(Monografi familjare)
Nuk janë të paktë ata burra apo gra, që kanë dhënë kontribute me vlerë në historinë e fshatit e në jetën e bashkëfshatarëve tanë. Kalivaçi i Tepelenës, është vërtetuar shkencërisht se është njëri nga fshatrat më të lashtë të trevës dhe është i pasur në histori e në heroizma. Interpretimet shkencore të zbulimeve arkeologjike të kohëve të fundit, ku kanë dhënë kontribute me vlerë kalivaças, si Prof. doktor Vezir Fejzo Muharremaj; Xhelil Aliu; Shyqyri Hysi dhe të tjerë kompetentë, jokalivaças, nuk lënë shteg, për mëdyshje.
Halil Zoto Ramaj

Nimete Ramaj
Kalivaçi i Tepelenës (bëhet fjalë për situatën gjeopolitike të viteve ’50 të shekullit që shkoi), ishte i vendosur mbi tetë kodra e faqe kodrash, të ngritura mbi shtrate guri e shtufi. Vetëm njëra nga mëhallët e Pusit (fshatit të madh), Hysodosajt, është e vendosur mbi një terren të fortë shtufi. Nuk është përzgjedhur më kot ky “kompozim”. Njerëz me mend në kokë e kanë bërë këtë përzgjedhje, në mënyrë që të mos zinin tokën arë e cila, edhe kështu, ka qenë e është e pakët si sipërfaqe, edhe pse pjellore. Besoj se nuk është e tepërt po të kujtojmë emrat e mëhallëve të dikurshme, të cilat kanë evoluar e janë shtuar, me shtimin natyral të banorëve vendas dhe të të ardhurve. Mëhalla më e lartë, gjykuar nga lartësia mbi nivelin e detit, është ajo e Hasanbegajve.
Po të rrekesha të flisja me fjalët e një të moshuari, kjo mëhallë është jo vetëm njëra nga më të lashtat, por dhe më e fismja, në fshat. Mëhallë të tjera janë: Bozanajt; Mecajt; Leshnja; Ahmetajt; Beqirajt; Hasanimerajt dhe Hysodosajt. Specova; Ruci (Brinja e Beut); Saloniqi; Margellici; Cesma e Thatë etj., janë ngulime relativisht të reja, të shkëputura nga mëhallët “Nënë”, për shkaqe pronësie ose për ndonjë shkak tjetër të natyrës sociale.
Etapat nëpër të cilat kanë “notuar” kalivaçasit kanë pasuar njëra-tjetrën; koha dhe njerëzit kanë evoluar, por fshati, pavarësisht nga ndryshimet që kanë ngjarë, ka mbetur në ngulimet e fillimit të jetës së tij. Njëherazi, nëpër fshatin tonë kanë kaluar apo janë ngulur pushtues të ndryshëm: romakë; sllavë; grekë; turq dhe ka pasur ndikime të fuqishme të të huajve të kohëve moderne, por banorët e Kalivaçit të Tepelenës kanë qenë e kanë mbetur të bashkuar me njëri-tjetrin dhe asnjë politikë përçarëse nuk ka gjetur terren për ta bërë “çorape” fshatin tonë. Po cilët kanë qenë faktorët bazë që e kanë bërë të mundur mospërçarjen dhe harmoninë mes njerëzve? Do të mundohem të paraqes opinionin tim, i cili, gjithsesi, mbetet vetjak.
E para, çdo mëhallë, si rregull, përbëhej nga i njëjti fis, i cili është brenda lidhjes së gjakut. Ka pasur e ka dhe mëhallë, të cilat kanë në përbërje njerëz nga dy e më tepër fise. Njëri nga fiset mund të jetë dominues, për nga numri dhe pesha.
Në Mecaj, p.sh., dy fise rivalizojnë me njëri-tjetrin: Xhaferajt, të cilët janë në shumicë dhe Dulajt, të cilët janë më të hershëm. Në Ahmetaj, në mënyrë absolute, dominojnë Nelajt. Edhe disa familje të cilat, “rrugës”, për shkaqe të ndryshme kanë tentuar të ndryshojnë mbiemër, e janë degëzuar si Jacaj e Minojacaj; Behaj apo Bejomalaj etj., të njëjtin gjen me Nelajt trashëgojnë.
Në Hasanbegaj, Takajt janë dominues, por dhe fiset e tjera nuk janë të parëndësishme. Malajt apo Hysajt, në Bozanaj, ashtu si Varfajt; Dostajt e ndonjë familje e ardhur siç janë Celajt, përherë kanë qenë komunitet i kompaktësuar. Kështu mund të themi dhe për Ramajt; Alidrvishajt; Sulajt; Pashajt etj., në Hysodosaj, etj. Duke qenë të të njëjtit fis e gjen, njerëzit e kanë kërkuar dhe e kanë gjetur përkrahjen tek të tyret, në radhë të parë. Kemi dhe shembuj të tjerë interesantë. Danajt, pavarësisht se e kanë transformuar mbiemrin, ashtu si Dulajt; Muharremajt; Canajt etj. në mëhallët Beqiraj e Hasanimeraj i kanë dhënë tonin jetës në sinoret e tyre për shkak të numrit të njerëzve, por kanë ekzistuar dhe fise me pak familje e njerëz si Haxhiajt, të cilët kanë ndikuar, fuqishëm, në jetën e fshatit, për shkak të pasurisë. Njëra nga mëhallët më interesante është ajo e Leshnjes.
Në atë bregore, me ullinj e me pemë të tjera frutore, janë grumbulluar fise të ndryshme; disa të ardhura. Tiparet e tyre njerëzore i kanë afruar e i kanë bashkuar njerëzit, të cilët jetojnë, prej shekujsh (Leshnja është mëhalla më e lashtë e fshatit), në harmoni me njëri-tjetrin.
E dyta, si rregull, çdo mëhallë drejtohej nga një njeri (zakonisht i seksit mashkull), i cili, për nga tiparet burrërore, dilte mbi të tjerët. Në Mecaj, i dëgjohej fjala mentarit Zagoll Saliko Xhaferaj, i cili, jo vetëm që ishte nga burrat më të zgjuar e me më autoritet, i njohur për mençuri e si trim, por dhe dispononte pasuri, të vënë me mund e me djersën e tij e të vëllezërve të shumtë. Shtëpitë që ngriti Zagolli ishin e janë një ngrehinë e veçantë në fshat e gjetkë, jo vetëm për nga numri i konakeve ku strehoheshin pjesëtarët e familjes, por dhe për nga arkitektura karakteristike. Meqenëse jemi këtu, mendoj se duhet theksuar se kryetarët e fiseve, të cilët mund të njësohen me kryepleqtë e mëhallëve, për shkak të autoritetit që kishin në fis e më gjerë, detyrimisht duhet të kishin dhe konaket më të dukshme e më të kompletuara. Shkak për këtë shërbente dhe fakti se tek ata, në shtëpi, shkonin mjaft bashkëfshatarë, për t’u konsultuar e për të qarë hallet.
Sipas traditës, atij që vinte, qoftë dhe për hallet e tij, i zoti i shtëpisë i rezervonte qoshen e djathtë dhe e priste me të gjitha nderet që i takojnë një miku. Ai, pavarësisht nga gjendja sociale dhe pozicioni që zinte në hierarkinë fisnore, trajtohej si mik i shtëpisë. Këto ndere u bëheshin dhe pjesëmarrësve në “odën” e burrave (grave) ose kur thirreshin për të gjykuar një çështje të veçantë (një grindje, një vjedhje etj.).
Në të tilla raste merrnin pjesë në gjykim përfaqësues të familjeve të mëhallës (zakonisht nga çdo hane, merrte pjesë një njeri).
Po të kemi parasysh konaket e Muharrem e Beshir Haxhiut, në Hasanimeraj; të Dule Alushit dhe Dulajve të tjerë; të Danajve; të Muharremajve; të Canajve; të Agajve; të Bilajve; etj. me mure të larta, me dritare në formë frëngjie e me mur të ngritur me gurë të gdhendur e të lidhur me llaç gëlqereje, madhështinë kishin për domethënie. Kështu mund të thuhet dhe për kompleksin e shtëpive të Malajve e të Dostajve, në Bozanaj; të Rrapo e Veiz Danos, në Hasanbegaj dhe të Ali Xhelilit e të vëllait të tij; të vëllezërve Hysenaj e Llakaj në Leshnje; të Muharrem Qerimit e Hamza Sheshos, në Ruc; të Sulajve, Ramajve, të Pashajve, të Alidervishajve në Hysodosaj; të Sherif Rrapos; të Fejzo Breshanit; të Pasho Mehmetit; të Xhemal e Salih Haxhiut; të Muharrem Kamberit; të Sadik Dajlanit; të Abedin Kahremanit e të Laze Xhezos dhe të Hysni Metes, në Ahmetaj. Të këtij tipi ishin dhe konaket e Ahmet Selfos dhe vëllait të tij – Novruzit etj. etj.
Në kohë të ndryshme, funksionet e drejtuesit të fisit apo të mëhallës kanë kaluar dorë me dorë. Një gjë nuk mund të injorohet: I fismi ka mbetur i fisëm dhe ndikimi i tij në komunitet, prej kohës që kalon, nuk është tretur. Kështu, fisnikërinë e Zagoll Salikos e vëmë re tek miqësitë që lidhi e tek miqtë që bëri ai burrë.
Për fat të keq, nga martesa e tij me të mirën Meto, nuk erdhën në jetë djem, por plot 6 vajza. Ama Zagolli i mençur diti të lidhet me krushqi, me familje e me njerëz të zgjuar e të dëgjuar, në Kalivaç e në fshatra të tjera. Muharrem Kamberi, në Ahmetaj, me të cilin u martua bija e tij – Tajanja, ishte nga ata burra që nuk të bënin për burrë.
Ai ishte hazerxhevap e nuk e linte fjalën të binte në shesh. Kush e ka njohur atë burrë, nuk mund të thotë të tjera fjalë. Vajzën tjetër e martoi në Hysodosaj, me Ago Mersinin, i cili ishte me mbiemrin Hoxhaj, që është i vetmi në Kalivaç. Konaket e Haxhiajve, të cilat u ngritën nga vëllezërit: Muharrem e Beshir Haxhiu, nuk kishin të bënin vetëm me kamjen, por dhe me mendjen e tyre.
Ata u lidhën me miqësi me familje të ndjera, në Kalivaç, si me Veiz e Rrapo Dano Takaj, të cilët veçoheshin në Hasanbegaj, si njerëz të fisëm (ata ishin djem të Qemos, motrës së vëllezërve Haxhiaj), por dhe ishin me autoritet të padiskutueshëm. Mund të them se Takajt; Mahmutajt; Celajt etj. krahas fiseve të tjera me emër të mirë, në këtë mëhallë “Kristal”, në çdo kohë kanë qenë të preferuar, për t’u lidhur në miqësi e të lakmuar për të bërë krushqi. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për të ngulurit në Specove ku më i përmenduri ishte Nebi Cizua i Caushajve etj.
Së treti, të parët e fiseve, rrjedhimisht dhe të mëhallës, kur mençurisë së tyre i vishej dhe pasuria, bëheshin më autoritarë e u dëgjohej më tepër fjala. Por, pesha e fjalës së tyre lidhej pazgjidhshmërisht me peshën e lidhjeve dhe të marrëdhënieve ekzistuese. Disa lidhje, i ceka më sipër, por, për të argumentuar idenë se Kalivaçin e kanë mbajtur tok lidhjet mes njerëzve e familjeve të tyre, do të mundohem të sjell përpara jush vetëm njërën syresh, e cila zgjatet e zgjatet, pambarim, duke pleksur shumë ke, siç plekset një gardh me lloj-lloj shkarpash. Thamë se vëllezërit: Muharrem e Beshir Haxhiu, kishin lidhje të forta e të qëndrueshme të cilat, krahas pasurisë, u jepnin dhe autoritetin e peshën e fjalës. Po përpiqem ta çoj më tej idenë: Motra e tyre, Qemua, kishte bërë dy djem në Hasanbegaj: Veizin dhe Rrapon. Rrapua kishte për grua të mirën Lule, e cila ishte bijë e Azbi Bakos dhe e Hasimese.
Njëra nga Hasimete ishte bijë e Bejekos dhe e Mino Jaces, nga Nelajt. Shaza e Sulo Barjanit ishte motër e Halimit, ashtu si dhe Melaizja e Mete Medinit. Vëllai i madh i Metes – Tefiku, ishte i martuar me Benen – motër e Rexhep Abedinit, nga Danajt. Motër e Rexhepit ishte dhe Xhipja e Hamit Caushit. Por “ekuacioni”, këtu merr tjetër rrjedhë: Rexhepi ishte dhëndër i mentarit Xhemal Haxhi Nelaj, nga Ahmetajt. Xhemali, nga ana e tij, ishte dhëndër i Xheladin Dajlanit, nga Hysodosajt dhe i kishte dhënë vajzën - Mbeten, Musa Brahushit të Bilajve, në Hasanimeraj, për të birin – Sulejmanin e pashoq. Musa Brahushi dhe bashkëshortja e tij – Hysnija, kishin martuar vajzën – Hateme, me Qemal Sherifin, në Ahmetaj, i cili mbante mbiemrin e dajos së tij – Bektash Sakos të Ormenajve. Sherifi dhe vëllai i tij – Demiri, kishin xhixhi, të rrallën Dylbe, gruan e Bektash Sakos dhe motër të Hysen Mahmut Alidervishaj.
Hyseni i Alidervishajve kishte për grua Sadon, motrën e Musa Mehmetit, nga Nelajt dhe vëllezërve të tij, etj. etj. Po të doni e vazhdojmë rrëfimin, por kam sigurinë se zinxhiri i lidhjeve nuk mbetet këtu.
Kalivaçi ka pasur e ka njerëz të zgjuar e largpamës, të cilët, në çaste të vështira kanë ditur të dalin mbi ndasitë e kohës. Aq i zgjuar e me mend në kokë ishte plaku Xhemal Haxhi Nelaj, sa u lidh me krushqi me njërin nga të fismit e mëhallës Hasanbegaj, me Manxhar Fetahun, nga familja e të cilit mori nuse për djalin e madh të tij – Kasemin - Xhevon, të bijën e Ago Manxharit. Në çift me të bijën e Ago Manxharit, Kasemi solli në jetë, një vatër me fëmijë, të cilët kanë “pushtuar” kontinentin e jetojnë me djersën e ballit.
Është e sigurt se nga krushqitë dhe nga miqësitë e shumta, fshati ynë ka njohur vetëm përfitime. Ato kanë ndikuar pozitivisht për të krijuar kohezionin e nevojshëm e aq të domosdoshëm për të jetuar në harmoni e në paqe me njëri-tjetrin. Ja si e ka shprehur dikur, në këngë, ndjesinë e tij pozitive, pas një krushqie të re, plaku i moçëm i Bilajve - Musa Brahushi. Kur martoi djalin e madh - Sulejmanin, me Mbten, të bijën e Xhemal Haxhiut, nga Ahmetajt; xha Musa Brahushi, i biri i Brahush Sulejmanit, ia mori këngës:
“… U shyqyr në Perëndinë;
Bëra mik; Xhemal Haxhine;
Edhe Sherif Efendine;
Tok me Rexhep Abedine…”.
Po të kapim ndonjë fije tjetër, e ta ndjekim atë, do të vëmë re se i gjithë fshati është i mbështjellë me “sharkun” e krushqive e të miqësive. Këto lidhje e kanë mbajtur fshatin tonë unik e familjet të lidhura me njëra-tjetrën. Kur nuk mjaftonin lidhjet e krushqisë, apo ato të miqësisë tradicionale, bashkëfshatarët, me iniciativë e me vullnet të lirë, sajonin të tjera lidhje, siç ishte vëllamëria; kumtëria; qinosia; të bërit synet etj. Edhe të qenit hyzmeqar krijonte afrimitet e mbështetje të forta. Synimet, në tërësi, ishin përkrahja dhe mbështetja; por jo “ombrella” të askujt. Instituti i vëllamërisë me hajmali ia vlen të studiohet me kujdes mbasi është një lidhje miqësie që buron nga vullneti i lirë i dy e më tepër njerëzve. Rastet e kësaj dukurie, në Kalivaç, nuk kanë qenë të pakta.
Mund të sjell në kujtesën tuaj, vetëm disa syresh:
Burri me peshë Malo Barjami, nga Bozanajt, i biri i Barjam Malos të parë, u bë vëllam me hajmali, me Xhemal Haxhiun dhe me Ahmet Selfon, nga Ahmetajt. Vini re: Të mençurit e kërkojnë dhe e gjejnë njëri-tjetrin. Xhevit Malkua ishte taksur vëllam me hajmali, me Muharrem Haxhine; me atë që e kishte pajtuar hyzmeqar etj. Natyrë të përafërt ka pasur dhe kumtëria, e cila është një tjetër lidhje e dëshiruar dhe e shprehur me vullnet të lirë të palëve.
Një lidhje e veçantë, e cila, për mendimin tim është e pashoqe, ka të bëjë me shuarjen e sherreve, që kur lindin, duke vënë në punë mendjen dhe ndikimin e njerëzve të mençur. Një rast unikal, na sjell veprimi i burrit të mençur Ali Xhelili, i cili për të mos i hedhur zjarrit benzinë, në rastin kur dy çobanë të familjeve të ndërsjellta u grindën për shkaqe banale, me zgjuarsi, lidhi krushqi me Hysni Meten, duke i dhënë Jasharit, për grua Ajkon; vajzën e vëllait. Kësisoj, ai mentar i rrallë nuk i bëri shërbim hasmërisë mes dy familjeve.
Padyshim, ndikimi i peshës së fjalës së mentarit nga Ahmetajt, burrit të zgjuar Ahmet Selfo Zenelaj dhe i Xhixhos shpirt njeriu, e cila ishte motër e të mençurit Ali Xhelili, ka pasur ndikimin e padiskutueshëm në të mirë të kësaj zgjidhjeje. Ky nuk është një rast i shkëputur e i vetëm. Kur u nda nga jeta, në hasmëri, burri i fuqishëm e i pashëm i Muharremajve, njëra nga lulet e fshatit tonë - Aliko Qazimi, për të rekuar në familje, sipas zakonit, vajti dhe Jemineja e Malko Binos, e cila ishte bijë në Hysodosaj, në fisin nga rridhnin Jace Sadik Hazizaj e Azis Telha Azizaj. Ajo grua burrëreshë, e qau, me ligje dhëndrin e fisit të burrit. Edhe një rast tjetër, i cili ia vlen të theksohet: Kur u nda nga jeta e paharruara Haire, bashkëshorte e Breshan Fejzos dhe nënë e pesë fëmijëve, kur i shoqi mbeti në hall të madh, ishin vëllezërit e të ndjerës, që ngulën këmbë pranë Halil Lazes (dajo i Samos), për t’i bërë për grua, mbesën e kthyer nga Lufta Partizane, burrit të ve Breshan Fejzo Nelaj. Shembuj të tillë, me vlerë e të rrallë, kanë pasur rrjedhoja pozitive në forcimin e lidhjeve mes kalivaçasve.
Njerëzit e mençur, edhe pse të pashkolluar, Kalivaçit nuk i kanë munguar kurrë. Në situata të caktuara e delikate, veprimi i tyre i mençur ka dalë në plan të parë dhe atëherë zgjidhja e mençur nuk ka munguar. Paralelizma nuk mund të bëhen se ato, jo rrallë nuk shkojnë, por situata të ngjashme përsëriten e kërkojnë më shumë vëmendje. Aktualisht, mjaft kalivaças, në kërkim të një jete më të mirë, kanë qenë të detyruar të emigrojnë.
Ata, ku nuk i gjen sot? Edhe në Australinë e largët, në kontinentin amerikan apo në Veri të globit, gjen banorë të këtij fshati, jo siç thuhej dikur: “Si zogjtë e korbit”, por si njerëz aktivë e me vlerë. Mjaft syresh, me punën e me sjelljen e tyre, i kanë bërë shërbim rritjes së reputacionit për fshatin e lindjes dhe për vendin tonë, në tërësi. Nuk po rrekem të bëj evidencë, por dua vetëm të them se ata (ato) janë pinjollë të të gjithë fiseve, ose janë të lidhur me shumë fije me Kalivaçin, i cili krenohet me ta.
Një traditë me vlerë të cilën na e kanë lënë si trashëgim të mëparshmit tanë, është Pajtimi. Ai vërtet përqendrohet në një veprim të vetëm, i cili ndryshon marrëdhëniet e cenuara mes bashkëfshatarëve, por, pa drojë mund të barazohet me një institucion bamirësie. Për shkaqe nga më banalet, në marrëdhëniet mes dy njerëzve apo dy familjeve, mundet dhe të një gjaku, futeshin mosmarrëveshja dhe grindja, të cilat përfundonin me mëri, apo me bojkot, e thënë me gjuhë të moderuar. Mëria, mund të kishte shtrirje kohore të gjatë, por, në shpirtin e secilës palë apo individ qoftë, ziente jo dëshira e hakmarrjes, por ajo e faljes; e pajtimit. Dhe mezi pritnin njerëzit e mirë, sa të ndodhte një fejesë, një martesë, një davet, madje dhe një gjëmë (natyrisht, e padëshiruar) dhe, pa ftuar, tjetri hynte brenda e kësisoj bëhej pajtimi midis bartësve, pa ndërmjetësinë e të tretëve. Kështu, mëria shndërrohej në gëzim e nga kjo përfitonin jo vetëm palët që pajtoheshin, por dhe ata rreth tyre.
Nuk e bëra pa qëllim gjithë këtë hyrje të gjatë. Mendoj se ka ardhur koha të thuhen dy fjalë, siç ka ngjarë, pa u përpjekur për të hedhur baltë mbi “X”-n apo “Y”-n. Në një periudhë rreth 50-vjeçare, në Kalivaç, për interesa jo të Kalivaçit e të kalivaçasve, janë bërë përpjekje, herë me fjalë e herë me dhunë, për t’i parë çështjet bardhë e zi. Kësisoj, orvatjet kanë synuar dhe kanë rrënjosur, institucionin e padëshiruar të nxitjes artificiale të luftës së klasave. Ta themi hapët: përçarja, asnjëherë nuk ka qenë, në shërbim të fshatarëve dhe të fshatit tonë, por për të nxitur ndasitë klanore apo klasore dhe urrejtjen e pamerituar mes njerëzve të mirë. Po përpiqem t’i hyj më konkretisht problemit; apo siç thonë rëndom kalivaçasit, t’i bie në kokë. Shqipëria u pushtua nga fashistët italianë.
Pushtimi fashist u ndie, në forma të ndryshme edhe në Kalivaç. Rezistenca kundër fashizmit, e cila nisi në Durres dhe në disa qytete të tjera, u shndërrua në një lëvizje të gjerë antifashiste, në të cilën, që në ditën e parë të formimit të Batalionit Partizan: “Baba Abaz” në Donije, 50 vajza e djem u rreshtuan në njësitet partizane e hodhën në sup pushkën partizane. Duke parë këtë rreshtim kundra tyre, pushtuesit menduan përçarjen si formën më të vërtetuar për veçimin e njerëzve apo, siç mund të thuhet, për parcelizimin e tyre. Si kundërvënie ndaj frontit Nacionalçlirimtar, pushtuesit mobilizuan dhe bashkuan në një front tjetër grupimin e kundërt.
Ata nuk ishin kundër bashkëfshatarëve të tyre, por u rreshtuan si nacionalistë, më tepër falë lidhjeve dhe ndikimeve me njerëz që kishin “pushtet” mbi ta. Në fund të fundit, si partizanët, ashtu dhe nacionalistët, ishin nga i njëjti brumë; ata ishin kalivaças. Të marrim si shembull njërin nga ata që u cilësuan “ballistë”; siç ishte Mahmut Muharrem Pashaj, në Hysodosaj.
Ai vërtet ka qenë “Ballist”, por ta themi e ta shkruajmë historinë, siç ka qenë, jo siç do njëri apo tjetri. Pas Çlirimit të vendit, kur u formua kooperativa bujqësore e fshatit tonë, në odën e tij u mblodhën themeltarët e kooperativës bujqësore. Brigadier i parë, madje edhe kryetar, për pak kohë, ishte Dauti, djali i madh i Mahmutit; një njeri për së mbari. Sa shumë e donte dhe e respektonte Mehmet Musai, atë njeri, i cili iu bë krah i djathtë dhe mes tyre nuk kishte veçim, pavarësisht se njëri ishte djalë i ballistit e tjetri vëlla dëshmori. Kooperativën bujqësore të fshatit e formuan ata që kishin vullnet, tokë pjellore, bagëti e kafshë pune, jo ata që nuk kishin hi në vatër. Po nipi i Mahmut Muharremit, Anesti, që u shpall “dëshmor i Atdheut” nuk ishte nga ajo derë?
E ashtuquajtura luftë e klasave i përçau kalivaçasit të cilët ishin shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Ferriku, i biri i ballistit Azis Selfo, shërbeu një jetë të tërë, si ekonomist i kooperativës bujqësore dhe nuk e “ngjeu” dorën, në asnjë rast. Veipi i Dules dhe vëllai i tij, Hajriu, punuan me ndershmëri e përkushtim në kooperativën bujqësore të fshatit, në sektore të rëndësishëm etj. etj. Nuk po them për ato familje e për ata kryefamiljarë të zgjuar, të cilët kanë pasur një djalë me çlirimtarët e një tjetër me nacionalistët. Ndonjëri që e koncepton këtë çështje si: “Ha në të dy krahët” nuk e ka mirë.
E kam të qartë që me këtë shkrim do të bëj mjaft kundërshtarë. Sidomos nga ata që kanë notuar në eufori e në kënaqësinë që të jep biografia “e mirë”, të cilët, padyshim kanë gëzuar dhe privilegje të pamerituara, por historinë, edhe pse e shkruajnë fitimtarët, sipas konceptit materialist dialektik e bëjnë fitimtarët, mendoj ta lexojmë siç ka qenë, përndryshe bëhemi palë me falsifikatorët. Nëse disa figura historike me vlerë janë lënë në hije; pavarësisht nga motivet, si Kalivaç nuk na nderon një qëndrim i tillë, nihilist. Po të jetë kështu, pyetja shtrohet: trimat me fletë, ata që e kanë ngrënë barutin me grushte e nuk u lëvizte qerpiku përpara armikut që kishin përballë, me kë kanë luftuar? Kundërshtarët e tyre kalivaças, a nuk ishin të formuar nga i njëjti miell, i bluar në Mullirin e Gurres, pavarësisht se gatimi i bukës ishte realizuar në magje të ndryshme? Mos t’i bëjmë qejfin vetes e të mbetemi në vitin e largët 1945, atëherë kur u shfaqën hapët diferencimet sipas kritereve të luftës së klasave.
Kohët kanë ndryshuar e njerëzit nuk janë ata që kanë qenë. Kjo nuk do të thotë të lihen mënjanë ata që bënë e fituan luftën e në veçanti të rënët për liri, të cilët është e domosdoshme të nderohen e t’u përunjemi vazhdimisht. E kundërta do të ishte gabim i rëndë që nuk do të na falej, por të evidencojmë vlerat, duke i dhënë secilit hakun. Shembulli që vijon, na jep të drejtën të depërtojmë në padrejtësinë historike që është bërë duke lënë në hije vlera të rralla të dy njerëzve, baba e bir, të cilët na nderojnë.
Njëra nga familjet që ka bërë histori në Kalivaç ka qenë ajo e Zoto Halilit të Ramajve, të vetmit major të Ushtrisë Mbretërore që ka pasur fatin e mirë të jetë kalivaças. I biri i tij i vetëm, Halili, ka qenë mësuesi i parë i shkollës fillore të fshatit dhe një intelektual i mirëfilltë, i cili, padrejtësisht, ka marrë “statusin” e “fajtorit të pafaj”. Nuk ndihem mirë, kur lexoj që në Historikun e Fshatit tonë, i cili duhet të përfshijë të gjithë ata që i kanë bërë të mira e i kanë dhënë emër fshatit, këta dy njerëz me vlerë, të cilët e kanë nderuar Kalivaçin, të përmenden “shkarazi” e të mos zënë vendin e merituar në atë dokument, me frymë të theksuar monopartiake. Ca më keq, kur, vetëm për faktin se Zotua ka shërbyer në Ushtrinë Mbretërore Shqiptare, me gradë të lartë dhe se njëri nga vëllezërit e tij, ka qenë xhandar, mbledhës i të dhjetave në Vlorë, të dy, babë e bir, janë trajtuar si të deklasuar. A mund t’i vëmë emër tjetër veç barbarisë, veprimit të ndonjë injoranti, i cili ka prishur qivurin e Zoto Halilit, në Qafen e Derrases, atje ku dikur ka qenë territori i xhamisë së Hysodosajve? Nuk e di, kujt i prishte punë apo ke pengonte prania e atij objekti kulti, i cili, veç vlerave historike-muzeale, kishte dhe vlera të çmuara arkitektonike (ishte ngritur me gurë të gdhendur bukur, jo vetëm të qosheve, por të gjithë murit), si objekt i ndërtuar me gurë të gdhendur e të vendosur me mjeshtëri nga duar mjeshtri esnaf.
Nuk më vjen mirë të marr pozicione mësuesi, por kam gjithë të drejtën e Zotit, të them se disa objekte kulti janë të “shenjta” e nuk duhen prekur. Nuk e them për herë të parë se qivurët, varret dhe gurët e tyre; tyrbetet; xhamitë, kishat, mekamet, gurët e kufijve të tokave etj. jo vetëm që janë rrëfyes të heshtur të historisë, por kanë vlera të shumta njohëse, e janë mjaft të dëshiruara për t’u parë nga vizitorë vendas e të huaj. Çfarë do t’i rrëfejmë një turisti që ka kuriozitetin të vështrojë, madje dhe të prekë (e të ledhatojë) një objekt vlerashumë të kësaj natyre?
Në Kalivaç edhe një muze, sido që ishte, tashmë ka mbetur vetëm në kujtesën e atyre që e kanë parë. Nuk na falet të sillemi kështu me objektet me vlerë, të cilat na marrin përdore e na çojnë larg, në thellësinë e historisë së trojeve tona. Sido e sado elokuent e me bagazh të pasur teorik të jetë “ciceroni”, fjala e tij kurrsesi nuk mund të zërë vendin e të parit të objektit, vizualisht. Është koha t’i vëmë gishtin kokës dhe nëse nuk mund të kontribuojmë për t’i shtuar vlerat, të paktën mos t’i shkatërrojmë ato. Thoni si të doni, por ruajtja e vlerave kulturore dhe historike është çështje kulture, edukate dhe horizonti. Varfëria materiale nuk e justifikon dot varfërinë shpirtërore.
T’i lëmë moralizimet e të kalojmë tek çështja:
Zoto Halili i Ramajve
Zoto Halili, njëri nga njerëzit e lënë në hije, ishte kalivaças dhe me figurën e me qëndrimet atdhetare të tij i bëri nder fshatit. Ai u lind në Hysodosaj të Kalivaçit, në fisin Ramaj, njërin nga fiset më të mëdha në mëhallë, në vitin 1894. Babai i tij - Halili i parë, solli në jetë tre djem: Zoton; Jeminin dhe Tahirin. Zotua, jo si më i madhi i djemve, por si më premtuesi e më i zgjuari, mori udhën e karrierës ushtarake.
Ai, sipas rregullave të kohës, u fut në Akademinë Ushtarake të Ushtrisë Turke, në Stamboll, ku u lidh me miqësi me të dëgjuarin Jaho Gjoliku, nga Kuci i Kurveleshit, i cili, gjithashtu, në atë kohë ndiqte studimet ushtarake në atë akademi. Zoto Halili shquhej për zgjuarsi e shkathtësi dhe për disiplinë të lartë e sjellje adekuate në shoqëri. Ai e përfundoi Akademinë Ushtarake Turke, me tregues mjaft të mirë dhe në moshën rreth 20 vjeç u titullua oficer e u kthye në Atdhe. Ishte koha kur sapo ishte shpallur mëvetësia e Shqipërisë nga Turqia dhe, në vitet e Luftës së Parë Botërore, duke shfrytëzuar brishtësinë e shtetit shqiptar, fqinjët agresivë vështronin ëndrra me sy hapët dhe tentuan ta shqyenin Shqipërinë, duke synuar të rrëmbenin për vete “copën” më të madhe. Duheshin mbrojtur kufijtë e vendit, për të mbajtur të paprekura e të bashkuara trojet amëtare.
Në detyra të ndryshme ushtarake, në përbërje të formacioneve të ndryshme, Zoto Halili u formua, në zjarrin e këtyre përpjekjeve si një atdhetar i shquar e u vu në krye të luftës për moscopëtimin e vendit. Me frymë të lartë atdhetare, Zoto Halili mori anën e atyre që i dolën për zot vatanit të kërcënuar.
Rreth 15 vjet Zotua ishte komandant i xhandarmërisë së Gjirokastrës, dhe arriti në karrierë të merrte gradën e kapitenit. Vëllai i tij, Jemini, ishte xhandar, në Vlorë, së bashku me Dule Alushin. Ai ishte ngarkuar të mblidhte të dhjetat, në fshatrat e Qarkut të Vlorës. Familja e tyre dispononte toka, mall e gjë, në Hysodosaj dhe në fushën e Kalivaçit, me menaxhimin e tyre merrej djali i vogël i familjes, Tahiri. Zotua u formua e u pozicionua si fanolist.
Ai ishte ngarkuar me detyrën e komandantit të rojave të Kongresit të Lushnjes. Bashkëfshatarët tanë e kishin parë Zoto Halilin dhe e kishin njohur tek grumbullonte vullnetarë për të shkuar në mbrojtje të Kongresit të Lushnjes, të cilët i hipte në makinë e i niste për në Lushnje, në rojë të Kongresit.
Noli u përmbys e në vend të tij, u ngjit Ahmt Zogu. Ai e shpalli veten mbret dhe bëri riorganizimin e Ushtrisë Shqiptare. Disa oficerë, të përzgjedhur nga radhët e atyre që mendoi se do t’i shërbenin me besnikëri, i fali e i organizoi rreth vetes. Njëri syresh ishte Zoto Halili, i cili shquhej, si oficer i përgatitur e me shtat azgan.
Në regjimin e Zogut të Parë, Zoto Halilit iu ngarkua detyra e vështirë e komandantit të kufirit, nga derdhja e Bunes, deri në Pogradec. Nëpër atë terren malor, diku të thepisur e të mbuluar nga bora, majori nga Kalivaçi i Tepelenës, Zoto Halili, mbi një kalë të bardhë, me shalë, i shoqëruar nga truproja të armatosura, inspektonte gjithë kufirin. Zotua vishte uniformë të bukur oficeri madhor. Pantallonat i kishte me shirita anash; xhaketën e kishte me supe dhe me xhufka që i vareshin; në bel mbante një jatagan, të futur në mill; kapelen e kishte me xhufka dhe spaletat i ndrinin nga shkëlqimi i xhufkave. Zotua ishte kalorës i mirë dhe kur kalëronte mbante mamuze në çizmet që shndritnin.
Pas ndarjes nga jeta të Zoto Halilit, bashkëshortja e tij, fisnikja Nurije Bolja, e cila ishte gjithë nur, siç kishte emrin, e ka ruajtur gjatë uniformën e burrit, në musëndër, në fund të odës dhe vizitorëve, miqve të shumtë të familjes, kur vinin në atë shtëpi, mes të tjerash, gruaja e bukur dhe e mençur, Nurije Bolja, u dëftonte, midis të tjerave edhe uniformën e bukur të burrit. Bashkëkohësit rrëfejnë se, në një rast, kur ish-kryeministri Mehmet Shehu, kaloi natën, në shtëpinë e Zoto Halilit, kur pa atë uniformë të mbajtur mirë, e përkëdheli me dorë e falënderoi Nurijen për kujdesin që kishte bërë.
Jeta e ushtarakut në detyrën e komandantit të kufirit, regjimi i parregullt i jetesës dhe përkushtimi i Zotos, për ta kryer detyrën, siç i takonte, bënë që majori nga Kalivaçi të sëmurej rëndë, nga tuberkulozi dhe nga malarja. Niveli dhe mundësitë e rikuperimit në vendin tonë, në atë kohë, ishin të kufizuara. Mjekët i rekomanduan Zoto Halilit të ndërronte klimë dhe si vendi më i mundshëm ishte fshati i tij i lindjes, Kalivaçi i Tepelenës.
Në këto kushte, Zoto Halili, së bashku me Nurijen dhe me të birin, u vendos në Kalivaç, në vitin 1935. Ai u kujdes për përshtatjen e shtëpisë prindërore, në trojet e veta, në majën e kodrës së Hysodosajve, ku ajri i pastër, plot me oksigjen të çante mushkëritë dhe era të ngrinte lart, uji i burimit të Donijes ishte jetëdhënës dhe ushqimi asimilohej më lehtë prej tij. Pas dy vitesh qëndrimi në Kalivaç, majori i Ushtrisë Mbretërore - Zoto Halil Ramaj, u nda nga jeta. Vdekja e Zoto Halilit nuk kaloi pa lënë një mal me dhimbje, në familjen e tij, në fis e në mëhallë dhe në shoqërinë e miqësinë e gjerë që kishte ai burrë i rrallë. Bashkëshortja Nurije dhe i biri, Halili, së bashku me vëllezërit që la pas, e përcollën Zoton, në banesën e përhershme, në Qafen e Derrases, ku vendi është i kulluar, pranë Xhamisë së mëhallës Hysodosaj.
Në kujtim të tij, u ngrit një qivur, me gurë të gdhendur. Në pllakën ballore të qivurit, mjeshtri duarartë shkroi fjalët e zemrës së atyre që e ngritën këtë përmendore: “… Në kujtim të majorit: Zoto Halili, vdekur nga një sëmundje e rëndë”.
Më bën të mendohem gjatë e mos t’i jap dot përgjigjen e nevojshme një fakti, i cili flet shumë e dëfton shumëçka. Zoto Halili arriti gradën e oficerit madhor të Ushtrisë Mbretërore dhe merrte pagë të “majme”. Fisi i tij, në mëhallën Hysodosaj - Ramajt, ishte njëri nga fiset më të ndjera në Kalivaç dhe me potencial ekonomik të konsiderueshëm. Bashkëshortja e tij, Nurija Zonjë, rridhte nga një fis i fisëm e i kamur.
Ajo vetë ishte një nikoqire e rrallë dhe pastërtore e pashoqe. Domenet (tokat; trojet, gjëja e gjallë; ullishta; vreshtat etj.) ishin me vlerë. Lidhjet miqësore dhe ato shoqërore të Zoto Halilit ishin të shumta e të shëndosha. Personaliteti i Zoto Halilit dhe “pesha” e tij e fjalës ishin të ndjera. Çështja shtrohet: Zoto Halili, me gjithë këta faktorë në anën e tij, a nuk kishte alternativa të tjera ku të lëngonte nën peshën e tuberkulozit, edhe pse mjekët i rekomanduan klimën e Kalivaçit, për të shporrur sëmundjen e gjatë? Them se po; duke gjykuar nga fakti se në kohën kur ai jetoi, shumë të kamur shkonin për turizëm e për qejf, në vendin përtej detit.
Ka një faktor bazë i cili ka determinuar dëshirën e Zotos, për t’i dhënë fund jetës në Kalivaç të Tepelenës; atje ku erdhi në jetë. E mira Nurije dhe tarafi i tij përzgjodhën si vendvarrimi, Qafen e Derrases; pranë Xhamisë së lashtë dhe atje ku kryqëzohen udhët, në mënyrë që flladi i freskët, i cili vjen nga larg ta ledhatonte edhe të vdekur dhe njerëzit, sa herë kalonin andej, do të dëftonin me gisht vendin ku pushon i lavdishmi Zoto Halili i Ramajve, të cilit i rrahu zemra për Kalivaçin e bukur e me histori. Zotua e kishte për nder që ishte kalivaças dhe vetë kalivaçasit mburreshin e mburren me birin e denjë të tyre.
Nurija e Zoto Halilit
Që në hyrje të këtij kapitulli, kam gjithë të drejtën e Zotit, të pohoj se motra e Bilbil Bolos, nga mëhalla e Ahmetajve të Kalivaçit, ishte jo vetëm një grua fisnike, nga rrënja, por dhe një Zonjë e Zotëruar e për këtë ndihem mirë. Ajo u përshtat mjaft mirë në kushtet e jetës në qytet dhe në kushte ekonomike të diferencuara, krahasuar me jetën që bënte në familjen e saj të origjinës e në tërësi krahasuar me jetesën e grave të fshatit. Prindërit e saj, paskan qenë parashikues të saktë kur i vunë emrin e bukur Nurije. Ajo, me bukurinë e saj të rrallë dhe me sjelljen e mëndafshtë ia bëri jetën të gëzueshme bashkëshortit të saj dhe u bë një grua aristokrate, e cila shpërndante bujarisht rrezet e një jete tjetër e të një përkushtimi të veçantë të femrës në Kalivaçin e asaj kohe, i cili, për hir të së vërtetës trashëgoi prapambetje dhe ashpërsi në marrëdhëniet burrë-grua.
Mjafton të them se ajo grua solli dhe propagandoi mes grave të fshatit, një mënyrë të re jetese, si në pamjen e jashtme; në fushën e të gatuarit, të ushqyerit; në përsosjen e marrëdhënieve grua - burrë dhe të atyre nënë – fëmijë; ashtu dhe në përmirësimin e sjelljes së gruas në familje e në shoqëri. Ajo u bë mbështetja kryesore e bashkëshortit, i cili gjente në familje një mjedis të ngrohtë e të këndshëm e të sigurt dhe një kujdes të merituar. E dinte fisnikja Nurije, se detyra e oficerit të ushtrisë së asaj kohe, në veçanti detyra e komandantit të kufirit ishte tepër delikate dhe bashkëshortit duhet t’i bëhej shok e t’i krijonte kushtet sa më të përshtatshme, për jetë e për t’u relaksuar. Fakti që jeta e tyre bashkëshortore u zhvillua larg fshatit të lindjes dhe komunitetit kalivaças, mentalitetin dhe psikologjinë e të cilit ajo e njihte mirë, i lidhi më ngushtë të dy bashkëshortët, të cilët plotësonin në mënyrë të përkryer njëri-tjetrin.
Ata që e kanë përcjellë jetesën e çiftit, në shtëpinë e tyre në majë të bregut të Hysodosajve, me siguri kanë vënë re ndryshimin e saj me atë që përcillnin vetë. Shtëpia e saj ndrinte, jashtë e brenda, nga pastërtia e duarve dhe mendjes së Nurijes. Në ditët e nxehta, Nurija grumbullonte tek sofatët në hyrje të avllisë, gratë e mëhallës, (ato që ishin më pranë shtëpisë së saj dhe që kishte dëshirë) të cilave u fliste dhe u bënte “leksione”, për mënyrën e jetesës e për sjelljen e tyre në komunitet. Roli përparimtar i asaj gruaje është një gur themeli e një “shkollë” e madhe me efekte të shumta. Gratë që dëgjonin “leksionet” e saj ishin: Zylfija e Selman Xheferit; Melaizja e Mete Medinit; Bena e Tefik Medinit; Shaza e Gani Muharremit; Nurishaja e Kalo Qazos; Havua e Azis Telhait; Dekua e Jace Sadikut; Hankua e Sadik Dajlanit; Zonja e Ahmet Fejzos etj.
Qetë-qetë, me logjikë të shëndoshë e me një dashamirësi të natyrshme, Nurija, me durim e me fjalë të ëmbla, u rrëfente grave të mëhallës (një pjese të tyre), si një mësuese e duruar, gjendjen e tyre dhe mundësitë reale për një jetë më të mirë e më të përparuar, në kushtet e fshatit. Gratë, sikur të ishin nxënëse të etura për të mësuar, i bënin sytë dhe veshët katër, për të përthithur çdo gjë që dilte nga goja e Nurijes. Qëllimi i saj ishte të ndihmonte gratë e Kalivaçit të përqafonin frymën e përmirësimit të pozicionit të tyre, në kushtet kur, në jetën e bashkëfshatarëve tanë sundonte një mentalitet anadolak, sidomos në marrëdhëniet burrë-grua. Me një fjalë, e gjithë përpjekja e Nurie Boles ishte të përhapte të renë në fshat.
Pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit të saj, Nurije Bolja e hodhi vështrimin tek i biri; tek djali i vetëm që i la Zotua; tek Halili, me qëllimin e vetëm që ai të rritej në kushte sa më të përshtatshme dhe të edukohej me frymën e të atit e të bëhej dikushi në jetë. Kushtet materiale dhe aftësitë e saj, si nënë dhe vlerat si grua e qytetëruar, ishin të gjitha në të mirë të edukimit të Halilit, me ndjenja atdhetare e me dashuri për njerëzit e cila gjeti shprehje në kompletimin e të birit me tipare atdhetare e me frymë të shëndoshë komunitare.
Nurija administroi me nikoqirllëk pasurinë që i la Zotua, dhe pensionin që i akordoi shteti i asaj kohe, për shërbimet që i kishte bërë vendit i shoqi. Ajo shtoi një odë; bleu toka, në Jorga; në Mocale; në Ferra; në Qurke e gjetkë. Gjatë vitit 1944, me ushtarët italianë të mbetur atyre hënave, pas kapitullimit të Italisë Fashiste, Nurija bëri një vreshtë, mbi Cesmen e Halilet dhe shtoi një odë. Ajo u kujdes, si asnjë grua tjetër, për ta mbajtur shtëpinë dhe mjedisin të pastër dhe veshjet e Zoto Halilit i ruajti me fanatizëm të madh.
Meqenëse në shtëpinë që i la i shoqi, pas sistemimit të djalit të vetëm, Halilit, në Tiranë; Nurija u detyrua të lërë Kalivaçin e dashur të saj e me kujtime të shumta dhe të shtegtojë pas të birit, në metropol. Halili tashmë ishte shtuar me një djalë, të cilin e quajti shqiptarisht – Arjan. Iu thye zemra fisnikes, kur u ktheu kurrizin shtëpive, e mori udhën për në “kurbet”. Ajo e kishte “shijuar” qysh herët largimin nga fshati i lindjes, por, atëherë kishte në roje të saj e të familjes, kryerojtarin e kufijve shqiptarë. Qëndroi pak tek qivuri i Zoto Halilit, bëri monolog, në mungesë të tij, dhe luti të birin që kur të vdiste, ta sillte në Kalivaç, atje ku i kishte bërë koka “dëng” e ta varroste me të shoqin, me të cilin kishte jetuar si në përrallë. Një bashkëfshatari, i cili e shoqëroi në atë rrugëtim të padëshiruar, kur ai e pyeti për vendin ku duhet ta varrosnin, ajo iu përgjigj, si bijë Kalivaçi, me qesëndi se vendi i saj i varrimit do të ishte: “Lisi i Banit” – e bindur se nuk do ta sillnin në Kalivaç, që të prehej pranë të shoqit dhe të tretej në dheun e të parëve.
Shtëpia dhe pronat e Zoto Halilit
Objekti kryesor pasuror i majorit Zoto Halili ishte, padyshim shtëpia e tij, e ngritur në majë të Bregut të Hysodosajve, e cila ngjante me një pikë vrojtimi nga ku mund të vështrohej si në pëllëmbë të dorës Fusha e Kalivaçit, rruga kryesore që vjen nga Fieri e shkon në Jug të vendit dhe ana veriore (Caushajt, Margellici, Mali i Thanes dhe lartësitë që të çojnë në fshatin Zhulaj, nëpërmjet Arave të Buta). Në shtëpinë e Zoto Halilit, aktualisht banon Kujtimi, pasardhësi i burrit të mirë Selman Xhaferi, i cili, në rrëfimin e tij, na sjell një përshkrim të përsosur, duke na dëftuar dhe evoluimin e shtëpisë dhe të oborrit të saj.
Shtëpia e Zoto Halilit, falë kulturës dhe horizontit të Zotos dhe punës kolosale mirëmbajtëse të Nurijes Zonjë, ishte, pa mëdyshje njëra nga ngrehinat më të mira e më të pastra të fshatit. Mendoni vitet e paraçlirimit dhe periudhën mbi pesëdhjetëvjeçare të pasçlirimit, të pasuar nga mirëmbajtja dhe shtesat që kanë bërë Kujtimi dhe të tijtë dhe bëni bilancin e evoluimit. Oda që zotëronte konakun e Zotos ishte në pozicionin me shtrirje nga juglindja, në veriperëndim.
Ajo kishte katër dritare: dy nga të cilat vështronin nga Fusha e fshatit Kalivaç dhe nga Lumi i Vjoses dhe dy të tjera, të cilat vështronin nga Caushajt. Oda ishte me tavan druri, të gdhendur me cmilar. Në katin e parë ishte soba, e ngrohtë dhe një hambar i madh, në të gjithë gjerësinë, në fund të saj. Dritaret e sobës ishin si ato të odës. Si në sobë dhe në odë, zjarri ndizej në vatër; tymin e tërhiqte një oxhak i madh. Oda ishte me dysheme të ndërtuar me dhoga të trasha, pa kanale e të puthitura njëra me tjetrën me bidërme.
Rreth e rrotull murit të odës ishte një parvaz druri i zbukuruar me skalitje, tek i cili ishin mbërthyer varëse metalike, me kokë druri ku vareshin xhaketat dhe rrobat e tjera të familjarëve dhe të mysafirëve. Vatra ishte e shtruar me shur, e rrahur me gurë lumi dhe e lyer sipër me bojë të kuqe.
Dritaret e shtëpisë ishin tip frëngjie, me hark guri të gdhendur sipër, të cilat ishin të sigurta, me shufra hekuri (si zgarë) dhe mbylleshin nga brenda, me kapakë dhoge të trashë. Në fund të odës ishte një musëndër e gjatë, prej druri, me përmasa sa gjerësia e odës. Në musëndër, e cila futej në mur, vendoseshin sipër: veshjet, shtresat dhe mbulojat, kurse në katin e parë të saj, vendoseshin këpucët. Oda dhe sobalka (kuzhina) ishin vazhdimisht të shtruara, me qilime (anje) dhe me mesje prej leshi dhe me shilte. Rrëzë murit, në kurrizin e çdo njeriu, kishte jastëkë me tantela anash.
Në shtëpinë e Zoto Halilit, për shkak të lidhjeve të shumta të familjes dhe reputacionit që ai gëzonte, nuk reshtnin së hyri e së dali vizitorë të shumtë, nga treva të ndryshme të vendit. Paqllëku dhe bujaria që shfaqnin të zotët e shtëpisë ndaj të ardhurve, ishin faktorë, bazë, të cilët bënin të mundur qëndrimin admirues të mysafirëve të shumtë.
Arkitektura e kompozimit dhe e ndërtimit të ngrehinës ishte e thjeshtë, por gjithsesi interesante. Muret ishin ngritur me gurë të gdhendur, të lidhur me llaç gëlqereje. Në çdo 1 m lartësi, muri lidhej me breza druri të cilësisë së lartë. Çatia ishte e mbuluar me pllaka guri gëlqeror dhe me pllaka të zeza, të cilat ishin më të lehta se të parat.
Në oborrin e shtruar me pllaka guri gëlqeror, të rrethuar nga një mur guri, të lartë rreth 3 m e të mbuluar sipër nga pllaka guri, të cilat shkelnin njëra mbi tjetrën, vegjetonte një hardhi (shtrat), me rrush të varietetit Korinth, të cilin, në Kalivaç e quajnë razaki dhe ishte i këndshëm si rrush tavoline. Në oborr vegjetonte dhe një fik bradashesh, me disa çatalla dhe një shegë e ëmbël. Porta e madhe, me dy kanata vështronte nga Fusha e Kalivaçit. Jashtë saj, në të dy krahët, ishin ngritur, me mur guri dy sofatë, ku vendoseshin objekte të domosdoshme për ekonominë familjare, si bucjela me ujë; thasë me zaire, dru zjarri etj., etj. Në stinën e ngrohtë, përpara portës, mblidheshin gratë e mëhallës së Hysodosajve, të cilave u jepte leksion aristokratja – Nurije Bolja. Porta hyrëse në oborr ishte me dy kanata prej dhoge të trashë e të fortë.
Kur kanatat e saj hapeshin, brenda avllisë mund të futej kafsha e ngarkuar me demekë me kashtë apo me shkarpa. Porta e madhe hapej me dorëza të forta. Jashtë saj, në një vend të përshtatshëm ishte vendosur një mjet që ngjante me një dorë, për të trokitur.
Në një vend të dukshëm ishte vendosur një pllakë prej cingoje, në të cilën shënohej numri 62 që dëftonte numrin konvencional të derës.
Shtëpia e Zoto Halilit kufizohej nga shtëpia e Sulo Beqirit dhe nga ajo e Manxhar Azbiut. Familjet e tjera të Ramajve ishin kryesisht në anën jugore të saj. Marrëdhënie më të mira, familja e Zotos, kishte me Sulo Beqirin; me Sinan Hasanin; me Manxhar Azbine, me Gani Muharremin, me Selman Xhaferin, me Kalo Qazon dhe me gjithë mëhallalinjtë. Familja e majorit, e pakët në numër, ishte tepër e qetë dhe dashamirëse. Ajo nuk kishte konflikt, qoftë dhe të parëndësishëm me fqinjët.
Halili
U lind më 17 gusht të vitit 1927, në Kalivaç të Tepelenës, nga dy prindër autoktonë kalivaças: nga znj. Nurije dhe nga Zoto Halili i Ramajve. Ishte fëmija i vetëm i tyre. Halil Zoto Ramaj hyri në historinë e Kalivaçit të Tepelenës, si njeriu që hapi, i pari, në vitin 1945, kur ishte vetëm 18 vjeç, shkollën e parë në fshat.
Ai, në këtë mënyrë, bëri realitet ëndrrën e kahershme të atyre banorëve të etur për dije e përparim. Më vjen mirë të theksoj se Halili i Nurijes dhe i Zotos trashëgoi nga prindërit traditën e bukur të Atdhetarisë e të trimërisë dhe tiparet e tjera, si kalivaças i mirëfilltë. Për fëmijërinë dhe adoleshencën e hershme të tij, nuk vihet re ndonjë veçori tipike.
Ai ishte një fëmijë i zgjuar, i shkathët e i shkuar me bashkëmoshatarët; aktiv në lojërat fëmijërore dhe i menduar e me vështrim të qartë për të ardhmen e tij dhe të fshatit. Si djalë i një oficeri madhor të Ushtrisë Mbretërore, Halili i kishte kushtet për të kryer shkollën shtatëvjeçare, madje dhe të mesmen (të konvertuar me vlerat aktuale). Idetë atdhetare të tij nuk mund ta linin djalin e Ramajve jashtë atij pështjellimi që zaptoi gjithë fshatin, për të mbrojtur trojet e të parëve, ato troje për të cilat dha çdo gjë, madje dhe shëndetin e më pas jetën, i ati.
Në moshën e adoleshencës, kur kalivaçasit ndodheshin në vorbullën e Luftës Çlirimtare dhe fisi i Ramajve ishte mjaft aktiv, në Luftën për liri (Kujtojmë Sinan Hasanin; Muharrem Mehmetin; Gani Muharremin etj.), Halili jetim nga i ati, duke përfituar nga shansi se në atë kohë banonte në Kalivaç, u lidh me militantë komunistë e u aktivizua në formacionet vullnetare dhe partizane të fshatit e të zonës, nën drejtimin e partizanëve të sprovuar: Sulo Beqiri; Jace Sadiku; Muharrem Hasani, së bashku me Selam Halilin; Qemal Demirin etj. ku dha kontribute me vlerë në shërbim të luftës për liri. I mbrujtur me ideale atdhetarie e me vullnetin e mirë për të përcjellë tek bashkëfshatarët e tij dituri, në moshën 18-vjeçare, Halili i Zoto Halilit, në vitin 1945, hapi, për herë të parë, shkollën fillore të fshatit, në vendin e quajtur Maja e Tendes, themelet e të cilës ishin hedhur që në vitin 1935. Halili bëri realitet të prekshëm, dëshirën shekullore të kalivaçasve për të nxënë.
Halili nuk kishte arsim pedagogjik, por, me nivelin arsimor të arritur dhe me shumë dëshirë guxoi të “shkundte” pluhurin shekullor të padijes e të “mbillte”, në vend të saj – diturinë. Në atë kohë, shkolla fillore e Kalivaçit përbëhej nga një ngrehinë e vetme, me një klasë, me mure të ftohta e me një bincë poshtë klasës, aty ku është dhe sot, është e shtuar dhe e përmirësuar, me shumë klasa. Halili ishte i vetmi mësues dhe jepte mësim në të vetmen klasë.
Për të na krijuar një tablo më të qartë për atë vit mësimor, le t’i referohemi kujtimeve të të moshuarit Idai Mete Sulaj, i cili ka përcjellë në atë shkollë katër vite dhe mban mend shokët e tij të klasës. Ai rrëfen: “… Në shtatorin e vitit 1945, u çel shkolla e Kalivaçit, në vendin e quajtur Maja e Tendes, me një klasë fillore. Mësues ishte Halil Zoto Ramaj.
Në klasën e parë ishin:
- Arif Qamil Sulaj;
- Mehmet Musa Nelaj;
- Caush Hamit Muharremaj;
- Hekuran Sherif Zenelaj (Mucoimaj);
- Islam Azbi Bakaj (Celaj);
- Idai Mete Sulaj;
- Rexhep Ahmet Zenelaj;
- Qani Muharrem Malaj; etj.
Në klasë nuk kishte asnjë vajzë. Në vitet e mëvonshme, në shkollë, vërshuan edhe vajzat kalivaçase të cilave u vlonte në gji dëshira e zjarrtë për të mësuar. Halil Zotua, si mësues ishte mjaft kërkues dhe i rreptë. Ai kërkonte shumë nga nxënësit dhe këmbëngulte që ne të përgatiteshim seriozisht për mësim. Qëllimi i vetëm i Tij ishte të na bënte të ditur. Halili ishte guximtar dhe atdhetar.
Në dorë mbante një shufër ulliri, me të cilën na godiste, po të mos mësonim e po të silleshim keq. Nuk mbeti nxënës pa u fshikulluar nga shufra e tij. Në ndonjë rast, kur ne ia bënim ‘borxh’, mësues Halili na ndëshkonte edhe duke na mbyllur në bincën e shkollës.
Ne nuk bënim vetëm mësim, në klasë. Mësues Halili, të organizuar, na nxirrte shëtitje, për të njohur mëhallët e fshatit. Ai na çonte dhe në piknike, nga Donija, nga Gryka e Ylynecit; nga Fusha e Madhe; nga Zezani e nga buza e lumit, deri tek Shkëmbi i Ylyncit. Që kur iku nga fshati, Halili nuk u duk më, në fshat. Nurija – po, ajo vinte në Kalivaç, herë pas here, e vetme dhe me djalin e Halilit.” (Intervistuar nga Niazi Nelaj, nëpërmjet telefonit, më 25 shtator të vitit 2019).
Në vitin 1945, kur Halili çeli për herë të parë dyert e shkollës fillore të fshatit të Kalivaçit, sipas evidencës së tokës së Nënprefekturës së Tepelenës, ai ishte kryefamiljar dhe familja e tij përbëhej nga dy vetë: nga Halili dhe nëna e tij, fisnikja Nurije Bolja. Familja e tij kishte në pronësi 38 dynymë tokë; 2 kafshë të trasha dhe 8 krerë të imëta. Stani i Zoto Halilit dhe kullotat pyjore të tij ndodheshin tek Kurrizi i Donijes. Arat e familjes punoheshin dhe mbilleshin si më poshtë: Me grurë – 10 dynymë; me elb – 5 dynymë; me tërshërë - 5 dynymë dhe me tepe (hokërr) - 4 dynymë. Familja mbillte dhe bimë prashitëse, në sipërfaqen – 10 dynymë; kryesisht me misër, mbi e nën ujë. Pavarësisht se banonte në fshat dhe kishte një ekonomi bujqësore, Halil Zotua ishte një intelektual i mirëfilltë, i etur për t’u thelluar në shkencat ekzakte dhe në ato të natyrës.
Halil Zoto Ramaj, si mësues i shkollës së fshatit, në moshë fare të re, shpalosi vlerat tipike të personalitetit të tij, por dhe ato të prindërve e të vatrave kalivaçase, të cilat e donin arsimimin dhe ishin në një lloj gare me njëra-tjetrën, kush nga fëmijët të ishte më i përkushtuari, më i rregullti e me tregues më të lartë kualitativë. Halili, nga ana e tij, me kërkesën e lartë për cilësi, por dhe me prirjet liberale e thellësisht intelektuale e vuri shkollën e fshatit mbi binarë të sigurt dhe nxënësit e tij, në udhë të mbarë sa i përket shkollimit. Çelja e shkollës në ato kushte ishte trimëri civile e pashembullt. Frytet e punës së tij flasin vetë. Arif Qamili i Sulajve, për shumë vjet, punoi si ekonomist në kooperativën bujqësore të fshatit, madje ishte dhe kryetar i saj. Hekuran Sherif Zenelaj (Mucoimaj) u bë inxhinier mekanik e shërbeu gjatë në Brigadën e Nëndetëseve, në Pashaliman e më pas në Flotën Tregtare Shqiptare; Caush Hamit Muharremaj u bë një goxha oficer me detyra të rëndësishme, me një karrierë brilante në Ushtrinë Popullore; Mehmet Musa Nelaj u bë oficer i Ministrisë së Brendshme e më pas Kryetar i Kooperativës Bujqësore të fshatit e në detyra të tjera të rëndësishme shtetërore etj.
Dashurinë që kishte për dituritë dhe vullnetin e tij për të nxënë, Halili e vazhdoi më tej, duke përfunduar Universitetin e Tiranës, ku u diplomua inxhinier ndërtimi. Në këtë profesion, në veçanti në fushën e projektimeve dhe zbatimeve të mëdha, Halil Zotua do të mbahet mend si njëri nga profesionistët më në zë, në fushën e ndërtimeve. Devotshmëria dhe përkushtimi profesional i Zoto Halilit e bënë atë njërin nga projektuesit më në zë të kohës. Ai projektoi e zbatoi ndërtimin e fabrikës së përpunimit të thellë të bakrit, në Rubik; uzinës së prodhimit të superfosfatit, në Lac etj. ku u shqua për talentin e rrallë, vetëmohimin në detyrë dhe sidomos, për ndjenjën e lartë të përgjegjësisë në detyrë.
Duke njohur talentin dhe përkushtimin e tij të rrallë, Halili u caktua me detyra projektimi dhe zbatimi në Ministrinë e Ekonomisë Komunale, në Tiranë, ku u shqua për ndërtimin e veprave të artit dhe të ujësjellësve. Atë do ta mbajnë gjatë në kujtesë, banorët e Fushe-Krujes, ata të Ujit të Ftohtë në Vlorë dhe banorët e qytetit të Tiranës, për projektin madhor të liqenit artificial të Tiranës dhe kodrave të pyllëzuara të Liqenit Artificial me të njëjtin emër. Por Halili nuk e harroi vendlindjen, Kalivaçin e Tepelenës, i cili ishte i pandriçuar natën dhe vuante për ujë të pijshëm. Halil Zotua, pa shkelur rregullat dhe normat e kohës, ndihmoi me projekte dhe me material, për elektrifikimin e fshatit, në vitin 1974 dhe për çuarjen e ujit të pijshëm, në çdo shtëpi, më vonë. Bashkëfshatarët tanë, në veçanti ata që nuk arritën ta njihnin Halil Zoton fizikisht, le ta dinë se elektrifikimin e fshatit dhe çuarjen e ujit në çdo familje e ka projektuar dhe ka ndihmuar, me përkushtim për sigurimin e materialeve të nevojshme si shtylla betoni, kabllo elektrike; kanale e tubacione uji etj. Sa herë çelim rubinetin e çezmës dhe sa herë takojmë rrymën elektrike, në shtëpi, ta dimë se atje është Halili, i cili na flet nga përjetësia: “Ruajeni dhe kujdesuni për pasurinë tuaj!”
Është shkruar e është folur pak, për jetën personale të Halil Zoto Ramaj. Ai lidhi martesë me znj. Nimete, e cila ishte një zonjë e vërtetë, e mençur, fisnike dhe e këndshme. Pas martesës me Halilin, ajo vajzë, e rritur në qytet dhe me pekule, kërkoi të vinte në Kalivaç, në shtëpinë e bashkëshortit, tek e mira Nurije Bolja.
Ajo erdhi në Kalivaç, e veshur me kostum; jo me të bardha, siç u vesh në ditën e dasmës. Siç më rrëfeu ajo vetë, në një takim të rastësishëm; në Kalivaç i kishin pëlqyer gratë kurioze të fshatit që vinin për ta parë, interesimi i tyre për jetën dhe revania e bërë me niseshte, me gjalpë, e rrahur fort dhe e pjekur në saç. Nëse mund të shkruaj ndonjë “deficit” të Halil Zotos, me siguri do të thoshja se ai dhe bashkëshortja e tij nuk menduan sa duhet për të shtuar racën e mirë dhe atë prag, por sollën në jetë vetëm një djalë; njëlloj si babai i tij – Zoto Halili. Po të kishte ndjekur “vallen” e Ramajve të tjerë që lindën nga një tufë fëmijësh, Halili, me siguri që do ta kishte mbushur vatrën me plot mentarë e dinjitarë, siç ishte vetë.
Nuk besoj të bezdis dynjanë, po të shkruaj një kujtim vetjak, për Halil Zoton. Ishte vera e vitit 1951. Halili, në atë vit vazhdonte studimet në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, në Tiranë e unë sapo kisha përfunduar klasën e tretë të shkollës fillore të fshatit. Të dy ishim me pushimet e verës. Halili kishte ardhur në Kalivaç, për t’u shlodhur e për të bërë banja uji e rërë, në fund të Jorgave, ku ishte një kum (rërë) e pastër dhe uji i lumit mjaft i kulluar e i freskët. Rastisa, të bëja banjo dielli e lumi, në të njëjtin vend.
Halilin nuk e njihja. Si më i madh, ai u prezantua, i pari. Ai më pyeti shumë për shkollën, për mësuesit, për programin mësimor dhe për çfarë mësonim. Theksi i pyetjeve që më bëri ishte politik. Ashtu ishte shkolla në atë kohë. Mësonim, përpara se të shkruanim e të lexonim, udhëheqësit e kampit socialist, anëtarët e Byrosë Politike dhe këndonim këngë në serbokroatisht: si ajo: “… Druzhe Tito - Druzhe Stalin…” etj. Ia thashë një për një anëtarët e Byrosë Politike dhe mora një “bravo” prej tij e cila më bëri me fletë.
Më nuk e pashë, ndonëse jetuam në të njëjtin qytet, për shumë kohë, ndonëse në kahe të ndryshme.
Epilog
Halil Zoto Ramaj u nda nga jeta, në Tiranë, në verën e vitit 2007, në Tiranë. Ai u përcoll për në banesën e fundit, në varrezat publike, në Sharre. Një lumë njerëzish, të ardhur nga anë e anës, familjarë, bashkëfshatarë, miq dhe shokë, me ndjenjën e respektit mbi supe dhe me lotët që u rridhnin çurkë, morën pjesë në atë ceremoni mortore. Kishin ardhur për ta përcjellë, dinjitarin, bashkëshortja, i biri, miq e shokë të tijtë e të të atit të tij, Zotos. Një fjalim dinjitoz përcolli ceremoninë; mes vlerësimit të meritave të tij dhe premtimit për të ecur në ato gjurmë.
Kur vendosa të shkruaj për këta dy kalivaças të nderuar, por të harruar, e të mënjanuar, u konsultova me mikun tim të kahershëm nga Kalivaçi i Tepelenës, me profesor doktor Vezir Fejzo Muharremaj, i cili është lindur në Kalivaç, ka kryer vetëm shkollën fillore në fshat e më pas ka ndjekur prindërit dhe shkollat, brenda e jashtë vendit. Ramë dakord, të shkruhet dhe mirë, jo vetëm për të nderuar dy kontributorë me vlerë në Historinë e fshatit tonë, por që figura e tyre të “gdhendet” siç e meritojnë ata njerëz që janë nderi dhe lavdia e fshatit tonë. Dua të theksoj një gjë: Veziri është nga ato raste të rralla, që nuk është rritur në Kalivaç e janë të paktë ata bashkëfshatarë që e njohin, por që i rreh zemra fort për Kalivaçin dhe nuk lë rast e mundësi pa shfrytëzuar, për të evidencuar e për të nxjerrë në pah vlerat e Kalivaçit. Edhe në këtë shkrim modest, ai dhe vëllai i tij Qazimi 80-vjeçar kanë kontribute me vlerë. Me kujtimet e tyre, kanë dhënë kontribute të veçanta bashkëfshatarët: Axhem Tefik Sulaj; Idai Mete Sulaj; Ferrik Azis Alidervishaj; Kujtim Selman Ramaj etj. Ndoshta materiali do të kishte dalë më i plotë, po të na ishte krijuar mundësia të shkonim në shtëpinë e pinjollit të Halil Zotos, të paktën për të filmuar një portret të Zoto Halilit, imazhin e të cilit nuk e di asnjë kalivaças. Çfarë do t’u dëftojmë turistëve të interesuar për historinë e fshatit tonë, tani që na u krijua mundësia të renditet Kalivaçi mes 100 fshatrave turistike të vendit?
Mbase ato ndërtesa të veçanta, të lashta e me komplekse, të shkatërruara tashmë, apo ato qivure të rrënuara e ato varre të prishura, krahas objekteve të tjera muzeale do ta shtonin gamën e interesave të vizitorëve.

Zoto Halili

Halil Zoto Ramaj
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj; në Tiranë; tetor – nëntor 2019


Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.