Ju lutem; mos mendoni se kemi të bëjmë me një zbulim arkeologjik të objekteve të kultit të lashtësisë. Jo or jo: Është një gjetje e rastësishme e një partizani të vrarë në Luftën e Dytë Botërore, të cilin vëllezërit dhe të afërmit e Tij e kërkonin prej vitesh. Rasti më shpuri, krejt papritur tek ai vend “i shenjtë”, i cili, do të mbetet një përmendore mosharrimi e asaj epopeje të lavdishme që largoi, me autoritetin e armëve partizane hordhitë e pushtuesve nazifashistë dhe i solli Atdheut lirinë. Vajtja ime në atë vend, ishte një rastësi fatlume dhe me “bereqet”.

Sa vajza e sa djem shqiptarë u vranë, në çdo cep të Shqipërisë, madje dhe në troje të tjera për të ndihmuar, me luftë fqinjët e nuk u dihet varri. Familjarët dhe të afërmit e tyre nuk dinë një vend ku të bëjnë pelegrinazh.

Ishte kohë lufte dhe aksioni luftarak, diktonte situata nga më të ndryshmet. Partizanit i vritej shoqja apo shoku i dashur, që kishte në krah e ai duhet të vepronte, me nxitim për t’i bërë ballë situatës. I vrari, varrosej ku e si të mundej, mbulohej me dhe, fiksohej një shenjë dhe formacioni partizan, shtegtonte në ndjekje të armikut përballë.

Pas çlirimit të vendit, familjarët dhe të afërmit e të rënëve, gjenin varret dhe sistemonin të rënët, por kishte dhe raste kur shenjat zhdukeshin ose nuk kujtohej vendi i rënies dhe kërkohej e kërkohej, derisa gjendej, varri ose një shenjë e tij.

Kësisoj mund të ketë ngjarë dhe në rastin që vijon. Xhemal Azbi Bakaj (Çelaj) nga fshati Kalivaç i rrethit të Tepelenës, punonte në Durrës. Urrejtja, pa kufi për pushtuesin dhe gjeni luftarak e thirrën Xhemalin të hidhte në krah dyfekun e të dilte në mal, me Çetën e Pezës, të cilën e komandonte Legjendari Myslym Peza. Luftoi me trimëri Xhemal Azbiu nga Kalivaçi i Tepelenës, në Çetën partizane të Babë Myslymit dhe dha jetën, për të mbetur i gjallë, në përjetësi.

Le të largohemi pak nga konsideratat dhe të zbresim në terrenin konkret të çështjes. Pyetja shtrohet: Si e gjeta varrin e ish partizanit të çetës së Babë Myslymit Xhemal Azbi Bakaj (Çelaj) në varrezat e dëshmorëve të Pezës?

Një ditë qershori, së bashku me mikun tim pezak, ing. Alban Karaj mora udhën për në Pezë të Madhe. Nuk kisha qenë ndonjëherë në këtë fshat heroik; as në këtë trevë të lavdishme. Isha kurioz për të vështruar Muzeun Historik, të cilin populli i Pezës i ka ngritur birit të saj, “Heroit të Popullit” - Myslym Peza.

Rrugëtimin deri në Pezën e Madhe e bëmë me makinën Benz-Mercedes të inxhinier Albanit, me pronarin e makinës në timon. Rrugës sodita me kënaqësi natyrën e bukur të këtyre anëve, ku gjelbërimi ishte ulur këmbëkryq. Treva, në shumë detaje më ngjante me fshatin tim dhe kjo ishte një kënaqësi e veçantë.

Në rrugë, u ushqyem në një restorant ku produktet ishin prej fshatit dhe të freskëta. Një grua, përzinte, me vrap një pulë në faqen Lindore ku ishte një arë buzë përroit. E hëngrëm pulën, me qull. Kaq vjet në Tiranë dhe nuk e kisha provuar pulën me qull. Siç duket kjo gjellë, i përket më tepër katundarisë.

Sapo mbërritëm në Pezë të Madhe, dhe kalon Tyrben dhe godinën ku është ndërtuar Muzeu, vura re në të djathtë një lëndinë të paparë, nën hijen e lisave me kurorë të madhe, luanin dhe dëfreheshin fëmijë shkolle, të ardhur nga Durrësi e nga Tirana dhe nga qytete të tjera.

Më vajtën sytë, në të majtë ku zbardhonin varret e Pezës. Nuk ishin pak por një fushë e tërë, e mbjellë me varre ku mermeri i bardhë krijonte një imazh të paparë. Fillimisht u habita. Me vete mendova: Një fshat i vetëm dhe me kaq shumë të rënë për liri?

U afrova dhe nisa të lexoj, nga fillimi emrat dhe mbiemrat që shkruheshin me të zezë, në çdo kokë varri. Shtanga e u mrekullova kur lexova tek koka e varrit të pestë emrin: Xhemal Azbi.

Koha kishte bërë të sajën. Agjentët atmosferikë kishin thërrmuar një cep të pllakës së bardhë. Ama, siç thuhet në fshatin tim me emër dhe me emrin e babait, shkronjat ishin të lexueshme.

Nuk po u besoja syve. Xhemal Azbi Bakaj (Çelaj) ka rënë dëshmor për lirinë e Shqipërisë, por ç’deshi në Çetën e Pezës?

Isha në dijeni se familja e Azbi Bakos (Çelaj) ishte kalivaçase i natyralizuar. Ai, së bashku me familjen e Tij kishte ardhur në Kalivaç të Tepelenës nga fshati Drizar i rrethit të Fierit. Kjo familje ishte njëra nga familjet më të vendosura e më kontribuuese në Kalivaç. Pesë djem xha Azbiu i nisi partizanë; dy prej tyre: Xhemali dhe Hamiti ranë dëshmorë.

Xhemali kërkohej, por nuk kishte asnjë sinjal për vendndodhjen e varrit të Tij. Dhe ja, fare rastësisht, e gjeta në Pezë. U lumturova, pa masë. Fluturoja nga gëzimi. Kisha zbuluar diçka të rrallë e me shumë vlerë.

Të jem i sinqertë. Gjatë gjithë udhës së kthimit më rrihte si çekan pyetja: Si t’ua bëj me dije vëllezërve dhe familjarëve të tij këtë lajm i cili nuk gëzoi vetëm ata.

Me t’u kthyer në Tiranë, e mbajta vrapin tek Samiu, vëlla i Xhemalit; ish oficer i Ushtrisë Popullore. Ia thashë “ëmbël” që të mos pësonte gjë. Ai e përhapi si rrufe lajmin e shumëpritur ...

U lumturova unë; lumturova dhe mjaft të tjerë!

Kujtoi Niazi Xhevit Nelaj; në Tiranë, më 23 prill të vitit 2025