(Një vështrim biografik, sipas rrëfimeve të vëllezërve dhe fëmijëve të saj)

(Pjesa e dytë)

Në shtëpinë e Sulo Barjamit, në Krahës Nr. 2, atë ditë u bë dasmë e madhe. Bregu i Llakajve, atë ditë, gumëzhinte nga kënga e nga vallja labçe dhe gjëmonte nga të shtenat me armë. U ther një kope me të imëta, të cilat u poqën në hell e u shtruan në trapeza të ngrohta.

Ai breg, disa ditë kundërmonte nga era e mishit të pjekur. Rakia u derdh si lumë. Plaku i moçëm – Sulo Barjami, drejtonte dasmën dhe priste urimet e shokëve e të miqve të shtëpisë. Muhamet Ramadani dhe vëllai i tij, Tahiri, ishin në “qiellin e shtatë”. Vëllezërve të Tefikut: Baros; Muharremit dhe Haxhiut, nuk u zinte këmba dhe.

Ata ishin në krye të punëve të dasmës së madhe. Hasime Mahmutja, Nëna e Tefikut, nuk e fshihte gëzimin dhe nuk dinte si ta përjetonte atë. Ajo, herë tek një palë gra e herë tek burrat, priste urimet, merrte pjesë në këngë e në valle dhe gëzonte si e marrë. Kishte shumë të drejtë për ta bërë këtë.

Ajo “futi” në shtëpi atë deli vajzë, të cilën e bëri nuse shtëpie për djalin e parë të barkut të saj. Nusja ishte nga ajo çikë fshat, nga i cili Hasimeja ishte dhe vetë, e ia dinte tabiatet.

Karafil Mahmuti dhe vëllai i tij Refati, në cilësinë e dajove të Tefikut, ishin nga njerëzit më të nderuar të asaj dasme. Ata, jo vetëm që nuk e fshihnin gëzimin, por prisnin urimet dhe merrnin pjesë gjallërisht në të gjitha veprimtaritë dasmore; me duçe në dorë. Shaqja, bashkëshortja e vëllait të madh (me babë) të Tefikut, e cila ishte menaxhere e ekonomisë familjare të Sulo Barjamit, e la të hapur sepeten ku kishte të mblojturat dhe i la hapur kapakët e qypave ku mbante gjalpin dhe nënproduktet e tjera blegtorale ose qypat me vaj ulliri. Kështu dhe produktet e tjera ushqimore, në veçanti miellin e grurit, sheqerin, orizin, niseshtenë etj. të cilat ishin deficitare e siguroheshin me vështirësi.

Familja e Sulo Barjamit i kishte rrënjët në mëhallën Shamaj të Krahësit Nr. 2 ku e kishte mbiemrin Silaj. Ajo kishte zbritur në kodrën e Llakajve, në pronat e saj ku, me djersën e ballit, e pa i hyrë njeriut në hak, kishte akumuluar kapital të lakmueshëm dhe një mirëqenie që binte në sy. Plaku i shtëpisë - Sulo Barjam Llakaj, një burrë fisnik, me pamje kreshniku e me sjellje të “ëmbël”, përveç bujqësisë dhe blegtorisë, kishte hobi ndreqjen e orëve. Në shtëpinë e tij, kam parë orë tavolinë, të llojeve të ndryshme dhe pajisjet e mjeshtrit autodidakt për riparimin e tyre. Burrërisë dhe esnafërisë së tij i shtohej intelekti i zhvilluar me të cilin ai diktonte dhe likuidonte defektin. Në atë shtëpi, pushteti i xha Sulos ishte absolut, ndonëse ekonominë familjare e menaxhonin djali i madh i tij (nga martesa e parë) Baro Sulua dhe bashkëshortja e tij - Manushaqja (Shaqja).

Sulo Barjam Llakaj u lind përafërsisht në vitin 1889 dhe u nda nga jeta në vitin 1958. Ai jetoi së bashku me nusen e re (Lumturinë) gati një vit. Hasime Mahmutja, gruaja e tij dhe vjehrra e Lumturisë, u lind përafërsisht në vitin 1900 e u nda nga jeta në vitin 1984.

Ajo jetoi me Lumturinë, nusen e djalit të parë, gati 13 vjet dhe u inganuan bukur, të dyja, në hallet dhe problemet e familjes. Çifti Hasime dhe Sulo Barjam Llakaj solli në jetë djemtë: Tefik; Muharrem dhe Haxhi, si dhe vajzën Selvi. Barua, djali i madh i Sulo Barjamit, ishte djalë i gjetur, për Hasime Mahmuten.

Ai ishte pjellë e martesës së parë të plakut të asaj shtëpie.

Familja e xha Sulos zotëronte mjaft toka e troje, në Hyzez; Kamina; Hamulla; Mocali i poshtëm; Sheshi i Plepit; Gropa e Haxhiut; Ara e Metes; dhe kullotat në Freshja; Shkoza e Vadhes; Lisat e Sulos etj. dhe një tufë të madhe bagëtish të imëta, një mushkë dhe një pendë qe e një lopë trupvogël e me prodhim të kufizuar qumështi. Shtëpia ku banonte familja e Sulo Barjamit ishte një përdhese me dy dhoma, njëkatëshe, me mur guri të zi të lidhur me baltë e me breza druri. Shtëpia ishte pa dysheme e pa tavan; çatia mbulohej me pllaka guri në ngjyrë të zezë. Dritaret e shtëpisë ishin tip frëngjie, të orientuara nga perëndimi.

Ato ishin të pajisura me hekura dhe mbylleshin me kapakë dhoge, të trashë. Të ushqyerit e familjes ishte tradicional, si i të gjithë bashkëfshatarëve të tyre. Ajo derë kishte shumë shtroje e mbuloje të leshta. Orendia më me vlerë në atë familje ishte një tezgjah (kac), i vendosur në fund të shtëpisë, në të cilin punonte (endte fije leshi) Manushaqja (Shaqja e Baros).

Mund të thuhet se familja e Sulo Barjamit në Krahës Nr. 2 ishte me nivel mesatar. Ajo zotëronte mjaft toka, bahçe, ullishte, bagëti të imëta e të trasha dhe më tepër akumulonte sesa harxhonte. Kësisoj, mënyra e jetesës së familjes nuk ishte siç ishin kushtet materiale të saj. Tefiku ushtronte zanatin e mbarështimit të bagëtive të leshta; ai ishte mjeshtër i vërtetë i mbarështimit të dhenve. Vëllai i madh i tij, Barua, menaxhonte punët e arave dhe ishte administrator i ekonomisë familjare.

Ai ishte dhe tepër aktiv në çështjet e pushtetit dhe fjala e tij dëgjohej, në familje, në fis e në fshat. Vëllai tjetër me nënë e me baba, Muharremi, pas përfundimit të shkollës fillore, në fshatin e lindjes, hyri në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, në Tiranë, u titullua oficer këmbësorie, u gradua nëntoger dhe në vitin 1957, së bashku me njeriun e tij të fisit - Veli Muhamet Llakaj, u emërua në njësinë e këmbësorisë në Korçë. Vëllai i “vogël” - Haxhiu, pas kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, në Kukës, qëndroi në repart, nënoficer i shërbimit aktiv.

Ai u martua me Manon (Manushaqen), e u vendos në Kukës, me gjithë familje. Motra e tyre – Selvia, u martua në fshatin Rabije të rrethit të Tepelenës. Kur erdhi nuse Lumturia, në familjen e burrit gjeti: dy pleqtë e shtëpisë: Sulo Barjamin dhe Hasime Mahmuten; çiftin: Shaqe e Baro Sulo dhe bashkëshortin e saj - Tefikun. Gjitonë të tyre ishin vëllezërit Muhamet dhe Tahir Ramadan Llakaj; dy njerëz e dy familje të qeta e të shkuara me Sulo Barjamin dhe me fëmijët e tij. Të trija këto familje, në Bregun që mori emrin e mbiemrit të tyre, Llakaj, jetonin në mirëkuptim e në paqe me njëra-tjetrën.

Ato shkëmbenin edhe kripën, vajgurin, madje dhe zjarrin e vatrës me njëra-tjetrën. Në çdo rast e për çdo ndodhi ato i gjendeshin njëra-tjetrës.

Në dasmën e saj me Tefik Sulon, Lumturia nuse qëndronte në këmbë (nusëronte), në fund të dhomës që ishte caktuar për gratë. Aso kohe, nuset detyrimisht duhet të nusëronin në shtëpinë e burrit, kurse miqtë mund të shtroheshin për të ngrënë e për të pirë, madje edhe mund të flinin tek ndonjë gjiton. Pranë Lumës që nusëronte qëndronte një karrige bosh. Në atë karrige mund të ulej pak nusja, për të pushuar, por vetëm me lejen e zonjës vjehrre. Sapo të hynte një njeri në dhomë, qoftë edhe fëmijë, sidomos kur ai ishte i seksit mashkullor, nusja duhet të ngrihej në këmbë e të vijonte nusërimin.

Këto rregulla Lumturisë ia kishin mësuar, kur përgatitej për t’u bërë nuse, Zonja e Madhe e Binajve dhe xhaxheshat e saj: Zonja e Vogël, Ninija, Loloja, gege Tajanja, Memja etj. Mbasi ishin larguar nga dhoma e nuses gratë e mëhallës e të fshatit, Lumturia, para se të flinte, me vëmendje, pa rënë në sy të familjarëve, vrojtonte shtëpinë dhe pyeste, me delikatesë Hasime Mahmuten, me të cilën gjykonte se ishte më e afërt; si bashkëfshatare dhe për faktin se me vëllezërit e saj, familja jonë ishte në një lidhje të lashtë miqësore (siç dihet, Refati, vëllai i dytë i saj, ishte i martuar me Mushon, të bijën e xha Musait, të cilën e kishim kushërire).

Pyetja, të cilën, si rregull, bënin të gjitha nuset, ishte: “Të gjitha këto rroba që janë shtruar, enët, orenditë dhe pajisjet, janë tonat, apo i keni marrë hua?” Kur merrte përgjigje pozitive, Lumturisë sedërmadhe i ngrohej shpirti e i qeshte nuri dhe në mendjen e saj thurte plane për t’i ndryshuar gjërat. Ajo ziente së brendshmi nga ngarkesa negative që mori, fillimisht, lidhur me mënyrën e jetesës.

Revolta e saj e brendshme ishte: “Familja e burrit tim paska gjithë këtë pasuri; ajo mund të jetojë në kushte më të mira”. Pavarësisht se atje ku ishte rritur e aty ku erdhi nuse, në një familje tradicionale, trysnia e traditës mashkullore dhe fanatizmi ishin të mëdhenj, në heshtje, Lumturia projektoi e nisi të aplikonte, sapo iu dha rasti, ndryshimet e nevojshme. Së pari ajo nisi të bënte ndryshime në mënyrën e të ushqyerit dhe e pasuroi dietën, jo me ndonjë asortiment kushedi se çfarë, por me përpunim më cilësor të produkteve. Nëna e saj, Zonja e Madhe, e cila, në mëhallën Ahmtaj e më gjerë, shquhej si “kuzhiniere” dhe e aktivizonin në dasma e në gostira, në rolin e tiganxheshes (gruas që gatuante me shije), i kishte mësuar të bijës mënyrën e gatimit tradicional, me cilësi.

Nuk ishte e lehtë për motrën tonë të thyente një traditë për të praktikuar një mënyrë tjetër jetese, tek familja tradicionale ku vajti nuse. Hall i madh ishte ruajtja e raporteve të kunatërimit me Shaqen, e cila prej kohësh kishte aplikuar një mënyrë tradicionale gatimi. Lumturisë i duhej të ruante të dy polet; si marrëdhëniet e mira me kunatën e madhe dhe të mos “lëndonte” plakun e moçëm të asaj shtëpie - Sulo Barjamin, i cili dukej që po ngryste ditët e fundit të jetës së tij. Sulo Barjam Llakaj ishte burrë zakoni; i zgjuar e i mençur, i familjarizuar me praktikën shumëvjeçare të familjes, e të fisit të tij, në harmoni me zakonet e asaj zone.

Ai nuk ngjante si kreshnik vetëm nga pamja e jashtme. Vjehrra e Lumturisë – Hasime Mahmutja ndodhej në mes të dy zjarreve. Nga njëra anë nuk donte t’ia prishte nuses së madhe, Shaqes, me të cilën bashkëjetonte prej vitesh dhe e njihte e kishte formuar bindjen se Ajo ishte Zonjë shtëpie kompetente dhe nuses së re - Lumturisë, të cilën e kishte si Selvinë e saj. Qëndrimi i dyzuar, sjellja ndaj Lumturisë si vjehërr dhe si hallë, ishte tepër i vështirë. Qëndrimi i dyzuar i Nënë Hasimesë ndaj motrës sonë mbeti i pandryshuar deri në fund të jetës së saj.

Vajtja nuse e Lumturisë në atë derë të fismë i gëzoi të gjithë, si në Binaj dhe në Llakaj; por jeta e saj nuk rrodhi siç do ta donim. Pa mbushur 5 ditë nuse në atë prag dhe pa e parë akoma fshati, siç ishte zakoni i vendit, Lumturia ishte e detyruar (u urdhërua) të dilte në punë në brigadën e arave, e cila në ato ditë hapte tokë të re, mbi një sipërfaqe të mbuluar nga brazima dhe në një mot të ftohtë sa të binte për thonj. E keqja e madhe e kësaj pune ishte se të gjitha gratë e brigadës dhe nusja e re – Lumturia jonë, ishin të detyruara të punonin mbi brazime, zbathur.

Kur kunata e madhe, Shaqja e Baro Sulos, i tha të dilte në punë e të punonte zbathur, si shoqet e brigadës, Lumja u përgjigj: “Ja tek i kam këpucët që më ka blerë babai; do të punoj me këpucë!” Dhe dëftoi këpucët që kishte prurë në paje. “Jo”, u përgjigj Shaqja, “këpucët e nusërisë do t’i përdorësh për ‘të dalë’ në mëhallë e në fshat.” Dhe nusja e re, ca për hir të traditës e ca nga droja për të kundërshtuar kunatën e madhe, bëri siç i tha ajo.

Kur vajti në të parë, në Kalivaç, Lumturia, midis të tjerave, iu ankua Babait, edhe për punën e këpucëve. Ai ndërmori disa hapa që ndodhia të mos përsëritej. Në atë palcë dimri, puna në arë zbathur ishte një “dënim”, sidomos për nuset e reja. Xheviti, edhe pse i pashkollë, me përvojën e jetës si blegtor, i kuptonte këto dukuri, me gjithë rrjedhojat që do të vinin në jetën e vajzës – nuse, e cila do të bëhej nënë.

Midis atij fukarallëku që e kishte zënë për fyti, Ai mendonte për kocen e tij të vetme, që Ajo të mos e ndjente peshën e rëndë të traditës e të mos plevitosej. Xheviti provoi t’i mbathte koces një palë këpucë cilësore me qafë, të cilat i kishin rënë në pako, kur punonte në Selenicë. Këpucët e kuqe, të prodhimit çekosllovak, ishin të vogla edhe për këmbën time që isha më i vogël se ajo. Lumturia vajzë ishte rritur këmbëzbathur e këmba e saj ishte rritur shumë. Edhe pse i çau, me thikë, në kurriz, këpucët prapëseprapë nuk mund t’i mbathte motra jonë. Ishte shansi i Dilaverit, i cili, në atë kohë, vazhdonte shkollën fillore të fshatit dhe i përdori ato për të luajtur futboll, në Sheshe.

Lumturia u kthye në të parë, pas dy javësh, nga dita e dasmës së saj. Xheviti dhe Reshati i Resmi Nelos, një ditë të bukur, pa shi, të larë e të ndërruar, morën kalin e xha Lazes, i cili ishte i urtë e trupvogël dhe e mbajtën vrapin, në Krahës Nr. 2, në Bregun e Llakajve. I moshuari Sulo Barjami dhe bashkëshortja e tij, Hasime Mahmutja, dy pleq të dashur e të pritshëm, fluturonin nga gëzimi se po pritnin në shtëpinë e tyre dhe u jepej rasti t’i bënin nderet e duhura krushkut të ri; Xhevit Malkos, nga Kalivaçi. Pjesëtarët e tjerë të familjes së tyre ishin vënë në lëvizje, disa ditë më parë. Lumturia nuse mezi e përmbante veten. Asaj i gufonte gjoksi e i rrihte fort zemra se do të takonte xhaxhakon dhe Reshatin që e shoqëronte, të cilët Ajo i donte shumë.

Dy javët pas martesës Lumturisë i ishin dukur si dy vjet.

Në darkën e shtruar për të nderuar miqtë e rinj, Krushku në qoshen e djathtë dhe xha Sulua në të majtën; të tjerët në vendet që u përkisnin sipas hierarkisë familjare, zunë vend mbi shiltetë e shtruara; me ranxhatën e rakisë dhe me pjatën me meze përpara, ku dukshëm shquheshin thelat e mishit të pjekur në hell. I zoti i shtëpisë, për të gostitur Krushkun e ri, kishte therur një goxha qengj, pirës. Hëngrën, pinë e biseduan, për probleme nga më të ndryshmet.

Pas informacionit të ndërsjelltë për çështjet e dy familjeve në krushqi, biseda rrodhi në hullinë e problemeve të kohës ku kryefjalë ishte mbarëvajtja e punëve në kooperativat bujqësore të sapokrijuara. Nuk u deh njeri, mbasi asnjeri nga meshkujt që morën pjesë në atë darkë miku nuk ishte teriaki (qejfli) rakie.

Kur shtruan për të fjetur, Lumturia u shtri në të njëjtin jatak me Reshatin. Të dy ishin të malluar për njëri-tjetrin. Kur ishim të vegjël, ata, të dy së bashku me mua dhe me Nelon, flinim në një jatak e pinim sisë tek nënat e njëri-tjetrit. Nuk ndaheshim kurrë prej njëri-tjetrit; ishim si vëllezër e shkuar vëllait. Edhe kur u rritëm, madje edhe kohët e fundit, kur motra jonë jetonte në familjen dhe me fëmijët e saj, lidhjet e gjakut dhe hallet që kaluam, si në fëmijëri dhe më pas, na afruan akoma shumë me njëri-tjetrin. Të dy, si Lumturinë dhe Reshatin, të cilët ishin shumë të malluar për njëri-tjetrin, nuk i zuri gjumi atë natë.

Ata kujtuan fëmijërinë e mjeruar të tyre, sollën ndër mend edhe atë kohë të shkurtër të “lulëzimit” të ekonomisë familjare të përbashkët, kur nuk kishim enë për të hedhur bulmetin e dhenve të qinosisë me Haxhiajt, si dhe sollën në mendje kohën e “zezë”, kur rronim me lakra të ziera, pa kripë e pa vaj, etj.

Lumturia mezi priste të vinte në Kalivaç. Kasollja shtëpi i ngjante një kalaje madhështore e nuk i hynin në sy, as shtëpitë si saraje të bashkëfshatarëve të kamur të fshatit. Atë e kishte pikur malli, për Xhaxhakon; për Lulen (kështu e thërriste Ajo Zonjën e Madhe, nënën tonë), për Dilaverin dhe për vëllanë e madh, i cili nuk mundi të vinte në dasmën e saj. Ajo kishte mall përvëlues për Nelon dhe për Reshatin, me të cilët ishte rritur e i kishte si vëllezër; nuk duronte sa të takonte Zonjën e Vogël të Binajve, e cila iu bë nënë e dytë, për Ninijen (Hysnijen e Musa Mehmetit), për gege Tajanën, për Memen e Muharrem Hasanit; për Lolonë (Mbetën e Resul Nelos), për Nefizenë e xha Lazes, për Lalanë e dajo Banushit; për Avizenë e Abedin Kahremanit, për teze Lalanë nga Koshtani; për Samon e xha Breshanit e me radhë, për të gjitha gratë e për burrat e mëhallës, deri tek familjet e vëllezërve Ahmet e Novruz Selfos dhe gratë e tyre: Xhixhon dhe Lulen e më tej në Bexge ku kishte ngritur kasollet Agai (Resul Nelua) etj. Lumën e kishte marrë malli të dilte tek Buza e të vështronte Shuret, Gurishtet, Llomerat, Grykat, Mocalet, Bishtjet, Kullustrat, Trapin e Çesmës, Koçimaren, Doken, Margellicin, Zezanin e Shkozes e atë të Corrushit dhe për Lumin ujëplotë, për Goricen, për Fushën e begatë të Kalivaçit e të takonte sa më shumë njerëz të fisit të saj e të fshatit mbarë.

Kishte qenë koce pulash e ishte bërë nuse; Ajo vinte në Ahmetaj, tjetërsoj. Kur të takonte Xhixhon, Mbetën; gratë e fisit e të mëhallës, do t’i bënte ato me dije për shtëpinë ku kishte vajtur nuse, për burrin, për vjehrrin e për vjehrrën, për kunatat dhe për çdo gjë tjetër që lidhej me nusërinë e saj. E kishte menduar mirë dhe se ku do të shkonte më parë e ku më pas, për vizitë kortezie. Diku, ajo do të shkonte e ftuar për drekë e diku për darkë. Atë, me siguri do ta ftonin, si mbesën e shpirtit, dajot, në Koshtan, dajot e babait, në Hysodosaj dhe derë me derë në Ahmetaj. Në vizitat e mundshme, Ajo do të shkonte vetë, e shoqëruar nga Zonja e Madhe e Binajve.

Këto gjëra mendonte gjatë gjithë udhës që bëri të nesërmen e vajtjes në Llakaj të Xhevitit dhe Reshatit, për ta marrë në të parë. Udha zgjati gati 2 orë, e Ajo e hipur mbi kalë, mendonte e mendonte dhe nuk e ndjeu fare distancën që përshkoi. Në lokalitet, u përshëndet me kalivaçase e me kalivaças, të cilët nuk kishin nevojë të pyesnin për të mësuar identitetin e saj; ata e njihnin mirë, si Atë dhe Xhaxhakon e Reshatin që hiqte kalin.

Në Bozanaj kaloi nëpër Varfaj, në Malaj, në Dostaj, tek shtëpia e Azbi Bakos, tek Lisat e Hyset dhe doli në Sheshe. Pa e parë nga afër, Ajo u çmall në distancë, me shkollën fillore të fshatit ku kishte mësuar 4 vjet e ku kishte provuar të ftohtit, lodhjen dhe supën e ngrohtë të përgatitur në një kazan ushtrie me bizele që na kishte dhuruar UNRA. Në tatëpjetën e theksuar që zbret tek shtëpia e Cizo Selfos, ishte e vështirë të rrugëtoje mbi kafshë. Reshati shoqërues, e mbajti për krahu “motrën” edhe pse i pakët nga shtati, për të dalë, nëpër udhën e shulme, mbi shtëpinë e xha Hysniut e më tej në Buzën legjendare.

Kur kali i xha Lazes me kalorësen në shpinë u fut tek shtegu me tel i avllisë, e para e përshëndeti e ëma, Zonja e Madhe e Binajve, të cilën e kishte marrë malli shumë për kocen e vetme që e kishte rritur mes halleve. Ajo, plot emocione, me sy të përlotur, por dhe me krenari se ishte e sigurt që e bija e kishte nderuar, iu drejtua Lumturisë me fjalët: “Të keqen nëna jote! Po nga na dole, moj bijë, që në pikë të mëngjesit, akoma pa zënë dielli dhenë? Erdhi e të mori Babai se e kishte pikur malli për ty! Po sa më qenke rritur e më je zbukuruar, moj koce! Po Nënën e ka marrë malli shumë për ty; tek ti e kam pasur mendjen, gjithë këto ditë”; etj. etj. fjalë zemre pëshpëriste Nëna, e lumturuar që i erdhi vajza.

Ato fjalë i dilnin Zonjës së Madhe të Binajve, si vullkan, nga thellësitë e shpirtit të saj. Sa sistemuan kafshën dhe u kujdesën për hejbetë shoqëruesit, Lumturinë e pushtoi në krahë e ëma, me lotët që i rridhnin çurkë, nga gëzimi e nga malli. Ajo e pushtoi kocen, në gji, siç bënte dikur kur e pati fëmijë dhe “e mbyti” me të puthura nëne.

Ndërkohë, tek shtegu i avllisë së përbashkët u dha Zonja e Vogël, me një kazan llamarine me ujë buimi, në kokë dhe me një shufër, në dorë. Ajo, sapo la kazanin me ujë të freskët në sofat, bëri si kunata e saj, me duart e me zërin që i dridhej nga emocionet e të papriturës. Tajanja e Muharrem Kamberit po fshinte avllinë.

Ajo, me të parë atë skenë interesante, la fshesën në shesh dhe i bëri këmbët copë, nëpër rrugicën e ngushtë tërë popla, e u dha tek shtegu, e gatshme për të shuar mallin që i vlonte në gji. Tajanja ishte mjaft e dashur, bujare dhe me një kuriozitet të shtuar, për çdo lëvizje në atë pjesë të mëhallës. Çfarëdo që të ngjante në atë grumbull shtëpish, në mëhallën e Ahmetajve, Tajanja e Muharremit do ta merrte e para informacionin, jo vetëm se shtëpia dhe shkallët e saj ishin si pikë vrojtimi për atë zonë, por dhe se kurioziteti i saj ishte i paparë.

Pak më vonë erdhi Hysnija e Musa Mehmetit; “komandantja” e grave të mëhallës, e cila matej me burra zakoni; Minajetja e Mehmet Musait, Memja e Muharrem Hasanit dhe gra të tjera të fisit e të mëhallës. Njoftimi për ardhjen e Lumturisë nuse u përhap si rrufe dhe nuk kishte forcë që t’i ndalte gratë kurioze. Në Kalivaçin e atyre viteve ishte një zakon i pashkruar, por i ditur e i pranuar nga të gjithë, i cili zbatohej vullnetarisht: Kur vinte në të parë kocja, të gjitha gratë, pas tyre edhe burrat, nxitonin ta takonin, ta pyesnin e ta uronin: “Me një djalë!” Pyetjet që bëheshin kishin lidhje me përshtatjen e koces së tyre në shtëpinë e re, cilët janë pjesëtarët e familjes së re? Si shkon me burrin, me vjehrrën e me vjehrrin, me kunatat, si e ndjen veten në atë mjedis të ri? etj. etj.

Sa të vinin gratë e tjera, të cilat kushedi se ku ndodheshin (për ujë, për dru, në mulli, për të mbledhur lakra të egra në fushë, për t’u shpurë bukën burrave që ishin në kullotë, me bagëti, etj. etj.), gratë që u ndodhën të parat në avllinë tonë, u sulën brenda kasolles shtëpi dhe hapën hejbetë, për të parë gatimet dhe dhuratat që kishte prurë Lumturia. Si rregull, kur vajza e bërë nuse vinte në të parë, sillte një revani të traditës, të pjekur në saç; një çyrek gruri dhe dhurata të ndryshme. Mes dhuratave binin në sy çorape, për babanë, për xhaxhallarët, për vëllezërit, për kushërinjtë e afërt etj. Ato ishin të punuara me dorë, me grep apo me shtiza, të thurura me fije leshi. Grave mund t’u sillte ndonjë fustan, shami koke, futë, çorape, sapune tualeti etj. Zonja e Madhe e Binajve, si nënë e koces – nuse, i shpërndante dhuratat, derë me derë e kokë me kokë, me merakun që ato të shkonin në destinacion.

Dy javë “leje” i kishin dhënë nuses Lumturi vjehrra Hasime dhe vjehrri Sulo. Ditët e lejes rrodhën shumë shpejt siç nuk kanë duk ditët e vajzës në të parë. Kishte çfarë të kujtonte motra jonë në ato ditë “pushimi”, në shtëpinë ku ishte lindur e ishte rritur. Çfarë të kujtonte e ke të harronte Lumturia jonë? Fëmijëria e saj kishte kaluar në mjerim; puberteti i saj kishte qenë i ndrydhur, shtegtimi i zgjatur nga njëra shtëpi në tjetrën e kishte mërzitur shumë, mbasi ishim muhaxhirë në mëhallën tonë, shoqet e ngushta të fëmijërisë me të cilat u nda e nuk dihej nëse do të takoheshin më; fejesën me një njeri të cilin nuk e njihte e nuk e kishte parë asnjëherë etj. etj. As u shlodh e as u shmall në ato dy javë. Koha rrodhi aq shpejt, siç ikën vesa e prillit mbi bar.

Sipas një tradite të mirë, e cila ka ekzistuar e vazhdon të funksionojë sot e kësaj dite, vajzën nuse që kthehej në të parë, e ftonin gjitonët, të afërmit, miqësia e ku ta di unë, të gjithë dashamirët e saj e të familjes; kush për drekë e kush për darkë, në gostira respekti. Një ditë e ftoi, për drekë, Hysnija e Musa Mehmetit. Në drekë morën pjesë: Minajetja, nusja e asaj shtëpie; dy Zonjat, Lumturia, Tajanja e Muharrem Kamberit, e cila nuk mund të mos ishte e pranishme, kurrsesi, për vetë karakterin e saj bujar dhe shpirtin e mirë të njohur nga të gjithë dhe Mushua e Refat Mahmutit. Shtëpitë tona ishin pranë njëra-tjetrës.

Ato i ndante një rrugicë me shtrat të gurtë. Ishte drekë me biseda grash nga më të ndryshmet. Mes të tjerash, gratë kujtuan vitet ’50 të shekullit të njëzetë. Në Ahmetaj ishte përhapur thashethemi se një e vdekur, pas varrimit, ishte ngjallur lugat. Aso kohe nga mjaft njerëz besohej se jeta mbas vdekjes vazhdonte dhe se ringjallja e njeriut të vdekur mund të bëhej si lugat, kukudh, xhind etj. Përhapësit e thashethemit që të dëftoheshin në sytë e njerëzve sa më të besueshëm në ato që sajonin, bënin be e rrufe se e kishin parë me sytë e tyre lugatin dhe se ai i kishte sulmuar me gurë.

Në verë, disa nga gratë e fisit tonë si Hysnija; Zonjat, të dyja; Minajetja; Tajanja; Lumturia; Engjellushja dhe ndonjë tjetër, të cilat ishin me shtëpi pranë e pranë, nga frika e lugatit, e kalonin natën në avllinë e Musa Mehmetit, të strukura njëra pas tjetrës. Hysnija e Musa Mehmetit ishte kryetare e grave të fisit e të mëhallës. Ajo, si burrneshë e trime, i grumbullonte gratë e fisit rreth vetes e i mbronte ato, siç mbron klloçka zogjtë.

Por grave nuk u dilte lehtë frika se mund të shfaqej lugati i frikshëm edhe aty, në avllinë e xha Musait. Xha Musai, një burrë i rrallë për nga trimëria dhe mençuria, e përcillte natën në pronat e tij, në Margellic. Atje Ai kujdesej për bagëtitë e imëta dhe për gjedhët, si dhe për kalin kuqo. Plaku i mençur e trim, Musa Mehmeti, të cilin vitet e pleqërisë nuk e kishin vënë dot poshtë, shkëputej nga Margellici dhe hipur mbi kalin kuqo, trupmadh e të fuqishëm, por disi të ngathët, vinte në avlli, vështronte gratë të strukura njëra pas tjetrës, e ikte përsëri.

Ai e bënte këtë punë disa herë brenda një nate, me llogari që drita e ditës së nesërme ta gjente pranë arave dhe bagëtive që mbarështonte, në Margellicin e begatë.

Kaluan dy javë e u sosën “pushimet” për Lumturinë. Erdhën në kasollen tonë njerëzit e Tefik Sulos dhe e morën nusen e tyre - Lumturinë. Siç ngjan në këto raste, në familje, në fis e tek të gjithë miqtë e dashamirësit e familjes sonë, ra përsëri mërzitja. Më tepër e ndjeu këtë mërzitje Zonja e Madhe, të cilës i dukej sikur e shkëputi për herë të parë kocen e shpirtit, nga gjiri i saj. E ndjenë thellë dhe shoqet e saj të afërta, të cilat nuk do ta kishin më në lojërat e fëmijërisë vajzërore dhe gjatë ruajtjes së pulave të detit apo në rrugëtimin për të mbushur ujë në burim, i cili shndërrohej në një thashethemnajë të çuditshme ku vajzat qanin hallet e vajzërisë, përhapnin modën e mjeruar dhe i transmetonin njëra-tjetrës përvojë jete.

Siç qe tradita, Zonja e Madhe e përcolli të bijën me gatimet e nevojshme, ku vendin kryesor e zinin revania e pjekur në saç dhe dhuratat. Në mënyrë strikte dhe me korrektësi maksimale, në të tilla raste ruhej një lloj reciprociteti; një baraslargim i merituar. Vështirësisht i përballueshëm ishte çasti i ndarjes. Përqafime, puthje të ngrohta, lotë dhe porosi kishte, me shumicë në ndarjen e koces nga Nëna e dhimbsur. Këto dukuri prekëse nuk ishin më të pakta kur u nda Lumturia nga Ninija, nga Zonja e Vogël, nga Minajetja, nga gege Tajanja, nga Izja, nga Loloja, nga Memja e nga të gjitha gratë që e përcollën. Burrat ishin po aq të emocionuar, në veçanti Xhaxhakua, por ata e mbanin e nuk e lëshonin veten.

Zaten, burrëria bënte beli edhe në këtë çast. Ishte vjeshtë e prasme dhe lotët e grave përcjellëse i shtonin rrëketë e shiut që binte pareshtur.

Në pushimet e dimrit pasardhës, në muajin janar të vitit 1958, vajta pranë familjes në Kalivaç të Tepelenës. Mbasi takova të mitë në Ahmetaj e në fshat, mora udhën për në Krahës Nr. 2. Një ditë, që në mëngjes, u nisa për të shkuar në shtëpinë e krushqve, ku kishte vajtur nuse ime motër - Lumturia. Babai dhe Nëna, kur më nisën, më dhanë një mal me porosi.

Ata më dëftuan udhën nga do të kaloja dhe kujdesin që duhet të bëja për t’u mbrojtur nga qentë e stanit, të cilët ishin të egër e të sulmonin. Ata qëndronin pranë staneve me dhi, në kopetë e bagëtive që kishin populluar Gonenë ku kishte mjaft lastarë përralli e shkurresh të tjera dhe gjatë udhës për në Llakaj. Fshatrat, në atë kohë, nuk ishin të kolektivizuara në të gjithë komponentët e ekonomisë bujqësore; disa tufa të shkëputura me bagëti të imëta, i kishin pranë zotërimeve të mëparshme dhe i ruanin me qen stani. Goneja, p.sh., ishte e mbushur me vatha e me kasolle ku dimëronin dhitë e shtegtarëve të ardhur nga krahinat malore të Zagorisë e të rrethit të Përmetit; Bregadova ishte plot me stane dhensh.

Porosia kryesore ishte si të sillesha e si të nderoja miqtë e rinj, duke e paraqitur veten përfaqësues të denjë të fisnikërisë nga rridhja. Do të bëhesha dajo së afërmi në atë prag dhe ky emër simbolik ka një domethënie të madhe. Të qenit dajo është, në të njëjtën kohë, nderim dhe obligim. Duhet të përgatitesha ditë pas dite për ta merituar pozicionin e pritshëm.

Në shtëpinë e krushqve të rinj mbërrita mbasdite, nëpër një shi që nuk kishte të pushuar. Të zotët e shtëpisë më pritën me respekt, si djalë krushku. Ata ishin njoftuar që më parë për vajtjen time. Të parin takova plakun e moçëm Sulo Barjam Llakaj, babanë e kunatit dhe Nënë Hasimenë, vjehrrën e sime motre. Pastaj i takova, me radhë, të gjithë familjarët: Baro Sulon; Shaqen; Muharremin; Tefikun e më në fund motrën time - Lumturinë. Ishte dimër e njerëzit nuk kishin punë në arë.

Ky ishte një favor, në anën time se i gjeta lehtësisht, në shtëpi, ata që duhet të takoja. Pak më vonë erdhën gjitonët, për të më takuar e për të më nderuar. Të moshuarit Muhamet Ramadani dhe vëllai i tij - Tahiri, së bashku me gratë, u shfaqën, në çast pranë meje e më takuan me ngrohtësi. Pritej të vinte darka e të shtrohej sufraja e mirëseardhjes. Shenjat ishin të qarta.

Në atë darkë miku, do të ishin të pranishëm vetëm pjesëtarët e familjes, të cilët nuk ishin të pakët.

U ulëm, sipas traditës. Jo rreth sufrasë, por njëri pas tjetrit, mbi shiltet prej leshi, të endura nga Shaqja, në kacin (tezgjahun) që ishte kapardisur në fund të shtëpisë. Secili kishte një jastëk të leshtë prapa kurrizit. Bisedën e kryesonte plaku i shtëpisë Sulo Barjam Llakaj. Më takonte të ulesha pas tij. I ulur këmbëkryq, si të tjerët, i mbaja sytë nga motra.

Me vigjilencë të shtuar, vështroja të kapja ndonjë isharet (shenjë) prej saj, me gjeste apo me gjuhën e trupit. Nuk ia ndaja sytë dhe për faktin se më kishte marrë malli sa s’bëhej, për të, ca më tepër se nuk pata mundësi të merrja pjesë në dasmën e saj. Kur erdha në shtëpi, nga Korça e nuk e gjeta motrën e dashur në vatër, m’u duk shtëpia bosh e nuk më hynte asgjë në sy. Tani e kisha aq pranë, e unë e vështroja në sy e nuk ngopesha së pari. Edhe ajo më vështronte e nuk m’i ndante sytë.

Nëna dhe Babai më kishin porositur si e kur do të bëja urimin, në raki, të mos dëftohesha grykës në të ngrënë se nesër do të bëhesha dajo e kjo nuk shkonte. E shumë e shumë porosi të tjera, një pjesë të të cilave i harrova udhës.

Sapo nisi darka, ku, me sa më kujtohet, të pranishëm ishin vetëm njerëzit e familjes patriarkale të plakut të moçëm Sulo Barjami, nisi urimi. Është fjala për urimin e parë, sapo nis darka. I pari filloi të bënte traditën i moshuari Sulo, si i zoti i shtëpisë.

Ai më uroi mua të parin, si djalë i krushkut. Siç uronin në fshat në atë kohë: “Gëzuar! Ti që më gjete derën, të gjetët e mira! Të të rrojnë Nëna dhe Babai; motra e vëllai! Miqësia qoftë e pandarë! Qofshi të nderuar e të gëzuar ngahera!” etj. etj. Pastaj, Ai uroi të gjithë njerëzit e shtëpisë, me radhë.

Formula e urimit ishte e përafërt, thuajse kishim të bënim me një stampë apo me një fotokopje. Mbaroi urimin i zoti i shtëpisë; thithi një gurmaz raki nga duçja që mbante mes gjunjëve, mori dhe pak meze e ma “dorëzoi” mua stafetën.

Vështrova përqark, mora guxim se m’u kujtuan porositë e prindërve dhe rrëmbeva faqoren (fliten) time. Nisa urimin. Të parin urova plakun Sulo; të dytën - krushkën - Hasimenë, e cila qëndronte në këmbë; të tretin Baron dhe bëra siç bëri dollibashi (plaku Sulo), të cilin përzgjodha si model; rrufita një gllënjkë nga faqorja që më kishin vënë përpara. Miqtë e mi nuk qeshën, me “gafën” time se nuk e lejonte tradita (ishte turp të qeshje me mikun e shtëpisë) dhe fisnikëria e tyre.

Ata panë njëri-tjetrin në sy (se merreshin vesh me një të parë), vunë buzën në gaz dhe kaq qe reagimi i tyre. Vija në atë shtëpi pas vajtjes së babait tim. Atë e kishin pritur me qengj pirës nga ata të lashtët që janë gjithë dhjamë qumështi e shkrijnë, kur piqen në hell. Krushkut Xhevit, pritësit i kishin hedhur një hise, të madhe, sipas zakonit. Mes thelave, nishani i nderimit të mikut ishte bishti.

Për mua kishin therur një kaposh deti, të ushqyer me brumë, të ngjeshur me vaj ulliri dhe me kokrra ulliri. Mishi i kaposhit të detit ishte mjaft i shijshëm. Atë e kishin pjekur në saç dhe kundërmonte shtëpia erë të mirë.

Për të më nderuar, si dajo i ardhshëm i fëmijëve që priteshin, më nderuan duke më gostitur me kraharorin e kaposhit. Më vinte turp ta mbaja atë “shenjë”; tentova t’ia kaloja plakut të shtëpisë - Sulo Barjamit. Kisha ndjenjën e turpit se cilido që të ishte statusi im, unë përfaqësoja një çunak 16-vjeçar e nuk ndihesha mirë të shqepja kraharorin përpara një të moshuari si plaku Sulo Barjami; të cilit i hodhën kërbishtjen. Mirëpo ndesha në një rezistencë kategorike të të zotit të asaj shtëpie, i cili nuk e pranoi atë që tentova të bëja unë. Atëherë, m’u dha dhe e copëtova kraharorin e kaposhit dhe ua shpërndava, disave nga ata që ishin ulur për të ngrënë darkë si: xha Sulos, Baros, Hasimesë dhe ndonjë tjetri.

Atë natë, darka kaloi për bukuri; nuk u pi shumë raki (mosha ime e parritur ishte faktor frenues), por u bë një bisedë e këndshme me shumë vlera. Përftova goxha nga ajo darkë, nga ata njerëz të mirë që ishin më të regjur në gostira dhe nga “gafa” ime nga padituria. Fjeta, si “pasha”; ngrohtë, mes shtrojeve e mbulesave (velenxave) të leshta, i sigurt mbasi më rrethonin njerëz që ushqenin dashamirësi ndaj meje. Lumturia shtroi pranë meje. Gjithë atë natë nuk më zuri gjumi. Motra donte të bisedonim dhe më pyeste për të gjithë njerëzit, për kafshët, për bagëtitë, për punët; madje dhe për qentë.

Mendova: Kaq shpejt e paska marrë malli motrën time? Dhe sa shpejt? Në dhomën e miqve, ku duhet të flija, kishte depërtuar era e këndshme e mishit të kaposhit të detit të pjekur në saç, era e alkoolit dhe tymi i duhanit që pinin burrat e shtëpisë. Pyetjeve të Lumturisë: kush ka lerë, e kush është ndarë nga jeta; kush ka vajtur ushtar e kush është liruar nga ushtria; kush u fejua e kush u martua, kush ka lerë e çfarë, etj. etj. Përgjigjet e mia ishin të cunguara; disa gjëra i dija e disa të tjera jo, prandaj bëja sikur nuk i kuptoja ato që nuk dija me siguri.

Në mëngjes nikoqirja e shtëpisë, gruaja e Baro Sulos, Shaqja, na poqi petulla, me gjalpë e me vaj përzier. U ngrita herët, se isha mësuar në konvikt, ku çdo veprim ditor kryhej me orar. Kështu ishte në konviktin, në Korçë; kështu kishte qenë dhe në konviktin e Tepelenës, dikur. Shtrihesha për të fjetur e çohesha me orar, si në ushtri. Të zotët e shtëpisë ishin ngritur më herët. Dikush kishte nxjerrë bagëtitë, një tjetër kishte vajtur për të prerë dru lisi, aty pranë.

Lumturia kishte lëshuar pulat shqirake nga qymeci e ato të detit, nga kasollja, u kishte hedhur për të ngrënë dhe kishte fshirë avllinë me një paliçe dhe priste të ngrihesha unë, nga rrobat. Kur dielli kishte zënë dhenë, u ndava nga miqtë e mi të mirë, me mbresa të pashlyera. Kishin dalë të gjithë të shtëpisë për të më përcjellë, tek shtegu i avllisë. Takova, të parin xha Sulon, Baron, Tefikun, Haxhinë dhe pastaj gratë e asaj shtëpie e cila ishte shtëpi miku. Hasimeja më shtrëngonte e nuk më lëshonte.

Ajo më puthte, në të dyja faqet e nuk pushonte së porosituri. Fliste me zë të lartë, mbasi ishte e “vrarë” nga veshët. Nuk kishin të mbaruar të falat që më dha. Vjehrra e Lumturisë, Hasime Mahmutja, ishte bijë në Kalivaç. Tek po më përcillte, në intimitet, gjeti rastin, në mëvetësi, të më jepte të fala për vëllezërit e saj: për Karafilin dhe Refatin, për bashkëshortet e tyre: Bedrinë dhe Mushon e për të gjithë fisin e saj në Hasanimeraj si dhe për krushqit e rinj. E vështirë ishte ndarja nga ime motër - Lumturia.

Ajo vetëm qante, në një çast u ngashërye nga të qarët; donte të fliste, por fjala i mbetej në gurmaz. Nuk i vura faj; Ajo kishte lerë e ishte rritur në tjetër mjedis dhe tani i duhej të përshtatej me jetën e re. Gjithashtu, kisha parasysh se vendlindja është shumë e dhimbsur e këtë e kisha provuar vetë, kur vija në fshat, nga larg. Bëra si bëra, jo pa vështirësi “rrëshqita” nga krahët e saj e bëra të dilja nga shtegu. Po ku më lëshonte Lumturia? Me shumë vështirësi, u shkëputa prej krahëve të saj dhe kapërceva shtegun e avllisë e “mora” udhën e verbër, e cila të çonte në rrugën kryesore të mëhallës.

Zbrita teposhtë kodrës, kapërceva, gurë me gurë përroin që vinte nga Harakopi dhe mblidhte ujërat e faqes kodrinore pas të cilës është mbështetur fshati i Krahësit dhe dola në udhën automobilistike që të çon në Fier.

Ajo udhë është piketuar e ndërtuar si trase, që në kohën e “Italisë së Parë” (në vitet e Luftës së Parë Botërore), por nuk u shtrua me asfalt në atë kohë; as në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kur krahina u bë teatër luftimesh dhe shumë ura dhe vetë traseja u shkatërruan. Ajo udhë automobilistike nuk të çonte deri në Tepelenë, por ishte riparuar dhe funksiononte vetëm në segmentin: Krahës – Fier. Në këtë udhë qarkullonte vetëm një kamion i tipit Zis i mbuluar me mushama e i pajisur me stola druri, mbi të cilët uleshin udhëtarët. Shofer i këtij kamioni ishte një burrë i mirë, “bakull”, me emrin Kamber. Mezi e pritnin Kamberin dhe makinën e tij fshatarët e zonës, të cilët e kishin emërtuar këtë makinë - korriere.

Në Kalivaç mbërrita para mesditës. Më prisnin që t’u rrëfeja për misionin që kisha kryer. Dilaveri ishte në shkollë, sipër në Majën e Tendës. Kalova pranë shkollës, por nuk u ktheva. Xhaxhakua i kishte nxjerrë dhentë, nëpër yrtrat mbi shtëpinë e Hysni Metës, në mënyrë që të ishte pranë shtëpisë dhe dhentë e tij të brinin ndonjë fije bari apo të përtypnin ndonjë gjethe. Zonja e Madhe i kishte shpurë çobanit një tas të bardhë cingo, me përshesh dhe më priste mua.

I takova aty ku zbriste udha e verbër ku kalonin nxënësit e shkollës së fshatit; mbi ullirin e madh kaniniot që ishte në brinjën e pjerrët, poshtë shegëve dhe fiqve pranë murit të arishtës së Azis Ramos. Të dy, mezi më pritnin edhe pse Xheviti nuk e jepte veten përpara meje dhe në sytë e të shoqes. Ata donin të mësonin hollësira nga vajtja ime e parë në cilësinë e dajos së pritshëm në shtëpinë e re të motrës sonë - Lumturisë. U dëftova, fije për pe, të gjithë ndodhinë, aty, në këmbë, mes asaj bokërrime. U rrëfeva dhe “gafën” që bëra, gjatë urimit.

“E kalova klasën” me një “kritikë”, e cila ngjante më tepër me një këshillë prindërore. Ndryshe nga sjellja e Babait me mua, në raste të tjera, kur bëja gabim. Kur gaboja, Ai më zinte prej veshesh, më ngrinte lart; pastaj më lëshonte. Kësaj here, Ai u mjaftua me një kritikë: “Po pse, mor bir i babait; unë të porosita, kur u nise!” “Po harrova, o Xhaxhako”, i thashë, se ishte hera e parë që u ndodha në qoshe e më mbytën emocionet. Ia hodha me një këshillë, e cila ngjante më shumë si derzhitje (vërsulje) dhe tërheqje të vëmendjes se tjetër herë, do të bënte atë që dinte, ai burrë i ashpër, i cili nuk toleronte të tilla “gafa”.

Siç duket kësaj here e kishte mundur malli për djalin e madh, të cilin nuk e kishte parë prej disa muajsh.

Pasdarke, në kasollen tonë vërshuan disa gra e disa burra të fisit. Secili me kuriozitetin për të mësuar diçka për atë vajtje interesante timen, tek krushqit e rinj, por dhe me shpoti. Ata donin të mësonin nëse i kisha nderuar apo i kisha turpëruar, me sjelljen dhe me qëndrimin tim tek miqtë e rinj dhe a e kisha paraqitur veten dinjitoz përpara tyre, si dajo i ardhshëm i fëmijëve që priteshin. Bisedën e kryesonte Hysnija kapedane. Babai im i kishte deleguar asaj gruaje burrneshë gjithë kompetencat që kërkonte drejtimi i një bisede të tillë. Zonja e Madhe kujdesej që zjarri në vatër të digjej kalafak, me drutë që kishte prurë nga Koçimarja në Gryka e në Trapin e Çesmës.

Zonja e Vogël e Binajve; Mbetja; Memja; Tajanja; Selmani; Reshati e të tjerët që ishin të pranishëm në atë bisedë, ishin më pak aktivë. Kur u rrëfeva si kisha harruar t’u bëja urimin të gjithë miqve të pranishëm, por u mjaftova me urimin e tre të parëve, në kasollen tonë, ku njerëzit ishin shtrënguar pas njëri-tjetrit, mbasi nuk i nxinte vendi, plasi gazi e nuk pushoi për shumë kohë. Kishte ngjarë e pangjara.

Në derën ku vajti nuse Lumturia, siç do të vepronte çdo nuse e re, fillimisht, Ajo u njoh me shtëpinë, (me mjediset, me plaçkat e me orenditë), pastaj me gjitoninë e më vonë me shoqet e brigadës ku do të punonte; diçka më vonë Ajo pyeti e u njoh me rrethin miqësor të familjes së re. Dera e Sulo Barjam Llakaj, në atë breg e në atë fshat ishte derë e madhe, ishte derë miku dhe një familje me ndikim të ndjerë, në mëhallë, në fshat e më gjerë. Ajo ishte familje e qetë, fisnike, bujare dhe që vështronte punët e saj. Plaku i asaj shtëpie, Sulo Barjami, me moshë rreth të tetëdhjetave, i kishte bërë vend vetes, me mençuri, burrëri e me urtësinë karakteristike. I biri, Barua, ishte aktivist i pushtetit, njeri me reputacion në fshat dhe një bujk i mirë. Zgjuarsia dhe urtësia e Tefikut bënin miq edhe mes atyre që grindeshin kot se koti.

Muharremi, pas kryerjes së Shkollës së Bashkuar të Oficerëve, u përfshi në forcat e armatosura, oficer dhe u adaptua të jetonte me rregull e me disiplinë. Më i vogli i djemve të xha Sulos, Haxhiu, ndonëse disi nevrik, por zemërmirë, meqenëse ishte më i riu i djemve të asaj shtëpie, gjykimi i tij nuk kishte ndonjë peshë të madhe në atë familje. Gjitonë të familjes së xha Sulos ishin burra të mençur, dinjitarë e me burrëri si Muhamet Ramadani dhe vëllai i tij - Tahiri.

Ata, së bashku me Sulo Barjamin dhe me bashkëshortet e me fëmijët e tyre formonin një komunitet kompakt, të qëndrueshëm e me frymë paqetimi e me dashuri për njëri-tjetrin. Ai që lidhej me miqësi, me njërin nga fëmijët e Sulo Barjamit, pas ndarjes së tyre, bëhej mik i të gjithëve, jo vetëm virtualisht, por dhe me vajtje-ardhje, sipas traditës.

Lumturia jonë u ndodh me fat që hyri nuse në atë familje fisnikësh dhe në atë komunitet ku sundonin qetësia, respekti i ndërsjelltë, dashuria dhe përkrahja për njëri-tjetrin. Si vajzë nga Kalivaçi i Tepelenës, Ajo trashëgoi nga paraardhësit dhe nga fisi ku u lind e u rrit tiparet më të çmuara njerëzore, duke kultivuar dhe vlerat e vajzave nga ajo çikë fshat. Me zgjuarsinë natyrale që e karakterizonte, Lumturia u përshtat shpejt me shoqet, me normat e jetës në familjen e re, Ajo u familjarizua shpejt me pjesëtarët e familjes dhe me gjitonët. Vështirësitë e jetesës që përcolli në fëmijëri dhe punët e rënda që përballoi në një kohë kur akoma nuk ishte rritur e formuar si konstrukt e kishin pjekur para kohe motrën tonë. Ky ishte shkaku që edhe kur ishte akoma nuse, Asaj i dëgjohej fjala e i zinin vend mendimet për punën dhe për jetesën.

Si kalivaçase e vërtetë, Ajo, shpejt, me këmbëngulje e me kujdes iu përfill punës për të realizuar synimet e saj, nga të cilat, më kryesoren Ajo konsideroi ndryshimin e mjedisit dhe përmirësimet në mënyrën e jetesës. Por ky ishte një proces mjaft i vështirë. Siç dihet, e reja çan me vështirësi e në luftë me traditën me të cilën njerëzit janë familjarizuar e papritur u kërkohet ta ndryshojnë atë.

Në ndonjë rast, mundi dhe mendja e saj nuk mjaftonin; duhej dhe frymë ballafaqimi. Po të zhvendosemi pak në kohë, fillimet e jetës, pas martesës, për një femër ishin thuajse skllavëruese. Konservatorizmi, i rrënjosur e i praktikuar prej kohësh në jetën e fshatarëve të asaj kohe, kërkonte që femra, në veçanti nusja e re, të ishte “pa gojë”.

Ajo e kishte vendin në fund të shtëpisë, në këmbë dhe e gatshme t’u shërbente edhe të vegjëlve. E shtypur nga opinioni shoqëror dhe e ndrydhur nga statusi i nuses, ajo vetëm duhej të bindej e të bënte siç i thoshin më të mëdhenjtë e shtëpisë, përfshi dhe bashkëshortin. Kështu ngjau dhe me Lumturinë.

Ajo e kishte të qartë vështirësinë që duhej të kapërcente, për të “bërë zakon të ri në fshat të vjetër”, por ishte guximtare. Pjekuria e parakohshme, zgjuarsia dhe shkathtësia e Lumturisë prevaluan mbi traditën e familjes dhe mbi mentalitetin e kohës. Si punëmbaruar e sedërmadhe që ishte motra jonë, Ajo e fitoi betejën me konservatorizmin në familje.

Në këtë “betejë” Ajo pati dhe përkrahjen e vjehrrës, Hasime Mahmutës, e cila gjithashtu ishte kalivaçase, pra, e gatuar nga i njëjti brumë.

Me ndarjen nga jeta të plakut të asaj shtëpie, Sulo Barjamit, në vitin 1958, ekuilibrat që ishin formuar, me kohë, në atë familje, u prishën; kërkoheshin ekuilibre të reja. Pavarësisht se nuk mund të dilte fare hapur, dëshira e Lumturisë për të kryer ndryshime u gjallërua, brenda saj. Pengonte, jo vetëm slogani sipas të cilit, “zakon të ri në fshat të vjetër nuk mund të bësh”, por dhe mentaliteti ekzistues se “kali nuk mëson dot revan në pleqëri”.

Në vitin 1962, u nda nga trungu familjar, vëllai i madh i familjes, Baro Sulua, i cili kishte ardhur në jetë nga martesa e parë e plakut Sulo Barjami. Për të bërë ndarjen e banesës, të truallit dhe të pasurisë së lëvizshme, u desh të thirrej, sipas traditës, një “plak” i mençur e i paanshëm. Ai u gjet brenda fisit Llakaj. Me të drejtën e atij që vendos, e nuk mund të kundërshtohej nga palët, u pranua kushëriri Muhamet Ramadani, i cili kishte kryer detyrën e taksambledhësit dhe ishte me përvojë jetësore. Nga ana tjetër, ndarja u bë qetë-qetë; pa grindje e pa qejfmbetje; në mirëkuptim e në paqe të plotë.

Baros i takoi pjesa e shtëpisë, përdhese, me dy dhoma, ajo ku mblidheshin fëmijët. Njëra nga dhomat i takoi Baros, kurse tjetra iu dha Muharremit. Ky i fundit ia shiti pjesën e tij të shtëpisë, vëllait Baro, kundrejt një pagese prej 900 lekësh; aq sa ishte paga mujore e një oficeri të ri, siç ishte vetë Muharremi, aso kohe. Tefiku, së bashku me vëllanë tjetër, Haxhinë, i cili, aso kohe ishte nënoficer aktiv në Kukës, morën shtëpinë e dytë të prindërve, me dy dhoma; njëra për Tefikun; tjetra, për Haxhinë.

Muhamet Ramadani, një burrë me mend në kokë dhe me përvojë të gjatë jete, qysh në ndarjen e parë, kur u shkëput Barua nga trungu familjar, e dëftoi veten vizionar kur parashikoi dhe ndarjen e pritshme; atë të Tefikut, nga Haxhiu, kur ky i fundit të kthehej nga Kukësi. Meqenëse ishin katër djem dhe gjendja e konakeve prindërore ishte katër, çdo vëllai, Muhameti, i caktoi një dhomë. Këtu qëndron mençuria dhe paanësia e atij burri të ndjerë kokëplotë.

Lumturia – motra jonë

Meqenëse shtëpia si objekt kryesor i ndarjes ishte parashikuar, shkëputja e Haxhiut nga vëllai i tij uterin, Tefiku, u bë me mirëkuptimin e dy vëllezërve, pa thirrur ndonjë njeri për “plak”. Kjo ndarje u realizua në vitin 1969, dy vjet mbasi Haxhiu, i martuar me Manushaqen, bijë nga Krahësi i Tepelenës dhe me një fëmijë (Namikun), u kthye nga Kukësi ku kishte shërbyer kapter karriere, në repartet e kufirit, në Krahës, në pronat që i la babai.

Me qëllim që njërën nga dhomat e shtëpisë me dy dhoma, ta shfrytëzonte Haxhiu me fëmijët, Tefiku dhe Lumturia ngritën një kasolle, sipas modelit të kasolles që kishte ngritur Xheviti, në Kalivaç. Në atë kasolle, mblidheshin: fëmijët (gratë, burrat e shtëpisë dhe fëmijët e tyre). Kasollja kishte përmasa të mëdha e ishte e lartë. Në vitin 1969, kur zona u lëkund nga një tërmet i fortë, në këtë kasolle mblidheshin të gjithë fëmijët e një gjaku dhe prindërit e tyre. Aty, ata kalonin natën, mbasi qëndrimi i tyre në ato shtëpi të ndërtuara me mure guri, të lidhura me llaç balte, ishte i pasigurt.

Kur Barua u shkëput nga trungu familjar, Hasime Mahmutja, së bashku me fëmijët e barkut të saj (Tefikun; Selvinë; Muharremin dhe Haxhinë) u mbështetën pas Tefikut dhe Lumturisë. Kur dolën me shtëpi dhe me ekonomi të veten, siç ngjan rëndom në këto raste, çifti i ri iu përfill punës, me shumë përkushtim e sedër të mirë, për të mbajtur të hapur “çerdhen” që ngritën së bashku të fuqishme e të kamur dhe derën të hapur, për të gjithë miqtë dhe për fisin. Të dy ata, burrë e grua, u rakorduan shpejt me njëri-tjetrin dhe Hasimeja nuk ua prishte. Ajo që mendonin dhe vendosnin ata, të dy, ishte punë e mbaruar.

Në fillim të vitit 1961, çifti Lumturi e Tefik Llakaj u shtua me një vajzë. Ata sollën në jetë fëmijën e parë - Fiqretin. Tradita mashkullore e zonës e donte që fëmija i parë të ishte djalë. Qëllimi kryesor i këtij mentaliteti ishte trashëgimia. Djalit, çifti do t’i trashëgonte pasurinë dhe mbiemrin; përndryshe familja shuhej. Nga lindja e vajzës çifti në fjalë nuk u dëshpërua.

Ata menduan se ishin të rinj dhe se do të shtoheshin edhe me fëmijë të tjerë.

Lumturia, me sedër të madhe, iu përfill punës për të bërë ndryshimet e nevojshme në mënyrën e duhur. Ajo tashmë ishte zonjë shtëpie dhe kishte kompetenca të plota. Nuk i mungonin dëshira e mirë, as aftësitë për të bërë ndryshimet sipas kohës. Ndryshimet ngjanë në mënyrën e organizimit të jetës në familje; në sistemimin e shtëpisë; në përmirësimin e dietës së ushqimit dhe në mënyrën e gatimit. Ndryshime ndodhën në veshjen e pjesëtarëve të familjes dhe në sistemimin e mjedisit.

Duke shfrytëzuar faktin se familja akoma ishte me pak anëtarë; derisa të vinin shtesat e tjera natyrale, Lumturia dhe Tefiku synuan të akumulonin, aq sa i kishin mundësitë, kapital me qëllim që të krijonin ndonjë rezervë materiale dhe monetare për më tej. Fshati ishte organizuar në kooperativë bujqësore dhe vlera e ditës së punës në kooperativë ishte e ulët. Ekonomitë bujqësore sapo kishin dalë nga një sistem e kishin hyrë në një tjetër sistem ekonomik e politik (nga pronësia private, kaluan në atë kolektive). Mundësitë për të “hequr diçka mënjanë” e për të zgjeruar kapitalin ishin të kufizuara. Lumturisë dhe Tefikut iu desh të bënin pleksjen e kapitalit që trashëguan nga ekonomia vetjake me fitimet si anëtarë të kooperativës bujqësore.

Statuti tip i kooperativave bujqësore nuk lejonte kapërcimin e numrit të krerëve, të bagëtive të imëta dhe të gjedhëve; përfshi kafshët e ngarkesës e ato të punës, tej tavanit të caktuar. Familjet mund të mbarështonin shpendë, pa limit, me kusht që ato të mos futeshin e të dëmtonin mallin e kooperativës. Fillimisht, të dy, burrë e grua, punonin në arë, në përbërje të brigadave të arave, ku ndarja e punës penalizonte gratë, të cilat, edhe ashtu, ishin të diskriminuara. Lumturia, me sedrën e madhe që kish, u bë nxitëse që edhe Tefiku, zemërmirë, por disi flegmatik, të sinkronizohej me të e të vepronin së bashku, në akord e të mos mbeteshin prapa të tjerëve. Shokët e brigadës dhe në tërësi kooperativistët e donin Tefikun dhe kërkonin ta kishin mes tyre. Përveç zemërmirësisë së tij të njohur, Tefiku dëftonte barcaleta “me kripë” dhe sajonte qyfyre me ironi thumbuese, për kohën dhe për regjimin, të cilat u pëlqenin shokëve të tij.

Tefiku ishte shumë i mprehtë dhe nëse fliste rrallë, ama, kur fliste, Ai ngulte “gozhdë trari” e nuk bënte bla-bla-bla.

Në vitin 1964 erdhi në jetë fëmija i dytë i çiftit Lumturi e Tefik Llakaj - Sulua. Meqenëse i vunë emrin e plakut Sulo Barjami, të parit të asaj dere, sipas traditës vendase, nisën ta thërrisnin Busho, “novkë”, të cilën Ai mban dhe sot. Në vitin 1967, pas më pak se tre vjetësh, u lind Mimoza. Kësisoj familja e re e Tefik Sulos u shtua e u bë me 6 vetë.

Po në atë vit u kthye nga Kukësi vëllai i Tefikut, Haxhiu, i cili ishte i martuar me Manushaqen, të cilën e thërrisnin: Mano. Ajo ishte “mall vendi”, vajzë nga fshati i tij. Kur u kthyen nga Kukësi, përgjithmonë, ata kishin sjellë në jetë një djalë - Namikun. Mentari Muhamet Ramadani, kur bëri ndarjen e Baros nga trungu familjar, kishte parashikuar nga një dhomë, për çdo djalë të xha Sulos. E dinte nga përvoja e jetës dhe nga psikologjia e trevës mentari se djemtë e martuar, në mos sot, nesër do të dilnin (ndaheshin) më vete.

Pas kthimit të Haxhiut pranë trungut familjar, familja e tyre u ndodh ngushtë me sipërfaqe banimi; situata kërkonte zgjidhje të shpejtë. Haxhiu, i cili i zuri njërën nga të dyja dhomat prindrore dhe banoi, së bashku me familjen e Tefikut, dy vjet, kur pa qartësisht se ishin ngushtë, në vitin 1970, i ndërtoi Tefikut, një dhomë, në banesën e vjetër, e cila kufizonte trojet e Sulo Barjamit me ato të Tahir Ramadanit. Pas kësaj, Tefiku u shtrëngua të ndërtojë një dhomë tjetër, në të njëjtën çati; dhomën që ndërtoi Haxhiu, Tefiku e shfrytëzoi për të mbledhur fëmijët dhe për të sistemuar rrangullat e shtëpisë. Haxhi Sulua u vendos në të dyja dhomat e përdheses së vjetër (prindërore).

Tefiku dhe Lumturia, duke punuar në brigadën e arave të kooperativës bujqësore të fshatit, shtuan familjen e re me anëtarë të rinj, por ndërtuan dhe shtëpi tjetër; atë shulthi (veri-jug). Fëmijët u erdhën njëri pas tjetrit dhe kapital rezervë nuk kishin. Në ato kushte e në atë ngushtësi, ata sakrifikuan, “shtrënguan rripin” dhe shtuan sipërfaqen e banimit. Lumturia, fillimisht punoi në brigadën e arave, me kazmë e me lopatë; pastaj e caktuan në farishten e duhanit ku, përveç veglave të krahut, Ajo vuri në përdorim dhe njohuritë teknike e u bë specialiste e farishteve të duhanit.

Kur kryesia e kooperativës bujqësore formoi bindje për ndershmërinë e karakterit dhe për aftësitë që ajo kishte, e caktoi Lumturinë të menaxhonte stallat e pulave të kooperativës, që të kujdesej për gjendjen fizike dhe pjellshmërinë e pulave. Me qëllim që malli të ishte në një dorë të sigurt dhe tek pjesëtarë të së njëjtës familje, u gjykua që Tefiku të ishte rojë nate, në sistemin e koteceve të pulave. Me punë të ndershme e me të shtrënguar rripin, në vitin 1978, Tefiku dhe Lumja ndërtuan shtëpitë e reja, të cilat përbëhen nga dy dhoma; njëra shërben si kuzhinë e tjetra për të pritur miq. Po si e me çfarë të ardhurash u ndërtuan shtëpitë e reja? Viçat që bënte lopa laramane, kur mbushnin një vit, ata i shisnin; tregtonin dhe ndonjë dele, shtonin të ardhurat nga ditët e punës dhe, me to, ngritën shtëpinë përdhese, me dy dhoma.

Kalendari, të cilin nuk do të doja ta shkruaja kurrë...

Në ecejakën që përshkonte motra jonë duke i shëtitur fëmijët, me radhë, fundi i takoi tek Bushua, djali i saj i madh. Siç bëja vazhdimisht, çdo ditë e telefonoja e Ajo, me vështirësi përgjigjej, ose, në disa raste, nuk më dilte fare, në telefon mbasi ngatërronte butonet e celularit.

Më 28 gusht të vitit 2018, rreth orës 09.30 e telefonova motrën, për të marrë informacion mbi shëndetin e saj dhe për t’i bërë psikoterapi. Në anën tjetër të telefonit, nuk u përgjigj Lumturia, por Bushua. Po shkoja në përcjelljen, në Sharrë të një kolegu pensionist. Fjalët e kursyera të Bushos më sollën një shqetësim të madh: “E kam të sëmurë Lumën”, tha nipçja; “e ka goditur tensioni i lartë i gjakut; këtu janë mjekët, po i bëjnë serum e po i japin medikamente”. Kaq më mjaftoi për të më vënë në një lëvizje të paprovuar.

Pas varrimit të kolegut, u ktheva në shtëpi. I telefonova Dilaverit dhe djemve. Në orën 19.00, së bashku me Oltionin dhe me Dilaverin, u nisëm për në Krahës. Në timon të makinës së tij Benz-Mercedes ishte vetë Oltioni, i cili është shofer klasi.

Pas 3 orësh rrugëtimi të sigurt, ishim në shtëpinë e Bushos, në Krahës. Aty gjetëm Fiqon, e cila kishte ardhur nga Fieri. I fola Lumturisë; Ajo nuk më njohu e nuk reagoi. E kishin shtrirë në kuzhinë, në një divan. Familjarët ishin të tronditur e të shqetësuar. E pashë që lëvizi njërën dorë dhe njërën këmbë.

Më dha shpresë jete. E provokova duke rrëfyer një rast kur nëna jonë ngatërroi një fjalë, (dikur); Lumja më korrigjoi. E paska mendjen, thashë me vete e m’u shtuan shpresat.

Vitua (bashkëshortja e Bushos), me gjithë hallet, na bëri darkë. Kishte harxhuar një pulë dhe mish qengji. Hëngra pak; piva një gotë verë, nga ajo që ka nxjerrë Bushua. Rreth orës 24.30, erdhën nga Sauku: Astriti; Mira dhe djali i tyre i vogël - Nolan.

Ata ishin mjaft të lodhur e shumë të mërzitur. Fjeta në krevatin dopio, së bashku me Oltionin. Gjumë i thënçin.

Dje, kur erdhëm nga Fieri, derisa mbërritëm në Krahës, Dilaveri ishte i sëmurë, por nuk na tha asgjë. Të nesërmen, më 29 gusht 2018 u nisëm nga Krahësi për në Tiranë. Rruga na eci mirë e nuk ndaluam asgjëkundi. Në orën 07.45 ishim tek shtëpia ime, në Selitë të Vogël. Tatjana kishte blerë ujë dhe e kishte ngjitur; makina e ujit ishte akoma aty.

Bushua ka shkuar në Tepelenë, ku ka marrë mjeken neurologe – Stoli Selmani. Mjekja e ardhur nga Tepelena, gjatë këqyrjes së Lumturisë, konstatoi se ajo kishte kaluar një insuficiencë cerebrale dhe tensionin arterial e kishte të lartë. Sipas opinionit të saj, ky (tensioni i lartë) përbën rrezikun kryesor për jetën e të sëmurës.

Ajo rekomandoi t’i vazhdonin serumet dhe, brenda lëngut fiziologjik, t’i futnin preparat intravenoz, për të mos lejuar ngjitjen e nivelit të tensionit arterial. Zaten, mbajtja e tensionit në nivele të pranueshme ishte porosia kryesore e saj. Infermierja nga Krahësi, Thëllëza, e shoqëruar nga bashkëshorti, u angazhua me bërjen e serumeve.

Ajo e ndoqi procesin, nga afër, por kishte vështirësi për t’i gjetur venat. E kishte nxirë Lumën, në të dy krahët, aq sa nuk kishte ku ta shponte. Në qendrën sanitare të zonës, nuk gjendej as vigon, gjë që e detyronte infermieren ta shponte të sëmurën, sa herë i bënte serum. Krahët e Lumturisë ishin bërë sterrë të zinj e nuk kishte vend ku të shpohej. Nga ishulli Samos i Greqisë, kishin mbërritur Nazifi dhe Mimoza.

1 shtator 2018. Rreth orës 15.30, në shtëpinë tonë, në Blokun: “Vasil Shanto”, erdhën: Dritani; Alda dhe Diellina. U nisëm për në Krahës. Në Lushnje (tek gjyshërit), lamë Diellinën. Atë e kishte zënë gjumi sapo kaluam Rrogozhinën. Ndaluam vetëm për t’i futur makinës karburant.

Rreth orës 19.00 mbërritëm në Krahës, në shtëpinë e Bushos. Aty gjetëm: Ardjanin; Armandin; Bertën; Bushon; Zengjinën e Veledinit; Manon; infermieren Thëllëzën; Selimenë; Mimozën; Pecon dhe bashkëshorten e tij; Fiqon; Viton; Irenën; Edin dhe Mbarimën. Lumturia e kuptoi që kisha shkuar për ta parë. I afrova buzët tek veshi e i fola: “Lumë, jam unë – Niaziu!”

Ajo zgurdulloi sytë e pëshpëriti, me zë gryke, dy herë: “O vëlla! O vëlla!” Më kishte njohur e reagoi. Ky ishte komunikimi im i fundit, me motrën. Një botë e tërë përfshihej në ato dy fjalë “magjike”. Mirëpo Lumja nuk pranonte as ujë; as kos e as lëngje të tjera, nëpërmjet të cilave t’i jepnim medikamente të tretura, për të ulur tensionin.

Dorën dhe këmbën e majtë nuk i urdhëronte fare. Unë e mbuloja, ajo zbulohej me dorën që lëvizte. Mimoza qante, tek koka e së ëmës. Fiqua, si më e madhe, i fliste motrës që të mos qante teksa qante vetë.

Hëngrëm darkë. Vitua kishte përgatitur një qumështor, byrek, sallatë me perime dhe tasqebap. Ardjani, gjatë darkës dhe pas saj, ndonëse kishte shumë siklet, për shëndetin e Hallës, “i shkriu” gratë e moshuara të fisit, me shakatë e tij të rëndomta. Rashë për të fjetur në krevatin dopio, në atë krevat ku fjeta me Oltionin, disa ditë më parë. Ardjani është nisur në orën 04.30, në drejtim të Vlorës. Në mbrëmje i thashë të më merrte deri në Tiranë, se ka makinë luksoze, por Ai më tha se do të shkonte në Vlorë, për punët e tij dhe se mua nuk mund të më merrte në makinë.

2 shtator 2018 - është ditë e diel. Albani po ndërron shtëpinë. Ai do të banojë në të njëjtin pallat, por do të zbresë nga kati i nëntë ku banon aktualisht, në katin e katërt, ku mendohet se do të jetë më mirë. Bani ka sjellë në shtëpinë tonë njërin nga djemtë binjakë – Giordin, me menaxhimin e të cilit është angazhuar Tatjana.

Në shtëpinë tonë, erdhi Dritani. Ai luajti me nipin e vogël - Giordin. Hëngrëm drekë e u shtrimë. Na zuri një gjumë i thellë, të dyve. Rreth orës 17.00 erdhi Albani e mori Giordin. I telefonova Fiqos, e cila ndodhet në Krahës.

Mbesa më bëri me dije se gjendja shëndetësore e Lumës është rënduar. I bëra mesazh të bijës që banon në Itali - Danielës. Ajo ishte duke komunikuar në telefon me Dilaverin - vëllanë tim.

3 shtator 2018 - gjendja shëndetësore e motrës sonë vazhdon të jetë e rënduar. Në Krahës ndodhet Dilaveri. Ai e ka lënë të birin më mirë, në Tiranë dhe ka shkuar në Krahës. Mbrëmë, Albani është futur në shtëpinë e re. Oltioni dhe fëmijët janë në Greqi, me pushime. Prenotimet janë bërë kohë më parë.

4 shtator 2018 - Lumturia ka rënë në komë. Dje kanë qenë në shtëpinë e Bushos, në Krahës, për të parë Lumën: Reshati; Xhikua dhe Kushulla. Situata po bëhet serioze, jeta e motrës mbahet në fije të perit. Dilaveri, sot, do të kthehet në Tiranë. Ndodhem në siklet të madh. Jam në pritje të ndonjë telefonate ogurzezë.

5 shtator 2018 - Lumja vazhdon të jetë në komë. Rreth orës 08.00 do të nisemi për në Krahës, me Dritanin në timon, së bashku me Tatjanën. Dilaveri, mbrëmë është kthyer nga Krahësi, por nuk është mirë me shëndet. Kjo situatë e rëndë na ka pllakosur, si mua dhe Dilaverin. Në Golem, qëndruam për të pirë kafe, në breg të detit.

Lumën e gjetëm në komë; Ajo merrte frymë me shpatulla. Nuk komunikonte me njeri e nuk pranonte të merrte asgjë, nga goja. Serumet që rekomandoi mjekja e ardhur nga Tepelena, janë mbaruar dhe mbetet problem serioz ulja e tensionit arterial. Transportimi i saj në Tiranë ose në ndonjë qytet në udhën për në metropol, ku shërbimi shëndetësor është më i kualifikuar, është i pamundur. Rreth saj qëndronin në heshtje: Bushua; Fiqua; Mimoza; Armandi; Astriti; Vitua; Mira; Berta; Liria e Muharrem Sulos; Manua e Haxhi Sulos; Nazifi; Mbarimja; dhe gjitonët me gratë e tyre.

Pas drekës, Dritani dhe Tatjana shkuan në Tepelenë; i prita në rrugën nacionale, me qëllim që të niseshim, së bashku për në Tiranë. Ndërkohë që po prisja të ktheheshin nga Tepelena Tatjana dhe Dritani, tek kthesa që të çon në përrua, u kthye një taksi. Ajo vinte nga Kalivaçi. Shofer ishte Ylber Agaj, djali i Haredin Cizos dhe i Nailesë sonë. Në makinë ishin Luto Resuli, gruaja e tij – Hysnija dhe i biri i tyre – Sotiri.

Para se të ngjiteshin tek shtëpia e Bushos, atje ku Tefik Sulua kishte bërë një kopsht, Ylberi kishte fikur motorin, kishte hapur krahun dhe rrinte në pritje të pasagjerëve që pruri. Për çudi, së bashku me Ylberin qëndronte Sotiri. Ai nuk ishte ngjitur me prindërit, për të parë Hallon që lëngonte. I takova, të dy, por nuk më erdhi aspak mirë për sjelljen e Sotirit, të cilin, në njëfarë mënyre e kam nip. Mendova: “Si janë bërë këta të rinjtë e sotëm?” Erdhën: Tatjana dhe Dritani.

Ata donin të takoheshin edhe një herë me Lumën dhe me ata që e përgjonin. U ngjita dhe unë me ta, por nuk hyra në shtëpi; qëndrova në makinën e Dritanit.

Rreth orës 17.30, të tre, u nisëm për në Tiranë. Ishte buzëmbrëmje. Rrugëtimi na shkoi mbarë. Dritani është mjaft i kujdesshëm në timon. Ai njeh mirë e zbaton me korrektësi rregullat e qarkullimit rrugor dhe është altruist. Qëndruam në Lushnje; pimë kafe me prindërit e Aldës.

Në Tiranë mbërritëm rreth orës 21.00. Ishim të lodhur e të dërrmuar.

6 shtator 2018. Rreth orës 06.30, një telefonatë ogurzezë, më erdhi nga vëllai i vetëm - Dilaveri. Ai, me zë të mekur, më njoftoi se, duke u gdhirë data 6 shtator 2018, rreth orës 04.00, në shtëpinë e të birit - Sulo Tefik Llakaj, në Krahës të Tepelenës, është ndarë nga jeta motra jonë e vetme, Lumturia. E prisja këtë njoftim të kobshëm.

Mbrëmë, vonë, u ktheva nga Krahësi, së bashku me Tatjanën dhe me Dritanin. E lamë Lumturinë në komë; Ajo merrte frymë me shpatulla. Nuk kalonte asnjë pikë ujë që t’i tretnim ilaçin për uljen e tensionit. Me këmbënguljen e Dritanit, komunikova me Ardjanin, në Tiranë që Ai të konsultohej me ndonjë mjek kardiolog, kompetent, për të gjetur ndonjë mundësi bashkëkohore për uljen e tensionit. Ardjani e ka bërë konsultën dhe përgjigja e tij ishte e prerë: “Vetëm në Spitalin ‘Nënë Tereza’, në Tiranë, ka aparatura dhe specialistë për ta bërë këtë, por pacienti duhet të jetë vazhdimisht nën monitorimin e mjekut specialist. Prandaj”, tha Ardjani, “Ajo do të konsumojë veten e do të fiket.”

Hall i madh na ka zënë. Mendimi i Ardjanit, si nip i saj e kirurg me përvojë, në këtë rast është shterues. Pikë e zezë, hajde bëj durim. Përjetova një gjendje tmerri; një situatë të paprovuar, të cilën nuk ia uroj askujt. Njeriu yt i dashur vuan e nuk ka dëshirë të fiket, merr frymë me shpatulla; të ndjen; ti e vështron tek vuan e nuk e ndihmon dot.

Kam qenë mjaft i lidhur me Lumturinë, qysh prej kohës kur ishim fëmijë e ngroheshim me frymën e njëri-tjetrit. Edhe tani që u moshuam e ndjejmë shumë nevojën e përkrahjes së shoqi-shoqit. Shumëçka na lidhi pazgjidhmërisht. Nuk paska gjë më të keqe nga vështrimi i njeriut tënd të dashur tek jep e merr, tek kacafytet me mortjen që i qëndron mbi kokë, të lutet ta ndihmosh e nuk mundesh të ndërhysh për ta shpëtuar. Ca më tepër kur të është drejtuar për ndihmë, duke zgurdulluar sytë apo me gjeste të tjera.

Ato dy fjalë që pëshpëriti me zë gurmazi kur i afrova veshin tek buzët: “O vëlla! O vëlla!” Tani që po e hedh në letër reflektoj e them se në ato fjalë përmblidhet një filozofi e tërë. Ardjani është ndodhur pranë Lumturisë, kur ajo po ndahej nga jeta.

Ai, si për t’i “vënë furka”, e ka ngritur ulur mbi të ndenjura, së bashku me Bushon që e mbante nga prapa dhe në krahët e të birit, ka dhënë shpirt.

Sapo mora njoftimin nga Dilaveri, njoftova Dritanin dhe Albanin e pak pas tyre, i telefonova Valentinës, Pajtimit, dhe Teutës. Ata janë të helmuar, si unë, por, me këtë që ngjau, helmi zuri helmin. U bashkuam tek kafe “Sorkadhja” në bllokun “Vasil Shanto” e u nisëm për të shkuar në Krahës. Albani dhe Dritani erdhën me makinat e tyre. Varrimi i së ndjerës do të bëhet, sot, në Krahës, në orën 12.00, në varrezat e familjes.

U sistemuam në makina dhe u nisëm njëri pas tjetrit. Në ekipin tonë të përmortshëm, nuk ndodhen Oltioni dhe të tijtë, mbasi ndodhen në Greqi, për pushime e nuk kemi mundësi ta njoftojmë. Mirela ka dy binjakë, të mitur e nuk ka kujt t’ia lërë. Alda, gjithashtu ka vajzën e vogël, në shtëpi e nuk mund të lëvizë.

Dita, sot në Tiranë, u gdhi e vranët, me shkrepëtima e me bubullima. Rrugës nuk ndaluam, jo vetëm për të mbërritur në kohën e varrimit. Tradita e donte të ishim atje, për të pritur ngushëllimet, se jemi vëllezër të së ndjerës. U ngjitëm, me makina në atë të përpjetë që të shpie tek shtëpia e Bushos. Një mori njerëzish, të njohur e të panjohur, kishin mbushur avllinë, shkallët, sheshpushimin dhe dhomat. Disa njerëz na pritën tek shtegu e na ngushëlluan.

Ca i njohëm e ca të tjerë nuk i njohëm. Isha i shokuar; sytë dhe logjika më ishin errësuar. Vetiu u vumë në kolonë për një: Unë; Dilaveri; Tatjana; Valentina; Dritani dhe Albani. E nisa nga nderimi për të ndjerën, të cilën e kishin vendosur në arkivol, në dhomën e grave, të rrethuar nga të dashurat e saj e të mbuluar me lule. Takova disa gra që ishin pranë arkivolit, Fiqon dhe Mimozën etj. zbulova e putha motrën time të ndjerë, pastaj kalova në dhomën e burrave.

Të parin takova e ngushëllova Bushon; pas tij Astritin; Armandin e të tjerët, me radhë. Reshati ishte i ulur në kolltukun ku ishte dhe Bushua; Ai priste ngushëllime e nuk u spostua as kur mbërritëm ne, dy vëllezërit e saj. Fundja, Ai është vëllai ynë i madh e i takon. Dhoma ishte plot me miq e shokë; disa vinin, bënin traditën e ua linin vendin të tjerëve, pambarim. Shtëpia ishte plot me njerëz. Secili ndjente dhe shprehte hidhërimin, siç e mendonte.

Shërbimin e kishin marrë përsipër Arshiu, djali i Veledin Licos, nga Zhulajt, kushëririt tonë të parë dhe i biri i Tahir Ramadanit, nga Llakajt.

Djali tjetër i Veledinit, Luani, mësues në një fshat të Fierit, të cilin nuk e njihja, po përgatiste fjalën e lamtumirës. Ai më njihte dhe i dinte prirjet e mia letrare, më tërhoqi në dhomën fqinje, ku më lexoi atë që kishte shkruar dhe, së bashku, e korrigjuam dhe e plotësuam materialin. Një burrë rreth të gjashtëdhjetave, të cilin nuk e njihja, më sugjeroi: “Jam nga fisi Shabanaj, nga trungu i Bektash Likos, mikut të fisit tonë. Të kam kërkuar e shyqyr që të gjeta”, tha burri i panjohur. “Jam dhëndër në Kalivaç; ti dhe Dilua nuk duhet ta keni vendin aty; ju duhet të prisni ngushëllimet!” E falënderova të nderuarin Muhamet Shabanaj, për dashamirësinë që dëftoi dhe i bëra me dije se kemi lënë Reshatin atje, të cilin e kemi vëlla të madh. Aty, në shtëpinë e Bushos, nga ata që vinin për ngushëllim, takova, për herë të parë Gjergjin, të birin e Pashakos së xha Isufit, i cili m’u prezantua vetë.

Në orën e caktuar, arkivolin me kufomën e të ndjerës e nxorëm nga shtëpia. Në çastin kur arkivoli po zbriste nëpër shkallë, Reshati më tha: “Do ta bëj një zhurmë, unë!” Donte të thosh se do të ulërinte, sipas traditës (do të vinte kujen). “Jo”, i thashë, “se jetojmë në të tjera kohë!” U bind sivëllai im e bëri siç i thashë. Lumturia, sa qe gjallë e kishte këmbë, e mbante vrapin tek shtëpia e Reshatit, në Kalivaç, të cilën, Ajo e kishte “derë babe”.

Atje e kishte kokën motra jonë.

Këmbëngulte motra jonë që të qëndronte sa më gjatë e mundësisht të flinte, në shtëpinë dhe në dhomën ku u nda nga jeta bashkëshorti i saj – Tefik Sulua. Këmbëngulja e saj lidhej me dy probleme: Së pari, atë shtëpi Ajo dhe Tefiku e kishin ndërtuar “me thonj” e me shumë sakrifica. Së dyti, Lumturia dhe Tefiku duheshin shumë dhe ishin “shkrirë” me njëri-tjetrin. Lumjes i pëlqente të qëndronte në dhomën ku dha shpirt i shoqi, flinte rehat në krevatin ku u dergj Ai, i shijonin gjërat që përgatiste në enët e përbashkëta. Lumturia nuk linte rast pa shkuar pranë varrit të Tefikut, dhe vazhdimisht lutej t’i shkonte pranë, sa më shpejt. Ajo, edhe kur e lanë fuqitë, mjaftohej me qëndrimin në avllinë e shtëpisë dhe, sa për t’u gjendur në punë, shkulte barërat që kishin mbirë në hapësirat midis pllakave të gurit.

Mbajtësit e arkivolit, për të respektuar dëshirën e së ndjerës, e vendosën arkivolin, në një vend të lartë, në avllinë e preferuar të Saj, ku e lanë 1 minutë. Pastaj arkivoli u vendos, në varrezat familjare, pranë varroshit të mermertë të Tefik Sulos, afër varroshit madhështor të Elidionit, të cilin, Ajo, e donte shumë. Kush e ka provuar, mund ta ndiejë, sa e tmerrshme është t’i hedhësh dhe, me dorë, atij që ke dashur gjithë jetën. Isha plotësisht i shokuar, e nuk e kujtoj saktësisht atë tmerr. Më theri zemra kur i hodha motrës dhe. Ke të mbanin njerëzit më parë: Mua, Dilon, Bushon, Fiqon, Mozën, Astritin, Armandin, Mbarimën e gjithë ata që ndjenin dhimbje?

Dikush më mbante për krahu, por qenia ime ishte e drunjtë.

Pas ceremonisë mortore, ata që më mbanin për krahu, më ndihmuan për të dalë jashtë varrezës së familjes. Në udhën pranë, pashë e njoha disa nga ata që morën pjesë në atë ceremoni ulërimash ku hapësira ngjante e vogël. Vura re praninë e: Pajtimit; dy djemve të Jonuzit; Behijes, djalit të Fiqretit dhe Mistos, nga Dhemblani; Gëzimit të Veledinit; të gjithë mëhallës së Llakajve, burra e gra, përveç djalit të Baros, Dilaverit; Kishte ardhur Musai, nga Marikajt; djali i Syrjait, Gëzim Goga, Namiku i Haxhi Sulos, dhe bashkëshortja e tij - Shqiponja; Manua; motra e tij me burrin; Liria e Muharremit; Desilda e Fiqos etj. etj. Nga Kalivaçi kishin ardhur: Reshati; Xhikua; Kushulla; Petrefi; Myftari; Lutua; Hysnija dhe Nure Lazja, i cili nuk na është ndarë; dhe Binua i Xhelo Resulit; Auguri i Refat Mahmutit dhe e shoqja. Nuk di përse nuk erdhën Selmani dhe Ilmiu, nga djemtë e Resul Nelos. Sherif Mahmut Pashaj, thjesht si bashkëfshatar e dashamirës, nga Hysodosajt, më telefonoi e më ngushëlloi dhe më dërgoi një paketë cigare, sipas traditës së vendit, me Myftarin, djalin e Reshatit.

Kjo, për mua, ishte surprizë e asaj dite. Më befasoi pjesëmarrja në varrim e bashkëshortes së Ardjanit - Enkeledës. Ajo erdhi me taksi (siç tha), por u ndje keq, kur, disa plaka, siç është tradita e zonës, e kishin puthur, në faqe.

Fëmijët e Lumturisë, nën drejtimin e djalit të madh të saj – Bushos, i cili, për hir të së vërtetës, ka shoqëri e ndikim në atë luginë, kishin marrë masa për drekën mortore, tek restoranti “Kurora”, në Fushë të Krahësit. Pjesëmarrja, si në varrim, dhe në drekë ishte e jashtëzakonshme; e paparë në atë zonë. Kjo falë personalitetit të Lumturisë, e cila gëzonte dashurinë dhe respektin e të gjithë asaj zone. Ndoshta gaboj po të them se në drekë ishin jo më pak se 300 vetë, të ulur. Ushqimi, pijet dhe shërbimi ishin si në lokalet më të mira të Tiranës.

Në çelje të asaj dreke mortore, foli Bushua; shkurt. Ai falënderoi pjesëmarrësit dhe vijoi dreka. Menaxhimin e drekës e bëri Arshiu i Veledin Licos. Pas drekës, njerëzit u shpërndanë e u larguan për në vendbanimet respektive, duke lënë zbrazëti, zymtësi e dhimbje në atë luginë e në atë majë bregu.

Me dy makina, siç vajtëm, u kthyem në Tiranë, rreth orës 19.00. Me Albanin rrugëtuan: Pajtimi; Valentina dhe Dilaveri, të cilët banojnë, pranë e pranë në lagjen “Ali Demi”. Unë dhe Tatjana që ishim në makinën e Dritanit qëndruam te shtëpia jonë. Do të përjetojmë një natë të tmerrshme, me dhimbjen për motrën, por pa të. Me dhimbje e shqetësime i përcolla dhe disa ditë të tjera; pas varrimit.

8 shtator 2018 - unë dhe Alda, me Dritanin në timon, morëm udhën për në Krahës. U nisëm nga Tirana rreth orës 09.00. I bëmë llogaritë t’i gjenim njerëzit në shtëpinë e Bushos, por u vonuam udhës. Dreka për të tretat e motrës do të shtrohej në orën 11.30. Ne shkuam me vonesë. Udhës këmbyem telefonata, me Bushon dhe me Armandin, kur ndodheshim në Levan të Fierit; në Greshicë, tek karburanti etj. Ata, në orën e caktuar kishin nisur drekën dhe na u desh të shkonim drejt e në lokal.

“Ekipi” ynë ka mangësi në njerëz. Ardjani dhe Enkelejda ndodhen në Dibër të Madhe; Oltioni dhe fëmijët vazhdojnë të jenë në Greqi; Dilaveri nuk mund të vinte, mbasi të sëmurëve të familjes së tij u është shtuar dhe Ermiri. Të dy të sëmurët kanë nevojë për shërbim. Vendin tim në krye të tavolinës së madhe e kishin lënë bosh. U ula, drejt e tek vendi bosh. Pa u ulur mirë nisën qortimet për vonesën.

Flamurin e kritikave e mbante vëllai i madh i Vitos. Nuk vura asgjë në gojë. Dreka e të tretave ishte thuajse si ajo mortore, për nga pjesëmarrja. Pas drekës, u kthyem në Tiranë. Qëndruam pak në Lushnje, në hyrje të udhës që të çon në shtëpinë prindërore të Aldës, sa morëm Diellinën.

10 tetor 2018 - Së bashku me Dilon, kujtuam Lumturinë, me rastin e të dyzetave. E bëmë llogarinë t’u jepnim pjesëmarrësve një kafe në shtëpinë e Reshatit, në Kalivaç, të cilën Ajo e çmonte si “derë babe”. Pas kafes, menduam të shtronim një drekë përkujtimore, për të gjithë të pranishmit, në lokalin e nipit të fisit tonë - Fatmirit të Sulo Musait, në Majë të Dërrasës. Petrefi i Reshatit dhe Binua i Xhelos morën përsipër të negocionin, me Fatmirin e të siguronin drekën; por nuk na u përgjigj Pajtimi, djali i tretë i Reshatit.

Atëherë, të detyruar, ndryshuam variant; e shtruam drekën e të dyzetave, në lokalin me emrin “Kurora”, në Fushë të Krahësit, atje ku u shtrua dreka mortore dhe në të tretat. Njoftuam njerëzit që do të merrnin pjesë në drekë. Erdhën fëmijët e Lumturisë, përveç Mimozës, Nazifit dhe fëmijëve, të cilët banojnë në Samos të Greqisë. Erdhi Syrja Barjam Shehaj me Nurijen; djali i Jonuzit; Behija e dajo Kadriut; familja e Haxhi Sulos; Musai, Engjellushja e dajo Adushit; Mbarimja dhe i biri, Edi. Arshiu i Veledinit po në shërbim të njerëzve. Nga Kalivaçi erdhën: Reshati; Xhikua; Kushulla; Petrefi; Binua; Hysnija; Myftari; Bashkim Azizi; Hysen Lico Malaj dhe Nure Lazja.

Më bëri surprizë ardhja e Sami Mehmet Nelaj, nga Vlora, i cili vuan nga sytë dhe e ka lënë bashkëshorten të pamundur. E paralajmërova, në telefon nipin e i thashë të mos vinte, por Ai ka kokën e tij kalivaçase. Gjithashtu, me iniciativë e me vendosmëri erdhën: Skënder Muharrem Nelaj dhe gruaja e tij Halimeja. Këta na e bënë borxh. Dilaveri erdhi së bashku me Kozetën, e cila ka qenë me punë në Itali. Dreka kaloi shumë mirë.

Para drekës, bëmë një vizitë në varrezat e fisit ku vumë buqeta me lule, tek varri i Lumturisë; tek varroshi i Tefikut dhe tek ai i Elidionit. Pimë dhe një kafe tek shtëpia e Bushos. Pas drekës, u kthyem në Tiranë.

Përjetimet

Për njeriun që ke dashur shumë, sa kohë është në jetë dhe ke mundësi të komunikosh me të, nuk e ndjen plotësisht dashurinë që ke për të. Kur Ai ndahet nga jeta e mbasi fshihet, nis e kërkon, me dëshpërim, por nuk arrin ta gjesh e ngushëllohesh me të prasmit e me kujtimet që ka lënë, të cilat i rizgjon të shoqëruara me psherëtima. Edhe unë e ndjeva sa shumë e paskam dashur motrën e vetme, kur atë e mbuloi dheu e nuk ishte më mes nesh.

E kisha kthyer në rit, bisedën me të çdo ditë, rreth orës 09.00. Kur nuk e merrja unë, për arsye të ndryshme, më kërkonte ajo. Për traditë vazhdoj ta telefonoj edhe sot, pas kaq kohësh nga ndarja e saj. Mirëpo aparatin celular të saj e ka e bija, Fiqreti, e cila banon në Fier.

Në anën tjetër të telefonit më del Fiqreti e unë i telefonoj e i telefonoj asaj, sikur të isha në lidhje me motrën time. Më krijohet ndjesia sikur po e pjesëtoj dhimbjen me time mbesë, por secili ka dhimbjen e vet e ajo nuk është e njëjtë. Nuk i vë faj Fiqos; Asaj nuk do t’i thotë më goja: Mama (siç ishte mësuar t’i drejtohej).

Me qëllim që ta ketë më të lehtë kujtesën për Nënën e saj, Fiqua, përveç celularit me numrin e Lumës, ka ruajtur dhe dy bluza, njërën nga të cilat e mban çdo ditë; një përparëse, të cilën e vendos kur ndodhet në shtëpi; shaminë e kokës, me erën e saj dhe një palë çorape, të gjata, të zeza. Ajo ruan dhe krehrin e kokës, me të cilin Lumja krihte flokët. Nuk thonë më kot: “Vajza si vajzë!” Edhe Mimoza, ruan një shami të Lumës, me erën e saj. Daniela, vajza e madhe e Fiqos, e cila banon në Itali, kur e njoftova për ndarjen nga jeta të gjyshes së saj, më shkroi në Facebook: “... Po më ther zemra për Nojen, o dajo; Ajo më ka rritur...!” Burrat kanë tjetër mënyrë përjetimi.

Nën kujdestarinë e Bushos, në shtëpinë e prindërve, ruhen disa objekte që përdornin prindërit, si bastuni, tespijet, kutia e duhanit, syzet etj.

Meshkujt, më së shumti, ruajnë kujtime vetjake, të cilat, në fund të fundit, kanë karakter të kufizuar në kohë e me kalimin e kohës i mbulon pluhuri i harresës, por, kur janë të shkruara, ato nuk shuhen kurrë. Nëpër faqet e këtij shkrimi biografik, sido që është, janë endur kujtime, nga më të ndryshmet, të njerëzve që Ajo donte dhe e donin. Lumturia e ka dashur shumë Ardjanin dhe, djali im i madh, e donte dhe e respektonte shumë Atë. Nuk mund ta harroj, atë ditë kur, Ardjani shoqëronte Lumën, duke e mbajtur për krahu, nëpër korridoret e Urgjencës Kirurgjikale të Spitalit “Nënë Tereza”, me qëllim që t’i bënte disa analiza e kontrolle. Ai, me kënaqësi e jo pa krenari, u thosh punonjësve me bluza të bardha: “Kjo është Halla ime e vetme!” Nga analizat që bëri, Adi dhe kolegët konkluduan se Ajo kishte kaluar, pa e kuptuar, një ishemi cerebrale e më tha, me gjuhën e tij të rëndomtë: “Lumja ka ikur për lesh...!”

Një ditë tjetër, kur Adi u kthye tek Bushua, në Krahës, pas një rrugëtimi të gjatë dhe aty gjeti Hallën; i lodhur e i përgjumur, u shtri në divan ku e kaploi gjumi. Lumja iu fut prapa kurrizit, i merrte erë dhe i puthte duart. Çfarë dashurie për nipin që e donte aq shumë?

Kur ishte fëmijë dhe në adoleshencë, Ardjani shkonte shpesh në Krahës ku i donte dhe e donin. Gjente mjedis të ngrohtë e ndihej mirë djali, ashtu si dhe vëllai i tij uterin - Oltioni, prandaj qëndronte gjatë, pranë Hallës dhe kushërinjve. Lumja, në ditë festash (më tepër në festa fetare), gatuante dy bakllava; njërën me thërrime brenda, për njerëzit e familjes dhe tjetrën, atë që ishte me arra, e rezervonte për të qerasur mysafirët. Ardjani i kishte rënë hilesë dhe hante nga bakllavaja e mysafirëve, nga tepsia, poshtë krevatit; Bushua hante nga bakllavaja me thërrime, në mes. Këtë veprim, Ai e bënte fshehurazi nga Bushua, i cili gjithashtu synonte bakllavanë.

Ardjani kujton dhe një rast tjetër, kur ai zbuloi shtambën plot me gjalpë brumë, e cila ishte vulosur në grykë me një pllakë lumi dhe Lumja e kishte lidhur me gjalmë pas verigës. Adi e zgjidhte lidhësen, hante gjalpin dhe e lidhte siç e gjeti. Tek tentoi të hante sheqer, një ditë, Ai derdhi sheqer, në tokë. Lumja e diktoi rrjedhjen dhe pyeti: “Kush e ka derdhur sheqerin?” Adi iu përgjigj me sinqeritet dhe Ajo nuk bëri telendi.

Kur Lumja punonte në stallën e pulave, Ardiani “pekul” i saj, mbushte xhepat me vezë të paziera, i hipte gomarit për të vajtur në shtëpi, por vezët thyheshin udhës, duke e bërë t’i rridhnin vezët e thyera. Dhallës, dëfton Ardjani, Lumja i hidhte ujë e ajo përsëri mbetej e bardhë. Shuanim etjen me dhallën e saj, rrëfen Adi.

Ndër kujtimet e shumta që ruan Ardjani për Hallën, janë dhe mbresat që ka për gatimin që Ajo bënte, me qëllim që, në atë ngushtësi ekonomike të mund të ushqente familjarët e shumtë të saj. “Më kujtohet”, thekson Adi, “si na përgatiste supë me lule kungulli, gjellë që bëhej e shijshme dhe kishte vlera të larta ushqimore!” Aq shumë e donte dhe e respektonte Lumturinë, Ardjani, saqë iu ndodh pranë edhe në ditët e vështira të lëngimit të saj, derisa dha shpirt.

Kujtime me vlerë më solli dhe djali tjetër; Oltioni, i cili, kur ishte adoleshent, shkonte shpesh e qëndronte gjatë, në shtëpinë e Hallës Lumturi. Në një rast, Oltioni, duke e kujtuar në pronësi të Hallës, goditi me gurë e vrau një pulë fushë të gjitonit. Nipi, me krenari, duke e paraqitur veten si nishanli, iu drejtua Lumës, me fjalët: “Pa shiko, moj Halla ime, sa i zoti e ç’nishan kam? E vrava pulën, me një gur!” “Pu, pu, pu, ç’bëre, i miri i hallës, po pula nuk është imja; ajo është e gjitonëve!” Nuk donte e paqta Lumë t’i binte në qafë njeriu.

Kur qëndroja në Krahës – rrëfen Oltioni – gjithë ditën e kaloja pranë Hallës, tek stallat e pulave. Kur Ajo linte punën e shkonte në shtëpi, kalonim nga parcela me pjeshkë, në Kamina, ku frutat “ta bënin me sy!” Si këto, kujtime të tjera vërshuan në kujtesën e djalit, por ato ngjajnë me ato të Ardjanit, me të cilin ata shkonin tek Halla, së bashku e në të njëjtën kohë.

Ky shkrim modest, i cili nuk mund të jetë pa vërejtje, përpiqet të kapë situata e çaste të veçanta të jetës së saj, dhe t’i bëjë të jenë pronë jo vetëm jona dhe e njerëzve tanë, por të marrin njohuri dhe ata që dëshirojnë të dinë më tepër.

  • I përjetshëm qoftë kujtimi i saj i ndritur!

Humori i këndshëm i Tefik Sulos

Tefiku, i dhënë pas punës dhe i preferuar në komunitetin ku bënte pjesë, me zgjuarsi dhe me pak humor nisi një lloj tregtie, me leverdi. Fillimisht, Ai e nisi tregtinë me njerëzit e Lumturisë, në Kalivaç, të cilët ishin dhe të tijtë. Mirëpo tregtia me të tijtë nuk i eci mbroth dhe Tefik Sulua u detyrua të “korrigjonte shënjestrën”; më pas u pleks me të tjerë.

Në njëfarë mënyre u vërtetua një thënie e vjetër e banorëve të Tiranës, sipas të cilës: “Me njeriun tënd, ha e pi, por dallaver (tregti) mos bëj”. Blerjen e parë e bëri nga Nelo Resmiu. Nelua ishte kushëri i afërt i Lumturisë; shtëpinë e tij në Kalivaç, Lumja e kishte “derë babe”.

Në shtëpinë e Nelos dhe në atë të vëllait të tij - Reshatit, Ajo hynte e dilte si në shtëpinë e saj dhe partohej. Nelua kishte një lopë racë, laramane, trupmadhe, pa brirë (shyte), e cila jepte shumë qumësht dhe bënte viça të shëndetshëm e të mbarë, çdo vit. Tefikut, i cili u bë baba i shumë fëmijëve dhe në familje bëheshin 8 njerëz, iu duk me leverdi kjo tregti, prandaj e bleu lopën e racës laramane, me bri të thyer.

Në Kalivaç dhe kur erdhi në kasollen e Tefik Sulos, në Krahës, lopës, meqenëse brirët i kishte të thyer, i kishin vënë emrin - Shyte. Me shaka e jo pa humor, Tefiku dhe fëmijët, kur bëhej fjalë për lopën laramane, thoshin: “A i dhatë ujë ‘hallo Shytes?’” ose: “A i keni hedhur për të ngrënë hallo Shytes?” etj. etj. Mirëpo edhe pse ishte shaka dhe e thënë për të bërë humor, Lumturisë i hipte inati e kundërshtonte. Bëri si bëri, Tefik Sulua dhe e shiti lopën laramane; në vend të saj bleu një lopë vendi, trupvogël, e cila jepte më pak qumësht dhe viça bënte çdo vit. Shkaku i vetëm i shitjes së lopës laramane ishte se ajo vërtet jepte shumë qumësht, por donte të hante tërë fushën e Krahësit.

Lopa që bleu në këmbim të së parës, kulloste atyre anëve dhe mezhdave të ugarit. Në grazhd lopës që bleu, Tefiku i hidhte ushqim radhë: hime, lëpushka, bar, kashtë, gjethe fiku e mjaft ushqime të tjera, të gjelbra e të thata. Nuk i eci tregtia e parë Tefikut, me “derën e babës” së Lumturisë, por nuk hoqi dorë nga ky lloj veprimi.

Reshati, vëlla i Nelos dhe kushëri i Lumës, kishte mbetur pa gomar. I nevojitej Reshat Resmiut kafsha e dorës, për të kryer shërbime të ndryshme, në interes të ekonomisë shtëpiake. Tefikut i kishte “ngecur” një gomar, të cilin donte ta “hiqte qafe”. Gomari i Tefikut ishte i fortë dhe ishte në gjendje të kryente lloj-lloj shërbimesh të dobishme me ngarkesë, por ishte i vjetër dhe sapo errej ngulte këmbë e nuk bënte tutje. Kishte dëgjuar Reshati, për kafshën e ngarkesës së Tefik Sulos dhe vendosi t’ia blinte gomarin kunatit, me para në dorë, por me dy këste. E pranoi Tefiku kërkesën dhe e bëri gati kafshën, për ta “shtyrë”.

Erdhi Reshati, në Krahës (Llakaj), si miku tek miku, e pa gomarin, e pëlqeu dhe u fut në pazar, me të zotin. Meqenëse ishin në rreth miqësor, në mirëbesim me njëri-tjetrin, ranë dakord që paratë të shlyheshin në dy këste.

I hipi, u kapardis mbi veshëgjatin e vajti kaluar në shtëpinë e tij, në Kalivaç. E shfrytëzoi kafshën, për të mbushur ujë, në Donije, për të mbajtur dru, në Koçimare e në Kullustra; mbajti demekë me lëpushka e me të lashta në fushë dhe kreu shërbime të tjera. Ditën, gomari ikte për bukuri, por sapo binte errësira, ngulte këmbë e nuk lëvizte, as duke e tërhequr për kapistër; as duke e goditur, me shkop vitheve. Një ditë të bukur, Reshati shaloi gomarin e vajti në shtëpinë e Tefikut, për të paraqitur ankesën se gomari që kishte blerë, nuk vështronte natën. E dëgjoi, me respekt Tefiku, ankuesin dhe, po me respekt, por jo pa humor, iu përgjigj mikut: “Po ti, mor im kunat, vizitoje gomarin tek mjeku, bliji një palë syze miopie, se është plakur; pastaj, po deshe, hipi e lexo gazetën udhës”. “E kaloi klasën” edhe kësaj here, Tefiku, por nuk hoqi dorë nga pramatitë (tregtia) me të tijtë.

Në Krahës e më gjerë, Tefik Sulua njihej si çoban esnaf. Ai ishte mjeshtër për mbarështimin e dhenve. Dhentë e Tefikut dalloheshin për së largu. Ato ishin të një dashi, të pastra, të parrjepura dhe nga një racë e preferuar. Mirëpo kooperativa bujqësore nisi hapjen e tokave të reja dhe kullotat (lëndinat) u pakësuan. I shkëmbeu dhentë me dhi, çobani Tefik Sulo, kokë për kokë (një dele, u shkëmbye me një dhi).

Shkëmbimi nuk paraqiti probleme, telashet rrodhën më pas. Vetë Tefiku u lashtua e i ranë fuqitë. Ai nuk kishte më këllqe, për të bredhur pas dhive, të cilat shëtisnin gjethe me gjethe e vareshin degë me degë.

Në këto kushte, Tefik Sulua vendosi t’i shiste dhitë e të merrej me shitjen e kaponjve të detit, që nxirrte bashkëshortja e tij. Tregtia e kaponjve të detit, aso kohe ishte punë me leverdi. Dhive të Tefikut iu bë goxha reklamë.

Ato u paraqitën si bagëti që pillnin çdo vit, nga një e nga dy keca dhe jepnin shumë qumësht. Fjala e mirë vajti në veshët e Luto Resulit, në Kalivaç, gjithashtu kushëri i Lumturisë, i cili kishte nevojë për dhi dhe kullota pranë shtëpisë së tij, në fund të Sheshit të Veldonit, ishte e përshtatshme dhe sheshit. Përralli, mbretja, ilqja, lëndët e përrallit etj., ishin me tepri, në Arat e Buta, në Kurrizin e Mbretes e gjetkë. I bleu dhitë e Tefikut - Lutua, i shpuri në Kalivaç, u ndreqi kasollen, u bëri shërbimet e nevojshme e i nxori nga dimri dhe priste rezultatin.

Por, kur bëri bilancin, në pranverë, nuk i doli siç i kishin thënë. Siç përflitej në Kalivaç e më gjerë për dhitë: “Një ngordhi; një shtiu; një mbeti shterpë vetiu”. Kështu i ngjau dhe Luto Resulit, me dhitë që bleu nga Tefik Sulua; “kaposhi u katandis një thelë”.

Mori udhën Lutua, që në pikë të mëngjesit e vajti në Bregun e Llakajve, tek Tefiku. Për të mbërritur herët në shtëpinë e Tefikut, Luto Resuli i ra për shkurt. Ai kaloi nga Margellici e nga Mali i Thanës, e doli nëpërmjet fshatit Zhulaj, tek kodra ku banojnë Llakajt. E gjeti kunatin në shtëpi. Lutua i paraqiti ankesën Tefikut se dhitë që bleu prej tij, nuk i kishin dalë, ashtu, siç i thanë. Përgjigja që mori nga Tefik Sulua ishte interesante dhe shteruese.

Tefiku i tha mikut nga Kalivaçi: “Po unë, or mik, të shita dhitë, nuk të shita edhe meranë (kullotën). Kullota mbeti atje ku ishte, në Korien e Zhulajve dhe përqark mëhallës!” U sqarua Lutua e ia mbathi nga kishte ardhur.

Tefik Sulua, nga këto tri raste nxori mësime me vlerë. Ai arriti në përfundimin logjik, sipas të cilit, tregtia me njerëzit e tu nuk para ecën. Dhe që prej asaj dite, Tefiku, të cilit nuk i kishte ecur mbarë tregtia me njerëzit e bashkëshortes, e hodhi vështrimin gjetkë. Fushë për të tregtuar e për të bërë qyfyre, në atë kohë kishte pambarim. Le të kthehemi pak mbrapa në kohë:

Më 5 mars të vitit 1953, u nda nga jeta Stalini. Gjëmë e madhe shpërtheu anë e mbanë dheut. Tefik Sulua, në atë kohë, ishte ushtar i shërbimit të detyrueshëm. Atë dhe shokët e tij, i kishin mërzitur shërbimi i rojës dhe veprimet me hap rreshtor, kudo.

Kur ndodhi gjëma, ushtarët nuk bënë shërbim roje e nuk ecën me hap rreshtor, tri ditë me radhë. I tillë ishte urdhri i komandës. Tefiku, si qyfyrexhi, në rreth të ngushtë shokësh, me këtë rast, tha: “Mbase vdes edhe ndonjë udhëheqës tjetër që të bëjmë edhe tri ditë të tjera pushim!” E dëgjoi spiuni, fërkoi duart dhe e çoi raportimin në vendin e caktuar; atje ku bëheshin spiunimet. E izoluan të gjorin Tefik, disa ditë, në dhomën e izolimit, derisa i doli inati atij që vendosi për izolimin e tij.

Kur funksiononte kooperativa bujqësore, Tefik Sulua kishte fejuar djalin e madh – Bushon dhe gëzonte se do të bëhej vjehërr. Nusen e djalit – Viton, do ta merrte në Kalivaç; atje ku ishte nip dhe dhëndër, njëkohësisht. Ekonomikisht, familja e Tefikut ishte e brishtë, si gjithë bashkëfshatarët. Për të marrë nusen, meqenëse distanca nga Kalivaçi në Krahës ishte e konsiderueshme, duhej një kamion për të transportuar dasmorët, burra e gra. Një kamion të tillë kishte vetëm kooperativa bujqësore. Tefiku, i ndodhur ngushtë, iu paraqit kryetarit të kooperativës, Avdulit, si dashamirës i familjes së tij dhe si njeri punëmbaruar.

Ai i kërkoi kryetarit t’i vinte në dispozicion kamionin e kooperativës. Avduli, me dashamirësi, i tha kooperativistit të rregullt Tefik Sulo: “Ja tek e ke kamionin dhe shoferin; gjej benzinë dhe merre!” U mendua hallexhiu dhe e nxori qyfyrin nga goja: “Shoku kryetar, unë, po të kisha benzinë, do të mbushja çakmakun tim, të cilin e kam vënë në kamare, prej disa muajsh!” Qeshi kryetari Avduli; qeshën dhe ata që ishin të pranishëm.

Si anëtar i kooperativës bujqësore, Tefik Sulua ishte i rregullt, i disiplinuar e i përkushtuar. Të gjithë kooperativistët e donin dhe e respektonin, siç dhe i donte Ai. Një ditë Tefiku na vajti me vonesë në punë. Brigadier Demiri i kishte caktuar në punëra të ndryshme anëtarët e brigadës së tij.

Ata ishin larguar nga qendra e brigadës. Kur u paraqit Tefiku, Demiri i caktoi një punë të preferuar: Të këpuste shalqinjtë e pjekur e t’i bënte tok. I pëlqeu puna Tefik Sulos e nuk tha jo. Mirëpo “heroi ynë” nuk kishte vjelë ndonjëherë shalqinj.

Ai, vërtet, ishte esnaf për mbarështimin e dhenve, por nga bostani nuk kishte njohuri. Ai e njihte shalqinin vetëm kur e çante dhe e hante. Nisi nga puna Tefiku dhe i këputi me radhë shalqinjtë; të pjekur e të papjekur. Erdhi brigadier Demiri, në fund të ditës së punës, për të marrë në dorëzim punën e Tefikut.

Kur pa se Ai kishte këputur shalqinjtë e pjekur dhe ata që nuk ishin bërë akoma, qeshi, vuri të dyja duart në kokë e i tha fajtorit: “Po çfarë ke bërë, o xhako?” Dhe i preu një fletë gjobe. Përgjigja e Tefikut dhënë brigadierit ishte shteruese.

Ai tha: “O brigadier Demiri; unë nuk i kam bërë skopi stomakut tim që më dhemb, nga do t’i bëj shalqinit?” E telendisi Lumturia, Tefikun kur mësoi “gafën” e tij.

Kooperativistëve, herë pas here, në arë, dikush nga ata që lexonin rrjedhshëm, u lexonte gazetën. Në atë kohë pak gazeta dilnin; më e preferuara ishte gazeta “Zëri i Popullit”. Një lajm i bujshëm kishte pushtuar faqet e gazetës: Kooperativa Bujqësore e Pojanit, në rrethin e Korçës, kishte prodhuar shumë grurë; ajo kishte thyer rekordin kombëtar. Njoftimin e kishte marrë Enver Hoxha, i cili, i pakënaqur me këtë arritje, ishte shprehur: “Ka akoma rezerva!” Tefiku, mes shokësh të brigadës së arave, kur mbaroi së lexuari lektori, tha: “Ai nuk ngopet, edhe sikur t’i peshosh dheun e arës!” Qeshën, nën zë ata që e dëgjuan.

Baro Sulon, Tefiku e kishte vëlla, nga i ati. Barua ishte nga ata burra të rrallë fshatarë, që nuk pinin duhan e nuk përdornin alkool. Ai pinte vetëm sherbet. Tefiku i bënte të dyja këto “prapësi”. Madje duhanin e pinte të fortë e me llullë. Një ditë, mes njerëzve të brigadës së arave, kur pa që Tefikut i nxirrte tym “oxhaku” e një re tymi i mbyste ata që rrinin pranë tij, Barua i tha vëllait: “Aman dhe ti, o Tefik, na mbyte me këtë duhan!”

E dëgjoi Tefiku e nuk e la pa përgjigje vëllanë e madh: “Si mendon ti, o im vëlla, duhanin ta lë, rakinë ta lë, të lë më mirë dhe bukën e jam në rregull pastaj!” Për ironi të fatit, Barua u nda nga jeta, kur ishte 74 vjeç; Tefiku jetoi edhe shumë vite pas tij.

Tefik Sulua nuk ishte nga ata njerëz që spekulojnë; madje e urrente spekulimin. Ai, si esnaf për rritjen e dhenve, njihej në fshat e në zonë, për sinqeritetin dhe korrektësinë që e karakterizonin, në jetë. Kooperativa bujqësore i pakësoi kullotat e dhenve, kur hapi toka të reja. I detyruar nga situata, Tefiku i këmbeu dhentë me dhi. Kullotë për dhitë, rreth bregores së Llakajve, kishte me shumicë.

Në atë kohë nuk ishte zhdukur akoma as korija e Zhulajve, me lisa të dendur. Mosha e Tefikut u rrit e fuqitë e tij ranë. Tefiku nuk bridhte dot, si më parë, pas dhive. Lumturia nxori e rriti kaponj deti, të cilët aso kohe shiteshin pa shumë mundim në anë të udhës kombëtare që të çon në Greqi. Tefiku u bënte shërbim kaponjve të detit, kur ata ishin zogj.

Ai i ushqente me mëllagë të grirë dhe me hime të njoma. Hanin ushqimin, në pëllëmbën e dorës së Tefikut, zogjtë dhe, kur mbarohej ushqimi, i çukitnin Atij pëllëmbën e dorës. Në prag të Vitit të Ri, Tefiku, me një tufë kaponjsh deti, doli në anë të udhës dhe shiti, jo keq. Shoferët grekë, kur vështronin tufën e kaponjve me lafshë të kuqe e të ngrehosur, ndalonin, për të pushuar pak; bënin dhe pazar me leverdi.

Në ato vite, shitblerja bëhej me monedhën greke drahmi. Tefiku nuk i njihte drahmitë, dhe, në ndonjë rast, ndonjë shofer i vendit fqinj i dha Tefikut monedha të falsifikuara. Zakonisht, shoferët grekë, ndodheshin në vendin ku bëhej tregtia e kaponjve të detit, në kohën kur dita ishte “thyer” e kur afrohej mugëtira.

Ata, duke parë se koha “po mblidhte” dhe kaponjtë ishin akoma të pashitur, mendonin se Tefiku, detyrimisht do t’i kthente në shtëpi, i kërkuan Atij t’u ulte çmimin. E gjeti përgjigjen mentari ynë: Ai u dëftoi shoferëve të huaj, shputat e duarve të cilat i kishte vrima-vrima e u drejtua shoferëve të huaj, me fjalët: “I shikoni këto vrima? I kam ushqyer në pëllëmbë të dorës kaponjtë, që kur kanë qenë të vegjël; ata i kanë çukitur duart e mia e ju më thoni ‘ul çmimin’”. Nuk luajti nga pozicioni i tij Tefiku dhe shoferët, deshën, s’deshën i blenë kaponjtë e detit me çmimin që u diktoi shitësi. Shoferët e huaj, siç duket i bindi “argumenti” që përdori Tefiku se kaponjtë e tij ishin të ushqyer me ullinj dhe se mishi i tyre ishte shumë i shijshëm.

Tefiku vuante nga stomaku dhe ankohej shpesh prej dhimbjes. Mjekët kompetentë kishin konkluduar se Ai vuante nga ulcera, dhe, që të shërohej, duhet të bënte një ndërhyrje kirurgjikale. Kur i kisha njohjet e nevojshme dhe mundësitë e mora Tefikun, nga Krahësi, e solla në Tiranë dhe e shtrova në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak, në pavijonin e kirurgjisë. U bënë përgatitjet paraprake për të realizuar ndërhyrjen. U caktua data kur do të kryhej operacioni dhe u përcaktua mjeku që mori përsipër ndërhyrjen.

Në parim, Tefiku ra dakord, por drojë kishte. E vështroja të menduar dhe tek tymoste dendur. Diçka bluante në kokë. Nuk i dhashë shumë rëndësi këtij fakti, nisur nga mendimi se të tillë e ka tipin Ai. Por nuk më doli profecia.

Në atë heshtje, Tefiku bënte plane dhe kërkonte rrugëdalje nga situata.

Një ditë përpara se të kryhej ndërhyrja kirurgjikale, i vajta në pavijon, për ta parë e për t’i dhënë kurajo. E njoftova se të nesërmen, në orën 09.00, Tefiku do të futej në sallën e operacionit, prandaj duhet të hynte në sallë, i pangrënë. U mora me punët e përcaktimit dhe njohjes së personelit që do të bënte të mundur kryerjen e ndërhyrjes.

Kur u ktheva në pavijon, kunati im kishte hedhur xhaketën krahëve e më tha, prerë: “Nuk do të bëhem operacion, se jam shumë mirë, nuk kam më dhimbje!” Nuk e prisja një përgjigje të tillë. Deklarata e tij befasuese më ra si bombë; “i turpëruar” e shoqërova në shtëpinë time. Të nesërmen, Tefiku zuri vend në autobusin e linjës Tiranë - Gjirokastër e u nis për në Krahës. Refuzimi i tij për t’u operuar habiti jo vetëm mua.

Mirëpo ulcera e stomakut nuk shërohet pa ndërhyrje kirurgjikale. Tefiku “u arratis” nga spitali ku do të kryhej ndërhyrja, me besimin se koha do të bënte mrekullinë, por sëmundja mbeti në trupin e tij. Atëherë, im kunat iu referua metodave të mjekësisë popullore. Dikush i tha se rakia e fortë, e pirë esëll, e shëron ulcerën. I besoi rekomandimit të mikut hallemadhi Tefik dhe, pak nga pak, e mbaroi damixhanin me rakinë e fortë që kishte mblojtur Lumja nikoqire. Rakia u mbarua e i erdhi radha damixhanit me uthull të fortë, i cili ndodhej pranë të parit.

Tefiku mori një fije kashtë thekre dhe e thithi të gjithë uthullën. Kur e pikasi Lumturia këtë paudhësi, e alarmuar, Ajo iu drejtua burrit: “Po uthullën, kush e ka pirë, o Tefik?” Tefiku, çiltërisht e pranoi fajin duke pohuar se paudhësia ishte vepër e tij.

Nuk i bënë efekt as rakia e fortë, as uthulla e rrushit, e mblojtur nga Lumja dhe Tefiku, një ditë, u drejtua tek mjeku i qendrës sanitare të Krahësit (qendër). Mjeku ishte i specialitetit patolog; me origjinë nga Minoriteti Grek në Shqipëri. Ai quhej Pelo dhe ishte mjaft i dobët, si skelet. U drejtua pacienti Tefik Sulo Llakaj, me dhimbje të padurueshme stomaku, në dhomën e mjekut. Aty gjeti ndihmësmjeken, të cilën e njihte; mjeku kishte dalë, për punët e veta, pa bluzën e bardhë të veshur. “Ulu tek ky krevati këtu, o xha Tefik”, i tha vajza e njohur, “dhe vëre xhaketën nën kokë (ky ishte mentaliteti i fshatarëve), sa të vijë doktori!”

U ul Tefiku dhe priti sa të vinte mjeku. U mërzit duke pritur dhe nuk iu durua. Ai nuk e njihte mjekun dhe nuk e vuri re futjen e tij në dhomën e vizitave. Në dhomë hyri një burrë, por ai nuk kishte veshur bluzë të bardhë si ata që shërbejnë në mjekësi. Tefiku iu drejtua vajzës nga fshati: “Po ku e ke doktorin, moj koce?” “Ja, tek e ke, o xha Tefik”, gjegji ajo dhe dëftoi me kokë të ardhurin.

E vështroi Tefiku, nga koka, tek këmbët, burrin shëndetlig, që i dëftoi infermierja, vuri buzën në gaz, me qesëndi, hodhi xhaketën krahëve e tha, duke dalë: “Ti paske mbaruar për vete, or qyq, na do me sheroc mua?” Ndodhia mori dhenë e mjeku minoritar u përgojua gjatë. Tefik Sulua nuk u shërua që nuk u shërua, por e mori ulcerën, me vete në udhën pa kthim.

Në kohën e tufëzimit të gjësë së gjallë, Lumturia dhe Tefiku, për të përballuar nevojat ushqimore të familjes, kur ata u bënë me një vatër plot me fëmijë, dhe shumë të tjerë që vinin e iknin, menduan të blinin një gic. Rritja e një derri ishte gjë e re në fshatin e lashtë të besimit mysliman. Tefiku e sistemoi gicin, në një kthinë të veçantë, tip bufari, në kasollen e dhenve. Atje i bëri dhe një koritë ku i hidhte hirrë, lëndë, mbeturina drithërash, kishte raste dhe hime e bukë. Fëmijët dhe të rriturit kujdeseshin shumë për gicin e mezi pritnin që ai të rritej. “Mysafiri” hante e nuk ndihej; ai shtonte në peshë ditë për ditë.

Gjitonët e dinin këtë gjë, por asnjeri nuk e hapte gojën.

U rrit gici e kishte më tepër oreks. Ai kishte dhe më shumë zë e protesta e tij, me hungërima, dëgjohej edhe në udhën që zbret, në anën veriore të mëhallës. Zëri i tij dëgjohej në udhën që zbriste nga bregu i Llakajve në Përroin e Krahësit. Një ditë, spiuni kaloi aty pranë dhe e dëgjoi hungërimën e derrit. U gëzua lumëmadhi për “gjahun”, fërkoi duart dhe mendoi si e ku do të jepte informacionin (lexo spiunimin). Spiuni e mbajti vrapin në këshillin e fshatit ku raportoi menjëherë.

Një ditë, kryetari i Këshillit të fshatit, i shoqëruar nga suita, me informacion të saktë, që në mëngjes, zbriti në Llakaj. Ai thirri Tefikun e i tha: “Në kasolle, ke futur e mban Beqir Ballukun; nxirre nga kasollja armikun e popullit!” Tefiku e kuptoi nëntekstin e urdhrit të kryetarit, por ia donte puna të bënte rolin e atij që nuk kupton dhe u përgjigj: “Shoku kryetar, po unë e di se Beqir Balluku është pushkatuar si armik i popullit!” Plasi gazi dhe derri kaloi në gijotinë. E pagoi “dëmin” kafsha e gjorë!

Kur në fshat funksiononte sistemi kooperativist bujqësor dhe kryesia e kooperativës bujqësore të fshatit Krahës Nr. 2 formoi bindje në ndershmërinë e çiftit: Lumturi e Tefik Llakaj, i caktoi ata të menaxhonin sektorin e pularisë. Lumja, si mjeshtre e mbarështimit të shpendëve, kujdesej për to gjithë ditën; natën bënte roje, në një kasolle të ngritur posaçërisht pranë hangarëve të pulave. Të dy shpërbleheshin, me ditë pune fikse, veç e veç dhe kjo u leverdiste të dyve, me qëllim që të shtoheshin të ardhurat e familjes bujqësore. Tefiku kishte përgatitur një shtrat, me drurë e me fier dhe mbulohej me një jorgan, të cilin e kishte marrë nga shtëpia. Sipër jorganit, Tefiku hidhte një xhup, se nata, sidomos afër mëngjesit, freskohej. Me qëllim që të përcillte natën, Tefiku pinte shumë duhan dhe të fortë.

Tashmë, duhanin e pinte me çibuk. E ngjishte fort çibukun që djegja e duhanit të fortë që mbante në një kuti alumini të vazhdonte sa më gjatë. Mirëpo, një natë na e kapiti gjumi rojën vigjilente, me çibukun në gojë, të ndezur. E zuri nën vete kur u rrotullua dhe jorgani ra në kontakt me zjarrin e duhanit që digjej. Mori zjarr jorgani e më pas xhupi dhe, kur e ndjeu Tefiku se po digjej, kishte marrë zjarr e gjithë kasollja prej shkarpash e prej kashte. Tefiku shpëtoi nga zjarri se u ngrit shpejt e ia mbathi vrapit, nëpër korijen me lisa, në atë grykë.

Kasollja ku kalonte natën Tefik Sulua u dogj plotësisht. Për fat, atë natë nuk frynte erë e flaka nuk kaloi tek hangarët e pulave dhe dëmi nuk qe aq i madh...

Në fund të vitit kalendarik, anëtarëve të kooperativës bujqësore, mbasi bëheshin llogaritë përmbledhëse, u jepej një sasi të hollash. Kooperativistët, në pritje të parave të fundvitit, ishin grumbulluar pranë zyrave të kooperativës bujqësore. Ata pritnin të vinte kryetari i kooperativës. Pritjen e tyre e theu ardhja e kryetarit Laze hipur mbi motor. Dikush nga ata që pritnin ardhjen e tij, iu drejtua me fjalët: “E, shoku kryetar, a do të na japësh gjë, sot?” Tefiku, ironinë e të cilit e pëlqenin bashkëfshatarët, mbasi u mendua pak, kruajti kokën, thithi çibukun dhe ndërhyri: “Ne e dimë që para nuk do të marrim, por, të paktën, o kryetar Lazja, na jep motorin të bëjmë nga një xhiro!”

Kaq deshën të pranishmit dhe shpërthyen në të qeshura e në ironi. Mërzitja që kishin u kaloi shpejt sapo nisi shpërndarja e parave.

Tefik Sulua mbante lidhje të ngushta miqësore me bashkëfshatarin Xhelo Qamilin. Xhelua, ashtu si Tefiku, ishte mjaft i zgjuar e i mprehtë dhe me humor të këndshëm. Buzëqeshja e tij ishte jo vetëm simpatike. Ajo dhe sytë e tij të mprehtë e të vëmendshëm shprehnin shumëçka. Të dy burrat me humorin e tyre të njohur, “i bënin iso” këngës së shoshoqit.

Ata ishin dhe në një lidhje miqësore me njëri-tjetrin dhe, kur bëheshin tok, nuk linin njeri pa stigmatizuar. Në një vaki, ishin thirrur të dy, në të shtatat e një të ndjeri. Mbasi hëngrën sa u dendën, i thanë njëri-tjetrit: “Hajde bëjmë dhe ne të shtatat tona, se për të vdekur kemi; të paktën të hamë e të ngopemi vetë, sa jemi gjallë, përse të na i hanë të tjerët të shtatat tona?”

Humorit të Tefikut nuk i shpëtoi as “ortaku” i tij i zgjedhur - Xhelo Qamili. Ndodhia është tepër gazmore dhe i përngjan një “gare” të pashpallur mes dy qyfyrexhinjve. Tefiku kishte një palo gomar plak e dembel, të cilin donte ta hiqte qafe. Gomari ishte i seksit femëror dhe familjarët e kishin “pagëzuar” me emrin - Bardha. Xhelua e kishte parë gomarin me emrin Bardha, kushedi sa herë në kamina e në Hamulla dhe nëpër mezhdat me bar.

Ai e dinte dhe qëllimin e Tefikut. Rrëzë kodrës së Llakajve, në rrugën buzë përroit, një ditë kaloi një vargan me shëtitës me ngjyrë (sarakaçanë). Ata blinin kafshë ngarkese, i stërvitnin e prapë i shisnin me çmime më të larta. Tefiku ua shiti Bardhën arixhinjve, për një dorë para. Këta, si ustallarë të këmbimit të kafshëve, e rrahën Bardhën që të merrte frikë, e pastruan dhe e zbukuruan, i vunë në kurriz, një samar të mirë dhe ngjitën fshatin përpjetë. Xhelo Qamilit i duhej një gomar; e pa Bardhën, e pëlqeu, por nuk e njohu fare dhe e bleu.

I hipi gomarit që bleu, Xhelua dhe vajti tek motra e tij, Kezja, e cila ishte martuar me Tahir Ramadanin, në Llakaj. E lidhi gomarin pas shtyllës aty pranë shtëpisë, me kapistrën e saj, dhe u ngjit tek motra, në katin e sipërm të ngrehinës, për të pirë një kafe. Sa të bënte Kezja kafenë, Xhelua dërgoi Lordin, djalin e motrës, të thërriste Tefikun, që t’i shiste mend, për gomarin që kishte blerë pa shkuar në pazar. Ndërkohë, Bardha kishte nxjerrë kapistrën nga koka dhe e kishte mbajtur vrapin në kasollen e saj, tek grazhdi ku ishte ushqyer gjatë e po hante byk. Hasimeja, nëna e Tefikut, kur vajti për t’u hedhur lopëve, në kasolle, pa Bardhën që po ushqehej e i bërtiti të birit të vinte për ta parë. U habit Tefiku, por nuk u ndie e nuk e dha veten.

Erdhi Lordi dhe e njoftoi Tefikun që të ngjitej lart, se e kërkonte Xhelo Qamili, dajoja i tij. Avash-avash, pa e prishur terezinë, Tefiku u ngjit, takoi mikun dhe bëri të paditurin. Xhelua, për t’i bërë surprizë mikut shakaxhi, doli t’i dëftonte atij çfarë gomari kishte blerë. Mirëpo lidhur pas shtyllës kishte mbetur vetëm kapistra. U habit Xhelua; por e qetësoi Tefiku, me fjalët: “Çfarë kërkon, o Xhelo vëllai? Bardha ka shpëtuar nga kapistra e është futur në kasollen time. Ajo po ha byk, në grazhdin e saj”. Atëherë Xhelua i ra kokës me grusht e tha: “Me drekat e Xhelos; po unë qorr qeshë që nuk e njoha Bardhën tënde; Po unë Bardhën tënde e kam parë ditë për ditë në Ferrën e Zallit dhe në yrtra, duke ngrënë gjembace, herë të penguar e herë të lëshuar, hergjele dhe nuk e njoha po e bleva nga arixhinjtë!” Kjo shaka mes shokësh, e fituar nga Tefiku, u përhap shpejt e mori dhenë.

Bace Ganiu ishte vëllai i Manos, bashkëshortes së Haxhi Sulos. Ai ishte dajoja i fëmijëve, të vëllait të Tefik Sulos, por ishte i sakatuar e me një dorë. Atë fundviti moti erdhi me shira e bëri shumë llohë. Mbeti gruri i pambjellë. Bacja, tredylymshin e kishte lënë për grurë dhe po të mos e mbillte, në verën e ardhshme do të mbetej pa drithë. Të përafërt e kishte situatën e mbjelljeve të vjeshtës edhe Tefik Sulua.

Dha e mori, dajo Bacja e “iu fal” gomarit që mbante në kasolle. Një ditë, nëpër shi, Ai mprehu gomarin në parmendë dhe nisi të mbillte grurin, ashtu siç ishte, me një dorë. Lumturia, të cilës nuk i shpëtonte asgjë, e pa këtë skenë e iu “përvesh” të shoqit, me fjalët: “Po ti, mor Tefik, nuk e vështron Bace Ganiun me një dorë dhe po e mbjell grurin? Ti i ke të dyja duart dhe e le grurin pa mbjellë!” U vu në sedër Tefik Sulua, priti sa e mbaroi mbjelljen e grurit miku i shtëpisë dhe i preu udhën, për shkurt, e i doli përpara.

Bacja, i lodhur e i rraskapitur, i lagur e i pangrënë, me çap të rëndë, po ngjitej drejt shtëpisë. I doli përpara Tefiku dhe e pyeti: “A e hodhe grurin, o Bace Ganiu?” “E hodha, po nëpër shi e nëpër qamet”; gjegji tjetri, pa të keq dhe priste ndonjë fjalë të mirë nga miku i shtëpisë. Tefiku, tërë nerva, “mbushi gojën”: “Mos e hëngërsh!”

Në vend që t’i thosh: “Ta hash gëzuar”, siç e kërkonte etika dhe tradita e zonës. “A je në vete, o Tefik?” i tha, i befasuar, Bacja. “Çfarë nxjerr nga goja ashtu? Unë mbolla arën time.” Tefiku, me humorin e tij të hollë, e kishte “në xhep” përgjigjen.

Ai doli nga situata, duke e “shitur” përgjegjësinë: “Po ti më ndave nga gruaja, mor i uruar; kur të pa ty që po mbillje grurë me gomar e nëpër shi, Lumturia më qesëndisi e më nxiti të rrëmbeja parmendën.” Ishin miq prej kohësh dhe nga i njëjti fshat ata e njiheshin mirë dhe e kuptonin njëri-tjetrin, edhe pa fjalë, prandaj Baces nuk i mbeti hatri.

Në shtëpinë e Lumturisë e të Tefik Sulos, si derë e Madhe e bukëdhënë, mblidheshin, përveç fëmijëve të tyre, edhe mjaft të tjerë. Dy djemtë e mëdhenj të mitë: Ardjani dhe Oltioni, atje e “kishin kokën”; Miri i Dilos; gjithashtu. Tefik Sulua mbante në shtëpi edhe nënën time dhe Danielën e Fiqretit, të cilës, Zonja e Madhe e Binajve i thoshte: Ganela.

Për të ngrënë, bënin si bënin, gjithë ajo “ushtri”, por në vapë ata, edhe pse të parritur, donin të pushonin. Tefiku, si njeri zemërmirë e tolerant, u drejtohej fëmijëve: “Hëngrët bukë? Tani fet te arra.” Në bahçe ishte një arrë e madhe e cila bënte hije për shumë njerëz. Atje, në gjirin e nënës natyrë, i orientonte të shkonin për të pushuar fëmijët, disa nga të cilët ishin bujtës.

Humori i këndshëm i Tefik Sulos njeh numra pa kufi; unë, pa pretenduar se ju kam rrëfyer rastet më të mira, me përulje e me çiltërsi, ju bëj me dije se kaq munda të rrëmoj e të qëmtoj. Të tjerë, pas meje, me siguri që do ta plotësojnë rrëfimin tim.

Epilog

Jeta e njeriut është luftë. Luftohet për të jetuar jetën. Nuk jam i pari që e theksoj këtë dhe besoj as i fundit. Çështja është: përse bëhet kjo luftë; ke ke përballë dhe sa kohë zgjat ajo. Dihet; jetët e njerëzve nuk i ngjajnë njëra-tjetrës. Jeta e motrës sonë ishte e veçantë.

Jo se ishte jona. Ajo i ngjan një furtune që nuk di të ndalet. Furtuna qe e pranishme deri në fund të jetës së saj.

Po të tentoja ta ngjishja e ta përmblidhja me pak fjalë kalvarin e jetës së saj, do të thoja se Lumja jonë ishte hallemadhe. Këtë nuk e them pa baza. Si në kohën kur ishte vajzë në Kalivaç, dhe kur erdhi nuse në Krahës, derisa u nda nga jeta, atij njeriu nuk iu sosën kusuret. Do të thotë dikush: Çdo njeri ka hallet e tij e ato nuk ngjasojnë me njëra-tjetrën. Dakord, ashtu është vërtet, por motra jonë ishte tepër e ndjeshme; Asaj nuk i shpëtonte asgjë nga vëmendja, por i përjetonte intensivisht e i merrte pranë vetes, ndodhitë rreth saj.

Gjatë kohës kur Ajo jetoi në Kalivaç, pranë prindërve dhe njerëzve të saj, Lumturia ishte tepër aktive dhe e përpjekur për t’u bërë krah i prindërve hallemëdhenj. Ajo ishte fëmija i parë dhe donte të luante rolin që i përkiste. Duke punuar e jetuar pranë dy njerëzve si ata, të dy, motra jonë “bleu” prej tyre tiparet më të mira njerëzore, si: ndershmërinë; të qenit e drejtë; bujarinë e shpirtit; mikpritjen; besnikërinë; fjalëmbajtjen; shpirtin e gjerë dhe fjalën e ëmbël; sedrën e mirë dhe përpjekjet për ta kthyer atë derë, siç kishte qenë (pritëse dhe bukëdhënë). Lumturia ishte punëmbaruar e sedërmadhe.

U martua, në Krahës, me Tefik Sulo Llakaj; hyri në një familje fisnike, me mall e me gjë. Përpjekjet e saj, me sedër të shtuar, nuk reshtën, as aty ku erdhi nuse, për ta bërë jetesën e familjes gjithnjë e më të mirë. Erdhi koha kur Ajo doli si familje më vete, së bashku me bashkëshortin Tefikun, vjehrrën Hasime dhe fëmijët, të cilët erdhën në jetë njëri pas tjetrit e u ngjanë prindërve.

Pas daljes më vete, Ajo iu përfill një pune të paparë, me sedër e me inat, për të shtuar mallin e gjënë dhe për të ndërtuar shtëpi. Në përpjekjet e saj “titanike” Lumja tërhoqi bashkëshortin e saj, Tefikun, i cili kishte tipare mjaft të mira, por që nuk ishte aq i shkathët, ndonëse nuk i linte asgjë mangut shoqes së jetës, për nga zgjuarsia dhe mirësia e shpirtit. Koha rrodhi e Lumja u moshua. Sedrën e mirë dhe inatin i kishte, por fuqitë i ranë. Pastaj iu nënshtrua ligjit të natyrës, të cilin nuk mund ta shmangë asnjeri.

Por, atë pleqëri e atë fund, motra jonë nuk e kishte hak.

Fiziku dhe tiparet

Lumturia, nga shtati, kishte ngjarë nga prindërit e saj; nga Zonjë Temja dhe nga Xhevit Malkua. Ajo ishte shtatshkurtër, por me trup mjaft të shkathët e të fortë. Lumja ishte e pakët nga shtati, por me shpirt të mirë e të pamatë, e drithëruar për njerëzit dhe flakërimë, në punë.

Me atë fytyrë bardhoshe e me sy larushë, me flokë të verdhë që anonin nga nuanca bionde, Ajo njihej si njëra nga vajzat më të zgjuara e më të shkathëta të fisit. Kur gjitonët ose gratë e fisit donin të përfundonin një punë, me ngut, shpejtonin të thërritnin Tutkën (kështu e thërrisnin me përkëdheli të sajët), e Ajo gjithmonë e gatshme u gjendej për ndihmë. Zgjuarsia e Lumturisë ishte natyrale dhe e veçantë. Ajo “i lexonte” shpejt njerëzit, por ishte skeptike (mosbesuese). Në këtë pikë, Lumja ngjante nga Babai ynë, i cili ndiqte “parimin”: “Tjetrin besoje, por krahët mos ia kthe!”

Lumturia jonë ishte Zonjë shtëpie, me pushtet e me autoritet të padiskutueshëm. Tipik në karakterin e saj ishte dhurimi pa kufi i dashurisë për njerëzit. Motra jonë i donte shumë e u falte dashuri, pa kufi si fëmijëve të saj dhe atyre të vëllezërve të saj, të cilët i shkonin shpesh e qëndronin gjatë në shtëpinë e saj.

Por ajo donte e u dhuronte shumë dashuri fëmijëve të mëhallës, të cilët vraponin pa drojë tek ajo, si zogjtë e klloçkës, duke cicëruar e me britma gëzimi se e dinin ku do të shkonin: “Lolo - o - Lolo!” e ajo u jepte një copë buke të lyer me gjalpë, me gjizë, apo me çfarë t’i ndodhej, shpesh duke e hequr edhe nga goja e fëmijëve të saj. Ata (fëmijët e gjitonëve e të mëhallës) vërtet i mbante shtëpia e tyre, por ajo që u servirte Loloja, sikur ishte tjetër, diçka e veçantë, e ëmbël, ledhatuese. Ndodhte kështu mbasi Lumturia në atë që falte, fuste shumë dashuri dhe ua jepte me gjithë shpirt. Fëmijët e gjitonëve e të mëhallës i turreshin (mblidheshin) Lumës sonë si nënës së tyre dhe gjenin tek Ajo fjalën e ëmbël dhe dashurinë, pa kufi. Shprehjet e saj dashamirëse: “Kurban nëna”; “Të marrsha të keqen nëna”; “Kurban unë për ty” etj. etj., shprehnin shumë dashuri e afërsi. Dua të theksoj se dashuria e pamatë që të falte Lumja, përveç ledhatimit, kishte brenda dhe një lloj detyrimi.

Kjo e bënte të veçantë ledhatimin e saj. Brenda dashamirësisë dhe përkëdhelisë, fëmijët gjenin jo vetëm kënaqësi, por dhe detyrimin për t’u bërë dikushi në jetë. Ajo i donte ata që përkëdhelte të bëheshin të zotë në jetë, jo të tërhiqeshin zvarrë pas të tjerëve.

Duke trashëguar nga e ëma, një tipar karakteristik të saj, Lumturia, shpesh, kur përkëdhelte, këndonte apo thurte bejte. Bejtet e saj ishin sipas objektit që kishte përpara dhe improvizoheshin aty për aty. Në dhjetëditëshin e parë të muajit shtator të vitit 2012, kur Valentina, motra e Tatjanës, do të martonte Kreshnikun (djalin e madh të saj) dhe e kishte të vështirë të niste dasmën me një valle dyshe të kënduar grash, Lumja i erdhi në ndihmë me një improvizim të tillë, në një bisedë telefonike rutinë. Motra jonë e sajoi tekstin dhe motivin, sikur të ishte profesioniste e fushës:

“... Kur kërcen sorkadheja;

Sa lezet ka valleja;

Bën e zonja: Marshallah;

O ju miq që vini e shkoni;

Marshallah dasmës i thoni;

Marshallah çiftit t’i thoni...”

“Kompozimi” i Lumturisë funksionoi, për mrekulli e u pëlqye nga dasmorët.

Meraku i saj i madh ishte të mos krijonte qejfmbetje e të mos lëndonte asnjeri. Ajo ishte bujare në shpirt dhe bujaria e saj ndihej në çdo hap. Shpirti i saj bujar dhe dashamirësia për njerëzit u shpalosën e u ngjitën më lart, tek pasardhësit e saj, të cilët i ngjajnë në këtë drejtim.

Fëmijëve të shumtë që erdhën njëri pas tjetrit dhe u rritën në ngushtësi, nëpër këmbët e njëri-tjetrit, edhe pse përjetuan kufizimet e kohës, nuk ua dëgjoi njeri zërin e ankesës; as kur ishin të uritur e të paveshur si duhet. I rriti me “thërrime” të pesë fëmijët që solli në jetë, i edukoi me tiparet më të mira që manifestonin Ajo dhe Tefik Sulua dhe i arsimoi, siç ishin kushtet dhe mundësitë, por nuk i la të pashkolluar.

Lumturia e kishte mjaft të vështirë të pajtohej me inferioritetin e fëmijëve të saj. Kur bënte krahasimin e tyre me bashkëmoshatarët, Ajo dëshironte që fëmijët e saj të qëndronin mbi nivelin dhe aftësitë e shokëve.

Shtëpia e Tefik Sulos, në Krahës, si ajo e babait të tij, vazhdoi të ishte shtëpi bukëdhënë dhe e pritur. Ajo ishte shtëpi miku dhe e kishte derën të hapur, në çdo kohë.

Motra jonë kujdesej më tepër për fëmijët e njerëzve të afërm të saj që i vinin dendur në atë shtëpi, ku gjenin ngrohtësi e bujari dhe i përcillte fjala e “ëmbël”. Ajo u kujdes për një kohë të gjatë për nënën e saj - Zonjë Temen; për fëmijët e vëllezërve dhe për ata të vajzave etj. Mund të theksoj, plot gojën, se Lumturia nuk vështronte që “vetëm tymi i oxhakut të saj të shkonte drejt”, por kujdesej edhe për fisin e për miqësinë e shtuar të asaj dere.

Siç thotë vëllai im, Dilaveri: “Edhe kur ndonjërit nga Nelajt, në Kalivaç, i dhembte dhëmballa, Lumturia do të linte çdo punë e do ta mbante vrapin në Kalivaç, për të parë atë që vuante”. Bazuar në këtë tipar të veçantë të saj, mund të them, se Lumturi Xhevitja (slogan, i cili përdoret rëndom në Kalivaç të Tepelenës për të dëftuar atësinë) mbante mbi supe, jo vetëm hallet e saj.

Bazuar në tiparet e saj të veçanta, dikur mbledhja e popullit të fshatit Krahës Nr. 2 në rrethin e Tepelenës, e zgjodhi Lumturinë anëtare të Këshillit Popullor të fshatit. Në kuvend, Asaj i dëgjohej fjala, mbasi ishte e zgjuar, e mençur, e drejtë dhe me vizion të qartë. Puna e saj, në kooperativën bujqësore, ka qenë me të vërtetë heroike.

Kur punonte në brigadën e arave, ajo kërkonte vazhdimisht punët më të vështira ku shpërblimi ishte më i lartë e nuk i ndahej pikës për ditë pune. Dikur, kryesia e kooperativës bujqësore të fshatit i besoi të kujdesej për farishtet e duhanit. Ajo, si halla e saj në Shkozë të Vlorës, Shaza, u bë mjeshtre e kultivimit të farishteve dhe e përgatitjes së fidanëve të duhanit, edhe pse kishte kryer vetëm arsimin fillor të fshatit.

Prej shumë vitesh, para se të dilte në pension pleqërie, Lumturia menaxhoi, me interesim të shtuar e me shërbim cilësor tufën e shpendëve të kooperativës bujqësore. Kryesia e kooperativës ia besoi këtë shërbim, nisur nga tiparet e qenësishme të saj, ku ndrinin besnikëria dhe ndershmëria. Për këtë vlerë të saj, çdo koment do të ishte i pavend po të mendohet se aty, malli ishte sheshit, si për sa i takon numrit të krerëve dhe prodhimit të tyre, vezëve. Ajo, kur punonte në këtë sektor delikat, edhe në shtëpi, kur pushonte, mendjen e kishte tek kotecet e pulave, me merakun se mos shpendët mbytnin njëri-tjetrin ose mos thyheshin vezët. Kryesia e kooperativës bujqësore punoi me mend që caktoi Atë dhe Tefikun, dy njerëz nga më të ndershmit në fshat e në zonë, njërën menaxhere; tjetrin rojë të sektorit me vlerë të pularisë. Nën kujdesin dhe menaxhimin e tyre, sektori ishte nga më rentabilët e kooperativës bujqësore të fshatit.

Lumturinë nuk e lodhi e nuk e rrëzoi puna sa e dërrmuan hallet që përcolli në dallgët e jetës furtunë. Asaj i ranë mbi kokë halle të rënda. Nuk qenë pa halle, të afërmit e saj, në të dy krahët; si në Kalivaç dhe në Krahës, por Lumturia i përjetonte keqas ato mbasi i merrte shumë pranë vetes. Dhimbjet e saj dhe ato të të afërmve e rrëzuan atë grua që matej me burrat e mirë, në punë e në kuvend.

Në vitet e shndërrimeve demokratike të vendit, djemtë e saj: Bushua, Astriti e më vonë Armandi, kur u krijuan mundësitë, hodhën torbën në krah e morën udhën e emigracionit, në shtetin fqinj të Jugut. Kur përcillte djemtë për udhë të gjatë e të pasigurt, me një torbë me bukë e me ndërresa, në majë të shkopit, Ajo nënë e dhimbsur ndjente një therje të fortë në gjoks, i “çahej” zemra se e dinte që ata shkonin drejt të panjohurës, i merrej fryma e i errësohej gjykimi, por mllefin që kish, nuk dinte si e kujt t’ia shfrente. Prandaj e brente përbrenda meraku për ata që mezi i rriti.

Po të hapje një torbë emigranti, pa vështirësi do të dalloje ngjeshjen e ndërresave së bashku me ushqimet për udhë. Ushqimi më rezistent në atë rrugëtim që zgjaste, pa pushim, natën e ditën, rreth 4 ditë, ishte një kulaç i gatuar me miell gruri, i pjekur në tigan, me vaj ulliri; petulla; llokume vendi, vezë të ziera, ndonjë pulë e skuqur e çfarë t’i ndodhej. Në torbë, Nëna e drithëruar, fuste, më shumë sesa tesha e ushqime, dashuri nëne, për djemtë e saj, dashuri, e cila i kalonte kufijtë e njerëzores.

Rrugëtimi 4-ditor, zakonisht kryhej natën, kur ishte errësirë, me qëllim që emigrantët të mos diktoheshin nga policia dhe nga ushtria greke që patrullonte pareshtur në zonat “e nxehta”. Djemtë e Krahësit, ashtu si djemtë e tjerë nga ajo zonë, niseshin për në emigracion, në grupe sipas fiseve, sipas mëhallëve, sipas lidhjeve miqësore dhe njohjeve vetjake. Të preferuar ishin djemtë që e njihnin udhën e malit (udhë pa udhë) dhe shtigjet e kalimit, ata që kishin kaluar një herë e ishin kthyer, pa probleme.

I përcillte Lumturia djemtë e saj, siç bënin dhe nënat e tjera, me zemër të copëtuar, por nuk mund ta largonte mendjen, për asnjë çast nga ata që mezi kishte rritur. Djemtë rrugëtonin e gjatë rrugës ndeshnin në pengesa e në vështirësi nga më të ndryshmet, por nënës së tyre, derisa të merrte njoftimin e mirë, mbi mbërritjen dhe sistemimin e djemve të saj, nuk i fliste dot njeri me gojë. Në vetmi; e pangrënë dhe e pagjumë, Ajo grua kushedi sa herë e kishte përshkuar me fantazinë e saj të zhvilluar e me merak të madh, rrugën që bënin djemtë e saj, edhe pse nuk kishte qenë asnjëherë në emigracion. Me fantazinë e saj dhe me dhimbsurinë e nënës, Lumturia, shkonte në mendje lloj-lloj situatash dhe vuante, pa shkak. Po çfarë “ndillte” ajo mendje nëne me fantazinë e saj të shfrenuar?

Disa mendime që bluante në mendje ishin: “Djali im iku nga mali, në rrugë pa rrugë, po ku e ka kaluar kufirin? Mos vallë e kanë pikasur kufitarët apo ushtarët dhe i është dashur të manovrojë duke kaluar nëpër monopate të rrezikshme, ka kapërcyer përrenj të rrëmbyeshëm e vende të thepisura? Kur lodhet, ku e si shlodhet? Mos e vrasin opingat? Mos bëhet me djersë e i thahet djersa në trup? Mos e ka kapitur gjumi e ma kapin?”

Kohët ishin të pasigurta e krimet sheshit. Jeta e një njeriu, në atë kohë, kushtonte fare pak. Nënës së gjorë, ndonëse nuk donte ta pranonte, i shkonte mendja dhe tek e keqja e madhe, të cilën e largonte nga vetja.

Kur në mëhallë apo në fshat vinte ndonjë djalë apo grup djemsh që punonin në Thive, Lumja e mbante vrapin në shtëpinë e tij dhe pa u shmallur me të tijtë, i ardhuri nga kurbeti, gjendej përballë valës së pyetjeve të Lumturisë, të cilën e respektonin për personalitetin e saj dhe për sjelljen humane të njohur. “E bombardonte”, Lumturia të ardhurin, me pyetje lloj-lloj e nuk shkulej nga shtëpia e tij pa marrë përgjigjet e pyetjeve që kishte bërë. Shpirti i saj i trazuar gjente qetësi vetëm kur i vinin djemtë e saj tek dera, kur t’i përqafonte e t’i puthte, kur t’i prekte me dorë, duke i përkëdhelur si dikur dhe kur t’u dëgjonte zërin.

Nëse dikush do të më kërkonte ta etiketoja motrën tonë me pak fjalë, do të mjaftohesha me fjalët: Lumja jonë ishte sedërmadhe, merakmadhe e punëmbaruar. Në respekt të personalitetit të saj të rrallë, mëhallalinjtë: burra, gra e fëmijë, e thërrisnin Lolo. Kjo “novkë” ka në përbërje vetëm dy tinguj të njëllojtë, por domethënien e ka të pamatë. Atë, njerëzit nuk ta japin më kot, por duhet merituar.

Ajo është respekt dhe nderim i merituar. Arrij në përfundimin se Lumja e meritonte dashurinë dhe nderimin e komunitetit, nisur dhe nga fakti se në përcjelljen e saj, jo vetëm që morën pjesë një lumë njerëzish, nga fshati, nga zona dhe nga vise të largëta të vendit, por kjo gjë vihej re në lotët dhe psherëtimat e tyre. Nuk kishe ku të hidhje kokrrën e mollës e kjo nuk është pa domethënie.

Motrën tonë e “rrëzuan” disa ndodhi fatkeqe të cilat Ajo i përjetoi dhimbshëm. Secila nga ndodhitë fatkeqe që i ranë mbi kokë pati ndikimin e saj në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore dhe në humorin e saj. Moshën nuk e kishte për të ikur (kaq shpejt), në udhën pa kthim, por jeta nuk i erdhi siç do ta dëshironte e situata që iu krijua ishte pa rrugëdalje. Po paraqes disa ndodhi tipike ku fatkeqësia qe me ndikim të fuqishëm e të drejtpërdrejtë, në qenien e saj.

Në vitin 1983, Lumturia, aksidentalisht, pësoi një goditje të fortë prapa kokës nga e cila humbi shikimin. Për kontroll e për mjekim, Ajo u shtrua në Spitalin e qytetit të Tepelenës ku qëndroi e shtruar 21 ditë. Gjatë kohës që ishte e shtruar, Lumja kishte nevojë për asistencë dhe këtë ia plotësoi Fiqreti, vajza e madhe e saj, e cila qëndroi pranë saj 21 ditë; sikur të ishte e shtruar. Së bashku me Tatjanën dhe Dilaveri me Halimenë, shkuam nga Tirana, për ta parë e për t’i dhënë kurajo motrës sonë. Rikthimi i vështrimit tek Lumturia, pas tri javësh në errësirë, solli një gëzim të paparë, për të aksidentuaren, për fëmijët dhe familjarët e saj dhe për shoqërinë e miqësinë e asaj familjeje; për të gjithë dashamirësit e saj.

Në nëntor të vitit 1999, u nda nga jeta vëllai i Tefikut - Haxhi Sulua, i cili ishte kunat i prasmë i motrës sonë; njeri i mirë e i dashur edhe për Lumturinë dhe fëmijët e saj. Ai lëngoi gjatë në shtrat, i paralizuar nga një ishemi cerebrale. Vdekja e tij hidhëroi “gurë e drurë”. Astriti, djali i dytë i Lumturisë, në atë kohë, punonte taksist, në linjën: Tiranë - Athinë.

Në një rrugëtim rutinë, në fshatin Rrapëz të rrethit të Lushnjes, rreth orës 04oo, në një mot me mjegull të dendur dhe kur akoma nuk kishte rënë dita, u përplas me një traktor që doli befasisht nga rruga dytësore e fshatit ku aksidentoi dy njerëz. Për fat të mirë, asnjeri prej të aksidentuarve nuk humbi jetën. Astritin e ndaluan dhe e dërguan në paraburgim. Meraku për fatin e mëtejshëm të të birit, derisa i erdhi në shtëpi, e dërrmoi Lumturinë.

Tronditje të thellë pësoi motra jonë më 3 dhjetor të vitit 2003; kur djali i Bushos, Elidioni, 14 vjeç, u aksidentua me vdekje, nga një furgon taksi me targa të Përmetit, në mesditë, kur po kthehej nga shkolla, sapo zbriti nga autobusi që transportonte nxënësit. Aksidenti i rëndë ngjau, në rrugën nacionale automobilistike, përballë shtëpisë së Bushos. Gjëmë e madhe, me përmasa të papara hidhërimi ngjau atë ditë. Lumja, si gjyshe e djalit të aksidentuar, u trondit thellë nga ngjarja dhe e përjetoi me shumë dhimbje atë.

Merakmadhja sedërlije i rriti e i veseliti të pesë fëmijët që solli në jetë (tre djem e dy vajza), me “thërrime”. Lumturia dhe Tefiku, të përkushtuar si ata, me sakrifica të panumërta, shpesh duke shtrënguar rripin, i shkolluan fëmijët, sa e si mundën, sipas kushteve të kohës dhe u gëzuan në dasmat e tyre. Edhe në çështjen e përzgjedhjes së krushqisë spikatën zgjuarsia dhe mençuria e dy bashkëshortëve fatlumë. Ata u kujdesën të mos shkelnin traditën dhe krushqitë e reja, për shkaqe që dihen, të mos bëheshin larg e familjet respektive të ishin të denja për derën e tyre fisnike. Bushua, “kafshita e parë”, e mori nusen në fshatin fqinj, në Kalivaç të Tepelenës, kështu që Ai, në fshatin ku ishte nip, u bë dhe dhëndër. Njëlloj si babai i tij – Tefiku. Fiqreti u martua në Gadurovë të rrethit të Fierit, fshat, i cili nuk është më larg se 90 minuta, në këmbë, nga Llakajt. Astriti e mori nusen në Fratar, në një distancë pushke. Armandi e mori nusen në Levan të Beratit dhe vetëm Mimoza u martua përtej lumit të Vjosës, në fshatin Golimbas, në një familje fisnike; brenda rrethit miqësor.

Të pesë fëmijët e Lumturisë e të Tefikut, si pinjollë të atyre çikë prindërve, kanë ngjarë prej tyre e janë bërë dikushi. Ata shquhen mes të tjerëve. Të gjithë janë “të përpjekur” e punëmbaruar. Bushua, në trojet e paraardhësve, me shumë mund e djersë, ka ndërtuar një goxha vilë, prej guri të bardhë, të skalitur dhe rreth saj, ka krijuar një “çiflig”. Punimet e ndërtimit të kësaj ngrehine u shtrinë në vitet 1994 - 1998; familja e tij hyri në shtëpinë e re, në Ditën e Verës së vitit 1998. Astriti dhe Armandi, me fitimet nga puna në emigracion, blenë tokë, në vitin 1998 dhe, mbi truallin e blerë, ngritën, në vitin 2007, një vilë trekatëshe, në fshatin Sauk, në rrethina të Tiranës.

Fiqreti ka zënë Fierin, kurse Mimoza e ka shpërngulur “selinë” në ishullin Samos të Greqisë. Atje, në emigracion ekonomik, së bashku me bashkëshortin e saj, Nazifin dhe me dy djemtë si dy yje, Ajo ka ngritur një ekonomi familjare të begatë. Të gjithë fëmijët e çiftit Lumturi e Tefik Llakaj jetojnë me fëmijët e tyre, janë me shtëpi e me katandi; jetojnë me djersën e ballit e i falen punës së tyre.

Lumturia, me tipin e ndjeshëm e të dhimbsur, edhe kur fëmijët e saj nisën jetë të pavarur, kur ata formuan familje më vete, kërkonte t’i kishte të gjithë tok; t’i vështronte, t’i prekte, t’i përkëdhelte e t’i monitoronte. Madje, kjo gjë shtrihej edhe tek pinjollët e fëmijëve të barkut të saj. Besoj se nuk e teproj po të them se motra jonë i përngjante asaj klloçkës që kërkon t’i ketë zogjtë gjithnjë zogj e t’i mbështjellë me krahët e saj.

Prandaj, edhe në vitet e fundit të jetës së saj, sa kohë ishte me këmbë e me dorë nuk qëndronte dot shumë kohë tek asnjeri nga fëmijët. Kur ishte tek Bushua dhe kishte përpara Atë dhe fëmijët e tij, merakun e zhvendoste në Sauk, tek dy djemtë e tjerë. Të kundërtën bënte kur ishte në Sauk e me radhë. Qëndresën më të gjatë e bënte tek e bija, Fiqreti, në Fier, e cila edhe pse në ngushtësi ekonomike dhe me sipërfaqe të kufizuar banimi, kujdesej shumë për Nënën e saj. Tek Moza, në Samos, Lumja nuk arrinte dot, edhe pse qejfi ia kishte. Distanca, viza, peripecitë e rrugëtimit të gjatë, pjesërisht me makinë e një pjesë të udhës me mjet lundrues ia vështirësonin shumë vajtjen tek ajo.

Lumturisë “i ra lotaria” t’i përcillte ditët e fundit të jetës e “të shuhej” në Krahës të Tepelenës, në shtëpinë e djalit të madh, të saj, Sulos, të cilin e kishte shumë për zemër dhe e dëgjonte shumë, më 06 shtator të vitit 2018, në orën 04.oo. “Lotaria” që i ra motrës sonë ishte e rëndë e i kushtoi jetën. Ndoshta nuk e meritonte atë fund, ai njeri i rrallë. Po të ndodhej në rrethina të Tiranës apo në afërsi të saj, ku mjetet e veçanta të ndërhyrjes së specializuar dhe personeli që i shfrytëzon ato të ishin të mundshëm, rikuperimi i saj pas goditjes cerebrale, mund të ishte më i mundur dhe mund ta kishte shtyrë edhe ca, kohën e jetës e të lëngimit. Ajo u “fik” brenda 9 ditësh dhe më e keqja ishte se, në Krahës, në ato kushte, kur mjekësia është në nivelet që njihen, mundësitë për t’i ardhur në ndihmë një të sëmuri të kësaj natyre janë të pamundura, ishte në fatin e saj të keq ta mbyllte kaq shpejt jetën, duke lënë pas një emër e mbresa të mira, por dhe shumë brengë e dhimbje.

Le të jetë ky shkrim që evokon jetën e saj, një lapidar, për ta kujtuar e për të mos e harruar njeriun e mirë, i cili nxirrte nga goja “mjaltë” e punonte sa për shtatë!

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj; vëlla i Lumturisë. Shkruar në Tiranë, gjatë muajve janar–shkurt 2019