(Reportazh)

I harruar nga Qeveria por jo nga njerëzia. Fshatrat e vendit tim, të gjitha janë të bukura me histori interesante, pavarësisht, se janë boshatisur e zbrazen çdo ditë. Jam nga Kalivaçi i Tepelenës, të cilin e dua shumë e nuk e ndërroj. Në kohët e fundit më ka tërhequr e më ka bërë për vete një fshat i bukur e me histori, i cili shtrihet rrëzë malit të bukur të Kozecit që mban emrin Kalivaç; siç quhet dhe fshati im i lindjes.

E them me gojën plot se mali i Kozecit është njëri nga malet më të bukura të vendit, në formën e një koni, i pyllëzuar deri në majë, me një unazë bojë gri në mes, e cila i rri për bukuri e ia shton hijeshinë. Në rrëzë të malit kalon një përrua malor, ujëftohtë e ujëplotë, i cili derdhet në Lumin Shkumbin, në ultësirën poshtë malit.

Një herë të vetme e shkela atë fshat malor dhe një herë fola me ata njerëz interesantë sa më mbeti mendja tek ajo natyrë e bukur dhe tek ata njerëz, të cilët rrallë i takon në jetë. Historia e themelimit të Kalivaçit të Mokrës së Sipërme dhe të qenit vitalë të atyre njerëzve të rrallë, janë nga “perlat” e Kalivaçit të Mokrës, paçka se ky shtet “merhum” e ka lënë pas dore.

Po çfarë çmoj, së tepërmi tek ata njerëz të rrallë, të cilët kanë në gen trashëgiminë e Kalivaçasve të rrethit të Tepelenës?

U mendova gjatë për të përzgjedhur e për të shkruar këto fjalë dhe në mjegullnajen e mendimeve që më kapluan qëmtova këto fjalë të ndjera, të cilat u bëjnë nder jo vetëm banorëve të Kalivaçit të Mokrës së Sipërme, por, jehona e tyre shkon më tej.

Vijon, menjëherë...

vijon reportazhi...

  1. Kalivaçi i Mokrës së Sipërme, mban emrin e nderuar të atij Kalivaçi të largët e të ashpër, por që i ka të gjitha ato që i duhen njeriut, për të jetuar dhe fshatit për t’u përzgjedhur njëri nga të 100 fshatrat turistike të vendit.

Nuk po shtrihem në histori, mbasi druaj se mos nuk mund të jem aq i saktë, se nuk jam në fushën time, por, të them opinionin vetjak për një çështje që më ka pëlqyer aq shumë, asnjëri nuk ka të drejtë të më ndalojë.

E thënë historikisht pastër, Kalivaçi i Mokrës së Sipërme, i ka të gjitha gjasat, për të thënë gojëplotë se e ka zanafillën e jetës, tek tre vëllezër, të cilët, në kohë që nuk dihen, Për shkaqe vetjake, shtegtuan larg, shumë larg nga trojet që i lindën e i rritën, së bashku me mall e me gjë dhe u ngulën në hapësirat ku janë sot pinjollët e tyre.

Vëllezërit, me Nënë e me Babë: Hamzai; Fejzua dhe Hyseni, vunë bagëtitë përpara, ngarkuan laçkë e plaçkë dhe u nisën për në udhëtimin e largët e të vështirë. Akoma nuk dihet me saktësi koha kur shtegtuan; mbiemrin që mbanin në Kalivaç të Tepelenës dhe mëhallën së cilës i përkisnin. Tre vëllezërit nuk janë në jetë, por rrojnë pinjollët e tyre, të cilët trashëgojnë tiparet karakteristike të paraardhësve. Tre vëllezër erdhën fillimisht, në Kalivaçin e Mokrës së Sipërme, por sot, numërohen aq familje dhe shumë njerëz, të cilët, në kohën e shtegtimit, zor se mund të mendoheshin.

Meqenëse e shkela këtë fshat dhe e vrojtova trevën drejtpërdrejt, në të cilën jetojnë gra e burra të ndjerë, nuk besoj se gabohem po të bëj disa vlerësime, të cilat, në fund të fundit mbeten opinione vetjake.

Së pari,

Të tre vëllezërit, që përzgjodhën këtë vend, për të jetuar dhe themeluan Kalivaçin e Mokrës së Sipërme ishin mjaft të zgjuar; kokëplotë, fisnikë, burrërorë dhe shumë trima.

Dal në këtë përfundim, nisur nga fakti se themeltarët e fshatit Kalivaç të Mokrës së Sipërme; shtegtuan larg, shumë larg derisa gjetën trevën e përshtatshme për të jetuar dhe për të mbarështuar bagëtitë që mbanin e ushqenin. Vijon, menjëherë...

vijon reportazhi...

Siç rrëfejnë gjërat e siç janë të gjitha gjasat, të tre vëllezërit që shtegtuan nga Kalivaçi i Tepelenës dhe u ngulën në rrëzë të malit të Kozecit gjetën atje kullota, kryesisht për të dhirta, por dhe për bagëti të tjera. Mali i Kozecit është i gjelbër gjatë gjithë vitit dhe gjethi është gjithëvjetor, ashtu si lastarët e përralleve në Kalivaç të Tepelenës ku ushqehen kope të tëra me dhi. Mali i Kozecit ka dhe bar, të mirë e gjatë gjithë vitit, për të ushqyer, të leshtë, gjedhët dhe njëthundrakët, ku dominojnë mushkat, por që ka dhe kuaj e gomerë, të rrallë.

Ndoshta, nisur nga ky fakt, mund të arrijmë në përfundimin logjik se fisi dhe familjet që lanë në Kalivaç të Tepelenës, kanë mbarështuar, në vite, të dhirta. Përzgjedhja e kullotës, pranë burimeve ujore të domosdoshme, është, njëherazi dëshmi e mençurisë së tyre.

Nga sa mësova, në ato pak orë të qëndrimit në shoqërinë e kryeplakut të fshatit Kalivaç të Mokrës së Sipërme, zotit. Hekuran Hamzallari, mësova se bashkëfshatarët e Tij, mbarështojnë, të dhirta, të leshta, gjedhe, njëthundrakë për ngarkesë ku vend qendror zënë mushkat, ka dhe kuaj ngarkesë, madje dhe gomerë. Në shtëpitë e tyre dhe në stane, kalivaçasit e Mokrës së Sipërme, mbajnë qen të fortë e të egër, në roja të familjeve dhe të gjësë së gjallë.

Kalivaçasit e Mokrës së Sipërme, pohojnë gojëplotë dhe me krenari se origjina e tyre është Kalivaçi i Tepelenës, kur të tjerë përpiqen ta mohojnë ose ta tjetërsojnë origjinën e tyre. Kjo, për mendimin tim është vlerë më vete. Ata janë krenarë se janë pasardhës të kalivaçasve trima të Atij çikë fshati dhe janë krenarë për faktin se trashëgojnë tipare të qenësishme të tyre.

vijon reportazhi...

vijon reportazhi...

Ka shumë mundësi të jetë kështu. Historianët e mirëfilltë e të paanshëm, kam besim se do t’i japin përgjigje të saktë edhe këtij problemi.

E dyta;

Fakti që të tre vëllezërit shtegtarë u ngulën në atë vend malor, disi larg vendbanimeve të tjera, në një mjedis paqësor, me banorë të qetë e të mirë, tolerantë e të duruar pa agresivitetin dhe frymën e imponimit të të ardhurve, na dëshmon, gjithashtu se ata, vetë, i kanë bërë llogaritë mirë dhe i kanë studiuar kushtet në të gjithë përbërësit; pra kanë qenë të mirëformuar dhe kokëplotë.

Pavarësisht se banorët e Kalivaçit të Mokrës së Sipërme, u shtuan shumë dhe shpejt duke u kthyer nga minorancë në shumicë, prapëseprapë, ata ishin tepër të kujdesshëm në marrëdhëniet me vendasit autoktonë. Tre fiset që rrodhën nga vëllezërit Hamza, Fejzo dhe Hysen të cilët e vijuan jetesën e pasardhësve të tyre dhe i lanë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin fiset Hamzallarë, Fejzollarë dhe Hysenllarë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin dhe në përkrahje të shoqi-shoqit. Shtegtarët, si ata që themeluan Kalivaçin e Mokrës së Sipërme dhe pinjollët e tyre, vështruan punën e tyre e nuk u përzien në punët e të tjerëve. Ata nuk kanë qenë e nuk janë grindavecë e ngatërrestarë.

Duhet thënë, e vlerësuar se vendasit, janë qasur ndaj të ardhurve miqësisht ndaj të ardhurve rishtaz në trevën e tyre.

E treta;

Kalivaçasit e Mokrës së Sipërme, janë vitalë. Ata janë shtuar shumë e shpejt dhe, nga tre vëllezër që erdhën fillimisht, tani, fshati numëron 65 familje, me rreth 300 banorë. Në këtë shumë, nuk janë llogaritur ata dhjetëra kalivaças që janë shpërndarë në të katër anët e rruzullit tokësor. Ky fakt më gëzon shumë, mbasi vë re të jetë aktiv gjeni i shumëzimit, tek sivëllezërit e mi dhe se shtohen shpejt, njerëzit e mirë.

Nuk e besoj se është gjë e keqe kur shtohen njerëzit e mirë. Prej të mirit, mund të presësh vetëm mirësi. Të tillë janë kalivaçasit; si ata të origjinës dhe ata që banojnë në fshatin e origjinës dhe ata që banojnë në Kalivaçin e Mokrës së Sipërme. Veç po i shkele në kallo, kalivaçasi e di vetë si vepron.

vijon reportazhi...

vijon reportazhi...

E katërta;

Për zgjuarsi; mençuri; pjekuri dhe trimëri të kalivaçasve të Mokrës së Sipërme, bën fjalë dhe përshtatja e tyre me vendasit, pa hequr dorë nga vlerat dhe tiparet e tyre të qenësishme. Në rastin tonë, pa marrë parasysh kohën kur ka ngjarë, kemi të bëjmë me një migrim të mirëfilltë. Të tre vëllezërit shtegtarë: Hamzai; Fejzua dhe Hyseni i shtuan emrit të tyre një prapashtesë - llari, duke formuar kështu tre fise: Hamzallarë; Fejzollarë dhe Hysenllarë. Ata, nga brezi në brez u shumuan dhe formuan një goxha fshat të harmonizuar me fqinjët; pa humbur identitetin.

Në elementet tipike të karakterit dhe në mënyrën e jetesës, kalivaçasit kanë ruajtur, me besnikëri vazhdimësinë kalivaçase të origjinës. Më vjen mirë që banorët e fshatit tim të dytë, e kanë quajtur fshatin e tyre Kalivaç dhe këtë e thonë me mburrje e janë krenarë për origjinën e tyre.

Kalivaçasit e fshatit të origjinës dhe ata të Kalivaçit të Mokrës së Sipërme nuk janë ksenofobë. Ata i pranojnë të tjerët, ashtu siç janë; natyrisht duke iu përmbajtur disa kritereve që preferojnë. Veç, në tërësi, kalivaçasi është i afrueshëm dhe dashamirës.

Nuk jam besimtar, por besimin e tjetrit e çmoj dhe e respektoj. Duke synuar të jenë të njëjtë ose siç thoshte i ndjeri im atë, çoban esnaf i pashkollë: “Janë si dhentë e një dashi”. Edhe kalivaçasit e Mokrës së Sipërme kanë ruajtur disa tipare të veçanta të cilat i shquajnë nga të tjerët. Nëse emrat e vajzave dhe të djemve të Kalivaçit të Mokrës së Sipërme i përkasin besimit musliman, sektit Bektashian, ky është një shans i tyre që i lidh me fshatin e origjinës.

Kalivaçasit e Mokrës së Sipërme, kanë bërë e bëjnë krushqi e miqësi me banorë të fshatrave fqinjë, duke përfituar reciprokisht. Po çfarë kanë përfituar kalivaçasit nga lidhjet me vendasit? Çdo gjë të mirë të tyre, është përgjigjja ime lakonike. Siç dihet, kulturat e ndryshme, kur pleksen me njëra - tjetrën, japin e marrin, në mënyrë të ndërsjellë. Kulturës nuk i vë dot gardh, siç veprohet për ndalimin e erës, nëpërmjet brezave pyjorë.

Po të bisedosh me një kalivaças të Mokrës së Sipërme do të pikasësh se mes fjalorit të gjuhës letrare që flet, do të dëgjosh dhe fjalë në dialektin e vendasve, madje të llastuar. Bisedat, kënga, vallja, veshja etj. nuk janë thjeshtë huazime por pleksje e kulturave të ndryshme.

Vijon reportazhi...

Vijon reportazhi...

Vajzat dhe djemtë kalivaças kanë hyrë në lidhje dashurore me njëri-tjetrin. Shumë prej tyre janë martuar dhe janë shkrirë me njëri-tjetrin kulturalisht, me tipare të ndryshme, madje dhe janë lidhur shpirtërisht. Një vajzë nga Kalivaçi i Mokrës së Sipërme, kur futet nuse, në një familje, nga fshatrat fqinje si Trebinja; Osnati; Grunjasi etj. kur i këndon ninulla foshnjës së saj, i mëkon, tok me qumështin e gjirit, aq jetik për foshnjën, edhe disa nga tiparet karakteristike të prindërve të saj dhe të familjes ku ka hyrë nuse. Nusja e re, i citon foshnjës emra të shquar dhe bëmat e tyre, duke evokuar vlerat e njerëzve të shquar të trevës. Këtë e bëjnë besoj, pa dallim, të gjitha nënat e reja.

Në fshatin ku kam ardhur në jetë, në Kalivaç të Tepelenës, prej kohësh ka qarkulluar shprehja: “Miqësia ngjan pa benet”! Nuk besoj të ketë nevojë të zbërthehet ky slogan. Vajzën dhe djalin, kur lidhen me njëri-tjetrin nuk i tërheq vetëm pamja fizike, por dhe disa tipare të karakterit.

Nuk do të doja të mbaronte kurrë, ky reportazh, sido që është. Ai është shkruar, me ngut dhe me disa mllefe. Ato pak orë që përcolla në shoqërinë e Kryeplakut të Kalivaçit, Zotit Hekuran Hamzallari dhe nga vrojtimet e kufizuara në kohë që munda të “regjistroj” në memorien time.

Ua them hapët, po fare hapët, pa dorashka, se jam mjaft i pakënaqur për disa fakte të mbrapshta, të cilat më lanë shije të keqe.

Doja të filmoja shkollën e fshatit, e cila, bere4qaversen, edhe pse fillore, u shërbente nxënësve. Por, për fatin tim të keq dhe të atyre dhjetëra vocërrakëve, të cilët të etur për dije, me çanta të bukura në kurriz dhe me libra, fletore e mjete mësimore, marrin udhën, në këmbë, duke bërë disa km. rrugë për të mbërritur në shkollën e fshatit fqinj.

Ore njerëz, me mend në kokë, si e gjykoni këtë çështje? A mund të luhet me shkollën? Në Kalivaç të Mokrës së Sipërme shkollës së dikurshme i kanë mbetur vetëm mbeturinat e rrënojave. Më thoni ju lutem, ku jemi e ku vemi? Nuk jemi më në 1948-ën kur unë isha në klasën e parë dhe nuk kishim asgjë, veç dëshirës së zjarrtë për të nxënë?

Vijon reportazhi...

vijon reportazhi...

Jetojmë në shekullin e internetit dhe shkollimi është domosdoshmëri. Librin, i cili të gdhend e të bën njeri, nuk mund ta zëvendësojë, interneti, kurrsesi. Kalivaçasit e duan arsimimin. Shembuj të shumtë na bindin për këtë. Mbijetesa, kërkon dije, jo injorancë.

Shembullin nuk e kemi larg. Vështroni e gjykoni punën që bën Kryeplaku i fshatit për të mbijetuar. Ai, vërtet që është i paarsimuar, por zotëron punën e shoferit, të mekanikut, të hidraulikut dhe të veterinerit. Madje bën dhe operacione tek kafshët. Isha i pranishëm kur e telefonoi një banor nga Tushemishti dhe i kërkonte mendim për lopën e tij.

Në fshat ka qenë dhe një xhami, e cila në vitin e mbrapshtë 1976 u kthye në depo drithi dhe ashtu ka mbetur. Doja ta filmoja, atë, shkollën e fshatit dhe disa objekte të tjera me vlera historike, por ato nuk ekzistonin.

Më erdhi mirë dhe u kënaqa kur vura re se banorët e Kalivaçit të Mokrës së Sipërme kujdeseshin edhe për pemët, për frutat dhe kishin ruajtur traditë. Njëra nga traditat e mira ishte përshëndetja në rrugë, në oborr dhe brenda në shtëpi. Nuk e merrni me mend sa mirë u ndjeva, kur e zonja e shtëpisë, siç ka qenë tradita në fshatin tim të lindjes, ato ushqime që nuk i konsumuam aty, na i nisi me vete, të paketuara.

Sot u përurua rruga e re, e cila i kalon Kalivaçit të Mokrës, fare pranë. E them me shpirt, atyre që e ideuan dhe e realizuan këtë madhështi, pavarësisht nga kusuret dhe ato që thuhen e nuk vërtetohen, u lumtë mendja dhe qeseja. Rruga e re ishte tepër e nevojshme edhe me siguri që do ta japë ndikimin. Ajo sjell dhe shton kulturën dhe zhvillon ekonominë.

Mokrës dhe mokrarëve u mbetemi borxh, ne kalivaçasit dhe i gjithë vendi për atë që kanë bërë dhe për historinë që bartin!

Koordinatat gjeografike të Kalivaçit të Mokrës së Sipërme janë: 40 gradë 53 min, 44 sekonda në Veri; 20 gradë, 34 min e 49 sekonda në Lindje; lartësia mbi nivelin e detit (80 m).

Me shumë respekt e përunjësi!

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, kalivaças autokton; shkruar në Tiranë, më 5 shtator 2025.