Në fshatin Krahës të rrethit të Tepelenës, kohë më parë ka jetuar një burrë i zgjuar, i mençur dhe esnaf, i cili nuk të bënte për burrë. Emri i Tij ishte Halil Ademi. Fisnik i fisëm, denbabaden. Nga trualli ku ka jetuar Dajo Halili kam origjinën nga Nëna, Zonjë Teme Shehaj (Nelaj).

Zonja ishte kushërirë e parë e Dajo Halilit. Prandaj, kur i drejtohesha atij burri, përdorja togfjalëshin: Dajo Halili. Reresi, mëhalla ku ndodhej trualli i Dajo Halilit, ishte një vend i pjerrët, me shpinë të sigurt nga mali ku mbështetej. Ujërat që rridhnin nga ajo bokërrimë gjenin qetësi vetëm në Përroin e Krahësit, kur bashkoheshin me të. Vendi është strategjik; me pyje të dendura si Recoli, dhe me përrenj ujëplotë (kur bien reshje), sidomos tek Përroi i Zi.

Shtëpia ku banonte Dajo Halili ishte me mur guri, e mbuluar me pllaka guri të zi, pa dysheme të shtruar e pa tavan, me dy sofatë në hyrje. Banesa njëkatëshe, tip elbasançe, kishte shtrirje veri-jug dhe përbëhej nga dy dhoma të ftohta.

Në vjeshtën e vitit 1959 m’u dha rasti ta njihja nga afër Dajo Halilin. Në atë kohë Ai banonte me bashkëshorten Qamile, një zonjë e zotëruar dhe me njërin nga djemtë; me Servetin, i cili, në zhargonin e vendit, krahasohej me "gjarprin", gjykuar nga shkathtësia dhe nga zotësia. Djali tjetër, Medini ishte oficer kufiri, në rrethinat e Shkodrës. Zonja Qamile dhe Dajo Halili, kishin sjellë në jetë dhe 4 vajza gjithë nur, të cilat kishin lidhur martesa, në fshatrat përqark Krahësit.

Kur e si e njoha nga afër Dajo Halilin?

Në vjeshtën e vitit 1959, kur bëra një "turne" për të shkelur dyert e shtëpive të njerëzve të Nënës e të babait, sapo kisha mbushur 18 vjeç. Një mbasdreke, në të errur, u ngjita në Reres, për të shkelur pragun e derës së Dajo Halilit. Deri atëherë, Dajo Halilin e njihja vetëm nëpërmjet rrëfimeve të cilat, disa herë, më ngjasonin me legjenda urbane. E gjeta në arishte, tek menaxhonte dy dhentë që i kishin mbetur nga gjëja e gjallë, e shumtë që kishte pasur ajo shtëpi bujare.

Më befasoi që në pamjen e parë që i hodha atij kreshniku tërë nur. Një trup mbi mesataren, pak i kërrusur, me flokë e mustaqe të bardha, si shprehje e shpirtit të tij të pastër dhe pastërtisë së karakterit. Mbante mustaqe, jo të theksuara, por të kuruara.

Dajo Halili, kur pa që u drejtova nga avllia e tij, me shprehje dashamirëse, më mirëseardhi me fjalët: "Nga të kemi, mor djalë? I kujt je e për ku je nisur?"

"Jam nga Kalivaçi, — i thashë, — i biri i Zonjës dhe i Xhevit Malkos, po shkoj në shtëpinë e Dajo Halilit, kushëririt të Nënës."

Me një buzëqeshje të çiltër e me dashamirësi, më priu. Kur hymë brenda, më drejtoi të ulesha në qoshenë e djathtë (të mikut), ndërsa vetë u rehatua në qoshenë e majtë. Kështu e donte zakoni.

Në fillim vërshuan pyetjet dhe përgjigjet me synim njohjen reciproke. Vura re se kisha të bëja me një njeri kokëplotë, të zgjuar e me horizonte dhe mjaft të sjellshëm. Si më i madh, më tërhoqi në bisedë, natyrshëm, e ma hoqi turpin si me dorë.

Deri atëherë, kisha dëgjuar historira ku përmendej, si protagonist Dajo Halili, por ndonjëra më dukej si legjendë urbane.

Tregojnë se në vitet ’30 të shekullit të shkuar, kur fshatarët e Krahësit, ata të Kalivaçit dhe të fshatrave të tjera, shkonin në Fier për të blerë bereqet, pajtonin roja të armatosura për vetëmbrojtje dhe e kalonin natën tek Lisi i Banit, kishte ngjarë diçka interesante. Të lodhur nga udha e gjatë, fshatarët pengonin gomerët pranë hipive me kashtë që të brinin, hapnin torbat me mish të pjekur e me raki dhe e shtronin për shtatë palë qejfe; pas mesnate shtriheshin për të marrë një sy gjumë. Afër mëngjesit, moti freskohej e udhëtarët, ndonëse shtriheshin me gjithë rroba, madje nuk hiqnin as opingat, ndienin të ftohtët.

Fshatari që ishte shtrirë pranë Dajo Halilit, e tundi Atë dhe e pyeti: "Po ti, Halil, nuk mërdhi?"

"Jo", i tha Dajua im.

Tjetri vijoi: "Çfarë ke hedhur?"

"Thes", i tha Dajo Halili.

"Po çfarë ke shtruar?"

"Thes", u përgjigj çiltër Dajua.

"Po më jep një thes mua!" tha fqinji.

"Po unë një thes kam të tërë, or i uruar, e jam futur brenda."

Qeshën të dy me këtë humor të hollë fshatçe.

Dajo Halili e fliste pastër gjermanishten. Kur pararoja e pushtuesve gjermanë u fut në Luginën e fshatit Toc, me urë në dorë për të djegur Krahësin, meqenëse atje ishte Spitali Partizan dhe komandanti i njësiteve partizane Kalo Brahim Xhaferraj, Dajo Halili u doli përpara dhe me një gjermanishte brilante e befasoi të parin e nazistëve. Ky i fundit u befasua kur dëgjoi atë të folur brilante dhe tha me vete: "Çfarë befasie, në këtë vend me pyje me në mes përrenjve, gjeta një fshatar që flet kaq bukur gjermanisht." Shpëtoi Krahësi, i cili nuk u dogj dhe merita i shkon Dajo Halilit.

Edhe unë nuk shpëtova pa u befasuar atë natë. Dajo Halili menaxhonte vetëm dy dhen dhe për të më kënaqur, theri njërën. Çfarë zemre, çfarë bujarie e pashtirur! Ec e gjeje sot këtë bujari dhe ata njerëz!

- Të paharruar qofshin e të rrojnë ata që i kujtojnë e i nderojnë edhe tani që nuk janë në jetë!

Niazi Xhevit Nelaj, Tiranë, më 15 dhjetor 2023