(një ndodhi e rrallë dhe e vërtetë)

E kam mblojtur (ruajtur) gjatë, në zemër (më tepër se 65 vjet) e nuk guxoja ta bëja publike. Mos ma kërkoni psenë, ju lutem; ndoshta tani erdhi vakti (koha) për ta bërë këtë. Gjene, gjykojeni vetë; unë ju siguroj se ajo ka ngjarë, siç do t’ua rrëfej:

Ishte viti i largët 1953; më saktë, po përcillja pranverën e freskët të atij viti. Në Tepelenë vijoja mësimet, në klasën e pestë të shkollës shtatëvjeçare, me bursë të plotë shteti. Kisha përfunduar, me të gjitha pesa (ishte shkalla më e lartë e vlerësimit), shkollën fillore të Kalivaçit. Familja ime ishte nga më të vobegtat (të varfrat) në fshat. Nisur nga këto dy kritere dhe nga garancitë politike, pushteti vendor vuri „dorën në zemër“ e më akordoi bursë shteti.

Në konvikt, na mbanin si „ujët e pakët“ edhe pse vendi përjetonte një krizë të paparë, në veçanti sa i takon të ushqyerit. Sistemi i triskëtimit shtrihej në të gjithë vendin e prekte çdo fushë. Në treg ekzistonin dy lloje dyqanesh: njëri me triska; tjetri – „i lirë“.

Në tregun pa triska, çmimet e artikujve ishin mjaft të larta. Fukarenjtë nuk i afroheshin dot këtij „tregu“, mbasi nuk i përballonin dot çmimet. Neve konviktorëve na trajtonin si punëtorë e na kishin pajisur me triska veshmbathjeje. Artikujt e tjerë na i siguronte shteti, në konvikt. Fshatarët nuk përfitonin nga kjo, mbasi ata kishin tokë e gjë të gjallë. Basmet dhe veshmbathjet gjendeshin me vështirësi e ishin të rralla, në treg.

Më të vështirë e kishin vajzat dhe djemtë e moshës për t’u çiftosur që ishin nga fshati.

Një ditë, në orët e fundit të mësimit tek shkolla e Murat Kociut (ndjesë pastë), i cili ishte i vetmi mësues nga rrethi i Tepelenës e këmbëngulte që të mësonim mirë (në atë kohë, në shkollën tonë dominonin mësuesit nga Elbasani e ata nga Gjirokastra), një shok imi i klasës më njoftoi se, në oborrin e shkollës, më kërkonte, me emër, një djalë. Dola me shpejtësi nga klasa e u vura në kërkim të atij që më kërkonte. Po rrekesha të pikasja ndonjë njeri të ardhur nga Kalivaçi, për të bërë pazar e që mund të kishte ndonjë porosi (më shumë prisja, ca fije petulla, ndonjë llokume, ndonjë varg me fiq apo ndonjë grusht me arrore, të dërguar nga nëna), për mua.

Në oborr qëndronte, i veçuar, një djalë azgan e bojalli. Ai ishte i lartë mbi shtatin mesatar të burrave të trevës; kish vështrim skifteri; ishte i veshur sikur të shkonte mik; me rroba shajaku (xhaketë e qillota) të reja e sterrë të zeza. Në këmbë kishte mbathur opinga meshini bojë kafe, e një palë çorape leshi, si rrobat që kish në shtat. Nuk kishte kapele (djemtë e asaj kohe, para se të martoheshin, nuk mbanin kapele në kokë); cukat (flokët mbi ballë siç i mbanin djemtë çapkënë) i mbulonin sytë e bukur. Nga e hapura e xhaketës, e cila i rrinte e lirë, gjë që dëftonte se nuk ishte prerë për të, pikasa një bluzë, të ngjashme me një jelek, prej leshi, të bardhë, të punuar me dorë, me disa lulka e me vrima. Këmisha ishte e bardhë borë, pa jakë.

Nuk e njihja, ndonëse më kërkoi me emër. As ai nuk më njihte fizikisht. Me drojë e me kuriozitetin e fëmijës, iu afrova ngadalë. Djali e kuptoi drojën time dhe, me iniciativë, si më i rritur, më foli i pari. Pyetjes së tij, nëse unë isha Niazi Xheviti nga Kalivaçi, iu përgjigja pozitivisht. Siç kuptova, dhe ai nuk më kish parë ndonjëherë.

E mori fjalën i pari. „Çoç jemi ne të dy, – tha ai. – Familjet tona janë në miqësi të lashtë me njëra-tjetrën.“ Se çfarë miqësie, këtë nuk e kujtoj dot, as pas kaq vitesh. Më tha emrin: B. Xh. e më sugjeroi të merrja leje e të shkoja pas tij. Ashtu bëra. I mora leje mësues Odises (Odise Zhupa), mbasi iu përgjigja pyetjeve që më bëri dhe porosisë së tij për të shkuar në mensë, për drekë, u ktheva tek i panjohuri.

Ai më kapi për dorë dhe miqësisht, më shpuri tek i vetmi klub (lokal) që ishte në ato vite në Tepelenë, i cili ndodhej në rreshtin e dyqaneve, në katin e parë të godinës dykatëshe, përballë Postë Telegrafe Telefonit, në rrugën qendrore, e cila niste nga Rrapi e përfundonte tek agjencia. Nga sa mbaj mend, ky klub miks ishte në pronësi të Shehut të ashpër të Bences. Aty, të varurit nga alkooli, shtroheshin me orë të tëra e lokali kundërmonte erë alkooli.

Miku i panjohur me emrin B. Xh., sapo u ulëm në një tavolinë bosh, më tha: „Babanë tim e kanë pushkatuar!“ Dhe më rrëfeu ngjarjen, si vijon: „Në fshatin tim, me burim thashethemet me motiv të dobët, u bë një sherr i madh, i cili përfundoi me masakër në të cilën humbën disa jetë njerëzish. Babanë e shpallën fajtor, e dënuan me dënim kapital dhe e pushkatuan“. Nuk di përse ma bëri këtë hyrje mua që, në atë kohë, nuk dija shumë gjëra nga jeta. Dhe, fill pas hyrjes, e cila, për hir të së vërtetës, më tronditi, si për të më qetësuar, më rrëfeu qëllimin e ardhjes. „Dua të bëhem çift, – tha djali. – I kam vënë syrin një ‘mëshqerre’, e cila është vajzë për kokën e vajzës e dua ta marr për grua.

Mirëpo, në këto kohë është shumë e vështirë të gjesh rroba dhe kam dëgjuar se ju konviktorëve ju japin triska veshmbathjeje“. „Ashtu është“, pohova menjëherë. Triskën e kisha të plotë, e nxora nga xhepi dhe, pa hezitim, ia drejtova djalit.

Ai e mori me kënaqësi dhe më falënderoi për mirësinë që i bëra. Kënaqësinë e tij e pashë në sytë që ndrinin; nga fakti që do të martohej apo nga gëzimi se gjeti triskën që i duhej. Pasuan qerasjet. Atë ditë hëngra ingranazhe (ca kulaçka, me miell gruri, me sodë buke, me gjalpë e me sheqer dhe me ca dhëmbëza); si dhe disa të prera hallvash të presuara, të cilat i përgatiste Nazmiu i Pajajve dhe një Kadri Kotroshi, nga Gjirokastra, të cilët e kishin punishten tek përroi, përballë barangës së opingarit Resmi.

Ajo që më tundoi tej mase e më bëri të rrëqethem, ndjesi e cila më kaplon edhe pas kaq vitesh, është rrëfimi i djalit me çullufe të lëshuara, kur e pyeta, pa dashur ta lëndoj, për ndryshimin e dukshëm, mes xhaketës së re fringo dhe qillotave të mbajtura. B. Xh. ia nisi rrëfimit si me përtesë, sikur po ngjitej në malin mbi fshat, për të vajtur në stanin ku ndodheshin dhitë e tij. „Pas masakrës që ngjau në fshatin tim, – tha djali, – u bënë disa arrestime, midis tyre ishte dhe babai im. Gjykata vendosi dënimin e tim eti me pushkatim. Asnjë instancë më e lartë gjyqësore, as Presidiumi i Kuvendit Popullor, i cili kish kompetencën e faljes, nuk e ndryshoi vendimin.

Në të gdhirë të një nate me shi, babanë e vendosën përballë skuadrës pushkatare. Pritej komanda e oficerit që drejtonte pushkatimin që plumbat të shponin tej për tej trupin e tim eti e ai të jepte shpirt. Sipas rregullave të kohës, drejtuesi i këtij veprimi makabër, iu drejtua me ashpërsi babait, me fjalët: ‘I pandehur, thuaj dëshirën e fundit!’“ Siç më rrëfeu i biri, „Babai i dënuar me kapital, Xh. G., përballë skuadrës pushkatare e kish të qartë se, pas disa sekondash, plumbat e ftohtë do të shponin trupin e tij dhe, për rrjedhojë, xhaketa e re do të bëhej vrima-vrima e do të lerosej nga gjaku; vështroi drejtuesin në sy, me urrejtjen që do të vështronte një bishë kur ajo binte në vathën e dhive që mbarështonte, mori frymë thellë, lëshoi një ofshamë, me sytë nga qielli, sikur do të shqiptonte lutjen: ‘Më marrsh hakun, o Perëndi!’ Pastaj hoqi xhaketën nga krahët, e palosi me dysh e ia dorëzoi inkuizitorit duke e shoqëruar me fjalët, të cilat i dëgjova për herë të parë në jetë: ‘Shpjerjani xhaketën djalit se është i parritur e i paveslitur e mund të ftohet, në stan.

Po ta shpojnë plumbat e të pelyret nga gjaku, ai nuk mund ta mbajë!’ Këto ishin fjalët e fundit të babait, të cilit nuk i mësova as varrin, ndonëse xhaketën e tij ma prunë“. Para se të bënte frymëmarrjen e fundit, burri lëshoi vetëm një „Ah…“ me sytë nga qielli, si të protestonte në vetmi në atë çast kritik për jetën e tij dhe si shpresë se dikush, jashtë tij, do të hakmerrej për atë që u bë shkak i vërtetë i kasaphanes që ngjau.

E kam menduar thellë e jo një herë, por nuk arrij të qartësohem. Çfarë të jetë ky veprim i një fshatari të pashkollë, i cili, që kur e mbante mend veten, pas bravareve bridhte? Ndonjëri mundet t’i bjerë shkurt e të thotë: „Një amanet ishte dhe kaq!“

Kur e gjykoj thellë e me mendje të ftohtë, them: mund të mos jetë plotësisht ashtu. Vërtet kemi të bëjmë me një amanet, por si veprim human shkon më tej. Esenca e këtij veprimi mund të jetë: një baba i ndjeshëm kujdeset për birin e paarrirë edhe në çastet e fundit të jetës. Është qartazi makabritet që ngjall tronditje të thellë, kur e dëgjon, po ai që e përjetoi këtë makabritet, ishte tokësor apo qiellor? Pra, nuk kemi të bëjmë me një veprim të thjeshtë njerëzor, por me një veprim hyjnor të pazakontë. E quaj rast, për të vetmen arsye se nuk ngjan shpesh, por, brenda tij ka një mesazh të fortë qiellor: babait viktimë, as që i shkon mendja tek jeta e tij që do të pritet pas disa sekondash, por mendon për djalin e shpirtit, për të ardhmen e tij, për atë që duhet ruajtur nga çdo rrezik, se i takon të jetojë.

Kjo dhembshuri ekstreme i kapërcen të gjitha dhembshuritë. Xh. G., si mjaft të tjerë, mendoi të mos preket e ardhmja, të cilës i përket vijimi i jetës.

Pa e shtuar mërzinë e këtij rrëfimi makabër, arrij në një përfundim: „I lumi ai që bën mirë e mbahet mend për të mirë dhe i mjeri ai që është gatuar me të liga e di të bëjë vetëm keq!“ Lutem që gjithsecili në këtë jetë, „t’i paguajë vetë“ ligësitë që u ka shkaktuar të tjerëve!

Përgatiti Niazi Xhevit Nelaj. Në Tiranë, më 30 dhjetor 2019

PS: Kërkoj mirëkuptim nga lexuesi: nëse në vend të emrave të vërtetë kam shkruar vetëm inicialet, kjo, për të vetmen arsye: për të ruajtur privatësinë e, për rrjedhojë, për të mos shkaktuar lëndim. (N. Nelaj).