Dje, bëra një aventurë. Aventurat u përkasin të rinjve, por ka dhe raste kur aventurierë bëhen të moshuar. Shyqyr që rastet janë të rralla.

Në këtë pikë vape, me inat plaku e me kokë kalivaçasi, i determinuar nga djemtë e nën kujdestarinë e tyre, u nisa dhe vajta në Kalivaç të Tepelenës. Mund ta quaj një aventurë të vërtetë. Bëra mirë që vajta, por m'u hap barku.

Doja të vështroja lumin e Vjosës; me vështirësi e gjeta, ishte fshehur. Kërkova Sheshin e Donijes; nuk e gjeta; kërkova kaminën e Ferrik Çobanit, asnjë gjurmë. Më thanë se në Sheshin e Donijes ka dalë një ujë i mirë, por nuk e pashë.

Lundra shekullore dihet që ka ikur në drejtim të paditur, po me kavon ç’patën? Po Burimi i madh? Kush e përpiu? Motopompën e prishi '97-ta, po vendi i saj ku u rrokullis?

Kisha një kujtim nga fëmijëria, prisja Nënën të mbushte ujë tek Burimi i Madh e po kacaviresha mbi një pllakë guri që përfundonte në lumë. Shyqyr që më pa Tajanja e Muharrem Kamberit dhe dha alarmin: “Zonjë, ku je moj korbë? Po të mbytet djali”! Dhe alarmi funksionoi.

Doja të lagja kapelën, por nuk kishte ujë; më duhej të shkoja në lumë por lumi ishte larg e nuk shkoja dot.

E vetmja gjë e mirë që pashë ishte lapidari që përkujton datën e formimit të Batalionit Partizan “Baba Abaz”! Ndryshe nga çfarë jemi mësuar të vështrojmë, në pllakën përkujtimore, është shkruar dhe emri i komisarit të Batalionit – Zenel Shehu, i cili, deri atëherë, ishte mohuar!

Atje ku ka qenë sheshi është katandisur në një grumbull hekurishtash të ndryshkura. Donija ma helmoi gjithë atë kënaqësi që pretendoja nga vajtja ime në atë fshat, të cilin nuk e krahasoj me asnjë tjetër!

I rikthehem të njëjtit problem

Me mllef, domosdo! Na kanë shëmtuar fshatin. Të mirë e kishim, përse na e shëmtuan? Dhe në mënyrë të pakthyeshme. Se gurët që na kanë lënë si reklamë, në fund të fundit na thonë shumë pak nga sa mund të na rrëfenin bimët sidoqë shkurre dhe të ashpra (përrallë e xina) ishin tonat e na falnin pak gjelbërim.

Kalivaçi i Tepelenës është përcaktuar në 100 fshatrat turistike të vendit, e meriton por, kush ka të drejtë ta masakrojë e ta shëmtojë, siç e ka katandisur atë fare bukurie. Nga shëmtia ikën cilido që shijon të bukurën. Më dhemb shumë ajo pamje e llahtareshme se jam kalivaças dhe e dua shumë fshatin tim. Ndaj mora udhën, në piskun e vapës dhe bëra një aventurë, e cila nuk më përket.

Paçi fat, por jo fatin e Kalivaçit tim të dashur!

Po që nuk më lë meraku i të moshuarve për t’i thënë të gjitha sa kanë në mendje.

Duke shkruar kujtime nga koha e largët e viteve '60- të të shekullit që shkoi e vate, m'u kujtua një këngë, të cilën e kam dëgjuar në fëmijëri.

Kënga, afërsisht thoshte:

“... Më del e s’më del inati;
U dogj Hormovë e Zhulati;
Edhe Kardhiq e Plesati;
Në xhami të Hormovite;
Mbyllur Lazja i becishte;
Pa vajtur dielli një copë;
Doli Lazja i pakokë...”

Ia përcolla një miku tim, tekstin e këngës. Papritur, më erdhi në mendje një thënie e lashtë, të cilën e kam dëgjuar në Kalivaç të Tepelenës, në moshën e fëmijërisë sime. Dikush, kur pa një prapësi të ndodhur në një familje, në fshat tha; “Shtëpinë e prish i zoti...” Më thoni nëse ka të vërteta brenda!

Unë po ju sjell një shembull, i cili vetëm që nuk ka gojë të flasë:

Kalivaçi i Tepelenës është masakruar. Po nga kush vallë? E para, mallëkoj, me shpirt, ata djem plangprishës, të cilët, në vitin e mbrapshtë 1997, i cili, uroj të mos vijë më, prishën çfarë trashëgonte Kalivaçi nga vitet e socializmit.

Po çfarë prishën: Hodhën në erë pompat e ujit që vaditnin fushën e Kalivaçit; atë të Çorrushit dhe arrinte ujitja deri në Kute. Tani u thahet goja për një pikë ujë. Mbase do t'u kthehemi dordolecëve të dikurshëm!

Prishën lundrën e Kalivaçit e cila ishte disashekullore dhe lundërtarët ishin notarë të zotë nga Kalivaçi. Kishin zhdukur edhe kavon gjigande që mbante lundrën. Prishën stallat dhe disa objekte historike sidomos qivure dhe objekte kulti.

Ndërmarrja Pyjore e Fierit, preu drurët e kodrave të fshatit për dru zjarri dhe na i la kodrat “lakuriq”. Një kompani fantazmë ka grabitur e po grabit gurin e bardhë, gëlqeror të fshatit për ta shitur kushedi se ku. Korrupsion i gjallë, se fshati nuk përfiton asgjë. As pronarët e mbitokës.

Me Hidrocentralin e dini si vajti grabitja e si do t’i vejë filli?

Mallëkoj cilindo që ka vënë dorë e vë në gjënë e tjetrit! Ata që kanë bërë e po bëjnë prapësira e pagofshin vetë e i zëntë ahu i fukarenjve!

Më falni të nderuar lexues që po ju marr kohën në këtë pisk vape por dua ta ndaj me dikë këtë hall që na ka zënë e veç me juve mund ta ndaj!

Respekt dhe “gëzuar beharin”!