashku me Astritin, djalin e madh të Velidese dhe Qani Shabanit, nga Krahësi, mbërrita në Kalivaç. Sapo u njoftua ardhja ime në fshat një atmosferë gëzimi kaploi njerëzit e familjes, të fisit e më gjerë. Isha agronomi i parë i fshatit tashmë kooperativist dhe shumëkush shpresonte se ardhja ime mund të sillte ndonjë ndryshim në bujqësinë e mjeruar të fshatit tonë.

Sapo hyra në avlli atë buzëmbrëmje, pashë tek dera e kasolles, Nënën time, Zonjën e Madhe të Binajve, e cila sapo ishte kthyer nga Burimi i Madh, me një kazan 10-litërsh me ujë të ftohtë. Ajo, sapo më pa, fshiu sytë, se nuk i besohej; m’u lëshua, më përqafoi e nuk më lëshonte. Puthjet e saj ishin si bresheri automatiku. E gjora Nënë, e malluar sa s’ka, gëzonte por fjalët nuk i nxirrte dot nga goja; veç pëshpërinte: "Nga na u hapën këto udhë, mor bir?" Me sy kërkoja Babanë, i cili, në atë vakt sillte dhentë nga kullota; kërkoja dhe vëllanë e vetëm, i cili ishte adoleshent i shkathët e shumë i zgjuar. Ishim rritur me frymën e njëri-tjetrit dhe në mjerim.

E doja shumë. Nëna, e kuptoi orvajtjen time e më tha: "Kot kërkon, ata kanë shtegtuar me gjithë dhen, me qenin Buzo dhe me gomarin kërroç dhe kanë ngritur stanin në Drize të Damesit, së bashku me Nasip Hysen Alidervishaj të cilin xheviti e kishte djalë të kushërirës Sado dhe e donte shumë, nisur nga vlerat e qenësishme që shpaloste Nasipi." Gjithë ai entuziazëm e ajo pritshmëri imja, me marrjen e këtij njoftimi, aspak të këndshëm për mua, sikur u fashitën. Zymtësia më pushtoi shpirtin dhe shmallja me Nënën nuk e sfumoi dot mallin që më digjte për babanë dhe për vëllanë e vetëm.

Atë natë, u shtriva përbri Nënës, në kasollen që ngriti Bacua i Beshir Haxhiut, por gjumi nuk më mori. Më mungonin e nuk dëgjoja blegërimat e dhenve, të Babait, të lehurat e qenit Buzo, erën e bajgave të dhenve, trokitjet e thundrave të gomarit dhe, ca më shumë nuk ndjeja erën e Babait e të vëllait. Mezi prita të gdhinte dita e re e të nisesha, sa më parë për të rrugëtuar drejt Drizes së Damesit. Bëra gati 4 orë udhë në këmbë, me drojën se mos në udhën e ngushtë të rrethuar nga ferrat e plot me gjemba të bardhë, mund të më dilte ndonjë zvarranik (gjarpër) ose mos ndeshja ndonjë qen të egër. Të dy keqbërësit i kisha frikë. Në dorë mbaja një shkop, si Xhaxhakua dhe në krah një torbë ku Nëna e përgjeruar më kishte nisur me vete një copë misernike dhe pak gjizë.

Njihja qytetin e Memaliajt, ku kisha punuar dikur, për të ngritur pallatet me tre e me katër kate. Dija që Rrapi i Dervenit ndodhej në anën Lindore të Lumit, që kalon në fshatin tim; buzë tij, dhe se atje kishte burime e rrepe të shumtë.

Sipas udhëzimeve që më dhanë gjitonët, shumë pranë Rrapit të Dervenit ndodhej Driza e Damesit. Vazhdova udhën e verbër anës lumit dhe, mbasdite, kur dhentë ishin në kullotë mbërrita në stan.

Më kujtohet, si sot, çasti kur pashë: në një degë të goricës ishte varur një shakull (lëkurë deleje) e cila kullonte një lëng që ngjiste. Doja të provoja, nga afër lëngun e trashë që kullonte nga ajo lëkurë e fryrë, por qeni Buzo, i cili ishte i lidhur përfund goricës nuk më lejoi të afrohesha. Ndërkohë dëgjova tringëllimën e këmborëve; cokaleve dhe trokeve të dhenve që menaxhonte Xheviti. Asnjë shenjë njeriu, veç një krisme sëpate, që gëlonte në faqe të kodrës me driza të degraduara. Ishte Xheviti, i cili, kur dhentë e tij shtroheshin e hanin bar, gjente kohë për të prerë dru, për të nesërmen. Dilaveri, me gomarin të ngarkuar me dru, kishte vajtur në qytetin e Memaliajt, për të tregtuar barrën e druve.

Ai verim i bagëtive të leshta në Drizen e Damesit ku hijet e rrepeve, tek Rrapi i Dervenit, pranë ujit të bollshëm të lumit që kalon pranë dhe burimeve me ujë të pijshëm ishte i disaqëllimshëm. Xheviti, si çoban esnaf, kishte nostalgji për ato brigje e për ato kullota, ku, në vitet e Luftës së Parë Botërore, kishte qenë me bagëtitë e të kamurve Muharrem dhe Beshir Haxhiu nga Kalivaçi, me stane pranë e pranë me çobanët e fisnikut Selam Musa Salaria. Siç rrëfente Xhaxhakua, Selam Musa Salaria vinte herë pas here në atë vend, për të parë mbarështimin e dhenve të tij. Përveç kësaj, çobani esnaf i dhenve, e shfrytëzonte këtë dalje, për të bërë një lloj tregtie.

Kur dhentë ishin në kullotë, Xhaxhakua, me një sëpatë të vogël në dorë të mprehur si halë peshku, bënte dru. Në atë faqe kodre, drizat ishin të larta, si pyll dhe disa syresh, të degraduara nga koha. Nuk kishin parë sëpatë ato shkurre, të cilat ishin rritur shumë dhe trungu i tyre ishte i trashë, po aq sa dhe kopaçet e shkurreve prej koçimareje të Kalivaçit. Kullota kishte dhe drurë të tjerë si lis, shkozë, goricë e egër etj., të cilët, të prerë kopaçe, dhe gjysmë të thatë, mund të shërbenin, për bukuri si dru zjarri. I punoi mendja çobanit mentar dhe për të mbushur kohën bosh, afërsinë e qytetit Memaliaj dhe nevojat e banorëve të tij për dru zjarri, preu e shkurtoi shumë barrë me dru zjarri. Dilaveri adoleshent (rreth 13 vjeç), me gomarin kërroç (trupvogël), të cilit, jashtë syve të Babait i hipte mbi barrën e druve; kalonte në Lundër, tek rrepet dhe u shiste grave të banesave dru zjarri.

Disa gra minatorësh, e paguanin me lekë në dorë; të tjera, duke e parë të vogël Dilon, i thonin: "Ik, biro dhe hajde t’i marrësh paratë kur të paguhen burrat tanë minatorë." Ato shpresonin se djali i parritur do të harronte ose do të ngatërronte derën e borxhlinjve dhe borxhi nuk do të shlyhej kurrë.

Mirëpo Dilaveri ishte i zgjuar e i rrahur, me vaj e me uthull, e ato gra pa shkollë, nuk ia hidhnin dot.

Më të lehtë e kishte im vëlla, kur u shiste dru grave të këshilltarëve sovjetikë, të cilat kërkonin kondure lisi dhe paguanin, kesh. Atyre zonjave u vinte keq tek vështronin të parriturin Dilo që rropatej me një barrë dru dhe përveç parave që i jepnin, i ofronin dhe një copë bukë të lyer me gjalpë e me mjaltë dhe i thonin: "Druzja, mi, druzja" dhe qeshnin. Në Memaliaj, Dilaveri mësoi të blinte e të hante akullore. Këtë nuk ia rrëfente Babait, i sigurt se Ai nuk e lejonte të prishte paratë.

Para se të largoheshin nga Driza e Damesit, çobanët zeruan llogaritë. Xheviti kishte grumbulluar paratë e qumështit të cilin e shiste tek baxhua pranë dhe paratë që fitonte nga shitja e druve. Për të "qëruar" llogaritë me gratë grabitqare të qytetit të Memaliajt, një ditë, aty nga fundi i verimit, Xheviti, së bashku me Dilaverin shkuan në familjet borxhlie. Disa familje, Dilaveri nuk i kujtonte mirë dhe kur e pyeste Babai, ku i ke dhënë drutë veresie? Ai i përgjigjej: "Tek ajo shtëpia që ka farashane, përpara." Ishte fjala për banesat që kishin të varura në shtyllën pranë, koshin e plehrave, i cili ngjante me farashanen e lugëve, në shtëpitë e fshatit tonë.

Duke shfrytëzuar qëndrimin në stan një natë ishja afër Tepelenës, të nesërmen, vajta në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, për të hedhur një urë lidhjeje, e për të marrë emërimin në punë. Në stan, afër goricës në të cilën ishte i varur shakulli me urrel hëngra bukë të bërë në prush dhe urrel, të cilën çobani plak e bënte me qumështin e deles kur ai ishte i pakët e i trashë. Këtë qumësht, Babai mbas mjeljes dhe vakjes, e hidhte në kacup, i shtonte kripë gjelle dhe e linte të kullonte. Lëkura nxirrte jashtë (kullonte) lagështirën dhe në kacup mbetej lëngu i trashë (esenca), deri në ngurtësim kur qumështi kthehej në urrel. Me një autobus të linjës, të nesërmen, vajta në Tepelenë. Qytetin e njihja mbasi atje kisha kryer një pjesë të arsimimit, por Tepelena kishte ndryshuar shumë gjatë atyre pesë viteve.

U paraqita në zyrën e Shefit të Bujqësisë së rrethit – Maliq Avduli (ndjesë pastë). Bisedova me shefin e ai, sipas rregullit, më përcolli në zyrën e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit - njeriut të mirë – Fone Done. Kisha dëgjuar për mirësinë që përcillte Kryetari, prandaj i fola me zemër në dorë. I rrëfeva dhe diplomën me shënimin sipër: "shkëlqyeshëm" dhe certifikatën përcjellëse të notave. Kryetari Fone, sikur të isha djali i tij, më tha: "Me këto rezultate, përse nuk ke vajtur në universitet?" I qava hallin e i besova një të fshehtë: "Dokumentet i plotësova dhe më dhanë fjalën se do të më çonin në Bullgari, me bursë shteti, për të vijuar studimet e larta, por një copë letër që më shkruante ime motër, e cila ishte tepër e dhimbshme më trishtoi e më nxiti t’i grisja të gjitha dokumentet".

Atëherë, Kryetar Fonja, thirri shefin e arsimit - gjirokastritin Kristo Gushi. Sapo hyri në zyrë, shefi i arsimit më përqafoi, me përzemërsi. Ai, për fatin tim të mirë, më mbante mend që nga viti 1949, kur e kisha pasur mësues në klasën e parë të shkollës fillore, në Kalivaç. U bënë tre pushtetarë, bashkë, me kryetarin në krye. Fonja pyeti Shefin e Bujqësisë, nëse ishte i zënë vendi i punës, në Lokalitetin e Krahësit, ku kishte qenë agronom i zonës shoku im i mëvonshëm Llazi Rrapi (ndjesë pastë), i cili kishte ikur në Bashkimin Sovjetik, për studime ushtarake. Maliq Avduli i raportoi kryetarit se vendi i agronomit të zonës, në Krahës është vakant dhe se Llazi, i larguar nga ai vend pune, nuk kishte marrë pagën e tre muajve të fundit.

I erdhi në shteg Kryetarit Fone, i cili dha urdhër: "Të emërohet djali agronom i Lokalitetit të Krahësit; paga t’i jepet menjëherë, të paguhet me pagën maksimale të vendit të punës (650 lekë në muaj) dhe t’i jepen të trija pagat që nuk ka marrë Llazi Rrapi!" U befasuan të dy shefat e seksioneve, u habita dhe unë. U largova nga Komiteti Ekzekutiv i Tepelenës me gëzim në zemër e u bëra me krahë. Këtë nder që më bëri peshtanaku Fone Done, nuk mund ta harroj kurrë. Fluturova në Kalivc ku më priste Nëna, një fis i tërë dhe një jetë tjetër.

Pas disa ditësh, Babai, Dilaveri, dhentë dhe gjithë çfarë mund të futej në atë stan, u kthyen në fshat. Kopeja që menaxhonte im atë, rrugëtoi së bashku me kopenë që menaxhonte Nasip Hysen Alidervishaj. Vetë Nasipi ishte jo vetëm më i ri dhe nip i Xhevitit, por dhe një njeri shumë i ndershëm e i drejtë. Prandaj Babai e kishte përzgjedhur si bashkëstanar dhe si bashkudhëtar. Në Kalivaç, dhentë e kishin të ngritur kasollen, e cila ishte pak e pjerrët, dhe urina e dhenve kullonte në fund të kopshtit, i cili përfundonte me një mur, rreth 1.5 m i lartë, mbi rrugën që të çonte tek guri i kalorësit.

Kishim grumbulluar një grusht me para. Ato duhet të shpenzoheshin me kritere të shëndosha e të mos bëheshin rrush e kumbulla. E pleqëruam gjënë, të katër. Morëm dhe mendimin e motrës Lumturi, e cila ishte e interesuar drejtpërdrejt për mbarëvajtjen e punëve të familjes. Nga analiza që i bëmë gjendjes sonë, rezultoi si çështje urgjente, ngritja e shtëpisë e cila, vite më parë kishte rënë brenda e ne banonim në një kasolle. Problem madhor dilte dhe çështje nga më urgjentet ishte çështja e dhenve.

Babai ynë, çoban esnaf, monitoronte një tufë me dhen, të cilën njerëzit e dinin sikur ishin dhentë e qinosisë së xhevitit me Karafil Mahmut Bilaj. Në fakt, kushtet e kontratës së shkruar kur u shpall qinosia, e vinin Karafilin në kushte superiore dhe çobanin (Xhevitin) në kushte skllavërie.

Përpjekjet e përbashkëta për të ringritur ekonominë familjare

Është fjala për të ringritur ekonominë familjare, në ato çështje që përbënin urgjencë dhe i kishim mundësitë për të vepruar.

Në atë kohë, në Kalivaç qarkullonte një grup vllehësh shëtitës, të cilët menaxhonin një tufë me mushka të pajisura me samare ngarkese dhe me gjithë pajisjet e domosdoshme për ngarkesë. Mushkat e tyre ushqeheshin ledheve e lëndinave të fshatit, pa pagesë. Kryetar i kooperativës bujqësore të fshatit ishte kushëriri ynë – Mehmet Musa Nelaj. Mehmeti kishte autoritet absolut e me meritë, në kooperativën bujqësore të fshatit dhe më gjerë. Atij i shkonte fjala dhe mund të detyronte edhe vllehët që ushqenin mushkat në territorin e kooperativës bujqësore, pa pagesë. Kështu u bë.

Xheviti u fut në bisedime me vllehët dhe ra dakord me të madhin e tyre që kundrejt një pagese të caktuar, vllehët, me kafshët e tyre të ngarkesës të transportonin dërrasat e çatisë dhe qerestenë e çatisë së shtëpisë verore të Haki Sulos, në krye të Rrezave, e cila, më së shumti, deri atëherë kishte shërbyer për të strehuar bagëtitë. Babai u ndodh me fat se shpenzimet për ngritjen e asaj ngrehine i kishte përballuar Haki Sulua, i cili ishte shpërngulur dhe banonte në qytetin e Fierit, kurse shitjen e asaj banese e bëri vëllai i tij – Beqiri, të cilit nuk është se i dhimbsej aq shumë malli i vëllait të shpërngulur.

Çmontimi i çatisë u bë shpejt e shpejt dhe transportimi i materialeve - gjithashtu. Kur mësoi se e gjithë qeresteja ishte prej druri vidhi, i cili është i rezistueshëm ndaj pikës, Babai u gëzua shumë. Vllehët shpresuan se transportimi i materialeve do të kryhej brenda një dite. Ata mbetën të pakënaqur kur kjo procedurë vijoi dhe të nesërmen. Siç u pa, kur qeresteja erdhi në Ahmetaj e u vendos në avllinë tonë, njëri nga trarët ishte me shtesë. Ai nuk mund të vendosej në radhë me shokët, mbasi stononte dhe bëhej pikë e dobët e çatisë.

Dajua ynë (vëllai i Nënës) - Barjam Temja, mori vendim prej mjeshtri se ky tra nuk ishte për atë shtëpi hamaqellë (me përmasa të mëdha) por duhej gjetur një tra tjetër. Ku nuk vajti Dilaveri 12-vjeçar për të gjetur një tra që të bënte për atë vend. Lisat, si dru rezistent ndaj pikës, të përshtatshëm si trarë, në Hapësirën e Kalivaçit ishin prerë; vidhat, gjithashtu, ullinjtë që janë dru peshëmbajtës dhe rezistent ndaj pikës, nuk të linte njeri t’u afroheshe, jo më t’i prisje për qereste. Xheviti kishte gjetur një tra prej druri rrapi, por mjeshtri nuk e pranoi. Dilaveri u hodh deri në Bishtin e Goricës dhe gjeti një dru shelgu, por plaku i mençur Xhemal Haxhiu i tha se shelgu përkulet, prandaj nuk është i përshtatshëm për tra. Atëherë, Dilaveri u shty deri në fshatin Çorrush, ku gjeti e preu një goxha tra prej lisi.

Problem dilte transportimi i tij, deri në Kalivaç. I punoi mendja Dilos dhe vendosi njëri pas tjetrit 3 gomerë, njërin nga të cilët e rrëmbeu në Çorrush. Me tre gomerë, njëri pas tjetrit, e solli trarin në fund të mëhallës Ahmetaj. Më e rëndë ishte, situata kur Dajo Barjami tha se duhej dhe një tra tjetër. Shyqyr që në atë kohë do të vinin trarë sharre, të gjatë, të përshtatshëm për qereste, në Krahës. Kushëriri ynë - Mehmet Musa Nelaj, kryetar kooperative, i cili, si ne, gëzonte që do të ringrihej shtëpia jonë, i dha autorizim Dilos, për të blerë një tra.

Mirëpo trari ishte i rëndë e i gjatë, gati 7 m. Dilte në evidencë çështja e transportimit të tij. Banorët e Krahësit ndihmuan për ta ngjitur trarin deri në fundin Perëndimor të Gonese. Aty erdhën miqtë tanë nga Bozanajt, të cilët e sollën deri tek Lisat e Hyset dhe më tej, deri në shtëpi, e sollën banorët e mëhallës sonë. Dilaveri u kujdes dhe për të prerë e për të mbajtur gërshërëzat (drurë çatie që lidhin me njëra-tjetrën mahitë). Ato i nxori e i preu në Kurrizin e Ziles vëllai im me ndihmën e Ali Pashos.

Dilaveri e kishte pikë të dobët ngritjen e shtëpisë. Edhe kur ishte ushtar, në kufi, në letrat që dërgonte pyeste: "Si po funksionon qeresteja e shtëpisë?"

Xhevitit i dilte dhe një detyrë tjetër, jo e lehtë. Para se të hidhej çatia e shtëpisë sonë, ishte e domosdoshme që një esnaf të vrojtonte muret e shtëpisë së shembur që kishin nevojë për rikuperim. Vëllai i Zonjës së Madhe të Binajve, Barjam Temja nga Koshtani, mbasi e kontrolloi mirë e mirë murin, konkludoi se në disa pjesë të tij kërkohej shembje dhe ngritja e tij nga e para, me llaç të fortë gëlqereje dhe me gurë të bardhë, të latuar (gdhendur). Me një grup ustallarësh të përzgjedhur nga mjeshtri i qosheve, Barjami bëri riparimin e mureve dhe hedhjen e çatisë e mbulimin e saj me pllaka guri, të bardhë. Në përfundim të punimeve, dhe mbasi u futën brenda pajisjet e shtëpisë, u bë një davet (gosti), në të cilin dajo Barjami ishte në qoshe dhe mori përsipër rolin e dollibashit.

Aksioni i radhës ishte tepër delikat dhe duhej mbajtur i fshehtë. Bëhet fjalë për blerjen e 10 - 12 krerëve dhen dhe futjen e tyre në tufën e dhenve, me qëllim që kur të përfundonte koha e qinosisë e të ndaheshin dhentë, Karafil Mahmuti do të merrte pjesën që i takonte; Abe3din Kahremani, i cili nuk dinte asgjë për fatin e dhenve të tij, do të merrte aq krerë sa kishte futur në tufë dhe Xhevitit do t’i mbetej një pjesë e vogël e tufës, por me bindjen se vinte përpara tufën e tij, të cilën ishte i sigurt se do ta shtonte, shpejt e do ta bënte të një dashi.

Me paratë e grumbulluara, bëmë llogari edhe blerjen e dhenve. Asnjeri nuk duhet të mësonte për këtë "ndërmarrje" të fshehtë tonën. Njerëzit e shtëpisë: Nëna dhe Dilaveri dinin, në përgjithësi se do të shkonim për të blerë dhen, por se ku, sa e si do t’i blinim ato, nuk e dinin. Xheviti plak dhe esnaf në fushën e blegtorisë së leshtë (dhi nuk ka menaxhuar kurrë e nuk i donte në shtëpi), më përzgjodhi për bashkudhëtar dhe shoqërues në këtë "aksion" delikat.

Me para në qesen varur në qafë të Babait, një mëngjes, dolëm nga shtëpia e morëm udhën, lart, nga Maja e Tendes. Kaluam Lisat e Hyset dhe mëhallën Bozanaj, kur ende njerëzit nuk ishin përfillur për punë, ndonëse bagëtitë i kishin nxjerrë dhe udha mespërmes mëhallës, ishte plot me njerëz të cilët kishin hallet e tyre të ditës. Ndoshta mendonin se kjo udhë jona mund të përfundonte në Koshtan, tek dajot e mi, ose në Krahës, atje ku ishte martuar motra Lumturi (ndjesë pastë). Ishte vjeshtë e dita, me kohë kishte nisur të zvogëlohej. Udha, nuk kishte lagështirë e nuk ndeshëm në baltë, përjashtuar disa vende ku balta nuk thahej as në verë. Kopetë e dhive që dimëronin në sinorin e Kalivaçit, kishin ardhur nga zona të ftohta të Jugut e po ngrinin stanet.

Tok me dhitë e tyre, ishin afruar dhe egërsirat (ujqërit), të cilët ngushtonin "rrethimin" e staneve dhe ishin në siklet nga ndjeshmëria e lartë e qenve të stanit, të cilët ishin të egër e të fortë dhe çobanët, ditën i mbanin të lidhur me zinxhirë të fortë. Na duhej të kryenim punë në Levan dhe, para mesnatës të ktheheshim në shtëpinë tonë. Levani, nga Kalivaçi ishte thuajse 4 orë larg dhe udha gjarpëronte nëpër monopate e bokerrima. Shpesh udha këmbësore kalonte dhe nëpër pyll. Përroi i Krahësit, si pengesë ujore serioze, kalohej me lehtësi mbasi java që lamë pas nuk kishte pasur reshje të fuqishme. Pyetëm në fshatin Levan, për vëllezërit Yzeiri dhe për tufën e tyre të dhenve.

Një fshatar na njoftoi se Hasan Yzeiri dhe vëllai i tij, e kishin tufën e dhenve, në kullotë, në malin mbi fshat. Levanin e njihnim, si unë dhe Xheviti; madje, në atë fshat, Babai kishte kushëri Shehun e teqesë së fshatit dhe unë një kushëri me emrin Halim. Vëllezërit Yzeiri kishin pasur një motër të martuar në Kalivaç, por pas një fatkeqësie që i kishte ngjarë, burrit të saj, ajo ishte larguar nga shtëpia. Pra, në Levan, nuk shkonim në të panjohurën, por kishim lidhje miqësie dhe informacionin e nevojshëm. Dy vëllezërit Yzeiri, atë vjeshtë, do të bënin skartimin e tufës së dhenve. Dinim se dhentë e levanakëve ishin nga racë e mirë dhe të mbarështuara me mjeshtëri.

Dita ishte "thyer", kur vajtëm ne të dy në Malin mbi levan. Dhentë ishin në kullotë dhe të zotët, pranë tyre. Tufa e dhenve nuk shoqërohej nga qen, siç ndodhte rëndom. Hasani ishte tregtar, dhe shpresonte shumë në përvojën e tij, si tregtar. Xhevitit nga ana tjetër, kur ishte fjala për të njohur e për të përzgjedhur dhentë, nuk ia hante qeni shkopin. Ai, për të mos humbur kohë, u fut në mes të tufës së dhenve dhe pyeste, pronarin. Hasani ishte i madhi i dy vëllezërve dhe përgjigjej i pari. Xheviti, me përvojën e çobanit esnaf, i kontrollonte dhentë, nga dhëmbët, nga gjiri, nga leshtë, nga boja dhe nga ngjyra e krifës.

Pa hyrë në pazar, çobani përzgjodhi 10 - 12 krerë (mund të mos jem i saktë), të cilat i veçoi nga tufa e mi la mua të kujdesesha për to. Mbasi mori ato që deshi (sipas strukturës që do të merrte Abedini), bëri pazarin, pagoi me para në dorë dhe u la tymembeçen pronarëve të dhenve. Ata, të dy vëllezër, na lutën të qëndronim për darkë dhe kur të zbardhte e nesërmja të merrnim udhë për në Kalivaç. Nuk qëndruam, por u nisëm për udhë.

Babai përpara e unë në fund të dhenve që blemë, nisëm të tatëpjetën që të çon, nëpërmjet kurrizit të malit të Krahësit, në Përruan e Krahësit, mbasi kalon dhe Teqenë e Baba Zotos. Përroi nuk kishte ujë shumë e ne kaluam me lehtësi e u futëm në udhën e ngjitjes, në Gonene e Krahësit. Stanet e dhive i lamë djathtas dhe meqenëse sapo ishte errësuar, qentë e dhijarëve, nuk na ngacmuan. Ata ishin të lidhur. Ishte koha kur edhe çobanët e dhive, po mblidhnin tufën e bënin përgatitje për të darkuar, pranë zjarrit. Ngjitja e Gonese kishte dy vështirësi: E para lidhej me gjarpërimin nëpër një rrugë me gurë, të cilët, nga këmbët tona dhe të dhenve bënin zhurmë.

E dyta; rruga e verbër e ngjitjes, gjarpëronte nëpër shkurret e përrallëve e të drurëve të tjerë të së njëjtës natyrë. Nuk kaluam nga Përroi i Zi, mbasi e dinim që rruga andej kalonte nëpër shumë përrenj rrëshqitës dhe rrugëtimi me bagëti përpara natën, ishte i vështirë. Në Bozanaj nuk u futëm në rrugën e zakonshme mespërmes mëhallës, por kaluam midis, shtëpive të Malajve dhe ndërtimeve të reja ku kishte bërë shtëpi, Sefedini i Sulo Barjamit dhe djali i Zyber Hasimit.

Babai gjykoi se kësisoj nuk ishim as nën ngacmimin e qenve të Bozanajve, as në të atyre të Meçajve dhe mund të kapnim fshehtësinë e lëvizjes. Tek shtëpitë e Dostajve dhe tek ato të Azbi Bakos, nuk kishim nga t’ia mbanim. Dolëm tek Lisat e Hyset, në Majën e Tendes, tek Sheshet dhe nuk ndoqëm udhën e nxënësve të shkollës, por u futëm në udhën e verbër që të nxjerr tek gërmallat e Ramo Nebiut. Këmborët dhe cokalet e dhenve ishin të bllokuara që të mos bënin zhurmë, dhe "si kusarë", kaluam tek një udhë me haliçë që kalonte prapa kopshtit të Abedin Kahremanit dhe dilte tek vendi i quajtur "Buzë", përpara portës së madhe të xha Abedinit, e cila ishte e mbyllur. Kishte rënë mesnata. Me shpejtësi e pa bërë zhurmë, kaluam tek Kryet e Shtëpisë, morëm udhën që të shpinte tek shtëpia e Xhako Rremes e më sipër tek Xha Musa Mehmeti dhe hapëm gardhin (gardhi ishte i përgatitur që të hapej lehtë) dhe futëm dhentë, pa u ndier në kasollen e dhenve e cila niste nga shega e ëmbël e vazhdonte deri afër fikut bradashesh.

Kur dhentë e blera u futën në tufën e dhenve të familjes sonë, u dëgjua një zhurmë, si turfullime, nga ato zhurma kur në tufë futen dele të një tufe të panjohur. Qeni Buzo na njohu e nuk na lehu, vetëm se iu përkëdhel të zotit. Gjitonët, pranë (familja e Banush Xhezo Haderaj) e cila kishte gjasa të na ndiente, nga lodhja e ditës, ishte në gjumë.

Kur hymë, njëri pas tjetrit në derë të kasolles, Nëna, e cila nuk dinte gjë konkrete për ndërmarrjen tonë, priste me gjak të ngrirë. Ajo zgjoi Dilaverin dhe, të dy u habitën me punën tonë të asaj dite plot aventura. Xheviti që e kishte situatën në maja të gishtave, e plotësoi dëshirën dhe u bë me dhen. Bariu plak, Xhevit Malko Nelaj, i rritur në4 mes të dhenve, i donte shumë ato dhe ua dinte marifetet. Ai kishte ëndërruar prej kohësh që tufa e dhenve që kishte përpara të ishte e tij. Erdhi koha e kjo dëshirë e tij u plotësua.

Kënaqësinë dhe sigurinë që fitoi Babai ynë, nga ky "operacion" e vështroja në fytyrën dhe në sytë e tij, të cilët rrallëherë i vështroje të qeshur e të gëzuar.

Nga puna e agronomit të mesëm të lokalitetit të Krahësit ishja i kënaqur dhe fillimisht e kryeja me shumë dëshirë. Në qendrën e punës më pritën mirë e më dhanë shoqëri. Atje u njoha e u miqësova me Veli Qazim Xhemalaj, nga fshati Allkomemaj i rrethit të Tepelenës, i cili kryente detyrën e Sekretarit të Lokalitetit të Krahësit. Punonim në të njëjtën zyrë dhe mësova shumë prej përvojës së tij të gjatë. Veliu ishte nga ata njerëz të mirë, të cilëve, në Kalivaç e më gjerë, u thonë: "Burra bakull e babaxhanë". Në atë mjedis të njohurish, zura miqësi me Shaban Shehaj, nga Krahësi, i cili ishte përgjegjës i zyrës së Postë-Telegrafës; me Muco Sakaj; me Zenelin me një sy; me Rexho Malen, të cilin e kisha shef se ishte kryetar i lokalitetit; me Sulo Nelo Gerbin; me dy shokë të ngushtë nga Kalivaçi, që ishin Ramiz Mehmet Ramaj dhe Ferrik Azis Alidervishaj. Me këta, të dy, u lidhëm ngushtë dhe e bënim, çdo ditë, së bashku rrugën nga Kalivaçi, në Krahës.

Shok të afërt dhe të të njëjtës moshë kishja veterinerin Mazllem Hoxha, nga fshati Maricaj, me të cilin thurnim ëndrra e bënim plane për ta lënë profesionin e të përqafonim atë të pilotit ose të kapitenit të anijes. Ishim të rinj, të dy dhe kishim ëndrrat tona. Jeta që bënim në ato detyra (Mazllemi bënte skopitjen e demave dhe të mezateve si veteriner; unë merresha me të gjitha çështjet e bujqësisë), puna që bënim ishte jo vetëm monotone, por dhe e mbyllur.

Kur rastisnim të dilnim në të njëjtën kohë nga puna, atyre kodrave, në zbritje hapnim krahët e imitonim aeroplanin, ndonëse asnjeri prej nesh nuk kishte parë nga afër aeroplan me sy. Mua më ndihmoi fati dhe i gjeta çelësin punës. Më ndihmoi shumë bashkëfshatari Mehemet Azis Kalemaj, i cili, në atë kohë ishte shef i Degës Ushtarake të rrethit të Tepelenës. U mërzita shumë nga jeta që bëja. Çdo ditë udhëtoja, në kohë e në mot të ndryshëm, në këmbë, mbathja një palë opinga në këmbë e me një bastun në dorë, që të mos rrëshqitja dhe për t’u mbrojtur nga qentë. Me një torbë në krahë ku mbaja një copë misernike, të cilën e haja me çfarë të ndodhej (me gjizë; rrallëherë me gjalpë, me ullinj, deri dhe me sheqer).

Detyra ime e donte të shkoja në çdo fshat. (Lokaliteti kishte 12 kooperativa bujqësore, të cilat duhet t’i shkelja herë pas here.) Isha adoleshent e më vinte turp të haja apo ca më tepër të flija në familje të ndryshme. Nisesha në mëngjes nga shtëpia, rrugëtoja, në këmbë gjithë ditën; në darkë mblidhesha në familjen time, në Kalivaç.

Në pranverën e vitit 1960 kur bujqësia ishte në kulmin e punëve, shfrytëzova një mundësi për të realizuar dëshirën time; për t’u bërë pilot. Pas shumë peripecish e kundërshtimesh, më në fund, Byroja e Partisë e rrethit të Tepelenës (nomenklaturë e të cilës isha), vendosi të më lërë të lirë, nga funksioni i agronomit të lokalitetit.

Kur m’u komunikua vendimi në fjalë, qenia ime pësoi një goditje nga gëzimi që më pushtoi. Babait dhe Nënës, si dhe opinionit në fshat, u thashë se do të shkoja në universitet jashtë vendit, për t’u bërë agronom i lartë. Bëra përgatitjet e nevojshme dhe u shkëputa nga detyra. Natyrisht kisha një grusht me të holla. Do të mungoja gjatë, në familje. Tri gojë që lashë prapa donin të hanin.

Ishte vit i vështirë dhe drithi gjendej me vështirësi. Familja ime (Babai, Nëna dhe vëllai), të cilët ishin anëtarë të kooperativës bujqësore të fshatit, nuk kishin në hambar në harar (thes i madh, i bardhë) i cili qëndronte në fund të kasolles, nuk ndodhej asnjë kokërr drithë. Deri në të korrat e ardhshme ishte një periudhë disamujore; njerëzit e shtëpisë duhet të ushqeheshin. E bisedova planin "sekret" me Mehmetin, kryetarin e kooperativës Bujqësore dhe me Haredinin e Çizo Selfos, i cili ishte në anën tonë, si dhëndër dhe ramë dakord të merrja 5-6 kuintale misër, me çmimin që merrnin kooperativistët. Misrin e morëm në shtëpinë e Tefik Barjamit, i cili, në atë kohë ishte shpërngulur nga fshati e banonte në Selenicë. E çuam misrin në shtëpi dhe u qetësova. Të paktën njerëzit e familjes sime, gjatë kohës që do të isha i larguar nuk do të vuanin për bukën e gojës.

Xheviti, ndjeu kënaqësi dhe realizoi ëndrrën e kahershme për t’u bërë me dhen, por gjendja shëndetësore e tij, nuk ishte e kënaqshme. Të qëndruarit vazhdimisht në mëshirën e natyrës, përcjellja e natës, jo në jatak, por mbi shkarpa dhe në mes të posteve, herë i lagur e herë, i terur, me e pa ushqimin që i pëlqente, e kishin bërë punën e vet. Reumatizma e bluante dhe dhimbjet nuk i pushonin.

Si çoban i regjur, Xheviti, për të luftuar reumatizmën, së cilës populli i thoshte pleviti e marrë gjatë dimrit me lagështirë të shtuar, duke qëndruar në stan, pas bagëtive, përdorte një mënyrë origjinale mjekimi. Ai, në kulmin e vapës, futej në mes të dhenve të tij, i zhveshur nga mesi e lart, me kokën të mbuluar dhe qëndronte ashtu disa orë, çdo ditë. Duke thithur ajrin që nxirrnin dhentë, gjatë ripërtypjes, Ai merrte në trupin e tij, lloj-lloj esencash të medikamenteve që bëhen prej luleve të kullotës në të cilën ushqehen dhentë. Në gushtin e vitit 1960, kur më duhej të rrugëtoja për në Tiranë, llogarita të flija një natë në hotel, në qytetin e Fierit. Në këtë rrugëtim të vështirë, në të cilin isha në shoqërinë e Babait tim, Xhevitit me qëllim që ta vizitoja tek ndonjë specialist, i cili do t’i rekomandonte ndonjë formulë mjekimi të përshtatshme kundër reumatizmës që e mundonte. Qytetin e Fierit e njihja pak dhe kohën në dispozicion e kisha të kufizuar, prandaj ajo vizitë mjekësore e tim eti u bë si u bë e unë ika në Bashkimin Sovjetik, për studime kurse im atë u kthye në fshatin Kalivaç të Tepelenës, pranë njerëzve të tij dhe dhenve që donte shumë.

Në çdo shërbim që u bënte dhenve, Xheviti nuk e ndau nga vetja Dilaverin, pekulin e shtëpisë, i cili, kur ika unë larg, për studime, mori, praktikisht frenat e ekonomisë familjare. Ai u rrit e u kalit dhe u zhvillua fizikisht, mendërisht dhe kultivoi e kaliti tiparet e qenësishme të çobanit të dhenve. Kishte nga kush të mësonte. Xheviti, duke i mëkuar, dita-ditës tiparet e çobanit të mirëfilltë, kaliti tek djali i tij i vogël tipare të cilat nuk u ngjajnë sjelljes së djemve pekulë, moshatarë të tij, të cilët binin për të fjetur me pulat dhe ushqeheshin, visheshin e flinin më mirë.

Pas "aventurës" tek Rrapi i Dervenit, Xheviti, me largpamësi por dhe nostalgjik për të riparë trevat ku kishte kaluar me brigatën e blegtorisë së shtetit, vendosi t’i çonte dhentë, tashmë tufën e tij, në Malësitë e Vithkuqit e të Panaritit, atje ku kishte menaxhuar tufën e dhenve të shtetit, në vitet pas shte4të4zimit të blegtorisë. Ai dinte rrugën e verbër që gjarpëronte nëpër fshatra të ndryshëm, në një udhëtim në këmbë, i cili zgjaste 5 ditë (netë). Në Panarit, ku klima është e përshtatshme për verimin e bagëtive të imëta, Xheviti kishte një mik për kokë, nga Panariti, të cilin e quanin Dake Ademi. Dhentë i veroi kryesisht në vendin e quajtur: Shera e Vithkuqit. Dilaveri ishte i vogël (rreth 12 vjeç) dhe Babai ynë preferoi ta merrte përsipër vetë këtë aventurë teksa djalin pekul e la në Kalivaç të kujdesej për shtëpinë, për Nënën dhe t’i gjendej asaj për çdo rast. Dilua i vuri vetes detyrë që gjatë verës të siguronte drutë e zjarrit, për dimrin e ardhshëm.

Shtatori i vitit 1961 e gjeti Xhaxhakon në Panarit duke veruar dhentë e tij. Moti ishte akoma i nxehtë dhe Çobani esnaf mendonte t’i mbante në verim bagëtitë derisa të niste vjeshta allaturka e të niste ftohja e motit.

Mirëpo një ngjarje e rrallë në historinë mes vendeve e detyroi të moshuarin Xhevit Malko të ndërmerrte një udhëtim të gjatë (5 ditë e 5 netë), nëpër monopate, fshat me fshat, me një torbë me ushqim në krahë dhe me një shkop në dorë. Siç është e njohur, më 16 shtator 1961 së bashku me shokët aviacionistë, kudo që ndodheshin në Bashkimin Sovjetik, na kthyen, dhunshëm në vendin tonë. Zbrita në Rinas dhe, si të tjerët, e mbajta vrapin në Tiranë. Shkova në familjen e djalit të teze Lalasë - Muhamet Beqiraj, në Tiranë të Re.

Pastaj takova kushëririn nga Babai - Mehmet Musanë, i cili ndiqte një kurs kualifikimi, në Institutin e Kamzes. Mehmeti dinte vendndodhjen e Xhevitit dhe, të dy, i drejtuam një telegram Babait tim, në adresë të Dake Ademit; mikut të tij panaritas. E njoftuam se po shkoja në Kalivaç, me leje. Xhevitin e kishte pikur malli për mua dhe takimi me të ishte tepër interesant. Nënës sime, bashkëfshatarë që vinin në Kalivaç, nga qytete të tjera, por që kishin ndikim në fshat, i pëshpëritnin thashetheme se gjoja unë kisha kaluar në Amerike; disa të tjerë i thonin se isha vrarë e të tjera fantazi. Ajo, e etur për të mësuar diçka për të birin, i besonte dhe i lau gurët e fshatit, me lot, por nuk guxonte t’i thoshte të shoqit.

Vetëm Mehmeti i Musait bënte telegrame të sajuara dhe ia çonte Xhevitit, (të dy prindërit nuk dinin shkrim e këndim) me gjasme ia dërgonte nipi i Zonjës - Nebi Beqiraj, i cili, në atë kohë punonte në postëtelegrafin e Krahësit.

Xheviti erdhi në Kalivaç nga udha e largët, i lodhur e i raskapitur, në të ngrysur të ditës. E prita në avllinë e shtëpisë, i veshur ushtarak. Isha me kapelen e pilotit në kokë dhe me tërë ato zbukurime, gjithandej. Babai, nga malli që e kishte djegur për mua, nuk kërkoi e nuk duroi as të pinte një sapllak ujë, por nxitoi të më takonte. Siç thoshte në të tilla raste, para se të më përqafonte, tha: "Erdhe ti?" Dhe shtangu përpara portretit tim.

Më dinte se kisha shkuar për t’u bërë agronom i lartë e më vështronte tjetërsoj. "Qenke bërë zabit (ushtarak)", tha Ai dhe shtoi: "Zoti ta bëftë diell udhën!" U përqafuam e nuk ndaheshim dot nga krahët e njëri-tjetrit. Ditët rrodhën shpejt e pa kuptuar e Atij i duhej të nisej për udhën e kthimit. E përcolla deri në vahun e Sheshit të Vështit.

Kur u kthye nga shtegtimi veror, unë nuk isha në shtëpi, por isha nisur për në Kinën e largët. Vështirësitë e komunikimit u shtuan dhe gati për një periudhë 2-vjeçare, nuk pata asnjë sinjal nga prindërit e mi. Kjo pauzë e shtoi mallin, si nga ana ime për prindërit dhe prej tyre, për mua. Derisa vajta në shtëpi, pas datës 1 maj të vitit 1963, familja ime nuk kishte asnjë lajm prej meje.

Nëna e gjorë e di se sa trishtim provoi. Ajo i besonte cilitdo që i thosh një fjalë për fatin tim dhe i lau rrugicat me gurë të fshatit, me lot. Natyrisht, ata që e gënjenin Nënën time u ngjanin fallxhoreve që bridhnin me kanistra në krah, derë më derë.

Situata në familje ndryshoi, pas titullimit oficer dhe emërimit tim pilot gjuajtës - bombardues, në Regjimentin e Aviacionit në Rinas. Një pjesë të pagës muajore, rregullisht e dërgoja në familje. Ajo ishte një ndihmesë modeste, që i shërbente rritjes së nivelit të jetesës së familjes. Të paktën nuk vuanin për bukën e gojës. Dilaveri, derisa plotësoi moshën (19 vjeç) për t’u mobilizuar në radhët e Ushtrisë Popullore, vazhdimisht shkonte pas Babait, me dhen. Ai nuk iu nda dhenve dhe Babait as në dimër e as në verë.

Kësisoj im vëlla u bë një çoban i kompletuar. Po t’u shtojmë tiparet vetjake të tij, të cilat u kalitën më tej, Dilaveri u bë një djalë i shëndetshëm, i shkathët e i papërtuar. Ai formoi një shoqëri të ngushtë, me djem të moshës së tij, por që domosdo ishin si Ai. Shoqëria me Sadikun e Memes; Hydajetin e Muharrem Kamberit; me Nelon e Resmi Nelos dhe me të tjerë, ndonëse ata ishin më të rritur në moshë, i shtoi Dilos vlera të reja. Hobet e tij ishin dy: Dhentë dhe topi. Dhentë i monitoronte së bashku me Xhaxhakon kurse futboll luante në shoqërinë e Samiut të Mehmet Musait; Remziut të Dedese; Arshi Xhaferaj etj. Këta ishin lojtarë cilësorë dhe i jepnin tonin futbollit kalivaças, të kohës së tyre.

Kur luante skuadra e Kalivaçit me ato të fqinjëve, kundërshtarët në futboll pyesnin: A luan ai kokëziu? E kishin problem kundërshtarët në futboll lojën e Dilos e në veçanti gjuajtjet e tij të sakta e të befta. Pjesëmarrja aktive dhe loja e bukur e tij e futbollit, i krijuan mundësi Dilaverit të shkonte në fshatra të tjerë dhe të lidhej me njerëz të origjinës sonë fisnore, në Zhulaj ku kishim teze Sherinen e cila konsiderohej Nëna e fshatit. Ai u hodh në Toç, ku u bë i njohur në fisin e Beqirajve, ku kishte jetuar e kishte lënë pinjollë motra e madhe e Zonjë Temes - Lalaja; në Shkozë u lidh me Pinjollët dhe rrethin fisnor të Pajajve, mbasi atje ishte martuar prej kohësh Hallua Jonë legjendare Shaza e Nelo Binos etj. Këto, të gjitha nuk ishin të mjaftueshme. Ai u lidh e formoi shoqëri të shëndetshme me njerëz me pushtet, në Kalivaç, si Novruz Llakaj; Mehmet Hysenaj, Sinan Zenelaj; Shahini i Mane Tafilit; Ferrik Azizi dhe me djem të tjerë azganë që të merrnin gjak në vetull, si Sabri Veiz Takaj; Sherif Mahmut Pashaj etj. Kësisoj, djali i vogël i Xhevit Malkos, formoi një rreth shoqëror e miqësor me njerëz që "bënin tutje" dhe u dëgjohej zëri. Në fshat e në trevë.

Shokët dhe miqtë e tij, nisur nga niveli, botëkuptimi dhe njohja e jetës, kanë pasur e kanë mendimet e tyre për Dilaverin, për figurën dhe prirjet e tij. Njëri nga më të afërmit e Dilaverit, Sherifi i Pashajve, e përshkruan kësisoj portretin e Dilos:

"... Dëgjo, Dilaver:

Jeta na ka lënë disa kujtime;
Ca të mira e ca hidhërime;
Kë qenë burrë i zgjuar;
Me gaz, e me humor shumë;
Punojë, natë dhe ditë;
Me trimëri e pa frikë;
Kë punuar aq shumë;
Gjithë natën – rrijë pa gjumë;
Dhe kur ike, në Tiranë;
Mikun dhe shokun – po i mbanë;
Herë me telefon e herë me të parë;
Fshatin tënd, sido me gurë;
Ti nuk e harrove kurrë;

Dilaver!

Do të të them dhe ca fjalë;
Kë pasur guxim e trimëri të rrallë;
Që kur ishje i vogël; derisa je madhuare;
Mos e humb kurajon, se jeta nuk shkon vaj;
Sido që të na bjerë, ne do t’i bëjmë ballë;

Dilaver!

Ngado që shkojë;
Dardhët i kërkoje;
Pa kur piqeshin fiqtë;

I dojë më shumë shokët dhe miqtë.

Me nderime,

Sherif Pashaj, Kalivaç, Tepelenë."

Kalitja dhe formimi i Dilaverit, nën monitorimin e Babait të tij - Xhevit Malkos, nuk kaluan më kot. Cilësitë e tij, fiziku, mosha dhe të dhënat biografike i mundësuan të shkojë ushtar në një sektor të vështirë e të lakmuar, siç ishte kufiri shtetëror.

Kufitar i zgjuar, i shkathët e trim

Dilaveri

Koha rrodhi shpejt e pa kuptuar, Dilaverit i erdhi mosha për t’u mobilizuar në radhët e Ushtrisë; për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Siç ishte rregulli i kohës.

Kur po mbushte 19 vjeç, Dilaverit dhe vërsnikëve të tij në Kalivaç: Fuat Mete Sulaj; Hysen Liço Malaj etj. Një ditë u erdhi fletëthirrja, me inicialet e Degës Ushtarake të Rrethit të Tepelenës. Në atë fletëthirrje, shënohej dita dhe ora, në të cilën djemtë duhet të paraqiteshin në Degën Ushtarake të Rrethit për t’u regjistruar e për t’u kontrolluar fizikisht, nga komisioni përkatës. Institucioni bazë, i cili bënte organizimin dhe dërgimin e rekrutëve të rinj në rrethet përkatës dhe në repartet ushtarake ku do të shërbenin, Dega Ushtarake e Rrethit, për të qëmtuar të dhënat biografike të kandidaturave e për të vendosur, në mënyrë paraprake, bashkëpunonte ngushtë me Këshillin Popullor të fshatit, nga i cili ishte djali. Në të dhënat mbi origjinën, gjendjen sociale të rekrutit dhe mbi të dhënat e karakterit e të fizikut të rekrutit, Këshilli Popullor i fshatit mbante përgjegjësi të plotë. Kjo kishte të bënte me faktin se, më mirë e më plotë se institucioni i Këshillit Popullor të fshatit askush tjetër nuk mund ta kishte njohjen më të plotë e më të saktë. Për të merituar qenien kufitar, ku rekruti do të ndodhej ballë për ballë me "armikun", lipsej të çkoqiteshin mirë disa kritere, të cilat, në fund të fundit përbënin garanci se djali do të ishte i përkushtuar e i dhënë tërësisht pas detyrës kryesore, ruajtjes së paprekshmërisë së vijës kufitare.

Kërkesa për një biografi të pastër dhe ekzistenca e garancive politike ku dominonte besnikëria ndaj regjimit, kishin vlerën e aksiomës e asnjeri nuk mund t’i vinte në diskutim. Kush guxonte të shkelte apo të sillej me papërgjegjshmëri ndaj këtyre faktorëve bazë, do të vihej përpara përgjegjësisë partiake dhe asaj ligjore. Kriterin e partishmërisë, Dilaveri e plotësonte më së miri. Ai, nisur nga rrënja, në çdo anë ishte i rrethuar nga Dëshmorë të Luftës Nacionalçlirimtare dhe rridhte nga një fis luftarak, i lidhur ngushtë me Shqipërinë dhe me Partinë e Punës së Shqipërisë. Pa dashur ta ngarkoj këtë material mund t’i sjell në vëmendje lexuesit se dajua i Dilaverit (Musa Shehaj) nga fshati Koshtan i rrethit të Tepelenës është Dëshmor i Luftës Nacional Çlirimtare, rënë në Frashër të Dangëllisë, në një përpjekje me forcat gjermane. Eshtrat e tij janë vendosur në Varrezat e Dëshmorëve të rrethit të Tepelenës.

Sami Musa Nelaj dhe Muharrem Hasan Nelaj, dy kushërinj të familjes së Dilaverit, gjithashtu janë Dëshmorë të Luftës Nacionalçlirimtare. Fisi luftarak i Nelajve dhe rrethi miqësor i familjes, në çdo kohë janë shquar për atdhetari dhe kanë qenë të lidhur ngushtë me luftërat për liri. Në fshatin Kalivaç të rrethit të Tepelenës, në mëhallën e Hysodosajve dy nga ish-partizanët më në zë, për trimëri: Sulo Beqir Sulaj dhe Jaçe Sadik Azizaj si dhe disa të tjerë, më të largët në rendin fisnor kishin lidhje gjaku e bënin pjesë në rrethin fisnor të familjes. Në radhët e kushërinjve të afërt, bënte pjesë dhe invalidi partizan: Qamil Pasho Nelaj; djali i tezes Muhamet Hasan Beqiraj, nga Toçi; Faik Feim Pajaj, nga Shkoza etj. Vëllai i vetëm i Dilaverit - Niaziu ishte oficer (pilot) në Ushtrinë Popullore etj. Në trung e në fis, nuk gjeje njeri që të kishte qëndrim kundër Partisë së Punës dhe Luftës Nacionalçlirimtare. Shtoj se familja e Dilaverit, në Kalivaç ishte njëra nga familjet më të varfra të fshatit.

Xhevit Malkua, babai i Dilaverit, i mbetur bonjak akoma pa ardhur në jetë, kur u bë i aftë për të ruajtur një tufë me bravare, u pajtua yzmeqar tek zagoritët e Hoshteves, ku u rrit deri në moshën e adoleshencës së parë. Pasi njohu Nënën e tij – Jeminene dhe kur mund të kujdesej për një tufë më të madhe dhensh, Ai u pajtua yzmeqar tek të kamurit e fshatit - vëllezërit Muharrem dhe Beshir Haxhi Hysenaj. Me ara mjaft pjellore në pjesë, por pa asnjë ka parmende, në zgjedhë, Xheviti u end, nga një vend pune në tjetrin, për të ushqyer familjen e tij dhe fëmijët e kushëririt të ndjerë – Resmi Nelo Nelaj. Po të "trokasim" tek tiparet vetjake të Dilaverit, mosha e mobilizimit ushtarak, e gjeti atë, një djalë të gjallë, të shkathët, të zgjuar e trim, të kalitur në stan, me frymën e Babait të tij - Xhevitit, i cili ishte njëri nga njerëzit më të drejtë e më të ndershëm në fshat e në rrethina dhe një esnaf, nga ata me emër, të cilët pyeteshin për mbarështimin e deles.

Nëna e Dilaverit - Zonja e Madhe e Binajve, ishte një kooperativiste shumë punëtore dhe me sjellje të mira, në brigatën e arave që drejtonte i paharruari Jashar Hysni Deraj. Më duket e tepërt të bëhet fjalë për tiparet vetjake të Dilaverit. Ai u rrit në skamje e u kalit në stan, si çoban i mirëfilltë, pas një çobani esnaf. Dilaveri nuk e njihte frikën. Ai nuk i trembej natës, errësirës, pyllit, egërsirave, qenve të stanit, shkurreve, zvarranikëve etj. Me syrin "pishe" e me zemrën zjarr, Dilaveri i Xhevitit, kur i erdhi radha për rekrut, ishte i kompletuar me të gjitha ato që i duheshin kufitarit, për të qenë ballë për ballë me një armik të egër e dinak, siç ishin fqinjët e Jugut. Këto "peshkoi" Këshilli Popullor i Kalivaçit, kur i rekomandoi Degës Ushtarake të rrethit të Tepelenës, për ta dërguar djalin e dytë të Xhevit Malkos, ushtar në kufirin shtetëror.

Në muajin korrik të vitit 1967, së bashku me vërsnikët e tij: Hysenin e Liço Kapos; Fuatin e Mete Medinit; Shpëtimin e Gani Muharremit; Dilaverin e Novruz Selfos; Laverin e Mahmut Muharremit etj. Dilaveri, i biri i Xhevit Malkos e i Zonjë Temes, mbasi kishte marrë fletëthirrjen për të shkuar ushtar, u paraqit në Degën Ushtarake të rrethit të Tepelenës. Në vizitat dhe këqyrjet mjekësore që iu nënshtrua, Ai doli i aftë për në sektorin ku ishte piketuar, (në kufirin shtetëror). Të nesërmen, hipur në një kamion ushtarak, me mushama mbuluar e të ndarë nga stola druri, Dilaveri u nis, nëpër rrugën sfilitëse që përshkonte: Kelcyren; Permetin; Leskovikun; Erseken; Qafën e Qarrit e më në fund mbërriti në Korçë, (një ditë e plotë rrugë automobilistike sfilitëse tërë gropa e kthesa të forta) përshkoi Dilaveri atë ditë.

Para se të shkonte në rajonin kufitar, në pikat malore të Nikolices; Arrzes, Qytezës etj. Dhe pastaj në postën e kufirit të Arrzes, ballë për ballë me fqinjët agresivë – grekë, Dilaverin e shpunë në Shkollën e Instruksionit të kufirit, në Korçë, ku Ai qëndroi gati 3 muaj, duke iu nënshtruar një përgatitjeje të posaçme, e të gjithanshme. Atje, djali adoleshent nga Kalivaçi i Tepelenës, Dilaver Xhevit Nelaj, mësoi, në teori e në praktikë rregullat e shërbimit të kufirit dhe Artin e të Luftuarit të këmbësorit.

Qendra e instruksionit të kufirit, në atë kohë ndodhej në rrugën automobilistike që të çonte, nga Korça nëpërmjet Dishnices, Kuçit, Grykës së Cangonjit e më tej nëpër Devoll, mbërrinte në qytetin e Bilishtit.

Për ata që orientohen lehtë, Shkolla e Instruksionit të kufirit, ndodhej pranë "bllokut" të varrezave të 840 ushtarëve francezë. Programin teoriko-praktik që zhvillohej në këtë qendër instruksioni, ku kushtet për stërvitje e për jetesë të pjesëmarrësve, ishin mjaft të mira dhe kërkesa e llogarisë ishte mjaft e lartë.

Bazuar në moshën, në zgjuarsinë natyrale dhe në shkathtësinë tipike të çobanit të rritur në stan e në ngushtësi ekonomike, Dilaveri i përcolli pa vështirësi e i përvetësoi me tregues të lartë, të gjitha mësimet, si në teori dhe në praktikë. Pas tre muajsh, Dilaveri ishte i përgatitur e i gatshëm për të marrë përsipër detyrën e vështirë të kufitarit drejtues (nënoficer i shërbimit të detyrueshëm) në atë terren të thyer malor, të mbuluar nga pyje të lartë e të dendur, mjaft të vështirë, ku dimri është i zgjatur e i acartë dhe ku, terreni malor i theksuar kërkon një vigjilencë të shtuar, në çdo çast.

Kur ishte në postën kufitare të sipërtreguar, Dilaverit i ra "lotaria" të ishte përgjegjës i ushtarëve të thjeshtë. Ai mbante përgjegjësi për shërbimin dhe për jetën e tyre. Si nënoficer, vëllai im shpërblehej me 270 lekë (të vjetra), në muaj gjë që ishte një pagë jo e paktë për një ushtar të shërbimit të detyrueshëm.

Kur dilte për të kontrolluar vijën e kufirit, Dilaverit, shpesh i ngjante sikur ishte në stan, me dhen, e duhet të çapitej lehtë-lehtë, me qëllim që të mos shkaktonte zhurmë, e të dëgjohej edhe fëshfërima e gjetheve që binin. Kufitarit Dilaver Nelaj, me kallashnikov në gjoks e me dylbi të varura në qafë, me syrin pishe e me zemër të flaktë nuk i shpëtonte asgjë nga vëmendja, deri tek cicërimat e zogjve. Vetë Dilaveri e vështronte të përafërt punën e çobanit në pyll me atë të kufitarit në këtë rajon të pyllëzuar e të thepisur. Të dyja këto punë kishin mjaft gjëra të përbashkëta.

Dilaveri u specializua për të shërbyer në vijën e parë të kufirit. Ai i kryente cilësisht detyrat e kufitarit, madje u mësonte të ardhurve rishtaz në postën kufitare dhe më të lashtëve, atyre që nuk ishin në nivelin e tij e të kërkesave të rregulloreve. Komanda e njësisë së kufirit me qendër në Korçë, çdo vit e çonte Dilon në shkollën e instruksionit, ku stërvitej e mësonte të rejat nga shërbimi i kufirit. Zakonisht në këtë pikë (shkollë) Ai stërvitej, tre muaj rresht. Edhe në shkollën e instruksionit, Dilaveri, si specialist në çështjet e kufirit, drejtonte mësimet përkatëse me nënoficerët dhe ushtarët, duke e vënë theksin tek veçoritë e ruajtjes së kufirit shtetëror në zonën e Arrzes, të Nikolices dhe të Qytezës. Qëndrimi dhe sjellja e tij si drejtues ishin korrektë dhe të rreptë.

Ai synonte t’u mësonte kursantëve çdo detaj që lidhej me shërbimin e kufirit dhe veprimet e kufitarit në situata të ndryshme e në kushte konkrete.

Komanda eprore e kufirit shtetëror, duke u bazuar në garancitë politike dhe garante për tiparet vetjake të kufitarit Dilaver Nelaj, kishte marrë vendim që Ai të bëhej oficer kufiri. Një ditë të zakonshme pune, kur Dilaveri ndodhej në qendrën e stërvitjes, në Korçë, Atë e takoi shefi i kufirit të Republikës, i cili, mes komplimenteve e lavdërimeve, e njoftoi djaloshin syshqiponje se komanda eprore, ajo që e kishte në kompetencë, kishte vendosur ta gradonte nënoficerin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, Dilaver Xhevit Nelaj, në detyrën e oficerit të kufirit, duke e ngritur kësisoj në një detyrë më të lartë. Mes të tjerash, "shefi" i kishte thënë kufitarit: "Je shumë i përshtatshëm; bazuar në aftësitë e tua dhe në të dhënat biografike që ke, kemi vendosur të të bëjmë oficer kufiri!" Ndërkohë, Dilaveri, në intimitet iu afrua shtetarit pranë veshit dhe i pëshpëriti: "Jo; jo! Unë nuk jam dakord me këtë dhe ta dish se, po të më caktoni në këtë detyrë, unë edhe mund të ‘iki’" (ishte fjala për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror). I habitur nga kjo përgjigje, "shefi i kufirit", mbi bazën e njohjes personale që kishte për bashkëbiseduesin, iu përgjigj Dilos: "Atë fjalë nuk ta pranoj, prandaj mos ma thuaj mua, se nuk qëndron; unë të njoh mirë, kush je Ti!"

Këmbënguljen e Dilaverit për të mos qëndruar oficer aktiv i kufirit, komanda eprore që e kishte bërë këtë hap, përballë këtij qëndrimi kategorik, mori kthesë; e zbuti disi vendimin, d.m.th. "I hodhi ujë verës!" Ajo ndryshoi qëndrim (jo opinion), për Dilaverin dhe vendosi ta bëjë Atë oficer kufiri rezervist. Kësisoj, Dilaveri kaloi në një kurs 6-mujor, për t’u bërë oficer rezervist dhe iu nënshtrua një kursi 6-mujor, në qendrën e instruksionit, në Korçë. Prandaj Dilaveri qëndroi nën armë edhe 6 muaj, pas lirimit të shokëve të tij, nga ushtria.

Urdhri për lirimin nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak, Dilaverit iu komunikua më 23 dhjetor të vitit 1969.

Gjatë kohës kur ishte duke kryer detyrën e kufitarit në terrenin e thyer të Nikolices, Arrzes e rrethinave ku vendbanimi i tij ishte larg qendrave urbane dhe mundësitë për të konsumuar të hollat që merrte nga reparti e ato që i vinin, çdo muaj nga familja, ishin të kufizuara. Po të shtojmë këtu faktin se Dilaveri nuk ishte duhanpirës e nuk përdorte alkool, mundësitë për të kursyer të holla ishin më të shumta. Si nënoficer i shërbimit të detyrueshëm, Dilaveri, gjatë gjithë kohës së shërbimit shpërblehej me 250 lekë në muaj, pagë e cila ishte më e lartë nga ajo e kufitarëve të thjeshtë. Gjatë kohës së kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, tek Dilaveri u shfaqën prirje të një ekonomisti të mirëfilltë. Ai diti të menaxhonte, me kursim shumën e të hollave që merrte çdo muaj. Kjo prirje e tij, kishte të bënte me natyrën e tij ekonomiqare.

Ai, i rritur mes vështirësive të shumta dhe skamjes, kishte dhe prirjen për të harxhuar me ekonomi e jo shpërdorimin e të mirave materiale. Ajo që do të zërë vend në radhët që vijojnë, na e vërteton më së miri këtë ide.

Ushtarët që plotësonin afatin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, e liroheshin nga ushtria, në atë kohë, shkonin pranë familjeve, me gëzimin e natyrshëm në zemër, por për nga veshja, e cila linte për të dëshiruar, ata me petka copë-copë, ngjanin si lypsarë. Dilaveri, përkundrazi, me paratë e kursyera, kishte mundur të blinte jo një por dy kostume dhe vajti në shtëpinë e fukarait Xhevit, i veshur sikur kthehej nga një kurbet i suksesshëm. Plaçkën me të cilën bëri kostumet, Dilaveri e bleu, në Korçë, në rrugën e "Breshkes"; në shoqërinë e kushëririt tonë Qamil Pasho Nelaj, të cilit, si invalid i Luftës Nacionalçlirimtare, i ra "shorti" të vendosej në qytetin e Korçës, ku banonte, prej Çlirimit të vendit, së bashku me familjen e tij. Metrazhet që bleu me leverdi, Dilaveri i preu e i qepi në një rrobaqepësi, me ndihmën dhe me rekomandimin e kushëririt Qamil. Jo vetëm kaq; Dilaveri, kur u kthye nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak, u kthye në familje, me plot dhurata, i ngarkuar si "kaposhi i plaçkës". Dhurata kishte për prindërit, për të afërmit dhe për të dashurit e tij.

Babait, p.sh., i çoi dhuratë, një palë këpucë dhe dy palë çorape pambuku. Dy Zonjave; të Madhës e të voglës, u solli, nga një shami (lahur) dhe nga një sapun me erë; kunatave dhe nuseve të fisit, kufitari i liruar u solli nga një sapun tualeti erëshumë. Në çantën e shpinës, Ai futi rreth 5 kg mollë korçë, të cilat kundërmonin erë të këndshme e ishin nga varietete të zgjedhura. Mollë të tilla, në Kalivaçin e Tepelenës njerëzit i ndeshnin rrallë.

Me këtë ngarkesë dhe me gëzimin që e bënte të fluturonte, Dilaveri u paraqit në Degën Ushtarake të Rrethit të Tepelenës, mbasdite. Pas procedurave të domosdoshme, dita mbaroi e vendin e saj e zuri nata. Në pamundësi për t’u kthyer në shtëpinë e prindërve, ndonëse malli e digjte, Dilaveri vendosi ta kalonte natën në qytetin e Tepelenës dhe të nesërmen të merrte udhë për në fshat. E mendoi thellë vendimin që mori e më në fund konkludoi se duhet të shkonte për të kaluar natën në familjen e kushëririt tonë Selam Mane Zenelaj (ndjesë pastë), i cili, në atë kohë banonte në qytetin e Tepelenës, së bashku me fëmijët dhe me bashkëshorten.

Në familjen e Selamit, Dilaveri u prit ngrohtë; siç pritet një kushëri, i cili i kishte munguar familjes së tij dhe fisit, për gati tre vjet. Selami, në atë kohë kishte dy fëmijë. Ai dhe e shoqja doemos që u kufizuan atë natë dhe ishin të shtrënguar t’i bënin nderet e nevojshme kushëririt, edhe pse u duhej të kufizonin disi fëmijët e tyre. Duke menduar, çfarë t’u jepte fëmijëve kureshtarë, Dilaveri zgjidhi rripin e çantës së shpinës dhe nxori prej andej dy kokrra mollë, të cilat ua dhuroi fëmijëve të Selamit. Sapo hapi grykën e çantës së shpinës, Dilaveri, në dhomë kundërmoi era e këndshme e mollëve bio të korçës. Fëmijët e Selamit i shoqëroi ndjesia, sikur kushëriri i ardhur nga Korça, u kishte falur atyre gjithë botën.

"Muaji i mjaltit", për kufitarin e liruar nga ushtria, në Kalivaç, rrodhi shpejt. Xheviti fukara dhe Zonja e Madhe e Binajve, e pritën djalin e dytë, të malluar e të përgjeruar. Ata nuk po u besonin syve, kur e panë djalin në vatër, shëndoshë e mirë dhe të veshur hijshëm. Akoma pa u hapur çanta e shpinës, vatra e shtëpisë përdhesë u mbush me gra e me burra të fisit e të mëhallës. E para, siç ndodhte rëndom, zuri qoshen, u ul e ndezi cigaren Memja; eveja e Muharrem Hasanit.

Pas saj, erdhi Hysnija e Musa Mehmetit, me çap të lehtë e tërë rromuze dhe me çibukun në gojë. Kur erdhi Hysnija kapedane, e cila ishte njëkohësisht komandante e grave të mëhallës dhe një grua zonjë, e cila matej me burra, në muhabet dhe pinte raki me dolli e duhan të fortë, me çibuk. Ajo ishte lezeti i muhabetit dhe i kishin hije fjalët dhe kunjat që lëshonte në çdo rast. Tajanja e Muharrem Kamberit, një grua shumë bujare, e cila, sa herë ngjitej lart, për të shkuar tek xha Musai apo tek Xhaxhakua, brenda futës santine të zezë, të palosur, kishte diçka brenda. Ajo, duke respektuar kunatat, erdhi pas tyre për të takuar nipin. Mëhallalinjtë, të cilët e donin shumë Dilon, gëzonin e ishin në hare.

Shkak për këtë gjendje gazplote ishte kthimi i Dilaver Xhevitit shëndoshë e mirë, nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Zonja e Madhe e Binajve nuk dinte si ta shprehte gëzimin që ndjente. Ajo, hyr e dil nga dera e shtëpisë, qeraste mysafirët dhe priste urimet e tyre. Xheviti gëzonte, pa masë, por sikur "e fshihte" gëzimin. Ai e shfaqte veten, më të rezervuar në tërësi e sidomos kur në shtëpi i vinin dashamirë. Sapo morën njoftimin, ia behën Binajt e Veldonit (Xheladini; Selmani; Lutua dhe Ilmiu) e, pas tyre edhe ata që kishin ngritur banesa tek Ullinjtë e Bushet.

Zonja e Vogël (Noja) dhe e mira Xhiko, gulconin; ato erdhën me një frymë nëpër atë të përpjetë që ngjitet, nga Varrezat e fisit, tek shtëpia e Xhaxhakos. Të njëjtën situatë përjetuan dhe Mbetja e Resul Nelos (Loloja) dhe nuset e djemve të saj: Bexhetja; Lutfija dhe Hysnija e Lutos. Ato, njëra pas tjetrës, me një fener kundra erës, në dorë, ngjitën Brinjën e Qendret dhe kaluan nëpër udhën tërë gurë që të shpie në shtëpinë e Xhaxhakos. Bexheten e Xhelo Resulit, nuk e mbante vendi. Ajo qëndronte në vendin që i përkiste në radhë, pas zonjës vjehrrë, se me atë shtat të fuqishëm, mund të dilte e para.

Atë natë, xhevit Malkua fukara, bëri një darkë (gosti) të cilës nuk i mungonte asgjë. Darka i ngjante një dasme të vërtetë. Kënga dhe vallja labçe nuk pushuan gjatë gjithë natës; mishi i pjekur dhe rakia koçimare kundërmuan mjedisin përqark. Atë natë, siç thoshin rëndom në fshatin tonë aso kohe, "hante petulla qeni i kallajxhiut". Xheviti, për të nderuar mysafirët dhe të dashurit e zemrës, me këtë rast theri një goxha milor (sheleg njëvjeçar); Zonjat dhe Memja e Muharrem Hasanit, të cilat shquheshin për gatimet me shije që nxirrnin nga duart, përgatitën gjellë të shijshme, një për një, sipas traditës vendase.

Në atë gosti morën pjesë pjesëtarët e familjes, njerëzit e trungut e të fisit, miq e dashamirës të shumtë, nga fshati e nga treva. Dajo Jaçe Sadiku; dajo Azis Telhai, dajo Mete Medini etj. e zbukuruan atë festë familjare. Të nesërmen, nisën ftesat. Të shumtë ishin ata që e ftonin Dilaverin, sipas traditës, kush për drekë e kush për darkë, në gosti, në shtëpitë e tyre. E gjithë mëhalla e Ahmetajve, që nga Hysni Meta i Derajve, deri tek Mane Tafili e pinjollët e tij që kishin zaptuar Murin e Hasanet, e ftoi tim vëlla, për t’u shkelur pragun e derës. Kush me petulla e kush me llokume, dikush dhe me një "vakt bukë".

Ndërkohë që Dilaveri vazhdonte vizitat e kortezisë, derë më derë, në shtëpinë tonë nisën të vinin për të uruar miqtë e fshatit dhe të tjerë, nga treva e më gjerë. Të parët, "zunë radhën", dhe erdhën për të uruar ata që e ndjenin veten miq më të afërt të familjes sonë. Kjo odise, mori formën e një gare të pashpallur.

Në këtë maratonë nuk mbahej radhë, por respektoheshin mosha dhe raportet miqësore. Jo vetëm miqtë e largët, por dhe mëhallalinjtë e shumtë, që vinin për të uruar, nuk i kishin duart bosh. Ata nuk mund të vinin pa gjë në duar, mbasi kishin drojë nga njëri-tjetri dhe nga ata që do t’i vështronin në rrugë. Gratë, të cilat, në kësi rastesh mbanin "flamurin", vinin për të uruar kur t’u mbushej mendja e kur të ishin të ngeshme. Ato, me një tepsi me llokume ose me një tigan me petulla, apo me çfarë t’u ndodhej, hynin e dilnin në shtëpinë tonë, për të ndarë gëzimin që shkaktonte ardhja e djalit nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Sa bukur e ka përcaktuar populli, në zhargonin e tij, fjalën lirim.

Është tamam liri mbasi në ushtri, djemtë veprojnë të kufizuar nga rregulloret e nuk bëjnë si t’u dojë qejfi; si në familjet e tyre ku mund të përmbysin kuçka e maçka e nuk u thotë asnjë fjalë njeri.

Kur vinin për të uruar miqtë e fshatit si dajo Jaçe Sadiku; dajo Azis Telhai, dajo Mete Medini e ndonjë tjetër, si Veip Beshir Hysenaj, një drekë modeste, ishte gjithnjë e pranishme. Të tjerë si dajo Banush Xhezo Haderaj, i cili ishte me shtëpi ngjitur me banesën tonë, ndihej disi keq. Atij i ngjante sikur të tjerët thonin: ja! Erdhi x e z, që janë më larg, po ti që banon ngjitur me shtëpinë e tij, çfarë bën? Ndoshta ky ishte një motiv nxitës. Interesante dhe e veçantë ishte vizita e kortezisë që bëri dhijari Veip Beshir Hysenaj së bashku me bashkëshorten, të mirën Zengjine, për të uruar ardhjen e Dilaverit nga ushtria.

Veipi ishte mik i shtëpisë sonë, dhe e mbante mend mirë vajtjen në dasmën e tij, të Xhevit Malkos, me një goxha dash, me konde (këmishë), me çyrek e me revani të paprerë. Takimin mes dy barinjve esnafë e bëri interesant rrokja qafë me qafë mes tyre. I kish marrë malli për njëri-tjetrin. Veipi ishte çoban i dhive kurse Xheviti; çoban i dhenve të kopesë së vëllezërve: Muharrem e Beshir Haxhiu. Të dy ishin esnafë; secili në fushën e vet. Veipi ishte burrë i ndershëm; i drejtë e dashamirës; bujar e i njerëzishëm.

Ai bënte shumë për njerëzit; ashtu siç bënin dhe ata për Veipin fisnik. Në çift me fisniken Zengjine Ata erdhën tek ne, në mesditë. Xheviti, nga kënaqësia dhe nga bujaria tipike e shpirtit të tij të pastër, përgatiti e shtroi një drekë modeste, ku nuk mungonte rakia e mares dhe mezetë e gjellët, sipas traditës, një për një. Si mik nga fshati, Veip Beshiri dhe bashkëshortja e tij, qëndruan deri mbasdite vonë tek Xheviti dhe kur dita po errej, u nisën për në shtëpinë e tyre, në Hasanimeraj.

Pas vizitës së kortezisë që bëri Veip Beshiri, në shtëpinë e Xhevit Malkos erdhën për të uruar miq të tjerë, ata të përtej lumit; nga Zhulajt e nga Toçi dhe dajot e xhanit. Pastaj, Dilaveri, serbes – e krenar, mori udhën për në dajo. Vëllezërit e Nënës, në Koshtan dhe në atë mjedis të këndshëm, në bregun fundor të fshatit, të cilin nipi i mëhallës Shehaj e kishte shumë për zemër. Në shtëpinë e Barjam Temes, të Adush Temes dhe vëllait të tyre Kadri Temes, nipi u prit si nip, me të gjitha nderimet. I rritur në atë mjedis, Ai, edhe pas kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, u prit, si nipi në dajo. Duke përfituar nga njohja e gjendjes, si në pëllëmbë të dorës, Dilaveri nuk priti ta sajdisnin xhixhi Misikua, xhixhi Mahmutja dhe xhixhi Shajbia, por u përfill vetë për të bërë kontroll, siç dinte Ai, në sepetet e tyre dhe në trarët e shtëpive, ku rrëmonte për të gjetur të mblojturat e xhixhive, për të dashurit e asaj dere.

Ai gjeti palafiket, vergjet me kojse, me palafike dhe me bukëfike; arrat, bajamet, ftonjtë, shegët dhe të mblojturat e tyre, deri tek turshitë me famë dhe tek pekmezi i shijshëm që përgatitnin ato gra fisnike. Dajot e pritën me gjithë të mirat dhe i krijuan mjedis të ngrohtë, por Dilaverit nuk i hynte asgjë në sy; Atij i rrihte mendja gjetiu: Mendjen e kishte ndarë të largohej nga fshati e të shpërngulej në Tiranë, për një jetë më të mirë.

Dilua u largua nga Koshtani, për në fshatin e lindjes, në Kalivaç të Tepelenës, pas dy ditësh qëndrimi tek dajot duke marrë me vete gjithë dashurinë dhe mirësinë e njerëzve në dejet e të cilëve rridhte gjak nga ai i Nënës së tij. Duke zbritur, u ndal në Toç, tek djemtë e teze Lalasë të cilët banonin në fshat aso kohe (tek Sefedini dhe tek Nebiu) e mbasdite mbërriti në shtëpinë e tij, në Ahmetaj.

Në ditët që vijuan, Dilaveri nuk e rreshti punën për të siguruar shpërnguljen nga fshati gjë që në ato vite ishte mjaft e vështirë. Kooperativa Bujqësore e fshatit ishte në hapat e parë e kishte nevojë për fuqi punëtore aktive, në mënyrë që të çonte përpara projektet. Ku kishte më mirë se djemtë e sapoliruar nga ushtria, si Dilaveri, me shokë. Kryetar i kooperativës bujqësore të fshatit ishte njeriu i fisit tonë - Mehmet Musa Nelaj. Ai i kishte të gjitha mundësitë për t’ia dhënë shpërnguljen vëllait tim, por "nuk ia jepte dora", prandaj priste si do ta trajtonin çështjen vartësit e tij dhe Kryesia e Kooperativës Bujqësore të fshatit.

Në tërësi, bashkëfshatarët e miratonin në heshtje largimin e Dilaverit nga fshati, por nuk kishin gjë në dorë, prandaj rrinin në heshtje dhe e kalonin çështjen gojë me gojë. U ndodhën dhe nga ata që e donin seriozisht këtë ndryshim në jetën e të birit të Xhevit Malkos dhe bënë çmos për ta ndihmuar Atë. Dhijari Sabri Veizi, një burrë i zgjuar e i shkathët, bujar e sojli, në një bisedë intime me Dilaverin, i pat thënë atij: "Ti Dilaver, më mirë të largohesh nga fshati, se po nuk ike, fshati do të të futë vetë në burg, mbasi ti nuk rri rehat". Eqerem Xhaferaj, një njeri për të cilin mund të thuash, pa mëdyshje se ishte model i ndershmërisë e i drejtësisë, ndihmoi goxha, me fjalën e tij me peshë, për shpërnguljen e Dilaverit dhe bëri "sa i hante krahu". Njeriu me ndikim të fuqishëm në Kalivaç e në trevë, zemërbardhi Selfo Aliu, i cili, pa mëdyshje mund të quhej: "Baba i fshatit", kishte bërë shumë të mira për fshatarët dhe për fshatin tonë. Ai e tha me forcë fjalën e tij, në kuvendin e burrave të fshatit dhe në organizatën e Partisë ku bënte pjesë.

I miri Novruz Tahiri, njeri të cilit i zinte vend fjala, mori përsipër përgatitjen e dokumenteve, sipas kërkesave të legjislacionit të kohës dhe firmosi largimin e Dilaverit nga fshati.

Mendjet e mençura, gjetën dhe mënyrën e largimit të Dilaverit, nga Kalivaçi. Meqenëse banoja në Tiranë dhe ishja në një detyrë me reputacion gjë që donte të thosh shumë, pushtetarët e fshatit kërkonin që Dilaveri të mos kishte më asnjë lidhje me fshatin e Kalivaçit dhe me kooperativën bujqësore të tij. Për ta bërë më të besueshme prirjen dhe vendosmërinë e Dilos, u mendua që Xheviti të goditej në pikën e tij më të dobët; tek dhentë, me të cilat Ai ishte i lidhur ngushtë e i donte shumë. Xheviti, një ditë të mirë, vuri dhentë dhe gomarin përpara, së bashku me qenin Buzo, të cilat i çoi në Krahës, në Llakaj, tek dhëndri i tij - Tefik Sulua. Me lotë në sy e me kokën prapa, Xheviti, mbasi siguroi dhentë dhe gjënë, mori udhën për në Tiranë. Erdhi në shtëpinë time, së bashku me Zonjën e Madhe të Binajve.

U habita, pa masë kur i pashë, të dy, në fund të shkallëve. Nuk kishin marrë asgjë me vete, veç ndërresave dhe petkave që kishin veshur. I prita siç priten prindërit e shumëvuajtur, të cilët më kishin rritur me sakrifica të panumërta. E them që në krye të herës se Xheviti nuk e mbushi javën në shtëpinë tonë: Zonja qëndroi dhe disa ditë pas tij.

E kam përjetuar intensivisht dhe e kam monitoruar me shumë merak e me vigjilencë qëndrimin e Xhevitit, në Tiranë. Ai burrë, i rritur mes dhenve, i mësuar me erën dhe me jashtëqitjet e tyre; duke dëgjuar harmoninë e trokeve, cokaleve, këmborëve dhe blegërimën e qengjave, duhet të hiqte dorë nga shumë "privilegje" e të bënte jetë qyteti, të mbyllur mes katër mureve. E mori malli të vështronte zjarrin, me sy, donte të kripte këmbët me hirin e zjarrit dhe të ndjente zhurmën e gurëve të sokakut, shkaktuar nga thundrat e dhenve që lëviznin mbi ta. Donte të ulej tek Buza apo mbi ndonjë shkarpë apo sipër ndonjë guri të ftohtë, për të dredhur një duhan e për të kuvenduar, vënçe me bashkëfshatarët, apo me ndonjë kalimtar të rastit. Në shtëpinë tonë, në Tiranë (pranë 21 dhjetorit), hynin e dilnin dashamirë, gjitonë, njerëz të fisit tonë, krushq e shokë; vinte Faik Durua; Faik Feimi i Pajajve, Muhamet Hasani; Lirimi dhe xhirja, xha Miti, Llazari dhe Kristina, Malo gjoni, Gjonleka etj. Xhaxhakua, çoban dhensh i regjur, e në moshë të madhe, gjatë ditëve që qëndroi në shtëpinë time, as hëngri e as piu. Ai thuajse nuk vinte gjumë në sy, por ndizte e fikte çibukun dhe kërkonte të pinte një gotë dhallë ose një sapllak me kos; pra, kërkonte bulmet, me të cilin e kishte mbajtur shpirtin, kur ishte në fshat.

Kur zbrisja shkallët në mëngjes, për të blerë qumësht, d.m.th. kur kishte zbardhur dita, disa herë e kisha gjetur në fund të shkallëve. Mes meje dhe Babait, në këto raste, zhvillohej, aty, në këmbë, një dialog interesant. E kuptoja çfarë kërkonte im atë; Ai donte të shkonte në fshat, tek dhentë e tij. E provokoja, si rastësisht e Ai përgjigjej: "Nuk e kam këtu vendin unë; vendi im është atje, në fshat, në Kalivaçin tim të cilin nuk e ndërroj. Sikur ngopem me frymë atje dhe jam i lehtë, si pupël".

Një ditë, më tha prerë: "Do më shpjesh në fshat, apo të nisem në këmbë se udhën e mbaj mend!" Kishte ardhur në këmbë dikur, në vitin 1964, kur unë kisha shkaktuar një ngjarje të jashtëzakonshme, kur shërbeja në Rinas, dhe Babai kërkonte të më takonte, por nuk më gjeti dot. Ai bëri në këmbë rrugën: Plepa - Ndroq - Tiranë - Rinas e kthim. Desha s’desha, e nisa me një autobus që shkonte në Fier dhe prej andej, me makinën Zis - të mbuluar të Kamberit, mbërriti në Krahës, tek e bija. Në të errur, Xheviti zbriti në Pecaj dhe prej andej po vërente se mos diktonte dhentë e tij, në kullotë, të monitoruara nga dhëndri i tij – Tefik Sulo Llakaj. Më poshtë po ju bëj me dije, opinionin telefonik, marrë nga djali i madh i Tefikut - Suloja, i cili është dëshmitar okular i asaj dite (natë) dhe i zhvillimeve të mëvonshme, në Kalivaç.

Siç dëshmon Bushua (Sulo Tefik Llakaj) i cili, aso kohe ishte fëmijë: "… Gjysh Xheviti, në atë buzëmbrëmje zbriti në Pecaj. Sytë i kishte të fortë e të mprehtë si të zhgabonjës dhe vështronte e njihte së largu. E pashë kur vuri dorën mbi vetulla, sikur të kishte vënë në kokë kapele me strehë dhe e hodhi vështrimin nga Sheshi i Ormenit ku kulloste dhentë dhëndri i tij – Tefiku. Njohu delen e tij - Balen - e cila shquhej mes tufës së dhenve, për nga ngjyrat e lëkurës dhe për nga shtati i bëshëm. Nuk e mbante vendi për të parë dhentë e tij të dashura. I rrihte zemra fort dhe këmbët e çonin vetiu drejt kasolles ku mblidheshin dhentë.

Ra nata. Bagëtitë u sistemuan në kasolle dhe Gjyshin e rehatuam pranë oxhakut. Në vatër ishte ndezur një zjarr kalafak, me kërcunjtë e lisave të shkulur nga Korija e Zhulajve. U ngroh mirë e mirë. Pikasa kënaqësinë e madhe që ndjente, duke e parë zjarrin me sy. E pashë me duar të zgjatura drejt flakës, sikur donte ta përpinte.

Të ngrohta ishin mjediset e shtëpisë së Dajo Niaziut, në Tiranë, por zjarri ishte i mbyllur, brenda sobës e Ai nuk e vështronte me sy.

Lumturia i shtroi darkë, siç gatuan bija për Babanë. Ai nuk e kishte mendjen fare tek pritja dhe shërbimet që i bënte krushqia dhe e bija, por donte të shkonte në kasollen ku ishin dhentë. Afër mesnatës, me një fener kundra erës në dorë, i shoqëruar nga Tefik Sulua dhe nga unë, vajti në kasollen e dhenve. Sapo hapi lesen e kasolles, dhentë, kur panë dritën e fenerit kundra erës dhe ndjenë erën e vajgurit, u trembën e u grumbulluan në një qoshe të kasolles. Ato u mblodhën pranë njëra-tjetrës, siç mblidhen dhentë kur ndjejnë rrezikun, por u qetësuan shpejt. Siç duket edhe bagëtitë ndjenë erën e të zotit të tyre; Atij që i kish rritur e ishte kujdesur për to, në mënyrë të posaçme.

Interesante dhe e papërshkrueshme ishte qasja e gjysh Xhevitit, tek dhentë. Jo vetëm se ishte natë dhe disa veprime nuk mund të shquheshin lehtë, disa veprime të imëta të tij.

Xheviti, i malluar për dhentë e tij të dashura, kapte çdo dele, (dash, milore, milor) prej flokësh. Nuk i kishte qethur në gusht, siç bënte zakonisht, prandaj ato e kishin leshin "degë". Gjatë ditëve që Xheviti ishte në Tiranë dhe dhentë e tij i kishte ruajtur Tefiku, ato nuk ishin rjepur. E ku do të rripeshin? Lëndina ku ato kullotnin ishte e zhveshur nga shkurret dhe nga drurët që "krihnin" leshin e dhenve.

Pastaj, xheviti, si çoban i regjur, i kapte dhentë, një nga një tek kryqet ku ndiente, me të prekur nëse ishin dobësuar apo kishin mbetur, "si mushka", siç i kishte lënë Ai. I kapte dhe tek gjoksi për të parë nëse ishin dobësuar. Duke ndjekur këtë veprim të tij, Tefiku, me fener në dorë, me drojë se mos merrte flakë kashta e kasolles së dhenve, ndjeu psherëtimën e tij (herë pas here, Xheviti "hiqte në zemër" dhe qante). Qante fatin e tij.

Kur Ai u bë me tufën e dhenve të tij (pas ndarjes me qinosarin Karafil Mahmuti) dhe vënies në udhë të mbarë të planeve të tij për t’i bërë dhentë të një dashi, ja dhe çështja e vështirë e largimit të Dilaverit nga fshati që i solli gjithë ato telashe. Xheviti mezi priste të fekste për t’u nisur, së bashku me dhentë për në fshatin e tij të dashur, për në Kalivaç, në atë palcë dimri.

Sapo zbardhi drita - kujton Sulua, nxorrëm nga kasollja dhentë dhe veçuam pjesën e gjysh Xhevitit. Çudi e madhe. Unë isha i vogël por një gjë e kuptova: Me të dëgjuar shenjën e Gjyshit: "Brrrr", dhentë e tij u ndanë më vete e u vunë në kolonë, për një, me dashin përçor përpara, të prirë nga Gjysh Xheviti. Më ngjante sikur edhe bagëtitë donin të shkonin në vendin që njihnin e në kasollen e tyre. Na shoqëroi Tefiku deri në Bregadova. Ecja në fund të kopesë.

Gjyshi i kishte bllokuar të gjitha këmborët dhe cokalet që të mos bënin zhurmë, andej nga do të kalonim. Vetëm dashi që i printe kopesë kishte këmborë të varur në qafë. Kaluam nga Arat e Buta, që të mos kishim telashe në Gonene ku ishin vendosur stanet e dhive dhe në mëhallet Bozanaj, Meçaj e më pas në Ahmetaj. Planin e lëvizjes, Xhevit Malkua e kishte bërë të studiuar mirë dhe e kishte në kokë. Zbritëm në Margëlliç dhe kaluam në udhën që ndiqnin bashkëfshatarët tanë, për të kaluar nga Gjembi i Bilos, nga Vathrat, nga Fieri i Metes, dolëm në Veldon e tek varrezat e fisit e të mëhallës Ahmetaj dhe më tej dolëm në Dërrasë. Nga Qivuri i Zoto Halilit, segmenti i udhës deri në Hysodosaj, tek Nasip Hyseni ishte i shkurtër dhe nuk ramë në sy të njerëzve.

Nasip Hyseni, i biri i Hallo Sados (motrës së Musa Mehmetit) dhe i Hysen Mahmutit, ishte njëri nga njerëzit më të dashur e më të besuar të Xhaxhakos. Ai ishte esnaf për mbarështimin e dhenve dhe gojëkyçur. Në kasollet e dhenve të tij, u sistemuan dhe dhentë e Gjysh Xhevitit. Aty, tufa jonë e dhenve qëndroi rreth një muaj. Qumështin e paktë që milnim nga dhentë e merrnim në një gavetë, mbeturinë nga lufta Italo - greke dhe bënim një udhë të çuditshme për të shkuar në shtëpinë tonë, në Ahmetaj. Kalonim prapa makinës së miellit, prapa shtëpisë së Feta Bujkut, dilnim tek shtëpia e Çizo Selfos, pastaj futeshim nëpërmjet bahçes së xha Musait, e të Hysni Metes dhe zbritnim në bahçen e Gjysh Xhevitit.

Në shtëpi banonim të dy; unë dhe Gjysh Xheviti. Një muaj rresht nuk iu ndava Gjyshit, derisa erdhi nga Tirana Nënë Zonja. Mamaja ime - Lumturia, vinte një herë në dy ditë, nga Krahësi. Ajo na lante e na ndërronte dhe na sillte gatime të përgatitura në shtëpinë tonë, në Llakaj. Na pëlqenin byrekët e përgatitur me lakra të egra, qullapitet, petullat dhe gjellët e traditës. Ajo ndjente kënaqësinë se i shërbente Babait të saj dhe djalit të parë – Sulos.

Mbasi erdhi nga Tirana Nënë Zonja, dhe morëm dhentë nga Nasip Hyseni, shtëpia e gjyshërve të mi u stabilizua me gjithë sa kishte më parë ajo ekonomi. Unë, dëshmon Sulo Tefik Llakaj, u ktheva në Krahës, me nënën time - Lumturinë, në njërën nga ardhjet e saj. Dajo Dilaveri, ndërkohë, mbasi kishte marrë në dorë shpërnguljen, kishte ikur në Tiranë".

Dilaveri nuk e pati aq të lehtë shkëputjen nga fshati i lindjes dhe nisjen për në Tiranë. Ai ishte lindur e ishte rritur në atë mjedis burrëror, ku përmbi fukarallëkun e skajshëm prevalonin dinjiteti dhe burrëria. Djali i Xhaxhakos, nuk u rrit me pekule e nuk notoi në kamje, por u rrit mes vështirësish të panumërta e në skamje të skajshme. Nëse dokumentet i formuloi, në mënyrë të saktë Derua i Muharrem Kamberit, i cili, në atë kohë vazhdonte Shkollën Pedagogjike të qytetit të Gjirokastrës dhe synonte të bëhej mësues i fëmijëve të fshatit. Shumë dhe me dëshirë të mirë, punoi për formulimin dhe firmosjen e shpërnguljes nga fshati, kalivaçasi i mirë Novruz Tahiri, i cili ishte dhe në funksione drejtuese. Ndihmuan shumë njerëz që ishin vullnetmirë e donin ta vështronin Dilaverin të "çantë përpara" e të bëhej dikushi e të mos mbetej pas kasmes e lopatës apo të mbante në dorë kërrabën e çobanit të dhenve.

Fjalën e mirë e thanë: Sabri Veizi; kalivaçasi i natyralizuar Hamza Sheshua i Mehmetajve; i cili ishte një burrë i zgjuar, i shkathët dhe hokatar, nga ata që u dëgjohej fjala; Selfo Aliu; të cilin, pa frikë mund ta cilësoj si "Babai" i fshatit; Eqerem Azbiu etj., etj.

Dilaveri siguroi shpërnguljen, të cilën e siguroi mirë dhe e mbante me kujdes, në gji sikur të kishte një shkrim të shenjtë, i cili vlente sa vetë jeta. Mirëpo, duke rrugëtuar për në Krahës, tek motra Lumturi i shoqëruar nga kushëriri Muhedin Salih Nelaj, i cili kishte ngarkuar në kalin e tij të kuq, një "kaposh" me plaçka personale të Dilos, Atij i shkonte mendja dhe vështronte, si në një film pa zë gjithë jetën e tij në Kalivaç. Kujtonte fëmijërinë, adoleshencën, rropatjet pas dhenve dhe përpjekjet e tij për të dalë mbi kërkesat e kohës. Vendosmëria e tij për t’u larguar në Tiranë dhe për të nisur një jetë të re, më në fund u kurorëzua me firmosjen e shpërnguljes dhe marrjen e saj në dorë nga Dilaveri. Po tani e tutje?

Çfarë e priste djalin çapkën të Zonjës dhe të Xhevitit? Asgjë të sigurt nuk vështronte; çdo gjë i dukej e largët, por ishte shumë i vendosur të kapërcente çdo lloj vështirësish që do t’i dilnin përpara. Kjo vendosmëri e tij, nuk ishte çështje inati, por një motiv i brendshëm, i cili e shtynte Atë të ecte përpara, me guxim e pa drojë. Mbasi u sigurua se Babai i tij dhe bagëtitë ishin nisur për në Kalivaç dhe se e ëma - Zonja e Madhe e Binajve, shumë shpejt do të shkonte në fshat për ta stabilizuar familjen dhe shtëpinë, Dilaveri, me horizontin që i hapte ky hap i madh përpara, mori udhën për në Tiranë, ku e dinte se mbështetja kryesore do të ishte vëllai i tij. Problemi më i vështirë e me vlera jetësore për të ishte gjetja e një pune të përshtatshme, për aftësitë dhe për nivelin e tij.

(Fund i pjesës së parë); shkruar nga Niazi Xhevit Nelaj - vëlla i Dilaverit.

Shënim: Shkrimi ka në bazë rrëfimin autentik të Dilaverit, sipas kujtimeve vetjake, të cilin e kam intervistuar, herë pas here, kur i kam shkuar, për ta parë, pas goditjes së dytë cerebrale që pësoi, e cila, për faktin se ishte e përsëritur dhe më e fortë në intensitet, bëri që vëllai im të qarkullonte me vështirësi dhe me ndihmën e një bastuni - paterice. Rrëfimet e tij janë vjelë në çaste kthjellimi të mendimit dhe pa e bezdisur Atë. Autentike janë dhe opinionet që kam mundur të siguroj nga shokë e miq të tij, të cilët, me vullnet të lirë dhe bazuar në jetën e tyre të përbashkët e kanë pasuruar këtë material me prurje me vlerë. Ndonjë sistemim e përshtatje dhe ndonjë rregullim fjalish (jo mendimesh) e kam bërë me dëshirë dhe mbasi kam marrë pëlqimin e "heroit" të shkrimit. Ato nuk ia heqin autenticitetin rrëfimit e nuk ia prekin bukurinë.