Jeta shumëshekullore e banorëve të Kalivaçit të Tepelenës nuk ka qenë përherë e qetë, në paqe e nuk ka shkuar si në vaj. Edhe pse mirëkuptimi e toleranca mes tyre kanë përbërë pamjen e përgjithshme të jetës së tyre, herë-herës ekuilibret kanë pësuar lëkundje e janë prishur dhe, pas ditëve me diell, kanë fryrë edhe erëra e ka pasur stuhi. Në tërësi, mosmarrëveshjet e keqkuptimet mes njerëzve janë kapur e trajtuar në kohë e nuk kanë dhënë pasoja të dhimbshme, por, kur ato janë nënvlerësuar apo injoruar, përherë kanë çuar në grindje e në mërira, të cilat më së pakti i kanë sjellë dëm unitetit e kompaktësisë së komunitetit.
Në thelb, mëria është bojkotim, pabegeni e mospërfillje për tjetrin. Mëria është pasojë e një hatërmbetjeje që vjen si rrjedhojë e kundërshtive mes njerëzve në mendime e veprime. Mungesa e tolerancës dhe egoizmi, në këto raste, janë vazhdimisht dukshëm të pranishëm. Mosnjohja sa e si duhet e personalitetit që ke përballë dhe mosmbajtja gjithnjë parasysh e veçorive individuale të karakterit dhe formimit të tjetrit kanë sjellë vështirësi e pengesa për integrimin e njerëzve në komunitet. Interesi vetjak i individit bartës dhe egoja e tij i kanë paraprirë gjithnjë ndasive të këtij lloji.
Ndonjëherë, grindjet dhe mëritë i kanë kapërcyer kufijtë e individit të veçantë e janë shtrirë më gjerë. Atëherë dëmet dhe rrjedhojat janë ndjerë me më shumë dhimbje e kanë përfshirë më tepër njerëz. Gjithsesi, grindjet dhe mëritë mes njerëzve nuk janë armiqësi midis tyre. Ato janë vetëm mospërputhje në mendime e veprime, të rastit e të çastit, që mund të korrigjohen më lehtë, natyrisht, kur ato kapen e trajtohen në kohë e si duhet, në krahasim me armiqësitë. Rrallëherë, shkak për grindje e mërira është bërë xhelozia apo smira për tjetrin.
Nuk bëhet fjalë thjesht për kuptimin klasik të fjalës xhelozi. Si dukuri negative, ato kanë qenë më të pranishme tek disa të ardhur rishtaz në një komunitet të caktuar. Prania e tyre shpesh është e diktuar nga fakti që rishtarët janë përshtatur me vështirësi me jetën e komunitetit të ri, ku ata kanë shkuar.
Tani le të zbresim në terrenin konkret të gjërave. Në një familje, normalisht, kur arrin në një moshë të caktuar, e cila varion, sipas rastit, martohet djali e në shtëpi vjen nusja. Martesa është bërë me mblesëri dhe bashkëshortët e rinj nuk kishin asnjë mundësi për të njohur njëri-tjetrin. Ca më pak, nuk bëhej fjalë që vjehrri e vjehrra të kishin njohje për nusen e djalit të tyre. Formohej në këtë mënyrë një komunitet i vogël, i shtuar tashmë me një rishtare të panjohur.
Nusja gjeti në shtëpinë e dhëndrit një mjedis të ri dhe të tjerë njerëz, jo si ata me të cilët ishte rritur e kishte jetuar. Ajo, me bagazhin që solli me vete, i cili përmban një mënyrë tjetër të menduari e të vepruari, përpiqej të integrohej në komunitetin e ri. Më mirë të themi, ajo mundohej të përshtatej, apo, e thënë ndryshe, të shtirrej sikur ishte e njëjtë me ta, duke bërë herë lëshime e herë lajka, që të mos krijonte fërkime me njerëzit e burrit. Me veçoritë e formimit e me bagazhin që solli nga dera e t’et, ajo ndeshej me të tjera praktika e huqe, me kapriço e paragjykime, disa herë me teka apo dëshira të panjohura për atë dhe, siç ndodh rëndom, përplasej me to.
Në këtë “luftë” mendimesh e praktikash të ndryshme, ajo herë dilte e fituar e më së shumti humbiste terren. Nusja e re, në shtëpinë e burrit, më së shumti ndeshej me mentalitete e praktika konservatore, përballë të cilave shpesh ishte e detyruar të lëshonte pe e të tërhiqej. Një përplasje e tillë, edhe kur shoqërohet me buzëqeshje të shtirur, të dyanshme, sido që të ishte, në mënyrë të pashmangshme çonte në qejfmbetje në njërën anë. Nusja duhet të kuptonte e të respektonte mënyrën e re të jetesës, e cila, edhe në Kalivaç të Tepelenës, zhvillohej nën peshën e sloganit, sipas të cilit: “Zakon të ri në fshat të vjetër nuk mund të bësh.” Kësisoj, nuses i mbetej hatri që nuk i dëgjohej fjala.
Ca më shumë kishte qejfmbetje tek vjehrra, mbasi e reja që kishte ardhur rishtaz në atë shtëpi, në ndonjë rast ia kthente fjalën Hanko Nënës (kështu i thërrisnin vjehrrës nuset e reja). Zënka mes tyre ishte gati (shtrati zemërak ishte shtruar) e, pas saj, vinte mëria. Për pasojë, vjehrra i mbante kokën mënjanë nuses dhe kjo e fundit i fliste nënës së burrit “maja-maja”, pa begeni e vetëm kur ishte e detyruar t’i fliste, jo për t’i bërë respektin vjehrrës, por sidomos që të tjerët të mos merrnin vesh për mosmarrëveshjet që kishin lindur në “kampin” nuse-vjehrrë.
Këto marrëdhënie të ndera disa herë shtriheshin dhe mes pjesëtarëve të tjerë të familjes. Fajtore, në të shumtën e rasteve, bëhej nusja; ajo akuzohej se kishte sjellë sherrin në atë shtëpi. Sipas opinionit mbizotërues, “nusja e bënte kulaçin të shtrembër”; ajo i kishte fajet, teksa zonja vjehrrë, e cila kishte me vete një lukuni familjarësh, dilte gjithnjë “e larë”. Dhe zgjidhja ishte gati: sipas një tradite të lashtë, e cila ishte adaptuar nga mjaft familje në Kalivaç, ndahej në shtëpi më vete djali i sapomartuar, së bashku me nusen e re dhe, në dukje, gjendja paraqitej si më e qetë e mosmarrëveshjet si të kapërcyra. Të afërmit, shoqëria e miqësia dhe gjitonët, me këtë rast, shkonin për të uruar ndarjen me sloganin: “T’u hahet bukë e ëmbël më vete!”
Ndahej pasuria e përbashkët: arat, bagëtitë, shtëpia e katandia, deri tek enët për gatim e veglat e punës në arë, apo këmborët e zilet e bagëtive. Kur babai ose i biri dispononte të holla, edhe ato ndaheshin, në përgjithësi mes sherreve e paudhësive. Si rregull (kjo ishte më e mira), babai i ndante vetë djemtë, pa thirrur për ndihmë pleqësinë, miqësinë apo komunitetet fetare. Ky ishte konsensusi mes pjesëtarëve të familjes.
Kur dikush nga palët nuk ishte dakord me ndarjen që bëri i pari i familjes, atëherë, në procesin e ndarjes pleksej miqësia, fisi e më në fund, kur këta nuk ia dilnin, futej në lojë – pushteti (pleqësia). Mirëpo, nga ndarja lindte një problem i cili nuk mund të injorohej: djali që u martua e më pas doli si familje më vete, si rregull, ishte djali i madh i familjes. Pas tij mund të kishin mbetur disa motra e vëllezër, më të vegjël në moshë, për të cilët ai kishte detyrime, si për rritjen dhe për martesën e tyre. Ai vërtet që ishte “buka e parë” e familjes, por tashmë ishte shkëputur nga çerdhja atërore e shikonte hallet e veta. Qejfmbetja vazhdonte në të dy polet e familjes.
Mëria – gjithashtu. Nuk kishte peshore që ta ndante pasurinë në mënyrë të paanshme mbasi kërraba tërhiqte nga vetja; në shumicë nga i pari i familjes, ai që bënte ndarjen. Rëndom ndodhte që babai, pavarësisht se i kishte të tijtë të gjithë fëmijët, kur bënte ndarjen, i lejonte vetes ndonjë diferencim, i cili, më së shumti, anonte nga krahu ku ishte babai. Po çfarë hilesh mund të kishte në këtë mes? Njërit i jepte arat me prodhimtari më të lartë; ose, kur ndante trojet, për vete mbante atë që kishte më tepër pamje e lehtësira për të dalë.
Kur ndante bagëtitë, mbante për vete ato më prodhimtaret e më të rejat në moshë etj. etj. Grindjet vazhdonin sidomos kur pjesëtoheshin të hollat, shumën e të cilave nuk e dëftonte njeri, sido që djemtë e babait ishin të çiltër me njëri-tjetrin.
Thuajse në çdo familje, në Kalivaç, banorët, përpara banesës, kanë pasur e kanë një avlli, të rrethuar nga mure të larta, 3 e më shumë metra. Kur ndahej më vete njëri nga djemtë e shtëpisë, pjesëtohej dhe oborri i shtëpisë. Në këto oborre zakonisht qëndronin bagëtitë e imëta: delet e dhitë. Muret ngriheshin të larta për t’i mbrojtur bagëtitë nga sulmet e egërsirave që endeshin rrotull shtëpive të banorëve të trevës. Në këto kushte, të ndodhur përballë mureve të larta e kur njerëzit punojnë në pronat e tyre, larg njëri-tjetrit, vështirësohet komunikimi mes banorëve të komunitetit.
Mungesa e komunikimit është mangësi që nuk i shërben njohjes reciproke mes njerëzve. Kjo mosnjohje shpesh bëhet shtrat për mosmarrëveshje, grindje e mërira. Shtrat të ngrohtë për grindje e mërira bëhen thashethemet dhe intrigat. Pavarësisht se kush i thur ato e kush bëhet objekt i tyre, duke e paraqitur realitetin në një dritë të shtrembër, thashethemet e intrigat çojnë në qejfmbetje e në mërira, të cilat pasohen nga grindje, rrahje e…
Në mjaft raste të tjera, keqkuptimet dhe zënkat mes njerëzve lindin aty ku disniveli i tyre arsimor e kulturor është i dukshëm. Ata që janë më të shkolluar, por dhe më të zgjuarit natyralisht, përshtaten më lehtë e më mirë me të tjerët e janë më pak të predispozuar për të rënë në prehrin e grindjeve e të mërive. Një faktor, i cili nuk mund të lihet jashtë vëmendjes, është mungesa e legjislacionit. Një shtet i dobët nuk ka mundësi t’u dalë përpara dukurive negative, edhe kur shfaqen “filizat e parë” të tyre. Ndryshe është në një shtet të mirëorganizuar e funksional, ku çdo nivel e qelizë e tij kryen disa funksione të caktuara, edukuese dhe parandaluese.
Përveçse në pozicionin e edukuesit e të kultivuesit të mentaliteteve e të psikologjisë së kolektivitetit, një shtet tamam, në funksionin që i takon, ka në dorë dhe shtrëngimin. Ai identifikon, nëpërmjet levave të tij, cilët janë bartësit tipikë të thashethemeve e kush i përhap ato dhe merr masat e nevojshme, efektive, për t’i bërë zap ata (ato) gojë të liga, që mbushin mjedisin me të paqena. Po si janë zgjidhur e si zgjidhen aktualisht zënkat e mëritë mes njerëzve, në Kalivaç të Tepelenës? Për arsye se shkaqet që i lindin janë të rëndomta, edhe zgjidhja e tyre nuk është aq e vështirë. Mjaftonte të largohej nga skena faktori që u dha jetë, e t’u pritej burimi, edhe vetë ato shterronin. Më së shumti, grindjet dhe mëritë shuheshin vetvetiu, madje nga vetë bartësit e tyre. Si dukuri shoqërore negative, grindjet dhe mëritë janë të lidhura, para së gjithash, me motive të brendshme, vetjake të atyre që i fabrikojnë e i përhapin këto sjellje negative.
Bartësi i tyre, më parë, ka mbajtur qëndrim negativ për një çështje të caktuar, i nisur nga roli parësor që i jep kapacitetit të tij intelektual e pozitës shoqërore që ka arritur, pa meritë. Së këtejmi rrjedh një sjellje e një qëndrim, i bazuar në egon e tij, jo në tiparet vetjake të mirënjohura e të pranuara nga komuniteti rreth tij. Pra, kemi të bëjmë me një ego të sëmurë të tij. Pra, kemi të bëjmë me një vetëlëvdim apo me një gjendje iluzore, e cila ka zënë vend në kokën e bartësit. Rëndom, një njeri i tillë i atribuon vetes merita e vlera, të cilat, në fakt, nuk i ka dhe përpiqet, me anë të autoritetit fals, t’u imponohet të tjerëve, deri dhe duke i denigruar ata.
Por, kur e gjykon me gjakftohtësi dhe paanësi sjelljen e tij të mëparshme dhe konkludon se i ka rënë në qafë kot tjetrit dhe se ishte pikërisht qasja e tij e gabuar që çoi në ftohjen e tjetrit dhe në grindje e mëri të kotë, në këtë mënyrë bartësi reflekton, ndërron mendim e “vjen në brazdë”, korrigjon qëndrimin që ka mbajtur në çaste gjaknxehtësie e kur ka vepruar në mënyrë të pathelluar. Në këtë rast, “heroi” ynë mendjemadh mposht veten, i bën gjyqin vetes së tij, në radhë të parë në vetmi, bëhet pishman për dëmin që i ka sjellë tjetrit dhe arrin në përfundimin se duhet të pajtohet. I penduari hedh hapin e parë drejt afrimit me “viktimën” e tij. Ai, përsëri, në vetmi, përpunon në mendjen e tij dhe mënyrën e rrugët që duhet të ndjekë.
Për t’i kërkuar të falur atij që ka pësuar nga veprimi i tij i pamatur (viktimës), e ka të vështirë, mbasi nuk e lë uni dhe ka drojë se mos e akuzojnë për paburrëri. Ndaj pret të vijë një çast “fatlum” për të hedhur hapin e parë drejt pajtimit, pa cenuar personalitetin e tij, për të cilin ka merak e kujdeset shumë. Brendapërbrenda qenies së tij zhvillohet një luftë mes të mirës e të keqes. Tek njeriu i mirë del fitimtare e mira, e cila e mund të keqen, e cila gjithsesi është çështje e brendshme dhe kur shqitet, çirret e bërtet dhe kapet pas asaj që nuk e mban. Kështu, vetëkorrigjimi, si proces i vështirë, fillimisht nis së brendshmi.
Ai është luftë me vetveten, mposhtje e vetes; braktisje e asaj të cilën e ruaje me fanatizëm. Por është pendimi më i saktë e i pakthyeshëm, për arsye se kalon përmes subkoshiencës së bartësit, i cili, si rregull, kur e ka seriozisht, e braktis të keqen njëherë e mirë e nuk i kthehet rishtaz.
Merakun që ka heroi ynë për të ruajtur personalitetin e tij përballë opinionit të komunitetit ia nxjerrin ata që ka rreth e rrotull: familjarët, të afërmit, fqinjët, miqtë me ndikim të fuqishëm tek protagonisti apo dhe të tjerë njerëz që janë më të largët. Kalivaçasit e njohin dhe e çmojnë shumë burrërinë. Atë që mposht veten dhe hedh hapin i pari për të bërë pajtimin e quajnë burrë. Ndaj tij njerëzit e komunitetit mbajnë qëndrim pajtues e dashamirës. Prandaj, në jetën e banorëve të Kalivaçit gjen shembuj pambarim kur mëritari mezi priste të ndodhte ndonjë dasmë, fejesë apo gosti dhe, i paftuar, “kërcente” (futej brenda) në shtëpinë e atij me të cilin ishte në mëri.
Një veprim i tillë nuk vihej në diskutim kur bëhej fjalë për një fatkeqësi. Kësisoj, në Kalivaç të Tepelenës edhe vdekja i bashkon njerëzit. Pajtimi, sidomos në raste fatkeqësish, është jo vetëm burrëri, por dhe fisnikëri e mendjekthjelltësi. Por, për fatin tonë jo të mirë, në jetën e komunitetit të fshatit tonë ka pasur dhe raste të vështira kur është dashur ndërhyrje nga jashtë për të pajtuar njerëzit në mëri. Si pajtimtarë të preferuar kanë qenë, në radhë të parë, drejtuesit e komunitetit fetar si babai i teqesë, shehu, dervishi, hoxha etj., fjala e të cilëve “ngjiste” mjaft.
Jo më pak ndikim kishte fjala e njerëzve me përgjegjësi shtetërore si kryeplaku, kryetari i këshillit, kryetari i kooperativës bujqësore (kur fshati ishte i kolektivizuar), beu, agai, një njeri i kamur, por dhe mentar i njohur. Kësisoj, që të ishte njeriu në rolin e pajtimtarit, nuk mjaftonin vetëm malli e gjëja; kërkohej domosdo të ishte dhe mendjendritur. Në fshat kishte dhe njerëz të tjerë që u peshonte fjala. Ushtarakët, mësuesit, të dërguarit e Perëndisë e më vonë të partisë e të shtetit totalitar, etj. Ata, jo vetëm që ishin të preferuar në fshat, por edhe në këto raste e në sebepe hidheshin në qoshe e u dëgjohej fjala.
Kur ishte e nevojshme, fjala e tyre peshonte e dëgjohej edhe për pajtimin e atyre që ishin në mëri. Në një mëri, përherë ka dy palë. Njëra syresh, kur është gjykuar se kishte ardhur koha për t’u pajtuar, hedh hapin e parë. Praktika shumëshekullore e jetës së fshatit tonë na thotë se më i zgjuari, më i mençuri, më fisniku e doemos më trimi merr iniciativën, i pari, për të shkuar drejt pajtimit, pa u merakosur se për këtë mund të ketë dhe ndonjë mosaprovim. Ai mjafton të jetë në paqe me veten e tij, mbasi e kupton se mëria është diçka e kotë, se ajo është një gjë bosh, e cila nuk i sjell dobi askujt.
Dhe komuniteti kalivaças e ka përshëndetur pajtimin vetiu të atyre që ishin në mëri. Në raste të tilla njerëzit i thoshin: “Bravo, hallall të qoftë.” Pajtimi pa ndërhyrje nga jashtë kërkon, veç të tjerave, guxim e burrëri të cilat kalivaçasit i mblojnë në vetvete e i kanë shpalosur kudo e në çdo kohë.
Së fundi, duhet theksuar dhe fakti që, në disa raste, natyrisht, tepër të rralla, kalivaçasit kanë kaluar nga mëria në miqësi dhe kjo është vlerë më vete. Pa kaluar në temë tjetër, dua, me këtë rast, t’u përulem atyre burrave trima e të mençur, të cilët gjetën shtigje e shuan mërira e armiqësi spontane, duke mbjellë në vend të tyre lidhje të shëndosha miqësie e krushqie. Falë mençurisë e burrërisë së këtyre njerëzve me taban, kemi sot lidhje të shëndosha mes banorëve të fshatit. Është në nderin e secilit bashkëfshatar të bëjë gjithçka varet prej tij, për t’i ruajtur si sytë e ballit këto lidhje të shëndosha, duke i pasuruar ato me të reja.
Tiranë, më 28 nëntor 2011
Punoi Niazi Nelaj
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.