Dikur, një burrë i mençur e me fjalën "shpatë", nga fshati im, u la e u ndërrua, u rrojt e u qeth (natyrisht me gërshërën e dhenve), mbushi kutinë me duhan e futi brenda një tefter letër, mori me vete 2-3 nga njerëzit e tij të sojit e hodhi Vjosën e mori udhën për në Golimbas, për tek krushqit e rinj ku kishte martuar të bijën.

E pritën krushkun - krushqit me gjithë të mirat e i shtruan darkë ku zieu kënga labçe, u rrokëllyen shumë duçe me raki e u therën qengja, nga më të mirët.

Mirëpo çfarë ngjau më tej? Vendasit flisnin njëri pas tjetrit, e nuk i linin radhë mikut.

Miku i zgjuar, i dëgjoi e i duroi ligjëratat pa bukë të tyre, kërkoi leje, sipas rregullave të kohës, u ngrit e tha: "O miq! E paçim të pandarë; gazi të na trashëgohet etj., etj., por kam dhe një pretendim", vijoi ai: "Kemi ardhur në mulli, e kemi zënë radhë për të bluar drithin tonë; na krijoni kushtet të themi dhe ne fjalën tonë se memecë nuk jemi; as budallenj!"

Kështu ma "shpifën" disa mendtarë që flasin e nuk dinë çfarë thonë...! Druaj se xhevalle do t’i lexojnë këta rreshta ata që bluajnë si mulliri pa koqe!