Poezia e kultivuar e ditëve që përcjellim, e cila na pëlqen shumë dhe e përsëritim, pa rreshtur, nuk ka “mbirë” në truall bosh. Populli ynë e ka mbrojtur thellë në shpirt e në gjen dellin poetik, sidoqë të pakultivuar. Kur ka qenë nevoja shqiptari e ka hapur thesin e dellit poetik, i cili, ka vërshuar, qoftë dhe me nota ironizuese.

Më ka rastisur të ndodhem në mes të dasmës apo të gostisë ku kam dëgjuar të padëgjuara e të paparashikuara. Çfarë kam vënë re? Mbasi përfundonte këngën marrësi, njëri nga të pranishmit, i cili, mundet të kishte dhe mellefe apo ndonjë brengë të parealizuar e thurte vazhdimin e këngës, me bejte, të thurura në çast. Në bejten e tij thumbohej ai që nuk ishte në zemrën e tij. Nuk mungonin replikat, gjithnjë me bejte e me këngë e asnjëri nuk lëndohej. Më është mbushur mendja top se populli ynë është poet.

Ajo që kam marrë përsipër t’jua rrëfej, ka ngjarë në fshatin Krahës të rrethit të Tepelenës. Treva jonë, ashtu si i gjithë vendi shquhet për krijimtari në lëmin e poezisë, në forma të ndryshme. Krahësi (Nr. 1 e Nr. 2) kanë pasur e kanë nxjerrë njerëz të zgjuar e kokëplotë; nga ata që s’lënë dukuri negative dhe njerëz me huqe, pa thumbuar.

Ndihem i keqardhur që mjaft bejte e vargje thumbues, ironi e pastër dhe e drejtpërdrejtë dhe shumë bejte e qyfyre nga ato që kanë ngjarë por nuk janë evidencuar. Ato, sot, rrëfehen si rrëfenja, do të kalojë kohë e do të rrëfehen si përralla apo si legjenda. Po të jenë në letër, kam bindjen se nuk do të humbisnin kurrë.

Në kohën kur funksiononte kooperativa bujqësore, si organizim i ri edhe kjo fushë, pati kulmet e veta. Burri Nuredin Mecani, nga Krahësi, i pashkollë por i mprehtë e i zgjuar, njihet si “Babai” i bejteve dhe rromuzeve. Ai ta ngjiste, aty për aty bejten, kur diçka nuk i shkonte për shtat. Një libër i botuar me bejtet dhe me qyfyret e tij, mendoj se është i mangët. Por edhe fshatari i pashkollë, por i zgjuar, Tefik Sulo Llakaj, Xhelo Qamili e shumë të tjerë, nuk mbeteshin pas.

Në një rast, Tefiku bëri fjalë me një bashkëfshatar të tij, me R. H. Shamataja, u bë me zhurmë dhe e mësoi brigata dhe fshati. Tefiku e shau nga nëna bashkëfshatarin, një ofendim i rëndë për kohën dhe mentalitetin vendas. R. H e hodhi në gjyq Tefikun. Gjykata e fshatit, me kompetenca të kufizuara, e dënoi Tefikun me gjobë (500 lekë).

Mirëpo Tefiku, ca me humor e ca me të vërtetë, e kapi të nesërmen të ofenduarin e i tha: “Gjobën që më vuri gjykata e fshatit, e pagova; tani kam të drejtë të të shaj nga nëna gjatë gjithë muajit”! Qeshën ata që e dëgjuan; mbahet mend e rrëfehet sot e kësaj dite.

Kërkoj ndjesë për bezdinë që ju shtova në këtë vapë të paduruar!