Urimet dhe mallkimet janë forma të reagimit njerëzor ndaj të mirës apo të keqes. Banorët e Kalivaçit të Tepelenës janë njerëz të ndjeshëm, të gjindshëm dhe njëkohësisht tolerantë. Natyra rebele që i karakterizon bën që ata të jenë syçelët e të ndjekin me vëmendje zhvillimet. Ata nuk janë indiferentë ndaj zhvillimeve rreth tyre. Sipas rastit, kalivaçasit, kur është rasti, gëzohen e hidhërohen si dhe reagojnë pozitivisht apo negativisht ndaj dukurive të ndryshme. Sipas rastit e gjendjes shpirtërore të tyre, ndjesinë që kanë, herë e mbajnë përbrenda (kur kjo është e mundur) e herë të tjera e shprehin nëpërmjet urimeve apo mallkimeve.
Urimet që bëjnë fshatarët e Kalivaçit shprehin miratimin e asaj që ndodh, ose të asaj që pritet të ndodhë. Mallkimet, përkundrazi, nuk janë vetëm mosaprovim, por kryesisht kundërshtim e revoltë ndaj të keqes. Të dyja këto qëndrime kanë lidhje me shpirtin kryengritës të kalivaçasit, i cili nuk e pranon të keqen e nuk pajtohet me të, kudo që të ndodhë, tek vetja ose tek ai që ka për zemër. Urimet pasqyrojnë shpirtin e gjerë e bujar dhe mirësinë që bartin njerëzit e kësaj treve. Ato dëshmojnë tolerancë e sjellje të matur e të ekuilibruar. Edhe mallkimet, pasqyrë e shpirtit janë, por anë e kundërt e së parës. Ato dëshmojnë mospajtim me ligësinë, prapësinë, shpirtin e keq dhe veprimin prapa krahëve, pabesinë.
Një banor nga Kalivaçi i Tepelenës, nga natyra, është njeri i drejtpërdrejtë, i hapët e kurajoz. Ai t’i thotë në sy të gjitha të vërtetat, pa u menduar gjatë nëse i vjen mirë bashkëbiseduesit apo nuk i vjen pas oreksit e „thartohet“. Për kalivaçasin është e mjaftueshme që ai të dëftojë të vërtetën, të dëshmojë si ka ngjarë, me vërtetësi, një ndodhi, e mirë apo jo e tillë. Veçse në këtë çështje ka diçka që ia vlen të theksohet. Kalivaçasi, siç është vetë, i drejtpërdrejtë, kërkon të shpërblehet me të njëjtën medalje dhe nga ai që ka përballë vetes. Kjo do të thotë se ai kërkon që edhe ata që ka si bashkëbisedues përballë vetes të kenë të njëjtën vijë sjelljeje; d.m.th. të jenë të çiltër e të drejtpërdrejtë.
Mjafton të thotë të vërtetën dhe e ka të fituar davanë tjetri. Syunjurin, lajkatarin, servilin, zemërziun e zemërligun, kalivaçasi, jo vetëm nuk e duron dot e nuk e pranon bashkëjetesën me të, por, kur e ndesh atë në jetë, përpiqet ta anëkalojë e ta braktisë (jo të bëjë sikur nuk e shikon), por, po të ketë mundësi, i kundërvihet fort, pa kompromis.
Urimet, në përgjithësi, shprehin një dëshirë të mirë, e cila ka të bëjë me jetën dhe shëndetin e një njeriu. Disa raste: Kalon rrugës e vështron një njeri duke punuar. Pavarësisht se edhe mund të mos e njohësh, e uron: „të vaftë mbarë!“ „të lumshin duart!“ „me bereqet!“ „u bëftë si det!“ etj. Kur një njeri niset për udhë, i thuhet: „udhë të mbarë!“ „vafsh e ardhç shëndoshë!“ „të ndifshin çirakët!“ etj. Për të shprehur dashurinë dhe respektin që kemi për një njeri, i premtojmë se mund të rrezikohemi për të. Urimi në këtë rast ngjason me një premtim. Këtë e ndeshim në urimet: „Të marsha të keqen!“ „t’u bëfsha kurban!“ „vdeksha unë për ty!“ „të marsha të ligat!“ etj. Në rastet kur shkon në shtëpinë e ndonjërit që është shtuar me ndonjë lindje të re urohet: „me jetë të gjatë!“ „u rrittë me nënë e me babë!“ „shyqyr që shpëtoi e madhja!“ „koka gur!“ etj. Ndryshe është kur shkon në një vaki. Me të hyrë tek dera, vajtësi thotë: „Qyç e liga!“ që do të thotë të mos ketë më ndodhi të këtilla në atë prag, më vonë; ose: „T’u ketë lënë uratën!“ që do të thotë t’u ketë lënë mbarësinë etj.
Dikur, në raste të tilla përdorej dhe shprehja: „Qoftë i Xhenetit!“ etj. Në çdo rast, kur shkohet për ngushëllim, njerëzit shprehin keqardhje, solidaritet dhe, me fjalën e mirë, përpiqen të ngjallin optimizëm e kurajo tek fatkeqët. Në qoftë se në gëzime, ata që shkojnë për urim, i japin gojës dhe po të thonë diçka jo ashtu siç duhet, kjo nuk bën shumë zhurmë, në vaki njerëzit janë fjalëpakë e të kursyer në ato që thonë. Ata i mendojnë e i peshojnë mirë fjalët, e në tërësi nxjerrin nga goja fjalë të mençura. Përndryshe është më mirë të heshtin sesa të thonë kotësira.
Në atmosferën e gëzuar të dasmës urimet dhe fjalët e mira derdhen si lumë. Duke u rrëmbyer nga atmosfera festive e dasmës apo gëzimit, pse jo dhe nga përdorimi i pijeve alkoolike, njerëzit duken më të çliruar, më pak të rezervuar, më pak të kujdesshëm se mos fyejnë apo lëndojnë njeri, prandaj flasin më tepër e bëhen llafazanë. Kur hipën nusja në kalë, dasmorët e urojnë: „na dalç e mirë!“ Kur nusja është shtatzënë, urohet: „Me një djalë!“ Se djali është më i preferuar e trari i shtëpisë.
Kur në shtëpi vijnë krushqit, urimi tradicional që bëhet është: „Ta kemi të pandarë!“ „bukë e ëmbël!“ etj. Ka dhe mjaft urime të tjera, të cilat bëhen rast pas rasti. Sido që të jetë e çfarëdo që të thuhet, urimi shpreh një dëshirë të mirë e lutje për mirësi. Urimi krijon një gjendje shpirtërore e kënaqësi të ndërsjelltë.
Kur e uron dikë, atij i shton kënaqësinë, i jep kurajo dhe e bën optimist ose, siç thonë rëndom në anët tona: e bën me krahë.
Mallkimi është reagim i kundërt, është rebelim e mospranim i së keqes, prapësisë, poshtërsisë apo një veprimi të padrejtë. Mallkimi, në fakt, është një shprehje e koncentruar, me pak fjalë, por me shumë mllef, e asaj revolte që ndjen një njeri kur përjeton ose pret të ndodhë një gjë që nuk e dëshiron, por që është i pafuqishëm ta ndalojë. Mallkimi, në çdo rast, bëhet pjesë e lutjes, nëpërmjet të cilës autori shpreh një dëshirë apo një opinion sipas të cilit gjëja e keqe të mos vijë e ajo që është e padrejtë të mos ndodhë, kurrë. Kësisoj mallkimi merr karakter parandalues, së shumti – pengues, mbasi nuk dëshirohet të ndodhë. Por, kur e keqja ka ndodhur, mallkimi, edhe kur është larg hakmarrjes, ka për qëllim ta ndëshkojë fajtorin. Me doza parandalimi mund të jenë mallkimet: „Më març të keqen!“ „m’u bëfsh kurban!“ „të gjetë qameti!“ „më març të ligat!“ „vafsh e mos ardhsh“, „t’u thaftë gjuha!“ „të bëfsha gropën!“ „vafsh prapa diellit!“ „e gjeç nga mos e pandehsh!“ „të marrtë mortja!“ „u bëfsh halas!“ „e kërkofsh udhën me dorë!“ „të humbtë varri!“ „të prufshin në vigjë!“ „ky muaj daltë me ty në gojë!“ „më plase buzën!“ „të daltë sa poçja!“ „të marrtë purtha shalët!“ „t’u shoftë soji!“ „u bëfsh kruspull!“ „mbeç pa bina!“ „t’u thaftë dora!“ „të thertë ky e ai çirak!“ „u bëfsh def!“ „të kërrefsha binanë!“ „të daltë ujë i zi!“ etj. Mallkimi, në mjaft raste, godiste personalitetin e atij që bënte keq. Të tillë mund të përmendim: „Xhydam!“ „arrakat!“ „i marrosur!“ „të vraftë vetëtima!“ „vulëhumbur!“ „Merhum!“ „Vandak!“ „të marrtë lumi!“ „vdekç sonte!“ „edepsëz!“ „rruspi!“ „kërriç gomari!“ „sojsëz!“ „molomën!“ „marsh e mos paç!“ „mos u ngopç!“ „cipëplasur!“ „qoftëlarg!“ „thefsh qafën!“ etj.
Si urimet, ashtu edhe mallkimet janë pjesë e jetës së njerëzve. Ato janë të pashmangshme. Në Kalivaç të Tepelenës, njerëzit, në tërësi, janë dashamirë e të respektueshëm. Respekti për të largëtin ka qenë e është absolut. Përzemërsia e atyre njerëzve është tipar dallues e i pandryshueshëm.
Kush ka provuar të shkojë në Kalivaç, si mik apo si mysafir i rastësishëm, e ka përjetuar nga afër këtë cilësi të rrallë të vendasve. Një mësues nga Tepelena, i profilit historian, njeri i pasionuar pas historisë e i fandaksur pas muzeve, kishte dëgjuar se banorët e Kalivaçit janë të ashpër e me natyrë rebeli. Por nuk dinte asgjë për karakterin mikpritës të tyre. Atij, dikush i kishte thënë se në Kalivaç nuk ta hap njeri derën, pa të njohur. Mësuesi e pa nga afër rrëfimin e tjetrit, e shijoi e u kthjellua kur i ra rruga, nëpër fshat, në një ditë vere.
Bregdetasit me mbiemër Bollano, mësues historie, në Tepelenë, iu desh të bënte një rrugëtim përmes fshatit, për çështje pune. Rruga, nga lundra deri tek pusi i Malet, në Bozanaj, ishte e largët e me një goxha segment në ngjitje. Bënte vapë e mësuesit i pihej ujë. Çezma e puse me ujë, në udhën e tij, nuk kishte. Trokiti në një portë, udhëtari i zhuritur dhe kërkoi një sapllakë me ujë, sa për të njomur buzët e thara nga vapa e atij gushti përvëlues.
Trokitjen e dëgjoi nënë Arzihana, e cila doli tek porta. Kur pa që udhëtarin nuk e njihte, e pyeti se çfarë kërkonte. Ai u përgjigj: „Një pikë ujë dua, nënë, se m’u tha pështyma“. Nënë Arzihana, me krenarinë dhe me bujarinë që i shkonin aq shumë për shtat, i tha të panjohurit: „Ne nuk e kemi për traditë të nxjerrim ujë në rrugë; urdhëro brenda, zotrote!“ Hyri brenda historiani me mbiemër Bollano dhe piu një sapllakë me dhallë, të cilën ia serviri e zonja e shtëpisë, të shoqëruar me një filxhan me kafe. Më tej heroi ynë vijoi udhën në punën e tij, me një tjetër ndjenjë; me ndjenjën e kënaqësisë që të jep mikpritja, në një vend ku nuk të njohin.
U kthjellua në mendimet e mjegullta që kishte lidhur me bujarinë dhe sjelljen e ngrohtë të banorëve të Kalivaçit historiani ynë i nderuar.
Ndoshta nuk është vendi, por lidhur me rubrikën mund të përmendet diçka për mënyrën e pritjes e të komunikimit të të tjerëve me banorët e Kalivaçit të Tepelenës. Kur i shkon në shtëpi një kalivaçasi, ai del e të pret përjashta, tek porta e avllisë. Ky është respekt dhe nderim për mysafirin, kushdo qoftë ai, i njohur apo i panjohur. I ardhuri takohet me të zotin e shtëpisë, futet në avlli e më pas tek dera e shtëpisë e ata takohen përsëri. Tek dera, i zoti i shtëpisë e fton të ardhurin të futet brenda.
Hyn mysafiri brenda e ulet në qoshe (zakonisht në qoshen e djathtë të dhomës). I zoti i shtëpisë i shkon pranë, e takon përsëri e i uron mirëseardhjen, me fjalët: „Mirë se na erdhe e të lumshin këmbët!“ Më tej vazhdon biseda mes tyre. Pra, kalivaçasi e takon të ardhurin jo vetëm një herë. Ky veprim shënon respekt e shpreh mirësi.
Ka qenë traditë në hapësirën ku banonin kalivaças: kur takoheshin dy njerëz, pavarësisht nga seksi (mjaftonte të kishin lidhje gjaku me njëri-tjetrin), e kur ata ishin të malluar, putheshin; madje disa syresh, e këta nuk ishin të paktë, putheshin në buzë. Ky veprim nuk mund të ngatërrohet as me homoseksualizmin, ca më pak me incestin. Ai është thjesht dashamirësi e respekt reciprok. Në përfundim mund të thuhet se banorët nga Kalivaçi i Tepelenës, kur u bën një të mirë, ose kur sillesh mirë me ta, dinë të ta shpërblejnë mirësinë, ashtu sikurse ta kthejnë me të njëjtën monedhë dashakeqësinë dhe të keqen.
Tiranë, më 22 dhjetor 2011
Punoi Niazi Nelaj
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.