Komuniteti i banorëve nga Kalivaçi i Tepelenës, për vetë kushtet specifike të trevës dhe largësinë nga tregu tradicional, historikisht është marrë me blegtori. Një fshatar nga Kalivaçi nuk e ka të vështirë të vërë përpara një tufë me dhen ose me dhi e t’u shërbejë atyre me kompetencë e përkushtim, si në dimër dhe në verë. Bashkëfshatarët tanë, në shtëpitë e tyre (në katoj), e në kasolle dhe në stane kanë mbajtur qysh në kohët që nuk mbahen mend, dele e dhi.
Gjedhët, në Kalivaç kanë qenë të pakta e kryesisht të kufizuara tek qetë e punës. Familja më e kamur kishte në mbarështim edhe ndonjë lopë “ligace” ose me qumësht, sa për të mbajtur shpirtin e për të ripërtërirë qetë e parmendës. Në katonjtë e në kasollet e kalivaçasve, gjeje dhe njëthundrakë, kryesisht kafshë ngarkese, kryesisht gomerë, kuaj e në të rrallë ndonjë mushkë. Klima, terreni dhe mundësitë ekonomike të familjeve fshatare bënin që si kafshë ngarkese e preferuar të ishte gomari. Kjo kafshë ngarkese konsiderohej e ishte, në fakt, më ekonomike, si për sa i takon të ushqyerit dhe për strehim. Kuajt e ngarkesës, gjithashtu nuk ishin të paktë, kurse mushkat qenë të rralla. Meqenëse kalivaçasit të ardhurat kryesore për të mbajtur familjen i siguronin nga bagëtitë e imëta, edhe sytë e tyre ishin kthyer nga delet e dhitë.
Preferencat e vendasve lidhur me këto dy specie anonin nga delet. Fusha e Kalivaçit (Pusi), Qurket, Bexga e Hasanbegajve, Majat, Grykat, lëndinat në Saloniq e në Specovë dhe në veçanti Plira e Ruçit, kanë qenë kullota të përshtatshme, mjaft të populluara nga dhentë e fshatit e nga të ardhurit. Kodrat e fshatit, të veshura me shkurre përralli, mbrete, ilqe, xinë, xane, paliçe, xin, frashër, lis, vidh etj. janë shfrytëzuar, në të gjitha kohët, si kullota të përshtatshme për mbarështimin e dhive. Në Kalivaç, fshatarët, tradicionalisht kanë mbarështuar dhinë, por familjet që i preferonin ato ishin të pakta. Meratë (kullotat) e dhive, të cilat kanë kapacitet kullosor për rreth 800 krerë dhi, komuniteti kalivaças, si rregull jetëgjatë ua jepte me qira të ardhurve nga treva të tjera të vendit tonë. Në vendin e quajtur Fieri i Metes, i cili ndodhet disa metra sipër Murit të Hasanet, ka pas ngritur stanin Rako Meshini, nga Malëshova e Përmetit.
Dorëzanë të familjes së tij, në Ahmetaj, ishte bashkëfshatari i zgjuar Abedin Kahreman Hadëraj. Në vendin e quajtur Këmba e Gurit ka pasur nomenë (stanin) Peço Mekshi dhe vëllai i tij, nga Zagoria malore etj.
Delen, banorët e Kalivaçit të Tepelenës e mbarështonin për t’i marrë qumështin, të cilin, siç dihet, ajo e ka me mjaft vlera ushqyese. Ata, i merrnin deles qengjin, për mish, dhe lëkurën, për ta përdorur për nevoja të ndryshme shtëpiake; përftonin plehun e i merrnin leshin, i cili, vazhdimisht është përdorur gjerësisht në ekonomitë e fshatarëve tanë. Disa përdorime, me vlerë të leshit të deles, janë: përgatitja e çorapeve; bluzave; fanelave që mbahen në mish; shallave; bëhen sherqe, pantallona e xhaketa shajaku; llabane e veshje të tjera. Në kushtet kur pambuku dhe lini nuk industrializoheshin e nuk përdoreshin si fije për endjen e pëlhurave, leshi ishte i pazëvendësueshëm.
Lëkura e deles, me një përpunim të thjeshtë artizanal bëhet poste për ta shtruar në dyshemenë e shtëpisë. Me lëkurën e deles, pas përpunimit, përgatiten stromat e samarëve, për kafshët e ngarkesës, bëhen shakujt për të depozituar gjizën, urrëlën, madje edhe rakinë. Kohë më parë, me lëkurë bëheshin dhe zbukurime e thurje të ndryshme. Në Kalivaç, delet, si rregull, i qethnin një herë në vit. Qethja e dhenve, në Kalivaç e më gjerë, kthehej në një festë të vërtetë, pagane. Ajo ishte një veprimtari baritore, me shumë leverdi ekonomike, por dhe me mundime e rreziqe. Është festë pagane pse nuk ka lidhje me ndonjë rit fetar, por thjesht me kalendarin diellor-hënor dhe i bën jehonë një prodhimi të ri, e çfarë prodhimi?
Qethja e dhenve ka të bëjë me vjeljen e leshit, i cili është jetik për jetesën e një familjeje baritore. Qethja e dhenve është një proces delikat për të vetmen arsye se leshi duhet të pritet vetëm në një vend, jo të bëhet copa-copa. Prerja e leshit në një vend të vetëm ka të bëjë drejtpërdrejt me cilësinë e tij. Leshi që përftohej dikur nga qethja e deleve në hapësirat e Kalivaçit ishte i ashpër e i gjatë.
Pas përmirësimit racor të tyre, me kolektivizimin e pronës, në tufat e deleve të fshatit, sidomos tek ato të përbashkëtat u futën raca me lesh më të hollë e më të dendur si raca merinos, delja rudë, raca e Dagestanit etj., leshi i të cilave kishte shitje më të leverdisshme në treg dhe përpunohej më lehtë. Kualitetet e leshit të deles kanë të bëjnë kryesisht me gjatësinë e fillit (flokut), pastërtinë e tij, praninë e yndyrës së vet në rrënjën e flokut dhe me ngjyrën. Procesi i qethjes së deleve kalon nëpër dy faza. Në fazën e parë, e cila përkon me ardhjen e pranverës, konkretisht me fundin e shkurtit e fillimin e marsit, deleve u qethen këmbët, bishtat dhe qafa.
Më pas, kur dielli ngrihet e moti ngrohet, që i takon fundit të prillit, sipas kalendarit osman, procesi i qethjes së dhenve finalizohet me qethjen e plotë të tyre.
Qethja e deleve, vërtet, tradicionalisht është bërë në pranverë, por nuk ka pasur ndonjë ditë apo kohë të përcaktuar me saktësi. Koha e qethjes së dhenve lidhet kryesisht me motin.
Kur pranvera vjen më herët e është e nxehtë dhe e thatë, qethja e deleve bëhet më herët. Kjo është vetëm punë ditësh. Qethja e tufës së deleve bëhet në të njëjtën ditë. Meqenëse tufa e deleve ka pasur e ka në përbërje mjaft krerë, qethjen e tyre në të njëjtën ditë nuk mund ta përballojë i vetëm çobani. Për ta përballuar volumin e madh të punës atë ditë, çobani fton një apo më shumë burra, nga familjet gjitone, ose jashtë komunitetit fisnor. Ata mund të jenë të afërt të çobanit ose thjesht nga mëhalla apo nga fshati. Një kusht i domosdoshëm, në këtë rast, është, të mbahet parasysh: Burrat që ftohen për të ndihmuar lipset të jenë me përvojë për qethjen e deleve dhe të jenë njerëz që punojnë shpejt dhe pastër, në kuptimin e cilësisë së prodhimit që nxjerrin nga duart e tyre.
Me termin pastër kam parasysh të mos pritet leshi disa herë dhe kur leshi ndahet qartas në “Majë” e “Mjetë” dhe kur i ftuari di ta bëjë leshin që qeth – “bashkë”.
Një “bashkë”, si rregull përfshin leshin që përftohet nga qethja e një deleje. Çobani, para se të fillojë qethja e dhenve të tufës së tij, merr disa masa paraprake, të domosdoshme. Puna e parë është sigurimi i gërshërëve me të cilat do të qethen delet. Gërshërët përbëhen nga dy fletë çeliku, të gjata rreth 30 cm, me majë të mprehtë, në pjesën fundore në njërën anë e me dorezë të rrumbullakët në anën tjetër. Tek doreza lihet një vrimë sa të nxërë gishtin e madh të dorës së burrit. Të dyja fletët e çelikta bashkohen me njëra-tjetrën aty ku mbaron pjesa e mprehtë e tyre. Bashkimi i fletëve bëhet me anë të një perçine ose buloni. Gërshërët me të cilat qethen dhentë, çobanët dikur i blinin në pazarin e Vlorës, në Këlcyrë, në Berat, në Fier e gjetkë.
Prerja e leshit bëhet ngjitur me lëkurën e deles, me majën e gërshërëve, duke bërë kujdes maksimal që të mos pritet lëkura e berrit (deles). Prandaj procesi i qethjes së dhenve konsiderohet delikat e nuk mund ta kryejë kushdo. Më të rinjtë aktivizohen për qethjen e dhenve, nën mbikëqyrjen e atyre me përvojë. Në mëhallët e “Pusit”, sa mbaj mend unë, qethja e dhenve bëhej në vendin e quajtur Qurke. Ky vend ishte zgjedhur për arsye se ishte i ekspozuar bukur përballë diellit dhe se aty kishte hapësirë të gjerë për punë. Dhentë që i nënshtroheshin qethjes qëndronin aty qark gjithë ditën. Qurket ishin vend i përshtatshëm ku delet lëviznin lirisht e mund të “brinin” ndonjë fije bar të njomë. Qethja e dhenve nis qysh në mëngjes.
Bariu i tufës dhe të thirrurit për ndihmë të cilët quhen “argatë”, me gërshërë në dorë, kapin nga një dele, e shtrijnë, mes këmbëve, bëjnë ritin mysliman, “bismilahi” e fillojnë qethjen. Qethja e deles nis nga gusha e deles, ose nga bishti i saj. Leshi i qethur mblidhet me kujdes, sipas një rregulli të njohur nga barinjtë e bëhet “bashkë”.
E zonja e shtëpisë, ndërkohë që burrat qethin bagëtitë, përgatit drekën. Dreka kthehet në festë e shtrohet, si rregull, në natyrë, atje ku realizohet qethja e bagëtive. Dikur, për të lezetuar drekën e për t’i dhënë karakter festiv, therej një pulë ose një qengj, bëhej një yshmer, me gjalpë ose me vaj ulliri, (pula gatuhej me rosnica), shtrohej një çorbë, një tas me kos dhe më në fund një ëmbëlsirë (revani, paluze ose kalimar). Në çdo rast, nuk mungonte rakia e rrushit ose, kur ajo ishte e pamundur, njerëzit kënaqeshin edhe me rakinë e koçimares.
Kur mbaronte qethja e deleve, i zoti i dhenve e fuste leshin nëpër thasë dhe e transportonte në shtëpinë e tij. Disa familje, për arsye thjesht ekonomike i qethnin delet dy herë, brenda vitit. Qethja e parë bëhej në muajin prill; e dyta, në fund të gushtit.
Kështu vepronin ata çobanë, të cilët nuk mund të siguronin kullotë për dhentë e tyre, për stinën e dimrit. Këta, në stinën e ftohtë e realizonin kullotjen e dhenve në natyrë, duke shfrytëzuar pyllin me shkurre në hapësirat e fshatit. Qethja dy herë e deleve nuk është e rekomanduar, mbasi ka më shumë disavantazhe e më pak përfitime ekonomike.
Para së gjithash nuk këshillohet lidhur me shëndetin e deleve, të cilat futen në stinën e ftohtë të zhveshura, pa mburojën e tyre natyrale, leshin, mbi kurriz. Festa pagane e qethjes së dhenve është një festë, e cila përsëritet çdo vit, në të njëjtën kohë.
Leshi i deles është një mall lehtësisht i magazinueshëm e që mund të konservohet gjatë, në kushtet e familjes baritore. Më tej, me kohë, amvisat bëjnë larjen e leshit, tharjen, krehjen, tjerrjen dhe endjen e tij. Gratë amvisa të mira e me specialitet, fijet që dalin nga tjerrja, i ngjyrosin, sipas dëshirës dhe i kalojnë në tezgjah, nga ku nxjerrin qilima, hejbe, veshje të ndryshme e punime leshi, të larmishme.
Në Tiranë, më 4 shkurt 2012
Punoi Niazi Nelaj
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.