Banorët e Kalivaçit e duan sportin dhe e kanë ushtruar atë, që kur janë ngulur në atë fshat të bekuar. Kalivaçasit janë ushtruar në sporte të ndryshme vazhdimisht, sipas prirjeve dhe mundësive. Ky përfundim logjik, nuk është pjellë e një fantazie të sëmurë por një realitet i cili, zhvillohet përditë e në sytë e gjithkujt.
Për shkak të pozicionit gjeografik të favorizuar nga natyra, ecja (marshimi) ka qenë njëri nga sportet që është ushtruar në çdo kohë dhe nga të gjithë banorët. Ndodhja e Kalivaçit larg qyteteve ku zhvillohej tregti, ka determinuar nisjen e bashkëfshatarëve, në vetmi apo në grupe, për të mbërritur, në këmbë, apo mbi kafshë në qytetet e dëshiruara.
Kam mendimin që ushtrimin e sporteve mos ta kufizojmë vetëm tek loja e futbollit, e cila është më e preferuara dhe më masivja, tek banorët e Kalivaçit, si tek ata të trevës sonë. vijon...
Vijon... Kam mendimin se kufizimi i gjësë, vetëm tek futbolli, sido që ai është sport i dashur, në veçanti për të rinjtë, është spekulim me prirjet dhe dëshirat e bashkëfshatarëve tanë. Të ecësh në këmbë, apo mbi kafshë, nga Kalivaçi, në qytetet më të afërta, për të tregtuar produktet që bën ara, apo ato që kanë për origjinë blegtorinë, udhë, e cila, dikur i merrte kalivaçasit deri 6 orë (deri në Tepelenë); rreth 10 orë, deri në Këlcyrë; për të shitur apo për të blerë, bagëti të imëta, gjedhe, e kafshë pune e prodhimi; udha për në Berat, e cila, gjithashtu zgjaste rreth 10 orë, për të blerë stofra e bojëra; rruga për në Janinë, e cila zgjat më shumë, ku blinin zile, këmborë, cyla e fyej metalikë, rruga për në Vlorë (rreth 10 orë) për të blerë sherqe, guna, stofra e kostume për nuse e dhëndurë; vajtja në Fier, për të tregtuar bagëti e për të blerë drithë etj. të cilat janë distanca të mëdha e mjaft të lodhshme, a nuk janë sporte? vijon...
Vijon... Një fshatar, i cili punon në arë, gjithë ditën e Perëndisë, bën punë të rëndë e me krahë. Hera -herës, ai çan tokën me një parmendë druri apo me një plug, metalik. Kur rriten bimët prashitëse, i prashit e i rrallon dhe i ujit ato; graminacet i rrallon, pastaj i korr, i lidh, i shpie pranë lëmit, ku i shin, i hedh në veri, ndan kashtën nga kokrrat, vë mullare çon prodhimin e ri, në hambar. Të gjitha këto dhe veprime të tjera të nevojshme, janë punë të mirëfillta fizike e mund të klasifikohen si veprimtari fizkulturore- sportive.
Disa djem të shkathët nga Kalivaçi si: Sabri Sulo Sulaj; Ferrik Azis Alidervishaj dhe babai i tij, Azisi; Nuri Hamza Mehmetaj; Sadik Muharrem Nelaj; Qamil Ali Mahmutaj etj. kanë qenë notarë të shquar. Disa syresh kanë qenë dhe peshkatarë, të cilët peshkonin me grep apo me kosh, madje dhe me mjete të ndaluara. Qenia pranë lumit ujëplotë të Vjosës, e Kalivaçit ka favorizuar notimin; peshkimin dhe lundrimin e bashkëfshatarëve tanë. vijon...
vijon... Dikur, në Kalivaç ekzistonin pyje të dendura, me drurë të ndryshëm, ku dominonin përralli dhe kocimarja. Fusha dhe Zezani ishin të pasura në konopicë etj. Fusha prodhonte drithëra buke dhe të tjera prodhime bujqësore; pyjet ishin të pasura me drurë dhe me lëndë, për bagëtitë. Fakti që në Kalivaç ka pasur dhe ullinj, të shumtë dhe Shkëmbi i Ylynecit, të cilët ishin vendstrehim i sigurt për kafshët dhe shpendët e egra.
Ndër kafshët e egra të pyllit, mund të përmendim ujkun; derrin e egër; çakallin; dhelprën, lepurin e egër dhe shpendë të egra të llojeve të ndryshme. Ndër shpendët e egra të pyllit më tepër popullim kishte nga skifteri, larashi, bufi; kukumjaçka, gjeraqina etj. etj. Pëllumbi i egër, më tepër strehohej në Shkëmbi i Ylynecit.
Prania e ujërave të shumta të lumit dhe rrëmbave, dhe fusha e pasur me ushqim për kafshët e shpendët, përbënte shtrat të ngrohtë për kafshët e egra dhe shpendët e së njëjtës natyrë dhe ishte një favor për gjuetarët dhe peshkatarët. vijon...
vijon... Nuk mund të nënçmohen gjuetarët nga Kalivaçi i Tepelenës, si ata të specializuarit si Abedin Kahreman Haderaj dhe i biri- Shyqyriu; Veterani atdhetar Sulo Beqir Sulaj etj. ashtu dhe gjuetarët amatorë, të cilët kanë qenë e janë të shumtë, në të gjitha mëhallët.
Nga të gjitha këto, një lodër e dashur dhe mjaft e përhapur, sidomos për të rinjtë, ka qenë e mbetet futbolli. Futbollin, të rinjtë nga Kalivaçi e kanë luajtur herët, në kohë e në rrethana e me mjete alternative.
Zhvillim më të madh, kjo lojë popullore njohu në vitet e kolektivizimit të bujqësisë e cila përbën një kohë relativisht të gjatë. Në vitet që përmenda, sportet, mes tyre dhe futbolli, ishin më të organizuara e më të drejtuara.
Fillimisht u luajt me topa të bërë vetë; me lecka të ngjeshura apo me topa të vegjël, si topa golfi, të bërë me leshin e gjedhit, të lyer me pështymë e të ngjeshur mirë. Më vonë dolën në skenë topat e llastikut, të dimensioneve të ndryshme e së fundmi topat ekzistues. vijon...
vijon... Lodra e futbollit, në Kalivaç të Tepelenës, por jo vetëm, është luajtur në fusha me përmasa të vogla, në lëndina disi të rrafshëta, në sheshe publike si Veldoni, në Ahmetaj; tek Bregu në Hysodosaj; në ndonjë ranishte të përshtatshme në shtratin e Vjosës; tek koçekët në Bozanaj e ku të mundnin djemtë e pasionuar. Luhej më tepër zbathur, me opinga të sajuara e të kapura me tela, të cilët t’i bënin faqet e brendshme të këmbëve me gjak etj. Rrallë, shumë të rrallë ishin djemtë që luanin me atlete apo me këpucë futbolli.
Portat, më tepër ishin në fantazinë e lojtarëve dhe të atyre pak spektatorëve, edhe ato pak porta që ekzistonin, ishin prej shujesh ose me përmasa të vogla. Loja e futbollit, i ngjante më tepër një loje me dy porta, pa arbiter e pa vizime, pa trajnerë e pa standarde.
Kalivaçasit kanë luajtur futboll me sedër e me inat dhe të ushqyer sipas mundësive të familjeve të tyre. Megjithatë luanin dhe jo keq. Vijon...
Vijon... Në kohë të ndryshme, janë shquar si futbollistë mjaft djem kalivaças, të cilët, për shkaqe që njihen nuk mund të përmenden të gjithë. Emër në futbollin e fshatit tonë, dhe mbresa të pashlyera ka lënë djali i shkathët, trim e tepër rezistent, i talentuari Ferrik Cano Haderaj, i cili shquhej për shpirt luftarak, më tepër se në përdorimin e topit.
Në kohën e rinisë, lojtar i shkathët e jetëgjatë në futboll, ka qenë Ferrik Azis Alidervishaj, i cili ishte tepër elegant në lojë dhe drejtonte ekipin e futbollit të Kalivaçit. Ai, në rolin e qendërsulmuesit, kishte përdorim të mirë të topit dhe gjuajtje të fortë.
Në një periudhë të gjatë, ka luajtur në portë, Nelo Resmi Nelaj, i cili ishte dhe trajner i ekipit të futbollit të fshatit tonë. Portier me emër ka qenë dhe Tahir Muharrem Nelaj, i cili shquhej për shkëputje nga toka dhe luante në çdo pozicion. Vëllai i tij, Skënderi, gjithashtu ishte portier cilësor; madje për një farë kohe ka qenë dhe gardian i portës së ekipit të Kombinatit të Tekstileve “Stalin” që luante në kategorinë e parë.
Nuk mund të mohohet roli i bashkëfshatarit Mahmut Hysen Alidervishaj, fans i të madhit Panajot Pano, i cili, me këmbët e gjata e me krahët e gjatë, nuk lejonte prekjen e rrjetës dhe ishte i pakapshëm në sulm. vijon...
Vijon... Portier i mirë ka qenë dhe Arshi Novruz Zenelej, etj.
Në vitet '60-'70 të shekullit të kaluar, Kalivaçi kishte një ekip futbolli të lavdërueshëm. Djemtë që merrnin pjesë në atë ekip, ishin të fortë fizikisht, inatçorë dhe të fandaksur pas futbollit.
Në këtë ekip bënin pjesë: Arshi Azbi Xhaferaj; Sami Mehmet Nelaj; Dero Muharrem Deraj; Dilaver Xhevit Nelaj, me nofkën “Kokëziu” i cili luante e gjuante fort dhe shënonte. Bukur luante dhe Selfo Sabri Dosti; Kamber Sabri Dosti; Nuri Hamza Mehmetaj; Nelo Resmi Nelaj; Ferrik Azis Alidervishaj; Arshi Novruz Zenelaj dhe vëllai i tij - Dilaveri; Gëzim Breshan Bejomalaj (Nelaj); Skënder Fejzo Xhaferaj etj.
Ky ekip ndeshej me skuadrat e futbollit të fshatrave: Shkozë; Çorrush; Qesqarat; Krahës etj. Ekipi i Shkozës fitonte zakonisht. Kalivaçasit, për humbjen fajësonin disa arsimtarë që ishin aktivizuar me ekipe të ndryshme të qytetit të Vlorës. Edhe ekipi i futbollit i Çorrushit, fitonte shpesh, mbasi kishte lojtarë cilësorë; me Qesaratin alternoheshin kurse Krahësin e “kishin në xhep”.Vijon...
vijon... Mos t'u hamë hakun, disa djem nga Kalivaçi janë aktivizuar në futboll me ekipe të rëndësishme e me emër. Zylfo Hamit Pashaj, ka luajtur futboll me ekipin e klubit sportiv të “Partizanit”. Kalivaçasi Bilal Adem Malaj, ka luajtur futboll cilësor dhe është aktivizuar në ekipe vendase të rrethit të Fierit; Kamber Sabri Dosti, ka luajtur me ekipin e Progonatit; Arshi Sulo Sulaj, ka qenë jo vetëm mësues fizkulture; i biri i Maksim Haderit, luan futboll e premton, si i talentuar ngjitje të shpejtë në futboll. etj.
Në organizimin e skuadrës së futbollit të fshatit Kalivaç, nuk mund të liheshin jashtë listës dhe disa arsimtarë të talentuar si Jorgo Stambollsi, nga Gjirokastra; Osman Azizi, nga Vlora dhe bashkëqytetasi i tij- Sulçe Çela; Dhimigjoka, nga Piqerasi etj.
Ndihem keq kur mësoj se në Kalivaçin tim të dashur, në shkollën nëntëvjeçare, e cila ka qenë vatër e futbollit, djemtë që luajnë futboll nuk arrijnë të formojnë një ekip. Le të shpresojmë se spiralja e ngjitjes do të rikthehet dhe përgjumja e gjatë do të marrë fund edhe sa i takon lojës së futbollit.
Fund!

Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.