Trashëgiminë e bollshme kulturore që na kanë lënë trashëgim të parët, të cilët e kanë qëmtuar me kujdes, në shekuj dhe thesaret e traditës shekullore të popullit tonë na takon t’i ruajmë e t’ua lëmë atyre që vijnë të pacenuara e siç na i kanë lënë ata që ikën e vanë. Besoj se kjo punë, u përket, në radhë të parë studiuesve, historianëve, mbledhësve të folklorit e tërë atyre që merren me këto punë. Në këtë shkrim modest po përpiqem të kontribuoj sadopak me ato që di me siguri.
- Ç’e do mall e ç’e do gjënë, kur s’ke grua (burrë) për të qenë;
- E ka marrë ferra uratën;
- Atë që le pas, do ta gjesh përpara;
- Korr e lidh; jo korr e mos lidh;
- Atje tek guri me verë, një nga një do shkojnë të tërë;
- Pulë e botës duket më e majme;
- Syri të gënjen;
- Ti o njeri me mend, hidhe në vuxhutin tënd; siç të dhemb; ashtu më dhemb;
- Dy vetë, një hall s’e kanë;
- I larguar; i harruar;
- Tjetrit, besën jepja por krahët mos ia kthe;
- Ku vete o mall i shkretë? Do vete ta shkretoj gjetke;
- O Balo të hëngërt tenja; e ke butaraqen brenda;
- Ndanë Hiçës, është mall djali i Birçes;
- Të keqen o Sulejmen, vetë të rroç po djem mos bën;
- Më thuaj, me ke rri, të të them kush je;
- Inat i botës- dëm i kokës;
- Zjarr me letra e stan me lepura nuk bëhet:
- Kali i botës të lë në mes të udhës;
- Gomari që të shtje, ai të ngre prapë;
- I zoti e nxjerr gomarin nga balta;
- Është hesap i Zylalit, sa lakra i vë kalit;
- Po kërceve hu me hu, një hu do të të hyjë;
- Lumi, nuk sjell gjithnjë rrozhga;
- O i mirë e i pafat, i vajç të ligut argat;
- Dhentë e dhitë e Zerës; nami i Kapllan Qerës;
- Raki e Çane Deliut; shëndet i Bektash Haxhiut;
- Jo ha ha krushqit, ha ha dhe nusja;
- Ç’ka barku, e nxjerr bardhaku;
- Mendje e shëndoshë, në trup të shëndoshë;
- Pula s’ka; hoish ia bën;
- Atë që bërë sivjet, ta kishë bërë që vjet;
- Dhija përcitet; cjapit i djeg menderja;
- Kur të vijnë mendtë, nuk i hanë as qentë;
- Kur të vështroj me sy, më merr malli për ty;
- Që kur polla, m’u tha zorra:... vijon...
... vijon
Gurë-gurë, bëhet mur;
Ai që s’ka kokë; ka këmbë;
Ç’ha goja; dëfton boja;
Nusja nga soj i mirë, po s’të tha fjalën; do të të bëjë djalën;
Pleqëria është e çalë e vjen ngadalë;
Po nuk hëngre hudhra; nuk vjen era;
Mos i shiko gunën po vështroji punën;
Selanik e tatëpjetë, siç ka qenë do të jetë;
Si më do të daça; si ma ke ta paça;
Paska qenë iti se ta ka kërryer thellë sirin;
Kush pordhi; kush mori groshin;
Gjithë bota vënë e vijnë; burri im harroi shtëpinë;
Të presin siç ke qyrkun e të përcjellin, siç ke mendjen;
Moj kokë e qenit moj qenë, që s’ditë për veten tënde;
U mësua si gomari në polloget;
Më thellë e me ruda;
Kush mëngoi, bloi;
Buzë e plasur, nuk qesh kurrë;
Ruaju, të të ruaj;
Nuk duhet të flasë goja, përpara mendjes;
Mat shtatë herë; pre një herë;
Për një pe e një gjilpërë, vate dëm një gunë e tërë;
Fjalën e mirë e gurë në trastë;
Qesh e ngjesh;
Fol- fol se diçka mbetet:
Në Shën Gjin kanë ra dy barka;
një me mend e një me shkarpa,
t’tanë shqyptaret mbledhë n’kuvend;
dona shkarpa e s’dona mend;Qorr për qorr, e kam n’oborr;
I mbyturi, të mbyt;... vijon...
Vijon...
- Armën e mbush dreqi;
- Një herë në vit, edhe shkopi qëllon;
- Hajde baba të të mësoj arat;
- Çudia e madhe, tri ditë zgjat;
- Pordha e madhe gris brekët e reja;
- Qep e shqep more Rexhep;
- Nga ferrë e vogël del lepuri i madh;
- Gjëja bashkë – bytha jashtë;
- Motra jemi po shoqe s’jemi;
- Kërcen prifti nga belaja; kërcen se e gjen hataja;
- Kur s’ke pulën, do të hash sorrën;
- Lëro-shtrëngo ose tërhiq e mos e këput;
- Po hodhe, do të presësh;
- E paske tjerrë hollë;
- Udhës e Perëndisë;
- I thotë Diellit: Ja dil; ja të4 dal;
- Ta pafsha punën para;
- Tek ka rrjedhur, do pikojë;
- Njëra dorë lan tjetrën; të dyja, lajnë fytyrën;
- Nuk vjen behari me një lule;
- Pirdh se shfryhesh;
- Kanë dalë përrenjtë të mbytin lumin;
- Fjala e rëndë e djalit peshon më shumë se plumbi;
- Duaje Atdhenë, si shqiponja folenë;
- Kur i thonë Asmon; s’ke ci bon;
- Stambolli digjet; kurva krihet;
- Prit e gogësit;
- Prit e prit për bukaniqe; një mut e një kakeliqe;
- Kur nuk ke ç’t’i bësh gomarit; i bie samarit;
- Nusja afër, si luga në dhallë;
- Mos rri prapa mushkës dhe përpara komandantit;
vijon...
... Vijon...
- Guri i rëndë, në vendin e vet;
- Peshku në det, tigani në zjarr;
- Ai bluan si mulliri pa koqe;
- Qenka mesallë me dy faqe;
- E kthen gunën nga fryn era;
- Përdhuno moj breshkë, përdhuno se të erdhi devra;
- I ka hipur kalit për së prapthi;
- Bëmë baba të të ngjaj;
- I mbyturi të mbyt;
- Në vendin tim; në vendin tënd; një kokë e çmendur, të gjithë i çmend;
- Vraponi këmbë se u menderosi prapanica;
- Me drutë që bën, me ato do të ngrohesh;
- Ja fol e mba, ja menderos e ha;
- Kush ngrihet shpejt; kush martohet i ri është i fituar;
Shënim: U kërkoj ndjesë lexuesve, për ndonjë pasaktësi ose për ndonjë shprehje rrugësh, por kam qenë i detyruar, për të ruajtur autoktoninë. Kaq e dita; kaq e thashë, le ta marrë fjalën kush të dojë se unë e lashë!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.