Ne Kalivac te Tepelenes, qe ne kohe te kohes ka ekzistuar nje mulli bloje me emrin: Mulliri i Gurres. Ky mulli e ka marre emrin nga vendi ku eshte ndertuar. Te paret e Dukeve te Gusmarit te rrethit te Tepelenes, duke shfrytezuar ujet akullt e te qarte, si kristal qe buron nga shkembi buze Vjoses, invenstuan ndertimin e nje tuneli rreth 200 metra te gjate dhe nje kanal per te prure ujin, ne filaqine e mullirit. Nje mur i larte mbajtes, i ngritur me gure te skalitur e i lidhur me llac gelqere, se bashku me tunelin e gjate dhe me aksesoret qe realizojne blojen, formojne nje ansambel te bukur e me vlera historike, disa nga te cilat, i ka perpire vandalizmi. Ne kete mulli bloje, zakonisht benin miell fshataret nga Kalivaci i Tepelenes; disa nga Kuta e nga Corrushi por dhe nga fshatra te tjere. Ne kohe me lageshti, kur ne filaqite e mullinjve sezonale si ai i Shehut, ne Corrush, te Celos e te Malos, ne Toc, kishin uje e rralle here ne ate te Sinanet, vinin per te bluar edhe banoret e kalivacit.
Nese ishin te shumte ata qe bluanin ne Mullirin e Gurres kishte disa shkaqe qe e determinonin kete. Para se gjithash, ujet qe rrotullonte rroten e ketij mulliri, buronte nga shkembi e fryhej nga lumi prane dhe nuk shterronte kurre; si ne dimer dhe ne vere. Ndoshta cmimi i bluarjes ne kete mulli, ishte me i ulet nga ai i mullinjve me vije uji te grumbulluar nga perrenjte apo nga rrekete, mbasi uji i tij sigurohej pa shpenzime shtese. Faktori baze qe i mbante te lidhur fshataret e treves, me kete mulli, mendoj se ishte cilesia e larte e miellit dhe sjellja dashamirese e me korrktese e mullisit nga Nivica – Mufit Xhaferi ( Qamili). Mufiti ka qene menaxher i Mullirit te Gurres qe ne femijerine time. Ai u pershtat, natyrshem me fshataret e Kalivacit dhe, me qendrimin e tij, u be i preferuari i tyre.
Familja qe krijoi Mufit Xaferi ( Qamili), ne Kalivac te Tepelenes, njihej si cerdhe tejet humane dhe korrekte. Nena e tij, Merushja dhe bashkeshortja Hasime, dy labushe te tradites ishin shume punetore, pastertore, dashamiresi e me shpirt human. Ato te dyja dhe vete Mufiti ishin shume bamires. Bamiresia e tyre kishte natyre te ndryshme. Nese Mufiti ishte tolerant dhe e bente njerin sy qorr e njerin vesh te shurdhet kur ishte puna per te marre ujemin duke u bere leshim atyre qe sillnin per te bluar pak drithe, ose e fshinte mire, qe te mos mbetej asnje breze miell ne folene ku fle rrota e mullirit. Me bie ne mend nje dialog i tij me Nenen time, kur ajo kishte cuar ne mulli 20 kg miser per te bluar: “ Po cfare ujemi te te marr ty, moj Zonje? misrin tend do ta mbajne veglat e mullirit qe bluajne drithin; apo nuk e kam mullirin pas grurit”? Dhe nuk i mori fare ujem. Dy grate qe banonin ne nje shtepi me Mufitin, si nena te dhimbsura, kur familja Xhaferi pajtoi yzmeqar bonjakun Reshat Resmi Nelaj, ne moshe 11 vjec, pas pervojes se pare te yzmeqarit qe pati tek Sefedin Brahimi, ne Corrush, e trajtuan ate, jo si yzmeqar, por si djalin e shtepise.
Ata qe vinin per te bluar drithe ne Mullirin e Gurres, nga mhallet e Pusit, te Kalivacit, nga Corrushi e nga Kuta kalonin neper kalvarin e nje udhe dhish, mbi shtrat guror, mjaft te veshtire. Udha kalonte buze lumit te Vjoses dhe midis shkembinjve te larte qe bien si thike, ne te dyja anet e lumit, tek Shkembi i njohur i Ylynecit. Ajo udhe ishte mjaft e ngushte dhe kalonte neper nje shtrat te rreshqitshem guri gelqeror. Udha, nga Sheshi i Donijes, deri ne Mullirin e Gurres, ishte mjaft e rrezikshme; ajo kalohej me veshtiresi edhe ne kembe, jo me me kafshe dore te ngarkuara me drithe. Vetem Sheshi i Veshtit, ne hyrje te te cilit ka qene nje murane dhe poshte tij ishte nje shpelle ku mund te strehoheshin rreth 350 krere dhi, sherbente si sheshpushim, mes nje lendine me bar e me shkurre perrali, xine, e drize.
Sa here e kam pershkuar ate udhe, ne kembe, here i zbathur e here me opinga prej lekure lope te thare, te cilat beheshin mjaft te rrezikshme se rreshqisnin me keq se podkonjte e kuajve te ngarkuar me drithe. Kur udha behej e rreshqitshme aq sa nuk e menaxhoja dot capitjen i mbathur, i hiqja fare opingat prej lekure dhe atehere, poplat e gureve mi nxinin kembet e Nena, kur ktheheshim ne shtepi, mi pallakoste me qepe e me kripe.
Para se te mberrinte tek Mulliri i Gurres, udha kalonte thuajse ne buzen e ujit. Po te ngrije koken lart e te veshtroje ate shkemb gjigand, mi vete, dukej sikur ai do te rrezohej e mund te te zinte perfund. Kalimtarin e kapte paniku mbasi ai gjendej midis “dy zjarreve” e nuk dinte nga te ruhej; nga shkembi i thepisur mbi koke apo nga valoma qe kalonte poshte kembeve, me uterime, duke feshferitur si rezultat i prekjes te gjetheve te rrapit, pas vales te ujit.
Per shkak te terrenit shkembor ne te dy krahet, ujet e lumit, aty shtonte shpejtesine e ngushtonte rrjedhen. Ne stinen e veres, kur ujet e lumit paksohej dhe djemte e moshes time, zbritnin nga Doreza per tu lare ne lume, ngaqe shtrati i lumit ngushtohej shume, pa e njohur njeri – tjetrin, qellonim me gure lumi dhe shanim shoqi – shoqin me fjalor rruge.
Kur shkonte ne mulli, Nena me merrte me vete, per “ trim”. Ajo, zakonisht shpinte per te bluar rreth 30 kg. Drithe; miser apo grure. Sasia ishte e paket dhe radha per te bluar mund te qellonte jo nga drithi (lloji) qe shpinte Ajo. Problemi ishte i mullisit, mbasi ai duhet te ishte mjaft i sakte gjate pastrimit te folese ku mbetej mielli paraardhes, ne menyre qe te mos perziheshin drithrat. Edhe lodhja e mullisit ishte me e madhe. Drithin qe shpinte ne mulli, Nena ime e ngarkonte ne shpine me nje pale terkuza te thurura vete, ne rruge artizanale prej fijesh leshi te dhirte. Me ngjante sikur kishte ngarkuar ne kurriz shkarpa te mbledhura per tu ngrohur, ne Kocimare apo gjethe per shtjerrat, te cilat i bente ne Kurrizin e Mbretes ose ne Fierin e Metes.
Sasia e drithit qe conim per bluarje, zakonisht ishte nga racioni muajor qe merrnim, sipas frymeve, ne depot e fshatit Turan te rrethit te Tepelenes, ose nga pjesetimi i sasise te drithit qe kishim ne dispozicion te familjes i cili depozitohej ne nje harar (thes i madh), qe ndodhej ne fund te kasolles. Ne te shumten e rasteve, sasia e drithit qe shpinim ne mulli nuk ishte as sa njera ane e barres te kalit. Atehere, per te plotsuar ngarksen, Zonja e Madhe e Binajve, mbi thesin me drithe me merrte dhe mua, e une, nga kenaqesia tundja kembet qe me vareshin, sikur te kishja hipur mbi kafshe. Benim nje cope udhe keshtu, e une, jo vetem shlodhesha por merrja pak veten e me “ vinin gjunjet”, te cilet me ishin “ prere” nga te pangrenet. Ne rastet kur une ndihesha mire, Nena, bente dru zjarri, nga drizat, perrallet dhe meretet e degraduara, te cilat ishin me peshe me te vogel dhe i bente si demek e i hidhte ne kurriz, siper miellit, per te plotsuar ngarkesen.
Mullisi nga Nivica Mufit Xhaferi ( Qamili) dhe dy grate qe kishte ne shtepi, flisnin nje gjuhe te llastuar labce, me akcent nga Kurveleshi i Siperm, e cila u shkonte bukur per shtat kalivacasve. Te dyja grate zemermira dhe bujare, nga pervoja e jetes, kishin mesuar se grate qe vinin per te bluar, me drithe ne krah, te shoqeruara nga femijet e tyre meshkuj, zakonisht i kishin femijet te pangrene e me fytyre “te prere”, nga urija. Ato, derisa te bluhej drithi, shpejtonin per te ardhur ne mulli, me nje tas me pershesh, apo me trahana, per te ushqyer femijet shoqerues. Shpirti i tyre bujar i kishte bere ato gra si “ engjell mbrojtes” i bashkefshatereve te mi te varfer.
Mufiti, priste sa te kalonte mulliri ne bluarje te llojit te drithit qe shpinte ne mulli Nena ime dhe kujdesej qe misri te bluhej pas misri e gruri pas gruri. Ai e bente nje sy qorr e nje vesh shurdh dhe ne raste te vecante nuk merrte as ujemin qe i takonte. E kam degjuar vete kur dialogonte me Zonjen time, te ciles, me dashamiresi i thoshte: ” Cfare ujemi te te marr nga ty moj Zonje e Xhevitit? Drithi yt do te mbetet neper guret e blojes; cfare te marr une e cfare do te cosh ti ne shtepi”? Dhe nuk merrte fare ujem. Bamiresi e paster kjo!
Titulli i ketij shkrimi eshte disi intrigues. Mua keshtu me ngjajne: Sikur mokrat jane simotra te mullirit. Dhe kete pozicion nuk e kam zene mekot. Perfundimin e bazoj ne logjiken e thjeshte se: si mulliri dhe mokrat bazohen ne te njejtet principe funksionimi dhe te dyja si rrjedhoje e shtypjes se drithit na japin miellin jetedhenes. Koncepti i bluarjes, mbetet i pandryshuar per te dy rastet. Mokrat, ashtu si guret e mullirit jane dy; njera poshte e tjetra siper saj. Mes tyre kalojne kokrrat e drithit, te cilat, ne saje te presionit ( shtypjes) qe ushtron pesha e gureve mbi mbi to, therrmohen e behen pluhur ( miell). Nen efektin e forces centrifugale qe perftohet nga rrotullimi i gureve te mullirit (mokres), me shpejtesi, brezat e miellit ose pluhuri i tij, shkon ne periferi e grumbullohet ne nje kthine te posacme, nga ku mullisi, me nje lopate druri mbush thesin e klintit te tij.
Jo te gjithe bashkefshataret tane e kishin shansin per te cuar drithe, ne mulli. Ata qe dispononin pak drithe, per te perftuar miell, familjaret vinin ne perdorim mokrat. Duhet thene se cilesia e miellit qe perftohet nga bluarja ne mulli eshte me e dobet nga ajo qe perftohet nga bluarja ne moker. Njeherazi nuk mund te diskutohen perparesite e bluarjes te drithit ne moker. Po te kesh moker ne shtepi, drithin e bluan me shpejt e kur te nevojitet dhe nuk angazhon nje njeri, tere diten, per te cuar drithin ne mulli. Mokrat jane te domosdoshme e te pazevendesueshme kur behet fjale per te pergatitur zairete e dimrit. Copetimi i kokrrave te grurit per te pergatitur bollgurin, nepermjet bluarjes ne moker ka vlera te pazevendesueshme. Keshtu dhe copetimi i kokrrave te bizeles, kockullave, batheve etj. te cilat nuk ia vlen ti cosh ne mulli.
Ne Kalivac te Tepelenes, ne cdo mehalle kishte nje e me teper pale mokra. Ato familje qe nuk dispononin mokra te tyre, kur u duheshin, merrnin hua, tek gjitonet. Ne Hysodosaj psh. Kishte mokra ne shtepine e Ahmet Fejzo Pashaj, ne maje te bregut dhe ne ate te Hysen Mahmut Alidervishaj, e cila ishte e pozicionuar ne hyrje te mehalles. Ne Ahmetaj, familja e Musa Mehmet Nelaj, kishte dy pale mokra; njera, me prmasa e me peshe me te madhe qe sherbente per te bluar drithera buke, kurse tjetra, me e vogel, ishte me e lehte dhe sherbente per te bluar kockullat, bizelet, bathet etj. Familje tjeter qe dispononte moker, ne mehallen tone, ishte ajo e mjeshtrit te mjeteve te kesaj natyre, Muharrem Kamber Deraj. Mokrat e gege Tajanes, i kishim si tonat e i merrnim ne cdo kohe qe na duheshin. Ne mehalle te tjera mokra ka patur shume, si tek Mucoimajt, Bejomalajt, Cinajt etj, por ne nuk arrinim ti merrnim ato, per shkak te distances dhe peshes te rende te tyre. Te lehta dhe fine ishin mokrat qe kishte ne familje Shefit Qazimi dhe Hysenajt, ne Hasanimeraj, Danajt, Dulajt etj.
Mokrat perbeheshin nga dy pjese ( gure) te rrumbullaket. Pjesa e siperme ishte me e lehte kurse e poshtmja me e rende dhe sherbente si bazament. Pjeset e brendshme te mokrave ishin te sheshta e te gdhendura me kujdes; pjesa e siperme i perngjante nje kubeje, ne njeren ane te saj ishte nje cope dru i futur, ne nje fole, me diameter sa druri, i cili sherbente per te rrotulluar mokren. Nje bosht prej druri te forte me diameter sa vrima qe ishte hapur per te lidhur dy pjeset e mokres sherbente dhe si vend ku binin kokrrat e drithit te cilat copetoheshin si rezultat i ferkimit te dy pjeseve te mokres. Guret qe perbenin dy pjeset e mokres, domosdoshmerisht duhet te ishin prej graniti te zi, i cili eshte mjaft i forte, punohet me lehte me dalte, nuk ka damare dhe gjate ferkimit nuk copezohet e nuk leshon grimca ( cifla). Pesha e mokrave shkon deri ne 50 kg. Ato jane veshtiresisht te transportueshme, jo vetem per shkak te formes por dhe te peshes. Pjeses te siperme te mokres i hapej nje grope ( vrime) ne te cilen vendosej nje cope dru, i forte, i cili sherben per te rrotulluar mokren.
Ketij pershkrimi mendoj ti shtoj nje ndodhi, e cila, pavaresisht se ka karakter vetjak, mund te sherbeje sadopak per njohjen e kalvarit te rende te urise qe kane perjetuar shume bashkefshatare, ne vitet ’50 te shekullit te shkuar, kur, ne mbare vendin kishte pllakosur zija e mallekuar e bukes.
Ishin vitet e NEPIT ( politika e re ekonomike alashqiptarce, e kopiuar, sipas modelit sovjetik te politikave ekonomike te pas Revolucionit te Tetorit. Kjo politike konsistonte ne faktin se disa fshatareve qe prodhonin drithera buke, shteti “u rrinte mbi koke”, si skifter, dhe u konfiskonte, pa shperblim cdo kg drithe qe gjykohej se ishte pertej nevojave te familjes bujqesore. Shteti i atehershem dinte edhe kamaret ku pillnin pulat e fshatarit dhe ua maste koken me pe atyre. Spiunet, me e pa shperblim, te zellshem per cdo informacion qe jepnin, krenoheshin me punen qe benin, pavaresisht se demtonin gjitonin. Disa bashkefshatare, te tromaksur nga frika e konfiskimit te drithit, nuk dinin ku ta futnin ate cike bereqet qe kishte prodhuar ara e tyre. Kam pare me sy, si e fshihmin disa njerez te fisit tim, neper shkurret e Brinjes te Qendret, te futur ne thase qe nuk depertonin ujin, ate dore drithe qe kishin hequr menjeane per dite te veshtira. Ndonjeri qe donte te shiste dicka, per te blere sende industriale, te cilat, ne ate kohe gjendeshin me veshtiresi e kishin cmime “te kripura”, kerkonin siguri te madhe, e ruheshin fort per tu shpetuar syve te spiuneve. Para ne qarkullim kishte plot, por mallrat ishin deficitare. Per te shitur nje karroqe drithe, kerkohej te ruhej ne maksimum fshehtesia. Per te arritur kete, te interesuarit shfrytezoheshin miqesite, krushqite, lidhjet e gjakut e cdo shkalle njohje.
Ne ate kohe, Babai yne punonte ne Minieren e Selenices, ne sektorin Kume, nen toke dhe fitonte para, por ne ushqeheshim me lakra te ziera, te cilat, here u hidhnim kripe e nje pike vaj e se shumti i hanim pa to. Te veshtire e kishim kur shkonim ne shkolle mbasi e merrnim buken me vete, ne torben e librave. Kur shoqet dhe shoket e klases, nxirrnin buken me gjalpe apo me gjize, te lyer persiper, ne, pabuksit, na vinte turp te nxirrnim lakrat ndaj nuk merrnim me vete asgje per te ngrene.
Kur vinte ne shtepi, nga Selenica, Babai na sillte ne nje torbe me disa buke gruri, te cilave, ne te vegjelit u thonim karavele. Gezonim e i hanim si gjelle. Nena na i priste ne rriska te holla e i raciononte, qe ti kishim per disa dite. Ne nje ardhje te radhes, Babai solli nje tufe me kartmonedha, te cilat kishin vleren e fleteve te fikut. E mbaruam buken qe na pruri babai nga Selenica e iu kthyem lakrave te ziera. Duke shfrytezuar lidhjet e shpallura e te pashpallura, nje dite, te dy me Babane, morem udhen per te blere grure tek nje miku i tim eti ne nje mehalle tjeter.
E doja shume Babane, me kishte marre malli per eren e tij. Ato dite qe qendroi ne familje nuk i ndahesha kemba – kembes; merrja dhe nga pjesa qe u takonte femijeve te tjere te tij. Edhe ne kete “ operacion te rrezikshem”, nuk iu ndava tim eti. Ai e dinte rrezikun se te dy mund te binim me lehte ne sy te spiuneve por, deshi, sdeshi, nuk ma prishte dot, prandaj me mori me vete.
Ishja i pangrene e kembet nuk me mbanin. Babai ishte si une, por mbahej burre e nuk e jepte veten perpara meje. Udha ishte rreth 40 minuta. Ajo gjarperonte neper nje palo monopat qe shfrytezonte rrekte e ujerave, ne ate faqe te pjerret, te mbuluar me shkurre. Ishte udhe ku qarkullonin kryesisht dhite, por kalonin dhe njerez. Kakerdhite e dhive, disa nga te cilat ishin te fresketa dhe pllakat e gurit gelqeror, e benin te rreshqitshme, udhen, kur shkelje mbi to. Babai im ishte rritur coban me dhen dhe i kalonte shtigjet me shkathtesine e nje sorkadhi; une nuk i ndahesha kemba – kembes, si lepur, duke vrapuar qe ta arrija.
Mberritem ne shtepine e mikut te babait, ne ate mhalle te bukur fisnikesh, ne ate maje bregu ku shtepite dukeshin sikur i kishte vendosur njeri, me dore, prane njera –tjetres. Rrallehere shkoja ne ate mehalle te larget, vec ne raste te vecante, sidomos kur dilnim per te festuar Diten e Veres kur mblidheshim nje tufe femijesh te nje moshe, me ne krye nje vajze ose djale, qe sherbente si udherrefyes. Shkonim dere me dere e merrnim prej nikoqireve shume dashuri e falmeshendete per prinderit tane. Banoret e mehalles ku shkonim nuk i njihja fizikisht ndonese nga rrefimet e te moshuarve te fisit tone kishja mesuar se kemi dhene e kemi marre dhe se kemi lidhje miqesore me “x” e me “y” familje. Fluturoja nga gezimi se do te blinim buken e jetes. Gezoja se ishja pjese e dergates dhe do te kontribuoja sadopak per te ushqyer te mite.
Nga gezimi i asaj qe pritej nuk e ndjeva fare udhen qe pershkuam edhe pse kishim rrugetuar rreth 40 minuta. Kur te kthehesha ne shtepi, me nje torbe me grure, do te futja dicka ne stomak e do te shuaja urine. I zoti i shtepise, nje burre i tradites, i zgjuar e i beshem, me pervoje jete, banonte ne nje shtepi dykateshe te orientuar nga udha kryesore. Ai e vrojtonte dhe e kontrollonte si ne pellembe te dores kalimin e njerezve ne ate udhe te verber, mes shkurreve.
Na kishte pikasur, dhe sic duket e dinte qe do te shkonim ne shtepine e tij, ndaj e hapi vete porten e avllise dhe na udhehoqi te ngjiteshim ne katin e dyte te baneses, meshkalle se jashtmi. E ndoqem nga pas dhe u gjendem ne nje ode te shtruar me dhoga.
Burri qe na mireseardhi e na priu, u terhoq ne nje konak tjeter, ngjitur me oden ku qendronim une dhe Babai, i cili komunikonte me oden dhe, pas pak u kthye me nje thes ne dore ku kishte futur nje sasi bereqeti ( aq sa ishte porosia jone). Pa vonese nisi “operacioni i fshehte”. Pazari ishit – blerjes ishte paracaktuar e kushtet ishin vndosur qysh me pare. Nje karroqe grure ( afersisht 10 kg), kushtonte 30.000 leke. Po vrojtoja me syceltesi veprimet e shitesit te grurit. I dridheshin duart e i merrej goja nga padurimi e nga droja. Thua se vuante nga parkinsoni. Ishte mjaft i emocionuar e i tensionuar. Druhej se mos e kishin spiunuar shpirtkatranet. Mu duk sikur po shiste shpirtin, jo grurin. Aq i hutuar ishte burri sa nuk i shkoi mendja te me jepte nje melle ( cope) buke, sa per te “ prere” urine.
Babai, hodhi ne krah thesin me grure e, ne te dy, njeri pas tjetrit dolem nga porta e avllise ne shoqerine e te zotit te shtepise e u nisem ne udhen e kthimit; andej nga kishim ardhur. Nuk pame asnjeri nga fqinjet, as ne avllite e tyre; as ne udhen me gure brendaperbrenda mehalles. Cdo njeri veshtronte punet e tij.
Me hapa te rende e me capitje si te pertuar, te lodhur e me kembe qe shkonin sa andej ketej sikur te kishim pire alkool. Udha e verber, tere gure dhe rrenjet e shkurreve qe kishin dale ne siperfaqe nga gerryerja, perbenin pengese tjeter per te ecur normalisht. Monopati dredhonte, udha ishte plot me popla; anash kishte plot shkurre: xine, perralli, mberete, drize etj. Kapeshim e mbaheshim pas tyre por nuk me mbanin gjunjet e rrezikohesha te bija. Babai ecte perpara meje por merakun e kishte lene pas. Ai, me bisht te syrit, dhe nga zhurma e hapave te mi, kontrollonte nese po e ndiqja ne ate monopat te gurte. Ne nje fare udhe, aty nga mesi i te tatepjetes, mu zu fryma e mu “prene” gjunjet, nga te pangrenet. Nje lemsh e nje boshllek u krijua ne stomak, dhe nje mjegullim i te parit, me detyroi te ulesha mbi nje pllake guri, te ftohte. Babai, kur pikasi se nuk po e ndiqja ndaloi; leshoi thesin me grure ne shesh dhe u kthye nga une. “ Cpate”? Me pyeti! Nuk me bejne gjunjet, i thashe, cilter. Ai u shqetesua seriozisht kur me pa te alivanosur. Babai, futi doren ne thes, nxorri nje dore grure, e kaloi nga njera dore ne tjetren, gjoja e hodhi ne veri dhe ma futi ne goje. Pertype! Me tha se e ke nga uria. Ashtu ishte vertet: sapo gruri i copetuar kaloi neper goje e ne organet e tjera te tretjes, ndjeva nje tjeter situate ne trup. Mjegullira nga syte mu largua dhe ndjeva se kishja me teper energji. I zoti i shtepise, i njohur per fisnikerine dhe per bujarine karakteristike te tij, por na percolli shpejt e shpejt; po te kishja futur ne goje nje cope buke, ne shtepine e tij, mesiguri nuk do te me kishte ngjare ajo qe me ngjau.
Kur gjendja e lipotimise me kaloi e mund te capitesha, vijuam udhen per ne shtepine tone. Ne shtepi nuk ishim vetem ne te dy te pangrene. Tri goje te tjera prisnin te cliroheshin nga uria, tek ajo torbe me grure. Zonja e Madhe e Binajve, kishte marre masa pergatitore. Ajo kishte marre tek Ninija ( Hysnija e Musa Mehmetit) mokrat qe bluanin drithe dhe priste mepadurim te mberrinim, per te bluar 2 – 3 duar me grure, sa per te gatuar nje corbe, e te zinim mullen. Ne zjarr Ajo kishte vene tiganin, e priste per te ngrohur ujin, me te cilin do te gatuante corben.
Kur mori ne dore grurin qe do te hidhte ne moker, Ajo, pikasi se Ai burri qe na shiti grurin, e kishte patur drithin te perzier me gezhytra (lende te huaja si egjer, mollur, kengol, etj). “Pu – pu- tha Nena: “ Ju paski blere me shume llozhura se grure”! Sidoqofte, sapo e copetoi grurin ne moker dhe sapo kokrrat e tij zjene e u be corba, gojet tona te hapura, nuk priten te ftohej corba, por e kullufiten ate, ashtu sic po valonte akoma dhe zune mullen.
Copeza rrefimesh te ngjashem, ne Kalivacin e atyre viteve, po te qemtosh, me durim, gjen mjaft. Fshataret e varfer qe kaluan neper ate kalvar urie, ndoshta e ndjejne akoma, ne forma te ndryshme, rrjedhojat e padeshiruara, kryesisht si reflekse ne gjendjen shendetesore te tyre. Une, nga ana ime e kujtoj me neveri ate periudhe e cila uroj te mos perseritet!Shkrojti Niazi Xhevit Nelaj Ne Tirane – Janar 2019