E kisha dëgjuar, por herë e besoja; herë -jo. Kur e provova në shtat thashë: "Kështu qenka". Në një rrugëtim të kohëve të fundit, nga Poradeci, në Voskopojë, u ndodha përballë një të papriture të këndshme dhe befasuese.

Shoferi, një burrë me moshë mesatare ishte inxhinier- metalurg. Nga biseda me të kuptova se ishte burrë i zgjuar e me haber. Ai kishte njohuri të thella e të gjithanshme sidomos në lëmin e biologjisë. Për nga njohuritë që shpërfaqi, e çmova si një enciklopedist. Fliste pak por e folura e tij kishte brenda një elokuencë të rrallë. Nuk e ndjeva fare si i përshkuam ato 65 km. rrugë, në shoqërinë e një njeriu të ditur.

U befasova, madje u hutova, kur e pyeta për origjinën. Përgjigja e tij, fillimisht m’u duk sikur më kishte "blerë" dhe po më bënte karshillëk. Kur e pyeta për së dyti: "Nga je me origjinë?" Burri açik e papërtuar tha: "Jam nga Kalivaci!" "Luaj vendit, i thashë, nga Kalivaci i Tepelenës jam vetë dhe e dua shumë fshatin tim." "E po unë jam nga Kalivaci i Mokrës", gjegji tjetri, si i zënë në faj. Mora frymë i lehtësuar.

Si "përgjegjës" i makinës (në makinë isha më i moshuari) nuk e lashë me kaq. "A e di Ti, mor mik se të parët e Tu kanë shtegtuar, para shumë viteve, nga Kalivaci i Tepelenës e janë ngulur në Mokër, ku jetojnë në komunitet, mbështesin njëri-tjetrin, ruajnë, zakonet, traditat, veshjen, këngën, ritet, madje dhe emrat". "Diçka kam dëgjuar, si legjendë", qe përgjigja e Tij, "por unë jam lindur e jam rritur në Poradec dhe nuk di shumë gjëra për Kalivacin".

Ja pra çfarë bën rastësia? Prej kohësh e kërkonim këtë të dhënë e na doli fare rastësisht. E kërkonim më kot në qiell kur e kishim në tokë. Nuk thonë më kot se "atë që sjell ora, nuk e sjell dot moti!"

Aq shumë u mrekullova nga rasti sa u hutova e nuk e pyeta Burrin, as për emrin; as për atësinë dhe për mbiemrin e tij. Edhe pse Ai është lindur e është rritur në Poradec, disa tipare karakteristike kalivacasi i ka mblojtur e bën beli. Më pëlqen të ruaj marrëdhënie, me njerëz të tillë: kokëplotë dhe fisnikë!

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, në Tiranë, më 02. 09. 2024