Në Kalivaç të Tepelenës, si dhe në treva të tjera përqark, beja është një dukuri tepër e lashtë dhe origjinale. Ajo, qysh se ka lindur e është pranuar nga njerëzit si nevojë e si normë, për të rregulluar marrëdhëniet mes tyre, nga koha në kohë ka marrë forma, vlera e praktikime të ndryshme. Praktikimi i besë është shtrirë gjatë në kohë e nuk ka pasur pauza. Në kushtet kur mungonte një legjislacion i plotë e i posaçëm, beja, me kalimin e kohës, duke u praktikuar nga shumëkush, fitoi statusin e të drejtës zakonore, të pashkruar e të pafiksuar.

Beja, për nga mënyra e praktikimit dhe për nga efektet që ka në popull, ia vlen të dëftohet. Beja, në kuptimin e vërtetë të fjalës, nuk kishte asgjë të përbashkët me atë që bëhet rëndom tërë ditën e për çdo rast nga njerëz të veçantë, të cilët duan t’u mbushin mendjen të tjerëve se ajo që thonë është e vërtetë. Dëgjojmë shpesh të thuhet: Për Zotin; për kokën e babait apo të vëllait; mos u hëngërt (ngjiroftë), më zëntë gurmazin; mos u gdhifsha; mbeça kërcu etj. etj. Beja është diçka tjetër; ajo merr karakter më përgjithësues e me efekte tek njerëzit. P.sh.: në fshat apo në mëhallë ka ndodhur një prapësi; ka humbur diçka, është dëmtuar një mur, një shtëpi, një prodhim, ka humbur një dele, një dhi, një lopë etj., ose ka qarkulluar një intrigë apo një thashethem etj. Por, kjo vepër e papranueshme për komunitetin kalivaças ka mbetur pa autor, teksa njerëzit duan të dinë se kush e ka shkaktuar të keqen. Kjo kërkesë e ligjshme dhe njerëzore nuk bëhej thjesht për të shuar kureshtjen. Fajtori, mbasi të bëhej i njohur publikisht, do të mbante përgjegjësinë morale dhe do të pësonte ato kufizime që meritonte për të këqijat që kishte bërë.

Beja përdorej sa kohë ishte e pamundur të nxirrej e vërteta me rrugë të tjera, alternative dhe mungonin mjetet e shtrëngimit. Beja, aq sa ishte e mundur, i plotësonte të dy kushtet. Efektet e saj kënaqnin kërkesat e komunitetit, prandaj beja u pranua si zgjidhje e përshtatshme nga të gjithë. Po çfarë ishte në vetvete beja?

Mbasi kishte ndodhur prapësia, e ajo ishte bërë e njohur për të gjithë komunitetin, mblidhej pleqësia. Zakonisht pleqësinë e përbënin mentarët e fisit apo të mëhallës. Nuk ishte kusht të qenit më i moshuari. Kërkesë e parë ishte t’i shkonte fjala. I pari i fisit thërriste kryefamiljarët e atij komuniteti në odën e burrave. Si rregull, si odë për burrat e mbledhur shërbente njëri nga mjediset e shtëpisë së të parit të fisit, natyrisht, më i miri.

I pari i fisit ulej në qoshen e djathtë të odës dhe u bënte me dije të mbledhurve për atë që kishte ndodhur në territorin e atij komuniteti. Mund të bëheshin pyetje e të jepeshin sqarime e të bëheshin diskutime nga të pranishmit, por edhe mund të mos diskutohej. Pritej që fajtori të pranonte burrërisht atë që kishte bërë ai ose pjesëtarët e familjes së tij.

Kur kjo nuk ndodhte, i pari i fisit nxirrte nga xhepi i jelekut një monedhë metalike (kur ishte në qarkullim ari, monedha ishte prej këtij metali), të cilën ua dëftonte burrave të mbledhur, e kalonte nëpër buzë, fliste disa fjalë nën zë dhe e përcillte monedhën dorë më dorë, te secili prej burrave të pranishëm në odë. Çdo kryefamiljar përsëriste veprimin e të parit të fisit; e merrte monedhën metalike në dorë, e kalonte atë nëpër buzë, pëshpëriste edhe ai disa fjalë, nën zë e ia kalonte tjetrit. Ky veprim përfundonte kur monedhën metalike e kishin kaluar të gjithë të pranishmit nëpër buzë. Vetëm atëherë kishte përfunduar riti i besë. Beja në fakt është përbetim, dhënie bese, sigurim, garanci, çiltërsi e hapje e zemrës e atij që ka kryer fajin. Ai që betohet në mënyrën e treguar më sipër, siguron të parin e fisit dhe komunitetin, nëpërmjet kryefamiljarëve, se veprën keqsjellëse nuk e ka kryer as ai vetë e as ndonjëri nga familjarët e tij.

Kësisoj, nëpërmjet besë çdo kryefamiljar ka nxjerrë të larë e dorëjashtë njerëzit e tij, kryesisht familjarët e tij nën një çati. Kurioziteti na shtyn të themi dhe përmbajtjen e fjalëve që thotë nën zë i pari i fisit dhe çdo kryefamiljar, kur ai bën benë. Duhet ditur se beja është një akt moral dhe se nuk ekziston ndonjë mjet apo organ i posaçëm që ta realizojë shtrëngimin.

Atëherë si bëhet kjo? Shumë thjesht e pa harxhe. I pari i fisit u bënte të ditur atyre që do të betoheshin se monedha metalike, e cila do të kalonte gojë më gojë, do të çohej në njërin nga vendet e shenjta më të afërta dhe shenjtori, të cilin e besonin dhe e kishin frikë të gjithë pjesëtarët e komunitetit, për forcën e tij çudibërëse do ta ndëshkonte fajtorin. Si vende të shenjta, në trevën tonë e në ato pranë Kalivaçit ishin pranuar: Baba Dëro Fusha, Baba Lolo Bozanaj, Baba Zoto i Fushës së Krahësit, Teqeja në Agaraj, Teqeja e Arakopit, Teqeja e Koshtanit, Baba Dëro Dorëza, Kurora e Malit, çirakët që ndizen në vende të shenjta etj. Teqetë e mësipërme ishin më të pranuarat e më të besueshmet për të çuar monedhën e besë për arsye se në këto Teqe ishin të rreshtuar myhypët nga Kalivaçi. Vendet e shenjta ishin të veshura me mister dhe banorët besimtarë kishin bindjen se shenjtori do ta ndëshkonte fajtorin. Fjalët nën zë të të parit të fisit ishin: "Të thertë ky e ai shenjtor", duke përmendur emrin e vendit të shenjtë ku do të çohej monedha që kishte kaluar nëpër buzë.

Ai që betohej, gjithashtu thoshte nën zë: "Më thertë ky e ai shenjtor, po ta kem bërë unë ose të mitë prapësinë." Pjesëtarët e komunitetit të Kalivaçit besonin në drejtësinë e dënimit që do të jepte shenjtori, prandaj e kishin frikë benë. Si ndëshkime nga ana e shenjtorëve mund të ishin: moslindja e fëmijëve (steriliteti); vdekja e njërit nga pjesëtarët e familjes, ndodhja e një aksidenti, ngordhja e bagëtive, rënia e zjarrit në një objekt etj. etj. Në një komunitet mëhalle, e cila përbëhet nga më shumë se një fis, siç është rasti i Ahmetajve, por jo vetëm, tubimin e kryefamiljarëve për të bërë benë e drejtonte më i moshuari dhe më i mençuri i asaj mëhalle. Në këto raste ai merrte pozicionin e kryeplakut të mëhallës. Efektin dhe fuqinë e besë e njihnin dhe të ardhurit në Kalivaç, madje e kishin mësuar dhe arsimtarët.

Një rast interesant ka ndodhur në shkollën fillore të fshatit në fillim të viteve 50 të shekullit të kaluar. Në ato vite, nxënësit e shkollës, në çantën e librave, të përgatitur nga nënat, përveç librave e fletoreve merrnin me vete dhe pak ushqim të thatë, të cilin e konsumonin në njërin nga pushimet. Njëri nga nxënësit e klasit të tretë, banor i mëhallës së Meçajve, atë ditë nuk kishte pasur mundësi të merrte ushqim me vete.

Me kalimin e orëve, djalin e mori uria, por nuk kishte asgjë për të ngrënë. I ndodhur në kushtet e nevojës ekstreme, djali futi dorën në çantën e shokut, mori ushqimin që kishte brenda dhe e konsumoi. Në pushim, kur fëmijët e klasës u përfillën për të ngrënë ushqimin që u kishin futur nënat në çantë, viktima jonë mbeti pa gjë. U ankua djali tek mësuesi nga Elbasani Sezai Bungo. Mësuesi i nderuar, i cili e dinte mirë si veprohej në këto raste, i futi fëmijët në klasë dhe kërkoi prej tyre, pa shtrëngim, të tregonin kush e kishte marrë ushqimin e shokut nga çanta. Thirrjes së mësuesit të mirë nuk iu përgjigj asnjëri nga nxënësit. Atëherë Sezai Bungo nxori nga xhepi një monedhë metalike dhe u tha fëmijëve se për të gjetur grabitësin e ushqimit të shokut do të bënin benë.

Fëmijët e dinin efektin e këtij veprimi dhe u stepën. E kaloi nëpër buzë, sipas zakonit, monedhën metalike mësuesi i pari e, pas tij, fëmijët me radhë.

Kur i erdhi radha djalit nga Meçajt, ai u drodh, nuk e kaloi monedhën nëpër buzë, por ia dha të qarit. U kuptua kush e kishte bërë prapësinë dhe enigma u zgjidh. Fshatarët në Kalivaç betoheshin për gjënë më të shtrenjtë të tyre dhe për atë që besonin më shumë. Disa betime kanë qenë: Për Zotin; Për kokën e babait; Për kokën e nënës; Për kokën e vëllezërve apo të motrave; Mos paça jetën; Më vdekshin fëmijët; Mos i paça sytë e ballit; për këtë bukë që ha; Për atë e këtë shenjtor; për këtë e atë vend të shenjtë; etj. Disa betoheshin për shpirtin e nënës që ishte ndarë nga jeta; për shpirtin e babait, etj. Një betim i besueshëm nga banorët e fshatit ishte: Për çirakët që ndizen në dynja etj. Në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore, në të cilën Kalivaçi, me djemtë dhe vajzat e tij, dha një kontribut të ndjerë, mjaft njerëz betoheshin: Për gjakun e shokëve. Ata që ishin anëtarë të Partisë Komuniste betoheshin dhe: Për idealin e partisë. Besë i nënshtrohej cilido banor i komunitetit ku kishte ndodhur diçka e keqe, dhe nuk dihej autori i saj.

Ishte pranuar që besë i nënshtroheshin, si rregull, të rriturit, meshkujt, të cilët gëzonin statusin e kryefamiljarit. Betimi nga ana e tyre, kur ishin të sigurt se familjarët e tyre nuk kishin lidhje me ndodhinë e prapë, i çlironte ata nga një siklet e i linte jashtë dyshimit. Përderisa nuk i ishte vënë gishti fajtorit, për opinionin e komunitetit, të gjithë ishin të dyshuar dhe pesha e opinionit negativ rëndonte mbi këdo.

Kur njëri nga kryefamiljarët nuk bënte benë, ai merrte mbi vete barrën e fajit. Kësisoj dyshimi vërtetohej e personi shpallej fajtor. Sanksione fikse nuk kishte, por, në formë e në përmbajtje ato kishin të bënin me një qëndrim të caktuar të banorëve kundrejt të keqes, ishin mospajtim me të keqen, gjë që buronte nga bota e brendshme e atyre njerëzve, të cilët rrezatonin mirësi. Në disa raste fajtori dhe familjarët e tij bojkotoheshin; të tjerët nuk u flisnin me gojë, kur i ndeshnin në rrugë. Në raste të tjera, ata nuk i thërriste njeri në dasmë, në gëzime, në davete apo gosti. Një njeriu apo një familjeje që kishte bërë një prapësi, ngurronin t’i jepnin nuse për djalin ose t’i merrnin vajzën për nuse.

Një personi apo një familjeje e cila njihej si e kompromentuar në faj, të tjerët ngurronin t’i jepnin borxh, për arsye se ai ose ata nuk i kishin garancitë e nevojshme. Mund të ndodhte bojkotim edhe kur duhej të kryenin veprimtari të përbashkëta në punimet bujqësore, për ruajtjen dhe mbarështimin e bagëtive, madje edhe kur mbahej radhë në mulli, në pazar etj. Rehabilitimi i fajtorit ishte një proces tejet i gjatë e i vështirë. Fajtori duhet të jepte prova të forta se ishte korrigjuar e ndrequr.

Së fundi, beja ishte pranuar si një vijë sjelljeje në jetën e banorëve të Kalivaçit. Beja është betim, është fjalë e dhënë, është një garanci, është besë burri, është mirëkuptim reciprok, është transparencë. Bërja e besë është një veprim që buron nga bindja për ndershmërinë e njerëzve me të cilët jeton. Kuptohet, benë e bën ai që i njeh njerëzit e vet dhe ka besim tek ata. Në fund të fundit, edhe nëpërmjet besë kalivaçasit kanë mësuar të jenë të drejtë e të ndershëm e nuk i kanë shkaktuar telashe të pakorrigjueshme njëri-tjetrit.

Tiranë, më 3 dhjetor 2011

Punuar nga Niazi Nelaj