(rrëfim i jetuar, në vazhdën e rrëfimeve me kujtime për rrethin e Korçës).

Kisha përfunduar vitin e parë të Teknikumit Bujqësor "Irakli Terova" të Korçës. Teknikumi ishte në fillimet e tij dhe eksperimentonte degët. Mësimet e vitit të parë i nisa në degën e veterinarisë; në vitin e dytë eksperimentova degën e agro-zooteknisë dhe vetëm në vitin e tretë të asaj shkolle gjeta karar në degën e frutikulturës ku dhe u diplomova.

Në pushimet verore të vitit të parë, për shkaqe ekonomike, nuk vajta në fshatin tim, në Kalivaç të Tepelenës, ndonëse malli për prindërit, për motrën e vetme dhe për vëllanë, më kishte pikur.

Gjithsesi, nuk isha fare i pafat. Në qytetin e Korçës gjeta disa familje të fisit tim dhe u mbështeta fort tek ata njerëz të gjakut. Kushëriri Qamil Pasho Nelaj - invalid i Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, së bashku me Nënën e vet Gano dhe me bashkëshorten Zonjë, siç kishte emrin, më trajtuan sikur të isha fëmijë i lindur nga barku i tyre. Si invalid lufte dhe si ish-partizan i Brigadës së 6-të Sulmuese, Qamili nderohej e respektohej në rrethet shoqërore të kohës dhe ishte caktuar shef i sektorit të ndërtimeve, në Ndërmarrjen e Ndërtimit të qytetit të Korçës.

Sektori i ndërtimeve kishte një tufë me lopë, me qumësht të racës Valdostane. Tufa e lopëve ishte vendosur në fshatin Malavec të rrethit të Korçës në një stallë fushore, ku bokset që kufizojnë grazhdet ishin prej lënde druri. Lopët ushqeheshin në stallë (në grazhd) por ato kishin nevojë të ajroseshin; të shëtisnin në ajër të pastër dhe të hanin, kur gjenin edhe ndonjë fije bari të njomë.

Kullotat, në pronësi të Ndërmarrjes së Ndërtimit ishin në livadhet e Malavecit dhe në disa parcela, pa bimë të tjera, në fshatin Rov të rrethit të Korçës. Lopët e racës Valdostan, ishin kaba nga shtati por nuk jepnin shumë qumësht.

Më ndihmoi fati: Kushëri Qamili, i cili, më monitoronte dhe kujdesej shumë, më gjeti një vend pune sezonal, të përshtatshëm për moshën, shëndetin dhe temperamentin tim. Më caktoi lopar me tufën e lopëve të ndërmarrjes. Ishte puna e parë që provoja në jetë. Stalla e lopëve ishte pranë bahçes së madhe pemëshumë të Sanatoriumit të qytetit të Korçës.

Detyra ime, si lopar ishte komplekse. Të ushqyerit e lopëve në stallë e bënte një burrë me moshë mesatare, por me trup të bëshëm, Sabriu; i cili kishte zbritur në Fushën pjellore të Korçës, nga fshati Gaduc i rrethit të Kolonjës, i cili njihej si fshati më i varfër i rrethit.

Sabriu kishte shtegtuar në Korçë dhe ishte punësuar stallier i tufës së lopëve të Ndërmarrjes së Ndërtimit të Korçës. Ishte verë dhe Sabriu, së bashku me bashkëshorten dhe me 4 fëmijët vocërrakë, flinte nën qiellin e hapët, me shtrojet dhe mbulojet që kishte sjellë nga fshati i origjinës. Më vinte keq për gjendjen e tyre, edhe pse vetë isha i vogël dhe hallemadh.

Pas mjeljes, e cila kryhej në orët e para të ditës, i nxirrja lopët për shëtitje dhe ajrim në livadhet afër stallës. Lopët ishin të sjellshme dhe vraponin vetëm kur i pickonte zegali se në përgjithësi ishin të urta e nuk më mundonin shumë.

Për të përcjellë natën, kisha përgatitur një shtrat, në afërsi të stallës së lopëve. Flija "top" e nuk më bënte përshtypje as era e bajgave dhe as të pelliturat e lopëve.

Kushëri Qamili e bënte monitorimin të plotë. Ai më raciononte bukën që merrte në Korçë dhe djathin kaçkavall, për të gjithë muajin. Çdo ditë blija, pa bërë evazion fiskal 0.5 litra qumësht lopë të cilin e manipuloja vetë.

Si njeri i besuar, kisha dhe një detyrë tjetër, të veçantë. Me një araba, me dy rrota të mëdha prej druri të cilën e tërhiqte një mushkë trupvogël por e fortë, çdo ditë çoja në ndërmarrje, në Korçë, qumështin e lopëve, të futur në disa bidone prej alumini të cilët mundet që mbanin 25 litra lëng. Isha i besuar i partisë edhe pse në moshë të parritur.

Nga kjo punë nuk dilja pa gjë, dmth fitoja diçka. Aty ku takohet rruga automobilistike që shkon në Korçë, nga Dishnica me udhën që vjen nga Malaveci, ishin mësuar e më pritnin disa gra të besimit mysliman apo çobanka, të cilat shkonin në Korçë. Merrja në araba, aq sa mundja. Ato hiqnin këpucët dhe më shpërblenin me 500 lekë (të vjetra) secila. Kur zbritnin afër qytetit, lanin këmbët, vishnin këpucët dhe shkonin në punë të tyre.

Një ditë më ngjau një incident; diku mes varrezave të francezëve dhe Parkut Automobilistik, më doli nga boshti, rrota e djathtë; mushka u tremb ca por e mblodhi veten shpejt. Arabaja u anua, por qumështi në bidone të mbyllur nuk u derdh. Gratë ikën e më lanë në mes të udhës.

Nuk kisha fuqi ta ngrija arabanë e të vendosja rrotën në vend. Një togë ushtarësh të kufirit, djem 19-vjeçarë të fortë, më ndihmuan e unë vijova udhën për në ndërmarrje. Nuk mund t’i harroj ata tre muaj të cilët më mësuan shumëçka.

Roja të pemëtores pranë ishin dy të moshuar. Ata kishin kohë që ishin në shoqërinë e njëri-tjetrit. Ishin pleq të mirë dhe u afrova me ta. Dëgjoja rrëfimet e tyre dhe kënaqesha, edhe pse ndonjëherë i përsëritnin ato.

Njeri syresh ishte nga Kamenica dhe e quanin Ali. Emrin e tjetrit nuk e kujtoj. Aliu kishte qenë emigrant, në Boston, madje atje ishte dashuruar me një vendase por nuk ishte martuar me të dhe për këtë ishte i penduar.

Në punën e loparit, u rropata plot tre muaj por mësova shumëçka. Parackat e rrogës nuk i pashë me sy; Ato i menaxhonte, për mua kushëri Qamili, i cili ishte tepër korrekt dhe njeri me principe.