Cilin program televiziv të ndjekim? Unë gjeta këtë "shteg", për të shpalosur mendimin tim.

Kohët e fundit jam vënë në një hall të madh. Mbase nuk është vetëm halli im. Zakonisht në mëngjes ndjek programin: "Aldo Morning Show". Aty gjej tema me interes; të menduara mirë e gjithëpërfshirëse. Ruaj mendimin se moderatori i këtij programi është njeri i zgjuar e kompetent; mjaft i përshtatshëm për atë që bën.

Në këtë program televiziv dëgjoj mendime e opinione me vlerë, por dëgjoj dhe jo pak "broçkulla". Punë e madhe; çdo njeri, fundja është në të drejtën e tij të shpalosë opinionin, nivelin dhe mentalitetin e tij. Moderuesi, i cili i dëgjon këto "broçkulla" është shumë i duruar e tolerant. Vërtet që nuk e njoh atë njeri, por një kritikë e kam për punën e tij prej durimmadhi. Ai, nuk ka përse të lejojë "fjalime" të cilat bullizojnë ose që nxitin ndasitë krahinore dhe urrejtjen mes njerëzve të krahinave të ndryshme të vendit.

Sot, në programin e mëngjesit "Aldo Morning Show", një zonjë (nuk ia mësova e nuk dua ta di emrin e saj), "zbrazi" gjithë mllefin që ka akumuluar në vite, duke shpalosur ide e teza të papranueshme. Nuk di si e ka punën ajo zonjë por më revoltoi aq shumë sa mezi prita të ulem përpara kompjuterit për të shkruar këta rreshta.

Jo se jam nga Tepelena, të cilën nuk lejoj të ma shajë asnjëri, mbasi e dua shumë dhe, në opinionin tim, Tepelena është një "Pallë e larë" kurse, për tepelenasit, të cilët i ka njohur historia dhe tërë bota, nuk dua të flas. As ajo nuk mund ta përfaqësojë Tiranën dhe tiranasit; as unë nuk kam vlera të përfaqësoj Tepelenën. Plot tepelenase e tepelenas shumë më të "ndritur" nga unë, kanë gojë e flasin vetë.

Jetoj prej më se 60 vitesh në Tiranë; kam bërë rreth 10 krushqi me familje tiranase autoktone dhe me emër dhe pretendoj, se e njoh këtë qytet dhe banorët e tij dhe i respektoj ata (ato) si njerëz babaxhanë, zemërgjerë e zemërmirë, trima e mikpritës, të lidhur fort me njëri-tjetrin. Kënga: "Ku ka si Tirona - Lale", ka një domethënie të madhe. Në çdo kohë tiranasit kanë hapur dyert e shtëpive e të zemrës dhe janë treguar bujarë e shumë të sjellshëm.

Gjuha që flasin vendasit, edhe ajo në dialektin e Shqipërisë së Mesme, është e këndshme dhe pëlqehet shumë; madje disa të ardhur e adhurojnë dhe e imitojnë. Kush e përbuz këtë dialekt, ka përbuzur veten dhe gjuhën e tij. Dialektizmat shyqyr që i kemi. Shpresoj ta ketë dëgjuar Zonja e nderuar shprehjen: "Hoj broj, gjithë njësoj!"

Në Tiranë kanë gjetur strehë, nga të gjitha krahinat e vendit dhe kanë sjellë me vete bagazhin nga vijnë. Le t’i duam e le t’i respektojmë të ardhurit se janë tanët. Madje dhe të tjerë, që nuk janë të kombësisë sonë, nuk ka përse t’i urrejmë; le të mësojmë nga tiranasit, qoftë dhe në këtë drejtim. I kujtoj zonjës të nderuar se nuk ka pyll pa derra dhe se derrat, në fund të fundit, në pyll e gjejnë veten.

Zonja, përmend shallvaret e tepelenasve. Dakord, ashtu kanë qenë e të atilla mund të jenë; kilota prej shajaku, të diktuara nga terreni dhe nga klima. Ajo, më mirë le të kujtojë bërkushet, brezat dhe opingat e vendasve.

Me siguri Zonja e nderuar mund të ketë ndonjë konflikt interesi. Le ta mbajë për vete e le ta zgjidhë, paqësisht, me atë që e ka, nuk ka përse të ngarkojë opinionin e gjerë, me problemet vetjake. Boll halle ka ky popull hallemadh.