• Lamtumirë, i shumëvuajturi buzëplasur!
  • Lamtumirë sivëllai im i dashur!

Sot, më 13 gusht 2021, në orën 15.00, në Kalivac të Tepelenës, në shtëpinë e tij, papritur ndërroi jetë djali i madh i Resmi Nelos- Reshati. Përcjellja bëhet nesër, në orën 11.00, në varrezat publike të fshatit.

Reshat Resmiu, e hëngri helmin me grushte dhe siç e nisi, e bitisi jetën. I mbetur jetim që nga fëmijëria, Ai u rrit dyerve të botës, duke ruajtur bravaret e fshatit e të Caushet, për një copë bukë si (yzmeqar). Reshati u rrit nga Nëna e tij kapedanë- Zonja e Vogël e Binajve, e cila e mbetur e ve, në moshën rreth 22 vjeçe, lidhi në kokë shaminë e zezë, të cilën e mbajti me dinjitet, dhe qëndroi në pragun e të shoqit, për të rritur 3 djemtë që i la Ai çikë djali.

Reshati, edhe kur u rrit e u maturua dhe u martua me të mirën e të paharruaren Xhiko, me të cilën solli në jetë një vatër me fëmijë, nuk e pati jetën të paqtë. Me shumë dhimbje përcolli vajzën e shpirtit- Florentinën, akoma pa mbushur 16 vjeçe. Pas kësaj gjëme, u nda nga jeta vëllai i tij i vetëm- Nelo Resmi Nelaj, të cilin, Reshati e quante komandanti i familjes.

Vdekja e bashkëshortes së Tij- Xhikos Xherlanxhike ia shtoi hidhërimin, trupit dhe shpirtit të sfilitur. Sikur të gjitha këto të mos mjaftonin, Reshati përjetoi dhe një thikë tjetër në zemër, vdekjen e parakohshme të vajzës së dytë, të bukurës Mira, e cila u nda nga jeta, pas një sëmundjeje të rëndë e të gjatë.

Dhe ja, më në fund, helmi e bëri të tijen, sot, në moshën 82-vjeçare u nda nga jeta, vetë hallemadhi, i sfilitur nga dhimbjet njëra pas tjetrës, duke lënë në hidhërim 3 djemtë dhe dhjetëra nipër e mbesa.

Sa mirë e ka gjetur populli ynë thënien: “Buza e plasur nuk qesh kurrë”!

Shpreh ngushëllime djemve të Reshatit: Petrefit; Myftarit dhe Pajtimit, si dhe gjithë atyre që u dhemb zemra për të ndjerin- Reshat Resmi Nelaj!

  • Lamtumirë sivëllai im Reshat Resmi Nelaj!
  • Të qoftë i lehtë dheu i tokës Nënë!
  • Qofsh i Xhenetit e u prehsh në paqe!
  • “Qyç e liga”!

R