Nuk di sa e lashtë është mundja me dema në Spanjë, por, si është zhvilluar në fshatin tim, këtë e di mirë dhe e kam përjetuar. Kur isha ende fëmijë, në stinën e thatë, e “shuanim” vapën në ujërat e freskëta e të pastra të Vjosës. Më të thekurit, si Ferriku i xha Azizit; Tahiri i Muharrem Hasanit; Gjonleka i Çeço Ahmetit; Tahiri i Memes e mjaft të tjerë, zinin dhe ndonjë peshk. Vende të preferuara ishin: Sheshi i Donijes, poshtë lundrës, zgjerimi i shtratit të lumit përballë burimit Zborak, Fundi i Jorgave etj. Në zallin e lumit, vende-vende kishte kum e ne shtriheshim për të bërë banjo dielli.

Por loja më e pëlqyer ishte borrocitja e demave. Xha Ahmeti kishte një ka; të cilin e quanin Arap, i cili ishte mjaft i fortë; një Arap të tillë kishte dhe xha Musai; Çeço Sherifi kishte dy qe të fortë: Sorranin dhe Verdhanin.

I çonim për të pirë ujë, në lumë dhe i linim në kum, për të vapuar. Çdo ka, kishte një shoqërues. Të tillë ishin: Remziu për Arapin e xha Musait; Gjonleka, për Arapin e Çeço Ahmetit dhe Muhamet Demiri, për dy qetë e Çeço Sherifit.

Me nxitjen tonë, qetë merrnin vrull e përplaseshin kokë me kokë. Më i forti e prapste më të dobëtin e dilte fitimtar. Bënim tifo për demin e preferuar.

Një ditë, në garë u fut një ka plak. Ai kishte inatin e dikurshëm por takat nuk kishte. Ishte rreth 25 bukësh e ndodhej pranë “zonës së rreptësisë”. Mori vrull e u përplas me një dem, por nuk i mbanin këllqet e u gjunjëzua. Veç ta vështroje si ngrinte kum, me thundër e rënkonte: Mu-mu-mu.

Na vinte keq për të, sikur të ishte njeri. Rënkimin e tij e merrnim si ankesë për vitet që kishte mbi supe e na dukej sikur thoshte: “Mos më vështroni tani që jam plak, por kur isha i ri, çoç kam bërë edhe unë”.