Të nderuar lexues!

Ju bëj me dije se ditën e shtunë, më datën 9 mars të vitit 2024, në orën 10.oo, në Tiranë, në një lokal në rrugën e Elbasanit, në sallën e mbushur tej për tej me personalitete të shkencës, familjarë, të afërm dhe bashkëfshatarë të autorëve, me pjesëmarrje dhe nga treva e Krahësit, u promovua libri historik: “Një truall me tradita të lashta”, i autorëve: Prof. Dr. Vezir Muharremaj dhe Niazi Nelaj; të dy kalivaças autoktonë, të cilët, edhe pse aktualisht nuk banojnë në këtë fshat – e duan, shumë Atë.

Libri është voluminoz (420 faqe të ngjeshura), i pasur me dokumente, harta, piktura e fotografi, të cilat kanë karakter të theksuar shkencor; është shkruar në gjuhë të pastër e me materiale bindëse.

Hartuesi kryesor i librit është Prof. Dr. Vezir Muharremaj, një intelektual i kompletuar e njeri i plotësuar, jo vetëm që e ka kokën plot, por dhe zotëron disa gjuhë të huaja, të cilat i kanë mundësuar qëmtimin e detajeve historike të historisë së lashtë e të lavdishme të Kalivaçit, i cili është i bekuar e i bukur, por që, kohët e fundit e ka masakruar makuteria.

Për hartimin e këtij libri, Prof. Dr. Veziri ka punuar plot 10 vjet dhe ka përballuar edhe koston financiare, së bashku me djalin Erjon dhe me të bijën Joride (e cila banon në SHBA), kur ata që premtuan sponsorizime, u tërhoqën nga “aksioni”. Duhet thënë, se i vetmi sponsor u bë kryebashkiaku i Memaliajt, kalivaçasi Albert Malaj dhe ndonjë bashkëfshatar tjetër... Vijon...

... vijon vijimi...

Në këtë event morën pjesë: Profesor Doktor- Vezir Muharremaj, i cili, me një projektor bëri rrëfimin e çdo kapitulli të librit.

Na nderoi me pjesëmarrjen e tij, Profesor Skënder Muca (arkeolog) i cili ka vajtur në Kalivaç - 4 herë dhe është ngjitur në çdo shkëmb e ka hyrë në çdo shpellë dhe ka bërë interpretimin shkencor të gjetjeve arkeologjike nëpërmjet vëzhgimit sipërfaqësor. Profesor Skënderi, foli, për punën e bërë dhe vlerat e librit historik.

Profesore Fatmira Rama (historiane), evokoi, vlerat e fshatit e të librit dhe theksoi se Historia shkruhet copa-copa, bazuar në realitetin objektiv.

Profesor Shyqyri Hysi (historian), nga Kalivaçi, ngriti lart vlerat e Kalivaçit dhe rolin e Kalivaçasve, gjatë historisë shumëshekullore. Foli dhe shoku e kolegu i Vezirit- intelektuali Arben Pambuku; intelektuali i mirëfilltë Naim Dera, nga Kalivaçi; mendimtari i qartë e me zë brilant, kalivaçasi Xhelil Aliu; Kryetari i Shoqatës Atdhetare Kulturore të Krahësit- Pelivan Hysi; Profesori Sherif Lushaj, nga Tragjasi etj.

Në përurimin e librit për Kalivaçin nuk mund të mungonte Aktori Kalivaçasi Barjam Dosti, i cili, me patos recitoi një poezi shkruar nga punonjësi shkencor Gjergji Hoxha, me banim në Vlorë, kushtuar Kalivaçit, fshatit të dajove të tij.

Ishte i pranishëm dhe historiani i ri, kalivaçasi Xhevair Muharremaj; këngëtari virtuoz - Viktor Aliu, veteranët: Ferrik Alidervishaj; Haxhi Nelaj, kalivaçasi Agim Hysi etj.

Prof. Dr. Vezir Muharremaj, ishte në promovim, familjarisht. I biri- Erjoni, bëri konferencierin, kurse një pikë kulmore e këtij eventi ishte çasti kur, pas fjalës së Profesor Vezirit, djali i Erjonit, Dariusi 6-vjeçar i dhuroi gjyshit një tufë me lule.

Nuk mund të mbyllej promovimi i librit, pa këngën labçe të “bilbilave” Profesor Shyqyri Hysi dhe virtuozit Viktor Aliu. Këngë mori dhe Xhelili, i cili, siç duket e ka këngën në “buzë” si vëllai i tij - Viktori... vijon...

Vijon e mbaron...

Në fund të këtij promovimi, Profesor dr. Veziri, si njeri me zemër të madhe, u dhuroi disave nga të ftuarit dhe të ardhurit, nga një kopje të librit.

Veprimtari të ngjashme, larg, zyrtarizmit, është mirë të jenë të shumta (për mënyrën e organizimit), mbasi i shërbejnë, rritjes së frymës së vëllazërimit, dashamirësisë dhe njohjes me njëri-tjetrin.

Së fundi, nuk mund të mos theksoj rolin shumë dinjitoz të zonjës Armela Malaj, e cila, përtej tabuve e zakoneve të fshatit tonë, pa praninë e bashkëshortit, përballoi gjithë atë lukuni njerëzish, siç i ka hije një vajze me taban, nuse në një familje të traditës së mirë ku bujaria e shpirtit është virtyt i rrallë!

Fund!