Kalivaçi dhe Krahësi janë dy fshatra fqinjë të rrethit të Tepelenës. Shumëçka i bashkon këta fshatra e nuk i veçon asgjë. Nëse Kalivaçi njihet si njëri nga fshatrat më të lashtë të trevës, banorët e Krahësit janë të veçantë për nga natyra, karakteri dhe zgjuarsia. Lidhjet mes këtyre dy fshatrave i bën të mundura jo vetëm fqinjësia. Kanë disa tipare të përbashkëta si mirësia e shpirtit, zgjuarsia, trimëria, burrëria, besa, mikpritja etj. etj. Ne, si kalivaças, e heqim veten si „më lart“ për nga burrëria dhe trimëria, por, në mjaft raste, të dy fqinjët kanë qenë e janë të lidhur me njëri-tjetrin edhe me miqësi e me krushqi. „Ngjan miqësia pa bënet“ - kanë thënë të parët tanë.
Këtë e ka vërtetuar jeta e nuk ka mbetur gjë për t’u vërtetuar. Po sjell në vëmendjen tuaj disa lidhje miqësie e krushqie që kanë bërë të parët tanë (ato që di unë), të cilat, gjithsesi, janë të kufizuara. Të tjerë mund të plotësojnë e saktësojnë këtë „pasqyrë“.
Të paktën një shekull e gjysmë më parë, fisniku Barjam Malo Hysaj, nga mëhalla e Bozanajve, i hodhi sytë nga fqinji i Lindjes, për të përzgjedhur bashkëshorten e tij të dytë, Xhemilen, nga dera fisnike e Halil Ademit, në Reres të Krahësit.
Afërsisht e kësaj kohe është dhe vajtja nuse e Hasimese, motrës së vëllezërve Karafil dhe Refat Mahmuti, nga Hasanimerajt, në derën e fismë të Sulo Barjamit, në mëhallën Llakaj, e cila ka zbritur nga Silajt, në pronat e të parëve të tyre.
Për të mos u larguar nga ky breg, në vitet ’50 të shekullit që shkoi, në këtë derë hyri nuse Lumturia e Xhevit Malkos, nga Nelajt e Kalivaçit, e cila u martua me të mirin Tefik Sulo Llakaj.
Sikur ta hiqte këmbën zvarrë, pas Lumturisë, në Krahës u martua Pashakua e Isuf Jaces, shoqe dhe e të njëjtit gjak me Lumturinë, e cila u martua në një familje të fismë e të dëgjuar.
Pas saj, sikur ta kishin bërë me fjalë, në Krahës u martua Shërua e Zenel Novruzit, nga Hasanbegajt, bashkëmoshatare dhe shoqe shkolle me dy të parat.
Lidhjet miqësore dhe krushqitë mes fshatarëve të të dy fshatrave kanë nisur shumë më herët dhe kanë vazhdimësi, sot e kësaj dite. Më shumë se fjalët na bindin shembujt. Faktet flasin me gjuhën që dinë:
Velideja e Musa Mehmetit u martua me Qanine, të birin e Bektash Likos nga Krahësi i sipërm. Ajo, në çift me Qanine, një burrë bujar e mjaft të zgjuar, e mbushi vatrën me një tufë fëmijësh, njëri më i mirë se tjetri.
Qeribaja, bijë e të mirënjohurit kryeplak të fshatit Cizo Selfo Agaj, u plak e ndërroi jetë, në Krahës, në mëhallën ku vajti nuse Velideja e Musa Mehmetit.
Liria, motër e Lico Kapos, u martua me burrin e zgjuar e mjaft të mprehtë nga Krahësi - Xhelo Qamilin, i cili kishte të martuar motrën në Llakaj.
E bija e Ali Xhelilit nga Hasanbegajt është martuar në Reres, me Reufin.
Vitua, e bija e fisnikut Gani Dasho, nga Specova, u martua me të mirin Sulo Tefik Llakaj, nga Bregu i Llakajve.
Shpresa, e bija e Samos dhe e Breshan Fejzos, u martua me Pelivan Hysin, nga Krahësi.
Fizja, e bija e Arzihanes dhe e Aliko Qazimit, u martua me Gani Tafilin, nga Krahësi.
Xheka, motër e Gëzim Kalos, nga Hysodosajt, gjithashtu vajti nuse në Krahës.
Por mes banorëve të të dy fshatrave krushqitë nuk kanë qenë të njëanshme. Siç kanë dhënë kalivaçasit vajza në Krahës, kanë marrë prej andej dhe nuse për djemtë e tyre. Kanë thënë të vjetrit: janë të preferuara vajzat nga Krahësi, prandaj, disa kalivaças janë bërë dhëndurë në këtë fshat dhe nuk u ka dalë keq! E vërtetë kjo praktikë që buron nga shekujt. Disa tipare të përbashkëta që kanë banorët e të dy fshatrave fqinjë i afrojnë ata me njëri-tjetrin. Tradita e nusërimit me mblesëri; kënga thuajse e njëjtë; konsumimi i alkoolit me dolli e me MIREI; veshja, ulja këmbëkryq në postë apo mbi shilte; urimi gojë më gojë; serioziteti i njerëzve dhe mbajtja e fjalës së dhënë; pastërtia e karakterit dhe të tjera tipare të përbashkëta i mbajnë të lidhur banorët e këtyre fshatrave.
Në fakt, prania e lumit dhe e malit përballë, pushteti i kryepleqve dhe të parëve të fisit, terreni i ashpër dhe vendosja e mëhallëve në maja kodrash, ashtu si „xhelozia“ për të ruajtur të paprekur atë pak fushë, ua rritin krenarinë kalivaçasve, të cilët kanë lidhje të forta krushqie e miqësie dhe me përtejasit (Shkozen; Mazharin; Sevasrerin; Golimbasin; Dushkarakun; Dorzen; Lopesin; deri në Salari e më tutje); ua zbehin disi tiparet e krenarisë e të burrërisë.
Le ta konkretizojmë idenë:
Nurka, bashkëshorte e Xheladin Dalanit, nga Hysodosajt, nënë e krahësiotit Demir Qazimi, pas martesës me babanë e Demirit, u rimartua në Kalivaç, me Xheladinin, me të cilin solli në jetë Nebine.
Avizeja e Abedin Kahremanit (e vjetra) erdhi nuse në Kalivaç te burri i zgjuar Abedin Kahremani i Hadere.
Avizeja (e reja), bashkëshorte e Shyqyri Abedinit, djalit të vetëm të Abedinit, gjithashtu erdhi nga Krahësi, në Kalivaç.
Nuk iu nda Krahësit familja e Abedin Kahreman Haderaj. Kahremani i Ri e gjeti nusen në Krahës, në familjen e Xhemal Shehaj; motrën e Levenit.
Bikua, bashkëshorte e Sheme Hamitit, nënë e djemve të zgjuar e të shkathët, ishte nga Krahësi, motër e burrit të mençur Xhelo Qamili.
Gruaja e Veli Alikos, Xhekua, gjithashtu ishte nga Krahësi.
Bashkëshortja e Hysni Jasharit, Mimoza, nënë e Mirjetës, njërës nga vajzat „yll rrezatues“, bijë nga Kalivaçi, është nga Krahësi.
Habibja, motër e të mirënjohurve Veli e Ramadan Muhameti, nga Llakajt, u martua me Axhem Tefik Sulaj, nga Hysodosajt etj.
Shënim: Këto janë vetëm disa raste të cilat kam mundur të rrëmoj. Patjetër që lidhjet e krushqisë e të miqësisë mes banorëve të këtyre dy fshatrave janë më të shumta. Të tjerë dinjitarë me siguri që do ta pasurojnë këtë punë me shembuj të tjerë. I mirëpres e i mirëkuptoj ata (ato) që do të sjellin të tjera prurje të justifikuara, nga realiteti i prekshëm.
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj; në Tiranë, më 04.04.2023
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.