Për ata që martohen, dasma është pikë kulmore e jetës dhe një gëzim i rrallë. Gëzojnë dhe dasmorët. Dikur kanë thënë: “Dy vetë martohen; njëqind të tjerë tërbohen”! Dasmën njerëzimi e ka praktikuar që në kohët kur nuk mbahet mend.
Janë martuar mbretër e princër; kapedanë e vasalë të tyre; njerëz të kamur e varfanjakë; njerëz të ditur e kokëboshë. Historia e njerëzimit ka njohur dasma gjithëfarshme.
Kam parë nuse të hipura mbi kalë me shalë, me duvak të kuq, mbi krye, të shoqëruara nga krushq të bërë çakërqejf, të cilët, garonin me njëri-tjetrin, duke trokitur ducet prej qelqi, plot me raki dhe herë pas here qëllonin në ajër, me dyfek. Kam parë dhe nuse, të cilat, shkonin tek dhëndri, në këmbë, të shoqëruara nga një turmë krushqish gazmore. Njëherazi kam parë dhe nuse, të cilat i merrte dërgata e dhëndrit, me taksi; në raste të tjera, ato merreshin dhe me kamion apo me autobot.
Kohët e fundit, nuk janë shpeshtuar rastet kur nusja transportohet, nga njëra shtëpi tek tjetra, me aeroplan apo me helikopterë të posaçëm. Kjo varet nga mundësitë dhe nga kushtet e jetesës, ka raste dhe nga dëshirat apo nga tekat e protagonistëve. Jeta është plot me raste, e ngjyra, të cilat, vështirë se mund të përshkruhen, me saktësi, në një shkrim si ky.
Dikur, martesat realizoheshin nëpërmjet shkuesisë. Raste ka dhe në ditët tona. Ka pasur dhe raste të dhimbshme e makabre kur nusja blihej me para, nga dhëndri dhe familja e tij. Të rinjtë, para se të martoheshin nuk e kishin parë e nuk e njihnin fare, njëri-tjetrin.
Natyrisht, të dy të rinjtë e ëndërronin e mezi e pritnin dasmën, edhe pse nuk e shfaqnin atë. Pra, gëzimi i çiftosjes qëndronte i fshehur, ose edhe kur shfaqej, ishte i “ndrydhur”. Edhe kur dashuria mes të sapomartuarve, lindte, pas martesës, ajo shpërfaqej e drojtur e me kursim.
Kohët kanë ndryshuar, e dasma, si çdo gjë ka evoluar, si lidhje shpirtërore e si institucion. Mosha më ka bërë privilegjin të asistoj në dasma të ndryshme. Në një dasmë të kamurish, u hodhën aq shumë para, sa njerëzit shkelnin mbi monedha.
Kohët e fundit pata fatin të jem pjesëmarrës në një dasmë, jo si të tjerat. Ndihem me fat që mora pjesë në këtë dasmë, të cilën do ta quaja të përkryer, në të gjithë komponentët... Vijon
Vijon... Dasma në fjalë, u bë në datën 29 qershor të vitit 2024, në një resort, në afërsi të kryeqytetit, në mes të gjelbërimit të përhershëm. Mjedisi i dasmës ishte i përgatitur posaçërisht.
Dy të rinj: Veti nga Gjirokastra dhe Tili, nga Tepelena kurorëzuan me martesë lidhjen e tyre dashurore. E them që në krye të herës: Të dy të rinjtë janë të denjë për njëri-tjetrin.
Po çfarë pashë të veçantë, në këtë dasmë, të cilën nuk e kam ndeshur kurrë në jetën time?
Dashuria e pastër dhe e çiltër mes dy të rinjve, dhe gëzimi e hareja, përshkuan tejembanë, tërë atë event disaorësh. Gëzimi i Vetit dhe Tilit përshkoi eventin, nga fillimi deri në fund dhe u transmetua në qenien e dasmorëve.
Dasma u zhvillua, në kohezion nga të dyja familjet. Kjo dasmë, shënoi një pikë kulmore në jetën e atyre që e përjetuan. Kulmi i kulmeve ishte vetë dashuria mes dy të rinjve. Lidhja dashurore mes Vetit dhe Tilit është e pastër; e çiltër; e hapët dhe nuk lë kurrfarë shtegu të hapët për paragjykime.
Dasma ishte konceptuar e u zhvillua si gërshetim i modernes duke respektuar traditën e mirë zakonore të të dyja trevave. Dasmorët ishin nga të dy fiset dhe nga shoqëritë respektive. Të gjithë pjesëmarrësit, i pashë në eufori. Atyre u qeshte nuri e u shkëlqenin sytë.
Shkaku ishte i përbashkët për të gjithë: Shoqja apo shoku i tyre ishin, të dy të rinj, të bukur e të shkathët, të qeshur e të gëzuar; sikur të jenë bërë për njëri-tjetrin. Atmosfera e gëzimit dhe kënaqësia e njerëzve më ra në sy gjatë gjithë dasmës, deri në orët e para të mëngjesit.
Nusja dhe dhëndri ishin në qendër të vëmendjes e përballuan dasmën me dinjitet e me shpirtmirësi që ra në sy. Dashuria për njëri-tjetrin dhe respekti i ndërsjellë ishin të dukshëm. Ata respektuan e u dhuruan shumë gëzim e dashuri gjithë dasmorëve.
Tërë atë energji që çliruan, prej daljes së parë të tyre në atë dasmë, deri në tingujt e fundit të muzikës ia përkushtoj jo vetëm rinisë së tyre dhe dashurisë e respektit për njëri-tjetrin por dhe kënaqësisë që ndjenë në atë mjedis të gëzuar.
Në dasmë ishin prindërit e të dy protagonistëve. Prindërit e Tilit e përballuan dasmën e djalit të tyre, këndshëm e me dinjitet; si nga ana fizike dhe nga ajo emocionale.
Babai i Vetit, edhe pse me veçori shëndetësore erdhi në dasmë për të takuar dasmorët dhe për t’i nderuar ata por qëndroi, deri në fund. I pëlqeu shumë dasma e të voglës së Tij, prandaj sakrifikoi.
Shtoj, se Atij, nuk i mungoi përkujdesja e të tijve. Babai i Vetit ishte i rrethuar nga një kujdes për ta pasur zili. Bashkëshortja e tij fisnike, ishte kryefjala e këtij kujdesi. vijon...
... vijon dhe përfundon.
Pikë kulmore e kësaj dasme ishte:
a) U takuan plot 17 kushërira e kushërinj të parë, të cilët, njiheshin por që nuk ishin bashkuar ndonjëherë.
b) Nga nuk kishin ardhur, për të marrë pjesë në atë dasmë. Dasmorë kishin ardhur nga disa shtete të ShBA-ve, nga Gjermania; nga Spanja; nga Italia; nga Greqia e nga mundën.
c) Mjedisi, pijet, ushqimet dhe çdo gjë tjetër që u servir, ishin të pastra, e të gatuara me shije. Orkestra, muzika, këngëtarët ishin të nivelit të lartë. Kënduan dhe dasmorët. Këngëtarja Entele, kushërirë e Tilit, erdhi në dasmë nga shteti i New Yorkut. Ajo, në eufori dhe e përfshirë nga atmosfera e gëzuar e dasmës, këndoi 2-3 këngë (njëra ishte dedikim).
c) Dasma e arriti kulmin kur, në skenë dolën njerëzit e Vetit, gra e burra, të veshur me kostume kombëtare të trevës së Gjirokastrës dhe njerëzit e Tilit, të veshur me kostume kombëtare të trevës së Tepelenës.
d) Dajo Maksi, i cili erdhi në dasmën e nipit (djalit të motrës) posaçërisht, nga Masacusteci i largët, i veshur me kostum kombëtar të rrethit të Tepelenës, kërceu, këndshëm, nën tingujt e këngës së njohur: ... Dajo Xhani; dajo kapedani, e cila u pëlqye shumë.
dh) E ndjerë, shumë prekëse ishte fjala dhe kënga që këndoi, me bejte, motra e madhe e Vetit.
e) Pijet u derdhën si lumë, por asnjëri nuk u pi.
e) Asnjëri nuk hodhi para, siç ngjan në dasma të tjera dhe nuk pati asnjë fërkim.
Ndjeva kënaqësi të veçantë dhe isha shumë i nderuar e i privilegjuar që mora pjesë në këtë dasmë të rrallë!
Uroj, me shpirt e me zemër, që dashuria mes Vetit dhe Tilit të mos ketë të sosur dhe të pasohet nga gëzime e kënaqësi të tjera!
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj; në Tiranë, më 16 shtator 2024.
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.