Në Kalivaç të Tepelenës, banorët e duan jetën e kujdesen për të. Kështu ka ndodhur që në kohët që nuk mbahen mend; kjo ndodh edhe sot e kësaj dite. Natyra i ka falur Kalivaçit gjithçka i duhet jetës së njeriut. Toka, ajri, uji, dielli i Jugut, klima dhe bimësia, gjëja e gjallë e plot begati të tjera kanë qenë e janë me ndikim të madh për jetesën e njerëzve të këtij komuniteti. Këta faktorë jetikë, natyralë, të cilët janë të lidhur ngushtësisht me jetën e njeriut, kafshët, bimët, pemët e çdo produkt që lidhet e ndikon në jetën e tyre, kalivaçasit i njohin e i kanë shfrytëzuar me ekzigjencë e sqimë, në të mirë të tyre.

Ajri i pastër që thithin vazhdimisht, lëvizja e njerëzve edhe për shkak të terrenit kodrinor, ditët e shumta me diell, streset e rralla që përjetojnë, ushqimet bio me të cilat janë ushqyer, etj. janë favore që kanë bërë të mundur jetëgjatësinë e njerëzve të komunitetit kalivaças. Vajzat dhe djemtë nga Kalivaçi, në përgjithësi, janë të dallueshëm ndër të tjerët, për nga shëndeti fizik e mendor, për nga shkathtësia e zgjuarsia e, në të përgjithshmen, i kanë faqet të kuqe. Po ta vështrosh me kujdes një djalë nga Kalivaçi, cilido qoftë ai, në moshën e rinisë, nuk është si uji i ndenjur, por i ngjan një kali të azdisur që shfryn e turfullon në grazhd, i pakënaqur që i zoti nuk e ka futur në punë. Pra, jeta e kalivaçasit është furtunë, ajo ngjan me një përpjekje, në mos me një luftë, për të kapur më të mirën e mundshme, pa i bërë keq asnjeriu.

Ushqimi bazë i një kalivaçasi, në të gjitha kohët kanë qenë drithërat e bukës bio, të rritura natyralisht, pa ndërhyrje gjenetike, të pasura në proteina, amidon, celulozë, sheqer e lëndë të tjera të rëndësishme për jetën e njeriut. Vend qendror në të ushqyerit e kalivaçasve kanë zënë produktet dhe nënproduktet blegtorale, gjithashtu, të rritura, në natyrë dhe bio. Mishin e berrit, kryesisht të pjekur, një banor i Kalivaçit, pavarësisht nga gjendja ekonomike, rrallë e ndante nga torba, nga hejbetë, nga bohçja apo nga sufraja. Obezët në Kalivaç të Tepelenës kanë qenë vetëm ndonjë përjashtim e numëroheshin me gishtat e njërës dore. Madje, komuniteti vendas, këta tipa, i ironizonte e nuk i konsideronte. Ata kanë marrë, në kohë të ndryshme, “ofiqe” të merituara e janë bërë deri objekt shakash e ironie therëse e qesëndie.

Përdorimi i bukës së misrit, fasuleve, fierzave, lakrave të fushës, vajit të ullirit dhe ullinjve të kripur, deri dhe përdorimi i misrave të zierë etj. i kanë bërë barrikadë obezitetit. Kalivaçasi nuk pi ujë të ndenjur, në pellgaçe, por e do atë të freskët e të pastër, të mbushur në burimet e ftohta të Gurrës e në burime të tjera buzë lumit të Vjosës, i cili del nga shkëmbi e ta than gishtin kur e fut brenda. Ato pak çezma e puse që ndodhen në territorin e fshatit kanë shërbyer për emergjenca e janë përdorur me kufizim për t’u pirë nga njerëzit. Çuarja e ujit të pijshëm në çdo vatër kalivaçase, në vitin 1978 solli një ndryshim cilësor në jetën e banorëve të fshatit tonë. Ky ujë, i freskët dhe bakteriologjikisht i pastër, duke ndihmuar tretjen e ushqimit i bënte mirë drejtpërdrejt shëndetit të fshatarëve nga Kalivaçi.

Mishi i freskët, bulmetrat bio, frutat dhe ato pak perime që ishin të njohura e të kultivuara, në Kalivaç, kanë pasur ndikim të fuqishëm në të mirë të shëndetit. Era e freskët që fryn nga ana e Jugut, Perëndimit, Lindjes e Veriut, në orë të ndryshme të ditës (natës), jo vetëm ka ndikuar në freskimin e mikroklimës, por ka spostuar pluhurat e grumbulluar dhe mushkëritë e fshatarëve tanë janë mbushur me ajër të pastër, të shëndetshëm. Aq sa ka qenë e mundur, banorët e Kalivaçit, sidomos meshkujt, i kanë shfrytëzuar avantazhet që të jep të qenit buzë lumit të Vjosës. Nën rrezet e nxehta të diellit të Jugut dhe kumit (rërës) të pakët që ka shtrati i lumit ata kanë ushtruar banjat e diellit e të ujit, në të mirë të shëndetit të tyre. Ata qëndronin gjatë në “syrin e diellit”, të zhveshur, me një basme të lidhur pas kokës (kur nuk kishin kapele të përshtatshme), dhe thithnin rrezet jetëdhënëse të diellit.

Disa njerëz, të cilët vuanin nga reumatizma (artritet), mbuloheshin me kum të nxehtë, suportonin djersët që u rridhnin si çurkë, duke realizuar kësisoj një lloj fizioterapie në natyrë. Gëzimet, si pjesë e jetës, edhe mes banorëve të Kalivaçit të Tepelenës kanë qenë të shumta e të vazhdueshme. Fejesat, dasmat, davetet, kremtimi i festave pagane dhe atyre fetare, të bërit synet, deri dhe veshja e një rrobe të re apo marrja pjesë në një lodër popullore, sillnin tek ata që merrnin pjesë dhe tek të tjerët, kënaqësi, largonin streset e ditës dhe hallet e jetës dhe e bënin jetën e komunitetit më të gëzuar. Rastet kur njerëzit mblidheshin për të festuar e uruar njëri-tjetrin, këndonin e kërcenin, hanin e pinin dhe me dashurinë e çiltërsinë që dhuronin, ua bënin jetën më të lumtur pjesëmarrësve.

Duke marrë pjesë në veprimtari të ndryshme festive, gratë dhe burrat e Kalivaçit çliroheshin nga mëllefet e brengat, hidhnin tutje mëritë e qejfmbetjet, pakënaqësitë e rezervat që kishin për njerëz të veçantë dhe bëheshin më të lehtësuar e më të çliruar nga e keqja e nga dertet që mbanin përbrenda. Disa kalivaçasve u takonte ta kalonin ditën (natën) në vetmi, në stan, larg të dashurve të zemrës së tyre dhe kjo vetmi i brengoste disi. Është fjala për çobanët. Ata, kur mërziteshin e kishin diçka për t’u komunikuar të tjerëve, të cilët nuk i kishin aty, uleshin, shtruar e ia shkulnin këngës. Vetë ia merrnin e vetë ia kthenin, vetë ia prisnin e kënga u shkonte “gjym”.

Ose rrëmbenin fyellin, cyllën, borinë apo pipizanin e “ia thoshin”, shfrynin dufin, me derte e muzikalitet. Kjo e gëzonte dhe i dhuronte kënaqësi çobanit. Kur nuk i ndodhej ndonjëra nga “veglat” e mësipërme, çobani fishkëllente një melodi të preferuar prej tij. Kësisoj nga shpirti i bariut largohej brenga, thyhej monotonia e në shpirtin e tij zinin vend gëzimi e kënaqësia. Këta faktorë, të marrë së bashku e veç e veç ndikonin në shëndetin dhe jetën e kalivaçasit.

Jeta i kishte mësuar banorët e Kalivaçit të Tepelenës të përballeshin guximshëm me vështirësi e të papritura që lidheshin me shëndetin e tyre. Vajzave, p.sh., kur visheshin me rroba nusërie, para se të niseshin për në shtëpinë e burrit të pritshëm, 2-3 ditë, para se të hipnin në kalë, nuk u jepnin për të ngrënë. Ato ushqeheshin vetëm me vezë të ziera e pinin pak ujë.

Kur një njeri ishte me diare (e hiqte barku), i jepnin për të ngrënë vezë të ziera, të kripura me rigon, lëng thane, lëng shege etj. Një njeriu që ishte i zënë kaps (e nuk dilte dot jashtë), i jepej të hante komposto kumbulle (oshafe), shalqi, pjepër, fiq, dardhë, vaj ulliri, misër të zier etj. Kur tjetrin e pickonte bleta, grerëza (arrëza), tek vendi i pickuar vihej një monedhë metalike ose një gur lumi, i ftohtë. Po të pickonte gjarpri gjendej dikush që ta thithte e ta pështynte vrerin dhe dora apo këmba e pickuar lidhej sipër vendit të pickimit që helmi të mos qarkullonte nëpër organizëm nëpërmjet qarkullimit të gjakut. Dorën apo këmbën e pickuar nga akrepi (cfurku) e futnin në pleh të ndenjur etj. Atij që i ishin ftohur muskujt, i hidhnin kupa kurse atë që e kishte të ftohurën më të thellë e hidhnin në djersë, me gjethe arre ose i vishnin një lëkurë dashi të sapotherur. Një njeriu që i dhimbte barku i futnin këmbët në ujë të ngrohtë, një shëndetligu, femër ose mashkull, i vishnin fanellë mishi, të përgatitur me fije leshi. Ndonjëherë fëmijët lindnin nënpeshë (prematurë). Ata i futnin në lesh deleje të palarë etj. etj.

Disa burra e gra nga Kalivaçi i Tepelenës, me përvojë jete e të rrahur “me vaj e me uthull”, siç thonë në Kalivaç, kishin mësuar ose kishin trashëguar nga paraardhësit e tyre, mënyra të ndryshme, efektive për shërimin e sëmundjeve të ndryshme ose për prevenimin e tyre. Madje, disa syresh përgatisnin edhe ilaçe, me mjete rrethanore e në kushte artizanale. Në rastin kur dikush, pa dashje priste dorën apo këmbën e tek vendi i prerë rridhte gjak, ata që ndodheshin pranë tij, në vendin e ngjarjes, i vendosnin të pafatit, tek vendi i prerë, pak duhan, të grirë ose eshkë. Një fëmije që e hiqte barku, i jepej të pinte një lloj çaji të përgatitur nga zierja e lëkurëve të goricës (dardhë e egër) ose me lëkurë shege. Atij që kishte rrufë, i krijohej mundësia të thithte avujt e çajit, nga bimë të ndryshme, avuj të qumështit ose thjesht avuj uji.

Praktika i kishte mësuar kalivaçasit t’u vinin në ndihmë edhe atyre që kishin përdorur me shumicë pije alkoolike e ishin dehur. Që t’u dilte sa më parë rakia, këtyre tipave qejflinj alkooli, u vinin një kokë qepe të ndarë më dysh tek testet (koqet). Temperatura e lartë luftohej me kompresa, të ftohta, në ballë dhe me fërkime të forta me raki ballë kazani, në shpatulla. Shpesh, rakia e fortë përzihej me vaj ulliri. Këto metoda e këto mjete njiheshin e shfrytëzoheshin nga të gjithë banorët e Kalivaçit, por për sëmundje të veçanta kishte “specialistë”, ose siç thuhet rëndom: “mjekë popullorë”. Në mëhallët e “Pusit”, d.m.th., në fshatin e madh, ka qenë një stomatolog (dentist) të cilin e quanin Cano Adem Hadëraj.

Ai ishte “doktor” i kualifikuar në dy profesione: Bashkëfshatarët dhe ata të fshatrave fqinjë e njihnin xha Canon si nallban e si dentist. Profesion të parë, xha Canua kishte mbathjen e kuajve dhe me të njëjtat vegla, “shëronte” dhe dhëmbët e dhëmballët e njerëzve. Këto të fundit, “doktori ynë” vetëm sa i shkulte. Dentist i dëgjuar, në fshatin tonë ka qenë dhe Mete Medin Sulaj, nga Hysodosajt. Xha Metja ishte me “defekt”. Ai nuk shikonte mirë dhe, kur shkulte një dhëmballë, në ndonjë rast, i binte në qafë të shëndoshës ose, në përpjekje për të shkulur të prishurën, thyente ose lëvizte dy të tjera.

Nuk mund të themi që xha Canua nuk kishte dijeni për higjienën e dentistit. Kur vinte re që dhëmballa e pacientit të tij ishte e “ngrënë nga krimbi”, ai bënte kirurgun. Nervin e dhëmballës ai e hiqte me një tel të nxehur kurse darët që përdorte për të mbathur kuajt i dezinfektonte në prush. Për xha Canon e për kolegun e tij nuk kishte shumë rëndësi nëse nofulla “para operacionit” ishte e ënjtur apo pas tij nga dhëmbi dilte gjak. Pacienti zbatonte disa udhëzime që i jepte “doktori ynë”, të cilat xha Canua i kishte qëmtuar nga puna e tij në vite.

Procesi i punës së dentistit, në dorë të xha Canos ishte modest; akoma më modest ishte shpërblimi që ai merrte për një “operacion”.

Mund të tingëllojë si barsoletë sot, por “kirurgu” ynë, për një “operacion” shpërblehej me një kokërr vezë. Natyrisht, të pazierë. Më të specializuar ishin disa mjekë të tjerë që ruanin shëndetin e komunitetit kalivaças, në lëmin e ortopedisë. Fëmijët e Kalivaçit, si mesdhetarë që janë, i karakterizojnë temperamenti i gjallë, lëvizshmëria dhe shkathtësia. Janë dhe guximtarë e nuk i shmangen rrezikut.

Kësisoj nuk kanë qenë të pakta thyerjet e gjymtyrëve të sipërme e të poshtme. Por edhe këtij taksirati i ishte gjetur ilaçi; ortopedët nuk i mungonin fshatit tonë. Në mëhallën e Ahmetajve, specialist i mbaruar, në këtë fushë ishte burri i zgjuar Abedin Kahreman Hadëraj, i cili ishte dhe një gjahtar, i zoti. Ai mendoi dhe për atë që do ta zëvendësonte. Profesionin e ortopedit, xha Abedini ia dha të birit, Shyqyriut, të njohur me emrin Shyqo.

Kur në shtëpinë e xha Abedinit paraqitej ndonjë fëmijë ose i rritur, me këmbë apo me dorë të thyer, plaku i shkathët, me sy bojëqielli, mosbesues, të cilët depërtonin thellë tek “pacienti” i tij, thua se ishte një hipnotizues, prekte, me delikatesë gjymtyrën e thyer, pa ndihmën e grafisë, përcaktonte vendin dhe natyrën e thyerjes, e çonte kockën në vend, po me dorë, e lyente kockën me jaki (një lloj përzierjeje e vezës me lesh deleje), ose e vendoste në mes të dy dërrasave dhe e lidhte me fije leshi, lini etj. që të mos lëvizte. Nuk kishte e nuk dinte çfarë ishte grafia, xha Abedini, por me përvojën që kishte fituar në jetë, i çonte kockat e thyera, në vend, me tërheqje ose me fërkim ashtu “gjallë”, pa narkozë e anestezi lokale. Mjeshtër ortoped u bë dhe Refat Adushi në Hasanbegaj, Ferrik Azizi, në Hysodosaj etj.

Mjetet e punës (veglat) e doktorëve ortopedë kalivaças ishin të thjeshta: dy copa dërrase (listelë), 2-3 kokrra vezë dhe një copë beze. Mbasi e kishte çuar në vend kockën e thyer dhe e kishte fiksuar atë në mes dy dhogave, “doktori” përgatiste “melhemin” me vezë të rrahur, e në vend të allçisë që përdoret sot, e lyente vendin e thyer me këtë lloj emulsioni. Kjo quhej “jaki” dhe përgatitej në kushtet e shtëpisë, pa shumë shpenzime. I aksidentuari e mbante dorën (këmbën) në jaki tri javë e, pas rrjedhjes së afatit, shkonte përsëri tek xha Abedini ose tek ai që e manipuloi thyerjen për të hequr jakinë. Në rastet kur nuk kishte thyerje, por vetëm ndrydhje, “ortopedi” mjeshtërisht bënte masazh e ngjallte gjymtyrën e traumatizuar.

Vizitën dhe manipulimin e gjymtyrëve të thyera, “ortopedi” i kryente në shtëpinë e tij. Viktima dhe ata që e shoqëronin shkonin, në këmbë ose me kafshë tek shtëpia e “doktorit” ku merrnin shërbimin e nevojshëm, falas. Ky ishte humanizëm i pastër. Askush nuk përfillej për të bërë pazare e për të dhënë ryshfete; çdo gjë zhvillohej në dritën e diellit. Në qoftë se familjarëve të “viktimës” u shkonte ndërmend t’i linin “doktorit” ndonjë dhuratë, kjo ishte e mirëpranuar, por gjithsesi nuk kërkohej, si shpërblim për punën. Ata që i kryenin këto shërbime, ishin njerëz humanë dhe humanizmin e tyre e njihte i gjithë komuniteti i trevës, i cili kishte respekt të madh për ta. Thyerje kockash kishte sidomos në radhët e të rinjve, atyre që ishin dhe më të lëvizurit, për shkak të dinamizmit të moshës. Mirëpo ata, si qenie në rritje, kishin forcë rikuperuese të jashtëzakonshme, prandaj kockat e tyre “ziheshin” shpejt. Thyerje ndodhnin dhe tek bagëtitë, sidomos tek dhentë e dhitë. Ortopedinë, edhe tek këto, si rregull e bënin po ata “doktorë”, me të njëjtat metoda.

Në praktikën e çobanërisë kalivaçase nuk kanë qenë të pakta rastet kur një dele apo një dhi nuk ecte drejt, por me zigzage, se i merreshin mendtë. Çobani konkludonte dhe vepronte shpejt. Delja apo dhia në fjalë ishte “ndërkryerë” d.m.th. i kishte hipur tensioni i gjakut. Çobani, me biçakun që mbante me vete kurdoherë, i priste veshin bagëtisë dhe e godiste veshin e çarë me një shufër që t’i dilte sa më tepër gjak. Kështu, me këtë metodë empirike, por mjaft rezultative i shpëtonin therjes mjaft dele e dhi, kur ato nuk ishin planifikuar për t’u skartuar.

Përgjithësisht, trajtimi me këtë metodë kishte shpëtuar mjaft bagëti të imëta. Ato që “nuk e kalonin klasën” e paguanin shtrenjtë – me kokën e tyre. Dikush merrte përsipër të mjekonte plagët e hapura ose djegjet, me ilaçe popullore të përgatitura me përzierje barërash, të cilat gjenden lehtësisht në hapësirën e fshatit tonë dhe që kanë marrë nofkën: “melhem”.

Në Kalivaç të Tepelenës kanë jetuar burra e gra të apasionuar pas metodave popullore të mjekimit të sëmundjeve të ndryshme. Pickimi i gjarpërinjve, nepërkave e zvarranikëve të tjerë të dëmshëm, gjente trajtim të veçantë. Fruthi, kolla e mirë, lija etj. ishin sëmundje foshnjore të cilat konsideroheshin si një lloj ere, të cilat duhej t’i kalonte njeriu në jetë etj. Edhe mjekimi i qeres në kokën e qerosit shoqërohej me mjekim ose me udhëzime të mençura. Për disa sëmundje që quheshin “të kaluara”, “mjekët popullorë” nuk ndërhynin, por i linin në rrjedhën e tyre e rekomandonin mbajtjen ngrohtë të “pacientit”. Disa burra e ndonjë grua, të ditur e të guximshëm (me zemër) ndërhynin me “operacione”, për të hapur e shtrydhur furungla (të thatë), lunga, bycë etj. me mjete e metoda primitive.

Naftalina, në Kalivaç është njohur relativisht vonë, por molën, kalivaçasit nuk e kanë lënë të “livadhisë” si të dojë. Gratë e kalivaçasve, për ta bërë molën të padëmshme vendosnin në xhepat e veshjeve, në palët e rrobave e kudo ku shfaqej mola, gjethe duhani e bimë të tjera aromatike, të cilat e largonin larvën. Në mëhallën time, në Ahmetaj të Kalivaçit, ka jetuar një burrë i zgjuar, i gjezdisur e guximtar, i cili quhej Muharrem Kamber Dëraj. Ai merrte përsipër ndërhyrje të rrezikshme duke çarë e shtrydhur furungla, të mahisura e me pus qelbi.

Në vitin 1950, motrës sime të vetme, kur ishte rreth 8 vjeçe, i doli, në rrëzë të kofshës një lungë e cila shpejt u mahis e u infektua. Furungla e kishte bllokuar fare atë e nuk e lejonte të ecte. Xhako Rremja (kështu e thërrisnim) bëri një thumb, të mprehtë nga dru drize, e dogji në zjarr dhe e shpoi furunglën. Plasi qelbi dhe “kirurgu” i rrahur me vaj e me uthull e shtrydhi plagën, pavarësisht ulërimave të “pacientes” së tij të mitur. Mbasi u bind se shtrati i plagës kishte dalë, plaku i urtë, i lehtësuar tha: “Mbaroi kjo punë, kaq qe halli”.

Ime motër u shërua e nuk pati asnjë pasojë nga ky “operacion” pa anestezi. Kush është kurioz, mund të mësojë se shpërblimi që mori xhako Rremja, ishte një ranxhatë me raki koçimareje.

Në Specovë ka jetuar bashkëfshatari ynë, i ardhur nga Dorëza, Nebi Çizo Caushaj. Ai ishte i “specializuar” për të prerë të verdhët (botkinin). Nuk dinte e nuk ia ndiente xha Nebiut për analizat dhe mikrobin që e shkaktonte verdhëzën, por shikonte “pacientin” në sy e në fytyrë dhe konkludonte shpejt, nëse ishte “specialiteti” i tij e nëse ishte koha për të ndërhyrë apo duhet ta drejtonte të sëmurin gjetiu. Me një brisk rroje, të dezinfektuar me raki të fortë ose në zjarr, xha Nebiu bënte dy vija, mbi ballë, i lyente ato me nishadër, dhe kaq, operacioni ishte i përfunduar. Shpjegimin ai nuk e dinte, por veprimin shërues e kryente. I specializuar për të “prerë” verdhëzën, ishte dhe bashkëfshatari ynë Beqir Tahiri, në mëhallën e Leshnjes. Veglat dhe metoda e punës ishin, po, po ato.

Nuk kishte në Kalivaç “kirurgë” që bënin synet (prerja e lafshës së penisit). Kalivaçasit e respektonin këtë rit që nuk ishte i tyre, madje e kthenin në festë. Ata merrnin, si “kirurg” Baki Tahirin, nga fshati Çorrush i Mallakastrës. Baki Tahiri, me aftësitë e sidomos me humanizmin e tij të spikatur kishte fituar besimin dhe nderimin e kalivaçasve dhe të fshatarëve të fshatrave përreth.

Natyra i ka falur Kalivaçit të Tepelenës një dru “të shenjtë” – ullirin. Ulliri rritet në natyrë e jeton mbi 2000 vjet. Në mjaft raste e gjejmë në gjendje “të egër” dhe në të zakonshmen, ulliri kultivohet nga njeriu. Vaji që nxirret prej tij është çudibërës. Shumëkush e përdor për të rregulluar metabolizmin e organizmit; dikush, nëpërmjet fërkimit, çliron muskujt nga ngërçi, etj. Ndaj kalivaçasit e përdorin vajin e ullirit, në çdo rast e për çdo gjë dhe asnjëri nuk ka pësuar prej përdorimit të tij. Aq e vërtetë është kjo saqë kohë më parë ka qarkulluar slogani: “Kush mbjell një ulli, zëre se ka ngritur një xhami”, duke i dhënë problemit ngjyra mistike e fetare.

Dy profesionet bazë jetësore të kalivaçasve: çobanëria dhe bujqësia janë të rënda, të vështira e kërkojnë fizik të fortë. Bariu ulet kudo, në vend të thatë, mbi shkarpa, por dhe në vend të lagur; bujku djersin, në arë e djersa i thahet në trup etj. Jo rrallë ka ndodhur që dikush të ftohet e të sëmuret rëndë. Është fjala për ato ftohje që prekin organet e poshtme respiratore, bronket e pulmonet, të shoqëruara me temperaturë të lartë të trupit, me kollë të fortë, anoreksi, dhimbje koke, dhimbje gjoksi, kontraktim muskujsh, mungesë fuqie etj. Pa asnjë njohuri mbi radiologjinë e pa përdorur stetoskop, disa gra e mjaft burra nga Kalivaçi, falë eksperiencës jetësore, orientoheshin shpejt e drejt edhe në situata komplekse dhe vepronin, me iniciativë. Ftohjet e lehta, të sipërfaqshme, i trajtonin me fërkime. Fërkimi ishte një masazh, i thjeshtë, i cili e ledhatonte trupin, por nuk e “vriste” muskulin.

Në këto raste, “mjeku” popullor lyente duart me vaj ulliri, ose me raki “ballë kazani” dhe me to fërkonte, deri në dhimbje trupin e “pacientit”, e mbulonte mirë atë dhe e vendoste pranë zjarrit, në vatër.

Në Kalivaç të Tepelenës, thuajse të gjitha femrat dinin të hidhnin kupa. Hedhja e kupave konsiderohej punë grash, ishte profesion i tyre. Për të realizuar një proces të tillë, bëheshin disa përgatitje paraprake. Gjendej një gotë, mundësisht prej qelqi, me buzë të trasha. Disa lecka mbusheshin me 50-100 gramë hi vatre, lidheshin me një fije çfarëdo dhe buzët e tyre lyheshin me vaj ulliri.

Në një dhomë të ngrohtë, i sëmuri shtrihej përmbys. “Mjeku”, me kujdes, i vendoste në kurriz, si rregull në shpatulla, njërën nga qeset me hi, e ndizte atë dhe, sapo të fillonte flaka, ulte gotën që të bëhej asfiksimi i flakës, e të fikej ajo. Gota futej në mishin e të sëmurit, por nuk e priste atë. Lihej kështu disa minuta (5-7 minuta) e më tej, gota shkulej nga kurrizi.

Kur i sëmuri ishte ftohur, vendi ku kishte qenë vendosur gota nxihej. Të sëmurit i vendoseshin disa kupa, mbi kurriz dhe mbulohej me rroba e shtrihej pranë zjarrit. Besohej se vakumi i krijuar në brendësi të gotës e thithte të ftohurën nga organizmi i njeriut dhe e shëronte atë. Për ftohje më të thella përdoreshin të tjera metoda, më “të forta” dhe “efektive”.

Kur dyshohej se ftohja kishte ndodhur në bronke apo në mushkëri, pacientit i vishej një lëkurë. Kjo mënyrë është përdorur deri në vitet ’50 të shekullit të kaluar. Më pas lëkura e bagëtive të imëta si mënyrë shërimi është përdorur gjithnjë e më rrallë. “Mjekimi” i të ftohurve nëpërmjet veshjes së lëkurës ka qenë i thjeshtë dhe i vështirë, njëkohësisht. Therej një dele, një dash, një dhi, me trup afërsisht sa ai i të sëmurit, rripej me kujdes berri, që të mos pritej në asnjë vend, zhvishej, dac (lakuriq), “pacienti”, dhe nën vëzhgimin e “doktorit”, ai vishte lëkurën, ashtu siç ishte, të ngrohtë. I sëmuri nxirrte duart dhe këmbët tek vendet e çara të këmbëve të berrit dhe e mbante lëkurën të veshur sa më gjatë, aq sa të kishte mundësi ta duronte.

Mbajtja e lëkurës së veshur shkaktonte një temperaturë të lartë, të padurueshme dhe shumë djersë. Siç i thonë në Kalivaç, të sëmurit i shkojnë djersët palë-palë. Besohet që nëpërmjet kësaj djersitjeje e keqja del jashtë organizmit të të ftohurit. Zjarrmia që krijohej mes trupit të të sëmurit dhe lëkurës së bagëtisë e bënte trupin e njeriut të brishtë, delikat, prandaj ai, mbasi i hiqej lëkura, mbështillej fort dhe vendosej pranë zjarrit, që të mos ftohej më tej. Një metodë tjetër, me efekt më të shpejtë për të luftuar ftohjen e njerëzve ka qenë hedhja në djersë.

Mjekimi nëpërmjet hedhjes në djersë të të sëmurit bëhet në dy mënyra:

E para, me fletë arre. Mblidhen 5-6 kg fletë arre, të njoma. Faza e këputjes është kur fleta e arrës ka arritur madhësinë maksimale dhe është pjekur nga ana fiziologjike (vegjetative). I sëmuri me të ftohtë zhvishet, lakuriq, shtrihet mbi gjethet e arrës, të shtruara si jatak dhe mbulohet po me fletë arre. Vetëm fytyra i lihet pa mbuluar me fletë arre.

Pas 2 orësh, të sëmurin e mbulonin djersët dhe kishte zagushi. Djersitjen e shpejtë dhe intensive e provokonte prania me shumicë e gazit karbonik CO2, në gjethet e arrës.

E dyta, me elb të zier. Familjarët e të sëmurit zienin 1 karroqe me elb të zakonshëm, d.m.th. rreth 10 kg elb. I ngrohtë, elbi hidhej në një thes zhake ose leshi, në mënyrë që të formohej një shtresë e trashë 5-6 cm.

I sëmuri, lakuriq, shtrihej me kurriz, mbi shtresën e elbit të nxehtë. Në këto kushte, i sëmuri bërtiste nga temperatura e padurueshme që krijohej. Familjarët e tij, të cilët e mbanin vazhdimisht të rrethuar, i jepnin kurajo që të duronte nxehtësinë e të qëndronte sa më gjatë mbi masën e elbit të nxehtë. Edhe në këtë rast, i sëmuri kullonte në djersë e nga kjo mendohej se ai do të shërohej.

E treta, me pleh dhie, të thatë. Metodologjia ishte fare e thjeshtë. Merrej një sasi plehu dhie, të thatë dhe 2-3 orë përpara përdorimit si “ilaç” i hidhej ujë. Plehu i lagur futej në një thes, sikurse elbi dhe veprohej po ashtu. Duke hyrë në reaksion me ujin, plehu i thatë çlironte avuj të nxehtë; mjaft të nxehtë. Mbi këtë masë plehu të nxehtë, trupi i të sëmurit mbulohet me djersë, njëlloj si në rastet e tjera.

Kam njohur një çoban dhensh i cili vuante nga reumatizmi e sëmundje të tjera. Ai kishte menduar një mënyrë origjinale për të luftuar sëmundjet që e mundonin. Në piskun e vapës, hiqte këmishën, e lidhte në kokë e shtrihej në mes të dhenve të tij. E zinte gjumi e flinte aty, në mes të bagëtive. Dhentë, duke bërë ripërtypjen si proces i natyrshëm fiziologjik, nëpërmjet respiracionit, nxirrnin nga mushkëritë avuj të ndryshëm me aromën dhe esencën e barërave e luleve të shumta të fushës me të cilat ishin ushqyer.

Pa e ditur nga se, çobani ynë lehtësohej nga dhimbjet e ishte më i qetë. Njerëzit edhe në Kalivaç të Tepelenës janë sëmurur e kanë vuajtur nga sëmundje të ndryshme. Disa sëmundje të rënda, “doktorët” popullorë nuk mund t’i shpjegonin e nuk vepronin dot, për t’i luftuar apo për t’i parandaluar e për t’i shëruar. Në këto raste ata ngrinin supet e i drejtonin sytë nga qielli. Në raste të këtilla, “mjekët” tanë e kishin në majë të gjuhës justifikimin se: “Është kadër nga Zoti!”

Domethënia e këtyre fjalëve është se sëmundja e dhënë është fat, është rrisk që e ka dhënë zoti e atij nuk mund t’i dalë njeri përpara. Dhe, siç ndodh rëndom edhe sot, në rastet e autopsisë “i vihej vjega” e gjendej një modus vivendi: deklarohej se të sëmurit i ka rënë damllaja e, i ziu njeri merrte udhën, pa kthim.

Në Kalivaç të Tepelenës, por jo vetëm, të sëmurët rëndë, të cilët dergjen gjatë në shtratin e vdekjes, nuk braktisen kurrë. Përkundrazi, ata rrethohen nga njerëzit e tyre të dashur, me shumë kujdes e dashuri, që të mos e ndienin veten të vetmuar. Atyre u “injektoheshin” kurajo e shpresë, se do të shërohen e do të jenë përsëri mes tyre e do të vazhdojnë të punojnë, si më parë. Dikush e ndryste, një tjetër i lagte buzën ose i vinte një pece të lagur, tek balli; një i tretë i ofronte diçka për të ngrënë etj. Kësisoj realizohej në praktikë psikoterapia, edhe pse nuk ia dinte njeri emrin.

Sot kemi një gjendje tjetër të punëve. Shkenca mjekësore ka njohur zhvillime të papara e mjetet janë sofistikuar. Kultura shëndetësore e njerëzve është rritur dhe ata mendojnë më shumë e më mirë për shëndetin. Megjithatë edhe mes këtij zhvillimi, në raste të veçanta, disa sëmundje mjekohen me metoda e mjete primitive, si dikur. Për “mjekë popullorë” e për metoda e mjete të thjeshta përherë do të ndihet nevoja.

Prandaj disa hallexhinj trokasin në derën e “mjekut popullor” dhe kërkojnë ndihmën e tij. Shpesh, kjo trokitje është dëgjuar e njerëzit nuk kanë dalë të zhgënjyer. Ndoshta do të qe më mirë të kombinoheshin të dyja rrugët: ajo shkencore me atë empirike, pa penguar e injoruar njëra-tjetrën. Metodat e mjekësisë moderne janë kompetente e të mirëpritura, por njerëzit nuk harrojnë rrugën e përshkuar për të arritur deri këtu. Kontributi i kalivaçasve në zhvillimin e mjekësisë popullore është modest, por i ndjeshëm e i mirënjohur.

Ta injorosh e ta denigrosh këtë vlerë nuk i sjell asnjë dobi komunitetit që e ka qëmtuar, në shekuj.

Në Tiranë, më 6 prill 2012,

Punoi Niazi Nelaj