Në Kalivaç të Tepelenës, sipërfaqja e tokës arë, që në kohë të kohës, ka qenë e mbjellë kryesisht me misër. Jo se kulturat e tjera të arave nuk i njihnin njerëzit, po, me misrin kishin lidhur „kontratë“ e ishin familjarizuar. Prandaj misri dhe nënproduktet e tij zinin vendin kryesor në strukturën e të ushqyerit të njerëzve dhe të kafshëve që mbarështronin banorët e trevës. Buka e misrit ka qenë ushqimi bazë i fshatarëve të Kalivaçit dhe jo vetëm. Misri që mbillej në Kalivaç ishte dyllojësh: misër i verdhë e misër i bardhë.

Më i përhapur e më i pëlqyer ishte misri i verdhë. Ai me ngjyrë të bardhë ndeshej rrallë në arat e bujqve të fshatit tim, Kalivaçit të Tepelenës.

Misri, në Kalivaç, por jo vetëm, konsumohej në disa variante. Si ushqim bazë për njerëzit ishte bluarja e kokrrave të misrit dhe përgatitja e bukës së tij, me miellin që përftohej nga bluarja. Por misri konsumohej edhe kokërr, i pabluar.

Sipas variantit të parë, konsumimi i kallinjve të misrit bëhej në fazën e pjekjes së qumështit, d.m.th. kur kokrra e tij akoma nuk ishte forcuar, por ishte në fazën ekonomike të pjekjes. Kjo fazë, rëndom ishte emërtuar si pjekje e qumështit ose e orizit. Në këto raste kallinjtë e misrit piqeshin në prush, derisa kokrra të ndryshonte, të forcohej e të mpiksej dhe ngjyra e saj të shndërrohej nga ngjyra e bardhë në ngjyrë të errët, kafe. Përveç kësaj kokrra e misrit të pjekur kësisoj forcohej e mund të shkëputej me lehtësi nga koçani.

Në stinën e ftohtë, në vjeshtë e sidomos në dimër, kallinjtë e misrit ziheshin, në një kusi ose në jamake, të cilat qëndronin të varura në një çengel i cili zbriste, nga buharia, mbi vatër, ku i rrihte zjarri, ose që ishin të qasura pranë zjarrit, në vatër. Variant tjetër ishte konsumimi i misrit në formë kalaposhe. Ky variant ishte më pak i përdorur dhe shfrytëzohej më tepër si argëtim e më pak për ushqim.

Pas darke, në Kalivaç, në stinën e dimrit, banorët e familjes, rrallëherë të fisit të ngushtë, mblidheshin rreth vatrës ku digjej një zjarr bubulak dhe tregonin ndodhi, apo siç quheshin rëndom, nasihate, e, për relaks bënin kalaposhe sipas një teknologjie fare të thjeshtë: në një shoshë metalike, të vendosur sipër flakës së zjarrit (me prush nuk bëheshin kalaposhet), hidheshin kokrrat e misrit brenda dhe shosha tundej derisa kokrrat e misrit të pëlcisnin e prej tyre të bëheshin pufka, të buta, të bardha, të shijshme e relaksuese. „Kuzhinierja“, njëra nga nuset, ose gruaja më e re e asaj shtëpie, kur kalaposhet ishin gati ua shpërndante të pranishmëve. Kalaposhet ishin të shijshme e të preferuara nga të gjithë, si nga të vegjlit, ashtu dhe nga të rriturit. Përgatitja e kalaposheve kërkonte pak kohë e nuk donte harxhe të tjera.

Nëse misrave të zierë u futej në kusi kripë e vaj, kalaposhet „gatuheshin“ e përdoreshin të thata, siç ishin në gjendje natyrale.

Dihet që fusha e Kalivaçit, në kohërat për të cilat bëhet fjalë, i kishte tokat mbi ujë. D.m.th., misri dhe kulturat e tjera prashitëse nuk i nënshtroheshin ujitjes. Në këto kushte ishin dhe arat e mëhallëve të sipërme: Hasanbegajve, Leshnjes, Bozanajve dhe Meçajve. Prandaj rendimenti i misrit, në arat e bujqve të Kalivaçit, edhe pse shërbimet i bëheshin bimës, mbetej i ulët. Rendimenti i kulturës së misrit, në Kalivaç, rrallëherë i kalonte të 5 kv për hektar.

Në ato kohë ishin të pakta familjet që, në arat e tyre, me drithërat që prodhonin, siguronin bukën rreth vitit. Kishte fshatarë që kishin arritur deri në Durrës e Shijak, për të blerë misër, me një thes në krah. Kjo histori ka ngjarë në vitet 30 të shekullit të kaluar. Të tjerë bashkëfshatarë, në kolonë, së bashku me kafshët e ngarkesës, merrnin udhën e Fierit; bënin dy ditë udhë për të shkuar e po aq për t’u kthyer për të blerë disa kg misër. Kishte marrë përmasat e një legjende blerja e misrit në Fier. Prandaj, kur mbillnin misrin, kalivaçasit thoshin, me ironi: „Të mbjellça këtu e të korrça tek Fiku i Fierit“.

Vetëm pas viteve ’70 të shekullit të kaluar, kur u krye sistemimi, mobilimi dhe u realizua ëndrra e ujitjes së fushës së Kalivaçit, rendimenti i misrit u rrit ndjeshëm dhe fshatarëve u ktheheshin në prodhim mundi e djersa e derdhur.

Meqenëse në Kalivaç të Tepelenës, sipërfaqet e mbjella me misër ishin të kufizuara, familjet bujqësore, në përgjithësi, i përballonin vetë proceset e punës, duke nisur nga punimi, lesimi dhe mbjellja e farës, shërbimet kulturore, si bimë prashitëse, deri tek korrja, zhveshja dhe magazinimi i misrit, në koçekë ose në hambar (misri kokërr). Korrja e misrit bëhej, si rregull, në fillim të muajit shtator të çdo viti. Afatet gjithnjë kondicionoheshin nga koha e mbjelljes dhe nga faktorë të tjerë natyralë e agroteknikë. Pozicioni gjeografik dhe klima e Kalivaçit janë favorizues dhe ditët me diell të mjaftueshme që kultura e misrit të piqej normalisht. Kur bima e misrit kishte marrë ngjyrën e dyllit dhe kokrra brenda kallirit ishte forcuar aq sa mund të ndahej lehtë nga koçani, në arat e mbjella me misër, binte drapëri e bëhej korrja e tij.

Korrja e misrit bëhej me drapër dhe me dorë. Në njërën dorë mbahej drapëri e me tjetrën kapej bima, në lartësinë, pak mbi kalli. Prerja e bimës bëhej, si rregull, 1o-15 cm mbi sipërfaqen e tokës. Rekomandohej prerja e bimës në mënyrë të pjerrët, me kënd, që ujërat e dimrit të mos zinin vend mbi kallamishte e kjo të kalbej. Misri i korrur, kashta së bashku me kallinjtë, vendoseshin nga ai që korrte, duar-duar, në madhësi sa të mund t’i transportonte një njeri, në krahë. Pastaj, në mes të arës misri vendosej stivë, në formë gjysmërrethi, në lartësinë rreth 1 m. Burrë e grua, pronarë të ekonomisë bujqësore, uleshin përbri njëri-tjetrit dhe me një thumb prej druri në dorë i bënin një çarje lëpushkës së kallirit dhe e zhvishnin kallirin e misrit.

Duke i kaluar nëpër duar të gjithë kallinjtë e misrit, ata bënin njëkohësisht seleksionimin e prodhimit. Kallinjtë e misrit të pjekur, ata me ngjyrë kafe në të verdhë, me kokrra të forta, i grumbullonin në qendër të togut kurse kallinjtë që nuk ishin pjekur plotësisht i veçonin e i piqnin, në prushin e zjarrit që ndiznin aty pranë. Lëpushkat (kashta e misrit) bëheshin duar-duar, lidheshin me një kashtë misri e dërgoheshin për të çuar hipi me lëpushka. Burrë e grua, të lodhur nga punët e ditës në arë, lodheshin akoma më tepër duke zhveshur misrin dhe shpesh i zinte gjumi pranë zjarrit, të cilin herë e mbulonin, herë e harronin të zbuluar.

Ndoshta koha e gjatë që ka kaluar prej ndodhisë e ka kthyer në barcaletë një episod, i cili ka brenda një dozë humori. Sipas tregimit të të moshuarve, nga lodhja e ditës së punës, i zuri gjumi të dy, burrë e grua, të lodhur e të këputur, me zjarrin të pambuluar plotësisht. Gruaja natën pa një ëndërr e u kthye në krah. Ra në zjarr e iu ndez fustani. Kuptohet, ngjarja nuk kaloi lehtë; u përzhit dhe kofsha e saj. Bërtiti gruaja nga dhimbja e u zgjua burri.

Qyqari, nëpër gjumë, së pari kontrolloi se mos e shoqja ishte dëmtuar në organet jetike dhe kur nuk konstatoi të kishte ngjarë diçka e tillë në ato pjesë të trupit, tha, plot patos: „Dhe sivjet që bëra drithë, m’u dogj gruaja në bythë; po, shyqyr që shpëtoi vëra, se hallall ia kam bërë të tëra“. Treva të tjera duan ta përvetësojnë ndodhinë e përpiqen ta dëftojnë, siç ua ka qejfi, në versione të ndryshme. Por mundësitë janë që ajo të ketë ndodhur edhe në fshatin tonë. Bujqit e Kalivaçit mblidhnin prodhimet e stinës, i futnin drithërat në hambar, bënin llogaritë për ushqimin e vitit, deri në të korrat e ardhshme dhe përfilleshin për punët e dimrit. E ndryshme ishte gjendja në skajin tjetër, tek blegtorët.

Ata i priste dimri, i lagësht e i ftohtë, të cilin nuk është se e kishin për zemër. Blegtorët, tek shikonin bujqit, të cilët e kalonin më lehtë dimrin, bëheshin xhelozë e jo pa ironi u thoshin „kolegëve“ të tyre: „A ç’ke qejf o bujk dhe tinë, ti mirë e shkon dimërin; mbush fasule, plot kusinë...“ Pavarësisht sa mundime kishte derisa të shkonte puna tek kusia plot. Korrja, zhveshja dhe grumbullimi i misrit ishin operacioni i fundit i punëve të bujqve të Kalivaçit për të siguruar bukën e përditshme.

Në fshatin tonë kishte mjeshtër që dinin ta kultivonin misrin më së miri e merrnin prodhim të bollshëm. Të tillë ishin Xhemal Haxhiu, Musa Brahushi, Karafil Mahmuti, Hajredin Cizo, Sherif Rrapo, Daut Mahmuti e Gani Muharremi etj., në mëhallët e Pusit e mjaft të tjerë: në mëhallët e sipërme. Ata e kultivonin misrin me kompetencë, duke ia bërë të gjitha shërbimet e nevojshme.

Por puna me misrin nuk mbaronte as me korrjen dhe zhveshjen e tij, as me transportimin pranë shtëpisë me kosha të thurur me shufra konopice. Se misri nuk është si gruri, të cilin e korr, e shin dhe e hedh në hambar. Misri kërkon manipulim të posaçëm, pikërisht pas vjeljes.

Në përbërje të kashtës e kallirit të misrit ka mjaft ujë. Ai duhet larguar nga kokrra e misrit me anë të tharjes.

Kallinjtë e misrit vendosen në disa vende të posaçme të përgatitura me dru, pak mbi sipërfaqen e tokës, në mënyrë që të kryhet pjekja, pas vjeljes së misrit. Disa familje, në veçanti ato që kanë sasi të vogël kallinjsh misri, i bëjnë si gërshetë e i vendosin ato nëpër trarët e shtëpisë ku dhe thahet misri. Në këtë mënyrë bujqit nuk nxitohen për të bërë shkoqjen e kallinjve të misrit, për të ndarë misërishten (koçanin) nga kokrrat. Kjo punë bëhej me nge, netëve të dimrit, kur dhe kohën e lirë fshatarët e kishin më të shumtë, pranë zjarrit, duke pjekur kalaposhe e duke treguar nasiate (përralla). Korrja, zhveshja dhe manipulimi i misrit konsiderohen festë pagane, mbasi janë festë e bukës së re, gjë që përkon me vjeljen e prodhimeve të ushqimeve, për njerëzit e për bagëtitë. Ndryshimet që kanë ndodhur në strukturën e të mbjellave, ku ka marrë përparësi mbjellja e grurit, kanë sjellë dhe përmirësimin e të ushqyerit të njerëzve. Tani, bashkëfshatarët e mi ushqehen, kryesisht me bukë gruri, teksa misërnikja ka dalë në plan të dytë.

Në Tiranë, më 3 shkurt 2012

Punoi Niazi Nelaj