Në Kalivaç të Tepelenës, që në kohë të kohës ka ekzistuar një mulli bloje me emrin: Mulliri i Gurrës. Ky mulli e ka marrë emrin nga vendi ku është ndërtuar. Të parët e Dukeve të Gusmarit të rrethit të Tepelenës, duke shfrytëzuar ujët e akullt e të qartë, si kristal që buron nga shkëmbi buzë Vjosës, investuan ndërtimin e një tuneli rreth 200 metra të gjatë dhe një kanali për të prurë ujin, në filaqinë e mullirit. Një mur i lartë mbajtës, i ngritur me gurë të skalitur e i lidhur me llaç gëlqereje, së bashku me tunelin e gjatë dhe me aksesorët që realizojnë blojen, formojnë një ansambël të bukur e me vlera historike, disa nga të cilat, i ka përpirë vandalizmi.
Në këtë mulli bloje, zakonisht bënin miell fshatarët nga Kalivaçi i Tepelenës; disa nga Kuta e nga Çorrushi por dhe nga fshatra të tjerë. Në kohë me lagështi, kur në filaqitë e mullinjve sezonalë si ai i Shehut, në Çorrush, të Celos e të Malos, në Toc, kishte ujë e rrallëherë në atë të Sinanet, vinin për të bluar edhe banorët e Kalivaçit.
Nëse ishin të shumtë ata që bluanin në Mullirin e Gurrës, kishte disa shkaqe që e determinonin këtë. Para se gjithash, ujët që rrotullonte rrotën e këtij mulliri, buronte nga shkëmbi e fryhej nga lumi pranë dhe nuk shterronte kurrë; si në dimër dhe në verë. Ndoshta çmimi i bluarjes në këtë mulli, ishte më i ulët nga ai i mullinjve me vijë uji të grumbulluar nga përrenjtë apo nga rrëketë, mbasi uji i tij sigurohej pa shpenzime shtesë. Faktori bazë që i mbante të lidhur fshatarët e trevës, me këtë mulli, mendoj se ishte cilësia e lartë e miellit dhe sjellja dashamirëse e me korrektesë e mullisit nga Nivica – Mufit Xhaferi (Qamili). Mufiti ka qenë menaxher i Mullirit të Gurrës që në fëmijërinë time. Ai u përshtat, natyrshëm me fshatarët e Kalivaçit dhe, me qëndrimin e tij, u bë i preferuari i tyre.
Familja që krijoi Mufit Xaferi (Qamili), në Kalivaç të Tepelenës, njihej si çerdhe tejet humane dhe korrekte. Nëna e tij, Merushja dhe bashkëshortja Hasime, dy labushe të traditës, ishin shumë punëtore, pastërtore, dashamirëse e me shpirt human. Ato të dyja dhe vetë Mufiti ishin shumë bamirës. Bamirësia e tyre kishte natyrë të ndryshme. Mufiti ishte tolerant dhe e bënte njërin sy qorr e njërin vesh të shurdhët kur ishte puna për të marrë ujemin duke u bërë lëshim atyre që sillnin për të bluar pak drithë, ose e fshinte mirë, që të mos mbetej asnjë brez miell në folenë ku fle rrota e mullirit. Më bie në mend një dialog i tij me Nënën time, kur ajo kishte çuar në mulli 20 kg misër për të bluar: “Po çfarë ujemi të të marr ty, moj Zonje? Misrin tënd do ta mbajnë veglat e mullirit që bluajnë drithin; apo nuk e kam mullirin pas grurit?”
Dhe nuk i mori fare ujem. Dy gratë që banonin në një shtëpi me Mufitin, si nëna të dhembshura, kur familja Xhaferi pajtoi yzmeqar bonjakun Reshat Resmi Nelaj, në moshë 11 vjeç, pas përvojës së parë të yzmeqarit që pati tek Sefedin Brahimi, në Çorrush, e trajtuan atë, jo si yzmeqar, por si djalin e shtëpisë.
Ata që vinin për të bluar drithë në Mullirin e Gurrës, nga mëhallët e Pusit, të Kalivaçit, nga Çorrushi e nga Kuta kalonin nëpër kalvarin e një udhe dhish, mbi shtrat guror, mjaft të vështirë. Udha kalonte buzë lumit të Vjosës dhe midis shkëmbinjve të lartë që bien si thikë, në të dyja anët e lumit, tek Shkëmbi i njohur i Ylynecit. Ajo udhë ishte mjaft e ngushtë dhe kalonte nëpër një shtrat të rrëshqitshëm guri gëlqeror. Udha, nga Sheshi i Donijes, deri në Mullirin e Gurrës, ishte mjaft e rrezikshme; ajo kalohej me vështirësi edhe në këmbë, jo më me kafshë dore të ngarkuara me drithë. Vetëm Sheshi i Veshtit, në hyrje të të cilit ka qenë një muranë dhe poshtë tij ishte një shpellë ku mund të strehoheshin rreth 350 krerë dhi, shërbente si sheshpushim, mes një lëndine me bar e me shkurre përralli, xinë, e drize.
Sa herë e kam përshkuar atë udhë, në këmbë, herë i zbathur e herë me opinga prej lëkure lope të tharë, të cilat bëheshin mjaft të rrezikshme se rrëshqisnin më keq se podkonjtë e kuajve të ngarkuar me drithë. Kur udha bëhej e rrëshqitshme aq sa nuk e menaxhoja dot çapitjen i mbathur, i hiqja fare opingat prej lëkure dhe atëherë, poplat e gurëve m’i nxinin këmbët e Nëna, kur ktheheshim në shtëpi, m’i pallakoste me qepë e me kripë.
Para se të mbërrinte tek Mulliri i Gurrës, udha kalonte thuajse në buzën e ujit. Po të ngrije kokën lart e të vështroje atë shkëmb gjigand, mbi vete, dukej sikur ai do të rrëzohej e mund të të zinte përfund. Kalimtarin e kapte paniku mbasi ai gjendej midis “dy zjarreve” e nuk dinte nga të ruhej; nga shkëmbi i thepisur mbi kokë apo nga valoma që kalonte poshtë këmbëve, me utërimë, duke fëshfëritur si rezultat i prekjes së gjetheve të rrapit, pas valës së ujit.
Për shkak të terrenit shkëmbor në të dy krahët, ujët e lumit, aty shtonte shpejtësinë e ngushtonte rrjedhën. Në stinën e verës, kur ujët e lumit pakësohej dhe djemtë e moshës sime, zbritnin nga Dorëza për t’u larë në lumë, ngaqë shtrati i lumit ngushtohej shumë, pa e njohur njëri-tjetrin, qëllonim me gurë lumi dhe shanim shoqi-shoqin me fjalor rruge.
Kur shkonte në mulli, Nëna më merrte me vete, për “trim”. Ajo, zakonisht shpinte për të bluar rreth 30 kg drithë; misër apo grurë. Sasia ishte e pakët dhe radha për të bluar mund të qëllonte jo nga drithi (lloji) që shpinte Ajo. Problemi ishte i mullisit, mbasi ai duhet të ishte mjaft i saktë gjatë pastrimit të folesë ku mbetej mielli paraardhës, në mënyrë që të mos përziheshin drithërat. Edhe lodhja e mullisit ishte më e madhe. Drithin që shpinte në mulli, Nëna ime e ngarkonte në shpinë me një palë tërkuza të thurura vetë, në rrugë artizanale prej fijesh leshi të dhirtë. Më ngjante sikur kishte ngarkuar në kurriz shkarpa të mbledhura për t’u ngrohur, në Kocimare apo gjethe për shtjerrat, të cilat i bënte në Kurrizin e Mbretes ose në Fierin e Metes.
Sasia e drithit që çonim për bluarje, zakonisht ishte nga racioni muajor që merrnim, sipas frymëve, në depot e fshatit Turan të rrethit të Tepelenës, ose nga pjesëtimi i sasisë së drithit që kishim në dispozicion të familjes i cili depozitohej në një harar (thes i madh), që ndodhej në fund të kasolles. Në të shumtën e rasteve, sasia e drithit që shpinim në mulli nuk ishte as sa njëra anë e barrës së kalit.
Atëherë, për të plotësuar ngarkesën, Zonja e Madhe e Binajve, mbi thesin me drithë më merrte dhe mua, e unë, nga kënaqësia tundja këmbët që më vareshin, sikur të kisha hipur mbi kafshë. Bënim një copë udhë kështu, e unë, jo vetëm shlodhesha por merrja pak veten e më “vinin gjunjët”, të cilët më ishin “prerë” nga të pangrënët. Në rastet kur unë ndihesha mirë, Nëna, bënte dru zjarri, nga drizat, përrallet dhe meretet e degraduara, të cilat ishin me peshë më të vogël dhe i bënte si demek e i hidhte në kurriz, sipër miellit, për të plotësuar ngarkesën.
Mullisi nga Nivica Mufit Xhaferi (Qamili) dhe dy gratë që kishte në shtëpi, flisnin një gjuhë të llastuar labçe, me akcent nga Kurveleshi i Sipërm, e cila u shkonte bukur për shtat kalivaçasve. Të dyja gratë zemërmira dhe bujare, nga përvoja e jetës, kishin mësuar se gratë që vinin për të bluar, me drithë në krah, të shoqëruara nga fëmijët e tyre meshkuj, zakonisht i kishin fëmijët të pangrënë e me fytyrë “të prerë”, nga uria. Ato, derisa të bluhej drithi, shpejtonin për të ardhur në mulli, me një tas me përshesh, apo me trahana, për të ushqyer fëmijët shoqërues. Shpirti i tyre bujar i kishte bërë ato gra si “engjëj mbrojtës” të bashkëfshatarëve të mi të varfër.
Mufiti, priste sa të kalonte mulliri në bluarje të llojit të drithit që shpinte në mulli Nëna ime dhe kujdesej që misri të bluhej pas misrit e gruri pas grurit. Ai e bënte një sy qorr e një vesh shurdh dhe në raste të veçanta nuk merrte as ujemin që i takonte. E kam dëgjuar vetë kur dialogonte me Zonjën time, të cilës, me dashamirësi i thoshte: “Çfarë ujemi të të marr nga ty moj Zonje e Xhevitit? Drithi yt do të mbetet nëpër gurët e blojës; çfarë të marr unë e çfarë do të çosh ti në shtëpi?” Dhe nuk merrte fare ujem. Bamirësi e pastër kjo!
Titulli i këtij shkrimi është disi intrigues. Mua kështu më ngjajnë: sikur mokrat janë simotra të mullirit. Dhe këtë pozicion nuk e kam zënë më kot. Përfundimin e bazoj në logjikën e thjeshtë se: si mulliri dhe mokrat bazohen në të njëjtat principe funksionimi dhe të dyja si rrjedhojë e shtypjes së drithit na japin miellin jetëdhënës. Koncepti i bluarjes, mbetet i pandryshuar për të dy rastet. Mokrat, ashtu si gurët e mullirit janë dy; njëra poshtë e tjetra sipër saj. Mes tyre kalojnë kokrrat e drithit, të cilat, në saje të presionit (shtypjes) që ushtron pesha e gurëve mbi to, thërrmohen e bëhen pluhur (miell). Nën efektin e forcës centrifugale që përftohet nga rrotullimi i gurëve të mullirit (mokrës), me shpejtësi, brezat e miellit ose pluhuri i tij, shkon në periferi e grumbullohet në një kthinë të posaçme, nga ku mullisi, me një lopatë druri mbush thesin e klientit të tij.
Jo të gjithë bashkëfshatarët tanë e kishin shansin për të çuar drithë, në mulli. Ata që dispononin pak drithë, për të përftuar miell, vinin në përdorim mokrat. Duhet thënë se cilësia e miellit që përftohet nga bluarja në mulli është më e dobët nga ajo që përftohet nga bluarja në mokër. Njëherazi nuk mund të diskutohen përparësitë e bluarjes së drithit në mokër. Po të kesh mokër në shtëpi, drithin e bluan më shpejt e kur të nevojitet dhe nuk angazhon një njeri, tërë ditën, për të çuar drithin në mulli. Mokrat janë të domosdoshme e të pazëvendësueshme kur bëhet fjalë për të përgatitur zairetë e dimrit. Copëtimi i kokrrave të grurit për të përgatitur bollgurin, nëpërmjet bluarjes në mokër ka vlera të pazëvendësueshme.
Kështu dhe copëtimi i kokrrave të bizeles, koçkullave, bathëve etj. të cilat nuk ia vlen t’i çosh në mulli.
Në Kalivaç të Tepelenës, në çdo mëhallë kishte një e më tepër palë mokra. Ato familje që nuk dispononin mokra të tyre, kur u duheshin, merrnin hua, tek gjitonët. Në Hysodosaj p.sh. kishte mokra në shtëpinë e Ahmet Fejzo Pashaj, në majë të bregut dhe në atë të Hysen Mahmut Alidervishaj, e cila ishte e pozicionuar në hyrje të mëhallës. Në Ahmetaj, familja e Musa Mehmet Nelaj, kishte dy palë mokra; njëra, me përmasa e me peshë më të madhe që shërbente për të bluar drithëra buke, kurse tjetra, më e vogël, ishte më e lehtë dhe shërbente për të bluar koçkullat, bizelet, bathët etj. Familje tjetër që dispononte mokër, në mëhallën tonë, ishte ajo e mjeshtrit të mjeteve të kësaj natyre, Muharrem Kamber Deraj. Mokrat e gege Tajanes, i kishim si tonat e i merrnim në çdo kohë që na duheshin.
Në mëhallë të tjera mokra ka pasur shumë, si tek Mucoimajt, Bejomalajt, Cinajt etj., por ne nuk arrinim t’i merrnim ato, për shkak të distancës dhe peshës së rëndë të tyre. Të lehta dhe fine ishin mokrat që kishte në familje Shefit Qazimi dhe Hysenajt, në Hasanimeraj, Danajt, Dulajt etj.
Mokrat përbëheshin nga dy pjesë (gurë) të rrumbullakët. Pjesa e sipërme ishte më e lehtë kurse e poshtmja më e rëndë dhe shërbente si bazament. Pjesët e brendshme të mokrave ishin të sheshta e të gdhendura me kujdes; pjesa e sipërme i përngjante një kubeje, në njërën anë të saj ishte një copë dru i futur, në një fole, me diametër sa druri, i cili shërbente për të rrotulluar mokrën. Një bosht prej druri të fortë me diametër sa vrima që ishte hapur për të lidhur dy pjesët e mokrës shërbente dhe si vend ku binin kokrrat e drithit të cilat copëtoheshin si rezultat i fërkimit të dy pjesëve të mokrës. Gurët që përbënin dy pjesët e mokrës, domosdoshmërisht duhet të ishin prej graniti të zi, i cili është mjaft i fortë, punohet më lehtë me daltë, nuk ka damarë dhe gjatë fërkimit nuk copëzohet e nuk lëshon grimca (cifla). Pesha e mokrave shkon deri në 50 kg.
Ato janë vështirësisht të transportueshme, jo vetëm për shkak të formës por dhe të peshës. Pjesës së sipërme të mokrës i hapej një gropë (vrimë) në të cilën vendosej një copë dru, i fortë, i cili shërben për të rrotulluar mokrën.
Këtij përshkrimi mendoj t’i shtoj një ndodhi, e cila, pavarësisht se ka karakter vetjak, mund të shërbejë sadopak për njohjen e kalvarit të rëndë të urisë që kanë përjetuar shumë bashkëfshatarë, në vitet ’50 të shekullit të shkuar, kur, në mbarë vendin kishte pllakosur zia e mallkuar e bukës.
Ishin vitet e NEPIT (politika e re ekonomike alashqiptarçe, e kopiuar, sipas modelit sovjetik të politikave ekonomike pas Revolucionit të Tetorit). Kjo politikë konsistonte në faktin se disa fshatarëve që prodhonin drithëra buke, shteti “u rrinte mbi kokë”, si skifter, dhe u konfiskonte, pa shpërblim çdo kg drithë që gjykohej se ishte përtej nevojave të familjes bujqësore. Shteti i atëhershëm dinte edhe kamaret ku pillnin pulat e fshatarit dhe ua maste kokën me pe atyre. Spiunët, me e pa shpërblim, të zellshëm për çdo informacion që jepnin, krenoheshin me punën që bënin, pavarësisht se dëmtonin gjitonin. Disa bashkëfshatarë, të tromaksur nga frika e konfiskimit të drithit, nuk dinin ku ta futnin atë çikë bereqet që kishte prodhuar ara e tyre. Kam parë me sy, si e fshihnin disa njerëz të fisit tim, nëpër shkurret e Brinjës së Qendret, të futur në thasë që nuk e depërtonte uji, atë dorë drithë që kishin hequr mënjanë për ditë të vështira.
Ndonjëri që donte të shiste diçka, për të blerë sende industriale, të cilat, në atë kohë gjendeshin me vështirësi e kishin çmime “të kripura”, kërkonte siguri të madhe, e ruhej fort për t’u shpëtuar syve të spiunëve. Para në qarkullim kishte plot, por mallrat ishin deficitare. Për të shitur një karroqe drithë, kërkohej të ruhej në maksimum fshehtësia. Për të arritur këtë, të interesuarit shfrytëzonin miqësitë, krushqitë, lidhjet e gjakut e çdo shkallë njohjeje.
Në atë kohë, Babai ynë punonte në Minierën e Selenicës, në sektorin Kume, nën tokë dhe fitonte para, por ne ushqeheshim me lakra të ziera, të cilave herë u hidhnim kripë e një pikë vaj e së shumti i hanim pa to. Të vështirë e kishim kur shkonim në shkollë mbasi e merrnim bukën me vete, në torbën e librave.
Kur shoqet dhe shokët e klasës, nxirrnin bukën me gjalpë apo me gjizë, të lyer përsipër, ne, pabuksëve, na vinte turp të nxirrnim lakrat ndaj nuk merrnim me vete asgjë për të ngrënë.
Kur vinte në shtëpi, nga Selenica, Babai na sillte një torbë me disa bukë gruri, të cilave, ne të vegjëlit u thonim karavele. Gëzonim e i hanim si gjellë. Nëna na i priste në rriska të holla e i raciononte, që t’i kishim për disa ditë. Në një ardhje të radhës, Babai solli një tufë me kartëmonedha, të cilat kishin vlerën e fletëve të fikut. E mbaruam bukën që na pruri babai nga Selenica e iu kthyem lakrave të ziera. Duke shfrytëzuar lidhjet e shpallura e të pashpallura, një ditë, të dy me Babanë, morëm udhën për të blerë grurë tek një mik i tim eti në një mëhallë tjetër.
E doja shumë Babanë, më kishte marrë malli për erën e tij. Ato ditë që qëndroi në familje nuk i ndahesha këmba-këmbës; merrja dhe nga pjesa që u takonte fëmijëve të tjerë të tij. Edhe në këtë “operacion të rrezikshëm”, nuk iu ndava tim eti. Ai e dinte rrezikun se të dy mund të binim më lehtë në sy të spiunëve por, deshi, s’deshi, nuk ma prishte dot, prandaj më mori me vete.
Isha i pangrënë e këmbët nuk më mbanin. Babai ishte si unë, por mbahej burrë e nuk e jepte veten përpara meje. Udha ishte rreth 40 minuta. Ajo gjarpëronte nëpër një palo monopat që shfrytëzonte rrëketë e ujërave, në atë faqe të pjerrët, të mbuluar me shkurre. Ishte udhë ku qarkullonin kryesisht dhitë, por kalonin dhe njerëz. Kakërdhitë e dhive, disa nga të cilat ishin të freskëta dhe pllakat e gurit gëlqeror, e bënin të rrëshqitshme, udhën, kur shkelje mbi to. Babai im ishte rritur çoban me dhen dhe i kalonte shtigjet me shkathtësinë e një sorkadhi; unë nuk i ndahesha këmba-këmbës, si lepur, duke vrapuar që ta arrija.
Mbërritëm në shtëpinë e mikut të babait, në atë mëhallë të bukur fisnikësh, në atë majë bregu ku shtëpitë dukeshin sikur i kishte vendosur njeri, me dorë, pranë njëra-tjetrës. Rrallëherë shkoja në atë mëhallë të largët, veç në raste të veçanta, sidomos kur dilnim për të festuar Ditën e Verës kur mblidheshim një tufë fëmijësh të një moshe, me në krye një vajzë ose djalë, që shërbente si udhërrëfyes. Shkonim derë me derë e merrnim prej nikoqireve shumë dashuri e falmeshëndete për prindërit tanë. Banorët e mëhallës ku shkonim nuk i njihja fizikisht ndonëse nga rrëfimet e të moshuarve të fisit tonë kisha mësuar se kemi dhënë e kemi marrë dhe se kemi lidhje miqësore me “x” e me “y” familje. Fluturoja nga gëzimi se do të blinim bukën e jetës. Gëzoja se isha pjesë e dërgatës dhe do të kontribuoja sadopak për të ushqyer të mitë.
Nga gëzimi i asaj që pritej nuk e ndjeva fare udhën që përshkuam edhe pse kishim rrugëtuar rreth 40 minuta. Kur të kthehesha në shtëpi, me një torbë me grurë, do të futja diçka në stomak e do të shuaja urinë. I zoti i shtëpisë, një burrë i traditës, i zgjuar e i bëshëm, me përvojë jete, banonte në një shtëpi dykatëshe të orientuar nga udha kryesore. Ai e vrojtonte dhe e kontrollonte si në pëllëmbë të dorës kalimin e njerëzve në atë udhë të verbër, mes shkurreve.
Na kishte pikasur, dhe siç duket e dinte që do të shkonim në shtëpinë e tij, ndaj e hapi vetë portën e avllisë dhe na udhëhoqi të ngjiteshim në katin e dytë të banesës, me shkallë së jashtmi. E ndoqëm nga pas dhe u gjendëm në një odë të shtruar me dhoga.
Burri që na mirëseardhi e na priu, u tërhoq në një konak tjetër, ngjitur me odën ku qëndronim unë dhe Babai, i cili komunikonte me odën dhe, pas pak u kthye me një thes në dorë ku kishte futur një sasi bereqeti (aq sa ishte porosia jonë). Pa vonesë nisi “operacioni i fshehtë”. Pazari i shitblerjes ishte paracaktuar e kushtet ishin vendosur qysh më parë. Një karroqe grurë (afërsisht 10 kg), kushtonte 30.000 lekë. Po vrojtoja me syçeltësi veprimet e shitësit të grurit. I dridheshin duart e i merrej goja nga padurimi e nga droja. Thua se vuante nga parkinsoni. Ishte mjaft i emocionuar e i tensionuar. Druhej se mos e kishin spiunuar shpirtkatranët. M’u duk sikur po shiste shpirtin, jo grurin. Aq i hutuar ishte burri sa nuk i shkoi mendja të më jepte një melle (copë) bukë, sa për të “prerë” urinë.
Babai, hodhi në krah thesin me grurë e, ne të dy, njëri pas tjetrit dolëm nga porta e avllisë në shoqërinë e të zotit të shtëpisë e u nisëm në udhën e kthimit; andej nga kishim ardhur. Nuk pamë asnjeri nga fqinjët, as në avllitë e tyre; as në udhën me gurë brendapërbrenda mëhallës. Çdo njeri vështronte punët e tij.
Ecnim me hapa të rëndë e me çapitje si të përtuar, të lodhur e me këmbë që shkonin sa andej, sa këtej sikur të kishim pirë alkool. Udha e verbër, tërë gurë dhe rrënjët e shkurreve që kishin dalë në sipërfaqe nga gërryerja, përbënin pengesë tjetër për të ecur normalisht. Monopati dredhonte, udha ishte plot me popla; anash kishte plot shkurre: xinë, përralli, mberete, drize etj. Kapeshim e mbaheshim pas tyre por nuk më mbanin gjunjët e rrezikohesha të bija. Babai ecte përpara meje por merakun e kishte lënë pas. Ai, me bisht të syrit, dhe nga zhurma e hapave të mi, kontrollonte nëse po e ndiqja në atë monopat të gurtë. Në njëfarë udhe, aty nga mesi i të tatëpjetës, m’u zu fryma e m’u “prenë” gjunjët, nga të pangrënët.
Një lëmsh e një boshllëk u krijua në stomak, dhe një mjegullim i të parit, më detyroi të ulesha mbi një pllakë guri, të ftohtë. Babai, kur pikasi se nuk po e ndiqja ndaloi; lëshoi thesin me grurë në shesh dhe u kthye nga unë. “Ç’pate?” më pyeti. “Nuk më bëjnë gjunjët”, i thashë, çiltër. Ai u shqetësua seriozisht kur më pa të alivanosur. Babai, futi dorën në thes, nxori një dorë grurë, e kaloi nga njëra dorë në tjetrën, gjoja e hodhi në veri dhe ma futi në gojë. “Përtype! – më tha. – Se e ke nga uria.” Ashtu ishte vërtet: sapo gruri i copëtuar kaloi nëpër gojë e në organet e tjera të tretjes, ndjeva një tjetër situatë në trup. Mjegullira nga sytë m’u largua dhe ndjeva se kisha më tepër energji. I zoti i shtëpisë, i njohur për fisnikërinë dhe për bujarinë karakteristike të tij, na përcolli shpejt e shpejt; po të kisha futur në gojë një copë bukë, në shtëpinë e tij, me siguri nuk do të më kishte ngjarë ajo që më ngjau.
Kur gjendja e lipotimisë më kaloi e mund të çapitesha, vijuam udhën për në shtëpinë tonë. Në shtëpi nuk ishim vetëm ne të dy të pangrënë. Tri gojë të tjera prisnin të çliroheshin nga uria, tek ajo torbë me grurë. Zonja e Madhe e Binajve, kishte marrë masa përgatitore. Ajo kishte marrë tek Ninija (Hysnija e Musa Mehmetit) mokrat që bluanin drithë dhe priste me padurim të mbërrinim, për të bluar 2 – 3 duar me grurë, sa për të gatuar një çorbë, e të zinim mullën. Në zjarr Ajo kishte vënë tiganin, e priste për të ngrohur ujin, me të cilin do të gatuante çorbën.
Kur mori në dorë grurin që do të hidhte në mokër, Ajo, pikasi se Ai burri që na shiti grurin, e kishte pasur drithin të përzier me gëzhytra (lëndë të huaja si egjer, mollur, këngol, etj.). “Pu-pu! – tha Nëna. – Ju paski blerë më shumë llozhura se grurë!” Sidoqoftë, sapo e copëtoi grurin në mokër dhe sapo kokrrat e tij zienë e u bë çorba, gojët tona të hapura, nuk pritën të ftohej çorba, por e kullufitën atë, ashtu siç po valonte akoma dhe zunë mullën.
Copëza rrëfimesh të ngjashme, në Kalivaçin e atyre viteve, po të qëmtosh, me durim, gjen mjaft. Fshatarët e varfër që kaluan nëpër atë kalvar urie, ndoshta e ndjejnë akoma, në forma të ndryshme, rrjedhojat e padëshiruara, kryesisht si reflekse në gjendjen shëndetësore të tyre. Unë, nga ana ime e kujtoj me neveri atë periudhë e cila uroj të mos përsëritet!
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj
Në Tiranë - janar 2019

Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.