(Sipas rrëfimit të tim eti)

Jemine Bazja, bijë në Hysodosaj e mbesë në Kamcisht të rrethit të Tepelenës u martua me Malko Binon, vëllanë me nënë e me baba të Nelo Binos nga Nelajt. Malkua dhe djali i parë i vëllait Nelo vajtën në Turqi, nizamë por që nuk u kthyen më. Fati i tyre nuk u mor vesh.

Jemineja, e mbetur pa burrë, u mbështet tek kunati Nelo. Largimi i burrit, e la Jeminenë me një vajzë të moshës 5-6 vjeçe, të cilën e quanin Merushe dhe me Xhevitin (Babanë tim), në bark.

Me meraqet e kohës dhe sipas traditës vendore, Jemineja e martoi vajzën Merushe, sapo ajo mbushi moshën zakonore për të vajtur tek burri, në fshatin Dhemblan të rrethit të Tepelenës, me fshatarin Bilo Sulejmani.

Në dasmën e vajzës Merushe, burrëresha Jemine Bazja, e përvëluar nga mungesa e burrit prej disa vitesh, (Malkua iku nga shtëpia kur Jemineja nuk i kishte mbushur të njëzetat) dhe nga fukarallëku i skajshëm, u çua në këmbë dhe ia mori këngës:

“Unë Merushën e martova;- O Malko;
Dot me Ty nuk e gëzova;
O Malko;
E marr Xhevitin nga dora;
O Malko;
I mbeti koka nga Vlora;
O Malko;
Pret të vish e t’ia bësh forra;
O Malko!”

Mund të them se ajo dasmë fukaraje, u kthye në të kundërtën e saj!